Drejtuesi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Enea Karakçi, është shprehur se në vitin 2026 nuk do të ketë rritje të rritje të çmimit të energjisë.
Komentet Karakçi i bëri në ‘Ditari i Pasdites’ me gazetarin Pandi Gjata në A2 CNN, ku tha se çmimi i miratuar me ulje në shkurt të vitit 2025 për abonentët familjarë, do të jetë në fuqi edhe në vitin 2026.
Ai shtoi gjithashtu se familjet e kanë shfrytëzuar maksimalisht uljen e çmimit të energjisë për ata që harxhojnë nën 700 KW, duke mos e kaluar këtë fashë.
“Çmimi vazhdon të jetë i ulur, patjetër që nuk do të ketë rritje çmimi në vitin 2026, pra do jetë i njëjti çmim i miratuar me ulje në vitin 2025. E theksoj faktin se ne bëmë një ulje çmimi me 10.5 % në vitin 2025, që do vazhdojë të jetë i aplikueshëm edhe në vitin 2026.
Nga shifrat e kompanisë shikoj dy gjëra interesante, që të jem korrekt përsa i përket çmimit. E para ne mendonim që fasha e klientëve të cilët do e kalonin këtë 700 KW që kishte çmimin e ulët do ishte më e lartë.
Por kemi parë që familjet qytetare kanë tentuar maksimalisht që të shfrytëzojnë fashën e uljes së çmimit dhe të jenë brenda 700 KË”, tha mes të tjerash Karakçi./mxh
Fluksi i lartë i lëvizjeve në prag të Krishtlindjes ka kthyer rrugët kryesore të vendit në akselë të bllokuar, duke vënë në pikëpyetje nëse qindra qytetarë do të arrijnë në destinacion për të festuar me familjet e tyre. Gjatë ditës së sotme, pikat doganore që lidhin Shqipërinë me Greqinë janë përballur me radhë të gjata […]
Dita e katërt e Kupës së Afrikës në Marok ka sjellë rezultate të rëndësishme. Burkina Faso siguroi një fitore dramatike në kohën shtesë kundër Guinesë Ekuatoriale. Ndërkohë, në Rabat, Algjeria, me praninë e Zidane junior, mposhti thellë Sudanin me rezultatin 3-0. Më vonë gjatë ditës, janë planifikuar ndeshjet Bregu i Fildishtë-Mozambik dhe Kamerun-Gabon.
Ministria e Shëndetësisë e Serbisë ka shpallur sot konkurs për 300 vende të reja pune në institucionet shëndetësore paralele serbe që veprojnë në Kosovë.
Në njoftimin e publikuar përmes Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, thuhet se konkursi ka të bëjë me “300 vende të reja pune në institucionet shëndetësore serbe në Kosovë”.
Po ashtu, Ministria ka bërë të ditur se është në proces edhe një konkurs tjetër për 50 vende pune, i cili është hapur më 22 dhjetor të këtij viti, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve të reja të punës në 350.
Sipas autoriteteve serbe, këto punësime synojnë forcimin e sistemit shëndetësor serb në Kosovë.
Në njoftim theksohet se “punësimet e reja do të përmirësojnë nivelin e kujdesit shëndetësor në komunitetet serbe në Kosovë”.
Gjithashtu, bëhet e ditur se në gjysmën e dytë të muajit janar pritet të punësohen edhe 700 persona, personel mjekësor dhe jomjekësor, në bazë të një konkursi të zhvilluar më herët.
Në njoftim përmendet se gjatë tri viteve të fundit janë punësuar mbi 1.500 persona në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, duke u theksuar nevoja për punësim shtesë dhe modernizim të shërbimeve shëndetësore.
Autoritetet serbe kanë bërë deklarata të ngjashme edhe më herët, përfshirë edhe paralajmërimet e presidentit Aleksandar Vuçiq për punësime të reja në prag të zgjedhjeve lokale të muajit tetor.
Një skandal i rëndë ka tronditur opinionin publik, pas zbulimit të një aktiviteti kriminal ku dyshohet se drejtues të kompanisë One Albania janë përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Sipas raportimeve mediatike, hetimet e autoriteteve kanë çuar në arrestimin e 22 personave, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar për trafikun e lëndëve narkotike, dy prej të cilëvem drejtues ne One Albania, të cilët dyshohet se kishin krijuar një rrjet të strukturuar për shitjen e drogës.
