Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Main stream

KIEV – Zelensky: Rusia po përdor territorin e Bjellorusisë për të anashkaluar mbrojtjen e Ukrainës

27 December 2025 at 13:44

KIEV, 27 dhjetor /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se Rusia po përdorte blloqe apartamentesh të zakonshme në territorin e aleatit të saj, Bjellorusisë, për të sulmuar objektivat ukrainase dhe për të anashkaluar mbrojtjen e Kievit, sipas “Reuters”.

Kremlini përdori territorin bjellorus për të nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022 dhe Bjellorusia mbetet një aleat i palëkundur, megjithëse presidenti i hershëm Alexander Lukashenko është zotuar të mos angazhojë trupa në konflikt.

“Rusët duket se po përpiqen të anashkalojnë pozicionet tona mbrojtëse të interceptimit përmes territorit të Bjellorusisë fqinje. Kjo është e rrezikshme për Bjellorusinë”, tha dje Zelensky në Telegram pas një takimi të stafit ushtarak.

“Është për të ardhur keq që Bjellorusia po heq dorë nga sovraniteti i saj në favor të ambicieve agresive të Rusisë”, shtoi ai.

Zelensky tha se shërbimet sekrete ukrainase kishin vërejtur se Bjellorusia po dislokonte pajisje për të kryer sulmet e saj në vendbanimet bjelloruse pranë kufirit, duke përfshirë edhe ndërtesat e banimit.

“Antenat dhe pajisjet e tjera janë të vendosura në çatitë e ndërtesave të zakonshme pesëkatëshe, të cilat ndihmojnë në drejtimin e dronëve rusë “Shahed” drejt objektivave në rajonet tona perëndimore. Kjo është një shpërfillje absolute për jetët njerëzore dhe është e rëndësishme që Minsku të ndalojë së luajturi me këtë”, tha presidenti ukrainas. //a.i/

 

The post KIEV – Zelensky: Rusia po përdor territorin e Bjellorusisë për të anashkaluar mbrojtjen e Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Rusia sulmon Ukrainën para takimit Zekensky-Trump

27 December 2025 at 12:20

KIEV, 27 dhjetor /ATSH-DPA/- Rusia nisi sulme të mëtejshme me raketa dhe dronë në të gjithë Ukrainën gjatë natës, duke synuar disa rajone dhe kryeqytetin, Kiev.

Të paktën 19 persona u plagosën, sipas një raporti të kryebashkiakut, Vitali Klitschko.

“Zjarre të mëdha shpërthyen në dy ndërtesa të larta në qytet si rezultat i sulmeve”, tha Klitschko në “Telegram”.

Në qytetin me 3 milion banorë raportua ndërprerje e energjisë elektrike.

“Aktualisht, ka më shumë se 2 600 ndërtesa banimi, 187 kopshte, 138 shkolla dhe 22 institucione sociale pa ngrohje qendrore”, tha Klitschko.

“Furnizuesit e energjisë dhe shërbimet komunale po punojnë për të rivendosur furnizimin me energji dhe ngrohje”, shtoi ai.

“Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në të gjithë vendin gjatë sulmeve, të cilat prekën edhe rajonet, Chernihiv, Mykolaiv, Kharkiv dhe Zhytomyr”, thanë Forcat Ajrore Ukrainase.

Media ukrainase raportoi se raketat hipersonike Kinzhal ishin ndër armët e përdorura, me infrastrukturën energjetike që thuhet se ishte në shënjestër.

Ukraina është mbrojtuar kundër pushtimit të plotë rus që nga shkurti i vitit 2022.

Me sulmet e fundit, Rusia po ushtron presion ushtarak përpara bisedimeve midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe homologut të tij amerikan Donald Trump, të planifikuara sot në Florida.

Nga ana tjetër, Zelensky ka të ngjarë t’i bëjë edhe një herë të qarta vijat e kuqe të Kievit në negociatat me Trump.

Udhëheqësi ukrainas refuzon të dorëzohet për një paqe të diktuar sipas kushteve të Moskës. //a.i/

The post KIEV – Rusia sulmon Ukrainën para takimit Zekensky-Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rusia kërcënon Europën, dyshohet se ka vendosur raketa hipersonike me kapacitet bërthamor në Bjellorusi

By: Ela
27 December 2025 at 08:56

Moska ka gjasa të ketë stacionuar raketa balistike hipersonike me kapacitet bërthamor në një ish-bazë ajrore në Bjellorusinë lindore, një zhvillim që mund të forcojë ndjeshëm aftësinë e Rusisë për të goditur objektiva në të gjithë Europën, raporton “Reuters”. Këtë vlerësim e kanë bërë dy studiues amerikanë, pas analizimit të imazheve satelitore. Sipas një burimi […]

The post Rusia kërcënon Europën, dyshohet se ka vendosur raketa hipersonike me kapacitet bërthamor në Bjellorusi appeared first on BoldNews.al.

Rusia po zhvendos raketa balistike hipersonike në ish-bazën ajrore në Bjellorusi

By: Re Nato
26 December 2025 at 22:43

Rusia duket se po ecën drejt instalimit gradual të raketave të reja balistike hipersonike të cilat janë të afta të mbajnë koka bërthamore në një ish-bazë ajrore në Bjellorusinë lindore.

Ky zhvillim mund të rrisë ndjeshëm aftësinë e Moskës për të goditur objektiva në të gjithë Evropën.

Sipas agjencisë Reuters, këtë përfundim e nxjerrin dy studiues amerikanë, të cilët kanë analizuar imazhe satelitore.

Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur më herët synimin për të vendosur në Bjellorusi raketa me rreze të mesme të tipit Oreshnik, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 5.500 kilometra, pa bërë të ditur deri më tani vendndodhjen e saktë.

Yesterday — 26 December 2025Main stream

RUSI – Moska: Nuk kemi qenë kurrë kaq afër një marrëveshjeje, por Kievi dhe Evropa duan ta prishin atë

26 December 2025 at 21:11

MOSKË, 26 dhjetor /ATSH/- Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov tha se asnjë afat nuk do të ndihmonte në “punën e vërtetë” të përfundimit të luftës në Ukrainë, ndërsa e përshkroi 25 dhjetorin si një “moment historik” në të cilin palët ishin afruar më shumë drejt përfundimit të luftës, sipas “Ukrainska Pravda”.

