Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Greqia ndryshon rregullat e emigracionit: Zhbllokohen 90 mijë leje qëndrimi

By: Elva
18 January 2026 at 08:34

Qeveria greke po përgatit ndryshime të rëndësishme në sistemin e emigracionit të ligjshëm, me synim zhbllokimin e mijëra lejeve të qëndrimit, uljen e burokracisë dhe mbulimin e mungesës së fuqisë punëtore në ekonomi. Projektligji i ri i Ministria e Migracionit dhe Azilit pritet të paraqitet së shpejti në Parlamenti Grek, raportojnë mediat vendase. Sipas autoriteteve, […]

The post Greqia ndryshon rregullat e emigracionit: Zhbllokohen 90 mijë leje qëndrimi appeared first on BoldNews.al.

​22% e emigrantëve janë rikthyer në Shqipëri

5 January 2026 at 21:04


Shqipëria po përjeton një rritje të dukshme të rikthimit të emigrantëve.

Sipas të dhënave të Anketës Kombëtare të Migracionit 2024, e realizuar nga INSTAT në bashkëpunim me Bankën Botërore, 22% e emigrantëve shqiptarë janë rikthyer në vend.

Të dhënat tregojnë se vetëm gjatë 12 viteve të fundit, 109 mijë shqiptarë janë kthyer në Shqipëri. Nga këta, gati gjysma, ose 45%, janë rikthyer midis viteve 2020 dhe 2024, duke treguar se ritmi i kthimeve është përshpejtuar ndjeshëm në vitet e fundit.

Sa i përket moshës, shumica e personave të rikthyer janë mbi 35 vjeç, ndërsa 29% janë 25-34 vjeç. Vetëm 9% janë të rinj 15-24 vjeç, që tregon se rikthimi i emigrantëve përqendrohet kryesisht tek të rriturit që janë të gatshëm për të punuar.

Shumica e të rikthyerve vijnë nga Italia dhe Greqia, ndërsa emigrantët që jetojnë në vende më të largëta kthehen më rrallë.

Sa i përket punësimit, meshkujt e rikthyer punësohen në masën 67%, krahasuar me shkallën prej 59% për meshkujt jomigrantë.

Ndërsa femrat e rikthyera kanë një performancë të ngjashme me femrat jomigrante (34% krahasuar me 36%).

Shkalla e vetëpunësimit te të rikthyerit është rritur me kalimin e kohës. Nga 7% për ata që u kthyen midis viteve 2000-2004 në 29% për ata që u kthyen gjatë viteve 2015-2024, duke arritur kulmin, 34% për ata që u kthyen në periudhën 2010-2014.

Gratë që kthehen herët kanë një shkallë më të lartë të vetëpunësimit (41%) krahasuar me meshkujt (25%), shkruan ATSh.

Shumica e vetëpunësimeve janë punë individuale (91-93%), por të rikthyerit janë më të prirur të bëhen punëdhënës me punonjës të paguar, veçanërisht ata që kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet jashtë vendit.

Qendra të reja emigrimi: Mes atyre që përdorën Shqipërinë si tranzit edhe 100 rusë

4 January 2026 at 20:40


Shqipëria e ka gati planin kombëtar të kontigjencës për migrantët e paligjshëm që botuar në fletoren zyrtare në fund të dhjetorit, duke përshkruar detyrat që duhet të përmbushen nga 2026 deri 2028.

Nëse lëvizjet migratore do të jenë normale autoritetet kanë në dispozicion një vlerë indikative prej 195 milionë lekë. Por nëse situata ndryshon dhe kalohet në skenarin e kuq, pra në krizë migrantësh, domethënë tej kapaciteteve shtetërore kostoja shkon në 708 milionë lekë.Në këtë strategji përfshihet hapja e qendrave të reja pritëse në rast emergjence të migracionit të parregullt.

Megjithatë pranohet një trend në ulje i kalimeve të paligjshme të kufirit që nga viti në vit nga 178 mijë migrantë ka zbritur në 63 mijë. Shumica e të huajve konstatohet se përdorën kufirin e gjelbër me Greqinë duke e parë si urë kalimi Shqipërinë ndërkohë që duke synuar vendet e BE, migrantët kishin si portë daljeje Malin e Zi dhe Kosovën.

Në këtë dokument zyrtar portretizohet fluksi migratorë që përpos afganëve, sirianëve dhe shtetasve të tjerë nga lindja e mesme, vërehet një trend tjetër i shtetasve që udhëtojnë nga Egjipti dhe Nepali, në vetëm një rast një shtetas nga Kamboxhia mori statusin e refugjatit.

Shumica e të huajve konstatohet se kaluan kufirin e gjelbër me Greqinë për të hyrë në Shqipëri që e përdorën si urë kalimi me destinacion të radhës Malin e zi dhe Kosovën por me synim vendet e Bashkimit Europian.

Një tjetër mënyrë për të udhëtuar drejt BE është abuzimi me vizat e punës.

Bëhet fjalë për punëtorë të kontraktuar nga India, Filipine, Bangladeshi dhe Sri Lanka, ndërkohë që rezulton se edhe turqit po e keqpërdorin liberalizimin e vizave. Si fakt jepet shifra prej 8600 shtetas turq të konstatuar por nuk mungojnë edhe kinezët 1050 të tillë të konstatuar, 250 shtetas mongolë dhe 100 rusë.

Në dokument jepet informacion edhe për afganët që janë me mbrojtje të përkohshme në Shqipëri.

Referuar aplikimeve për mbrojtje të përkohshme, përmendet se në total 9 470 shtetas afganë kanë tërhequr aplikimet e tyre, kurse autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët rezulton se ka lëshuar 7565 vendime për përfundimin e mbrojtjes së përkohshme. Aktualisht janë ende nën mbrojtjen e përkohshme në Shqipëri 549 qytetarë afganë.

Hunter Biden kritikon babanë e tij: Politika e imigracionit dhe tërheqja nga Afganistani janë dështime të dukshme

By: armand
23 December 2025 at 17:58

Hunter Biden kritikoi publikisht të atin, Joe Biden, në një intervistë të gjatë që dha për podkastin “The Shawn Ryan Show”, duke pranuar se politika e imigracionit dhe mënyra e tërheqjes nga Afganistani kanë qenë dështime katastrofike. Duke iu referuar imigracionit, 55-vjeçari deklaroi se “ne kemi nevojë për imigracion të drejtpërdrejtë”, por e bëri të qartë se nuk duan që emigrantët […]

The post Hunter Biden kritikon babanë e tij: Politika e imigracionit dhe tërheqja nga Afganistani janë dështime të dukshme appeared first on BoldNews.al.

SHBA/ Trump do të ndërmarrë masa të ashpra kundër emigracionit të paligjshëm në 2026

By: armand
21 December 2025 at 22:37

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po përgatitet për një goditje më agresive ndaj emigracionit në vitin 2026 me miliarda dollarë fonde të reja, duke përfshirë edhe bastisjen e më shumë vendeve të punës. Trump tashmë ka dërguar agjentë të emigracionit në qytetet kryesore të SHBA-së. Ndërsa agjentët federalë këtë vit kryen disa bastisje të profilit […]

The post SHBA/ Trump do të ndërmarrë masa të ashpra kundër emigracionit të paligjshëm në 2026 appeared first on BoldNews.al.

