Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 February 2026Main stream

Rallpovski: Pagat duhet të harmonizohen me rritje, aq sa do të rritet paga minimale

8 February 2026 at 13:24


Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Lira, Bllagoja Rallpovski para takimit të sotëm me kryeministrin Hristijan Mickoski në të cilin marrin pjesë edhe përfaqësues të sindikatave të tjera përfaqësuese të administratës, deklaroi se janë këtu që të konfirmohet ajo për çka kanë negociuar gati për një vit.

“Sot jemi këtu për të konfirmuar atë që kemi negociuar për gati një vit. Kjo rritje në një formë tjetër duhej të ndodhte vitin e kaluar, por nuk ka ndodhur që nga 1 maji. Një ose dy muaj më parë, filluam përsëri negociatat dhe gjetëm këtë formulë që duhet ta përfshijmë në marrëveshjet kolektive në mënyrë që të punësuarit në administratë të marrin atë që meritojnë vërtet. Neni 47 shpjegon pagën dhe koeficientin, por tani ka dalë në dritë ajo që thamë në vitin 2023, kur po nënshkruhej Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive. Në atë nen, në paragrafin 4, thuhet se koeficienti nuk mund të jetë më i lartë se rritja nominale e PBB-së, pra nuk është 12,5 siç thuhet, por shumë më i ulët. Marrëveshjet që nënshkruam në arsim, kujdes shëndetësor dhe administratë janë më të favorshme se ai nen në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, ndërsa ligji thotë:"merret ajo që është më e favorshme’”, deklaroi Rallpovski.

Në pyetjen e gazetarëve nëse do ta mbështesin protestën e LSM-së të martën, u përgjigj se nuk kanë ftesë, por “do të ketë mbështetje”.

“Nuk kemi ftesë, asnjëherë nuk kemi dalë në protestë të përbashkët. Atë që e kërkon LSM, ja unë mund ta them personalisht, po, do të ketë mbështetje, por pse të jetë 600 euro, le të jetë 700 euro, pse të harmonizohen pagat vetëm 100 euro, duhet të harmonizohen aq sa do të rritet paga minimale”, potencoi Rallpovski.

Rritja e pagave, Mickoski në Qeveri do të takojë përfaqësuesit e Sindikatës së Administratës

8 February 2026 at 12:04


Kryeministri Hristijan Mickoski do të takohet sot në Qeveri me përfaqësuesit e sindikatave në fushën e administratës.

Javën e kaluar, ai zhvilloi një takim me disa nga përfaqësuesit e Sindikatave, pas të cilit kryetari i sindikatave, Trpe Deanovski, informoi se Qeveria e kishte pranuar kërkesën e tyre, por, siç theksoi ai, jo plotësisht.

Rritja e pagave do të jetë gjatë disa viteve, në tre këste, secila prej tetë përqind.

Kujtojmë se përveç sindikatës së admimistratorëve, edhe nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkoi rritje të pagës minimale prej 600 eurove, ndryshe, si formë revolte ata do të bllokojnë të martën Kuvendin, e më pas edhe institucionet kyçe të vendit.

Yesterday — 7 February 2026Main stream

LSM të martën do ta bllokojë Kuvendin, kërkohet rritja e pagës minimale në 600 euro

7 February 2026 at 18:00


Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë të martën do ta bllokojë Kuvendin, pasi sipas tyre deputetët gjatë gjithë vitit kanë heshtur për propozimin e LSM-së për rritjen e pagës minimale dhe për rritjen e të gjitha pagave të tjera.

LSM kërkon që paga minimale menjëherë të rritet në 600 euro, ndërsa pagat e tjera të rriten së paku për 6.000 denarë.


“Deputetët janë të shurdhër ndaj kërkesave të punëtorëve për rritje pagash, ndërsa nga punëtorët kanë marrë mandat të shijojnë luksin me paga të rritura për 79%, të cilat do të rriten edhe për 21,8%. Të paktën 250 euro për deputetët, ndërsa as 25 euro për punëtorët – është e turpshme. Deputetët të parët do të përballen me zemërimin e punëtorëve, ndërsa përmes BLLLOKADËS do t’u pamundësojmë atë ditë të arkëtojnë shpenzime udhëtimi që kalojnë edhe 100 euro në ditë; le të vijnë në këmbë ose me transport publik, ashtu siç shkojnë në punë punëtorët”, thonë nga LSM.

