Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka shfrytëzuar sot të drejtën e votës në kuadër të Zgjedhjeve Parlamentare, duke votuar në shkollën fillore “Tefik Çanga” në Ferizaj.
Pas votimit, kryeparlamentari Basha e cilësoi ditën e zgjedhjeve si festë të demokracisë, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në procesin zgjedhor.
Ai falënderoi të gjithë akterët institucionalë për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit.
“Zgjedhjet janë ditë feste për demokracinë, ku qytetarët e shprehin vullnetin e tyre përmes votës. Falënderoj të gjithë akterët për organizimin e procesit zgjedhor dhe bëj thirrje për një pjesëmarrje sa më të lartë, që së bashku të vendosim për të ardhmen tonë”, ka deklaruar Basha. /Telegrafi/
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha bashkë me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje e ministra në detyrë kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Pas homazheve, ai tha se kjo ditë është e shenjtë dhe i bashkon të gjithë shqiptarët.
“Sot pra festojmë Ditën e Flamurit, ditë jashtëzakonisht e shenjtë që i bashkon shqiptarët gjithandej përtej çdo kufiri, përtej çdo oqeani. Sot në Prekazin e lavdishëm festojmë gjithashtu ditën e shenjtë, kur kryetrimi ynë Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin në Lezhë, në vitin 1943. Sot festojmë Ditën e Pavarësisë dhe ngritjen e dy krenares në Vlorë, sot gjithashtu i festojmë daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga heroi ynë, Mujë Krasniqi, gjeneralët Daut Haradinaj dhe gjenerali dhe kolegu ynë, Rexhep Selimi. Dhe sot gjithashtu festojmë ditëlindjen e Adem Jasharit, komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është një ditë festash për shqiptarët kudo që ndodhën, është një ditë e shenjtë për neve dhe prandaj qytetarët nga të gjitha trevat, përfshirë edhe nga mërgata vijnë dhe festojnë këtu në Prekazin e lavdishëm, një ndër vendet më të shenjta që ka trevat shqiptare. Qofshim të bashkuar gjithmonë”, deklaroi Basha, raporton kp.
Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, pushojnë trupat e Jasharëve, të vrarë me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998. 28 nëntori shënon daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësinë e Shqipërisë dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari.
Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, u mbajt “Dita e Forcës” — ku dyert e ushtrisë u hapën për të gjithë qytetarët që dëshironin të shihnin nga afër pajisjet ushtarake dhe strukturën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se sot është një ditë krenarie për vendin.
“Gëzuar Dita e Ushtrisë sonë. Sot është një ditë krenarie sepse ushtria jonë e sotme është pasardhëse e denjë dhe krenare e UÇK-së. Në radhët e ushtrisë sonë çdo ditë po shtohen djem e vajza që duan t’i shërbejnë atdheut. Së bashku do të ecim përpara për ta bërë ushtrinë tonë që çdo ditë e mbron shtetin tonë me sakrificë”.
Ndërsa, ish-kryekuvendari Dimal Basha përshëndeti kontributin e FSK-së, duke thënë se ka bërë një punë të jashtëzakonshme.
“Ushtria jonë është vazhdimësi e lavdishme e popullit tonë. Jemi jashtëzakonisht krenar që FSK mbetet institucioni më i besueshëm në vend. Shpresoj që kjo punë e mirë të vazhdojë për një ushtri paqedashëse dhe për të gjithë ata që ranë për vendin tonë”.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti foli për rëndësinë e mbrojtjes dhe sigurisë, përcjell Telegrafi.
“Patëm nderin dhe kënaqësinë që t’i vizitojmë FSK-në në prezantimin e armatimit të tyre. Kjo na bën krenar që të ndjehemi të sigurt... është ditë e lumtur për të gjithë ne, sepse me FSK dhe me këtë ushtri të pajisur kaq mirë, brezat e rinj do të jenë të sigurt që të jetojnë në paqe dhe të lulëzojnë”.
Ai nënvizoi po ashtu se FSK–ja sot është shumë më e pajisur se më parë.
“Më përpara ushtria jonë ka pasur vetëm automatikë dhe revole, ndërsa tani FSK është e pajisur me pajisje moderne …kemi më shumë se dyfishim të kapaciteteve. Po ashtu planifikojmë të marrim edhe helikopterë tip 'Black Hawk' nga aleatët tanë, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara”, tha ai.