Paralajmëron Ambasada e SHBA në Tiranë: Martesa për dokumente emigracioni dënohet

By: Elva
21 December 2025 at 11:00

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar lidhur me përpjekjet për sigurimin e dokumenteve të emigracionit përmes martesave, duke paralajmëruar se praktika të tilla përbëjnë shkelje të rënda ligjore. Në njoftimin e saj, Ambasada thekson se mashtrimi përmes martesës konsiderohet krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe shoqërohet me pasoja serioze ligjore për […]

The post Paralajmëron Ambasada e SHBA në Tiranë: Martesa për dokumente emigracioni dënohet appeared first on BoldNews.al.

Me 65 vota "Për", Kuvendi miratoi Rezolutën për dënimin e manipulimeve të opozitës dhe për konfirmim të politikave kundër emigrimit të paligjshëm

17 December 2025 at 20:19


Kuvendi me 65 vota “për” dhe pesë vota “kundër” sot pasdite e miratoi “Rezolutën për dënim të manipulimeve të opozitës dhe për konfirmim të politikave kundër emigrimit të jashtëligjshëm”.

Koordinatori i grupit parlamentar të OBRM-PDUKM-së, Nikolla Micevski në shpjegim theksoi se shumica parlamentare dhe Qeveria kanë qëllim të qartë, dinjitoz dhe të pandryshueshëm kundër emigrimit të jashtëligjshëm. Potencoi se Qeveria asnjëherë nuk ka kërkuar, nuk është dakorduar dhe nuk do të lejojë ndërtim të kampeve emigruese ose strehim të përhershëm të emigrantëve në territorin e komunave në shtet. Me këtë Rezolutë, siç theksoi, i jepet fund të gjitha spekulimeve dhe të pavërtetave të plasuara me qëllim të cilat i dëgjojmë.

Micevski theksoi se Rezoluta ka edhe rol të qartë parandalues – ajo dërgon porosi se çështjet në lidhje me sigurinë, emigrimin dhe paqen publike nuk guxojnë të jenë mjet i gënjeshtrave dhe konstruksioneve politike.

Deputeti Sali Murati nga Lëvizja e Turqve në Maqedoni, tha se propozim rezoluta përfaqëson “sulm direkt mbi vlerat themelore të demokracisë parlamentare” dhe përpjekje për “heshtje institucionale të opozitës dhe vendosje të mendimit një partiak”.

Deputetja dhe koordinatore e grupit parlamentar të BDI-së, Rina Ajdari, tha se propozim rezoluta e pushtetit është “atipike dhe e dëmshme për demokracinë parlamentare”, duke theksuar se me këtë rezolutë krijohet precedent i rrezikshëm dhe e polarizon shoqërinë dhe e transferon debatin drejt etiketimit politik”.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, reagoi se në rezolutë dënohet e gjithë opozita dhe parashtroi pyetje “pse dënohet edhe ai” dhe me çka ai si përfaqësues i opozitës “ e ka dëmtuar balancin dhe i ka informuar keq qytetarët”.

Deputeti Malisha Stankoviq nga PSM, pjesë e Koalicionit “Maqedonia e juaj”, tha se kjo çështje nuk duhet të shfrytëzohet si vegël ditore politike, por për fat të keq, siç theksoi, kjo bëhet nga opozita.

Deputetja Jovana Mojsovska nga partia E majta, në replikë, tha se argumenti i vetëm për “këtë rezolutë të hartuar keq” është se “kryeministri Mickoski premtoi”.

Anëtarët e Komisionit kuvendor për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, paraprakisht sot në mbledhje dhanë mbështetje për Rezolutën për dënim të manipulimeve të opozitës dhe për konfirmim të politikave kundër emigrimit të jashtëligjshëm, të parashtruar nga deputetët e OBRM-PDUKM-së.

Emigracioni shqiptar: Fitime nga remitancat, humbje në fuqinë punëtore

16 December 2025 at 14:45

Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet me pagat më të ulëta në rajon dhe faktori ekonomik është arsyeja kryesore që nxit emigrimin drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas “Anketës së Migrimit në Familje” (2024), migrimi ka sjellë përfitime të rëndësishme për ekonominë shqiptare. Por njëkohësisht ka prodhuar tkurrje demografike dhe mungesë të theksuar të fuqisë punëtore.

Për çdo një nga katër familje përfituese, remitancat janë burimi i vetëm i të ardhurave. Nga ana tjetër, në të njëjtën kohë, 45% e bizneseve raportojnë se nuk arrijnë të plotësojnë vendet e lira të punës.

Raporti – i përpiluar nga Organizata Ndërkombëtare e Migrimit, dega Shqipëri (IOM Albania), Instituti i Statistikave (INSTAT) dhe Banka Botërore – është realizuar si një vëzhgim mbi më shumë se 3,800 familje me anëtarë emigrantë dhe 1,198 familje pa emigrantë, në të gjitha rajonet e vendit.

Mërgimi një realitet strukturor familjar

Të dhënat tregojnë se 37% e familjeve shqiptare kanë të paktën një anëtar në mërgim ose që u është kthyer. Prej tyre, 22% kanë një mërgimtar aktualisht jashtë vendit dhe 20% të kthyer.

Rreth 5% e familjeve kanë më shumë se një anëtar në mërgim. Këto shifra e bëjnë emigrimin pjesë të qëndrueshme të strukturës familjare në Shqipëri.

Rreth 70% e emigrantëve aktualë largohen për arsye ekonomike. Vetëm 6% deklarojnë arsye arsimin, ndërsa 16% mërgojnë për arsye familjare.

Burrat emigrojnë kryesisht për punë, ndërsa gratë më së shumti për bashkim familjar. Ky dallim reflekton role gjinore të pabarabarta në vendimmarrjen migratore.

Nga pikëpamja ligjore, një e katërta e emigrantëve shqiptarë nuk kanë pasur dokumentacion të plotë. Kjo përfshin 23% të të kthyerve dhe 29% të emigrantëve aktualë.

Para largimit, ata që emigrojnë janë më pak të punësuar se ata që qëndrojnë dhe për rrjedhojë me paga më të ulëta.

Si pasojë e përgatitjeve për t’u larguar, shumica përjetojnë rënie të ndjeshme të normës së punësimit, e cila bie nga 62% dy muaj para largimit në vetëm 9% në muajin e fundit të jetesës në Shqipëri.

Ky tranzicion shoqërohet me pasiguri ekonomike në përgatitjet për t’u larguar. Trajnimet profesionale janë të kufizuara dhe më të përhapura tek gratë dhe të rinjtë.

Rreth 24% e grave marrin ndonjë trajnim apo aftësim profesional para se të emigrojnë. Kjo gjë ndodh edhe më pak te burrat, 17%. Diferenca në këtë statistikë tregon akses të pabarabartë në përgatitjen për tregun e huaj të punës.

