Për fëmijët dhe adoleshentët, shkolla supozohet të jetë vendi më i sigurt pas shtëpisë. Ata kalojnë aty pjesën më të madhe të ditës, edukohen dhe socializohen. Por sot, për shumë nxënës në Shqipëri, këto mure janë kthyer në skena frike. Nga bullizmi psikologjik te goditjet fizike, nga videot poshtëruese në rrjetet sociale e deri te […]
Festat e fundvitit kanë sjellë një atmosferë festive edhe në shkollat e vendit, duke i “veshur” me ngjyra dhe gjallëri përmes programeve artistike me këngë dhe kërcime.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale performancën e realizuar nga nxënësit e shkollës “Gustav Mayer” në Tiranë me rastin e festave.
“Atmosferë festive nga oborri i shkollës “Gustav Mayer”, me meloditë e fundvitit përmes programit Art dhe Zeje, si një kartolinë urimi”, shkruan Rama.
Nxënësit të veshur me veshje festive dhe kapuçët e babagjyshit sollën nën ritmet e muzikës një performancë shumë të bukur, që u interpretua në oborrin e shkollës.
Aktivitetet e organizuara në shkollat e vendit kanë sjellë buzëqeshje dhe emocione, duke e kthyer shkollën në një hapësirë feste në prag të ndërrimit të viteve.
Zhvillimi ekonomik është shtylla e vizionit të LDK-së, ka thënë Lumir Abdixhiku gjatë tubimit të tij në Pejë.
Gjatë fjalimit, kandidati për Kryeministër tha se në 4 vitet e ardhshme, parasheh 5 miliardë euro investime kapitale dhe rritje ekonomike prej 5%.
“Zhvillimi ekonomik është shtylla tjetër e vizionit tonë.
Në katër vite, parashohim pesë miliardë euro investime kapitale dhe rritje ekonomike prej pesë për qind.
Këto nuk janë shifra në letër; janë rrugë, ujësjellës, shkolla, spitale, zona industriale dhe vende pune.
Do t’i përfundojmë magjistralet për Pejë, Gjakovë, Mitrovicë e Podujevë dhe do ta lidhim Pejën siç e meriton”, ka deklaruar Abdixhiku. Tutje ai tha se në qeverisjen e LDK-së shteti do të jetë pranë qytetarit që nga lindja.
TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, tragjeditë e ndodhura ndër vite në shkolla lidhen me shumë faktorë, por theksoi se mungesa e pamjeve të qarta ka vështirësuar ndjeshëm punën e organeve ligjzbatuese.
Gjatë aktivitetit “Smart City Albania”, Rama u shpreh se sistemi i ri i kamerave inteligjente do të sjellë një nivel të ri sigurie dhe kontrolli në hapësirat publike.
“Tragjeditë që kemi pasur me shkollat janë të lidhura me shumë arsye, por patjetër lidhen edhe me faktin që mospasja e pamjeve të qarta më përpara e vështirëson jashtëzakonisht shumë punën e hetuesve dhe punën e policisë”, tha Kryeministri.
Sipas tij, instalimi i këtij sistemi do të garantojë monitorim të pandërprerë të ambienteve shkollore.
“Me këtë sistem, perimetri i oborrit të shkollës është i monitoruar 24 orë në 24, njësoj sikur të kishte në të katër anët e shkollës punonjës policie”, theksoi Rama.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e projektit në mbrojtjen e pronës dhe parandalimin e shkeljeve në rrugët kombëtare.
“Bëhet absolutisht shumë më transparente ajo që ndodh me rrugët kombëtare, në radhë të parë. Aty ku rëndom, në të gjitha këto vite, Policia Rrugore ka mbyllur sytë duke lejuar që të çahen rrugë, të hapen gropa dhe të bëhen lloj-lloj çudirash pa leje në rrugët kombëtare, kjo nuk lejohet më”, u shpreh Rama.
Ai bëri të ditur se sistemi do të menaxhohet përmes një protokolli të qartë administrimi, me mbështetjen e partnerëve nga Abu-Dabi.
“Me sistemin e administrimit që do të sjellin miqtë tanë të shtrenjtë nga Abu-Dabi për të ndihmuar ekipin që do ta menaxhojë, ka një protokoll shumë të qartë. Asnjë punonjës aty në sallë nuk i mbyll dot sytë për një gjë, sepse gjëja nuk mbetet vetëm në sytë e tij”, tha Kryeministri.
Sot nis zbatimi i projektit “Smart City Albania” për instalimin e një sistemi sigurie përmes kamerave inteligjente, i cili do ta rendisë Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë edhe në këtë drejtim, duke sjellë standarde të larta monitorimi të rrugëve të qyteteve, shkollave dhe mjediseve të tjera publike
Vetëm përgjatë tre javëve të para të muajit dhjetor 2025 janë regjistruar tre episode të ndryshme dhune ndërmjet nxënësve në disa qytete kryesore të vendit, ku grupe adoleshentësh janë sulmuar midis njëri-tjetrit fare pranë ambienteve të shkollave në Sarandë, Shkodër dhe Durrës. Në një rast me pasojë tragjike humbjen e jetës. Dukshëm, vendimi i qeverisë […]
Kur në vitin 2018 qeveria prezantoi figurën e oficerit të sigurisë në shkolla, ajo u shoqërua me pritshmëri të larta. U paraqit si një mekanizëm i ri për të parandaluar dhunën, konfliktet dhe sjelljet problematike tek nxënësit.