“25 dhjetori shënoi një pikë në të cilën palët u afruan më shumë drejt zgjidhjes së çështjes ukrainase, por nevojitet një “përpjekje” e mëtejshme”, tha Ryabkov.

“Nëse do të jemi në gjendje të bëjmë përpjekjen përfundimtare dhe të arrijmë një marrëveshje varet nga ne, puna jonë dhe vullneti politik i palës tjetër”, tha ai.

“Por, Kievi dhe Evropa duket se po forcojnë përpjekjet e tyre për të minuar marrëveshjen”, tha ministri rus.

“Gjithashtu, nuk do të jetë e mundur të arrihet një marrëveshje përfundimtare nëse “problemet” që Rusia pretendon se janë shkaqet rrënjësore të luftës së saj kundër Ukrainës nuk “zgjidhen saktë”, shtoi Ryabkov.

“Asnjë afat kohor artificial nuk do të ndihmojë këtu, asnjë afat kohor – nëntë ditë, 90 ditë, çfarëdo qoftë – ato nuk ndihmojnë me punën e vërtetë”, tha ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky zbuloi të mërkurën përmbajtjen e planit të paqes prej 20 pikësh – të dakordësuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – për herë të parë.

Moska ka lënë të nënkuptohet se Rusia do të kërkojë ndryshime të rëndësishme në draftin e planit të paqes të dakordësuar nga Ukraina dhe SHBA-ja.

Zelensky tha se sot plani prej 20 pikësh për një zgjidhje paqësore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës ishte 90% gati. //a.i/

The post RUSI – Moska: Nuk kemi qenë kurrë kaq afër një marrëveshjeje, por Kievi dhe Evropa duan ta prishin atë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE në kontakt me Kievin, asnjë shenjë paqeje nga Moska

26 December 2025 at 19:09

BRUKSEL, 26 dhjetor /ATSH-ANSA/- Mbështetja e Evropës është thelbësore për suksesin e çdo plani paqeje, tha sot zëdhënësja e Komisionit të BE-së, Arianna Podestà.

“Ndërsa bisedimet në Miami po avancojnë, nuk ka indikacione se Rusia është e interesuar për paqe ose për një armëpushim”, shtoi ajo.

Qasja e Evropës mbetet: vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën dhe rritja e presionit mbi Rusinë për t’u angazhuar seriozisht në negociata”, theksoi Podestà.

Gjithashtu, zëdhënësja e Komisionit të BE-së, Arianna Podestà, tha se BE-ja ruan kontakt të vazhdueshëm me partnerët ukrainas për të arritur një fund të drejtë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të luftës ruse.

Ajo kujtoi telefonatën e 23 dhjetorit midis presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke theksuar se Brukseli ka mirëpritur iniciativën e paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Megjithatë, që çdo plan paqeje të jetë i suksesshëm, mbështetja e Evropës duhet të jetë thelbësore”, tha Podestà. //a.i/

The post BRUKSEL – BE në kontakt me Kievin, asnjë shenjë paqeje nga Moska appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Plani i paqes është 90% gati

26 December 2025 at 16:56

KIEV, 26 dhjetor /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u tha sot gazetarëve se plani i paqes prej 20 pikësh – i hartuar nga zyrtarët ukrainas dhe amerikanë – ishte 90% gati dhe se ai kishte planifikuar të diskutonte me presidentin e SHBA-së, Donald Trump mënyrat se si aleatët e Ukrainës mund të garantonin sigurinë e saj në të ardhmen, sipas “The Times”.

Njoftimi i Zelensky vjen pasi ai ofroi kompromis për disa nga çështjet më të mprehta që deri më tani kanë bllokuar procesin e paqes të ndërmjetësuar nga SHBA-ja me Rusinë.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse lëshimet e Zelensky do ta kënaqin Kremlinin.

Gjithashtu, presidenti Zelensky tha se so të takohej me homologun e tij amerikan, Donald Trump, të dielën në Florida – si pjesë e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës gati 4-vjeçare të Rusisë në Ukrainë.

Duke folur me gazetarët, Zelensky paralajmëroi se nuk mund të thoshte nëse takimi do të çonte në një marrëveshje, por tha se të dyja palët do të synonin të finalizonin sa më shumë pika që të mundeshin.

Më herët, udhëheqësi ukrainas tha ne platformën X se “shumë çështje mund të zgjidhen para Vitit të Ri” duke sinjalizuar një notë optimiste. //a.i/

The post KIEV – Zelensky: Plani i paqes është 90% gati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Moska: Përparim i kujdesshëm në negociatat me SHBA-në për Ukrainën

26 December 2025 at 09:46

MOSKË, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova tha gjatë një konference për shtyp se ka përparim të ngadaltë, por të qëndrueshëm në bisedimet me Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Në procesin negociues për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, ku kam parasysh procesin negociues me Shtetet e Bashkuara, mund të vërehet përparim i ngadaltë, por i sigurt,” u citua të ketë thënë Zakharova.

Vetë Ukraina u përmend pak, pavarësisht se po i reziston pushtimit rus prej gati katër vitesh.

Në vend të kësaj, Zakharova kërkoi të thellojë përçarjen mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë të përfshirë në përpjekjet për paqe.

Ajo u bëri thirrje homologëve amerikanë që “t’i kundërshtojnë në mënyrë aktive përpjekjet e vendeve të Evropës Perëndimore për të sabotuar dhe zhbërë përparimin e arritur në procesin negociues për Ukrainën”.

Pas shpalljes së një plani paqeje me 28 pika, i cili u kritikua gjerësisht si një “listë dëshirash ruse”, udhëheqësit evropianë iu bashkuan Ukrainës në procesin negociues, me synimin për të parandaluar rezultate që mund të minonin rëndë stabilitetin e ardhshëm të Kievit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paraqitur më pas publikisht një kundërpropozim me 20 pika, i cili aktualisht është në diskutim.

Megjithatë, Rusia ende nuk ka paraqitur një qëndrim zyrtar dhe nuk është tërhequr nga kërkesat e saj maksimaliste.

