Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 January 2026Main stream

Google Maps ndihmon shoferët të gjejnë makinën më shpejt

21 January 2026 at 07:31

Të harrosh se ku e ke parkuar makinën u ndodh të gjithëve, por mund të bëhet problem në mjedise të mbushura me njerëz si aeroportet, stadiumet ose qendrat e mëdha tregtare.

Për vite me radhë, aplikacionet e navigimit u kanë lejuar përdoruesve të ruajnë manualisht vendndodhjen e tyre.

Tani, Google Maps ka prezantuar ruajtjen automatike të parkimit. Kjo lehtësi, për përdoruesit e iPhone, i ngjan shumë asaj që ka qenë prej kohësh në dispozicion me Apple Maps, megjithëse me disa ndryshime.

Risia kryesore e prezantuar nga Google është automatizimi.

Nëse telefoni juaj smartphone është i lidhur me makinën tuaj nëpërmjet Bluetooth, kabllit USB, Android Auto ose CarPlay, aplikacioni interpreton fundin e udhëtimit tuaj si një sinjal kyç.

Kur humbet lidhja me automjetin (për shkak se motori është fikur, kablli është shkëputur ose seanca e infotainment mbaron), Google Maps arrin në përfundimin se makina është parkuar dhe ruan automatikisht vendndodhjen.

Një PIN shfaqet në hartë, i cili mund të mbetet i dukshëm deri në 48 orë, përveç nëse fshihet manualisht para kësaj kohe.

Kur sistemi zbulon një nisje të re, i njëjti PIN hiqet automatikisht, duke shmangur ngatërresën me ndalesat e mëparshme.

Kjo eliminon nevojën për të kujtuar të prekni pikën blu dhe të zgjidhni “Ruaj Parkimin”, siç ndodhte në të kaluarën.

Mekanizmi bazohet në një kombinim të sinjaleve dixhitale. E para është lidhja midis telefonit dhe automjetit: ndërprerja e saj interpretohet si fundi i udhëtimit.

Kësaj i shtohen të dhënat e lëvizjes të ofruara nga sensorët e telefonit, si GPS, akselerometri dhe xhiroskopi, të cilat i lejojnë sistemit të dallojë një ndalesë të vërtetë nga një bllokim i thjeshtë trafiku.

Është i njëjti parim i përdorur nga Apple Maps në iPhone: kur CarPlay fiket ose telefoni humbet lidhjen me makinën, sistemi ruan pozicionin e fundit si një vend parkimi.

Yesterday — 20 January 2026Main stream

Greqia “pushtohet” nga përmbytjet/ Moti i keq shkakton mbylljen e shkollave, ja zonat më të rrezikuara…

By: D Marku
20 January 2026 at 15:25

Greqia është përfshirë nga një valë e fortë e motit të keq, e shoqëruar me ulje të ndjeshme të temperaturave, reshje të dendura shiu dhe dëbore, duke ngritur alarmin e kuq në disa rajone të vendit.

Me vendim të Guvernatorit Rajonal të Atikës, Nikos Hardalias, dhe pas rekomandimeve të Komitetit të Vlerësimit të Rrezikut, Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve Mjekësore të Emergjencës, është vendosur që të gjitha shkollat publike dhe private, si ato fillore, të mesme, ashtu edhe shkollat e natës, të qëndrojnë të mbyllura ditën e mërkurë, më 21 janar, në të gjithë rajonin e Atikës.

Vendimi është marrë si masë paraprake për mbrojtjen e nxënësve dhe stafit mësimdhënës, për shkak të rreziqeve që lidhen me lëvizjen drejt dhe nga institucionet arsimore, ndërsa priten reshje intensive shiu me intensitet të lartë nga mesi i ditës e në vijim.

Sipas buletinit të emergjencës të Shërbimit Kombëtar Meteorologjik Grek, moti i keq do të karakterizohet nga:

Shira dhe stuhi të forta, që nga orët e para të mëngjesit të së mërkurës në zonat qendrore dhe jugore të vendit, ndërsa nga pasditja fenomenet do të përfshijnë edhe Detin Egje.

Reshje të dendura dëbore, lokalisht gjatë së mërkurës, në zonat malore dhe gjysmëmalore të Greqisë kontinentale, si dhe në Thesali dhe Maqedoni, edhe në zona me lartësi të ulët.

Erëra të forta dhe rënie të ndjeshme të temperaturave.

Ndërkohë, Qendra Kombëtare e Koordinimit për Operacionet dhe Menaxhimin e Krizave (ESKEDIK) ka bërë të ditur se ndodhet në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet vendore të shkallës së parë dhe të dytë, si dhe me të gjitha strukturat përgjegjëse, për të ndjekur nga afër zhvillimin e situatës dhe për të ndërmarrë masa operative nëse do të jetë e nevojshme.

The post Greqia “pushtohet” nga përmbytjet/ Moti i keq shkakton mbylljen e shkollave, ja zonat më të rrezikuara… appeared first on Albeu.com.

Before yesterdayMain stream

Shoferi në Greqi filmoi veten duke vozitur 304 km/h në një rrugë publike – me këtë “ia lehtësoi punën policisë”

19 January 2026 at 18:32


Një shofer në Greqi thuhet se filmoi veten duke arritur 304 km/h me një Audi të modifikuar në një rrugë të Selanikut, ku kufiri i lejuar është vetëm 90 km/h.

Ai drejtonte me një dorë, ndërsa me dorën tjetër mbante telefonin për të xhiruar shpejtësinë ekstreme.

Video u përhap shpejt në TikTok dhe tërhoqi vëmendjen e policisë greke, e cila identifikoi shoferin dhe nisi procedurat ligjore.

- YouTube www.youtube.com

Në Greqi, tejkalimi i 200 km/h konsiderohet shkelje e rëndë, me gjoba që fillojnë nga 2,000 euro dhe pezullim të patentës për një vit.

Ky shofer ka postuar më parë video të ngjashme, gjë që mund ta çojë gjobën deri në 8,000 euro dhe pezullim të patentës për katër vjet.

Autoritetet po ashpërsojnë kontrollet dhe kanë vendosur kamera me AI për të monitoruar shkeljet e ndryshme rrugore. /Telegrafi/

Greqia ndryshon rregullat e emigracionit: Zhbllokohen 90 mijë leje qëndrimi

By: Elva
18 January 2026 at 08:34

Qeveria greke po përgatit ndryshime të rëndësishme në sistemin e emigracionit të ligjshëm, me synim zhbllokimin e mijëra lejeve të qëndrimit, uljen e burokracisë dhe mbulimin e mungesës së fuqisë punëtore në ekonomi. Projektligji i ri i Ministria e Migracionit dhe Azilit pritet të paraqitet së shpejti në Parlamenti Grek, raportojnë mediat vendase. Sipas autoriteteve, […]

The post Greqia ndryshon rregullat e emigracionit: Zhbllokohen 90 mijë leje qëndrimi appeared first on BoldNews.al.