LSM ka apeluar deri tek deputetët që urgjentisht të votojnë për rritjen e pagës minimale dhe rritjen e të gjitha pagave të tjera, dhe uljen e pagave të funksionarëve.

Before yesterdayMain stream

Mickoski sot takon Sindikatat, do të shqyrtohen ofertat për rritjen e pagës minimale

5 February 2026 at 10:10


Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski do të takohet me Sindikatën këtë pasdite. Takimi është planifikuar për në orën 16:45 dhe vjen pasi Mickoski bëri një ofertë për rritje page, të cilën Sindikata e quajti të pranueshme dhe do të diskutohej më tej brenda organizatave sindikale.

Në një deklaratë për mediat, Kryeministri tha se oferta ka qenë në tryezë për më shumë se një vit dhe se është i gatshëm të takohet dhe të nënshkruajë marrëveshjen kolektive.

Mickoski dje tha se me bisedimet aktuale për rritjen e pagës minimale dhe rritjen e pagave për punonjësit në administratën publike Qeveria ka formulën e vet për llogaritjen e pagave të punonjësve në administratë.

"Shumica e përfaqësuesve të sindikatave, si përfaqësues ashtu edhe ata të degëve, pajtohen me qëndrimin e Qeverisë, me disa përjashtime. Formula e ofruar nga Qeveria në lidhje me mënyrën se si do të ndiqet rritja e pagave për administratorët do të thotë të ardhura më të larta për ta në faza, dhe jo vetëm për aq sa do të rritet paga minimale", tha Mickoski.

LSM e dorëzoi në Kuvend iniciativën me të cilën pagat e funksionarëve duhet të ulen për 80 për qind

4 February 2026 at 17:00


Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë e dorëzoi në Kuvend iniciativën me të cilën pagat e funksionarëve duhet të ulen për 80%.

Sipas propozimit të LSM-së, funksionarët në vend do të kishin pagë deri rreth 1.000 euro, në vend të 2.000 deri 3.000 eurove sa janë tani.

“Iniciativa është në drejtim që edhe ata, ashtu si punëtorët, ashtu siç i bindin punëtorët se jetohet mirë me pagë minimale, të ndryshohet neni 11 i të njëjtit ligj dhe në vend që si deri tani baza për përllogaritjen e pagës së funksionarëve të jetë paga mesatare, të jetë paga minimale. Për më tepër kërkojmë që koeficienti i kompleksitetit për përcaktimin e kompensimit të pagave të përcaktuara me këtë ligj të ulet për 40 për qind, ose gjithsej 80 për qind ulje të pagave të funksionarëve”, tha Sllobodan Trendafilov nga LSM.

Nga LSM paralajmëruan bllokimin e rrugëve pranë institucioneve kyçe të vendit, në rast se kërkesa e tyre nuk pranohet.

LSM më 10 shkurt do të nisë me bllokadat, kërkojnë rritje të pagës minimale në 600 euro

3 February 2026 at 18:10


Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë do të fillojë më 10 shkurt me një bllokadë në Kuvendin e Maqedonisë dhe vazhdojnë më 12 shkurt me bllokada para Odës Ekonomike.

Bllokada para Qeverisë është paralajmëruar për më 17 shkurt.

“Dje skadoi afati që mijëra punëtorë ua dhanë deputetëve në Kuvend për të bërë ndryshime të shpejta në Ligjin për pagën minimale, të cilët do ta rrisin atë në 600 euro, ndërsa të tjerat do të rriten me diferencën nga rritja e pagës minimale, pra me të paktën 6.000 denarë. Qëndrimi injorant i treguar nga deputetët ndaj punëtorëve na ka bërë që të kalojmë në fazën e dytë të aktiviteteve që po zbatojmë për rritjen e pagave të punëtorëve”, tha sot kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov.

Nesër, në orën 11:00, LSM do t’i paraqesë Kuvendit një nismë për ndryshime në Ligjin për pagat dhe shpërblimet e tjera të deputetëve të Kuvendit dhe personave të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar.

