Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Nis edicioni i 64-t i Festivalit të Këngës në RTSH

17 December 2025 at 22:48

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Edicioni i 64-t i Festivalit të Këngës në RTSH nisi mbrëmjen e sotme në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku gjatë katër netëve interpretojnë 28 artistë.

I cilësuar si festa më e madhe e muzikës së lehtë shqiptare ky festival prezantohet nga aktori Salsano Rrapi dhe këngëtarja Arilena Ara.

Drejtoresha artistike e festivalit, Elhaida Dani çeli natën e parë duke interpretuar këngën “Pyes lotin” të Elsa Liles, fituese e Festivalit të 35-të të Këngës në RTSH, duke risjellë emocione të forta dhe kujtime të paharrueshme për publikun.

Në skenë performoi edhe Kroni Pula, e cila interpretoi këngën “Fruta Perime”, me të cilën përfaqësoi Shqipërinë në Junior Eurovision.

Në natën e parë të festivalit performuan 14 artistë, që prezantuan krijimet e tyre, duke shfaqur një ndërthurje të larmishme zhanresh nga baladat deri te rrymat më bashkëkohore.

Artistët që u ngjitën në skenë natën e sotme janë: Rigersa Loka me këngën “Albanian Heart”, Lorenc Hasrama – “Lamtumirë”, Sara Kapo – “Të dua shumë”, Sheila – “Zemra e tokës”, Kleansa Susa – “Hije”, Gresa Gjoçera & Bledi Kaso – “Busulla e zemrës”, Rezarta Smaja – “Balukeprera”, Ghiti – “Okej”, Lynx – “Nuk kthehem pas”, Erand Sojli – “Të kam në fron”, Inis Neziri – “Ta kam fal”, Kimi – “Prapë diell del”, Alis – “Nan” dhe Enxhi Nasufi – “Dritë”.

Ndërsa në natën e dytë, më 18 dhjetor, në skenë do të ngjiten Savjana Vjerdha, 2 Farm, Greta Mahmutaj, Sihana Haxhnikaj, Luna Causholli, Erik Lloshi, Frensi, Malvina Likaj, Vedat Ademi, Kamela Islamaj, Threex, Endri Kacaci, Fifi dhe Tiri Gjoci dhe Evi Reci.

Për 4 netë me radhë, 28 artistët pjesëmarrës, emra të njohur të skenës, por edhe artistë të rinj, do të ngjiten në skenën e Pallatit të Kongreseve, ku do të performojnë këngët e tyre para publikut dhe jurisë, si dhe do të garojnë për çmimet e këtij viti.

Nata e tretë, e cila do të quhet Nata e Nostalgjisë, do t’i dedikohet autorëve dhe poetëve të këngëve të Festivalit, të cilët do të sjellin performanca emocionuese për publikun, këngë të cilat kanë lënë gjurmë në historinë e festivalit të fundvitit.

Në natën finale, më 20 dhjetor, do të shpallet, përveç çmimeve të tjera, edhe fituesi, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026.

Festivali i këngës në RTSH, Foto: Florian Abazaj
1 nga 16
Festivali i këngës në RTSH, Foto: Florian Abazaj

 

/k.s/a.f/

The post Nis edicioni i 64-t i Festivalit të Këngës në RTSH appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festivali Sunny Hill merr Çmimin për Impakt Ekonomik nga Oda Ekonomike e Kosovës

13 December 2025 at 09:45


Festivali Sunny Hill, një nga festivalet më të mëdha në rajon, është shpërblyer nga Oda Ekonomike e Kosovës me Çmimin për Impakt Ekonomik 2025, në kuadër të gala-mbrëmjes “THE BEST OF KOSOVA 2025”. Festivali është vlerësuar për kontributin e tij të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe për rolin e rëndësishëm që ka luajtur në forcimin e imazhit pozitiv të Kosovës në nivel ndërkombëtar, përmes muzikës dhe industrisë kreative.

Si festival muzikor, Sunny Hill ka krijuar një platformë ku muzika, kultura dhe kreativiteti bashkohen, duke promovuar talentet dhe duke forcuar lidhjen e Kosovës me skenën globale të industrisë muzikore. Përveç vlerës artistike dhe kulturore, Sunny Hill Festival ka pasur edhe ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik. Organizimi i festivalit ka gjeneruar përfitime të konsiderueshme për sektorë të ndryshëm, përfshirë turizmin, hotelerinë, gastronominë, transportin dhe shërbimet mbështetëse.

Impakti ekonomik është vlerësuar të jetë rreth 22 milionë euro, ndërsa ndikimi në media vlerësohet në qindra miliona euro, me mbi 150 media të akredituara nga e mbarë bota.

Edicioni i këtij viti ka mbledhur mbi 100 mijë vizitorë gjatë tri ditëve të festivalit, nga afro 60 vende të ndryshme të botës. Hotelet në Prishtinë dhe në qytetet përreth kanë qenë 99% të rezervuara. Organizatorët këtë vit po ashtu kanë lansuar edhe platformën “Sunny Hill Travel”, e cila promovon turizmin dhe qëndrimin në Kosovë, ndërsa gjatë festivalit përdoruesit e saj kanë mundur të përfitojnë nga pakot e akomodimit, të cilat përfshijnë edhe biletat dhe transportin.

Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës theksuan se Festivali Sunny Hill përfaqëson një model të suksesshëm të mënyrës se si ngjarjet kulturore dhe muzikore mund të shndërrohen në motorë të zhvillimit ekonomik dhe të diplomacisë kulturore.

Këtë vit në Festival performuan emra me nam si Dua Lipa, e cila u paraqit në kuadër të turneut të saj “Radical Optimism”, njëherësh turneu më i madh dhe më i suksesshëm i karrierës së saj deri më sot. Suksese të mëdha ajo ka shënuar edhe në platformën Spotify, ku numëron rreth 40 miliardë dëgjime totale. Albumet “Future Nostalgia” dhe “Radical Optimism” kryesojnë këto shifra, ndërsa hitet si “Don’t Start Now” dhe “Levitating” kanë secila mbi një miliard dëgjime, duke dëshmuar se ajo është një nga artistet më të mëdha globale, me miliona dëgjues aktivë çdo ditë.