Në “Ditën e Forcës” sot, shumë qytetarë, duke përfshirë edhe fëmijë vizituan kazermën.
Ata kishin mundësi të takonin ushtarët, të shihnin pajisjet, e në disa raste edhe të bënin fotografi me udhëheqësit e lartë të shtetit. /Telegrafi/
Në kazermën “Adem Jashari”, dyert sot janë hapur për të gjithë qytetarët të cilët duan të shohin nga afër Ushtrinë e Kosovës.
Në “Ditën e Forcës” presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryekuvendari, Dimal Basha dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci vizituan kazermën duke parë nga afër pajisjet ushtarake të FSK-së.
Mes tjerash edhe fëmijët të cilët kishin mundësi të vizitonin kazermën me brohoritje përqafuan dhe shkëmbyen fotografi me liderët e vendit.
Ndërkaq, në “Ditën e Forcës” tradicionalisht ushtria pret qytetarët e saj.
Ndryshe, më 14 dhjetor të 2018-së, Kuvendi i Kosovës pati miratuar tri ligjet me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, pra, Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Pas këtij vendimi, po në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë ishte mbajtur një ceremoni ku është prezantuar Forca e Sigurisë së Kosovës. Në atë kohë, president i Kosovës ishte Hashim Thaçi, kryeministër Ramush Haradinaj dhe kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli. /Telegrafi/
Seanca e jashtëzakonshme për komisionet që do i hapnin rrugë shqyrtimit të buxhetit ka mbetur e hapur.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka deklaruar se seanca do të mbetet e hapur në rast se opozita ndryshon qëndrim.
“Ndërpres diskutimet këtu. Seanca mbetet e hapur në rast se ka ndryshim të qëndrimeve. Ftoj partitë që t’i bashkëngjiten për të mblidhur dhe miratuar këto ligje”, tha Basha.
Seanca u bojkotua nga PDK, LDK dhe AAK. /Telegrafi/
Ka nisur seanca e jashtëzakonshme për formimin e komisioneve parlamentare, në të cilën pritet të diskutohen buxheti, marrëveshjet ndërkombëtare dhe financimi i RTK-së.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka kërkuar që të mblidhet Kryesia e Kuvendit dhe të formohen komisionet e përhershme, transmeton Telegrafi.
"Jam i gatshëm ta thërras mbledhjen e kryesisë, dhe të formojmë komisionet e përhershme, në mënyrë që të votohen marrëveshjet ndërkombëtare, buxheti për tri komuna. Çështjet e kësaj seance nuk kanë të bëjë më veprime politike", tha ai.
Basha bëri thirrje që subjektet politike t’i analizojnë me maturi veprimet e tyre.
Seanca u bojkotua nga PDK, LDK, dhe AAK./Telegrafi/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, për të adresuar vonesat në pagesat e mbi 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, si pasojë e mosformimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa në legjislaturën e re.
Në letër, Osmani njofton se mbi 700 punëtorë të RTK-së kanë mbetur pa paga për shkak të mosformimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa në legjislaturën e re të Kuvendit.
Sipas Ligjit Nr. 08/L-332 për vitin 2025, vetëm ky komision ka kompetencën për të miratuar alokimin dhe transferimin e mjeteve financiare për RTK-në. Mungesa e këtij komisioni ka bllokuar procedimin e fondeve, duke krijuar një situatë të rëndë sociale për familjet e punëtorëve.
Për këtë arsye, Presidentja bën thirrje që grupet parlamentare të gjejnë kompromis dhe të formojnë urgjentisht komisionet e përhershme, përfshirë Komisionin për Buxhet dhe Financa, për të siguruar pagesat dhe stabilitetin institucional dhe financiar të vendit, raporton RTK.
Ajo kërkon që deputetët të ndërmarrin sa më shpejt hapat e nevojshëm për të shmangur vonesa të mëtejshme në këtë proces jetik.
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) i është drejtuar me një letër Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ku e falënderon për vëmendjen e kushtuar situatës së rëndë financiare në të cilën ndodhet RTK-ja, por njëkohësisht thekson se hapat aktualë nuk ofrojnë zgjidhje urgjente.
