Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayCitizens.al

Njësoj si në Shqipëri, diaspora shqiptare vijon protestat në qytete të botës

24 June 2026 at 16:10

Që prej 1 qershorit, pasditet dhe mbrëmjet i kanë gjetur me mijëra protestues sheshin përballë kryeministrisë, të cilët thërrasin njëzëri “Rama në Burg, Berisha në Burg”.

Këto protesta masive për nga pjesëmarrja dhe apartiake kanë frymëzuar edhe diasporën shqiptare, e cila që prej 5 qershorit ka organizuar protesta solidarizuese në 26 qytete të Europës dhe Amerikës.

Me të njëjtat thirrje kolektive si në vend, edhe shqiptarët e larguar kanë kërkuar anulimin e ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë dhe dorëheqjen e Edi Ramës, e cila sipas tyre në rast se do realizohej do të sillte kthimin e tyre në atdhe. Ata e konsiderojnë emigrimin pasojë të shkaqeve që denoncohen në protesta, duke e lidhur largimin e tyre me korrupsionin, mungesën e mirëqenies ekonomike dhe mënyrën e qeverisjes së vendit.

Mbi 55 protesta janë thirrur nëpër diasporë, duke i dhënë jehonë ndërkufitare problematikave që kanë shtruar në narrativën publike qytetarët që jetojnë në Shqipëri. 13 dhe 14 qershori ishin ditët me mobilizimin më të madh të diasporës, ku u zhvilluan të paktën 33 protesta në qytete të ndryshme të botës. Nga Filadelfia në SHBA, Hamburgu dhe Berlini në Gjermani, Melbourne në Australi, Padova në Itali, Stockhlom të Suedisë, deri në Toronto në Kanada.

Shqiptarët u mblodhën në sheshe publike me pankarta dhe thirrje të ngjashme me ato që dëgjohen çdo mbrëmje para Kryeministrisë në Tiranë.

“Nëse do të ndërronte sistemi politik do të kthehesha në Shqipëri”

Tre protestuese shqiptare në tre vende europiane që jetojnë në Suedi, Norvegji dhe Gjermani, tregojnë arsyet pse iu bashkuan mobilizimit të diasporës.

29-vjeçarja Silvana Palushi jeton prej tre vitesh në Gjermani dhe ka qenë organizatore dhe pjesëmarrëse aktive në tre protesta të mbajtura, në të cilat shprehu shqetësimin se problematikat që ngrihen nga qytetarët në Shqipëri nuk kufizohen vetëm brenda vendit.

“Ne besojmë se Shqipëria nuk ka mungesë potenciali dhe as mungesë njerëzish të aftë. Problemi qëndron te mënyra se si organizohet pushteti dhe ekonomia. Për këtë arsye, protestat nuk kanë qenë vetëm reagim ndaj një ngjarjeje të caktuar, por shprehje e një pakënaqësie më të thellë ndaj një realiteti që për shumë qytetarë është bërë i papranueshëm”, u shpreh Silvana, duke shtuar se Shqipëria ka nevojë për drejtësi sociale.

Teksa kritikët shprehen se shqiptarët që kanë emigruar po jetojnë shumë mirë në vendet përkatëse, sipas Silvanës, shpesh harrohen arsyet pse ata janë larguar.

“Një pjesë e mirë e diasporës nuk është larguar sepse e ka dëshiruar emigrimin, por sepse ka ndjerë mungesë mundësish, pasiguri dhe mungesë perspektive në vendin e vet. Për këtë arsye, kur qytetarët protestojnë në Shqipëri, shumë emigrantë e shohin veten në ato kërkesa dhe ndihen të përfaqësuar prej tyre”, shtoi Palushi.

Nga ana tjetër, Esmeralda Korra jeton në Suedi prej 7 vitesh, por ky fakt nuk e ka shkëputur emocionalisht nga Shqipëria. E nxitur nga protestat në vend, ajo ka organizuar më 13 qershor protestën në Malmö, Suedi. Esmeralda dhe shqiptarët e tjerë kanë bërë të njëjtat kërkesa si në Shqipëri.

“Kërkesat tona ishin në përputhje të plotë me ato të Tiranës, ku do të veçoja anulimin e menjëhershëm të ligjit për zonat e mbrojtura, ndalimin e shkatërrimit të natyrës dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si përgjegjës kryesor i kësaj klime rrënuese”, u shpreh Esmeralda Korra.

Shumë emigrantë nuk i humbasin lidhjet me Shqipërinë pasi kanë familjarë që jetojnë ende në vend, çka përbën një nga arsyet e forta pse diaspora proteston.

“Protestat në Shqipëri kanë gjetur një mbështetje kaq të madhe në diasporë sepse ne që kemi ikur nuk kemi harruar si është të jetosh atje. Prindërit dhe vëllai im, po ashtu edhe miq të mi jetojnë ende atje. Duke jetuar në një vend si Suedia, ku ligji dhe qytetari respektohen, ne natyrshëm duam të njëjtën gjë për vendin tonë”, tha Korra.

Edhe Ardita Halimi, me origjinë nga Prishtina pavarësisht se ka emigruar në moshën 1 vjeçare dhe jeton në Oslo, Norvegji shprehet se për çështje ardhetarizmi është shumë e ndjeshme, pasi mendon se këto çështje i prekin të gjithë pavarësisht kufijve.

“Fillimisht protestat u organizuan si reagim ndaj çështjes së tjetërsimit të tokave dhe investimeve të diskutueshme, por me kalimin e kohës mesazhi u zgjerua edhe drejt pakënaqësisë për keqqeverisjen, mungesën e transparencës dhe mënyrën se si po menaxhohen interesat publike”, u shpreh Ardita. 

Sipas saj, protestat kanë evoluar nga një reagim ndaj një çështjeje konkrete në një shprehje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisjes dhe mungesës së transparencës.

“Ajo që më shtyu të dal në protestë ishte ndjenja e përgjegjësisë dhe përkatësisë. Edhe pse jetoj jashtë, zhvillimet në Shqipëri më prekin dhe më interesojnë. Kur bëhet fjalë për të ardhmen e vendit tonë, ndihem e detyruar të jap kontributin tim, qoftë edhe duke ngritur zërin në mënyrë paqësore.” përfundoi ajo.

Pyetjes nëse do të ktheheshin në Shqipëri në rast të një ndryshimi të sistemit politik, tre protestueset e diasporës i’u përgjigjën pozitivisht, duke e lidhur rikthimin e tyre me nevojën për ndryshime të thella politike në vend.

Pjesëmarrja e diasporës i ka dhënë këtij mobilizimi një dimension ndërkombëtar, duke e kthyer atë në një formë komunikimi solidariteti mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Për shumë prej tyre, emigrimi nuk e ka zbehur lidhjen me Shqipërinë, por ka forcuar ndjeshmërinë ndaj problematikave që ata i konsiderojnë si shkaktarë të largimit të tyre.

Protestat e diasporës shqiptare pritet të vijojnë edhe gjatë fundjavës së 27-28 qershorit, me tubime të paralajmëruara në të paktën 11 qytete të Europës dhe Amerikës së Veriut.

Më 27 qershor do të zhvillohen protesta në Amsterdam, Bruksel, Frankfurt, Këln, Oslo, Rennes dhe Romë. Ndërsa më 28 qershor në Londër, Milano, New York dhe Torino. Fundjava e ardhshme pritet të dëshmojë vazhdimësinë e angazhimit të shqiptarëve jashtë vendit në këtë lëvizje qytetare.

Lexo gjithashtu:

The post Njësoj si në Shqipëri, diaspora shqiptare vijon protestat në qytete të botës appeared first on Citizens.al.

Je ndaluar, shoqëruar apo marrë në pyetje pas protestës? Plotëso formularin.

22 June 2026 at 14:22

Ditët e fundit shumë qytetarë janë shoqëruar në komisariatin e policisë për shkak të pjesëmarrjes në protesta. Citizens.al dëshiron të dijë përvojën tuaj dhe arsyet kryesore të procedimit.



The post Je ndaluar, shoqëruar apo marrë në pyetje pas protestës? Plotëso formularin. appeared first on Citizens.al.

Revolucioni Flamingo dhe kufijtë e provës për “luftën hibride”

19 June 2026 at 13:33

Protesta qytetare e njohur si Revolucioni Flamingo është një nga mobilizimet qytetare më të rëndësishme të viteve të fundit në Shqipëri. Në thelb të saj qëndron pakënaqësia me mënyrën si funksionon sistemi aktual i pushtetit politik dhe ekonomik, dhe me mënyrën se si merren vendimet për pasuritë publike dhe natyrore. Protesta nisi nga shqetësimet për ndërhyrjet dhe projektin e propozuar turistik të lidhur me Jared Kushner në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, por tashmë është zgjeruar në një kërkesë më të gjerë politike për një sistem qeverisjeje më të përgjegjshëm, më të hapur, dhe në shërbim të interesit publik.

Teksa protesta ka hyrë në ditën e 20, shqetësimet dhe kërkesat e qytetarëve nuk janë adresuar në thelb. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që prej fillimit ta paraqesë mobilizimin kryesisht përmes një kornize tjetër: si rezultat të “luftës hibride”, ndikimit të huaj keqdashës, llogarive të automatizuara dhe instrumentalizimit nga aktorë si Irani, Rusia, aktorë greqishtfolës apo rrjete të tjera ideologjike dhe anti-Trump. Kjo kornizë e zhvendos debatin nga shkaqet e pakënaqësisë qytetare te origjina e supozuar e amplifikimit online.

Së fundmi, sipas raportimeve mediatike, ka qarkulluar një raport konfidencial i kompanisë Blackbird.AI. Raporti analizon narrativat online rreth projektit të propozuar të Jared Kushner në Zvërnec dhe e vendos analizën brenda një dataset-i të titulluar “Kushner Investment in Albania”. Ai identifikon narrativa negative ndaj projektit, aktorë që i kanë amplifikuar ato, si dhe sinjale të mundshme koordinimi apo sjelljeje të dyshimtë në hapësirën online. Sipas të njëjtave raportime, dokumenti po shpërndahet privatisht, ndërsa nuk dihet kush e ka porositur apo financuar. Ai nuk është paraqitur zyrtarisht nga ndonjë institucion shqiptar, nuk shoqërohet me një metodologji të detajuar publike që lejon verifikim të pavarur dhe nuk i është nënshtruar një procesi të hapur shqyrtimi. Pikërisht për këtë arsye, raporti kërkon një lexim të kujdesshëm: çfarë mat realisht, çfarë na tregon dhe çfarë nuk provon.

Blackbird.AI është kompani private e bazuar në SHBA që punon në fushën e “narrative intelligence”, pra analizës së mënyrës si përhapen narrativat online, cilët aktorë i amplifikojnë, si lidhen rrjetet mes tyre dhe ku mund të shfaqen sinjale manipulimi, dezinformimi apo koordinimi. Produkte të tilla përdoren zakonisht për të kuptuar rreziqe reputacionale, fushata influence dhe lëvizjen e përmbajtjes në hapësira digjitale. Ky është konteksti në të cilin duhet lexuar edhe raporti për Shqipërinë: si analizë e qarkullimit online të narrativave, jo si hetim mbi origjinën apo organizimin e protestës.

Nga pikëpamja kohore, narrativa politike e “luftës hibride” i ka paraprirë raportit. Raporti nuk e futi këtë tezë në debat, por po qarkullon tani si material që mund t’i japë mbështetje analitike dhe faktike të pretenduar një teze që ishte artikuluar më herët nga Kryeministri dhe mazhoranca. Kjo kronologji ka rëndësi edhe sepse metodologjia e raportit përmend relevancën e narrativave ndaj “interesave të klientit”. Megjithatë, nuk është e qartë kush është klienti, si është paguar raporti dhe për çfarë qëllimi është porositur. Në një debat publik për një protestë qytetare të këtyre përmasave, porositësi dhe qëllimi i raportit bëhen pjesë e diskutimit, sepse ngrejnë pikëpyetje nëse dokumenti është vlerësim i pavarur apo analizë e ndërtuar sipas interesave të klientit. Pa ditur kush e kërkoi analizën, me çfarë pyetjeje kërkimore dhe për cilin interes, raporti nuk mund të trajtohet si vlerësim neutral i protestës.

Dokumenti e kornizon objektin e analizës si debat rreth investimit të lidhur me Jared Kushner në Shqipëri dhe rreth “narrativave negative” ndaj projektit. Ky dallim është thelbësor. Revolucioni Flamingo është protestë qytetare me fushë më të gjerë se reputacioni online i një investimi. Ajo ka ngritur shqetësime për ndryshimet ligjore në zonat e mbrojtura, konsultimin publik, transparencën, pronën publike, cilësinë e vendimmarrjes, rolin e institucioneve dhe marrëdhënien mes investimit privat dhe interesit publik. Raporti nuk i analizon këto çështje në substancë; ai sheh kryesisht narrativat digjitale që janë krijuar rreth projektit të propozuar të Kushner në Zvërnec.

Raporti evidenton narrativa konspirative, gjuhë antisemitike, korniza anti-Trump, anti-izraelite dhe anti-perëndimore, si dhe forma të mundshme amplifikimi të koordinuar. Këto gjetje duhen marrë seriozisht sepse tregojnë se rreth një proteste qytetare mund të krijohen shtresa përmbajtjeje që e dëmtojnë vetë kauzën. Kur mbi shqetësimet për zonat e mbrojtura, pronën publike dhe llogaridhënien ngjiten teori konspirative, gjuhë urrejtjeje apo interpretime të huaja për kontekstin shqiptar, debati zhvendoset nga substanca e protestës. Për mediat, aktivistët dhe qytetarët, kjo do të thotë se duhet bërë dallim mes kritikës legjitime ndaj projektit dhe përmbajtjeve që e përdorin protestën për qëllime të tjera politike ose ideologjike.

Raporti është i dobishëm sepse tregon si një protestë vendore mund të dalë nga konteksti i saj fillestar sapo hyn në qarkullimin ndërkombëtar online. Revolucioni Flamingo nisi nga shqetësime për zonat e mbrojtura, pronën publike, transparencën dhe llogaridhënien. Por lidhja e çështjes me emra si Trump, Kushner apo Izrael bëri që protesta të merrej edhe nga aktorë dhe audienca jashtë Shqipërisë, të cilët e lexojnë atë përmes interesave dhe përplasjeve të tyre politike. Kjo zhvendosje ka rëndësi sepse mund të ndryshojë mënyrën si kuptohet protesta. Një mobilizim qytetar për qeverisjen e pasurive publike mund të paraqitet jashtë vendit si pjesë e betejave politike që nuk janë të protestuesve shqiptarë. Raporti ndihmon për të parë këtë shtresë të debatit: mënyrën si kauza amplifikohet, riformulohet dhe përdoret nga aktorë që nuk kanë qenë burimi i pakënaqësisë qytetare në Shqipëri.

Pika ku raporti nuk e mban peshën e pretendimit politik lidhet me kalimin nga amplifikimi te autorësia. Raporti mund të tregojë se narrativa të caktuara janë ripostuar, zmadhuar ose deformuar nga llogari të huaja dhe rrjete të dyshimta. Ai nuk provon se këta aktorë e krijuan protestën, e organizuan, e drejtuan ose e mbajtën gjallë. Një video nga protesta mund të shpërndahet nga një llogari e huaj dhe të futet në një kornizë anti-Trump apo pro-ruse. Kjo tregon përdorimin e një ngjarjeje ekzistuese, por jo origjinën e saj.

