Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Ndalimi i TikTok-ut bie, por beteja kushtetuese vazhdon

5 February 2026 at 14:50

Gjykata Kushtetuese vendosi sot të mos japë një vendim përfundimtar për çështjen e ndalimit të platformës sociale Tik-Tok. Ajo dha kohë shtesë për palët e përfshira duke konsideruar se kishte ende pyetje për t’u shteruar.

Kështu, gjykata la afat deri më 12 shkurt për dorëzimin e komenteve dhe shpjegimeve shtesë, ndërsa seanca për konkluzionet përfundimtare u caktua për më 23 shkurt, në orën 10:00.

Vendimi pritet të përcaktojë jo vetëm fatin e aktit që ndaloi përkohësisht TikTok-un, por edhe standardin kushtetues mbi kufizimin e platformave digjitale nga pushteti ekzekutiv.

Tërheqja e qeverisë dhe vijimi i procesit në Kushtetuese

Seanca për shqyrtimin e ndalimit të përdorimit të platformës sociale TikTok nga qeveria shqiptare u mbajt paraditen e së enjtes në Gjykata Kushtetuese, por u parapri nga një zhvillim i papritur politik.

Dy ditë para seancës, qeveria miratoi vendimin Nr. 62, me të cilin shfuqizoi aktin e një viti më parë që ndalonte aksesin në TikTok.

Sipas vendimit të datës 3 shkurt, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore, duhet të ndërmarrë veprimet për heqjen e masave kufizuese, duke respektuar legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Padia në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të qeverisë ishte depozituar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative në Shqipëri (BIRN Albania) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), në mbrojtje të lirisë së medias dhe të shprehjes.

Përfaqësuesit e qeverisë argumentuan në seancën e Kushtetueses se shqyrtimi i çështjes është i panevojshëm, pasi vendimi që ndalonte TikTok-un tashmë është shfuqizuar.

“Vendimi e humb efektin e tij në afatin 12-mujor,” tha Herold Jonuzaj si përfaqësues i qeverisë, teksa shtoi se ai “do të shfuqizohej automatikisht brenda 6 marsit 2026.” Sipas tij, shfuqizimi ishte pjesë e një procesi negociimi me platformën për vendosjen e filtrave të kërkuar.

Avokati i palës paditëse, Franc Terihati, këmbënguli se çështja duhet të shqyrtohet pavarësisht vendimit të qeverisë për ta shfuqizuar ndalimin e platformës. Ai theksoi se akti normativ që e ndaloi Tik-Tok-un ka cenuar disa të drejta kushtetuese, përfshirë lirinë e shprehjes, të shtypit, të drejtën për informim dhe lirinë ekonomike.

Për këtë Terihati e konsideroi “çështje me interes madhor publik” ndaj dhe gjykata duhet të shprehet nëse vendimi ka qenë ose jo kushtetues gjatë kohës që ka qenë në fuqi.

Edhe përfaqësuesit e AGSH ngritën shqetësimin për rrezikun e një precedenti të krijuar. Ata e cilësuan gjithashtu problematike shfuqizimin e aktit vetëm 48 orë para seancës gjyqësore.

“Çfarë ndodh nëse çështja pushohet dhe pasnesër Këshilli i Ministrave rimblidhet për të bërë një akt tjetër të ri të ngjashëm?” u shpreh Isa Myzyraj nga AGSH duke theksuar se nga Gjykata Kushtetuese kërkohej vendosja e një standardi për raste të tilla edhe për qeveritë e ardhshme.

Trupa e Gjykatës Kushtetuese pyeti se cilat kishin qenë pasojat e ardhura nga mbyllja e platformës, pyetje së cilës përfaqësuesit e organizatave iu përgjigjën duke theksuar se pasojat kanë qenë konkrete, veçanërisht gjatë periudhës parazgjedhore.

Drejtorja ekzekutive e BIRN Albania, Kristina Voko, iu referua raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR, ku evidentohej se kufizimi i platformës cenoi të drejtën e kandidatëve për të informuar dhe të qytetarëve për të marrë informacion.

Voko përmendi gjithashtu marrëveshjen ekzistuese mes Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) dhe TikTok, e cila kishte shërbyer si mekanizëm funksional për adresimin e ankesave të qytetarëve.

“AMA në raportin e saj vjetor dhe në rezolutën drejtuar parlamentit thotë që ka qenë një praktikë shumë e mirë”, tha Voko.

Vendimi fillestar për mbylljen e TikTok u kundërshtua nga mbi 20 organizata të medias dhe shoqërisë civile, që e cilësuan atë si kufizim ekstrem të lirisë së shprehjes.

Në mars 2025, ankimimi për shpalljen antikushtetuese të vendimit u pranua për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, edhe pse kërkesa për pezullim nuk u miratua.

Lexo gjithashtu:

The post Ndalimi i TikTok-ut bie, por beteja kushtetuese vazhdon appeared first on Citizens.al.

Dekriminalizimi i pjesshëm dhe rreziku i “statusit” të gazetarit

29 January 2026 at 18:44

Në orët e para të së mërkurës, Kuvendi miratoi një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin Penal, të cilat qeveria i prezantoi si harmonizim me standardet evropiane.

Mes rreth 50 neneve të ndryshuara ishte edhe neni 120, që lidhet me shpifjen. Për këtë nen, organizatat e medias dhe gazetarët kishin kërkuar dekriminalizim të plotë.

Sipas tyre, dekriminalizimi i plotë do të shmangte ndjekjet penale dhe paditë SLAPP ndaj gazetarëve, mediave, aktivistëve apo qytetarëve që kritikojnë pushtetin në interes publik. Por çfarë ndodhi dhe cili ishte rezultati përfundimtar i kësaj çështjeje?

Nga dekriminalizimi i shpifjes te “rregullimi” i profesionit të gazetarit

Në Komisionin Parlamentar për Çështjet Evropiane dhe Punët e Jashtme, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, prezantoi një nismë personale për dekriminalizimin e shpifjes, të konsultuar me grupet e interesit. Por, propozimi i saj u rrëzua.

Në të njëjtin komision, deputetë të Partisë Socialiste sollën në diskutim një tjetër element: rregullimin e profesionit përmes “statusit” të gazetarit.

Deputeti Balla theksoi se “në asnjë vend të Evropës nuk je gazetar vetëm se vetëshpallesh apo vë një bexh”. Përmes këtij qëndrimi ai kërkoi hartimin e një ligji për të rregulluar dhe regjistruar profesionin e gazetarit.

Deputetja Klodiana Spahiu e mbështeti këtë qasje, duke e krahasuar me rregullimin e profesioneve të tjera sikurse shëndetësia.

Organizatat e medias dhe vetë gazetarët reaguan njëzëri kundër kësaj qasjeje.

Ata kërkuan dekriminalizim të plotë të shpifjes, sikurse qe kërkuar vazhdimisht edhe nga BE-ja, si dhe heqje dorë nga çdo ide për regjistrimin e gazetarëve apo krijimin e një statusi formal.

Sipas tyre, lidhja e përgjegjësisë penale të shpifjes vetëm me gazetarët “e regjistruar dhe të njohur” krijon përjashtim dhe cenon lirinë e shprehjes, veçanërisht në një vend që “nuk ka dhe nuk duhet të ketë një sistem ligjor për regjistrimin e gazetarëve”.

Blerjana Bino, studiuese dhe përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt për Shqipërinë (SafeJournalists), theksoi se gazetaria nuk është e drejtë më vete për një kategorie profesionale, por një funksion i garantuar dhe i mbrojtur nga liria e shprehjes.

“Gazetaria […] mbrohet për shkak të asaj që bën: informon publikun, kontrollon pushtetin dhe kontribuon në debatin mbi çështje me interes publik,” u shpreh Bino.

Sipas saj, standardet evropiane e mbrojnë gazetarinë si veprimtari, jo si profesion që kërkon njohje shtetërore. Një sistem që kushtëzon mbrojtjen ligjore me regjistrim formal rrezikon ta shndërrojë një të drejtë universale në privilegj të kushtëzuar.

Isa Myzyraj nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e cilësoi këtë qasje si një ndërhyrje të rrezikshme shtetërore.

“Kjo qasje […] kur lidhet me përfitimin e një garancie penale, nuk është reformë, por kontroll,” tha Myzyraj për Citizens.al.

Ai vuri në dukje se Kodi Penal nuk përcakton se cili institucion do të regjistrojë gazetarët, duke hapur rrugën për një ligj të ardhshëm mbi statusin e tyre.

Sipas Myzyrajt, përdorimi i ligjit penal për të parapërgatitur këtë terren përbën mjet presioni ndaj medias. Ai e quajti “kornizë të rrezikshme konceptuale” e cila “është futur qëllimisht në Kodin Penal për t’i hapur rrugë regjistrimit të gazetarëve”.

Pedagogu dhe studiuesi i medias, Elvin Luku, vlerëson se pas ndryshimeve të fundit në Kodin Penal pozicioni i gazetarit është rënduar.

“Gazetari dënohet si kur gënjen me qëllim, ashtu edhe kur vepron në mirëbesim,” u shpreh ai duke përmendur termin ligjor “informacion në mirëbesim”.

Sipas ndryshimeve, në rast refuzimi për të hequr një publikim, gazetari duhet të provojë para gjykatës përpjekjet për verifikim, duke rrezikuar ekspozimin e burimeve.

Luku thotë se me ndryshimet e fundit shpifja lidhet nominalisht me gazetarin.

“Për ta përjashtuar nga përgjegjësia, e cenon rëndë pavarësinë e tij,” thekson ai.

Pedagogu Luku shton se KiE dhe Gjykata Evropiane inkurajojnë dekriminalizimin e shpifjes, por ndërkohë vetëm 4 prej 27 vendeve të BE-së e kanë kaluar shpifjen në proceset civile. Nga ana tjetër ai propozoi që rolin e regjistrimit të gazetarëve ta luajnë unionet aktuale ose ato të reja “me kushtet që të jenë jo më pak se tre, ose mbi tre”.

“Regjistrimi të jetë një akt formal, një lloj vetëdeklarimi, jo diplomë apo një licencë,” argumentoi Luku, sipas të cilit vetërregullimi i sektorit kërkon emancipim.

Regres ligjor dhe pasiguri

Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, e cilëson paketën e miratuar së fundmi si regres krahasuar me ndryshimet e para 14 viteve.

“Me ndryshimet […] ne mendojmë se është rënduar penalizimi i shpifjes dhe kjo ndoshta si reagim ligjbërësish nga kërkesa populiste dhe prej disa OJQ-sh”, tha Çipa për Citizens.al

Sipas tij, amendimet aktuale rrisin rrezikun penal, sidomos për gazetarët investigativë dhe “freelancer”-ët, duke i ekspozuar ndaj kërkesave për verifikim burimesh nga organet e drejtësisë – gjithmonë nëse përballen me padi për shpifje.

Çipa ngre pyetje thelbësore mbi konceptin e statusit të gazetarit, i cili me formulimin e ri lë hapësira ambigue si për shembull për regjistrimin: kush e certifikon, kush e përcakton, mbi çfarë baze dhe në cilin dokument zyrtar ekziston?

Ai thekson se në ligje nuk kanë vlera nënkuptimet dhe për këtë kujtoi se në Shqipëri janë debatuar shpesh dy modele: ai i Urdhrit të Gazetarëve dhe modeli evropian i vetërregullimit, por asnjëri nuk është ndërtuar realisht.

Sipas tij, vetërregullimi i strukturuar dhe gjithëpërfshirës mbetet alternativa e vetme dhe e duhur, por jo përmes presionit të Kodit Penal.

Për këtë propozon mbajtjen e një “Kongresi Kombëtar të vetërregullimit mediatik,” i cili të zgjedhë më pas një këshill me mekanizma ekzekutivë.

“Kjo arkitekturë mund të përfshijë çdo organizatë, çdo entitet dhe grup interesi, përfshi edhe ente apo struktura monitoruese që ka skena e shoqërisë sonë,” u shpreh Çipa.

Lexo gjithashtu:

The post Dekriminalizimi i pjesshëm dhe rreziku i “statusit” të gazetarit appeared first on Citizens.al.

Propozimi i qeverisë: “Gazetarë me regjistër dhe dekriminalizim i pjesshëm i shpifjes”

27 January 2026 at 13:32

Sot, përpara nisjes së seancës plenare, për miratimin e një pakete ndryshimesh ligjore në Kodin Penal, organizata të medias dhe të shoqërisë civile kundërshtuan propozimin që ofron një lloj dekriminalizimi të pjesshëm të shpifjes.

Shumica socialiste është shprehur vazhdimisht se po punon për përshtatjen e një sërë projektligjesh me direktivat evropiane, kjo nën qëndrimin “konform integrimit” të vendit në Bashkimin Evropian.

Një prej këtyre ndryshimeve është thënë të jetë dhe dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët. Konteksti penal i shpifjes dhe fyerjes është trajtuar prej vitesh si instrument presioni ndaj lirisë së shprehjes, gjë për të cilën shteti shqiptar është kritikuar vazhdimisht nga organizatat ndërkombëtare, të gazetarëve dhe shoqërisë civile.

Kërkesa ka qenë e njëjtë: dekriminalizim i plotë i shpifjes. Por, me ndryshimet e propozuara në tetor 2025 – të dërguara në Kuvend për miratim sot – qeveria ofron dekriminalizim të pjesshëm dhe sinjalizon qartë për kufizim “me regjistër” të profesionit të gazetarit.

Paketa e dërguar në parlament parashikon përjashtim penal vetëm për shpifjen. Ai vlen për gazetarë “të regjistruar dhe të njohur” teksa fyerja mbetet vepër penale si një rrugë alternative përndjekjeje dhe që ruan ende efektin frenues mbi shprehjen publike.

Sipas propozimit, (që ndryshon Nenin 120 për Shpifjen): “Një gazetar i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi, […] nuk mban përgjegjësi penale për veprën e shpifjes […] kur:

  • qëllimi është informimi i publikut mbi çështje me interes;
  • në momentin e publikimit, nuk ka […] dijeni se informacionet faktike janë të rreme dhe ka bërë përpjekje të arsyeshme për të verifikuar saktësinë e tyre;
  • pasi të jetë informuar […] se informacionet janë haptazi të rreme […], ai vepron pa vonesë për të bërë një përgënjeshtrim ose sqarim;

Pavarësisht “dëshirës së mirë” siç e kanë cilësuar vetë organizatat e medias dhe shoqërisë civile përpjekjen për mbrojtjen e gazetarëve nga shpifja, propozimi ka ngritur shqetësime serioze. Organizatat e kundërshtojnë dekriminalizimin e pjesshëm dhe të kushtëzuar të shpifjes.