Sa i përket një plani të mundshëm paqeje, Zakharova përsëriti gatishmërinë e pretenduar të Moskës për të negociuar një marrëveshje mossulmimi me një vend evropian ose me NATO-n.

“Rusia është e gatshme të formulojë angazhime përkatëse në formën e një dokumenti të shkruar, juridikisht detyrues”, tha Zakharova.

Presidenti rus Vladimir Putin e kishte ofruar më parë një marrëveshje të tillë dhe kishte hedhur poshtë pretendimet se Rusia mund të sulmonte një vend të NATO-s si “të pakuptimta”./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post RUSI – Moska: Përparim i kujdesshëm në negociatat me SHBA-në për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

VIDEO/ Përfshihet nga flakët rafineria e madhe e karburanteve në Rusi

By: Re Nato
25 December 2025 at 19:04

Në qytetin Novoshakhtinsk në rajonin rus të Rostovit, banorët raportuan një seri shpërthimesh dhe një zjarr të madh në një rafineri nafte lokale.

Guvernatori i rajonit konfirmoi se shkaku i shpërthimeve ishte një sulm ajror, shkruan Ukrainska Pravda.

Në rrjetet sociale u publikuan fotografi dhe video që tregojnë një kolonë të dendur tymi mbi zonën ku ndodhet objekti.

“Si pasojë e sulmit ajror, ka pasur shpërthime në zonën e qytetit Novoshakhtinsk. Sipas informacioneve të para, nuk ka të vdekur apo të lënduar. Informacionet po verifikohen. Shërbimet e emergjencës janë në terren dhe po organizohet fikja e zjarrit,” deklaroi guvernatori Jurij Sljusar.

The oil refinery in Novoshakhtinsk, southern Russia, has reportedly just been hit.

It has been targeted by Ukrainian drones multiple times before.
📹 Exilenova+ pic.twitter.com/xAlvYcQBc9

— Euromaidan Press (@EuromaidanPress) December 25, 2025

 

Ukraina dhe Rusia kryejnë sulme në territorin e njëra-tjetrës

By: Re Nato
25 December 2025 at 17:31

Një mori dronësh rusë e kanë goditur qytetin port rus Temrijuk në rajonin Krasnodar në mesnatë duke ua vënë flakën rezervuarve të mëdhenj të naftës dhe duke dëmtuar objekte industriale, sipas autoriteteve rajonale dhe raportimeve të mediave ruse më 25 dhjetor.

Sulmet kanë ndodhur teksa forcat ruse kanë nisur një valë masive të sulmeve me dronë nëpër Ukrainë, duke goditur infrastrukturën e energjisë dhe zonat e banimit në disa rajone, kanë bërë të ditur zyrtarët ukrainas.

Sipas selisë për operacione rajonale të Krasnodarit, dy rezervuarë të naftës kanë marrë flakë pas sulmit në qytetin port në Detin Azov në jug të Rusisë.

Flakët janë përhapur në rreth 2.000 metra katrorë, ndërsa në raportimet preliminare nuk janë përmendur viktima. Në pamjet e publikuara nga disa media janë parë flakë duke dalë prej një rafinerie nafte në afërsi.

Duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, një zyrtar i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, ia ka atribuuar zjarrin një sulmi ukrainas me dronë, ndonëse Kievi nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Ukraina godet rafineritë ruse të naftës dhe gazit me raketa Storm Shadow

By: M C
25 December 2025 at 17:21

Forcat ukrainase kanë goditur një numër objektesh ruse të naftës dhe gazit me raketa Storm Shadow dhe dronë me rreze të gjatë veprimi të prodhuar në Ukrainë, thanë zyrtarët ukrainas. Ukraina më parë ka përdorur raketa të prodhuara në Britani për të goditur objektet industriale ruse të përfshira në luftën e Rusisë.

Shtabi i Përgjithshëm Ukrainas njoftoi se Forcat Ajrore Ukrainase përdorën raketa lundruese Storm Shadow për të goditur rafinerinë e naftës Novoshakhtinsk në rajonin e Rostovit.

“U regjistruan shpërthime të shumta. Objektivi u godit”, tha Shtabi i Përgjithshëm Ukrainas në një postim në Telegram, duke shtuar se rafineria është një nga njësitë më të mëdha të furnizimit me produkte nafte në Rusinë jugore dhe furnizon me naftë dhe karburant aviacioni forcat ruse në Ukrainë.

Mediat e huaja shkruajnë shërbimi i sigurisë SBU i Ukrainës tha se dronë me rreze të gjatë veprimi të prodhuar në Ukrainë goditën rezervuarë nafte në portin rus të Temryuk në rajonin e Krasnodarit dhe një uzinë përpunimi të gazit natyror në Orenburg në Rusinë jugperëndimore. Uzina e Orenburgut është më e madhja e këtij lloji në botë dhe ndodhet 1,400 kilometra larg kufirit ukrainas.

Autoritetet ruse në rajonin e Krasnodarit thanë se dy tanke u përfshinë nga flakët në portin e Temryuk pas një sulmi me dron. Flakët mbuluan një sipërfaqe prej 2,000 kilometrash katrorë, sipas një postimi nga selia operative e Krasnodarit në Telegram.

Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës tha gjithashtu se forcat ukrainase kishin goditur një bazë ajrore në qytetin rus të Kaykop, në Kaukazin e Veriut. Kievi ka shtuar sulmet ndaj rafinerive ruse dhe infrastrukturës tjetër energjetike që nga gushti në një përpjekje për të ndërprerë të ardhurat e Moskës nga nafta, një burim kryesor financimi për luftën e Rusisë në Ukrainë.

The post Ukraina godet rafineritë ruse të naftës dhe gazit me raketa Storm Shadow appeared first on Albeu.com.

RUSI – Bombardues rusë kryejnë mision të planifikuar mbi ujërat e deteve Barents dhe Norvegji

25 December 2025 at 09:33

MOSKE, 25 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Bombarduesit strategjikë rusë Tu-95MS kryen një mision të planifikuar fluturimi mbi ujërat neutrale të deteve Barents dhe Norvegji, dhe u shoqëruan nga luftëtarë të huaj në disa zona, deklaroi ministria Ruse e Mbrojtjes.