Në letrën e tyre, Sindikata thekson se kriza financiare ka arritur në pikën kritike, duke theksuar se krijimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa, i propozuar si mekanizëm për adresimin e problemit, nuk është masë që sjell zgjidhje të menjëhershme për mbi 700 punëtorët e transmetuesit publik.
Sipas SPERTK-së, edhe sikur komisioni të ishte funksional, “nuk do të ishte dashur të lejohej që situata të përshkallëzohej deri në këtë nivel”. Sindikata thekson se punëtorët janë në gjendje të rënduar sociale dhe ekonomike dhe nuk mund të presin më gjatë.
SPERTK i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërhyjë urgjentisht, duke përdorur mekanizmat ligjorë dhe institucionalë për të bërë të mundur ekzekutimin e pagave dhe stabilizimin e situatës brenda RTK-së.
Në fund të letrës, Sindikata nënvizon se zgjidhja duhet të vijë para formimit të komisionit të përhershëm për Buxhet dhe Transfere, pasi çdo vonesë e mëtejshme vetëm e rëndon gjendjen e punëtorëve.
Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës (SPRTK) dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës po protestojnë para Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie për mospagesën e pagave dhe mos-ekzekutimin e buxhetit të RTK-së nga institucionet përgjegjëse shtetërore.
Kryetari i Kuvendit, Dima Basha, ka folur para protestuesve, ku ka deklaruar se sa i përket çështjes së RTK-së, gjithçka që kërkohet është që Kuvendi të mblidhet dhe të miratojë komisionet parlamentare, në veçanti Komisionin për Buxhet, në mënyrë që të mund të miratohet raporti dhe të ekzekutohen mjetet për pagat e punëtorëve dhe funksionalizimin e RTK-së.
“Brenda ditës ne mund të mblidhemi t’i themelojmë ose t’i miratojmë komisionet parlamentare, në këtë rast vetëm Komisionin për Buxhet, të miratohet raporti dhe brenda ditës ekzekutohen mjetet për pagat e punëtorëve dhe funksionalizimin e RTK-së në përgjithësi”, tha Basha.
Ai theksoi se RTK-ja e ka mbështetjen e tij të plotë, gjë që ia ka bërë të ditur edhe Bordit dhe sindikatës. Sipas tij, ka marrë mbështetje edhe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga subjektet tjera jo shumicë jo-serbe.
“Unë mendoj që gjithashtu edhe subjektet tjera politike të bëhemi bashkë që ta miratojmë raportin, ta themelojmë komisionin, të ecim përpara, për shkak se edhe unë pajtohem që ka shumë familje që presin, kanë shumë obligime që duhet pa tjetër ta miratojmë këtë raport dhe të ecim përpara, për shkak që është e padrejtë me qenë se e kemi një kuvend të konstituuar”, u shpreh Basha. /RTK/
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Ganimete Musliu, i ka reaguar ashpër kryetarit të Kuvendit Dimal Basha, i cili ka deklaruar se rasti i Astrit Deharit është më i rëndë se ajo që kanë vuajtur shqiptarët nën regjimin e Sllobodan Millosheviqin.
Ajo ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Bashës nga kjo pozitë.
Musliu e quajti këtë deklaratë skandaloze, fyese dhe të papranueshme për çdo qytetar të Kosovës që ka përjetuar vuajtjet e luftës.
“Të krahasosh një rast tragjik individual me terrorin shtetëror, masakrat, dhunimet dhe dëbimet që Serbia e Millosheviqi ushtruan mbi mijëra shqiptarë, është një fyerje e rëndë ndaj kujtimit të viktimave”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Ajo shtoi se një kryetar Kuvendi që bën deklarata të tilla ose nuk e kupton peshën e fjalës publike, ose e përdor qëllimisht për të ndezur emocione dhe për të mbuluar paaftësinë politike.
Ligjvënësja nga radhët e PDK-së, e cilësoi deklarimin e të parit të Kuvendit, si “vazhdimësi të punimit shkencor kundër UÇK-së”.
Sot në 9-vjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes së Vetëvendosjes, Astrit Dehari janë bërë homazhe te varri i tij në Zllatar.