Për të mbështetur pretendimin se Revolucioni Flamingo është produkt i aktorëve të huaj, do të duheshin prova të forta që shkojnë përtej rrjeteve sociale: lidhje me organizatorë vendas, financim, udhëzime, koordinim të thirrjeve për protestë, ndikim mbi logjistikën, kontroll mbi mesazhet kryesore dhe efekt i matshëm mbi pjesëmarrjen në terren. Raporti nuk paraqet një zinxhir të tillë provash. Ai mat postime, angazhime online dhe rrjete shpërndarjeje. Këto të dhëna shpjegojnë vetëm qarkullimin online të përmbajtjes, kryesisht në një platformë si X, por jo origjinën shoqërore dhe politike të protestës.

Vetë raporti pranon se shqetësimet që qëndrojnë në bazë të protestës janë reale. Ai e vendos nisjen e polemikës te çështjet e qeverisjes dhe mjedisit, përpara se të analizojë se si aktorë të jashtëm i kanë amplifikuar ato në hapësirën online. Ky pranim është i rëndësishëm sepse vendos një kufi të qartë për leximin e raportit: ai mund të flasë për mënyrën si një krizë reale është shfrytëzuar, riformuluar ose zmadhuar nga aktorë të ndryshëm, por nuk e kthen vetë krizën në produkt të atyre aktorëve. Prania e amplifikimit të jashtëm nuk e zhbën bazën qytetare të pakënaqësisë dhe nuk u jep përgjigje arsyeve që e kanë nxitur protestën.

Një kufizim metodologjik lidhet me peshën e X-it në analizë. Raporti deklaron se mbulon X, Telegram, media online, Reddit dhe TikTok. Megjithatë, provat më të forta për rrjete, koordinim dhe sjellje “bot-like” duken të përqendruara te X. Kjo platformë kap mirë aktorët ndërkombëtarë, komentuesit gjeopolitikë dhe llogaritë e politizuara amerikane. Mobilizimi qytetar në Shqipëri zhvillohet edhe në komunitete lokale, media vendase, Instagram, TikTok, Facebook, WhatsApp, takime fizike dhe hapësira proteste. Një analizë e dominuar nga X mund të tregojë ndërkombëtarizimin e debatit, por jep pak për organizimin qytetar në terren. Kjo krijon rrezik që ndërkombëtarizimi i debatit të duket më përfaqësues se vetë mobilizimi vendas.

Etiketimet e raportit për llogari “të përafruara me narrativat ruse”, aktivitetin në gjuhën greke dhe llogaritë me fokus Iranin kërkojnë lexim proporcional. Raporti përfshin aktorë të ndryshëm nën kategori të gjera dhe nuk e bën gjithmonë të qartë dallimin mes shpërndarjes së mesazheve të ngjashme, qëndrimit kritik ndaj projektit dhe koordinimit të mirëfilltë. Kjo e kufizon peshën shpjeguese të gjetjeve, sidomos kur vetë aktiviteti greqisht përbën më pak se 1 për qind të diskutimit total. Edhe referencat për llogari apo agregatorë me fokus Iranin mbeten në nivelin e qarkullimit online të narrativave dhe nuk mjaftojnë për të mbështetur pretendime më të gjera për drejtim shtetëror, ndërhyrje kibernetike apo ndikim të provuar mbi protestën në Shqipëri. Kjo nuk përjashton mundësinë që aktorë të huaj apo rrjete të dyshimta ta kenë shfrytëzuar protestën për qëllimet e tyre; kërkon që një pretendim i tillë të mbështetet me prova të qarta, të verifikueshme dhe të lidhura drejtpërdrejt me mobilizimin në Shqipëri.

Raporti ka edhe një mangësi të rëndësishme në qasje: fokusohet te narrativat kundër projektit dhe kundër qeverisë, pa analizuar me të njëjtën thellësi narrativat pro-projektit, amplifikimin e mesazheve zyrtare, sulmet ndaj protestuesve apo përpjekjet për t’i paraqitur qytetarët si të manipuluar. Manipulimi i debatit publik mund të vijë nga më shumë se një drejtim. Një analizë e plotë e mjedisit informativ do të duhej të shihte koordinimin, përzgjedhjen dhe manipulimin në të gjitha drejtimet.

Mangësia më e madhe e raportit është se e trajton protestën kryesisht si fenomen të qarkullimit online dhe lë në hije kontekstin e qeverisjes që e ka ushqyer atë. Revolucioni Flamingo është nxitur nga pyetje konkrete për ndryshimet ligjore në zonat e mbrojtura, transparencën e lejeve dhe vendimeve, konsultimin publik, përdorimin e pronës publike, hetimet institucionale, rolin e SPAK-ut dhe raportin mes interesit publik dhe investimit privat.

Këto çështje kërkojnë dokumente, përgjigje institucionale dhe llogaridhënie. Një raport mbi narrativat online mund t’i përmendë si sfond, por nuk mund t’i zëvendësojë dhe as ta zhvendosë vëmendjen prej tyre.

Raporti mund të shërbejë për një qëllim të kufizuar, por të rëndësishëm: të paralajmërojë publikun se një kauzë reale mund të deformohet nga aktorë që nuk kanë lidhje me shqetësimet qytetare në Shqipëri. Prania e gjuhës antisemitike, kornizave konspirative dhe instrumentalizimit gjeopolitik duhet marrë seriozisht. Media, aktivistët dhe qytetarët kanë interes ta mbrojnë debatin nga këto përmbajtje, sepse ato e largojnë vëmendjen nga thelbi i protestës dhe krijojnë hapësirë për delegjitimim politik.

Në të njëjtën kohë, institucionet nuk mund ta përdorin rrezikun e instrumentalizimit online si zëvendësim për përgjigjet që u detyrohen qytetarëve. Edhe nëse një pjesë e debatit është amplifikuar nga llogari të huaja, kjo nuk i jep përgjigje çështjeve që ndezën mobilizimin.

Një debat i ndershëm publik duhet të ndajë qartë tri nivele. Niveli i parë është përmbajtja e protestës: mjedisi, prona publike, konsultimi, ligji dhe llogaridhënia. Niveli i dytë është mjedisi informativ: si qarkullojnë narrativat, kush i amplifikon, cilat përmbajtje janë problematike dhe ku ka sjellje të dyshimtë. Niveli i tretë është përdorimi politik i këtij raporti apo raporteve të tjera: mënyra si një dokument konfidencial mund të shërbejë për të forcuar një narrativë zyrtare mbi “luftën hibride”. Përzierja e këtyre niveleve prodhon më shumë mjegull dhe nuk ofron qartësi për publikun.

Revolucioni Flamingo duhet gjykuar mbi bazën e arsyeve që nxorën qytetarët në protestë dhe mbi përgjigjet që qeveria dhe aktorët politikë japin për ato arsye. Amplifikimi online mund të shpjegojë si një protestë u bë pjesë e debatit ndërkombëtar. Ai nuk shpjegon pse qytetarët vazhdojnë me qëndrueshmëri protestën e tyre.

Lexo edhe:
Në ditën e 19-të, protesta shkon në Parlament

Parlamenti Evropian kërkon ndalimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura

The post Revolucioni Flamingo dhe kufijtë e provës për “luftën hibride” appeared first on Citizens.al.

Tetë ditë protestë: Nga Narta te “Shqipëria e re”

7 June 2026 at 21:32

Sot u mbajt dita e tetë e protestës qytetare, e cila nisi fillimisht kundër ndërtimeve në Peizazhin e Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë, ndërsa tashmë ka marrë karakter më të gjerë kombëtar.

Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të marshuar drejt Kryeministrisë. Kërkesat kryesore mbetën të njëjta: anulimi i projektit në zonën e mbrojtur, dorëheqja e qeverisë dhe shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Përmes humorit, ironisë dhe thirrjeve të përsëritura për një “Shqipëri të re”, protestuesit artikuluan jo vetëm kundërshtimin ndaj projektit në Zvërnec, por edhe një pakënaqësi më të gjerë ndaj mënyrës se si qeveriset vendi.

“Ta bëjmë këtë luftë për gjyshërit dhe gjyshet tona. 550 mijë pensionistë shqiptarë marrin më pak se 200 mijë lekë të vjetra në muaj”, tha gazetari Klevi Muka gjatë fjalës së tij.

Protesta u shoqërua vazhdimisht nga thirrja “Shqipëri e re”, e cila është kthyer në një nga sloganet kryesore të ditëve të fundit.

“Një Shqipëri e tillë na ka sjellë në këtë pakënaqësi të përbashkët të gjithëve që jemi këtu, dhe pikërisht për këtë duam një Shqipëri të re”, u shpreh Fatos Lubonja.

Një vend të veçantë në protestë zunë edhe të rinjtë dhe përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilët kanë luajtur rol të rëndësishëm në shpërndarjen e mesazheve, videove, meme-ve dhe thirrjeve për pjesëmarrje.

“Ky brez i TikTok-ut, i internetit, i Instagram-it dhe i Snapchat-it, ju kërkojmë falje përulësisht që ju kemi kritikuar deri më sot. Jeni brezi më i mirë që e zgjuat edhe një herë Shqipërinë nga gjumi”, tha Flora Baba.

Paralelisht me Tiranën, protesta dhe organizime në mbështetje të kauzës janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si Shkodra dhe Korça, si dhe në disa kryeqendra evropiane, përfshirë Vjenën dhe Londrën.

Rama dhe “lufta hibride”

Ndërsa fillimisht bëri thirrje për dialog, kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar retorikën ndaj protestës në ditët e fundit.

Gjatë një takimi me mbështetës të Partisë Socialiste në Elbasan, Rama kritikoi blogerët dhe influencuesit që kanë marrë pjesë në protesta, duke thënë se ata “nuk japin një euro taksë shtetit dhe popullit shqiptar”.

Megjithatë, në shumicën e vendeve evropiane, përfshirë Italinë, influencuesit dhe krijuesit e përmbajtjes që gjenerojnë të ardhura janë të detyruar të deklarojnë fitimet dhe t’i nënshtrohen tatimit si profesionet e tjera të pavarura. Italia, për shembull, nuk ka vendosur një taksë të veçantë për blogerët apo influencuesit, por ka përshtatur legjislacionin ekzistues fiskal për të përfshirë të ardhurat e tyre.

Kritikat e kryeministrit ndaj kësaj kategorie u lexuan në shesh si reagim ndaj rolit që rrjetet sociale kanë pasur në rritjen e protestës dhe shpërndarjen e pamjeve nga terreni. Në thelb, nëse ka mungesë rregullimi apo kontrolli fiskal mbi këtë sektor, përgjegjësia mbetet te shteti, jo te qytetarët që shprehin qëndrimet e tyre politike.

Rama ka kontestuar gjithashtu numrin e protestuesve. Ai deklaroi se pjesëmarrja kishte rënë në rreth 2 mijë qytetarë, ndërsa në ditën më masive, sipas tij, nuk kishte kaluar 8 mijë. Megjithatë, pamjet nga droni dhe fotot nga sheshi tregojnë një pjesëmarrje të lartë dhe të qëndrueshme gjatë ditëve të protestës.

Në retorikën e tij të fundit, kryeministri e ka paraqitur protestën edhe si pjesë të një “lufte hibride”, duke iu referuar ndikimeve të jashtme që, sipas tij, synojnë të ndalojnë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Për mediat e huaja, gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivar, Rama tha se ajo që po ndodh në Tiranë nuk lidhet vetëm me ambientalistët.

“Armiq të vendit, të cilët i njohim, të gjithë ata që e dinë historinë tonë i njohin ata, iranianët, të cilët janë angazhuar në sulme kibernetike kundër nesh qysh prej një kohe të gjatë dhe që na kanë bërë kaq shumë dëme sa na kanë detyruar që t’i nxirrnim nga vendi, janë pjesë e kësaj për të nxitur narrativën se projekti nuk është ajo që thuhet”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se rritja e llogarive dhe aktivitetit në mjedisin digjital, sipas tij, tregon se bëhet fjalë për një sulm hibrid.

“Së pari duhet të kemi projektin dhe pastaj ta shohim projektin e pastaj ta diskutojmë projektin. Por nuk diskutojmë dot diçka që nuk ekziston”, vijoi Rama.

Kjo retorikë u ironizua sot në protestë me thirrjen: “O Edvin, o idiot, çfarë agjentash jemi sot!”, si përgjigje ndaj përpjekjeve për ta lidhur protestën herë me grekët, herë me iranianët apo me ndikime të tjera të jashtme.

Citizens ka dokumentuar më parë raste kur imazhe dhe video të gjeneruara me inteligjencë artificiale janë shpërndarë në rrjete sociale dhe media tradicionale për të përforcuar narrativa dezinformuese rreth protestës.

Zhvillim apo vendimmarrje pa transparencë?

Teksa mijëra qytetarë prej tetë ditësh kanë mbushur sheshet, kryeministri Rama ka vijuar të mbrojë idenë e zhvillimit turistik në zonë, duke sjellë shembuj nga vende të tjera si Bahamas, Camargue në Francë, Ria Formosa në Portugali apo Katari, ku sipas tij natyra dhe ndërtimi bashkëjetojnë.

Ai e ka cilësuar kundërshtimin e projektit si një “budallallëk që ka mbajtur peng Shqipërinë”.

Por protestuesit dhe përfaqësues të organizatave mjedisore kanë theksuar se nuk janë kundër zhvillimit apo turizmit. Sipas tyre, kundërshtimi lidhet me mungesën e transparencës, nisjen e punimeve pa informacion të plotë publik, mungesën e një projekti të bërë publik dhe paqartësitë mbi vlerësimin e ndikimit në mjedis.

Shpërthimi i protestave erdhi pas publikimit të videove ku punonjës të sigurisë private dhunuan dhe tërhoqën zvarrë një banor të Zvërnecit, i cili protestonte kundër rrethimit të zonës dhe nisjes së punimeve pa njoftim apo tabelë informuese.

Pas protestave të njëpasnjëshme, gardhi rrethues u hoq, por ende ka pak informacion publik mbi planet zhvillimore për zonën.

Pamja e ditës së tetë tregoi se protesta për Zvërnecin po tejkalon kufijtë e një kauze të vetme mjedisore. Në shesh janë mbledhur histori, shqetësime dhe pakënaqësi të ndryshme, por me një emërues të përbashkët: ndjesinë se zëri i qytetarëve është dëgjuar pak ose aspak në vendimmarrje.

Lexo gjithashtu:

Protesta si pikë bashkimi për kauzat e harruara nga qeveria

Rama e shpërndan zemëratën për Nartën te “armiqtë e huaj”

The post Tetë ditë protestë: Nga Narta te “Shqipëria e re” appeared first on Citizens.al.

Nga Tirana në diasporë: mobilizim ndërkombëtar për mbrojtjen e Vjosë–Nartës

3 June 2026 at 15:16

Protesta kundër ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur Pishë–Poro–Nartë, e nisur fillimisht në Tiranë, po merr përhapje të gjerë edhe në diasporë.

Shumë grupe qytetarësh në kryeqendra evropiane dhe më gjerë kanë publikuar data të ndryshme për protesta në mbështetje të qëndresës të nisur rishtazi në Shqipëri.

Me thirrjen “Shpëto Vjosë–Nartën”, në Stokholm është paralajmëruar një protestë më 5 qershor, në orën 18:00. Ndërkohë, në Toronto të Kanadasë, shqiptarët dhe mbështetësit e mbrojtjes së natyrës do të mblidhen më 6 qershor, në orën 18:00.

Protesta e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me moton “Çohu Shqiptar”, është caktuar për të shtunën, më 6 qershor, në orën 14:00. Ndërsa po më 5 qershor, pranë Konsullatës Shqiptare në Mynih, në orën 18:30, do të zhvillohet një tjetër tubim me thirrjen: “Për natyrën, për të drejtën, për Shqipërinë”.

