Për të tretën herë radhazi, qytetarë dhe mbështetës të Lëvizjes Bashkë protestuan para Kuvendit.
Me thirrjen “Dorëzoni Belindën” ata kërkuan shkarkimin e zëvendës kryeministres Belinda Balluku pas akuzave për korrupsion.
Njëzëri protestuesit sollën përmes deklaratave të tyre nevojën për reagim të gjerë qytetar përballë aferave korruptive të drejtuesve shtetërorë si dhe në kushtet ku shteti sipas tyre është kapur nga krimi dhe oligarkia.
“Belindën e shohim në takime si ministre edhe nëpër vepra infrastrukturore për të cilat ajo jo vetëm akuzohet për korrupsion, për zhvatje, për ryshfet, por edhe në vepra infrastrukturore, të cilat sot nuk kushtojnë vetëm paratë, por kushtojnë dhe rrezikojnë edhe jetën e njerëzve në të ardhmen”, u shpreh aktivisti politik Klodi Leka duke kërkuar daljes e saj para drejtësisë.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muci u shpreh se vjedhja është normalizuar për 35 vite nga drejtuesit e shtetit sa ëshë kthyer tanimë në virtyt. Ndaj edhe sot, sipas tij në vetëdijen e qytetarëve nëse je i angazhuar politikisht pretendohet të bëhesh një hajdut.
“Po pse thotë, ti po të ishe në vendin e Agasit, Ballukut dhe Ramës, nuk do të vidhje dhe ti? Kaq shumë na e kanë ngulitur në tru hajdutërinë kjo kasë politike saqë fëmijës në djep ndonjë ditë, do ti këndohen bëmat e hajdutit më të famshëm e më të zgjuar”, u shpreh deputeti Muçi për situatën politike në vend.
Sipas tij, ka ardhur koha të flasim për një shtet që përfaqëson shqiptarët për përjashtim.
“Duhet të ketë prioritet kryesor mbrojtjen e shtresave në nevojë; të pensionistëve që ky shtet u ka zhdukur nga regjistrat vitet e kontributit në punë. Të atyre që vdesin të vetmuar nëpër banesat e tyre, të fëmijëve dhe pleqve që lypin rrugëve”, deklaroi deputeti Muçi.
Për aktivistin Enriko Peçuli organizimi në protestë është një domosdoshmëri deri në kushtet kur Edi Rama të dorëzojë Belinda Ballukin dhe “deri sa oligarkët që janë në partneritet me të dorëzojnë privilegjet te njerëzit”.
Peçuli u shpreh se nuk ka si të jetë mirë kur në pallatin e tij uji vjen i ndotur, komshijtë vdesin të vetmuar dhe fëmijët nuk kanë ku të luajnë.
“Nuk jam mirë sepse liberali thotë se e kam unë fajin që nuk po kap paranë, që nuk po punoj më shumë, që nuk po bëj më mirë, që e meritoj qeverinë që kam, që shpresa është vetëm individuale. Po vij në protestë sepse dua të jem mirë, sepse besoj te organizimi i njerëzve nga poshtë”, tha mes të tjerash Enriko Peçuli.
Drejtuesi i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori e zhvendosi narrativën se si duhet të jetë Shqipëria, duke kërkuar një përfytyrim të një vendi ku të rinjve ju rizgjohet dashuria për shkollën dhe të moshuarit nuk janë më barrë për familjen e tyre.
“A mund ta përfytyrojmë Shqipërinë si një vend ku punëtorit i respektohen të drejtat dhe i del paga. Ku fermerit nuk i shkon në kanal djersa e ballit. Ku çiftet e reja nuk kanë më frikë që të bëjnë fëmijë. Ku profesionistët nuk arratisen nga sytë këmbët, por zgjedhin të kthehen dhe të punojnë e jetojnë në Shqipëri”, renditi më tej drejtuesit i Lëvizjes Bashkë.
Aktivisti dhe pedagogu Gabriel Rakaj solli në vëmendje situatën me të cilën u përball vendi nga përmbytjet dhe korrupsionit me investimet në rrugët kryesore të vendit, duke u shprehur se është fyerje kur trumbetohen si arritje rrugë që kanë zgjatur me vite dhe kanë kushtuar miliarda, por ende kanë probleme.
“Na fyejnë kur thotë për shembull për vendlindjen time Shkodrën se nuk u përmbyt vetëm se nuk doli Drini, Buna, Kiri apo liqeni, ndërkohë tokat bujqësore janë përmbytur në Shkodër e kudo tjetër vetëm nga reshjet. Sepse kanalet nuk janë pastruar, siç ndodhi në Durrës, ku përveç shumë kanaleve, kanali kryesor ishte taposur për ti hapur një rrugë një budallallëku, një maskarallëku të oligarkut të naftës, Shefqet Kastrati”, shtoi më tej në fjalimin e tij Rakaj.
Për pedagogun Ervin Goci komunikimi në televizione është një mbytje e opinionit publik me informacione që nuk kanë lidhje me interesit e sotëm.
“Ne jemi në një situatë ku realiteti po na rrëshket nga duart. Është momenti që secili nga ne të bëjë një pastrim të të gjithë zhurmës mediatike dhe të fillojë të shikojë te komuniteti i vet, te lagjja e vet dhe mbi të gjitha të shikojë cfarë mund të kontribuojë si qytetar dhe jo thjesht si individ”, deklaroi pedagogu Goci.
Dy protestat e para të Lëvizjes Bashkë u zhvilluan më 12 dhe 19 dhjetor 2025, për një buxhet gjithëpërfshirës dhe kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes.
Gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama u shfaq kritik për menaxhimin dhe funksionimin e Radio Televizionit Publik Shqiptar, duke e quajtur atë një dështim. Ai u shpreh se sot nuk kemi televizion publik dhe bilanci është një dështim i suksesshëm, nga borxhi në borxh.
“S’kemi për të dhënë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, deri kur t’i meritojë. Çdo opsion duhet të jetë në tryezë edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, edhe çdo gjë përveç kësaj që është”, u shpreh Rama.
Kjo deklaratë u prit me kritika nga ekspertët, organizatat e angazhuara në lirinë e medias dhe përfaqësuesit e Opozitës.
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, një organizatë e angazhuar në përmirësimin e sigurisë së gazetarëve në Ballkan u shpreh, midis të tjerash, se lidhja e financimit apo ekzistencës së RTSH me miratimin politik minon pavarësinë e tij dhe cenon lirinë e medias.
Ky pasazh i deklaratës u ri-publikua nga Kryeministri Rama në rrjetin social X, shoqëruar me një seri akuzash se ky reagim është dezinformues dhe paraqet një “keqkuptim thellësisht të shtrembëruar” të qëndrimit të tij mbi RTSH. “Vërejtjet e mia nuk kanë lidhje me financimin e RTSH-së me miratim politik”, shkruan Rama në reagimin e tij, të shkruar në gjuhën angleze.
Blerjana Bino, përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt për Shqipërinë, i tha Citizens.al se shqetësimi i tyre nuk lidhet me qëllimin e supozuar të deklaratave, por me parimin e konsoliduar evropian se ekzistenca dhe financimi i mediave nuk duhet të kushtëzohen nga politika.
“Vlerësime si ky janë pjesë thelbësore e punës tonë për të monitoruar rreziqet ndaj lirisë së shprehjes dhe nuk përbëjnë dezinformim”, u shpreh Bino, ndërsa shtoi se prej vitesh ky rrjet ka ngritur zërin për reformimin e RTSH, pasi institucioni ka probleme serioze që nuk zgjidhen me mbyllje, por me reforma që rikthejnë misionin demokratik të televizionit publik.
“Edhe nëse mbyllja do të konsiderohej ndonjëherë si opsion teorik, ajo nuk mund dhe nuk duhet të artikulohet nga Kryeministri: RTSH i përgjigjet Parlamentit, dhe financohet nga tarifa e shërbimit publik (jo nga taksat, siç keqinterpretohet shpesh me qëllim) çka do të thotë se ai u përgjigjet drejtpërdrejt qytetarëve dhe interesit publik”, u shpreh Bino.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) i pa me shqetësim deklaratat e kryeministrit Rama, ndërsa u shpreh se kjo retorikë politike që stigmatizon median publike, pa një analizë të thelluar, cenon parimet themelore të shërbimit publik dhe standardet evropiane për lirinë e medias.
“Televizioni publik nuk është thjesht një ndërmarrje financiare, por një institucion i interesit publik që duhet të garantojë informim të paanshëm, kulturë, edukim dhe akses të barabartë për qytetarët”, tha në deklaratën e tij AGSH.
Sipas AGSH-së refuzimi i financimit publik si mjet presioni politik përbën rrezik për pavarësinë e medias publike, ndërsa shtoi më tej se përgjegjësia nuk mund ti faturohet vetëm RTSH-së.
Ina Zhupa, deputete e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht drejtuese e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik e konsideroi fajtore qeverinë për situatën ku ndodhet televizioni publik, ndërsa ngriti pikëpyetjen se kur dhe pse u krijuan borxhet në RTSH.
“Borxhet dhe situata problematike lindi pikërisht nga kapja politike e RTSH, nga shkelja flagrante e ligjit për Këshillin Drejtues dhe nga emërimet politike të drejtorëve, pa asnjë standard profesional dhe ligjor”, deklaroi Zhupa.
Lufti Dervishi, gazetar dhe ekspert i medias, në një komunikim në rrjetet sociale u shpreh se sot RTSH-ja është në një mentalitet mbijetese dhe nuk ka një raportim kritik ndaj pushtetit. Sipas tij, në një treg mediatik ku interesat e pronarëve mbizotërojnë mbi interesin publik, një media publike e pavarur është domosdoshmëri dhe jo luks.
“RTSH-ja duhet të reformohet, por jo duke u mbyllur në panik, jo duke u privatizuar e as duke u “binjakëzuar” me kulla. Sfida nuk është si t’ua japim privatëve, por si t’ua marrim”, tha Dervishi.
Organizatat e angazhuara për lirinë e medias kërkuan që çdo diskutim për reformim të RTSH-së të zhvillohet në mënyrë të tillë që respekton lirinë e shprehjes, pavarësinë e gazetarisë dhe të drejtën e publikut për tu informuar.
“Nga monitorimi i institucioneve shëndetësore rezulton se nuk ka asnjë ankesë kundër korrupsionit në sektorin e shëndetësisë”. Kjo gjetje vjen nga një raport monitorimi i kryer nga organizata “Together for Life” për mekanizmat që përdoren për ankesat kundër korrupsionit në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri.
Raporti tregon se strukturat formale të antikorrupsionit që ekzistojnë në letër, janë thjesht dekorative, pasi qytetarët shpesh nuk paraqesin ankesa formale edhe kur perceptimi publik për korrupsionin në shëndetësi është shumë i lartë.
Kjo shihet si tregues i heshtjes nga frika, mosbesimi ose mungesa e informacionit, thekson raporti.
“Nuk rezulton të ketë një regjistër të posaçëm për korrupsionin që administrohet nga ky institucion”, thuhet në raport për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërsa përgjatë periudhës janar-dhjetor 2024 nuk ka pasur asnjë ankesë për ryshfet apo korrupsion në shëndetësi.
Sipas raportit në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” nuk ka pasur asnjë rast sinjalizimi as një rrugë shkresore dhe as në rrugë elektronike.
“Kjo situatë nxjerr në pah disa mundësi si mungesa reale e korrupsionit në sektor, mungesa e informacionit për mekanizmat e raportimit dhe njësitë përkatëse, mungesa e besimit te paanësia dhe pavarësia e këtyre njësive, si edhe frika nga hakmarrja pas raportimit ose marrjes së statusit të sinjalizuesit”, thekson raporti
Njëjtë ka raportuar edhe Instituti i Shëndetit Publik, duke u shprehur se “ nuk ka patur asnjë ankesë lidhur me korrupsionin në sektorin e shëndetësisë”. Duke e deleguar më pas të drejtën për t’u informuar në një tjetër institucion sikurse drejtoria përgjegjëse në Ministrinë e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Edhe në Spitalin Universitar të Traumës nuk ka të dhëna për numrin e ankesave të paraqitura, ashtu sikurse është e vështirë sipas raportit të identifikohet edhe përmes regjistrave të publikuar në faqen zyrtare të institucionit.
Asnjë ankesë apo denoncim për korrupsion edhe në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, edhe pse ky institucion sipas raportit ka ngritur një komision të brendshëm për menaxhimin e ankesave.
Situata është e njëjtë edhe për Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OShKSh).
“Nuk ka pasur asnjë kërkesë-ankesë të regjistruar lidhur me pretendime ryshfet/korrupsion pranë këtij institucioni”, thuhet në raport.
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSh) nga ana tjetër ka pohuar mungesën e një strukture të dedikuar për ankesat kundër korrupsionit. Ndërsa ka deklaruar se ankesat pranohen me postë apo e-mail dhe delegohen në drejtoritë përkatëse.
Asnjë ankesë apo denoncim për korrupsion dhe ryshfet nuk ka pasur edhe në spitalin universitar Obstretik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, në spitalin rajonal të Shkodrës dhe Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
Raporti thekson se në disa prej institucioneve të monitoruara ka mbivendosje funksionesh mes njësive për sinjalizimin e korrupsionit dhe koordinatorit kundër Korrupsionit.
“Kjo situatë ka krijuar pasiguri mbi hierarkinë e raportimit, mënyrat procedurale të administrimit të ankesave dhe mbi autoritetin vendimmarrës për adresimin e tyre”, saktëson raporti.
Në institucione të tjera njësitë e ngritura për marrjen dhe trajtimin e ankesave kundër korrupsionit janë në nivel formal, pa pasur një staf të emëruar.
Ndërsa në shumë të tjera mungojnë regjistrat publikë të ankesave, duke e bërë të paaksesueshëm dhe jo transparent për qytetarët, thekson raporti.
Perceptimi i publikut për korrupsionin në shëndetësi
Një studim i kryer nga “Together for Life” për matjen e perceptimit të qytetarëve për korrupsionin në shëndetësi, më shumë se 8 në 10 persona janë të bindur se sistemi shëndetësor në Shqipëri është i korruptuar.
“Perceptimi është i ngjashëm si tek burrat, edhe tek gratë, çka tregon se përvoja e korrupsionit nuk përcaktohet nga gjinia, por prek në mënyrë të barabartë të gjithë popullatën”, përcakton raporti i studimit.
“Kam paguar për një konsultë, pasi data e dalë nga doktori i lagjes donte 1 muaj dhe unë isha për operim. Më duhej përgjigjja e konsultës dhe doktori s’më mori përsipër, por sapo e pagova, më vizitoi menjëherë”, u shpreh një nga qytetarët që morën pjesë në anketim.
Raporti thekson se të anketuarit janë shprehur se ju është dashur të paguajnë paraprakisht për një shërbim mjekësor më të shpejtë dhe më cilësor, i cili në parim duhet t’ju ofrohet falas qytetarëve pa kosto shtesë.
Fill pas përmbytjeve dhe narrativës publike të krijuar së fundmi për menaxhimin e krizave, Kryeministri Edi Rama ka nisur një fushatë linçuese ndaj gazetarëve që kanë mbajtur qëndrime apo kanë ngritur pyetje ndaj qeverisë.
Një javë më parë, Kryeministri në një komunikim në rrjetet sociale, përmes disa fotove me mbetje plastike nga Shkozeti, u shpreh se hedhja e plehrave dhe shisheve plastike nga qytetarët në anë të rrugëve sollën situatën e përmbytjeve pasi ato bllokuan kanalet e kullimit.
