Një gazetare e Sky News gjatë transmetimit live ka sharë, një gabim i madh për kanalin e lajmeve.
Gjithçka ndodhi gjatë emisionit të mëngjesit të së shtunës në Sky News, me prezantueset Anna Jones dhe Kamali Melbourne, transmeton Telegrafi.
Gjatë një segmenti që mbulonte akuzat se David Walliams kishte ngacmuar dhe sjellë në mënyrë të papërshtatshme ndaj anëtareve femra të stafit, prezantueset kaluan te korrespondentja e arteve dhe argëtimit e Sky, Katie Spencer.
Spencer filloi të diskutonte karrierën e Walliams si komediane dhe shkrimtare për fëmijë përpara se të ngatërronte skenarin e saj dhe e frustruar të thoshte: 'Oh, dreqin, do të filloj përsëri. Mos më transmeto live kurrë duke sharë' përpara se të rifillonte segmentin përsëri.
Kamera më pas kthehet në studio për të zbuluar Jones dhe Melbourne me pamje të hutuar, të cilët më pas kërkojnë falje nëse shikuesit dëgjuan ndonjë gjuhë të keqe. /Telegrafi/
Mbrëmjen e djeshme, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi pritjen tradicionale me rastin e festave të fundvitit me gazetarë dhe përfaqësues të mediave.
Kreu i Shtetit, u uroi profesionistëve të medias një vit të ri plot suksese, duke theksuar se ky takim shkon përtej karakterit festiv dhe përfaqëson një shenjë mirënjohjeje për punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm.
Gjithashtu në fjalën e tij, Presidenti Begaj, vlerësoi rolin e gazetarisë si një profesion me sfida të mëdha dhe me përgjegjësi të lartë publike.
“Gjithmonë kam menduar se profesioni i mjekut është më i bukuri në botë. Në fakt jam gabuar, sepse, siç e thotë edhe shkrimtari kolumbian Gabriel García Márquez, gazetaria është profesioni më i bukur në botë. Është një profesion i vështirë, me shumë sfida, por me një përgjegjësi edhe më të madhe. Mjekët e kanë përgjegjësinë ndaj individit, ndërsa ju keni përgjegjësinë ndaj interesit publik. Ju keni qenë të pranishëm kudo, duke u përkushtuar dhe angazhuar gjithmonë”, u shpreh Begaj.
Duke vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm të gazetarëve në çdo situatë, Presidenti u shpreh se përkushtimi dhe prania e tyre janë thelbësore për funksionimin e demokracisë dhe për forcimin e besimit të publikut.
Begaj falenderoi përfaqësuesit e mediave për kontributin e dhënë gjatë gjithë vitit, duke nënvizuar se përgjegjësia për informimin e saktë dhe të vërtetë është ajo që e bën gazetarinë një profesion për të qenë krenar.
Fjala e presidentit Bajram Begaj:
“Mirëmbrëma të gjithëve!
Në fakt, unë nuk kam për të mbajtur fjalë.
Dua vetëm një minutë vëmendje.
Shumë faleminderit për pjesëmarrjen sot të gjithë ju, gazetarë dhe përfaqësues të medias!
E konsideroj si takim festiv, meqenëse jemi në prag të mbylljes së vitit, por më shumë se sa një takim festiv, është një mirënjohje, një mirënjohje për çfare ju bëni përgjatë gjithë vitit.
Në fakt, si çdo vit tjetër, ka qenë i pasur me ngjarje, nga ngjarjet rutinë, deri te ngjarjet dinamike, politike, që më mirë se ju, askush tjetër nuk i raporton.
Gjithmonë kam menduar se profesioni i mjekut është profesioni më i bukur në botë. Në fakt, jam gabuar, sepse, siç e thotë edhe shkrimtari i njohur kolumbian, Gabriel Garcia Márquez, “Gazetaria është profesioni më i bukur në botë”, sepse është një profesion i vështirë, me shumë sfida, por që ka një përgjegjësi shumë më të madhe se mjekët: mjekët përgjegjësinë e kanë me individin, ndërsa ju përgjegjësinë e keni me interesin publik. Dhe ju keni qenë prezent kudo për të raportuar, për të informuar. Keni qenë në rrugë, keni qenë në institucione, kohë pa kohë, duke u përkushtuar dhe duke u angazhuar gjithmonë.
Sot është dita për t’ju falënderuar për përkushtimin, për kontributin, dhe besoj se përgjegjësia e informimit për të vërtetën është ajo çfarë juve ju bën krenarë.
Shumë faleminderit për punën dhe misionin tuaj!
Në fund, dua ta mbyll, meqenëse jemi në prag të festave, duke uruar për secilin nga ju, për familjet tuaja, gëzuar festat, një vit sa më të mbarë e sa më të suksesshëm për ju dhe për të gjithë shqiptarët”, u shpreh presidenti Begaj.
Kërcënimet ndaj gazetarëve po shndërrohen në praktikë shqetësuese në Shqipëri, veçanërisht kur ndodhin pas raportimeve që prekin institucionet publike dhe mungesën e llogaridhënies.
Rasti i fundit ndaj gazetarit Osman Stafa, pas raportimeve nga Onkologjiku, rikthen në qendër të vëmendjes cenueshmërinë e gazetarëve në terren dhe mangësitë në garantimin e sigurisë së tyre.
Rasti i gazetarit Osman Stafa
Një kërcënim me jetë iu dërgua gazetarit Osman Stafa në “Instagram”, pas raportimeve të tij për kushtet në Spitalin Onkologjik. Mesazhi i kërkonte të mos shfaqej më në spital, me paralajmërimin se nëse do të bënte të kundërtën do të kishte pasoja.
Stafa e cilësoi kërcënimin përpjekje për ta trembur dhe tërhequr nga raportimet, të cilat kanë qenë të vazhdueshme duke ekspozuar vështirësitë që përballin pacientët e sëmurë në trajtimin e kancerit. Ai tha për Citizens.al se do ta vijojë punën në spital pa asnjë ndryshim.
“Nëse unë do të përballem me ata që janë pas kësaj gjësë [mesazhit], ose do të më rrihnin, ose do të më vrisnin,” tregoi Stafa për përmbajtjen e mesazhit duke shtuar se për të ka pasur “zero ndikim”.