Sipas burimeve zyrtare, mes 22 të arrestuarve, në pranga kanë rënë edhe Erald Sina, Drejtues i Departamentit të Zyrave dhe Pasurisë në ONE Albania si dhe Artan Pullazi, Team Leader në të njëjtën kompani.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se aktiviteti kriminal ishte i organizuar dhe funksiononte prej kohësh, duke shfrytëzuar edhe pozitat drejtuese të personave të përfshirë. Operacioni u finalizua pas një hetimi të mirëorganizuar nga organet ligjzbatuese, të cilat kanë sekuestruar prova materiale dhe po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, shkruan Albeu.com.
Autoritetet kanë konfirmuar se hetimet janë ende në vijim dhe nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të tjera. Rasti konsiderohet si një nga episodet më të rënda të ndërthurjes së krimit me pozita drejtuese në sektorin privat, duke rikthyer në vëmendje nevojën për transparencë dhe llogaridhënie.
Deri me tani, kjo është lista e plotë e personave të arrestuar:
Kancelari gjerman Friedrich Merz nënvizoi angazhimin e qeverisë së tij për të siguruar që paqja dhe siguria të mbizotërojnë në Evropë, në mesazhin e tij video të Krishtlindjeve.
"Në këto muaj dhe vite, bëhet fjalë për paqen, për sigurinë dhe për prosperitetin e të gjithë kontinentit tonë", tha Merz, i cili është shfaqur si një mbështetës i flaktë i Ukrainës.
"Në këtë frymë, ne ndihemi të përkushtuar ndaj Gjermanisë dhe Evropës. Varet nga ne", shtoi ai.
Qeveria do të bëjë detyrën e saj dhe do të punojë me durim dhe këmbëngulje për të çuar përpara interesat e Gjermanisë, tha ai.
Në fjalimin e tij që zgjati pak më shumë se dy minuta, Merz u kthye pas në një vit plot ngjarje që e pa të merrte drejtimin e ekonomisë më të madhe të Evropës pas zgjedhjeve të shkurtit.
Kancelari, i cili udhëheq një qeveri koalicioni të përbërë nga blloku i tij konservator dhe Social Demokratët, pranoi se arritja e kompromisit nuk ka qenë gjithmonë e lehtë.
"Pati diskutime dhe jo gjithçka shkoi plotësisht mirë", theksoi ai.
Shumë vendime sapo kanë filluar të zbatohen ose do të hyjnë në fuqi në planin afatgjatë, tha ai.
"Na duhet durim dhe këmbëngulje, po aq sa edhe shtysa për të vazhduar të vendosim më të mirën për vendin tonë çdo ditë", tha Merz. /Telegrafi/
BANGKOK, 24 dhjetor /ATSH-DPA/- Tajlanda dhe Kamboxhia rifilluan sot bisedimet për një armëpushim të qëndrueshëm në konfliktin e tyre kufitar që shpërtheu sërish në fillim të këtij muaji, njoftuan të dyja palët.
“Një takim midis oficerëve të lartë ushtarakë u zhvillua në një pikë kontrolli kufitar në Provincën Chanthaburi në Tajlandën lindore dhe zgjati vetëm 35 minuta”, raportuan mediat.
Bisedimet, të cilat do të vazhdojnë për disa ditë, po shihen si hapi më i rëndësishëm nga të dyja palët deri më sot për të ndaluar armiqësitë – që nga fillimi i luftimeve të ripërtërira më shumë se dy javë më parë.
Sipas raportimeve, takimi i sotëm kishte për qëllim përgatitjen e terrenit për bisedime në nivel ministrash të Mbrojtjes ditën e shtunë. Ndërkohë, diskutimet brenda një komiteti të përbashkët për çështjet kufitare do të vazhdojnë në nivel sekretari shteti.
“Nëse këto bisedime çojnë në marrëveshje, do të zhvillohet edhe një takim në nivel ministrash”, u tha gazetarëve në Bangkok një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Tajlandës.
Një zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes së Kamboxhias tha se takimi i ministrave kishte për qëllim të gjente zgjidhje për rivendosjen e stabilitetit midis dy vendeve.
Luftime kanë shpërthyer në një numër pikash përgjatë kufirit prej rreth 800 kilometrash tajlandezo-kamboxhian.
Secila palë akuzon tjetrën për shënjestrimin e civilëve, me të dyja palët që i hedhin poshtë akuzat.
Konflikti buron nga një mosmarrëveshje dekadash mbi pretendimet territoriale. Qindra mijëra njerëz në të dyja anët e kufirit janë zhvendosur.
Luftimet shpërthyen në korrik, të ndjekura nga një armëpushim i rënë dakord pas disa ditësh.