Rreth gjysma e emigrantëve i mbulojnë shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit jashtë duke marrë para borxh. Emigrimi shfaqet kështu si investim me rrezik të lartë dhe barrë për familjet apo familjarët që qëndrojnë në Shqipëri.

Remitancat dhe sfidat e kthimit

Sipas raportit, remitancat u dërgohen familjarëve në Shqipëri kryesisht përmes kanaleve informale, miqve, familjarëve apo përmes vetë vizitave në vend. Vetëm rreth 30% përdorin banka ose operatorë zyrtarë transfertash.

Kjo do të thotë se shumica e remitancave mbeten jashtë sistemit zyrtar ekonomik. Kjo prirje kufizon transparencën dhe politikat ekonomike afatgjata.

Dërgimi i remitancave rritet me moshën dhe është më i lartë te grupmosha 45-64 vjeç. Këta emigrantë mbajnë barrën kryesore financiare për familjet që qëndrojnë në Shqipëri.

Ndërkohë, shumica e të kthyerve janë burra të moshës 35-54 vjeç. Kthimi lidhet kryesisht me arsye familjare, përfundim kontratash ose humbje pune.

Raporti vëren se rreth 45% e kthimeve kanë ndodhur mes viteve 2020-24. Treguesi sinjalizon një dinamikë të re emigrimi pas pandemisë.

Ndërkohë, ri-integrimi në tregun e punës mbetet sfidues për emigrantët shqiptarë që kthehen sërish në vend. Të rikthyerit më të fundit kanë shanse më të ulëta punësimi se ata të kthyer më herët.

Sipas anketës, emigrantët fitojnë mesatarisht 2.5 herë më shumë jashtë vendit krahasuar me të ardhurat që ata merrnin në Shqipëri para se të largoheshin. Edhe pas rikthimit, të ardhurat mbeten rreth 26% më të larta se para emigrimit.

Kjo tregon se emigrimi sjell përfitime individuale afatgjata. Por për vendin, kostoja demografike dhe ekonomike mbetet e lartë kjo pasi luhatjet në fuqinë punëtore tkurr mundësinë e sipërmarrjeve për t’u zgjeruar.

Lexoni gjithashtu:

The post Emigracioni shqiptar: Fitime nga remitancat, humbje në fuqinë punëtore appeared first on Citizens.al.

Anketa: 37% e familjeve në Shqipëri të prekura nga emigracioni

By: V K
16 December 2025 at 07:58

Migracioni vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore që formëson ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.

Sipas Anketës së Migracionit të Familjeve 2024, realizuar nga INSTAT në bashkëpunim me Bankën Botërore, rreth 37% e familjeve në Shqipëri kanë të paktën një anëtar që aktualisht jeton jashtë vendit ose ka migruar dhe është kthyer, duke konfirmuar përmasat masive dhe afatgjata të emigracionit shqiptar.

Anketa vlerëson se rreth 1.6 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit, ndërsa mbi 108 mijë persona janë kthyer në Shqipëri gjatë 12 viteve të fundit, duke e bërë migracionin një cikël të vazhdueshëm dhe jo një fenomen të përkohshëm.

Sipas anketës Rreth 22 për qind e familjeve kanë anëtarë aktualisht jashtë Shqipërisë, ndërsa 20 për qind kanë të paktën një migrant të kthyer.

Të dhënat tregojnë se emigracioni është kryesisht një fenomen i të rinjve në moshë pune, veçanërisht meshkuj.

Gati tre të katërtat e emigrantëve aktualë janë meshkuj dhe shumica i përkasin grup-moshës 25–44 vjeç, pikërisht bërthama më produktive e tregut të punës.

Në aspektin arsimor, emigrantët janë më të arsimuar se popullsia që mbetet në vend: mbi dy të tretat kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe rreth 18% kanë arsim të lartë, me diferenca të theksuara sipas vendit pritës.

SHBA-ja dhe Gjermania tërheqin emigrantët më të arsimuar, ndërsa Greqia mbetet destinacioni kryesor për emigrantët me arsim më të ulët.

Para largimit, shumica e emigrantëve janë të punësuar në Shqipëri, por kryesisht në profesione me aftësi të ulëta ose të mesme dhe me paga më të ulëta se mesatarja.

Në të njëjtën kohë, pritshmëritë për jetën jashtë rezultojnë të fryra, emigrantët presin të fitojnë mesatarisht rreth 3,900 dollarë në muaj, por të ardhurat reale janë rreth 2,200 dollarë, ndërsa kursimet reale janë pothuajse trefish më të ulëta se sa ishin parashikuar.

Megjithëse emigracioni rrit ndjeshëm të ardhurat, emigrantët fitojnë mesatarisht 2.5 herë më shumë se sa në Shqipëri, përfitimet shoqërohen me pasiguri të konsiderueshme.

Një në tre emigrantë punon pa kontratë të shkruar dhe mbi një e katërta nuk përfiton sigurime shoqërore apo pushime të paguara, duke e bërë punësimin më të pasigurt krahasuar me popullsinë vendase në vendet pritëse.

Një tjetër problem i theksuar është nënshfrytëzimi i kapitalit njerëzor, pasi rreth një e treta e emigrantëve aktualë dhe afro 80% e emigrantëve të kthyer me arsim të lartë punojnë në profesione që kërkojnë kualifikime më të ulëta se arsimi i tyre.

Remitancat mbeten një nga përfitimet më të drejtpërdrejta të emigracionit për ekonominë shqiptare. Rreth gjysma e familjeve me emigrantë kanë marrë remitanca gjatë vitit të fundit dhe për këto familje, dërgesat nga jashtë përbëjnë mesatarisht 41% të të ardhurave totale.

Megjithatë, anketa tregon se remitancat përdoren kryesisht për konsum bazë, si ushqimi, shpenzimet e përditshme dhe kujdesi shëndetësor, ndërsa investimet produktive në biznes apo bujqësi janë pothuajse të papërfillshme.

Një tjetër problem është se vetëm rreth 30% e remitancave dërgohen përmes kanaleve formale, ndërsa pjesa më e madhe qarkullon përmes rrjeteve informale, duke kufizuar ndikimin e tyre në zhvillimin financiar dhe formalizimin e ekonomisë.

Anketa hedh dritë edhe mbi rikthimin e emigrantëve, një proces që është përshpejtuar vitet e fundit. Rreth 45% e emigrantëve të kthyer janë rikthyer pas vitit 2020, shpesh për arsye ekonomike ose për shkak të pasigurisë në vendet pritëse.

Fillimisht, emigrantët e kthyer përballen me vështirësi në punësim, por me kalimin e kohës arrijnë norma punësimi më të larta se popullsia jo-emigrante.

Vetëpunësimi shfaqet si një rrugë e rëndësishme riintegrimi, veçanërisht për gratë dhe për ata që kanë kaluar periudha të gjata jashtë vendit, duke treguar potencial për krijimin e vendeve të reja të punës.