Por shtatë vite më vonë, auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ofron një panoramë krejt tjetër: një strukturë e ngritur me nxitim, e paqëndrueshme në bazë ligjore dhe e pambështetur institucionalisht, shkruan Faktoje.al.
Në raportin voluminoz të vitit 2025, KLSH e përkufizon qartë situatën: “Procesi i sigurisë në shkolla nuk ka funksionuar në nivelin e pritshmërive, për shkak të mungesës së një kuadri të konsoliduar rregullator, mbikëqyrjes së pamjaftueshme dhe mbledhjes jo të standardizuar të të dhënave” Ky është vlerësimi më i drejtpërdrejtë institucional i bërë ndonjëherë për këtë shërbim.
Megjithëse numri i oficerëve u rrit gjatë viteve dhe shërbimi u zgjerua në më shumë se 200 shkolla në të gjithë vendin, shtylla kryesore e funksionimit, udhëzuesi i punës, u miratua vetëm në vitin 2023. Për pesë vite me radhë, Oficerët e sigurisë kanë punuar me orientime të pjesshme dhe pa instrumente të qarta ligjore. Kjo ka krijuar një terren ku roli i tyre ushtron ndikim vetëm në varësi të vullnetit individual dhe marrëdhënieve me drejtuesit e shkollës.
Ekspertja e trajnimeve të oficerëve të sigurisë, Erinda Bllaca, këtë e quan “një boshllëk themelor në funksionimin e shërbimit”, duke thënë se oficerët “janë hedhur në terren pa autoritetin dhe mbështetjen e nevojshme”. Ajo shton se mungesa e standardeve operative ka bërë që shumë prej tyre të mos e dinë saktësisht kufirin e kompetencave të tyre, çka e dëmton si ndërhyrjen, ashtu edhe raportimin.
Raportimet
Një nga zbulimet më të rëndësishme të auditimit të KLSH lidhet me mënyrën se si ASCAP mbledh të dhënat për incidentet. Raporti është i qartë: “Linku elektronik i ASCAP-it nuk përbën bazë shtetërore të të dhënave, pasi nuk është krijuar me akt normativ dhe nuk ka detyrim ligjor për t’u përdorur” Kjo do të thotë se i gjithë sistemi kombëtar i raportimit është informal dhe i pambështetur juridikisht.
KLSH shkon edhe më tej, duke nënvizuar se të dhënat e mbledhura nuk mund të konsiderohen përfaqësuese: “Të dhënat e raportuara nuk përputhen me realitetin e sigurisë në shkolla dhe përmbajnë elementë vetëcensurimi”
Ky vetëcensurim, sipas auditorëve, nuk është rastësor. Në dokument thuhet shprehimisht se oficerët “kanë deklaruar presion nga drejtuesit e shkollave për të mos raportuar incidente, me qëllim ruajtjen e imazhit të institucionit”
Për këtë arsye, ASCAP hoqi nga sistemi fushën “Shkolla”, që identifikonte institucionin ku ndodhte incidenti, një veprim që sipas KLSH-së “degradon transparencën e procesit dhe pengon analizën e riskut në nivel institucional”.
Një oficere e sigurisë e intervistuar nga Faktoje.al për këtë artikull e përforcon këtë dinamikë: “Unë pajtohem 99% me raportin e KLSH-së. E di shumë mirë si funksionojnë punët. Siç thotë populli: edhe i vënë prift, edhe i rruajnë mjekrën. Ne kemi gjithë përgjegjësinë, por asnjë mbrojtje” Ajo tregon se ka raportuar një rast dhune të ushtruar nga një mësues ndaj një nxënësi dhe pas kësaj është vendosur nën presion nga drejtoria.
Kur Faktoje kontaktoi dy shkolla të mëdha të Tiranës për të intervistuar oficerët e sigurisë për këtë shkrim, të dy oficerët fillimisht pranuan, por më pas u tërhoqën duke thënë se “duhet leje nga drejtoria”, për të cilën më pas nuk dhanë asnjë përgjigje. Sipas mësuesve të shkollave përkatëse, kjo është një sjellje e zakonshme: “Kanë frikë për vendin e punës. Askush nuk flet”
Çfarë thonë nxënësit
Megjithëse ASCAP raporton rritje të numrit të incidenteve gjatë viteve, përfshirë 599 raste vetëm në vitin 2022-2023, KLSH thekson se këto statistika nuk janë të plota. Kjo del qartë edhe nga krahasimi me perceptimin e nxënësve.
Në sondazhin e realizuar nga KLSH me 227 nxënës në shkolla të ndryshme të vendit, rezulton se:
“15.8 për qind e nxënësve kanë parë armë të ftohta në shkollë të paktën një herë gjatë vitit, ndërsa rreth 25.9 për qind kanë konstatuar përdorim të drogave, alkoolit apo duhanit”
Këto përqindje janë shumë herë më të larta se rastet e raportuara nga oficerët, duke treguar se nënraportimi nuk është episodik, por sistemik.
Dhuna
Në raportin e KLSH, dhuna fizike në shkolla shihet si fenomeni më shqetësues. “Problematika më e shpeshtë e raportuar nga OS është dhuna fizike (892 raste) e ndjekur nga dhuna psikologjike/verbale (333 raste) dhe bullizmi (186 raste)”.