Po ashtu performoi edhe Shawn Mendes, një nga emrat më të mëdhenj të pop-muzikës globale, i cili u rikthye fuqishëm sivjet me turneun e tij “On The Road Again”; Peggy Gou, një nga figurat më të respektuara dhe me ndikim në skenën globale të muzikës elektronike; Anyma, i njohur ndërkombëtarisht për përfshirjen inovative të elementeve vizuale dhe teknologjike në performancat e tij si DJ; si dhe Fatboy Slim, i njohur për hitet e tij klasike dhe karrierën e gjatë shumëdekadëshe.

Në skenat e festivalit janë ngjitur edhe artistë të tjerë të njohur ndërkombëtarë dhe vendorë, si: Calvin Harris, J Balvin, Martin Garrix, Action Bronson, Skepta, Burna Boy, Miley Cyrus, Bebe Rexha, Stormzy, Black Coffee, The Martinez Brothers, dhe shumë të tjerë.

Festivali këtë vit po ashtu është nominuar për t’u zgjedhur si më i miri në Evropë, në kategorinë e Festivaleve të Mesme, nga “European Festival Awards”. Vitin e kaluar, në të njëjtën kategori, arriti të renditet në mesin e pesë festivaleve më të mira. /Telegrafi/

Filmi “Shame and Money” i Visar Morinës, premierë botërore në Sundance Film Festival - suksesi përshëndetet ngrohtë edhe nga kryeministri

11 December 2025 at 09:20


Kinematografia kosovare shënon një tjetër arritje të madhe ndërkombëtare. Filmi më i ri artistik i regjisorit Visar Morina, “Shame and Money”, është përzgjedhur për premierën botërore në Sundance Film Festival, një ndër festivalet më prestigjioze të filmit në botë.

Ky është një moment historik, pasi kjo shënon herën e dytë që Morina merr pjesë në kategorinë kryesore në Sundance – një sukses jashtëzakonisht i rrallë për një regjisor nga Kosova.

“Shame and Money” ndjek rrëfimin e një familjeje kosovare që, pasi humbet mjetet e jetesës në fshat, detyrohet të zhvendoset në Prishtinë në përpjekje për t’u bërë pjesë e shoqërisë hiperkapitaliste të kohës sonë.

Në rolet kryesore shfaqen emra të njohur të aktrimit shqiptar, përfshirë Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica, Alban Ukaj, Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Hajdini, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Rafet Abazi, Besnik Krapi dhe Eshref Durmishi.

Filmi është prodhuar nga Vicky Bane dhe Schuldenberg Films, ndërsa producentë janë Fabian Altenried, Sophie Ahrens, Kristof Gerega, Pia Hellenthal dhe vetë Visar Morina.

Bashkëprodhimi vjen nga disa kompani të rajonit dhe Evropës si Eagle Eye Films Kosova, Vertigo Ljubljana, On Film Production, List Production dhe Quetzalcoatl.

Filmi është mbështetur nga institucione të rëndësishme kulturore dhe fonde ndërkombëtare, përfshirë Qendrën Kinematografike të Kosovës, Eurimages, German Federal Film Fund, Slovenian Film Centre, North Macedonia Film Agency, si dhe sistemin belg të Tax Shelter.

Lajmin e ka përshëndetur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili e ka ndarë njoftimin në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, duke shkruar: “Urime regjisorit Visar Morina, aktorëve dhe gjithë ekipit krijues nga Kosova që po e çojnë punën e tyre në këtë skenë prestigjioze të filmit”.

Biletat për premierën e filmit në Sundance do të dalin në shitje më 14 janar. Të interesuarit mund të marrin më shumë informacion në faqen zyrtare të festivalit: festival.sundance.org ose në profilin zyrtar të festivalit në Instagram. /Telegrafi/

Festivali i Letërsisë Evropiane, shkrimtarja Milena Selimi rrëfim mbi letërsinë e tranzicionit

4 December 2025 at 22:22

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Festivali i Letërsisë Evropiane po mbahet prej datës 2 dhjetor dhe do të vazhdojë deri në 6 dhjetor në kryeqytet, ku 12 autorë nga 18 vende të BE-së po bëhen protagonistë me rrëfimet e tyre.

Delegacioni i BE-së në Tiranë, njofton se mbrëmjen e sotme, në Vila 31 x Art Explora, u zhvillua një bisedë me shkrimtaren dhe përkthyesen Milena Selimi mbi letërsinë e tranzicionit, në një aktivitet të mbajtur me mbështetjen e Ambasadës së Bullgarisë.

E lindur në Tiranë, Selimi ka një karrierë të gjatë në gazetari dhe përkthim letrar, duke sjellë në këtë diskutim një perspektivë të pasur mbi gjuhën dhe identitetin.

“Biseda u përqendrua te përvoja e të jetuarit dhe të shkruarit mes dy gjuhëve, te mënyra si formësohet identiteti në kohë ndryshimesh dhe te roli i përkthimit letrar në përcjelljen e tregimeve përtej kufijve kulturorë”, thuhet në njoftim.

Së bashku me moderatorin Ben Andoni, aktiviteti hapi një hapësirë reflektimi mbi gjuhën, përkatësinë dhe urat që ndërton përkthimi mes lexuesve dhe historive.

Gjatë këtyre ditëve, Tirana po shndërrohet në një qendër të gjallë letrare, ku lexues, studentë e të rinj do të takohen me shkrimtarë bashkëkohor, duke njohur nga afër historitë, idetë e temat që po formësojnë letërsinë europiane sot.

Programi i Festivalit sjell lexime, diskutime, prezantime librash dhe punë krijuese që trajtojnë identitetin, migracionin, shumëgjuhësinë, kujtesën kulturore, sfidat e autorëve të rinj dhe ndikimin e teknologjisë.

Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë- Foto: Andrin Hoxha
1 nga 9
Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë, bisedë mbi letërsinë e Tranzicionit me Milena Selimin - Foto: Andrin Hoxha

/e.i/r.e/a.f/

The post Festivali i Letërsisë Evropiane, shkrimtarja Milena Selimi rrëfim mbi letërsinë e tranzicionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot dita e fundit për të votuar Sunny Hill si njërin prej festivaleve më të mira në Evropë

19 November 2025 at 13:00


Kanë mbetur edhe disa orë para mbylljes së votimit, për “European Festival Awards” ku Festivali Sunny Hill është në garë për më të mirin e Evropës në kategorinë e festivaleve të mesme për nga madhësia.

Të gjithë mbështetësit e Festivalit Sunny Hill mund të votojnë online duke klikuar në këtë link (https://www.surveymonkey.com/r/publicvoting25) dhe duke zgjedhur Festivalin tek kategoria për festivale të mesme.