Në nëntor, armëpushimi u pezullua pas një incidenti të ri në kufi, dhe që nga 7 dhjetori, situata është përkeqësuar pas një shkëmbimi zjarri ndërkufitar. //a.i/
PRISHTINË, 24 dhjetor/ATSH/ Kosova dhe Serbia duhet t’i “normalizojnë” marrëdhëniet mes vete, tha kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP, disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Megjithatë, ai tha se ky proces është i vështirë.
Kurti është në pushtet që nga viti 2021 dhe dy vjet pasi mori pushtetin, arriti Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin e zbatimit të saj, por marrëveshja ende nuk është zbatuar.
“Ne duhet t’i normalizojmë raportet me Serbinë”, tha Kurti. “Por, normalizimi i raporteve me një fqinj që ka regjim autoritar dhe që nuk të njeh, dhe po ashtu nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës, është shumë i vështirë”, shtoi ai.
Tensionet mes dy vendeve vazhdimisht janë të larta dhe një rikthim i trazirave do t’i ofronte Rusisë mjete për ta destabilizuar Kosovën.
“Ne kemi një marrëveshje për normalizim”, tha Kurti duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2023, të arritur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Ne duhet ta zbatojmë, që nënkupton njohje të ndërsjellë mes shteteve, të paktën njohje de facto”.
Kjo marrëveshje, me 11 nene, veç tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Por, për të rinisur dialogu, Serbia “duhet ta dorëzojë Millan Radoiçiqin”, tha Kurti, duke iu referuar ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 2023.
Kurti tha se shpreson që “BE-ja, Franca dhe Gjermania do t’i bëjnë presion” Serbisë që ta dorëzojë Radoiçiqin, ndaj të cilit dhe disa personave të tjerë Kosova ka ngritur aktakuzë për sulmin në Banjskë.
Që nga shtatori i vitit 2023, disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë, nuk është mbajtur asnjë rund i nivelit të lartë në Bruksel, teksa bisedimet në nivel kryenegociatorësh kanë vazhduar, por nuk kanë prodhuar ndonjë marrëveshje.
Serbia po ashtu nuk ka ndërprerë raportet me Rusinë, pavarësisht luftës në Ukrainë, dhe Beogradi varet nga energjia ruse.
“Ka shumë lidhje” mes dy shteteve, tha Kurti, dhe nëse Rusia vendos ta destabilizojë rajonin, “në marshin e saj drejt Evropës Perëndimore, mund të llogarisë në Serbinë si aleat. Dhe, kjo është shqetësuese për shtetin tonë. Por, ne po punojmë me partnerët tanë për të parandaluar një gjë të tillë”.
Kosova, që shpreson t’i bashkohet NATO-s, së voni ka hequr tarifat ndaj produkteve amerikane dhe është pajtuar që të pranojë deri në 50 migrantë nga shtetet e treta që do të dëbohen nga SHBA-ja. Deri më tani, në Kosovë ka arritur vetëm një migrant.
“Nuk po kërkojmë asnjë ndihmë financiare në këmbim”, tha Kurti. “Ne po e bëjmë këtë për të ndihmuar SHBA-në, që është partnerja, aleatja dhe mikja jonë”, shtoi Kurti, i cili nuk e përjashtoi mundësinë e arritjeve të marrëveshjeve të ngjashme edhe me vendet evropiane. /rel/
Një operacion i gjerë antidrogë i Policisë së Tiranës ka çuar në arrestimin e 22 personave, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike. Mes të arrestuarve bien në sy edhe emra të lidhur me kompaninë ONE Albania, fakt që e bën këtë operacion me ndikim të fortë […]
Ndërsa Italia, Greqia dhe vende të tjera në Evropë janë të alarmuara nga varianti K i virusit të gripit AH3N2, edhe në Shqipëri vijon të shihet një rritje e numrit të infeksioneve respiratorë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, gjatë javës së fundit janë raportuar 13,500 raste, por numri i të infektuarve pritet të jetë më […]
Rusia ka njoftuar se planifikon të ndërtojë një central energjetik në Hënë brenda dekadës së ardhshme, me synim furnizimin me energji të programit të saj hapësinor hënor dhe një stacioni të përbashkët kërkimor ruso-kinez. Sipas agjencisë Reuters, korporata shtetërore hapësinore Roscosmos ka bërë të ditur se centrali pritet të përfundojë deri në vitin 2036 dhe […]
Volodymyr Zelensky i Ukrainës ka dhënë detaje mbi një plan të përditësuar paqeje që i ofron Rusisë tërheqjen e mundshme të trupave ukrainase nga lindja dhe krijimin e një zone të çmilitarizuar në vend të tyre.