“Me këtë nismë, po e ndryshojmë nenin që përcakton bazën për llogaritjen e pagave, në mënyrë që në vend të pagës mesatare aktuale si bazë për llogaritjen e koeficientit të kompleksitetit, baza të jetë paga minimale për koeficient kompleksiteti. Në këtë mënyrë, po u japim atyre mundësinë të tregojnë se nuk do të lejojnë një rritje shtesë të inflacionit në Maqedoni dhe se janë të gatshëm të ulin pagat e tyre me 40 për qind vetëm duke ndryshuar këtë dispozitë ligjore, dhe gjithashtu të ulin koeficientët e kompleksitetit me 40 përqind”, tha Trendafilov.

Nëse nuk e bëjnë këtë, LSM po nis një nismë për të mbledhur 10,000 nënshkrime për t’u bërë propozues i autorizuar i ndryshimeve të tilla ligjore. Një grevë e përgjithshme njëzet e katër orëshe mbetet një mundësi, dhe nuk përjashtohet mundësia e organizimit të një proteste tjetër si ajo e mbajtur të mërkurën e kaluar.

Lidhur me heqjen e seksionit të pagave nga Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, LSM thotë se nuk do t’u lejojë punëtorëve të heqin dorë nga një e drejtë e fituar dikur e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.

Trendafilov: Asnjë funksionar nuk vlen dhjetë herë më shumë se një punëtor

3 February 2026 at 08:52


"Asnjë zyrtar nuk vlen dhjetë herë më shumë se një punëtor, thotë kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Slobodan Trendafilov.

"Në lajmet në Alsat, flasim për kërkesën për rritje të pagave të punëtorëve, fazat e ardhshme në shprehjen e pakënaqësisë së punëtorëve, shantazhin dhe kërkesën nga Qeveria për të shfuqizuar Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive për Sektorin Publik dhe për të shfuqizuar rritjen e pagave në sektorin publik, shantazhin për të shfuqizuar të drejtën për çmim jubilar, K-15 (arsim, shëndetësi, MPB, ARM, etj.), flasim gjithashtu për atë që mund të bëjnë deputetët, çfarë mesazhi po dërgon Qeveria që përfaqësuesi i saj nuk u paraqit sot në LSM për të nënshkruar Marrëveshjen për rritjen e pagës minimale dhe për rritjen e të gjitha pagave të tjera dhe për të nënshkruar marrëveshje kolektive për rritjen e pagave të punëtorëve me 40%, flasim gjithashtu për mënyrën se si partitë politike i ndryshojnë fanellat e tyre kur janë në opozitë dhe kur janë në pushtet.

“Të marrësh tre monedha nga punëtorët dhe t'u japësh një është e kotë.”

"Qeveria duhet të dëgjojë vetëm këshillat e veta, të cilat i dha dy ose tre vjet më parë, dhe t'i përmbahet atyre", shkroi Trendafilov në Facebook.

Të enjten do të zhvillohen bisedime në Qeveri për rritjen e pagës minimale

2 February 2026 at 18:25


Sindikata e punonjësve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve DOJSH, e konfirmoi se të enjten në orën 16:45 në Qeveri do të ulen në tryezën e negociatave lidhur me kërkesat e Sindikatës për rritje të rrogave të të punësuarve në administratë dhe jurisprudencë.

Nga Sindikata e DOJSH-së, mes tjerash, theksojnë se Qeveria, sipas tyre, menjëherë ka dalë me ofertë për rritje të rrogave të të punësuarve në administratë dhe jurisprudencë pas protestës së mbajtur më 28 janar.

“Theksojmë se të punësuarit kanë të drejtë për të drejtat e fituara, të caktuara me marrëveshjet kolektive dhe rritjen e re të rrogave nënkuptojnë të drejta materiale shtesë, për çka angazhohet Sindikata e DOJSH-së”, qëndron në kumtesën e DOJSH-së.

Kryeministri Hristian Mickoski të enjten pasdite do të takohet me Sindikatën e DOJSH-së. Takimi është caktuar për në orën 16:45, ndërsa vjen pasi që Mickoski dha ofertë për rritje të rrogave për çka DOJSH tha se është e pranueshme dhe do të bisedohet plotësisht në suaza të organizatave sindikale.

Trendafilov: LSM nuk ka ngjyrosje politike, qeveria të pranojë rritjen e pagave

1 February 2026 at 17:59


Lidhja e Sindikatave hodhën poshtë akuzat e qeverisë se protesta për paga më të larta ka motiv politik.