Vota e juaj do jetë një mbështetje për Festivalin Sunny Hill dhe do i sigurojë atij që edhe këtë vit të radhitet në mesin e më të mirëve të Evropës duke vazhduar kështu suksesin e tij ndërkombëtar.

Vitin e kaluar në të njëjtën kategori, Festivali arriti të ishte në mesin e 5 festivaleve më të mira, duke reflektuar kështu kualitetin artistik të festivalit por edhe rritjen e ndikimit të tij në industrinë kreative të Evropës.

Përfshirja në garë, edhe këtë vit është dëshmi e vazhdimit të vlerave artistike dhe kontributit të vazhdueshëm të Festivalit në skenën muzikore.

Festivali i cili mbahet në Prishtinë, përgjatë viteve ka sjell artistë të njohur nga e gjithë botë duke përfshirë këtu emra me nam si: Dua Lipa Calvin Harris, J Balvin, Martin Garrix, Action Bronson, Skepta, Burna Boy, Miley Cyrus, Fatboy Slim, Shawn Mendes, Bebe Rexha, Stormzy, Black Coffe, The Martinez Brothers, Peggy Gou, Anyma dhe shumë të tjerë. Emra që e kanë pozicionuar Festivalin si një atraksion të jashtëzakonshëm për adhuruesit e muzikës nga e gjithë bota.

Të gjithë përkrahësit e festivalit Sunny Hill kanë vetëm edhe ditën e sotme për të votuar.

Organizatorët kanë inkurajuar të gjithë ndjekësit e tyre, partnerët por edhe komunitetin e gjerë që të votojnë duke e lartësuar kështu edhe më shumë Festivalin në skenën globale të muzikës.

Homazh për Paul Lowe në Fotoist 2025: Një jetë e ndriçuar nga integriteti, empatia dhe vizioni fotografik

7 November 2025 at 16:59


Festivali FOTOIST – International Photography Festival – e kujton me respekt të thellë dhe mirënjohje Paul Lowe, mikun, fotografín, edukatorin dhe kryetarin e bordit, i cili la një gjurmë të pashlyeshme në punën dhe jetët tona.

Paul ishte fotograf i një vizioni të rrallë moral. Nga rënia e Murit të Berlinit deri te rrethimi i zgjatur i Sarajevës, ai nuk ishte thjesht kronist i historisë – ai ishte dëshmitar i humanitetit në momentet e tij më ekstreme. Fotografia e tij e famshme e një fëmije duke luajtur pranë një barriere tankesh në Sarajevë mbetet një dëshmi e fuqishme e mënyrës se si jeta gjen rrugë edhe mes rrënojave.

Por kontributi i Paul Lowe nuk kufizohej vetëm në fotoreporterizëm. Si edukator dhe mentor, në London College of Communication dhe institucione të tjera, ai mbrojti idenë se fotografia nuk është vetëm një pasqyrë e botës, por një lente për ta sfiduar atë – etikisht, politikisht dhe personalisht. Brenda komunitetit tonë të festivalit, ai na udhëzoi të shikonim përtej spektaklit të imazheve, dhe t’i kuptonim ato si ura midis artistëve dhe publikut, midis kujtesës dhe së mundshmes.

Si kryetar i bordit të FOTOIST, Paul solli përvojën e tij globale dhe shpirtin e tij bujar. Ai besonte në fuqinë e fotografisë për të ndërtuar komunitet, për të hapur sytë dhe për të zgjuar ndërgjegjen. Besimi i tij në vizionin tonë, mbështetja e tij e palëkundur dhe miqësia e ngrohtë i dhanë festivalit tonë guxim e krahë për të fluturuar më lart.

Ka kaluar një vit nga ndarja e tij e parakohshme, por prania e Paul vazhdon të ndihet në çdo fotografi që ekspozojmë, në çdo dialog që hapim, në çdo përpjekje që bëjmë për ta mbajtur festivalin tonë një hapësirë ku lidhja, kuptimi dhe arti bashkohen.

Falënderim i veçantë shkon edhe për autorin e videos, fotografin Korab Basha, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm ndaj FOTOIST – International Photography Festival dhe fotografisë në tërësi. /Telegrafi/

Sunny Hill Festival nënshkruan partneritet me European Talent Exchange për promovimin ndërkombëtar të talenteve të reja nga Kosova

7 November 2025 at 16:21


Sunny Hill Festival ka nënshkruar një marrëveshje të re partneriteti me European Talent Exchange, një platformë evropiane që mbështet artistë të rinj dhe u ofron atyre mundësi për prezantim në skenat ndërkombëtare të muzikës.

Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të skenës muzikore kosovare, duke i mundësuar artistëve të rinj nga Kosova të kenë qasje në festivale, ngjarje kulturore dhe rrjetet profesionale të muzikës në mbarë Evropën.

Rezultatet e para të këtij partneriteti tashmë janë shfaqur: këngëtarja e re kosovare, Bana Zahiti, është ftuar të performojë në Eurosonic Noorderslag (ESNS) – një nga festivalet dhe konferencat më prestigjioze të muzikës në Evropë, i njohur për promovimin e talenteve të reja përpara një audience të madhe profesionistësh dhe organizatorësh të industrisë muzikore.

“Ky partneritet ofron mundësi të reja për artistët tanë dhe për muzikën kosovare në përgjithësi,” – tha Shpat Begolli, udhëheqës i Sunny Hill Festival. “Festivali ynë, si platformë e rëndësishme e muzikës bën përpjekje të vazhdueshme të krijojë mundësi të reja që ndihmojnë artistët tanë të talentuar të zënë vendin që ata e meritojnë në skenën ndërkombëtare.”

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Sunny Hill Festival do të zgjerojë më tej rrjetin e partnerëve evropianë dhe do të mirëpresë në Prishtinë artistë të rinj pjesë të European Talent Exchange, duke kontribuar në ndërtimin e një skene të gjallë, bashkëkohore dhe të ndërlidhur muzikore në Kosovë dhe rajon.

Me këtë iniciativë, Sunny Hill Festival rikonfirmon misionin e tij për të promovuar kulturën, kreativitetin dhe potencialin artistik të Kosovës, duke e pozicionuar vendin si një pikë të rëndësishme në hartën muzikore evropiane.

Për më shumë detaje rreth Sunny Hill Festival, vizitoni www.sunnyhillfestival.com.

