Grupet parlamentare akoma nuk kanë një koordinim rreth draft ligjit për ndryshimin e ligjit për qeveri me të cilin rregullohet funksionimi i qeverisë teknike në zgjedhjet e ardhshme, pas riorganizimit të disa ministrive.
Sipas partisë në pushtet, për shfuqizimin e qeverisë teknike pas zgjedhjeve të ardhshme nevojitet marrëveshje më e gjerë.
“Nuk kemi më Ministri për Punë dhe Politikë Sociale që të mund të zgjidhet ministër për Punë dhe Politikë Sociale. Nuk kemi më ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, këto dyja janë ndarë kështu që nuk mund të zgjidhet ministër. Këto ndryshimet janë të patjetërsueshme për të pasur qeveri teknike në zgjedhjet e ardhshme. Qëndrimi ynë të cilin duam ta harmonizojmë me të gjitha partitë politike është që pas zgjedhjeve të ardhshme, ta shfuqizojmë qeverinë teknike sepse e ka tejkalu edhe afatin edhe mandatin e ekzistencës”, deklaroi Brane Petrushevski, OBRM-PDUKM.
LSDM-ja mbetet kategorikisht kundër kurse VLEN-i është në të njëjtin qëndrim me partnerin e koalicionit, OBRM-PDUKM.
Për Frontin Evropian, disa nga ndryshimet e propozuara, posaçërisht neni që ka të bëjë me afatin e zbatimit të ndryshimeve, janë të paqarta. Megjithatë, ata thonë se shfuqizimi nuk mund të bëhet pa ndërmjetësimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë.
“Në qoftë se Marrëveshja e Përzhinës është arritur që të finalizohet dhe të nënshkruhet me prezencën e komunitetit ndërkombëtarë, e njëjta duhet edhe të shfuqizohet me prezencën e komunitetit ndërkombëtarë. Në qoftë se do të jetë kështu siç qeveria aktuale e kërkon shfuqizimin e qeverisë teknike, ato e bëjmë me të vetmin qëllim që ta keqpërdorin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ose cilatdo qofshin ato, ta keqpërdorin pushtetin dhe pozitën e tyre”, tha Rina Ajdari, Koordinatore e grupit parlamentar të Frontit Evropian.
Draft ndryshimet parashikojnë që ligji të hyjë në fuqi në ditën e tetë pas publikimit në Gazetën Zyrtare kurse dispozitat e tij do të zbatohen deri në ditën e publikimit të rezultateve përfundimtare dhe ndarjes së mandateve sipas njësive zgjedhore nga ana e KSHZ-së, për zgjedhjet e para me radhë për deputetë të mbajtura pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. /Alsat.mk
Për 95 për qind të organizatave sindikale është pranuar marrëveshja me Qeverinë për rritjen e pagave për 40 për qind, informojnë nga Sindikata.
“Pas deklaratave të të gjitha organizatave sindikale, Sindikata e SPOGJ javën e ardhshme do të mbajë një takim pune me përfaqësuesit e Qeverisë, në të cilin do të dakordësohet për fushëveprimin dhe kushtet e marrëveshjes kolektive” thuhet në kumtesën e SPOGJ.
Dje, kryetari i SPOGJ, Trpe Deanoski, pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski, tha se Qeveria e ka pranuar kërkesën e SPOGJ, por jo të plotë, dhe se është e rëndësishme që është rënë dakord për të paguar shtesa në paga për punonjësit në administratën shtetërore dhe gjyqësorin.
“Siç e njoftuam vitin e kaluar, ato do të jenë për disa vite, në 3 këste, 8 përqind secila, për fat të keq, jo 10. Do ta përsëris, për fat të keq, nuk i morëm vitin e kaluar, megjithatë, Qeveria ka pranuar t’i paguajë që tani e tutje, duke filluar nga marsi, përmes një metode në të cilën të gjitha institucionet nga administrata shtetërore dhe gjyqësori, domethënë gjykatat, prokuroritë… do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje kolektive individuale për të marrë këtë të drejtë”, tha Deanoski.
Ai shpjegoi se që kjo të realizohet, teksti i këtyre marrëveshjeve kolektive duhet të përgatitet së bashku me përfaqësuesit e Qeverisë dhe Sindikatës. Më pas, marrëveshjet duhet të hidhen në votim para organeve dhe trupave të Sindikatës.
Ai theksoi se nëse anëtarët i pranojnë marrëveshjet, do të mundet menjëherë të vazhdohet me nënshkrimin e tyre. SPOGJ dje përmes kumtesës informon se rritja e pagave për të gjtihë të punësuarit në administratë dhe gjyqësor është më e madhe nga rritja tashmë e siguruar me Marrëvehsjen e përgjithshme kolektive për sektorin publik si e drejtë më e favorshme për punonjësit.
“Përveç kësaj, në llogaritjen e pagave të punonjësve, paga minimale mbetet një komponent i pagës, lufta për rritjen e pagës minimale për të gjithë punëtorët vazhdon derisa ajo të rritet, dhe me të edhe rritja e pagave të të gjithë punëtorëve që kanë pagën minimale në llogaritjen e pagës së tyre. Pagat në njësitë e vetëqeverisjes lokale mund të rriten përmes lidhjes së marrëveshjeve kolektive individuale”, thuhet në kumtesën nga SPOGJ.