Ky postim u shpërnda nga gazetarja Klodiana Lala, e cila ironizoi duke e adresuar problemin real te mos-menaxhimi i mbetjeve pavarësisht investimeve madhore te impiantet si inceneratori i Tiranës.
Kryeministri bëri një reagim pasues me gjuhë përçmuese dhe nuk adresonte asnjë shqetësim të Lalës.
“Një zëdhënës i opinionit publik, me një injorancë të theksuar, u thotë qytetarëve se inceneratori i Tiranës është fajtor për shishet dhe qeset plastike që hidhen rrugëve dhe që përfundojnë duke bllokuar kanalet […]” replikoi Rama në X.
Ky komunikim i Kryeministrit ndaj gazetarëve ka nisur prej situatës së përmbytjeve në javën e parë të janarit, ku debati publik mbi qeverisjen dhe menaxhimin e krizave ishte rritur.
Në emisionin Opinion në TVKlan, drejtuesi dhe gazetari Blendi Fevziu deklaroi se kishte informacione për ministra që ishin në udhëtime private jashtë vendit, ndërsa në media paraqiteshin sikur ishin në punë.
Kjo bëri që Kryeministri të niste një fushatë linçuesendaj Fevziut, duke u marrë edhe me jetën e tij personale dhe duke gjeneruar materiale vizuale me inteligjencë artificiale.
Gazetari Fevziu replikoi duke u shprehur kritik për komunikimin publik të ministrave në kohë krizash, duke shmangur konferencat për shtyp.
“Ministrat dhe drejtorët sfilonin në zonat e përmbytura, duke folur me vete përpara kamerave,” shkroi Fevziu duke theksuar se pamje të tilla ishin “shëmti morale” dhe “papërgjegjshmëri”.
Sipas Fevziut kjo qasje e ministrave vjen “nga impotenca e ideve, mungesa e karizmës dhe personaliteti i gjymtuar”. Por Kryeministri vijoi replikat me gazetarin duke përshkallëzuar më tej gjuhën.
Për këtë, kanë reaguar organizatat e medias, të cilat kanë dënuar situatën duke e konsideruar si shembull se si pushteti ushtrohet mbi median, përmes ekspozimit dhe intimidimit dhe jo përmes transparencës.
“[…] kritika ndaj pushtetit trajtohet si defekt moral i gazetarit dhe jo si pjesë e një debati legjitim publik”, u shpreh Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri për rastin e gazetares Klodiana Lala.
Ndërsa për fushatën ndaj gazetarit Fevziu Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt deklaroi se “kur transparenca zëvendësohet me spektakël dhe kundërpërgjigjja me tallje, pushteti nuk ushtrohet për të informuar publikun, por për të disiplinuar ata që bëjnë pyetje”.
Sipas Rrjetit duke “disiplinuar” publikisht një gazetar që është përcaktues i rëndësishëm i axhendës publike në një treg mediatik të vogël, Kryeministri tregon se qasja dhe pozicioni institucional nuk ofron mbrojte nga presioni i pushtetit.
“Sinjali zbret poshtë: nëse një figurë qendrore e sistemit mediatik mund të ekspozohet ndaj talljes dhe delegjitimimit të vazhdueshëm, implikimet për gazetarët investigativë, mediat lokale, freelancerët dhe zërat më pak të mbrojtur janë të qarta”, u shpreh në deklaratë Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.
Sipas Rrjetit të Gazetarëve të sigurt ky lloj presioni mbështetet në ekspozim dhe poshtërim duke lejuar që angazhimet formale për lirinë e shprehjes të mbeten në letër, ndërsa kufizimet informale të forcohen.
Në të njëjtën kohë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH). Sipas Asociacionit debati ngre një problem serioz mbi gjuhën dhe standardin e komunikimit institucional.
“Gazetarët kanë të drejtën dhe detyrimin të ngrenë pikëpyetje mbi politikat publike, përfshirë menaxhimin e mbetjeve, investimet publike dhe funksionimin real të projekteve të kushtueshme si inceneratorët. Në këtë kontekst, përgjigjja e Kryeministrit, e shoqëruar me gjuhë përçmuese, etiketime dhe ironizim personal, është e papranueshme për një funksionar të nivelit më të lartë shtetëror”, u shpreh Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.
Ata i bënë thirrje zyrtarëve publikë të jenë transparentë me mediat në situata të vështira për vendin.
“…duke organizuar konferenca për shtyp në mënyrë që gazetarët të kenë mundësinë të bëjnë pyetje shteruese ndaj këtyre problematikave”, përfundoi Asociacioni deklaratën e tij.
Reshjet e javës së parë të vitit 2026 sollën përmbytje masive në disa qytete të vendit duke zbuluar krizën e thellë të emergjencave dhe planifikimit urban në Shqipëri. Durrësi, Lezha dhe Gjirokastra shfaqën situatat më problematike.
Përmbytjet dhe vërshimet e përrenjve ekspozuan mosfunksionimin e sistemeve të kanalizimeve, kaosin e ndërtimeve dhe mungesën e planifikimit afatgjatë përballë prirjeve më të çrregullta të një dukuri natyrore si shiu.
“Dështimi” i kanalizimeve
Zona si Spitalla, Nishtulla dhe ish-këneta ishin më problematiket në bashkinë e Durrësit, ndërsa rrugët kryesore u bënë të pakalueshme me qindra shtëpi nën ujë.
Bashkia pezulloi mësimin në shumicën e shkollave, ndërsa pati bllokim të qarkullimit nga Mauzoleu i Dëshmorëve deri në zonën e Durrësit të Ri.
“Deri më tani janë evakuuar 10 familje, me nga 3-4 anëtarë secila, të cilat janë sistemuar pranë Kovalishencës”, tha bashkia Durrës në një komunikim zyrtar në rrjetet sociale.
Uji përfshiu edhe rrugën e burgut, zonën e Shkozetit dhe superstradën Durrës-Tiranë ku pati dhe shkëputje të energjisë elektrike. Ndërsa Ministria e Mbrojtjes u shpreh se kishte dislokuar në terren 23 forca dhe 8 mjete të Bazës së Mbështetjes për Emergjencat Civile.
Por, përveç Durrësit, situata emergjente u vu edhe në Gjirokastër. Qyteti i gurtë u kaplua nga vërshimi i ujërave të përroit të Fiços.
Rrugët u pushtuan nga uji dhe inertet. Pamjet e shpërndara nga qytetarët në rrjetet sociale treguan për një situatë të papërjetuar më parë, mungesë energjie elektrike, makina që merreshin tutje nga uji me rrugët e pakalueshme dhe shumë dyqane e shtëpi të përmbytura.
Në Lezhë situata ishte e njëjtë: rrugë të përmbytura dhe rreth 1,000 ha tokë nën pushtetin e ujit. Autoritetet raportuan rritje të nivelit të lumit Drin dhe Mat.
Në Kukës u raportua për probleme me sistemin rrugor ku pati situata përmbytjesh dhe rrëshqitjesh me inerte në disa segmente si Kukës-Shishtavec, Kukës-Bushtricë, Kukës-Qafë Mali dhe aksi Tropojë-Ferzë-Qafë Mali.
Rritja e prurjeve të lumit Drin ka sjellë shkarkime të kontrolluara nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës.
Reshje të dendura ka pasur edhe në Vlorë, ndërsa në fshatin Vajzë rrëshqitjet e dherave kanë dëmtuar rrugën kryesore dhe dy banesa.
Situata ka qenë problematike edhe në Shqipërinë Juglindore. Në Pogradec pati rritje të ndjeshme të nivelit të ujit në lumin e Starovës dhe lumin e Vërdovës. Ndërsa në zonat rurale të Pogradecit përrenjtë kanë dalë nga shtrati.
Në rrugën Qukës-Qafë Plloçë, në hyrje të tunelit, një masiv dheu rrëshqiti duke goditur një makinë që po kalonte në atë moment. Nuk pati të lënduar.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) reshjet intensive priten edhe përgjatë së mërkurës kryesisht në veri dhe në jug të vendit.
“Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave,” tha Instituti.
“Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve”, vijoi më tej njoftimi i IGJEO, i cili theksonte se në zonat mbi 1,000 m lartësi, do të kishte reshje bore.
Faji i reshjeve, përgjegjësia “jetime”
Situata e paralizuar në të gjithë vendin solli edhe njëherë në vëmendje krizën e planifikimit dhe zhvillimit urban të qyteteve kryesore.
Lëvizja Bashkë, ndau një analizë të inxhinierit hidroteknik Llambion Dhimitri, i cili tregonte arsyet sipas së përmbytjet në Durrës nuk janë fenomen natyror. Kjo forcë politike ia faturoi ngjarjet “neglizhencës së qeverisë” dhe “investimet në fasada e sheshe dekorative për propagandë”.
“[…] ndërsa ka braktisur infrastrukturën bazë urbane që mban qytetet funksionale”, theksoi Dhimitri në qëndrimin e tij.
Sipas inxhinierit Durrësi është një qytet “i projektuar për shiun e viteve ’70”, ndërsa urbanizimi ka rritur ndjeshëm koeficientin e rrjedhës sipërfaqësore, duke mos ndryshuar kolektorët.
“Kanalet dytësore janë mbushur, ose zhdukur nga ndërtimet. Pusetat funksionojnë si dekor, jo si element hidraulik. Nuk ekziston asnjë sistem rezervimi apo devijimi të prurjeve të pikut”, tha më tej Dhimitri.
Për situatën e krijuar reagoi edhe kryeministri Rama në platformën X, duke relativizuar situatën me reshjet e hasura edhe në rajon.
“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë […] për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë,” shkroi Rama duke ironizuar qasjen e opozitës si “aleancë me shiun”.
Çështja e përmbytjeve është trajtuar në Citizens.al me një material të gjatë dhe analitik. Situata është e atillë ku autoritetet përballen me motin ekstrem “në errësirë”, pa mjetet dhe logjistikën e duhur paralajmëruese dhe menaxhuese.
Sipas Bankës Botërore, Shqipëria është ndër vendet më të rrezikuara në Evropë nga fatkeqësitë natyrore. 95% e bashkive janë të prekshme dhe kanë pasur situata përmbytje, zjarre, tërmete apo rrëshqitje dheu në dy dekadat e fundit.
Sistemi kombëtar i vëzhgimit meteorologjik dhe hidrologjik vuan për investime. IGJEO ka treguar për Citizens.al se numri i vendmatjeve meteorologjike ka rënë nga 116 në vitin 2014 në 95 në vitin 2025.
Pa një sistem paralajmërimi dhe monitorimi real në kohë, përmbytjet nuk do të jenë thjesht “episode moti”, por simptoma të një qasjeje që vetëm e ndjek krizën dhe nuk e parandalon dot atë.
Vendimi për të injoruar boshllëqet në rrjetet e matjeve, koordinimit institucional dhe kapacitetet e paralajmërimit e lë shoqërinë në mëshirë të fatit përballë fenomeneve ekstreme. Ngjashëm edhe sa i përket investimit dhe zgjerimit të sistemit të emergjencave.
Në vitin 2025, çështjet e mjedisit u kthyen në temën kryesore të përplasjes mes komuniteteve, biznesit dhe shtetit. Projektet energjetike dhe ndërhyrjet në territor vijuan të shtyhen përpara me transparencë të kufizuar, duke nxitur dyshimet mbi ligjshmërinë dhe interesat reale pas tyre.
Përballë këtij modeli dhe trajtimi të mjedisit, banorët u organizuan, protestuan dhe iu drejtuan gjykatave, duke e shndërruar mbrojtjen e ujit, pyjeve dhe hapësirës publike në një kauzë kolektive.
Citizens.al sjell në këtë përmbledhje këto beteja lokale, të cilat po formësojnë një debat më të gjerë për zhvillimin hidroenergjitik dhe drejtësinë mjedisore në vend.
Kaçinari: “Uji në tuba” dhe një komunitet në revoltë
Në Kaçinar të Mirditës, tensioni i mbledhur ndër vite shpërtheu në fundin e muajit mars në një protestë të mirëfilltë. Qindra banorë nga fshatrat përreth, por dhe diaspora u mblodhën për të kundërshtuar ndërtimin e katër hidrocentraleve të koncesionarit “Shpërdhaza-Energji”.
Komuniteti i Mirditës në protestë kundër HEC-eve/Citizens.al
Banorët e konsiderojnë cenim kryesor për jetën e tyre futjen në tuba e disa prej përrenjve malorë, të cilët historikisht janë përdorur nga fshatrat.
Rruga e vështirë drejt Qafës së Vorres, rreth 40 minuta larg nga Rrësheni, ku u zhvillua protesta, tregonte njëkohësisht degradimin e territorit dhe tensionin e autoriteteve: postblloqe policore, kontrolle makinash dhe prezencë e pajustifikuar efektivësh.
“Këtu këtë popull e kanë grabitur,” përshkroi revoltën Arben Gega, një prej protestuesve, “por kur s’na ka bërë turku të ikim, këta jo se jo, nuk do t’ia arrijnë!”.
Gjok Beqiri, nga fshati Simon, tregoi se projekti prek shtatë fshatra me mbi 3,000 familje.
Kabina e rojeve dhe kamerat e sigurisë të vendosura përreth kantierit kishin krijuar një ambient të denjë për zonë ushtarake, ndërsa banorët, në mungesë informacioni dhe të vënë përballë faktit të kryer, ngritën dyshimet se dokumentacioni i kompanisë nuk është i rregullt.
Këtë shqetësim ndanë për Citizens.al disa prej tyre, të cilët thanë se nuk ishin njoftuar kurrë për dëgjesa publike, pavarësisht pretendimeve të kompanisë.
Në muajin prill, makineritë e kompanisë “Shpërdhaza-Energji” hynë në pyllin aty pranë, një zonë me një peizazh të larmishëm buzë rrugës, për të cilën banorët druajnë se mund të vuajë pasoja nga hidrocentralet.
Pasi konstatuan pemët e para të rrëzuara nga punimet ata organizuan protesta të tjera, një prej së cilës edhe në Tiranë, para ministrisë së Infrastrukturës.
Kryetari i fshatit Simon, Gjergj Deda, ngriti dyshimet se punimet po kryheshin pa lejet e nevojshme “sepse kërkonin dhe shoqëroheshin nga policia çdo ditë”.
Për komunitetin, uji është thelbi i jetesës: mullinjtë, tokat dhe historinë e tyre. “Vllaut s’ia fal, jo më të huajit,” kanë theksuar disa prej tyre.
Ndaj ata i janë drejtuar drejtësisë. Në shtator, Gjykata e Lezhës vendosi t’ia kalojë çështjen Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) duke shpallur moskompetencë.
Komuniteti i Mirditës në protestë kundër HEC-eve/Citizens.al
Ndërsa në 16 dhjetor, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi t’ia delegojë çështjen Gjykatës së Lartë, e cila do të përcaktojë gjykatën kompetente për shqyrtimin e kallëzimit të bërë nga 13 banorë të Kaçinarit, kallëzim i kryer prej 25 nëntor-it 2019.
Kurdaria: Një verë e nxehtë kundër HEC-it “Doma”
Në Kurdari të Matit, vera shënoi nisjen e punimeve për HEC-in “Doma”, një projekt i “Global Interprise Group” që pritet të shfrytëzojë lumin e Lusës dhe të hapë një trase të re rruge prej 4.4 km.
