Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

MPB: Gjatë fundjavës në "Tabanoc" kanë hyrë mbi 36 mijë shtetas të RMV-së

22 December 2025 at 18:36


Shtetasit e Maqedonisë që punojnë jashtë vendit, kanë filluar të kthehen në vend për festat e fundvitit. Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë gjithashtu se mbi 36 mijë shtetas kanë hyrë në pikën kufitare Tabanoc këtë fundjavë.

"Në pikën kufitare Tabanoc nga 20.12.2025 (e premte) ora 10:00 deri më 22.12.2025 (e hënë) deri në orën 10:00, kanë hyrë në vend 36,316 shtetas të Maqedonisë, ndërsa kanë dalë 6,892 shtetas. Sa i përket shtetasve të huaj, në të njëjtën periudhë, kanë hyrë në vendin tonë 16,084 persona dhe kanë dalë 7,720 persona", njoftoi MPB.

Nga MPB thonë se po marrin të gjitha masat dhe po vënë në funksion të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për të përshpejtuar fluksin e udhëtarëve, duke kryer kontrolle të detyrueshme kufitare.

Maqedonia e Veriut nën mesataren e BE-së në përdorimin e inteligjencës artificiale

18 December 2025 at 10:36


Në Maqedoni një nga pesë njerëz (22%) të moshës nga 16 deri në 74 vjet, këtë vit ka shfrytëzuar mjete të inteligjencës artificiale (AI). Shumica i kanë shfrytëzuar për qëllime personale (15,76%), ndërsa 8,55% i kanë përdorur për punë. Pothuajse një nga dhjetë (9,4%) e kanë shfrytëzuar për arsim formal.

Në nivel të BE-së pothuajse një e treta (32,7%) e njerëzve të moshës nga 16 deri në 74 vjeç kanë shfrytëzuar mjete të IA. Shumica i kanë shfrytëzuar për qëllime personale (25,1%), ndërsa 15,1% i kanë shfrytëzuar për punë, ndërsa 9,4% për arsim formal, tregojnë të dhënat për përdorimin e TIK në amvisëritë dhe nga ana e individëve të publikuar nga Eurostat.

Si arsye më të shpeshtë pse nuk kanë përdorur mjete IA 43% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut thanë se nuk kishin nevojë, 11% nuk e dinin si t’i përdorin, ndërsa 2% për shkak të brengës për privatësinë dhe sigurinë.

Në Evropë lider në shfrytëzimin e mjeteve IA është Norvegjia (56,32%), ndërsa më pak 17,19% e kanë shfrytëzuar qytetarët në Turqi.
Nga vendet e rajonit më së shumti mjete për inteligjencën gjenerative artificiale thanë se përdorin qytetarët e Greqisë (44,09%) dhe Sllovenisë (37,56%). Pastaj vijon Kroacia (27,52%), Bullgaria (22,5%) dhe Maqedonia (22,03%). Më pak mjete të IA shfrytëzojnë qytetarët e Serbisë (18,64%) dhe Bosnja e Hercegovina (20,26%).

Në nivelin e BE-së, përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale gjeneruese është më i përhapur në Danimarkë (48.4%), Estoni (46.6%) dhe Maltë (46.5%). Në të kundërt, përqindja më e ulët e njerëzve që përdorin mjete të inteligjencës artificiale gjeneruese vërehet në Rumani (17.8%) dhe Itali (19.9%).

Në BE, 94% e individëve kanë përdorur internet në tre muajt e fundit të vitit 2025, ndërsa katër për qind e kanë kaluar gjithë vitin pa përdorur internet.

Për lidhshmëri me internet, pajisje celulare kanë përdorur pothuajse 9 nga 10 persona në BE, ndërsa 74% e individëve kanë porositur ose blerë shërbime ose mallra përmes internetit.

Në vend vitin e kaluar 91 për qind e amvisërive kishin qasje në internet, që është rritje e dukshme krahasuar me vitin 2015, kur ai numër arrinte 69%. Rreth 6,86 për qind e qytetarëve e kanë kaluar gjithë vitin pa përdorur internet.

Për lidhje në internet pjesa më e madhe e njerëzve kanë përdorur pajisje celulare (91,5%), rreth 20% kompjuterë desktop, 35% laptopë dhe 9% tabletë.

Më së shpeshti ose 86 për qind e njerëzve në vend kanë përdorur internet për të telefonuar ose për video biseda, 78 për qind për qasje në mediat sociale dhe 41% për pagesa dhe marrje të postës elektronike. Rreth 42% e qytetarëve kanë porositur ose blerë shërbime ose mallra përmes internetit vitin e kaluar, që është dyfish më shumë krahasuar me vitin 2020 kur atë e kanë bërë 21 për qind.