Sipas tij, profili që i dërgoi mesazhin është hapur vetëm dy muajt e fundit. Rasti është denoncuar në polici, e cila ka nisur procedurat për identifikimin e autorëve.
“Kjo është sfida që po u bëj këtyre personave, që çfarëdo që të bëni, mua nuk më intimidoni me kërcënime të tilla,” theksoi Stafa.
Gazetari u shpreh se procedurat për identifikimin e personave që kërcënojnë ngjashëm në rrjetet sociale zgjasin 3-4 muaj, por që sidoqoftë autorët mundet të identifikohen.
“Në momentin që bëj kallëzim për kërcënim jete për shkak të detyrës, policia ia referon prokurorisë, prokuroria e çon në gjykatë dhe me vendim gjykate i shkohet kompanisë Meta, e cila sjell më pas të dhënat në çfarë e-maili është adresa dhe me çfarë numër telefoni”, përfundoi Stafa.
Organizatat e medias solidaritet dhe apel për hetim të menjëhershëm
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (SafeJournalists) përshëndeti denoncimin e menjëhershëm dhe vlerësoi raportimet e Stafës për Onkologjikun, që sipas tyre kanë rritur ndërgjegjësimin publik dhe kërkesën për llogaridhënie.
Ajo i bëri thirrje policisë dhe prokurorisë që ta trajtojnë rastin me prioritet, të identifikojnë autorin dhe të garantojnë që gazetarët të raportojnë lirisht pa frikë në punën e tyre.
“[…] gazetarët të kenë mundësi të raportojnë lirisht për çështje me interes publik, përfshirë funksionimin e institucioneve shëndetësore, pa pasur frikë nga hakmarrja”, u tha në deklaratë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkoi hetim të posaçëm, duke theksuar se kërcënimi lidhet me një cikël të gjatë investigimesh në institucionin kryesor spitalor të vendit.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e quajti rastin sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe theksoi se intimidimet anonime synojnë heshtjen e zbulimit të abuzimeve që dëmtojnë pacientët më vulnerabël.
Organizatat kërkuan garantimin e sigurisë për çdo gazetar që ushtron detyrën në interes publik.
Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi është përplasur me gazetarët në mbledhjen e Komisionit Qendror Zgjedhor duke thënë se gazetarët po shohin dokumentet dhe po këqyrin në kompjutera.
Kurteshi pas përmbylljes së punimeve të KQZ-së u tha gazetarëve që të tërhiqen në këndin që është i parashikuar për ta.
"Gazetarët përtej atje nuk kanë të drejtë të hyjnë këtu. Përfundimisht ne jemi marrë vesh këndi i mediave është atje, as nuk ju pengoi kërkush. Po i shohin dokumentet po këqyrin në kompjutera. Ju lutem këndi i mediave është atje. Ju lutem këndi i mediave është atje, largohuni", tha Kurteshi./kp/
Nga: Margaret Simons / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com
Ideja e shërbimit ndaj publikut është ngulitur në palcën e gazetarisë - qëkur u krijua ky profesion.
Qofshin lajmet cilësore për informim të qytetarisë, apo sensacionet dhe thashethemet, redaksitë e redaktorët gjithmonë në mendje kishin dëshirat dhe nevojat e audiencave - fisnike apo të ulëta.
Por, kjo marrëdhënie po ndryshon në mënyra të rëndësishme dhe të rrezikshme - ndryshimi më i fundit në 50 vjet, një përçarje e jetës sonë mediatike dhe publike e nxitur nga teknologjia.
Më lejoni të shpjegoj.
Nëse përdorni një motor kërkimi si Google, kohët e fundit, do ta keni vërejtur se kur kërkoni informacion për një temë, ju shfaqet një përmbledhje e thjeshtë e fakteve kryesore në krye të rezultateve të kërkimit. Janë të pranishme vegëzat për më shumë informacion, nëse dëshironi, por shumica e njerëzve kënaqen me përmbledhjen.
Kjo do të thotë se më pak njerëz klikojnë te faqet e mediave për të kërkuar lajmet. Deri tani, prirja është e vogël, por të gjithë presin që të rritet. Dhe, kjo minon modelet e biznesit të medias. Më pak shikueshmëri në faqen ose aplikacionin e një organizate mediatike do të thotë më pak abonentë dhe më pak reklamues të gatshëm që paguajnë për të arritur te një audiencë në rënie.
Le ta lëmë mënjanë, për momentin, çështjen e saktësisë së përmbledhjeve të gjeneruara nga robotët, sepse shumica e tyre janë mjaft të sakta. Gafat janë shumë të sikletshme, ndonjëherë të rrezikshme, por gjithashtu gjithnjë e më të rralla.
Kjo për faktin se kompanitë e IA-së [inteligjencës artificiale] - Google, OpenAI dhe të tjerët - po nënshkruajnë marrëveshje, me kompanitë mediatike, që lejojnë të përdorin përmbajtje të shkruar nga gazetarët, përfshirë dekada të arkivave mediatike, për të trajnuar dhe ushqyer robotët e tyre.
Shumica e kompanive të mëdha mediatike kanë nënshkruar një lloj marrëveshjeje, dhe është e lehtë të kuptohet pse. Modelet e biznesit të medias janë tensionuar vazhdimisht, madje janë thyer nga valët e njëpasnjëshme të ndryshimeve teknologjike.
Paratë që ofrohen për licencimin e përmbajtjes për kompanitë e IA-së janë thuajse të parezistueshme. Kur të gjithë këtë po e bëjnë, kush guxon të mbetet pas?
Kompanitë etike mediatike e mbrojnë marrëveshjen me kushte të formuluara për t’u dhënë pak kontroll dhe për të mbrojtur reputacionin e tyre.
Por, kjo mund të errësojë mekanizmin bazik - çarjen në marrëdhënien mes gazetarëve dhe audiencave të tyre. Bartja e fuqisë nga brendet mediatike te brendet e IA-së dhe pronarët e tyre.
Inteligjenca artificiale është kaq e re dhe zhvillohet kaq shpejt, saqë vetëm të marrët do të bënin parashikime këmbëngulëse. Ndoshta ka një flluskë, dhe ndoshta ajo do të shpërthejë. Ndoshta brenda pak muajsh do të dalë një model tjetër.