Raporti vëren vështirësi në menaxhimin e dhunës. “Menaxhimi i dhunës fizike është i kufizuar, pjesërisht për shkak të përgatitjes fizike dhe trajnimeve të pamjaftueshme që ofrohen në Akademinë e Sigurisë”, thuhet në raport.
Një rol pa pavarësi
Oficerët e sigurisë punojnë me një pagë që varion rreth 50-60 mijë lekë të reja, një shumë që nuk korrespondon me natyrën e detyrës dhe rëndësinë që mbart. Oficerja e intervistuar thotë: “Detyra mbetet në vullnetin tonë. Pagë minimale, pa asnjë bonus, dhe me shumë pritshmëri. Po çfarë autoriteti kemi ne? Asnjë”
Raporti i KLSH-së konstaton se oficerët e sigurisë shpesh punojnë pa kompjutera, pa printer dhe pa kushtet minimale të dokumentimit. Gjithashtu, “kontrollet fizike dhe kontrolli i mjediseve nuk realizohen”, megjithëse parashikohen në udhëzime.
Nga pesë shkolla të audituara, vetëm në një rast është kryer një kontroll fizik gjatë gjithë periudhës së auditimit.
Oficerja e sigurisë e intervistuar për këtë shkrim e përshkruan situatën me realitetin e saj të përditshëm: “As pajisjet nuk i kemi. Edhe kompjuterin, printerin apo mjete të tjera i kërkojmë tek drejtoria, dhe shpesh na thonë t’i ndajmë me shërbimet sociale të shkollës. Në raste të tjera na thonë se nuk ka fonde. Si të bëjmë raportime të sakta kur s’kemi as mjetet bazë të punës?”
Ajo shton se kjo situatë e bën detyrën edhe më të vështirë dhe rrit varësinë nga drejtoria, pikërisht në një rol që teorikisht duhet të ketë pavarësi funksionale.
Koordinimi
Raporti evidenton se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit është i parregulluar dhe shpesh jofunksional. Sipas udhëzimeve, oficerët e sigurisë duhet të njoftojë specialistin e policimit në zonë (SPZ), i cili më pas njofton strukturat e policisë. Por në praktikë, “SPZ mbulon disa shkolla, shpesh nuk reagon dhe në disa raste dosjet e iniciuara pushohen për mungesë dokumentacioni”, thuhet në raport.
Oficerja e intervistuar e përshkruan këtë situatë: “Shpesh duhet të njoftojmë direkt policinë, se SPZ-ja është e pakapshme. Por pastaj policia na e kthen sërish neve përgjegjësinë. Nuk ka zinxhir funksional”
Erinda Bllaca e përmbledh situatën me një fjali të thjeshtë: “Oficerët janë në vijën e parë, por pa mbështetje. Ata shohin gjithçka që ndodh çdo ditë, por janë të fundit që dëgjohen. Dhe kur gjërat shkojnë keq, fajësohen ata”
Oficerja e intervistuar për këtë shkrim e konfirmon: “Kjo detyrë na jep gjithë fajet. Por as autoritet, as pavarësi, as mbështetje nuk kemi. Si mund të funksionojë kështu?”
Cilat janë zgjidhjet?
Në analizën e saj, Erinda Bllaca nënvizon se përmirësimi i situatës nuk mund të vijë nga masa të pjesshme, por kërkon një rikonceptim të të gjithë arkitekturës institucionale që rregullon funksionimin e oficerëve të sigurisë. Ajo propozon që roli i tyre të zhvendoset nga varësia e drejtorisë së shkollës drejt një strukture që garanton pavarësi, mbrojtje dhe autoritet profesional.
Sipas saj, një opsion i zbatueshëm është kalimi i kësaj figure nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.
Një alternativë tjetër që Bllaca e sheh po aq të vlefshme është ngritja e një drejtorie të dedikuar brenda Ministrisë së Arsimit, e cila do të merrej ekskluzivisht me menaxhimin, funksionimin dhe mbështetjen e oficerëve të sigurisë.
Ajo thekson gjithashtu rëndësinë e ndërtimit të procedurave operative standarde, të cilat do të qartësonin detyrat, kompetencat dhe kufijtë e ndërhyrjes së OS-ve.
Shqipëria ka përqindjen më të ulët të të rinjve të cilët nuk ndjekin shkollën në moshën 15 vjeç e lart. Të dhënat e Eurostat dhe INSTAT tregojnë se në vendin tonë përqindja e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart që nuk ka ndjekur asnjëherë shkollën është 3.2 për qind, afro 10 herë më pak se Europa.
Po ashtu, Shqipëria paraqitet me shifra shumë të ulëta të braktisjes së shkollës në grupmoshën 15–34 vjeç dhe në krahasim me vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut apo edhe Italia.
Greqia ka nivelin më të ulët të braktisjes së shkollës tek të rinjtë me 2.2%, e ndjekur nga Shqipëria me 3.1%, Maqedonia e Veriut me 6.4% dhe Italia, e cila ka shifrën më të lartë me 8.1%.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se 14.2% e njerëzve të moshës 15–34 vjeç në BE kanë braktisur arsimin ose trajnimin formal të paktën një herë gjatë jetës së tyre. Shkallët më të larta të braktisjes u regjistruan në Holandë (32.2%), Danimarkë (27.1%), Luksemburg (24.8%) dhe Estoni (24.4%).