Duke detajuar planin 20-pikësh të dakordësuar nga të dërguarit e SHBA-së dhe Ukrainës në Florida në fundjavë, Zelensky tha se rusët do të përgjigjen të mërkurën pasi amerikanët të kenë folur me ta.
Duke e përshkruar planin si "kornizën kryesore për përfundimin e luftës", ai tha se ai propozonte garanci sigurie nga SHBA-të, NATO-ja dhe evropianët për një përgjigje të koordinuar ushtarake nëse Rusia pushtonte përsëri Ukrainën, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Ndërsa lidhur me çështjen kyçe të Donbasit lindor të Ukrainës, Zelensky theksoi se një "zonë e lirë ekonomike" ishte një zgjidhje e mundshme.
Ai u tha gazetarëve se meqenëse Ukraina ishte kundër tërheqjes, negociatorët amerikanë po kërkonin të krijonin një zonë të çmilitarizuar ose një zonë të lirë ekonomike.
Çdo zonë nga e cila tërhiqeshin trupat ukrainase do të duhej të ruhej nga Ukraina, theksoi ai.
"Ekzistojnë dy mundësi", tha Zelensky, "ose lufta vazhdon, ose diçka do të duhet të vendoset në lidhje me të gjitha zonat e mundshme ekonomike".
Plani 20-pikësh shihet si një përditësim i një dokumenti origjinal 28-pikësh, të dakordësuar nga i dërguari amerikan Steve Witkoff me rusët disa javë më parë, i cili u pa gjerësisht si i orientuar shumë drejt kërkesave të Kremlinit.
Rusët kanë këmbëngulur që Ukraina të tërhiqet nga pothuajse një e katërta e territorit të saj në rajonin lindor të Donetskut në këmbim të një marrëveshjeje paqeje. Pjesa tjetër është tashmë nën pushtimin rus.
Çështjet e ndjeshme, duke përfshirë pyetjet mbi territorin, do të duhej të zgjidheshin "në nivelin e udhëheqësve", por drafti i ri do t'i siguronte Ukrainës garanci të forta sigurie dhe një forcë ushtarake prej 800,000, shpjegoi Zelensky.
Pjesa më e madhe e planit të përditësuar i ngjan asaj që doli nga bisedimet e fundit në Berlin që përfshinin negociatorët amerikanë Witkoff dhe Jared Kushner me udhëheqësit ukrainas dhe evropianë.
Vendndodhja më pas u zhvendos në Miami fundjavën e kaluar ku ekipi i presidentit amerikan Donald Trump foli veçmas me të dërguarin rus Kirill Dmitriev dhe më pas me zyrtarët ukrainas dhe evropianë.
Tani duket se ka shumë më tepër detaje mbi çështjen territoriale, megjithëse është e qartë se pala ukrainase nuk arriti të arrinte një konsensus me amerikanët.
Zelensky shpjegoi se nëse Ukraina ishte e përgatitur të tërhiqte forcat e saj të rënda me pesë, 10 ose 40 km në 25% të Donetskut që ende mbante për të krijuar një zonë ekonomike, duke e bërë atë praktikisht të demilitarizuar, atëherë Rusia do të duhej të bënte të njëjtën gjë "përkatësisht me pesë, 10 ose 40 km".
Trupat ruse janë aktualisht rreth 40 km (25 milje) në lindje të qyteteve të "rripit të fortesës" të Ukrainës, Sloviansk dhe Kramatorsk, pasi kanë pushtuar qytetin e Siverskut.
Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka gjasa të impresionohet nga lloji i kompromisit që propozohet për Donetskun.
Ai tha këtë muaj se Rusia do të merrte kontrollin e të gjithë Ukrainës lindore me forcë nëse trupat ukrainase nuk tërhiqeshin.
Megjithatë, Trump po shtyn për një marrëveshje për t'i dhënë fund pothuajse katër viteve të luftës në shkallë të plotë dhe presidenti ukrainas beson se Rusia nuk mund të përballojë të refuzojë planin e SHBA-së. /Telegrafi/
Në Qendrën Sportive Kovilovo në Serbi është hapur të hënën e ashtuquajtura “Kupa Ndërkombëtare e Miqësisë në Futsall”, një turne i mbështetur nga institucionet ruse, në të cilin marrin pjesë tetë ekipe të reja nga Rusia, Serbia dhe Republika Srpska e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Turneu, i cili po organizohet për herë të katërt që nga viti 2023, sipas organizatorëve synon promovimin e bashkëpunimit, komunikimit dhe miqësisë mes të rinjve përmes sportit.