Por, kam frikë se nëse prirjet aktuale vazhdojnë, organizatat mediatike mund të kalojnë shumë shpejt nga modeli biznes drejt publikut, në një model biznes drejt biznesit.
Kompanitë e IA-së do të ndërhyjnë mes gazetarit dhe audiencës.
Sot, 22 përqind e australianëve paguajnë për lajme, sipas raportit vjetor për lajmet dixhitale të Universitetit të Kanberës.
Kjo sugjeron njëfarë besnikërie ndaj brendit. Por, 22 përqindëshi nuk është as afër shumicës. Dikur shumica e familjeve blinte gazetë. Tani, media cilësore komerciale nuk është më një biznes “masiv”. Është shërbim për një elitë.
Ata që nuk paguajnë marrin informacionin nga televizionet pa pagesë (ende të rëndësishme, por në rënie të shpejtë), rrjetet sociale (ende në rritje) ose shumë burime falas, përfshirë influencerët, podkasterët dhe partizanët politikë. Disa njerëz i shmangin krejtësisht lajmet. Në këtë vend mund të jemi mirënjohës që burimet falas përfshijnë transmetuesit publikë, të cilët janë gjerësisht të besueshëm dhe ruajnë standardet e saktësisë dhe paanshmërisë.
Tani, më shumë se kurrë, brendet cilësore të medias varen nga marrëdhëniet me audiencën për rëndësinë dhe mbijetesën financiare. Dhe, megjithatë, në marrëveshjet me kompanitë e IA-së, mund të jenë duke shkëmbyer pikërisht gjërat nga të cilat varet kjo marrëdhënie.
A ka rëndësi nëse gazetarët hulumtojnë dhe shkruajnë përmbajtje për përdorim nga bizneset e IA-së, e jo si shërbim i drejtpërdrejtë për publikun?
Ka shumë rëndësi.
Këto janë rreziqet:
Së pari, më e dukshmja: nëse gazetaria nuk i shërben interesave të atyre që kontrollojnë IA-në, përmbajtja mund të mos botohet ose mund të shtrembërohet apo të censurohet. Ne tashmë e shohim këtë në disa nga rezultatet e kërkimit që shfaqen nga Grok-u i Elon Muskut.
Së dyti, humbasim një nga përfitimet kryesore të qasjes në faqe, aplikacion apo kanal të një medie. Mëson për gjërat për të cilat as nuk të ka shkuar mendja të interesohesh, që udhëhiqen në një pako nga njerëzit që ushtrojnë gjykimin.
Një model i dominuar nga IA-ja, në anën tjetër, përgjigjet vetëm për pyetje mbi temat specifike, ose për atë që nxjerr nga kërkimet e mëparshme tua. Ai nuk kujdeset për ty si bashkëqytetar.
Së treti, nëse kompanitë mediatike humbasin marrëdhënien direkte me audiencën, ato bëhen më të prekshme ndaj sulmeve. Sa pak e mundur është që publiku të dijë apo të kujdeset, e lëre më të mobilizohet për të mbrojtur një organizatë mediatike që ka zemëruar qeverinë, nëse informacioni i saj është konsumuar si pjesë e një përzierjeje burimesh?
Dhe, a do të mbijetojë ndjenja e detyrës publike dhe qëllimit publik që ende motivon redaksitë dhe gazetarët më të mirë, nëse marrëdhënia direkte me audiencën ndërpritet apo dobësohet?
Nuk ka kuptim të pretendojmë se ndryshimi nuk po ndodh, apo se mund të shmanget. Por, rreziqet duhet të adresohen.
Organizatat mediatike duhet të hyjnë në lojë, të mbrojnë brendin e tyre duke ofruar përmbajtje cilësore. Duhet ta bëjnë përmbajtjen, përfshirë arkivat, më të lehtë për kërkim. Duhet t’u ofrojnë abonentëve robotët e tyre të brendshëm për pyetje-përgjigje. Kjo tashmë po ndodh në shumë organizata mediatike, por ndoshta jo mjaftueshëm shpejt.
Është shumë më e lehtë, kur buxhetet janë të pakta, të transferosh funksionalitetin te teknologjia e madhe, gjë që e rrit edhe më shumë dominimin dhe kontrollin e saj.
Ndoshta transmetuesit publikë të botës mund të bashkëpunojnë për të ndërtuar motorët e tyre të IA-së, të trajnuar mbi materiale të verifikuara faktike dhe që mbesin në duart publike.
Ose, ndoshta audienca do të ndiejë pakënaqësi ndaj përzierjeve të IA-së dhe zërit imitues.
Ndoshta njerëzit do ta vlerësojnë, dhe do të paguajnë për origjinalin, tekstin, thellësinë. Për intervistat dhe vëzhgimin dhe dëshminë - që janë zemra e gazetarisë.
Duhet të shpresojmë kështu.
Marrëdhënia midis gazetarit dhe audiencës është thelbësore për besimin, për qëndrueshmërinë, për aftësinë për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjeve të pakëndshme dhe lajmeve të padëshiruara.
Ajo është thelbësore për idenë e publikut dhe interesin publik.
Këtë të premte, ka pasur sërish replika mes gazetarëve dhe kryeministrit Edi Rama, për çështjen Balluku.
Teksa ai priste në Pallatin e Brigadave Marta Kos, kryeministri ka replikuar me një gazetare pasi ajo e pyeti nëse do ta shkarkonte Ballukun.
Rama: Kaq të vështirë e keni të respektoni kohën. Këtu jemi për të parë dhe ndjekur ardhjen e miqve sot, në një ditë kaq të rëndësishme për këtë vend.
Më pas mund t’i bëni të gjitha pyetjet. Kjo ‘hapni vendin, se do të hidhem’, nuk shkon.
Kujtojmë se dje GJKKO dha dy masa ndaj Ballukut, pezullim dhe bllokim të pasaportës, duke e ndaluar atë që të dalë jashtë vendit. Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.
Këtë të mërkurë, kryeministri i vendit Edi Rama, shmangu komentet lidhur me hetimet që po zhvillon SPAK ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur pas publikimit të raportit të Komisionit Europian, Rama u pyet nga gazetarët mbi hetimin ndaj Ballukut, por zgjodhi të mos japë asnjë përgjigje dhe të mbyllë konferencën me ambasadorin e BE.
Pyetja iu bë në anglisht, me qëllim që të dëgjohej edhe nga diplomati i BE.