Çfarë kërkojnë organizatat?

Dispozita që synon mbrojtjen e gazetarëve nga shpifja, u miratua fillimisht nga Komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike më 21 janar.

“Ne i njohim dhe i vlerësojmë hapat pozitivë të ndërmarrë deri tani, megjithatë teksti që pritet të votohet nuk e realizon dekriminalizimin e plotë” tha gjatë një deklarate përpara Kuvendit, drejtuesja e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SciDev), Blerjana Bino.

Sipas saj, liria e shprehjes duhet të mbrohet për shkak të funksionit që i shërben interesit publik dhe jo për shkak të statusit profesional të folësit.

Dispozita e propozuara, pretendon se mbrojtja do t’i sigurohet vetëm gazetarëve të regjistruar apo të akredituar nga një strukturë, e cila ende nuk dihet se nga kush do të përfaqësohet. Gjithashtu fyerja mbetet vepër penale, e cila shpesh përdoret edhe si instrument për të intimiduar, sulmuar dhe heshtur gazetarët.

Në kritikën e saj, Bino vijoi më tej se Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një sistem regjistrimi të gazetarëve. Sipas saj kjo praktikë krijon pasiguri juridike dhe rrezikon të hapë rrugën për mekanizma kontrolli mbi gazetarinë, në kundërshtim me parimet themelore të lirisë dhe pavarësisë së medias.

E së treti, sipas deklaratës së mbajtur nga drejtuesja e SciDev, kjo nisëm përjashton aktorë të tjerë të rëndësishëm të interesit publik: organizata të shoqërisë civile, aktivistë, studiues, sinjalizues dhe qytetarë, të cilët luajnë një rol thelbësor në debatin dhe sistemin demokratik ku shpesh përballen me presione ligjore që kanë efekt frenues mbi shprehjen e lirë.

Vetë organizatat e medias dhe shoqërisë civile kanë qenë pjesë e vazhdueshme e tryezave dhe konsultimeve përpara publikimit zyrtarë të kësaj iniciative nga Komsioni Parlamentarë, por dhe një herë ata u ndjenë “të prerë në besë”.

“Pavarësisht konsultimit që ne i bëjmë në mënyrë të vazhdueshme, mazhoranca është e aftë që brenda ditës, të ndryshojë mendim,” tha me zhgënjim Isa Myzyraj, drejtues i Asociacioni të Gazetarëve të Shqipërisë.

Mbi këtë nisëm kanë reaguar edhe ekspertë e gazetarë të tjerë në hapësirën online.

“Nuk njoh asnjë koleg profesionist qe është ndjere i frikësuar nga shpifja ne versionin aktual në Kodin Penal, ndërsa mbi amendimin e ri, ai e kriminalizon rëndë shpifjen në emër të dekriminalizimit,” është shprehur eksperti i komunikimit, Elvin Luku.

Për çështjen u shpreh edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila është kryetare e Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Sipas saj, Kodi Penal do të përdoret nga qeveria si kërcënim ndaj gazetarëve dhe fjalës së lirë.

“Qeveria vendosi që Nenin 119, pra fyerjen, të mos e prekë. Ndërkohë që Neni 120 ta prekë pjesërisht dhe të përcaktojë grupin e individëve që do të jenë jashtë veprave të Kodit, pra jashtë kërcënimit me burg”, tha Tabaku.

Rishikimin e  kuadrit penal që lidhet me shpifjen, e kanë kërkuar edhe me anë të një letre të hapur 18 organizata të shoqërisë civile.

The post Propozimi i qeverisë: “Gazetarë me regjistër dhe dekriminalizim i pjesshëm i shpifjes” appeared first on Citizens.al.

Dekriminalizimi i shpifjes, si fund i dialogut media-qeveri

27 January 2026 at 12:48

Kuvendi i dha fund dialogut me median, kur me forcën e kartonit shumica socialiste rrëzoi, javën e shkuar, në komisionin e ligjeve një paketë ndryshimesh ligjore, përmes ndërhyrjeve në Kodin Penal, të propozuar nga gazetarët dhe grupet e shoqërisë civile, që synonin “dekriminalizimin e shpifjes”. Përgjatë ditës së sotme Kuvendi do të miratojë në seancë plenare variantin e qeverisë, i cili u kritikua menjëherë nga komuniteti mediatik, si dekriminalizim jo i plotë. Kështu, si pasojë e nenit 120 të Kodit Penal, lënë në fuqi, aktivistët, apo të tjerë pjesëmarrës në debatin publik që ngrenë çështje të interesit të përgjithshëm, apo që kritikojnë politikat e qeverisë dhe punën e autoriteteve publike, mund të vijojnë të përballen më padi penale për shpifje.

Disa organizata të shoqërisë civile janë deklaruar për dekriminalizimin e plotë të shpifjes, duke argumentuar se dënimi penal nuk përbën një masë proporcionale për mbrojtjen e reputacionit dhe se kriminalizimi i shpifjes frenon lirinë e shprehjes dhe cenon sigurinë e individëve në një shoqëri demokratike.

Por kjo përplasje ndikon edhe mbi një tjetër rrethanë: për natyrën e vërtetë të dialogut mes qeverisë dhe gazetarëve që operon, strukturalisht, qysh prej janarit të shkuar me mbështetjen e ndërkombëtarëve e që udhëhiqet nga Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, në koordinim me Departamentin e Gazetarisë dhe të Komunikimit

Ajo tregoi se “aleanca” mes autoritetit dhe medias me qëllim rregullimin e kësaj të fundit nuk është e natyrshme dhe se një utopi e tillë nuk duhet ushqyer.

Kështu, rreth një vit më parë, qeveria dhe komuniteti i gazetarëve u përfshinë në takime të organizuara për të përmirësuar legjislacionin për lirinë e shprehjes, transparencës dhe pronësisë së medias. Takimet fituan reputacionin e një platforme të besueshme diskutimi, rezultati i së cilës, në formën e rekomandimeve të përbashkëta e të konsultuara mes palëve, iu dorëzuan Kuvendit të Shqipërisë nëntorin e shkuar.

Por, çka nisi si bashkëpunim me energji të mirë mbaroi javën e shkuar në sallën e Komisionit të Ligjeve dhe Administratës Publike, kur drafti i parë i ndryshimeve, që kishte të bënte me dekriminalizimin e shpifjes – një aspiratë e kahershme për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të gazetarëve – u rrëzua e bashkë me të edhe fryma e bashkëpunimit.

Në vijim, qeveria ofroi një draft dekriminalizimi të sajën (i pakonsultuar), i cili pritet të kalojë gjatë ditës së sotme në seancë plenare, në një sallë që kontrollohet nga një shumicë e cilësuar socialiste. Një shumicë, e cila, qoftë edhe vetëm për shkak se në prag të integrimit mbi të janë drejtuar të gjithë prozhektorët e Brukselit, duke u treguar e butë, do të mundej të pranohej më lehtësisht. Por, më shumë se demonstrim force, kemi të bëjmë me “thyerje” pa asnjë argument, pa asnjë justifikim. Është e kuptueshme se në mungesë të tyre ajo që mund të ofrojë Kuvendi mbetet “dhuna” e kartonit.

Po çfarë do të ndodhë me rekomandimet e tjera në vijim? Shpresat për marrjen në konsideratë janë të pakta. Për momentin situata është paralizuese dhe fryma e dialogut ka rënë. Duket se “Platforma” nuk u kujdes më për to, pas dorëzimit në Kuvend. Kuvendi caktoi ekspertë, të cilët do të merrnin përsipër përshtatjen e rekomandimeve, por mori të njëjtët që kishin kontribuar edhe në Platformë, duke i vënë nën varësinë e Kuvendit, çka krijoi mbivendosje.

Mbivendosja u zgjerua me përfshirjen e disa organizatave të tjera për vlerësimin e rekomandimeve, duke evidentuar një ndarje në komunitetin e gazetarëve. Do të ishte më e dobishme që në këtë fazë ekspertiza t’i shërbente përmirësimit të teknikës legjislative e jo mbishkrimit të rekomandimeve. Nga ana tjetër nuk është e qartë se kush i cakton prioritetet dhe afatet për përmbushjen e rekomandimeve dhe në këtë pikë roli i “Platformës” është i zbehtë. Në muajt e ardhshëm pritet trajtimi i padive SLAPP (Strategic lawsuit against public-participation), hartimi i një ligji të posaçëm për shpifjen dhe fyerjen, nën procedura civile dhe ndryshimi i ligjit për “mediat audiovizive”. Por rekomandimet shkojnë përtej.

Prej tre muajsh, ato qëndrojnë mbi tryezën e komisionit të të drejtave të njeriut në Kuvendin Shqipërisë, nën kujdesin dhe përgjegjësinë e deputeteve bashkë-drejtuese të tij: Jorida Tabaku (PD) dhe Iris Luarasi (PS). Por pritshmëritë për një mbështetje të suksesshme të rekomandimeve ranë javën e shkuar, me rrëzimin e propozimeve për dekriminalizimin e shpifjes. Znj Tabaku i prezantoi si nismë personale (të konsultuara edhe me grupet e interesit, por pa përmendur punën dhe kontributin e Fakultetit), ndërsa znj. Luarasi abstenoi miratimin e propozimeve në komision.

Akoma më befasues është fakti se edhe mendimi i ekspertëve të kontraktuar nuk u mor parasysh gjatë diskutimeve në Komision. Paketa për dekriminalizimin e shpifjes iu propozua Kuvendit nga znj. Tabaku në 12 nëntor, kur rekomandimet sapo ishin depozituar. Por ndryshimet e propozuara nuk ndryshuan as në fund, ndonëse përgjatë dy muajve në vazhdim, organizatat dhe ekspertët ofruan sugjerime dhe mendime të ndryshme, Nisur nga ky fakt, mund të ngrihet një pyetje: kujt i takojnë propozimet e 12 nëntorit, të njëjtat që iu prezantuan Komisionit javën e shkuar?

Ndonëse kjo dilemë reflekton paqëndrueshmërinë e Platformës, çka na ndihmon për të kuptuar se çfarë duhet ndrequr në të ardhmen, një gjë mbetet serioze: ndërhyrja e qeverisë, përmes një drafti alternativ ndryshimesh. A rrezikojnë rekomandimet e tjera të pësojnë njëjtin fat?

Në fillim të procesit, Gonzato dhe Rama garantuan se nuk do të kishte përplasje, por dialog. Duket, se të paktën njëri nga të dy ka ndryshuar mendje. Nëse kjo është vërtet arsyeja, kujt i shërben sot platforma e dialogut? Duke qenë e shpërfillur nga qeveria, e përdorur nga Kuvendi, me fare pak mundësi për të ndryshuar klimën e nxehtë mediatike, qoftë edhe pas një pune një-vjeçare diskutimi mes palëve, a nuk do të ishte më e moralshme që platforma të mbetej jashtë këtij operacioni që fuqizon vetëm pushtetin?

Në fund  të fundit, pse duhet të jemi ne ata që ua japim këtë pushtet?

The post Dekriminalizimi i shpifjes, si fund i dialogut media-qeveri appeared first on Citizens.al.

Kryeministri kërcënon RTSH-në dhe i quan “dezinformim” kritikat e organizatave

19 January 2026 at 18:28

Gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama u shfaq kritik për menaxhimin dhe funksionimin e Radio Televizionit Publik Shqiptar, duke e quajtur atë një dështim. Ai u shpreh se sot nuk kemi televizion publik dhe bilanci është një dështim i suksesshëm, nga borxhi në borxh.

“S’kemi për të dhënë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, deri kur t’i meritojë. Çdo opsion duhet të jetë në tryezë edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, edhe çdo gjë përveç kësaj që është”, u shpreh Rama.

Kjo deklaratë u prit me kritika nga ekspertët, organizatat e angazhuara në lirinë e medias dhe përfaqësuesit e Opozitës.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, një organizatë e angazhuar në përmirësimin e sigurisë së gazetarëve në Ballkan u shpreh, midis të tjerash, se lidhja e financimit apo ekzistencës së RTSH me miratimin politik minon pavarësinë e tij dhe cenon lirinë e medias.

Ky pasazh i deklaratës u ri-publikua nga Kryeministri Rama në rrjetin social X, shoqëruar me një seri akuzash se ky reagim është dezinformues dhe paraqet një “keqkuptim thellësisht të shtrembëruar” të qëndrimit të tij mbi RTSH. “Vërejtjet e mia nuk kanë lidhje me financimin e RTSH-së me miratim politik”, shkruan Rama në reagimin e tij, të shkruar në gjuhën angleze.

Blerjana Bino, përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt për Shqipërinë, i tha Citizens.al se shqetësimi i tyre nuk lidhet me qëllimin e supozuar të deklaratave, por me parimin e konsoliduar evropian se ekzistenca dhe financimi i mediave nuk duhet të kushtëzohen nga politika.

“Vlerësime si ky janë pjesë thelbësore e punës tonë për të monitoruar rreziqet ndaj lirisë së shprehjes dhe nuk përbëjnë dezinformim”, u shpreh Bino, ndërsa shtoi se prej vitesh ky rrjet ka ngritur zërin për reformimin e RTSH, pasi institucioni ka probleme serioze që nuk zgjidhen me mbyllje, por me reforma që rikthejnë misionin demokratik të televizionit publik.  

“Edhe nëse mbyllja do të konsiderohej ndonjëherë si opsion teorik, ajo nuk mund dhe nuk duhet të artikulohet nga Kryeministri: RTSH i përgjigjet Parlamentit, dhe financohet nga tarifa e shërbimit publik (jo nga taksat, siç keqinterpretohet shpesh me qëllim) çka do të thotë se ai u përgjigjet drejtpërdrejt qytetarëve dhe interesit publik”, u shpreh Bino.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) i pa me shqetësim deklaratat e kryeministrit Rama, ndërsa u shpreh se kjo retorikë politike që stigmatizon median publike, pa një analizë të thelluar, cenon parimet themelore të shërbimit publik dhe standardet evropiane për lirinë e medias.

“Televizioni publik nuk është thjesht një ndërmarrje financiare, por një institucion i interesit publik që duhet të garantojë informim të paanshëm, kulturë, edukim dhe akses të barabartë për qytetarët”, tha në deklaratën e tij AGSH.

Sipas AGSH-së refuzimi i financimit publik si mjet presioni politik përbën rrezik për pavarësinë e medias publike, ndërsa shtoi më tej se përgjegjësia nuk mund ti faturohet vetëm RTSH-së.

Ina Zhupa, deputete e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht drejtuese e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik e konsideroi fajtore qeverinë për situatën ku ndodhet televizioni publik, ndërsa ngriti pikëpyetjen se kur dhe pse u krijuan borxhet në RTSH.

