Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Main stream

LSDM: Buxhetit të shtetit i mungojnë rreth 1 miliardë euro, por qeveria po shpenzon para për tendera të dyshimtë

27 December 2025 at 11:10


LSDM akuzon se buxhetit të shtetit i mungojnë rreth një miliard euro, ndërsa qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski nuk ka fonde për paga më të larta, rritje të pagës minimale, pensione më të larta dhe rimbursime në kohë të TVSH-së.

Sipas partisë opozitare, Drejtoria e të Ardhurave Publike po ushtron presion të fortë mbi qytetarët dhe ekonominë për të mbushur boshllëqet buxhetore, ndërsa në të njëjtën kohë, qeveria, siç thuhet nga LSDM, po shpenzon para publike për tendera të dyshimtë dhe kriminale.

"Qeveria e Mickoskit dhe OBRM-PDUKM-së nuk ka para për punëtorët dhe pensionistët, por ka para për tendera shumëmilionësh. 161 tendera iu dhanë një kompanie në vlerë prej 5.3 milionë eurosh, nëntë milionë euro një kompanie tjetër me vetëm dy punonjës, si dhe tendera që lidhen me një student të Mickoskit", akuzon LSDM.

Partia thekson se programi IPARD 3 me vlerë 130 milionë euro është gjithashtu në rrezik, për shkak të, siç thonë ata, krimit dhe korrupsionit të OBRM-PDUKM-së dhe ZNAM-it.

LSDM paralajmëron se energjia elektrike po bëhet më e shtrenjtë, standardi i jetesës po përkeqësohet vazhdimisht dhe qytetarët po jetojnë jetë gjithnjë e më të vështira, ndërsa qeveria, sipas tyre, po pasurohet përmes prokurimit publik dhe tenderëve.

"Duhet të ketë llogaridhënie. Ju të gjithë do të mbaheni përgjegjës. Puna nuk ka mbaruar", thotë LSDM.

Yesterday — 26 December 2025Main stream

Maqedonia e Veriut shpall gjendje krize për energjinë elektrike

26 December 2025 at 09:13

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli të martën gjendje krize shtatë-ditore për furnizimin me energji elektrike, për shkak të ndërprerjeve në furnizimin me naftë nga Greqia.

Masa i lejon kompanisë shtetërore të energjisë elektrike, ESM, të përdorë rezervat e detyrueshme shtetërore të naftës pa kompensim, njoftoi qeveria në një deklaratë.

“Ky vendim vjen si pasojë e pamundësisë për t’u furnizuar me naftë, e cila është thelbësore për prodhimin e energjisë. Rezervat shtetërore të naftës do të transferohen pa kompensim dhe ESM është e detyruar t’i raportojë qeverisë dhe Ministrisë së Financave mbi konsumin e karburantit”, thuhet në deklaratën e qeverisë në Shkup, pas mbledhjes së kabinetit të hënën.

ESM i kishte kërkuar qeverisë shpalljen e gjendjes së krizës për shkak të vështirësive në furnizimin me linjit dhe naftë nga Greqia. Kompania ia atribuoi këto ndërprerje bllokadave të vendosura nga fermerët grekë në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë ndikuar në furnizimin me burime kryesore të energjisë për prodhimin e energjisë elektrike.

Sipas ESM, shpallja e krizës ishte e nevojshme për të mundësuar përdorimin e rezervave shtetërore dhe për të siguruar energji të mjaftueshme derisa pikat kufitare të rifillojnë funksionimin normal, shkruan klankosova.

Pjesa më e madhe e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut prodhohet nga termocentralet e ESM-së, të cilat përdorin linjit dhe naftë.

Bullgaria ofroi furnizime emergjente me naftë për Maqedoninë e Veriut pas shpalljes së krizës, sipas shërbimit informativ të qeverisë bullgare.

Oferta u komunikua gjatë një telefonate mes ministrit të Jashtëm bullgar, Georg Georgiev dhe homologut të tij maqedonas, Timço Mucunski, sipas raportimeve.

Before yesterdayMain stream

Mickoski mesazh qytetarëve që jetojnë jashtë vendit: Sado të suksesshëm të jeni në shtete tjera, çdo herë do të konsideroheni ardhacakë

24 December 2025 at 13:21


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, ka mbajtur fjalim në Forumin dedikuar për qytetarët e Maqedonisë të cilët janë kthyer në vend. Ai tha se kthimi i shtetasve të RMV-së për të jetuar në vend është mesazh se atdheu nuk harrohet dhe se rrënjët nuk priten.

Ai gjithashtu theksoi se "nuk duhet të zemërohemi me ata që vendosin të largohen", ndërsa atyre që jetojnë jashtë u tha se çdo herë do të llogariten si "të ardhur", pavarësisht suksesit në vendet e huaja, përcjell Telegrafi Maqedoni.