Po më 6 qershor janë paralajmëruar edhe tri protesta të tjera në Evropë: në Firence, në orën 10:30, në Milano, në orën 10:00, dhe në Londër, në orën 11:00. Këto nisma shoqërohen me thirrje për mbrojtjen e natyrës, respektimin e ligjit dhe ruajtjen e një prej zonave më të rëndësishme mjedisore të Shqipërisë.

Organizime janë planifikuar edhe në qytete të ndryshme brenda Shqipërisë. Në Korçë protestuesit do të mblidhen më 5 qershor, në orën 18:00, ndërsa në Durrës protesta është njoftuar për më 3 qershor, në orën 16:00. Në Vlorë, qytetin pranë zonës së mbrojtur që është në qendër të kundërshtimeve, protesta do të zhvillohet më 6 qershor, në orën 11:00.

Ndërkohë, janë paralajmëruar edhe protesta të tjera nga diaspora, më 4 qershor në Madrid të Spanjës në orën 19:30 dhe më 6 qershor në Vjenë të Austrisë në orën 16:00.

Citizens.al kontaktoi njërin prej organizatorëve të aksioneve në diasporë. Elio Shyti, banues në Nurenberg, po punon njëkohësisht për organizimin e protestave në Mynih dhe Berlin.

“Ka nisur në mënyrë spontane. Nuk është parë më herët një dëshirë kaq e madhe. Më shkruajnë vazhdimisht njerëz që kërkojnë të përfshihen në grup”, thotë ai.

“Vetëm në grupin online të Mynihut jemi rreth 300 persona deri tani”, vijon Shyti, duke shtuar se është lidhur edhe me individë dhe aktivistë të angazhuar për të shpërndarë sa më gjerë thirrjet për pjesëmarrje.

“Kemi emigruar për të njëjtat problematika që po artikulohen edhe në shesh. E ndiejmë në të njëjtën mënyrë dhimbjen e qytetarëve shqiptarë: problemet me pronat, vjedhjen dhe shpërndarjen e të mirave publike te një grup i vogël oligarkësh. Ndiejmë se duhet t’i mbështesim dhe të luftojmë keqqeverisjen”, përfundon ai.

Njëkohësisht, në rrjetet sociale është shpërndarë edhe një peticion online me titullin: “Mbroni Vjosë–Nartën: Ndaloni ndërtimet në zonat e mbrojtura natyrore”.

Peticioni është nënshkruar deri më tani nga 47,338 persona.

“Ky peticion nuk është kundër turizmit apo kundër ndonjë investitori të veçantë, por kërkon mbrojtjen e ekosistemit të Vjosë–Nartës dhe transparencë të plotë për ndryshimet ligjore dhe projektet e planifikuara në këtë zonë të mbrojtur”, thuhet në tekstin e peticionit.

Nënshkruesit kërkojnë pezullimin e ndërtimeve në zonat ekologjikisht të ndjeshme deri në kryerjen e vlerësimeve të pavarura mjedisore, si dhe publikimin e të gjitha studimeve shkencore që kanë mbështetur vendimmarrjen. Ata u bëjnë thirrje institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare të garantojnë që çdo zhvillim në Vjosë–Nartë të respektojë standardet më të larta të mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.

The post Nga Tirana në diasporë: mobilizim ndërkombëtar për mbrojtjen e Vjosë–Nartës appeared first on Citizens.al.

Protesta në Rrjoll zbehet në numër, por jo në qëndresë

18 March 2026 at 12:45

Pas 45 ditësh protestë, situata në Rrjoll ka ndryshuar. Rezistenca vijon, por me një numër më të kufizuar protestuesish. Më 17 mars, Citizens ishte në terren, ku një pjesë e banorëve prisnin informacione nga “Kafe-Bar, Rrjolli” – rreth 3-4 minuta me makinë larg kantierit – mbi zhvillimet e projektit “Blue Borgo”.

“Çdo të hënë të fundit të muajit duhet të paraqitem në polici dhe nuk më lejohet të afrohem pranë resortit në ndërtim,” thotë Prek Molla, një zërat më aktivë të protestës.

Kjo vjen pas vendimeve të Prokurorisë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila në disa procese ka vendosur masa ndaj 15 protestuesve, 10 prej tyre kanë detyrim paraqitje pranë organeve të rendit dhe u ndalohet t’i afrohen kantierit, ndërsa 5 të tjerë janë në kërkim.

Grupi përbëhet kryesisht nga: Prekë Molla, Sandër Shullani, David Shullani, Alban Malaj, Altin Pjeshka, Pllumb Keçanaj, Sokol Keqanaj, Savjo Keqanaj.

Luçiana Kokaj shpjegon procesin e ndjekur ndaj bashkëshortit të saj, Tur Shullani dhe fqinjit tjetër Nard Malajt, ndaj të cilëve është vendosur ndalimi i afrimit dhe qëndrimit në kantier.

Sipas vendimeve të gjykatës, personat akuzohen për “shkatërrim prone”, “kundërshtim të punonjësve të policisë” dhe “plagosje të rëndë me dashje”. Banorët i kundërshtojnë këto akuza, duke i cilësuar si përpjekje për të dobësuar protestën. Ata thonë se gjatë përballjeve me policinë nuk kanë ushtruar dhunë ndaj personave specifikë, përkundrazi kanë qenë vetë ata që janë keqtrajtuar prej tyre.

Gëzim Pjeshka tregon plagët në këmbë, të marra gjatë përleshjeve me forcat e rendit.

Gëzim Pjeshka, i lënduar gjatë protestave në Rrjoll/Citizens.al

“Atë ditë kur më ndaluan policët, të gjithë me kapuça të zinj, më tërhoqën zvarrë, sikur të kisha bërë ndonjë masakër, vetëm se po mbroja tokën time,” rrëfen Sandër Shullani.

Edhe pse ata nuk mund t’i bashkohen protestave për shkak të masave të sigurisë, banorët thonë se qëndresa dhe mbështetja e tyre për kauzën do të vazhdojë. Prek Molla tha për Citizens.al se ata e kanë apeluar vendimin e gjykatës dhe presin që masat të rrëzohen dhe pas kësaj t’iu bashkohen sërish protestave.

“Kanë kaluar mbi 45 ditë. Njerëzit janë lodhur. Shumë kanë lënë pas angazhimet e përditshme dhe nuk është e lehtë të qëndrosh çdo ditë në protestë me të njëjtin intensitet,” tregon Luçiana.

Paralelisht, banorët po ndjekin rrugët institucionale. Ata janë grumbulluar tre herë në shenjë proteste para Prokurorisë së Posaçme, megjithëse kjo ka deklaruar se prej marsit 2025 çështja, për pretendimet e tyre për tjetërsim të pronave, i është deleguar Prokurorisë së Shkodrës.

Nga ana e saj, kompania “Gener 2,” e cila po zhvillon projektin, mohon të ketë shkelur të drejtat e banorëve apo ligjet në tërësi. Por një prej përfaqësuesve ligjor të banorëve ka treguar se sipërmarrësi Bashkim Ulaj ka qenë në dijeni të kontestimeve që ka pasur zona sa i takon pronave. Prandaj ai “nuk mund të justifikohet me idenë që ka lidhur marrëveshje me atë që ka certifikatë pronësie”.

Lexoni gjithashtu:

The post Protesta në Rrjoll zbehet në numër, por jo në qëndresë appeared first on Citizens.al.

Statusi i minatorit refuzohet edhe në seancë plenare

20 February 2026 at 15:03

Me 74 vota kundër, 17 “pro” dhe 1 abstenim, projektligji “Për statusin e minatorit” u rrëzua në seancën plenare të së enjtes në Kuvend.

Orët e vona të seancës bënë që në sallë të mungonin 48 deputetë, të cilët nuk morën pjesë në votim.

Projektligji u propozua nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila u shpreh në Kuvend se statusi i minatorit është një premtim i përsëritur ndër vite edhe nga qeveria aktuale.

“Janë 13 mijë minatorë që preken nga statusi. Puna në miniera është nga më të vështirat. Sipas statistikave të qeverisë dhe INSTAT, 20% e aksidenteve në punë janë fatale. Shqipëria është kaq e pasur me burime, por edhe kaq e vjedhur,” tha Tabaku.

Ajo solli në vëmendje protestën e minatorëve, të zhvilluar çdo të enjte para Kuvendit prej pesë vitesh, për miratimin e statusit.

Për deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, në një vend mineralmbajtës si Shqipëria, statusi i minatorit nuk duhet të ishte më objekt debati.

“Të ardhurat nga minierat duhet t’u shkonin komuniteteve lokale jo në masën 5% si sot, por në 30%. Do të ishte zhvilluar industria përpunuese e mineraleve dhe do të ishte hapur një fond sovran për menaxhimin e të ardhurave nga nëntoka, edhe për brezat që do të vijnë”, u shpreh Muçi.

Ai theksoi se “në një vend normal statusi i minatorit do të ishte e drejtë themelore e panegociueshme”.

Partia që ai përfaqëson ka kërkuar prej vitesh miratimin e statusit dhe ka mbështetur protestat e minatorëve.

Ndërsa deputeti socialist Erion Braçe tha se PS mund të mos ketë bërë gjithçka, por “punëtorët e profesioneve të vështira kanë qenë në fokusin e saj.”

“Statusin e ushtarakut e kemi bërë ne. Statusin e pilotit dhe të nënujorëve e kemi bërë ne. Statusin për naftëtarin dhe metalurgun e kemi bërë ne. Kur kemi folur për këto statuse, ju keni votuar kundër,” u shpreh ai në Kuvend.

Sipas Braçes, minatorët nuk kanë një status të veçantë, por përfitojnë mbështetje përmes ligjit nr. 29/2019, i cili, sipas tij, adreson një pjesë të kërkesave që sot kërkohet të zgjidhen me statusin.

Ai shtoi se minatorët marrin pension suplementar, ndërsa pranoi se trajtimi i atyre që kanë punuar para viteve ’90 nuk është i njëjtë me ata pas viteve ’90.

“Për të parët kemi detyrim moral dhe diskutim të hapur, sepse kanë qenë të keqpaguar dhe ndryshimi i sistemeve uli vlerën reale të pensioneve të tyre,” tha Braçe.

Më herët, projektligji ishte rrëzuar në Komisionin Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin për të Drejtat e Njeriut.

Projektligji parashikonte pension minimal në nivelin 130% të pagës minimale, dalje në pension pas 20-25 vitesh punë nëntokë, trajtim shëndetësor falas për sëmundjet profesionale dhe përfitime për familjarët në rast vdekjeje.

Minatorët dhe ish-minatorët kanë protestuar prej vitesh për njohjen e statusit dhe kanë ndërmarrë edhe nismën e një peticioni me nënshkrime.

Statusi i minatorit: një premtim i përsëritur politik

Në vitin 2009, kur Edi Rama ishte në opozitë, ai u premtoi ish-minatorëve të Gurit të Kuq në Pogradec miratimin e statusit brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.

Në vitin 2013, Rama erdhi në pushtet, por minatorët ende nuk kanë një status të veçantë ligjor.

Në tetor 2017, deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, depozitoi në Kuvend një projektligj për statusin e minatorit, që parashikonte kontribut shtesë 5% të pagës bruto (2% nga punëmarrësi dhe 3% nga punëdhënësi), ndërsa diferenca financiare do të mbulohej nga buxheti i shtetit.

Mazhoranca e asaj kohe nuk e mbështeti projektligjin, duke argumentuar se do të sillte kosto të lartë për skemën e pensioneve.

Në prill 2018, gjatë një takimi me minatorët, Rama deklaroi se “këtë mandat kemi premtuar statusin dhe do ta mbajmë”.

Në qershor të atij viti, ministrja Olta Xhaçka deklaroi në Klos se drafti po shqyrtohej dhe do t’i nënshtrohej konsultimit publik.

“Po diskutohet, po shqyrtohet dhe shumë shpejt do të dalim me një draft që sërish do t’i hyjë një konsultimi publik për të marrë edhe dakordësinë tuaj,” theksoi Xhaçka.

Në të njëjtin vit, minatorët protestuan para Kryeministrisë duke paralajmëruar edhe grevë urie.

vitin 2020, ata i dorëzuan Kuvendit një peticion me 10,700 firma, ku kërkonin rritje pagash, pensionesh, kujdes shëndetësor dhe sigurim jete. Kuvendi nuk dha përgjigje.

Më 30 tetor 2024, Kryeministri Rama deklaroi se statusi tashmë ekziston.

“Minatorët dalin në pension 10 vite më herët dhe përfitojnë njësoj si kategoritë e tjera të veçanta. Nga 270 milionë euro trajtime të veçanta përfshihen edhe minatorët,” tha ai.

Lexo gjithashtu:

The post Statusi i minatorit refuzohet edhe në seancë plenare appeared first on Citizens.al.

Në vijën e parë, por larg megafonëve: Gratë në aktivizmin mjedisor

18 February 2026 at 16:56

Nga brigjet e Vjosës, në protestat për Valbonën, në kundërshtimin ndaj projektit të Skavicës apo devijimit të Shushicës, lumenjtë e Kaçinarit e Thirrës në Mirditë dhe Kurdarisë e Zall Gjoçajt në Klos e Mat, gratë kanë qenë aty.

Kanë organizuar, janë mobilizuar dhe kanë mbajtur gjallë barrën emocionale të konfliktit me komunitetin dhe institucionet. Por kur vjen momenti i “megafonit” shpesh zëri që dëgjohet është ai i burrave.

Mbrojtja e burimeve natyrore në Shqipëri nuk është vetëm betejë mjedisore. Për shumë vajza dhe gra është një përballje me strukturat e padukshme të një rendi patriarkal, që përcakton se kush ka të drejtë të flasë në emër të komuniteti.

Aktivizmi si akt i dyfishtë rezistence

Mëngjesi i një të shtune të janarit e gjeti Besjana Gurin në timon. Në Vlorë një grup vajzash dhe grash të angazhuara në komunitet e prisnin për të folur për aktivizmin. Aktivizmi këtë herë i dedikohej lumit, ashtu sikurse emri i qendrës që Besjana ka krijuar së fundmi.

Besjana e prezantoi aktivizimin mjedisor për mbrojtjen e lumenjve përmes fotove artistike dhe narrativës motivuese. Ishte e kollajtë t’i gjeje shembujt në tryezë, të moshave të ndryshme, por bashkë për një kauzë: për lumenjtë dhe mjedisin.

Për Besjanën aktivizmi për mbrojtjen e lumenjve nisi 12 vite më parë, kur u angazhua për mbrojtjen e Vjosës nga hidrocentrali i Kalivaçit.

“Më pas kam qenë në vijën e parë të betejës për t’a mbrojtur si Park Kombëtar.” tregon Besjana, e cila e vijoi aktivizimin edhe në grupet organizatore të protestave për Valbonën, Gurin e Bardhë dhe Zall-Gjoçajn.

Besjana Guri, Qendra LUMI

Për Kerol Saçajn, aktualisht pedagoge në departamentin e biologjisë pranë universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, angazhimi në aktivizmin mjedisor ka nisur kur punonte pranë Basenit të Vjosës në sektorin e monitorim-kontrollit dhe dhënies së lejeve për subjekte që operojnë përgjatë lumit.

“Aty pata mundësinë të shoh nga afër veprimtaritë e ndryshme të subjekteve dhe ndikimin që ato kishin në ekosistemin e Vjosës. Kontakti i drejtpërdrejtë me problematikat mjedisore dhe pasojat e ndërhyrjeve njerëzore më bëri të ndërgjegjësohem dhe të angazhohem aktivisht”, tha Kerol për Citizens.al.