“Borxhet dhe situata problematike lindi pikërisht nga kapja politike e RTSH, nga shkelja flagrante e ligjit për Këshillin Drejtues dhe nga emërimet politike të drejtorëve, pa asnjë standard profesional dhe ligjor”, deklaroi Zhupa.

Lufti Dervishi, gazetar dhe ekspert i medias, në një komunikim në rrjetet sociale u shpreh se sot RTSH-ja është në një mentalitet mbijetese dhe nuk ka një raportim kritik ndaj pushtetit. Sipas tij, në një treg mediatik ku interesat e pronarëve mbizotërojnë mbi interesin publik, një media publike e pavarur është domosdoshmëri dhe jo luks.

“RTSH-ja duhet të reformohet, por jo duke u mbyllur në panik, jo duke u privatizuar e as duke u “binjakëzuar” me kulla. Sfida nuk është si t’ua japim privatëve, por si t’ua marrim”, tha Dervishi.

Organizatat e angazhuara për lirinë e medias kërkuan që çdo diskutim për reformim të RTSH-së të zhvillohet në mënyrë të tillë që respekton lirinë e shprehjes, pavarësinë e gazetarisë dhe të drejtën e publikut për tu informuar.

Lexo gjithashtu:

The post Kryeministri kërcënon RTSH-në dhe i quan “dezinformim” kritikat e organizatave appeared first on Citizens.al.

RTSH larg transparencës dhe përdorimit etik të Inteligjencës Artificiale

16 January 2026 at 16:18

Radio Televizioni Shqiptarë (RTSH) është vlerësuar mbi mesataren, por me boshllëqe domethënëse për përdorimin etik të inteligjencës artificiale dhe transparencën institucionale. 60 nga 100 pikë ka qenë vlerësimi që i është dhënë Televizionit Publik Shqiptar, nga një raport i cili ka monitoruar shtatë transmetues publik në Ballkanin Perëndimor.

Pikëzimi që ka përdorur “NarativAI” nxjerr në pah sa shpejt po përshtaten mediat publike në rajon me transformimet e menjëhershme që ka sjellë Inteligjenca Artificiale në raportim, ndryshimin e algoritmeve dhe manipulimin digjital.

Më të vlerësuarit në rajon janë BHRT i Bosnje-Hercegovinës dhe RTK i Kosovës, me nga 65 pikë, ndërsa në fund të renditjes qëndrojnë MRTV e Maqedonisë së Veriut dhe HRT e Kroacisë, me nga 50 pikë.

RTSH e Shqipërisë dhe RTCG e Malit të Zi renditen në nivel të mesëm me 60 pikë, duke reflektuar mangësi në transparencë dhe në politikat për inteligjencën artificiale.

Transparencë e kufizuar në RTSH

Në aspektin e transparencës, RTSH ka marrë vetëm 25 nga 50 pikë. Ndërsa në fushën e inteligjencës artificiale, RTSH vlerësohet disi më mirë, me 35 nga 50 pikë.

Raporti shpjegon se monitoruesit kanë tentuar më shumë se 20 herë për të aksesuar Kodin e Etikës, në seksionin e “Transparencës” në uebin online të televizionit, por ka qenë e pamundur.

“Kodi u sigurua përfundimisht përmes faqeve të palëve të treta që monitorojnë median dhe gazetarinë në Shqipëri, dhe jo përmes vetë faqes së internetit të RTSH-së”, citohet në përmbledhjen e publikuar.

Kodi i Etikës i RTSH-së u miratua më 23 nëntor 2016 dhe është një nga dokumentet etike më të gjata në rajon, me gjithsej 55 faqe. Pavarësisht nivelit të detajimit, Kodi nuk është përditësuar për të përfshirë referenca ndaj inteligjencës artificiale, algoritmeve apo medias sintetike, kështu që nuk ka rregulla për përdorimin etik të AI-së në prodhim, verifikim apo vendimmarrje editoriale.

Kodi përfshin rregulla digjitale, duke kërkuar verifikimin e informacionit nga burime jozyrtare para publikimit dhe kontrollimin e fakteve përpara shpërndarjes online. Gjithashtu punonjësve të televizionit nuk u lejohet që të postojnë opinione që dëmtojnë RTSH-në dhe duhet të tregojnë kur postimet janë personale.

“Edhe pse këto elemente digjitale janë të vlefshme, ato nuk janë të mjaftueshme dhe nuk zëvendësojnë nevojën për standarde moderne mbi inteligjencën artificiale, algoritmet ose verifikimin e medias sintetike”, thekson raporti.

Por pikëzimi relativisht i lartë i RTSH-së për gatishmërinë digjitale/AI vjen kryesisht nga rregullat strikte kundër manipulimit teknologjik dhe verifikimit online, jo nga përdorimi i vërtetë i inteligjencës artificiale.

Raporti e paraqet RTSH-në si një institucion që nuk është ndër më problematikët në rajon, por që mbetet larg standardeve më të avancuara të transparencës dhe inovacionit etik. Për të forcuar rolin e tij si transmetues publik, raporti sugjeron nevojën për më shumë hapje ndaj publikut, publikim të qartë të dokumenteve kyçe dhe hartim të politikave të posaçme për përdorimin e inteligjencës artificiale.

Sipas rekomandimeve të “NarativAI” RTSH duhet të bëjë të aksesueshëm Kodine e Etikës në seksionin e Transparencës. Ky kod duhet të përditësohet për të përfshirë standarde moderne për inteligjencën artificiale, algoritmet dhe median sintetike, si dhe të forcojë rregullat për verifikimin e informacionit online. Gjithashtu duhet të krijojë një politikë për përdorimin e inteligjencës artificiale që tregon qartë se çfarë përdorimesh janë të lejueshme, të kufizuara dhe të ndaluara në prodhim dhe punë editoriale.

Citizens ka raportuar në vazhdimësi për procesin e zgjedhjes të drejtuesve të televizionit publik, por edhe krizën financiare në këtë institucion, ngërç i cili ka sjellë që dhjetëra gazetarë e bashkëpunëtorë të mbesin pa paga.

The post RTSH larg transparencës dhe përdorimit etik të Inteligjencës Artificiale appeared first on Citizens.al.

Rama sulmon gazetarët kritikë pas përmbytjeve

14 January 2026 at 17:32

Fill pas përmbytjeve dhe narrativës publike të krijuar së fundmi për menaxhimin e krizave, Kryeministri Edi Rama ka nisur një fushatë linçuese ndaj gazetarëve që kanë mbajtur qëndrime apo kanë ngritur pyetje ndaj qeverisë.

Një javë më parë, Kryeministri në një komunikim në rrjetet sociale, përmes disa fotove me mbetje plastike nga Shkozeti, u shpreh se hedhja e plehrave dhe shisheve plastike nga qytetarët në anë të rrugëve sollën situatën e përmbytjeve pasi ato bllokuan kanalet e kullimit.

Ky postim u shpërnda nga gazetarja Klodiana Lala, e cila ironizoi duke e adresuar problemin real te mos-menaxhimi i mbetjeve pavarësisht investimeve madhore te impiantet si inceneratori i Tiranës.

Kryeministri bëri një reagim pasues me gjuhë përçmuese dhe nuk adresonte asnjë shqetësim të Lalës.

“Një zëdhënës i opinionit publik, me një injorancë të theksuar, u thotë qytetarëve se inceneratori i Tiranës është fajtor për shishet dhe qeset plastike që hidhen rrugëve dhe që përfundojnë duke bllokuar kanalet […]” replikoi Rama në X.

Ky komunikim i Kryeministrit ndaj gazetarëve ka nisur prej situatës së përmbytjeve në javën e parë të janarit, ku debati publik mbi qeverisjen dhe menaxhimin e krizave ishte rritur.

Në emisionin Opinion në TVKlan, drejtuesi dhe gazetari Blendi Fevziu deklaroi se kishte informacione për ministra që ishin në udhëtime private jashtë vendit, ndërsa në media paraqiteshin sikur ishin në punë.

Kjo bëri që Kryeministri të niste një fushatë linçuese ndaj Fevziut, duke u marrë edhe me jetën e tij personale dhe duke gjeneruar materiale vizuale me inteligjencë artificiale.

Gazetari Fevziu replikoi duke u shprehur kritik për komunikimin publik të ministrave në kohë krizash, duke shmangur konferencat për shtyp.

“Ministrat dhe drejtorët sfilonin në zonat e përmbytura, duke folur me vete përpara kamerave,” shkroi Fevziu duke theksuar se pamje të tilla ishin “shëmti morale” dhe “papërgjegjshmëri”.

Sipas Fevziut kjo qasje e ministrave vjen “nga impotenca e ideve, mungesa e karizmës dhe personaliteti i gjymtuar”. Por Kryeministri vijoi replikat me gazetarin duke përshkallëzuar më tej gjuhën.

Për këtë, kanë reaguar organizatat e medias, të cilat kanë dënuar situatën duke e konsideruar si shembull se si pushteti ushtrohet mbi median, përmes ekspozimit dhe intimidimit dhe jo përmes transparencës.

“[…] kritika ndaj pushtetit trajtohet si defekt moral i gazetarit dhe jo si pjesë e një debati legjitim publik”, u shpreh Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri për rastin e gazetares Klodiana Lala.

Ndërsa për fushatën ndaj gazetarit Fevziu Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt deklaroi se “kur transparenca zëvendësohet me spektakël dhe kundërpërgjigjja me tallje, pushteti nuk ushtrohet për të informuar publikun, por për të disiplinuar ata që bëjnë pyetje”.

Sipas Rrjetit duke “disiplinuar” publikisht një gazetar që është përcaktues i rëndësishëm i axhendës publike në një treg mediatik të vogël, Kryeministri tregon se qasja dhe pozicioni institucional nuk ofron mbrojte nga presioni i pushtetit.

“Sinjali zbret poshtë: nëse një figurë qendrore e sistemit mediatik mund të ekspozohet ndaj talljes dhe delegjitimimit të vazhdueshëm, implikimet për gazetarët investigativë, mediat lokale, freelancerët dhe zërat më pak të mbrojtur janë të qarta”, u shpreh në deklaratë Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.

Sipas Rrjetit të Gazetarëve të sigurt ky lloj presioni mbështetet në ekspozim dhe poshtërim duke lejuar që angazhimet formale për lirinë e shprehjes të mbeten në letër, ndërsa kufizimet informale të forcohen.

Në të njëjtën kohë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH). Sipas Asociacionit debati ngre një problem serioz mbi gjuhën dhe standardin e komunikimit institucional.

“Gazetarët kanë të drejtën dhe detyrimin të ngrenë pikëpyetje mbi politikat publike, përfshirë menaxhimin e mbetjeve, investimet publike dhe funksionimin real të projekteve të kushtueshme si inceneratorët. Në këtë kontekst, përgjigjja e Kryeministrit, e shoqëruar me gjuhë përçmuese, etiketime dhe ironizim personal, është e papranueshme për një funksionar të nivelit më të lartë shtetëror”, u shpreh Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.

Ata i bënë thirrje zyrtarëve publikë të jenë transparentë me mediat në situata të vështira për vendin.

“…duke organizuar konferenca për shtyp në mënyrë që gazetarët të kenë mundësinë të bëjnë pyetje shteruese ndaj këtyre problematikave”, përfundoi Asociacioni deklaratën e tij.

Lexoni gjithashtu:

The post Rama sulmon gazetarët kritikë pas përmbytjeve appeared first on Citizens.al.

2025, një vit i vështirë për gazetarët dhe lirinë e medias

29 December 2025 at 15:00

Viti 2025 shënoi tensione të vazhdueshme për median në Shqipëri, ku ndërhyrjet politike, pasiguria në punë dhe kërcënimet ndaj gazetarëve mbeten probleme sistemike.

Raportimet e Citizens.al ndërtuan një panoramë domethënëse të një sektori që operon me nevojën për më shumë liri dhe pavarësi përballë realitetit të presioneve të shumta.

Ndërhyrja shtetërore ndaj News24, precedent shqetësues

Mësymja e policisë dhe ushtrisë në mjediset News 24 gjatë verës, ishte një nga episodet më të rënda të vitit sa i përket lirisë së medias.

Aksioni nisi mëngjesin e 9 gushtit, ku policia rrethoi godinën, personeli u nxor jashtë. Më pas u ndërpre energjia elektrike e për rrjedhojë edhe transmetimi.

Ditë më vonë ushtria zbrazi mjediset e brendshme duke sekuestruar pajisjet dhe sendet e punonjësve të News24.

Kjo ngriti shqetësime serioze për ndërhyrje ndaj punës së gazetarëve dhe medias.

Objekti, administrohej prej vitit 2003 me një kontratë qiraje nga grupi mediatik i familjes Hysenbelliu, që përfshin News 24, BalkanWeb, Panorama, Panoram Sport etj. Por prej marsit 2025 godina i ishte transferuar kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve KAYO.

Megjithatë procesi i kalimit të pronësisë nuk ishte transparent dhe mes familjes Hysenbelliu dhe qeverisë kishte kontestime, për të cilat çështja i kishte kaluar dhe gjykatave.

Bastisja dhe injorimi i vendimeve gjyqësore që e shpalli të paligjshëm sekuestrimin e sendeve të gazetarëve u lexuan si sulm frontal ndaj lirisë së medias.

Ndërkohë, solidariteti i gazetarëve dhe denoncimi i paligjshmërive në aksionin e policisë dhe ushtrisë tregoi se komuniteti i medias mbetet vigjilent, por edhe i ekspozuar ndaj presioneve.

RTSH në krizë të zgjatur

Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) u bë simbol i keqmenaxhimit dhe ndërhyrjeve politike.
Pas disa muajsh me drejtor të komanduar pas dorëheqjes së Alfred Pezës, procesi për zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm u zhvillua me mungesë transparence dhe shkelje të statutit.

Pati akuza për shkelje dhe abuzime. Por pezullimi i konkurrimit, dorëheqjet dhe më pas shkarkimi i Këshillit Drejtues paralizuan mirë-funksionimin e RTSH-së në një vit zgjedhor.

Zgjedhja e Këshillit të ri e më pas dhe drejtueses së re të RTSH-së, Eni Vasilit, nuk i qetësoi shqetësimet. Organizatat e medias paralajmëruan rrezikun e kapjes politike, ndërsa zhvillimet e mëvonshme treguan se problemet nuk ishin vetëm në aspektin drejtues apo procedurial.

Kriza financiare që kishte kapluar RTSH-në, rëndoi mbi gazetarët dhe punonjësit ku pati: vonesa pagash, ndërprerje bashkëpunimesh dhe pasiguri në punë.