"Sot po flas para njerëzve që mbajnë një peshë të veçantë në këtë shoqëri. Njerëz që e njohin atdheun si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë. Njerëz që u larguan, jo sepse dëshironin ta braktisnin atdheun, por sepse jeta, koha dhe rrethanat i detyruan të kërkonin kushte më të mira, siguri dhe perspektivë. Dhe ajo që është më e rëndësishmja – njerëz që janë kthyer dhe kanë nisur këtu një histori të re dhe të suksesshme. Kthimi juaj nuk është simbolik. Ai është thelbësor. Është një mesazh se Maqedonia nuk është harruar, se rrënjët nuk janë këputur dhe se dashuria për shtëpinë nuk zhduket, pa marrë parasysh vitet dhe largësinë".

"Dua të them qartë dhe sinqerisht. Ne nuk mund të zemërohemi me ata që janë larguar. I kuptojmë. E kuptojmë mundimin e tyre, luftën e tyre dhe vendimet e tyre të vështira. Ne e dimë se shumë u larguan sepse nuk kishin zgjedhje. Sepse dëshironin një arsim më të mirë për fëmijët e tyre, një punë më të sigurt, një pagë dinjitoze, një jetë stabile. Dhe kjo është një nevojë njerëzore normale. Kjo është luftë për të ardhmen. Por, gjithashtu dimë edhe diçka tjetër. Se sa do larg që të shkojë njeriu, zemra gjithmonë e tërheq prapa. Sepse, siç thotë me urtësi populli ynë – guri peshon në vend të vet. Kudo që të shkoni nëpër botë, sa do të suksesshëm që të jeni, atje gjithmonë do të jeni ardhacakë", tha Mickoski.

Kuvendi sot do të votojë për plotësimin e vendeve boshe në qeveri

24 December 2025 at 09:38


Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot do të mbajë seancën e 75-të, në të cilën në rend dite janë zgjedhja e ministrave të rinj, në Ministrinë për Çështje Evropiane dhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor.

Pika e parë në rend të ditës është Propozimi për shkarkimin e Orhan Murtezanit nga pozicioni ministror në Ministrinë e Çështjeve Evropiane. Ndërsa deputeti aktual dhe ish-Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, është propozuar si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i ri i Çështjeve Evropiane.

Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Qeverisë erdhi pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në tetor, pasi Izet Mexhiti mori postin e kryetarit në Komunën e Çairit, i cili kishte shërbyer si Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Qeveria ka propozuar ish-zëdhënësin e qeverisë Muamet Hoxha si ministër të ri të Mjedisit.

Deputetët kanë para tyre edhe disa projektvendime për miratimin e programeve vjetore të disa institucioneve - Projektvendimin për Miratimin e Programit Vjetor të Punës së Agjencisë Postare për vitin 2026 dhe Projektvendimin për Miratimin e Programit Vjetor të Punës dhe Zhvillimit për vitin 2026 të Agjencisë Rregullatore të Sektorit Hekurudhor dhe Strategjinë e Rishikuar Fiskale të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitet 2026-2030.

VLEN: Shëndetësia hyn në fazë të re, do të blihen 100 automjete të reja të ndihmës së shpejtë

24 December 2025 at 09:03


Dje në mbledhjen e Qeverisë, u morën dy vendime, ndërsa nga VLEN thonë se janë vendime që i japin goditje direkte kaosit dhe neglizhencës shumëvjeçare në shëndetësinë publike.

Nga VLEN thonë se nën udhëheqjen e Ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, po vendosen standarde të reja dhe po investohet aty ku është më jetike, te jeta e qytetarëve.

"Me vendimin për 100 automjete të reja të ndihmës së shpejtë, me vlerë mbi 461 milionë denarë, sigurohet reagim më i shpejtë në urgjenca, transport më efikas të pacientëve dhe mbulim më i mirë në të gjithë vendin, si në qytete ashtu edhe në zona rurale".
"Njëkohësisht, po zgjidhet edhe një nga problemet më të vjetra dhe më irrituese, parkimi në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”. Me heqjen e pengesave administrative hapet rruga për rregull, modernizim, rritje kapacitetesh dhe qasje të organizuar për pacientët dhe stafin mjekësor".

"Koalicioni VLEN vlerëson lart vendosmërinë dhe seriozitetin e Ministrit Azir Aliu, i cili po dëshmon se shëndetësia nuk reformohet me fjalë, por me vendime të guximshme dhe punë konkrete", thonë nga VLEN.

Spiropali takoi Ahmetin, Mexhitin e Kasamin! Fokus te bashkëpunimi politik dhe perspektiva evropiane

23 December 2025 at 18:46


Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka vazhduar edhe sot me takime në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Në selinë e BDI-së në Tetovë, ajo u prit nga kreu i integristëve Ali Ahmeti dhe kryetrari i ASH-së Arben Taravari.