Në të gjitha nivelet e arsimit (të ulët, të mesëm dhe të lartë), arsyeja më e zakonshme për mospërfundimin e një programi arsimor ishte se nuk i plotësonte pritjet ose ishte shumë i vështirë. Kjo u pasua nga arsye të tjera familjare ose personale dhe preferenca për punë./ Tv Klan
Vitet e fundit, Shqipëria është tronditur nga disa ngjarje ku të mitur janë vrarë nga bashkëmoshatarët e tyre, pas konflikteve që shpesh nisnin si debate të vogla dhe përfundojnë në akte ekstreme. Fenomeni është shndërruar në një alarm kombëtar, ndërsa thika është bërë arma më e përhapur në duart e adoleshentëve. Më 12 dhjetor 2025, pranë shkollës […]
Mbi 1600 të dëmtuar dhe autorë, specialistët: Ndërgjegjësimi po çalon.
“Konfliktet tek të miturit, për shkak të rrjeteve sociale, kanë ardhur në rritje nga viti në vit. Të dhënat e siguruara nga TV Klan tregojnë se në 5 vitet e fundit ka një rritje të numrit të personave të cilët janë përfshirë në konflikte me njëri‑tjetrin dhe për pasojë edhe të plagosurve të mitur”, raporton Tv Klan.
Të dhënat nga Policia e Shtetit tregojnë se vetëm këtë vit kemi 2 viktima, 346 të mitur të dëmtuar dhe 420 autorë të përfshirë në konflikt me ligjin për kanosje, plagosje të rëndë, plagosje të lehtë me dashje dhe rrahje me njëri‑tjetrin.
Në total, në 5 vitet e fundit 10 të mitur kanë humbur jetën nga konfliktet me njëri‑tjetrin, ndërkohë që 1600 të tjerë kanë pësuar dëmtime më të lehta, ndërsa afro 1550 janë regjistruar si autorë.
Sipas juristëve, toleranca ligjore e instancave ligjzbatuese duhet të jetë në përputhje me shkallën e fajësisë tek të miturit, për të mos lejuar më ngjarje të tilla.
“Konfliktet që trajtohen më tepër janë konfliktet në zonat urbane, ndërsa në zonat rurale ka një fashim të problemit, të sheshimit të tij brenda komuniteteve pa bërë shkresa. Kjo tolerancë ligjore duhet të jetë në përputhje me shkallën e fajësisë, edhe me mënyrën si sillet i mituri përballë gjykatësit apo prokurorit. Duhet të ketë një strategji përsa i përket kompensimit të viktimave, pasi ky kompensim është zero. Masa e ndërgjegjësimit të të miturve për të mos kryer krime ndoshta nuk është ajo e duhura”, shprehet avokati Ylli Kameri.
Për sociologët, krahas rrjeteve sociale dhe modeleve të tyre, të miturit që përfshihen në ngjarje dhune janë reflektim i defekteve që ka shoqëria.
“Defektet që ka shoqëria, përplasjet që ka shoqëria, mosvëmendja e drejtpërdrejtë për të rinjtë sjell konflikt dhe tension të shtuar. Arsyet janë: presioni i madh që të rinjtë kanë, presioni i lartë dhe izolimi social. Prindërit e kanë gati të pamundur sot të kontrollojnë të rinjtë; ata janë gjithë kohës në rrjete sociale dhe është e vështirë të dish në çfarë grupesh dhe aktivitetesh janë përfshirë. Madje në rrjete sociale ti shpërblehesh ekonomikisht nëse kryen veprime të tilla”, thotë sociologia Eris Dhamo.
Vetëm brenda një muaji në Shqipëri janë regjistruar dy ngjarje dhune mes të miturve, ku njëra ishte me humbje jete./Tv Klan
TIRANË, 13 dhjetor /ASTH/ Partia e Lirisë ngriti sot shqetësimin për sigurinë në shkolla. Përmes një deklarate për mediet sekretarja për Rininë në Partinë e Lirisë, Anisa Ibraj, theksoi se siguria në shkolla është themeli i çdo sistemi arsimor.
Për të rritur sigurinë në shkolla, Ibraj nënvizoi më tej se Partia e Lirisë kërkon “prezencë të rritur të psikologëve dhe punonjësve socialë të trajnuar”.
“Sot shume shkolla kanë një psikolog për qindra nxënës, çka e bën të pamundur mbështetjen reale”, tha ajo.
Gjithashtu Ibraj kërkoi që të zhvillohet “komunikim i vazhdueshëm me prindërit”.
“Asnjë rast problemesh emocionale, presioni shoqëror, konfliktesh apo sjelljesh të rrezikshme nuk mund të trajtohet i izoluar nga familja. Shkolla duhet të ndërtojë mekanizma të qartë komunikimi me prindërit, për t’i paraprirë ngjarjeve të rënda dhe për të ndërtuar bashkëpunim të shëndetshëm”, theksoi Ibraj.
Më tej, sipas saj, Partia e Lirisë kërkon “monitorim real në shkolla”.
“Oborret, korridoret, hyrjet dhe daljet e shkollave duhet të jenë të siguruara”, tha ajo.
Gjithashtu Ibraj nënvizoi se duhet “ndërhyrje emergjente dhe përgjegjësi nga Ministria e Arsimit”.
“Ministria nuk mund të kufizohet në deklarata pas çdo rasti. Duhet strategji, grup pune, protokolle të qarta, staf të shtuar, mbikëqyrje dhe reagim të menjëhershëm kur një shkolle paraqet rrezik”, tha ajo.