Amir Elezi: Maqedonia e Veriut ka sasi të mjaftueshme të gjakut për situata të jashtëzakonshme

8 December 2025 at 15:40


Drejtori i Institutit për Transfuziologji Amir Elezi, është i ftuari i radhës në emisionin "PodGo" me të cilin kemi diskutuar për dhurimin e gjakut, Spitalin e Tetovës dhe shëndetësinë në përgjithësi.

Elezi foli për periudhën sa ishte drejtor i Spitalit të Tetovës, ndërsa tha nuk ka qenë periudhë e gjatë, por e cilësoi si të rëndësishme. Ndërsa momentalisht ai drejton Institutin për Mjekësi të Transfuzionit të Gjakut, duke e sqaruar mënyrën se si funksionojnë si institucion.

- YouTube Prodhim i Telegrafi Maqedoni Bejeni #Subscribe kanalin tonë në YouTube për më shumë video. Detajet: ...

"Instituti për Mjekësi të Transfuzionit të Gjakut ka një lloj pavarësie sa i përket funksionimit tonë, por ne jemi në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi është obligim ligjor që ata të përkujdesen për institucionet shëndetësore. Jemi të pavarur sa i përket spitaleve, por bashkëpunojmë me spitale, pasi ata kanë nevojë, sidomos kur bëhen ndërhyrje kirurgjike", tha Elezi.

Sa i përket gatishmërisë së tyre për situata të jashtëzakonshme, Elezi tha se Instituti disponon me sasi të mjaftueshme të gjakut.

"Ne jemi të përgatitur për çfarëdo lloj situate, pasi disponojmë me sasi të mjaftueshme të çdo lloj të gjakut dhe produkteve të gjakut. Eritrocitet ruhen deri 35 ditë, plazma e gjakut ruhet 1 deri 3 vite, ndërsa trombocitet ruhen deri 5 ditë. Ne disponojmë me sasi të mjaftueshme për pacientët që kanë nevojë. Për situata të jashtëzakonshme ne kemi marrë hapa paraprak. Me iniciativën time kemi përgatitur procedurë në rast se ndodhin fatkeqësi ose situata të jashtëzakonshme, që të jemi të përgatitur për këto situata. Këtë draft-dokument e kemi paraqitur tek MPB dhe Drejtoria për Mbrojtje për Shpëtim, të cilët duhet ta dijnë se si të veprohet në raste të tilla. Situata e Koçanit ishte një situatë e rëndë, ndërsa institucioni ynë ishte i gatshëm për t'u përballur me këtë situatë", tha Elezi.

Ai gjithashtu tha se në Maqedoni qytetarët kanë kulturë të dhurimit të gjakut, ndërsa këtë vit qëllim i Institutit është që të arrijnë deri në 60 mijë dhurues.

"Dua t'i përgëzoj dhe falënderoj qytetarët që dhurojnë gjak vullnetarisht. Në vitet që menaxhoj unë, vit pas viti rritet numri i dhuruesve. Këtë vit kemi caktuar numrin që të arrijmë deri në 60 mijë dhurues të gjakut. Ka kulturë të dhurimit të gjakut".

"Fillimisht duhet të jetë i moshës madhore dhe më pas duhet të jetë i shëndetshëm, të kenë dëshirë dhe vullnet të ndihmojnë pacientët. Më pas ka një pyetësor të cilin duhet ta mbushin dhuruesit dhe bëhet një ekzanimim nga ana e mjekut ku kontrollohet pacienti për nivelin e hemoglobinës, pasi anemikët nuk janë kandidatë për të dhuruar gjak. Nëse këto procedura janë në rregull, vazhdohet me dhurimin e gjakut, i cili është procedurë pa dhimbje", tha Elezi, duke sqaruar procedurat se si dhurohet gjak.
Ai përmendi edhe dobitë që kanë dhuruesit e gjakut.

"Përparësitë e dhuruesve të gjakut janë të shumta, duke nisur nga sistemi kardiovaskular, ku hulumtimet tregojnë se 12% e dhuruesve të gjakut janë më pak të rrezikuar nga sëmundjet kardiovaskulare. Gjithashtu ndikon në aspektin psikologjik, duke ditur se ndihmohen pacientë të sëmurë", tha Elezi./Telegrafi/

Çdo i treti qytetar në Maqedoni ka dhënë ryshfet për të kryer ndonjë punë

4 December 2025 at 17:30


Çdo i treti qytetar në Maqedoninë e Veriut ka paguar ndonjë lloj ryshfeti për të kryer një punë. Këtë e tregojnë të dhënat e raportit të fundit mbi vlerësimin e korrupsionit nga Qendra e Maqedonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, një pjesë e vogël e të cilit u prezantua sot nga drejtori, Aleksandar Krzhalovski, në aktivitetin kushtuar Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit - 9 Dhjetor, dhe njoftoi se hulumtimi në tërësi do të publikohet në ditët në vijim.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve në aktivitet, Krzhalovski theksoi se ajo që ata matën në raportin e fundit është se ndryshe nga vitet e kaluara kur korrupsioni perceptohej si një problem kryesor në shoqëri, tani ai është në vendin e dytë.