Në këtë edicion po marrin pjesë ekipet Vojvodina, Guça, Mladost Apatin, Zajeçar, një ekip nga veriu i Kosovës (Mitrovica e Veriut), si dhe një ekip nga Republika Srpska. Ndërkohë, skuadra Shahtjor nga Donjecku po merr pjesë për herë të parë në një aktivitet sportiv të organizuar në Serbi.
Në ceremoninë e hapjes, anëtari i Këshillit të Federatës së Federatës Ruse, Aleksandar Vološin, deklaroi se e ardhmja e marrëdhënieve ndërmjet shteteve ndodhet në duart e brezave të rinj, duke i ftuar pjesëmarrësit që turneun ta shfrytëzojnë si platformë për ndërtimin e miqësive dhe forcimin e bashkëpunimit.
Ndërkaq, këshilltari-ministër i Ambasadës së Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Konanihin, vuri në pah lidhjet historike mes Serbisë dhe rajonit të Donbasit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe vlerave të përbashkëta.
Turneu organizohet nga fondi bamirës “Shenjtorët Apostuj të Lartë Pjetri dhe Pali”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Festivalit Botëror të Rinisë, me mbështetjen e Agjencisë Federale për Çështjet e Rinisë “Rosmolodezh” dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse.
Drejtori i fondit organizator, Miloš Tanaskoviq, tha se turneu ka shënuar rritje të vazhdueshme që nga edicioni i parë, duke theksuar se qëllimi kryesor mbetet krijimi i miqësive mes të rinjve nga vende të ndryshme.
“Këtu po luftojmë për shoqëri – le të fitojë miqësia”, u shpreh Tanaskoviq.
Rajoni i Donbasit është përfshirë në konflikt të armatosur që nga viti 2014, pas protestave në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia, kur u shpallën të ashtuquajturat “Republika Popullore e Donjeckut” dhe “e Luhanskut”, të cilat nuk njihen ndërkombëtarisht.
Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, Donbasi u shndërrua në një nga epicentrat kryesorë të luftës, me pasoja të rënda humanitare, shkatërrime masive dhe zhvendosje të popullsisë civile.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se kërkesat e Rusisë për tërheqjen e trupave ukrainase nga pjesët e Donbasit që janë nën kontrollin e Kievit mbeten pengesë serioze për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka reaguar ashpër ndaj shpalljes së konkursit nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë për vende pune në institucione ilegale shëndetësore në Kosovë, duke e cilësuar këtë veprim si ndërhyrje të drejtpërdrejtë, të qëllimshme dhe shumë të ashpër në sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Sipas Musliut, kjo nuk është hera e parë që Serbia ushtron presion të tillë ndaj Kosovës.
Ai theksoi se thirrje të hapura dhe eksplicite janë bërë edhe më herët nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, Marko Gjuriqi, e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovë”, si dhe nga zyrtarë të tjerë të lartë serbë.
Ai vlerësoi se situata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se këto deklarata dhe veprime janë bërë edhe në prani të përfaqësuesve ndërkombëtarë, sikur të ishin të pranueshme, duke shtuar se Serbia po tenton ta normalizojë ndërhyrjen e saj në punët e brendshme të Kosovës.
Musliu tha se qytetarët po kushtëzohen përmes mbështetjes financiare, ndalimeve në kufi, ushtrimit të presionit dhe shantazhit, si dhe përmes fushatave propaganduese dhe intimiduese, me qëllim të pengimit të pluralizmit politik dhe detyrimit të qytetarëve për të votuar Listën Serbe.
Sipas tij, presioni ndaj Listës Serbe dhe ndaj vetë qytetarëve serbë në Kosovë është rritur ndjeshëm.
Ai përmendi edhe Millan Radoiqiqin, për të cilin tha se ka urdhëruar kryesinë e Listës Serbe që të bëjë gjithçka për të siguruar dhjetë mandate, duke paralajmëruar pasoja në të kundërtën.
Eksperti i sigurisë theksoi se Kosova, me Kushtetutën dhe ligjet e saj, u garanton të drejta të plota serbëve lokalë dhe të gjitha pakicave, duke shtuar se askush nuk po ua mohon këto të drejta.
