Normal view

Zërat qytetarë kundër betonit frymëzuan komunitetet

30 December 2025 at 12:00

Transformimi urban në Shqipëri vijoi të prodhojë konflikte përgjatë vitit 2025. Zakonisht, debati ndahet mes atyre që e shohin këtë zhvillim si modernizim estetik dhe atyre që e kritikojnë atë kryesisht nën dyshimin për interesa të errëta ekonomike.

Por përtej këtij polarizimi, një fakt mbetet i padiskutueshëm, ndikimi i thellë që ky transformim urban ka dhënë dhe po jep te komunitetet lokale. Citizens.al është munduar t’u japë gjithmonë vëmendje zërave qytetarë dhe të përcjellë të parin shqetësimet e tyre.

Projektet e ndërtimeve masive, rikualifikimeve urbane dhe infrastrukturore në Shqipëri zhvillohen shpesh pa konsultime me banorët që preken prej tyre. Objektet nuk vlerësohen si duhet për shpronësim, nuk respektohet trashëgimia, hapësirat, distancat me godinat ekzistuese, shpesh ndërtohet në tejkalim të lejeve etj.

Për rrjedhojë, ky zhvillim ka nxitur pasiguri mbi pronën dhe strehimin duke ngjallur rezistencë qytetare në zona të ndryshme të vendit në rastet kur projektet trokasin dyerve të shtëpive apo institucioneve.

Të tilla ishin rastet e banorëve pranë qendrës kulturore “Ten”, shkollës “Emin Duraku” dhe ata të një pallati te Astiri në Tiranë, banorët e lagjes historike dhe zonës së ish-kabinave të plazhit në Durrës, apo dhe banorët e zonës së Rrjollit në Velipojë.

Mes dëbimit dhe pasigurisë së strehimit

Dy komunitete në Durrës u përballën me largim nga shtëpitë e tyre, për arsye të ndryshme. Në “lagjen 13”, 32 familje u gjetën në rrugë në prag të festave, pasi godinat ku banonin që nga vitet ’90 iu kalua pronarit me një proces të cilin ata e kontestojnë.

Banorët, të cilët u vendosën te ish-kabinat e plazhit rreth 30 vite më parë si përfitues nga statusi pastrehë, thonë se morën vesh vonë vendimin e bashkisë për t’ia kaluar objektin me banorë brenda”. Vetëm një person, me aftësi të kufizuara, mori mbështetje për qira. Të tjerët mbetën pa ndihmë.

Ndryshe është situata në lagjen e Kalasë. Mbi 70 familje mund të shpërngulen për shkak të projektit të rikualifikimit urban të zonës, njohur ndryshe dhe si “TID Durrës”.

Parashikohet dëmshpërblim, por shumica e banorëve e konsiderojnë si të pamjaftueshëm për një zonë kaq strategjike, për më tepër vlera e përllogaritur i referohet çmimeve të 10-15 viteve më parë.

Projekti zbatohet nga Ministria e Kulturës, Bashkia Durrës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Banorët i kanë paditur në Gjykatën Administrative. Paralelisht, kanë bërë kallëzim edhe në SPAK.

Ndërtimet “fasadë më fasadë”

Rindërtimi i qendrës kulturore “Ten” në rrugën Myslym Shyri në Tiranë, parashikoi rritjen e godinës nga dy në katër kate. Banorët përreth u alarmuan. Ata u ankuan për mungesën e konsultimit dhe rrezikun që ndërtesat e tyre të dëmtoheshin nga ana strukturore ose të mbeteshin pa dritë dhe ajrim.

Ata iu drejtuan Citizens.al. Bashkia Tiranë deklaroi se projekti përputhej me Planin e Përgjithshëm Vendor dhe nuk dëmtonte ndërtesat afër. Megjithatë, punimet u ndërprenë në mars, për arsye të paqarta. Sot, banorët janë në proces gjyqësor me bashkinë dhe kompaninë zbatuese.

Një tjetër konflikt shpërtheu pranë shkollës “Emin Duraku”, në ish-Bllok. Këtë herë bëhej fjalë për një kullë 16-katëshe, me katër kate nën tokë dhe rreth 10 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi.

Banorët protestuan, duke nxjerrë si shqetësim kryesor jo vetëm humbjen e hapësirave të përbashkëta, por edhe rrezikun e një ndërtimi të tillë pranë një shkolle që frekuentohet nga fëmijë të shumtë. Megjithatë, me kalimin e kohës, rezistenca u zbeh.

“Pjesa më e madhe e banorëve është tërhequr, edhe pse çështja është në Gjykatën e Tiranës”, tha avokati Redon Meksi për Citizens.al.

Ky grup banorësh duket se e ka pasur të vështirë të gjejë një inxhinier të gatshëm të angazhohet si ekspert për të analizuar parregullsitë e projektit e që përmes saj më pas të kërkohej sigurimi i padisë.

Megjithatë ky vit pati edhe raste ku komunitetet arritën fitore, qoftë dhe të pjesshme. I tillë ishte rasti i një grupi prej 24 familjesh, të cilët me mbështetjen e organizatës “Drejtësi Sociale”, siguroi legalizimin e banesave pas protestave para Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Përmes avokatit Gentian Serjani, grupi i zonës së Astirit, ia ka dalë që të ndërhyjë dhe përshpejtojë procedurat duke i dhënë fund një anashkalimi prej rreth 20-vitesh.

Ndërkohë, në Rrjoll të Velipojës, banorët panë pezullimin e projektit të resortit turistik “Blue Borgo”. Ata protestuan, madje dhe u përplasën me policinë duke iu drejtuar më pas dhe SPAK-ut për çështjen e pronësisë.

Prek Molla, banor i zonës, tregoi se prej marsit nuk ka pasur tentativa për rikthim të punimeve.

“Pati një tentativë për marrëveshje, por pas skandalit [të korrupsionit] me [ministren Belinda] Ballukun, investitori u tërhoq”, tha ai.

Këto raste të hasura këtë vit, tregojnë edhe njëherë se konfliktet e përsëritura urbane fshehin pas modelin e projekteve të mëdha që aplikohen me përgjegjësi dhe kosto sociale të paqarta dhe pa konsultim publik.

Rezistenca qytetare mbetet një nga pak mekanizmat që duket se i vë frenë proceseve të tilla.

The post Zërat qytetarë kundër betonit frymëzuan komunitetet appeared first on Citizens.al.

Gjykata pushon padinë SLAPP ndaj banorëve të Kaçinarit

23 December 2025 at 15:52

Gjykata e Lezhës pushoi padinë e kompanisë “Shpërdhaza-Energji” ndaj dy banorëve të zonës së Kaçinarit në Mirditë, të cilët qenë akuzuar për shpifje dhe prishje imazhi. Vendimi mbyll një proces të konsideruar gjerësisht nga grupet kundër hidrocentraleve si përpjekje për të heshtur rezistencën e komuniteteve.

Padia ishte ngritur ndaj Gjergj Dedës, kryeplak i fshatit Simon, dhe Gjon Ndojt, pas deklaratave kundër ngritjes së katër hidrocentraleve nga “Shpërdhaza-Energji” në fshatrat e Mirditës.

Padia qe depozituar më 17 mars dhe lidhej me qëndrimet e shprehura nga dy banorët në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të Mirditës, që ishte mbajtur tre javë më përpara, më 24 shkurt.

“Kam thënë s’kanë dokumente, s’kanë leje mjedisore, ujore,” tha Deda për Citizens.al, sipas së cilit kompania ka vepruar në kundërshtim me ligjin.

Sipas avokatit të banorëve, Marash Logu, kompania i cilësoi deklaratat si të pavërteta dhe cenuese për reputacionin e saj.

Mirëpo, pas rreth nëntë muajsh, gjykata ka vendosur ta pushojë çështjen. Shkak është bërë mosparaqitja e vazhdueshme e përfaqësuesve ligjorë të kompanisë. Si rrjedhojë procesi nuk avancoi kurrë në shqyrtim themelor.

Paditë SLAPP si mënyra për të heshtur banorët

Paditë e tilla, të cilat synojnë kryesisht frikësimin dhe stepjen e zërave kundërshtues, njihen shkurtimisht si “SLAPP”.

Rasti i Kaçinarit nuk është i izoluar. Në tetor 2025, banorët e Zall Gjoçajt që prej vitesh protestojnë kundër hidrocentraleve në atë zonë u gjendën të paditur për shpifje dhe fyerje nga kompania “Seka Hydropower”.

Kompania pretendon se tre banorët e paditur gjatë organizimit të një proteste në Lufaj të Mirditës në korrik 2025, i kanë dëmtuar figurën, përmes komunikimit që kanë pasur për mediat. Çështja vijon të trajtohet nga gjykata e Lezhës.

Organizata dhe juristë vërejnë se paditë SLAPP po përdoren shpesh nga kompani private për të intimiduar komunitetet që kundërshtojnë projekte me ndikim mjedisor.

Këto padi nuk synojnë domosdoshmërisht suksese ligjore, por lodhjen psikologjike dhe financiare të aktivistëve, përmes proceseve të gjata gjyqësore.

Diana Malaj, juriste dhe përfaqësuese e grupit ATA, i cili ka mbështetur vazhdimisht komunitetet në kundërshtimin e projekteve të HEC-eve, theksoi për Citizens.al se pasojat janë të thella dhe afatgjata.

“Mund të shoqërohet më demotivim të aktivistëve, stres e depresion, […] me një presion të jashtëm e periferik, që mund t’u vijë nga persona të tjerë të rrethit të tyre familjar apo miqësor,” analizon Malaj.

“Mundet t’i rëndojë shpirtërisht fakti që bëhen pjesë e një procesi penal, pra ndihen të kriminalizuar”, vijoi ajo.

Në Shqipëri nuk ekziston ende një kuadër i posaçëm ligjor kundër padive SLAPP. Megjithatë, sipas Malajt, janë planifikuar ndryshime deri në verën e vitit 2027, përfshirë transpozimin e Direktivës Anti-SLAPP të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes dhe të drejtën e protestës, të cilat shpesh sprovohen përmes këtyre padive.

Por, sipas Malajt, efektet e padive SLAPP mund të jenë edhe të kundërta.

“Ato mund të riaktivizojnë solidaritetin dhe të forcojnë këmbënguljen për të protestuar e folur publikisht,” tha ajo teksa nënvizoi se këto efekte shpesh anashkalohen nga paditësit.

Banorët e Kaçinarit kundërshtojnë projektin e katër hidrocentraleve të “Shpërdhaza-Energji” që prej vitit 2019. Ata pretendojnë mungesë konsultimi publik, shkelje ligjore dhe falsifikim të firmave të banorëve.