Mickoski e vlerësoi takimin me SPOGJ-në si konstruktiv, duke theksuar se përfaqësuesve të Sindikatës u kanë prezantuar kushtet dhe rregullat për rritjen e pagave të administratorëve për 40 përqind, duke shtuar se tani pret një përgjigje prej tyre nëse e pranojnë propozimin nga Qeveria.
Do të kemi mundësi të fillojmë një cikël takimesh, përkatësisht brifingje me përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat janë rezidente në vendin tonë, dhe vlerësoj se në këtë mënyrë mundemi t’i përafrojmë aktivitetet që i bëjmë si Qeveri, ndërsa janë të lidhura me agjendën reformuese, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në brifingun e sotëm për agjendën reformuese me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se disa nga reformat po realizohen, po të tjera, siç tha, për arsye objektive nuk do të realizohen dhe për atë janë njoftuar përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.
“Si Qeveri, kur u zgjodhëm para pak më pak se 20 muajsh, kishim një listë indikative hapash të cilët duhet t’i realizonim, praktikisht vitin e parë e gjysmë miratoheshin, e ngjashëm, duke punuar me BE-në. Aty diku në fillim të vitit 2025 që të rrumbullakosej ai proces, filluan hapat të realizohen, normalisht derisa u intensifikua ai proces, vlerësoj se u realizuan një numër i caktuar hapash, e pastaj u shpallën zgjedhjet lokale dhe për shkak të legjislacionit tonë të brendshëm, ne nuk arritëm ta ndiqnim atë dinamikë varësisht nga ambiciet tona. Dhe pasi që atëherë Parlamenti pothuajse është në formë teknike dhe nuk punon, si dhe institucionet e tjera, patëm një pauzë disa mujore".
"Por menjëherë pas zgjedhjeve lokale, aty diku nga muaji nëntor, intensivisht punuam në Agjendën Reformuese dhe në realizimin e hapave që janë pjesë e Agjendës Reformuese dhe atyre hapave që mund t’i realizojmë. Ata që nuk mundemi, objektivisht tregojmë pse nuk mundemi, sepse nuk do të dëshironim të ishim një Qeveri e cila premton një gjë para partnerëve tanë nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa bën diçka tjetër pas perdes. Atë që mund ta realizojmë, do ta realizojmë, për atë që nuk mundemi do të japim argumentet tona pse nuk mundemi, dhe jemi të gatshëm gjithmonë për dialog të sinqertë dhe bisedë me partnerët tanë nga komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht me partnerët tanë nga BE-ja”, theksoi kryeministri Mickoski.
Mickoski porositi se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje, pasi Qeveria është e fokusuar në përmbushjen e reformave dhe vendosjen e rrendit në shtet.
Pas mbledhjes së sotme në Qeveri, Sindikata e punonjësve administrativ, organeve gjyqësore dhe shoqatave qytetare (SPAOGJSH) njoftoi se pranon formulën qeveritare për rritjen e pagave në administratë dhe gjyqësor.
Rritja, sipas kumtesës pas mbledhjes, do të zbatohet në tre këste nga 8% në vit (në vend të 10% si kërkesë sindikale), dhe pagesa duhet të fillojë në mars, me kusht që procedurat e brendshme të miratohen më parë dhe marrëveshjet kolektive të nënshkruhen nga institucionet.
Kryetari i SPAOGJSH, Trpe Deanoski, deklaroi se Qeveria e ka pranuar kërkesën sindikale "jo plotësisht", por si një hap të konsiderueshëm përpara ai tregoi pranimin e pagesës së shtesave të pagave.
"Për fat të keq, jo 10 përqind, por nuk i morëm vitin e kaluar. Megjithatë, tani Qeveria pranon t'i paguajë ato që tani e tutje, duke filluar nga marsi, në një mënyrë që të gjitha institucionet në administratën shtetërore dhe gjyqësorin, që do të thotë gjykatat, prokuroritë, do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje kolektive individuale për të marrë këtë të drejtë", tha Deanoski.
Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, deklaroi se qeveria në seancën e sotme e miratoi programin e punës së Qeverisë për vitin 2026, i cili përfaqëson një dokument strategjik, gjithëpërfshirës dhe reformues prej mbi 400 faqesh, që definon qartë prioritetet, dinamikën dhe vizionin për zhvillimin e shtetit në periudhën e ardhshme.
Programi, sqaroi ajo, është i strukturuar sipas fushave që përfshijnë kompetencat e pushtetit legjislativ, por edhe të atij ekzekutiv, dhe përfaqëson hartën tonë të qartë për reformat që vijojnë dhe që do të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve, funksionalitetin e institucioneve, por edhe në perspektivën evropiane të shtetit.
“Ky Program është një plan i qartë me vizion, afate dhe përgjegjësi. Ai pasqyron vullnetin politik të kësaj Qeverie për reforma, stabilitet, por edhe një të ardhme evropiane dhe përfaqëson themelin tonë të fortë për një vit në të cilin Qeveria do të japë rezultate”, theksoi Miteva.
Programi qeveritar, siç shpjegoi ajo, parashikon zgjidhje të reja moderne ligjore dhe sistemike në kujdesin shëndetësor dhe arsim, ndërsa prioritetet përfshijnë transformimin digjital, reformat në gjyqësor dhe administratën publike, si dhe programe që synojnë përmirësimin e drejtpërdrejtë të standardeve të jetesës në fushat e mjedisit jetësor, kujdesit shëndetësor, sigurisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale.