"Korrupsioni është një problem serioz, i cili është i përhapur dhe për fat të keq mjaft i pranuar. Është vërejtur një përkeqësim i presionit të korrupsionit krahasuar me raportin e mëparshëm, kur u regjistrua një rënie. Sipas të dhënave në raportin e fundit, 37 përqind e qytetarëve u është kërkuar ryshfet, dhe 31 përqind e tyre kanë dhënë ndonjë lloj ryshfeti për të kryer një punë. Korrupsioni është një problem serioz, i cili është i përhapur dhe për fat të keq mjaft i pranuar", tha Krzhalovski.

Gjyqtarët dhe prokurorët publikë si individë janë në fund të listës së besimit, dhe në fund është zyra e prokurorisë gjyqësore, si institucion, ndërsa këtu besimi te deputetët dhe politikanët nuk është shumë i lartë, por besimi te Kuvendi si institucion është në një nivel të lartë.

Lidhur me besimin te institucionet që luftojnë korrupsionin, Krzhalovski tha se KSHPK mbeti në të njëjtin nivel prej 32 përqind, ndërsa besimi te MPB u rrit në 50 përqind.

Maqedonia në tre vendet e para në Evropë për vdekjet nga ndotja e ajrit

2 December 2025 at 15:59


Banorët e vendeve të Evropës Juglindore, si Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria, janë më të rrezikuarit nga ndotja e ajrit për sa i përket shkurtimit të jetëgjatësisë së tyre, njoftoi Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA).

Në këto vende, mesatarisht, numri më i lartë i viteve të jetës së humbura për shkak të ndotjes së ajrit u mat midis banorëve të moshës 30 vjeç e lart, sipas raportit të EEA-s.

Agjencia deklaron se ndotja e ajrit mbetet rreziku më i madh mjedisor për evropianët, mbi faktorë të tjerë si ekspozimi ndaj zhurmës dhe kimikateve ose rreziku i valëve të nxehtësisë që lidhen me klimën.

Nivelet e pasigurta të ndotjes së ajrit kanë rezultuar në një shifër marramendëse prej 182,000 vdekjesh në vitin 2023, raportoi Euronews.

Raporti i EEA-s pohon se 95 përqind e evropianëve në zonat urbane janë të ekspozuar ndaj niveleve të ndotjes së ajrit “dukshëm” mbi rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Midis vendeve të BE-së, Italia pati numrin më të madh të vdekjeve për shkak të ndotjes së ajrit në vitin 2023 dhe numrin më të madh të viteve të jetës së humbura për 100,000 banorë, e ndjekur nga Polonia dhe Gjermania.

Ndikimet më të ulëta relative të ndotjes së ajrit janë regjistruar në vendet në veri dhe veriperëndim të Evropës, duke përfshirë Suedinë, Estoninë dhe Norvegjinë.

Në Islandë, nuk ka pasur vdekje nga ndotja e ajrit, ndërsa në Finlandë janë regjistruar 34 vdekje të shkaktuara nga ekspozimi afatgjatë ndaj grimcave të dëmshme të ndotjes të etiketuara PM2.5, specifikon EEA.

Aksident tragjik në Zvicër, humb jetën një 39-vjeçar nga Maqedonia e Veriut

1 December 2025 at 09:54


Një aksident i rëndë rrugor me pasoja fatale dhe elemente të veprës penale tronditi Zvicrën këtë fundjavë. Në incidentin që ndodhi në Schlieren, kantoni i Cyrihut, humbi jetën tragjikisht një 39-vjeçar nga Maqedonia e Veriut. Sipas raportimeve të mediave në Zvicër, shoferi, po ashtu 39-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, pas përplasjes fillimisht u largua nga vendi i ngjarjes, më pas u vetëdorëzua.

Makina me 500 kuaj fuqi “fluturonte” në zonën 30 km/h

Sipas raportit zyrtar të Policisë Kantonale të Cyrihut, aksidenti ndodhi të shtunën rreth orës 23:30. Automjeti, një SUV i fuqishëm BMW me mbi 500 kuaj fuqi, po lëvizte nga Engstringerstrasse drejt Grabenstrasse.
Ekspertët e policisë, bazuar në gjurmët në vendin e ngjarjes, konkluduan se makina po lëvizte me shpejtësi shumë më të madhe se ajo e lejuar, në një zonë ku kufizimi është strikt 30 km/h.