Radio-televizioni publik u shndërrua kështu në shembull keqadministrimi.

Zgjedhjet: Pabarazi, presion dhe propagandë

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit testuan integritetin e gazetarisë në Shqipëri. Organizatat e medias dhe shoqërisë civile kërkuan respektim të parimeve themelore të lirisë, transparencës dhe debatit publik, por shkeljet ishin të dukshme gjatë fushatës dhe po ashtu gjatë ditës së votimit.

Qasja e gazetarëve në takimet dhe aktivitetet politike ishte e kufizuar. Partitë shmangën debatet e kandidatëve ballë-për-ballë dhe nuk ndanë agjenda të qarta.

Transparenca në komunikimet e fushatës, si etiketimi i qartë i përmbajtjeve të paguara dhe ndarja e burimeve shtetërore nga aktiviteti partiak, ishin parime që u shkelën.

Disa televizione madje shitën haptazi “paketa mbulimi” dhe intervista të porositura pa i etiketuar si reklama politike. Nga ana tjetër, kanalet zyrtare online të qeverisë u kthyen në hapësira propagande partiake.

Rritja e përmbajtjeve anonime, të amplifikuara edhe përmes inteligjencës artificiale, e turbulluan më shumë burimin e mesazheve zgjedhore.

Gjatë ditës së zgjedhjeve u shënuan sulme verbale dhe fizike ndaj gazetarëve. Rastet e Ambrozia Metës dhe Elsa Xhindoles ishin treguesit kryesor të trysnisë që u has nga gazetarët në terren.

Paralelisht, u shënuan kufizime arbitrare për filmime dhe qasje në qendra votimi. Rasti i gazetarit Enriko Gaba, të cilit iu kërkua të mos filmonte “më shumë se 15 minuta” në një qendër votimi ishte rasti më konkret.

Pati edhe presione të drejtpërdrejta ndaj reporterëve. Armando Rabi u kërcënua nga një 26-vjeçar me pretendimin se “po e filmonte pa leje”.  

Monitorimet treguan për vijim të praktikës së kasetave: ku partitë u dërgojnë mediave pamje dhe kronika të gatshme, teksa ekranet u dominuan nga aktorët e mëdhenj politikë teksa u lanë hapësira minimale për zëra alternativë.

Raporti i OSBE-ODIHR evidentoi censurë dhe trajtim të pabarabartë të partive politike në media.

Një vit që testoi kufijtë e lirisë mediatike

Në maj, Shqipëria u rendit në vendin e 80-të në Indeksin e Lirisë së Shtypit të “Reporterëve pa Kufij” (RSF), duke shënuar përmirësim krahasuar me vitin paraardhës.

Megjithatë, raporti theksoi probleme të thella: ndikim politik mbi median, kuadri ligjor i dobët, rregullatorë të politizuar dhe konflikte interesi mes biznesit dhe pushtetit.

Shumica e mediave private mbeten të përqendruara në pak duar me lidhje politike, sidomos në sektorë si ndërtimi. Ndërsa shumë platforma online operojnë pa modele të qëndrueshme financimi dhe transparence.

Vendimi për mbylljen e TikTok-ut u pa si kufizim disproporcional i shprehjes dhe përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, duke hapur debatin për kontrollin e hapësirës digjitale.

Ndërkohë, një sinjal pozitiv erdhi nga Kushtetuesja, e cila në rastin e gazetarit Elton Qyno kundër SPAK-ut, mbrojti të drejtën e tij për ruajtjen e burimeve, duke krijuar precedent të rëndësishëm për gazetarinë hulumtuese.

Ndërkohë, në terren, presionet vazhduan. Gazetarë u përballën me sulme verbale, denigrim dhe kërcënime.

Pseudonimi i përdorur në kallëzimin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj – Nesti Angoni – kthyer në disa profile Facebook-u, sulmoi gazetaren Glidona Daci, me një gjuhë denigruese dhe shantazhuese.

Refuzimi agresiv i për t’u shprehur në një lidhje të drejtpërdrejtë nga figura të Partisë Demokratike në një protestë nxitën qasje kërcënuese të turmës ndaj gazetares Sara Demushi.

Në fund të vitit, mesazhe kërcënuese iu drejtuan gazetarit Osman Stafa, i cili ka raportuar vazhdimisht për kushtet në Spitalin Onkologjik. Një profil anonim në Instagram i bënte thirrje që mos të shfaqej më në spital, përndryshe do të kishte pasoja për jetën.

Rastet në fjalë treguan se rreziku për gazetarët mbetet real dhe i pranishëm, pavarësisht përmirësimeve në klasifikimet ndërkombëtare si ato të RSF-së.

The post 2025, një vit i vështirë për gazetarët dhe lirinë e medias appeared first on Citizens.al.

E ku ka më mirë se propaganda!

17 December 2025 at 13:05

Autor: Artan Rama

Dje, në një prej sallave luksoze të hotelit ndërkombëtar me pesë yje, “Maritim Hotel Plaza, pranë qendrës historike dhe tregtare të Tiranës, Komisioneri për të Drejtën për Informim (dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale) zhvilloi konferencën propagandistike mbi transparencën, me mbi njëqind e pesëdhjetë të ftuar: ambasadorë, deputetë, ministra, prokurorë, anëtarë të organeve të larta të drejtësisë, kryetarë të bashkive të vendit, kryetarë të këshillave bashkiakë, koordinatorë të së drejtës për informim, nëpunës jo shtetërorë nga shoqëria civile dhe fare, fare pak gazetarë. Por i ftuari nr. 1 ishte Kryeministri Edi Rama.

Hotel “Plaza” është shndërruar prej kohësh në një ekosistem mikpritës për aktivitetet ceremoniale të Komisionerit, kostot e të cilave duhet të jenë në rritje, ndërsa dobia e aktiviteteve, në rënie.

Paketa propagandistike ofronte një atmosferë festive dhe solemne. Të ftuarit ishin ulur në formë rrethore. Të njëjtën simbolikë ofronte edhe skenografia në qendër të skenës, ku folësit specialë ishin ftuar të diskutonin rreth një tryeze të rrumbullakët, e pozicionuar disi më lart në platformë, mbi të pranishmit. Së bashku me ta, në të njëjtën tryezë do të qëndronte edhe  Kryeministri.

Në përpjekje për të tërhequr vëmendjen edhe mbi përmbajtjen, organizatorët ishin kujdesur ta pagëzonin konferencën me një titulli të goditur: “Agora e Transparencës në Kohën e Integrimit”. Në këtë rast, simbolika i shërben qëllimit. Sa më i ngarkuar titulli figurativisht, aq më pak do të përpiqet publiku që të depërtojë nën stilistikën letrare të tij. Studimet kanë treguar se shpesh, ajo çka përcillet përmes titujve merret si e vërtetë, pa hulumtuar përmbajtjen. Madje edhe dizajni i ftesës tregonte grafikun e një rrethi.

Por le të qëndrojmë te fjala “Agora”.

Sikurse në Antikitet, ku me Agora në Athinën helenike nënkuptohej hapësira publike, në të cilën mblidheshin dhe diskutonin mes tyre qytetarë të barabartë, sot fjala ruan të njëjtën semantikë. Pra, sipas organizatorëve, tryeza në “Plaza” nënkupton të njëjtën gjë: një hapësirë ku pikëpamje të ndryshme debatohen për të arritur zgjidhje të arsyeshme. Por çështja është se askush nuk mund ta besojë kaq lehtë këtë përrallë moderne, përveç se nën efektin marramendës të një organizimi festiv prej pushtetit.

Keqkuptimi më i madh me konferencat është se publikut nuk i bën më përshtypje mungesa e debatit, fshehja e problemit dhe fabrikimi i një konsensusi të rremë. E tërë konferenca ndërtohet mbi një narrativë të kontrolluar e të gënjeshtërt.

Që manipulimi të ketë efekt, kontrolli duhet të zgjerohet në të tjera dimensione, duke përjashtuar nga pjesëmarrja kritikët. Të tillë ka në media dhe sa më të pavarur, aq më të rrezikshëm. Pra, në sallë nuk duhet të ketë zëra kritikë. Më së paku, Komisioneri u kujdes që të mos ftohej asnjë i tillë që mund të rrezikonte prishjen e  atmosferës festive. Lista emërore iu kalua “Gardës” dhe ushtarakë me veshje civile në hyrje të sallës u kujdesën për sigurinë fizike, por edhe për moslejimin e askujt, emri i të cilit nuk ishte në listën e hartuar nga pritësi (Komisioneri).

Më tej, operacioni i manipulimit përparon drejt “gjithpërfshirjes”. Përpjekja është që gjoja të arrihet një pjesëmarrje diverse, por duke u siguruar që të ftohen gjithmonë të njëjtët njerëz; të njëjtat fytyra, të njëjtat retorika; të njëjtat falenderime, duartrokitje, veshje. E njëjta heshtje!

Rreth tryezës së rrumbullakët janë ftuar të diskutojnë si të barabartë, përfaqësues të organizatave joqeveritare (shumica mediatike). Për shumë njerëz, dallimi mes këtyre organizatave dhe organeve shtetërore po bëhet i vështirë. Është e vështirë të kuptosh ndryshimin mes një burokrati që nuk thotë asgjë dhe dikujt që në emër të korrektesës politike, nuk bën asnjë kritikë, nuk zhvillon asnjë debat, nuk jep asnjë zgjidhje. Të ftuarit rreth tryezës paguhen nga i njëjti donator: BE. Sa larg mund të shkojë kritika e tyre për qeverinë?

Imagjinoni, të ftuarit nuk bënë asnjë kritikë për Dervishin, megjithëse veprimet e këtij të fundit i kanë shkaktuar gazetarisë, veçanërisht asaj hulumtuese, dëme të mëdha. Me të drejtë dikush mund të pyesë: cili është dallimi mes tyre? Mos vallë u kompleksuan nga ftesa? Përse paska të drejtë që Komisioneri të seleksionojë media, për të zbukuruar punën e tij, ndërsa këto media nuk paskan mundësi që të ushtrojnë ndërshmërisht deontologjinë profesionale për të kritikuar veprimet dhe mosveprimet e Komisionerit, pikërisht në tryezën ku ndodhet edhe Kryeministri? A shqetësohen donatorët e shoqërisë civile se Bashkimi Evropian po pranon në gjirin e tij politik dhe kulturor, jo një aspiratë përpjekjeje të sinqertë të një kombi, por një tribunë me ngjyra të ndezura, poshtë së cilës, si dikur në Shqipërisë Socialiste, marshonin në rresht, qoftë me dëshirë, qoftë të imponuar, të gjithë, pa përjashtim? Mos ndoshta palët mendojnë njësoj? – Sekush të përfitojë për vete! Nëse është kështu, ata janë partnerë me Komisionerin…në krah të njëri-tjetrit, por kurrsesi përballë. Dhe në këtë moment tryeza shndërrohet, nga e rrumbullakët në një rreth vicioz, pak ose aspak e dobishme për publikun.

Krahas Ramës, Komisioneri për të Drejtën për Informim, Besnik Dervishi, është ndër të paktët individë që vijon të drejtojë të njëjtin institucion, prej më shumë se dhjetë vjetësh. Nën shembullin e Kryeministrit, edhe Dervishi është transformuar në një ekspert i spikatur konferencash dhe propagande, duke ngritur në heshtje dhe pa u lodhur, një mekanizëm korruptiv selektimi, duke favorizuar vetëm ato kërkesa për informacion që kontribuojnë, në radhë të parë, për imazhin e tij në funksion të begatisë personale; duke përzgjedhur për të bashkëpunuar një numër të ngushtë organizatash të shoqërisë civile, por duke përjashtuar të gjithë të tjerët. Sepse vetëm në këtë mënyrë, duke përjashtuar kritikët, duke mbyllur të gjitha çarjet e kësaj ngrehine të gënjeshtërt nga drita e së vërtetës, vetëm kështu mund të mbahet në këmbë struktura e pushtetit të korruptuar.

Dhe vjen gjithmonë ai çast i mërzitshëm, kur njerëzit fillojnë e besojnë te mashtrimi; fillojnë e besojnë se gjërat e vërteta janë ashtu si duken, ashtu si u serviren. Dhe pushojnë së menduari, sepse të menduarit shndërrohet në një kompleks psikologjik që rrezikon të diskriminojë qënien përballë shumicës së manipuluar. Në këtë çast njeriu dorëzohet dhe braktis çdo përpjekje për të depërtuar në thellësi. I tillë është efekti i propagandës.

Epidemia e konferencave po përhapet kudo në prag të integrimit, rreth kullave të reja të kryeqytetit, ky tryezat e rrumbullakëta të antikorrupsionit po shndërrohen në tribuna propagande që fshehin korrupsionin. Qëllimi nuk është transparenca, debati mbi qeverisjen, shpenzimet, abuzimet, por që të na bindin se flitet për to pa përmendur asgjë prej tyre.

Megjithatë, sado e sofistikuar makineria e “spining”, situata mbetet po aq shpresëdhënëse, sepse ne dimë dobësinë e tyre: fasadën; dimë mënyrën për ta rrëzuar, mënyrën për ta diskredituar atë; dimë si t’i shkundim njerëzit nga kënaqësia që prodhon opiumi i propagandës.

Por kjo nuk mjafton, nëse nuk reagohet publikisht; nëse nuk tregohet kurajo dhe guxim, të cilat nuk kanë çmim, ndaj dhe ata e kanë vështirë që t’i blejnë.

The post E ku ka më mirë se propaganda! appeared first on Citizens.al.

E drejta për informim mes “gotës” plot dhe realitetit bosh

16 December 2025 at 18:44

Në Konferencën e shtatë kombëtare për të Drejtën e Informimit, transparenca e institucioneve shqiptare u prezantua si çështje perceptimi.

Kryeministri Edi Rama e përshkroi debatin si përplasje mes atyre që shohin “gotën plot” dhe atyre që shohin “gotën bosh”. Media dhe shoqëria civile u pozicionuan në këtë të fundit.

Deklaratat optimiste të Kryeministrit u zhvilluan paralelisht me veprime të forta të drejtësisë.

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) lëshoi tetë masa sigurie pas dyshimeve për abuzime me tenderët në Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Po sot, Kuvendit iu kërkua heqja e imunitetit për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Pikërisht çështjet që përfshijnë korrupsion qeveritar kanë qenë ndër më të vështirat për të marrë informacion apo dhe koment nga mediat.