Pas pyetjes, kryeministri mbylli konferencën, duke mos bërë asnjë koment mbi kete çështje.
Në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, misioni i OSBE-së në Kosovë ka lansuar dokumentarin “Përtej titujve”, që trajton rritjen e kërcënimeve ndaj profesionistëve të medias dhe nevojën urgjente për mbrojtje institucionale më të fortë.
I realizuar në bashkëpunim me gazetarë vendorë, dokumentari nxjerr në pah ngacmimet online, fushatat e njollosjes dhe sulmet fizike që janë shtuar ndjeshëm gjatë vitit 2025. Vetëm nga janari e deri tani janë raportuar 56 incidente kundër gazetarëve, duke e tejkaluar numrin total të rasteve të vitit të kaluar. Sipas OSBE-së, gazetaret gra mbeten veçanërisht të cenueshme ndaj kërcënimeve me bazë gjinore.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, tha se rritja e sulmeve dhe ngacmimeve online është shqetësuese dhe kërkon reagim të menjëhershëm.
“Rritja e sulmeve dhe e ngacmimeve online, veçanërisht kundër gazetareve gra, është thellësisht shqetësuese dhe e papranueshme. Nevojiten përpjekje më të mëdha e të vazhdueshme për t’u siguruar që gazetarët të mund të punojnë në mënyrë të sigurt e të pavarur”, tha McGurk.
Në kuadër të kësaj nisme, OSBE-ja ka organizuar edhe një debat televiziv me temën e njëjtë, që do të transmetohet sonte në TV Dukagjini në orën 19:00, ku panelistë – gazetarë dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë do të diskutojnë sfidat dhe përgjigjet institucionale ndaj kërcënimeve që përballen gazetarët.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, vuri në pah vështirësitë në të cilat po kalon gazetaria në vend
“Katër vitet e fundit kanë qenë më të vështirat për gazetarinë në Kosovë. Sulmet janë intensifikuar, ndërsa dënimet e buta po i trimërojnë autorët e krimeve”, tha Rexha.
Në të njëjtën linjë, përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias, Jan Braathu, paralajmëroi për kulturën në rritje të mosndëshkimit:
“Situata për gazetarët në Kosovë po përkeqësohet, me një kulturë shqetësuese të pandëshkueshmërisë. Autoritetet duhet ta njohin rolin thelbësor që luajnë gazetarët në demokraci dhe të veprojnë me vendosmëri për të garantuar sigurinë e tyre”, u shpreh Braathu.
Misioni i OSBE-së në Kosovë theksoi se siguria e gazetarëve është prioritet afatgjatë, duke kujtuar bashkëpunimin me Këshillin e Mediave të Shkruara, Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.
Përmes këtij bashkëpunimi, OSBE ka ofruar ndihmë juridike për gazetarët, ka dhuruar jeleke dhe xhaketa mbrojtëse me mbishkrimin PRESS, si dhe ka organizuar trajnime të përbashkëta me Policinë e Kosovës për raportim në situata krize.
Gjithashtu, organizata ka përgatitur një Udhëzues për raportim nga gjykatat, me qëllim që gazetarët dhe pjesëtarët e gjyqësorit të kuptojnë më mirë rolet dhe përgjegjësitë e ndërsjella. /Telegrafi/
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve”, e cila u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme A/RES/ 68/163, në vitin 2013.
Në vitet e kaluara më shumë se 1.000 gazetarë janë vrarë për raportimin e lajmeve dhe sjelljen e informacionit në publik. Në nëntë nga dhjetë raste vrasësit kalojnë të pandëshkuar.
Mosndëshkimi çon në më shumë vrasje dhe shpesh është simptomë e përkeqësimit të konfliktit dhe prishjes së ligjit dhe sistemeve gjyqësore.
UNESCO është e shqetësuar se pa ndëshkueshmëria dëmton shoqëritë e tëra duke mbuluar abuzime serioze të të drejtave të njeriut, korrupsionin dhe krimin.
Rezoluta e OKB-së u kërkoi shteteve anëtare të zbatojnë masa të caktuara që kundërshtojnë kulturën aktuale të pandëshkueshmërisë. Kjo rezolutë dënon të gjitha sulmet dhe dhunën ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave.
Ajo gjithashtu nxit shtetet anëtare të bëjnë çmos për të parandaluar dhunën kundër gazetarëve dhe punonjësve të mediave, për të siguruar përgjegjshmëri, për të sjellë para drejtuesve autorët e krimeve kundër gazetarëve dhe punonjësve të mediave dhe të sigurojnë që viktimat të kenë qasje në mjete të përshtatshme juridike.
Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve u zgjodh si datë në përkujtim të vrasjes së dy gazetarëve francezë në Mali, më 2 nëntor 2013./kp/
Oleh Petrasiuk, oficer i zyrës për informim nga Brigada e 24-të e Mekanizuar e ushtrisë ukrainase e emëruar sipas Mbretit Danylo, ka rrëzuar një dron rus që po përpiqej të sulmonte një ekip të huaj gazetarësh në qytetin Kostiantynivka në rajonin e Donetskut.
"Kjo ndodhi ndërsa shoqëronte një gazetar nga gazeta holandeze Het Nederlands Dagblad. Gazetari po dokumentonte shkatërrimin e kishës nga një sulm nga pushtuesit. Në atë moment, një dron armik përpoq të sulmonte ekipin e xhirimit”, u tha nga ushtria ukrainase, transmeton Telegrafi.
Oficeri nga divizioni i komunikimit të Brigadës së 24-të, Oleh Petrasiuk, e vuri re dronin armik në kohë dhe e rrëzoi me pushkën e tij.
Ky veprim i tij shpëtoi jetën e bashkëluftëtarëve të tij dhe gazetarit, kurse pamjet e këtij momenti janë publikuar në rrjetet sociale.
Në video shihet ushtari ukrainas që shënjestron dhe rrëzonin dronin, që kishte për cak bashkëluftëtarët dhe ekipin e huaj të gazetarëve. /Telegrafi/
Raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 nxori n ë pah problematika domethënëse si pabarazinë në garë, keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe censurën në media.
Një pjesë e konsiderueshme e raportit flet për rolin e medias dhe ndikimin që pati si pushtet i katërt. Por sipas tij, shumica e mediave shqiptare varen nga financime të paqarta, të lidhura me interesa politike dhe biznesi, duke cenuar pluralizmin dhe cilësinë e informacionit publik.