Pas takimit, Ahmeti shkroi se kanë zhvilluar një bashkëbisedim të hapur mbi zhvillimet aktuale politike, marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm institucional në funksion të stabilitetit rajonal dhe perspektivës evropiane.

Në Tetovë, Spiropali u prit edhe nga kryetari i Komunës, Bilall Kasami, i cili shkroi se kjo vizitë bart frymën e një kombi që nuk ndahet me kufij, por bashkohet me gjuhë, histori dhe përgjegjësi të përbashkët. “Tetova mbetet urë bashkëpunimi dhe dinjiteti kombëtar”, shkroi Kasami.

Edhe kryetari i Çairit Izet Mexhiti ka pritur në takim kryediplomaten shqiptare, ndërsa pas takimit ai kumtoi se kanë folur për zhvillimet aktuale rajonale, rolin e diplomacisë shqiptare në forcimin e lidhjeve mbarëkombëtare, si dhe rëndësinë e një bashkëpunimi të thellë ndërinstitucional, në funksion të interesave të përbashkëta.

Ministrja e Jashtme Spiropali po ashtu zhvilloi takim edhe me grupin e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së veriut për bashkëpunim me Parlamentin e Shqipërisë.

Qeveria shpall gjendje krize, mungon mazuti për prodhimin e energjisë elektrike

23 December 2025 at 16:40


Qeveria e Maqedonisë së Veriut njofton se ka shpallur gjendje krize për shtatë ditë, për shkak të mungesës së prodhimtarisë së energjisë elektrike, e cila vjen si pasojë e mungesës së blerjes së mazutit.

"Qeveria, në mbledhjen e sotme të rregullt të 138-të qeveritare, me propozim të Komitetit Drejtues për koordinim dhe menaxhim të Sistemit për Menaxhimin e Krizave, miratoi vendim për ekzistencën e gjendjes së krizës në furnizimin me energji elektrike në të gjithë territorin e shtetit, për periudhë prej 7 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi".

"Siç kemi informuar gjatë ditëve të mëparshme, ky vendim rrjedh si pasojë e pamundësisë për sigurimin e mazutit, i cili është i domosdoshëm në procesin e prodhimit. Rezervat e detyrueshme të derivateve të naftës do të vihen në dispozicion pa kompensim, ndërsa SHA EMV ka për detyrë që për shpenzimin e derivatit të naftës – mazut, të dorëzojë raport pranë Qeverisë dhe Ministrisë së Financave", thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Këshilli ekonomik-social: Nuk ka marrëveshje për rritje të jashtëzakonshme të pagës minimale

22 December 2025 at 19:19


Siç edhe pritej, punëdhënësit dhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë nuk u morën vesh për rritjen e pagës minimale para harmonizimit ligjor në mars. Po ashtu, siç pritej, edhe Qeveria e përsëriti qëndrimin se është për një pagë minimale më të lartë, por vetëm nëse sindikatat dhe punëdhënësit bien dakord. Në LSM mungesa e zgjidhjes nuk u pëlqeu dhe paralajmëruan se nëse deri në Vitin e Ri nuk ka marrëveshje, do të ketë protesta.

“Sot u paraqitëm me argumente, i rrëzuam të gjitha tezat e deritanishme të punëdhënësve, si dhe të përfaqësuesve të qeverisë. Megjithatë, këto argumente për ta nuk ishin të mjaftueshme, as anketa që e realizoi LSM me 1.600 të anketuar nuk ishte një mostër përfaqësuese. Fakti që hapen më shumë kompani sesa që mbyllen me rritjen e pagës minimale, nuk është i mjaftueshëm. Fakti që rritet numri i të punësuarve, ndërsa zvogëlohet numri i të papunëve, gjithashtu nuk është i mjaftueshëm”, tha Slobodan Trendafilov – kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.

Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi thotë se në Këshillin ekonomik-social janë paraqitur të gjitha argumentet pro dhe kundër një page minimale më të lartë. LSM thotë se ajo është më e ulëta në rajon, ndërsa Durmishi se jemi më mirë se Bullgaria dhe Turqia. Por, punëdhënësit kanë prezantuar të dhëna se profitabiliteti i kompanive vendore sillet nga 2 deri në 5 për qind dhe se nuk mund të rritet paga minimale. Sipas disa përllogaritjeve, nëse kompanitë heqin dorë nga profiti, respektivisht të punojnë pa fitim, paga do të ishte diçka mbi një mijë euro.