Kanadaja në Eurovision? Kryeministri i përfshirë personalisht në diskutime

By: gaze tare
6 November 2025 at 14:15

Një iniciativë e pazakontë ka tërhequr vëmendjen e mediave: Kanadaja po konsideron mundësinë për të marrë pjesë në Eurovision Song Contest, konkursin ndërkombëtar muzikor ku artistë nga e gjithë bota performojnë këngë origjinale. Burime qeveritare kanë treguar se Kryeministri Mark Carney është i përfshirë personalisht në këtë ide, raporton CBC.

Eurovisioni zakonisht përfaqëson talentin evropian dhe organizohet nga European Broadcasting Union (EBU), por edhe vendet jashtë Evropës mund të marrin pjesë si anëtare afiliate. Australia është shembulli më i njohur, pasi merr pjesë që nga viti 2015. Kanadaja aktualisht është vetëm anëtare afiliate, gjë që e bën pjesëmarrjen e saj më komplekse.

Në vitin 2022, kompania kanadeze Insight Productions tentoi të krijonte një version kombëtar të Eurovision, ku fituesi do të përfaqësonte vendin në konkursin ndërkombëtar. Projekti nuk u realizua për shkak të kostove të larta dhe sfidave logjistike, duke përfshirë bashkëpunimin me CBC/Radio-Canada.

Ekspertët vënë në dukje se pjesëmarrja kërkon shpenzime të konsiderueshme, duke përfshirë tarifën e pjesëmarrjes, udhëtimin dhe qëndrimin e artistëve dhe ekipit. Ndërkohë, disa artistë kanadezë kanë marrë pjesë më parë në Eurovision nën flamuj të tjerë, si Céline Dion për Zvicrën në 1988 dhe Natasha St-Pier për Francën në 2001.

Pavarësisht pengesave, mbështetja e qeverisë federale e bën këtë ide më konkrete se kurrë më parë. Megjithatë, njohja e kufizuar e Eurovision në Kanada mund të jetë një sfidë për krijimin e momentumit të duhur, sipas ekspertëve.

“Është ende spekulative, por më konkrete se sa ka qenë më parë,” thonë specialistët e festivalit.

The post Kanadaja në Eurovision? Kryeministri i përfshirë personalisht në diskutime appeared first on iconstyle.al.

Homazh për Alban Bujarin në Fotoist - Një zë i paharrueshëm i fotografisë kosovare

1 November 2025 at 12:53


Në kuadër të edicionit të fundit të FOTOIST – Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë, u zhvillua një homazh emocionues për Alban Bujarin, një nga figurat më të rëndësishme të fotografisë kosovare.

Bujari njihej për aftësinë e tij unike për të kapur dhimbjen, shpresën dhe humanizmin në çdo imazh. Puna e tij kolosale mbetet një dëshmi e ndjeshmërisë, dashurisë për jetën dhe lirinë, si dhe përkushtimit ndaj dokumentimit të realitetit të Kosovës. Në çdo fotografi, ai bashkëjetoi me përvojat e dhimbshme të viktimave të luftës, duke u bërë një zë i fuqishëm për ata që shpesh nuk mund të flisnin vetë.

Familja Bujari shprehu mirënjohjen e saj për bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë këtij homazhi, ndërsa portali Telegrafi u falënderua për kujdesin dhe bashkëpunimin medial. Një falënderim i veçantë shkon për Korab Bashën, autorin e homazhit, për përkushtimin dhe ndjeshmërinë me të cilën solli kujtimin e Albanit.

Ky homazh rikujtoi publikun për trashëgiminë vizuale të Bujarit dhe ndikimin e tij të paharrueshëm në artin dhe memorien kolektive të Kosovës. Fotografitë e tij, të mbushura me emocion dhe realitet, do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë vizuale të vendit.

“Kujtimi për Alban Bujarin do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë sonë vizuale,” theksojnë organizatorët e festivalit. /Telegrafi/

“Mbi kaltërsinë e detit”, festivali i valles tradicionale të fëmijëve

29 October 2025 at 10:12

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Shoqata kulturore e grave minoritare të Sarandës “Rodhon to Amarandon” organizoi festivalin për fëmijë “Mbi kaltërsinë e detit”.

Ky ishte edicioni i dytë i këtij festivali tradicional, që mblodhi së bashku grupe valltarësh nga Janina, Igumenica, Korfuzi, Gjirokastra dhe Saranda, të cilët sollën në skenë valle popullore, duke përcjellë me pasion trashëgiminë kulturore të rajonit.

Aktiviteti kulturor u zhvillua në shëtitoren e Sarandës, ku performuan edhe grupe artistike të fëmijëve nga minoriteti grek në Shqipëri, grupi i fëmijëve të shkollës së Dërmishit, grupi folklorik i të rinjve të Sarandës, grupi folklorik i Libohovës, dhe grupi i Derviçanit.

Fëmijët, me kostumet e tyre shumëngjyrëshe dhe lëvizjet e sinkronizuara, krijuan një atmosferë festive që emocionoi publikun.

Kostumet e shumta popullore, larmia e ngjyrave që mbartën fëmijët, dhanë mesazhin e bashkëpunimit me të rinjtë brenda dhe jashtë vendit dhe se arti dhe kultura nuk njohin kufij.

/e.r/a.f/r.e/

The post “Mbi kaltërsinë e detit”, festivali i valles tradicionale të fëmijëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

'Fotosit 3' përmbyllet në Prishtinë: Një javë përmes kujtesës, rezistencës dhe fuqisë së imazhit

25 October 2025 at 15:47


Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë FOTOIST, i cili këtë vit shënoi edicionin e tretë, i ka ardhur fundi pas një jave të mbushur me emocione, reflektime dhe dialog të thellë mbi rolin e fotografisë në dokumentimin e së vërtetës dhe ruajtjen e kujtesës kolektive.

Nga 15 deri më 24 tetor 2025, Prishtina u kthye në një qendër ndërkombëtare të fotografisë, ku ekspozitat sollën rrëfime që preknin plagët e njerëzimit — nga luftërat e harruara dhe tragjeditë e refugjatëve, deri te ndryshimet klimatike dhe forca e njeriut për të mbijetuar.

Nëpërmjet veprave të Ron Haviv, Osman Demiri, Agron Dragaj, Eric Bouvet, Ziyah Gafic, Tomas van Houtryve, Hrvoje Polan, Igor Čoko, Doug Barrett, Jon Cherry, Ashley Gilbertson, Ed Kashi, Joachim Ladefoged, Ilvy Njiokiktjien, Nichole Sobecki, Maggie Steber, Sara Terry, Nolan Trowe, Suer Celina, Valjeta Zuka, Elena Gallina, Veselj Saliji, Denis Jagdji, dhe shumë të tjerëve, FOTOIST dëshmoi se fotografia është më shumë se dokument — ajo është kujtesë e gjallë, ndërgjegje dhe akt qëndrese.