Pas një kthese djathtas, vozitësi humbi kontrollin mbi automjetin e fuqishëm. Automjeti doli nga rruga nga ana e djathtë, duke shkaktuar një seri përplasjesh. Së pari rrëzoi një dritë për ndriçim në rrugë, më pas goditi një pemë pranë rrugës, në fund, u përplas me pjesën e përparme, në fasadën e një shtëpie banimi.

Sipas raportimeve, pas aksidentit, pasagjeri – një 39-vjeçar nga Maqedonia e Veriut – mori lëndime të rënda. Në vend që të kërkonin ndihmë të menjëhershme, shoferi dhe një grua, ende e paidentifikuar, që ishte në automjet, u larguan nga vendi i ngjarjes, duke e lënë viktimën pa ndihmë. Shërbimet e emergjencës arritën shpejt dhe e transportuan të plagosurin në spital, ku ai ndërroi jetë të dielën pasdite.

Shoferi dorëzohet, pasagjerja në kërkim

Policia dhe Prokuroria Publike e Cyrihut-Sihl nisën menjëherë një hetim të gjerë. I detyruar nga rrethanat, vozitësi u paraqit në stacionin e policisë të dielën, pak para orës 12:00, dhe iu dorëzua autoriteteve.
Hetimi vazhdon pa ndërprerje, ndërsa policia ende kërkon gruan që ishte në automjet për të zbuluar rolin dhe identitetin e saj.

Ulet numri i martesave dhe rriten divorcet në Maqedoni

28 November 2025 at 09:15


Më pak martesa dhe më shumë divorce u regjistruan nga Enti Shtetëror i Statistikave në tremujorin e tretë të këtij viti.

Në këtë tremujor, u lidhën 3,514 martesa dhe numri i tyre u ul me 2.8% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2024.

U regjistruan 470 divorce, që është rritje prej 27.7% krahasuar me vitin e kaluar.

Gjithashtu, në tremujorin e tretë të vitit 2025, numri i lindjeve të gjalla ishte 4,431, që është rritje prej 3.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Numri i vdekjeve, nga ana tjetër, u ul me 0.5% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024 dhe arriti në 4,849, nga të cilat 20 ishin vdekje foshnjore.

Rritet çmimi i energjisë elektrike, EVN: Kemi pranuar ofertë për 4.8% më të lartë

27 November 2025 at 15:01


EVN njofton se si Furnizues Universal i energjisë elektrike, në tenderin për prokurim të energjisë elektrike për plotësimin e nevojave të konsumatorëve për periudhën janar-dhejtor 2026 pranoi vetëm një ofertë, edhe atë nga SHA EMV me çmim të shitblerjes së energjisë elektrike prej 65 euro për megavat-orë, ndërsa do të mbulojë 100% të sasisë së përgjithshme të planifikuar.

Nga EVN thonë se ky çmim është për 4,84% më i lartë se çmimi i kaluar i cili u pranua në tenderin e fundit të Furnizuesit Universal (qershor-dhjetor 2025), ku SHA EMV ofroi çmim të shitblerjes prej 62 euro për megavat-orë.

"Nën monitorim të plotë të Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe në përputhje me obligimet ligjore dhe metodologjinë paraprakisht të përcaktuar, në periudhën në vijim EVN Home do ta llogarisë çmimin e energjisë elektrike sipas parametrave hyrëse të paracaktuara".

"Si gjithmonë, në çmimin përfundimtar hyjnë: çmimi me të cilin SHA EMV ia shet energjinë elektrike EVN Home-it, çmimi i Sistemit Operator Përçues MEPSO, çmimi i Operatorit të Tregut të Energjisë Elektrike MEMO, si dhe çmimi i Sistemit Operator Distributiv - Elektrodistribuimi", thonë nga EVN.

Lehtësim për qytetarët e Maqedonisë, Sllovenia njeh patentë-shoferët pa provim praktik

26 November 2025 at 11:54


Sllovenia ka miratuar ndryshime në Ligjin për shoferë, të cilat u mundësojnë poseduesve të patentë shoferëve të dhëna në Maqedoninë e Veriut të ndërrojnë dokumentin pa dhënë pjesën praktike të provimit, me kusht që të kenë qëndrim të rregulluar në Slloveni.

Ky vendim, i miratuar dje, sjell një lehtësim të konsiderueshëm për qytetarët e Maqedonisë së Veriut që jetojnë dhe punojnë në Slloveni. Ai vlen po ashtu për poseduesit e patentave nga Kosova, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.

Sipas rregullave të reja, shoferët nga Maqedonia e Veriut do të mund t’i këmbejnë patentat brenda një viti nga data e paraqitjes së qëndrimit në Slloveni. Ata nuk do të duhet të japin pjesën praktike të provimit, por do të duhet të dorëzojnë dëshmi për aftësi fizike dhe mendore për vozitje (vërtetim shëndetësor).