Për banorët, ky projekt vjen në një kohë kur ata vuajnë për ujë, pavarësisht investimeve në ujësjellës.
Erind Saliaj, administrator i Njësisë Administrative Suç, shpjegoi për Citizens.al se pesë fshatrat e zonës – Kurdari, Skënderaj, Kurqelaj, Suç dhe Kujtim – nuk kanë furnizim të rregullt dhe se ndërtimi i një hidrocentrali është “absurd” në këto kushte.
Tregues për situatën ishte gjendja në kafenenë më popullore të fshatit, e cila shërbente vetëm ujë të ambalazhuar, teksa çezma e oborrit të saj ishte tharë.
Procesi i dëgjesave publike ka qenë pika kryesore e tensioneve në këtë çështje, e cila është shoqëruar me protesta dhe përplasje me kompaninë.
Një ekskavator dhe furgon me gomë të çarë qëndronin të braktisur në fund të trasesë së hapur si dëshmi e përplasjeve. Ato ruheshin nga një kamerë, e cila për ironi furnizohej me panel diellor.
Sipas banorëve, dëgjesa e parë, e vitit 2018, tregoi se shumica ishin kundër hidrocentraleve, por ndryshe, në procesverbal u paraqit si shprehje dakordësie.
Rexhep Kuleni, një nga zërat më të fortë të komunitetit, tha se ky veprim përbën shkelje penale, për të cilën duhet gjetur përgjegjësia.
Ai kujton dëgjesën e dytë të mbajtur në vitin 2020, kur rreth 500 banorë u mblodhën dhe kërkuan që përfaqësuesi i kompanisë që interesohej për hidrocentralin të largohej.
Komuniteti i Kurdarisë në protestë kundër HEC-eve/Citizens.al
Por pavarësisht kundërshtive dhe premtimeve se nuk do të rikthehej në zonë, koncesionari u shfaq sërish, duke marrë firma në mënyrë të veçuar, pa pjesëmarrje lajmëruar të komunitetit apo autoriteteve.
“Marrin ca firma në mënyrë abuzive, ku një pjesë e madhe nuk e dinë çfarë kanë firmosur,” tha Kuleni, sipas së cilit në këto dëgjesa nuk ka pasur përfaqësues të bashkisë.
Banorët thonë se mungon transparenca, të dhënat, dhe mbi të gjitha mungon uji. Për ta, hidrocentrali është kërcënim ekzistencial dhe social, jo një projekt energjetik.
Zona, e njohur dhe si “hambari i Matit” për prodhimet bujqësore është zotuar se nuk do ta lërë projektin e hidrocentralit që të zbatohet duke vijuar ndalimin e makinerive t’i bashkohen kantierit.
“Nuk do ta lëmë, me firma të vjedhura, me firma të blera, populli nuk pranon,” theksoi Enver Dava, tokat e të cilit bien krah trasesë së hidrocentralit.
Më 22 tetor 2025, duke marrë parasysh tensionin mes banorëve dhe përfaqësuesve të firmës ndërtuese të hidrocentralit një grup pune nga AKBN-ja mbërriti në terren.
Në procesverbalin e mbajtur u konstatua hapje e trasesë për të pasur akses për punimet për hidrocentralin.
“Në momentin e monitorimit shoqëria nuk po arrinte dot të kryente punimet ndërtimore”, thuhet në procesverbalin e mbajtur nga grupi i punës së AKBN-së.
Paralelisht, banorët e kanë adresuar kundërshtinë e tyre edhe në rrugë gjyqësore. Në tetor, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë nuk i ndali punimet, ndërsa deri në një vendim në themel të çështjes, por pavarësisht kësaj banorët mbeten me shpresë për një vendim të drejtë.
Zall-Gjoçaj: HEC-et u ndërtuan, por beteja kundër tyre vazhdon
Në Zall-Gjoçaj, hidrocentralet “Sekë” dhe “Zais” morën formë mes polemikave, por qëndresa e komunitetit atje vijon prej më shumë se shtatë vitesh.
Reportazhet e emisionit “Opinion” nga Blendi Fevziu dhe portali Lexo.al nga Flogert Muça, promovuan me kërshëri gjatë muajve shtator-tetor investimet në hidrocentralet e Zall-Gjoçajt.
Materialet u përpoqën t’i jepnin një dimension tjetër investimit privat të sipërmarrësit italian Fabio Scuero. Sipas tyre tre HEC-et e ngritura në basenin e Urakës me kapacitet 30 MË, janë shoqëruar me investime për një rrjet ujësjellësi për 17 fshatra dhe rreth 90 km rrugë.
Por reportazhet ngjallën zemëratën e banorëve të Zall-Gjoçajt, të cilët prej vitit 2018 kanë protestuar kundër HEC-eve.
Në një deklaratë të përbashkët aktivistët e cilësuan atë reklamë duke kujtuar se Zall-Gjoçaj është bërë simbol rezistence pikërisht sepse HEC-et u ndërtuan brenda Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, një zonë e mbrojtur që u tkurr me një vendim të qeverisë në vitin 2022 për t’i hapur rrugë projektit të HEC-it “Zais”.
Prej vitesh, banorë si Abdi Toçi, Dhimitër Koleci dhe Adem Gjokolaj kanë protestuar, kallëzuar zyrtarë publikë dhe kanë çuar çështjen e Zall-Gjoçajt në disa procese gjyqësore.
Në tetor, Gjykata Administrative e Apelit la në fuqi vendimin që legjitimonte ndërtimin e HEC-eve, duke rrëzuar padinë për shfuqizimin e kontratave dhe akteve administrative.
Avokati i tyre, Franc Terihati, tha për Citizens.al se çështja do të shkojë në Gjykatën e Lartë, ndërsa Koleci tha se një padi tjetër po hetohet nga SPAK, dhe një padi penale mbetet e hapur për dëmet e shkaktuara gjatë punimeve, nga prishja e kanalit të ujit e deri te hedhja e inertëve në varreza.
Ndërkohë, kompania ka paditur vetë aktivistë e banorë për shpifje, gjë që komuniteti e sheh si formë presioni për të heshtur rezistencën.
Solidariteti i aktivistëve për tre banorët e paditur nga Seka Hydropower/Citizens.al
Në terren, pasojat sipas banorëve janë të prekshme: uji është i gjithi në tuba, burimet e fshatit janë shteruar dhe lumi nuk ka më prurjen e mëparshme. Banorët thonë se gjatë verës nuk kishin ujë as për të fikur zjarret, ndërsa bagëtia dhe bletët kanë pësuar dëme të pakthyeshme.
Për Zall-Gjoçajn, beteja nuk ka të bëjë vetëm me një projekt energjetik, por me të drejtën për të ekzistuar brenda peizazhit të tyre.
Edhe pse hidrocentralet u ndërtuan, çështjet ligjore, pasojat mjedisore dhe mosbesimi ndaj institucioneve vazhdojnë ta mbajnë fshatin në një konflikt të hapur me modelin kombëtar të zhvillimit hidroenergjetik.
Lufaj njësoj si Zall-Gjoçajt përballë thatësirës
Në Lufaj të Mirditës, banorët përballen me të njëjtin model të ndërtimit të hidrocentraleve – devijim burimesh ujore pa transparencë dhe pa dëgjesa me komunitetin.
Në korrik ata protestuan kundër kompanisë “Seka Hydropoëer”, me pretendimin se ajo nuk respektonte kontratën e shfrytëzimit të burimeve ujore të zonës duke mos lëshuar rrjedhë për nevojat e tyre.
Zona me një peizazh të mrekullueshëm, nuk ndihmohej aspak nga rruga, e cila ishte në gjendje të amortizuar. Devijimi i prurjeve kishte ulur ndjeshëm burimet duke detyruar disa familje të merrnin ujë gjetkë me mjete të improvizuara.
Banorët thanë për Citizens.al se ata kishin qenë kundër ndërtimit të HEC-ve që para vitit 2017, por që zëri i tyre nuk ishte dëgjuar.
“As nuk na ka pyetur njeri, as nuk kemi qenë dakord,” tha Agron Kaçarri, banor.
Lufaj e lidh drejtpërdrejt fatin e saj me Zall-Gjoçajt, ku hidrocentralet u ndërtuan brenda Parkut Kombëtar të Lurës dhe Malit të Dejës, duke sjellë konflikt të gjatë me komunitetin, ndërhyrje policore dhe pasoja të pakthyera në ekosistem.
Viti 2025 dëshmoi një sistem shëndetësor të mbingarkuar, me mungesë shërbimesh bazë, financim të pamjaftueshëm dhe boshllëqe menaxheriale. Raportime të Citizens.al treguan se pacientët dhe mjekët u përballën vazhdimisht me pasiguri dhe vonesa të rrezikshme në trajtime.
Nga onkologjiku, deri te shërbimet për personat me aftësi të kufizuara, qytetarët hasën burokraci, pengesa madje dhe pabarazi sociale në sistemin e kujdesit shëndetësor.
Onkologjiku dhe “Tetori i zi”
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi mungesë barnash, personeli dhe aparaturash në Spitalin Onkologjik, qendrën më kryesore të trajtimit të kancerit në Shqipëri.
Ky ishte dhe lajmi më shqetësues i vitit sa i takon shëndetësisë, pasi konfirmoi një varg raportimesh të ardhura nga denoncime dhe gazetarë hulumtues.
Sipas KLSH-së, gjendja solli vonesa të rënda në trajtim dhe rrezik jete për pacientët duke nxjerrë në pah nevojën për reformë urgjente dhe rritje kapacitetesh.
Në këtë kontekst, tetori, që zakonisht shënjon muajin e ndërgjegjësimit për kontrollin dhe parandalimin e kancerit të gjirit, u kthye në një muaj protestash.
Qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile, por dhe gazetarë të angazhuar, ngritën zërin për situatën me të cilën përballen gratë me kancer në Shqipëri.
Ata kërkuan trajtim dhe shërbim dinjitoz teksa simbolikisht e quajtën këtë muaj si “tetori i zi”, për faktin se ndërgjegjësimi nuk mjafton kur spitalet nuk kanë barna, pajisje dhe personel.
Investimet në rënie, qytetarët vuajnë pasojat
Sipas një raporti të organizatës “Together for Life”, shpenzimet për shëndetësinë zbritën në nivelin më të ulët që nga viti 2017, duke vijuar prirjen tkurrëse të dy viteve më përpara (2022, 2023).
Për vitin 2024 ato zunë vetëm 9.6% të fondeve të buxhetuara nga qeveria duke bërë që Shqipëria të renditet e fundit në rajon sa i takon këtij sektori.
Përveç mungesës së investimeve, përqendrimi i kontratave publike të shëndetësisë në pak operatorë dhe gabimet, apo vonesat në procedurat tenderuese shihen si shqetësues në raport me mbulimin e nevojave të qytetarëve.
Citizens.al raportoi për rastin e rindërtimit të Spitalit të Dibrës, premtuar që prej vitit 2023, por që mbetet ende i pakryer duke reflektuar kështu për mungesë serioze planifikimi strategjik në infrastrukturë shëndetësore.
Në këtë gjendje, pasojat bien mbi qytetarët. Gjatë vitit, pati protesta para Ministrisë së Shëndetësisë për neglizhencë trajtimi teksa përkrahja për personat me aftësi të kufizuara mbetet e papërfillshme.
5 vite nga pandemia e COVID-19, ende asnjë bilanc
Viti 2025 shënoi edhe 5-vjetorin e rasteve të para zyrtare me infeksionin viral që tronditi botën për rreth tre vite me radhë.
Citizens.al tregoi sesi Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, por edhe Universiteti i Mjekësisë nuk kishin studime apo të dhëna të reja rreth mënyrës se si u kalua pandemia në Shqipëri.
Përkundrazi, bilanci zyrtar ishte hequr nga faqet e institucioneve, ndërsa vendi nuk ka datë zyrtare se kur ka dalë nga emergjenca e pandemisë.
Përveç kësaj, në statistika mbeten shifrat propagandistike e raportuara nga qeveria se në Shqipëri gjatë pandemisë pati vetëm 3,625 vdekje nga COVID-19. Ndërkohë mbi 17,500 vdekje (periudha 2020-2023) mbi mesataren vjetore, të reflektuara në regjistrat e gjendjes civile, janë ende pa arsye zyrtare.
Fertilizimi “in vitro”: Shpresa që kushton shumë
Përmes rrëfimeve të disa çifteve, Citizens.al tregoi realitetin e ashpër mes dëshirës dhe mundësive që janë në Shqipëri për ata që duan të bëhen prindër.
Diagnostikimi i shtrenjtë, apo i vonuar, udhëtime të pafundme nëpër klinika dhe kosto që e shtyjnë fertilizimin “in vitro” jashtë mundësive për shumicën e çifteve.
Mjekët shpesh i drejtojnë pacientët drejt sektorit privat, ndërsa mbështetja publike mbetet minimale.
Disa familje zgjedhin emigrimin për të përfituar politika sociale më të aksesueshme, si në disa vende të Bashkimit Evropian. Por edhe kur procedura nis, procesi është i gjatë, emocionalisht i vështirë dhe pa garanci suksesi.
Ndërkohë, rasti i programeve shtetërore për stimulimin e lindshmërisë tregon kontrastin në këtë drejtim: fondet ekzistojnë, por nuk përkthehen në akses real për çiftet që kanë nevojë për trajtim mjekësor të specializuar.
Viti 2025 shënoi tensione të vazhdueshme për median në Shqipëri, ku ndërhyrjet politike, pasiguria në punë dhe kërcënimet ndaj gazetarëve mbeten probleme sistemike.
Raportimet e Citizens.al ndërtuan një panoramë domethënëse të një sektori që operon me nevojën për më shumë liri dhe pavarësi përballë realitetit të presioneve të shumta.
Ndërhyrja shtetërore ndaj News24, precedent shqetësues
Mësymja e policisë dhe ushtrisë në mjediset News 24 gjatë verës, ishte një nga episodet më të rënda të vitit sa i përket lirisë së medias.
Aksioni nisi mëngjesin e 9 gushtit, ku policia rrethoi godinën, personeli u nxor jashtë. Më pas u ndërpre energjia elektrike e për rrjedhojë edhe transmetimi.
Ditë më vonë ushtria zbrazi mjediset e brendshme duke sekuestruar pajisjet dhe sendet e punonjësve të News24.
Kjo ngriti shqetësime serioze për ndërhyrje ndaj punës së gazetarëve dhe medias.
Objekti, administrohej prej vitit 2003 me një kontratë qiraje nga grupi mediatik i familjes Hysenbelliu, që përfshin News 24, BalkanWeb, Panorama, Panoram Sport etj. Por prej marsit 2025 godina i ishte transferuar kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve KAYO.
Megjithatë procesi i kalimit të pronësisë nuk ishte transparent dhe mes familjes Hysenbelliu dhe qeverisë kishte kontestime, për të cilat çështja i kishte kaluar dhe gjykatave.
Bastisja dhe injorimi i vendimeve gjyqësore që e shpalli të paligjshëm sekuestrimin e sendeve të gazetarëve u lexuan si sulm frontal ndaj lirisë së medias.
Ndërkohë, solidariteti i gazetarëve dhe denoncimi i paligjshmërive në aksionin e policisë dhe ushtrisë tregoi se komuniteti i medias mbetet vigjilent, por edhe i ekspozuar ndaj presioneve.