“Në lidhje me pjesën legjislative, ose atë që nënkuptojmë si kompetencë të Kuvendit, fokusi është vendosur aty ku shteti ka përgjegjësinë më të madhe, shëndetësia dhe arsimi. Janë parashikuar ligje të reja, bashkëkohore dhe sistemore që rregullojnë arsimin e lartë dhe të mesëm, veprimtarinë kërkimore-shkencore, por edhe shërbimin pedagogjik, si dhe avancimin e statusit dhe zhvillimit profesional të kuadrit mësimdhënës. Këto zgjidhje janë të orientuara drejt cilësisë, aksesueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit arsimor, si themel i zhvillimit afatgjatë”, theksoi Miteva.
Paralelisht, tjeksoi ajo, Qeveria po e shtyn fuqishëm edhe transformimin digjital, mes tjerash përmes miratimit të Ligjit të ri për faturën elektronike, me të cilin digjitalizimi i procedurave tatimore bëhet shtyllë kyçe e reformës tatimore. Me këtë do të sigurojmë më shumë efikasitet, më shumë transparencë, por edhe më pak barrë administrative për qytetarët dhe për kompanitë. Reforma në drejtësi, nënvizoi ajo, mbetet prioriteti ynë i lartë.
“Në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë janë parashikuar ndryshime të Kodit Zgjedhor, me inkorporimin e plotë të rekomandimeve nga misionet ndërkombëtare, si një sinjal i qartë për përkushtimin ndaj standardeve demokratike, zgjedhjeve të ndershme, por edhe sundimit të ligjit”, shtoi Miteva.
Në lidhje me reformën në administratën publike theksoi se janë parashikuar ligje sistemore për shërbimin e lartë drejtues, avancimin e cilësisë në sektorin publik dhe për herë të parë vendosjen e një sistemi unik të pagave në sektorin publik. “Bëhet fjalë për zgjidhjen e një problemi shumëvjeçar, ku pagat rregullohen në mënyrë të fragmentuar, shpesh të pakoordinuara dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese. Zgjidhja e re sjell drejtësi, transparencë dhe më e rëndësishmja, pajtueshmëri me Agjendën Reformuese, më saktësisht me hapin 18”, tha Miteva.
Në pjesën e dytë të Programit, atij që i referohet akteve dhe materialeve për të cilat vendosim ne si Qeveri, informon se janë parashikuar një sërë programesh që synojnë përmirësimin e drejtpërdrejtë të standardit të jetesës, në fushën e mjedisit jetësor, shëndetësisë, sigurisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale.
“Për vitin 2026 është planifikuar Plani Operativ për masa aktive për punësim, i bashkërenduar me nevojat reale të tregut të punës, me qëllim rritjen e përfshirjes së personave të papunë dhe integrimin më efikas të kategorive të ndjeshme. Në kontekstin ekonomik dhe promovues, po hapet një kapitull i ri përmes brendimit nacional të turizmit, ekonomisë dhe shtetit, nën një imazh të qartë, të identifikueshëm dhe bashkëkohor. Kjo është një mundësi e fuqishme që Maqedonia të pozicionohet në mënyrë strategjike para publikut evropian si një destinacion tërheqës turistik dhe një ekonomi e qëndrueshme e hapur, me potencial serioz investimi”, tha zëdhënësja qeveritare.
Në shëndetësi, shtoi ajo, Ministria e Shëndetësisë inicion përgatitjen e Strategjisë për mjekët e rinj 2026–2030, diçka që ka një qëllim të qartë: mbajtjen, motivimin dhe zhvillimin profesional të kuadrit mjekësor.
“Jemi të vetëdijshëm se në një kohë të mungesës dhe largimit të punonjësve shëndetësorë, kjo strategji do të vendosë mbështetje sistemore, mentorim, por edhe edukim të vazhdueshëm, gjë që në afatgjatë do të thotë një sistem shëndetësor më i fortë dhe më i qëndrueshëm”, deklaroi Miteva.
Gjithashtu, është shumë e rëndësishme të theksohet se për herë të parë do të ngrihet edhe Qendra për aftësi digjitale në administratën publike, një instrument kyç për transformimin digjital të shtetit. Programet do të jenë të dedikuara për të gjitha strukturat, që nga ato drejtuese, vendimmarrësit dhe ekspertët e kibernetikës, por edhe për të gjithë kuadrin administrativ, sepse digjitalizimi nuk është një projekt, por për ne përfaqëson një proces afatgjatë.
Partia opozitare maqedonase LSDM, në një kumtesë për media thotë se "në kohë kur buxhetit i mungojnë 2 miliardë euro pas shpinës së popullit, qeveria po kryen grabitje përmes tenderëve kriminalë".
Sipas LSDM-së, janë dhënë 161 tendera për një kompani, 51 tendera për kompaninë e preferuar të OBRM-PDUKM-së përmes komunave, 9 milionë euro për një kompani me vetëm dy punonjës, 1.2 milionë euro për një kompani afër ZNAM-it përmes Postës.
"Miliona dollarë, një numër i madh tenderësh, vetëm për të njëjtat kompani të preferuara. Mallrat e vjedhura duhet t'i kthehen popullit. Dhe që kjo të ndodhë, duhet të ketë përgjegjësi për tenderët kriminalë. Përgjegjësia duhet të fillojë nga koalicioni i tenderëve OBRM-PDUKM-ZNAM. Nuk ka luftë kundër krimit dhe korrupsionit pa përgjegjësi nga kryesori, në krye të qeverisë".