Ky edicion u realizua falë bashkëpunimit të gjerë me institucione dhe organizata si The VII Foundation, OSBE, Handikos, Dokufest, Pro Peace, Barabar Center, Artistët për Artista, Galeria e Fakultetit të Arteve, Biblioteka Kombëtare dhe Heritage Space, duke krijuar një platformë të hapur që bashkoi artistë, gazetarë, studiues dhe publikun në një dialog për të kaluarën, të tashmen dhe përgjegjësinë ndaj së ardhmes.

Nën moton “Endurance / Qëndresa”, FOTOIST 3 e ktheu fotografinë në një dëshmi të qëndrueshmërisë njerëzore – të aftësisë për të mbijetuar, për të kujtuar dhe për të rindërtuar.

Në mbyllje të festivalit, organizatori Burim Myftiu theksoi se drita e imazheve që u ekspozuan gjatë këtyre ditëve do të vazhdojë të ndriçojë ndërgjegjen kolektive duke u shprehur: “Të mos harrojmë, të mos heshtim dhe të mos ndalim së besuari në forcën e njeriut përballë errësirës”.

Falënderime të veçanta iu drejtuan të gjithë artistëve, partnerëve dhe vizitorëve që e bënë të mundur këtë udhëtim përmes kujtesës dhe shpresës — një përmbyllje dinjitoze për një festival që çdo vit e ngre më lart rolin e fotografisë si gjuhë universale e humanitetit. /Telegrafi/












Korça në ritmin e “Lulu Fest”, 150 artistë sjellin tingujt e rajonit

24 October 2025 at 21:21

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ 150 artistë nga vende të ndryshme të rajonit, janë mbledhur në qytetin e Korçës, për edicionin e parë të “Lulu Fest”.

Në një postim online, kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo shpjegoi se, edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Bandave Frymore – “Lulu Fest”, është një tjetër dëshmi e gjallë e traditës dhe shpirtit kulturor që e bën Korçën unike.

“Dita e parë e festivalit nisi me ekspozitën “Kur koha marshon” në Zonën Këmbësore, vijoi me Masterclass-in në Qendrën e Artit dhe Inovacionit, dhe kulmoi me Paradën e Bandave, që pushtoi bulevardet e qytetit me muzikë, hare dhe emocion”, tha ai.
“Lulu Fest” është më shumë se një festival, është një homazh për artin frymor, për traditën korçare dhe për mjeshtrit që e kanë bërë këtë qytet të tingëllojë ndryshe”, theksoi Filo.
Ai theksoi se “Lulu Fest” është një traditë e re që sapo ka nisur, me ritmin e shpirtit korçar.

Festivali frymëzohet gjithashtu nga banda historike “Vatra”, që ka qenë simbol i kulturës muzikore korçare mbi një shekull më parë dhe që Filo tha se është një trashëgimi që duhet ringjallur te brezat e rinj.

Festivali vijon edhe gjatë kësaj fundjave, më 25 e 26 tetor, ku do të ketë dhe performanca të shumta në rrugët e qytetit dhe në sheshin qendror të Korçës.

“Ky është edicioni i parë i një festivali që e kemi konceptuar me dashuri dhe respekt të veçantë për traditën korçare, por edhe me një vizion të qartë për të ardhmen kulturore të qytetit”, tha Filo.

Momenti kulmor do të jetë koncerti i madh në fund të festivalit, kur të gjithë artistët, vendas e të huaj, do të interpretojnë së bashku veprën “Dua më shumë Shqipërinë”.

/r.e/

The post Korça në ritmin e “Lulu Fest”, 150 artistë sjellin tingujt e rajonit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Katër ekspozita të The VII Foundation në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë FOTOIST në Prishtinë

22 October 2025 at 22:12


Në kuadër të edicionit të sivjetshëm të FOTOIST – Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë në Prishtinë, janë hapur për publikun katër ekspozita ndërkombëtare të realizuara nga The VII Foundation, një nga organizatat më të njohura në botë në fushën e fotogazetarisë.

Ekspozitat janë të vendosura në ndërtesën e Grandit dhe Galerinë e Arteve, ku do të qëndrojnë të hapura deri më 24 tetor 2025. Ato trajtojnë tema të fuqishme që përfshijnë luftën, mjedisin, historinë dhe identitetin shoqëror.

“A Brief Guide to Investigating War Crimes” – Ron Haviv

Foto: Ron Haviv – VII Foundation

Fotoreporteri i njohur ndërkombëtarisht dhe bashkëthemeluesi i The VII Foundation, Ron Haviv, sjell në Prishtinë ekspozitën “A Brief Guide to Investigating War Crimes”, në bashkëpunim me Global Investigative Journalism Network (GIJN).

E kuruar nga vetë Haviv, ekspozita mbështetet në udhëzuesin e GIJN për gazetarët që raportojnë mbi krimet e luftës dhe përfshin imazhe të fuqishme të realizuara nga anëtarët e The VII Foundation. Ajo trajton realitetet e dhimbshme të konflikteve të armatosura dhe pasojat e tyre shoqërore e njerëzore, duke theksuar rolin e gazetarisë hulumtuese dhe të drejtësisë ndërkombëtare.

“Élévations” – Éric Bouvet

Foto: Éric Bouvet / VII Foundation

Ekspozita “Élévations” e fotografit francez Éric Bouvet, e hapur më 17 tetor 2025 në ndërtesën e Grandit dhe Galerinë e Arteve paraqet një seri fotografish të mëdha që sjellin peizazhet madhështore të Alpeve.

Bouvet përdor teknika të fotografisë së shekullit XIX për të ngadalësuar procesin krijues, duke i lejuar vizitorët të reflektojnë mbi marrëdhënien midis njeriut dhe natyrës. Fotot e tij shërbejnë njëkohësisht si një homazh ndaj bukurisë natyrore dhe si një paralajmërim për pasojat e ndryshimeve klimatike dhe degradimit mjedisor.

Kjo ekspozitë është pjesë e një nisme më të gjerë të The VII Foundation dhe Institut Français në Bosnje e Hercegovinë, të mbështetur nga UNESCO përmes projektit “Culture and Creativity for the Western Balkans”, që synon të nxisë dialog mbi qëndrueshmërinë mjedisore dhe rolin e tregimit vizual.