RTSH në krizë të zgjatur
Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) u bë simbol i keqmenaxhimit dhe ndërhyrjeve politike. Pas disa muajsh me drejtor të komanduar pas dorëheqjes së Alfred Pezës, procesi për zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm u zhvillua me mungesë transparence dhe shkelje të statutit.
Pati akuza për shkelje dhe abuzime. Por pezullimi i konkurrimit, dorëheqjet dhe më pas shkarkimi i Këshillit Drejtues paralizuan mirë-funksionimin e RTSH-së në një vit zgjedhor.
Zgjedhja e Këshillit të ri e më pas dhe drejtueses së re të RTSH-së, Eni Vasilit, nuk i qetësoi shqetësimet. Organizatat e medias paralajmëruan rrezikun e kapjes politike, ndërsa zhvillimet e mëvonshme treguan se problemet nuk ishin vetëm në aspektin drejtues apo procedurial.
Kriza financiare që kishte kapluar RTSH-në, rëndoi mbi gazetarët dhe punonjësit ku pati: vonesa pagash, ndërprerje bashkëpunimesh dhe pasiguri në punë.
Radio-televizioni publik u shndërrua kështu në shembull keqadministrimi.
Zgjedhjet: Pabarazi, presion dhe propagandë
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit testuan integritetin e gazetarisë në Shqipëri. Organizatat e medias dhe shoqërisë civile kërkuan respektim të parimeve themelore të lirisë, transparencës dhe debatit publik, por shkeljet ishin të dukshme gjatë fushatës dhe po ashtu gjatë ditës së votimit.
Qasja e gazetarëve në takimet dhe aktivitetet politike ishte e kufizuar. Partitë shmangën debatet e kandidatëve ballë-për-ballë dhe nuk ndanë agjenda të qarta.
Transparenca në komunikimet e fushatës, si etiketimi i qartë i përmbajtjeve të paguara dhe ndarja e burimeve shtetërore nga aktiviteti partiak, ishin parime që u shkelën.
Disa televizione madje shitën haptazi “paketa mbulimi” dhe intervista të porositura pa i etiketuar si reklama politike. Nga ana tjetër, kanalet zyrtare online të qeverisë u kthyen në hapësira propagande partiake.
Rritja e përmbajtjeve anonime, të amplifikuara edhe përmes inteligjencës artificiale, e turbulluan më shumë burimin e mesazheve zgjedhore.
Gjatë ditës së zgjedhjeve u shënuan sulme verbale dhe fizike ndaj gazetarëve. Rastet e Ambrozia Metës dhe Elsa Xhindoles ishin treguesit kryesor të trysnisë që u has nga gazetarët në terren.
Paralelisht, u shënuan kufizime arbitrare për filmime dhe qasje në qendra votimi. Rasti i gazetarit Enriko Gaba, të cilit iu kërkua të mos filmonte “më shumë se 15 minuta” në një qendër votimi ishte rasti më konkret.
Pati edhe presione të drejtpërdrejta ndaj reporterëve. Armando Rabi u kërcënua nga një 26-vjeçar me pretendimin se “po e filmonte pa leje”.
Monitorimet treguan për vijim të praktikës së kasetave: ku partitë u dërgojnë mediave pamje dhe kronika të gatshme, teksa ekranet u dominuan nga aktorët e mëdhenj politikë teksa u lanë hapësira minimale për zëra alternativë.
Raporti i OSBE-ODIHR evidentoi censurë dhe trajtim të pabarabartë të partive politike në media.
Një vit që testoi kufijtë e lirisë mediatike
Në maj, Shqipëria u rendit në vendin e 80-të në Indeksin e Lirisë së Shtypit të “Reporterëve pa Kufij” (RSF), duke shënuar përmirësim krahasuar me vitin paraardhës.
Megjithatë, raporti theksoi probleme të thella: ndikim politik mbi median, kuadri ligjor i dobët, rregullatorë të politizuar dhe konflikte interesi mes biznesit dhe pushtetit.
Shumica e mediave private mbeten të përqendruara në pak duar me lidhje politike, sidomos në sektorë si ndërtimi. Ndërsa shumë platforma online operojnë pa modele të qëndrueshme financimi dhe transparence.
Ndërkohë, një sinjal pozitiv erdhi nga Kushtetuesja, e cila në rastin e gazetarit Elton Qyno kundër SPAK-ut, mbrojti të drejtën e tij për ruajtjen e burimeve, duke krijuar precedent të rëndësishëm për gazetarinë hulumtuese.
Ndërkohë, në terren, presionet vazhduan. Gazetarë u përballën me sulme verbale, denigrim dhe kërcënime.
Pseudonimi i përdorur në kallëzimin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj – Nesti Angoni – kthyer në disa profile Facebook-u, sulmoi gazetaren Glidona Daci, me një gjuhë denigruese dhe shantazhuese.
Refuzimi agresiv i për t’u shprehur në një lidhje të drejtpërdrejtë nga figura të Partisë Demokratike në një protestë nxitën qasje kërcënuese të turmës ndaj gazetares Sara Demushi.
Në fund të vitit, mesazhe kërcënuese iu drejtuan gazetarit Osman Stafa, i cili ka raportuar vazhdimisht për kushtet në Spitalin Onkologjik. Një profil anonim në Instagram i bënte thirrje që mos të shfaqej më në spital, përndryshe do të kishte pasoja për jetën.
Rastet në fjalë treguan se rreziku për gazetarët mbetet real dhe i pranishëm, pavarësisht përmirësimeve në klasifikimet ndërkombëtare si ato të RSF-së.
Prej së dielës banorët e Vlorës janë në protestë për mungesën e ujit të pijshëm. Qyteti hyri të hënën në ditën e katërt pa furnizim, për shkak të një problemi teknik.
Të hënën dhjetëra qytetarë u grumbulluan para bashkisë, ku hodhën vezë dhe letra higjienike, teksa një mbrëmje më parë ata mësynë teatrin “Petro Marko” duke prishur eventin e fundvitit që organizohej nga bashkia.
Revolta erdhi si përgjigje ndaj mungesës së përgjegjësisë dhe rrugëzgjidhjes. Nën zhurmën e bidonëve, ata kërkuan zgjidhje urgjente dhe paralajmëruan rrezik shëndetësor nga mungesa e higjienës.
Uji u ndërpre në qytetin e Vlorës pas një defekti në linjën kryesore të furnizimit. Defekti ndodhi në tubacionin e gjerë, 1 metër, që furnizon depot. Linja ishte investuar në vitet 2009-2010.
Ekipet e Ujësjellës-Kanalizimeve punuan në terren për rregullimin e avarisë, por si duket problemi ishte më serioz se sa u pandeh në fillim duke kërkuar më shumë kohë.
Gjatë punës për rregullimin e avarisë Burimi: Ujësjellës Kanalizime Vlorë
Edhe kryebashkiakja Brunilda Mersini ishte në vendin ku po kryheshin punimet. Ajo e quajti situatën “fatkeqësi natyrore” dhe shmangu debatin për përgjegjësitë, megjithëse përmendi faktin se ujësjellësi prej dy vitesh administrohet nga qeveria dhe jo bashkia.
Sipas Mersinit, testet e fundit dhanë rezultat pozitiv. Zona e Lungomares pritet të furnizohet me presion minimal. Ndërkohë zgjidhja për furnizimin në qytet është dhënë me 15 autobote ujë, ku përparësi u është dhënë institucioneve.
Ndarja e përgjegjësive administrative për shërbimet kryesore të qytetit, mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore, kanë qenë problem i vazhdueshëm në Vlorë.
Në vitin 2024, kriza e mbetjeve, zjarri në fushën e depozitimit dhe përmbytjet rritën pakënaqësinë publike dhe paraprinë dorëheqjen e kryebashkiakut Ermal Dredha.
Ndërkohë, furnizimi me ujë mbetet premtim i përsëritur politik prej vitit 2013.
Kryeministri Edi Rama premtoi asokohe furnizim 24 orë si “shenjë qytetërimi”. Në 2021, ai garantoi 100% furnizim në mandatin e tretë.
Në vitin 2025, gjatë një diskutimi online, Rama relativizoi problemin duke kujtuar se as komunizmi nuk kishte pasur ujë 24 orë. Kështu, premtimet ndryshojnë, por realiteti mbetet i njëjtë për qytetarët.
Sipas raportit vjetor 2024 të Entit Rregullator të Ujit, furnizimi mbulon 77.2% të popullsisë. Rritja është vetëm 1.9% krahasuar me vitin 2023.
Raporti thekson ndikimin e kompanive më të mëdha të ujësjellësit, mes tyre Tirana, Durrësi dhe Vlora. Megjithatë, statistikat mbeten larg premtimit për furnizim të qëndrueshëm 24 orë.
Kriza në Vlorë ekspozoi kështu brishtësinë e menaxhimit të sistemit të ujësjellësave dhe mungesën e përgjegjësive të qarta. Ndërsa qytetarët kërkojnë jo vetëm zgjidhje emergjente, por transparencë dhe plan afatgjatë për një shërbim bazë.
Shfrytëzimi i burimeve ujore për prodhim energjie elektrike ka qenë një nga të paktat politika të pandryshuara gjatë dekadës së fundit në Shqipëri.
Premtimet për të frenuar ndërtimin e hidrocentraleve, sidomos në zonat e mbrojtura, janë kaluar me një valë kontratash, projektesh të zvarritura dhe përplasjesh me komunitetet.
Citizens sjell një hartë të plotë të shpërndarjes së hidrocentraleve që u ndërtuan në 15 vitet e fundit.
Kush fiton dhe kush humbet nga ndërtimi i tyre? Përvoja tregon se komunitetet përreth digave nuk fitojnë gjë, përkundrazi.
Qeveritë ndërrohen, hidrocentralet vazhdojnë
Ndërsa qeveria e Kryeministrit Edi Rama, në pushtet prej vitit 2013, vazhdon ta paraqesë zhvillimin e hidrocentraleve si politikë të qëndrueshme energjitike, bilanci real mbetet i paqartë.
Pasi mori pushtetin, Rama e konsideroi “korrupsion shkatërrimtar” prirjen e qeverisë së shkuar të drejtuar nga Sali Berisha (2005-2013) për dhënien e lejeve të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura.
Ai tha se në këto zona ishin dhënë 113 leje, prej të cilave theksoi se 55 “nuk kanë për të filluar punë” si zotim i tij se “politika me hidrocentralet” do të ndryshonte.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) raportonte asokohe se vendi kishte 80 hidrocentrale private (2013) me kapacitet të përgjithshëm rreth 240 megavat (MW).
Pas kësaj, qeveria Rama shqyrtoi 103 kontrata koncesionare në një proces të gjatë, pas së cilit në vitin 2019 deklaroi anulimin e 27 prej tyre, që parashikonin ndërtimin e 80 HEC-eve.
Në këtë periudhë (2019) ERE raportonte për shumfishim të hidrocentraleve private: 197 me fuqi 827 MW.
Qeveria doli me gjykimin e përgjithshëm se hidrocentralet e vegjël ishin të padobishëm në aspektin energjetik dhe të dëmshëm në raport me mjedisin dhe komunitetet.
Makineritë të bllokuara në anën e lumit të Lusës, Kurdari/Citizens.al
“Nuk do ketë më në Shqipëri, leje për asnjë HEC nën 2 MW dhe nuk do lejohet më kurrë që në emër të prodhimit të energjisë të preken zona me rëndësi nga pikëpamja natyrore dhe turistike, apo komunitete, duke arritur deri në pikën që tubat e HEC-it të futen në burimin e ujit,”u zotua Rama asokohe.
Por koha tregoi se ky zotim nuk u mbajt. Qeveria vijoi të jepte leje për HEC-et e vogla, madje ajo ndërhyri edhe në ligjin e zonave të mbrotjura duke i tkurrur edhe territoret e parqeve kombëtare në favor të dhënies së burimeve ujore për HEC-e.
Rastet konkrete janë HEC-et në Zall-Gjoçaj apo dhe në Kurdari ku “HEC Doma” po ndërtohet pavarësisht kontestimeve të komunitetit dhe faktit se ka një kapacitet prej më pak se 2 MW.
Një rritje me 41 HEC-e (17.2%) krahasuar me vitin 2019 kur qeveria u zotua për qasje të kontrolluar, 158 HEC-e (66.3%) prej vitit 2013 kur socialistët morën pushtetin.
Më shumë se gjysma e këtyre impianteve (58%; 138 HEC-e) prodhojnë energji minimale (me kapacitete 2 ose më pak se 2 MW), dhe janë ndërtuar pavarësisht dëmeve ndaj mjedisit, burimeve ujore dhe komuniteteve.
Rrjeti i hidrocentraleve në Shqipëri
Në 15 vitet e fundit, ndërtimi i hidrocentraleve në Shqipëri është shtrirë në gjithë territorin. Kjo ka prekur shumicën e bashkive duke krijuar një rrjet të dendur tubash dhe digash në rrjedhat e lumenjve kryesorë të vendit.
Sipas të dhënave të siguruara nga Citizens.al nga 61 bashkitë e vendit, gjatë kësaj periudhe u vunë në punë 211 hidrocentrale, ndërkohë 24 të tjerë janë në proces ndërtimi.
Ky zgjerim ka ndodhur përmes kontratave të lidhura në periudha të ndryshme, shpesh edhe një dekadë më parë, që vijojnë të mbahen aktive pavarësisht zvarritjeve, proceseve gjyqësore apo kundërshtimit nga komunitetet lokale.
Ndërkohë, shpërndarja e hidrocentraleve nuk është e njëtrajtshme.
Bashki si Librazhdi (21), Dibra (19), Korça (15), Maliqi (15), Skrapari (13), Mirdita (12) dhe Klosi (12) përqendrojnë numrin më të lartë të hidrocentraleve në funksion, ndërsa në disa prej tyre vijojnë projekte të reja, shpesh të shoqëruara me protesta dhe konflikte ligjore.
Ndryshe, 30 bashki të tjera nuk kanë pasur zhvillime hidrocentralesh gjatë kësaj periudhe kryesisht për shkak të mungesës së burimeve ujore të qëndrueshme, duke nxjerrë në pah varësinë e modelit energjetik nga lumenjtë malorë.
Shtrirja e hidrocentraleve në Shqipëri/Citizens.al
Megjithatë në zona të ndryshme si Kukësi (13), Fushë-Arrëzi (10), Mati (8) dhe Tepelena (5) janë raportuar për projekte në proces. Shumica e këtyre projekteve janë kontestuar, veçanërisht në bashkinë Tepelenë, ku prej vitit 2017 ka nisur njëproces gjyqësor kundër ndërtimit të një HEC-i në lumin e Nivicës.
Të dhënat që ofrojnë autoritetet publike janë shpesh kontradiktore, megjithatë, ato tregojnë se qasja për ndërtimin e hidrocentraleve mbetet e pandryshuar që prej vitit 2010 dhe se ndërtimi i HEC-eve ka vijuar edhe pas premtimeve për ndalimin e lejeve të reja ndërsa roli i bashkive mbetet kryesisht administrativ, pa ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen.
Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), tha për Citizens.al se aktualisht janë mbi 150 projekte HEC-esh në procedura për “plotësim dokumentacioni” apo “marrje lejesh”. Kjo agjenci, në këtë pikë, mban të arkivuar si projekte në proces edhe rastet e rrëzuara me vendime gjykatash apo vendosjes së lumenjve në zona të mbrojtura, si për shembull: Kalivaçi, Shushica dhe Poçemi.