Mitsotakis reagon për deklaratën e Ramës: E papërshtatshme, por e kuptoi dhe e korrigjoi

17 January 2026 at 12:44


Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka reaguar për debatin e krijuar pas deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama në lidhje me origjinën e grekëve.

Në një intervistë për një televizion grek mëngjesin e së shtunës, Mitsotakis u pyet edhe lidhur me batutat e shkëmbyera nga Rama në Abu Dhabi me gazetarin amerikano-grek John Defterios, raporton euronews.al.

“E njoh atë prej shumë vitesh dhe është një politikan me një mënyrë të veçantë shprehjeje, shpesh thotë gjëra që nuk duhet t’i thotë. Këtë herë bëri një gabim, të cilin megjithatë e kuptoi dhe e korrigjoi”, tha Mitsotakis.

Kryeministri Edi Rama shkaktoi reagime të shumta pas deklaratave të tij në konferencën e dy ditëve më parë në Abu Dhabi ku shkëmbeu batuta me moderatorin amerikano-grek, John Defterios dhe la të kuptohet se grekët nuk janë pasardhës të Aristotelit dhe Platonit.

Shumë media greke raportuan lidhur me këtë deklaratë të Ramës.

Ndër mediat që shkruan lidhur me deklaratën e kryeministrit është edhe “Skai.gr” e cila e cilësuan Ramën provokues.

“Rama provokues: Grekët nuk janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit”, është titulluar artikulli i shkruar nga Skai.

Greqia do të zgjerojë ujërat territorialë në Mesdhe

By: redi
16 January 2026 at 20:29

Greqia planifikon të zgjerojë më tej ujërat e saj territoriale, duke përfshirë potencialisht edhe Detin Egje, tha të premten Ministri i Jashtëm George Gerapetritis, pavarësisht kërcënimit të hershëm të Turqisë për luftë, nëse Athina ndërmerr një hap të tillë. Sipas mediave të huaja, aleatët e NATO-s, por rivalë historikë, kanë lehtësuar tensionet vitet e fundit, por mbeten në mosmarrëveshje për…

Source

Shakaja me gazetarin/ Rama ndaj mediave greke: U nxor nga konteksti, e kthyen në polemikë publike me pathos nacionalist

By: Rovena
16 January 2026 at 14:28

Gjatë fjalës së tij në Samitin e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi, kryeministri Edi Rama bëri një shaka me gazetarin grek, ku i tha se mendoni se jeni trashëgimtarë të Platonit dhe të Aristotelit, por nuk jeni.

Biseda:

Kryeministri Edi Rama: Si grek duhet ta njohësh mirë.

– Nuk e di sa më shumë mund ta njoh.

Kryeministri Edi Rama: Sepse prireni t’i nënvlerësoni pak njerëzit. Mendoni se keni monopolin e filozofisë dhe jeni trashëgimtarë të Platonit dhe të Aristotelit, por nuk jeni.

Kjo fazë e kryeministrit Rama si duket ka ngjallur reagime në shtetin fqinj. Për të hequr çdo tumnajë dhe spekulim, kreu i qeverisë me anë të një postimi në “X” tha se shakaja/ fjalia me nota humor është nxjerrë nga konteksti dhe është përdorur nga mediat greke si polemikë publike me pathos nacionalist.

“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!

Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!

Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian;  që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua  një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!

U kuptuam? Shpresoj po.

Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!”, ka reaguar Rama.

Vendkalimi kufitar "Evzoni" do të bllokohet sërish

8 January 2026 at 16:50


Kufiri Maqedoni e Veriut-Greqi do të bllokohet sërish.

Protestat nga fermerët grekë u paralajmëruan pas orës 17 dhe do të zgjasin katër orë.

Nga MPB e Maqedonisë deklaruan se situata në vendkalimet kufitare të Bogorodica -Evzoni është e qëndrueshme dhe fluksi i pasagjerëve dhe automjeteve është normal për të hyrë dhe dalë nga vendi.

“Sipas informacionit që kemi në dispozicion, fermerët planifikojnë të bllokojnë vendkalimin kufitar Evzoni në orën 17:00 me orën e Maqedonisë dhe informacioni fillestar është se bllokada do të zgjasë katër orë si çdo ditë më pare”, deklaruan nga MPB.

Fermerët grekë po protestojnë kundër vonesave të gjata në pagesën e subvencioneve të shkaktuara nga skandali i përvetësimit të ndihmës bujqësore të BE-së, dhe janë ngritur gjithashtu kundër çmimeve të ulëta të blerjes, rritjes së kostove të energjisë dhe përkeqësimit të kushteve klimatike. Ata kishin 27 kërkesa , 16 janë plotësuar ose po trajtohen pozitivisht, katër janë duke u shqyrtuar, ndërsa autoritetet greke kanë deklaruar se shtatë nuk mund të plotësohen.

Nga Greqia në Irlandë, e vendet arabe, shqiptarët që punojnë jashtë fituan 663 mln euro në 2024

By: V K
7 January 2026 at 08:38

Gjetja e një pune jashtë vendit, qoftë edhe përkohësisht është bërë një tendencë e qëndrueshme gjatë viteve të fundit dhe kjo reflektohet dhe në të ardhurat që ata po gjenerojnë nga punësimi sezonal.

Afërsia me vendet si Italia e Greqia, por dhe mundësia për të punuar online kanë zgjeruar gjeografinë e shteteve nga të cilët shqiptarët gjenerojnë të ardhura.

Eurostat, në sistemin e vet të të dhënave, krahas prurjeve nga emigrantët, publikon dhe të ardhurat nga transferta nga puna sezonale për shtetasit shqiptarë për vitin 2024.

Nga rreth 2.1 miliardë euro, janë dërguar në Shqipëri gjatë vitit 2024 nga transfertat personale dhe kompensimi i punonjësve, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, transfertat personale përbënin 31.6% të totalit, ose 663 milionë euro.

Kjo është shuma e fituar nga ata që punojnë jashtë shtetit dhe e transferuar në Shqipëri, të paktën zyrtarisht. (Kompensimi i punonjësve përfshin paga dhe të ardhura që rezidentë të një vendi fitojnë duke punuar përkohësisht jashtë shtetit, p.sh. punë sezonale, përpara se të zbriten taksat dhe kontributet).

