Greva një mujore e minatorëve të Spaçit, e shoqëruar me akuza për shkelje dhe presion mbi aktivitetin sindikal, e detyroi ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, të raportojë para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.
Ndërsa deputetët u rreshtuan hapur krah minatorëve, ministrja Ibrahimaj zgjodhi një rol neutral, duke theksuar vetëm ndërmjetësimin institucional, një qëndrim që la pezull pyetjet kyçe mbi përgjegjësitë e shtetit në këtë konflikt të zgjatur.
Ministrja Ibrahimaj solli para komisionit një panoramë të përgjithshme të situatës. Ajo tha se koncesionarit turk “Tete Albania” dhe Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) iu ishte kërkuar kthimi në punë i grevistëve me qëllim që të mos përkeqësohej situata financiare për të dyja palët.
“Përfaqësuesit e kompanisë shprehën gadishmërinë për takimin me minatorët ndërkohë që ranë dakord të rikthejnë menjëherë në punë 45 minatorë, ndërsa për pjesën tjetër të tyre (22), të vlerësohej rast pas rasti,” tregoi ministrja për takimin e fundit të kryer në Spaç, ku minatorët nuk pranuan të merrnin pjesë.
“U njoftuan paraprakisht të gjithë ish-të punësuarit dhe KSSH, pasi takimi në kushtet kur nuk ka një kontratë kolektive duhet të ishte ndërmjet punonjësve, ministrisë dhe kompanisë,” vijoi ministrja Ibrahimaj.
Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, theksoi që në fillim se e drejta e punës është e drejtë kushtetuese për të cilën nuk negociohet. Për këtë, ajo e konsideroi grevën e minatorëve si një e drejtë e ligjshme.
“Ajo që ka ndodhur me pushimin e 67 minatorëve në minierën e Spaçit është në shkelje jo vetëm e kushtetutës, ligjeve të këtij vendi, por edhe i çdo parimi normal, moral dhe etik i një biznesi që operon me një leje dhe licencë në Shqipëri”, tha Tabaku.
Ministrja, në raportimin e situatës, u përqendrua edhe te informimi nga ana e Inspektoratit të Punës, duke deklaruar se konflikti ka të bëjë me “mos-dakordësinë me dokumentacionin përfaqësues sindikal dhe procedurat për nisjen e negociatave për shpalljen e grevës”.
“Greva nisi pa njoftim paraprak,” vijoi ministrja Ibrahimaj, sipas së cilës kjo kërkonte vlerësim të mëtejshëm teksa aktiviteti në minierë vijon të jetë pjesërisht i ndërprerë, me vonesa teknike dhe në rrezik për sigurinë.
Në këtë çështje, deputetët u bënë bashkë, si nga opozita ashtu edhe nga pozita duke u rreshtuar krah minatorëve si një rast që ka të bëjë me pasurinë kombëtare.
Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti tha se përfaqësuesit e ministrisë kanë kërcënuar minatorët duke iu thënë të rikthehen në punë, “përndryshe mbeten pa bukë”.
Ajo pyeti më tej ministren nëse ishte në dijeni për kushtet e punës dhe për raportimet se minatorët janë detyruar të firmosin deklarata ku heqin dorë nga çdo e drejtë.
Ministrja u shpreh se nuk kishte dijeni për to dhe se do të kërkonte informacione konkrete për vërtetësinë e tyre.
Deputeti Erion Braçe u shpreh se nuk duhej lejuar që koncesionari turk të shkelë Kushtetutën, pasi nuk është lejuar anëtarësimi në sindikatë i minatorëve.
“Nëse pronari do të ketë sindikatë të vetën ta bëjë diku tjetër, është vullneti i punëtorëve për të zgjedhur sindikatën. Konfederatën e keni në këshillin e punës, kush është ajo kompani që e vë në dyshim?! Kur ai thotë nuk të njoh se s’dua sindikatë, çfarë negociate do të bësh?! Nuk negociohet Kushtetuta me pronarin e një kompanie!” theksoi Braçe.
Por, më pas deputeti socialist këmbënguli që minatorët të kthehen në punë dhe më tej të negociojnë për kontratat kolektive, duke sjellë në vëmendje faktin se minatorët në minierën e bakrit në Spaç punonin 26 ditë në muaj, më shumë nga sa e parashikon ligji.
Pyetjes nëse ka pasur inspektime në këtë kompani iu përgjigj kreu i Inspektoratit të Punës, Eljo Muçaj, i cili tha se “nuk ishin konstatuar shkelje”.
“Tete Albania është inspektuar 10 herë, ka vetëm një denoncim për orët shtesë në vitin 2023. Tete është gjobitur dy herë në vitin 2024, me nga 400 mijë lekë, aksidentet nuk kanë qenë me pasoja për jetë”, u shpreh Muçaj.
Më tej ai deklaroi se edhe për një aksident të dhjetorit 2024 është gjobitur nënkontraktori, ndërsa kushtet në minierë “janë normale” dhe “pagat janë 20-30% më ta larta se pagat që ka kjo industri”.