Në mungesë të një vlerësimi të plotë kombëtar për ndikimin mjedisor dhe social të këtij modeli zhvillimi, rrjeti i hidrocentraleve është konsoliduar tashmë si një realitet i pakthyeshëm, duke u shoqëruar me pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të burimeve ujore dhe marrëdhënien mes investimeve private, komuniteteve lokale dhe interesit publik.
Kaçinari: “Uji në tuba” dhe një komunitet në revoltë
Në Kaçinar të Mirditës, tensioni i mbledhur ndër vite shpërtheu në fundin e muajit mars në një protestë të mirëfilltë. Qindra banorë nga fshatrat përreth, por dhe diaspora u mblodhën për të kundërshtuar ndërtimin e katër hidrocentraleve të koncesionarit “Shpërdhaza-Energji”.
Komuniteti i Mirditës në protestë kundër HEC-eve/Citizens.al
Banorët e konsiderojnë cenim kryesor për jetën e tyre futjen në tuba e disa prej përrenjve malorë, të cilët historikisht janë përdorur nga fshatrat.
Rruga e vështirë drejt Qafës së Vorres, rreth 40 minuta larg nga Rrësheni, ku u zhvillua protesta, tregonte njëkohësisht degradimin e territorit dhe tensionin e autoriteteve: postblloqe policore, kontrolle makinash dhe prezencë e pajustifikuar efektivësh.
“Këtu këtë popull e kanë grabitur,” përshkroi revoltën Arben Gega, një prej protestuesve, “por kur s’na ka bërë turku të ikim, këta jo se jo, nuk do t’ia arrijnë!”.
Gjok Beqiri, nga fshati Simon, tregoi se projekti prek shtatë fshatra me mbi 3,000 familje.
Kabina e rojeve dhe kamerat e sigurisë të vendosura përreth kantierit kishin krijuar një ambient të denjë për zonë ushtarake, ndërsa banorët, në mungesë informacioni dhe të vënë përballë faktit të kryer, ngritën dyshimet se dokumentacioni i kompanisë nuk është i rregullt.
Këtë shqetësim ndanë për Citizens.al disa prej tyre, të cilët thanë se nuk ishin njoftuar kurrë për dëgjesa publike, pavarësisht pretendimeve të kompanisë.
Në muajin prill, makineritë e kompanisë “Shpërdhaza-Energji” hynë në pyllin aty pranë, një zonë me një peizazh të larmishëm buzë rrugës, për të cilën banorët druajnë se mund të vuajë pasoja nga hidrocentralet.
Pasi konstatuan pemët e para të rrëzuara nga punimet ata organizuan protesta të tjera, një prej së cilës edhe në Tiranë, para ministrisë së Infrastrukturës.
Kryetari i fshatit Simon, Gjergj Deda, ngriti dyshimet se punimet po kryheshin pa lejet e nevojshme “sepse kërkonin dhe shoqëroheshin nga policia çdo ditë”.
Për komunitetin, uji është thelbi i jetesës: mullinjtë, tokat dhe historinë e tyre. “Vllaut s’ia fal, jo më të huajit,” kanë theksuar disa prej tyre.
Ndaj ata i janë drejtuar drejtësisë. Në shtator, Gjykata e Lezhës vendosi t’ia kalojë çështjen Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) duke shpallur moskompetencë.
Komuniteti i Mirditës në protestë kundër HEC-eve/Citizens.al
Ndërsa në 16 dhjetor, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi t’ia delegojë çështjen Gjykatës së Lartë, e cila do të përcaktojë gjykatën kompetente për shqyrtimin e kallëzimit të bërë nga 13 banorë të Kaçinarit, kallëzim i kryer prej 25 nëntor-it 2019.
Kurdaria: Një verë e nxehtë kundër HEC-it “Doma”
Në Kurdari të Matit, vera shënoi nisjen e punimeve për HEC-in “Doma”, një projekt i “Global Interprise Group” që pritet të shfrytëzojë lumin e Lusës dhe të hapë një trase të re rruge prej 4.4 km.
Për banorët, ky projekt vjen në një kohë kur ata vuajnë për ujë, pavarësisht investimeve në ujësjellës.
Erind Saliaj, administrator i Njësisë Administrative Suç, shpjegoi për Citizens.al se pesë fshatrat e zonës – Kurdari, Skënderaj, Kurqelaj, Suç dhe Kujtim – nuk kanë furnizim të rregullt dhe se ndërtimi i një hidrocentrali është “absurd” në këto kushte.
Tregues për situatën ishte gjendja në kafenenë më popullore të fshatit, e cila shërbente vetëm ujë të ambalazhuar, teksa çezma e oborrit të saj ishte tharë.
Procesi i dëgjesave publike ka qenë pika kryesore e tensioneve në këtë çështje, e cila është shoqëruar me protesta dhe përplasje me kompaninë.
Një ekskavator dhe furgon me gomë të çarë qëndronin të braktisur në fund të trasesë së hapur si dëshmi e përplasjeve. Ato ruheshin nga një kamerë, e cila për ironi furnizohej me panel diellor.
Sipas banorëve, dëgjesa e parë, e vitit 2018, tregoi se shumica ishin kundër hidrocentraleve, por ndryshe, në procesverbal u paraqit si shprehje dakordësie.
Rexhep Kuleni, një nga zërat më të fortë të komunitetit, tha se ky veprim përbën shkelje penale, për të cilën duhet gjetur përgjegjësia.
Ai kujton dëgjesën e dytë të mbajtur në vitin 2020, kur rreth 500 banorë u mblodhën dhe kërkuan që përfaqësuesi i kompanisë që interesohej për hidrocentralin të largohej.
Komuniteti i Kurdarisë në protestë kundër HEC-eve/Citizens.al
Por pavarësisht kundërshtive dhe premtimeve se nuk do të rikthehej në zonë, koncesionari u shfaq sërish, duke marrë firma në mënyrë të veçuar, pa pjesëmarrje lajmëruar të komunitetit apo autoriteteve.
“Marrin ca firma në mënyrë abuzive, ku një pjesë e madhe nuk e dinë çfarë kanë firmosur,” tha Kuleni, sipas së cilit në këto dëgjesa nuk ka pasur përfaqësues të bashkisë.
Banorët thonë se mungon transparenca, të dhënat, dhe mbi të gjitha mungon uji. Për ta, hidrocentrali është kërcënim ekzistencial dhe social, jo një projekt energjetik.
Zona, e njohur dhe si “hambari i Matit” për prodhimet bujqësore është zotuar se nuk do ta lërë projektin e hidrocentralit që të zbatohet duke vijuar ndalimin e makinerive t’i bashkohen kantierit.
“Nuk do ta lëmë, me firma të vjedhura, me firma të blera, populli nuk pranon,” theksoi Enver Dava, tokat e të cilit bien krah trasesë së hidrocentralit.
Më 22 tetor 2025, duke marrë parasysh tensionin mes banorëve dhe përfaqësuesve të firmës ndërtuese të hidrocentralit një grup pune nga AKBN-ja mbërriti në terren.
Në procesverbalin e mbajtur u konstatua hapje e trasesë për të pasur akses për punimet për hidrocentralin.
“Në momentin e monitorimit shoqëria nuk po arrinte dot të kryente punimet ndërtimore”, thuhet në procesverbalin e mbajtur nga grupi i punës së AKBN-së.
Paralelisht, banorët e kanë adresuar kundërshtinë e tyre edhe në rrugë gjyqësore. Në tetor, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë nuk i ndali punimet, ndërsa deri në një vendim në themel të çështjes, por pavarësisht kësaj banorët mbeten me shpresë për një vendim të drejtë.
Zall-Gjoçaj: HEC-et u ndërtuan, por beteja kundër tyre vazhdon
Në Zall-Gjoçaj, hidrocentralet “Sekë” dhe “Zais” morën formë mes polemikave, por qëndresa e komunitetit atje vijon prej më shumë se shtatë vitesh.
Reportazhet e emisionit “Opinion” nga Blendi Fevziu dhe portali Lexo.al nga Flogert Muça, promovuan me kërshëri gjatë muajve shtator-tetor investimet në hidrocentralet e Zall-Gjoçajt.
Materialet u përpoqën t’i jepnin një dimension tjetër investimit privat të sipërmarrësit italian Fabio Scuero. Sipas tyre tre HEC-et e ngritura në basenin e Urakës me kapacitet 30 MË, janë shoqëruar me investime për një rrjet ujësjellësi për 17 fshatra dhe rreth 90 km rrugë.
Por reportazhet ngjallën zemëratën e banorëve të Zall-Gjoçajt, të cilët prej vitit 2018 kanë protestuar kundër HEC-eve.
Në një deklaratë të përbashkët aktivistët e cilësuan atë reklamë duke kujtuar se Zall-Gjoçaj është bërë simbol rezistence pikërisht sepse HEC-et u ndërtuan brenda Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, një zonë e mbrojtur që u tkurr me një vendim të qeverisë në vitin 2022 për t’i hapur rrugë projektit të HEC-it “Zais”.
Prej vitesh, banorë si Abdi Toçi, Dhimitër Koleci dhe Adem Gjokolaj kanë protestuar, kallëzuar zyrtarë publikë dhe kanë çuar çështjen e Zall-Gjoçajt në disa procese gjyqësore.
Në tetor, Gjykata Administrative e Apelit la në fuqi vendimin që legjitimonte ndërtimin e HEC-eve, duke rrëzuar padinë për shfuqizimin e kontratave dhe akteve administrative.
Avokati i tyre, Franc Terihati, tha për Citizens.al se çështja do të shkojë në Gjykatën e Lartë, ndërsa Koleci tha se një padi tjetër po hetohet nga SPAK, dhe një padi penale mbetet e hapur për dëmet e shkaktuara gjatë punimeve, nga prishja e kanalit të ujit e deri te hedhja e inertëve në varreza.
Ndërkohë, kompania ka paditur vetë aktivistë e banorë për shpifje, gjë që komuniteti e sheh si formë presioni për të heshtur rezistencën.
Solidariteti i aktivistëve për tre banorët e paditur nga Seka Hydropower/Citizens.al
Në terren, pasojat sipas banorëve janë të prekshme: uji është i gjithi në tuba, burimet e fshatit janë shteruar dhe lumi nuk ka më prurjen e mëparshme. Banorët thonë se gjatë verës nuk kishin ujë as për të fikur zjarret, ndërsa bagëtia dhe bletët kanë pësuar dëme të pakthyeshme.
Për Zall-Gjoçajn, beteja nuk ka të bëjë vetëm me një projekt energjetik, por me të drejtën për të ekzistuar brenda peizazhit të tyre.
Edhe pse hidrocentralet u ndërtuan, çështjet ligjore, pasojat mjedisore dhe mosbesimi ndaj institucioneve vazhdojnë ta mbajnë fshatin në një konflikt të hapur me modelin kombëtar të zhvillimit hidroenergjetik.
Lufaj njësoj si Zall-Gjoçajt përballë thatësirës
Në Lufaj të Mirditës, banorët përballen me të njëjtin model të ndërtimit të hidrocentraleve – devijim burimesh ujore pa transparencë dhe pa dëgjesa me komunitetin.
Në korrik ata protestuan kundër kompanisë “Seka Hydropoëer”, me pretendimin se ajo nuk respektonte kontratën e shfrytëzimit të burimeve ujore të zonës duke mos lëshuar rrjedhë për nevojat e tyre.
Zona me një peizazh të mrekullueshëm, nuk ndihmohej aspak nga rruga, e cila ishte në gjendje të amortizuar. Devijimi i prurjeve kishte ulur ndjeshëm burimet duke detyruar disa familje të merrnin ujë gjetkë me mjete të improvizuara.
Banorët thanë për Citizens.al se ata kishin qenë kundër ndërtimit të HEC-ve që para vitit 2017, por që zëri i tyre nuk ishte dëgjuar.
“As nuk na ka pyetur njeri, as nuk kemi qenë dakord,” tha Agron Kaçarri, banor.
Lufaj e lidh drejtpërdrejt fatin e saj me Zall-Gjoçajt, ku hidrocentralet u ndërtuan brenda Parkut Kombëtar të Lurës dhe Malit të Dejës, duke sjellë konflikt të gjatë me komunitetin, ndërhyrje policore dhe pasoja të pakthyera në ekosistem.
“Energji e gjelbër” me kosto të errët
Modeli i hidrocentraleve në Shqipëri është shitur si “një model i gjelbër”, por në realitet ka sjellë dëme të pakthyeshme ekologjike dhe ekonomike në nivele lokale, por edhe kombëtare.
Biologu Olsi Nika, i cili drejton organizatën mjedisore “Eco Albania”, thekson për Citizens.al se shumë projekte hidroenergjetike janë miratuar mbi leje të diskutueshme dhe pa analiza të plota të ndikimit, duke krijuar një zinxhir pasojash që shkon nga shpyllëzimi te shkatërrimi i habitateve ujore.
Sipas tij, devijimi i ujërave, rezervuarët e mëdhenj, ndotja, ndryshimi i temperaturës dhe oksigjenit kanë çuar në humbje speciesh, eutrofikim dhe homogjenizim të biodiversitetit – një proces që shumë zona nuk e rikuperojnë kurrë.
Rast konkret përmendet trofta apo dhe peshq të tjerë migratorë, të cilët nuk arrijnë zonat e shumimit për shkak të devijimeve të lumit apo dhe vetë impianteve hidroenergjetike.
Studimi për Zall-Gjoçajn i biologut Melitjan Nezaj nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) e konkretizon problemin.
Paraqitje grafike e botimit shkencor për Zall-Gjoçajn/Citizens.al
Me lënien e një sasie minimale të ujit ekologjik, shtrati i lumit thahet pak qindra metra larg veprave të marrjes.
“Në shtratin tashmë pa ujë kanë nisur të shfaqen bimë të mjediseve të thata, një shenjë e qartë e mungesës afatgjatë të ujit,” thekson Nezaj.
Kjo ka zhdukur faunën nënujore, ka degraduar bimësinë dhe ka goditur bujqësinë e banorëve, të cilët varen nga uji për prodhim dhe blegtori.
Ndërtimet kanë lënë pas inertë, kanale të dëmtuara dhe masa rehabilituese të dështuara, shpesh me bimësi jovendase dhe vendkalime peshqish që nuk funksionojnë.
Të dy ekspertët vlerësojnë se këto dëme nuk janë thjesht teknike, por strukturore: një model zhvillimi që shpërfill ligjin dhe zonat e mbrojtura, mungesën e konsultimeve, ndikimet afatgjata dhe transparencën.
“Shumë komunitete,” thekson Nika, “mësuan për projektet e HEC-eve vetëm kur kishin nisur punimet”.
Konfliktet për ujërat janë bërë tipike nga Rapuni te Kaçinari, Kurdaria, Zall-Gjoçaj e Lufaj duke treguar se përfitimet i shkojnë pak aktorëve, ndërsa kostoja bie mbi komunitete dhe ekosisteme të cenueshme.
Ata që fitojnë nga ky model mbeten disa kompani, disa prej të cilave me kapitale të huaja. Ndërsa komunitetet humbasin të tjera burime dhe mundësi zhvillimi duke pasur një arsye më shumë për t’u larguar.
Në plan më të gjerë, ekspertët argumentojnë se hidrocentralet e vogla me fuqi të ulët kanë efikasitet të diskutueshëm dhe shpesh gjurmë të larta karboni, përfshirë prodhimin e metanit nga rezervuarët.