“Sipas indikatorëve tanë, në këto kushte ekonomike nuk ka arsyetim për rritje intervenuese të pagës minimale para harmonizimit të rregullt në muajin mars, i cili është i përcaktuar qartë me Ligj dhe që do të jetë ndërmjet 1.500 deri në 2.000 denarë. Më saktë do ta dimë pas Vitit të Ri, kur do t’i kemi të gjitha të dhënat dhe përllogaritjet do të tregojnë saktësisht se sa do të jetë paga minimale, respektivisht nga muaji mars kur do të harmonizohet”, theksoi minsitri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Por, janë paraqitur edhe ide të tjera, ndër to edhe që paga minimale të rritet, por kontributet për rritjen për një periudhë të caktuar t’i paguajë qeveria.

“Një nga propozimet e Konfederatës së Biznesit të Maqedonisë në kuadër të Ligjit për Marrëdhënie Pune është që të zgjerohet negocimi kolektiv, me ç’rast të përfshihet edhe paga minimale, veçanërisht në sektorë të caktuar. Propozimi ynë është se me negocimin e pagës minimale në sektorë të caktuar mund të zvogëlohen edhe keqpërdorimet, kështu që topi është mes sindikatave dhe punëdhënësve”, u shpreh Mile Boshkov – Konfederata e Biznesit të Maqedonisë.

Nga LSM i akuzuan sindikatat e tjera se e kanë mbrojtur Qeverinë dhe punëdhënësit dhe për këtë arsye i thirrën të gjithë punëtorët që të japin mbështetje për hapat e ardhshëm të kësaj sindikate./TV21/

Qeveria nesër vendos për gjendje krize në energjetikë, Bozhinovska: Nuk do të ketë krizë dhe kufizime të rrymës

22 December 2025 at 16:45


Nuk do të ketë asnjë krizë, as restrikcione të energjisë elektrike – siguron ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinovska, pasi EMV i kërkoi Qeverisë shpalljen e gjendjes së krizës në tregun e energjisë elektrike, për shkak të vështirësive në furnizimin me lëndë djegëse për shkak të bllokadës së kufijve me Greqinë nga bujqit grekë. Ajo informoi se nesër, në seancë qeveritare, do të shqyrtohet kërkesa e EMV-së me të cilën duhet të aktivizohen rezervat shtetërore. Në rezerva kemi 10.500 ton mazut, të cilat janë të mjaftueshme për 47 ditë.

“EMV ka dorëzuar një letër në Qeveri. Ajo do të shqyrtohet nesër në seancë qeveritare. Nuk do të ketë asnjë krizë. Për qytetarët kjo nuk do të thotë asgjë, sepse shteti ka rezerva të mazutit. Kjo do të thotë se, nëse e dini se ka protesta nga grekët, do të thotë se tashmë ka më shumë se 50 ditë pamundësi për furnizim me mazut. Kjo do të thotë se rezervat shtetërore do ta furnizojnë EMV-në me mazut”, tha Sanja Bozhinovska, ministre e Energjetikës.

Protestë të bujqve grekë ka edhe pasdite, por Bozhinovska thotë se paralajmërimet janë se pikat kufitare me Greqinë do të jenë të kalueshme për festat. Po ashtu, ministrja informoi se është përzgjedhur kompania që do të ndërtojë linjën e tensionit të lartë drejt Shqipërisë, pasi më herët, për shkak të mosrespektimit të obligimeve, ishte ndërprerë kontrata me “Energoinvest” nga Bosnja. Tha se detajet do t’i kumtojë MEPSO, dhe theksoi se po punohet intensivisht edhe në ndërtimin e interkonektorit të gazit me Greqinë, i cili duhet të përfundojë në pranverë 2027.

“Ishim edhe në Serbi në një takim dypalësh. Atje biseduam për Serbi-Maqedoni. Atje kemi 23 kilometra. Do të paraqitemi bashkë dhe do të shohim për financim nga Banka Botërore. Presim gjithashtu që deri në fund të vitit 2027 të përfundojë, që do të thotë se Maqedonia do të jetë serioze, do të tranzitohet gazi Greqi-Maqedoni-Serbi”, pohoi Sanja Bozhinovska, ministre e Energjetikës.
Bozhinovska informoi se plani vjetor për vitin 2025 parasheh ndërtimin e objekteve energjetike me fuqi totale prej 1.265 megavatësh, investime rreth 1,4 miliard euro. Për vitin 2026, në Ministria ka mbërritur kërkesa për ndërtimin e kapaciteteve energjetike me gjithsej 10.950 megavat fuqi.

Mickoski mbajti takim koordinues në Qeveri, u përcaktuan prioritetet dhe afatet për reformat kyçe

21 December 2025 at 17:02


Përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe forcimi i koordinimit ndërinstitucional janë thelbësore për suksesin e reformave. Ky është përfundimi i takimit javor të mbajtur sot nga kryeministri Hristijan Mickoski.