Protestat janë zhvilluar në bjeshkë, para Ministrisë së Infrastrukturës, por edhe para Gjykatës së Lezhës.

Shqetësimi kryesor mbetet devijimi i burimeve ujore dhe dëmet mjedisore, që sipas banorëve mund të jenë të pakthyeshme nëse punimet vijojnë.

Lexo gjithashtu:

The post Gjykata pushon padinë SLAPP ndaj banorëve të Kaçinarit appeared first on Citizens.al.

“Shqipëria Bëhet” dhe e drejta për të protestuar

19 December 2025 at 17:10

Prej datës 8 dhjetor, lëvizja “Shqipëria Bëhet” proteston ditë-natë përpara Kryeministrisë. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, pas skandaleve korruptive të njëpasnjëshme.

E drejta për tubime është e garantuar nga Kushtetuta dhe ligji, megjithatë, Policia e Shtetit ka ndërhyrë disa herë duke hequr çadrat dhe një gjenerator që ishte dhuruar për t’u ardhur në ndihmë protestuesve.

Ekspertë ligjorë vlerësojnë se veprimet përbëjnë cenim të së drejtës për protestë.

“Arsyetimi i policisë nuk ishte arsyetim ligjor”

Protesta nisi simbolikisht “me vetëm një karrige”, sipas kryetarit të lëvizjes, Adriatik Lapaj.

Më 8 dhjetor, krahas organizimit të protestës, partia njoftoi policinë për vendosjen edhe të disa çadrave kampingu, të cilat do t’i ndihmonin protestuesit gjatë natës. Qëllimi ishte përballimi i kushteve të vështira atmosferike.

Por, Drejtoria e Policisë Tiranë e refuzoi kërkesën. Sipas përgjigjes që mban firmën e Drejtorit Elton Alushi, çadrat pengonin qarkullimin e emergjencave dhe transportin, një pretendim i cili është hedhur poshtë nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet”.

Nënkryetarja Dorina Prethi ka replikuar se çadrat do të përdoreshin vetëm natën.

“Duke qenë se natyra e kësaj proteste është pa ndalim dhe kushtet atmosferike janë të ashpra, veçanërisht natën, ju informojmë që do të përdoren çadra kampingu vetëm natën,” ka qenë replika e Prethit.

Por, Policia e Shtetit duket se nuk e mori në konsideratë këtë replikë dhe njoftim të vazhdueshëm të Lëvizjes. Më 9 dhjetor, ajo ndërhyri duke marrë forcërisht çadrat e hapura nga protestuesit.

I njëjti veprim u përsërit më 12 dhjetor, ku policia ndërhyri sërish me forcë duke hequr çadrat pavarësisht se brenda tyre ndodheshin disa vajza protestuese.

Lexo: Përditë para Kryeministrisë, protesta ndryshe e “Shqipëria Bëhet”

Avokati Gentian Sejrani, i cili ka organizuar dhe ndërmjetësuar protesta të ndryshme nga shoqëria civile, e cilëson arsyetimin e policisë jo të argumentuar ligjërisht.

Sipas tij, policia kishte alternativa ligjore për menaxhimin e situatës. Devijimi i përkohshëm i qarkullimit ishte një prej tyre.

“Mund të vendosnin qoftë dhe një polic gjatë ditës, ose natës për të orientuar kalimin e automjeteve,” komentoi Sejrani.

Protestuesit e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” janë vendosur në trotuarin poshtë shkallëve kryesore të Kryeministrisë. Shkallët shërbejnë kryesisht si hyrje e Qendrës për Hapje dhe Dialog, teksa Kryeministria organizon dhe kryen aktivitetet e përditshme nga hyrja anësore dhe ajo e pasme e godinës.

Më 15 dhjetor, gjatë protestës së Partisë Demokratike, policia kërkoi zhvendosjen e protestuesve të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”.

Sipas avokatit Sejrani, masa u justifikua për shmangien e përplasjeve mes dy tubimeve. Ai theksoi si problematike faktin se Bashkia Tiranë nuk u është përgjigjur kërkesave për t’u mundësuar protestuesve energji elektrike.

Një gjeneratori i sjellë nga një përkrahës i lëvizjes nga Londra u hoq nga policia. Lapaj tha për Citizens.al se ishte e pakuptueshme se pse organizime dhe protesta të tjera furnizohen me energji ndërsa ata jo.

Ai e cilësoi situatën si trajtim të pabarabartë për bindje politike.

“Çfarë ndryshimi ka nga aparteidi i Afrikës së Jugut kjo, ku qytetarët trajtoheshin në dy kategori, në qytetarë të bardhë dhe me ngjyrë, ndërkohë ne trajtohemi në dy kategori për shkak të bindjeve politike,” theksoi ai.

“Koha jote mbaroi!” ka qenë thirrja e vazhdueshme e protestave të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” e cila nënkupton dorëheqjen e Kryeministrit Rama dhe vendosje ne një qeverie teknike për dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Dhunë ndaj vajzave protestuese

Protestuesit e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” raportojnë katër përplasje me policinë në rreth dhjetë ditë protesta. Dy për çadrat, një për gjeneratorin dhe një gjatë protestës së PD-së.

Edona Haklaj thotë se çadra u tërhoq pa u kontrolluar nëse kishte persona brenda. Ajo tregon për përdorim force edhe pas ndërhyrjes së kamerave të mediave.

“Edhe kur e morën vesh se ishim brenda, na dhunuan,” thotë Haklaj.

“Kur të çlirohet politikisht Shqipëria, policinë do ta ndajmë nga pushteti dhe do ta kthejmë vërtetë siç ka emrin, të shtetit, komentoi Lapaj rreth dhunës policore.

Sipas Edonës, me qasjen që është parë nga policia, në trotuarin e protestave të “Shqipëria Bëhet”, lejohen vetëm karrige dhe mjete të improvizuara mbrojtjeje nga i ftohti si për shembull një rrethim prej kartoni që pengon erën. Përkundër kësaj gjendjeje, ajo thekson se çadrat përdoren gjerësisht si simbol proteste në botë.

“Kemi pafund raste në botë ku çadrat përdoren edhe si simbolika! Është mjet që nuk ‘procedohet penalisht’ në asnjë vend të botës,” theksoi ajo.

Sajmira Hoda, një tjetër protestuese e lëvizjes, ka zgjedhur të qëndrojë pavarësisht presioneve.

Ajo tregoi për Citizens.al se familja e saj jeton jashtë, por vetë ka zgjedhur të qëndroj për të dhënë një kontribut politik, për ndryshimin e situatës ku ndodhet vendi.

“Kishte policë që tentuan të na preknin, por për shkak të kamerave të shumta stepën, u thoja ‘Hiqni duart!” tregoi ajo.

Hoda thotë se familja e saj nuk është plotësisht dakord me qëndrimin gjatë natës jashtë, por ajo ka vendosur të qëndroj deri në fund.

“Frikë nuk kam, për shkak se po ushtroj të drejtën time. Kam marrë parasysh çdo gjë, që kur kam ardhur këtu,” theksoi ajo.

The post “Shqipëria Bëhet” dhe e drejta për të protestuar appeared first on Citizens.al.

Rikthimi i ministres Balluku në detyrë pritet me protestë nga Lëvizja Bashkë

15 December 2025 at 16:46

Rikthimi në detyrë i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u prit me reagime të forta nga Lëvizja Bashkë, e cila e ka konsideruar simbol të pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të pushtetit.

“Balluku në burg!” ishte parulla që Lëvizja Bashkë shkroi në muret dhe derën kryesore të ministrisë paraditen e së hënës, teksa bënë thirrje për një protestë të përgjithshme para Kuvendit të enjten.

Sipas Lëvizjes, rikthimi i Ballukut në detyrë përbën fyerje për qytetarët e ndershëm dhe minon besimin publik te drejtësia dhe institucionet shtetërore.

Parullat u fshinë menjëherë nga administrata e ministrisë, pa asnjë reagim zyrtar mbi aktin protestues.

Gjykata Kushtetuese vendosi të premten rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut, të cilën Prokuroria e Posaçme e akuzon për abuzime me tenderët e disa prej veprave më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

Vendimi erdhi pas shqyrtimit të ankimimit të Kryeministrit Edi Rama kundër një vendimi të mëparshëm të Gjykatës së Posaçme, e cila e kishte pezulluar nga angazhimi në qeveri.

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, e cilësoi aksionin e së hënës simbolik dhe shprehje të indinjatës qytetare ndaj sipas tij, një “realiteti institucional të deformuar”.

Ai theksoi se Balluku administron një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit. Ndërkohë, SPAK ka ngritur akuza për abuzime me tenderë, me një dëm të pretenduar prej 50 milionë eurosh.

Muçi krahasoi rastin me situatën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim. Sipas tij, kjo krijon standarde të dyfishta në trajtimin e pushtetit.

“Nga njëra anë kemi ministren që mban në dorë pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit, ndaj së cilës ka akuza të rënda për abuzime në tenderë,” tha Muçi, ndërsa nga ana tjetër “kemi një kryetar bashkie që ndodhet në paraburgim dhe që pretendon që këshilli bashkiak t’i marrë mendimin nga qelia për miratimin e buxhetit të bashkisë”.

Lëvizja ka paralajmëruar një protestë tjetër ditën e enjte, në orën 18:00, para Kuvendit. Kërkesat përfshijnë dorëheqjen e Kryeministrit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Më herët, lëvizja protestoi kundër buxhetit të vitit 2026, duke e cilësuar atë të pabarabartë dhe përjashtues për shtresat më të varfra të shoqërisë.

Lexo gjithashtu:

The post Rikthimi i ministres Balluku në detyrë pritet me protestë nga Lëvizja Bashkë appeared first on Citizens.al.

Përditë para Kryeministrisë, protesta ndryshe e “Shqipëria Bëhet”

12 December 2025 at 18:02

Prej 8 dhjetorit, një grup qytetarësh dhe aktivistësh të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, të drejtuar nga Adriatik Lapaj, po mban një protestë të vazhdueshme para Kryeministrisë.

Ata kundërshtojnë qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama për të mos shkarkuar zv.kryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për abuzime me tenderët publikë.

Lëvizja e konsideron këtë qasje shembull të degradimit të qeverisjes dhe për këtë kërkon detyrimin për ta larguar qeverinë aktuale, vendosjen e një qeverie teknike dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Qëndresa e përditshme para Kryeministrisë

Grupi i aktivistëve dhe qytetarëve është vendosur në mjedis të hapur, në trotuarin buzë Kryeministrisë dhe e vazhdon protestën pavarësisht temperaturave të ulëta.