Sikurse në shumë reagime mjedisore të krijuara së fundmi në Shqipëri, ato vijnë pas ndërhyrjeve të befta në mjedis, pa procese konsultuese apo vënie në dijeni të banorëve.

Reagimi i Majlinda Hoxhës nga Dibra erdhi pikërisht si e tillë.

“Lindi si një nevojë për të folur kundër projektit Skavica si një ndër projektet më shkatërruese për Dibrën. Ndërkohë që çdo ditë e më shumë përballemi me sfida të reja ose të vazhdueshme mjedisore, të cilat duhen adresuar me urgjencë”, u shpreh Majlinda për Citizens.al.

Nisma e saj vullnetare tanimë mban emrin e organizatës “GARD” që lobon për mbrojtjen e mjedisit.

Hapësira publike si “territor mashkullor”

Ndarja mes privates dhe publikes ka qenë një nga mekanizmat themelorë të organizimit patriarkal. Gruaja, shpeshherë e lidhur me shtëpinë, kujdesin, riprodhimin e burri me pronën, tokën, përfaqësimin publik.

Ndaj edhe lumenjtë, toka, burimet natyrore perceptohen si pjesë e sferës së vendimmarrjes mashkullore.
Kur një grua del në krye të protestës, ajo nuk sfidon vetëm një projekt zhvillimor, por një rend simbolik.

“Të jesh grua aktiviste në Shqipëri në përgjithësi dhe në zonat rurale apo qytetet e vogla në veçanti nuk është aspak e lehte,” thotë Besjana.

Si fillim nuk merresh seriozisht, sepse zakonisht janë komunitete që dominohen nga burrat. Të duhet shumë kohë që fjala jote të ketë peshë”, vijon Besjana.

Për Majlinda Hoxhën, aktivizmi në komunitete rurale e përforcon edhe më tej këtë qasje.

“Është tepër e vështirë duke pasur parasysh mentalitetin përqark dhe limitet që të imponohen duke të rikujtuar që je grua dhe vendi yt duhet të jetë diku duke gatuar gjellë apo larë rrobat, jo në krye të debatit për çeshtje që prekin të gjithë komunitetin”, tha Majlinda.

Sipas saj, paragjykimet kanë qenë të pashmangshme, mirëpo e ka ndjerë se duhet të ishte një zë më shumë në atë grup që dominohej nga meshkujt. Njësoj shprehet edhe Besjana.

“Por për mua mburoja ka qenë te të qenurit pjesë e një ekipi më të madh [ku benin pjesë edhe burra], gjë e cila më ka ndihmuar të kapërcej paragjykimet gjinore”, shprehet ajo.

Për Kerol, përvoja është më e butë në territorin ku ajo ka punuar, edhe për shkak se i ka parë këto sfida si motivim për të qenë më këmbëngulëse në aktivizmin e saj.

“[…] mund të jetë deri diku sfiduese, pasi herë pas here kërkon më shumë këmbëngulje për të dëgjuar zërin tënd dhe për të fituar të njëjtin vlerësim profesional”, u shpreh Kerol.

Kerol Saçaj/Foto nga: Jutta Benzenberg/ Publikuar nga Qendra LUMI, pjesë e rubrikës “Gratë e lumit Vjosa”

Ajo thekson se profesionalizmi dhe vetëbesimi kanë qene mburoja e saj.

“Kur je e sigurt në atë që përfaqëson dhe e mbështetur në dije dhe argumente, krion një qëndirm që nuk le shumë hapësirë për nënvlerësim”.

Por edhe në përvojën e saj ka pasur raste kur prioriteti i është dhënë një kolegu mashkull, zakonisht për shkak të moshës apo eksperiencës. Kjo tregon se hierarkitë gjinore shpesh ndërthuren me hierarki të tjera, moshën, statusin, pozicionin institucional.

Për Besjanën, dominimin nga burrat e kemi në raste konkrete të aktivizmit mjedisor dhe jo vetëm. Ajo përmend rastin e protestave kundër devijimit të Shushicës.

“Edhe ato pak gra që kanë qenë në protestë nuk mund të themi që e kanë drejtuar kauzën”, sjell në vëmendje ajo.

Presioni, lodhja dhe kostoja emocionale

Në zonat rurale apo qytetet e vogla, pjesëmarrja e grave në protesta mbetet më e ulët.

“Në një shoqëri patriarkale gratë e kanë më të vështirë të jenë zë i fortë,” thotë Besjana.

“Për rrjedhojë pjesëmarrja e tyre në protesta apo takime publike është më e vogël” vijon ajo duke shtuar më tej se shpesh gratë ndjehen më të cënuara se meshkujt dhe mund të jenë lehtësisht të intimidueshme.

Majlinda shkon më tej duke ndarë se stresi i dy viteve të para e çoi në një gjendje shëndetësore të rënduar.

“U lëndova aq shumë sa gati u sëmura nga stresi”, tregoi ajo, ndërsa shtoi se vendosi të vijojë punën vetëm me ata që ishin bashkëpunëtorë dhe kishin një vizion më ndryshe nga komuniteti rural.

Majlinda Hoxha gjatë një proteste në Dibër kundër projektit të Skavicës

Aktivizmi për gratë shpesh është më i kushtueshëm emocionalisht, sepse përballen jo vetëm me presion institucional, por edhe me gjykim social.

Për Kerol, pjesëmarrja e grave në protesta apo takime publike shpesh mund të bëhet më e vështirë për shkak të disa faktorëve socialë dhe kulturorë, si përgjegjësitë familjare, mungesa e kohës, apo pritshmëritë tradicionale që vendosen mbi rolin e tyre në shoqëri.

“Në shumë raste, barra e angazhimeve shtëpiake dhe kujdesit për familjen bie më tepër mbi gratë, duke ua kufizuar mundësinë për të qenë aktive në hapësira publike,” analizon Kerol.

Një tjetër element mund të jetë edhe ndjesia e pasigurisë apo mungesa e mbështetjes sociale, sidomos në zona ku angazhimi publik i grave nuk është ende plotësisht i normalizuar”, vijon ajo.

Mes të trejave, mbështetja familjare del si faktor kyç. Besjana e quan “bekim” që e ka pasur. Majlinda, ndonëse u këshillua “të ruante veten”, nuk u la vetëm.

Gjatë protestës së zhvilluar në Dibër kundër HEC-it Skavica

Kerol gjithashtu thekson mbështetjen e familjes.

“Mbështetja e tyre ka qenë një faktor i rëndësishëm që më ka dhënë siguri për të vazhduar përpara dhe për t’u përfshirë pa hezitim në çështje që i kam konsideruar të rëndësishme”, ndan Kerol.

Media dhe zëri i grave

Të treja bien dakord se zëri i grave ka qenë i nën-përfaqësuar. Besjana thotë se mungon synimi për ta përfaqësuar këtë zë në media.

“Zeri i grave në mbrojtjen e lumenjve është pak i përfaqesuar, shpesh janë gratë që hezitojnë të dalin apo të prononcohen, ndërsa nga ana tjetër mungon synimi i përfaqesimit të këtij zëri nga mediat”, u shpreh Besjana.

Megjithatë, ajo shprehet se zëri i saj tashmë është i konsoliduar.

“… por disa vite më parë mendoj që jam parë si një zë dytësor në betejën për mbrojtjen e lumenjve”.

Majlinda shprehet skeptike dhe ka zgjedhur të qëndrojë larg televizioneve.

“Në shoqerinë shqiptare një grua etiketohet më shpejt se një mashkull, qoftë edhe për t’u bërë meme e ditës”, ndan Majlinda.

Sipas një studimi të titulluar “Sfidat e grave mbrotjëse të të drejtave të njeriut në internet”, kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim tregon se gratë aktiviste punojnë në një klimë jo miqësore. Kërcënimet, bullizmi janë disa nga fenomenet që i prekin ato në hapësirën online.

83% e të intervistuarave kanë raportuar se janë prekur të paktën një herë nga sulmet online në punën që ato bëjnë,”, thuhet në raport.

Me zhvendosjen e mediave tanimë në hapësirën online, është zhvendosur edhe gjuha e urrejtjes apo ajo seksiste.

“92% e të intervistuarave mendojnë se shkeljet dhe abuzimet online nuk trajtohen njëlloj me ato ‘offline’, duke theksuar se abuzimet në internet raportohen më pak dhe gjithashtu trajtohen me më pak seriozitet”.

Kerol, nga ana tjetër mendon se për një kohë të gjatë zëri i grave nuk ka pasur gjithmonë hapësirën e merituar në media, sidomos në çështje publike dhe vendimmarrëse.

“Megjithatë, vitet e fundit vihet re një ndryshim i dukshëm pozitiv. Gratë dhe vajzat po marrin gjithnjë e më shumë përparësi në raportim dhe prania e tyre në media është bërë më e dukshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për angazhime sociale, mjedisore apo kauza lokale”, shprehet ajo.

Lexo gjithashtu:

The post Në vijën e parë, por larg megafonëve: Gratë në aktivizmin mjedisor appeared first on Citizens.al.

Resorti “Blue Borgo”: Banorët përplasen me policinë, punimet vijojnë

4 February 2026 at 16:45

Projekti i kompanisë “Gener 2” për të kthyer një pjesë të bregdetit mes Shëngjinit dhe Velipojës në një resort luksoz me emrin “Blue Borgo” ka nxitur sërish përplasje me banorët e zonës.

Prej së hënës dhjetëra banorë të Baks-Rrjollit në Shkodër, të cilët pretendojnë se ndërtimi po bëhet duke shkelur mbi të drejtat e tyre për pronën, janë në protestë.

Ata kërkojnë që punimet të pezullohen deri në një vendim nga gjykata. Përplasja mes tyre, policisë dhe grupit të investitorëve vijon prej vitit të shkuar, kur edhe atëherë kompania provoi të niste punimet në zonë.

Nga njëra anë qëndron një leje ndërtimi e firmosur nga qeveria dhe një investitor strategjik. Nga ana tjetër, dhjetëra familje që pretendojnë se investimi po bëhet pa pëlqimin e tyre, mbi toka të grabitura përmes dokumentesh të falsifikuara.

Përplasja me policinë dhe përshkallëzimi i çështjes

Të martën, rreth 30-40 banorë u shoqëruan në komisariat pasi bllokuan rrugën Shëngjin-Velipojë dhe u përpoqën të ndalnin punimet. Protesta vijoi edhe sot, ngjashëm, me bllokim të rrugës çka u shoqërua sërish me përplasje me policinë.

Pas rreth një ore pritjeje për ambulancë, një prej protestuesve, i cili humbi ndjenjat, u transportua me urgjencë për në spital.

Banorët paralajmëruan se të enjten do të udhëtojnë drejt Tiranës për t’iu drejtuar Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, ku prej marsit të vitit të kaluar kanë depozituar një kallëzim për çështjen e pronësisë, pa marrë ende një përgjigje publike.

Paralelisht, në zonë, kompania “Gener 2” vijon punimet. Makineritë e saj kishin hapur trasenë e rrugës dytësore për në kantier. Kamionë dhe makineri të rënda po lëviznin dherat, teksa një grup punonjësish qëndronin në anë, përballë protestuesve.

Pas përplasjeve dhe sinjalizimeve të banorëve, buzë rrugës ishte vënë një tabelë, e cila pavarësisht se fliste për projektin, nuk shoqërohej me lejen e zbardhur dhe firmosur të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU).

Zona e Baks-Rrjollit në Velipojë ku pritet të ngrihet resorti Blue Borgo/Citizens.al

Tabela tregonte se investimi përllogaritet në vlerën prej rreth 26.8 miliardë lekë (280 milionë euro) dhe se kompania “Gener 2” kishte marrë licencë zbatimi për projektin (NZ. 4586/34) më 16 shtator 2025. Kjo nënkupton se kompania kur provoi të hapte kantierin në mars 2025 nuk kishte licencë.

Në letër, KKTU e ka dhënë lejen e ndërtimit të resortit më 17 dhjetor 2024 – e zbardhur vetëm në janar 2026 në web-faqen e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. Vendimi parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, përfshirë struktura hoteliere dhe sociale-kulturore.

Zona e zhvillimit parashikohet në rreth 146 hektarë mes “Ranës së Hedhun” dhe Rrjollit.

Sipas Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për projektin “Blue Borgo” qe zhvilluar konsultim publik në shtator 2024, në kuadër të procedurave për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM).

Konsultimi është pasqyruar në përmbledhjen jo-teknike të raportit mjedisor, ku projekti prezantohet si zhvillim turistik me ndikim të menaxhueshëm në mjedis.

Tabela e vendosur në kantierin e resortit “Blue Borgo”/Citizens.al

Në dhjetor 2024, projekti ka përfituar statusin e investitorit strategjik për strukturë akomoduese me pesë yje, duke i hapur rrugë përparësive procedurale dhe mbështetjes institucionale. Megjithatë, referuar një korrespondence të Citizens.al me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), deri në maj 2025, “i vetmi projekt me status aktiv” ishte projekti “Dukagjini Resort” me subjekt “Dukagjini Group”.

Sidoqoftë, këto vendimmarrje janë marrë paralelisht me një konflikt të hapur pronësie në zonë, i cili po kundërshtohet nga banorët dhe është ende në proces gjyqësor, duke e kthyer projektin në një nga rastet më të debatuara të zhvillimit turistik të momentit për bregdetin në veri.

Konflikti i pronës: Ligjshmëri formale, konflikt real

Thelbi i përplasjes nuk lidhet vetëm me përmasën e projektit, por me pronësinë e tokës. Banorët pretendojnë se parcela të trashëguara prej dekadash janë regjistruar në emër të palëve të treta përmes dokumenteve të falsifikuara dhe më pas janë shitur te investitori.

Pikërisht kjo çështje është objekt i një procesi gjyqësor ende në zhvillim. Banorët kërkojnë që, në kushtet e një konflikti të hapur pronësie, punimet të ndalen deri në një vendim përfundimtar, për të shmangur një situatë të pakthyeshme.

Megjithatë, leja e ndërtimit nuk parashikon asnjë klauzolë pezullimi në rast kontestimi gjyqësor, duke e zhvendosur konfliktin nga salla e gjyqit në terren, mes banorëve dhe policisë.

Kompania “Gener 2” reagoi vitin e shkuar duke theksuar përmes një njoftimi për shtyp se pretendimet janë spekulime dhe se ajo garantonte se “gjatë gjithë procesit, nuk ka shkelur të drejtat e pronës së askujt”.

Sipas lejes, subjekti zhvillues i projektit është shoqëria “ABA Blue Borgo”, e themeluar në janar 2024. Por, ajo është pjesë e grupit “Gener 2”, në pronësi si aksioner kryesor të sipërmarrësit Bashkim Ulaj.

Pamje e zonës bregdetare të Rrjollit dhe zona që parashikohet të merret për shfrytëzim nga resorti Blue Borgo.

Dokumentet tregojnë ndryshime të shpeshta në strukturën e ortakëve dhe transferime kuotash gjatë viteve 2024-2025, një element që banorët e përdorin si argument shtesë për të shtuar pretendimet për abuzime të mundshme.

Rasti i Rrjollit ndjek një model të njohur në zhvillimet turistike të viteve të fundit: projekte të mëdha të miratuara në nivel qendror, mbi toka me histori të paqarta pronësie, ku banorët përballen përpara faktit të kryer.

Ndërsa shteti e konsideron projektin si investim strategjik, banorët mbeten përballë vetëm një alternative: Zhvendosjes së pretendimeve në rrafshin juridik, çka nënkupton largimin nga prona.

Në mungesë të një reagimi publik nga SPAK apo nga qeveria që ka miratuar lejen, përplasja duket se do të thellohet pasi asnjë prej banorëve nuk duket se do të tërhiqet.