Elsa Dhuli, Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT, u shpreh:Migracioni është një realitet strukturor për shoqërinë shqiptare dhe kjo pasqyrohet qartë edhe në shifrat e anketës. Mesazhi kryesor është i qartë: migracioni sjell njëkohësisht përfitime dhe kosto, dhe balanca mes tyre varet nga politikat që ndërmerren. Statistikat zyrtare të prodhuara nga INSTAT nuk janë thjesht një pasqyrim i realitetit, por një mjet konkret për vendimmarrësit. Ato duhet të shërbejnë për të identifikuar problematikat, për të orientuar ndërhyrjet publike dhe për të vlerësuar efektin e politikave, me qëllim që migracioni të kontribuojë më shumë në mirëqenien sociale dhe zhvillimin ekonomik të vendit”.

Ingrid Macdonald, Koordinatore Rezidente e OKB-së në Shqipëri, u shpreh:Të kuptuarit se pse njerëzit lëvizin, ku lëvizin dhe si kontribuojnë është thelbësor, veçanërisht për një vend si Shqipëria, ku migracioni ka formësuar prej kohësh shoqërinë. Të dhënat e besueshme janë një domosdoshmëri që u mundësojnë politikëbërësve të kuptojnë ndryshimet në kohë reale, të parashikojnë nevojat e ardhshme dhe të hartojnë përgjigje gjithëpërfshirëse, të përqendruara te njerëzit dhe sa më efektive”.

Evis Sulko, Zëvendës Drejtuese e Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, u shpreh: “Anketa e Migracionit pranë Familjes përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e ekosistemit të të dhënave mbi migracionin në Shqipëri. Përmirësimi i mënyrës se si migracioni matet dhe kuptohet mbështet vendimmarrje më të mira politike dhe ndihmon që migracioni të kontribuojë pozitivisht në zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë”.

Sonja Kurz, Drejtore e GIZ Albania, tha:Migracioni ka formësuar prej kohësh zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë dhe, ndonëse ofron mundësi të mëdha, ai paraqet edhe sfida komplekse. Pikërisht për këtë arsye, institucione të forta, politika të koordinuara dhe të dhëna të besueshme janë themelore. Për ne si partner zbatues, të dhënat solide janë thelbësore për të dizajnuar programe efektive dhe për të arritur ndikim real”.

Alma Jani, Drejtuese e Zyrës së IOM në Shqipëri, u shpreh: “Për herë të parë, Shqipëria përfiton nga një analizë e kombinuar sasiore dhe cilësore e migracionit. Kjo qasje na lejon të kuptojmë rrugët e migracionit në mënyrë më gjithëpërfshirëse, duke lidhur të dhënat me perspektivat e institucioneve, komuniteteve dhe diasporës, dhe duke mbështetur politika të orientuara drejt së ardhmes”,/ Monitor

The post Anketa: 37% e familjeve në Shqipëri të prekura nga emigracioni appeared first on Albeu.com.

OBRM-PDUKM: Marrëveshjet e mëparshme për pranimin e emigrantëve, do të anulohen

14 December 2025 at 18:22


OBRM-PDUKM i ka heshur poshtë akuzat e opozitës maqedonase për pranimin e emigrantëve në Maqedoninë e Veriut.

Partia në pushtet paralajmëroi një rezolutë parlamentare që dënon dezinformatat, anulon marrëveshjet e mëparshme për kampet e migrantëve dhe vendos politika të qarta kundër migracionit të paligjshëm.

“Rezoluta përbëhet nga 9 pika dhe në të dënohen dezinformatat për pranimin e supozuar të migrantëve dhe ndërtimin e kampeve, konfirmohet se politika të tilla nuk ekzistojnë dhe nuk do të ekzistojnë, anulohen të gjitha marrëveshjet e mëparshme të qeverisë së Zaevit lidhur me kampet e migrantëve dhe bëhet thirrje për diskurs të përgjegjshëm dhe të qartë, mbrojtje të sigurisë, stabilitetit dhe marrëdhënieve ndëretnike”, thanë nga OBRM-PDUKM.

Sqaruan se Rezoluta vendos një politikë të qartë shtetërore kundër migracionit ilegal dhe hyn në fuqi menjëherë pas miratimit të saj.

BE ashpërson politikën për emigracionin, azilkërkuesit e refuzuar nuk do të lejohen të qëndrojnë

By: redi
8 December 2025 at 21:22

Ministrat e Brendshëm të BE-së arritën një marrëveshje të gjerë për paketën e reformave mbi migracionin të hënën, duke mbushur boshllëqet e fundit të reformës së migracionit të Bashkimit Evropian dhe duke hapur rrugën për negociatat me Parlamentin Evropian. Tre projektligjet kryesore rishkruajnë në mënyrë të ndjeshme rregullat për azilin në BE dhe janë pjesë e Paktit për Migracionin dhe Azilin…

Source

SHBA pezullon të gjitha aplikimet për emigracionin nga 19 vende

By: Rovena
3 December 2025 at 08:15

Shtëpia e Bardhë e udhëhequr nga Donald Trump ka pezulluar të gjitha aplikimet për emigracionin nga 19 vende dhe ka anuluar ceremonitë e shtetësisë në të gjithë SHBA-në për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare dhe sigurinë publike.

Sipas mediave amerikane, ndalimi, i cili hyri në fuqi të martën, zbatohet për njerëzit nga vendet që tashmë i janë nënshtruar një ndalimi të pjesshëm udhëtimi në qershor, duke vendosur kufizime të mëtejshme mbi imigracionin.

Kjo mund të prekë më shumë se 1.5 milion njerëz që kishin kërkesa për azil në pritje dhe më shumë se 50,000 që morën grante azili nën administratën Biden, raporton The New York Times.

BERZH: Shqipëria ka humbur 40% të popullsisë nga emigracioni, do ulë ekonominë me 0.4 pikë % në vit

By: armand
26 November 2025 at 08:23

Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet që kanë përjetuar emigracionin më të lartë të popullsisë në hapësirën post-komuniste që nga viti 1990, sipas raportit të Tranzicionit 2025–26 të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH): “Një botë e vjetër, por më e guximshme”. Grafiku i raportit tregon qartë se Shqipëria ka humbur rreth 40 për […]

The post BERZH: Shqipëria ka humbur 40% të popullsisë nga emigracioni, do ulë ekonominë me 0.4 pikë % në vit appeared first on BoldNews.al.

Shqipëria ka humbur 40% të popullsisë/ BERZH: Emigracioni masiv do ulë ekonominë me 0.4 pikë % në vit

By: V K
26 November 2025 at 07:42

Shqipëria dhe Kosova, janë dy vendet që kanë përjetuar emigracionin më të lartë të popullsisë në hapësirën post-komuniste që nga viti 1990, sipas raportit të Tranzicionit 2025–26 të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH): “Një botë e vjetër, por më e guximshme”.

Grafiku i raportit tregon qartë se Shqipëria ka humbur rreth 40 për qind të popullsisë së vitit 1990 për periudhën 1990-2023, vetëm përmes emigracionit neto, niveli më i dytë më i lartë në Europë dhe në të gjithë grupin e ekonomive tëBERZH.