Sandra Gazinkovski nga partia Liria, përfaqësuese e propozuesve të ligjit, sqaroi se qëllimi nuk është dhënia e privilegjeve, por heqja e pengesave administrative të paarsyeshme.

“Kjo është një pengesë administrative që ngadalëson procedurat për punësim dhe krijon harxhime të panevojshme, pritje dhe teste shtesë për njerëzit,” deklaroi Gazinkovski, duke theksuar se masa do t’u lehtësojë jetën punëtorëve të huaj.

Megjithatë, opozita iu kundërshtua ligjit, duke paralajmëruar se ndryshimi mund të ndikojë në sigurinë rrugore.

Qytetarët rikthejnë maskat për shkak të ndotjes së ajrit

26 November 2025 at 08:54


Ndotja e ajrit në Shkup vazhdon të jetë një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve. Ditët e fundit, niveli i lartë i ndotjes ka ndikuar negativisht ndaj shëndetin e banorëve.

Në një nga rrugët e Shkupit takuam një qytetar me maskë në fytyrë, që mezi merrte frymë teksa ishte ulur të pushonte pak. Tha se sot ishte i detyruar të dalë për disa punë të domosdoshme, megjithëse çdo frymëmarrje e thellë i shkakton djegie në fyt.
“Ndotja, veçanërisht në Shkup, është e jashtëzakonshme, jo vetëm unë…unë jam tashmë një burrë i moshuar dhe vuaj nga HOBB e cila shkaktohet nga ajri i keq ambiental në këtë qytet, presim që të fryjë era ose të bjerë shi ose që bora ta pastrojë dhe kaq”, tha një qytetar.

“Ndihem sikur kam shtypje në fyt, sikur po më mbyt fyti këto dy ose tre ditë në veçanti. Çdo vit ndotet gjithnjë e më shumë. Nuk janë drutë për ngrohje që ndotin, nuk do të pajtohesha që drutë ndotin qytetin, por më shumë nga papastërtia, nga shumë makina, nga ato gazra që nxirren çdo ditë, ka shumë makina në qytet, mendoj se kjo është ajo që shkakton ndotjen”, u shpreh një qytetar.
Disa qytetarë të tjerë vlerësojnë se situata nuk do të përmirësohet vetvetiu. Sipas tyre, nevojitet qasje e qëndrueshme dhe zbatim masash të bazuara në të dhëna shkencore, jo vetëm aktivitete të shpërndara online.

“Ky projekt duhet të ngrihet sistematikisht bazuar në metoda shkencore deterministe që do ta trajtojnë këtë problem, të gjitha aktivitetet e tjera janë aktivitete online”, theksoi një qytetar.

Ndërkohë, shpresa për pastrim të ajrit mbetet te ndryshimi i motit. Reshjet dhe erërat që priten ditëve në vijim mund të sjellin një pastrim të përkohshëm të ajrit, por jo një zgjidhje afatgjatë.

“Presim të shohim mbi 25 litra për metër katror reshje brenda 24 orëve. Gjithashtu të enjten do të kemi reshje më të bollshme, por ato do të jenë më të përhapura në pjesët lindore të vendit. Nga e enjtja do të kemi një masë ajri më të ftohtë që zbret nga veriu ku temperaturat ditore do të ulen me 4 deri në 5 gradë dhe në male reshjet do të jenë nga bora, në malet më të larta mendohet. Ky lloj moti do të zgjasë deri të shtunën dhe të shtunën do të ketë reshje lokale mjaft të lehta, megjithatë, do të jetë ende mot i ndryshueshëm dhe presim stabilizim”, theksoi Lençe Rizova, sinoptike.

Sipas matjeve të fundit nga stacionet monitoruese, sot ndotja e ajrit në Shkup ka rezultuar mesatarisht e lartë, posaçërisht në Qendër të Shkupit, Lisiçe dhe Karposh. Ndotje më e lartë është regjistruar në Kërçovë dhe Gjevgjeli./ Alsat/

Rritet çmimi i vezëve, arrin deri në 400 denarë

24 November 2025 at 18:00


Çmimi i një pakete me 30 vezë në treg arrin deri në 400 denarë (6.5 euro). Qytetarët të revoltuar thonë se çmimet janë shumë të larta, ndërsa çmimi i një pakoje me vezë ka tejkaluar edhe çmimin e një pule të gatshme të pjekur, e cila shkon deri në 350 denarë.
Qytetarët presin që qeveria të ndërmarrë masa, ndërsa thonë se çmimet kanë tejkaluar edhe ato të Bashkimit Evropian.

Nga Ministria e Ekonomisë thonë se janë duke monitoruar çmimet në treg dhe inspektorati është në terren për të mbrojtur interesat e konsumatorëve.