Statuti i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë thotë se është një organizatë apolitike dhe nuk ka absolutisht asnjë lidhje me politikën, dhe kryetari dhe drejtuesit nuk guxojnë të jenë anëtarë të ndonjë partie politike.

“I them këtu përfaqësuesit të Qeverisë dhe përfaqësuesit faktikisht të partisë politike të gjejë një argument që dikush diku është politikisht i orientuar dhe i ngjyrosur. Por politikanët nuk i frikësohen politikanëve, shohim se ata bien dakord me njëri-tjetrin. Politikanët i frikësohen punëtorëve”, theksoi Slobodan Trendafilov, kryetar LSM-së.

Ata publikisht e ftojnë përfaqësuesin e qeverisë të vijë të hënën për të nënshkruar marrëveshjen kolektive për rritje prej 40 për qind të pagave të punonjësve administrativë. Thonë se me marrëveshjen kolektive u ishte ofruar rritje e pagave në këste katërvjeçare prej 7 dhe 5 për qind, por kushti ishte të hiqnin dorë nga marrëveshja kolektive e përgjithshme. Me të, vetëm në vitet 2025 dhe 2026 punonjësit e sektorit publik duhet të marrin rritje prej 12,5 dhe 10% për shkak të rritjes së pagës mesatare, e cila ishte më e madhe se ajo e ofruar me marrëveshjen kolektive.

“Ejani, të hënën, të martën, të mërkurën, kur të doni, unë ec me vulat në xhep gjithë kohën, për çdo rast, do të nënshkruajmë marrëveshje kolektive, nuk është problem. Megjithatë, heqja dorë nga një të drejtë më e favorshme për të kërkuar nga sindikata, unë jam sindikalist, mandati im më është dhënë që të jem sindikalist. Mandati nga anëtarësia e sindikatës ishte, po, do t’i nënshkruajmë këto marrëveshje kolektive, por nuk ka heqje dorë nga marrëveshja kolektive e përgjithshme”, tha Trpe Deanoski, Kryetar i Sindikatës.

Pas protestës, sindikalistët nga java e ardhshme do të fillojnë me bllokadë, së pari të deputetëve dhe institucioneve të tjera.

Mickoski: Për rritjen e pagës minimale, sindikatat dhe punëdhënësit vetë të arrijnë marrëveshje

31 January 2026 at 17:10


Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski ka komentuar kërkesën e sindikalistëve për rritjen e pagës minimale.

Ai tha se nuk e ka parë propozim ligjin e LSDM-së opozitare për rrogën minimale por shtoi se sindikatat dhe punëdhënësit duhet të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.

“Nuk e kam parë propozimin e ligjit të LSDM-së për rrogë minimale, por qëndrimi ynë është i qartë: të punësuarit dhe punëdhënësit janë ata që me një takim mbi partiak duhet të gjejnë një zgjidhje për rrogën minimale. Ne si punëdhënës më të mëdhenj, do të përsëris për të disatën herë, raportet tona me të punësuarit janë rregulluar. Kanë mbetur edhe një pjesë e vogël, rreth shtatë- tetë mijë të punësuar në administratë; nëse pajtohen dy sindikatat më të mëdha, apo përfaqësuesit e sindikatës pajtohen, nesër jemi në gjendje që ta pranojmë. Me fjalë të tjera, më shkurt, për dy vite e dy muaj nga sot, të punësuarit në administratë do të kenë minimum 40 % të ardhura më të larta”, deklaroi Mickoski.

Kujtojmë se LSM kërkon pagë minimale prej 600 eurove, ndërsa gjithë pagat e tjera të rriten për 6.000 denarë.

Trendafilov: Javën e ardhshme fillojmë me bllokada

30 January 2026 at 13:55


Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, njoftoi sot se do të ketë bllokime të institucioneve për javën e ardhshme.

"Javën tjetër do të fillojmë me bllokime. Deputetët në Kuvend do të jenë të parët që do t'i bllokojmë sepse e mbajnë Ligjin për Pagën Minimale në sirtar dhe nuk duan të rrisin pagat. Ka mundësi që javën tjetër të shkojnë me autobus dhe në këmbë, pasi shumica e punëtorëve vijnë. Do t'i presim që t'i përshëndesim dhe t'u kujtojmë se janë aty për ne dhe se duhet të votojnë. Ky do të jetë hapi tjetër", tha Trendafilov, duke shtuar se do të japë informacione shtesë të hënën.