Lexoni gjithashtu:

The post Resorti “Blue Borgo”: Banorët përplasen me policinë, punimet vijojnë appeared first on Citizens.al.

Banorët e ish-Kënetës: Përmbytje të përsëritura, dëme të pambuluara

12 January 2026 at 17:18

“Dëmet kalojnë mbi 15 milionë lekë. Hajde shikoji vetë dhe le t’i vlerësojë kush të dojë.” Kështu e përshkruan situatën Aurel Mrroku, banor i ish-Kënetës në Durrës, i zhvendosur aty prej më shumë se 30 vitesh.

Edhe pse ka kaluar një javë nga reshjet e dendura që përmbytën disa zona të vendit, situata në terren mbetet problematike në Durrës.

Në ish-Kënetë, uji vijon të bllokojë hyrjet e shtëpive dhe jetën e përditshme të banorëve, disa prej të cilëve janë kthyer në banesa për të bërë llogaritë e dëmeve.

Citizens ishte pranë tyre dhe pa nga afër gjendjen e vështirë të shkaktuar nga përmbytja. Elektroshtëpiake, mobilje, krevate dhe veshje jashtë përdorimit, për të mos thënë pastaj për kushtet e banesave, shumica prej të cilave u ishin dëmtuar dyert.

Të dëshpëruar, banorët thanë se përmbytjet ishin kthyer në një rutinë vjetore pa zgjidhje afatgjatë. Por njëzëri ata konfirmuan se kjo ishte ndër përmbytjet më të mëdha që kishin pësuar.

Çdo vit të përmbytur, dëmshpërblimet mungojnë

Mrroku tregoi se shtëpia e tij ishte përmbytur për të tretin vit radhazi. Ai tha se nuk kishte marrë asnjëherë kompensim për dëmet, gjë e cila e kishte bërë shumë pesimist për përmbytjen e radhës.

Sipas tij, situata zor se do të ndryshojë. “Janë mësuar njerëzit. Përmbytu një herë, dy herë, tre herë. S’vjen njeri ta blejë shtëpinë, as ta falë,” thotë ai.

Gjendja e jashtëzakonshme nuk u shpall, edhe pasi kishte kaluar një javë nga përmbytja dhe qindra banorë ishin detyruar të shpërnguleshin. Shpallja do ta detyronte qeverinë të merrte më shumë përgjegjësi për ndihma dhe dëmshpërblim të të prekurve.

Në një postim në rrjetet sociale, kryetarja e Bashkisë Durrës Emiriana Sako tha se ishin verifikuar 1,314 banesa. Nga këto, për 527 raste ishin mbajtur aktet e konstatimit të dëmeve.

Megjithatë, banorët thonë se procesi mbetet i paqartë dhe pa transparencë. Askush nuk u ka shpjeguar se kur dhe si do të dëmshpërblehen.

Shtëpia e përmbytur e Llesh Lleshaj/Citizens.al

Llesh Lleshaj, një tjetër banor i zonës, është shpërngulur nga banesa e tij. Aktualisht ai po qëndron në ambientet e Kavalishencës, rezidencë qeveritare për pritje zyrtare.

Lleshin e takova jashtë shtëpisë së tij, teksa kishte ardhur për të parë dëmet dhe punën e zjarrfikëseve që po përpiqeshin të hiqnin ujin me pompa.

Ai tregoi se natën e parë pas përmbytjes fjeti në makinë. Më pas u zhvendos, ndërsa uji kishte hyrë deri në 60 centimetra lartësi brenda shtëpisë.

“Të gjitha tubacionet janë të bllokuara,” tha Lleshaj. Sipas tij, punonjës të bashkisë erdhën vetëm simbolikisht dhe pa ndërhyrje reale, pavarësisht ankesave të banorëve të zonës.

“Erdhën një ditë ato të bashkisë,  u ulën hëngrëm e pinë… A e mbaruat? Po, po e mbaruam! I thashë për njerëzillëk bëni, sikur punoni,” tregoi Lleshaj.

Familje të tjera ndodhen gjithashtu në kushte kritike dhe në limit të mbijetesës. Familja Sina tha se deri tani ishte ndihmuar vetëm nga shoqata “Fundjavë Ndryshe”.

Orenditë e shtëpisë i kishin nxjerrë në ballkon pasi ishin lagur dhe konsiderohen të pashfrytëzueshme.

“Për Vitin e Ri i blemë. Këtë vit i vendosëm. Na gjeti viti me copa,” tregoi Entela Sina teksa bashkëshorti i saj shtoi se përfaqësues të bashkisë u kishin thënë të përpilonin disa dokumente. Por ai nuk kishte asnjë informacion për procedurën e dëmshpërblimit.

Situata e përmbytjeve solli zemërim dhe protesta përpara bashkisë së qytetit. Qytetarët u mbështetën edhe nga forcat opozitare dhe partitë e reja si Lëvizja Bashkë, kërkuan shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Ndërkohë, banorë të ish-Kënetës tentuan dy herë të takonin kryetaren e bashkisë. Emriana Sako reagoi vetëm përmes rrjeteve sociale. Ajo nuk mbajti asnjë deklaratë publike dhe nuk u përball me protestuesit.

“Fondet janë, buxheti është, por administrata është shkatërruar,” u shpreh Flamur Balaj gjatë protestës.
Ai tha se protestat nuk do të ndalen pa largimin e përgjegjësve politikë.

Në protestë u bashkuan edhe grupe që kundërshtojnë projekte të tjera urbanistike në Durrës. Aktivistja Rita Kazazi kritikoi qeverinë për mungesë reagimi institucional.

“Pse nuk e shpall kryeministri emergjencën? Ka frikë se do t’i paguajë lekë kesh? Veshin çizmet për foto dhe ikin në shtëpi,” tha ajo. Sipas saj, emergjenca nuk shpallet për të shmangur pagesat e dëmshpërblimeve.

Dorina Prethi, nënkryetare e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, tha se qytetarët ndihen të shantazhuar.
Sipas saj, banorët kanë frikë se protesta do t’i penalizojë për dëmshpërblimin.

“E drejta e dëmshpërblimit ju takon të gjithëve,” tha Prethi teksa shtoi se fondet ekzistojnë, por mungon vullneti politik.

Ndërsa uji tërhiqet ngadalë, pasiguria mbetet. Banorët e ish-Kënetës thonë se përmbytjet janë bërë pjesë e jetës, ndërsa zgjidhja vazhdon të mungojë.

Lexoni gjithashtu:

The post Banorët e ish-Kënetës: Përmbytje të përsëritura, dëme të pambuluara appeared first on Citizens.al.

Zërat qytetarë kundër betonit frymëzuan komunitetet

30 December 2025 at 12:00

Transformimi urban në Shqipëri vijoi të prodhojë konflikte përgjatë vitit 2025. Zakonisht, debati ndahet mes atyre që e shohin këtë zhvillim si modernizim estetik dhe atyre që e kritikojnë atë kryesisht nën dyshimin për interesa të errëta ekonomike.

Por përtej këtij polarizimi, një fakt mbetet i padiskutueshëm, ndikimi i thellë që ky transformim urban ka dhënë dhe po jep te komunitetet lokale. Citizens.al është munduar t’u japë gjithmonë vëmendje zërave qytetarë dhe të përcjellë të parin shqetësimet e tyre.

Projektet e ndërtimeve masive, rikualifikimeve urbane dhe infrastrukturore në Shqipëri zhvillohen shpesh pa konsultime me banorët që preken prej tyre. Objektet nuk vlerësohen si duhet për shpronësim, nuk respektohet trashëgimia, hapësirat, distancat me godinat ekzistuese, shpesh ndërtohet në tejkalim të lejeve etj.

Për rrjedhojë, ky zhvillim ka nxitur pasiguri mbi pronën dhe strehimin duke ngjallur rezistencë qytetare në zona të ndryshme të vendit në rastet kur projektet trokasin dyerve të shtëpive apo institucioneve.

Të tilla ishin rastet e banorëve pranë qendrës kulturore “Ten”, shkollës “Emin Duraku” dhe ata të një pallati te Astiri në Tiranë, banorët e lagjes historike dhe zonës së ish-kabinave të plazhit në Durrës, apo dhe banorët e zonës së Rrjollit në Velipojë.

Mes dëbimit dhe pasigurisë së strehimit

Dy komunitete në Durrës u përballën me largim nga shtëpitë e tyre, për arsye të ndryshme. Në “lagjen 13”, 32 familje u gjetën në rrugë në prag të festave, pasi godinat ku banonin që nga vitet ’90 iu kalua pronarit me një proces të cilin ata e kontestojnë.

Banorët, të cilët u vendosën te ish-kabinat e plazhit rreth 30 vite më parë si përfitues nga statusi pastrehë, thonë se morën vesh vonë vendimin e bashkisë për t’ia kaluar objektin me banorë brenda”. Vetëm një person, me aftësi të kufizuara, mori mbështetje për qira. Të tjerët mbetën pa ndihmë.

Ndryshe është situata në lagjen e Kalasë. Mbi 70 familje mund të shpërngulen për shkak të projektit të rikualifikimit urban të zonës, njohur ndryshe dhe si “TID Durrës”.

Parashikohet dëmshpërblim, por shumica e banorëve e konsiderojnë si të pamjaftueshëm për një zonë kaq strategjike, për më tepër vlera e përllogaritur i referohet çmimeve të 10-15 viteve më parë.

Projekti zbatohet nga Ministria e Kulturës, Bashkia Durrës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Banorët i kanë paditur në Gjykatën Administrative. Paralelisht, kanë bërë kallëzim edhe në SPAK.

Ndërtimet “fasadë më fasadë”

Rindërtimi i qendrës kulturore “Ten” në rrugën Myslym Shyri në Tiranë, parashikoi rritjen e godinës nga dy në katër kate. Banorët përreth u alarmuan. Ata u ankuan për mungesën e konsultimit dhe rrezikun që ndërtesat e tyre të dëmtoheshin nga ana strukturore ose të mbeteshin pa dritë dhe ajrim.

Ata iu drejtuan Citizens.al. Bashkia Tiranë deklaroi se projekti përputhej me Planin e Përgjithshëm Vendor dhe nuk dëmtonte ndërtesat afër. Megjithatë, punimet u ndërprenë në mars, për arsye të paqarta. Sot, banorët janë në proces gjyqësor me bashkinë dhe kompaninë zbatuese.

Një tjetër konflikt shpërtheu pranë shkollës “Emin Duraku”, në ish-Bllok. Këtë herë bëhej fjalë për një kullë 16-katëshe, me katër kate nën tokë dhe rreth 10 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi.

Banorët protestuan, duke nxjerrë si shqetësim kryesor jo vetëm humbjen e hapësirave të përbashkëta, por edhe rrezikun e një ndërtimi të tillë pranë një shkolle që frekuentohet nga fëmijë të shumtë. Megjithatë, me kalimin e kohës, rezistenca u zbeh.

“Pjesa më e madhe e banorëve është tërhequr, edhe pse çështja është në Gjykatën e Tiranës”, tha avokati Redon Meksi për Citizens.al.

Ky grup banorësh duket se e ka pasur të vështirë të gjejë një inxhinier të gatshëm të angazhohet si ekspert për të analizuar parregullsitë e projektit e që përmes saj më pas të kërkohej sigurimi i padisë.

Megjithatë ky vit pati edhe raste ku komunitetet arritën fitore, qoftë dhe të pjesshme. I tillë ishte rasti i një grupi prej 24 familjesh, të cilët me mbështetjen e organizatës “Drejtësi Sociale”, siguroi legalizimin e banesave pas protestave para Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Përmes avokatit Gentian Serjani, grupi i zonës së Astirit, ia ka dalë që të ndërhyjë dhe përshpejtojë procedurat duke i dhënë fund një anashkalimi prej rreth 20-vitesh.

Ndërkohë, në Rrjoll të Velipojës, banorët panë pezullimin e projektit të resortit turistik “Blue Borgo”. Ata protestuan, madje dhe u përplasën me policinë duke iu drejtuar më pas dhe SPAK-ut për çështjen e pronësisë.

Prek Molla, banor i zonës, tregoi se prej marsit nuk ka pasur tentativa për rikthim të punimeve.

“Pati një tentativë për marrëveshje, por pas skandalit [të korrupsionit] me [ministren Belinda] Ballukun, investitori u tërhoq”, tha ai.

Këto raste të hasura këtë vit, tregojnë edhe njëherë se konfliktet e përsëritura urbane fshehin pas modelin e projekteve të mëdha që aplikohen me përgjegjësi dhe kosto sociale të paqarta dhe pa konsultim publik.

Rezistenca qytetare mbetet një nga pak mekanizmat që duket se i vë frenë proceseve të tilla.

The post Zërat qytetarë kundër betonit frymëzuan komunitetet appeared first on Citizens.al.

Gjykata pushon padinë SLAPP ndaj banorëve të Kaçinarit

23 December 2025 at 15:52

Gjykata e Lezhës pushoi padinë e kompanisë “Shpërdhaza-Energji” ndaj dy banorëve të zonës së Kaçinarit në Mirditë, të cilët qenë akuzuar për shpifje dhe prishje imazhi. Vendimi mbyll një proces të konsideruar gjerësisht nga grupet kundër hidrocentraleve si përpjekje për të heshtur rezistencën e komuniteteve.

Padia ishte ngritur ndaj Gjergj Dedës, kryeplak i fshatit Simon, dhe Gjon Ndojt, pas deklaratave kundër ngritjes së katër hidrocentraleve nga “Shpërdhaza-Energji” në fshatrat e Mirditës.

Padia qe depozituar më 17 mars dhe lidhej me qëndrimet e shprehura nga dy banorët në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të Mirditës, që ishte mbajtur tre javë më përpara, më 24 shkurt.

“Kam thënë s’kanë dokumente, s’kanë leje mjedisore, ujore,” tha Deda për Citizens.al, sipas së cilit kompania ka vepruar në kundërshtim me ligjin.

Sipas avokatit të banorëve, Marash Logu, kompania i cilësoi deklaratat si të pavërteta dhe cenuese për reputacionin e saj.

Mirëpo, pas rreth nëntë muajsh, gjykata ka vendosur ta pushojë çështjen. Shkak është bërë mosparaqitja e vazhdueshme e përfaqësuesve ligjorë të kompanisë. Si rrjedhojë procesi nuk avancoi kurrë në shqyrtim themelor.

Paditë SLAPP si mënyra për të heshtur banorët

Paditë e tilla, të cilat synojnë kryesisht frikësimin dhe stepjen e zërave kundërshtues, njihen shkurtimisht si “SLAPP”.

Rasti i Kaçinarit nuk është i izoluar. Në tetor 2025, banorët e Zall Gjoçajt që prej vitesh protestojnë kundër hidrocentraleve në atë zonë u gjendën të paditur për shpifje dhe fyerje nga kompania “Seka Hydropower”.

Kompania pretendon se tre banorët e paditur gjatë organizimit të një proteste në Lufaj të Mirditës në korrik 2025, i kanë dëmtuar figurën, përmes komunikimit që kanë pasur për mediat. Çështja vijon të trajtohet nga gjykata e Lezhës.

Organizata dhe juristë vërejnë se paditë SLAPP po përdoren shpesh nga kompani private për të intimiduar komunitetet që kundërshtojnë projekte me ndikim mjedisor.

Këto padi nuk synojnë domosdoshmërisht suksese ligjore, por lodhjen psikologjike dhe financiare të aktivistëve, përmes proceseve të gjata gjyqësore.

Diana Malaj, juriste dhe përfaqësuese e grupit ATA, i cili ka mbështetur vazhdimisht komunitetet në kundërshtimin e projekteve të HEC-eve, theksoi për Citizens.al se pasojat janë të thella dhe afatgjata.