Në këtë pikë, deputeti socialist Ardit Bido solli në pah diferencimin e punonjësve shqiptarë nga ata turq sa i takon pagave.
“Në këtë listpagesë që kemi përpara, një inxhinier gjeolog shqiptar paguhet me 272 mijë lekë, ndërsa një turk paguhet 459 mijë lekë”, tregoi Bido.
Ndërsa të njëjtën çështje solli edhe deputeti demokrat Gazment Bardhi.
“Ka diferencime të frikshme mes punonjësve shqiptarë dhe turq. Ata që janë punëtorë turq për të njëjtën punë marrin dy-tre herë më shumë”, tha Bardhi.
Gjatë raportimit, ministrja Ibrahimaj nuk u ndal te shqetësimet e minatorëve dhe as te kërkesat e tyre gjatë kësaj periudhe, sikurse organizimi sindikal, nënshkrimi i një kontrate kolektive, kushte më të mira në punë, siguri dhe paga më të mira.
Sot, përpos kushteve atmosferike minatorët vijojnë të jenë në grevë, e cila nisi më 13 tetor, ndërsa protesta dhe bojkoti i punës kishte nisur që pesë ditë më herët, më 8 tetor.
Përpos negociatave dhe takimeve në zyrën e pajtimit dhe në ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit ende nuk ka një dakordësi për zgjidhjen e situatës.
Pikënisja dhe organizimi i minatorëve të Spaçit
Më 8 dhe 9 tetor rreth 70 minatorë të Spaçit bojkotuan punën dhe u mblodhën në protestë para ambienteve të minierës së bakrit dhe kompanisë “Tete Albania” për kushte më të mira, siguri dhe nënshkrim të kontratës kolektive duke njohur sindikatën e tyre të formuar më 16 gusht 2025.
KSSH-ja iu drejtua kompanisë për të filluar diskutimin e bisedimeve për nënshkrimin e kontratës.
Më 7 tetor, kompania iu drejtua KSSH-së me shkresë duke i thënë se ka mungesë dokumentacioni.
Sipas saj sindikata e re nuk kishte dorëzuar dokumentacion të vlefshëm ligjërisht dhe se KSSH nuk kishte paraqitur listën e anëtarëve apo vendimin e krijimit të saj.
Më 8 tetor, KSSH njoftoi kompanisë “Tete Albania” për nisjen e grevës së përgjithshme pa afat më 13 tetor.
Me një shkresë, kompania iu drejtua KSSH-së më 9 tetor ku i theksoi paligjshmërinë e grevës.
“KSSH-ja nuk ka provuar që anëtarët e konfederatës janë punëmarrës të shoqërisë së tyre, ndaj edhe nuk ka asnjë tagër dhe të drejtë për të zhvilluar bisedime në emrin e tyre”, thuhej në shkresën e kompanisë drejtuar KSSH-së.
Më 10 tetor u mbajt një takim ndërmjetësues mes KSSH-së dhe “Tete Albania” në Drejtorinë Rajonale të Agjencisë kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në Lezhë. Takimi nuk pati asnjë dakordësim.
“Ndërmjetësi konstaton se nuk ekziston aktualisht frymë bashkëpunimi midis palëve; palët nuk janë të gatshme të vijojnë negociata në kuadër të procesit të ndërmjetësimit”, u tha në procesverbalin e mbajtur nga kjo drejtori rajonale.
Më 13 tetor minatorët nisën grevën e përgjithshme dhe tetë ditë më vonë, më 21 tetor, përfaqësuesit zhvillojnë takim ndërmjetësues në Ministrisë e Ekonomisë.
Minatorët kërkuan kthimin në punë të 17 kolegëve të tyre që u pushuan javët e fundit dhe nënshkrimin e një kontrate kolektive, por këto kërkesa si dhe 8 pika të tjera nuk u morën parasysh nga përfaqësuesit e kompanisë, të cilët vijuan ta konsiderojnë grevën të paligjshme dhe sindikatën përfaqësuese “pa mandat ligjor”.
Edhe ky takim ishte pa rezultat.
Më 30 tetor, minatorët e zhvendosën grevën dhe protestën para Kuvendit, ku përsëritën kërkesat me thirrjen që ato të marrin zë edhe në Kuvend.
Po në këtë ditë ata zhvilluan takim me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj. Pas pasqyrimit të siutatës nga ana e përfaqësuesve të minatorëve dhe Konfederatës së Sindikatave ministrja kërkoi evidentimin e argumentave ligjorë për mbrojtjen e pretendimeve që konfederata kishte.
Më 4 nëntor 2025, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit zhvilloi takim me kompaninë turke “Tete Albania”.
Më 7 nëntor 2025 u njoftua për një tjetër takim në Spaç, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Inspektoratit të Punës dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Takimi nuk u realizua pasi minatorët nuk pranuan të merrnin pjesë pa përfaqësuesit e Konfederatës së Sindikatave.
Lexoni gjithashtu:
The post Greva e Spaçit diskutohet në Kuvend: Deputetët krah minatorëve, ministria mban rol neutral appeared first on Citizens.al.