Më parë, Trendafilov e ftoi Kryeministrin të vinte në ndërtesën e LSM të hënën në orën 9:00 të mëngjesit dhe së bashku të nënshkruanin Marrëveshjen Kolektive, e cila do të rrisë pagat e punëtorëve me 40%, siç tha Trendafilov, shkruante në deklaratën e qeverisë.

LSM organizoi një protestë të madhe në Shkup duke kërkuar paga më të larta, dhe në konferencën për shtyp, Trendafilov renditi disa shembuj të presionit nga menaxherët në institucione të ndryshme./Telegrafi/

Sllaveski: Kërkesat e LSM-së për rritjen e pagës minimale janë joserioze

29 January 2026 at 15:06


“LSM po organizon një protestë duke kërkuar që paga minimale të rritet me 50%, dhe të gjitha pagat e tjera me 6.000 denarë. Kjo është një qasje e joserioze dhe populiste”, është qëndrimi i guvernatorit Trajko Slaveski.

Ai në rrjetin social “X” shkruan se në përputhje me Ligjin për Pagën Minimale, shuma e pagës minimale në mars do të rritet sipas një formule të përcaktuar ligjërisht dhe një pragu prej 57% të pagës mesatare, që është dukshëm mbi rekomandimet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (40%) dhe BE-së (50%).

Sipas tij, Maqedonia është mbajtëse rekordesh botërore në raportin - pagë minimale/mesatare.

Guvernatori thotë se kërkesa e LSM-së bazohej në një anketë të kryer midis anëtarësisë së tyre, por se kjo nuk ishte mënyra për të negociuar rritjen e pagave me organizatat e punëdhënësve.

Negociatat, tha ai, duhet të bazohen në kritere standarde: ruajtja e fuqisë blerëse të pagave, rritja ekonomike dhe pjesëmarrja e punës në shpërndarjen e produktivitetit./Telegrafi/

Trendafilov: Nëse nuk ka rritje të pagave, do të bllokojmë rrugët dhe do të kemi grevë

28 January 2026 at 19:31


Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë sot përmes protestës kërkuan pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje prej 100 eurosh për të gjitha pagat e tjera.

Protesta e LSM-së filloi para simbolit të luftës punëtoret, Shtëpisë së Punëtorëve, vazhdoi para Kuvendit, pastaj Odës së Tregtisë dhe Qeverisë. Ata thanë se nëse edhe këtë herë Qeveria nuk do të ulet për të negociuar zgjidhjen e kësaj çështjeje, do të vazhdojnë me bllokime të rrugëve dhe institucioneve ku shkelën më së shumti të drejtat e punëtorëve dhe me bllokimin e gjithë shtetit përmes grevës së përgjithshme në sektorin privat dhe publik.

“Do të pasojnë bllokime, do të pasojë greva e përgjithshme. Dhe do të vijë ajo që do t’ju bëjë më shumë dëm. Do të mbledhim 10,000 nënshkrime, me të cilat do të bëhemi propozues të autorizuar dhe do të kërkojmë që t’ju ulet 80 përqind të pagave tuaja. Dhe do të kërkojmë të rrisni pagën minimale në 600 euro dhe të rrisni pagat e tjera së paku për 6,000 denarë. Do t’ju vendosim në test. Do të votoni për veten kundrejt njerëzve që ju kanë votuar, apo do të votoni për njerëzit që me votën e tyre ju mundësojnë luksin tuaj”, deklaroi Sllobodan Trendafilov – kryetar i LSM-së.

Nga LSM njoftuan se shpenzimet vjetore janë rritur për6.000 denarë, teksa nuk është ndërmarrë asnjë masë për mbrotjen e punëtorëve të cilët me pagat aktuale vetëm se mbijetojnë.