Ankesa të përsëritura për llogaridhënien

Gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile renditën probleme të njëjta. Institucionet vonojnë, japin informacion të pjesshëm ose nuk u përgjigjen kërkesave ndërkohë që ligji i detyron autoritetet publike të japin informacion brenda 10 ditësh zyrtare pune.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit (KDI), Besnik Dervishi, theksoi se ndryshimi i shpeshtë i koordinatorëve për informim krijon paqartësi përgjegjësish. Sipas tij, kjo dobëson mekanizmin e transparencës brenda institucioneve.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni replikoi duke thënë se qeveria po punon për një formë të re të transparencës.

Për këtë ajo prezantoi platformën “Transparent Albania”. Pirdeni u përshkrua si sistem që standardizon vendimet dhe lejon ndjekjen online të kërkesave. Por kjo u prit me skepticizëm nga përfaqësuesit e medias.

Kristina Voko nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN) kujtoi se premtime të ngjashme janë bërë thuajse çdo vit. Sipas saj, tryezat përsëriten, por situata mbetet e pandryshuar. Për këtë ajo kërkoi plane konkrete veprimi.

“Cilat janë planet konkrete të veprimit, që të bëjmë realitet premtimet që u dhanë para një viti?” shtroi pyetjen Voko.

Klodiana Kapo nga “Faktoje” tha se redaksia e saj dërgoi 183 kërkesa gjatë vitit 2025. Dyzet e dy përfunduan si ankesa te KDI. Ajo theksoi se vonesat e bëjnë lajmin të pavlefshëm.

“Lajmi është si buka, pas më shumë se pesë ditësh myket dhe nuk konsumohet më” theksoi Kapo, duke kujtuar dhe një herë penalizimin që vjen nga mungesa e marrjes së përgjigjes në kohë.

Eglantina Bardhi nga “Together for Life” konfirmoi të njëjtën përvojë. Ajo tha se mbi gjysma e shkresave të tyre kthehen në ankesa, edhe për informacione bazike dhe jo informacione sensitive.

“Përvoja tregon se mekanizmi nuk funksionon,” theksoi Bardhi.

Përfaqësues diplomatikë në tryezë sollën shembuj evropianë. Ambasadorja zvicerane Ruth Huber theksoi standardizimin, aksesueshmërinë dhe publikimin proaktiv të të dhënave.

Sipas saj, informacioni duhet të publikohet automatikisht duke e bërë të panevojshëm ankimin.

Blerjana Bino nga Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) vuri në dukje hendekun mes digjitalizimit dhe llogaridhënies si element thelbësor në një sistem demokratik.

Bino përmbyll se në këtë pikë, teknologjia në Shqipëri nuk ka sjellë rritje reale të transparencës.

“Arritjet” sipas qeverisë dhe raportet kritike

Kryeministri Edi Rama pranoi kritikat, por i kaloi ato në plan të dytë kur vijoi të theksonte përparimin në krahasim me të shkuarën.

Ai iu referua vlerësimeve të SIGMA-s – një iniciativë e mbështetur nga Bashkimi Evropian për qeverisjen publike dhe menaxhimin e administratës shtetërore – ku Shqipëria shënon pikëzim të lartë institucional.

“Shqipëria ka arkitekturë funksionale për transparencën, ku rezultati sipas ‘SIGMA-s’ është 8.6 nga 10 në kuadrin strategjik e institucional dhe 7 nga 9 për funksionalitetin e autoritetin e të drejtës për informim,” tha Rama.

Kryeministri përmendi edhe një indeks evropian të transparencës, sipas të cilit Shqipëria ka rritje prej 5% brenda këtij viti. Nisur nga këto, ai e cilësoi vendin mbi mesataren rajonale sa i përket informimit publik.

Megjithatë, raportet e tjera të BE-së tregojnë një situatë të përkeqësuar. Raporti i Progresit thekson presione mbi median, mungesë transparence në pronësi dhe financim, si dhe vetëcensurë.

Sipas BE-së, konsultimet publike dhe transparenca qeverisëse mbeten të dobëta. Kjo minon besimin publik dhe standardet demokratike të kërkuara për integrimin evropian.

Kështu, debati për transparencën në Shqipëri vijon të zhvillohet në dy plane paralele.

Në njërin qëndron qeveria, e mbështetur te indekse, raporte që dëshmojnë “përparim”. Në tjetrin janë gazetarët dhe shoqëria civile, që përballet në terren me realitetin tjetër: vonesa, përgjigje të pjesshme dhe mekanizma që funksionojnë vetëm pas ndërhyrjes së Komisionerit.

Hendeku mes këtyre dy realiteteve nuk është perceptim, por përvojë konkrete.

Një kornizë ligjore e vlerësuar ndërkombëtarisht nuk e zëvendëson detyrimin institucional për t’iu përgjigjur medias pa filtra dhe pa zvarritje. Kur indekset përdoren për të relativizuar kritikat, ato kthehen nga mjete vlerësimi në instrumente mbrojtëse të pushtetit.

Nëse digjitalizimi dhe platformat e reja mbeten premtime, problemi nuk është mungesa e teknologjisë, por kultura e institucioneve të mbyllura.

Derisa transparenca të zbatohet si praktikë e përditshme dhe jo si statistikë vjetore, liria e medias do të vazhdojë të mbetet nën presion.

Në këtë realitet, “gota” nuk është as plot dhe as bosh. Ajo është e kontrolluar. Dhe pikërisht ky kontroll përbën sfidën më serioze për demokracinë dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

The post E drejta për informim mes “gotës” plot dhe realitetit bosh appeared first on Citizens.al.

Organizatat e medias dënojnë kërcënimet ndaj gazetarit Osman Stafa

12 December 2025 at 16:05

Kërcënimet ndaj gazetarëve po shndërrohen në praktikë shqetësuese në Shqipëri, veçanërisht kur ndodhin pas raportimeve që prekin institucionet publike dhe mungesën e llogaridhënies.

Rasti i fundit ndaj gazetarit Osman Stafa, pas raportimeve nga Onkologjiku, rikthen në qendër të vëmendjes cenueshmërinë e gazetarëve në terren dhe mangësitë në garantimin e sigurisë së tyre.

Rasti i gazetarit Osman Stafa

Një kërcënim me jetë iu dërgua gazetarit Osman Stafa në “Instagram”, pas raportimeve të tij për kushtet në Spitalin Onkologjik. Mesazhi i kërkonte të mos shfaqej më në spital, me paralajmërimin se nëse do të bënte të kundërtën do të kishte pasoja.

Stafa e cilësoi kërcënimin përpjekje për ta trembur dhe tërhequr nga raportimet, të cilat kanë qenë të vazhdueshme duke ekspozuar vështirësitë që përballin pacientët e sëmurë në trajtimin e kancerit. Ai tha për Citizens.al se do ta vijojë punën në spital pa asnjë ndryshim.

“Nëse unë do të përballem me ata që janë pas kësaj gjësë [mesazhit], ose do të më rrihnin, ose do të më vrisnin,” tregoi Stafa për përmbajtjen e mesazhit duke shtuar se për të ka pasur “zero ndikim”.

Sipas tij, profili që i dërgoi mesazhin është hapur vetëm dy muajt e fundit. Rasti është denoncuar në polici, e cila ka nisur procedurat për identifikimin e autorëve.

“Kjo është sfida që po u bëj këtyre personave, që çfarëdo që të bëni, mua nuk më intimidoni me kërcënime të tilla,” theksoi Stafa.

Gazetari u shpreh se procedurat për identifikimin e personave që kërcënojnë ngjashëm në rrjetet sociale zgjasin 3-4 muaj, por që sidoqoftë autorët mundet të identifikohen.

“Në momentin që bëj kallëzim për kërcënim jete për shkak të detyrës, policia ia referon prokurorisë, prokuroria e çon në gjykatë dhe me vendim gjykate i shkohet kompanisë Meta, e cila sjell më pas të dhënat në çfarë e-maili është adresa dhe me çfarë numër telefoni”, përfundoi Stafa.

Organizatat e medias solidaritet dhe apel për hetim të menjëhershëm

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (SafeJournalists) përshëndeti denoncimin e menjëhershëm dhe vlerësoi raportimet e Stafës për Onkologjikun, që sipas tyre kanë rritur ndërgjegjësimin publik dhe kërkesën për llogaridhënie.

Ajo i bëri thirrje policisë dhe prokurorisë që ta trajtojnë rastin me prioritet, të identifikojnë autorin dhe të garantojnë që gazetarët të raportojnë lirisht pa frikë në punën e tyre.

“[…] gazetarët të kenë mundësi të raportojnë lirisht për çështje me interes publik, përfshirë funksionimin e institucioneve shëndetësore, pa pasur frikë nga hakmarrja”, u tha në deklaratë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkoi hetim të posaçëm, duke theksuar se kërcënimi lidhet me një cikël të gjatë investigimesh në institucionin kryesor spitalor të vendit.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e quajti rastin sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe theksoi se intimidimet anonime synojnë heshtjen e zbulimit të abuzimeve që dëmtojnë pacientët më vulnerabël.

Organizatat kërkuan garantimin e sigurisë për çdo gazetar që ushtron detyrën në interes publik.

Lexoni gjithashtu:

The post Organizatat e medias dënojnë kërcënimet ndaj gazetarit Osman Stafa appeared first on Citizens.al.

Përmes dialogut drejt një media të pavarur

11 November 2025 at 14:05

Bisedimet mes përfaqësuesve të medias dhe qeverisë, të nisura në janar, përfunduan në  mënyrë ceremoniale, kur Dekani Mark Marku, në emër të Fakultetit të Gazetarisë, në rolin e negociatorit të paanshëm, i dorëzoi Kuvendit, para pak ditësh, përmbledhjen e diskutimeve – një material dyzetfaqësh rekomandimesh -, me synimin për t’i shndërruar më pas në amendamente ligjore.

Bisedimet nisën në janar, ku me dhjetëra gazetarë dhe përfaqësues të organizatave dhe platformave kombëtare mediatike, me nxitjen dhe mbështetjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian (BE) dhe të Këshillit të Evropës (KE), së bashku me Fakultetin, u përfshinë për “Promovimin e Lirisë së Shprehjes në Shqipëri përmes Dialogut të Hapur”, një platformë diskutimi, ndërmjet qeverisë dhe komunitetit mediatik, për të përmirësuar legjislacionin që ka të bëjë me lirinë e shprehjes, aksesin në informacion, sigurinë e gazetarëve dhe pronësinë dhe pavarësinë e medias

Fakulteti mori përsipër, për herë të parë, “të lehtësonte” një marrëdhënie tejet të vështirë, të rënduar ndër vite, midis qeverisë dhe gazetarëve. Marku siguroi se diskutimet nuk do të vendoseshin nga askush. Ai kërkoi një proces të besueshëm dhe përfshirje me bazë të gjerë, si garanci suksesi. Qeveria përfaqësohej nga Elona Bano, drejtore e Integrimit në Ministrinë e Drejtësisë.

I ftuar në takimin çelës, Ambasadori i Delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato, premtoi më shumë se një dëgjesë: zhvillimin e një dialogu. “Njerëzit kanë qenë dyshues, duke pyetur – pse kjo platformë -, ndaj kjo nuk do të jetë një qasje e imponuar, nga lart-poshtë”, – u kujdes të saktësonte ai.

Përgjatë muajve në vijim u zhvilluan dhjetë tryeza diskutimi, derisa javën e shkuar rekomandimet iu dorëzua Kuvendit të Shqipërisë.  

Çfarë do të ndodhë më tej? Askush nuk mund ta thotë me siguri. Nuk ka asnjë garanci, nëse rekomandimet mund të “transpozohen” në amendamente ligjore. Së pari, ato nuk janë paraqitur në mënyrë përfundimtare, çka do të duhet akoma më shumë punë për përpunimin e tyre. Mund të thirren ekspertë të tjerë, natyrisht, por kjo mund të marrë kohë. Faktikisht janë humbur disa javë, pasi dorëzimi duhej të ishte kryer më herët, qysh në gusht. Së dyti, bëhet fjalë për dhjetëra rekomandime, të cilave u mungon hierarkia. Dekani Marku paralajmëroi qysh në fillim se bëhej fjalë për një proces gjithëpërfshirës, duke nënkuptuar vlerësim të barabartë ndaj çdo sugjerimi të bërë në tryezat e diskutimit. Mund të themi, se deri tani, procesi ka rezultuar i suksesshëm: të gjitha sugjerimet e dakordësuara nëpër diskutime u inkorporuan në materialin përfundimtar, në formën e rekomandimeve. Të njëjtën dakordësi reflektoi edhe Bano, përfaqësuesja nga Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim edhe me Ministrinë për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Duhet theksuar – një bashkëpunim për t’u lavdëruar. Por rreziku i zhbërjes është real, ndonëse rrugëtimi ka nisur dhe vështirë që të mënjanohet ndokush.

“Sido që të ndodhë, duhet të punohet mbi rekomandimet tona”, – sqaron Marku,  “dhe ato nuk mund të ndryshohen. Ne do të kërkojmë që Fakulteti të vijojë të monitorojë procesin edhe gjatë fazës së përgatitjes së amendamenteve në Kuvend”, siguron ai.

Deri tani nuk ka ende një përgjigje nga Kuvendi. Rekomandimet ndodhen mbi një tjetër tryezë: në tryezën e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjeteve të Informimit Publik. Do të duhen disa ditë të tjera, përpara se të merret një vendim për trajtimin e mëtejshëm të tyre.

“Filozofia jonë është se procesi duhet të jetë më i rëndësishëm sesa rezultati”, – deklaroi Marku, në takimin e parë të janarit. Por, a duhet të shqetësohemi edhe për rezultatin? Sido që të jetë, procesi nuk ka qenë asnjëherë qëllimi. Përmes fakultetit platforma është menduar si më e pranueshme për grupet e interesit – një taktikë e zgjuar dhe frytdhënëse nga ata të cilët konceptuan këtë nismë: BE-KE. Por ecuria e mëtejshme është e paqartë edhe për vetë këta. Përfaqësuesit e tyre nuk iu përgjigjën një kërkese për informacion lidhur me shqetësimet për procesimin e mëtejshëm të rekomandimeve në Kuvend. Përcjellja e tyre në Kuvend nuk insinuon asnjë detyrim, përveç se rithekson përkrahjen “për avancimin e lirisë së shprehjes dhe përmirësimin e mjedisit mediatik në Shqipëri”.

