Intervistë / Albi Gjenerali, Administrator i Furnizuesit të Tregut të Lirë
Bizneset e lidhur në tension 6 kilovolt prej 1 janarit janë në tregun e lirë dhe pjesa më e madhe e tyre po furnizohen nga Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL).
Albi Gjenerali, administrator i kompanisë, në një intervistë për “Monitor” sqaron hapat që u ndoqën për tranzicionin e këtyre subjekteve nga tregu i rregulluar në atë të liberalizuar.
Kjo është faza e katërt dhe e fundit për këtë proces të parashikuar në legjislacion një dekadë më parë.
Tashmë është mbyllur faza përfundimtare e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, ku janë përfshirë subjektet e lidhura në nivelin e tensionit 6 kV. A mund të japim disa detaje për këtë grup klientësh?
Rreth 2,600 subjekte jofamiljare u përfshinë më herët në proces verifikimi, nga të cilat afërsisht 2,300 janë identifikuar dhe konfirmuar si konsumatorë të lidhur në tension 6 kV.
Ndërkohë, rreth 300 subjekte mbeten përkohësisht jashtë këtij procesi për shkak të detyrimeve financiare të papaguara ndaj “Furnizuesit të Shërbimit Universal” SH.A.
Në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi, këta konsumatorë nuk mund të ndryshojnë furnizuesin pa shlyer më parë detyrimet kontraktuale ndaj furnizuesit aktual.
Cilat janë karakteristikat kryesore të këtyre konsumatorëve për sa i përket nivelit të tensionit dhe shpërndarjes territoriale?
Konsumatorët e lidhur në rrjetin e tensionit 6 kV janë kryesisht subjekte të vendosura në zona rurale, periferike ose informale. Nuk evidentohet një profil sektorial i unifikuar, pasi këta konsumatorë ushtrojnë veprimtari në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Faktori përcaktues për përfshirjen e tyre në këtë fazë të liberalizimit është niveli i tensionit dhe jo natyra e aktivitetit ekonomik. Zonat urbane kryesore furnizohen kryesisht në tension 20 kV, ndërsa zonat rurale dhe periferike në nivelet 10 kV dhe 6 kV.
Konsumatorët e lidhur në 10 kV kanë kaluar tashmë në tregun e lirë gjatë vitit 2025, duke e bërë këtë fazë përfundimtare të procesit të liberalizimit për konsumatorët e mbetur në nivelin 6 kV.
Këto zona përfshijnë kryesisht territore bregdetare ose malore dhe nuk përfshijnë qendrat urbane kryesore.
Si ka funksionuar procedura institucionale e njoftimit për kalimin në tregun e lirë?
Procedura është realizuar përmes një koordinimi të strukturuar ndërmjet shoqërive të OSHEE Group, në përputhje me detyrimet ligjore dhe rregullatore në fuqi.
Furnizuesi aktual (FSHU/FMF) ka njoftuar konsumatorët se, duke filluar nga data 1 janar 2026, nuk kishte më detyrimin për furnizim në kuadër të shërbimit si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF) dhe se konsumatorët duhet të lidhnin kontratë me një furnizues në tregun e lirë.
Në vijim, “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes” SH.A ka informuar konsumatorët se, në rast se deri më 31 dhjetor 2025 nuk deklaronin një furnizues të ri, furnizimi me energji elektrike do tu ndërpritej, me qëllim shmangien e konsumit pa subjekt faturues.
Paralelisht, “Furnizuesi i Tregut të Lirë” SH.A paraqiti ofertën e tij komerciale, duke informuar konsumatorët mbi kushtet e furnizimit dhe çmimin përkatës prej 18.34 lekë/kWh pa TVSH.
Në praktikë, konsumatorët kanë marrë njoftime nga tre burime të ndryshme: furnizuesi që kishin, operatori i rrjetit dhe furnizuesi potencial që ishim ne. Kjo qasje është zbatuar në mënyrë të njëtrajtshme për të gjitha kategoritë e konsumatorëve të përfshirë në procesin e liberalizimit.
Cilat janë efektet kryesore strukturore dhe financiare të liberalizimit të tregut të energjisë?
Së pari, liberalizimi ka ulur ndjeshëm barrën financiare dhe ekspozimin ndaj riskut të “Furnizuesit të Shërbimit Universal” SH.A, i cili më parë ishte i detyruar të furnizonte konsumatorët me çmime të rregulluara nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE).
Së dyti, liberalizimi ka përmirësuar disiplinën financiare të konsumatorëve jofamiljarë, përmes vendosjes së afateve më të shkurtra të pagesës (30 ditë), duke eliminuar praktikat e mëparshme që lejonin vijimin e furnizimit edhe në kushtet e vonesave të zgjatura në pagesa.