“Përqendrimi i pronësisë në media minon më tej shumëllojshmërinë e burimeve të informacionit, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare”, thuhet në raport.
Në këtë këndvështrim, Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kërkon miratimin e një kuadri të plotë ligjor për transparencën e pronësisë dhe mbrojtjen e autonomisë redaksionale nga ndërhyrjet politike dhe ekonomike.
RTSH dhe AMA pa pavarësi reale
Sipas raportit, as Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) dhe as Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) nuk gëzojnë pavarësi të vërtetë institucionale.
“Procedura bipartizane e emërimeve nuk garanton pavarësinë faktike të tyre,” thuhet në dokument, teksa rekomandohet depolitizimi i këtyre institucioneve përmes një procesi të gjerë konsultimi publik me median e pavarur dhe shoqërinë civile.
Presioni dhe autocensura
Raporti vëren se pronarët e mediave ushtrojnë ndikim të drejtpërdrejtë mbi përmbajtjen editoriale, ndërsa autocensura mbetet praktikë e zakonshme mes gazetarëve.
“[…] gazetarët përballen vazhdimisht me sulme verbale dhe, në disa raste, edhe fizike nga zyrtarë publikë,” thekson raporti, duke shtuar se numri i konferencave qeveritare është ulur ndjeshëm teksa gazetarët pengohen të marrin pjesë në aktivitete.
Në shumë raste, mbulimi editorial është zëvendësuar nga materiale të prodhuara nga vetë institucionet.
Agjencia e Medias dhe Informacionit (MIA), që vepron nën zyrën e Kryeministrit, cilësohet “filtruese e informacionit publik”.
Sipas raportit, reduktimi i financimeve ndërkombëtare ka goditur edhe mediat e pavarura të shoqërisë civile, të vetmet që ofrojnë gazetari hulumtuese me interes publik.
Vëzhguesit e ODIHR-it dhe organizatat e shoqërisë civile kanë raportuar raste të frikësimit dhe pengimit të gazetarëve gjatë periudhës zgjedhore.
Liria e shprehjes dhe paditë strategjike (SLAPP)
Edhe pse Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes, raporti vëren se shpifja mbetet vepër penale në Shqipëri.
Gazetarët janë përballur me një numër të lartë padish civile dhe penale për shpifje, përfshirë raste të padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike, njohur me akronimin SLAPP.
OSBE-ODIHR rekomandon dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe harmonizimin e dispozitave civile me standardet ndërkombëtare.
Raporti përmend rastin e gazetarit Elton Qyno, të cilit iu sekuestruan pajisjet elektronike gjatë raportimit për një çështje të krimit të organizuar.
Gjykata, sipas raportit, e cilësoi sekuestrimin “ndërhyrje të tepruar në të drejtën e informimit publik”.
Pabarazia në mbulimin mediatik të fushatës
Kodi i Transmetimit kërkon mbulim të paanshëm gjatë zgjedhjeve, por Kodi Zgjedhor nuk garanton trajtim të barabartë për partitë joparlamentare.
Sipas raportit, dy partitë kryesore, Partia Socialiste (PS) dhe Demokratike (PD), dominuan hapësirën televizive, duke marrë mbi 40% të kohës në ekranet kombëtare (RTSH, TVKlan, Top Channel, A2-CNN, etj.), ndërsa garuesit e tjerë jo më shumë se 5%.
Një pjesë e madhe e materialeve televizive u prodhua nga vetë partitë politike. Raporti thekson se kjo qasje me mbulime të vetëprodhuara dhe paguara përbëjnë reklamë politike dhe vendosin në disavantazh garuesit që nuk kanë mundësi financiare.
ODIHR kërkon që çdo material i tillë i prodhuar nga partitë të etiketohet qartë si reklamë politike dhe të ndalohet përfshirja e tij në programet redaksionale duke shtyrë dhe institucionet si Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të garantojë zbatimin efektiv të ligjit.
Ndalimi i TikTok dhe fushata online e kufizuar
Raporti kritikon edhe vendimin e përkohshëm të qeverisë për mbylljen e platformës TikTok më 6 mars 2025, të cilin e konsideron “të papajtueshëm me standardet ndërkombëtare”.
Sipas ODIHR, ky ndalim kufizoi aftësinë e partive joparlamentare për të bërë fushatë në kushte alternative dhe të barabarta.
Në përfundim, raporti nënvizon se mjedisi i kontrolluar mediatik dhe mungesa e transparencës institucionale privuan qytetarët nga informacioni i pavarur dhe të besueshëm mbi garën zgjedhore.
Gazetarët ndërkombëtarë ende nuk lejohen të hyjnë lirshëm në Rripin e Gazës, pavarësisht marrëveshjes për armëpushim në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit. Shoqata e Shtypit të Huaj (FPA) ka kërkuar zyrtarisht që gazetarëve t’u mundësohet qasja në këtë zonë bregdetare të mbyllur. Kërkesa u shqyrtua në një seancë të Gjykatës së Lartë në Jerusalem, e cila i dha qeverisë izraelite një afat prej…
Drafti i Kodit të ri Penal propozon dënime që rrezikojnë të heshtin gazetarët dhe të penalizojnë opinionin publik. Përmes një raporti analitik, qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) ngre alarmin për pasojat që mund të sjellë miratimi i tij pa reflektuar ndryshime.
Propozimi, i publikuar nga Ministria e Drejtësisë më 27 gusht, përfaqëson një nga reformat më të thella të legjislacionit shqiptar që nga viti 1995. Qeveria thotë se e përafron kodin me standardet evropiane. Por, sipas analizës së SCiDEV, ai rrezikon të instrumentalizohet për censurë.
Në një raport të detajuar me këndvështrim ligjor dhe të së drejtës në fushën e medias, SCiDEV ka vënë në pah nenet më problematike, të cilat mund të përdoren kundër gazetarëve, aktivistëve të shoqërisë civile, apo dhe vetë sinjalizuesit.
Ndër nenet më shqetësuese cilësohen ato për shpifjen, fyerjen, ndikimin në drejtësi dhe përdhosjen e figurave shtetërore. Raporti shoqërohet me pesë rekomandime konkrete.