“USA 3.0” – The VII Foundation

Foto: Danny Wilcox Frazier / VII Foundation

Kuratorë: Ron Haviv dhe Danny Wilcox Frazier

Ekspozita “USA 3.0” paraqet një projekt të gjerë të fotogazetarisë bashkëkohore që dokumenton në kohë reale realitetin shoqëror dhe politik të Shteteve të Bashkuara.

Në këtë ekspozitë marrin pjesë emra të njohur të fotografisë si Doug Barrett, Ashley Gilbertson, Ed Kashi, Maggie Steber, Nichole Sobecki dhe të tjerë, të cilët përmes lenteve të tyre sjellin një pasqyrë të thellë të historisë amerikane bashkëkohore, duke ruajtur kujtesën kolektive për brezat e ardhshëm.

“MONUMENTAL: The Dome of the Rock” & “Notre-Dame de Paris” – Ziyah Gafić dhe Tomas van Houtryve

Foto: Ziyah Gafić – VII Foundation

Projekti “MONUMENTAL” është një reflektim mbi besimin, identitetin kombëtar dhe politikën përmes simbolikës së dy prej monumenteve fetare më të rëndësishme në botë: Kupolës së Shkëmbit në Jerusalem dhe katedrales Notre-Dame de Paris.

Fotografët Ziyah Gafić dhe Tomas van Houtryve patën qasje të paprecedentë në këto ndërtesa midis viteve 2019–2023, duke dokumentuar dimensionet e tyre arkitektonike, historike dhe simbolike. Ekspozita nxit debat mbi marrëdhënien mes fesë, pushtetit dhe trashëgimisë kulturore në kontekstin global.

Ekspozitat e këtij edicioni të FOTOIST dëshmojnë rolin e Prishtinës si një qendër kulturore në rajon, ku arti i fotografisë përdoret si mjet për reflektim dhe dialog mbi sfidat bashkëkohore të njerëzimit.

Të gjitha ekspozitat janë të hapura për publikun deri më 24 tetor 2025.

Më shumë informacione mund të gjenden në faqen zyrtare të festivalit: fotoist.org/exhibitions25

Ekspozita fotografike “Where Hope Survives” u hap në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

22 October 2025 at 09:50


Nga 21 tetori është hapur ekspozita fotografike “Where Hope Survives” nga Agron Dragaj, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, si pjesë e edicionit të tretë të FOTOIST – Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë, përcjell Telegrafi.

Ekspozita sjell një udhëtim vizual përmes hapësirave të prekura nga lufta, zhvendosja dhe sfidat e përditshme, duke reflekton forcën, shpresën dhe qëndrueshmërinë e njeriut përballë vështirësive.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të vlerësojnë punën e fotografit dhe të përjetojnë mesazhin e fuqishëm që përcjell secila fotografi.

Organizatorët falënderuan publikun, miqtë dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar rolin e fotografisë si mjet për kujtesë dhe ndryshim shoqëror.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më 24 tetor 2025. /Telegrafi/

Edicioni i 6-të i Peja Jazz po vjen

20 October 2025 at 15:55


Peja Jazz po rikthehet me edicionin e 6-të për të bashkuar edhe një herë komunitetin e muzikë-dashësve, në katër mbrëmje dhe katër performanca, nga artistë kombëtar e ndërkombëtar, që eksplorojnë nuancat e ndryshme të muzikës jazz.

Çka nisi si një iniciativë spontante për të bërë bashkë njerëzit prej shtëpive, në kohëra izolimi e pasigurie tash është kthyer në një traditë të përvjetshme, e cila vjen në jetë çdo vjeshtë ose dimër kur qyteti duket se po bie në qetësi.

Prej 23 deri më 26 tetor, çdo mbrëmje prej orës 20:00 festivali Peja Jazz fton të gjithë dashamirët e muzikës jazz, për të ekploruar së bashku magjinë e këtij zhanri, dhe për tu bërë pjesë e jetësimit së skenës kulturore brenda qytetit, për të kujtuar prezencën dhe madhështinë që dikur muzika kishte për komunitetin lokal, dhe nostalgjinë që plot e ndjejnë për një të kaluar të artë.



23 tetor 2025 | 20:00

Ata që dikur performuan në një sallë të zbrazët, kur duartrokitjet s’mund t’i dëgjonim dot, kësaj rradhe do të bëjnë hapjen e edicionit të 6-të të Peja Jazz.

Me Ilir Bajrin në piano, Visar Kuçin në kitarë-bas-kitarë dhe Enes Beun në bateri, Peja Jazz do filloj me këmbë të mbarë me Ilir Bajri Trio, një introspektivë.

Këtu, mendimi merr formën e tingullit. Takohemi në një shkëmbim të qetë mendjesh, të udhëhequr nga talenti dhe të zbutur nga shija, për të eksploruar ato që vështirë mund të thuhen me fjalë. Shkëmbejmë intuita, jo argumente; dëgjojmë po aq sa luajmë. Dialogu lëviz midis dritës dhe hijes, sigurisë dhe dyshimit, duke ndjekur hapësirën e brishtë ku intelekti zbutet në emocion dhe heshtja e plotëson idenë.

Biografitë për secilin artist!


24 tetor 2025 | 20:00

Në mbërmjen e dytë skenës së Kinemasë “Jusuf Gërvalla” do ti bashkohet Adrien Brandeis.


Adrien Brandeis është pianist dhe kompozitor francez që bashkon jazz-in evropian me ritmet latine! Fitues i çmimit Letter One Rising Stars Jazz Award dhe UNAC New Talent Jazz Grand Prix, Adrien ka performuar në skena prestigjioze anembanë botës nga Blue Note Shanghai e deri te La Fenice në Venecia. Pas sukseseve me albumet Euforia, Meetings dhe Siempre más allá, ai rikthehet në 2025 me projektin e ri “Resurgence”, që shënon një kapitull të ri në rrugëtimin e tij muzikor.

Lexoni biografinë e plotë!


25 tetor 2025 | 20:00

Natën e tretë të Peja Jazz do të na bashkohen Rina Kaçinari dhe Orwa Saleh!