"Në vend të fjalëve boshe që shërbejnë vetëm për promovim, Mickoski duhet t'i thërrasë prokurorët dhe gjyqtarët që emëron dhe t'i lërë të fillojnë nga 161 tendera, pastaj në 51 tendera, pastaj në tenderin në Postë. Ai nuk mund të jetë atje, ata janë shokët e tij të ngushtë dhe shefi i stafit të tij, kështu që është e papërshtatshme, apo jo?", thonë nga LSDM.
Sindikata e punonjësve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve DOJSH, e konfirmoi se të enjten në orën 16:45 në Qeveri do të ulen në tryezën e negociatave lidhur me kërkesat e Sindikatës për rritje të rrogave të të punësuarve në administratë dhe jurisprudencë.
Nga Sindikata e DOJSH-së, mes tjerash, theksojnë se Qeveria, sipas tyre, menjëherë ka dalë me ofertë për rritje të rrogave të të punësuarve në administratë dhe jurisprudencë pas protestës së mbajtur më 28 janar.
“Theksojmë se të punësuarit kanë të drejtë për të drejtat e fituara, të caktuara me marrëveshjet kolektive dhe rritjen e re të rrogave nënkuptojnë të drejta materiale shtesë, për çka angazhohet Sindikata e DOJSH-së”, qëndron në kumtesën e DOJSH-së.
Kryeministri Hristian Mickoski të enjten pasdite do të takohet me Sindikatën e DOJSH-së. Takimi është caktuar për në orën 16:45, ndërsa vjen pasi që Mickoski dha ofertë për rritje të rrogave për çka DOJSH tha se është e pranueshme dhe do të bisedohet plotësisht në suaza të organizatave sindikale.
Të shtunën u bë i ditur lajmi se 385 studentë shqiptarë të fakulteteve juridike në Maqedoninë e Veriut, kanë nënshkruar një peticion me një kërkesë të qartë dhe legjitime që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Kërkesa e studentëve është dërguar tek Ministria e Drejtësisë, Inspektorati për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendi dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Mevlan Ademi, ish-kryertar i Parlamentit Studentor, në televizionin Alsat, deklaroi se Kuvendi dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk e pranuan peticionin në gjuhën shqipe, pasi kërkuan që i njejti të jetë në gjuhën maqedone.
“Tek Agjencioni, tek Inspektorati dhe tek Ministria e Drejtësisë mu lejua që ta dorëzojë në gjuhën shqipe, ndërsa në Kuvend dhe tek qeveria na u kërkua që të jetë në gjuhën maqedone. U revoltova dhe i pyeta se përse nuk më lejohet ta dorëzojë në gjuhën shqipe, ata nuk më dhanë arsye por më thanë se pa maqedonisht nuk të japim vulë. Pastaj u detyrova ta përkthej dhe ta dorëzojë në gjuhën maqedone”, tha Ademi.
Ademi sqaroi se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite për këtë të drejtë, deri më sot kërkesa e studentëve nuk është marrë parasysh, ndaj pret që këtë herë kjo kërkesë të konkretizohet.
Brenda një ose dy muajsh do të dihet se si do të realizohet projekti Çebren dhe Galishtë– nëse do të jetë një investim i plotë shtetëror apo do të realizohet përmes partneritetit publik-privat. Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, pajtohet se më së miri është që të jetë një investim i brendshëm, por thekson se bëhet fjalë për një investim të madh dhe duhet të shqyrtohen në mënyrë reale mundësitë financiare të Buxhetit. “Pajtohem që është më së miri që projekti të jetë i ynë, por kur ta shohim Buxhetin dhe investimet kapitale do të shohim çfarë është reale. Bëhet fjalë për mbi një miliard euro në pesë vjet – kjo nuk është pak. Paralelisht, ka shëndetësi, transport dhe prioritete të tjera. Mendoj se brenda një ose dy muajsh do të kemi më shumë informacione”, deklaroi sot Bozhinovska pas konferencës për shtyp ku foli për Planin Vjetor për Ndërtimin e Projekteve Energjetike për këtë vit. Nga Ministria e Energjetikës pohojnë se ka investitorë të interesuar për këtë projekt.
“Sot po vendosim themelet e një sistemi në të cilin drejtësia nuk është deklaratë, por praktikë; në të cilin lufta kundër korrupsionit nuk është slogan politik, por politikë shtetërore; dhe në të cilin institucionet punojnë në interes të qytetarëve, e jo në mbrojtje të individëve. Angazhimi ynë për luftë kundër korrupsionit dhe krimit është i qartë, por kjo luftë duhet të përfundojë me konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, sepse krimi nuk guxon të shpërblehet. E vjedhura duhet t’i kthehet popullit”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në hapje të seancës konstituive të Këshillit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë.
Ky organ, tha kryeministri, nuk është formalitet, por një mesazh i qartë dhe i padiskutueshëm se shteti më në fund qëndron fuqishëm, sistematikisht dhe pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit.