LSM do të protestojë sot për rritjen e pagave minimale dhe të të gjitha pagave të tjera

28 January 2026 at 09:25


Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë do të mbajë sot një protestë për rritjen e pagës minimale në të paktën 600 euro dhe të gjitha pagat e tjera me 100 euro. Protesta, e cila do të fillojë në orën 17:00, do të shprehë pakënaqësi për mospërmbushjen e kërkesave për rritje të pagave. Protesta do të fillojë para Shtëpisë së Punëtorëve dhe do të vazhdojë para Kuvendit dhe Odës Ekonomike, dhe do të përfundojë para Qeverisë.

Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov, tha dje në një konferencë për shtyp se protesta po organizohet për shkak të qëndrimit injorant të Qeverisë dhe punëdhënësve që nuk kanë rritur pagat e punëtorëve.

Sipas LSM-së, ka shumë argumente për rritjen e pagave, duke filluar nga inflacioni deri te rritja e vlerës së shportës minimale sindikale në janar me një mijë denarë.

"28 janari është dita kur punëtorët flasin. Sa me zë të lartë flasin varet nga ju. Prania juaj në rrugë do të flasë më me zë të lartë se çdo diskutim që keni pasur në familjet tuaja dhe në vendet tuaja të punës. Ju bëj thirrje të gjithëve, si sindikalistëve, punëtorëve dhe pensionistëve që merrni pension nga kontributet e punëtorëve, të na bashkoheni sepse vetëm në janar jeni më të varfër me një mijë denarë. Të tjerët nuk na llogarisin dhe besojnë se nëse nuk vini, po u jepni mbështetje të madhe që të mos ju rritet rroga sepse besojnë se jetoni mirë dhe se flisni vetëm për gjëra të bukura", tha Trendafilov.

Sipas tij, nuk ka më justifikime sepse 200 mijë njerëz janë të varfër dhe jetojnë me një pagë nën 30.000 denarë.

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SPGPM) gjithashtu do t'i bashkohet protestës. Në një deklaratë dërguar mediave, SPGPM u bëri thirrje anëtarëve të saj të japin mbështetje të plotë kërkesave për rritje të pagave minimale, por edhe të të gjitha pagave të punëtorëve në vend./Telegrafi/

Trendafilov: Nesër do të protestojmë për pagë minimale 600 euro, të na bashkohen të gjithë punëtorët

27 January 2026 at 14:50


Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë sot u bëri thirrje të gjithë atyre që nuk janë të kënaqur me pagat e tyre që të bashkohen në protestën e nesërme të organizuar kundër mosrritjes së pagës minimale në 600 euro dhe të gjitha pagave të tjera me 100 euro, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ka shumë argumente, asnjë justifikim, 200 mijë njerëz jetojnë me një pagë nën 30.000 denarë, tha sot kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov.

"Nuk keni nevojë të keni frikë nga askush, sepse nuk i keni borxh askujt asgjë. U keni borxh vetëm familjeve tuaja një jetë të mirë. Ju bëj thirrje të gjithëve juve – sindikalistëve, punëtorëve dhe pensionistëve që marrin pension nga kontributet e punëtorëve, të na bashkoheni sepse vetëm në janar jeni më të varfër me një mijë denarë. Të tjerët nuk llogariten dhe mendojnë se nëse nuk vini, po u jepni mbështetje të madhe që të mos ju rritet rroga sepse mendojnë se jetoni mirë dhe se flisni vetëm për gjëra të bukura", tha Trendafilov në një konferencë për shtyp.

Protesta e nesërme, siç theksoi ai, është për shkak të qëndrimit injorant të Qeverisë dhe punëdhënësve që nuk ranë dakord të rrisin të gjitha pagat me 100 euro duke rritur pagën minimale në të paktën 600 euro.

"28 janari është dita kur punëtorët flasin. Sa me zë të lartë do të flasin varet nga ju. Nesër prania juaj në rrugë do të flasë më me zë të lartë se çdo diskutim që keni pasur në familjet tuaja dhe në vendet tuaja të punës. Kjo protestë është për pagat tuaja sepse ato nuk vijnë nga data 1 deri në datën 1. Kjo protestë është kundër padrejtësisë sepse ata marrin 10 herë më shumë paga se ju. Kjo protestë është sepse ata sigurojnë për veten e tyre një rritje prej 250 eurosh në pagat e tyre, dhe për ju as 25 euro", tha Trendafilov./Telegrafi/

LSM nuk heq dorë nga protesta për rritjen e pagës minimale në 600 euro

25 January 2026 at 16:00


Lidhja e Sindikatave ka njoftuar itinerarin e plotë për protestën më 28 janar.