Por, a janë rekomandimet të detyrueshme për Kuvendin? Përgjigja e shkurtër dhe e drejtpërdrejtë është “Jo!”. Vota e një deputeti është pjesë e sovranitetit të tij individual dhe nuk mund t’i nënshtrohet asnjë pushteti tjetër. Shpesh, qeveritë (këto ballkanike ca më shumë) shfrytëzojnë komoditetin që ofrojnë parimet dhe tradita parlamentare perëndimore. Sidoqoftë, këto parime nuk u shërbejnë enkas qeverive, por në radhë të parë, popujve. Kështu, në një kuptim më të gjerë dhe më demokratik, liria e shprehjes, e cila përshkon çdo qelizë të rekomandimeve në fjalë, gëzon mbrojtje kushtetuese, respektimi i së cilës nuk mund të kushtëzohet vetëm nga vullneti politik i një grupi të zgjedhurish. Mbi të gjitha, mbizotëron, ose për të qenë realist – duhet të mbizotërojë – një frymë në favor të lirisë së shprehjes. Qeverisë së lodhur socialiste mund të mos i interesojë liria e shprehjes, përveç se të furçosë vitrinën e saj, me qëllim përfitimin në emër të saj, por ndërkohë, si një shtet anëtar i Këshillit të Evropës Shqipëria është e detyruar, jo vetëm ta respektojë, por edhe ta garantojë këtë liri.

Sipas vlerësimit të Komisionit (KE) në secilin prej katër viteve të fundit, Shqipëria qëndron në vend numëro për lirinë e shprehjes. Raporti mbi nivelin e përmbushjes së kritereve të anëtarësimit konfirmoi të njëjtën anomali. Ka kaluar një vit nga çelja e grup-kapitullit të parë të negociatave dhe brenda 2027-s palët janë zotuar t’i mbyllin që të gjitha. Cilado qoftë përshtypja, apo ndjenja, qeveria duhet të lëvizë. Amullia burokratike mund t’i ndërlikojë afatet e negociatave. Por mbi të gjitha bëhet fjalë për objektiva përmbajtësorë.

Në rreth 40 faqe rekomandime dërguar Kuvendit, kërkohet që të rritet siguria e gazetarëve, të përmirësohen kushtet e tyre të punës, të rritet transparenca dhe aksesi në informacion; të thellohet pavarësia dhe pluralizmi i mediave; transparenca dhe integriteti i AMA-s. Fjala është për një ndërhyrje të madhe, jo thjesht një qëndrim parimor, por për ndërhyrje konkrete në legjislacionin përkatës: në ligjin për të drejtën për informim, në Kodin e Punës, në Kodin e Procedurës Penale dhe në Kodin Penal, në përafrimin me disa prej direktivave përkatëse, por edhe me nënshkrimin e memorandumeve, marrëveshjeve, procedurave dhe manualeve të nevojshme për funksionimin e medias.    

“Nisja e dialogut të strukturuar, ndërmjet institucioneve shqiptare dhe aktorëve të medias ishte një zhvillim pozitiv”, – u shpreh Gonzato javën e shkuar, në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin Rama, gjatë prezantimit të raportit për Shqipërinë, “por” – konkludoi ai, “nevojiten përpjekje të mëtejshme…”.

Nënkuptohet se përpjekjet e mëtejshme i takojnë qeverisë. Rama mund të mos dojë, por ai nuk ka kohë. Ky është momenti që media të marrë sa më shumë. Jo duke spekuluar, por duke rifituar atë çka i është grabitur, arbitrarisht. Pushteti politik mund të humbasë diçka, por media do të forcohet; vendi dhe aspirata evropiane, gjithashtu. A nuk është ky qëllimi?

Sidoqoftë, edhe nëse ata nuk tërhiqen, media është mësuar të qëndrojë. Dhe askush nuk duhet ta harrojë këtë!

The post Përmes dialogut drejt një media të pavarur appeared first on Citizens.al.

Raporti i OSBE-ODIHR: Censurë dhe pabarazi në media gjatë zgjedhjeve

27 October 2025 at 17:52

Raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 nxori n ë pah problematika domethënëse si pabarazinë në garë, keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe censurën në media.

Një pjesë e konsiderueshme e raportit flet për rolin e medias dhe ndikimin që pati si pushtet i katërt. Por sipas tij, shumica e mediave shqiptare varen nga financime të paqarta, të lidhura me interesa politike dhe biznesi, duke cenuar pluralizmin dhe cilësinë e informacionit publik.

“Përqendrimi i pronësisë në media minon më tej shumëllojshmërinë e burimeve të informacionit, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare”, thuhet në raport.

Në këtë këndvështrim, Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kërkon miratimin e një kuadri të plotë ligjor për transparencën e pronësisë dhe mbrojtjen e autonomisë redaksionale nga ndërhyrjet politike dhe ekonomike.

RTSH dhe AMA pa pavarësi reale

Sipas raportit, as Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) dhe as Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) nuk gëzojnë pavarësi të vërtetë institucionale.

“Procedura bipartizane e emërimeve nuk garanton pavarësinë faktike të tyre,” thuhet në dokument, teksa rekomandohet depolitizimi i këtyre institucioneve përmes një procesi të gjerë konsultimi publik me median e pavarur dhe shoqërinë civile.

Presioni dhe autocensura

Raporti vëren se pronarët e mediave ushtrojnë ndikim të drejtpërdrejtë mbi përmbajtjen editoriale, ndërsa autocensura mbetet praktikë e zakonshme mes gazetarëve.

“[…] gazetarët përballen vazhdimisht me sulme verbale dhe, në disa raste, edhe fizike nga zyrtarë publikë,” thekson raporti, duke shtuar se numri i konferencave qeveritare është ulur ndjeshëm teksa gazetarët pengohen të marrin pjesë në aktivitete.

Në shumë raste, mbulimi editorial është zëvendësuar nga materiale të prodhuara nga vetë institucionet.

Agjencia e Medias dhe Informacionit (MIA), që vepron nën zyrën e Kryeministrit, cilësohet “filtruese e informacionit publik”.

Sipas raportit, reduktimi i financimeve ndërkombëtare ka goditur edhe mediat e pavarura të shoqërisë civile, të vetmet që ofrojnë gazetari hulumtuese me interes publik.

Vëzhguesit e ODIHR-it dhe organizatat e shoqërisë civile kanë raportuar raste të frikësimit dhe pengimit të gazetarëve gjatë periudhës zgjedhore.

Liria e shprehjes dhe paditë strategjike (SLAPP)

Edhe pse Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes, raporti vëren se shpifja mbetet vepër penale në Shqipëri.

Gazetarët janë përballur me një numër të lartë padish civile dhe penale për shpifje, përfshirë raste të padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike, njohur me akronimin SLAPP.

OSBE-ODIHR rekomandon dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe harmonizimin e dispozitave civile me standardet ndërkombëtare.

Raporti përmend rastin e gazetarit Elton Qyno, të cilit iu sekuestruan pajisjet elektronike gjatë raportimit për një çështje të krimit të organizuar.

Gjykata, sipas raportit, e cilësoi sekuestrimin “ndërhyrje të tepruar në të drejtën e informimit publik”.

Pabarazia në mbulimin mediatik të fushatës

Kodi i Transmetimit kërkon mbulim të paanshëm gjatë zgjedhjeve, por Kodi Zgjedhor nuk garanton trajtim të barabartë për partitë joparlamentare.

Sipas raportit, dy partitë kryesore, Partia Socialiste (PS) dhe Demokratike (PD), dominuan hapësirën televizive, duke marrë mbi 40% të kohës në ekranet kombëtare (RTSH, TVKlan, Top Channel, A2-CNN, etj.), ndërsa garuesit e tjerë jo më shumë se 5%.

Një pjesë e madhe e materialeve televizive u prodhua nga vetë partitë politike. Raporti thekson se kjo qasje me mbulime të vetëprodhuara dhe paguara përbëjnë reklamë politike dhe vendosin në disavantazh garuesit që nuk kanë mundësi financiare.

ODIHR kërkon që çdo material i tillë i prodhuar nga partitë të etiketohet qartë si reklamë politike dhe të ndalohet përfshirja e tij në programet redaksionale duke shtyrë dhe institucionet si Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të garantojë zbatimin efektiv të ligjit.

Ndalimi i TikTok dhe fushata online e kufizuar

Raporti kritikon edhe vendimin e përkohshëm të qeverisë për mbylljen e platformës TikTok më 6 mars 2025, të cilin e konsideron “të papajtueshëm me standardet ndërkombëtare”.

Sipas ODIHR, ky ndalim kufizoi aftësinë e partive joparlamentare për të bërë fushatë në kushte alternative dhe të barabarta.

Në përfundim, raporti nënvizon se mjedisi i kontrolluar mediatik dhe mungesa e transparencës institucionale privuan qytetarët nga informacioni i pavarur dhe të besueshëm mbi garën zgjedhore.

Lexoni gjithashtu:

The post Raporti i OSBE-ODIHR: Censurë dhe pabarazi në media gjatë zgjedhjeve appeared first on Citizens.al.

Kodi i ri Penal: Cilat nene kërcënojnë lirinë e medias?

25 September 2025 at 13:22

Drafti i Kodit të ri Penal propozon dënime që rrezikojnë të heshtin gazetarët dhe të penalizojnë opinionin publik. Përmes një raporti analitik, qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) ngre alarmin për pasojat që mund të sjellë miratimi i tij pa reflektuar ndryshime.

Propozimi, i publikuar nga Ministria e Drejtësisë më 27 gusht, përfaqëson një nga reformat më të thella të legjislacionit shqiptar që nga viti 1995. Qeveria thotë se e përafron kodin me standardet evropiane. Por, sipas analizës së SCiDEV, ai rrezikon të instrumentalizohet për censurë.

Në një raport të detajuar me këndvështrim ligjor dhe të së drejtës në fushën e medias, SCiDEV ka vënë në pah nenet më problematike, të cilat mund të përdoren kundër gazetarëve, aktivistëve të shoqërisë civile, apo dhe vetë sinjalizuesit.

Ndër nenet më shqetësuese cilësohen ato për shpifjen, fyerjen, ndikimin në drejtësi dhe përdhosjen e figurave shtetërore. Raporti shoqërohet me pesë rekomandime konkrete.

Nenet më problematike: Nga shpifja te fyerja e rëndë

Neni 865 i draftit, zgjeron përkufizimin e shpifjes duke përfshirë dëmtimin e reputacionit të institucioneve dhe jo vetëm individëve, sanksionon faljen publike, përgënjeshtrimin dhe gjoba që mund të dyfishohen nëse shpifja ndodh në media apo rrjete sociale.

Formulimi heq specifikimin e deklarimeve “me dijeni se janë të rreme” të Nenit 120 që është aktualisht në Kodin Penal dhe ka qasje me dy standarde pasi përkrah zyrtarët duke rritur ndëshkimet për rastet ku situatat u adresohen atyre.

SCiDEV vlerëson se këto ndryshime nuk duhen miratuar pasi “bien ndesh me parimet e proporcionalitetit dhe me vetë rekomandimet e BE-së për dekriminalizimin e shpifjes”.

Formulimi i Nenit për shpifjen në draftin e Kodit Penal/Citizens.al

Neni 863 që trajton fyerjen, ndryshon Nenin 119 të Kodit aktual duke shtuar një kategori të re si “fyerja e rëndë” me përkufizime të paqarta ligjore (si: dëmtimi i vetëvelerësimit të viktimës, zakonet e mira, shqetësim i opinionit publik etj.) por që dënohet deri me 2 muaj burg.

Raporti ngre shqetësimin se këto formulime mund të përdoren për të ndëshkuar opinionet kritike apo komentet politike duke rritur frikën dhe vetëcensurën. Ngjashëm SCiDEV vlerëson se këto ndryshime nuk duhen miratuar pasi nuk përputhen me rekomandimet e BE-së, që rekomandon se dënimi me burg për fyerje duhet të eliminohet.

Në Nenin 536, që flitet për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit – për të cilin në Kodin aktual nuk ka pasur specifikime të ngjashme dhe konsiderohet si risi pozitive – ka formulime të paqarta si “rrethanat shtypëse” ndaj pavarësisë së gjyqësorit, apo “synimi haptazi” i ndikimit.

Formulimi nuk ofron mbrojtje për gazetarët. SCiDEV vlerëson se ai rrezikon të keqpërdoret për të cenuar lirinë e shprehjes së opinionit ndaj proceseve gjyqësore me interes të lartë për publikun, të cilat cilësohen si kritikë legjitime.

Praktika e vendeve të tjera kryesisht kufizohet me shpërndarjen e paligjshme të provave të hetimit teksa masa me burgim cilësohet jo proporcionale.

Ky koncept, që njihet si “scandalizing the judiciary”, ka origjinë nga “English Common Law” dhe në Mbretërinë e Bashkuar është shfuqizuar që nga viti 2013, pikërisht për shkak të rrezikut që ngre ndaj lirisë së shprehjes. Ndaj SCiDEV rekomandon që Neni 536 të riformulohet.

Zbehja e lirisë së fjalës, satirës dhe humorit politik

Neni 852 i titulluar “Shkelja e lirisë së mendimit dhe shprehjes” ndryshon Nenin 261 të kodit aktual për “Pengimin e ushtrimit të së drejtës për t’u shprehur, grumbulluar dhe manifestuar”. Ai zgjeron mbrojtjen e lirisë së shprehjes duke përfshirë “lirinë e shtypit”, por sipas SCiDEV mund të kishte si formulim “lirinë e medias”.

Në raport SCiDEV thotë se mbrojtja e ofruar nuk është sistematike e lidhur me dispozitat penale ekzistuese për dhunën ndaj gazetarëve dhe nuk përfshin masat anti-SLAPP që rekomandohen nga BE-ja. Ndaj ajo propozon që gazetarët të trajtohen njësoj si punonjës të shërbimeve me interes publik, dhe të përfshihen në Nenin 338, që sanksionon dhunën apo kanosjen ndaj tyre.

Neni 235, mbi “përdhosjen e Republikës” ndryshon Nenin 268 të kodit aktual që flet për “Poshtërimin e Republikës dhe simboleve të saj”. Ai parashikon dënime penale deri në katër vjet burg për “përdhosje të figurave shtetërore” si Presidenti, Kuvendi, Qeveria, apo edhe dëshmorët e Atdheut.

Formulimi i Nenit për përdhosjen e Republikës në draftin e Kodit Penal/Citizens.al

Përfshirja e këtyre kategorive e shndërron kritikën politike, satirën apo dhe vetë protestën në vepra penale. SCiDEV vlerëson se pika që i përfshin këto kategori duhet hequr.

“Origjina e këtij neni i ngjan ligjeve ‘lèse-majesté’. Këto janë hequr nga legjislacioni i Francës dhe Belgjikës si antidemokratike,” thekson raporti.

Neni 515, që trajton publikimin e akteve sekrete të hetimit – parashikim i cili nuk gjendet në Kodin aktual – lejon ndëshkimin me burg deri në katër vjet, edhe nëse informacioni është siguruar nga burime zyrtare. Ai nuk qartëson nëse gazetari apo qytetari që e publikon aktin mund të mbrohet në emër të interesit publik.