Fokusi i diskutimeve ka qenë dinamika e zhvillimit të proceseve dhe respektimi i afateve të përcaktuara. Kryeministri informoi për rrjedhën e takimit përmes rrjeteve sociale:

“Sot mbajtëm takimin javor me temë agjendën reformuese. Gjatë takimit u shqyrtuan prioritetet aktuale dhe afatet për zbatimin e reformave kyçe, duke u theksuar nevoja për koordinim ndërinstitucional dhe shpërndarje të qartë të përgjegjësive. Për zbatimin e suksesshëm të agjendës reformuese, është thelbësore që ta kryejmë detyrën tonë të brendshme”, shkroi Mickoski.

LSDM: Qeveria nuk ka investime në masa për ajër më të pastër

20 December 2025 at 15:11


Partia opozitare LSDM ka akuzuar qeverinë aktuale pasi Shkupi vazhdon të jetë ndër qytetet më të ndotura në Evropë.

Sipas LSDM-së, pushteti nuk është duke ndërmarë masa konkrete në këtë drejtim.

“Në vend që të investojë para në projekte dhe politika për ajër më të pastër, në vend që të marrë masa dhe t’i mbrojë qytetarët, qeveria e Mickoskit shikon si të pompojë më shumë para përmes tenderëve kriminalë. 161 tender për një kompani, 9 milionë euro për një tjetër, vetëm për këtë ka para qeveria e Mickoskit. Nuk ka për investime në masa për ajër më të pastër. Për më tepër, sipas metodave të Vuçiqit dhe Gruevskit, Hristijan Mickoski i gënjen qytetarët se ajri ka qenë më i pastër se ai i Vjenës”, thonë nga LSDM.

Sipas të dhënave nga “Air Care” zviceran, edhe mëngjesin e ditës së sotme Shkupi zuri vendin e tretë pas Sarajevës dhe Bukureshtit sa i përket përqendrimit të grimcave PM-10.

Sipas të dhënave nga ky aplikacion, në stacione të caktuara matëse në Shkup, përqendrimi i grimcave PM-10 tejkalon 300.

Nga 1 janari Qeveria do bëj llogaritjen e vetë të shportës konsumatore

17 December 2025 at 17:37


Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski. paralajmëroi se nga 1 janari përveç që sindikatat do ta llogarisin shportën minimale konsumatore edhe ata si Qeveri do të bëjnë llogaritje për shportën mesatare konsumatore, e cila do të jetë për të paktën një familje me katër anëtarë.

Në këtë temë do të bisedohet në Këshillin Ekonomik – Social, i cili është caktuar më 22 dhjetor.

“Një nga pikat sigurisht që do të jetë llogaritja e shportës mesatare konsumatore, e cila u vendos në mbikëqyrje të sindikatave dhe punëdhënësve për ta parë, nëse e miratojnë. Nga 1 janari, përveç shportës minimale sindikale, do të kemi edhe një shportë mesatare konsumatore në nivel të Republikës së Maqedonisë, e cila do të jetë e dobishme për ne si ekonomi dhe qeveri për strategji të mëtejshme në politikat ekonomike dhe sigurisht për ruajtjen e standardit të jetesës”, thotë Risteski.

I pyetur cilat parametra do të merren gjatë llogaritjes së shportës së re mesatare konsumatore, Risteski thotë se do të merren çmimet nga supermarketet më të mëdha.

“Shikoni, parametrat do të merren nga marketet më të mëdha në Maqedoni, parametrat do të merren nga produktet ushqimore bazë, për gjithçka që nevojitet për një jetë mesatare, për një familje mesatare maqedonase. Ato do të merren edhe nga rajone të ndryshme dhe më shpesh frutat dhe perimet do të merren nga ajo që është karakteristike për periudhën, kur llogaritet gjatë vitit”, thotë Risteski.

Ai shtoi se kjo nuk do të jetë shporta e vetme, e cila do të llogaritet për herë të parë nga një institucion zyrtar.

“Po planifikojmë të llogarisim edhe shporta të tjera, si për shembull për një familje me dy anëtarë, tre anëtarë, sepse kjo mesatare do të jetë për të paktën një familje me katër anëtarë, pastaj për pensionistët etj. Këto janë qëndrime të mëtejshme që duhet t’i diskutojmë dhe t’i dakordojmë në kuadër të Këshillit Ekonomik dhe Social”, thotë Risteski.

Sa i përket pagës minimale, Risteski theksoi se ne kemi Ligj të përhershëm për llogaritje të pagës minimale.

“Kështu zgjidhja duhet të ndodhë në fund të marsit, më 31 mars 2026. Megjithatë, ne jemi sigurisht të hapur, transparentë si Qeveri dhe Ministri e Ekonomisë dhe Punës, për t’i dëgjuar sindikatat dhe punëdhënësit. Nëse ajo që u është propozuar sindikatave dhe punëdhënësve është e vlefshme, nëse ata bien dakord për një ndryshim të formulës ekzistuese, për një pagë më të lartë, ne si Qeveri do ta respektojmë atë. Derisa të bien dakord, ne kemi një Ligj që duhet ta respektojmë dhe sipas atij Ligji, sipas llogaritjeve, rritja e pagës minimale duhet të jetë nga 1.700 në 2.000 denarë”, tha Risteski.