“Ne vazhdimisht i monitorojmë çmimet përmes Inspektoratit të Tregut dhe reagojmë në mënyrë aktive kur është e nevojshme. Duhet theksuar se çmimi i vezëve varet kryesisht nga produktet e tregut global, siç është soja që përdoret për prodhimin e ushqimit për pula, gjë që e bën çmimin të jetë i varur nga luhatjet në treg. Megjithatë, institucionet mbeten të përkushtuara për të kontrolluar dhe monitoruar çmimet dhe për të mbrojtur interesat e konsumatorëve", thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Çmimet në treg të vezëve kanë qenë nga 200 denarë deri në 300 denarë më parë, ndërsa vetëm për tre ditë çmimi i vezëve u rrit nga 350 deri në 400 denarë, që do të thotë se një vezë arrin rreth 13,3 denarë.

Ministria e Financave: Nuk ka ndryshime në arkëtimin e TVSH-së gjatë pranimit të dërgesave online

20 November 2025 at 11:38


Ministria e Financave informon se ndryshimet dhe plotësimet e miratuara në Ligjin e TVSH-së nuk do të ndikojnë në mënyrën se si qytetarët marrin dërgesat e tyre nga jashtë vendit, përfshirë ato të porositura përmes platformës TEMU.

"Dërgesat që qytetarët porosisin nga TEMU deri më tani kanë pasur TVSH të përllogaritur në çmimin e produktit. Kjo praktikë vazhdon edhe pas ndryshimeve në ligj – TVSH-ja do të mbetet e përllogaritur në çmimin e produktit, si deri tani. Kjo do të thotë që qytetarët nuk do të paguajnë asgjë shtesë kur marrin dërgesën, as nuk do të kenë detyrim të ri pagese".

"TVSH-ja që është përllogaritur tashmë në çmimin ndaj shtetit paguhet nga dërguesi ose operatori postar i autorizuar me të cilin platforma ka marrëveshje. Ministria e Financave thekson edhe një herë se ndryshimet ligjore nuk ndryshojnë metodën e pranimit dhe zhdoganimit të dërgesave", thonë nga Ministria e Financave.

Kuvendi i votoi ndryshimet në Ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, të cilat shfuqizojnë lirimet nga TVSH-ja për dërgesat online me vlerë deri në 22 euro.

Siç thonë nga ministria, qëllimi i këtyre ndryshimeve ligjore është përforcimi i ekonomisë vendase, mbështetja e kompanive lokale dhe krijimi i vendeve të reja të punës.

"Ме këto ndryshime dhe plotësime të Ligjit të TVSH-së bëhet hap i rëndësishëm në mbrojtjen dhe zhvillimin e ekonomisë vendore, veçanërisht në kushtet e globalizimit intensiv dhe rritjes së tregtisë dixhitale, ndërsa do kontribuojë edhe në uljen e ekonomisë gri. Sistemi i mëparshëm lejonte abuzime të mundshme - importimin e mallrave të liruara nga TVSH-ja që më pas shiten në tregun vendas. Zgjidhjet e reja ligjore e parandalojnë këtë praktikë dhe sigurojnë mjedis tregu të drejtë dhe të kontrolluar", thonë nga Ministria e Financave./Telegrafi/

Auto shkollat u shtrenjtuan për 35%, regjistrimi për patentë shoferi të kategorisë B ka arritur në 33 mijë denarë

17 November 2025 at 22:34


Të rinjtë që duan të marrin patentë shoferi do të duhet të paguajnë 8.500 denarë më shumë, ose 35% më shumë. Auto shkollat e kanë rritur çmimin e trajnimit, kështu që për kategorinë B, nga 24.500 denarë sa ishte, tani arrin 33.000 denarë. Nga auto shkollat që i kontaktuam thonë se duhet të merrnin këtë hap për shkak të rritjes së shpenzimeve, pasi çmimi nuk ishte ndryshuar për dhjetë vjet.

“Çmimet u rritën nga 01.11. Ato nuk ishin rritur për 10 vjet. Kryesisht për shkak të inflacionit, jeta u bë më e shtrenjtë, nuk mund të mbahej më me ato çmime. Në mënyrë të përafërt, çmimet u rritën për 8.500 denarë, nga 24.500 në 33.000”, tha Aleksandar Stefanovski, pronar i autoshkollës.

Punët, licencat dhe mbikëqyrja mbi auto shkollat janë në kompetencë të MPB-së. Por vendimin për rritjen e çmimeve e morën të gjithë pronarët e shkollave të makinave njëzëri në një takim. Para 15 vjetësh ishte vendosur çmimi minimal nga shteti prej 19.300 denarë. Pas 10 vjetësh u rrit në 24.500, e tani arrin 33.000 denarë.