Homazhe bënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha dhe zyrtarë tjerë shtetërorë.
Kryetari i Kuvendit, Basha tha se po kujtojnë jetën dhe veprën e Astrit Deharit, një njeri shembullor dhe aktivist i pashoq, që siç tha ai “na tregon se ne duhet të vazhdojmë rrugën e tij, të qëndrojmë kundër padrejtësive që bëhen në këtë vend, e fatkeqësisht padrejtësia më e madhe i është bërë vetë atij”.
“Duhet ta kuptoni se edhe në kohën e Jugosllavisë, regjimi fashist ka sajuar aktakuza kur i kanë mbajtur njerëzit në burg. Astrit Deharin e kanë mbajtur në burg për 67 ditë pa aktakuzë, pa e marrë në pyetje, pa asgjë. Kjo është një prej akteve më të rënda që ka përjetuar vendi jonë pas luftës. Ju e dini që lufta, beteja më e madhe e popullit tonë është bërë për liri e drejtësi. Nuk e ka pritur askush që ne të vuajmë më keq sesa kanë vuajtur shqiptarët nën regjimin fashist të Millosheviqit dhe kjo ka ndodhur në rastin e Astrit Deharit”, deklaroi Basha.
“Mendoj që bashkë me Kryeministrin, Bacën Avni, Teutën, Xhemilen, Artën dhe të gjithë, bëjmë thirrje që të ketë drejtësi, sepse njerëzit kanë vdekur, kanë rënë, për me pas drejtësi kjo Republikë. Dhe tash presim drejtësi për Astrit Deharin. Duhet të merren në pyetje, siç e tha edhe Kryeministri, edhe vetë hetimet që janë bërë. Është e padrejtë që as pas 9 vjetësh nuk e dimë ende rezultatin dhe epilogun e këtij rasti për shkak se sistemi i drejtësisë nuk po merret me të”, tha tutje Basha.
Sipas tij, në Kosovë ka pas ndryshime në Kuvend e Qeveri, ndërkaq drejtësia vazhdon me lëngu.
“Edhe njëherë po them asnjë qytetar i republikës nuk e pranon këtë padrejtësi sepse mund të na ndodh të gjithë neve. Kështu që më vjen keq për sistemin që kemi dhe uroj e shpreson që të zbardhet rasti sa më parë”, tha ai. /Telegrafi/
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka pritur në takim shefin e Misionit për Kosovën nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), David Amaglobeli, i cili ishte i shoqëruar nga ekipi i tij.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet ekonomike dhe fiskale në vend, ku u vlerësua se Kosova po shënon një prej rritjeve më të larta dhe më të qëndrueshme ekonomike në rajon gjatë viteve të fundit.
Po ashtu, u theksua se Kosova mbetet vendi me nivelin më të ulët të borxhit publik në rajon, çka sipas vlerësimit të përbashkët reflekton menaxhim të kujdesshëm financiar dhe politika të përgjegjshme makroekonomike.
Kryetari Basha ka theksuar rëndësinë e miratimit sa më të shpejtë të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2026, me qëllim të garantimit të pagesave publike dhe funksionimit normal të institucioneve shtetërore.
“U bëj thirrje të gjitha subjekteve politike, pa dallim, që të tregojmë përgjegjësi institucionale dhe t’i themelojmë sa më parë trupat parlamentare, për të proceduar me miratimin e Buxhetit. Duhet të dëshmojmë stabilitet institucional dhe seriozitet politik në funksion të interesit qytetar dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit”, ka deklaruar Basha.
Takimi u vlerësua si konstruktiv dhe në funksion të bashkëpunimit të mëtejshëm mes institucioneve të Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë, ka kërkuar që të krijohen komisionet parlamentare, në mënyrë që të trajtohet buxheti i RTK-së, i tri komunave dhe i shtetit, mirëpo kjo nuk ka gjetur mirëkuptim.
Si pasojë, Basha thotë se punëtorët e RTK-së dhe po ashtu mbi 80 mijë zyrtarë publikë mund të mbesin pa paga, transmeton Telegrafi.