“Kjo Qeveri e ka nisur luftën kundër krimit dhe korrupsionit jo me deklarata, por me vepra. Aktualisht janë në përpunim mbi 50 raste për korrupsion të lartë – raste që për vite me radhë janë fshehur, zvarritur ose injoruar. Por ky nuk është fundi, është fillimi. Presim hapjen e rasteve të reja, hetime të thelluara dhe rezultate që do ta rikthejnë besimin e qytetarëve në shtet dhe në institucione. Dua ta them qartë dhe me zë të lartë: nuk ka drejtësi selektive, nuk ka të mbrojtur, nuk ka të paprekshëm”, theksoi Mickoski.
Megjithatë, siç nënvizoi ai, që kjo luftë të jetë e suksesshme, është e domosdoshme forcimi i gjyqësorit dhe i prokurorisë, në aspekt institucional, kadrovik dhe funksional, sepse “vetëm një gjyqësor dhe prokurori e fortë, e pavarur dhe profesionale mund ta çojnë këtë luftë deri në fund dhe të sigurojnë që drejtësia të mos jetë as e ngadaltë, as selektive, por efikase dhe e drejtë”.
“Jam për masa të përforcuara në luftën kundër korrupsionit, por kjo luftë nuk përfundon me procedura penale. Ajo duhet të përmbyllet me konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, sepse krimi nuk duhet të shpërblehet. E vjedhura duhet t’i kthehet popullit. Pikërisht për këtë arsye i vendosim këta mekanizma dhe sot e konstituojmë këtë Këshill. Konfiskimi i pasurisë dhe përfitimeve të paligjshme nuk është hap i thjeshtë; është një proces shumëdimensional dhe kompleks, që përfshin disa faza të ndërlidhura, ku marrin pjesë institucione të shumta me kompetenca dhe përgjegjësi të qarta”, tha kryeministri.
Sipas tij, Strategjia për periudhën 2025–2028, duke ndjekur fazat e procedurës për kthimin e pasurisë, përcakton qartë tri fusha prioritare veprimi: Së pari, gjetja, identifikimi dhe ndjekja e pasurisë dhe përfitimeve të fituara në mënyrë të paligjshme, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mekanizmave bashkëkohorë të hetimit financiar. Së dyti, sigurimi i përkohshëm dhe konfiskimi i pasurisë dhe përfitimeve, në mënyrë të shpejtë, efikase dhe në përputhje me ligjin, pa hapësirë për manipulime, zvarritje apo keqpërdorime. Së treti, menaxhimi efikas i pasurisë së konfiskuar dhe të sekuestruar, përfshirë ripërdorimin e saj për qëllime sociale, sepse pasuria kriminale e konfiskuar duhet të marrë një vlerë të re shoqërore dhe t’u kthehet qytetarëve. Ky Këshill, nën udhëheqjen e zëvendëskryeministrit përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, ka rol kyç në koordinimin, mbikëqyrjen dhe orientimin strategjik të të gjitha këtyre proceseve".
“Pres nga ju profesionalizëm, guxim dhe integritet, por mbi të gjitha rezultate. Sot po vendosim themelet e një sistemi ku drejtësia nuk është deklaratë, por praktikë; ku lufta kundër korrupsionit nuk është slogan politik, por politikë shtetërore; dhe ku institucionet punojnë në interes të qytetarëve, e jo për mbrojtjen e individëve. Kjo është luftë për shtetin e së drejtës, kjo është betejë për besimin, kjo është luftë për dinjitetin e qytetarëve dhe ne nuk do të heqim dorë nga kjo betejë”, deklaroi Mickoski.
Zëvendëskryeministri përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, tha se kjo seancë konstituive e Këshillit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë përfaqëson një pikë kthese në trajtimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Ky Këshill nuk është krijuar për të shtuar edhe një strukturë tjetër, por për të vendosur drejtim politik dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional atje ku zbatimi ka qenë i fragmentuar. Formimi i këtij Këshilli në shtator të vitit 2025 dhe seanca e sotme janë përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj një orientimi të qartë institucional – procesi normativ ekziston, por nevojiten rezultate konkrete dhe të forta, gjë që kërkon koordinim të fuqishëm dhe mbikëqyrje të vazhdueshme politike”, tha Fetai.
Sipas tij, Strategjia Kombëtare për forcimin e kapaciteteve për zbatimin e hetimeve financiare dhe konfiskimin e pasurisë 2025–2028, si dhe Plani i Veprimit 2025–2026, ofrojnë një kornizë të qartë dhe janë në përputhje me standardet evropiane.
“Themelët janë vendosur, por faza e radhës kërkon vullnet politik, më shumë investime, dhe pikërisht për këto arsye është themeluar ky Këshill. Roli i tij nuk është të zëvendësojë institucionet operative, por të sigurojë që ato të veprojnë drejt objektivave të qarta dhe me përgjegjësi të matshme. Ky Këshill Kombëtar ka rol dhe përgjegjësi shumë të rëndësishme për të garantuar mbështetje të fortë politike dhe llogaridhënie. Roli ynë këtu nuk është operativ, por politik – të përcaktojmë prioritete të qarta, të eliminojmë pengesat sistemore, të sigurojmë që burimet financiare t’i ndjekin politikat dhe të kërkojmë rregullisht rezultate”, tha Fetai.
Si zëvendëskryeministër dhe kryesues i këtij Këshilli, Fetai e cilësoi atë si një forum kyç për kalimin nga, siç u shpreh ai, “kakofonia institucionale” drejt veprimit të detyrueshëm dhe të koordinuar ndërmjet institucioneve.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe akuzon qeverinë për izolimin e shtetit nga rruga evropiane dhe hedh pretendime për lidhje me pushtetet në Serbi dhe Hungari, si dhe me Rusinë.