Protesta nisi më “8 Dhjetor”, ditën që përkujton lëvizjen e dhjetorit 1990, e cila shënoi nisjen e fundit të diktaturës në Shqipëri. Edona Haklaj, tregoi për Citizens.al se vendimi për protestën erdhi pas diskutimeve dhe dakordësisë në lëvizje se përballë përshkallëzimit të çështjeve korruptive në qeveri, nevojitej medoemos një reagim.

Ajo vetë mundi t’i bashkohej plotësisht protestës ditën e dytë, por tregoi se gjendja ishte e vështirë pasi në ditët e para përpjekja për të ngritur çadra kampingu, të cilat do të përdoreshin nga aktivistet vajza u ndalua nga punonjësit e policisë.

“Arsyetimi ishte absurd kinse ne pengonim qarkullimin e rrugës, në një kohë kur ne jemi vendosur në trotuar,” theksoi Haklaj.

Me kalimin e ditëve, angazhimit iu bashkuan edhe aktivistë dhe qytetarë të tjerë. Mëngjesin e së premtes, grupi ishte me të paktën 10 protestues të cilët e kishin kaluar natën e katërt jashtë.

Për t’u mbrojtur nga i ftohti kishin improvizuar një rrethim me kartonë, të cilët mbaheshin nga karriget. Qytetarë të ndryshëm u kishin sjellë ushqime, ujë, batenie, teksa tre arka me mandarina qëndronin krah megafonit.

“Vështirësia më e madhe është gjatë netëve, pas orës 2-3 ku bëhet shumë ftohtë,” tregoi Haklaj.

Por sipas Haklajt, mbështetja që po u vjen nga qytetarët i ka inkurajuar ata të vijojnë më tej.

Gjatë ditës, qytetarë të ndryshëm ndalen dhe shkëmbejnë biseda me Lapajn dhe aktivsitë të tjerë, ndërsa çdo mbrëmje ora 17:00 shënon momentin kryesor të tubimit, ku fjalime dhe thirrje të ndryshme përcillen “Live!” edhe në rrjetet sociale.

Lapaj tha për Citizens.al se numri i pjesëmarrësve në këto tubime të pasditeve është në rritje. Ai beson se qëndresa e zgjatur mund të krijojë presion të mjaftueshëm për dorëheqjen e Kryeministrit.

Në këtë këndvështrim, ai e përshkruan sheshin si hapësirë të hapur për të gjithë qytetarët pa logo partie, ku secili ta shprehë hallin e vet përballë “autokracisë”, siç e cilëson ai qeverisjen aktuale.

Kërkesa: Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira

Për protestuesit, mosveprimi i Kryeministrit ndaj zëvendëskryeministres Balluku tregon normalizimin e korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit. Lapaj argumenton se një qeveri që mban në detyrë një zyrtare nën hetim penal ka humbur legjitimitetin moral. Sipas tij, ky rast është simbol i krizës më të gjerë të llogaridhënies dhe transparencës në qeveri.

Përballë kësaj gjendjeje, Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, propozon ngritjen e një qeveria teknike njëvjeçare, të përbërë nga intelektualë brenda dhe jashtë vendit, me mandat për reformim të kuadrit zgjedhor.

Qëllimi final, sipas Lapajt, është mbajtja e “zgjedhjeve të para realisht të lira dhe të ndershme pas 34 vitesh pluralizëm”.

Atmosfera në shesh përfshin edhe qytetarë të paorganzuar që kërkojnë ndryshime politike.

“Pretendojmë të hyjmë në Evropë, por kështu [me këtë nivel korrupsioni] nuk na pranon njeri,” tha një qytetar pas takimit mbështetës që pati me Lapajn.

Ai deklaroi se mbështeste çdo protestë, pavarësisht numrit, duke shprehur mosbesim të thellë ndaj premtimeve politike dhe nevojën për standarde europiane të qeverisjes aktuale.

Protesta e përditshme e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” është ndryshe nga të gjitha protestat e deritanishme nga kampi opozitar.

Ajo synon të kthehet në një lëvizje më të gjerë qytetare kundër korrupsionit dhe mungesës së llogaridhënies. Megjithatë, suksesi i saj do të varet nga aftësia për të ruajtur pjesëmarrjen, për të shmangur mbi-politizimin e lëvizjes dhe për të prodhuar presion real ndaj pushtetit.

Në një moment të polarizuar politik, kjo protestë po teston hapësirën që qytetarët kanë për të ndikuar vendimmarrjen qeveritare jashtë mekanizmave të partive tradicionale.

Lexoni gjithashtu:

The post Përditë para Kryeministrisë, protesta ndryshe e “Shqipëria Bëhet” appeared first on Citizens.al.

Lëvizja Bashkë kundër buxhetit 2026: I pabarabartë dhe përjashtues

12 December 2025 at 14:12

Mes pakënaqësisë për rritjen e pabarazisë, abuzimeve dhe orientimin e fondeve publike kryesisht drejt koncesioneve, Lëvizja Bashkë shprehu kundërshtinë e saj ndaj buxhetit të 2026 përmes një proteste para Kuvendit. Ata kërkuan përgjegjësi nga qeveria për abuzimet me detyrën, politika që garantojnë dinjitet dhe minimum jetik.

Buxheti 2026 rikthen Lëvizjen Bashkë para Kuvendit

Mirjeta, pensioniste nga Tirana, thotë se jeton me 17 mijë lekë në muaj. Ajo tregon se pa ndihmën e fëmijëve nuk do të siguronte as bukën e përditshme. Bashkë me shoqen e saj dhe dhjetëra qytetarë, ajo iu bashkua të enjten protestës së Lëvizjes Bashkë para Kuvendit, me thirrjen “Populli kundër korrupsionit dhe varfërisë!”.

Ndërsa qytetarët protestonin, Kuvendi diskutonte buxhetin e vitit 2026. Lëvizja Bashkë e konsideroi atë të pabarabartë, regresiv dhe të ndërtuar mbi politika që rëndojnë shtresat e varfra.

Eduart Koruni, profesionist i sapodalë në pension, tha për Citizens.al se shumica e pensionistëve marrin më pak se 20 mijë lekë në muaj. Ai thekson se kjo shumë nuk mjafton “as për bukë dhe djathë”.

Klodi Leka, nga Lëvizja Bashkë, kritikoi mënyrën e mbledhjes së të ardhurave buxhetore. Ai theksoi pabarazinë e taksimit duke këmbëngulur se “shteti taton 20% bukën, 6% kazinotë dhe 0% investitorët strategjikë.”

Mirela Ruko, anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës si përfaqësuese e Lëvizjes, theksoi peshën që mbajnë mësuesit, mjekët, punëtorët dhe bujqit në ekonominë e vendit. Ajo argumentoi se pasuria e krijuar me mundin e tyre përfundon në projekte klienteliste.

“Ne nuk kemi plaçkë për t’u shitur dhe asnjë ditë për t’u falur atyre,” thirri Ruko teksa shtoi se “nuk jemi popull i varfër, ka kaq vite që grabitemi dhe me mundin dhe djersën tonë ata [pushtetarët] kanë ndërtuar kështjella”.

Protestuesit përmendën pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga detyra në qeveri si simbol të krizës së thellë të korrupsionit që, sipas tyre, ka kapluar pushtetin e Kryeministrit Edi Rama.

Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë, tha se korrupsioni “vret përditë në kantieret e ndërtimit, në miniera dhe në rrugët ku të rinjtë shtyhen drejt kriminalizimit”.

Ai shtoi se 720 mijë pensionistë mbijetojnë vetëm falë solidaritetit familjar.

“Pa ndihmën e fëmijëve, qindra mijëra prej tyre do të ishin duke lypur,” theksoi Qori.

Deputeti Redi Muçi iu bashkua protestës pas debatit në Kuvend, duke kritikuar orientimin e buxhetit të vitit 2026 ku 27% e tij shkon për koncesionet dhe marrëveshjet në partneritet me privatët.

Muçi theksoi se arsimi dhe shëndetësia mbeten në nivele minimale, me vetëm 2.3% dhe 2.9% të PBB-së, larg standardeve të BE-së që ofrojnë dy deri pesë herë më shumë se kaq.

Bora Mema, nga Lëvizja, u shpreh se pabarazitë e thella ekonomike e bëjnë demokracinë vetëm një iluzion. Ajo theksoi se liria e konsumit nuk është liri reale për qytetarët me të ardhura minimale.

“E vetmja liri është për të ditur cilat produkte do të zgjedhim me aq pak qindarka sa kemi në xhep”, u shpreh Mema, e cila bëri një paralele me lëvizjen për ndryshimin e sistemit 35 vite më parë.

Protesta e Lëvizjes Bashkë evidentoi sërish shqetësimin në rritje për pabarazinë sociale, prioritetet fiskale dhe abuzimet me fondet publike.

Për këtë protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe Belinda Ballukut, ngritjen e minimumit jetik, rritjen e pensioneve dhe miratimin e statusit të minatorit.

Lexoni gjithashtu:

The post Lëvizja Bashkë kundër buxhetit 2026: I pabarabartë dhe përjashtues appeared first on Citizens.al.

Hidrocentrale pa kufi: Ballkani “hambar” i HEC-eve të vogla

11 December 2025 at 17:10

Hidrocentralet konsiderohen “burim i gjelbër” energjie për shkak të emetimeve të ulëta të karbonit, por ndikimet e tyre në natyrë dhe komunitetet lokale janë kthyer në shqetësime serioze.

Rritja e projekteve në Ballkan

Ballkani, me burime ujore të shumta, është kthyer në një “hambar” hidrocentralesh të vogla, zakonisht me kapacitete deri në 2MW.

Sipas një monitorimi të organizatave mjedisore EuroNatur dhe RiverWatch, numri i hidrocentraleve është rritur ndjeshëm në Ballkan. Kështu deri në vitin 2024 numëroheshin mbi 5,000 projekte hidrocentralesh.

Nga numri i përgjithshëm, 1,836 janë në punë, 94 në ndërtim dhe pjesa tjetër: 3,188 ende në letër.

Rreth 92% e hidrocentraleve janë më të vogla se 10MW, që prodhojnë energji minimale, por shkaktojnë dëme të pakthyeshme në lumenj dhe komunitete lokale”.

Organizatat mjedisore thonë se gati gjysma e projekteve ndodhen brenda zonave të mbrojtura, duke qenë në kundërshti me qëllimin pse këto zona janë të mbrojtura.

Që nga viti 2022, 110 hidrocentrale të reja kanë nisur punë, duke shkatërruar rreth 1,100 kilometra rrjedhë lumenjsh.

Vendet më të prekura nga “shkatërrimi”

Sipas raportit të EuroNatur dhe RiverWatch, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria dhe Serbia janë “pikat e nxehta” të ndërtimit të digave. Greqia dhe Kroacia duket se po zgjerojnë gjithashtu projektet.