"Fatkeqësisht nuk kemi gjetur mirëkuptim. Jemi në një situatë të jashtëzakonshme. Kemi prit të ketë vullnet dhe te krijohen komisionet për të miratuara buxhetin e tri komunave, buxhetin e shtetit dhe për RTK-në. Mbi 700 punëtorë të RTK-së nuk do të marrin paga. RTK mbetet pa buxhet, tri komuna, dhe buxheti i shtetit mbeti pa u proceduar. Po ashtu, mbi 80 mijë mijë zyrtarë publikë mund të mbesin pa paga", theksoi Basha.
Ndryshe, edhe ekspertët e ekonomisë kanë paralajmëruar se vendi mund të hyjë në krizë ekonomike, si pasojë e mosvotimit të Qeverisë së Kosovës./Telegrafi/
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, mori pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të 102-vjetorit të Republikës së Turqisë, të organizuar nga Ambasada turke në Prishtinë.
Në njoftimin e Kuvendit thuhet se duke përcjell urimet më të sinqerta për popullin dhe shtetin turk, aleatin e çmuar të Republikës së Kosovës, kryetari Basha theksoi miqësinë e thellë mes dy popujve tanë, e cila shtrihet përtej kohës dhe lidhet ngushtë me historinë tonë.
Ai tha se shqiptarët përgjatë shekujve kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë dhe zhvillimin e Turqisë.
“Që nga ditët më të vështira të luftës, periudhës së rindërtimit e deri në forcimin e kapaciteteve shtetërore, Republika e Turqisë ka qëndruar krah nesh me mbështetje institucionale, ekonomike e humanitare. Sot, marrëdhëniet tona po ndërtohen mbi arritje konkrete, projekte zhvillimore dhe partneritet të fuqishëm politik e institucional”, deklaroi kryetari i Kuvendit.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë për Gjeneralin Ulutash dhe 730 ushtarët e kontingjentit turk që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, forca këto që, siç tha kryetari Basha, vazhdojnë të jenë të pranishme për shkak të politikave hegjemoniste të shtetit serb, i cili nuk e pranon realitetin tonë dhe vazhdon të ketë pretendime territoriale mbi ne.
“Republika e Kosovës e vlerëson Turqinë si partner strategjik me të cilin ndajmë vlera të përbashkëta për zhvillim, stabilitet rajonal dhe prosperitet për popujt tanë. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë, urojmë popullin turk për 102-vjetorin e Republikës së Turqisë, me dëshirën që miqësia dhe bashkëpunimi ynë i shkëlqyeshëm të forcohen edhe më shumë në shërbim të paqes, mirëqenies dhe të ardhmes sonë të përbashkët”, tha në fjalën e tij kryetari Dimal Basha. /Telegrafi/
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, priti sot në takime të ndara Kryesinë e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së dhe më pas anëtarët aktualë të Bordit të Transmetuesit Publik.
Gjatë këtyre takimeve u diskutua gjerësisht për gjendjen financiare të RTK-së, sfidat me të cilat po përballen punëtorët dhe pasojat që po shkakton vonesa e ekzekutimeve buxhetore për Transmetuesin Publik.
Basha shprehu mbështetjen e plotë për përfaqësuesit e punëtorëve dhe anëtarët e Bordit.
Ai theksoi rëndësinë e ndërhyrjes së menjëhershme për të garantuar funksionimin e RTK-së.
“Marrë parasysh gjendjen e jashtëzakonshme që gjendet RTK-ja dhe faktin që ne si Kuvend jemi themelues i RTK-së, është e domosdoshme që me urgjencë të vazhdojmë me formimin e trupave punuese të Kuvendit, në mënyrë që RTK-së t’i mundësohet operimi financiar për misionin e saj në shërbim të pandërprerë ndaj publikut,” deklaroi Basha.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në ceremoninë e mbrëmshme të organizuar nga Ambasada hungareze në Prishtinë, për shënimin e Ditës Kombëtare të Hungarisë.
Në adresimin e tij para të pranishmëve kryetari Basha në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, shprehu mirënjohjen për miqësinë dhe mbështetjen e palëkundur që Hungaria i ka dhënë Kosovës ndër vite.