Sa i përket zhvillimeve brenda partisë së tij, ai shton se nuk frikësohet nga ndonjë puç, pasi në kongresin e fundit ka qenë i suksesshëm dhe ka marrë sugjerime të sinqerta dhe të ndershme.
“Kjo qeveri kujdeset vetëm për interesat e veta, sepse duhet të realizohet ajo që kurrë nuk e kanë mohuar – se do të vijnë migrantë për para – dhe për këtë arsye nevojiten zgjedhje të parakohshme. A do të jenë në fund të këtij viti apo vitin e ardhshëm, do ta shohim, por deri në vitin 2028 nuk do të mund të vazhdohet kështu”, tha Filipçe.
Në lidhje me pyetjen nëse ka informacion për ndonjë platformë apo iniciativë të brendshme partiake për zëvendësimin e tij, ai tha se ka dëgjuar edhe vetë spekulime të tilla, por i vlerëson ato si të pavërteta.
“Nuk ka të vërtetë në këtë. Duhet të them një gjë: unë kam mandat legjitim. Para disa muajsh, 20.000 anëtarë më votuan që ta udhëheq partinë në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Dyert janë të hapura për të gjithë”, thotë ai.
Çdo fragmentarizim brenda LSDM-së, sipas tij, shkon në dobi të OBRM-PDUKM-së.
“Edhe ne e dimë për atë komunikim dhe mbështetje që ata e kishin edhe në periudhën kur po formohej ZNAM-i, ndërsa tani edhe formalisht janë në koalicion me OBRM-PDUKM-në. Ata janë ish-anëtarë tanë. Pra, çdo fragmentarizim shtesë shkon vetëm në dobi të OBRM-PDUKM-së dhe, për fat të keq, në asnjë dobi për qytetarët apo për shtetin”, thotë Filipçe.
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski ka komentuar kërkesën e sindikalistëve për rritjen e pagës minimale.
Ai tha se nuk e ka parë propozim ligjin e LSDM-së opozitare për rrogën minimale por shtoi se sindikatat dhe punëdhënësit duhet të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.
“Nuk e kam parë propozimin e ligjit të LSDM-së për rrogë minimale, por qëndrimi ynë është i qartë: të punësuarit dhe punëdhënësit janë ata që me një takim mbi partiak duhet të gjejnë një zgjidhje për rrogën minimale. Ne si punëdhënës më të mëdhenj, do të përsëris për të disatën herë, raportet tona me të punësuarit janë rregulluar. Kanë mbetur edhe një pjesë e vogël, rreth shtatë- tetë mijë të punësuar në administratë; nëse pajtohen dy sindikatat më të mëdha, apo përfaqësuesit e sindikatës pajtohen, nesër jemi në gjendje që ta pranojmë. Me fjalë të tjera, më shkurt, për dy vite e dy muaj nga sot, të punësuarit në administratë do të kenë minimum 40 % të ardhura më të larta”, deklaroi Mickoski.
Kujtojmë se LSM kërkon pagë minimale prej 600 eurove, ndërsa gjithë pagat e tjera të rriten për 6.000 denarë.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në një kumtesë për media thotë se e dënon ashpër vendimin e qeverisë për marrjen e kredisë prej 40 milionë euro për ndërtimin dhe renovimin e shkollave dhe konvikteve, e cila sipas BDI-së, në mënyrë të qëllimshme dhe të papranueshme është orientuar pothuajse tërësisht në qytetet maqedone.
"Investimet në arsim janë të mirëseardhura dhe të domosdoshme, por ato duhet të jenë të drejta, gjithëpërfshirëse dhe të balancuara, duke reflektuar realitetin multietnik të shtetit dhe nevojat reale të të gjithë qytetarëve. Përjashtimi i shkollave dhe konvikteve me nxënës shqiptarë nga projektet kapitale në arsim përbën diskriminim institucional dhe shkelje të parimit të barazisë".
"Ky vendim nuk është as rastësi dhe as gabim teknik – është politikë e pastër diskriminuese, e cila synon të përjashtojë komunat shqiptare nga investimet kapitale dhe të rikthejë praktikat e vjetra të ndarjes etnike të buxhetit shtetëror".
"Qeveria po merr kredi në emër të të gjithë qytetarëve, përfshirë shqiptarët, por investimet po i orienton vetëm për një komunitet. Kjo është padrejtësi dhe shkelje e drejtpërdrejtë e parimeve kushtetuese të barazisë dhe bashkëjetesës", thonë nga BDI.
BDI kërkon publikimin e menjëhershëm të listës së projekteve përfituese; sqarimin e kritereve të ndarjes së mjeteve; nëse kjo padrejtësi vazhdon, qeveria mban përgjegjësi të plotë politike dhe morale për thellimin e ndarjeve në vend.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë sot përmes protestës kërkuan pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje prej 100 eurosh për të gjitha pagat e tjera.
Protesta e LSM-së filloi para simbolit të luftës punëtoret, Shtëpisë së Punëtorëve, vazhdoi para Kuvendit, pastaj Odës së Tregtisë dhe Qeverisë. Ata thanë se nëse edhe këtë herë Qeveria nuk do të ulet për të negociuar zgjidhjen e kësaj çështjeje, do të vazhdojnë me bllokime të rrugëve dhe institucioneve ku shkelën më së shumti të drejtat e punëtorëve dhe me bllokimin e gjithë shtetit përmes grevës së përgjithshme në sektorin privat dhe publik.