Emigrantët dhe ata që punojnë përkohësisht jashtë dërguan 2.1 miliardë euro në Shqipëri në 2024-n

Të ardhurat nga puna jashtë vendit janë rritur vazhdimisht vitet e fundit, duke reflektuar rritje e emigrimit, qoftë edhe të përkohshëm.

Në vitin 2022, po sipas Eurostat, transfertat personale ishin 455 milionë euro, në 2023-n arritën në 629 milionë euro, me një rritje prej 38%. Në 2024-n rritja u ngadalësua në 5.1%, duke arritur në 663 milionë euro.

Vendin e parë e mban Greqia. Shteti fqinjë bëhet pritës sidomos në verë e vjeshtë i qindra shqiptarëve që shkojnë të punojnë në bujqësi.

Transfertat personale nga puna sezonale nga Greqia ishin 156 milionë euro në 2024-n.

Në vend të dytë është Italia, gjithashtu një vend i preferuar për emigrantët për shkak të afërsisë gjeografike dhe mundësive që ka për punësim.

Tranfertat nga Italia ishin 126 milionë euro në 2024-n, sipas Eurostat.

Në vend të tretë është Gjermania, që vitet e fundit është bërë një vend i preferuar nga shumë profesionistë. Transfertat nga Gjermania ishin 69 milionë euro në 2024-n.

Mbretëria e Bashkuar është destinacioni tjetër i preferuar i të punësuarve sezonalë, që kanë gjeneruar rreth 65 mln euro në 2024-n.

Pas tij renditen Zvicra me 27 milionë euro, Turqia me 20 milionë euro.

Edhe Irlanda është një vend i preferuar, me 19.7 milionë euro transferta.

Franca, ndonëse është shteti kryesor për kërkesat e azilantëve është i teti për transfertat e të punësuarve sezonalë.
Destinacione të tjera nga ku sigurohen të ardhura nga puna e përkohshme janë Austria (16.9 milionë euro), Shtetet e Bashkuara (14.2 milionë euro), Polonia (13.5 mln euro), Holanda (11.5 mln euro).

Gjeografia e shqiptarëve që punojnë përkohësisht jashtë ka arritur deri në vendet arabe të Gjirit Persik, ku transfertat arritën në 2.3 milionë euro në 2024.

Në punët sezonale dhe të përkohshme jashtë vendit, shtetasit shqiptarë angazhohen tradicionalisht në sektorë që kërkojnë fuqi punëtore intensive dhe fleksibile.

Pjesa më e madhe punon në bujqësi, veçanërisht në mbledhjen e frutave, perimeve dhe ullinjve, në serra dhe në përpunimin fillestar të produkteve bujqësore.

Ky profil mbetet dominues, sidomos në vendet fqinje dhe në disa tregje të Europës Perëndimore.

Një tjetër sektor i rëndësishëm është turizmi dhe shërbimet, ku shqiptarët punësohen sezonalisht në hotele, restorante dhe struktura akomoduese gjatë muajve të verës.

Punët tipike përfshijnë shërbimin në restorante, kuzhinë ndihmëse, pastrim, mirëmbajtje dhe shërbime mbështetëse.

Ndërtimi vijon të jetë një fushë e rëndësishme e punësimit sezonal dhe të përkohshëm, me angazhime në punime fizike, përfundime ndërtimi, rikonstruksione dhe projekte infrastrukturore.

Në disa vende, shqiptarët angazhohen edhe në industri përpunuese dhe logjistikë, kryesisht në linja paketimi, magazina dhe përpunim ushqimor.

Së fundmi, po vihet re edhe një rritje graduale e përfshirjes së shqiptarëve në shërbime të lidhura me teknologjinë e informacionit, kryesisht në forma fleksibile ose kontrata afatshkurtra.

Këto përfshijnë zhvillim softuerësh, testim aplikacionesh, mbështetje teknike, shërbime digjitale dhe punë të tjera IT të ofruara nga distanca për kompani të huaja.

Edhe pse ky segment është ende më i vogël krahasuar me punët tradicionale sezonale, ai po zgjerohet me shpejtësi, i nxitur nga aftësitë e të rinjve shqiptarë, puna në distancë dhe kërkesa në rritje për shërbime digjitale./Monitor

The post Nga Greqia në Irlandë, e vendet arabe, shqiptarët që punojnë jashtë fituan 663 mln euro në 2024 appeared first on Albeu.com.

Shtetet e Ballkanit me reagime të ndara ndaj operacionit të SHBA-së në Venezuelë

4 January 2026 at 14:25


Udhëheqësit politikë në Shqipëri dhe Kosovë, të dyja aleatë të zëshëm të Uashingtonit, folën fuqishëm në mbështetje të sulmit të Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës të shtunën - por shtete të tjera kërkuan kthimin e qetësisë ose nuk dhanë përgjigje.

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, tha se vendi i saj “qëndron pa mëdyshje me Shtetet e Bashkuara” dhe presidentin Donald Trump në veprimin e tyre kundër asaj që ajo e përshkroi si “regjimi narko-terrorist i Venezuelës”.

Spiropali tha gjithashtu se Shqipëria mbështet “udhëheqjen e fortë” të Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, në “përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale”.

Udhëheqësi autoritar i Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili u kap nga forcat amerikane së bashku me gruan e tij gjatë sulmit ushtarak dhe tani mund të gjykohet në SHBA, ka mohuar të ketë udhëhequr një kartel narkotikësh që dërgon drogë në SHBA - gjë që Trump e ka pretenduar si justifikim për ndërhyrje.

Në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani tha gjithashtu se vendi i saj “qëndron fort me Shtetet e Bashkuara” dhe Trumpin.

“Presidenti Trump qëndroi në krah të popullit të Venezuelës dhe iu kundërvu narko-shtetit të Maduros – duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelet dhe krimi i organizuar. Ja si duket forca dhe lidershipi amerikan”, tha Osmani.

Kosova i detyrohet pjesërisht pavarësisë së saj ndërhyrjes ushtarake të NATO-s dhe SHBA-së kundër forcave serbe në vitin 1999.

“Kosova e kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane – çlirimi ynë është një dëshmi e kësaj”, tha Osmani.

Ndryshe, Venezuela është një nga vendet që nuk e ka njohur Kosovën, shkruan Balkan Insight.

Turqia nën drejtimin e presidentit Recep Tayyip Erdogan ka mbajtur marrëdhënie të mira si me Trumpin ashtu edhe me udhëheqësin venezuelian Maduro, bëri thirrje për qetësi.