Qëllimi kryesor i protestës është rritja e pagave të punëtorëve në 600 euro.

Protesta fillon më 28 janar 2026 në orën 17:00 para Qendrës së Punëtorëve (ndërtesa e LSM në Mirce Acev 6) në Shkup, pas së cilës vazhdon para Parlamentit, Dhomës së Tregtisë dhe Qeverisë së Maqedonisë (Duke lëvizur përgjatë Mirce Acev, Filipit të dytë, 11 Tetori, Dame Gruev, Bulevardi OBRM dhe duke përfunduar në Bulevardin Ilinden para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë) – njoftoi në Facebook Ivan Peshevski nga LSM.

Nga LSM thanë e nuk do të heqin dorë nga protesta për rritjen e pagës mininmale, pasi standardi jetësor është rritur dhe punëtorët po punojnë për mbijetesë.

Trendafilov: Të mërkurën LSM do të protestojë, paga minimale duhet të jetë 600 euro

23 January 2026 at 20:35


Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë të mërkurën organizon protestë për të shprehur pakënaqësinë nga mosrritja e pagës minimale në 600 euro dhe të gjithë pagave tjera për 100 euro.

Protesta do të fillojë në orën 17 para ndërtesës së LSM-së dhe do të vazhdojë para Kuvendit dhe Odës Ekonomike, ndërsa do të përfundojë para Qeverisë.

“Është koha të luftojmë së bashku për paga dinjitoze së bashku me punëtorët. U bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve, pagat e të cilëve nuk janë rritur, të gjithë punëtorëve që pyesin veten se si t’ia dalin mbanë këtë muaj, punëtorëve që i gënjyen shefat e tyre se do t’u rrisnin pagat, të na bashkohen në rrugë sepse nuk kanë rënë dakord të rrisin pagat e punëtorëve dhe të përmirësojnë standardin e punës deri më 31 dhjetor. 33 përqind e 540 mijë punëtorëve jetojnë nën pragun e varfërisë, domethënë shkojnë në punë dhe janë të varfër”, tha kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.

Trendafilov përkujtoi se edhe në anketën e LSM-së punëtorët u shprehën se janë të gatshëm të dalin në protestë nëse nuk rriten pagat.

“Ky është vetëm hapi i parë që po ndërmarrim në një seri hapash që do të ndërmarrim në periudhën e ardhshme, që do të thotë protesta shtesë, bllokada shtesë të synuara të institucioneve të caktuara dhe një grevë të përgjithshme 24-orëshe në sektorin publik dhe privat, dhe nëse nuk dëgjojnë, ne do të mbledhim 10,.000 nënshkrime dhe do të bëhemi propozues i autorizuar dhe do të kërkojmë një ulje të pagave të zyrtarëve për 78 për qind dhe një rritje të pagës minimale në 600 euro dhe një rritje të pagave të tjera”, tha Trendafilov.

Ai tha se vitin e kaluar nuk pati rritje drastike të pagave, dhe që nga janari shporta sindikaliste është rritur me gati një mijë denarë, sipas tij, politika të tilla bëjnë që personeli i kualifikuar të largohet nga vendi me të gjitha familjet e tyre, dhe të huajt po vijnë për të mbushur vendet e punës.

Protestojnë punonjësit e Postës së Maqedonisë: 1700 punonjës nuk kanë marrë pagat, 60% janë me pagën minimale

23 January 2026 at 11:23


Punonjësit e Postës së Maqedonisë sot protestuan në vendet e tyre të punës për shkak të vonesës së vazhdueshme në pagesën e pagave.

Ata thonë se këtë muaj është arritur fundi sepse ende nuk ka paga, dhe tashmë është 23 janari. Sipas Sasho Dimitrievskit, kryetarit të Organizatës Sindikale të "Postës", 60% e punonjësve punojnë për një pagë minimale. Ai njofton se protesta do të vazhdojë.