“Ajo që nuk mund të pranohet është që një shtet tjetër t’i përdorë qytetarët si mjet presioni politik dhe t’i mbajë peng për interesa shtetërore dhe elektorale,” tha Musliu.
Në fund, ai bëri thirrje për reagim të menjëhershëm nga Bashkimi Evropian dhe faktorët ndërkombëtarë, duke shtuar se, pavarësisht presionit të lartë, serbët lokalë po përpiqen t’i rezistojnë, por ende nuk kanë guxim t’i raportojnë rastet./Telegrafi.
Një situatë mjaft e tensionuar ka tronditur shtëpinë e Big Brother VIP 5, ku një debat i ashpër mes Angelo dhe Seno ka degraduar jo vetëm në fjalë të rënda, por edhe në një kontakt të vogël fizik, duke ngritur alarmin mes banorëve dhe publikut. Shkak i përplasjes është bërë mënyra e komunikimit të Senos ndaj vajzave në shtëpi, gjë që u kundërshtua ashpër nga Angelo. Ky i fundit mori hapur rolin mbrojtës, duke deklaruar se në këtë format, por edhe jashtë tij, ngritja e zërit ndaj vajzave është e papranueshme.
Debati u ndez shpejt dhe u shoqërua me replika të forta nga të dyja palët:
Angelo: “Në këtë Big, ti vajzave nuk i bërtet.”
Seno: “E di unë kujt i bërtas.”
Angelo: “Në këtë Big, asnjë vajze nuk i bërtet.”
Seno: “S’të pyet kush ty. As të llogarit njeri ty. Hajde dili zot vajzave. Ik njëherë se të vjen era e gojës.”
Angelo: “Nuk ka as edhe një shans t’i ngresh zërin një vajze. Jo në këtë Big Brother, po jashtë edhe kudo.”
Seno: “Rri urtë! Usht!”
Angelo: “S’bën dot më shumë se dy minuta muhabet.”
Seno: “Ty si strateg… s’do të lë të flesh deri në fund.”
Angelo: “Sapo i humbe të gjithë sot.”
Toni i ashpër dhe fjalori i përdorur e bënë situatën të pakëndshme, ndërsa banorët e tjerë u përpoqën të qetësonin gjakrat dhe të shmangnin një përshkallëzim të mëtejshëm. Momenti u konsiderua nga shumë ndjekës si një nga episodet më të forta të këtij edicioni.
Paga minimale në Shqipëri ka qenë një nga instrumentet kryesore të politikës sociale dhe ekonomike gjatë tri dekadave të fundit. Që nga viti 1995 e deri në janar 2026, ajo është ndryshuar mbi 20 herë, duke reflektuar tranzicionin ekonomik të vendit, inflacionin, presionin social për rritje të të ardhurave dhe përpjekjet për formalizimin e tregut të punës.
Në vitin 1995, paga minimale u fiksua për herë të parë në nivel kombëtar në rreth 3 mijë e 400 lekë në muaj. Një vit më pas, ajo u rrit në 4 mijë e 400 lekë, ndërsa pas krizës së vitit 1997, në vitin 1999, paga minimale arriti në 6 mijë e 380 lekë, duke shënuar rifillimin e rregullimeve zyrtare.
Periudha 2000–2006 u karakterizua nga rritje pothuajse vjetore. Nga 7 mijë lekë në vitin 2000, paga minimale arriti në 14 mijë lekë në vitin 2006, në përpjekje për të ndjekur inflacionin dhe për të nxitur deklarimin real të pagave.
Rritjet vijuan edhe në vitet pasuese. Në periudhën 2008–2013, paga minimale u dyfishua gradualisht, duke kaluar nga 17 mijë në 22 mijë lekë. Megjithatë, edhe pas këtyre rritjeve, ajo mbetej ndër më të ulëtat në Europë.
Pas një periudhe ngadalësimi, paga minimale u rrit sërish në vitin 2017 në 24 mijë lekë dhe në vitin 2019 në 26 mijë lekë, si pasojë e rritjes së kostos së jetesës.
Një kthesë e fortë u shënua pas pandemisë. Në vitin 2021, paga minimale u rrit në 30 mijë lekë, për të vijuar në 32 mijë në vitin 2022. Në vitin 2023, fillimisht u rrit në 34 mijë lekë, ndërsa në prill u miratua një nga rritjet më të mëdha historike, duke e çuar në 40 mijë lekë në muaj.