Gastronomët në Ohër e Strugë kërkojnë masa konkrete për “shpëtimin” e tyre

14 December 2025 at 17:14


Ulja e TVSH-së për ushqimet nga 18% në 10%, si dhe subvencionimi i kontributeve për të punësuarit.

Këto janë disa nga kërkesat kryesore të gastronomëve në prag të vitit të ri. Sezoni jo aq i mirë turistik këtë verë, si dhe problemet me të cilat përballen për shkak të mungesës së stafit dhe çmimeve të larta të produkteve, i ka detyruar përsëri gastronomet sërish të drejtohen tek Qeveria.

„Në rajonin Ohër-Strugë ka turizëm sezonal dhe përballemi me probleme për të mbajtur punonjësit gjatë 12 muajve. Është kërkuar dhe ende kërkojmë një formë subvencioni për punonjësit që qëndrojnë 12 muaj në punë, që të subvencionohen të paktën për periudhën më të ulët sezonale, për të na ndihmuar që të mos kemi humbje të mëdha“, tha Kërste Blazheski – kryetar i HOTAM.

Kërkesat tashmë janë paraqitur brenda këshillit të ri të themeluar për turizëm, ku marrin pjesë ministri i kulturës e turizmit, si dhe përfaqësues të sektorit turistik.

„Tatimi për restorantet duhet të ulet, TVSH-ja, për të qenë më konkurrues. Nëse ajo ulet dhe punonjësit janë të shtrenjtë, atëherë një kafe në Ohër del shtrenjtë. Por kjo kontribuon në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve. Është e nevojshme që kjo çështje të rishikohet“, shtoi Kërste Blazheski – kryetar i HOTAM.

Megjithatë, disa mendojnë se duhet të tregohet kujdes për llojin e ndihmës që vjen nga shteti.

„Nuk duhet të lejojmë që kjo të kthehet në një marrëdhënie borxh-kreditor, apo të arrijë në një nivel të parazitizmit. Që nga viti 2010 deri sot, turizmi dhe zhvillimi turistik kanë qenë të bazuar kryesisht në subvencione. Duhet të bëhet një reset, çdo ndihmë është e mirëpritur, por duhet të mendohet në mënyrë sipërmarrëse“, u shpreh Kliment Naumov – profesor në Fakultetin e Turizmit.

Naumov thotë se subvencionimi është një masë ekonomike afatshkurtër, duke aluduar në ndihmën financiare që shteti ka dhënë gjatë viteve për çdo turist të huaj të sjellë në Maqedoni. Për shembull, për turistët nga vendet e Beneluksit ndahen 65 euro për çdo turist të sjellë, të cilat, sipas tij, në fund përfundojnë tek operatori turistik i huaj, në vend që të përfshihen në ekonominë vendase./Alsat.mk

Fetai: Komisioni i Venecias me vlerësim pozitiv për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat

12 December 2025 at 19:13


Komisioni i Venecias ka dhënë vlerësim pozitiv për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, kështu ka informuar zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.

"Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat po bëhet realitet 24 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit. Vlerësim pozitiv nga Komisioni i Venecias. Punë, jo futboll në zyrat e shtetit", shkruan Fetai në rrjetin social Facebook.

Kujtojmë se Komisioni i Venecias ka pranuar draft-versionin e ligjit për përfaqësim të drejtë nga qeveria në muajin korrik. Nga atje u kërkua mendim se sa ligji është në përputhje me parimet demokratike dhe të drejtat themelore.

Qeveria përpiloi draft ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në qershor, rreth një vit pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi mekanizmin e njohur si balancuesi, në bazë të të cilit parim, institucionet ishin të detyruara të bëjnë punësimet në administratë.

Strategjia Kombëtare për Zhvillim është përcaktuese e zhvillimit në Maqedoni

12 December 2025 at 18:30


Strategjia Kombëtare për Zhvillim (SKZH) për periudhën 2024 - 2044 është një dokument kryesor që përcakton qëllimet kryesore të zhvillimit kombëtar, fushat strategjike dhe prioritetet për zhvillim të përshpejtuar, gjithëpërfshirës, të balancuar, të barabartë gjinor dhe të qëndrueshëm, njoftojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Prandaj, ata theksojnë se çdo plan ose strategji e ardhshme do të duhet të përfshihet në SKZH, e cila llogarit 46 pikë zhvillimi.
Përveç kësaj, si një dokument strategjik dhe zhvillimor, SKZH identifikon sfidat kryesore dhe prioritetet kombëtare, veçanërisht duke marrë parasysh aspiratën e Maqedonisë për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian (BE) deri në vitin 2030 dhe angazhimin për zhvillim të qëndrueshëm të mishëruar në Axhendën 2030.