“Do të pasojnë bllokime, do të pasojë greva e përgjithshme. Dhe do të vijë ajo që do t’ju bëjë më shumë dëm. Do të mbledhim 10,000 nënshkrime, me të cilat do të bëhemi propozues të autorizuar dhe do të kërkojmë që t’ju ulet 80 përqind të pagave tuaja. Dhe do të kërkojmë të rrisni pagën minimale në 600 euro dhe të rrisni pagat e tjera së paku për 6,000 denarë. Do t’ju vendosim në test. Do të votoni për veten kundrejt njerëzve që ju kanë votuar, apo do të votoni për njerëzit që me votën e tyre ju mundësojnë luksin tuaj”, deklaroi Sllobodan Trendafilov – kryetar i LSM-së.
Nga LSM njoftuan se shpenzimet vjetore janë rritur për6.000 denarë, teksa nuk është ndërmarrë asnjë masë për mbrotjen e punëtorëve të cilët me pagat aktuale vetëm se mbijetojnë.
Ka përfunduar konkursi për kryeprokurorin e ri. Në thirrjen e Kuvendit janë paraqitur pesë kandidatë. Kandidaturat nga ana e Kuvendit tashmë janë dërguar në Qeveri.
Kandidatë janë ushtruesja aktualja e detyrës kryeprokurore Anita Topollova-Isajllovska, prokurorja Lençe Ristovska, gjyqtari i Gjykatës Themelore Penale, Nenad Savevski, ish-kryetari i Gjykatës Themelore Penale, Vlladimir Pançevski, dhe prokurorja nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Raiçeviç.
Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, kandidaturat dërgohen në qeveri, e pastaj qeveria pret mendimin e Këshillit të Prokurorëve, dhe nëse brenda 15 ditëve Këshilli nuk jep mendim, Qeveria nuk mund të përcaktojë propozimin, por i rekomandon Kuvendit të shpallë një konkurs të ri. Kryeprokurori votohet në Kuvend me shumicë të thjeshtë, pra 61 vota.
Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski, në emisionin Click Plus në TV21, duke folur për projektin “Safe City”, theksoi se është i përgatitur të marrë rrezik politik, madje edhe nëse kjo çon në rënien e Qeverisë.
Mes tjerash, kryeministri potencoi se qëllimi nuk janë gjobat, por veprimi edukativ dhe parandalues.
“Qëllimi nuk është të arkëtohen gjoba. Së pari, ekziston tolerancë – nëse vozitet deri në 5 kilometra mbi kufirin e lejuar, nuk do të ketë gjobë. Nëse tejkalohet shpejtësia për më shumë se 10 kilometra, atëherë do të ketë sanksione. Por, sërish po e theksoj: qëllimi nuk janë gjobat, por veprimi edukativ dhe parandalues".
"Nëse kjo Qeveri duhet të bjerë për shkak të ‘Safe City’, e më pas të vijë një Qeveri tjetër që ta shfuqizojë projektin dhe secili të vozisë si të dojë, atëherë në rregull – jam i gatshëm ta marr këtë rrezik”, deklaroi Mickoski./TV21/
Zv.kryeministri Bekim Sali, sot në Kuvend në Këshillin Nacional për Eurointegrime dhe Komisionin për Çështje Europiane, mori pjesë në diskutimin mbi programin dhe strategjinë e kryesimit të Bashkimit Europian nga ana e Republikës së Qipros për periudhën janar–qershor 2026, të prezantuar nga ambasadori Andreas Fotiu.
Kryesimi i Qipros, me moton “Evropë autonome, e hapur ndaj botës”, sipas Sali, hap një debat të rëndësishëm mbi të ardhmen e Bashkimit Europian dhe zgjerimin e tij, ku Maqedonia e Veriut mbetet pjesë e pandashme e vizionit evropian.
“Integrimi evropian për ne nuk është një proces burokratik, por një zgjedhje strategjike dhe qytetare që bashkon pushtetin, opozitën, institucionet dhe qytetarët”, theksoi Sali, duke shtuar se ky proces kërkon transformim të thellë të institucioneve dhe shoqërisë.
Ai nënvizoi se reformat e ndërmarra tashmë sjellin përfitime konkrete për qytetarët, përfshirë pagesa më të lehta, qarkullim më të shpejtë të mallrave dhe integrim gradual në Tregun e Vetëm Evropian.
Zëvendëskryeministri Sali theksoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të përmbushur obligimet e veta, për të zbatuar reformat dhe për të qenë pjesë e përgjigjeve evropiane ndaj sfidave të përbashkëta.
“Ky është një moment pjekurie politike që nuk duhet humbur, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me vendosmëri për një Maqedoni të integruar në Evropë”, përfundoi ai.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka kritikuar vendosjen në funksion të sistemit "Safe City", informon Telegrafi Maqedoni.
Ai thotë se ky sistem ka për qëllim zhvatjen e qytetarëve, pasi nëpër rrugët ku janë vendosur kamerat e sigurisë në komunikacion, nuk ka as semaforë e as parkingje dhe sipas tij janë vendosur në lagjet ku banojnë shumicë shqiptare.