Ky nivel mbeti i pandryshuar gjatë viteve 2024 dhe 2025. Ndërkohë, sipas vendimit të fundit, nga janari 2026, paga minimale në Shqipëri do të rritet në 50 mijë lekë në muaj, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë./e.t
Kursi euro-lek arrin minimum të ri historik para festave të fundvitit. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 96.46 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Sipas agjentëve të këmbimit valutor, në ditët e fundit në treg ka ofertë të shtuar të valutës së huaj, çka përfaqëson një tendencë pak a shumë të zakonshme sezonale. Në veçanti, kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit sjell flukse më të larta të monedhës europiane.
Rënia vjetore e kursit ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me vitet e mëparshme. Kundrejt të njëjtës datë të vitit të kaluar, kursi Euro-Lek rezulton në rënie me 2.1%. /e.t
Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri kanë ndarë një mesazh të përbashkët për festën e Krishtlindjes. Imzot Gjergj Meta, Ipeshkëv i Rrëshenit, Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit, Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës dhe Imzot Otavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës ndanë në mediat sociale një videomesazh të përbashkët ku iu uruan besimtarëve […]
Policia e Tiranës ka goditur një grup që shiste lëndë narkotike në kryeqytet, ku janë identifikuar 33 anëtarë, 22 prej të cilëve janë vënë në pranga Bëhet fjalë për shtetasit: Renaldo Dalipi Engelbert Pjetri Armandi Hajdini Olsi Mici Fatjon Cela (Çela) Xhon Boci Laert Murataj Artan Pullazi Erald Sina Blerim Mali Gentjan Vercani Valerjos BushI […]
“Air Albania realisht sillet sikur nuk ekziston” Kështu e përshkruan përvojën e tij Leonard Kurti, një qytetar që mbeti pa fluturim, pa sqarime dhe pa asnjë kontakt nga kompania ajrore muajin e shkuar, ndonëse kishte blerë biletë dhe ishte paraqitur në kohë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Ai së bashku me një mik kishin bileta për fluturimin Tiranë–Milano Malpensa. Në momentin që mbërritën në aeroport, në tabelën e nisjeve zbuluan se fluturimi ishte anuluar.
“U detyrova të blej një biletë tjetër me Ryanair për Bergamo, vetëm që të mos humbisja një vizitë mjekësore,” tregon Kurti për Faktoje.al.
Pas anulimit, ai tentoi të kontaktonte kompaninë përmes dhjetra emaileve dhe telefonatave. “Zero komunikim,” thekson ai.
Në udhëtimin e tij të radhës, po në muajin nëntor, ai vuri re se Air Albania kishte anuluar sërish fluturimin e radhës. “Një situatë e papranueshme”, përfundon Leonardi.
Por situata e Leonardit nuk ishte një rast i izoluar. Dëshmitë e dhjetëra qytetarëve për Faktoje.al konfirmojnë se Air Albania i ka përsëritur anulimet e fluturimeve në mënyrë sistematike, duke lënë udhëtarët në mes të aeroportit pa asnjë shpjegimdhe as kompensim.
Edhe rrjetet sociale të kompanisë janë mbushur me ankesa. Dhjetëra qytetarë kërkojnë llogari për fluturime të anuluara në postimet ku komentet lejohen. Në disa raste, si një video e publikuar më 29 nëntor në Instagram, komentet janë bllokuar.
Ndalim ligjor i panjoftuar
I pyetur nga Faktoje.al Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” pohon se nuk ka njoftim për ndërprerje fluturimesh nga Air Albania.
“Ne jemi lajmëruar vetëm në rastet e kancelimeve në mënyrë që të bëhet njoftimi i pasagjereve”, sqaron Ornela Bego për Faktoje.al.
Mirëpo, anulimet e përjetuara nga udhëtarët nuk janë probleme operacionale. Ato janë pasojë e një ndalimi ligjor që nuk është bërë publik.
Që prej 3 dhjetorit 2025, Air Albania-s nuk lejohet të fluturojë. Megjithatë, ky informacion nuk është bërë publik as nga kompania, as nga Autoriteti i Aviacionit Civil.
Faktoje.al konfirmoi se licenca e operimit të Air Albania është pezulluar më 3 dhjetor, për shkak të pezullimit të Certifikatës së Operatorit Ajror.
Në përgjigjen zyrtare, Aviacioni Civil sqaron se pezullimi nuk ka një afat fiks përfundimi, por varet nga përmbushja e detyrimeve të kompanisë, për të cilat është përcaktuar një afat 6-mujor por nuk bëhët e qartë se cilat janë. Kjo nënkupton që Air Albania duhet t’i përmbuyshë detyrimet deri më 3 qershor të 2026.