“Kohëzgjatja e fluturimit ishte mbi shtatë orë,” deklaroi ministria.

Aeroplanët luftarakë Su-33 të Marinës Ruse shoqëruan bombarduesit me rreze të gjatë veprimi.

“Në disa faza të itinerarit, bombarduesit me rreze të gjatë veprimi u shoqëruan nga luftëtarë të huaj,” shtoi ministria. /os/

The post RUSI – Bombardues rusë kryejnë mision të planifikuar mbi ujërat e deteve Barents dhe Norvegji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Pse shumë udhëheqës po paralajmërojnë luftë me Rusinë?

24 December 2025 at 21:33

BRUKSEL, 24 dhjetor /ATSH/ – Duartrokitjet u ndalën dhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, i radhiti me kujdes letrat e tij në podium. Atij iu deshën 62 sekonda për të arritur te thelbi.

“Forcat e errëta shtypëse po marshojnë sërish”, tha ai. “Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë”.

Fjalimi i Ruttes në Berlin më 11 dhjetor ishte i fundit në një seri paralajmërimesh të paprecedentë për një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë që u bënë më 2025 nga zyrtarë të lartë evropianë dhe agjenci të inteligjencës.

Në shkurt, inteligjenca daneze tha se “Rusia e sheh veten në konflikt me Perëndimin dhe po përgatitet për një luftë kundër NATO-s”. Në qershor, gjenerali kryesor i Gjermanisë tha se një sulm mund të ndodhë brenda katër vjetësh, e në nëntor, fjalëve të tij u bëri jehonë homologu polak – dy ditë pasi ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se “disa historinë ushtarakë madje besojmë se ne jemi në verën e fundit të paqes”.

Këto nuk janë paralajmërimet e vetme. Por, Rutte ka bërë më së shpeshti paralajmërime të tilla.

Në janar, ai i bëri thirrje shteteve të NATO-s që të rrisin shpenzimet ose të ndjekin kurse të gjuhës ruse, ndërkaq në qershor tha se një sulm mund të koordinohet me një sulm të Kinës ndaj Tajvanit.

Fjalimi i tij i 11 dhjetorit ishte kambana më e fortë e alarmit deri më tani. Ai foli për “përmasat e luftës që kanë përjetuar gjyshërit apo stërgjyshërit tanë” me “një mobilizim masiv dhe miliona njerëz të zhvendosur”.

Çfarë qëndron pas këtyre paralajmërimeve?

Këto deklarime të shpeshta janë bërë kryetituj në mediat kryesore dhe kanë ngritur pikëpyetje, sidomos në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po tregojnë rënie të interesit për të ruajtur nivelin e mbështetjes së sigurisë që u kanë dhënë Evropës në të kaluarën.

“Kjo është diçka që e kam menduar veçmas duke parë se nuk ka asnjë dëshmi që Rusia mund ose dëshiron ta sulmojë NATO-n”, tha për Radion Evropa e Lirë, John Foreman, ish-atasheu ushtarak i Britanisë në Moskë dhe Kiev.

“Mendoj se një numër politikanësh dhe figura ushtarake po përdorin kërcënimin rus për arsye më prozaike: Rutte po inkurajon vendet e NATO-s që të përmbushin zotimet e tyre për shpenzime. Polakët për të sjellë më shumë prani të NATO-s në territorin e tyre”, shtoi ai.

Skeptikët e tjerë vënë thonë se gati pas katër vjetësh luftë, Rusia nuk ka qenë në gjendje ta nënshtrojë Ukrainën, edhe pse këtë vit ka bërë përparime me kosto të jashtëzakonshme në humbje njerëzore dhe në pajisje.

Teemu Tammikko, nga Instituti finlandez për Çështje Ndërkombëtare, tha po ashtu se Rusia nuk duket e “gatshme dhe e aftë që ta sulmojë NATO-n, për momentin”.

Por, ai i tha Shërbimit rus të REL-it se mbajtja e pushtetit nga presidenti rus, Vladimir Putin, “varet nga një kërcënim i jashtëm”, që do të thotë “në terma afatgjatë, është i mundshëm ndonjë provokim i drejtpërdrejt ushtarak, sidomos nëse lufta në Ukrainë bllokohet”.

Disa argumentojnë se kjo veçse po ndodh, sikurse me dronët rusë dhe inkursionet në hapësirën ajrore të NATO-s. Por, paralajmërimet e bëra këtë vit sugjerojnë skenarë edhe më të errët.

Sulmi ndaj Estonisë

Një raport i publikuar nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme (ECFR) më 18 dhjetor përqendrohet te frika e një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj Estonisë, për të testuar gatishmërinë e SHBA-së dhe aleatëve të tjerë të NATO-s për të luftuar.

“Në Evropë, ky ankth ndodhet mbi një frikë më të thellë: se Qeveria amerikane, e shpërqendruar nga politika e brendshme dhe e tunduar nga shkurtimi, mund të reduktojë së shpejti praninë e saj ose t’i vendosë kushte rolit të saj në mbrojtjen e Evropës”, thuhet aty.

Duke e përshkruar Estoninë si “të vogël, tokë të sheshtë dhe të ekspozuar”, raporti thotë se një stërvitje ushtarake e vitit 2016 parashikoi se forcat ruse mund ta pushtonin kryeqytetin brenda 60 orësh gjatë një pushtimi.

Por, raporti gjithashtu thekson se Rusia do të ketë nevojë për 5-10 vjet pas përfundimit të luftës në Ukrainë “për t’u riorganizuar dhe riarmatosur për një sulm të tillë”, që është një periudhë shumë më e gjatë se ajo e parashikuar nga Rutte, Pistorius dhe të tjerët.

“Luftënxitësit”

Zyrtarët e Kremlinit i kanë cilësuar udhëheqësit evropianë si “luftënxitës” dhe kanë mohuar se kanë dëshirë të kryejnë ndonjë sulm. Ata kishin bërë deklarime të ngjashme për Ukrainën në prag të pushtimit të plotë në shkurt të vitit 2022, edhe pse kjo nuk do të thotë automatikisht se ekzistojnë plane për agresion të mëtejmë.