"Është për të ardhur keq kur sheh që edhe projektet që promovohen për të mirën e përgjithshme, sigurinë e qytetarëve siç ka qejf ta thot qeveria, për qëllim ka zhvatjen e një kategorie qytetarësh! Nqs keni dlieme se në xhepin e kujt synohet të goditet është më se e qartë. -Shihni ku implementohet projekti “Safe City”-Shkupi, Kumanova, Tetova?!-Shihni shpërndarjen e kamerave te Safe City në Shkup,ku janë më shumë të koncentruara në numër? Në Çair, Saraj, Butel?! Janë komunat me shumicë shqiptare. Janë hyrje daljet e shqiptarëve për në Shkup.Janë vendet me (pa) infrasktrukturë të komunkacionit dhe rrugor më të vjetër. Pa semaforë por me kamera për te zhvat! Pa parkingje por me gjoba! Pa sinjalistik rrugore por me denime të majme… E pra të dashur shqiptar, EKSPLOATIMI ska brina, kështu ngjan", shkruan Sela.
Sela ka përmendur dhe faktin se Maqedonia e Veriut do të duhet të kthejë edhe kredinë prej dy miliardë eurove, e që sipas tij, ajo kredi do të kthehet nga gjobat që do të paguajnë qytetarët nga sistemi i MPB-së.
"Meqë ra fjala Maqedonia e Veriut këtë vit duhet të kthej rreth 2 miliard euro kredi! Do i kthejme ne ku më pak është investuar, edhe nga projekti “Safe City”. Kështu pra ngjan Eksploatimi…P.S. Jam i vetëdijshëm që do më akuzojnë se gjithckaje i jap konotacion etnik. Jo unë për hir të së vërtetës, asnjëherë unë dhe Aleanca për Shqiptarët, por ata që na drejtojnë gishtin. Po është e vërtetë ne skemi hesht dhe sdo të heshtim kurrë…", shkruan Sela.
Kujtojmë se ligji për aktivizimin e kamerave të sigurisë nga "Safe City" u miratua në Kuvend sot me 81 vota.
Për këtë ligj votuan, OBRM-PDUKM, VLEN, E Majta, Bejxhan Iljaz si dhe deputeti i pavarur Ilir Demiri. /Telegrafi/
Para këtij aksioni ku u arrestua dhe u kap gjykatësi i Gjykatës së Apelit me 350.000 euro të fshehura në mur në shtëpinë familjare, gjithashtu u arrestua edge gjykatësi suprem me 10.000 euro ryshfet, që do të thotë se ajo metastazë në gjyqësorin e vendit ekziston, 35 vite qytetarët e kanë parë, ndërkaq ajo që tani inkurajon është që përfundimisht institucionet tregojnë shenja rezistence ndaj një sistemi të këtillë dhe dëshirojnë ta thajnë këtë kënetë politike gjyqësore e cila thjeshtë e hante sistemin tonë, theksoi Bojan Stojanoski, deputet nga radhët e OBRM-PDUKM-së, në televizionin Njusmaks Ballkans në emisionin “Qëndrimi i rajonit”.
Stojanoski, gjithashtu, theksoi se do të miratohen pesë ligje të cilat do t’i ashpërsojnë kriteret për zgjedhje të gjykatësve, prokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit gjyqësor, me qëllim që të parandalohen dukuritë e këtilla, thuhet në kumtesën e OBRM-PDUKM-së.
Stojanoski më tej theksoi se me Kodin e ri penal janë paraparë dënime të ashpra me qëllim që të tregohet se secili në shtet duhet t’i respektojë ligjet, ndërkaq drejtësia vlen për të gjithë.
“Kjo është një porosi që gjykatësit e tjerë të cilët mund të mendojnë për veprime të tilla, se krimi është i pashpagueshëm, ne tani po krijojmë zgjidhje të cilat do të jenë sistematike, nga të cilat dikush nesër do të jetë në gjendje të ndjekë penalisht zyrtarët e kësaj qeverie, politikanët e përgjegjshëm mendojnë kështu. Në Kodin penal që do ta votojmë të premten, janë ashpërsuar të gjitha dënimet, ne vendosëm si deputetë në përputhje me kompetencat kushtetuese të propozojmë dënime më të larta ligjore, sepse njëherë e përgjithmonë duhet të tregojmë se të gjithë në këtë vend duhet ta dinë se duhet të punojnë sipas ligjit, dhe nuk ka të paprekshëm, drejtësia duhet të arrijë tek të gjithë", tha Stojanoski.
Zv.ministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në qeveri. Në dorëheqjen e tij që e ka dorëzuar tek kryeministri, Aliu thotë se jep dorëheqje për të vazhduar kontributin e tij në profesionin akademik.
"Sot e përmbyll një kapitull të punës sime në detyrën e Zëvendësit të Ministrit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, me atë që i dorëzova Kryetarit të Qeverisë së RMV-së, z. Hristijan Mickoski dorëheqjen nga detyra e Zëvendësit të Ministrit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës".
"Falënderoj për besimin dhe mbështetjen për të kryer këtë detyrë, për herë të dytë, Partinë Alternativa, Kryetarin e saj z. Bekim Sali dhe kryetarët paraprak z. Afrim Gashi dhe z. Zeqirija Ibrahimi, si dhe familjarët e miqtë e mi", ka shkruar në Facebook, Lulzim Aliu.