Për biologun Nika, energjia hidroelektrike në Shqipëri duhet parë si “me karbon të ulët, por me ndikim të lartë”, ndërsa zhvillimi i qëndrueshëm kërkon orientim te burimet që nuk fragmentojnë lumenjtë: kryesisht energjia diellore dhe ajo e erës.
Gjykata e Lezhës pushoi padinë e kompanisë “Shpërdhaza-Energji” ndaj dy banorëve të zonës së Kaçinarit në Mirditë, të cilët qenë akuzuar për shpifje dhe prishje imazhi. Vendimi mbyll një proces të konsideruar gjerësisht nga grupet kundër hidrocentraleve si përpjekje për të heshtur rezistencën e komuniteteve.
Padia ishte ngritur ndaj Gjergj Dedës, kryeplak i fshatit Simon, dhe Gjon Ndojt, pas deklaratave kundër ngritjes së katër hidrocentraleve nga “Shpërdhaza-Energji” në fshatrat e Mirditës.
Padia qe depozituar më 17 mars dhe lidhej me qëndrimet e shprehura nga dy banorët në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të Mirditës, që ishte mbajtur tre javë më përpara, më 24 shkurt.
“Kam thënë s’kanë dokumente, s’kanë leje mjedisore, ujore,” tha Deda për Citizens.al, sipas së cilit kompania ka vepruar në kundërshtim me ligjin.
Sipas avokatit të banorëve, Marash Logu, kompania i cilësoi deklaratat si të pavërteta dhe cenuese për reputacionin e saj.
Mirëpo, pas rreth nëntë muajsh, gjykata ka vendosur ta pushojë çështjen. Shkak është bërë mosparaqitja e vazhdueshme e përfaqësuesve ligjorë të kompanisë. Si rrjedhojë procesi nuk avancoi kurrë në shqyrtim themelor.
Paditë SLAPP si mënyra për të heshtur banorët
Paditë e tilla, të cilat synojnë kryesisht frikësimin dhe stepjen e zërave kundërshtues, njihen shkurtimisht si “SLAPP”.
Rasti i Kaçinarit nuk është i izoluar. Në tetor 2025, banorët e Zall Gjoçajt që prej vitesh protestojnë kundër hidrocentraleve në atë zonë u gjendën të paditur për shpifje dhe fyerje nga kompania “Seka Hydropower”.
Kompania pretendon se tre banorët e paditur gjatë organizimit të një proteste në Lufaj të Mirditës në korrik 2025, i kanë dëmtuar figurën, përmes komunikimit që kanë pasur për mediat. Çështja vijon të trajtohet nga gjykata e Lezhës.
Organizata dhe juristë vërejnë se paditë SLAPP po përdoren shpesh nga kompani private për të intimiduar komunitetet që kundërshtojnë projekte me ndikim mjedisor.
Këto padi nuk synojnë domosdoshmërisht suksese ligjore, por lodhjen psikologjike dhe financiare të aktivistëve, përmes proceseve të gjata gjyqësore.
Diana Malaj, juriste dhe përfaqësuese e grupit ATA, i cili ka mbështetur vazhdimisht komunitetet në kundërshtimin e projekteve të HEC-eve, theksoi për Citizens.al se pasojat janë të thella dhe afatgjata.
“Mund të shoqërohet më demotivim të aktivistëve, stres e depresion, […] me një presion të jashtëm e periferik, që mund t’u vijë nga persona të tjerë të rrethit të tyre familjar apo miqësor,” analizon Malaj.
“Mundet t’i rëndojë shpirtërisht fakti që bëhen pjesë e një procesi penal, pra ndihen të kriminalizuar”, vijoi ajo.
Në Shqipëri nuk ekziston ende një kuadër i posaçëm ligjor kundër padive SLAPP. Megjithatë, sipas Malajt, janë planifikuar ndryshime deri në verën e vitit 2027, përfshirë transpozimin e Direktivës Anti-SLAPP të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes dhe të drejtën e protestës, të cilat shpesh sprovohen përmes këtyre padive.
Por, sipas Malajt, efektet e padive SLAPP mund të jenë edhe të kundërta.
“Ato mund të riaktivizojnë solidaritetin dhe të forcojnë këmbënguljen për të protestuar e folur publikisht,” tha ajo teksa nënvizoi se këto efekte shpesh anashkalohen nga paditësit.
Banorët e Kaçinarit kundërshtojnë projektin e katër hidrocentraleve të “Shpërdhaza-Energji” që prej vitit 2019. Ata pretendojnë mungesë konsultimi publik, shkelje ligjore dhe falsifikim të firmave të banorëve.
Protestat janë zhvilluar në bjeshkë, para Ministrisë së Infrastrukturës, por edhe para Gjykatës së Lezhës.
Shqetësimi kryesor mbetet devijimi i burimeve ujore dhe dëmet mjedisore, që sipas banorëve mund të jenë të pakthyeshme nëse punimet vijojnë.
Qytetarë dhe mbështetës të Lëvizjes Bashkë protestuan sërish të enjten para Kuvendit. Ndryshe nga një javë më parë, ku protesta u përqendrua te buxheti, kësaj here thirrja kryesore ishte kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes.
Në fokus ishte kërkesa për heqjen e imunitetit të zëvendës kryeministres, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Protestuesit shprehën nevojën për t’u organizuar në vazhdimësi në përpjekjet për të kërkuar drejtësi dhe luftë ndaj korrupsionit. Në këtë kontekst ata përmendën edhe rastet e dyshuara për abuzime me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) duke theksuar se korrupsioni tashmë ka kapur qeverinë dhe shumicën e institucioneve të vendit.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, tha se vjedhja është bërë normale për qytetarët. Sipas tij, korrupsioni është përsëritur për vite me radhë pa pasoja dhe tanimë qytetarëve nuk u bën përshtypje.
Duke iu drejtuar banorëve të Astirit, Muçi foli për mungesën e shkollave publike. Ai tha se fondet e dyshuara të abuzuara do të mjaftonin për ndërtimin e dhjetë shkollave të reja.
Muçi përmendi edhe situatën e pensionistëve dhe shëndetësinë. Ai e krahasoi shumën e përfolur në media si të vjedhur gjatë aferave të dyshuara korruptive të zëvendëskryeministres me gjysmën e fondit vjetor për bonusin e pensionistëve.
“Për të gjithë ju pensionistë, që bonusin e fundvitit për herë të fundit e morët për këtë vit, kujtohuni se ato 50 milionë euro që hëngri Belinda dhe Edi Rama janë sa gjysma e parave që shpenzohen në vit për bonusin e 700 mijë pensionistëve”, tha Muçi.
Aktivisti Klodi Leka denoncoi pabarazinë para ligjit. Sipas tij, qytetarët ndëshkohen për shkelje të vogla, ndërsa zyrtarët e korruptuar mbrohen nga imuniteti dhe përkrahja politike.
Për këtë ai paralelizoi me faktin se qytetarët e thjeshtë janë ndëshkuar për vepra të rëndomta si ndërtimi i një muri pa leje, apo rilidhja e energjisë elektrike, ndërsa pushtetarët nuk dënohen pavarësisht rasteve korruptive.
“Në Shqipëri nëse ti vjedh qindra, miliona euro, nëse vjedh popullin më të varfër në Evropë, ti jo vetëm nuk shkon në burg, por edhe mbrohesh nga numri një i pushtetit”, tha Leka, duke e cilësuar këtë si shenjë të kapjes së shtetit.
Pedagogu Jani Marka, njëherësh anëtar i Lëvizjes, renditi pasojat e qeverisjes së Ramës në jetën publike. Ai përmendi betonizimin, kanabizimin e vendit, pastrimin e parave dhe shkatërrimin e industrive vendase.
Sipas Markës, ndryshimet ligjore janë përdorur për manipulim zgjedhor dhe këto ndërhyrje kanë shërbyer më pas për të zgjatur pushtetin.
“Edi Rama ka ndryshuar Kushtetutën, Kodin Zgjedhor sa herë i ka dashur qejfi, vetëm për të vjedhur dhe për të manipuluar vullnetin e popullit për më shumë mandate dhe për më shumë vjedhje”, theksoi Marka.
Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, bëri një retrospektivë të qeverisjes së Kryeministrit Edi Rama teksa theksoi se, sipas tij, në këto 13 vite është bërë gjithçka për të varfëruar qytetarët dhe për të pasuruar pushtetarët.
Qori përmendi fondet e BE-së për bujqësinë dhe shpopullimin masiv. Sipas tij, rreth 700 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi.
“Kanë përzënë nga vendi ynë të paktën 700 mijë shqiptarë. Kanë poshtëruar pensionistët”, theksoi mes të tjerash Qori.
Përfaqësues të tjerë të Lëvizjes Bashkë theksuan se Balluku nuk ka vepruar pa dijeninë apo miratimin e Ramës si Kryeministër. Ata e akuzuan atë për mbrojtje politike.
“Rama po përpiqet të shpëtojë veten përmes Ballukut,” deklaroi Emiljando Kita, i cili e përshkroi situatën në krizë besimi ndaj drejtësisë.
Protestuesit kërkuan njëzëri që Rama dhe Balluku të mbajnë përgjegjësi penale për çështjet e ngritura. Ata shprehën mbështetje për institucionet e drejtësisë në hetimet e nisura.
Një javë më parë, Lëvizja Bashkë protestoi kundër ndarjes së buxhetit për vitin 2026. Sipas tyre, buxheti nuk u përgjigjet nevojave reale të qytetarëve duke cilësuar ndarjen kryesore për koncesionet si tregues të qartë se ku shkojnë paratë.
Mësues dhe punonjës të sistemit arsimor protestuan mesditën e së enjtes para Kuvendit. Ata drejtuan dy kërkesa kryesore: rikthimin e pagës së 13-të dhe ndalimin e diferencimin në rroga mes arsimtarëve që janë diplomuar para dhe pas sistemit të Bolonjës.
Në qershor të vitit 2024, Ministria e Arsimit miratoi rritjen e pagave për mësuesit, mesatarisht 18 mijë lekë të reja në muaj. Por kjo rritje nuk ka prekur mësuesit që janë diplomuar para sistemit të Bolonjës, duke pasur një diferencë prej 5 mijë lekësh në pagë.
Alma Lama, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar sqaron se kjo prek rreth 12 mijë mësues.
“Ne Sindikata e bashkuar e Arsimit Shqiptar jemi sot përpara parlamentit të Shqipërisë, me qëllim që ti kërkojmë deputetëve të çdo krahu politik të mbështesë mësuesit. Numri i mësuesve të prekur nga diplomat është mbi 11 mijë dhe ndjeshmëria duhet të ishte edhe më e madhe”, u shpreh Alma Lama para mësuesve të mbledhur para Kuvendit.
Sindikata ka ndërmarrë një nismë për ndryshime ligjore me qëllim që ti jepet fund këtij diferencimi të arsimtarëve, e mbështetur nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.
“Në nenin 124, pas pikës 4, të shtohet pika 4.1, me përmbajtje si më poshtë: personat e diplomuar me programe studimi të përfunduara, para përshtatjes së tyre sipas parimit të procesit të Bolonjës, të trajtohen nga ana administrative dhe financiare sipas nivelit diplomës që kanë pasur përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji”, theksoi Alma Lama, duke nënvizuar se kjo përfshin diplomat e programve 3-vjeçare dhe diplomat master profesional.
Një nga mësueset e pranishme në protestë u shpreh se janë etiketuar si të pashkollë, duke qenë të diferencuar nga mësuesit e sapo diplomuar së fundmi. Deputetja Ina Zhupa deklaroi para mësuesve se njohja e diplomës para sistemit të Bolonjës është një padrejtësi e bërë nga ish-ministrja Manastirliu.
“Për të kursyer me demek lekë në buxhetin e shtetit, ato para që kursehen nga ju, harxhohen për të bërë 10 metra rrugë”, deklaroi deputetja Zhupa.
Ndërsa për kërkesën për pagë të 13-të ajo u shpreh se është një e drejtë që buron edhe nga kontrata kolektive.
“Ju nuk merrni asnjë mbështetje nga shteti, kur gjithë sistemi SMIP dhe gjithçka tjetër e bëni pa asnjë para, me bëni me internetin tuaj, e bëni në kohën tuaj, e bëni me buxhetin tuaj. Ndaj paga e 13-të do të ishte minimumi për ju”, u shpreh më tej deputetja Ina Zhupa.
Të njëjtin mendim ndau edhe deputetja Erisa Xhixho.
“Në qoftë se do ta kisha një vendimmarrje, pagën e mësuesit do ta vija pas pagës së presidentit në hierarkinë e pagave, sepse domosdoshmëria për të pasur një sistem arsimor cilësor është jetike. Ta çojmë buxhetin e arsimit 5% dhe ti japim pagën e merituar, dinjitetin e merituar mësuesve”, përfundoi ajo.
Mësuesit e pranishëm në protestë u shprehën se bëhet fjalë për dinjitetin e tyre dhe se ndjehen të nëpërkëmbur.
“Me paga 700-800 mijë lekëshe do të hyjmë në bashkimin Evropian? Vetë e kanë deklaruar që minimumi i pagës së shtresës së mesme duhet të jetë 1 milion e gjysmë (të vjetra). E kemi gjysmë për gjysmë”, u shpreh Marina Llozhi, mësuese prej 40 vitesh në arsimin shqiptar.
Ajo tha për Citizens.al se rritja e pagës, e kryer një vit më parë nuk justifikon ngarkesën që mësuesit kanë.
“Ne punojmë me përkushtim, i jemi përgjigjur të gjitha kërkesave të Ministrisë së Arsimit, jo Zoom-it, jo SMIP-it, jo digjitalizimit, jo tabelave të “smartlab” dhe të gjitha këto në shumicën e rasteve me paratë e mësuesit”, u shpreh Marina Llozhi.
Sipas saj, çdo gjë është mundësuar nga ajo personalisht për të siguruar një orë mësimore digjitale.
“Unë personalisht kam laptop personal, kam video projektor personal, kam bokse personale, që realizoj digjitalizimin që kërkon Ministria e Arsimit, ndërkohë që si do ta bëj digjitalizimin, kur nuk është rritur buxheti për arsimin”, shtoi më tej mësuese Marina.
Në tjetër mësues pjesëmarrës në protestë, tregon se ngarkesa është shtuar jashtëzakonisht.
“Mësuesit duhet të bëjnë shumë role dhe në mënyrën më të përkryer të mundshme. Në një moment që çedon, flaket tej. Një nga pikat kryesore është shpërblimi. Deri në vitin 2012-2013 ka ekzistuar, por pastaj u hoq. Punën e bëjmë me përkushtim, por vlerësimi është i ulët”, u shpreh ai.
Ndërsa shtoi më tej se edhe pse misioni i mësuesit është të përgatisë nxënësit nga ana intelektuale, tanimë kjo gjë po kalon në plan të dytë.
“Ndërkohë po kalojmë në planet kryesore të edukimit apo më keq akoma, të policit. Po menaxhojmë situata që duhet të menaxhohen tjetërkund”, përfundoi ai.
Në ligjin 80/2015, “Për arsimin e lartë” përcaktohet se diplomat e programeve të studimit që kanë zgjatur 3 vite (6 semestra), janë ekuivalente me diplomat “Bachelor”.
Ndërsa diplomat e programeve të studimit, që kanë zgjatur së paku 4 vite akademike (8 semestra) janë ekuivalente me diplomat “Master i shkencave”.