Ideja kryesore e SKZH-së është të sigurojë vazhdimësi në planifikimin strategjik dhe një përgjigje të qëndrueshme ndaj sfidave kryesore, pavarësisht nga orientimi politik.

Nga Qeveria njoftojnë se deri më tani janë mbajtur 11 takime pune./Telegrafi/

Qeveria kërkon shkarkimin e kryeprokurorit, Ljubomir Kocevski

9 December 2025 at 17:42


Qeveria sot miratoi propozimin për shkarkimin e Prokurorit Publik të Shtetit, Ljupço Kocevski, duke vazhduar kështu procedurën, e cila ishte pezulluar gjatë periudhës zgjedhore, në përputhje me procedurat ligjore, prëcjell Telegrafi Maqedoni.

Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, tha në një deklaratë për mediat këtë pasdite se me propozimin për shkarkimin e Kocevskit nga detyra, Qeveria po vazhdon procedurën që, në përputhje me kufizimet ligjore, u ndalua përkohësisht gjatë periudhës zgjedhore.

"Arsyet për këtë iniciativë janë të njohura publikisht dhe Qeveria i ka shpjeguar ato në mënyrë të përsëritur, të vazhdueshme, transparente dhe në interes të mbrojtjes së integritetit dhe llogaridhënies institucionale.

Qëllimi ynë mbetet i qartë, forcimi i sundimit të ligjit dhe sigurimi i funksionimit i organeve të zbatimit të ligjit në shërbim të qytetarëve", tha Miteva.

Propozimi drejtuar Kuvendit për shkarkimin e Kocevskit nga detyra, tha ai, bazohet në nenin 88, paragrafi 1 i Ligjit për Prokurorinë Publike, dhe pas një mendimi të marrë më parë nga Këshilli i Prokurorëve Publikë./Telegrafi/


Kthimi i taksës solidare, Qeveria e RMV-së duhet të sigurojë rreth 50 milionë euro

8 December 2025 at 15:31


Qeveria do të duhet të sigurojë afërsisht 50 milionë euro për kthimin e taksës solidare tek kompanitë. Para mbledhjes së nesërme, Qeveria nuk tregon se si do t’i sigurojë këto mjete.

Ekspertët paralajmërojnë se bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme, për të cilën do ta ketë të vështirë shtetit ta përmbushë obligimin.

Ekonomistët thonë se shteti ka dy opsione për të kthyer mjetet nga tatimi solidar: t’i ulë shpenzimet dhe investimet dhe t’i reduktojë subvencionet për studentët dhe bujqit, ose të marrë borxh të ri për t’i kompensuar gradualisht bizneset.

Qeveria do të duhet t’u kthejë rreth 50 milionë euro 156 kompanive pas shfuqizimit të tatimit solidar. Edhe pse disa nga kompanitë kanë hequr dorë nga interesat, asnjëra nuk ka hequr dorë nga shuma kryesore. Mjetet duhet të planifikohen në buxhet për vitet 2026 dhe 2027.

Gjykata Kushtetuese e shpalli tatimin si të paligjshëm, duke lënë të drejtën kompanive që të kërkojnë shumën e paguar brenda pesë viteve./Alsat/

Milloshoski: Nuk do të ndërtohen kampe refugjatësh në Maqedoni

7 December 2025 at 16:30


Deputeti i OBRM-PDUKM-së dhe anëtar i Këshillit Ekzekutiv të partisë, Antonio Milloshoski, sot theksoi se Marrëveshja për Partneritet Strategjik me Britaninë nuk parashikon ndërtimin e kampeve të refugjatëve në Maqedoni.

Me këtë, ai i mohon shkrimet në mediat britanike se azilkërkuesit nga Britania e Madhe do të qëndrojnë në vend.

Ai potencoi se Marrëveshja është një nga dokumentet më të mira dhe më serioze që vendi ka arritur me një shtet serioz si Britania dhe parashikon bashkëpunim të përbashkët në investime, infrastrukturë, siguri dhe ekonomi, por jo edhe kampe për refugjatë.