“Mund të shoqërohet më demotivim të aktivistëve, stres e depresion, […] me një presion të jashtëm e periferik, që mund t’u vijë nga persona të tjerë të rrethit të tyre familjar apo miqësor,” analizon Malaj.

“Mundet t’i rëndojë shpirtërisht fakti që bëhen pjesë e një procesi penal, pra ndihen të kriminalizuar”, vijoi ajo.

Në Shqipëri nuk ekziston ende një kuadër i posaçëm ligjor kundër padive SLAPP. Megjithatë, sipas Malajt, janë planifikuar ndryshime deri në verën e vitit 2027, përfshirë transpozimin e Direktivës Anti-SLAPP të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes dhe të drejtën e protestës, të cilat shpesh sprovohen përmes këtyre padive.

Por, sipas Malajt, efektet e padive SLAPP mund të jenë edhe të kundërta.

“Ato mund të riaktivizojnë solidaritetin dhe të forcojnë këmbënguljen për të protestuar e folur publikisht,” tha ajo teksa nënvizoi se këto efekte shpesh anashkalohen nga paditësit.

Banorët e Kaçinarit kundërshtojnë projektin e katër hidrocentraleve të “Shpërdhaza-Energji” që prej vitit 2019. Ata pretendojnë mungesë konsultimi publik, shkelje ligjore dhe falsifikim të firmave të banorëve.

Protestat janë zhvilluar në bjeshkë, para Ministrisë së Infrastrukturës, por edhe para Gjykatës së Lezhës.

Shqetësimi kryesor mbetet devijimi i burimeve ujore dhe dëmet mjedisore, që sipas banorëve mund të jenë të pakthyeshme nëse punimet vijojnë.

Lexo gjithashtu:

The post Gjykata pushon padinë SLAPP ndaj banorëve të Kaçinarit appeared first on Citizens.al.

“Shqipëria Bëhet” dhe e drejta për të protestuar

19 December 2025 at 17:10

Prej datës 8 dhjetor, lëvizja “Shqipëria Bëhet” proteston ditë-natë përpara Kryeministrisë. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, pas skandaleve korruptive të njëpasnjëshme.

E drejta për tubime është e garantuar nga Kushtetuta dhe ligji, megjithatë, Policia e Shtetit ka ndërhyrë disa herë duke hequr çadrat dhe një gjenerator që ishte dhuruar për t’u ardhur në ndihmë protestuesve.

Ekspertë ligjorë vlerësojnë se veprimet përbëjnë cenim të së drejtës për protestë.

“Arsyetimi i policisë nuk ishte arsyetim ligjor”

Protesta nisi simbolikisht “me vetëm një karrige”, sipas kryetarit të lëvizjes, Adriatik Lapaj.

Më 8 dhjetor, krahas organizimit të protestës, partia njoftoi policinë për vendosjen edhe të disa çadrave kampingu, të cilat do t’i ndihmonin protestuesit gjatë natës. Qëllimi ishte përballimi i kushteve të vështira atmosferike.

Por, Drejtoria e Policisë Tiranë e refuzoi kërkesën. Sipas përgjigjes që mban firmën e Drejtorit Elton Alushi, çadrat pengonin qarkullimin e emergjencave dhe transportin, një pretendim i cili është hedhur poshtë nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet”.

Nënkryetarja Dorina Prethi ka replikuar se çadrat do të përdoreshin vetëm natën.

“Duke qenë se natyra e kësaj proteste është pa ndalim dhe kushtet atmosferike janë të ashpra, veçanërisht natën, ju informojmë që do të përdoren çadra kampingu vetëm natën,” ka qenë replika e Prethit.

Por, Policia e Shtetit duket se nuk e mori në konsideratë këtë replikë dhe njoftim të vazhdueshëm të Lëvizjes. Më 9 dhjetor, ajo ndërhyri duke marrë forcërisht çadrat e hapura nga protestuesit.

I njëjti veprim u përsërit më 12 dhjetor, ku policia ndërhyri sërish me forcë duke hequr çadrat pavarësisht se brenda tyre ndodheshin disa vajza protestuese.

Lexo: Përditë para Kryeministrisë, protesta ndryshe e “Shqipëria Bëhet”

Avokati Gentian Sejrani, i cili ka organizuar dhe ndërmjetësuar protesta të ndryshme nga shoqëria civile, e cilëson arsyetimin e policisë jo të argumentuar ligjërisht.

Sipas tij, policia kishte alternativa ligjore për menaxhimin e situatës. Devijimi i përkohshëm i qarkullimit ishte një prej tyre.

“Mund të vendosnin qoftë dhe një polic gjatë ditës, ose natës për të orientuar kalimin e automjeteve,” komentoi Sejrani.

Protestuesit e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” janë vendosur në trotuarin poshtë shkallëve kryesore të Kryeministrisë. Shkallët shërbejnë kryesisht si hyrje e Qendrës për Hapje dhe Dialog, teksa Kryeministria organizon dhe kryen aktivitetet e përditshme nga hyrja anësore dhe ajo e pasme e godinës.

Më 15 dhjetor, gjatë protestës së Partisë Demokratike, policia kërkoi zhvendosjen e protestuesve të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”.

Sipas avokatit Sejrani, masa u justifikua për shmangien e përplasjeve mes dy tubimeve. Ai theksoi si problematike faktin se Bashkia Tiranë nuk u është përgjigjur kërkesave për t’u mundësuar protestuesve energji elektrike.

Një gjeneratori i sjellë nga një përkrahës i lëvizjes nga Londra u hoq nga policia. Lapaj tha për Citizens.al se ishte e pakuptueshme se pse organizime dhe protesta të tjera furnizohen me energji ndërsa ata jo.

Ai e cilësoi situatën si trajtim të pabarabartë për bindje politike.

“Çfarë ndryshimi ka nga aparteidi i Afrikës së Jugut kjo, ku qytetarët trajtoheshin në dy kategori, në qytetarë të bardhë dhe me ngjyrë, ndërkohë ne trajtohemi në dy kategori për shkak të bindjeve politike,” theksoi ai.

“Koha jote mbaroi!” ka qenë thirrja e vazhdueshme e protestave të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” e cila nënkupton dorëheqjen e Kryeministrit Rama dhe vendosje ne një qeverie teknike për dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Dhunë ndaj vajzave protestuese

Protestuesit e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” raportojnë katër përplasje me policinë në rreth dhjetë ditë protesta. Dy për çadrat, një për gjeneratorin dhe një gjatë protestës së PD-së.

Edona Haklaj thotë se çadra u tërhoq pa u kontrolluar nëse kishte persona brenda. Ajo tregon për përdorim force edhe pas ndërhyrjes së kamerave të mediave.

“Edhe kur e morën vesh se ishim brenda, na dhunuan,” thotë Haklaj.

“Kur të çlirohet politikisht Shqipëria, policinë do ta ndajmë nga pushteti dhe do ta kthejmë vërtetë siç ka emrin, të shtetit, komentoi Lapaj rreth dhunës policore.

Sipas Edonës, me qasjen që është parë nga policia, në trotuarin e protestave të “Shqipëria Bëhet”, lejohen vetëm karrige dhe mjete të improvizuara mbrojtjeje nga i ftohti si për shembull një rrethim prej kartoni që pengon erën. Përkundër kësaj gjendjeje, ajo thekson se çadrat përdoren gjerësisht si simbol proteste në botë.

“Kemi pafund raste në botë ku çadrat përdoren edhe si simbolika! Është mjet që nuk ‘procedohet penalisht’ në asnjë vend të botës,” theksoi ajo.

Sajmira Hoda, një tjetër protestuese e lëvizjes, ka zgjedhur të qëndrojë pavarësisht presioneve.

Ajo tregoi për Citizens.al se familja e saj jeton jashtë, por vetë ka zgjedhur të qëndroj për të dhënë një kontribut politik, për ndryshimin e situatës ku ndodhet vendi.

“Kishte policë që tentuan të na preknin, por për shkak të kamerave të shumta stepën, u thoja ‘Hiqni duart!” tregoi ajo.

Hoda thotë se familja e saj nuk është plotësisht dakord me qëndrimin gjatë natës jashtë, por ajo ka vendosur të qëndroj deri në fund.

“Frikë nuk kam, për shkak se po ushtroj të drejtën time. Kam marrë parasysh çdo gjë, që kur kam ardhur këtu,” theksoi ajo.

The post “Shqipëria Bëhet” dhe e drejta për të protestuar appeared first on Citizens.al.

Rikthimi i ministres Balluku në detyrë pritet me protestë nga Lëvizja Bashkë

15 December 2025 at 16:46

Rikthimi në detyrë i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u prit me reagime të forta nga Lëvizja Bashkë, e cila e ka konsideruar simbol të pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të pushtetit.

“Balluku në burg!” ishte parulla që Lëvizja Bashkë shkroi në muret dhe derën kryesore të ministrisë paraditen e së hënës, teksa bënë thirrje për një protestë të përgjithshme para Kuvendit të enjten.

Sipas Lëvizjes, rikthimi i Ballukut në detyrë përbën fyerje për qytetarët e ndershëm dhe minon besimin publik te drejtësia dhe institucionet shtetërore.

Parullat u fshinë menjëherë nga administrata e ministrisë, pa asnjë reagim zyrtar mbi aktin protestues.

Gjykata Kushtetuese vendosi të premten rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut, të cilën Prokuroria e Posaçme e akuzon për abuzime me tenderët e disa prej veprave më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

Vendimi erdhi pas shqyrtimit të ankimimit të Kryeministrit Edi Rama kundër një vendimi të mëparshëm të Gjykatës së Posaçme, e cila e kishte pezulluar nga angazhimi në qeveri.

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, e cilësoi aksionin e së hënës simbolik dhe shprehje të indinjatës qytetare ndaj sipas tij, një “realiteti institucional të deformuar”.

Ai theksoi se Balluku administron një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit. Ndërkohë, SPAK ka ngritur akuza për abuzime me tenderë, me një dëm të pretenduar prej 50 milionë eurosh.

Muçi krahasoi rastin me situatën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim. Sipas tij, kjo krijon standarde të dyfishta në trajtimin e pushtetit.

“Nga njëra anë kemi ministren që mban në dorë pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit, ndaj së cilës ka akuza të rënda për abuzime në tenderë,” tha Muçi, ndërsa nga ana tjetër “kemi një kryetar bashkie që ndodhet në paraburgim dhe që pretendon që këshilli bashkiak t’i marrë mendimin nga qelia për miratimin e buxhetit të bashkisë”.

Lëvizja ka paralajmëruar një protestë tjetër ditën e enjte, në orën 18:00, para Kuvendit. Kërkesat përfshijnë dorëheqjen e Kryeministrit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Më herët, lëvizja protestoi kundër buxhetit të vitit 2026, duke e cilësuar atë të pabarabartë dhe përjashtues për shtresat më të varfra të shoqërisë.

Lexo gjithashtu:

The post Rikthimi i ministres Balluku në detyrë pritet me protestë nga Lëvizja Bashkë appeared first on Citizens.al.

Përditë para Kryeministrisë, protesta ndryshe e “Shqipëria Bëhet”

12 December 2025 at 18:02

Prej 8 dhjetorit, një grup qytetarësh dhe aktivistësh të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, të drejtuar nga Adriatik Lapaj, po mban një protestë të vazhdueshme para Kryeministrisë.

Ata kundërshtojnë qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama për të mos shkarkuar zv.kryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për abuzime me tenderët publikë.

Lëvizja e konsideron këtë qasje shembull të degradimit të qeverisjes dhe për këtë kërkon detyrimin për ta larguar qeverinë aktuale, vendosjen e një qeverie teknike dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Qëndresa e përditshme para Kryeministrisë

Grupi i aktivistëve dhe qytetarëve është vendosur në mjedis të hapur, në trotuarin buzë Kryeministrisë dhe e vazhdon protestën pavarësisht temperaturave të ulëta.

Protesta nisi më “8 Dhjetor”, ditën që përkujton lëvizjen e dhjetorit 1990, e cila shënoi nisjen e fundit të diktaturës në Shqipëri. Edona Haklaj, tregoi për Citizens.al se vendimi për protestën erdhi pas diskutimeve dhe dakordësisë në lëvizje se përballë përshkallëzimit të çështjeve korruptive në qeveri, nevojitej medoemos një reagim.

Ajo vetë mundi t’i bashkohej plotësisht protestës ditën e dytë, por tregoi se gjendja ishte e vështirë pasi në ditët e para përpjekja për të ngritur çadra kampingu, të cilat do të përdoreshin nga aktivistet vajza u ndalua nga punonjësit e policisë.

“Arsyetimi ishte absurd kinse ne pengonim qarkullimin e rrugës, në një kohë kur ne jemi vendosur në trotuar,” theksoi Haklaj.

Me kalimin e ditëve, angazhimit iu bashkuan edhe aktivistë dhe qytetarë të tjerë. Mëngjesin e së premtes, grupi ishte me të paktën 10 protestues të cilët e kishin kaluar natën e katërt jashtë.

Për t’u mbrojtur nga i ftohti kishin improvizuar një rrethim me kartonë, të cilët mbaheshin nga karriget. Qytetarë të ndryshëm u kishin sjellë ushqime, ujë, batenie, teksa tre arka me mandarina qëndronin krah megafonit.

“Vështirësia më e madhe është gjatë netëve, pas orës 2-3 ku bëhet shumë ftohtë,” tregoi Haklaj.

Por sipas Haklajt, mbështetja që po u vjen nga qytetarët i ka inkurajuar ata të vijojnë më tej.

Gjatë ditës, qytetarë të ndryshëm ndalen dhe shkëmbejnë biseda me Lapajn dhe aktivsitë të tjerë, ndërsa çdo mbrëmje ora 17:00 shënon momentin kryesor të tubimit, ku fjalime dhe thirrje të ndryshme përcillen “Live!” edhe në rrjetet sociale.

Lapaj tha për Citizens.al se numri i pjesëmarrësve në këto tubime të pasditeve është në rritje. Ai beson se qëndresa e zgjatur mund të krijojë presion të mjaftueshëm për dorëheqjen e Kryeministrit.

Në këtë këndvështrim, ai e përshkruan sheshin si hapësirë të hapur për të gjithë qytetarët pa logo partie, ku secili ta shprehë hallin e vet përballë “autokracisë”, siç e cilëson ai qeverisjen aktuale.

Kërkesa: Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira

Për protestuesit, mosveprimi i Kryeministrit ndaj zëvendëskryeministres Balluku tregon normalizimin e korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit. Lapaj argumenton se një qeveri që mban në detyrë një zyrtare nën hetim penal ka humbur legjitimitetin moral. Sipas tij, ky rast është simbol i krizës më të gjerë të llogaridhënies dhe transparencës në qeveri.

Përballë kësaj gjendjeje, Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, propozon ngritjen e një qeveria teknike njëvjeçare, të përbërë nga intelektualë brenda dhe jashtë vendit, me mandat për reformim të kuadrit zgjedhor.

Qëllimi final, sipas Lapajt, është mbajtja e “zgjedhjeve të para realisht të lira dhe të ndershme pas 34 vitesh pluralizëm”.

Atmosfera në shesh përfshin edhe qytetarë të paorganzuar që kërkojnë ndryshime politike.

“Pretendojmë të hyjmë në Evropë, por kështu [me këtë nivel korrupsioni] nuk na pranon njeri,” tha një qytetar pas takimit mbështetës që pati me Lapajn.

Ai deklaroi se mbështeste çdo protestë, pavarësisht numrit, duke shprehur mosbesim të thellë ndaj premtimeve politike dhe nevojën për standarde europiane të qeverisjes aktuale.