“Turqia i kushton rëndësi stabilitetit të Venezuelës dhe paqes e mirëqenies së popullit të Venezuelës”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

Ministria u bëri thirrje të gjitha palëve të “ushtrojnë përmbajtje në mënyrë që të parandalojnë që situata aktuale të çojë në pasoja negative për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”.

Deklarata e saj nuk përmendi kapjen e Maduros nga forcat amerikane.

Shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor deri më tani kanë heshtur, pa reagime të menjëhershme nga udhëheqësit ndaj sulmit të SHBA-së ndaj shtetit të Amerikës Latine.

Megjithatë, ambasadori kroat Ranko Viloviq tha se po monitoron situatën dhe është në kontakt me përfaqësuesit e komunitetit kroat në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, i cili sipas tij numëron rreth 5,000 njerëz.

“Jemi në kontakt me përfaqësuesit dhe deri më tani, sipas informacionit tonë, askush nuk është lënduar. Sulmet që ndodhën kishin për qëllim infrastrukturën ushtarake, kryesisht bazat ajrore dhe bazat detare. Civilët janë të sigurt”, tha Viloviq.

Ministria e Jashtme Greke tha gjithashtu se po “monitoronte nga afër situatën në Venezuelë”.

Në një deklaratë, ajo tha se ambasada greke në Karakas “është në kontakt me komunitetin grek në vend dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë”.

Komuniteti grek në Venezuelë numëron deri në 3,000 persona.

Më vonë të shtunën, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, shprehu mbështetjen e tij për SHBA-në.

“Nicolas Maduro kryesoi një diktaturë brutale dhe represive që solli vuajtje të paimagjinueshme mbi popullin venezuelian. Fundi i regjimit të tij ofron shpresë të re për vendin”, tha Mitsotakis.

Megjithatë, pati disa shenja të kundërshtimit ndaj operacionit ushtarak të Trumpit.

Partia Komuniste Greke, e cila ka 21 vende në parlament, thirri një tubim të shtunën në mbrëmje për të shprehur solidaritet me popullin e Venezuelës dhe luftën kundër asaj që e quajti "ndërhyrja imperialiste e SHBA-së".

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Bullgarisë hapi një linjë telefonike për bullgarët që jetojnë në Venezuelë dhe tha se është “në kontakt me të gjithë përfaqësuesit diplomatikë dhe konsullorë të Bullgarisë” që ndodhen në vend. /Telegrafi/

Paralizohet Greqia, mbyllet e gjithë hapësira ajrore për shkak të një defekti në sistem

By: Rovena
4 January 2026 at 12:34

Kolaps i plotë i trafikut ajror mbi Greqi. Sot e gjithë hapësira ajrore mbi vend u mbyll dhe trafiku u ndal plotësisht për shkak të një defekti të dyshuar të madh në sistem. Qielli mbi Greqi është aktualisht jashtëzakonisht i qetë.

Të dhënat e gjurmimit të fluturimeve konfirmojnë se aktualisht nuk po regjistrohet asnjë aeroplan që hyn ose fluturon mbi të. Zyrtarët e aviacionit civil dhe të aeroportit konfirmuan se aktualisht nuk ka fluturime.

Një shkak i mundshëm është një dështim i të gjitha sistemeve të komunikimit të trafikut ajror, gjë që çoi në këtë masë drastike.

Ndalimi nuk vlen vetëm për fluturimet e pasagjerëve dhe turistike, por për të gjithë trafikun ajror civil mbi tokë. Shkaqet e sakta të dështimit të sistemit janë ende të panjohura dhe autoritetet kompetente po hetojnë intensivisht situatën. Aeroportet dhe linjat ajrore greke po punojnë për të gjetur një zgjidhje, por deri atëherë qielli mbi vend do të mbetet bosh.

Greqia, Izraeli dhe Qipro planifikojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në Mesdhe

29 December 2025 at 16:34

Greqia, Izraeli dhe Qiproja do të kryejnë stërvitje të përbashkëta ajrore dhe detare në Mesdheun lindor në vitin 2026, duke thelluar bashkëpunimin e tyre në mbrojtje, kanë thënë të hënën zyrtarë ushtarakë grekë.

Të tri vendet e Mesdheut lindor janë afruar më shumë gjatë dekadës së fundit përmes stërvitjeve të përbashkëta ushtarake, prokurimit të mbrojtjes dhe bashkëpunimit në energji, zhvillime të vëzhguara nga afër nga rivali rajonal Turqia.

Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Greqisë (GEETHA) ka thënë se zyrtarë të lartë ushtarakë nga të tri vendet nënshkruan një plan të përbashkët veprimi për bashkëpunimin në mbrojtje javën e kaluar në Qipro.

Marrëveshja vjen pas një takimi në Jerusalem midis kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, presidentit qipriot, Nikos Christodoulides dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në të cilin ata nënshkruan një marrëveshje për të forcuar bashkëpunimin e sigurisë detare dhe për të avancuar projektet e ndërlidhjes në energji, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Orteku në Greqi vret katër alpinistë

27 December 2025 at 17:20


Katër alpinistë që u zhdukën ditën e Krishtlindjeve janë gjetur të vdekur pasi u varrosën nga një ortek në malet Vardousia të mbuluara me borë në Greqinë qendrore.

Trupat e tre burrave dhe një gruaje u gjetën të premten në mbrëmje pas një kërkimi në shkallë të gjerë në rajonin malor të Fokidës, sipas transmetuesit shtetëror grek ERT.

Ekipet e shërbimit zjarrfikës gjetën trupat pjesërisht të mbuluar nga bora në një shpat të pjerrët dhe të paarritshëm pranë majës së Korakas, në një lartësi prej rreth 2,000 m.

Zyrtarët e shpëtimit thanë se grupi u rrëmbye nga një ortek.

Alpinistët kishin filluar ngjitjen e tyre në mot të favorshëm, por kushtet u përkeqësuan shpejt për shkak të lartësisë dhe terrenit të zonës.

Vasilis Vathrakogiannis, zëdhënës i Shërbimit të Zjarrfikësve Helenë, tha se alarmi u dha nga një mik i tre burrave pasi ata nuk u kthyen në kohën e pritur.

"Kushtet e motit ishin jashtëzakonisht të vështira, me temperatura të ulëta dhe dukshmëri të dobët", tha ai, duke shtuar se kjo e bëri të vështirë zbulimin si për dronët ashtu edhe për një helikopter.

Ai tha se një ekip i shërbimit zjarrfikës në terren gjeti më vonë trupat e tre burrave dhe një gruaje, e cila u konfirmua të ishte mikeshë e njërit prej tyre dhe nuk pritej të merrte pjesë në ngjitje. /Telegrafi/

Greqia e ‘paralizuar’ nga protestat

By: Fax Web
26 December 2025 at 09:15

Për shkak të protestës që zhvillojnë fermerët në Greqi, aksi rrugor Kakavijë-Janinë nuk do të jetë funksional për qarkullimin e automjeteve nga ora 18:00 deri në orën 21:00 (me orën shqiptare).