Austria ka miratuar një ligj të ri që ndalon mbajtjen e shamisë së kokës për vajzat nën moshën 14 vjeç në të gjitha shkollat e vendit. Vendimi, i cili pritet të hyjë në fuqi në shtator 2026, ka ndezur menjëherë debate të forta politike, juridike dhe shoqërore. Koalicioni qeverisës, i përbërë nga ÖVP, SPÖ dhe […]
Austria ka miratuar një ligj të ri që ndalon mbajtjen e shamisë së kokës për vajzat nën moshën 14 vjeç në të gjitha shkollat e vendit, një vendim që ka ndezur menjëherë debate të forta politike, juridike dhe shoqërore. Koalicioni qeverisës i qendrës, i përbërë nga ÖVP, SPÖ dhe Neos, e ka përshkruar këtë ndërhyrje si një “angazhim të qartë për barazinë gjinore” dhe një përpjekje për të mbrojtur vajzat nga çdo formë presioni apo shtypjeje. Por kritikët paralajmërojnë se ligji është i diskutueshëm në aspektin kushtetues dhe rrezikon të nxisë ndjenja anti-muslimane në vend.
Ligji ndalon mbajtjen e mbulesave tradicionale myslimane, si hixhabi apo burka, nga vajzat më të vogla se 14 vjeç, si në shkollat publike ashtu edhe në ato private. Në rast shkeljeje, nxënëset do të duhet të zhvillojnë biseda me drejtuesit e shkollës dhe prindërit, ndërsa përsëritja e situatës mund të çojë në përfshirjen e agjencisë së mirëqenies së fëmijëve. Masa më e ashpër parashikon gjoba që mund të arrijnë deri në 800 euro për familjen. Qeveria këmbëngul se qëllimi është fuqizimi i vajzave të reja, duke deklaruar se rreth 12 mijë nxënëse do të preken nga ndalimi.
Reagimet kanë qenë të shumta dhe të përplasura. Shefi parlamentar i Neos, Yannick Shetty, ka insistuar se kjo nuk është një masë e drejtuar kundër ndonjë feje, por një mbrojtje e lirisë individuale. Në të kundërt, ekstremi i djathtë FPÖ, i cili votoi pro ligjit, e kritikoi masën si të pamjaftueshme, duke kërkuar ndalim të plote të shamive si për nxënëset ashtu edhe për mësueset dhe stafit të shkollave, me argumentin se “islami politik nuk ka vend” në institucionet arsimore. Ndërkohë, të Gjelbrit në opozitë e cilësuan ligjin “qartësisht jokushtetues”, duke kujtuar se në vitin 2020 Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar një ndalim të ngjashëm për vajzat nën 10 vjeç, me argumentin se targetonte drejtpërdrejt komunitetin mysliman.
Bashkësia zyrtare Islame në Austri, IGGÖ, reagoi ashpër duke akuzuar qeverinë se po shkel të drejtat themelore të fëmijëve dhe po përçon shoqërinë. Sipas tyre, një masë e tillë nuk fuqizon vajzat, por i stigmatizon dhe i margjinalizon. IGGÖ ka njoftuar se do të shqyrtojë në mënyrë të detajuar kushtetutshmërinë e ligjit dhe nuk përjashton marrjen e hapave juridikë për anulimin e tij. Edhe brenda qeverisë ka pasur ndjenja pasigurie, me deputetin Shetty që pranoi se “nuk dihet” nëse ligji do t’i mbijetojë testit kushtetues, edhe pse, sipas tij, është bërë “më e mira e mundshme” për të shmangur problemet ligjore të së kaluarës.
Ligji do të kalojë fillimisht në një periudhë prove për rritjen e ndërgjegjësimit, e cila nis në shkurt të vitit 2026, ndërsa ndalimi i plotë pritet të hyjë në fuqi në shtator 2026, me fillimin e vitit të ri shkollor. Debati mbi kufirin mes barazisë gjinore, lirisë fetare dhe integrimit të komuniteteve vazhdon të ndajë opinionin publik, duke e shndërruar këtë ligj në një nga çështjet më të diskutueshme të politikës austriake të viteve të fundit.
Shkolla të pasigurta është ky konkluzioni që arrin Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një auditimi të kryer nga shtatori 2021 deri në 2024. Monitorimi në gati 4 vite për rolin e oficerëve të sigurisë edhe punën e bërë në institucionet arsimore ka rezultuar një proces jo efektiv, për shkak të mungesës së koordinimit institucional, […]
Në Ditën e Rinisë, eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti shprehu shqetësimin e thellë për rritjen e dhunës mes të rinjve dhe për dështimin e institucioneve në mbrojtjen dhe edukimin e brezit që po rritet. Duke iu referuar ngjarjeve të fundit tragjike ku të rinj kanë humbur jetën, Mehmeti theksoi se problemi nis që në familje, […]
Vetëm 7 kilometra larg Gjirokastrës ndodhet fshati Andon Poçi, aty ku jeta duket sikur është ndalur në kohë.
Shkolla 9-vjeçare e fshatit, që dikur mblidhte rreth 120 nxënës, sot është e mbyllur me dry. Në fshat nuk ka më asnjë fëmijë, ndërsa edhe të rinjtë janë larguar prej vitesh.
Më i riu në fshat është 65-vjeç, ndërsa pjesa tjetër janë të moshuar mbi 70-vjeç, që jetojnë vetëm dhe punojnë tokat për të mbajtur veten.