Protesta e përditshme e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” është ndryshe nga të gjitha protestat e deritanishme nga kampi opozitar.

Ajo synon të kthehet në një lëvizje më të gjerë qytetare kundër korrupsionit dhe mungesës së llogaridhënies. Megjithatë, suksesi i saj do të varet nga aftësia për të ruajtur pjesëmarrjen, për të shmangur mbi-politizimin e lëvizjes dhe për të prodhuar presion real ndaj pushtetit.

Në një moment të polarizuar politik, kjo protestë po teston hapësirën që qytetarët kanë për të ndikuar vendimmarrjen qeveritare jashtë mekanizmave të partive tradicionale.

Lexoni gjithashtu:

The post Përditë para Kryeministrisë, protesta ndryshe e “Shqipëria Bëhet” appeared first on Citizens.al.

Lëvizja Bashkë kundër buxhetit 2026: I pabarabartë dhe përjashtues

12 December 2025 at 14:12

Mes pakënaqësisë për rritjen e pabarazisë, abuzimeve dhe orientimin e fondeve publike kryesisht drejt koncesioneve, Lëvizja Bashkë shprehu kundërshtinë e saj ndaj buxhetit të 2026 përmes një proteste para Kuvendit. Ata kërkuan përgjegjësi nga qeveria për abuzimet me detyrën, politika që garantojnë dinjitet dhe minimum jetik.

Buxheti 2026 rikthen Lëvizjen Bashkë para Kuvendit

Mirjeta, pensioniste nga Tirana, thotë se jeton me 17 mijë lekë në muaj. Ajo tregon se pa ndihmën e fëmijëve nuk do të siguronte as bukën e përditshme. Bashkë me shoqen e saj dhe dhjetëra qytetarë, ajo iu bashkua të enjten protestës së Lëvizjes Bashkë para Kuvendit, me thirrjen “Populli kundër korrupsionit dhe varfërisë!”.

Ndërsa qytetarët protestonin, Kuvendi diskutonte buxhetin e vitit 2026. Lëvizja Bashkë e konsideroi atë të pabarabartë, regresiv dhe të ndërtuar mbi politika që rëndojnë shtresat e varfra.

Eduart Koruni, profesionist i sapodalë në pension, tha për Citizens.al se shumica e pensionistëve marrin më pak se 20 mijë lekë në muaj. Ai thekson se kjo shumë nuk mjafton “as për bukë dhe djathë”.

Klodi Leka, nga Lëvizja Bashkë, kritikoi mënyrën e mbledhjes së të ardhurave buxhetore. Ai theksoi pabarazinë e taksimit duke këmbëngulur se “shteti taton 20% bukën, 6% kazinotë dhe 0% investitorët strategjikë.”

Mirela Ruko, anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës si përfaqësuese e Lëvizjes, theksoi peshën që mbajnë mësuesit, mjekët, punëtorët dhe bujqit në ekonominë e vendit. Ajo argumentoi se pasuria e krijuar me mundin e tyre përfundon në projekte klienteliste.

“Ne nuk kemi plaçkë për t’u shitur dhe asnjë ditë për t’u falur atyre,” thirri Ruko teksa shtoi se “nuk jemi popull i varfër, ka kaq vite që grabitemi dhe me mundin dhe djersën tonë ata [pushtetarët] kanë ndërtuar kështjella”.

Protestuesit përmendën pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga detyra në qeveri si simbol të krizës së thellë të korrupsionit që, sipas tyre, ka kapluar pushtetin e Kryeministrit Edi Rama.

Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë, tha se korrupsioni “vret përditë në kantieret e ndërtimit, në miniera dhe në rrugët ku të rinjtë shtyhen drejt kriminalizimit”.

Ai shtoi se 720 mijë pensionistë mbijetojnë vetëm falë solidaritetit familjar.

“Pa ndihmën e fëmijëve, qindra mijëra prej tyre do të ishin duke lypur,” theksoi Qori.

Deputeti Redi Muçi iu bashkua protestës pas debatit në Kuvend, duke kritikuar orientimin e buxhetit të vitit 2026 ku 27% e tij shkon për koncesionet dhe marrëveshjet në partneritet me privatët.

Muçi theksoi se arsimi dhe shëndetësia mbeten në nivele minimale, me vetëm 2.3% dhe 2.9% të PBB-së, larg standardeve të BE-së që ofrojnë dy deri pesë herë më shumë se kaq.

Bora Mema, nga Lëvizja, u shpreh se pabarazitë e thella ekonomike e bëjnë demokracinë vetëm një iluzion. Ajo theksoi se liria e konsumit nuk është liri reale për qytetarët me të ardhura minimale.

“E vetmja liri është për të ditur cilat produkte do të zgjedhim me aq pak qindarka sa kemi në xhep”, u shpreh Mema, e cila bëri një paralele me lëvizjen për ndryshimin e sistemit 35 vite më parë.

Protesta e Lëvizjes Bashkë evidentoi sërish shqetësimin në rritje për pabarazinë sociale, prioritetet fiskale dhe abuzimet me fondet publike.

Për këtë protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe Belinda Ballukut, ngritjen e minimumit jetik, rritjen e pensioneve dhe miratimin e statusit të minatorit.

Lexoni gjithashtu:

The post Lëvizja Bashkë kundër buxhetit 2026: I pabarabartë dhe përjashtues appeared first on Citizens.al.

Hidrocentrale pa kufi: Ballkani “hambar” i HEC-eve të vogla

11 December 2025 at 17:10

Hidrocentralet konsiderohen “burim i gjelbër” energjie për shkak të emetimeve të ulëta të karbonit, por ndikimet e tyre në natyrë dhe komunitetet lokale janë kthyer në shqetësime serioze.

Rritja e projekteve në Ballkan

Ballkani, me burime ujore të shumta, është kthyer në një “hambar” hidrocentralesh të vogla, zakonisht me kapacitete deri në 2MW.

Sipas një monitorimi të organizatave mjedisore EuroNatur dhe RiverWatch, numri i hidrocentraleve është rritur ndjeshëm në Ballkan. Kështu deri në vitin 2024 numëroheshin mbi 5,000 projekte hidrocentralesh.

Nga numri i përgjithshëm, 1,836 janë në punë, 94 në ndërtim dhe pjesa tjetër: 3,188 ende në letër.

Rreth 92% e hidrocentraleve janë më të vogla se 10MW, që prodhojnë energji minimale, por shkaktojnë dëme të pakthyeshme në lumenj dhe komunitete lokale”.

Organizatat mjedisore thonë se gati gjysma e projekteve ndodhen brenda zonave të mbrojtura, duke qenë në kundërshti me qëllimin pse këto zona janë të mbrojtura.

Që nga viti 2022, 110 hidrocentrale të reja kanë nisur punë, duke shkatërruar rreth 1,100 kilometra rrjedhë lumenjsh.

Vendet më të prekura nga “shkatërrimi”

Sipas raportit të EuroNatur dhe RiverWatch, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria dhe Serbia janë “pikat e nxehta” të ndërtimit të digave. Greqia dhe Kroacia duket se po zgjerojnë gjithashtu projektet.

Në Shqipëri, numërohen 27 kantiere dhe 346 projekte në fazë planifikimi. Disa nga më shqetësueset gjenden përgjatë lumit Shkumbin “pa asnjë degë të mbetur pa digë” dhe në Parkun Kombëtar të Shebenikut.

Po aq shqetësues mbetet lumi Devoll. Digat e Banjës dhe Moglicës e kanë transformuar pjesën e sipërme të lumit në një seri rezervuarësh, duke prishur lidhjen gjatësore dhe ekosistemin e rrjedhës poshtë.

Kapaciteti i instaluar i hidrocentraleve në Shqipëri arrin rreth 1,450 MW dhe përbën mbi 90% të energjisë së vendit, duke u mbështetur kryesisht në kaskadat e lumenjve.

Në Bosnjë e Hercegovinë, digat të shumta kërcënojnë lumenjtë kryesorë, si Neretva dhe Drina e Sipërme.

“Më shumë se 50 HEC-e, në shkallë të vogël dhe të madhe, kërcënojnë të gjithë rrjetin lumor – Neretvën dhe çdo degë të saj”, thuhet në raport.

Krahasim i përgjithshëm midis viteve (2012-2024) Burimi: EuroNatur/River Watch


Kosova raportohet të ketë 83 hidrocentrale të planifikuara dhe 8 në proces ndërtimi. Disa HEC-e janë mbyllur për shkak të problemeve me licencimet.

“Shqetësim i madh është zonimi i Parkut Kombëtar të Malit të Sharrit për shkak të përjashtimit të luginave të mëdha të lumenjve, siç është lumi Lepenc”, thuhet në raport.

Serbia raportohet të ketë 803 projekte të planifikuara dhe 22 në ndërtim, ajo konsiderohet e dyta për nga numri i lartë i projekteve, ndërsa Maqedonia e Veriut 165 projekte të planifikuara dhe 7 në ndërtim.

Sipas raportit, ndërtimi i hidrocentraleve të vogla dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut janë të ngadalta, mirëpo ka projekte të shumta dhe të qëndrueshme.

Në Mal të Zi janë 93 projekte të planifikuara dhe 2 në ndërtim. Shumë HEC-e gjenden brenda zonave të mbrojtura, përfshirë parqet kombëtare dhe vendet Natura 2000.

Raporti thekson se në vendet ballkanike të BE-së ku përfshihet Greqia, Bullgaria, Kroacia dhe Sllovenia, thuajse gjysma e projekteve (1,611; 49%) janë planifikuar ose ndërtuar brenda zonave të mbrojtura ekzistuese (242 në Parqe Kombëtare; 569 në zona Natura 2000).

HEC-et në zona të mbrojtura Burimi: EuroNatur/River Watch

Hidrocentralet dhe lufta e komuniteteve në Shqipëri

Në Shqipëri, sipas të dhënave të mbledhura edhe nga EuroNatur dhe Riverwatch, projektet e hidrocentraleve kanë shkaktuar përplasje midis komuniteteve dhe ndërtuesve.

Në 2019 dhe 2020, Kryeministri Edi Rama pranoi se HEC-et e vogla shpesh janë të padobishme dhe dëmtojnë komunitetet sikurse dhe ekosistemin.

“Ato funksionojnë si shushunja që thithin gjakun e organizmit të vendit, duke lënë toka pa ujë dhe komunitete pa mundësi të punojnë tokën,” do të shprehej Rama.

Megjithatë, ndërtimet vazhduan, duke evidentuar tensionet midis energjisë së gjelbër dhe mbrojtjes së lumenjve dhe jetës lokale.

Raste të shpeshta të raportuara nga Citizens.al kanë dëshmuar për përplasje dhe qëndresë nga komunitetet lokale.

Shembull konkret mbeten zona si ajo e Zall-Gjoçajt në Lurë, Kaçinarit në Mirditë dhe Kurdarisë në Mat, ku banorët janë organizuar në protesta duke kundërshtuar prej vitesh ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve.

Lexo gjithashtu:

The post Hidrocentrale pa kufi: Ballkani “hambar” i HEC-eve të vogla appeared first on Citizens.al.

Aktivistët e Zall-Gjoçajt në gjyq me “Seka Hydropower”: “Fjala e lirë nuk është krim!”

26 November 2025 at 15:40

Aktivistët dhe banorët Adem Xhokola, Dhimitër Koleci dhe Jorgji Locaj u paraqitën sot në Gjykatën e Shkallës së Parë të Lezhës për t’u përballur me një padi penale të ngritur nga kompania “Seka Hydropower”.

Sipas kompanisë, deklaratat e tyre publike gjatë protestave kundër ndërtimeve të hidrocentraleve në Zall-Gjoçaj të Matit dhe Lufaj të Mirditës kanë qenë fyese dhe shpifje

“Kur më erdhi thirrja për në Gjykatën e Lezhës thashë se padia jonë që është në Prokurorinë e Lezhës ka dalë për shqyrtim. As nuk e pashë fare. Pas 10 ditësh e pashë që ishte për të dhënë ne llogari firmës”, u shpreh Dhimitër Koleci.

Sipas tij, padia për fyerje dhe shpifje është një lloj intimidimi për banorët që të mos ngrenë padi të reja, të mos aktivizohen dhe të mos grumbullohen në protesta.

Sipas Kolecit, kjo nuk është hera e parë që banorët përballen me raste të tilla, duke e konsideruar ndërtimin e hidrocentraleve në këtë zonë si një krim.

“Të ndërtosh në një park kombëtar, të hedhësh betonin në kohën që është park kombëtar, ky është një krim. Të devijosh dy lumenj, nuk është krim ky? Të prishësh kanalin vaditës të banorëve të zonës, nuk është krim?”, u shpreh më tej Dhimitër Koleci.

Padia bazohet në deklaratat për mediat dhe komunikimet e banorëve gjatë një proteste të korrikut në Lufaj, ku ata ngritën shqetësime për ndikimin e hidrocentraleve në lumin Flim dhe Urakë.

Kompania pretendon se këto deklarata i kanë dëmtuar imazhin. Ndërkohë, banorët dhe aktivistët e shohin këtë si një padi tipike SLAPP, e përdorur për të frenuar protestat dhe zërin kundërshtues të komunitetit. Kjo pasi nëse ata shpallen fajtor rrezikojnë një gjobë të konsiderueshme nga 50,000 deri në 3,000,000 lekë.

Adem Xhokola tha për Citizens.al se kjo padi është një presion i hapuar ndaj banorëve.

“Ne nuk kemi bërë asnjë shpifje, asnjë fyerje. Ne kemi kërkuar të drejtën tonë që na takon sepse ato kanë shkelur të gjitha ligjet”, u shpreh Xhokola.

Sipas tij, gjithçka kanë bërë banorët ka qenë për të mbrojtur ujin dhe zonën.

“Kam luftuar dhe punuar për të mborjtur këtë vend dhe do të luftoj deri në momentin e fundit për të mbrotjur vendin tim“, deklaroi Adem Xhokola.

Për Jorgji Locaj, kjo padi është e padrejtë, pasi çfarë kanë denoncuar në protesta dhe në gjykatë është e vërteta e tyre.

“Jemi gjithmonë me të drejtën, nuk na tremb asgjë. Ne kemi të drejtën të flasim. Këtë të drejtë nuk na e ndal askush. Asnjë njeri. Vetëm po na e ndaloi zoti i madh”, u shpreh Jorgji Locaj.

Sot, përpara gjykatës, Xhokola, Koleci dhe Locaj patën mbështetjen e aktivistëve dhe komunitetit të cilët u mblodhën jashtë.

Në mënyrë simbolike, mbi megafon ata vendosën një shirit i zi, një mesazh kundër tentativës, sikurse thonë ata, që ka bërë kompania për t’i heshtur. Ndërsa banderola “Fjala e lirë nuk është krim!” sintetizonte më shumë qëndrimin e tyre.

Seanca e sotme ishte një seancë pajtimi, e cila dështoi t’i bënte bashkë palët, dhe për rrjedhojë çështja do të kalojë për gjykim me seancën e parë të caktuar për më 15 dhjetor.

Në seancën e pajtimit ishin të pranishëm edhe Sokol Muçeku dhe Fabio Scuero (shtetas italian), administratorë të firmës “Seka Hydropower”.

Për çështjen e hidrocentraleve, banorët e Zall-Gjoçajt janë në procese gjyqësore.

Në fund të tetorit, Gjykata Administrative e Apelit, Tiranë, la në fuqi vendimin që legjitimoi ndërtimin e hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”. Banorët, të cilët nuk pajtohen me këtë vendim, janë shprehur se do t’i drejtohen Gjykatës së Lartë.