Policia e kufitare e Kakavijës bën me dije se do të lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve për emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë-Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore”, njoftoi sot policia.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.

Greqia është “paralizuar” prej katër javësh nga protestat e fermerëve, të cilët kanë bllokuar akset kombëtare për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni.

Ata janë të vendosur të vazhdojnë dhe të intensifikojnë protestat e tyre nëse kërkesat nuk u plotësohen nga qeveria.

Maqedonia e Veriut shpall gjendje krize për energjinë elektrike

26 December 2025 at 09:13

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli të martën gjendje krize shtatë-ditore për furnizimin me energji elektrike, për shkak të ndërprerjeve në furnizimin me naftë nga Greqia.

Masa i lejon kompanisë shtetërore të energjisë elektrike, ESM, të përdorë rezervat e detyrueshme shtetërore të naftës pa kompensim, njoftoi qeveria në një deklaratë.

“Ky vendim vjen si pasojë e pamundësisë për t’u furnizuar me naftë, e cila është thelbësore për prodhimin e energjisë. Rezervat shtetërore të naftës do të transferohen pa kompensim dhe ESM është e detyruar t’i raportojë qeverisë dhe Ministrisë së Financave mbi konsumin e karburantit”, thuhet në deklaratën e qeverisë në Shkup, pas mbledhjes së kabinetit të hënën.

ESM i kishte kërkuar qeverisë shpalljen e gjendjes së krizës për shkak të vështirësive në furnizimin me linjit dhe naftë nga Greqia. Kompania ia atribuoi këto ndërprerje bllokadave të vendosura nga fermerët grekë në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë ndikuar në furnizimin me burime kryesore të energjisë për prodhimin e energjisë elektrike.

Sipas ESM, shpallja e krizës ishte e nevojshme për të mundësuar përdorimin e rezervave shtetërore dhe për të siguruar energji të mjaftueshme derisa pikat kufitare të rifillojnë funksionimin normal, shkruan klankosova.

Pjesa më e madhe e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut prodhohet nga termocentralet e ESM-së, të cilat përdorin linjit dhe naftë.

Bullgaria ofroi furnizime emergjente me naftë për Maqedoninë e Veriut pas shpalljes së krizës, sipas shërbimit informativ të qeverisë bullgare.

Oferta u komunikua gjatë një telefonate mes ministrit të Jashtëm bullgar, Georg Georgiev dhe homologut të tij maqedonas, Timço Mucunski, sipas raportimeve.

Të përfundosh në burg padrejtësisht

24 December 2025 at 11:00

Autorë: Elira Kadriu, Alex Young | OBCT

Sistemi i drejtësisë, në Evropën Juglindore, përdor masat e paraburgimit me shumë lehtësi, ku nuk mungojnë abuzimet, diskriminimet dhe histori të ndalimit të padrejtë. Kompensimet për këto raste janë shumë të vogla.

B. Shytaj, në 2020, përgjatë protestave masive për vrasjen e Klodian Rashës, nga një konflikt verbal me Policinë e Shtetit, u arrestua dhe qëndroi 30 ditë në paraburgim. Edhe pse u shpall i pafajshëm në fund të procesit gjyqësor, ai humbi punën në Aeroportin e Tiranës.

“Nuk i interesonte që unë përpiqesha të provoja pafajësinë time, më thanë thjesht që isha nën hetim dhe më pushuan nga puna,” tregon Shytaj për OBCT (Observatori Transeuropian për Ballkanin dhe Kaukazin).

Rasti i Shqipërisë

Ligji shqiptar garanton dëmshpërblim për këdo që është mbajtur padrejtësisht në burg. Kompensimet vendosen sipas shifrave fikse, pavarësisht nga rasti specifik.

Aktualisht, dëmshpërblimi është 2,000 lekë (rreth 20 euro) për çdo ditë të kaluar në burg, 3,000 lekë për çdo ditë në paraburgim, dhe 1,000 lekë për çdo ditë në arrest shtëpie.

Gjykata e Apelit të Shqipërisë po vlerëson një rishikim të këtyre shumave.

“Çfarë do të thotë 2 mijë lekë dita? 2 mijë lekëshi, në 2005 kur është bërë ai ligj, nuk ka më të njëjtën vlerë dhe dëmet në raste të caktuara janë aq të mëdha që s’mund të kompensohen me aq,” analizon avokati Dorian Matlija, drejtor ekzekutiv i organizatës “Res Publica”, qendër shqiptare për të drejtat e njeriut që punon në mbrojtjen juridike.

Sipas Matlijës, pavarësisht nga vlefshmëria e akuzës, që nga momenti kur një person vihet në paraburgim, prokuroria dhe gjykata janë më të prirura ta konsiderojnë fajtor.

Shumë gjyqtarë preferojnë të shmangin pranimin e gabimit të tyre dhe për rrjedhojë të mos kenë nevojë të njohin një dëmshpërblim për njerëzit që rezultojnë të pafajshëm.

“Pak njerëz dalin të pafajshëm, 1% ose më pak,” përmbyll Matlija.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, gjatë dhjetë viteve të fundit në Shqipëri, 736 persona kanë marrë dëmshpërblim për kohën që kanë kaluar padrejtësisht në paraburgim.

Sipas Nosiana Burnazit, juriste në Klinikën Juridike Falas dhe asistente projekti në Komitetin Helsinki të Shqipërisë, organizatat joqeveritare (OJQ) i inkurajojnë dhe i asistojnë qytetarët e privuar nga liria që të kërkojnë dëmshpërblim kur janë mbajtur padrejtësisht ose përtej afateve ligjore.

Megjithatë, shumë persona janë demotivuar dhe nuk paraqesin kërkesë. Sipas Burnazit, vonesat e gjata në proceset gjyqësore dhe gjendja e vështirë e sistemit gjyqësor ndikojnë në mosbesimin e publikut shqiptar te drejtësia.

Rasti i Bullgarisë

Në Bullgari, paraburgimi konsiderohet masë e jashtëzakonshme, që duhet përdorur vetëm kur është e nevojshme për të parandaluar ndonjë arratisje të mundshme ose pengim të hetimeve.

Megjithatë, në praktikë, kjo masë shpesh zgjatet përtej kufijve të arsyeshëm, sidomos në rastet e politizuara.