Njëri prej atyre që e kujton me mall kohën kur fshati kishte jetë, është Nasho Shituni, ish-mësuesi i shkollës.
Ai ka dhënë mësim aty për 20 vite dhe sot, në moshën 85-vjeçare, e sheh me dhimbje gjendjen në të cilën ka mbetur godina.
“Shkolla ka qenë e rregullt, me nxënës të mirë dhe prindër të përkushtuar. Më vjen keq ta shoh kështu sot”, thotë ndër të tjera ai.
Një nënë nga Dimali ka denoncuar në emisionin Fiks Fare se djali i saj, nxënës i klasës së gjashtë në shkollën 9-vjeçare “Sali Zhuka”, është viktimë e bullizimit prej tre vitesh, pavarësisht se ka ndërruar disa shkolla në përpjekje për të gjetur një ambient më të sigurt. Sipas saj, bullizimi ka nisur që në klasën […]
Në Shqipëri, ligji është i qartë: për të marrë leje drejtimi duhet të kesh mbushur 18 vjeç. Çdo person nën këtë moshë, sipas ligjit, konsiderohet i mitur. Ndërsa rregullat e Kodit Rrugor duket se shkruhen bardhë e zi, realiteti në terren është shumë më gri. Zëra të rinjsh sot në fillim të të njëzetave tregojnë se kanë nisur të drejtojnë automjete që në moshën 16, 15, 14 vjeç apo edhe më herët, në kundërshtim të plotë me ligjin.
E megjithatë, kjo sjellje duket se ka marrë përmasa fenomeni.
Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2025, shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor të parashikuara nga nenet 290 dhe 291 të Kodit Penal përbënin 21.5% të të gjithë rasteve të të miturve të proceduar penalisht. Një vit më parë kjo shifër ishte vetëm 3.2%, ndërsa në vitin 2023 rreth 14.1%.
Në të njëjtën përgjigje drejtuar Faktoje, Policia shtoi se gjatë vitit 2023 janë shoqëruar në polici 2025 të mitur, në 2024 janë 1888, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të 2025 janë shoqëruar 1134 të tillë.
Një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë qenë nën hetim pikërisht për drejtim automjeti në mënyrë të parregullt, pa patentë, nën efektin e alkoolit, ose me rrezik konkret për të tjerët.
Rrëfimet
Sot në fillim të të njëzetave, por dikur adoleshentë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, të rinjtë (pa dashur të identifikohen me emër) tregojnë se drejtimi i makinës para moshës 18 vjeç ishte pothuajse rutinor.
“Kam nisur t’i jap makinës në moshën 16 vjeç”, rrëfen një i ri nga Korça.
“Në atë moshë të shihnin duke lëvizur me makinë dhe menjëherë dukej sikur ishe më i mirë dhe më ‘cool’ se të tjerët. Një shok im kishte makinën e babit dhe e mësuam bashkë. Kjo praktikë ndodhte kryesisht nëpër fshatra ku prezenca e policisë është thuajse zero”
Një vajzë nga Tirana tregon se ishte vetëm 15-16 vjeç kur mësoi të drejtonte makinën, dhe jo nga kurioziteti, por nga familjarët e saj.
“Nuk kisha arsye të fortë, thjesht më pëlqente dhe më shtynin. Patjetër që e dija që ishte e paligjshme, prandaj ruheshim. Kam shoqe e shokë që janë kapur dhe e kanë zgjidhur me të njohur e me lekë. Njoh edhe prindër që krenohen që fëmija e tyre ‘di makinën’ para moshës 18 vjeç”
Një djalë nga Erseka kujton se kur ishte 14-15 vjeç, askush nuk i ndalonte. “Në qytete të vogla të njohin të gjithë dhe policia e ‘mbyll njërin sy’. Unë madje kam qenë ‘çun polici’, s’më ngacmonte njeri”.
E njëjta histori për një vajzë nga Korça: “Ma mësuan babi dhe xhaxhallarët. Nuk mendoja shumë nëse ishte e paligjshme”.
Nga Lushnja, një djalë tregon se i ati ia mësoi makinën në plazh, që kur ishte akoma 11 vjeç, ndërsa një tjetër nga Tirana kujton se e ka drejtuar makinën që 17 vjeç: “Shyqyr nuk më ka kapur policia”, thotë ai duke qeshur sot.
Çfarë thotë autoshkolla
Drejtuesja e autoshkollës “Selimi” në Tiranë e përshkruan fenomenin si kombinim të adoleshencës me egon:
“E kanë si mburrje, sidomos djemtë, që ‘di t’i jap’. Por kur vijnë këtu, shohim se nuk dinë as gjërat elementare. S’dinë si të mbajnë timonin, si të vendosin krahun, as si të pozicionohen në rrugë. Në realitet, nuk janë gati të drejtojnë një mjet motorik. Por, adoleshenca bën të vetën”.
Shkeljet që të rinjtë i konsiderojnë “trimëri” janë të tipizuara saktësisht në Kodin Penal.
Neni 291 parashikon burgim nga 10 ditë deri në 3 vjet për drejtimin e automjeteve në mënyrë të parregullt, që përfshin drejtimin pa patentë, nën efektin e alkoolit apo substancave narkotike. Edhe kur gjykata zëvendëson dënimin me gjobë, përgjegjësia penale mbetet.