Nga ana tjetër, shtesa natyrore ka qenë pozitive për pjesën më të madhe të periudhës dhe ka kompensuar rreth 27 për qind të popullsisë së vitit 1990, ç`ka e zbut pjesërisht goditjen, por jo aq sa të neutralizojë flukset e largimit.

Edhe Kosova ka humbur 50% të popullsisë së vitit 1990 për të njëjtën periudhë, niveli më i lartë në Europë, ndonëse ka pasur një shtesë më të kartë natyrore se Shqipëria me gati 40%.

Raporti thotë se ky boshllëk i madh demografik, po përkthehet në një frenim të ndjeshëm ekonomik për Shqipërinë.

Në grafikun e dytë të raportit, BERZH mat për herë të parë ndikimin vjetor të demografisë në rritjen e PBB-së për frymë.

Për Shqipërinë, kontributi i popullsisë ka qenë negativ gjatë viteve 2000–2023, me rreth –0.2 pikë përqindje rritje të humbur çdo vit.

Për periudhën 2024–2050, ndikimi pritet të thellohet në –0.3 deri –0.4 pikë përqindje në vit, duke e bërë Shqipërinë një nga ekonomitë më të ekspozuara në gjithë rajonin e BERZH.

Edhe në horizontin 2050–2100, sinjali mbetet negativ, ç`ka tregon se plakja e popullsisë dhe pakësimi i forcës së punës do të vijojnë të shoqërojnë ekonominë edhe në dekadat e ardhshme.

Mungesa e fuqisë punëtore, rritja e numrit të të moshuarve dhe dobësimi i bazës së kontribuesve në skemat sociale po e vendosin ekonominë nën presion të vazhdueshëm.

BERZH paralajmëron se pa rritje të produktivitetit, investime teknologjike dhe politika që frenojnë humbjen e kapitalit njerëzor, vendet që përjetojnë emigrim masiv, ku Shqipëria dhe Kosova renditen të parat, do të shohin një rënie në potencialin e tyre afatgjatë të rritjes.

Raporti shton se ky model tashmë ka pasoja të dukshme edhe në tregun e punës, investimet, produktivitetin dhe stabilitetin fiskal.

Sipas BERZH, Shqipëria dhe Kosova janë ndër ekonomitë më të ekspozuara në të gjithë rajonin. Edhe nëse rritja ekonomike mbetet pozitive, ritmi i saj potencial do të jetë dukshëm më i ulët sesa në vendet me popullsi në rritje, si Turqia, Egjipti apo vendet e Azisë Qendrore.

Raporti sugjeron se në mungesë të rritjes së produktivitetit, investimeve teknologjike, rritjes së kapitalit njerëzor dhe përmirësimit të klimës së biznesit, emigracioni masiv do të vazhdojë të frenojë rritjen ekonomike për të paktën edhe tre dekada./ Monitor

The post Shqipëria ka humbur 40% të popullsisë/ BERZH: Emigracioni masiv do ulë ekonominë me 0.4 pikë % në vit appeared first on Albeu.com.

Papa Leoni dënon trajtimin e pahijshëm të SHBA-ve ndaj emigrantëve

By: Rovena
19 November 2025 at 16:48

Papa Leoni ka përsëritur kundërshtimin e tij ndaj politikave të emigracionit të Donald Trump, duke deklaruar se të huajt në SHBA po trajtohen “në mënyrë jashtëzakonisht të pavend dhe të padenjë”.

Kreu i Kishës Katolike i bëri komentet në përgjigje të pyetjeve mbi deklaratën e miratuar javën e kaluar nga një asamble e veçantë e ipeshkvijve amerikanë. Dokumenti kritikonte deportimet masive të administratës Trump dhe theksonte frikën e pasigurinë që kanë shkaktuar operacionet ndaj emigrantëve.

Papa Leoni e cilësoi deklaratën “shumë të rëndësishme” dhe u bëri thirrje katolikëve t’i kushtojnë vëmendje. “Duhet të gjejmë mënyra për t’i trajtuar njerëzit në mënyrë humane, me dinjitetin që u takon”, tha ai për gazetarët teksa largohej nga rezidenca papnore në Castel Gandolfo, një qytet kodrinor në jug të Romës.

“Edhe nëse njerëzit qëndrojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, ekzistojnë mënyra të rregullta për t’u marrë me këtë. Ka gjykata; ka një sistem drejtësie”, shtoi ai.

Papa pranoi se “çdo vend ka të drejtë të përcaktojë kush, si dhe kur mund të hyjë në territorin e tij”. Megjithatë, ai theksoi se është e papranueshme që njerëzit që kanë jetuar “10, 15, 20 vjet duke bërë një jetë të rregullt” të trajtohen “në mënyrë jashtëzakonisht fyese” dhe madje të dhunshme. “Ipeshkvijtë kanë qenë shumë të qartë në atë që kanë thënë”, u shpreh ai.

I zgjedhur në maj pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, Papa Leoni ka adoptuar një ton gjithnjë e më kritik ndaj politikave të emigracionit të Trump gjatë javëve të fundit.

Në shtator, ai e quajti trajtimin e emigrantëve në SHBA “çnjerëzor”, ndërsa në tetor vuri në dyshim nëse politikat e presidentit amerikan ishin në përputhje me mësimet e Kishës Katolike. “Dikush që thotë se është kundër abortit, por pajtohet me trajtimin çnjerëzor të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara… nuk e di sa pro-jetës mund të quhet,” tha ai atëherë.

Edhe atë deklaratë Papa Leoni e bëri nga Castel Gandolfo, ku tradicionalisht kalon të hënave pasdite dhe të martave. Ky pontif i lindur në Çikago riktheu pushimet papnore në Castel Gandolfo këtë verë, pas ndërprerjes së traditës nga Papa Françesku.

Të martën, Papa Leoni publikoi gjithashtu një video me tone të forta për krizën klimatike, drejtuar ipeshkvijve pjesëmarrës në samitin Cop30 në Brazil. Ai kritikoi dështimin e liderëve botërorë për të treguar vullnet politik përballë krizës: “Krijimi po bërtet përmes përmbytjeve, thatësirave, stuhive dhe vapës së pamëshirshme. Një në tre njerëz jeton në cenueshmëri të madhe për shkak të këtyre ndryshimeve klimatike.”

Ai e përmendi Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015 si “mjetin më të fuqishëm për të mbrojtur njerëzit dhe planetin”.

“Problemi nuk është marrëveshja; problemi është reagimi ynë”, tha Papa Leoni. “Ajo që mungon është vullneti politik i disa liderëve. Udhëheqja e vërtetë do të thotë shërbim dhe mbështetje në një shkallë që sjell ndryshim.”

 

“Samiti, çështja kryesore emigracioni”, eksperti: Vendet e Ballkanit Perëndimor, jo problemi kryesor

22 October 2025 at 18:25

TIRANË- Në Londër po mbahet Samiti i radhës i procesit të Berlinit, një nismë e iniciuar nga ish-kancelarja Merkel nga viti 2014. Takimi ka mbledhur liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve dhe kryeministri Edi Rama.