Në Shqipëri, numërohen 27 kantiere dhe 346 projekte në fazë planifikimi. Disa nga më shqetësueset gjenden përgjatë lumit Shkumbin “pa asnjë degë të mbetur pa digë” dhe në Parkun Kombëtar të Shebenikut.

Po aq shqetësues mbetet lumi Devoll. Digat e Banjës dhe Moglicës e kanë transformuar pjesën e sipërme të lumit në një seri rezervuarësh, duke prishur lidhjen gjatësore dhe ekosistemin e rrjedhës poshtë.

Kapaciteti i instaluar i hidrocentraleve në Shqipëri arrin rreth 1,450 MW dhe përbën mbi 90% të energjisë së vendit, duke u mbështetur kryesisht në kaskadat e lumenjve.

Në Bosnjë e Hercegovinë, digat të shumta kërcënojnë lumenjtë kryesorë, si Neretva dhe Drina e Sipërme.

“Më shumë se 50 HEC-e, në shkallë të vogël dhe të madhe, kërcënojnë të gjithë rrjetin lumor – Neretvën dhe çdo degë të saj”, thuhet në raport.

Krahasim i përgjithshëm midis viteve (2012-2024) Burimi: EuroNatur/River Watch


Kosova raportohet të ketë 83 hidrocentrale të planifikuara dhe 8 në proces ndërtimi. Disa HEC-e janë mbyllur për shkak të problemeve me licencimet.

“Shqetësim i madh është zonimi i Parkut Kombëtar të Malit të Sharrit për shkak të përjashtimit të luginave të mëdha të lumenjve, siç është lumi Lepenc”, thuhet në raport.

Serbia raportohet të ketë 803 projekte të planifikuara dhe 22 në ndërtim, ajo konsiderohet e dyta për nga numri i lartë i projekteve, ndërsa Maqedonia e Veriut 165 projekte të planifikuara dhe 7 në ndërtim.

Sipas raportit, ndërtimi i hidrocentraleve të vogla dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut janë të ngadalta, mirëpo ka projekte të shumta dhe të qëndrueshme.

Në Mal të Zi janë 93 projekte të planifikuara dhe 2 në ndërtim. Shumë HEC-e gjenden brenda zonave të mbrojtura, përfshirë parqet kombëtare dhe vendet Natura 2000.

Raporti thekson se në vendet ballkanike të BE-së ku përfshihet Greqia, Bullgaria, Kroacia dhe Sllovenia, thuajse gjysma e projekteve (1,611; 49%) janë planifikuar ose ndërtuar brenda zonave të mbrojtura ekzistuese (242 në Parqe Kombëtare; 569 në zona Natura 2000).

HEC-et në zona të mbrojtura Burimi: EuroNatur/River Watch

Hidrocentralet dhe lufta e komuniteteve në Shqipëri

Në Shqipëri, sipas të dhënave të mbledhura edhe nga EuroNatur dhe Riverwatch, projektet e hidrocentraleve kanë shkaktuar përplasje midis komuniteteve dhe ndërtuesve.

Në 2019 dhe 2020, Kryeministri Edi Rama pranoi se HEC-et e vogla shpesh janë të padobishme dhe dëmtojnë komunitetet sikurse dhe ekosistemin.

“Ato funksionojnë si shushunja që thithin gjakun e organizmit të vendit, duke lënë toka pa ujë dhe komunitete pa mundësi të punojnë tokën,” do të shprehej Rama.

Megjithatë, ndërtimet vazhduan, duke evidentuar tensionet midis energjisë së gjelbër dhe mbrojtjes së lumenjve dhe jetës lokale.

Raste të shpeshta të raportuara nga Citizens.al kanë dëshmuar për përplasje dhe qëndresë nga komunitetet lokale.

Shembull konkret mbeten zona si ajo e Zall-Gjoçajt në Lurë, Kaçinarit në Mirditë dhe Kurdarisë në Mat, ku banorët janë organizuar në protesta duke kundërshtuar prej vitesh ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve.

Lexo gjithashtu:

The post Hidrocentrale pa kufi: Ballkani “hambar” i HEC-eve të vogla appeared first on Citizens.al.

Aktivistët e Zall-Gjoçajt në gjyq me “Seka Hydropower”: “Fjala e lirë nuk është krim!”

26 November 2025 at 15:40

Aktivistët dhe banorët Adem Xhokola, Dhimitër Koleci dhe Jorgji Locaj u paraqitën sot në Gjykatën e Shkallës së Parë të Lezhës për t’u përballur me një padi penale të ngritur nga kompania “Seka Hydropower”.

Sipas kompanisë, deklaratat e tyre publike gjatë protestave kundër ndërtimeve të hidrocentraleve në Zall-Gjoçaj të Matit dhe Lufaj të Mirditës kanë qenë fyese dhe shpifje

“Kur më erdhi thirrja për në Gjykatën e Lezhës thashë se padia jonë që është në Prokurorinë e Lezhës ka dalë për shqyrtim. As nuk e pashë fare. Pas 10 ditësh e pashë që ishte për të dhënë ne llogari firmës”, u shpreh Dhimitër Koleci.

Sipas tij, padia për fyerje dhe shpifje është një lloj intimidimi për banorët që të mos ngrenë padi të reja, të mos aktivizohen dhe të mos grumbullohen në protesta.

Sipas Kolecit, kjo nuk është hera e parë që banorët përballen me raste të tilla, duke e konsideruar ndërtimin e hidrocentraleve në këtë zonë si një krim.

“Të ndërtosh në një park kombëtar, të hedhësh betonin në kohën që është park kombëtar, ky është një krim. Të devijosh dy lumenj, nuk është krim ky? Të prishësh kanalin vaditës të banorëve të zonës, nuk është krim?”, u shpreh më tej Dhimitër Koleci.

Padia bazohet në deklaratat për mediat dhe komunikimet e banorëve gjatë një proteste të korrikut në Lufaj, ku ata ngritën shqetësime për ndikimin e hidrocentraleve në lumin Flim dhe Urakë.

Kompania pretendon se këto deklarata i kanë dëmtuar imazhin. Ndërkohë, banorët dhe aktivistët e shohin këtë si një padi tipike SLAPP, e përdorur për të frenuar protestat dhe zërin kundërshtues të komunitetit. Kjo pasi nëse ata shpallen fajtor rrezikojnë një gjobë të konsiderueshme nga 50,000 deri në 3,000,000 lekë.

Adem Xhokola tha për Citizens.al se kjo padi është një presion i hapuar ndaj banorëve.

“Ne nuk kemi bërë asnjë shpifje, asnjë fyerje. Ne kemi kërkuar të drejtën tonë që na takon sepse ato kanë shkelur të gjitha ligjet”, u shpreh Xhokola.

Sipas tij, gjithçka kanë bërë banorët ka qenë për të mbrojtur ujin dhe zonën.

“Kam luftuar dhe punuar për të mborjtur këtë vend dhe do të luftoj deri në momentin e fundit për të mbrotjur vendin tim“, deklaroi Adem Xhokola.

Për Jorgji Locaj, kjo padi është e padrejtë, pasi çfarë kanë denoncuar në protesta dhe në gjykatë është e vërteta e tyre.

“Jemi gjithmonë me të drejtën, nuk na tremb asgjë. Ne kemi të drejtën të flasim. Këtë të drejtë nuk na e ndal askush. Asnjë njeri. Vetëm po na e ndaloi zoti i madh”, u shpreh Jorgji Locaj.

Sot, përpara gjykatës, Xhokola, Koleci dhe Locaj patën mbështetjen e aktivistëve dhe komunitetit të cilët u mblodhën jashtë.

Në mënyrë simbolike, mbi megafon ata vendosën një shirit i zi, një mesazh kundër tentativës, sikurse thonë ata, që ka bërë kompania për t’i heshtur. Ndërsa banderola “Fjala e lirë nuk është krim!” sintetizonte më shumë qëndrimin e tyre.

Seanca e sotme ishte një seancë pajtimi, e cila dështoi t’i bënte bashkë palët, dhe për rrjedhojë çështja do të kalojë për gjykim me seancën e parë të caktuar për më 15 dhjetor.

Në seancën e pajtimit ishin të pranishëm edhe Sokol Muçeku dhe Fabio Scuero (shtetas italian), administratorë të firmës “Seka Hydropower”.

Për çështjen e hidrocentraleve, banorët e Zall-Gjoçajt janë në procese gjyqësore.

Në fund të tetorit, Gjykata Administrative e Apelit, Tiranë, la në fuqi vendimin që legjitimoi ndërtimin e hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”. Banorët, të cilët nuk pajtohen me këtë vendim, janë shprehur se do t’i drejtohen Gjykatës së Lartë.

Një betejë gjyqësore që zgjat prej pesë vitesh

Çështja e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës” mbetet një konflikt i gjatë mes komunitetit, kompanisë dhe institucioneve.

Prej vitit 2018, banorët kanë kundërshtuar në rrugë ligjore dhe me protesta ndërtimin e HEC-eve në Zall-Gjoçaj, duke ngritur pretendimin se hidrocentralet dëmtojnë mjedisin, pakësojnë ujërat dhe për rrjedhojë ndikojnë negativisht në jetën e tyre si komunitet lokal.

Një studim i realizuar nga biologu Melitjan Nezaj dhe raportuar nga Citizens.al në nëntor 2024 tregoi se ndërtimet e HEC-eve në Zall-Gjoçaj kanë sjellë dëmtime të ndjeshme në ekosistem.

Sipas gjetjeve, devijimi i prurjeve ka ndryshuar ndjeshëm regjimin hidrologjik të lumenjve, ka reduktuar habitate të rëndësishme për faunën ujore, ka rritur erozionin dhe sedimentimin dhe ka shkaktuar fragmentim të mjedisit pyjor përreth.

Studimi evidentoi zhvendosje të specieve të mbrojtura, rënie të shëndetit ekologjik të shtratit lumor dhe transformim të zonave të ndjeshme brenda parkut, duke vërtetuar se punimet kanë tejkaluar ndikimet e deklaruara në dokumentet zyrtare. Ndër speciet më të rrezikuara ishte trofta.

Pikërisht në këtë kontekst, banorët kanë kërkuar prej vitesh pavlefshmërinë e deklaratës mjedisore, lejeve të ndërtimit dhe procedurave që u ndoqën për tkurrjen e fondit pyjor me 6,180 m².

Sipas tyre, ndërtimet bien ndesh me ligjin nr. 81/2017 për Zonat e Mbrojtura, i cili ndalon projektet energjetike në zonat e kategorisë “II”. Përveç kompanisë “Seka Hydropower”, banorët kanë paditur edhe institucionet shtetërore për lejimin e punimeve.