Neni 290 është edhe më i rëndë: në rast se nga shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor shkaktohet plagosje ose vdekje, dënimet variojnë nga gjoba deri në 20 vjet burgim, varësisht pasojës.
Megjithatë, shumë të rinj e nisin drejtimin e mjetit shumë përpara se të kenë të drejtë të pajisen me leje drejtimi.
DPSHTRR
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor është e qartë: mosha minimale për tu pajisur me një leje qarkullimi për automjetet, makinë është 18 vjeç, kërkon kurs teorik, provim, dhe provë praktike. Pa i përmbushur këto kushte, drejtimi i automjetit është i paligjshëm, pavarësisht nëse ndodh “në fshat”, “në plazh”, apo “për pak minuta”.
Prokuroria
Të dhënat e Prokurorisë së Përgjithshme të dërguara për Faktoje, tregojnë se neni 291 është neni kryesor për të cilin procedohen dhe hetohen të miturit. Vetëm në vitin 2023 janë regjistruar 324 procedime, në vitin 2024 382, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 230 procedime të tjera. Këto shifra tregojnë se në tre vitet e fundit, rreth 1 mijë të mitur janë proceduar për drejtim të paligjshëm automjeti.
“Një ndjesi e rreme pjekurie”
Punonjësja sociale dhe pedagogia Eris Dhamo, e lidh marrëdhënien e të rinjve me timonin me adoleshencën, kërkimin e rrezikut dhe presionin e grupit.
Ajo shpjegon se drejtimi i mjetit pa leje është shpesh një mënyrë për të fituar status, për t’u dukur i aftë, i guximshëm dhe i pavarur.
“Të rinjtë që drejtojnë pa leje përjetojnë një ndjesi të përkohshme fuqie dhe lirie, duke menduar se po tregojnë pjekuri. Por kjo është një ndjesi e rreme, sepse bazohet në thyerjen e rregullit, jo në përgjegjësi reale”, thotë Dhamo. Ajo e sheh këtë sjellje si problem shumë më të thellë sesa shkelje ligjore.
Sipas saj, një pjesë e madhe e këtij fenomeni është kulturore.
“Në shumë familje shqiptare, prindërit e shohin drejtimin e makinës para moshës 18 vjeç si ‘aftësi’, madje si tregues pjekurie. Ka prindër që krenohen duke thënë ‘djali im e di makinën që 14 vjeç’, megjithëse kjo është e ndaluar me ligj. Mentaliteti ynë vazhdon të barazojë pjekurinë me guximin, jo me respektimin e normave”
Ajo shton se kultura e mosndëshkimit, sidomos në zona të vogla, ka kontribuar në normalizimin e kësaj sjelljeje: “Kur shkeljet e vogla nuk merren seriozisht, krijohet bindja kolektive se ‘s’ka problem’. Në shumë zona rurale, drejtimi pa patentë nuk perceptohet si krim, por si ‘gjë normale”
Fenomeni
Një nga katër veprat më të konsumuara nga të miturit në tre vitet e fundit është ajo që ligji ua ndalon kategorikisht: drejtimi i automjetit. Shifrat e Policisë, dhe Prokurorisë e tregojnë qartë se ky është një fenomen në rritje.
Por, siç paralajmëron punonjësja sociale Dhamo, rrënjët nuk janë te ligji, por te kultura: “Problemi nuk është vetëm ligji që nuk respektohet, por mentaliteti që e bën ligjin të duket i parëndësishëm. Prandaj, ndëshkimi nuk mjafton. Duhet edukim, në familje, në shkollë dhe në komunitet”. /faktoje.al/
TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Federata e Futbollit po vijon shpërndarjen e materialeve sportive në kuadër të projektit “Uniforma Ime”, që po zbatohet për të tretin vit radhazi dhe synon të mbështesë klubet dhe akademitë e futbollit në të gjithë vendin.
Për sezonin 2025/2026 do të shpërndahen mbi 20 mijë sete për 204 klube dhe akademi. Gjatë shpërndarjes së uniformave, trajneri i AF Kamza, Viktor Zuna, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të FSHF-së, duke theksuar se projekti i ka ndihmuar si akademi dhe është mirëpritur edhe nga prindërit.
“Përfaqësoj akademinë e futbollit AF Kamza. Quhem Viktor Zuna dhe jam trajner. Kemi tre vite që Federata na ka mbështetur me uniforma dhe topa. E falënderoj Federatën për mbështetjen. Edhe prindërit janë shumë të kënaqur, ashtu si edhe ne, si akademi, jemi shumë të kënaqur nga Federata”, tha Viktor Zuna, AF Kamza.
Projekti “Uniforma Ime” mbetet një nga nismat më të rëndësishme të FSHF-së për mbështetjen e futbollit të moshave në mbarë vendin.
Shpërndarja e një broshure nga shërbimi psiko-social i shkollës 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë ka ndezur një debat të madh publik, duke krijuar një shqetësim të thellë jo vetëm mes prindërve, por në të gjithë opinionin shoqëror. Një material informues, i shpërndarë në grupet WhatsApp të prindërve me synimin zyrtar për “luftimin e stereotipeve gjinore”, ishte për familjarët një hyrje e papritur, e paqartë dhe e rrezikshme në një temë tepër të ndjeshme për moshat e ulëta. Pa transparencë, pa njoftim, pa konsultim, pa maturi institucionale.