Nenet më problematike: Nga shpifja te fyerja e rëndë
Neni 865 i draftit, zgjeron përkufizimin e shpifjes duke përfshirë dëmtimin e reputacionit të institucioneve dhe jo vetëm individëve, sanksionon faljen publike, përgënjeshtrimin dhe gjoba që mund të dyfishohen nëse shpifja ndodh në media apo rrjete sociale.
Formulimi heq specifikimin e deklarimeve “me dijeni se janë të rreme” të Nenit 120 që është aktualisht në Kodin Penal dhe ka qasje me dy standarde pasi përkrah zyrtarët duke rritur ndëshkimet për rastet ku situatat u adresohen atyre.
SCiDEV vlerëson se këto ndryshime nuk duhen miratuar pasi “bien ndesh me parimet e proporcionalitetit dhe me vetë rekomandimet e BE-së për dekriminalizimin e shpifjes”.
Formulimi i Nenit për shpifjen në draftin e Kodit Penal/Citizens.al
Neni 863 që trajton fyerjen, ndryshon Nenin 119 të Kodit aktual duke shtuar një kategori të re si “fyerja e rëndë” me përkufizime të paqarta ligjore (si: dëmtimi i vetëvelerësimit të viktimës, zakonet e mira, shqetësim i opinionit publik etj.) por që dënohet deri me 2 muaj burg.
Raporti ngre shqetësimin se këto formulime mund të përdoren për të ndëshkuar opinionet kritike apo komentet politike duke rritur frikën dhe vetëcensurën. Ngjashëm SCiDEV vlerëson se këto ndryshime nuk duhen miratuar pasi nuk përputhen me rekomandimet e BE-së, që rekomandon se dënimi me burg për fyerje duhet të eliminohet.
Në Nenin 536, që flitet për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit – për të cilin në Kodin aktual nuk ka pasur specifikime të ngjashme dhe konsiderohet si risi pozitive – ka formulime të paqarta si “rrethanat shtypëse” ndaj pavarësisë së gjyqësorit, apo “synimi haptazi” i ndikimit.
Formulimi nuk ofron mbrojtje për gazetarët. SCiDEV vlerëson se ai rrezikon të keqpërdoret për të cenuar lirinë e shprehjes së opinionit ndaj proceseve gjyqësore me interes të lartë për publikun, të cilat cilësohen si kritikë legjitime.
Praktika e vendeve të tjera kryesisht kufizohet me shpërndarjen e paligjshme të provave të hetimit teksa masa me burgim cilësohet jo proporcionale.
Ky koncept, që njihet si “scandalizing the judiciary”, ka origjinë nga “English Common Law” dhe në Mbretërinë e Bashkuar është shfuqizuar që nga viti 2013, pikërisht për shkak të rrezikut që ngre ndaj lirisë së shprehjes. Ndaj SCiDEV rekomandon që Neni 536 të riformulohet.
Zbehja e lirisë së fjalës, satirës dhe humorit politik
Neni 852 i titulluar “Shkelja e lirisë së mendimit dhe shprehjes” ndryshon Nenin 261 të kodit aktual për “Pengimin e ushtrimit të së drejtës për t’u shprehur, grumbulluar dhe manifestuar”. Ai zgjeron mbrojtjen e lirisë së shprehjes duke përfshirë “lirinë e shtypit”, por sipas SCiDEV mund të kishte si formulim “lirinë e medias”.
Në raport SCiDEV thotë se mbrojtja e ofruar nuk është sistematike e lidhur me dispozitat penale ekzistuese për dhunën ndaj gazetarëve dhe nuk përfshin masat anti-SLAPP që rekomandohen nga BE-ja. Ndaj ajo propozon që gazetarët të trajtohen njësoj si punonjës të shërbimeve me interes publik, dhe të përfshihen në Nenin 338, që sanksionon dhunën apo kanosjen ndaj tyre.
Neni 235, mbi “përdhosjen e Republikës” ndryshon Nenin 268 të kodit aktual që flet për “Poshtërimin e Republikës dhe simboleve të saj”. Ai parashikon dënime penale deri në katër vjet burg për “përdhosje të figurave shtetërore” si Presidenti, Kuvendi, Qeveria, apo edhe dëshmorët e Atdheut.
Formulimi i Nenit për përdhosjen e Republikës në draftin e Kodit Penal/Citizens.al
Përfshirja e këtyre kategorive e shndërron kritikën politike, satirën apo dhe vetë protestën në vepra penale. SCiDEV vlerëson se pika që i përfshin këto kategori duhet hequr.
“Origjina e këtij neni i ngjan ligjeve ‘lèse-majesté’. Këto janë hequr nga legjislacioni i Francës dhe Belgjikës si antidemokratike,” thekson raporti.
Neni 515, që trajton publikimin e akteve sekrete të hetimit – parashikim i cili nuk gjendet në Kodin aktual – lejon ndëshkimin me burg deri në katër vjet, edhe nëse informacioni është siguruar nga burime zyrtare. Ai nuk qartëson nëse gazetari apo qytetari që e publikon aktin mund të mbrohet në emër të interesit publik.
Ky formulim, në mungesë të përjashtimeve për gazetarët, mund të përdoret për të heshtur sinjalizuesit dhe mediat që raportojnë mbi korrupsionin apo proceset e rëndësishme. Ndaj SCiDEV rekomandon që ai të rishikohet.
Një draft-kod që mund të cenojë themelet e demokracisë
Në një kohë kur Shqipëria pretendon të përmbushë kriteret për integrimin në BE – madje me hapa të përshpejtuar sipas qeverisë brenda vitit 2030 – drafti i Kodit të ri Penal rrezikon aspekte të rëndësishme për një sistem demokratik si pluralizmi i mendimit, lirinë e medias apo dhe vetë hapësirën e debatit publik.
“Gazetarët dhe rojtarët e tjerë publikë […] nuk duhet të penalizohen penalisht për ushtrimin e një funksioni me interes publik,” thekson raporti i SCiDEV, sipas së cilit transparenca dhe përgjegjësia civile janë rrugët demokratike për mbrojtjen e dinjitetit më shumë se sa ashpërsimi i Kodit Penal.
Për këtë raporti përmbyllet duke rekomanduar: Dekriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, forcimin e mbrojtjes së gazetarëve dhe rojtarëve publikë, rishikimin e dispozitave që potencialisht kufizojnë shprehjen, harmonizimin me angazhimet evropiane dhe ndërkombëtare si dhe sigurimin e proporcionalitetit dhe qartësisë ligjore.
Edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare, komuniteti i mediave dhe gazetarëve në Shqipëri janë shqetësuar nga diskutimi i përfolur privatisht se së shpejti pritet që gazetarët të mos lejohen të jenë pjesë e seancave parlamentare dhe transmetimet t’u përcillen medias të gatshme nga një regjistrues fiks.
Por kjo pengesë e prezencës fizike do t’u pamundësojë gazetarëve të drejtën për pyetje apo kontakte më të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e qytetarëve.
Ky plan është bërë i ditur nga kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një takimi me një grup gazetarësh që raportojnë mbi zhvillimet e parlamentit. Gjatë takimit, drejtuesi i grupit socialist thuhet të ketë theksuar faktin se shpesh regjistrime të gazetarëve që kanë pasur në fokus telefona të deputetëve, janë bërë publike, duke cenuar privatësinë e tyre.
Mbi këtë plan për ndryshime të praktikës së transmetimit, rrjeti SafeJournalists, partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR), Reporterët pa Kufij (RSF), dhe 23 organizata të tjera të medias në Shqipëri – përfshirë Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë, Citizens.al, Amfora, Faktoje etj. – i kanë drejtuar një letër publike kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshit.
“Kufizime të tilla do t’ia hiqnin publikut një nga hapësirat e fundit për të mbajtur përgjegjës deputetët dhe ministrat,” theksohet në letër.
Organizatat nënvizojnë faktin se përfaqësuesit e qeverisë rrallë mbajnë konferenca për shtyp apo marrin pjesë në debate televizive të pavarura, duke u mbështetur më shumë te komunikimi i kuruar përmes rrjeteve sociale dhe se heqja e kësaj hapësire do të ishte një hap pas për lirinë e medias dhe llogaridhënien demokratike.
Nënshkruesit e letrës kërkuan dialog të hapur midis palëve, me gazetarët, organizatat e lirisë së medias dhe subjekte të tjera të interesuara për të rishikuar sistemin e akreditimit parlamentar në mënyrë që të balancojë privatësinë me transparencën dhe të garantojë qasje domethënëse.
U kërkuan edhe protokolle të qarta për Gardën e Republikës për të parandaluar pengesat arbitrare ndaj gazetarëve, siç është vënë re gjatë vitit 2024, veçanërisht gjatë momenteve të tensionit politik.
Ndër kërkesa të tjera të parashtruara përmendim: Konferenca të rregullta për shtyp, të udhëhequra nga gazetarët, me pjesëmarrjen e Kuvendit; një mekanizëm të pavarur apelimi në mënyrë që vendimet për akreditim ose qasje të mund të kundërshtohen shpejt dhe në mënyrë të drejtë, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjitha mediat e akredituara etj.
“Hapja parlamentare dhe liria e medias janë elemente themelore në negociatat e anëtarësimit” përmbyllet letra.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që shumica socialiste përpiqet të krijojë një bllokadë e tillë për mediat dhe gazetarët.
Më 2 qershor 2021, Byroja e Kuvendit miratoi vendimin për ndryshimin e rregullores për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e medias pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Mesa duket ndryshimet që nuk u konkretizuan përpara katër vitesh, po mundohen të finalizohen në legjislaturën e re, sërish duke kërcënuar lirinë e medias.
Teksa zhvillimi i teknologjisë po ecën me ritme të atilla sa vetë postet e ministrave po zëvendësohen nga Inteligjencë Artificiale, tashmë përfaqësuesit politik mesa duket po shmangin jo vetëm fjalimet në parlament, por edhe përballjen me gazetarët, hallkën e vetme që i takon ata me interesin dhe presionin qytetar.
Ky manual është ndërtuar për të ndihmuar studentët e gazetarisë që dëshirojnë të thellojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre për të raportuar mbi çështjet mjedisore me saktësi, etikë dhe ndikim publik. Në një kohë ku krizat klimatike, humbja e biodiversitetit, ndotja dhe keqinformimi janë përditshmëri, roli i gazetarit bëhet më i rëndësishëm se kurrë.
Sinan Idrizi, president i klubit Flamurtari dhe aksioneri i Air Albania, ka reaguar për dhunën qe u ushtoi ditën e djeshme ekipit të Piranjave. Por në vend që të reflektonte mbi ngjarjen, Idrizi me anë të një deklarate nga ana e klubit që zotëron, tentoi ta kthente çështjen sportive, ndërkohë qe gazetari Edon Kuqi shkoi ta pyeste për mospagesën e sanitareve të Air Albania.
Në deklaratë, Idrizi shton më tej, duke theksuar se gazetarët ishin agjentë të kamufluar si gazetarë. Dhe në fund shton se ishin te pajisur me armë të sofistikuara.
Deklarata e Plotë:
Flamurtari Football Club dënon me forcë ngjarjen e paprecedentë të ndodhur dje gjatë ndeshjes Tirana – Flamurtari. Gjatë zhvillimit të aktivitetit, një grup i paidentifikuar personash ndërhyri në mënyrë të paligjshme, duke penguar administratorin e klubit tonë të kryente funksionet e tij.
Ky akt është i papranueshëm dhe përbën një përpjekje të qartë për të denigruar dhe penguar aktivitetin sportiv të Flamurtarit. Dyshimet tona janë serioze se anëtarë të këtij grupi, të kamufluar si gazetarë, kanë qenë të pajisur edhe me armë të sofistikuara, çka e bën edhe më të rëndë ngjarjen dhe rrezikun e krijuar për sigurinë e pjesëmarrësve.
Falënderojmë drejtuesit e Klubit Tirana për ndërhyrjen e shpejtë dhe kontributin në normalizimin e situatës.
Flamurtari F.C. do të ndjekë deri në fund çdo hap ligjor dhe do të kërkojë zbardhjen e plotë të këtij incidenti, në mënyrë që sporti shqiptar të mos bëhet peng i akteve të dhunshme dhe tentativave për intimidim.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka sqaruar deklaratën e saj që ngjalli reagime duke theksuar se nuk ka thënë se gazetarët janë objekt hetimi nga institucionet e sigurisë, por se hetimet lidhen me rastin e Millan Radoiçiqit, dhe në kuadër të tyre janë përfshirë edhe persona të tjerë.