"Nga njohja e Pavarësisë sonë, tek mbështetja në arenën ndërkombëtare, e deri te programi Stipendium Hungaricum përmes të cilit mbi 100 studentë tanë janë ndihmuar drejtpërdrejt të hapin horizontet e botës akademike në tërë botën, Hungaria e ka dëshmuar se është shtet mik i vërtetë dhe partner i qëndrueshëm i vendit tonë", tha kryetari Dimal Basha.
Në fjalën e tij kryetari Basha vlerësoi gjithashtu guximin dhe qëndresën e popullit hungarez për liri, që, ashtu si e kaluara e popullit tonë, mbetet frymëzim për brezat e ardhshëm.
"Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona", theksoi kryetari i Kuvendit, Dimal Basha. /Telegrafi/
Për herë të parë pas marrjes së detyrës si kryetar i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka dhënë intervistën e tij të parë në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Në këtë intervistë, kryetari i Kuvendit ka folur për Gjykatën Kushtetuese, lidhur me masën e përkohshme. Ai tha se beson se partitë shqiptare duhet të gjejnë vullnet e të bashkëpunojnë mes vete. Basha tha se nuk beson se do të ketë masë të përkohshme.
“Unë nuk mendoj se Gjykata Kushtetuese ka rast. Kjo u dëshmua herën e fundit, kur e fitoi një të drejtë kushtetuese zonja Emilija Rexhepi. Një e drejtë kushtetuese është vendimi i Kuvendit, tani me Nenad Rashiq dhe zonja Emilija Rexhepi si nënkryetarë të Kuvendit. Kjo pas shterimit të të gjitha opsioneve që ofron rregullorja e Kuvendit, dhe do të ishte komplet absurde me mendu që t’i refuzohej e drejta e një nënkryetari që i takon komunitetit serb, i cili përfaqëson komunitetin serb dhe është në linjë me rregulloren e punës së Kuvendit. Prandaj, unë nuk besoj se do të ketë masë të përkohshme, megjithatë do të dërgojmë komentet tona. Por Gjykata do ta injorojë këtë plotësisht, sepse nuk ka asnjë argument të vetmin. A i kanë numrat? Kjo varet nga mandatari që është kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe afati është deri të dielën, kështu që duhet ta kalojmë deri të dielën për të parë se kur do të thirret seanca dhe si do të procedohet”, tha ai.
“Unë vazhdoj me besu që partitë shqiptare duhet ta gjejnë vullnetin që të bashkëpunojnë mes veti. Herët a vonë këto parti do të bashkëpunojnë me njëra tjetrën sepse nuk kanë ku e qojnë njëra tjetrën . Kurrë nuk mendoj që një individ i cilitdo subjekt në këtë Republikë do me qenë pengesë që shteti me ec përpara. Këtë e kam bindje. Unë e di që në këtë Republikë me vite kanë luftuar për karrige. Mua nuk më impresionon asnjë pozitë.Unë mendoj që janë përgjegjësi që na shtinë me punua për këtë shtet dhe na ngarkon me përgjegjësi edhe më të mëdha, por në asnjë moment të vetëm nuk e shohë unë një karrige si formë ku duhet me e mbajt peng komplet shtetin”, tha ai .
Duke shtuar se me vendos subjekti dhe “me thanë që për hir të interesave kombëtare edhe nëse subjekti im kryesia nesër mblidhet thotë kjo është marrëveshja.
“Edhe para meja kanë lëshuar pozita shumë më të larta, as nuk duhet me qenë temë kjo që për një karrige një njeri e banë një luftë dhe kallet Kosova”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës është i konstituuar, tha nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu.
Ajo pasi u pyet nga KosovaPress në lidhje me ankesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese për seancën konstituive, tha se LVV-ja po pret votimin e qeverisë së re, derisa kanë mbetur edhe gjashtë ditë kohë mandatarit Kurti për ta formuar ekzekutivin e ri.
Më i rezervuar për të komentuar u shfaq kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i cili nuk ktheu përgjigjje për këtë çështje.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës me datë 10 tetor zgjodhi nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb.
Me 71 vota pro, Nenad Rashiq u emërua nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, pas nominimit të fundit pasi përfunduan kandidaturat e Listës Serbe. /Kp/
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka hedhur votën e tij për zgjedhjet lokale, në qytetin e Ferizajt.
Basha u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, të cilin ai e ka quajtur festë të demokracisë.