“Rusia nuk po ndjek qëllimet ushtarake që i atribuohen vendit tonë”, tha zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, më 22 dhjetor. “Siç ka thënë tashmë presidenti i Rusisë, ne madje jemi të gatshëm që të garantojmë këtë ligjërisht si pjesë e një zgjidhjeje të luftës në Ukrainë”, shtoi ai.

Por, çdo angazhim i tillë ka pak të ngjarë të merret seriozisht nga shumë në Perëndim. Rusia po ashtu ka nënshkruar dhe më pas nuk kanë mbajtur premtimet për të respektuar kufijtë e Ukrainës në Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, shkruan REL.   /os/

The post KOMENT – Pse shumë udhëheqës po paralajmërojnë luftë me Rusinë? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rusia planifikon të ndërtojë central bërthamor në Hënë

24 December 2025 at 18:54

MOSKË, 24 dhjetor /ATSH/- Rusia planifikon të ndërtojë një central në Hënë brenda dekadës së ardhshme – për të mbështetur ambiciet e saj dhe një bazë të përbashkët kërkimore me Kinën, ndërsa fuqitë e mëdha botërore intensifikojnë përpjekjet për të krijuar një prani afatgjatë në satelitin e vetëm natyror të Tokës, sipas “Reuters”.

Kompania shtetërore hapësinore e Rusisë, “Roscosmos”, tha këtë javë se synon të përfundojë ndërtimin e objektit të energjisë hënore deri në vitin 2036.

“Roscosmos” ka nënshkruar një kontratë me “Shoqatën Lavochkin”, një kompani e madhe ruse e hapësirës ajrore, për të realizuar projektin.

Ndërsa “Roscosmos” nuk e përshkroi në mënyrë të qartë objektin si bërthamor, tha se përpjekja përfshin “Rosatom”, kompaninë shtetërore bërthamore të Rusisë dhe “Institutin Kurchatov”, qendrën kryesore të kërkimit bërthamor të vendit.

“Roscosmos” tha se centrali do të furnizonte energji për programin hënor të Rusisë, duke përfshirë roverë robotikë, një observator shkencor dhe infrastrukturë për një Stacion të përbashkët Ndërkombëtar Kërkimor Hënor Ruso-Kinez.

Agjencia e përshkroi projektin si një zhvendosje nga misionet afatshkurtra drejt një pranie të përhershme shkencore në Hënë.

“Projekti është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një stacioni shkencor hënor që vepron vazhdimisht dhe kalon nga misionet e njëhershme në një program eksplorimi afatgjatë”, tha “Roscosmos” në një deklaratë.

Njoftimi vjen ndërsa Rusia kërkon të rikonfirmojë veten si një fuqi e madhe hapësinore pas një sërë pengesash.

Dikur një lidere globale në eksplorimin e hapësirës pas fluturimit historik të kozmonautit sovjetik Yuri Gagarin në vitin 1961, Rusia ka mbetur pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe, gjithnjë e më shumë, Kinës në dekadat e fundit.

Ambiciet e saj pësuan një goditje të madhe në gusht 2023 kur anija kozmike “Luna-25” pa pilot u rrëzua ndërsa përpiqej të ulej në Hënë.

Shefi i “Roscosmos”, Dmitry Bakanov, tha në qershor se vendosja e një centrali bërthamor në Hënë ishte një nga qëllimet strategjike të agjencisë, së bashku me eksplorimin e rinovuar të Venusit, i cili shpesh quhet “planeti motër” i Tokës.

Distanca e Hënës nga Toka – rreth 384,400 kilometra – dhe mjedisi i saj i ashpër e bëjnë gjenerimin e besueshëm të energjisë një sfidë qendrore për aktivitetin afatgjatë njerëzor ose robotik.

Energjia bërthamore është parë gjithnjë e më shumë nga agjencitë hapësinore si një zgjidhje praktike, veçanërisht në rajonet ku rrezet e diellit janë të kufizuara ose me ndërprerje.

Rusia nuk është e vetmja në ndjekjen e planeve të tilla. NASA njoftoi në gusht se synon të vendosë një reaktor bërthamor në Hënë deri në tremujorin e parë të vitit 2030.

Zyrtarët amerikanë e kanë cilësuar këtë përpjekje si pjesë të një konkurrence më të gjerë strategjike me Kinën.

“Jemi në një garë për në Hënë,” tha në atë kohë sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy.

“Dhe për të pasur një bazë në Hënë, na duhet energji. Energjia e qëndrueshme do të ishte gjithashtu thelbësore për misionet e ardhshme njerëzore në Mars”, shtoi ai.

Marrëveshjet ndërkombëtare ndalojnë vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë, por lejojnë përdorimin e burimeve të energjisë bërthamore, me kusht që ato të përputhen me standardet e përcaktuara të sigurisë dhe rregullatore.

Interesi për Hënën është rritur ndërsa shkencëtarët dhe qeveritë shqyrtojnë burimet e saj të mundshme.

NASA vlerëson se sipërfaqja hënore mund të përmbajë deri në një milion ton metrikë helium-3, një izotop i rrallë në Tokë që mund të përdoret në teknologjitë e ardhshme të energjisë.

Studimet kanë identifikuar gjithashtu elementë të rrallë të tokës në Hënë, duke përfshirë skandiumin, itriumin dhe lantanidet, të cilat janë të rëndësishme për elektronikën moderne dhe prodhimin e avancuar.

Ndërsa konkurrenca përshpejtohet, analistët thonë se nxitja drejt infrastrukturës hënore mund të shënojë fillimin e një epoke të re rivaliteti gjeopolitik dhe ekonomik përtej Tokës. //a.i/

 

The post Rusia planifikon të ndërtojë central bërthamor në Hënë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Putini lëshon dekret, tani mijëra ukrainas përballen me humbjen e shtëpive të tyre

24 December 2025 at 18:03

MOSKË, 24 dhjetor /ATSH/- Presidenti rus Vladimir Putin legalizoi me një dekret, këtë muaj – në mënyrë efektive – marrjen e pronave në territoret e pushtuara të Ukrainës, sipas “Kyiv Independent”.

Ligji i ri u lejon autoriteteve pushtuese të sekuestrojnë ambientet e banimit që tregojnë shenja të mungesës së pronarëve.