Në fokus të diskutimeve në Samit janë siguria,  rritja ekonomike dhe çështjet e emigracionit. Kryeministri britanik Starmer në një interviste për “The Sun” del kundër qëndrimit te ekstremistit Farage se burgjet e Anglisë janë mbushur me shqiptarë dhe mbështet deklaratat e kryeministrit Rama

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Emilio Cika, gjatë një interviste për “Tirana Live”, analizoi zhvillimet e fundit nga Samiti i liderëve europianë, duke theksuar se emigracioni dhe siguria ishin çështjet kryesore në tryezë.

Sipas tij, shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk janë as burimi kryesor dhe as rrugëkalimi më i rëndësishëm i emigrantëve që synojnë të mbërrijnë në Evropë apo Britani.

“Samiti kishte çështje kryesore emigracionin. Çështje e emigracionit dhe sigurisë nuk janë çështje vetëm për Britaninë por janë shqetësim edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë burimi kryesor i emigracionit dhe as rrugëkalimi si drejt Evropës, ashtu dhe Britanisë së Madhe. Ka një ulje të emigracionit që shkon drejt Britanisë së Madhe.”, tha ai.

Ai foli dhe për “Planin e Rritjes” dhe për disburismin e fondit prej 100 milionë euro. Sipas tij, kjo është një provë besimi që Brukseli  po tregon për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

“Në planin e rritjes është disburusar 100 milionë euro, që është një hap pozitiv. Kjo tregon besueshmërinë  Brukselit ndaj Shqipërisë dhe mbështetjen e BE ndaj Shqipërisë, që këto para të shkojnë  për objektivin kryesor, që është integrimi në BE”, u shpreh ai./abcnews.al

Friedrich Merz akuzohet për përdorim të retorikës “të rrezikshme” mbi imigracionin

21 October 2025 at 10:17


Kritikët e kanë akuzuar kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, për miratimin e retorikës “të rrezikshme” mbi imigracionin, pasi ai mbështeti dëbimet “në shkallë shumë të gjerë” të njerëzve nga qytetet - dhe pretendoi se kushdo që ka vajza do të pajtohej me të.

Merz, i cili mori detyrën në maj me një premtim për të penguar ngritjen e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), të hënën kritikoi një gazetar i cili e pyeti nëse dëshironte të rishikonte vërejtjet e tij të ashpra mbi migracionin nga java e kaluar në dritën e kritikave të përhapura, ose të kërkonte falje për to, transmeton Telegrafi.

“Nuk e di nëse keni fëmijë, dhe vajza midis tyre. Pyetni vajzat tuaja, dyshoj se do të merrni një përgjigje mjaft të qartë. Nuk kam asgjë për të tërhequr mbrapsht; përkundrazi theksoj: duhet të ndryshojmë diçka”, i tha Merz gazetarit.

Opozita e majtë akuzoi Merz se po ndjek shembullin e partive ekstremiste, pretendimet e të cilave se gratë dhe vajzat po shënjestrohen nga migrantët me dhunë seksuale, janë bërë një thirrje globale e të djathtës ekstreme.

Ricarda Lang, një deputete e profilit të lartë e të Gjelbërve, e akuzoi Merzin se kishte një mesazh paternalizues për gratë e reja që nuk arrinte të njihte shqetësimet e tyre aktuale politike.

"Ndoshta 'bijat' janë gjithashtu të ngopura me Friedrich Merzin që kujdeset vetëm për të drejtat dhe sigurinë e tyre kur ai mund t'i përdorë ato për të justifikuar politikat e tij krejtësisht të prapambetura", postoi ajo në X.

Merz tha se përparësia e tij ishte "siguria në hapësirën publike", dhe theksoi se vetëm nëse mund të garantohej "a do të fitojnë përsëri besimin partitë politike [kryesore]".

Ai kishte tërhequr kritika javën e kaluar për vërejtjet që kritikët thanë se linin të kuptohej se vetë diversiteti ishte një problem në qytetet gjermane: "Sigurisht që ne ende e kemi këtë problem në peizazhin urban, dhe kjo është arsyeja pse ministri i Brendshëm federal tani po punon për të mundësuar dhe kryer dëbime në një shkallë shumë të gjerë", tha Merz gjatë një vizite në shtetin e Brandenburgut jashtë Berlinit.

Clemens Rostock, udhëheqësi i të Gjelbërve në Brandenburg, e akuzoi Merzin se nxit paragjykime racore me komentin e tij, i cili shkaktoi protesta të vogla në disa qytete gjermane në fundjavë.

“Është e rrezikshme kur partitë në pushtet përpiqen t’i etiketojnë njerëzit si problem bazuar në pamjen ose origjinën e tyre”, tha Rostock.

Blloku CDU/CSU i udhëheqësit konservator arriti një rezultat zhgënjyes prej 28.5% në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit kundër AfD-së anti-migrante dhe anti-islame, me rekordin e saj prej 20.8%.

Që atëherë, e djathta ekstreme është barazuar me CDU/CSU-në, madje duke e tejkaluar atë në disa sondazhe, mes frikës së votuesve rreth imigracionit, krimit dhe stagnimit ekonomik.

Merz u ngrit në krye të partisë së tij duke premtuar një qëndrim më të ashpër ndaj migracionit sesa kancelarja e CDU-së, Angela Merkel, e cila ishte edhe më e përkushtuar ndaj migrimit, duke hedhur poshtë sloganin e saj “ne mund ta bëjmë” nga fluksi i refugjatëve një dekadë më parë dhe duke i dhënë asaj një pjesë të fajit për forcën e AfD-së. /Telegrafi/

Rënia befasuese e emigracionit të paligjshëm në Europë

By: Mira Leka
18 October 2025 at 22:00

Muri i madh dhe i padukshëm i Europës po ngadalëson kalimet me varka të emigrantëve, shkruan The Economist

 

“Europa ka probleme serioze” – shpërtheu Donald Trump së fundmi në një fjalim në OKB. “Emigrantët e paligjshëm po hyjnë masivisht”. Nëse i dëgjon edhe politikanët e tjerë, do të dukej sikur fluksi i emigrantëve që kalojnë kufijtë e Europës është një valë e pakontrollueshme.

Por të dhënat më të fundit tregojnë të kundërtën. Në tetë muajt e parë të këtij viti, 112 mijë persona hynë ilegalisht në Europë, 21% më pak se një vit më parë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, rënia është edhe më e fortë, 52%, kur 231 mijë njerëz mbërritën në brigjet ose kaluan kufijtë e saj.

Këto shifra nuk bien sepse kanë ndryshuar shkaqet kryesore të emigracionit. Vende si Afganistani dhe Eritrea vazhdojnë të jenë autoritare. Të tjera, si Sudani dhe Saheli, vazhdojnë të përfshihen nga luftëra civile ose kryengritje të dhunshme.