“Ne ishim të rregulluar, çmimin më të ulët e morëm para 15 vjetësh nga shteti, më pas vetë e rritëm, sepse nuk mund të mbahej më. Gjërat ishin ndryshe para 15 vjetësh, ndryshe para 10 vjetësh. Nafta u rrit, shpenzimet u rritën”, sqaron më tej Stefanovski.
MPB për TV21 thotë se ekziston një rregullore që përcakton çmimin minimal, miratuar në vitin 2016, dhe që nga atëherë nuk është ndryshuar.

Në çmim përfshihen 20 orë mësim teorik, që tani kushton 4.500 denarë, dhe 36 orë moto praktikë, që tani kushtojnë 28.500 denarë. Përveç kësaj, shoferët e ardhshëm duhet të paguajnë 1.500 denarë për përdorimin e automjetit të auto shkollës për provimin e pjesës së parë dhe të dytë praktike. Një orë shtesë për vozitje kushton 1.000 denarë. Këtyre shpenzimeve i shtohet edhe vërtetimi mjekësor prej 1.200 denarësh. Poligoni dhe vozitja në qytet kushtojnë secila mbi 2.000 denarë, dhe shpenzimet rriten në varësi të numrit të tentativave të dështuara të kandidatëve./TV21/

Pamje shqetësuese në Shkup, moti i ftohtë detyron nënën dhe fëmijën e saj të kërkojnë ngrohje nga autobusi

17 November 2025 at 18:32


Një video emocionale është bërë virale në rrjetet sociale, ku shihet një nënë me fëmijën e saj duke u ngrohur pranë auspuhit të një autobusi të Ndërmarrjes transportuese në Shkup.



Pamjet prekëse kanë shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët, të cilët shprehin shqetësim për kushtet e vështira në të cilat ndodhen familjet në nevojë, sidomos në ditët e ftohta.

Autoritetet ende nuk kanë dalë me reagim lidhur me rastin, ndërsa qytetarët në komente bëjnë thirrje për mbështetje sociale më të madhe dhe zgjidhje afatgjatë për personat që jetojnë në kushte të rënda.

Taksë shtesë në Maqedoni për dërgesat nga “Temu” dhe “AliExpress”, propozim-ligji kaloi leximin e parë

13 November 2025 at 17:30


Dërgesat nga Temu dhe AliExpress deri në 22 euro do të tatohen. Me ndryshimet, hiqet përjashtimi aktual nga TVSH-ja për dërgesat me vlerë të vogël deri në 22 euro që dorëzohen nga jashtë për qytetarët në vend. Zgjidhja e re parashikon përjashtim vetëm për dërgesat e vogla jo-komerciale nga një person fizik te një tjetër, me vlerë që nuk e kalon 22 euro.

Përjashtim nuk bëhet për alkool, parfume dhe produkte duhani. Përjashtim nga TVSH-ja do të vlejë edhe për udhëtarët që sjellin sende personale ose mallra me vlerë të vogël që nuk janë me karakter komercial, por jo për ata që hyjnë disa herë brenda të njëjtit ditë.
“Arsyeja kryesore për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar është krijimi i një kornize më të qartë ligjore, parandalimi i keqpërdorimeve, kushtet më të drejta për bizneset, ndërsa ruhet mundësia që qytetarët të marrin dërgesa personale nga jashtë deri në 22 euro pa paguar TVSH, gjë që nga aspekti social ka rëndësi të madhe”, tha Nikollçe Jankullovski, zv/ministër i Financave./TV21/

Biznesit në Maqedoni i mungojnë 40.000 punëtorë

13 November 2025 at 16:40


Rreth 40.000 punëtorë aktualisht i mungojnë biznesit që është në krizë për shkak të varësisë nga ekonomia gjermane, por edhe për shkak të krizës në Evropë. Këtë në emisionin Biznis 21 e theksuan Darko Velkov nga Vrabotuvanje.com dhe Darko Petrovski, kryetar i Shoqatës Maqedonase për Burime Njerëzore, duke komentuar gjendjen e tregut të punës në vend.

“Unë mendoj se mungojnë 40.000 njerëz për momentin. 40.000 njerëz me kompetenca konkrete për proceset që i bëjnë firmat dhe fabrikat”, tha Darko Velkov.

“Punëdhënësit ishin në një gjendje shumë të favorshme dhe shumë komode. Do të thotë, sa herë që kishin nevojë për punëtor, mjaftonte – unë do të them – t’i bënin sinjal me një sy dhe menjëherë 50 ose 100 njerëz për një pozitë të paraqiteshin para tyre”, theksoi Darko Petrovski, Kryetar i SHMBNJ.