Në vitin 2018, Zall-Gjoçaj u bashkua me Lurën për të formuar një nga parqet më të mëdha kombëtare të Shqipërisë, parkun “Lurë-Mali i Dejës”, por në janar 2022 qeveria ndryshoi kufijtë e tij, duke përjashtuar pikërisht zonën ku u ngrit diga e HEC-it “Zajs” – një vendim që banorët e konsiderojnë si “legalizim të shkeljeve”.

Kronologjia e ndjekjes së çështjes në rrugë ligjore:

  • 2019 – Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën për pezullimin e punimeve.
  • 2020 – Gjykata Administrative rrëzoi padinë për ndalimin e HEC-eve.
  • 2021 – Gjykata anuloi licencën e dhënë nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) për HEC-in “Zajs” brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj.
  • 2021 – Gjykata rrëzoi padinë kundër institucioneve që dhanë lejet.
  • 2021 – Apeli lë në fuqi vendimin për anulimin e licencës së ERE-s ndaj HEC-it “Zajs”.
  • 2022 – ERE zbaton vendimin dhe i heq licencën HEC-it “Zajs”.
  • 2022 – Gjykata e Lartë konfirmon përfundimisht heqjen e licencës kompanisë “Seka Hydropower” për një nga HEC-et.
  • 2025 – Gjykata Administrative e Apelit lë në fuqi ndërtimin e HEC-eve në Zall-Gjocaj.

Lexoni gjithashtu:

The post Aktivistët e Zall-Gjoçajt në gjyq me “Seka Hydropower”: “Fjala e lirë nuk është krim!” appeared first on Citizens.al.

Strasburgu shqyrton ankesën e studentëve të mjekësisë për punësimin e detyruar

21 November 2025 at 14:16

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka regjistruar ankimimin e 36 studentëve të mjekësisë kundër ligjit që i detyron të punojnë tre vite në Shqipëri, përndryshe duhet të shlyejnë tarifën e plotë të studimeve, që është përllogaritur të jetë rreth 15,000 euro.

Shqyrtimi në Strasburg kthen sërish në qendër të debatit një çështje që ka prodhuar protesta, bojkot dhe shqetësime të vazhdueshme për lirinë e zgjedhjes së profesionistëve të rinj.

Ligji u miratua fillimisht në korrik 2023 me pesë vite punësim të detyruar, por u ndryshua në shtator 2024 duke e ulur periudhën në tre vite. Rregullat e reja hynë në fuqi për vitin akademik 2025-2026 dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën e pajisjes me diplomë dhe licencë të mjekëve të rinj.

Për shqyrtimin e çështjes, GJEDNJ i ka dërguar qeverisë një listë pyetjesh që lidhen me procesin e regjistrimit në Universitetin e Mjekësisë, mënyrën e pagesës së tarifave, kufizimet e lirisë profesionale, të drejtës për një proces gjyqësor të drejtë dhe proporcionalitetin e detyrimit për punësim.

Studentët e mjekësisë përballen me dy alternativa: të nënshkruajnë kontratë me shtetin ose të refuzojnë dhe të paguajnë tarifën e plotë për gjashtë vitet e studimit.

Me një vendim të tetorit 2023, bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë Tiranë vlerësoi se kostoja e një viti akademik për studentët e këtij universiteti ishte 248,975 lekë (rreth 2,500 euro) për një total rreth 15,000 euro.

Ata që pranojnë kontratën e marrin diplomën vetëm pasi të kenë përfunduar tre vitet e detyruara të punës në sistemin shëndetësor shqiptar.

Pyetjet e Strasburgut për çështjen e studentëve të mjekësisë.

Ligji parashikon që brenda tre muajsh pas licencimit, Ministria e Shëndetësisë të punësojë mjekët sipas notës mesatare duke i përjashtuar nga konkurrimi.

Në mungesë të një vendi në sistemin publik, mjeku i ri mund të punësohet në sektorin privat, me detyrim njoftimin e ministrisë. Nëse nuk punësohen brenda nëntë muajsh, ata përfitojnë një pagesë prej 80% të pagës mesatare për këtë periudhë.

Studentët që janë ankuar çështjen pretendojnë shkelje të së drejtës për arsim, punë të detyruar dhe diskriminim.

Çështja ngre dilema të rëndësishme për mënyrën se si shteti menaxhon mungesën e mjekëve në sistemin shëndetësor, duke e mbështetur zgjidhjen te një model i detyrimit administrativ, në vend të reformave që mund të mbajnë profesionistët në vend në mënyrë vullnetare.

Ndërkohë, vetë pranimi i çështjes në Strasburg hap një proces që mund të kthehet në precedent për të drejtat profesionale të studentëve dhe standardet e shtetit në raport me politikat e punësimit.

Si u miratua ligji për studentët e mjekësisë

  • Qershor 2023: Ministrja e Arsimit Evis Kushi prezantoi idenë e tre viteve punë të detyruar. Studentët kundërshtuan me protesta.
  • Korrik 2023 – Kryeministri Rama e zgjeroi propozimin në pesë vite detyrim. Protestat vazhduan.
  • Korrik 2023 – Shumica socialiste miratoi ligjin. Studentët paralajmëruan bojkot.
  • Tetor 2023 – Viti akademik nisi me bojkot. Ligji u dërgua për pezullim në Gjykatën Kushtetuese teksa universiteti pranoi të mos aplikojë kontrata deri sa të kishte një vendim.
  • Nëntor 2023 – Gjykata e pezulloi ligjin dhe kërkoi ndryshime.
  • Shtator 2024 – Kuvendi uli detyrimin nga pesë në tre vite.
  • Qershor 2024 – Studentët iu drejtuan GJEDNJ-së.
  • Nëntor 2025 – GJEDNJ regjistroi ankimimin dhe nisi pyetjet për palët.

Lexo gjithashtu:

The post Strasburgu shqyrton ankesën e studentëve të mjekësisë për punësimin e detyruar appeared first on Citizens.al.

Një paralele me Serbinë – A është më sheshi “mashë presioni” ndaj pushteteve?

6 November 2025 at 16:42

Prej nëntorit 2024, Serbia ka qenë skenë e protestave masive. Studentë, qytetarë, punëtorë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë mbushur rrugët për të kërkuar llogaridhënie, transparencë dhe drejtësi.

Një katastrofë inxhinierike – shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor në Novi Sad që la 15 të vdekur – shërbeu si katalizator revolte, që u shtri në dhjetëra qytete, duke përfshirë Beogradin.

Në Shqipëri, ndërkohë, protestat e ngjashme duket se shuhen pa arritur të kristalizohen në lëvizje të qëndrueshme. Pavarësisht situatave dhe ngjarjeve të ndryshme që kanë ngjallur revolta dekadën e fundit, ka munguar një gur çakmaku i aftë për t’i ndezur apo mbajtur protestat gjallë për shumë kohë.

Disa fajësojnë fuqinë e pushtetit qeveritar, të tjerë amullinë opozitare dhe mungesën e alternativave frymëzuese.

Historia tregon se sistemi politik ndryshoi në Shqipëri pasi qendra e Tiranës u mbush me mijëra qytetarë që më 20 shkurt 1991 rrëzuan statujën e diktatorit Hoxha. Por, sot, rreth 35 vite më vonë, qendra nuk ruan asnjë kujtim nga ajo ngjarje dhe rrallëherë shërben për manifestime politike.

Në pamje të parë duket sikur sheshet nuk janë më hapësira proteste dhe rezistence siç po ndodh në vendet fqinje.

Sheshi si skenografi e kontrolluar

Sheshi Skënderbej i ngjan sot një gunge të madhe me pllaka, ku për shkak të pjerrtësive është e vështirë të organizohen evente, lëre më protesta.

Përgjithësisht eventet zënë anët e sheshit ku skelat apo logjistika nuk rrezikohen të bien, ndërsa edhe për vetë pushtetin organizimet elektorale në qendër kanë rezultuar jo me të njëjtin shkëlqim si dikur.

Arkitekti dhe aktivisti Migen Qiraxhi thotë për Citizens.al se ky lloj transformimi urban nuk është “i pafajshëm”. Për të, qasja e ndjekur me zhvillimin gjatë dhjetëvjeçarit të fundit i ka dhënë hapësirave në përgjithësi, një aspekt më së shumti skenografik se sa jetik për qytetarët.

“Sheshet tashmë janë për t’u fotografuar, jo për t’u jetuar. Përdoren për evente të kontrolluara, jo për debat e pjesëmarrje qytetare,” thotë Qiraxhi, i cili angazhohet si koordinator projektesh pranë organizatës “Qëndresa Qytetare”.

Ai e quan këtë proces “arkitekturë të dekurajimit qytetar”. Sa më i madh dhe më spektakolar të jetë sheshi, aq më e vështirë është ta ndjesh masivitetin e protestës.

“Protesta e studentëve e vitit 2018 dukej masive në rrugën e Kavajës dhe jepte motivim; ndërkaq, po e njëjta, kur u zhvendos në shesh dhe bulevard, demotivonte, pasi raportet e masës me hapësirën përmbyseshin,” kujton Qiraxhi.

“Nga ana tjetër, sheshi Skënderbej nuk është as i ndriçuar që të mundësojë një agora për qytetarët në orët pa rreze dielli,” shton ai.

Sipas Qiraxhit pushteti në Tiranë ka mësuar të marrë edhe formën e qytetarit që proteston. Ai kujton këtu rastet kur për të dekurajuar protestat studentore të dhjetorit 2018, Kryeministri Rama organizonte takime me ta dhe shfaqej me tezën “edhe unë jam student, kur do flasim?!”.

Për Qiraxhin, e njëjta qasje u pa edhe në vitin 2013 në protestën kundër planit për të demontuar në Shqipëri armët kimike të regjimit sirian të Bashar al-Assad.

“Ashtu si Vuçiç në Beograd përpiqet të përvetësojë kërkesat e qytetarëve. Është një taktikë për të neutralizuar përballjen,” analizon ai.

Protestat u zhvendosën në rrjetet sociale

Përballë një qasje të tillë të zhvillimit urban, por edhe social, ku dimamikat ekonomike dhe të jetës kanë shtyrë drejt një individualizmi më të theksuar, revolta popullore është shprehur kryesisht në hapësirat digjitale.

Për Ivan Blažević, menaxher programi në “European Fund for the Balkans”, kjo zhvendosje nga sheshi te rrjetet sociale është pjesë e një transformimi më të gjerë.

“Nuk është dobësim, por transformim i mënyrës sesi shprehet energjia qytetare. Rrjetet sociale kanë hapur hapësira të reja për organizim dhe solidaritet, sidomos për të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara,” thotë ai për Citizens.al.

Megjithatë, ai paralajmëron për rrezikun e fragmentimit pasi angazhimi digjital është më i menjëhershëm, por njëkohësisht më i brishtë. 