Dyshja e tingujve të veçantë, Rina Kaçinari (violonçel) dhe Orwa Saleh (ud) bashkojnë vizionet e tyre muzikore në një format të ri. Rina Kaçinari kompozimet e saj, i interpreton përmes violonçelit dhe zërit. Bota e saj muzikore lëviz me lehtësi mes jazz-it, tangos, pop-it dhe avangardës. Derisa, Orwa Saleh njihet për qasjen e tij novatore në instrumentin e ud-it. Me virtuozitet dhe pasion për traditën e pasur të muzikës arabe, ai i jep instrumentit zë bashkëkohor. Kjo duo i ndërthur në mënyrë unike meloditë moderne e origjinale me ritme siriane dhe asimetrike.


26 tetor 2025 | 20:00

Për fund, fundjava do të përmbyllet me një performancë tejet të veçant nga Vlashent Sata dhe Mahari Trio.

Vlashent Sata: piano, vokal MAHARI TRIO

Francesco Leo (Ciccio Leo): tastierë Daniele Raciti: kitarë

Federico Gucciardo: bateri

Vlashent Sata (1983) është këngëtar, kantautor, kompozitor dhe pianist franko-shqiptar. I rritur në një familje muzikantësh, ai filloi të performonte që në moshën pesëvjeçare dhe studioi piano nën ndikimin e të atit, muzikologut Loro Sata. Në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare nisi të kompozonte dhe mësoi vetë kitarën. Në vitin 2002 u zhvendos në Francë për të ndjekur studime të avancuara për piano në Bordo dhe Paris me Denis Pascal dhe Romano Pallottini. Në vitin 2011 mori diplomën në pedagogji dhe që atëherë ka dhënë mësim në konservatorët “Paul Dukas” dhe “Gabriel Fauré” në Paris. Albumi i tij debutues Hana (2016) u vlerësua lart nga kritika dhe u transmetua ndërkombëtarisht, nga Montreal deri në Dakar. Vlashent është gjithashtu themeluesi dhe drejtori artistik i Zâ Fest, festivalit kryesor ndërdisiplinor të arteve në Shqipëri, i njohur për cilësinë e tij të lartë artistike dhe estetike.

MAHARI

Tingulli i fuqishëm i tre muzikantëve sicilianë që, pasi udhëtuan nëpër botë në kërkim të identitetit të tyre artistik, e gjetën atë tek rrënjët e veta. Sicilia – një përzierje kulturash që ka ushqyer ndjenjën natyrore për ndarjen, mikpritjen dhe, paradoksalisht, ruajtjen e traditave të lashta shekullore. Pikërisht nga ky burim i pasur kulturor lind tingulli i MAHARI, me synimin për ta zhvilluar muzikën tradicionale që ka mbetur e ngrirë për shumë vite. Bashkimi i udhëtimeve individuale të kësaj trioje krijon një tingull muzikor të përbërë nga elemente elektronike, jazz-i dhe “black music”.

Biletat për Peja Jazz mund të sigurohen në Rave Travel, ose në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë!.

“Festë” sjell edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë - Fotoist në Prishtinë

15 October 2025 at 22:02


Prishtina është shndërruar në një qendër të artit pamor me mbajtjen e edicionit të tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë – Fotoist, i cili këtë vit mban temën “Festë”. Ky edicion sjell një program të pasur me ekspozita, instalacione dhe homazhe kushtuar artistëve që kanë lënë gjurmë në fotografinë shqiptare.

Në kuadër të festivalit do të zhvillohen 36 ngjarje fotografike, përfshirë 12 ekspozita që do të hapen në hapësira të ndryshme të kryeqytetit. Nëntë prej tyre do të hapen më 17 tetor, në orën 18:00, duke shënuar nisjen zyrtare të këtij edicioni në një ambient unik – pesë nivelet e Hotel “Grand” në qendër të Prishtinës, që përfshijnë sheshin dhe katër kate të brendshme të hotelit.

Ekspozitat do të vazhdojnë edhe në institucione të tjera kulturore, si Galeria e Akademisë së Arteve dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, duke e shtrirë festivalin në disa prej hapësirave më ikonike të qytetit.

“Gjatë hapjes do të kemi një ekspozitë jashtë Hotelit Grand nga Seven Foundation dhe nga fotografi Osman Demiri, me një temë jashtëzakonisht të ndjeshme – refugjatët e Çegranit të vitit 1999”, ka treguar për Telegrafin fotografi dhe drejtori i festivalit, Burim Myftiu.

Në kuadër të hapjes do të mbahen edhe homazhe për dy miqtë e Fotoistit, fotografët Alban Bujari dhe Paul Lowe, të cilët kanë ndërruar jetë gjatë vitit të fundit. Këta dokumentarë janë përgatitur nga ekipi i Telegrafit, i përbërë nga fotografi Korab Basha dhe gazetarja Elfije Boletini Bejtullahu.

“Ftoj të gjithë adhuruesit e fotografisë dhe artit në përgjithësi që të marrin pjesë në hapjen e festivalit, e cila do të mbahet në sheshin para Hotelit Grand. ‘Festë’ është një ftesë për të kremtuar artin, jetën dhe kujtesën përmes fotografisë,” tha më tej Myftiu.

Edicioni i sivjetmë i Fotoistit pritet të tërheqë dhjetëra artistë vendas dhe ndërkombëtarë, duke e bërë Prishtinën për disa ditë me radhë një qendër të gjallë të dialogut vizual dhe kreativitetit. /Telegrafi/

“Wine & Stories” në Berat, Salla: Çdo shije lidhet me mjeshtërinë e kantinave

5 October 2025 at 22:02

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Berati u kthye sërish në kryeqytetin e verës shqiptare me edicionin e katërt të festivalit “Wine & Stories of Berat”, një ngjarje që bashkon traditën, kulturën dhe shijen unike të verërave shqiptare.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se ky tur i veçantë në kuadër të festivalit ofroi një përjetim të paharrueshëm, ku çdo gotë verë tregoi një histori dhe çdo shije lidhej me mjeshtërinë e kantinave që kthejnë rrushin e Roshnikut në verë me identitet.

“Tur i paharrueshëm në “Wine & Stories”, Berat, ku çdo gotë tregon një rrëfim dhe çdo shije lidhet me mjeshtërinë e kantinave që kthejnë rrushin e Roshnikut në verë me identitet. Agroturizma që me mikpritjen e tyre të ngrohtë, muzikë tradicionale dhe vizita në fabrikën e fiqve e shndërruan këtë udhëtim në një përjetim plot ndjesi me identitet shqiptar”, u shpreh ministri Salla.

Atmosfera u pasurua me muzikë tradicionale, mikpritje të ngrohtë dhe vizita në agroturizma e fabrika vendase, mes tyre edhe në fabrikën e fiqve, duke e bërë këtë ngjarje një udhëtim të plotë me aromë dhe ndjesi shqiptare.