Rasti më i fundit është ai i Blagomir Kotsevit, kryetarit të Varnës (qytet në lindje, njohur ndryshe si kryeqyteti bregdetar i Bullgarisë) dhe përfaqësues i opozitës liberale “We Continue the Change – Democratic Bulgaria” (“Ne Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike”; PP-DB).

Kotsev u arrestua më 8 korrik 2025 me akuza të keqpërdorimit të fondeve publike. Arrestimi i tij shkaktoi protesta të gjera dhe nxori në pah mungesën e një mbrojtjeje efektive gjyqësore në Bullgari, ku paraburgimi përdoret shpesh për të ushtruar presion politik ose ekonomik.

Kotsev u mbajt në paraburgim pavarësisht mungesës së provave të drejtpërdrejta të korrupsionit. Një dëshmitar kyç pranoi se dëshmia e tij ishte nxjerrë me detyrim nga zyrtarë të komisionit anti-korrupsion, por ajo deklaratë vazhdon të përdoret kundër Kotsevit, i cili u lirua nga burgu vetëm më 28 nëntor 2025, kundrejt një garancie pasurore.

Në Bullgari, çdo qytetar që akuzohet dhe mbahet padrejtësisht në burg mund të padisë institucionet shtetërore për dëmshpërblim. Prokuroria e Përgjithshme shpenzon çdo vit rreth 3-4 milionë euro për kompensime, të cilat në disa raste arrijnë deri në 200 mijë euro.

Rasti i Serbisë

Rasti i Blagomir Kotsevit është ndjekur me vëmendje në Serbi. Nëse diçka e tillë ndodh në një vend të Bashkimit Evropian, lind pyetja se çfarë mund ta pengojë që të ndodhë edhe në një vend si Serbia, e kritikuar për lëkundje në raport me përparimin drejt standardeve të një shteti të së drejtës.

Çështja e paraburgimit është kthyer në qendër të vëmendjes në Serbi pas protestave masive që pasuan incidentin në stacionin e Novi Sadit në nëntor 2024.

Me afrimin e zgjedhjeve (mundësisht brenda vitit 2026), ka shqetësime serioze se paraburgimi mund të përdoret për të goditur protestuesit dhe politikanët e opozitës. OJQ si “Serbian Monitoring Initiative” (“Nisma Serbe e Monitorimit”) kanë denoncuar zbatimin selektiv të procedurave për këtë masë.

Në Serbi, zbatimi i masave të paraburgimit shoqërohet, sipas kritikëve, me probleme serioze diskriminimi.

Një studim i Qendrës Evropiane për të Drejtat e Romëve (ERRC) dhe “Fair Trials” (“Gjyqeve të drejta”) ka dokumentuar diskriminim sistematik ndaj komunitetit rom, përfshirë përdorimin e shpeshtë të paraburgimit, që në disa raste zgjat deri në katër vjet.

Në teori, paraburgimi vendoset vetëm kur ekziston rreziku i arratisjes ose ndikimit mbi dëshmitarët dhe provat.

Por, sipas avokatit serb Miloš Janković, vendimet e gjykatave shpesh nuk arsyetohen. Si pasojë, shumë persona kalojnë muaj apo edhe vite në burg pa një motivim të qartë, ndërsa gjyqtarët nuk mbajnë përgjegjësi për vendime që më pas rezultojnë të pabazuara.

Situata përkeqësohet edhe më shumë nga zvarritja e hetimeve dhe proceseve gjyqësore, të cilat mund të zgjasin 10 vjet ose më shumë, në shkelje të së drejtës për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm.

Personat e mbajtur padrejtësisht në paraburgim kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim, i cili përcaktohet rast pas rasti.

Kompensimi llogaritet rreth 120 euro në ditë dhe merr parasysh humbjen e të ardhurave, vuajtjet, shpenzimet ligjore dhe faktorë të tjerë.

Parashikohen gjithashtu masa rehabilitimi, si falje zyrtare dhe njoftime publike. Por edhe këto procese për dëmshpërblime janë të ndikuara nga vonesat e gjata të sistemit gjyqësor dhe shumat e kompensimit ndryshojnë shumë nga rasti në rast.

Rasti i Greqisë

Edhe në Greqi, paraburgimi është një masë e jashtëzakonshme, e aplikuar vetëm kur ka rrezik arratie ose përsëritje të krimit.

Kohëzgjatja maksimale është 12 muaj për krimet më të lehta dhe 18 muaj për ato më të rënda, me mundësi zgjatjeje deri në 24 muaj në rastet më serioze.

Ekzistojnë edhe masa alternative ndaj paraburgimit, si garancia pasurore, ndalimi i daljes jashtë vendit, prezantimi i rregullt në polici, ose arresti në shtëpi me monitorim elektronik.

Rasti më i fundit përfshin dy të rinj 21 dhe 25 vjeç nga Patra (Patras, qyteti i tretë më i madh në Greqi), të arrestuar për një zjarr pranë një qendre për të moshuar ndodhur më 13 gusht 2025.

Avokatët e tyre argumentuan se paraburgimi ishte i padrejtë: njëri nga të rinjtë ishte paraqitur vullnetarisht si dëshmitar dhe nuk kishte rekorde të mëparshme penale, ndërsa tjetri kishte ndihmuar si vullnetar për shuarjen e zjarrit.

Pas paraqitjes së provave të reja, prokuroria propozoi lirimin e tyre, por gjykata vendosi ndalim të daljes jashtë vendit, detyrim për t’u paraqitur rregullisht në polici dhe garanci pasurore.

Gjykatat priren të përdorin paraburgimin edhe ndaj të rinjve ose personave pa rekorde penale.

Sa i përket dëmshpërblimeve, ligji grek parashikon që ato nuk janë automatike dhe mund të kërkohen vetëm pas një aktgjykimi përfundimtar të pafajësisë.

Shumat zakonisht variojnë nga 10 deri në 60 euro për çdo ditë paraburgimi, me një kufi (që rrallë arrihet) midis 2,000 dhe 5,000 eurove. Vetëm rastet jashtëzakonisht të rënda mund të çojnë në kompensime më të larta.

*Krasen Nikolov (Mediapool, Bullgari) dhe Giota Tessi (EfSyn, Greqi) kanë kontribuar në realizimin e këtij artikulli.

**Ky artikull u prodhua si pjesë e PULSE, një iniciativë evropiane e koordinuar nga OBCT që promovon bashkëpunimet gazetareske transnacionale.

Lexoni gjithashtu:

The post Të përfundosh në burg padrejtësisht appeared first on Citizens.al.

Varianti K/ Shtohen rastet me grip në Shqipëri, mjekët: Vendosni maskat!