Së treti, tregu i energjisë elektrike po hyn në një fazë konsolidimi, ku pas përmbylljes së fazave të liberalizimit, fokusi zhvendoset drejt stabilizimit të mekanizmave të tregut, rritjes së transparencës dhe përmirësimit të vazhdueshëm të eficiencës operacionale.
FTL ushtron funksionin e Operatorit të Energjisë së Rinovueshme (OER). Si zbatohet kjo skemë në praktikë?
Shoqëria “Furnizuesi i Tregut të Lirë” SH.A ushtron funksionin e Operatorit të Energjisë së Rinovueshme (OER), deri në momentin kur kjo strukturë do të funksionojë si një entitet i pavarur.
Procesi i ndarjes institucionale është i ndërlidhur ngushtë me funksionimin e plotë dhe likuid të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX), e cila përbën një parakusht thelbësor për zbatimin e skemës së kontratave për diferencë (Contracts for Difference – CfD).
Në kuadër të kësaj skeme, prodhuesit e energjisë elektrike zgjedhin të tregtojnë energjinë e prodhuar në bursë, me çmimin që rezulton nga tregu.
Në rastet kur çmimi në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) rezulton më i lartë se çmimi i mbështetjes, diferenca regjistrohet si kredit për t’u kompensuar në transaksionet pasuese; në të kundërt, Operatorit të Energjisë së Rinovueshme i lind detyrimi për të mbuluar diferencën përkatëse, nëpërmjet tarifës së burimeve të rinovueshme, e cila mblidhet nga konsumatorët përmes furnizuesve të energjisë elektrike.
Aktualisht, deri në një vlerësim pozitiv të (ALPEX), zbatohet një skemë kalimtare, sipas së cilës sasia e energjisë së prodhuar nga hidrocentralet dhe impiantet fotovoltaike që përfitojnë nga skema e mbështetjes përdoret fillimisht për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, më pas për nevojat e furnizimit të klientëve të “FTL” SH.A., ndërsa tepricat depozitohen pranë shoqërisë publike të prodhimit “KESH” SH.A.
Cili është kapaciteti i instaluar i Prodhuesve me Përparësi të Energjisë Elektrike (PPEE)?
Kapaciteti total i instaluar i impianteve fotovoltaike me status Prodhues me Përparësi të Energjisë Elektrike (PPEE) është rreth 70 MË, ndërsa kapaciteti i instaluar i hidrocentraleve me këtë status arrin në afërsisht 694 MË.
A ka pasur subjekte PPE që kanë dalë në tregun e lirë dhe si adresohen disbalancat?
“Furnizuesi i Tregut të Lirë” SH.A. është i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik për blerjen e energjisë elektrike nga Prodhuesit me Përparësi të Energjisë Elektrike (PPEE), në kuadër të skemës së mbështetjes, për një periudhë 15-vjeçare.
Pas përfundimit të këtij afati, prodhuesit me përparësi e tregtojnë energjinë e prodhuar në tregun e lirë, në përputhje me çmimet dhe rregullat e tregut.
Për sa u përket disbalancave, ato trajtohen në përputhje me parimin e përgjegjësisë individuale të palëve, sipas kuadrit ligjor dhe rregullator në fuqi.
Si “FTL” SH.A., kemi arritur të menaxhojmë në mënyrë efektive disbalancat përmes një portofoli të diversifikuar prodhimi, që përfshin burime hidro dhe fotovoltaike, si dhe përmes koordinimit dhe menaxhimit të subjekteve brenda OSHEE Group.
Çfarë peshe të konsumit në tregun e lirë mbulohet nga energjia e marrë nga PPEE?
Rreth 90% e konsumit të klientëve që furnizohen në tregun e lirë nga “FTL” SH.A. mbulohet nga energjia elektrike e prodhuar nga Prodhuesit me Përparësi të Energjisë Elektrike (PPEE).
Kjo ka kontribuar në një ulje të ndjeshme të sasive të depozituara pranë shoqërisë “KESH” sh.a., nga rreth 990 TWh në vitin 2023, në rreth 405 TWh në vitin 2024, si dhe në rreth 200 TWh për vitin 2025.
Kombinimi i burimeve hidrike dhe fotovoltaike mundëson optimizimin e portofolit energjetik dhe rritjen e eficiencës operacionale, ndërkohë që energjia e depozituar përdoret në mënyrë selektive, duke u akumuluar në periudha me tepricë prodhimi dhe duke u shfrytëzuar në periudha me rritje të konsumit.
Lexoni edhe:
Tregu i energjisë, liberalizimi mbyll fazën finale
The post “Mbi 2300 biznese të lidhur në 6 kv po furnizohen nga FTL, përfitimet që vijnë nga liberalizimi” appeared first on Revista Monitor.