“Hapësira digjitale zgjeron rrezen e protestës, por humbet përvojën e përbashkët fizike që i jep forcë lëvizjeve,” thekson Blažević.

Sipas tij protestat online nuk munden të përcjellin momentin e përbashkët të kundërshtimit. Prandaj sfida qëndron te lidhja e dy formave të angazhimit në mënyrë që mobilizimi digjital të përkthehet në pjesëmarrje qytetare reale me ndikime politike konkrete.

Por, përtej këtyre aspekteve, Blažević sheh një tjetër dimension shqetësues, normalizimin e autoritarizmit, përmes humbjes së hapësirës publike si simbol politik.

“Kur sheshet bëhen sterile, të kontrolluara apo të komercializuara, qytetarët humbasin prirjet e pjesëmarrjes, të debatit dhe të mbajtjes së pushtetit përgjegjës. Kjo gërryen thelbin e demokracisë,” thotë Blažević.

Nga kolektivi tek individi

Në Shqipëri, mungesa e një ekosistemi të organizimit qytetar, universitetet e dobëta, sindikatat inekzistente, dhe mediat me hapësira të kufizuara, kanë bërë që protesta të shihet më shumë si shpërthimi i një revolte se sa një proces angazhimi qytetar.

“Kur qytetarët e perceptojnë sistemin politik si të korruptuar apo të pandjeshëm, protestat bëhen më shumë shprehje frustrimi sesa mjete strategjike për ndryshim,” komenton Blažević.

Qiraxhi, i cili me “Qëndresën Qytetare” ka organizuar dhe marrë pjesë në disa protesta qytetare, e përkufizon këtë si “revoltë në mungesë të institucioneve”. Ai thotë se në këto kushte, rrjetet sociale janë bërë strehë e vetme e shprehjes publike, por pa mundësi reale për t’u përkthyer në veprime politik.

Ndryshe, në Serbi, protestat e periudhës 2024-2025 kthyen fizikisht qytetarët në rrugë dhe qendrat e qyteteve, një zhvillim simbolik dhe domethënës për kundërvënien dhe rezistencën ndaj autoritetit dhe abuzimeve të pushtetit. 

Në Shqipëri, ndërkohë, qytetarët duket se nuk kanë ndonjë ndryshim nga turistët, të cilët si vizitorë fotografojnë rrugët, sheshet, por nuk i zotërojnë apo përdorin politikisht ato.

Kështu, nëse sheshi është pasqyra e një shoqërie demokratike, atëherë ajo që mungon në Tiranë nuk është vetëm vendi dhe qasja fizike, por edhe vetë marrëdhënia e qytetarit me sistemin, pushtetin dhe me njëri-tjetrin.

“Humbja e sheshit është humbje e kujtesës demokratike. Rikthimi i tij është thelbësor për të mbajtur gjallë vetë jetën demokratike në Ballkan,” thekson Blažević.

Lexoni gjithashtu:

The post Një paralele me Serbinë – A është më sheshi “mashë presioni” ndaj pushteteve? appeared first on Citizens.al.

Dy vjetori i marrëveshjes Rama-Meloni kujtohet me protesta

3 November 2025 at 16:07

Aktivistë shqiptarë dhe italianë protestuan në Tiranë, të shtunën, kundër marrëveshjes “Rama-Meloni”, e cila shënjoi dy vjetorin e saj.

Disa rrjete si “Mesdhe” dhe “Network Against Migration Detention” bashkëpunuan për një plan treditor të quajtur “Të shfuqizohen qendrat e paraburgimit për migrantët”.

Më 1 nëntor u mbaj një marshim nga qendra e Tiranës, në drejtim të Kryeministrisë dhe Ambasadës Italiane, për t’u përmbyllur jashtë qendrave të kampit në Gjadër, në Lezhë.

Të dielën, 2 nëntor, në ambientet e Universitetit të Drejtësisë, u mbajt një konferencë ku pati panele të ndryshme diskutimi mbi ëndrrën evropiane, kolonializmin, të drejtën e lëvizjes, etj.

“Marrëveshja ilegale, rezistenca globale!”

Me një banderolë të madhe, e cila shkruante “Meloni, Rama, Von Der Leyen, Trump, burgjet tuaja të imigrimit janë kriminale” aktivistët marshuan në rrugët e Tiranës, përpara nisjes në Lezhë. Ndërkohe që gjatë marshimit dëgjoheshin thirrjet “Marrëveshja ilegale-Rezistenca globale”.

Aktivisti Edison Lika, i cili ishte i pari që mbajti fjalën, tha se kryeminstri Edi Rama për të mbajtur pushtetin, është i gatshëm, të bëj pakt edhe me djallin dhe është i gatshëm të burgos jo vetëm emigrantët, por të bëj çfarëdolloj “pisllëku” tjetër të nevojshëm.

“Edi Rama e mirëmban pushtetin e tij përmes këtyre figurave; duke bërë marrëveshje ilegale me Melonin, gjë e cila u kalua në heshtje nga Bashkimi Evropian,” theksoj Lika.

Lika shtoj se për shumë vite Evropa ka qenë ëndrra e shqiptarëve dhe jo vetëm si vend që kishte liri ekonomike, që mund të lëvizje lirshëm, por më shumë si aspiratë demokratike.

“Evropa pa demokraci është një Evropë së cilës i ka ardh fundi,” përmbylli Lika.

Të njëjtën retorikë për “shuarjen” e Evropës demokratike mbajtën edhe aktivistë të tjerë. Kështu,  Detjon Begaj, aktivist i diasporës shqiptare në Itali tha se Shqipëria dhe Italia ndajnë të njëjtin vizion oligarkie dhe demokracie dhe kjo nuk është Evropa që ne ëndërruam.

“Giorgia Meloni tha se ky pakt do  të funksiononte, por në fakt nuk funksionoi, e vetmja gjë që funksionoi ishte dhunimi i të drejtave të njeriut” nënvizoi Begaj.

Aktivistët u ndalën edhe tek shpjegimi i narracioni të së djathtës ekstreme dhe jo vetëm, e cila për migrantët jep zgjidhjen “ti ndihmojmë në shtëpitë e tyre”.

“T’i ndihmojmë në shtëpinë e tyre. Dhe pastaj çfarë bëjnë? Giorgia Meloni dhe qeveria italiane, është e gjashta në botë për eksportimin e armëve” përmbylli aktivisti Damiano Borin.

“Kampe që s’po funksionojnë”

Kjo ishte hera e dytë që këto grupime aktivistësh protestojnë në Tiranë kundër marrëveshjes Rama-Meloni. Hera e parë që marshuan në rrugët e Tiranës ishte më 2 dhjetor 2024.

6 nëntor 2023, qeveritë e dy vendeve nënshkruan marrëveshje për të ndaluar valën e refugjatëve. Marrëveshja e pa-konsultuar më parë u bë e njohur për publikun vetëm nga mediat.

Marrëveshja Rama-Meloni për emigrantët parashikonte që rreth 3,000 refugjatë të mbërrinin çdo muaj në kampet e Gjadrit.

Por shifra zyrtare e pakonfirmuar deri më tani e migrantëve që ndodhen aktualisht në Gjadër mendohet të jetë rreth 20 persona. Ajo që është e konfirmuar është se deri në 2 tetor zyrtarisht kanë qenë 17 persona.

I gjithë qëllimi madhor i  kampit, për të cilin ishte krijuar fillimisht, për të shërbyer si qendër depërtimesh për emigrantët e kapur në detin Mesdhe, ra poshtë për shkak të rezistencës dhe ndërhyrjes së Gjtykatës së Romës, e cila hodhi dyshimin mbi listën e vendeve të sigurta, të krijuar nga Italia.

Kjo bëri që Gjykata Evropiane e Drejtësisë të dilte me vendim zyrtar më 1 gusht 2025.

Sipas gjykatësve evropianë, çdo shtet anëtar ka të drejtë të hartojë një listë të vendeve të sigurta të origjinës, por kjo vendimmarrje nuk është absolute. Ajo duhet të mbështetet në të dhëna të qarta, të dokumentuara dhe të aksesueshme, dhe të jetë e kontrollueshme nga proceset gjyqësore.

Kështu kjo solli që disa vende që Italia i konsideronte të sigurta si Bangladeshi, Egjipti, etj. sipas ekspertëve të drejtësisë të kishin shumë aspekte politiko-sociale që mund ti shndërronte të pasigurta për shumë qytetarë, përmendim këtu pasiguria e anëtarëve të komuniteti LGBTQ+ etj.

Për këtë arsye Italia ndryshoi funksionin primar të kampit, duke e përdorur tashmë për riatdhesimin e migrantëve të paligjshëm që ndodhen aktualisht në CPR- të (qendër qëndrimi për riatdhesim) italiane.

Figura të ndryshme të opozitës italiane e kanë quajtur kampin një projekt të dështuar dhe propagandistik të kryeministres italiane Giorgia Meloni. Vetë ish-kryeministri i Italisë dhe senatori i Firences, Matteo Renzi, në një vizitë të tijën në Gjadër në Mars të 2025, tha se ishin rreth një miliard lekë të shkuara dëm.

The post Dy vjetori i marrëveshjes Rama-Meloni kujtohet me protesta appeared first on Citizens.al.

Tre dekada pritje: Ish-minatorët rikthehen të kërkojnë statusin

9 October 2025 at 13:55

Prej 30 vitesh, ish-punonjësit e minierave kërkojnë miratimin e “statusit të minatorit”, por politika i ka mënjanuar. Peticione të shumta të nisura prej tyre janë arkivuar. Premtimet mbeten, ndërsa jetët e tyre vijojnë me të njëjtat vështirësi.

Të enjten, më 9 tetor, një grup ish-minatorësh, të mbështetur nga Lëvizja Bashkë dhe deputeti Redi Muçi, u mblodhën sërish para Parlamentit, teksa pjesa kryesore e deputetëve hynë në seancë duke i shpërfillur.

“Punuam gjithë jetën, prapë bosh e kemi kuletën!”

Teksa roja e sigurisë i hapi makinën, ish-Kryeministri Sali Berisha, sërish deputet dhe drejtues i Partisë Demokratike, i drejtoi dy gishtat lart në mënyrë automatike ish-minatorëve, të cilët ishin pozicionuar në hyrje të institucionit.

Mes replikave dhe thirrjeve “Ik, largohu!” dhe disa të tjerëve të cilët i rikujtonin statusin, ish-Kryeministri u ktheu kurrizin turmës, ashtu siç në të vërtetë ka vepruar ish-qeveria e tij dhe qeveria aktuale ndaj këtij grupimi ndër vite.