Osmani përmes një konference për media ka thënë se: “Nuk kam thënë që janë hetuar gazetarët, por institucionet kanë hetuar Radoiçiqin. E në kuadër të kësaj, dalin edhe të tjerët. Ata e dinë kush janë, 'kush e ka mizën pas veshit' ”.
Presidentja shtoi se nuk ka përmendur emra konkretë për të mos penguar hetimet në zhvillim dhe theksoi se është në kompetencë të institucioneve të sigurisë të përcaktojnë se kush është subjekt i hetimeve.
“Unë nuk ua determinoj institucioneve të sigurisë hetimet dhe nuk mund të dal me emra sepse do t’i pengoja ato. Por ata që e kanë mizën pas veshit, e dinë që e kanë. Në momentin që institucionet e sigurisë më thonë që nuk pengohet hetimi nëse unë i them emrat, do ta bëja. Po them që do të shokoheshit po t’i dinit emrat”, u shpreh Osmani. /Telegrafi/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar publikisht lidhur me incidentin e ndodhur të mërkurën, ku kameramani Jetmir Muji u ndalua afër shkollës ku ndjekin mësimet vajzat e saj.
Në një deklarim para mediave, Osmani ka mohuar kategorikisht se ndalimi është bërë me urdhërin e saj apo nga ekipi i saj i sigurisë.
“Ishte gënjeshtër që kinse mbrojtja ime e afërt e ka arrestuar gazetarin. Dje mbrojtja e afërt nuk e ka arrestuar, ata nuk arrestojnë gazetar. Ata kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, u shpreh presidentja.
Ajo sqaroi se ngjarja ndodhi në kohën kur fëmijët e saj po përgatiteshin të dilnin nga shkolla dhe se incizimi pa leje i të miturve është vepër e ndaluar nga ligji dhe etika mediale.
“Ju e dini shumë mirë që incizimi i paautorizuar është vepër penale, edhe e dini që në kodin e etikës për mediat e shkruara një nga nenet kryesore është ndalimi i incizimit të paautorizuar dhe pa lejen e prindërve për fëmijët nën moshën 18 vjeçare”, shtoi ajo.
Osmani po ashtu sqaroi se nuk është informuar për arrestimin e kameramanit në kohën kur ka ndodhur, dhe se nuk ka kërkuar e as nuk do të kërkojë ndonjëherë ndalimin e ndonjë gazetari.
“Nuk kam asnjë informatë as kur është arrestuar e as nga kush. Nuk kam bërë kërkesë, e as nuk do të bëjë ndonjëherë që të arrestohet ndonjë gazetar. Nuk kam çfarë të fsheh”, deklaroi presidentja.
Rasti ka hapur debat të gjerë në opinion për balancën mes të drejtës për privatësi dhe siguri të fëmijëve, dhe lirisë së medias për të raportuar, veçanërisht kur përfshihen figura publike dhe familjarët e tyre.
Presidentja ka theksuar se mbrojtja e fëmijëve të saj është e domosdoshme, sidomos për shkak të kërcënimeve të rënda që ajo dhe familja e saj kanë marrë, përfshirë kërcënime me dhunë dhe jetë. /Telegrafi/
Ditën e sotme, u mbajt tryeza e dytë e prezantimit të draftit sa i përket Kodit të ri Penal.
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi, njëkohësisht drejtues i grupit të punës për hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, prezantoi ndryshimet që parashikon të pasqyrohen në Kodin e ri.
Ai ka deklaruar se me ndryshimet kriminalizohet shpifja, ndërkohë që u ndal specifikisht në profesionin e gazetarëve.
“Shpifja, kjo është mjaft delikate nga të gjitha pikëpamjet .Mund të shpifë kushdo nuk është e domosdoshme që subjekti të jetë gazetar, ka sisteme nga ato që më duken të papërshtatshme që me ligj kanë përjashtuar gazetarët nga penalizimi i shpifjes. Ai sistem, sistemi belg në mos gaboj, më duket e para që cënon barazinë e njerëzve para ligjit, plus më duket fyes për gazetarët sepse nëse përjashtohen nga penalizmi për shpifjen më duket sikur u jepet licencë për të shpifur.
Apo më keq akoma përmban paragjykimin që po ata shpifin. Në fakt nuk është kështu. Misioni i gazetarit është tjetër gjë, lidhet me të vërtetën, fakteve dhe analizave që çon në të vërteta dhe konskluzione. Shqetësimi që gazetari të mos kërcënohet me penalitet sepse ekziston mundësia që mund të gabojë, dhe atij i duhet një mbrojtje, kjo është përjashtuar”, tha ai.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka zbutur tonin dhe ka dhënë sinjale për një qasje më të respektueshme ndaj gazetarëve, pas deklaratave të mëhershme të cilat ishin kritikuar si fyese apo denigruese ndaj mediave.
Në një deklarim të fundit, Basha u shpreh se ka respekt për profesionin e gazetarisë dhe se angazhohet për një marrëdhënie profesionale me mediat.
“Unë jam profesional dhe e respektoj punën e secilit gazetar, mendoj që gazetaria është e shenjtë edhe besoj në thënien e Jeffersonit se më mirë është me pas gazetari pa shtet, sesa shtet pa gazetari,” deklaroi ai.
Këto komente vijnë në kontrast me qëndrimet e tij të mëparshme, që ishin perceptuar si sulmuese ndaj disa gazetarëve.
Basha theksoi se asnjëherë nuk ka përdorur gjuhë fyese ndaj gazetarëve, por se reagimet e tij kanë qenë të drejtuara kundër shpifjeve dhe ofendimeve individuale.
“Kjo është keqinterpretua gjithmonë nga ata që s’ju ka pëlqye. Kam pas kritika ndaj atyre që kanë shpif e kanë ofendu,” tha ai.
Duke iu drejtuar komunitetit të gazetarëve, ai kujtoi se liria e shprehjes nuk përfshin shpifjen dhe fyerjen, duke u thirrur në kodin e etikës profesionale.
“Si gazetarë, përveç që e keni një kod të etikës, shpifja dhe ofendimi nuk është liri e shprehjes dhe kjo bie ndesh me kodin e etikës,” u shpreh kryeparlamentari. /Telegrafi/