Në realitet, pronarët zakonisht janë larguar ose janë vrarë nga pushtimi rus në shkallë të plotë.

Në një veprim të mëtejshëm të projektuar për të forcuar kontrollin e Moskës mbi territoret ukrainase që i ka aneksuar në mënyrë të paligjshme dhe për të “rusifikuar” popullsinë që mbetet, dekreti i ri thotë gjithashtu, se prona që u përket ukrainasve pa dokumentacion “të vlefshëm” mund të konfiskohet.

Por, vërtetimi i pronësisë duhet të bëhet personalisht dhe dokumentet pranohen vetëm së bashku me një pasaportë ruse.

Petro Andriushchenko, kreu i Qendrës për Studimin e Pushtimit tha se ligji i ri legalizon zyrtarisht procesin, duke thënë se u jep autoriteteve të pushtimit fuqinë për të sekuestruar pronën e kujtdo sipas gjykimit të tyre, thjesht duke refuzuar të pranojnë dokumentet e pronësisë.

Ai shtoi se 5 000 apartamente janë marrë tashmë nga rusët në qytet, me numrin që rritet me 100-200 në javë.

Kush e merr pronën e sekuestruar?

Sipas ligjit, banesat e sekuestruara mund t’u rishpërndahen banorëve vendas që kanë humbur shtëpitë ose qiramarrësit e tyre.

Ai gjithashtu lejon përdorimin e këtyre pronave për të akomoduar zyrtarë të emëruar nga Rusia dhe stafin e administratës së pushtimit.

Andriushchenko deklaroi se pronat “pa pronar” fillimisht u ndahen forcave të sigurisë, të ndjekura nga punonjësit e sektorit publik. Të sapoardhurit nga Rusia gjithashtu po përfitojnë nga prona të tilla.

Disa raporte nga lëvizja e rezistencës “Yellow Ribbon”, një rrjet rezistence civile ukrainase aktive në zonat e pushtuara, thonë se ushtrisë ruse po i jepen gjithashtu prona të sekuestruara.

Yuliia Boklah, bashkë-drejtoreshë ekzekutive e “Helping to Leave”, një organizatë vullnetare që ndihmon personat që duan të largohen nga pushtimi rus, tha se ka raporte famëkeqe nga Mariupol, ku agjentët e pasurive të paluajtshme ruse shitën apartamente të banorëve vendas te rusët ‘me çmime të volitshme'”. //a.i/

 

The post RUSI – Putini lëshon dekret, tani mijëra ukrainas përballen me humbjen e shtëpive të tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Plani i ri 20-pikësh amerikan për Ukrainën

24 December 2025 at 11:30

KIEV, 24 dhjetor /ATSH-AFP/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky zbuloi detajet e planit të fundit të mbështetur nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duke deklaruar se ai ishte negociuar midis përfaqësuesve të Kievit dhe Uashingtonit dhe ishte dërguar në Moskë për shqyrtim.

Dokumenti do të plotësohet nga marrëveshje të tjera dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës mbi sigurinë dhe rindërtimin.

Plani 20-pikësh

1. Sovraniteti i Ukrainës do të riafirmohet. Ne deklarojmë se Ukraina është një shtet sovran dhe të gjithë nënshkruesit e marrëveshjes e konfirmojnë këtë me nënshkrimet e tyre.

2. Ky dokument është një pakt total dhe i pakushtëzuar mossulmimi midis Rusisë dhe Ukrainës. Për të ruajtur paqen e qëndrueshme, do të krijohet një mekanizëm monitorimi për të kontrolluar vijën e kontaktit përmes mbikëqyrjes ajrore pa pilot, duke siguruar raportimin e shpejtë të shkeljeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ekipet teknike do të finalizojnë të gjitha detajet.

3. Ukraina do të marrë garanci të forta sigurie.

4. Forcat e armatosura ukrainase do të mbajnë një forcë prej 800 000 personash në kohë paqeje.

5. Shtetet e Bashkuara, NATO dhe shtetet evropiane nënshkruese do t’i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie bazuar në Nenin 5:

a) Nëse Rusia pushton Ukrainën, përveç një përgjigjeje të koordinuar ushtarake, të gjitha sanksionet globale kundër Rusisë do të rivendosen.

(b) Nëse Ukraina pushton Rusinë ose hap zjarr në territorin rus pa provokim, garancitë e sigurisë do të konsiderohen të pavlefshme. Nëse Rusia hap zjarr ndaj Ukrainës, garancitë e sigurisë do të hyjnë në fuqi.

(c) Garancitë dypalëshe të sigurisë nuk përjashtohen sipas kësaj marrëveshjeje.

6. Rusia do të formalizojë një politikë mosagresioni ndaj Evropës dhe Ukrainës në të gjitha ligjet dhe dokumentet e kërkuara për ratifikim.

7. Ukraina do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian brenda një afati kohor të përcaktuar saktësisht dhe Ukraina do të përfitojë në afat të shkurtër nga qasja preferenciale në tregun evropian.

8. Një program i fuqishëm zhvillimi global për Ukrainën, që do të përcaktohet në një marrëveshje të veçantë mbi investimet dhe prosperitetin e ardhshëm. Ai do të mbulojë një gamë të gjerë fushash ekonomike, duke përfshirë, por pa u kufizuar në:

a) Krijimin e një Fondi Zhvillimi të Ukrainës për të investuar në sektorë me rritje të lartë, duke përfshirë teknologjinë, qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale.

b) Shtetet e Bashkuara dhe kompanitë amerikane do të bashkëpunojnë me Ukrainën dhe do të bashkë-investojnë në rindërtimin, zhvillimin, modernizimin dhe funksionimin e infrastrukturës së gazit të Ukrainës, duke përfshirë tubacionet dhe objektet e saj të magazinimit.

c) Do të bëhen përpjekje të përbashkëta për të rindërtuar zonat e shkatërruara nga lufta, duke restauruar, rindërtuar dhe modernizuar qytetet dhe lagjet e banimit.

d) Zhvillimi i infrastrukturës.

e) Nxjerrja e mineraleve dhe burimeve natyrore.

f) Banka Botërore do të ofrojë një strukturë të posaçme financimi për të garantuar fonde për të përshpejtuar këto përpjekje.