Ky formulim, në mungesë të përjashtimeve për gazetarët, mund të përdoret për të heshtur sinjalizuesit dhe mediat që raportojnë mbi korrupsionin apo proceset e rëndësishme. Ndaj SCiDEV rekomandon që ai të rishikohet.

Një draft-kod që mund të cenojë themelet e demokracisë

Në një kohë kur Shqipëria pretendon të përmbushë kriteret për integrimin në BE – madje me hapa të përshpejtuar sipas qeverisë brenda vitit 2030 – drafti i Kodit të ri Penal rrezikon aspekte të rëndësishme për një sistem demokratik si pluralizmi i mendimit, lirinë e medias apo dhe vetë hapësirën e debatit publik.

“Gazetarët dhe rojtarët e tjerë publikë […] nuk duhet të penalizohen penalisht për ushtrimin e një funksioni me interes publik,” thekson raporti i SCiDEV, sipas së cilit transparenca dhe përgjegjësia civile janë rrugët demokratike për mbrojtjen e dinjitetit më shumë se sa ashpërsimi i Kodit Penal.

Për këtë raporti përmbyllet duke rekomanduar: Dekriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, forcimin e mbrojtjes së gazetarëve dhe rojtarëve publikë, rishikimin e dispozitave që potencialisht kufizojnë shprehjen, harmonizimin me angazhimet evropiane dhe ndërkombëtare si dhe sigurimin e proporcionalitetit dhe qartësisë ligjore.

Lexoni gjithashtu:

The post Kodi i ri Penal: Cilat nene kërcënojnë lirinë e medias? appeared first on Citizens.al.

Plani për një Kuvend pa gazetarë shqetëson organizatat e medias

19 September 2025 at 14:16

Edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare, komuniteti i mediave dhe gazetarëve në Shqipëri janë shqetësuar nga diskutimi i përfolur privatisht se së shpejti pritet që gazetarët të mos lejohen të jenë pjesë e seancave parlamentare dhe transmetimet t’u përcillen medias të gatshme nga një regjistrues fiks.

Por kjo pengesë e prezencës fizike do t’u pamundësojë gazetarëve të drejtën për pyetje apo kontakte më të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e qytetarëve.

Ky plan është bërë i ditur nga kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një takimi me një grup gazetarësh që raportojnë mbi zhvillimet e parlamentit. Gjatë takimit, drejtuesi i grupit socialist thuhet të ketë theksuar faktin se shpesh regjistrime të gazetarëve që kanë pasur në fokus telefona të deputetëve, janë bërë publike, duke cenuar privatësinë e tyre.

Mbi këtë plan për ndryshime të praktikës së transmetimit, rrjeti SafeJournalists, partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR), Reporterët pa Kufij (RSF), dhe 23 organizata të tjera të medias në Shqipëri – përfshirë Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë, Citizens.al, Amfora, Faktoje etj. – i kanë drejtuar një letër publike kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshit.

“Kufizime të tilla do t’ia hiqnin publikut një nga hapësirat e fundit për të mbajtur përgjegjës deputetët dhe ministrat,” theksohet në letër.

Organizatat nënvizojnë faktin se përfaqësuesit e qeverisë rrallë mbajnë konferenca për shtyp apo marrin pjesë në debate televizive të pavarura, duke u mbështetur më shumë te komunikimi i kuruar përmes rrjeteve sociale dhe se heqja e kësaj hapësire do të ishte një hap pas për lirinë e medias dhe llogaridhënien demokratike.

Nënshkruesit e letrës kërkuan dialog të hapur midis palëve, me gazetarët, organizatat e lirisë së medias dhe subjekte të tjera të interesuara për të rishikuar sistemin e akreditimit parlamentar në mënyrë që të balancojë privatësinë me transparencën dhe të garantojë qasje domethënëse.

U kërkuan edhe protokolle të qarta për Gardën e Republikës për të parandaluar pengesat arbitrare ndaj gazetarëve, siç është vënë re gjatë vitit 2024, veçanërisht gjatë momenteve të tensionit politik.

Ndër kërkesa të tjera të parashtruara përmendim: Konferenca të rregullta për shtyp, të udhëhequra nga gazetarët, me pjesëmarrjen e Kuvendit; një mekanizëm të pavarur apelimi në mënyrë që vendimet për akreditim ose qasje të mund të kundërshtohen shpejt dhe në mënyrë të drejtë, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjitha mediat e akredituara etj.

“Hapja parlamentare dhe liria e medias janë elemente themelore në negociatat e anëtarësimit” përmbyllet letra.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që shumica socialiste përpiqet të krijojë një bllokadë e tillë për mediat dhe gazetarët.

Më 2 qershor 2021, Byroja e Kuvendit miratoi vendimin për ndryshimin e rregullores për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e medias pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Mesa duket ndryshimet që nuk u konkretizuan përpara katër vitesh, po mundohen të finalizohen në legjislaturën e re, sërish duke kërcënuar lirinë e medias.

Teksa zhvillimi i teknologjisë po ecën me ritme të atilla sa vetë postet e ministrave po zëvendësohen nga Inteligjencë Artificiale, tashmë përfaqësuesit politik mesa duket po shmangin jo vetëm fjalimet në parlament, por edhe përballjen me gazetarët, hallkën e vetme që i takon ata me interesin dhe presionin qytetar.

Lexoni gjithashtu:

The post Plani për një Kuvend pa gazetarë shqetëson organizatat e medias appeared first on Citizens.al.

Kriza financiare e RTSH-së, barrë mbi gazetarët

11 September 2025 at 17:10

Radio Televizoni Publik Shqiptar (RTSH) është duke u përballur me një krizë financiare, që ka lenë dhjetëra gazetarë dhe bashkëpunëtorë pa paga.

Kjo situatë është denoncuar publikisht nga gazetarët, të cilët po kërkojnë shpjegime.

Gazetarja Elsa Demo në një letër publike të publikuar në median Reporter.al të BIRN Albania, u shpreh se emisioni i saj “ARTES” do të ndalojë së transmetuari në televizionin publik.

“Sot duhet të isha në transmetim, dhe, me sa di, nuk është asnjë nga programet që realizohen nga bashkëpunëtorët e jashtëm. Kërkova dy herë takim me drejtoreshën e përgjithshme, edhe pse “nuk pret” më kishin thënë. Nuk ka përgjigje as stafi i saj”, u shpreh në letrën e saj publike gazetarja Demo.

Ndërsa u shpreh se prej muajsh gazetarët nuk janë paguar në televizionin publik.

Arka bosh’ nuk është argument. As kur bëhet fjalë për një institucion publik, të financuar nga taksapaguesit, dhe as kur bëhet fjalë për profesionistë që kanë përmbushur detyrimet e tyre”.

Të njëjtin shqetësim ndau edhe gazetarja e producentja Kozeta Kurti, që u shpreh se prej pesë muajsh ajo dhe stafi i saj nuk janë paguar.

“Në fillim u përpoqa jo vetëm vetë, por duke bërë katalizatorin edhe të bashkëpunëtorëve të mi, të tregoja mirëkuptim dhe empati për një grup njerëzish që janë rishtarë, që u duhet kohë të kuptojnë ku kanë ardhur, të analizojnë situatën etj, etj. Më vonë nuk lashë vend pa trokitur”, shkruan Kurti në një reagim publik.

Në prill të 2025-ës në krye të RTSH-së u vendos gazetarja Eni Vasili.

Vasili konstatoi se RTSH është në krizë, dhe dërgoi kërkese zyrtare për mbështetje financiare nga buxheti i shtetit, drejtuar ministrit te financave.

Sipas kërkesës, institucioni ka rreth 8 milionë euro detyrime për shkak të keqmenaxhimit të viteve të shkuara.

Organizatat e medias, thirrje për masa të menjëhershme

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalist) kërkoi nga RTSH-ja që të veprojë me hapa transparentë, duke publikuar një plan të qartë dhe me një afat konkret për të shlyer detyrimet.

“RTSH duhet të bashkëpunojë plotësisht me organet e mbikëqyrjes. Këshilli Drejtues duhet të mbajë mbledhje të hapura dhe të publikojë procesverbalet; Inspektorati i Punës duhet të verifikojë respektimin e kontratave dhe pagesave me mbështetjen aktive të RTSH; dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive duhet të vlerësojë vijimësinë e detyrimeve të shërbimit publik dhe standardeve të transparencës”, thuhet në komunikimin e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt.

Mes te tjerash, Rrjeti thekson se për çështjet gjyqësore të nisura nga ish-punonjësit e RTSH-së gjykata ka një rol thelbësor, ndëra publikut, si aktori më i rëndësishëm duhet ti rikthehet besimi tek media publike.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë u shpreh se ka kërkuar informacion për situatën por prej 10 ditësh nuk ka mundur të marrë një përgjigje nga RTSH-ja.

“Kjo qasje jo vetëm që dëmton rëndë të drejtat e punonjësve të medias, por cenon edhe besimin publik tek Televizioni Publik, i cili financohet nga taksapaguesit shqiptarë dhe ka detyrimin ligjor e moral për të respektuar standardet më të larta të transparencës dhe korrektësisë”, u shpreh Asociacioni, ndërsa i bëri thirrje drejtuesve të RTSH-së të marrin masa të menjëhershme.

RTSH ka qenë në qendër të debatit publik, që nga koha kur në krye të institucionit ishte Alfred Peza. Ai dha dorëheqjen një vit pas marrjes së detyrës në shtator 2024, pas një periudhe të tensionuar gjatë së cilës u kritikua për shkarkime të shumta të gazetarëve dhe punonjësve të RTSH-së.

Lexo gjithashtu:

The post Kriza financiare e RTSH-së, barrë mbi gazetarët appeared first on Citizens.al.

Organizatat dënojnë sulmin ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë

15 August 2025 at 14:56

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists), Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dënuan të premten gjuhën e rëndë ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), anëtarëve të bordit dhe drejtuesit të saj, Isa Myzyraj.

Një artikull me gjuhë denigruese u publikua pas reagimeve të AGSH-së për situatën në “News 24”. Artikulli anonim linçonte Asociacionin dhe drejtuesin e saj, gazetarin Myzyraj, me gjuhë ofenduese dhe homofobe.

Portali që botoi artikullin njihet për qasje në shkelje të të gjitha rregullave të etikës. Përgjithësisht shkrimet janë pa autor, teksa nuk ka asnjë emër publik se kush qëndron pas në redaksinë e saj.

Një vit më parë, ky portal linçoi edhe njerëz të tjerë aktivë në advokimin për lirinë e medias në Shqipëri.

Ngjashëm janë linçuar drejtuesja e qendrës “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SCiDEV), Blerjana Bino, dhe drejtuesi i “Këshillit Shqiptar të Medias” (KSHM), Koloreto Cukali, por dhe anëtarët e bordit të KSHM-së, sikurse edhe gazetarja Ola Xama.

Prej 9 gushtit, punonjësit e “News24” dhe rrjetit të mediave të lidhur me të, nuk kanë mundur të vijojnë punën, për shkak të ndërprerjes së sinjalit dhe marrjes së godinës nga policia.

ECPMF shprehu shqetësim për vendosjen e AGSH-së në shënjestër, duke e cilësuar sulmin pasojë të punës së saj për dokumentimin e ngjarjeve që përfshijnë mosmarrëveshjen e pronësisë mes qeverisë dhe kompanisë “Focus Media Group”, e cila ka lënë pa punë dhjetëra gazetarë.

Safe Journalists, e cilësoi gjuhën e përdorur si të papranueshme dhe theksoi se sulmet e tilla synojnë të diskreditojnë punën e gazetarëve dhe të nxisin klimë armiqësore ndaj gazetarisë së lirë në Shqipëri.

“Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut”, theksoi rrjeti.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi e quajti këtë akt një përpjekje për intimidim dhe denigrim, duke theksuar se përdorimi i stereotipeve dhe paragjykimeve cenon jo vetëm etikën, por është edhe i dënueshëm me ligj.

Komisionieri tha se po vlerëson nisjen e një hetimi për gjuhën që prek identitetin e individëve dhe pakicave shoqërore.

Rasti i fundit tregon se tensionet mes autoriteteve, pronarëve të mediave dhe gazetarëve po thellohen.

Sulmet verbale ndaj përfaqësuesve të medias përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për lirinë e shprehjes dhe transparencën publike.

Më herët, më 11 gusht, një faqe e rreme në rrjetet sociale e cila shfaqej me logo të njëjtë por me emrin “Asociacioni Gazetarëve Shqiptarë”, përhapi dizinformim në lidhje me qëndrimet e drejtuesit të AGSH-së dhe disa prej anëtarëve të saj që kishin të bënin gjithashtu me çështjen e “News24”.

Lexoni gjithashtu:

The post Organizatat dënojnë sulmin ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë appeared first on Citizens.al.

Injorohet vendimi i gjykatës, gazetarëve të News24 u pengohet sërish puna

14 August 2025 at 17:56

Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Tiranës, gazetarëve të News24 dhe Panorama vijohet t’u ndalohet qasja në pajisje dhe hyrja në mjediset e një prej dy godinave të grupit mediatik.

“Prej pesë ditësh po zhvillohet një situatë absurde, e cila duket se qëllimi final ka për t’i mbyllur gojën News24, BalkanWeb, Panorama TV, Gazetës Panorama, Panorama Sport dhe Gazetës Shqiptare”, u tha në rrjetin social zyrtar të televizionit “News24”.

Sipas “Nesw24”, media e tyre, ende sot, 14 gusht, është e rrethuar nga forcat e Policisë dhe Ushtrisë, por dhe punonjës të KAYO-s (Kompanisë Shtetërore të Prodhimit të Armëve), duke u trajtuar si një zonë ushtarake, ndërkohë që brenda godinës ndodhen vetëm kompjuterë pune dhe materiale të stafit mediatik që po kryejnë detyrën e tyre.

“U bëjmë thirrje autoriteteve shtetërore të zbatojnë menjëherë dhe plotësisht vendimin e gjykatës, në përputhje me të drejtat e gazetarëve dhe lirinë e medias në Shqipëri”, ishte reagimi i  organizatës “Safe Journalists Albania” të enjten.

Të martën, 12 gusht, Gjykata e Tiranës vendosi që brenda 48 orëve autoritetet policore dhe ushtarake të kryenin identifikimin dhe inventarizimin e sendeve të luajtshme dhe pajisjeve të sekuestruara nga mjediset e grupit mediatik të “News 24” dhe sipas rastit t`i vendoste në ruajtje apo t’ua lejonte gazetarëve t’i tërheqin.

Por deri më sot materialet e sekuestruara nuk u janë kthyer gazetarëve.