Ndër pankartat që mbanin në duar ish-punonjësit e nëntokës lexohej: “Punuam gjithë jetën, prapë bosh e kemi kuletën!”, “Statusi i minatorit premtim elektoral që prej 1991”, apo “Boll u tallët me ish-minatorët”.

 “Kam këputur kolonën në minierë, në moshën 22 vjeç. Që atëherë nuk kam marrë kokërr leku, dëmshpërblim të aksidentit. Ku është ky shtet? Ku është ky parlament?” tha në protestën e sotme përpara Kuvendit, Ali Plaka, Kryetari i Shoqatës së Invalidëve Para dhe Tetraplegjikë.

Më shumë se tre mijë minatorë kërkojnë statusin prej dekadash, pasi një mbrojtje e tillë ligjore do t’u siguronte atyre më shumë përkrahje sociale, siguri në punë, rritje pagash, pensionesh dhe përkujdesje shëndetësore.

Përveç dëmtimeve në punë, të pakompensuara, jetesa e ish-minatorëve është vështirësuar më tej me inflacionin dhe rritjen e ndjeshme të kostos së jetesës.

“Turp i botës, të marri deputeti 4 mijë euro dhe një minator dhe pensionist të marri më pak nga të gjithë, që ata kanë punuar nën sipërfaqe, apo në fabrikë” tha ish-minatori Ymer Kadiolli.

Premtime boshe dhe peticione të fjetura

Protestat e ish-minatorëve nisën fillimisht të vetë-organizuara me pak anëtarë, diku gjashtë-shtatë persona, më pas u strukturuan në formë të organizuar dhe që prej tetorit të 2023, ata paraqiten herë pas herë përpara institucioneve kryesisht me mbështetjen e Lëvizjes Bashkë.

Në dhjetor të vitit 2020, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës i dorëzoi Kuvendit një peticion me 10,680 firma për këtë çështje, por katër vite më vonë nuk ka asnjë përgjigje.

Premtimet janë përsëritur ndër vite. Në vitin 2009, Kryeministri aktual Edi Rama, asokohe në opozitë, pati premtuar disa herë miratimin e tij. Por edhe pse tashmë drejton vendin prej vitit 2013, ky premtim mbetet i parealizuar.

Në 2018, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, deklaroi se një draft ishte gati, por ai nuk u prezantua kurrë. Në të njëjtin vit, Rama e premtoi sërish gjatë një takimi me minatorë, por sërish, asgjë nuk ndryshoi.

Më herët, në vitin 2017, ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu, kishte paraqitur një propozim të ngjashëm me ata të minatorëve, por që shumica socialiste e rrëzoi me pretendimin se dëmtonte skemën e pensioneve.

The post Tre dekada pritje: Ish-minatorët rikthehen të kërkojnë statusin appeared first on Citizens.al.

Sërish protesta në Vlorë: Kërkohet largimi i TEC-eve lundruese

6 August 2025 at 11:29

Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në orët e para të mëngjesit të sotëm para Prefekturës në Vlorë për të kërkuar largimin e dy termocentraleve (TEC) lundruese nga porti i peshkimit. Kjo është e disata herë që protestohet për këtë çështje që prej vitit 2022.

Protesta, e thirrur nga mjedisori Lavdosh Ferruni, nisi me thirrje për anulimin e kontratave të qirasë dhe largimin e dy anijeve që prodhojnë energji me djegie.

“Gjiri i Vlorës është i yni, TEC-et janë të maskarenjve”, apo “SPAK ndalo peshkaqenët me kravatë!” ishin disa nga pankartat e grupimit qytetar të quajtur “Aleanca për Vlorën”.

“Këto TEC-e nuk duhen për Shqipërinë, sepse nuk ka nevojë, ka energji hidrike, energji djellore, ere, këto duhen që të shkojnë në Itali, Greqi, pra Shqipëria të punojë për vendet e tjera,” tregoi Ferruni për Citizens.al, teksa theksoi se kjo qasje është një lloj kolonializmi ndaj shtetit shqiptar.

“Protestoj për të mirën e Vlorës, për pastërtinë e saj dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, ekonominë e tyre, sepse këto përbindsha korruptues tërheqin para nga buxheti i shtetit,” u shprej aktivistja Lela Qejvani për Citizens.al.

Grupi i qytetarëve kërkoi takim me Prefektin, Plator Nesturi, apo përfaqësues tjetër, por nuk mori përgjigje pozitive.

Historia e TEC-eve lundruese

Dy TEC-et e mbiquajtura “Tigri 1” dhe “Tigri 3” mbërritën në Gjirin e Vlorës në janar 2022. Ato u ankoruan në portin e peshkimit, njohur edhe si Triport, që ndodhet në Pyllin e Sodës, pranë zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë.

Ardhja e tyre nga Bangladeshi u justifikua nga qeveria si zgjidhje për krizën energjetike që parashikohej të kaplonte Evropën pas përshkallëzimit të konfliktit ushtarak Rusi-Ukrainë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, premtoi se dy anijet e marra me qira për dy vite nga kompanitë Excelerate Energy dhe Renco do të ishin të mjaftueshme për ta përballuar krizën. Në media u raportua se marrëveshja u mbështet nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas marrëveshjes, qiraja dhe mirëmbajtja kushtojnë përkatësisht 63,000 dhe 31,500 dollarë në ditë, për një total prej 94,500 dollarësh çdo ditë, edhe nëse nuk prodhojnë energji.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) ka deklaruar se pagesat do të nisnin vetëm pas “komisionimit të suksesshëm” të pajisjeve, por ajo nuk ka publikuar ndonjë verifikim zyrtar nëse ky moment është arritur apo jo.

Ndërkohë, dy ndezje prove janë raportuar deri më sot: në gusht 2024 dhe shkurt 2025, por në asnjërën prej tyre nuk është raportuar prodhim energjie për rrjetin, teksa mjedisorët kanë ngritur shqetësim për mungesë transparence për procedurën.

Sipas Ferrunit, pagesat kanë nisur prej shtatorit 2024. Për këtë ai i referohet një dalje televizive të ministres Balluku, pas “komisionimit” të TEC-eve. Prej asokohe, sipas tij, qeveria paguan sistematikisht qiranë.

“Çdo muaj bëhet një pagesë ‘off-shore’ rreth 3 milionë euro,” u shpreh Ferruni për Citizens.al.

Mjedisorë dhe qytetarë të Vlorës e kanë paditur marrëveshjen e TEC-eve në gjykatë dhe seanca e radhës, e cila pritet të jetë përfundimtarja, parashikohet të zhvillohet më 22 shtator.

Ilustrim grafik nga protesta kundër TEC-eve lundruese, Vlorë/Citizens.al

Rreziku mjedisor dhe paditë ndaj aktivistëve

Aktivistët dhe organizatat mjedisore kanë denoncuar që në fillim potencialin ndotës të TEC-eve lundruese, të cilat funksionojnë me naftë të rëndë dhe ndodhen pranë vijës bregdetare.

Sipas tyre, bloza e sedimentuar në tokë rrezikon Pyllin e Sodës, po ashtu edhe produktet bujqësore të fshatrave pranë.

Mjedisori Lavdosh Ferruni ka shprehur shqetësimin e impaktit që TEC-et mund të kenë edhe në botën e gjallë ujore, pasi uji që përdoret për ftohjen e motorëve të anijeve shkarkohet në det. Kjo mund të shtojë temperaturën e ujrave duke rrezikuar faunën detare në një hapësirë të gjerë.

Nuk e japim Vlorën! apo TEC fosil, largohu! kanë qenë disa nga thirrjet e para të protestave, të cilat kanë qenë të vazhdueshme që pas projekteve me rrezikshmëri të ngjashme si Petrolifera apo dhe vetë TEC-i i Vlorës, i cili ndodhet rreth 500 metra larg portit të peshkimit.

Por, përveç shqetësimeve mjedisore, disa prej aktivistëve janë përballur edhe me sulme personale dhe paditje.

Në vitin 2022, Ferruni u padit nga kompania italiane Renco për shpifje, pas një artikulli ku ai ngrinte shqetësime për lidhje të mundshme të kompanisë me struktura mafioze në Itali.

Por në vitin 2024, gjykata vendosi në favor të Ferrunit, duke e shpallur të pabazë padinë ndaj tij.

Lexoni gjithashtu:

The post Sërish protesta në Vlorë: Kërkohet largimi i TEC-eve lundruese appeared first on Citizens.al.

AlbChrome përballet me protesta: Minatorët e Bulqizës kërkojnë rritje pagash

14 July 2025 at 13:24

Prej disa ditësh minatorët e Bulqizës në kompaninë Albchrome po protestojnë për rritjen e pagës. Atyre u është premtuar rritje pagash që prej muajit janar, por kjo nuk ka ndodhur. Për këtë ata bojkotuan punën në mars.

Kompania u kërkoi më tepër kohë dhe tani, në muajin korrik, minatorët gjenden sërish përballë së njëjtës situatë.

Përgjatë këtyre muajve, ata janë ulur disa herë në bisedime me kompaninë, por, sikurse shprehen për Citizens.al: muajt kaluan dhe asgjë nuk po bëhej.

Minatorët kërkojnë plotësimin e premtimit për një rritje page me 10%, teksa kompania Albchrome u ka njoftuar punëtorëve se do të aplikojë një rritje page në masën 5%. Sipas tyre, kjo rritje është e pamjaftueshme.

Javën e kaluar, të mërkurën, një përfaqësi minatorësh u ulën sërish në bisedime me kompaninë për të gjetur një zgjidhje dhe dolën me një vendim për t’i dhënë kohë deri në fund të korrikut. Por ky afat i dakordësuar mes palëve ka tensionuar situatën mes punëtorëve të tjerë që nuk ishin pjesë e mbledhjes.

Mes tensionit, minatori Altin Kola e ka grisur këtë shkresë, dhe kjo ka bërë që ai të pushohet nga puna.

Përmes një shkrese, të firmosur nga administratori turk, Cemil Acar, minatorit iu bë me dije se është pushuar nga puna pasi ka “dëmtuar materiale zyrtare të kompanisë duke ndikuar në përshkallëzimin e marrëdhënieve me punëmarrësit”.

Pushimi nga puna i minatorit Kola ka intimiduar minatorët. Njëri prej tyre i tha Citizens se janë të frikësuar të flasin në këto momente, pasi mund t’i heqin edhe ata nga puna.

“Jemi pjesa më e madhe me kredi, dhe kompania na ka marrë firma me presion për të shkuar në punë, për të mos e vazhduar grevën [protestën]. Kush nuk firmoste, nuk pranohej më në punë”, tha një prej minatorëve për Citizens, i cili kërkoi të mos përmendej me emër.

Ai u shpreh se këtë shkresë të kompanisë e kanë firmosur, pasi “shumica mezi mbyllin muajin, janë me borxhe”.

