GJKKO dërgon në gjyq mjekun Edvin Prifti për dy akuza
TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur dërgimin në gjyq të çështjes penale ndaj mjekut Edvi Prifti, i akuzuar për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, vjedhjen duke shpërdoruar detyrën dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Në njoftimin zyrtar për mediat, bëhet e ditur se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), më 9 shkurt 2024, ka paraqitur kërkesën për dërgimin në gjyq të procedimit në ngarkim të Priftit.
Në seancën paraprake të zhvilluar sot, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Elsa Ulliri, pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, vendosi pranimin e kërkesës së SPAK dhe dërgimin e çështjes për gjykim.
Sipas vendimit të GJKKO-së, Edvin Prifti do të gjykohet për veprat penale: “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehja e të ardhurave”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 7 episode, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjykata urdhëroi gjithashtu formimin e fashikullit të gjykimit, i cili do të përmbajë të gjitha aktet dhe provat e administruara gjatë hetimit, duke përjashtuar deklarimet dhe aktet e marra në seancën paraprake.
Çështja do të shqyrtohet nga një tjetër trup gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë.
/gj.m/a.f/
The post GJKKO dërgon në gjyq mjekun Edvin Prifti për dy akuza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