Pajisjet u sekuestruan me arsyetimin e boshatisjes së godinës së “News 24”, e cila sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) nuk ka paguar qiranë për godinën që prej shkurtit 2017 dhe se aktualisht detyrimet e saj “përllogariten mbi 2 milionë euro”.

“Përmbaruesi shtetëror, na thotë që për të hyrë në godinë, duhet të lini jashtë telefonat personalë. Është tallje ndaj vendimit të gjykatës, pasi Përmbarimit mund t’i teket të thotë që do hyni edhe pa brekë!”, përshkroi me ironi situatën gazetari Osman Stafa në rrjetet e tij sociale.

Kompjuterët dhe sendet personale të gazetarëve janë të vendosura momentalisht pranë Rezervave të Shtetit, në Rrugën “Bajram Tusha” në Shkozet, Durrës. Sipas drejtuesit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i vetmi person i autorizuar për tërheqjen e materialeve dhe sendeve të sekuestruara është administratori i “Fokus Media Group”.

Për bllokimin e punës së “News24” ka reaguar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri. Delegacioni theksoi se po e monitoron nga afër situatën dhe kërkon një zgjidhje ligjore, duke rikujtuar se liria e gazetarëve është thelbësore për funksionimin e shtetit të së drejtës.

“Është e rëndësishme që çdo veprim i ndërmarrë të mos cenojë mundësinë e gazetarëve për të ushtruar lirinë e tyre në përcjelljen e informacionit dhe  për të ruajtur konfidencialitetin e burimeve të tyre”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së në Shqipëri.

Gazetarët e “News24” nuk e kanë ndërprerë punën e tyre në asnjë moment, duke transmetuar në qiell të hapur, me një kamera dhe pa montazh.

Lexo gjithashtu:

The post Injorohet vendimi i gjykatës, gazetarëve të News24 u pengohet sërish puna appeared first on Citizens.al.

Bastisja e News 24: Gazetarët përballë sekuestrimit të materialeve

12 August 2025 at 17:19

Dy ditë pas fikjes së sinjalit të News 24, ndërhyrja ndaj “Fokus Media Group” ka përshkallëzuar. Forca ushtarake, me mbështetjen e “Policisë së Shtetit” ndërhynë në godinën e sekuestruar të televizionit (nr. kadastral 10/300), duke marrë materialet dhe sendet personale nga redaksitë e gazetarëve.

“Grabitje e redaksisë”

Të paprecedentë, e kanë cilësuar vetë gazetarët e News 24, mësymjen e forcave policore dhe ushtarake në boshatisjen e ambienteve të një prej godinave të “Fokus Media Group”.

Gazetari Osman Stafa ka raportuar ditën e djeshme, pasditen e 11 gushtit, sesi kamionë të mbuluar kanë sekuestruar materiale private, kompjuterë dhe sende personale në redaksitë e gazetareve.

“Rrezikohet të dekonspirohen burimet, duke i vënë këta të fundit në rrezik, së bashku me familjet e tyre”, u shpreh Stafa.

Forcat policore në nisje të operacionit janë konfliktuar me gazetarët, teksa këta të fundit kërkonin bazën ligjore me të cilën po veprohej.

“Ilir Proda duhet të mbajë përgjegjësi që punonjësit e tij nuk tregojnë bazën ligjore mbi të cilën po veprojnë”- u shpreh gazetari dhe kreu i Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) Isa Myzyraj.

Redaksia e televizionit News 24 i është drejtuar gjithashtu ambasadave të huaja, institucioneve ligjzbatuese, deputeteve të Parlamentit dhe kryetareve të partive politike, që të ndërhyhet menjëherë për të ndaluar konfiskimin e materialeve nga redaksitë.

Në reagimin zyrtar redaksia theksoi se në pajisjet kompjuterike ndodhen informacione të rëndësishme nga investigime mbi korrupsionin, të cilat jo vetëm që përbëjnë prova të mundshme kundër abuzimeve, por edhe rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e gazetarëve.

“Te godina e parë janë materialet e emisioneve investigative, si përshembull emisioni “Veting”, apo “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala”- tregon gazetari Klevin Muka për Citizens.al.

Ai thotë se zyrtarisht nuk i është komunikuar asnjë njoftim për ndonjë orar apo hapësirë, ku gazetarët mund të merrnin sendet personale.

“Nuk e dimë as çfarë po ndodh te godina e dytë, sepse është fushëpamja e zënë dhe ambienti është i rrethuar. Nuk kemi akses as atje!”- përmbyll ai.

Osman Stafa tregon për Citizens se sipas njoftimit të marrë nga kompania shtetërore e prodhimit të armëve KAYO, materialet e sekuestruara janë zhvendosur në Rrashbull, në afërsi të një strukture që përmban rezerva shtetërore.

Të papaguar, por me shpresë për rikthim

Edhe pse gazetarët e News 24, dhe mediave të grupit “Focus”, kanë disa muaj pa paga dhe sigurime, ata nuk e kanë ndalur misionin e tyre të informimit qytetar.

Momentalisht News24 po vijon operimin në qiell të hapur, duke transmetuar në kushtet më minimale materiale bruto nga një kamera.

“Teknikët kanë gjetur një format që të jemi në kanalin e News 24, por duke mos pasur asnjë lloj aksesi për editim, por vetëm transmetojmë live” – shpjegon gazetari Osman Stafa.

Dhoma Civile e Gjykatës së Tiranës e cilësoi sot si të paligjshëm ndërprerjen e punës dhe vendosi shoqëria KAYO duhet t’i garantojë punonjësve aksesin në godinën e gazetës Panorama, e cila ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2033, si edhe t’i kthejë me inventar të gjitha materialet e marra nga godina e sekuestruar, përfshirë sendet personale të gazetarëve dhe kompjuterët e punës brenda 48 orëve.

Përshkallëzimi i ngjarjes ka sjellë reagimin edhe të Irfan Hysenbelliu, pronari i “Focus Group” i News24 dhe Panorama TV, Gazeta Panorama dhe Panorama Sport, Panorama Online, Gazeta Shqiptare Online. Ai e ka cilësuar jo një “incident të zakonshëm”, por një akt brutal dhe që përbën një shkelje flagrante të lirisë së shtypit dhe të drejtës themelore të qytetarëve për t’u informuar.

“News24 nuk mbyllet. E vërteta nuk zhduket”- u shpreh Hysenbelliu.

Ndërsa Hysenbelliu nuk ka komentuar në lidhje me pagat e prapambetura të stafit të tij, gazetarët e News 24 e kanë artikuluar këtë problematikë edhe në protestën e mbajtur dje, 11 gusht, protestë e thirrur nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH).

“Një media e lirë nuk mund të ekzistojë pa gazetarë të mbrojtur në ambientin e tyre të punës, me sigurime dhe paga korrekte për punën e tyre”- tha gazetari Endri Xhafo gjatë fjalës së tij.

Ai përmbylli se protesta, nuk është vetëm për të kundërshtuar një veprim policor, por dhe për të thënë se të drejtat bazike të punonjësve të medias duhet të mbrohen çdo ditë, nga vetë gazetarët në radhe të parë, përpara se të arrihet në momente si ky.

Ekspertët: “Situata më shqetësuese që kemi parë ndonjëherë”

Kryetari  i “Këshillit Shqiptar te Medias” Koloreto Cukali e cilëson konfiskimin e materialeve të gazetarëve të News 24 të papranueshëm, por dhe si situatën më shqetësuese prej shumë kohësh.

“ Unë di që kur dikush nxirret nga përmbarimi jashtë ndërtesës, të gjitha objektet nxirren në oborr. Nuk merren dhe cohen nëpër vende që s’dihet se ku, aq më tepër kur janë materiale sensitive” – shprehet Cukali.

Cukali thekson se ende nuk dihet nëse ka pasur ndonjë procesverbal të mbajtur për materialet e marra.

“Nuk është problemi te një media, apo një kompjuterë, apo 40 dosje, por te çfarë vjen më mbrapa. Kjo është një demonstrim i hapur force, që ja ç’të gjen kur i kundërvihesh kryeministrit” – shton ai.

Sipas tij problematike është dhe mos mbulimi i kësaj çështje nga mediat e tjera dhe kjo tregon kryekëput një media tradicionale të kapur.

“Kur mediat injorojnë këtë lajm, kjo është një shenjë e keqe jo për median, kjo është një shenjë e keqe për publikun shqiptarë dhe kjo na lë të kuptojmë shumë qartë dinamikat pas kësaj” – përmbyll Cukali.

Ngjarja është denoncuar edhe nga 27 organizata ndërkombëtare dhe kombëtare të lirisë së medias, të cilat me anë të një deklarate të përbashkët kanë adresuar problematikat dhe kërkesat jo vetëm ndaj grupit “Focus Media Group”, por edhe ndaj institucioneve shqiptare.

Ndërhyrjen e 11 gushtit, organizatat e kanë cilësuar  “mbi baza ligjore të paqarta”, ku ligjshmëria dhe proporcionaliteti i këtij veprimi policor vendosen seriozisht në pikëpyetje.

Lexoni gjithashtu:

The post Bastisja e News 24: Gazetarët përballë sekuestrimit të materialeve appeared first on Citizens.al.

Gazetarët solidarizohen kundër bllokimit të “News24”

11 August 2025 at 14:14

Dhjetëra gazetarë, aktivistë dhe përfaqësues të opozitës protestuan sot para radiotelevizionit “News24” për mbylljen e sinjalit të transmetimit që iu bë nga policia asaj dhe mediave të tjera të lidhura me të. Prej 9 gushtit mjediset e këtij grupi mediatik nuk qasen dot nga rreth 230 punonjës pasi qeveria ia ka kaluar ndërtesën një kompanie shtetërore të prodhimit të armëve.

“Demokracia vdes në errësirë” ishte thirrja e Asociacionit  të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) për protestën që u mbajt sot përpara godinës së “News24”. Kreu i AGSH, Isa Myzyraj, kërkoi ndalimin e veprimeve nga ana e IKMT-së, Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e tjera të përfshira, duke paralajmëruar se “sot është News24, nesër mund të jetë çdo media tjetër”.

Drejtoresha e përgjithshme e News24, Anila Jole, u shpreh e tronditur nga ndërprerja e sinjalit, duke e quajtur ngjarjen jo vetëm goditje profesionale, por edhe personale.

“Konfliktet civile zgjidhen në gjykata, jo duke fikur ekranin e një televizioni. Liria e medias është themeli i demokracisë”, tha ajo, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe kolegëve gazetarë të mos lejojnë shuarjen e zërit të lirë.

Konteksti dhe dinamika e zhvillimit të çështjes

Radiotelevizioni “News24” dhe mediat e tjera të lidhura me të si “Gazeta Shqiptare” apo “BalkanWeb”, zotërohen nga “Focus Media Group”, e themeluar nga një ortakëri sipërmarrësish italian në vitin 2002.

Prej vitit 2003 “Focus Media Group” u vendos si qiramarrëse në mjediset e ish-Uzinës së Pjesëve të Ndërrimit të Automjeteve, njohur ndryshe si ish-“Uzina e Autotraktorëve”. Ajo mori godinën që ndodhet në anë të rrugës me numër kadastral 10/300.

Në vitin 2011 “Focus Media Group” u ble për rreth 6 milionë euro nga një ortakëri e kryesuar nga familja Hysenbelliu, e cila zotëron edhe kompaninë “Panorama Group”, që boton gazetat “Panorama” dhe “Panorama Sport”.

Prej vitit 2013 grupi mediatik mori me qira edhe një godinë tjetër pas selisë së “News 24”, e cila përdorej kryesisht për studiot e emisioneve. Godina ndodhet në pasurinë 10/304 e pretenduar nga qeveria.

Mëngjesin e së shtunës, datë 9 gusht, mjediset e radiotelevizionit “News24” dhe mediave të tjera të lidhura me të u rrethuan nga forca të shumta të policisë. Ata deklaruan se kishin urdhër për boshatisjen e godinës në pronën 10/300.

Rreth 230 gazetarë dhe punonjës të mediave u ndaluan të hynin në zyra. Ndërtesës iu shkëput energjia elektrike e për rrjedhojë televizioneve iu mbyll sinjali i transmetimit. Ata deklaruan se aksioni ishte pa paralajmërim dhe nuk u dha kohë për zhvendosjen e sistemit të transmetimit në godinën tjetër.

Opozita, organizata të medias dhe shoqërisë civile dënuan aksionin policor si të paprecedentë dhe cenim të lirisë së medias.

Në mesditë, Avokatura e Shtetit lëshoi një deklaratë për shtyp, në të cilën tha se kontrata e qirasë me familjen Hysenbelliu kishte përfunduar prej majit 2022 dhe se për çdo pretendim të ngritur gjykatat janë shprehur në favor të shtetit.

Avokatura tha se prej marsit 2025 godina i ishte dhënë përmes një vendimi të qeverisë kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve “KAYO”. Deklarata për shtyp (foto) nuk u gjend më online në faqen e Avokaturës, sot e hënë.

Harta kadastrale e botuar nga MEKI për situatën e pronësisë së News24.

Familja Hysenbelliu kundërshtoi këto pretendime duke i cilësuar “keqinformuese” dhe “të pavërteta”. Ajo i kërkoi Avokaturës të bënte publike vendimin e gjykatës që kërkon lirimin e ambientit, teksa denoncoi “ndërprerjen e dhunshme të aktivitetit mediatik” nga policia dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike si të paprecedentë.

Rreth orës 17:00 në mjediset e “News 24” u vendosën forcat e ushtrisë, teksa në rrjetet sociale u botua një version i kontratës së qirasë, që linte të nënkuptohej se ajo ishte e vlefshme deri në vitin 2033.

Por, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) u shpreh se kontrata në fjalë, ishte për pronën tjetër në zonën 10/304. Grupi mediatik u kundërpërgjigj duke thënë se kontrata lidhej me godinën ku operon “Panoarama TV”, që gjithashtu ishte mësyrë nga ushtria dhe ajo mund t’i lejohej për ta vazhduar punën.

Në një deklaratë tjetër, pasditen e së dielës, MEKI tha se familja Hysenbelliu nuk ka paguar qiranë për godinën që prej shkurtit 2017 dhe se aktualisht detyrimet e saj “përllogariten mbi 2 milionë euro”.

MEKI e shoqëroi deklaratën e radhës me një hartë kadastrale në të cilin shpjegohej ndarja e pronave të ish-Uzinës mes “Ndërmarrjes Industriale Nr.1” në varësi të saj dhe kompanisë “KAYO” në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Lexoni gjithashtu:

The post Gazetarët solidarizohen kundër bllokimit të “News24” appeared first on Citizens.al.

❌
❌