Një betejë gjyqësore që zgjat prej pesë vitesh

Çështja e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës” mbetet një konflikt i gjatë mes komunitetit, kompanisë dhe institucioneve.

Prej vitit 2018, banorët kanë kundërshtuar në rrugë ligjore dhe me protesta ndërtimin e HEC-eve në Zall-Gjoçaj, duke ngritur pretendimin se hidrocentralet dëmtojnë mjedisin, pakësojnë ujërat dhe për rrjedhojë ndikojnë negativisht në jetën e tyre si komunitet lokal.

Një studim i realizuar nga biologu Melitjan Nezaj dhe raportuar nga Citizens.al në nëntor 2024 tregoi se ndërtimet e HEC-eve në Zall-Gjoçaj kanë sjellë dëmtime të ndjeshme në ekosistem.

Sipas gjetjeve, devijimi i prurjeve ka ndryshuar ndjeshëm regjimin hidrologjik të lumenjve, ka reduktuar habitate të rëndësishme për faunën ujore, ka rritur erozionin dhe sedimentimin dhe ka shkaktuar fragmentim të mjedisit pyjor përreth.

Studimi evidentoi zhvendosje të specieve të mbrojtura, rënie të shëndetit ekologjik të shtratit lumor dhe transformim të zonave të ndjeshme brenda parkut, duke vërtetuar se punimet kanë tejkaluar ndikimet e deklaruara në dokumentet zyrtare. Ndër speciet më të rrezikuara ishte trofta.

Pikërisht në këtë kontekst, banorët kanë kërkuar prej vitesh pavlefshmërinë e deklaratës mjedisore, lejeve të ndërtimit dhe procedurave që u ndoqën për tkurrjen e fondit pyjor me 6,180 m².

Sipas tyre, ndërtimet bien ndesh me ligjin nr. 81/2017 për Zonat e Mbrojtura, i cili ndalon projektet energjetike në zonat e kategorisë “II”. Përveç kompanisë “Seka Hydropower”, banorët kanë paditur edhe institucionet shtetërore për lejimin e punimeve.

Në vitin 2018, Zall-Gjoçaj u bashkua me Lurën për të formuar një nga parqet më të mëdha kombëtare të Shqipërisë, parkun “Lurë-Mali i Dejës”, por në janar 2022 qeveria ndryshoi kufijtë e tij, duke përjashtuar pikërisht zonën ku u ngrit diga e HEC-it “Zajs” – një vendim që banorët e konsiderojnë si “legalizim të shkeljeve”.

Kronologjia e ndjekjes së çështjes në rrugë ligjore:

  • 2019 – Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën për pezullimin e punimeve.
  • 2020 – Gjykata Administrative rrëzoi padinë për ndalimin e HEC-eve.
  • 2021 – Gjykata anuloi licencën e dhënë nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) për HEC-in “Zajs” brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj.
  • 2021 – Gjykata rrëzoi padinë kundër institucioneve që dhanë lejet.
  • 2021 – Apeli lë në fuqi vendimin për anulimin e licencës së ERE-s ndaj HEC-it “Zajs”.
  • 2022 – ERE zbaton vendimin dhe i heq licencën HEC-it “Zajs”.
  • 2022 – Gjykata e Lartë konfirmon përfundimisht heqjen e licencës kompanisë “Seka Hydropower” për një nga HEC-et.
  • 2025 – Gjykata Administrative e Apelit lë në fuqi ndërtimin e HEC-eve në Zall-Gjocaj.

Lexoni gjithashtu:

The post Aktivistët e Zall-Gjoçajt në gjyq me “Seka Hydropower”: “Fjala e lirë nuk është krim!” appeared first on Citizens.al.

Strasburgu shqyrton ankesën e studentëve të mjekësisë për punësimin e detyruar

21 November 2025 at 14:16

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka regjistruar ankimimin e 36 studentëve të mjekësisë kundër ligjit që i detyron të punojnë tre vite në Shqipëri, përndryshe duhet të shlyejnë tarifën e plotë të studimeve, që është përllogaritur të jetë rreth 15,000 euro.

Shqyrtimi në Strasburg kthen sërish në qendër të debatit një çështje që ka prodhuar protesta, bojkot dhe shqetësime të vazhdueshme për lirinë e zgjedhjes së profesionistëve të rinj.

Ligji u miratua fillimisht në korrik 2023 me pesë vite punësim të detyruar, por u ndryshua në shtator 2024 duke e ulur periudhën në tre vite. Rregullat e reja hynë në fuqi për vitin akademik 2025-2026 dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën e pajisjes me diplomë dhe licencë të mjekëve të rinj.

Për shqyrtimin e çështjes, GJEDNJ i ka dërguar qeverisë një listë pyetjesh që lidhen me procesin e regjistrimit në Universitetin e Mjekësisë, mënyrën e pagesës së tarifave, kufizimet e lirisë profesionale, të drejtës për një proces gjyqësor të drejtë dhe proporcionalitetin e detyrimit për punësim.

Studentët e mjekësisë përballen me dy alternativa: të nënshkruajnë kontratë me shtetin ose të refuzojnë dhe të paguajnë tarifën e plotë për gjashtë vitet e studimit.

Me një vendim të tetorit 2023, bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë Tiranë vlerësoi se kostoja e një viti akademik për studentët e këtij universiteti ishte 248,975 lekë (rreth 2,500 euro) për një total rreth 15,000 euro.

Ata që pranojnë kontratën e marrin diplomën vetëm pasi të kenë përfunduar tre vitet e detyruara të punës në sistemin shëndetësor shqiptar.

Pyetjet e Strasburgut për çështjen e studentëve të mjekësisë.

Ligji parashikon që brenda tre muajsh pas licencimit, Ministria e Shëndetësisë të punësojë mjekët sipas notës mesatare duke i përjashtuar nga konkurrimi.

Në mungesë të një vendi në sistemin publik, mjeku i ri mund të punësohet në sektorin privat, me detyrim njoftimin e ministrisë. Nëse nuk punësohen brenda nëntë muajsh, ata përfitojnë një pagesë prej 80% të pagës mesatare për këtë periudhë.

Studentët që janë ankuar çështjen pretendojnë shkelje të së drejtës për arsim, punë të detyruar dhe diskriminim.

Çështja ngre dilema të rëndësishme për mënyrën se si shteti menaxhon mungesën e mjekëve në sistemin shëndetësor, duke e mbështetur zgjidhjen te një model i detyrimit administrativ, në vend të reformave që mund të mbajnë profesionistët në vend në mënyrë vullnetare.

Ndërkohë, vetë pranimi i çështjes në Strasburg hap një proces që mund të kthehet në precedent për të drejtat profesionale të studentëve dhe standardet e shtetit në raport me politikat e punësimit.

Si u miratua ligji për studentët e mjekësisë

  • Qershor 2023: Ministrja e Arsimit Evis Kushi prezantoi idenë e tre viteve punë të detyruar. Studentët kundërshtuan me protesta.
  • Korrik 2023 – Kryeministri Rama e zgjeroi propozimin në pesë vite detyrim. Protestat vazhduan.
  • Korrik 2023 – Shumica socialiste miratoi ligjin. Studentët paralajmëruan bojkot.
  • Tetor 2023 – Viti akademik nisi me bojkot. Ligji u dërgua për pezullim në Gjykatën Kushtetuese teksa universiteti pranoi të mos aplikojë kontrata deri sa të kishte një vendim.
  • Nëntor 2023 – Gjykata e pezulloi ligjin dhe kërkoi ndryshime.
  • Shtator 2024 – Kuvendi uli detyrimin nga pesë në tre vite.
  • Qershor 2024 – Studentët iu drejtuan GJEDNJ-së.
  • Nëntor 2025 – GJEDNJ regjistroi ankimimin dhe nisi pyetjet për palët.

Lexo gjithashtu:

The post Strasburgu shqyrton ankesën e studentëve të mjekësisë për punësimin e detyruar appeared first on Citizens.al.

Një paralele me Serbinë – A është më sheshi “mashë presioni” ndaj pushteteve?

6 November 2025 at 16:42

Prej nëntorit 2024, Serbia ka qenë skenë e protestave masive. Studentë, qytetarë, punëtorë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë mbushur rrugët për të kërkuar llogaridhënie, transparencë dhe drejtësi.

Një katastrofë inxhinierike – shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor në Novi Sad që la 15 të vdekur – shërbeu si katalizator revolte, që u shtri në dhjetëra qytete, duke përfshirë Beogradin.

Në Shqipëri, ndërkohë, protestat e ngjashme duket se shuhen pa arritur të kristalizohen në lëvizje të qëndrueshme. Pavarësisht situatave dhe ngjarjeve të ndryshme që kanë ngjallur revolta dekadën e fundit, ka munguar një gur çakmaku i aftë për t’i ndezur apo mbajtur protestat gjallë për shumë kohë.

Disa fajësojnë fuqinë e pushtetit qeveritar, të tjerë amullinë opozitare dhe mungesën e alternativave frymëzuese.

Historia tregon se sistemi politik ndryshoi në Shqipëri pasi qendra e Tiranës u mbush me mijëra qytetarë që më 20 shkurt 1991 rrëzuan statujën e diktatorit Hoxha. Por, sot, rreth 35 vite më vonë, qendra nuk ruan asnjë kujtim nga ajo ngjarje dhe rrallëherë shërben për manifestime politike.

Në pamje të parë duket sikur sheshet nuk janë më hapësira proteste dhe rezistence siç po ndodh në vendet fqinje.

Sheshi si skenografi e kontrolluar

Sheshi Skënderbej i ngjan sot një gunge të madhe me pllaka, ku për shkak të pjerrtësive është e vështirë të organizohen evente, lëre më protesta.

Përgjithësisht eventet zënë anët e sheshit ku skelat apo logjistika nuk rrezikohen të bien, ndërsa edhe për vetë pushtetin organizimet elektorale në qendër kanë rezultuar jo me të njëjtin shkëlqim si dikur.

Arkitekti dhe aktivisti Migen Qiraxhi thotë për Citizens.al se ky lloj transformimi urban nuk është “i pafajshëm”. Për të, qasja e ndjekur me zhvillimin gjatë dhjetëvjeçarit të fundit i ka dhënë hapësirave në përgjithësi, një aspekt më së shumti skenografik se sa jetik për qytetarët.

“Sheshet tashmë janë për t’u fotografuar, jo për t’u jetuar. Përdoren për evente të kontrolluara, jo për debat e pjesëmarrje qytetare,” thotë Qiraxhi, i cili angazhohet si koordinator projektesh pranë organizatës “Qëndresa Qytetare”.

Ai e quan këtë proces “arkitekturë të dekurajimit qytetar”. Sa më i madh dhe më spektakolar të jetë sheshi, aq më e vështirë është ta ndjesh masivitetin e protestës.

“Protesta e studentëve e vitit 2018 dukej masive në rrugën e Kavajës dhe jepte motivim; ndërkaq, po e njëjta, kur u zhvendos në shesh dhe bulevard, demotivonte, pasi raportet e masës me hapësirën përmbyseshin,” kujton Qiraxhi.

“Nga ana tjetër, sheshi Skënderbej nuk është as i ndriçuar që të mundësojë një agora për qytetarët në orët pa rreze dielli,” shton ai.

Sipas Qiraxhit pushteti në Tiranë ka mësuar të marrë edhe formën e qytetarit që proteston. Ai kujton këtu rastet kur për të dekurajuar protestat studentore të dhjetorit 2018, Kryeministri Rama organizonte takime me ta dhe shfaqej me tezën “edhe unë jam student, kur do flasim?!”.

Për Qiraxhin, e njëjta qasje u pa edhe në vitin 2013 në protestën kundër planit për të demontuar në Shqipëri armët kimike të regjimit sirian të Bashar al-Assad.

“Ashtu si Vuçiç në Beograd përpiqet të përvetësojë kërkesat e qytetarëve. Është një taktikë për të neutralizuar përballjen,” analizon ai.

Protestat u zhvendosën në rrjetet sociale

Përballë një qasje të tillë të zhvillimit urban, por edhe social, ku dimamikat ekonomike dhe të jetës kanë shtyrë drejt një individualizmi më të theksuar, revolta popullore është shprehur kryesisht në hapësirat digjitale.

Për Ivan Blažević, menaxher programi në “European Fund for the Balkans”, kjo zhvendosje nga sheshi te rrjetet sociale është pjesë e një transformimi më të gjerë.

“Nuk është dobësim, por transformim i mënyrës sesi shprehet energjia qytetare. Rrjetet sociale kanë hapur hapësira të reja për organizim dhe solidaritet, sidomos për të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara,” thotë ai për Citizens.al.

Megjithatë, ai paralajmëron për rrezikun e fragmentimit pasi angazhimi digjital është më i menjëhershëm, por njëkohësisht më i brishtë. 

“Hapësira digjitale zgjeron rrezen e protestës, por humbet përvojën e përbashkët fizike që i jep forcë lëvizjeve,” thekson Blažević.

Sipas tij protestat online nuk munden të përcjellin momentin e përbashkët të kundërshtimit. Prandaj sfida qëndron te lidhja e dy formave të angazhimit në mënyrë që mobilizimi digjital të përkthehet në pjesëmarrje qytetare reale me ndikime politike konkrete.

Por, përtej këtyre aspekteve, Blažević sheh një tjetër dimension shqetësues, normalizimin e autoritarizmit, përmes humbjes së hapësirës publike si simbol politik.

“Kur sheshet bëhen sterile, të kontrolluara apo të komercializuara, qytetarët humbasin prirjet e pjesëmarrjes, të debatit dhe të mbajtjes së pushtetit përgjegjës. Kjo gërryen thelbin e demokracisë,” thotë Blažević.

Nga kolektivi tek individi

Në Shqipëri, mungesa e një ekosistemi të organizimit qytetar, universitetet e dobëta, sindikatat inekzistente, dhe mediat me hapësira të kufizuara, kanë bërë që protesta të shihet më shumë si shpërthimi i një revolte se sa një proces angazhimi qytetar.

“Kur qytetarët e perceptojnë sistemin politik si të korruptuar apo të pandjeshëm, protestat bëhen më shumë shprehje frustrimi sesa mjete strategjike për ndryshim,” komenton Blažević.

Qiraxhi, i cili me “Qëndresën Qytetare” ka organizuar dhe marrë pjesë në disa protesta qytetare, e përkufizon këtë si “revoltë në mungesë të institucioneve”. Ai thotë se në këto kushte, rrjetet sociale janë bërë strehë e vetme e shprehjes publike, por pa mundësi reale për t’u përkthyer në veprime politik.

Ndryshe, në Serbi, protestat e periudhës 2024-2025 kthyen fizikisht qytetarët në rrugë dhe qendrat e qyteteve, një zhvillim simbolik dhe domethënës për kundërvënien dhe rezistencën ndaj autoritetit dhe abuzimeve të pushtetit. 

Në Shqipëri, ndërkohë, qytetarët duket se nuk kanë ndonjë ndryshim nga turistët, të cilët si vizitorë fotografojnë rrugët, sheshet, por nuk i zotërojnë apo përdorin politikisht ato.

Kështu, nëse sheshi është pasqyra e një shoqërie demokratike, atëherë ajo që mungon në Tiranë nuk është vetëm vendi dhe qasja fizike, por edhe vetë marrëdhënia e qytetarit me sistemin, pushtetin dhe me njëri-tjetrin.

“Humbja e sheshit është humbje e kujtesës demokratike. Rikthimi i tij është thelbësor për të mbajtur gjallë vetë jetën demokratike në Ballkan,” thekson Blažević.

Lexoni gjithashtu:

The post Një paralele me Serbinë – A është më sheshi “mashë presioni” ndaj pushteteve? appeared first on Citizens.al.

❌
❌