Një tjetër minator u shpreh përmes një bisede telefonike se kërkesa e tyre është minimale.

“Kërkojmë një rritje page me 10%, çmimet janë rritur dhe nuk i përballojmë dot me rrogat tona, kushte më të sigurta në punë dhe pagesën për ditët e pushimit kemi kërkuar”, u shpreh minatori.

Ai tha se janë ende në bisedime me kompaninë, dhe i kanë dhënë afat deri në fund të muajit.

Kompania Albchrome është kritikuar shpesh për kushte të vështira pune dhe mungesë sigurie, gjë që ka sjellë aksidente, disa edhe fatale.

Minierat e Bulqizës janë ndër burimet më të mëdha të kromit në Shqipëri. Ato u gërmuan gjerësisht pas vitit 1948, duke u lidhur me uzinat e pasurimit dhe ferro-kromit në Burrel e Elbasan, por me rrëzimin e diktaturës dhe vështirësitë ekonomike të viteve 1990-2000, ato u dhanë me koncesion.

Minierat dhe uzinat iu dhanë fillimisht grupit italian Darfo, më pas një grupi austriako-rus, – DCM Deco-Metal dhe Terwngo – grupit Balfin e më tej kompanisë turke të Yildirim International Mining (YIM).

Protestat e fundit tregojnë se problemet për punonjësit e minierave të Bulqizës nuk janë zgjidhur.

Lexoni gjithashtu:

The post AlbChrome përballet me protesta: Minatorët e Bulqizës kërkojnë rritje pagash appeared first on Citizens.al.

Dhunohet një prej protestuesve kundër hidrocentraleve në Kaçinar

10 July 2025 at 17:29

Një banor i fshatit Simon të Mirditës u dhunua mëngjesin e sotëm në Rrëshen mes dyshimeve për hakmarrje ndaj aktivizmit të tij kundër HEC-eve në zonën e Kaçinarit.

Kol Ndoji, 58 vjeç, u sulmua pasi kishte blerë ushqime në tregun e qytetit. Ngjarja ndodhi rreth orës 9:00 kur dy persona iu afruan dhe pasi i tërhoqën vëmendjen e goditën. Njëri prej tyre është ndaluar nga policia, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.

Sipas deklaratës së bërë në polici, Ndoji ka mundur t’u largohet, por ata e kanë ndjekur me makinë dhe më pas i kanë bërë pritë pas rrethimit të një banese.

“Aty më kanë dalë para dhe jemi përleshur, më kanë goditur me gurë dhe unë u jam përgjigjur, po me gurë,” ka treguar Ndoji versionin e tij përpara oficerëve të policisë gjyqësore.

Dëshmia iu mor në spitalin e qytetit të Rrëshenit, ku ai u shtrua për të marrë ndihmë mjekësore për plagët e marra në kokë.

Ndoji rezulton ta ketë hasur edhe më parë njërin prej agresorëve: në protestën e 15 prillit në Kaçinar. Sipas 58-vjeçarit, personi në fjalë ndodhej atë ditë “në një fuoristradë të zezë me fenelina policie” që u kishte bllokuar rrugën protestuesve.

Në dëshminë e tij, Ndoji thotë se me këtë person ka shkëmbyer fjalë, të cilat lënë të kuptohet për një përplasje verbale.

“I kam thënë hape rrugën dhe i kam vendosur dorën në qafë. Ai më ka thënë se ‘do të të dalë punë me mua dhe do të shihemi’ dhe pastaj ka hapur rrugë,” ka deklaruar Ndoji.

Prej disa vitesh, banorët e fshatrave të Kaçinarit, rreth 25 kilometra në veri të Rrëshenit, kanë kundërshtuar ndërtimin e katër hidrocentraleve nga kompania “Shpërdhaza sh.p.k”.

Tre muajt e fundit ata kanë përshkallëzuar protestat, duke akuzuar firmën për mungesë transparence dhe dëme mjedisore. Kol Ndoji ka marrë pjesë në to bashkë me të tjerë banorë.

Kjo ka nxitur edhe më shumë dyshimet se ngjarja e fundit ka lidhje me angazhimin e tij si aktivist.

Pas ngjarjes, banorët e zonës u solidarizuan me Kol Ndojin dhe e shoqëruan në spital. Ata e cilësojnë sulmin të paprecedentë dhe si përpjekje për t’i trembur dhe ndalur protestat.

Sipas kryeplakut të fshatit Simon, Gjergj Deda, agresorët janë roje të firmës që po kryen punimet e hidrocentraleve në Kaçinar. Sipas tij nuk ka asgjë personale në aktin e dhunës, veç konfliktit për hidrocentralet.

“Nuk janë të njohur tërë jetën e vetë, vetëm problemi i hidrocentraleve është”, theksoi Deda.

Aktualisht, banorët janë të përfshirë në dy procese gjyqësore me firmën “Shpërdhaza sh.p.k”. Në njërin, ata akuzojnë kompaninë për falsifikim të firmave të banorëve, të cilat i hapën rrugë lejeve.

Në tjetrin, kompania i ka paditur banorët për shpifje. Mes të paditurve është edhe vëllai i Kol Ndojit, i dhunuar së fundmi. Për këtë padi ditën e mërkurë u zhvillua një seancë gjyqësore ku u paraqitën pretendimet mes palëve. Seanca e radhës pritet të mbahet më 6 shtator.

“Ne nuk kemi ofenduar askënd, çfarë kemi folur, e kemi pasur me kompaninë, jo individëve”, shton Deda.

Sipas kryeplakut të fshatit Simon, ndryshimi i administratorëve të kompanisë nuk ndryshon faktin që komuniteti nuk i do hidrocentralet dhe për këtë po përballet me mungesë përgjegjshmërie institucionale.

Dhunimi i Kol Ndojit ngre pikëpyetje të forta mbi sigurinë e qytetarëve dhe komunitetit që ushtron të drejtën për protestë.

Avokati i banorëve në çështjen e HEC-eve, Marash Logu, tha për Citizens se kjo ngjarje është e rëndë dhe se për këtë i janë drejtuar Komisariatit të Policisë Mirditë, Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Prokurorisë Lezhë për hetimin dhe zbardhjen e plotë të saj.

“Edhe më përpara banorët janë përballur me presione, kërcënime, shantazhe dhe kanosje, por deri më sot nuk kishin hasur dhunë fizike,” tha Logu, sipas së cilit konflikti në Kaçinar ka degraduar dhe për këtë nevojitet medoemos pezullimi i punimeve.

“Deri në sqarimin e plotë të situatës ligjore, dokumenteve, lejeve dhe konsultimeve me banorët, që duhet të ishin bërë dhe nuk janë bërë,” theksoi më tej Logu duke kujtuar se kjo çështje e tensionuar vijon prej vitit 2015.

Lexoni gjithashtu:

The post Dhunohet një prej protestuesve kundër hidrocentraleve në Kaçinar appeared first on Citizens.al.

Protesta e PD-së kthehet në sulm ndaj gazetarëve

16 May 2025 at 22:34

Protesta e Partisë Demokratike, zhvilluar pasditen e së premtes për të kontestuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, u shoqërua me një klimë të tensionuar dhe sulme verbale ndaj gazetarëve që raportonin nga terreni.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka dhe anëtari i Kryesisë Aldo Bumçi, së bashku me disa simpatizantë të pranishëm, refuzuan të komunikonin me televizionin Euronews Albania dhe gazetaren Sara Demushi. Ata e përballën atë me fjalë përçmuese si: “Largohu! Të thashë, largohu!” apo “Nuk dua të jap intervistë apo deklaratë”.

Paloka iu drejtua Demushit me akuza politike: “Është ylli që mbajti Edi Rama dhe që mbajti televizioni juaj gjithë kohën, se keni marrë paratë e Ramës”, duke iu referuar bexhës së akreditimit të gazetares, e pajisur nga Këshilli i Evropës për raportimin nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian mbajtur gjatë ditës së sotme në Tiranë.

Situatë e ngjashme u përsërit edhe me ish-deputetin Bumçi dhe më pas ndaj gazetarëve të tjerë si Anesti Bajramemaj dhe Arestina Skëndëri nga A2 CNN, si dhe Daniela Maloku, Esido Brakaj dhe Besar Bajraktaraj.

Gazetarja Sara Demushi u shpreh në një reagim se vuajti “stërkalat e inatit” të përfaqësuesve të PD-së ndërsa ushtronte detyrën vetëm prej bexhës identifikuese si media. Ajo theksoi se retorika agresive ndaj saj, e nxitur veçanërisht nga Paloka, rrezikoi të nxiste edhe një përplasje fizike me protestuesit e pranishëm.

“Fillimisht ishte Z. Paloka, i cili mu hakërrye vetëm se e pyeta përse je në protestë, më pas Z. Bumçi,” tha Demushi, e cila theksoi se ish-ministri i PD-së shpërdoroi kohën televizive duke theksuar disa herë se përse gazetarja nuk e pyeti paraprakisht nëse ishte i disponueshëm për intervistë.

Reagimet nga organizatat mediatike

Ngjarja e ndodhur sot me gazetarët në protestë u dënua gjerësisht nga organizatat e mediave. Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt e konsideroi incidentin si sulm fizik dhe verbal ndaj përfaqësuesve të medias.

Rrjeti përmendi edhe një episod ku Klevis Balliu – i cili pritet të marrë mandatin e deputetit në legjislaturën e ardhshme – iu drejtua me ton përçmues një gazetareje, duke e penguar të ndërvepronte me protestuesit, pavarësisht se ishin këta të fundit që i afroheshin medias dhe ushtronin presion.

Sipas Rrjetit, këto incidente pasqyrojnë një qëndrim shqetësues dhe të paprecedentë ndaj punës së gazetarëve dhe medias gjatë një proteste.

Sulmin ndaj gazetarëve e dënoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), i cili e konsideroi shkelje të rëndë të parimeve të demokracisë dhe kujtoi se gazetarët nuk janë palë në konfliktet politike dhe për këtë ata “nuk mund të trajtohen si kundërshtarë për shkak të pyetjeve apo raportimeve që japin”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias i kërkoi PD-së të distancohet publikisht nga çdo akt dhune, duke theksuar se “sulme të tilla përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës për informim të paanshëm”.

“Gazetarët, në ushtrimin e misionit të tyre informues, përfaqësojnë një funksion publik në shërbim të qytetarëve”, u shpreh sindikata teksa shtoi se çdo akt që synon të intimidojë apo dhunojë gazetarët, është një shkelje e rëndë ndaj demokracisë dhe duhet të dënohet pa keqkuptime.

The post Protesta e PD-së kthehet në sulm ndaj gazetarëve appeared first on Citizens.al.

❌