“Me këtë Marrëveshje për Partneritet Strategjik parashikohen fonde të caktuara me të cilat në Maqedoni do të ndërtohet infrastruktura. Vërtet, do të ndërtohen projekte hekurudhore, autostrada, infrastrukturë shëndetësore dhe energjetike, por, për fat të keq për opozitën që po përpiqet të bëjë spin, nuk do të ndërtohen kampe për refugjatë. Britania pasi doli nga Bashkimi Evropian, me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimir, por edhe me vetë BE-në ka bërë marrëveshje të tilla, ku Britania po rivendos bazën ligjore të Fronteksit, ku Maqedonia dhe vendet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate kanë një bazë ligjore për të luftuar migrimin e organizuar dhe të paligjshëm dhe për të mbrojtur kufijtë, këtë e bën Britania me këtë mekanizëm shtesë, i cili është plotësues i Fronteksit. Dhe së fundmi, nuk ka përgënjeshtrim më të mirë për spine të tillë nga disa partnerë të opozitës nga deklarata e ambasadorit britanik, se marrëveshja strategjike Britani-Maqedoni konfirmon dhe parashikon investime në infrastrukturë, në ekonomi, siguri dhe arsim, por nuk parashikon kampe të refugjatëve në Maqedoni", tha Milloshoski.

Millososki potencon se të gjithë ata që po përpiqen ta shtrembërojnë më tej këtë temë, qartësisht u mungon vizioni dhe projektet që do të ofronin në mënyrë që Maqedonia të ketë partnerë më të qëndrueshëm dhe shtete mike si Britania e Madhe.

Mediat britanike këtë ditë raportuan se Britania po negocion për të deportuar azilkërkuesit e refuzuar në Maqedoninë e Veriut. Sipas raportimeve, të dy shtetet kanë qenë në negociata zyrtare që nga vjeshta e këtij viti për të realizuar këtë plan.

Mickoski: Rritja e PBB-së është tregues se ekonomia po shkon mirë, për vendin është arritje e madhe

6 December 2025 at 14:22


Rritja e PBB-së prej 3,8 për qind në kuartalin e tretë të vitit, sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, është tregues se periudha e konsolidimit ka përfunduar dhe se ekonomia po shkon mirë.

Mickoski tha se kjo i jep fund të gjitha gënjeshtrave të opozitës të plasuara në periudhën e fundit.

“Vazhdimisht flasim se fillojnë të dalin në pah indikatorët e parë për stabilizim dhe konsolidim pas kataklizmës që la qeveria e kaluar, do të thoja, qeveria më kriminele në historinë më të re të Maqedonisë, qeveri e cila u mor me plantacionet e marijuanës, me tenderë të manipuluar me milionerë politik, me të gjitha ato skandale të cilat e kanë ndjekur, me vrimë në buxhet më të madhe se 200 milionë eurosh etj. Periudha e konsolidimit përfundon dhe këto janë indikatorët e parë se ekonomia po shkon mirë”, vlerësoi Mickoski.

Indikatori për rritjen e PBB-së, thotë Mickoski, është arritje e madhe dhe është inkurajues.

“Rritja reale prej 3,8 për qind në kuartalin e tretë të vitit 2025 e plotësuar nga një PBB nominale historikisht e lartë prej 10,2 për qind është me të vërtetë tregues dhe e dhënë që, në kushtet të tregut të tillë në kuadër të Bashkimit Evropian, për ne paraqet arritje të madhe. E para në Evropë është Irlanda, sipas të dhënave të Eurostat, e dyta është Danimarka me 3,9 për qind, ne e ndajmë vendin e tretë me Qipron. Serbia fqinje është diku rreth 2 për qind, në Greqi pritet 1,7 për qind, Turqia është diku 3,7 për qind”, theksoi Mickoski.

Viti i ardhshëm në plan ekonomik, sipas Mickoskit, do të jetë sfidues sepse duhet të kthehen borxhet në vlerë prej mbi 2,2 miliardë

Strasburgu e obligon Maqedoninë: Brenda 3 muajve duhet të paguajë borxhet e ndërmarrjeve publike

5 December 2025 at 15:45


Maqedonia humbi rastin në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut – shteti është i detyruar brenda tre muajve të paguajë borxhet e ndërmarrjeve publike ndaj kompanive private, sepse nuk janë respektuar vendimet e gjykatave që kanë marrë fuqi ligjore.

Vendimi konstaton se me të ashtuquajturat “korniza” nga Ligji për Ekzekutimin, është shkelur Neni 6 i Konventës Evropiane – e drejta për një proces të drejtë dhe për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Avokati Viktor Bozhinovski paralajmëron se ndërmarrjet publike nuk mund të fshihen më pas “mjeteve të nevojshme për punë” dhe do të jenë të detyruara të shlyejnë borxhet. Sipas analizave, kompanitë shtetërore detyrohen mbi 358 milionë euro, ndërsa borxhi i përgjithshëm “i brendshëm” i institucioneve në fund të marsit ka arritur 651 milionë euro.

Borxhlinjtë më të mëdhenj janë “Nomagas”, Hekurudhat – Transport dhe Infrastrukturë dhe EMV. Gjykata Evropiane thekson se mungesa e buxhetit ose e burimeve nuk mund të shërbejë si justifikim për mos-ekzekutimin e vendimeve gjyqësore./TV21/

❌
❌