(g) Do të krijohet një grup pune i nivelit të lartë, duke përfshirë emërimin e një udhëheqësi financiar global si administrator, i ngarkuar me organizimin e zbatimit të planit strategjik të rindërtimit dhe maksimizimin e perspektivave të zhvillimit të ardhshëm.

9. Do të krijohen disa fonde të dedikuara për rimëkëmbjen e ekonomisë ukrainase, rindërtimin e zonave dhe rajoneve të dëmtuara, si dhe çështjet humanitare.

(a) Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane do të krijojnë një fond investimesh kapitale dhe grantesh me një objektiv prej 200 miliardë dollarësh për financim transparent dhe efektiv në Ukrainë.

(b) Një gamë e gjerë investimesh kapitale dhe instrumentesh të tjera financiare do të mobilizohen për rindërtimin e Ukrainës pas konfliktit. Institucionet globale të rindërtimit do të përdorin mekanizma të hartuar për të forcuar dhe lehtësuar këto përpjekje.

(c) Ukraina do të zbatojë standardet më të larta globale për të tërhequr investime të huaja direkte.

(d) Ukraina rezervon të drejtën për të kërkuar dëmshpërblime për dëmet e shkaktuara.

10. Pas përfundimit të kësaj marrëveshjeje, Ukraina do të përshpejtojë procesin e përfundimit të një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara.

11. Ukraina konfirmon se do të mbetet një shtet jo-bërthamor në përputhje me Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.

12. Centrali bërthamor i Zaporizhias do të operohet bashkërisht nga tre vende: Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

13. Të dy vendet angazhohen të zbatojnë programe edukative në shkolla dhe në shoqëri që promovojnë mirëkuptimin dhe tolerancën e kulturave të ndryshme dhe luftojnë racizmin dhe paragjykimet. Ukraina do të zbatojë rregullat e Bashkimit Evropian mbi tolerancën fetare dhe mbrojtjen e gjuhëve të pakicave.

14. Në rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson, vija e vendosjes së trupave që nga data e kësaj marrëveshjeje njihet de facto si vija e kontaktit.

(a) Ne, si palë, de facto konfirmojmë se kjo është vija e kontaktit – ku ndodhemi aktualisht.

b) Një grup pune do të mblidhet për të përcaktuar ripozicionimin e forcave të nevojshme për t’i dhënë fund konfliktit, si dhe për të përcaktuar parametrat e zonave të mundshme ekonomike speciale në të ardhmen.

c) Duke ndjekur një bazë ekuivalente për lëvizjet ushtarake, forcat ndërkombëtare do të vendosen përgjatë vijës së kontaktit për të monitoruar pajtueshmërinë me këtë marrëveshje. Nëse merret një vendim për të krijuar një zonë të tillë, kjo do të kërkojë miratim të veçantë nga Parlamenti ukrainas ose do t’i nënshtrohet një referendumi.

d) Federata Ruse duhet të tërheqë trupat e saj nga rajonet e Dnipropetrovsk, Mikolaiv, Sumy dhe Kharkiv që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi.

e) Palët bien dakord të respektojnë rregullat, garancitë dhe detyrimet e Konventave të Gjenevës të vitit 1949 dhe Protokolleve të tyre Shtesë, të cilat zbatohen plotësisht brenda territorit, duke përfshirë të drejtat e njeriut të njohura universalisht.

15. Duke rënë dakord për rregullimet e ardhshme territoriale, Federata Ruse dhe Ukraina angazhohen të mos i ndryshojnë këto dispozita me forcë.

16. Rusia nuk do të pengojë përdorimin e lumit Dnieper dhe Detit të Zi nga Ukraina për qëllime tregtare.

17. Do të krijohet një komitet humanitar për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura.

a) Të gjithë të burgosurit e luftës të mbetur, përfshirë ata të dënuar në Rusi nga viti 2014 deri më sot, do të shkëmbehen në bazë të parimit “të gjithë për të gjithë” (të gjithë të burgosurit e mbajtur, pavarësisht nga numri i tyre përkatës në secilën palë).

b) Të gjithë civilët dhe pengjet e mbajtura, përfshirë fëmijët dhe të burgosurit politikë, do të lirohen.

c) Do të merren masa për të adresuar problemet dhe vuajtjet e viktimave të konfliktit.

18. Ukraina duhet të mbajë zgjedhje sa më shpejt të jetë e mundur pas nënshkrimit të marrëveshjes.

19. Kjo marrëveshje është detyruese. Zbatimi i saj do të monitorohet dhe garantohet nga një Këshill Paqeje i kryesuar nga presidenti Trump. Ukraina, Evropa, NATO, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë pjesë e këtij mekanizmi. Sanksionet do të zbatohen në rast të shkeljeve.

20. Pasi të gjitha palët ta kenë pranuar këtë marrëveshje, një armëpushim i plotë do të hyjë në fuqi menjëherë./  a.jor.

The post FOKUS – Plani i ri 20-pikësh amerikan për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zelensky publikon për herë të parë planin e paqes me 20 pika

24 December 2025 at 11:04

Plani i paqes, për të cilin Ukraina, SHBA dhe Rusia po diskutojnë tashmë për dy muaj, përbëhet nga 20 pika. Megjithatë, përveç dokumentit bazë, ka edhe shtesa të veçanta për fusha specifike, tha para gazetarëve presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Pra, aktualisht po diskutohet një draft i planit të paqes  një dokument politik mes Ukrainës, SHBA-së, Evropës dhe Rusisë.

Më poshtë një përmbledhje e shkurtër e propozimit:

Sovraniteti i Ukrainës – nuk është për diskutim; Pakt mos-agresioni me Rusinë plus monitorim përgjatë vijës së frontit;

Garancitë e sigurisë – çështja kryesore; Forcat e Armatosura të Ukrainës – 800 mijë trupa në kohë paqeje;

Rusia angazhohet ligjërisht për një politikë mos-agresioni ndaj Ukrainës dhe Evropës;

Anëtarësimi i Ukrainës në BE — me një datë të caktuar, jo “diku në të ardhmen”;

Fonde rindërtimi që arrijnë 800 miliardë dollarë;

Marrëveshje e shpejtuar për tregti të lirë me SHBA-në;

Centrali Bërthamor i Zaporizhzhias – pa kompromis. SHBA propozon menaxhim trepalësh; Ukraina ofron modelin 50–50 me amerikanët;

Programet arsimore në shkolla që promovojnë mirëkuptim dhe tolerancë ndaj kulturave të ndryshme dhe luftojnë racizmin dhe paragjykimet;

Territoret – pika më e vështirë;

Një opsion: Rusia të tërhiqet nga rajonet Dnipropetrovsk, Mykolaiv, Sumy dhe Kharkiv.