Pas gjashtë vitesh sorollatje institucionale, çështja e banorëve të Kaçinarit në Mirditë, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e katër hidrocentraleve nga kompania “Shpërdhaza Energji”, do t’i kalojë Gjykatës së Lartë.
Vendimi pritet të përcaktojë nëse rasti i tyre do të gjykohet nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) apo nga Gjykata e Lezhës.
Vendimi i GJKKO-së dhe përplasja e kompetencave
GJKKO vendosi të martën t’ia delegojë çështjen Gjykatës së Lartë, e cila do të përcaktojë gjykatën kompetente për shqyrtimin e kallëzimit të bërë nga 13 banorë të Kaçinarit, një kallëzim që mban datën 25 nëntor 2019.
Kallëzimi i tyre përfshin pretendime për shkelje në dhënien e koncesionit për ndërtimin e hidrocentraleve.
Sipas avokatit të banorëve, Marash Logu, ai përfshin edhe ish-kryetarin e bashkisë Mirditë, Ndrec Dedaj. Për këtë arsye, rasti duhej të hetohej nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe të gjykohet nga gjykatat e posaçme.
“Akuzat penale ndaj ish-kryetarit të bashkisë nuk mund të hetohen nga Prokuroria e Lezhës dhe për rrjedhojë të gjykohen nga Gjykata e Lezhës,” theksoi avokati Logu duke cituar Kushtetutën dhe Kodin e Procedurës Penale.
Endje prej vitit 2019
Avokati Logu shpjegoi për Citizens.al se kallëzimi i banorëve u depozitua fillimisht në atë që asaj kohe njihej si Prokuroria e Krimeve të Rënda. Por ajo shpalli moskompetencë dhe e dërgoi çështjen në prokurorinë e Lezhës.
Në vitin 2020, prokuroria e Lezhës ia përcolli sërish çështjen SPAK-ut, një prokurori e re e posaçme, e cila sapo ishte formuar. SPAK-u e ktheu dosjen mbrapsht, duke vijuar ping-pongun institucional.
Në vitin 2021, Prokuroria e Lezhës kërkoi pushimin e çështjes, duke pretenduar se “nuk ka shkelje”. Por Logu tregoi se Gjykata e Lezhës dhe ajo e Apelit Shkodër vendosën kundër.
“Prokuroria duhej të kryente hetime të tjera për shkak se ekzistonin dyshime se mund të kishte shkelje nga disa persona të përfshirë në procedurat e koncesionit,” tha avokati Logu.
Gjykata e Lezhës i dha prokurorisë 90 ditë kohë për hetimet shtesë. Por sipas avokatit Logu, këto hetime zgjatën katër vite, në kundërshtim me vendimet gjyqësore.
Në vitin 2025, prokuroria e Lezhës paraqiti sërish kërkesë për pushimin e çështjes dhe në këtë pieriudhë gjykata vendosi t’ia përcillte dosjen GJKKO-së për kompetencë.
Kjo e fundit, me vendimin e sotëm, ia kalon për qartësi vendimmarrjeje Gjykatës së Lartë, e cila sipas avokatit Logu, pritet të marrë të paktën tre muaj për t’u shprehur.
“Çështja më pas ose do t’i kthehet GJKKO-së, ose Gjykatës së Lezhës”, u shpreh avokati Logu, ndërsa shtoi se cilado gjykatë ta shqyrtojë çështjen, do të marrë edhe ajo kohën e saj duke nënkuptuar këtu kohë shtesë për drejtësinë.
Beteja e banorëve të Kaçinarit për ujin
Banorët e Kaçinarit e kanë kundërshtuar projektin koncesionar të katër hidrocentraleve të kompanisë “Shpërdhaza Energji” që në vitin 2019. Ata pretendojnë shkelje të rënda ligjore, përfshirë mungesën e konsultimit publik dhe falsifikimin e firmave.
Prej asaj kohe, ata kanë zhvilluar protesta dhe beteja ligjore për ndalimin e projektit.
Në muajt mars, prill, maj dhe korrik 2025, protestat u zhvendosën në bjeshkë, më pas para ministrisë së Infrastrukturës dhe më tej para gjykatës së Lezhës ku u kërkua ndalimi i punimeve.
Shqetësimi kryesor lidhet me dëmet mjedisore dhe devijimin e burimeve ujore, që sipas banorëve mund të jenë të parikuperueshme nëse punimet nuk ndalen në kohë.
Sipas avokatit Logu kompania ka vijuar punimet, pavarësisht se lejet e ndërtimit, mjedisit dhe shfrytëzimit të ujërave kanë tejkaluar afatet ligjore.
Rikthimi në detyrë i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u prit me reagime të forta nga Lëvizja Bashkë, e cila e ka konsideruar simbol të pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të pushtetit.
“Balluku në burg!” ishte parulla që Lëvizja Bashkë shkroi në muret dhe derën kryesore të ministrisë paraditen e së hënës, teksa bënë thirrje për një protestë të përgjithshme para Kuvendit të enjten.
Sipas Lëvizjes, rikthimi i Ballukut në detyrë përbën fyerje për qytetarët e ndershëm dhe minon besimin publik te drejtësia dhe institucionet shtetërore.
Parullat u fshinë menjëherë nga administrata e ministrisë, pa asnjë reagim zyrtar mbi aktin protestues.
Gjykata Kushtetuese vendosi të premten rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut, të cilën Prokuroria e Posaçme e akuzon për abuzime me tenderët e disa prej veprave më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Vendimi erdhi pas shqyrtimit të ankimimit të Kryeministrit Edi Rama kundër një vendimi të mëparshëm të Gjykatës së Posaçme, e cila e kishte pezulluar nga angazhimi në qeveri.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, e cilësoi aksionin e së hënës simbolik dhe shprehje të indinjatës qytetare ndaj sipas tij, një “realiteti institucional të deformuar”.
Ai theksoi se Balluku administron një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit. Ndërkohë, SPAK ka ngritur akuza për abuzime me tenderë, me një dëm të pretenduar prej 50 milionë eurosh.
Muçi krahasoi rastin me situatën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim. Sipas tij, kjo krijon standarde të dyfishta në trajtimin e pushtetit.
“Nga njëra anë kemi ministren që mban në dorë pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit, ndaj së cilës ka akuza të rënda për abuzime në tenderë,” tha Muçi, ndërsa nga ana tjetër “kemi një kryetar bashkie që ndodhet në paraburgim dhe që pretendon që këshilli bashkiak t’i marrë mendimin nga qelia për miratimin e buxhetit të bashkisë”.
Lëvizja ka paralajmëruar një protestë tjetër ditën e enjte, në orën 18:00, para Kuvendit. Kërkesat përfshijnë dorëheqjen e Kryeministrit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Më herët, lëvizja protestoi kundër buxhetit të vitit 2026, duke e cilësuar atë të pabarabartë dhe përjashtues për shtresat më të varfra të shoqërisë.
Gjykata Kushtetuese me shumicë votash vendosi të kthejë në detyrë zëvendës kryeministren Belinda Balluku.
Vendimi i marrë sot, pas një mbledhjeje që zgjati tre orë, vjen pas shqyrtimit të ankimimit të Kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme.
Për shkak të interesit të lartë publik, Gjykata Kushtetuese deklaroi se pikat e tjera të ankesës do të shqyrtohen në një seancë plenare publike, ku do të thirren SPAK, GJKKO, Presidenti dhe Kuvendi.
Kërkesa u mor për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese më 3 dhjetor 2025, mirëpo u shty për shkak të kompleksitetit të vetë çështjes dhe volumit të materialeve.
Pezullimi nga detyra i zëvendës kryeministres Belinda Balluku bëri që Kryeministri Rama t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar mes Kryeministrit, Këshillit të Ministrave si dhe vetë GJKKO-së.
Sipas SPAK, Balluku shkeli barazinë në tenderët për tunelin e Llogarasë dhe në lotin e katërt të Unazës së Madhe në Tiranë, tenderë me vlerë mbi 200 milionë euro.
Në deklarimet e tij, Rama e përshkroi pezullimin e ministres Balluku si shfaqje të “dobësive” të një pushteti “krejt të ri” që synon të ruajë pavarësinë.
Qëndrimet publike të Kryeministrit kundër pezullimit të Ballukut, sollën reagim të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, që i konsideruan si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatave te Posaçme që po merren me çështjen.
Mirëpo, Kryeministri Rama u shpreh se nuk do të reshte me deklaratat e tij, pasi ishte palë në gjykim. Rasti i zëvendës Kryeministres Balluku, nuk është i pari i fugurave kryesore të pushtetit që jep llogari para drejtësisë.
Ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj janë duke u gjykuar nga GJKKO.
Ndërsa Kryeministri Rama ka shtuar presionin ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, duke arritur kulmin pas masave të sigurimit për zëvendës kryeministren Balluku.
Kërcënimet ndaj gazetarëve po shndërrohen në praktikë shqetësuese në Shqipëri, veçanërisht kur ndodhin pas raportimeve që prekin institucionet publike dhe mungesën e llogaridhënies.
Rasti i fundit ndaj gazetarit Osman Stafa, pas raportimeve nga Onkologjiku, rikthen në qendër të vëmendjes cenueshmërinë e gazetarëve në terren dhe mangësitë në garantimin e sigurisë së tyre.
Rasti i gazetarit Osman Stafa
Një kërcënim me jetë iu dërgua gazetarit Osman Stafa në “Instagram”, pas raportimeve të tij për kushtet në Spitalin Onkologjik. Mesazhi i kërkonte të mos shfaqej më në spital, me paralajmërimin se nëse do të bënte të kundërtën do të kishte pasoja.
Stafa e cilësoi kërcënimin përpjekje për ta trembur dhe tërhequr nga raportimet, të cilat kanë qenë të vazhdueshme duke ekspozuar vështirësitë që përballin pacientët e sëmurë në trajtimin e kancerit. Ai tha për Citizens.al se do ta vijojë punën në spital pa asnjë ndryshim.
“Nëse unë do të përballem me ata që janë pas kësaj gjësë [mesazhit], ose do të më rrihnin, ose do të më vrisnin,” tregoi Stafa për përmbajtjen e mesazhit duke shtuar se për të ka pasur “zero ndikim”.
Sipas tij, profili që i dërgoi mesazhin është hapur vetëm dy muajt e fundit. Rasti është denoncuar në polici, e cila ka nisur procedurat për identifikimin e autorëve.
“Kjo është sfida që po u bëj këtyre personave, që çfarëdo që të bëni, mua nuk më intimidoni me kërcënime të tilla,” theksoi Stafa.
Gazetari u shpreh se procedurat për identifikimin e personave që kërcënojnë ngjashëm në rrjetet sociale zgjasin 3-4 muaj, por që sidoqoftë autorët mundet të identifikohen.
“Në momentin që bëj kallëzim për kërcënim jete për shkak të detyrës, policia ia referon prokurorisë, prokuroria e çon në gjykatë dhe me vendim gjykate i shkohet kompanisë Meta, e cila sjell më pas të dhënat në çfarë e-maili është adresa dhe me çfarë numër telefoni”, përfundoi Stafa.
Organizatat e medias solidaritet dhe apel për hetim të menjëhershëm
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (SafeJournalists) përshëndeti denoncimin e menjëhershëm dhe vlerësoi raportimet e Stafës për Onkologjikun, që sipas tyre kanë rritur ndërgjegjësimin publik dhe kërkesën për llogaridhënie.
Ajo i bëri thirrje policisë dhe prokurorisë që ta trajtojnë rastin me prioritet, të identifikojnë autorin dhe të garantojnë që gazetarët të raportojnë lirisht pa frikë në punën e tyre.
“[…] gazetarët të kenë mundësi të raportojnë lirisht për çështje me interes publik, përfshirë funksionimin e institucioneve shëndetësore, pa pasur frikë nga hakmarrja”, u tha në deklaratë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkoi hetim të posaçëm, duke theksuar se kërcënimi lidhet me një cikël të gjatë investigimesh në institucionin kryesor spitalor të vendit.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e quajti rastin sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe theksoi se intimidimet anonime synojnë heshtjen e zbulimit të abuzimeve që dëmtojnë pacientët më vulnerabël.
Organizatat kërkuan garantimin e sigurisë për çdo gazetar që ushtron detyrën në interes publik.
Mes pakënaqësisë për rritjen e pabarazisë, abuzimeve dhe orientimin e fondeve publike kryesisht drejt koncesioneve, Lëvizja Bashkë shprehu kundërshtinë e saj ndaj buxhetit të 2026 përmes një proteste para Kuvendit. Ata kërkuan përgjegjësi nga qeveria për abuzimet me detyrën, politika që garantojnë dinjitet dhe minimum jetik.
Buxheti 2026 rikthen Lëvizjen Bashkë para Kuvendit
Mirjeta, pensioniste nga Tirana, thotë se jeton me 17 mijë lekë në muaj. Ajo tregon se pa ndihmën e fëmijëve nuk do të siguronte as bukën e përditshme. Bashkë me shoqen e saj dhe dhjetëra qytetarë, ajo iu bashkua të enjten protestës së Lëvizjes Bashkë para Kuvendit, me thirrjen “Populli kundër korrupsionit dhe varfërisë!”.
Ndërsa qytetarët protestonin, Kuvendi diskutonte buxhetin e vitit 2026. Lëvizja Bashkë e konsideroi atë të pabarabartë, regresiv dhe të ndërtuar mbi politika që rëndojnë shtresat e varfra.
Eduart Koruni, profesionist i sapodalë në pension, tha për Citizens.al se shumica e pensionistëve marrin më pak se 20 mijë lekë në muaj. Ai thekson se kjo shumë nuk mjafton “as për bukë dhe djathë”.
Klodi Leka, nga Lëvizja Bashkë, kritikoi mënyrën e mbledhjes së të ardhurave buxhetore. Ai theksoi pabarazinë e taksimit duke këmbëngulur se “shteti taton 20% bukën, 6% kazinotë dhe 0% investitorët strategjikë.”
Mirela Ruko, anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës si përfaqësuese e Lëvizjes, theksoi peshën që mbajnë mësuesit, mjekët, punëtorët dhe bujqit në ekonominë e vendit. Ajo argumentoi se pasuria e krijuar me mundin e tyre përfundon në projekte klienteliste.
“Ne nuk kemi plaçkë për t’u shitur dhe asnjë ditë për t’u falur atyre,” thirri Ruko teksa shtoi se “nuk jemi popull i varfër, ka kaq vite që grabitemi dhe me mundin dhe djersën tonë ata [pushtetarët] kanë ndërtuar kështjella”.
Protestuesit përmendën pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga detyra në qeveri si simbol të krizës së thellë të korrupsionit që, sipas tyre, ka kapluar pushtetin e Kryeministrit Edi Rama.
Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë, tha se korrupsioni “vret përditë në kantieret e ndërtimit, në miniera dhe në rrugët ku të rinjtë shtyhen drejt kriminalizimit”.
Ai shtoi se 720 mijë pensionistë mbijetojnë vetëm falë solidaritetit familjar.
“Pa ndihmën e fëmijëve, qindra mijëra prej tyre do të ishin duke lypur,” theksoi Qori.
Deputeti Redi Muçi iu bashkua protestës pas debatit në Kuvend, duke kritikuar orientimin e buxhetit të vitit 2026 ku 27% e tij shkon për koncesionet dhe marrëveshjet në partneritet me privatët.