"Nëse e njëjta gjë ndodh muajin tjetër, më 15, 16 (shkurt) do të ndërpresim punën. Kjo nuk do të thotë se nuk do të marrim masa më të rrepta siç është hyrja në grevë. 1700 punonjës presin pagë, dhe rreth 300 postierë nuk e kanë zgjidhur statusin e tyre të punësimit për disa vite. Ky problem në Postë ka zgjatur për rreth 15 vjet, ne jetojmë me rrogë. Patjetër që kemi një organizim të keq. Të gjithë punonjësit në qytete të tjera po protestojnë gjithashtu", tha Dimitrievski në një deklaratë për mediat.

Në protestë foli edhe kreu i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov. Ai tha se njerëzit po protestojnë për pagesën edhe të një page kaq të ulët.

"Është turp t'i lësh njerëzit pa paga, të luash rolin e sherifit dhe t'i sulmosh ata dhe t'i pengosh të protestojnë. Ne nuk do të tërhiqemi nga kërkesa jonë për t'u paguar pagat, por edhe për t'i rritur ato dhe për t'u siguruar atyre pajisje pune. Unë besoj se faji duhet të bjerë mbi menaxhmentin, i cili duhet të ndërhyjë menjëherë te Qeveria", tha Trendafilov në protestë./Telegrafi/

LSM paralajmëron protesta javën e ardhshme, Trendafilov: Është koha të luftojmë për paga më të mira për punëtorët

21 January 2026 at 13:48


Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Slobodan Trendafilov, në konferencë për shtyp informoi se më 28 janar në orën 17:00, do të mbajnë protesë para Shtëpisë së pnëtorëve.

Trendafilov tha se është koha të luftohet për paga më të mira për punëtorët, përcjell Telegrafi Maqedoni.

"U bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve, pagat e të cilëve nuk janë rritur, të gjithë punëtorëve që po mendojnë se si t'ia dalin mbanë në fund të këtij muaji, u bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve që i gënjyen shefat, menaxherët, zyrtarët, ministrat etj., se do t'i rrisnin pagat, dhe nuk i rritën, të na bashkohen në rrugë", tha Trendafilov.

Sipas tij, qeveria refuzon të rrisë pagën minimale në një kohë kur 540 mijë qytetarë në Maqedoni janë të varfër.

"Ne po bëjmë thirrje për protestë sepse kufiri i varfërisë është 31,200 në Maqedoni, dhe 33 përqind e 540,000 punëtorëve jetojnë me pagë nën kufirin e varfërisë, shkojnë në punë dhe janë të varfër. Meqenëse ata që nuk duan të bien dakord në emër të punëtorëve dhe nuk duan të rrisin pagat e punëtorëve, besojnë se duhet t'i mbajnë punëtorët në gjendje urie dhe pengjesh në mënyrë që ata të jenë të bindur dhe të nënshtruar ndaj tyre", tha kryetari i LSM-së.

Trendafilov kërkoi mbështetjen e të gjithë punëtorëve, duke shtuar se duke qëndruar në shtëpi, mbështetet politika e pagave të ulëta, të ardhurave të mjerueshme dhe një jete të vështirë pune.

Nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, Trendafilov paralajmëroi mbledhjen e 10,000 nënshkrimeve, gjë që do t’i bënte ata propozues të autorizuar të ligjeve dhe do të kërkonin ulje të pagave të zyrtarëve shtetëror me 78 përqind dhe rritje të pagave të punëtorëve në 600 euro./Telegrafi/

Rriten shpenzimet për jetesë, për një muaj një familje në Maqedoni i duhen mbi 66 mijë denarë

20 January 2026 at 15:37


Shpenzimet minimale mujore për një familje katëranëtarëshe në muajin janar kanë arritur në 66.413 denarë dhe janë rritur për 921 denarë krahasuar me muajin dhjetor, tregojnë të dhënat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.

Nëse familja katëranëtarëshe jeton në një banesë me qira prej 60 metrash katrorë, shpenzimet minimale arrijnë në 81.788 denarë.

Sipas LSM-së, nga shpenzimet minimale mujore totale, 24.211 denarë nevojiten për ushqim dhe pije, ndërsa për mbulimin e shpenzimeve minimale komunale nevojiten 6.338 denarë.

Për shkak të rritjes së kostos së jetesës, LSM kërkon rritjen e pagës minimale në 600 euro, si dhe rritjen e të gjitha pagave të tjera, për çka në periudhën e ardhshme paralajmëron protesta.

❌
❌