Në rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson — “qëndrojmë aty ku jemi.”

Rusia kërkon që Ukraina të tërhiqet nga rajoni i Donetskut; SHBA propozon një kompromis – një zonë e lirë ekonomike.

Nëse nuk arrihet marrëveshje për formulën “qëndrojmë aty ku jemi”, zona ekonomike e lirë mund të miratohet vetëm përmes një referendumi. Në atë rast, e gjithë dokumenti do të duhet të shkojë në referendum.

Rusia dhe Ukraina angazhohen të mos ndryshojnë marrëveshjet me forcë;

Rusia nuk ndërhyn në navigimin në lumin Dnipro dhe në Detin e Zi;

Këmbim të burgosurve “të gjithë për të gjithë”, kthim të civilëve, fëmijëve dhe të burgosurve politikë;

Ukraina duhet të mbajë zgjedhje sa më shpejt pas nënshkrimit të marrëveshjes;

Pasi të gjitha palët të bien dakord për marrëveshjen, hyn në fuqi një armëpushim i plotë menjëherë.

Rusia vijon përparimin, trupat ukrainase tërhiqen nga qyteti lindor i Siverskut

By: Re Nato
23 December 2025 at 20:17

Trupat ukrainase janë tërhequr nga qyteti lindor i Siverskut, i cili është i përfshirë nga betejat, ndërsa Rusia vazhdon përparimin e saj të qëndrueshëm – megjithëse të ngadaltë.

Ushtria ukrainase tha të martën se veproi “për të ruajtur jetën e ushtarëve tanë dhe aftësinë luftarake të njësive”, duke shtuar se forcat ruse kishin një “avantazh të konsiderueshëm në fuqi punëtore”.

Pushtimi i Siverskut e afron Rusinë më shumë me qytetet e fundit të mbetura të “rripit të fortesës”, Sloviansk dhe Kramatorsk, që janë ende në duart e ukrainasve në rajonin industrial të Donetskut.

Më herët gjatë ditës, zyrtarët thanë se tre persona – përfshirë një fëmijë të vogël – u vranë në sulmet masive me dronë dhe raketa ruse gjatë natës në Ukrainë.

FOKUS – Kievi konfirmon tërheqjen e trupave nga Siversku në rajonin e Donetskut

23 December 2025 at 18:31

KIEV, 23 dhjetor /ATSH-DPA/- Ushtria ukrainase njoftoi sot se është tërhequr nga qyteti i Siverskut në rajonin lindor të Donetskut.

“Luftime të ashpra kanë vazhduar në zonën e Siverskut”, tha sot ne media sociale Shtabi i Përgjithshëm.

“Por, për të shpëtuar jetën e ushtarëve tanë dhe për të ruajtur forcën luftarake të njësive”, trupat ukrainase janë tërhequr”, thuhet në deklaratë.

Para se të fillonte pushtimi rus, Siversku kishte një popullsi prej pak më shumë se 10 000 banorësh.

Për një kohë të gjatë, vija e frontit në zonë konsiderohej relativisht e qëndrueshme, por kohët e fundit presioni nga sulmuesit rusë është intensifikuar.

Presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi pushtimin e qytetit më pak se dy javë më parë gjatë një takimi të transmetuar pjesërisht me shefin e Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov. Kievi e mohoi këtë pretendim, në atë kohë.

Siversku konsiderohet strategjikisht i rëndësishëm pasi është pjesë e një linje mbrojtjeje që mbron zonën e fundit të madhe urbane në rajonin e Donbasit – të kontrolluar nga forcat ukrainase.

Pas marrjes së kontrollit të Siverskut, sulmuesit rusë tani mund të avancojnë drejt qyteteve të Slovianskut dhe Kramatorskut.

Ukraina ka qenë duke u mbrojtur nga pushtimi rus në shkallë të plotë – që nga shkurti i vitit 2022 me ndihmën masive të aleatëve perëndimorë. //a.i/

The post FOKUS – Kievi konfirmon tërheqjen e trupave nga Siversku në rajonin e Donetskut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Rutte: Siguria e Evropës varet nga forca e Ukrainës

23 December 2025 at 14:24

BRUKSEL, 23 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte po kërkon mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën ndërsa viti 2025 po mbaron duke paralajmëruar se Evropa do të përballet me rreziqe në rritje të sigurisë nëse vendosmëria e saj lëkundet.

”Për të parandaluar presidentin rus Vladimir Putin nga përpjekja për një sulm ndaj një anëtari të NATO-s, Ukraina duhet të mbetet e fortë”, tha Rutte në një intervistë të kohëve të fundit me dpa.

Ai gjithashtu theksoi nevojën që anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes, në përputhje me angazhimet e rëna dakord në samitin e aleancës në Hagë në qershor.

“Nëse i bëjmë këto dy gjëra, jemi mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur veten dhe Putini nuk do ta provojë kurrë,” tha Rutte, duke iu referuar një sulmi të mundshëm rus ndaj aleancës.

Ish-kryeministri holandez tha se riarmatimi duhet të ndodhë shpejt.

”Në varësi të vlerësimeve të inteligjencës, situata e sigurisë mund të bëhet e rrezikshme që në vitin 2027”, tha ai.

Rutte përmendi shpenzimet ushtarake të Rusisë si provë të kërcënimit që paraqet Putini, duke thënë se Moska tani po i kushton më shumë se 40% të buxhetit të saj shtetëror mbrojtjes.

Ai shtoi se lufta në Ukrainë kishte treguar gatishmërinë e Putinit për të pranuar humbje të rënda, duke cituar vlerësime se rreth 1,1 milionë ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur./ a.jor.

The post BRUKSEL – Rutte: Siguria e Evropës varet nga forca e Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