Ndërkohë, varfëria mbetet e përhapur në Bangladesh dhe Egjipt, dy prej vendeve të origjinës më të zakonshme të emigrantëve që hyjnë në Europë në mënyrë ilegale, shumë prej tyre në kërkim të punës.

Ajo që ka ndryshuar është fakti se blloku po eksperimenton me mënyra të reja për t’i ndaluar. Rezultatet do t’i kënaqin shumë, por disa nga metodat e përdorura janë shqetësuese. BE-ja po dëshmon se politika të ashpra, të zbatuara shumë larg brigjeve të saj, po e mbajnë emigracionin nën kontroll.

 

 

Në vitet e fundit, shumica e emigrantëve që hynë ilegalisht në BE përdorën tre rrugë kryesore detare. E para është e ashtuquajtura rruga qendrore e Mesdheut, që kalon kryesisht nga Tunizia dhe Libia drejt Italisë dhe Maltës.

E dyta është rruga lindore e Mesdheut, që nis kryesisht nga Turqia drejt Qipros dhe Greqisë me det, por përfshin edhe kalime tokësore në Greqi e Bullgari. E treta është rruga perëndimore afrikane, ku varkat nisen nga vende si Mauritania dhe Maroku, duke kaluar në Atlantik drejt Ishujve Kanarie, territor spanjoll.

Kriza e emigracionit në Europë nisi në mesin e viteve 2010, kur lufta civile në Siri dhe konflikte të tjera sollën fluksin më të madh të refugjatëve në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore. Pas mbërritjes së mbi një milion njerëzve në vitin 2015, BE-ja u mbështet te politika e parandalimit, me shpresën se do të dekurajonte të tjerët duke e bërë kalimin më të vështirë.

Derisa së fundmi kjo strategji rezultoi e gabuar. Pas rënies gjatë pandemisë së covid-19, emigracioni i paligjshëm në BE u rrit ndjeshëm tre vitet radhazi deri në 2023, kur arriti në 380 mijë persona. Por këtë verë, kur moti i mirë normalisht do të kishte sjellë një rritje të varkave që kalojnë Mesdheun, strategjia duket se ka dhënë rezultat.

Në praktikë, strategjia e BE-së ka qenë ndërtimi i një muri të madh dhe të padukshëm, shumë larg kufijve të saj, ku emigrantët ndalohen dhe kthehen pas shumë përpara se të kenë mundësi të shkelin në tokën europiane dhe të kërkojnë azil.

Kjo është arritur përmes një rrjeti të ndërlikuar marrëveshjesh të nënshkruara nga BE-ja dhe nga shtete anëtare me vendet e tranzitit, përmes të cilave kalojnë emigrantët.

Në këmbim të ndalimit të flukseve, këtyre vendeve u jepen fonde dhe investime të mëdha. Egjiptit iu premtuan 7.4 miliardë euro; Tunizisë 1 miliard. Për më tepër, BE-ja ose shtetet anëtare trajnojnë dhe financojnë rojet bregdetare, zyrtarët e kufijve dhe policitë vendore.

 

Marrëveshja

Disa marrëveshje u nënshkruan që më 2015, mes Turqisë dhe BE-së, dhe më 2017 mes Italisë dhe Libisë, por fillimisht ishin me efekt të kufizuar, sepse bllokonin vetëm një pjesë të rrugëve të emigracionit. Kur një korridor mbyllej, hapej një tjetër, duke zhvendosur problemin pa e zgjidhur atë.

Ndërsa këto marrëveshje u zgjeruan në mënyrë të qëndrueshme në Afrikën Veriore dhe Perëndimore, ato u bënë më efektive duke e bërë gjithnjë e më të vështirë shmangien e bllokadave.

Në vitin 2024, një vit pas marrëveshjes me Tunizinë, kalimet në rrugën qendrore të Mesdheut ranë me 58%. Vitin e kaluar, blloku arriti marrëveshje me Mauritanian, që uli flukset në rrugën perëndimore afrikane me 52% këtë vit.

Efektiviteti i tyre është rritur edhe nga shtylla e dytë e strategjisë së BE-së: mbikëqyrja më e avancuar e kufijve dhe ujërave të jashtme. Vijat bregdetare të shteteve të Afrikës së Veriut janë të gjata dhe me popullsi të vogël duke i bërë të vështira për t’u kontrolluar.

Teknologjitë e reja po e ndryshojnë këtë. Frontex, agjencia kufitare e BE-së, tani përdor dronë për të patrulluar mbi ujërat libiane dhe tuniziane.

Kur zbulon një varkë, njofton autoritetet përkatëse. Në tre vitet deri në 2024, Frontex ndau mbi 2,000 herë vendndodhjen e varkave të emigrantëve me autoritetet libiane, sipas “Lighthouse Reports”, organizatë jofitimprurëse e gazetarisë investigative.

Por sukseset e Europës kanë një kosto njerëzore. Në disa raste, të ashtuquajturat roje bregdetare në Libi që BE-ja udhëzon drejt varkave nuk janë gjë tjetër veçse milici.

Disa nga emigrantët e ndaluar ose të kthyer në Libi janë keqtrajtuar, përdhunuar ose kthyer në skllevër, sipas organizatave të të drejtave të njeriut. Malta është akuzuar për ndihmën që i ka dhënë një milicie libiane famëkeqe dhe shumë të dhunshme, për të kthyer mbrapsht varka nga ujërat e saj.

Ndërsa BE-ja ka nënshkruar marrëveshje me më shumë vende, abuzimet janë zhvendosur gjithnjë e më larg brigjeve europiane.

Regjimi autoritar i Tunizisë është akuzuar se ka braktisur mijëra emigrantë të ndaluar në shkretëtirë pranë kufirit me Algjerinë, ndërsa Mauritania për kthimin e njerëzve përtej kufirit në Mali e Senegal.

Organizatat e të drejtave të njeriut pretendojnë se mizoria është e ndërtuar brenda planit të BE-së, pasi ai mbështetet te regjime autoritare, që përdorin mjete brutale për të penguar emigrantët të tentojnë kalimin.

Julia Schafermeyer nga SOS Méditerranée, OJQ kërkim-shpëtimi që sjell të mbijetuarit në brigjet europiane, ankohet për një “fushatë pengesash administrative” që ka për qëllim të dobësojë mbikëqyrjen e abuzimeve dhe të pengojë operacionet e shpëtimit.

Në gusht, roja bregdetare libiane hapi zjarr mbi një anije shpëtimi të OJQ-së, ndërsa kjo e fundit kërkonte një varkë në rrezik.

Për disa, deti është fatal. Këtë vit, të paktën 456 emigrantë kanë humbur jetën dhe mbi 420 janë raportuar të zhdukur në aksidente me varka në Mesdheun Qendror, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin të OKB-së.

Ulf Laessing, drejtues i programit në Sahel të Fondacionit “Konrad Adenauer” me bazë në Mali, paralajmëron se mbyllja e rrugëve më të shkurtra, si ajo nga Saharaja Perëndimore drejt Ishujve Kanarie, mund t’i detyrojë njerëzit të ndjekin rrugë më të gjata dhe më të rrezikshme, si ato nga Senegali apo Gambia.