“Marrja e vendimit të AAC-së për pezullimin e licencës nënkupton pezullimin e transportit ajror të pasagjerëve, mallrave dhe postës”, sqaron Aviacioni Civil.
Air Albania nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion deri në publikimin e këtij shkrimi.
Shitja e biletave vazhdon
Ndërkohë që licenca është e pezulluar, Air Albania vazhdon të shesë bileta online.
Prej nëntorit, kompania ka ndërprerë një numër të madh destinacionesh ku operonte prej vitesh, përfshirë Vienën, Brukselin, Athinën, Bergamon, Bolonjën, Romën, Trevizon, Veronën, Gjenevën, dhe Ankaranë.
Në faqen zyrtare sot shfaqen vetëm dy linja: Tiranë–Milano dhe Tiranë–Stamboll. Për të dyja destinacionet ofrohen ende bileta në shitje, me data që shkojnë përtej periudhës kur kompania ka ndaluar së fluturuari.
Faktoje provoi të blinte një biletë vajtje-ardhje nga Tirana në Milano për datat 8–10 janar, por, gjatë testimit, blerja nuk mund të përfundonte.
Të dhënat nga Flightradar tregojnë se fluturimi i fundit drejt Milanos është realizuar më 17 nëntor, ndërsa ai drejt Stambollit më 2 dhjetor.
Por pavarësisht biletave në shitje, të dhënat nga flightradar tregojnë se fluturimi i fundit nga operatori kombëtar i fluturimeve ajrore për Milano është bërë më 17 nëntor.
Ndërsa fluturimi i fundit me Stambollin ka si datë 2 dhjetorin.
Dështim institucional
Misioni i Autoritetit të Aviacionit Civil është garantimi i një mjedisi aviacioni në përputhje me standardet ndërkombëtare, përmes monitorimit të vazhdueshëm dhe ndërveprimit me operatorët.
Por në rastin e Air Albania, institucioni ia lë “topin në derë” kompanisë dhe duke shmangur përgjegjësinë direkte ndaj publikut.
“Autoriteti i Aviacionit Civil ka marrë vendimet përkatëse për pezullimin e Certifikatës së Operatorit Ajror dhe Licencës së Operimit, për të cilat është vënë në dijeni operatori. Në bazë të këtyre pezullimeve operatori ndërmerr në mënyrë të pavarur masat përkatëse sipas detyrimeve ligjore”, thotë AAC për Faktoje.al
Për ekspertin e ekonomisë Eduard Gjokutaj kjo situatë përbën rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët.
“Autoritetet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë urgjentisht për të mbrojtur konsumatorët dhe kreditorët, ndërsa kompania rrezikon mbyllje definitive. Ky rast ilustron nevojën për mbikëqyrje më të fortë të sektorit ajror shtetëror”, shprehet Gjokutaj.
Ndërsa Iris Zanaj, me profesion programues, shton se dëmi ekonomik ndaj udhëtarëve mund të ishte shmangur me mbylljen e ëebit të kompanisë.
“Problemi është që ata ende shesin bileta online dhe kush e di se ç’dëm ekonomik po bëhët. Duhet t’i dërgohet një kërkesë AKEP të bllokojë domainin”, sqaron Zanaj.
Deri në publikimin e këtij artikulli, AKEP nuk i është përgjigjur interesimit tonë mbi Air Albanian.
Përfundim
E themeluar në shtator të vitit 2018 si kompania kombëtare e fluturimeve, “Air Albania” u prezantua si projekti ku shteti do të ishte garant i interesit publik me 10 për qind të aksioneve përmes Albcontrolit, 41 për qind në duart e “MDN Investment” dhe 49 për qind nga Turkish Airlines, partneri strategjik që sipas qeverisë do t’i jepte siguri juridike, financiare dhe teknike ndërmarrjes.
Por në fund të nëntorit, bordi i Turkish Airlines njoftoi shkurtimisht se kishte vendosur të shesë të gjitha aksionet e tij në Air Albania, pa dhënë shpjegime për arsyet e largimit.
Sot, Air Albania është një kompani hije. Aktive në QKB, por pa bilance financiare prej 7 vitesh. Në kërkim të pasagjerëve, por pa avionë në ajër dhe pa partnerin strategjik Turkish Airlines që e braktisi investimin pa shumë bujë.
“Ëndrra që mori krahë” siç e quajti dikur kryeministri Edi Rama, ka mbetur në pistë, duke lënë pas një faturë financiare dhe morale që, si gjithmonë, po e paguajnë qytetarët.