By: Elva
24 December 2025 at 17:43

Ndërsa Italia, Greqia dhe vende të tjera në Evropë janë të alarmuara nga varianti K i virusit të gripit AH3N2, edhe në Shqipëri vijon të shihet një rritje e numrit të infeksioneve respiratorë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, gjatë javës së fundit janë raportuar 13,500 raste, por numri i të infektuarve pritet të jetë më […]

The post Varianti K/ Shtohen rastet me grip në Shqipëri, mjekët: Vendosni maskat! appeared first on BoldNews.al.

Cilat vende evropiane po shqyrtojnë ndalimin e mediave sociale për fëmijët?

23 December 2025 at 23:52


Vende evropiane si Franca, Spanja, Italia, Greqia dhe Gjermania po shqyrtojnë kufizime mbi ndalimet e mediave sociale për fëmijët.

Pas ndalimit të mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç në Australi, i cili u lansua më parë këtë muaj, vendet evropiane po përpiqen të vendosin kufizime të ngjashme.

Që nga 10 dhjetori, fëmijët australianë nën 16 vjeç nuk mund të krijonin ose të mbanin më llogari në mediat sociale në platforma të tilla si Facebook, X, Threads, Snapchat, Instagram, TikTok, Twitch, Reddit dhe YouTube në pronësi të Google.

Nëse këto platforma zbulohen se shkelin ligjin, ato mund të përballen me gjoba të ashpra prej 50 milionë dollarësh australianë (28 milionë euro), shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

Pra, çfarë po bëjnë vendet evropiane për të kufizuar mediat sociale për fëmijët në internet?

Danimarka

Në nëntor, qeveria daneze tha se kishte siguruar një marrëveshje nga të gjitha partitë politike për të ndaluar qasjen në disa faqe të mediave sociale për ata nën moshën 15 vjeç.

Masa është për të "mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë në botën dixhitale", nga platformat që mund t'i ekspozojnë ata ndaj përmbajtjes ose karakteristikave të dëmshme, sipas një njoftimi për shtyp të nëntorit.

"Fëmijëve dhe të rinjve u prishet gjumi, humbasin qetësinë dhe përqendrimin dhe përjetojnë presion në rritje nga marrëdhëniet dixhitale ku të rriturit nuk janë gjithmonë të pranishëm", thuhej në deklaratë.

Masa do t'u jepte prindërve të drejtën t'u lejojnë fëmijëve të tyre të hyjnë në mediat sociale pasi të mbushin 13 vjeç.

Caroline Stage, ministrja e Danimarkës për çështjet dixhitale, i tha Associated Press se ligjvënësve ka të ngjarë t'u duhen muaj për të miratuar legjislacionin përkatës për një ndalim.

Danimarka ka një sistem kombëtar elektronik identifikimi dhe planifikon të krijojë një aplikacion për verifikimin e moshës, tha Stage, por nuk specifikoi se si do të zbatohej një ndalim i mundshëm.

Vendi gjithashtu caktoi 160 milionë korona (21.4 milionë euro) për 14 nisma për sigurinë online të fëmijëve.

Franca

Anne Le Hénanff, ministrja franceze e çështjeve dixhitale, i tha gazetës franceze La Dépèche se departamenti i saj dëshiron të paraqesë një projektligj për të kufizuar mediat sociale për ata nën moshën 15 vjeç në muajt e parë të vitit 2026.

Ky veprim vjen pasi një komision parlamentar francez publikoi një raport në shtator që rekomandoi ndalimin e drejtpërdrejtë të mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç dhe sugjeroi një shtetrrethim dixhital për ata nën 18 vjeç.

Raporti i komisionit u publikua në fillim të këtij viti pasi shtatë familje franceze paditën TikTok në vitin 2024, duke akuzuar platformën se i ekspozonte fëmijët e tyre ndaj përmbajtjes që inkurajon vetëvrasjen.

Një ndalim i mundshëm është në përputhje me atë që presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë muajt e fundit, se nëse Bashkimi Evropian nuk ndjek një masë në të gjithë BE-në, qeveria e tij do të ndërmarrë veprime në vend të kësaj.

"Platformat mund të verifikojnë moshën, bëjeni", shkroi ai në X në qershor.

Në Francë, fëmijët nën 15 vjeç tashmë kanë nevojë për pëlqimin e qartë prindëror për të hapur një llogari në mediat sociale. Prindërit gjithashtu mund të kërkojnë që llogaria e fëmijës së tyre të mbyllet.

Spanja

Një projektligj që po studiohet nga ligjvënësit spanjollë sugjeron që fëmijët nën 16 vjeç nuk duhet të jenë në gjendje të hyjnë në rrjetet sociale, forumet, platformat e komunikimit ose "çdo hapësirë virtuale që përfshin inteligjencën artificiale gjeneruese (GenAI)", pa pëlqimin e qartë të prindërve.

Në "raste të tjera", mosha minimale do të jetë 14 vjeç, thuhet në projektligj, me qëllim "parandalimin e rreziqeve që lidhen me ekspozimin e hershëm ndaj përmbajtjes së papërshtatshme, ngacmimin kibernetik ose shfrytëzimin dixhital të të dhënave personale".

Ligji nuk specifikon se cilat mund të jenë këto raste të tjera.

Fëmijët midis moshës 16 dhe 18 vjeç do të jenë në gjendje të hyjnë në mediat sociale me pëlqimin e tyre.

Nëse miratohet, ligji do t'i detyrojë gjithashtu ofruesit e dyqaneve të aplikacioneve t'u japin prindërve të drejtën për të verifikuar se cilat aplikacione duan të shkarkojnë fëmijët e tyre.

Një sondazh i kohëve të fundit nga YouGov zbuloi se 79 përqind e prindërve spanjollë pajtohen me një kufizim moshe në stilin australian për mediat sociale.

Megjithatë, një në tre të anketuar thanë se një kufizim moshe do të ishte i vështirë për t'u zbatuar në Spanjë.

Italia

Majin e kaluar, parlamenti italian prezantoi një projektligj që mund të vendosë kufizime në mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç.

Ligji, i cili po studiohet nga Senati italian, përfshin gjithashtu ligje për të kufizuar "kidfluencers" nën moshën 15 vjeç në platformat e mediave sociale, përcjell Telegrafi.

Projektligji gjithashtu kërkon që platformat të verifikojnë moshën e përdoruesit duke përdorur një "mini portafoglio nazionale", të përkthyer si një portofol identiteti dixhital, i cili është i lidhur me sistemin e ardhshëm të verifikimit të moshës në BE.

Ministri i arsimit i Italisë, Giuseppe Valditara, i tha gazetës italiane Il Foglio se vendi duhet të ndjekë modelin australian.