Frontex thotë se siguron që kufijtë të ruhen në mënyrë të ligjshme dhe me respekt për të drejtat themelore. “Nuk ka vend për brutalitet në menaxhimin e kufijve europianë – tha një zëdhënës. – Kjo nuk është politikë. Jo në mënyrën se si punojmë dhe as në atë që presim apo tolerojmë nga partnerët tanë.”

 

Në ujëra të turbullta

Megjithëse politikat e reja të BE-së po e mbajnë emigracionin e paligjshëm nën kontroll, pyetja kryesore është nëse kjo mund të zgjasë.

Presioni i emigracionit ka gjasa të rritet në vende si Afrika Sub-Sahariane për shkak të rritjes së popullsisë, ndryshimeve klimatike dhe pasigurisë. Gjeopolitika mund të kufizojë gjithashtu aftësinë e BE-së për ta mbajtur murin e saj të madh e të padukshëm larg kufijve.

Për shkak se mbështetet kryesisht në bashkëpunimin e qeverive të huaja, BE-ja rrezikon të bëhet e varur prej tyre. Turqia dhe Maroku e kanë përdorur tashmë aftësinë për të hapur ose për të mbyllur flukset e emigrantëve si levë presioni ndaj Europës, për më shumë fonde ose për të zbutur kritikat ndaj politikave të tyre të jashtme.

Kjo mund të shpjegojë pse shumë shtete europiane po përpiqen të bëhen gjithashtu më pak tërheqëse për emigrantët. Italia po përpiqet të zhvendosë përpunimin e kërkesave për azil në Shqipëri (edhe pse plani është bllokuar nga Gjykata e Lartë e BE-së). Greqia kërcënon me burgosje ata që nuk largohen pasi u refuzohet azili.

Disa argumentojnë se Europa duhet të bëjë më shumë për të adresuar shkaqet e emigracionit, si varfëria ose konfliktet, që në rrënjë. Por Perëndimi ka më pak vullnet për ndërtime shtetesh apo misione paqeruajtëse pas dështimeve në Afganistan e Libi.

Për më tepër, rritja e të ardhurave në vendet e varfra mund të shtojë numrin e atyre që kanë mundësi të paguajnë kontrabandistët për kalim.

Me gjithë këto presione, BE-ja e ka vërtetuar se politikat e ashpra mund të ulin emigracionin e paligjshëm.

 

 

The post Rënia befasuese e emigracionit të paligjshëm në Europë appeared first on Revista Monitor.

Trump urdhëron dërgimin e trupave në Portland, autorizon përdorimin e forcës së plotë

27 September 2025 at 20:15

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar vendosjen e trupave në Portland, Oregon, duke autorizuar përdorimin e “forcës së plotë” nëse është e nevojshme, siç raporton BBC. “Po i drejtoj Sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, të vendosë të gjitha trupat e nevojshme për të mbrojtur Portlandin e shkatërruar nga lufta, si dhe çdo objekt të ICE nën […]

The post Trump urdhëron dërgimin e trupave në Portland, autorizon përdorimin e forcës së plotë appeared first on BoldNews.al.

Emigracioni bëhet shqetësues/ Eurostat: 1 milionë shqiptarë kanë ikur në 16 vitet e fundit

By: V K
16 September 2025 at 07:51

Nga viti 2008 deri në 2024, rreth 1 milionë shqiptare kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të Eurostat.

Shqiptarët me leje qëndrimi të rregullt përbëjnë rreth 41% të popullsie që jeton ende këtu. Por totali i shqiptarëve jashtë vendit është më i lartë po të përfshihen emigrantët që jetojnë në Britani, USA, Kanada dhe në vende të tjera jashtë BE-së.

Duke analizuar të dhënat e Eurostat mbi lejet e qëndrimit, për herë të parë dhënë shtetasve shqiptarë nga vendet e Bashkimit Europian shihet një rritje e vazhdueshme e emigracionit që ka ardhur, duke u përshpejtuar vitet e fundit.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2008 ishin regjistruar 97,780 mijë leje qëndrimi për herë të parë, ndërsa deri në vitin 2014 stoku i lejeve arriti rreth 389 mijë.

Pas vitit 2015, ritmi i rritjes u përshpejtua ndjeshëm. Në vitin 2018 totali kaloi mbi 600 mijë, ndërsa në vitin 2021 kishte shkuar në mbi 765 mijë leje.

Trendi vijoi edhe më fuqishëm në tre vitet e fundit, pas pandemisë. Vetëm nga 2021 deri në 2024, numri i lejeve të qëndrimit të dhëna për shqiptarët në BE u shtua me mbi 230 mijë, duke e çuar totalin kumulativ në pothuajse 1 milion (999,138) në fund të vitit 2024.

Ky ritëm tregon për një presion të vazhdueshëm emigrimi nga Shqipëria drejt vendeve europiane, pavarësisht zhvillimeve ekonomike dhe sociale të brendshme.

Rritja konstante nga viti në vit tregon për një prirje afatgjatë dhe të qëndrueshme, ku çdo vit mijëra qytetarë kanë kërkuar mundësi pune dhe jetese në vendet e BE-së.

Punësimi dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike, është arsyeja kryesore që i shtyn shqiptarët të emigrojnë.

Rritja ekonomike e vendit nuk është shpërndare në mënyrë të barabartë gjatë tranzicionit. Mungesa e vendeve të punës me paga të denja, informaliteti i lartë në tregun e punës dhe mungesa e sigurisë afatgjatë për profesionistët kanë qenë shtysa kryesore për emigrim.

Paga mesatare në Shqipëri, ka mbetur shumë poshtë mesatares së BE-së dhe Rajonit, duke nxitur më tej kërkesën për migrim ekonomik, veçanërisht drejt Italisë, Greqisë, Gjermanisë e më pas edhe vendeve të tjera të Europës Perëndimore.

Një numër i madh të rinjsh kanë zgjedhur të studiojnë në vendet e BE-së, duke përfituar nga bursat dhe programet europiane.

Pjesa më e madhe e tyre më pas kanë aplikuar për leje qëndrimi dhe punësimi. Mungesa e perspektivës profesionale në Shqipëri dhe pamundësia për të gjetur punë të kualifikuara kanë forcuar këtë prirje.

Një pjesë e madhe e lejeve të qëndrimit kanë ardhur edhe si rezultat i bashkimit familjar. Shqiptarët që u vendosën më herët në vendet e BE-së kanë tërhequr familjarët e tyre, duke rritur numrin e lejeve të reja nga viti në vit, sidomos në vitet e fundit.

Shifra 1 milion leje qëndrimi të shqiptarëve në BE, e rendit Shqipërinë në krye të vendeve për emigracionin e lartë në raport me popullsinë, duke na renditur gjithashtu ndër komunitetet më të mëdha të emigrantëve në hapësirën europiane./ Monitor

The post Emigracioni bëhet shqetësues/ Eurostat: 1 milionë shqiptarë kanë ikur në 16 vitet e fundit appeared first on Albeu.com.

❌
❌