Muçi theksoi se arsimi dhe shëndetësia mbeten në nivele minimale, me vetëm 2.3% dhe 2.9% të PBB-së, larg standardeve të BE-së që ofrojnë dy deri pesë herë më shumë se kaq.
Bora Mema, nga Lëvizja, u shpreh se pabarazitë e thella ekonomike e bëjnë demokracinë vetëm një iluzion. Ajo theksoi se liria e konsumit nuk është liri reale për qytetarët me të ardhura minimale.
“E vetmja liri është për të ditur cilat produkte do të zgjedhim me aq pak qindarka sa kemi në xhep”, u shpreh Mema, e cila bëri një paralele me lëvizjen për ndryshimin e sistemit 35 vite më parë.
Protesta e Lëvizjes Bashkë evidentoi sërish shqetësimin në rritje për pabarazinë sociale, prioritetet fiskale dhe abuzimet me fondet publike.
Për këtë protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe Belinda Ballukut, ngritjen e minimumit jetik, rritjen e pensioneve dhe miratimin e statusit të minatorit.
Hidrocentralet konsiderohen “burim i gjelbër” energjie për shkak të emetimeve të ulëta të karbonit, por ndikimet e tyre në natyrë dhe komunitetet lokale janë kthyer në shqetësime serioze.
Rritja e projekteve në Ballkan
Ballkani, me burime ujore të shumta, është kthyer në një “hambar” hidrocentralesh të vogla, zakonisht me kapacitete deri në 2MW.
Sipas një monitorimi të organizatave mjedisore EuroNatur dhe RiverWatch, numri i hidrocentraleve është rritur ndjeshëm në Ballkan. Kështu deri në vitin 2024 numëroheshin mbi 5,000 projekte hidrocentralesh.
Nga numri i përgjithshëm, 1,836 janë në punë, 94 në ndërtim dhe pjesa tjetër: 3,188 ende në letër.
Organizatat mjedisore thonë se gati gjysma e projekteve ndodhen brenda zonave të mbrojtura, duke qenë në kundërshti me qëllimin pse këto zona janë të mbrojtura.
Që nga viti 2022, 110 hidrocentrale të reja kanë nisur punë, duke shkatërruar rreth 1,100 kilometra rrjedhë lumenjsh.
Vendet më të prekura nga “shkatërrimi”
Sipas raportit të EuroNatur dhe RiverWatch, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria dhe Serbia janë “pikat e nxehta” të ndërtimit të digave. Greqia dhe Kroacia duket se po zgjerojnë gjithashtu projektet.
Në Shqipëri, numërohen 27 kantiere dhe 346 projekte në fazë planifikimi. Disa nga më shqetësueset gjenden përgjatë lumit Shkumbin “pa asnjë degë të mbetur pa digë” dhe në Parkun Kombëtar të Shebenikut.
Po aq shqetësues mbetet lumi Devoll. Digat e Banjës dhe Moglicës e kanë transformuar pjesën e sipërme të lumit në një seri rezervuarësh, duke prishur lidhjen gjatësore dhe ekosistemin e rrjedhës poshtë.
Kapaciteti i instaluar i hidrocentraleve në Shqipëri arrin rreth 1,450 MW dhe përbën mbi 90% të energjisë së vendit, duke u mbështetur kryesisht në kaskadat e lumenjve.
Në Bosnjë e Hercegovinë, digat të shumta kërcënojnë lumenjtë kryesorë, si Neretva dhe Drina e Sipërme.
“Më shumë se 50 HEC-e, në shkallë të vogël dhe të madhe, kërcënojnë të gjithë rrjetin lumor – Neretvën dhe çdo degë të saj”, thuhet në raport.
Krahasim i përgjithshëm midis viteve (2012-2024) Burimi: EuroNatur/River Watch
Kosova raportohet të ketë 83 hidrocentrale të planifikuara dhe 8 në proces ndërtimi. Disa HEC-e janë mbyllur për shkak të problemeve me licencimet.
“Shqetësim i madh është zonimi i Parkut Kombëtar të Malit të Sharrit për shkak të përjashtimit të luginave të mëdha të lumenjve, siç është lumi Lepenc”, thuhet në raport.
Serbia raportohet të ketë 803 projekte të planifikuara dhe 22 në ndërtim, ajo konsiderohet e dyta për nga numri i lartë i projekteve, ndërsa Maqedonia e Veriut 165 projekte të planifikuara dhe 7 në ndërtim.
Sipas raportit, ndërtimi i hidrocentraleve të vogla dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut janë të ngadalta, mirëpo ka projekte të shumta dhe të qëndrueshme.
Në Mal të Zi janë 93 projekte të planifikuara dhe 2 në ndërtim. Shumë HEC-e gjenden brenda zonave të mbrojtura, përfshirë parqet kombëtare dhe vendet Natura 2000.
Raporti thekson se në vendet ballkanike të BE-së ku përfshihet Greqia, Bullgaria, Kroacia dhe Sllovenia, thuajse gjysma e projekteve (1,611; 49%) janë planifikuar ose ndërtuar brenda zonave të mbrojtura ekzistuese (242 në Parqe Kombëtare; 569 në zona Natura 2000).
HEC-et në zona të mbrojtura Burimi: EuroNatur/River Watch
Hidrocentralet dhe lufta e komuniteteve në Shqipëri
Në Shqipëri, sipas të dhënave të mbledhura edhe nga EuroNatur dhe Riverwatch, projektet e hidrocentraleve kanë shkaktuar përplasje midis komuniteteve dhe ndërtuesve.
Në 2019 dhe 2020, Kryeministri Edi Rama pranoi se HEC-et e vogla shpesh janë të padobishme dhe dëmtojnë komunitetet sikurse dhe ekosistemin.
“Ato funksionojnë si shushunja që thithin gjakun e organizmit të vendit, duke lënë toka pa ujë dhe komunitete pa mundësi të punojnë tokën,” do të shprehej Rama.
Megjithatë, ndërtimet vazhduan, duke evidentuar tensionet midis energjisë së gjelbër dhe mbrojtjes së lumenjve dhe jetës lokale.
Raste të shpeshta të raportuara nga Citizens.al kanë dëshmuar për përplasje dhe qëndresë nga komunitetet lokale.
Shembull konkret mbeten zona si ajo e Zall-Gjoçajt në Lurë, Kaçinarit në Mirditë dhe Kurdarisë në Mat, ku banorët janë organizuar në protesta duke kundërshtuar prej vitesh ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve.
Katër në dhjetë gra përballen me dhunë online dhe shumë prej tyre ndihen të pasigurta, kështu thonë të dhënat e grumbulluara nga UN Women, i cili ka nxjerrë në pah rrezikun që hasin gratë në Shqipëri përmes teknologjisë.
Sipas të dhënave të analizuara janë 1,804 raportime dhune në policinë e shtetit përmes teknologjisë ku ndër më të shpeshtat ishin keqpërdorimi i telefonit (36%) dhe përndjekja (33%).
Nga rastet rezultoi se gratë janë 1.3 herë më të ekspozuara ndaj dhunës online kryesisht te keqpërdorimi dhe dhunimi i privatësisë. Format të tjera të shpeshta të dhunës së hasur online ishin: zhvatja, bullizimi, gjuha e urrejtjes etj.
Statistikat shqetësuese
83.1% e përdoruesve të internetit raportojnë rritje të dhunës online ndaj vajzave dhe grave.
23.4% e grave që përjetuan dhunë online patën pasoja psikologjike; 45.3% e tyre u ndjenë të pasigurta.
90% e dhunës online kryhet nga burra 15-44 vjeç; 66% e tyre jetojnë në zona urbane.
70% e rasteve të dhunës online u hasën përmes platformës TikTok.
Dhuna online, pjesë e realitetit
Fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” këtë vit u fokusua te dhuna online. Zhvillimi i mjeteve të komunikimit ka transferuar dhunën nga “offline” në “online”, duke e bërë këtë hapësirë një terren të rrezikshëm për gratë.
Sipas organizatave në Shqipëri, dhuna digjitale, veçanërisht ndaj grave, po rritet me shpejtësi, duke sjellë pasoja të rënda psikologjike dhe sociale.
“Në Linjën e Këshillimit ndeshim më shpesh raste ngacmimi dhe kërcënimesh online përmes rrjeteve sociale dhe aplikacioneve si WhatsApp, Telegram apo Signal”, tha për Citizens.al Ejnxhi Pepa nga Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza.
Pepa thotë se format më të përhapura përfshijnë përndjekjen digjitale, shantazhin me materiale intime, shpërndarjen pa pëlqim të imazheve, manipulimet “deepfake”, fyerjet dhe sulmet ndaj reputacionit, pa lënë mënjanë edhe hapjen e profileve të rreme, që sipas saj janë kthyer në raste të zakonshme.
Ajo thotë se tashmë këto lloje sulmesh po shënjestrojnë dhe aktivistë apo mbrojtës të të drejtave të njeriut.
“Këto forma të dhunës digjitale shpesh lidhen drejtpërdrejt me dhunën ‘offline’ dhe e përforcojnë atë”, shtoi Pepa.
Rritje e raportimeve, sfida institucionale
Nga janari në nëntor 2025, Ministria e Brendshme ka regjistruar 439 raste dhune kibernetike me 600 postime online, 73% prej të cilave u raportuan vetëm në Tiranë. Ndërkohë, gjatë dy viteve të fundit (2024-2025), linja 116-117 raportoi për 705 gra dhe vajza që kanë kërkuar ndihmë për dhunë digjitale.
“Tendenca ka qenë në rritje për disa vite, por veçanërisht kohët e fundit kemi marrë shumë më tepër raste të përndjekjes online, shantazhit dhe shpërndarjes së imazheve intime,” tha Ejnxhi Pepa.
“Shumë gra dhe vajza e kanë pezulluar denoncimin për shkak të pengesave proceduriale. Kërkesa nga gjykatat për adresën fizike të dhunuesit online është absurde kur agresorët përdorin profile anonime”, argumenton Ines Leskaj nga AWEN duke nxjerrë në pah të metën kryesore të sistemit.
Gratë nga komunitetet e margjinalizuara, vajzat me aftësi të kufizuara, komuniteti LGBTIQ+ dhe gratë në zonat rurale janë më të ekspozuara ndaj kësaj dhune.
Sipas Altin Hazizaj, drejtues i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), i cili menaxhon edhe Qendrën Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri (ISigurt.al), grupmosha më e prekur është ajo e adoleshencës dhe rinisë së hershme, si për djemtë ashtu edhe për vajzat.
“Por çka të bën përshtypje është se gjatë 3 viteve të fundit është rritur edhe numri i ankesave nga zonja në moshë më të madhe plus 40 apo 50 vjeç”, shprehet Hazizaj, duke shtuar se kjo situatë flet për shtrirjen e gjerë të internetit dhe nivelin e pamjaftueshëm të aftësive dixhitale në mosha më të mëdha.
Pranë ISigurt.al gjatë vitit 2024 thuajse 60% e të gjitha ankesave të raportuara kanë të bëjnë me një formë të dhunës me bazë gjinore.
“70-80 përqind e viktimave online janë vajza dhe gra të reja, ndonëse ato jo gjithnjë preferojnë të raportojnë vetë, por nëpërmjet një të njohuri, shoku apo shoqeje apo mësuesi”, tha për Citizens.al Altin Hazizaj, drejtuesi i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA).
Rastet e raportuara në këtë platformë janë shtuar pas pandemisë së Covid-19.
“Në vitin 2023 ne trajtuam diku tek 300 ankesa, ndërsa në vitin 2024 ato u rriten tek 409 raste të regjistruara. Këtë vit vetëm në gjashtë muajt e parë ne kemi trajtuar më shumë se 400 incidente kibernetike”, sjell në vëmendje Altin Hazizaj.
Boshllëqe ligjore dhe nevoja për reforma
Shqipëria nuk ka ende një përkufizim ligjor për dhunën online. Ejnxhi Pepa thotë se përgjithësisht organizatat dhe institucionet i referohen përkufizimit të ekspertëve ndërkombëtarë të Këshillit të Evropës në veprimtarinë kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (GREVIO).
Por brenda dhjetorit pritet të kalojë në Kuvend drafti i ligjit “Për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, i cili përfshin për herë të parë edhe dhunën digjitale.
“Ligji do ta përkufizojë si çdo veprim që kryhet ose rëndohet përmes teknologjisë dhe cenon të drejtat e viktimës”, thekson Ejnxhi Pepa.
Sipas draftit paraprak, dhuna online përfshihet në Nenin 10 ku flitet për “dhunën e lehtësuar nga teknologjia”. Ky nen e përcakton dhunën e lehtësuar nga teknologjia si çdo veprim që kryhet përmes mjeteve digjitale pa pëlqim dhe që shkakton dëm fizik, emocional apo social.
Ai përfshin gjuhën e urrejtjes, shpërndarjen e imazheve intime pa pëlqim, përndjekjen dhe ngacmimin digjital. Në thelb, neni synon të mbrojtje nga abuzimet online që cenojnë sigurinë dhe dinjitetin.
Pepa dhe Leskaj mendojnë njësoj se strukturat ekzistuese për krimet kibernetike janë të pamjaftueshme në Shqipëri.
“Zvarritja dhe mbivendosja e çështjeve në polici dhe prokurori ngadalësojnë së tepërmi marrjen e masave,” vëren Leskaj teksa tregon se aktualisht krimet kibernetike mundet të denoncohen dhe ndiqen në prokurori, por rezultatet e tyre vonojnë.
Nga ana tjetër, Pepa citon monitorime të GREVIO-s, sipas së cilave strukturat shqiptare nuk janë të trajnuara për dimensionin gjinor dhe kjo qasje ende nuk është integruar me mekanizmat e mbrojtjes nga dhuna.
Ajo shton se Shqipërisë i mungojnë edhe protokollet e unifikuara për trajtimin e rasteve të dhunës digjitale dhe po kështu infrastruktura teknike për ruajtjen dhe sigurimin e provave.
“Këto boshllëqe synohen të përmirësohen me ndryshimet e fundme të legjislacionit”, shprehet Leskaj duke iu referuar ligjit të ri.
Por sipas Pepës po aq urgjente janë edhe fushatat e ndërgjegjësimit, pasi ka prirje për të mos i raportuar rastet.
“Nënraportimi mbetet shumë i lartë. Në nivel vendor, Mekanizmat e Koordinuar të Mbrojtjes nga Dhuna duhet të forcohen për të garantuar një reagim të shpejtë, të unifikuar dhe të ndjeshëm gjinor për çdo rast”, përfundon ajo.
Altin Hazizaj shprehet se kuadri ligjor ka nevojë të forcohet sa më shpejt dhe se duhen ligje sipas modelit të BE-së dhe jo “modeleve që krijohen ndonjëherë nga halli në Shqipëri”.
“Mungesa e shumë krimeve që ndodhin në hapësirën kibernetike në Kodin Penal e bën mbrojtjen e viktimave të vështirë”, thekson më tej Hazizaj.
Hazizaj shprehet se vitin e ardhshëm Shqipëria duhet të zbatojë një nga aktet më të rëndesishme të BE-së, ligjin e shërbimeve digjitale (DSA).
“Kjo do te na zgjidhte edhe problemin e dytë kryesor, përgjegjësinë që kanë të gjitha platformat online, faqet, profilet etj., për të respektuar të drejtat bazë të çdo individi edhe në hapësirën kibernetike”, përfundon Hazizaj.