Në këtë edicion morën pjesë mbi 50 kantina nga Shqipëria, Kosova dhe komunitetet arbëreshe të Kalabrisë, ndërsa u shpallën 39 çmime në tri kategori: “Rose Wines”, “White Wines” dhe “Red Wines”.

Festivali “Wine & Stories of Berat” organizohet me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe synon të promovojë potencialin agroturistik të qarkut të Beratit dhe të nxisë zhvillimin rural përmes vlerësimit të produkteve lokale. /j.p/

The post “Wine & Stories” në Berat, Salla: Çdo shije lidhet me mjeshtërinë e kantinave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prishtina bëhet skenë e re e festivalit UNUM

3 October 2025 at 22:04


Prishtina po bëhet sërish qendër e ngjarjeve kulturore me ardhjen e festivalit UNUM, i cili ka nisur udhëtimin e tij nga Shëngjini dhe ka zbarkuar në kryeqytet, për të sjellë një atmosferë të re dhe të gjallë në qytet.

Organizatorët e përshkruajnë ngjarjen jo vetëm si festival, por si një lëvizje që përmbledh skenën, muzikën dhe energjinë e rinisë.

Ky festival synon të ofrojë një eksperiencë unike për të rinjtë, duke krijuar një platformë ku kultura, kreativiteti dhe argëtimi bashkohen në një hapësirë moderne.

Përmes koncerteve, performancave dhe aktiviteteve interaktive, UNUM shpreh një vizion të ri për artin dhe të jetuarit urban në Prishtinë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, komentoi këtë ngjarje duke e cilësuar si një mundësi për të nxjerrë në pah potencialin e qytetit dhe për të ofruar hapësira kulturore për të gjithë banorët.

Ai tha: Prishtina nuk pret. Prishtina është ndjenjë. Ngjarje si UNUM nuk janë thjesht festivale, janë lëvizje, janë skenë dhe vibe. Ky është një hap i rëndësishëm për të promovuar kulturën, energjinë dhe talentin që kemi në qytetin tonë. Ne duam që Prishtina të jetë gjithmonë një qytet ku rinia, arti dhe inovacioni gjejnë hapësirën e tyre”.

Ky festival vjen në një periudhë kur qyteti po shikon zhvillime të shumta në infrastrukturë dhe promovim kulturor, duke ofruar për qytetarët dhe vizitorët një përvojë të paharrueshme dhe duke vendosur Prishtinën në hartën e ngjarjeve më të rëndësishme artistike në rajon. /Telegrafi/


Perparim Rama/FaceBook

“Check-In Festival”, muzika elektronike dhe Rock “ndezin” kryeqytetin

28 September 2025 at 11:46


TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Muzika, energjia dhe emocionet u rikthyen në kryeqytet me edicionin e pestë të “Check-In Festival”.

Të rinj, turistë të huaj, por edhe pushues vendas iu bashkuan atmosferës festive në datat 26 dhe 27 shtator në sheshin “Italia” në Tiranë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndau sot momente nga atmosfera e krijuar gjatë fundjavës në kryeqytet.

“Fundjavat në Tiranë. Check-in Festival për dy net radhazi ndezi skenën në Sheshin Italia me artistë të mirënjohur, duke sjellë një atmosferë spektakolare në kryeqytet”, u shpreh Gonxhja.

Përgjatë dy netëve (26 dhe 27 shtator), “Check-In Festival” përcolli një atmosferë të paharrueshme në kryeqytet me artistë ndërkombëtarë dhe me muzikë rock që ndezi qytetin.

Në “Electronic Night” në 26 shtator, Booka Shade, Trentemøller (DJ Set), Rea dhe Nijø sollën tinguj elektronikë që e kthyen Tiranën në epiqendrën e muzikës moderne.

Ndërsa në 27 shtator, adrenalina e rock-ut pushtoi skenën me Attitude, Tribute Band dhe artistë të tjerë surprizë.

Muzika, ritmi, tradita dhe çdo element tjetër u ndërthurën mjeshtërisht duke e bërë këtë një eksperiencë të paharrueshme.

/m.m//a.f/

The post “Check-In Festival”, muzika elektronike dhe Rock “ndezin” kryeqytetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Magjik edicioni i dytë i Korça Serenights

23 September 2025 at 22:57

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Magjia e serenatave mbushi për tre netë me radhë rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit të Korçës.

Festivali i Serenatave, i zhvilluar nga 18-20 shtator në Korçë ishte një festë e vërtetë e kulturës në qytetin juglindor.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga netët e këtij festivali, që bëri bashkë emrat e njohur të serenatave korçare.

“Magjik edicioni i dytë i Korça Serenights. Tre netë fantastike mbushën rrugicat e Korçës dhe sheshin e Pazarit të Vjetër me vizitorë dhe tinguj serenatash, duke e bërë serenatën, këtë vlerë të çmuar të Korçës, pjesë të një prej festivaleve më të bukura të kalendarit tonë festiv”, shkruan Rama.

Nata e parë e festivali u hap me ekspozitën “Me kitarë e mandolinë ty po të këndoj”, një udhëtim mes gurëve të themelit të serenatës, ku u ekspozuan kitarat dhe mandolinat e familjeve korçare, që e kanë mbajtur gjallë këtë trashëgimi muzikore, duke e përcjellë brez pas brezi.

Nata e dytë e këtij festivali u zhvillua në ambientet e Liceut, ku publiku shijoi performancat e Mimoza Paravelit, Ëndërr Serenatë Band, Jorgjeta Lalazit, bandit “Hani i Pazarit” dhe Cofiel Band.

Ndërkohë, në natën e tretë, Pazari i Vjetër u gjallërua me tingujt e artistëve më në zë shqiptarë në një mbrëmje gala.

Nën drejtimin e mjeshtrit Josif Minga dhe nën shoqërimin e Orkestrës së Forcave të Armatosura artistët Frederik Ndoci, Eli Fara, vëllezërve korçarë Endri dhe Stefi Prifti, Mihallaq Andrea, Ermira Kola e Bledi Polena sollën për artadashësit serenatat korçare.

Serenatat korçare u krijuan si dedikime dashurie rrugicave të qytetit të Korçës e që luheshin me kitarë e mandolinë poshtë dritareve të vajzave.

/k.s//a.f/

The post Rama: Magjik edicioni i dytë i Korça Serenights appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