Prindërit reaguan fort. Dikush u shpreh:
“Po fillojmë t’iu mësojmë fëmijëve që femrat mund të duken si burra dhe burrat si femra. Nëse ne lëvizim diskutimin e gjinisë nga biologjia, pra po hoqëm këtë që është bazë shkencore, konteksti social pas 50 vitesh mund të jetë ndryshe nga sot. Çfarë do të thotë, që do ndryshojmë prapë konceptin e gjinisë?”.
Të tjerë u shprehën të tronditur se si një fëmijë 6-vjeçar mund të përballojë një informacion të tillë:
“Duhej të na kishin njoftuar. Çfarë është kjo? A është zyrtare? A është e qëllimshme? Si t’ia shpjegoj unë? Ai është shumë i vogël”.
Përballë kësaj vale shqetësimi, psikologia e shkollës Irma Koçi u mundua të zbusë situatën, duke sqaruar se materiali nuk është trajtuar në klasa me nxënësit dhe se synon vetëm të udhëzojë prindërit për një rritje pa stereotipe. Sipas saj, keqinterpretimi vjen edhe nga fakti se prindërit kanë nivele të ndryshme kulturore e sociale. Megjithatë, ajo pranoi se fëmijët janë shumë të vegjël për tema të ngarkuara dhe se situata kërkon kujdes të posaçëm.
Por, pse pikërisht një material që prek çështje të gjinisë dhe identitetit gjinor shpërndahet pa strukturë, pa udhëzim qendror, pa hyrë më parë në fuqi ligji që e përcakton këtë fushë? Cilët janë ata që e miratojnë këtë qasje? Pse ndodh një veprim kaq i nxituar kur ligji për barazinë gjinore ende nuk është botuar në Fletoren Zyrtare dhe pret firmën e Presidentit? Kujt i intereson që debati t’i paraprijë ligjit dhe jo ligji t’i paraprijë debatit publik?
Kundërshtitë përshkuan edhe studiot televizive.
Teologu Kaon Serjani paralajmëroi “përplasje të pashmangshme mes prindërve dhe kurrikulave të reja”, duke shtuar se broshura është “e paligjshme para se ligji të hyjë në fuqi” dhe se kërkon nga prindërit të “bëhen me ne”, siç shprehet edhe teksti. Për të, kjo është një lëvizje e rrezikshme që shkëput gjininë nga biologjia dhe fut një ideologji të re në familjet shqiptare.
Analisti Arjan Curri e quajti broshurën “nxitim të papranueshëm”, një material që “i konsideron prindërit budallenj” dhe i ofendon. Ai paralajmëroi se nëse bie në duart e fëmijëve “do ishte kundër ligjeve të BE-së” dhe shtoi një paralajmërim të hidhur: “Do jetë tepër vonë kur fëmija të vijë dhe të thotë ‘O ba, unë ndihem gocë edhe pse jam çun’”.
Nga ana tjetër, psikologia Irida Rustemi mbrojti qasjen duke thënë se prindërit duhet të përshtaten me shoqërinë moderne dhe të kuptojnë identitetin që fëmija zgjedh për veten. Sipas saj, kjo qasje është ndërgjegjësuese dhe synon largimin e dhunës dhe diskriminimit, ndërsa rolet gjinore nuk duhet të jenë të ngurta. Ajo shpjegoi se identiteti gjinor fillon të formohet “që në moshën 0-3 vjeç”.
Në këtë pikë, Shqipëria gjendet para një dileme thellësisht shoqërore. Kurrikula gjinore nuk është një çështje që mund të futet tinëzisht në WhatsApp. Është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në familje, në formimin e fëmijëve, në identitetin e brezit që po rritet. Dhe asnjëherë më parë nuk kemi pasur një ndërhyrje kaq të menjëhershme, të paqartë dhe të pakontrolluar në një temë kaq delikate.
Rreziku nuk qëndron vetëm te përmbajtja, por edhe tek mënyra. Në mungesë transparence, e imponuar, në tentativë për indoktrinim.
Kush po merr vendime për fëmijët tanë? Kush ka vendosur se prindërit nuk duhen konsultuar?
Një letër e hedhur nuk na ndryshon as gjininë, as familjen, as mënyrën si rrisim fëmijët tanë. Ajo ndryshon vetëm diçka: Na kujton sa i rëndësishëm është zëri ynë dhe sa shpejt duhet të reagojmë sa herë dikush tenton të marrë vendime në emrin tonë.
TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 shumë shkolla dhe kopshte, të cilat u dëmtuan u rindërtuan ose rikonstruktuan me standarde bashkëkohore, më të sigurta dhe më moderne.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga këto shkolla të rindërtuara falë punës së Ministrisë së Arsimit, bashkive dhe mbështetjes së Bashkimit Europian përmes programit EU4Schools të zbatuar nga UNDP.
“26 nëntori 2019 është një ditë që mbetet në kujtesën e gjithë Shqipërisë, kur tërmeti i asaj nate la pas dhimbje dhe dëme të mëdha, mes tyre edhe institucione arsimore të dëmtuara ose të shkatërruara”, theksoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “këto investime nuk janë thjesht ndërtesa të reja, por garanci për të ardhmen, hapësira dinjitoze për nxënësit dhe mësuesit që sot mësojnë në kushte të njëjta me shkollat e vendeve të BE-së”.
Në buxhetin 2026 në fondin e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës së shkollave janë parashikuar 18,3 milionë euro.