“Unë sapo ushtrova të drejtën time të votës, në një ditë që na bashkon të gjithëve për të vendosur mbi të ardhmen e komunave tona. Prandaj, ftoj të gjithë qytetarët të dalin masivisht dhe të votojnë, sepse vota është zëri juaj që dëgjohet dhe mënyra më e drejtpërdrejt për të ndikuar në vendimet që prekin jetën tonë të përditshme. Le të jetë kjo ditë festë e demokracisë, me votime të qeta, pjesëmarrje të lartë dhe me frymë të plotë qytetarie”, ka shkruar Basha në Facebook.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Dimal Basha është dënuar për shpifje nga Gjykata Themelore e Ferizajt, duke u detyruar që të paguajë 25 mijë euro si kompensim.
Për këtë dënim, avokati i Bashës, Fitim Shabani ka thënë se padia ndaj klientit të tij është e pabazë dhe se do të kundërshtohet në mënyrë të argumentuar përmes ankesës.
Avokati Fitim Shabani ka thënë për KosovaPress se ky është rasti i tretë për gjykim, pasi dy të parat ishin refuzuar. Ai ka thënë se vendimin e kanë pranuar dhe se ankesën ende nuk e kanë dorëzuar pasi që është në fazë të përgatitjes. Ai ka shtuar se kjo padi nuk ka bazë dhe në momentin se kur të përgatitet ankesa do të bëhet publike.
“Nuk është ky vendimi i parë, i cili është nxjerrë, ky është rasti për herë të tretë për gjykim. Në dy seancat e para kur është gjykua, njëherë është anuluar për shkaqe procedurale padija e paditësit, herën e dytë është refuzuar, tash për herë të tretë në rigjykim, iu është aprovuar në shkallë të parë, vendimin e kemi pranuar dje, ankesën akoma nuk e kemi dorëzuar, jemi në fazë të përgatitjes. Ne kemi besuar dhe besojmë që nuk ka asnjë bazë kjo padi dhe patjetër që edhe ankesën kur ta përgatisim do ta bëjmë publike dhe me pa argumentet tona cilat kanë qenë”, ka thënë Shabani.
Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha është dënuar dje nga gjykata për shpifje, duke u obliguar të paguajë 25 mijë euro kompensim dhe të kërkojë falje ndaj një biznesmeni nga Ferizaj. Basha përmes vendimit të gjykatës detyrohet ta tërheqë shkrimin editorial të tij, të publikuar në media para 6 vjetësh.
Kujtojmë, në vendimin e parë Gjykata e Ferizajt kishte hedhur padinë kundër Dimal Bashës. Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin e gjykatës së shkallës së pare, por e kishte çështjen në rigjykim për çështje procedurale. Pas kësaj gjykata e shkallës së parë kishte marrë vendim, përmes të cilit është vendosur në mënyrë meritore për çështjen. Me atë vendim, sipas avokatit të Bashës, është refuzuar padia. Me vendim të Gjykatës së Apelit çështja është kthyer përsëri në rigjykim.
Aktvendimin gjykata e ka marrë në korrik 2025, por palëve të përfshira u ka shkuar më 30 shtator 2025. Sipas Gjykatës dhe vendimit të marrë tashmë kundër Bashës e gjithë kjo procedurë kishte nisur pas një shkrimi në media dhe më pas në disa postime në Facebook.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur vendimin ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, duke e dënuar për shpifje dhe fyerje ndaj një qytetari.
Sipas aktgjykimit të datës 22 korrik 2025, gjykata ka aprovuar pjesërisht padinë e ngritur kundër Bashës dhe e ka obliguar atë që:
të tërheqë shkrimin editorial të publikuar më 1 korrik 2019 dhe postimet pasuese të tij në portalin “I.” dhe në llogarinë personale në rrjetin social “Facebook”,
t’i kërkojë falje publike paditësit në të njëjtat media ku ishin bërë shpifjet, duke u zotuar se nuk do të përsërisë deklarime të ngjashme,
dhe të paguajë 25 mijë euro si kompensim për dëmet e shkaktuara në emër të shpifjes dhe fyerjes së personalitetit të paditësit.
Gjykata paralajmëroi se moszbatimi i këtij vendimi do të shoqërohet me pasoja ligjore.