Që nga nëntori, Italia ka pasur gjithashtu një legjislacion për verifikimin e moshës për faqet e të rriturve.

Kufizimet në Itali mund të vijnë potencialisht nga një padi kolektive në pritje e ngjashme me atë franceze, ku një grup familjesh italiane paditën TikTok dhe platformat Meta Facebook dhe Instagram.

Padia pretendon se më shumë se 3.5 milionë fëmijë midis moshës shtatë dhe 14 vjeç përdorin platformat e mediave sociale pavarësisht se janë shumë të vegjël. Çështja do të dëgjohet në shkurt.

Një nga qëllimet e padisë është të detyrojë kompanitë e teknologjisë të zbatojnë praktika më të rrepta të verifikimit të moshës për t'u siguruar që më pak fëmijë nën 14 vjeç të jenë në gjendje të hyjnë në platformat e tyre, sipas një deklarate nga firma ligjore Ambrosio e Commodo.

Greqia

Në shtator, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se vendi po shqyrton një ndalim të mediave sociale të ngjashëm me modelin australian.

"Ne po kryejmë eksperimentin më të madh të pakontrolluar ndonjëherë në mendjet e fëmijëve tanë. Nuk e dimë se cilat do të jenë pasojat, por jemi pothuajse të sigurt se ato nuk do të jenë pozitive", cituan mediat lokale të ketë thënë Mitsotakis.

Greqia tashmë ka ndaluar telefonat inteligjentë nga klasa, të cilën Mitsotakis tha se ka pasur një efekt transformues tek fëmijët.

Qeveria gjithashtu lansoi një faqe interneti vitin e kaluar që u jep prindërve udhëzime se si të aktivizojnë kontrollet prindërore në telefonat celularë iOS dhe Android.

Portofoli i Fëmijëve i Greqisë, një mjet kontrolli prindëror që mund të kufizojë ose bllokojë qasjen në aplikacione dhe shërbime online, thuhet se do të përdoret si një verifikues moshe për të rinjtë.

Aplikacioni u jep prindërve mundësinë të kufizojnë ose bllokojnë aksesin në aplikacione dhe shërbime online.

Pajisja që përdor portofolin mund të ruajë identitetin e të miturit dhe ta paraqesë atë te autoriteti kompetent i vërtetimit.

Gjermania

Nuk ka kufizime për fëmijët nën 16 vjeç në mediat sociale në Gjermani - të paktën, jo ende, sipas Parlamentit Gjerman.

Qeveria tha në nëntor se i kishte kërkuar një komisioni të studionte nëse një ndalim mund të zbatohej në Gjermani, së bashku me mënyrën se si mediat sociale ndikojnë tek adoleshentët e Gjermanisë në një kuptim më të gjerë. Ajo do të paraqesë një raport përfundimtar mbi të në vjeshtën e vitit 2026.

Gjermania po studion një ndalim që zbatohet për çdo fëmijë nën moshë dhe nuk do të lejojë që disa fëmijë të përjashtohen sepse ata marrin pëlqimin nga prindërit e tyre.

Nëse parlamenti gjerman vazhdon me një ndalim, ai thotë se kjo do t'i pengojë fëmijët të kenë llogari në mediat sociale siç bëri Australia, kështu që fëmijët do të jenë ende në gjendje të hyjnë në faqet e internetit pa qenë të kyçur.

Një peticion që bën thirrje për një moshë minimale ligjore prej 16 vjeç për faqet e mediave sociale mori mbi 34,000 nënshkrime dhe po shqyrtohet nga qeveria. /Telegrafi/

Greqia godet një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës

17 December 2025 at 23:04

Policia greke njoftoi sot se ka asgjësuar një rrjet të rëndësishëm të trafikut të kokainës drejt Evropës duke arrestuar 10 persona, pas ndalimit të një anijeje fundjavën e kaluar në brigjet franceze.

Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chrisochoidis u tha gazetarëve se operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Agjencinë Amerikane për Luftën Kundër Drogës (DEA) dhe marinën franceze.

”Sasia e kokainës së sekuestruar të dielën në një anije peshkimi greke vlerësohet nga 3,4 deri në 4,7 tonë”, bëri të ditur policia greke.

”Droga ishte ngarkuar në anije në fillim të dhjetorit, në ujërat pranë ishullit Martinikë, në Antilet franceze”, shtoi policia.

Autoritetet po e ndiqnin këtë çështje që nga tetori i vitit 2024.

Rrjeti, i përbërë kryesisht nga shtetas grekë, përdorte anije peshkimi që dukeshin se ushtronin aktivitet tregtar të ligjshëm në ujërat ndërkombëtare.

Një anije “mëmë” transportonte drogën, e cila fillimisht ngarkohej në anijet e peshkimit dhe më pas transferohej në jahte.

Në disa raste, ngarkesa hidhej në det pranë brigjeve evropiane dhe më pas merrej nga zhytës.

Policia greke shtoi se po kërkohen edhe të dyshuar të tjerë në Amerikën Latine, Afrikë dhe në Bashkimin Evropian. Fitimet e këtij rrjeti kriminal vlerësohen në mbi 100 milionë euro.

Përleshje midis fermerëve dhe policisë në Greqi mes protestave për vonesat e subvencioneve dhe rritjes së kostove të prodhimit

9 December 2025 at 09:48


Tensionet u ndezën të hënën jashtë Aeroportit Ndërkombëtar Nikos Kazantzakis në Iraklio, Kretë, ndërsa fermerët dhe blegtorët protestues u përpoqën të bllokonin hyrjen kryesore.

Demonstruesit ishin nisur nga stadiumi Pankritio i qytetit në një konvoj traktorësh, duke synuar të arrinin në aeroport si pjesë e përshkallëzimit të protestave mbarëkombëtare për shkak të vonesave të subvencioneve dhe rritjes së kostove të prodhimit.

Policia kishte rrethuar rrugët e hyrjes në terminal, duke penguar konvojin të arrinte në ambientet e aeroportit.

Dhe përleshjet shpërthyen kur protestuesit shtynë përpara, duke bërë që policia të përdorte gaz lotsjellës dhe “granata zhurmuese”.

- YouTube www.youtube.com

Demonstruesit hodhën gurë në përgjigje.

Nuk u raportuan menjëherë lëndime serioze.

Fermerët në të gjithë Greqinë kanë intensifikuar bllokadat rrugore në ditët e fundit.

Më shumë se 20 pika proteste janë ngritur në të gjithë vendin, me mijëra traktorë të rreshtuar përgjatë autostradave kryesore. /Telegrafi/

❌
❌