Të dy janë të mendimit se po ndodh një ndërrim gjeneratash. Të rinjtë nuk janë besnikë si gjeneratat më të moshuara, ata nuk presin 5 vjet për pagë më të lartë dhe avancim në karrierë. Thonë se duhet të ndryshohet mentaliteti tek të gjithë. Ndërsa përgjegjësia që jemi të parafundit në rajon për nga produktiviteti, sipas tyre, është tek menaxherët.

“Njerëzit duhet të jenë të gatshëm të përshtaten. Dhe kur punojnë 8 orë, të punojnë 8 orë. E jo në orën 9 vjen, në 8 fillon, në 9 vijnë, një orë e gjysmë kanë pushim dhe ndërkohë nuk di çfarë. 15 herë dalin për cigare. Ne jemi ndoshta kombi i vetëm që ende pi kafe për 1 orë e gjysmë. Si është e mundur, dhe atë gjatë orarit të punës. Menaxherët janë përgjegjës për produktivitetin dhe menaxherët janë përgjegjës për atë që bëhet gjatë ditës. Askush tjetër”, pohoi Darko Velkov, vrabotuvanje.com.

Thonë se nuk ka punëdhënës që nuk dëshiron t’i mbajë kuadrot cilësore. Por gjendja në ekonomi është e vështirë.

“Ne kemi 28 ditë pushimi mendoj, nuk e di saktë. Kjo është katastrofë për ekonominë tonë. Kemi 20 ditë pushim vjetor dhe ndoshta edhe ndonjë sëmundje. Do të thotë që janë gati 2,5 muaj. Që do të thotë se afaristët duhet për 10 muaj, gjegjësisht 9,5 muaj, të bëjnë 13 paga. Në një ekonomi të vogël. Kjo është e pamundur”, tha Darko Velkov.

Të dy theksuan se duhet të realizohet reforma e paralajmëruar në administratë. Sipas tyre, nëse qeveria ofron subvencione dhe trajnime, bizneset menjëherë do t’i merrnin 40.000 punëtorë./TV21/

MPB me apel për qytetarët: Mos u shqetësoni, do të shkatërrohen disa granat dhe i kemi marrë të gjitha masat

12 November 2025 at 13:21


Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë qytetarët se të premten, do të shpërthehen granata në rajonin e Gjorçe Petrovit.

Nga MPB sigurojnë se granatat do të shkatërrohen sipas standardeve të parashikuara të sigurisë.

“Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se më 14.11.2025 (e premte) në ora 07:00 në rrethin e Qendrës Policore në Gjorçe Petrov në Shkup do të shkatërrohen granata, për të cilat sipas analizës së ekspertëve është konstatuar se nuk mund të transportohen jashtë Qendrës Policore. Granatat do të shkatërrohen sipas standardeve të parashikuara të sigurisë”, thonë nga MPB.

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut të ndarë rreth perspektivës evropiane të vendit

10 November 2025 at 10:02


Shumica e të rinjve në Maqedoni e shohin pozitivisht Bashkimin Evropian, por gati gjysma nuk besojnë se vendi ndonjëherë do të bëhet anëtar të Unionit. Kjo nxjerr në pah një rritje të euroskepticizmit mes të rinjve në vendet kandidate për BE, theksohet në publikimin “Sfidat e euroskepticizmit të të rinjve në Ballkanin Perëndimor: Rasti i Maqedonisë së Veriut”. (Countering Youth Euroscepticism in the Western Balkans: The Case od North Macedonia).

“Ky hendek mes shpresës dhe realitetit, interesit dhe mosbesimit, idesë evropiane dhe sfidave lokale, krijon bazën e euroskepticizmit te të rinjtë. Kërkohet një veprim i koordinuar, i partnerizuar dhe afatgjatë për të përfshirë të rinjtë si krijues dhe jo thjesht si audiencë,” theksohet në publikim.Sipas studimit, i cili përfshiu një anketë online me 1.000 të rinj, nga të cilët 81.5% ishin studentë, 41% e të rinjve e perceptojnë BE-në pozitivisht, 24% negativisht, ndërsa 35% e shohin neutralisht.

Sa i përket perspektivës së Maqedonisë në BE, 46,5% nuk besojnë se vendi do të bëhet ndonjëherë anëtar, ndërsa 35,8% mendojnë se kjo është e mundur, por në një të ardhme më të largët. Vetëm 6,7% besojnë se vendi mund të bëhet anëtar në pesë vitet e ardhshme.

Në lidhje me pengesat kryesore për integrimin, 84,6% e të rinjve përmendën korupsionin, 61% mosmarrëveshjet bilaterale, dhe 60% mungesën e besimit në institucionet shtetërore.

“Të rinjtë e njohin ambientin politik vendas si pengesën kryesore për përparimin drejt BE-së dhe presin hapa konkretë nga institucionet për të luftuar korrupsionin”, theksohet në publikim.Megjithatë, 53% e të rinjve ndihen mjaftueshëm të informuar për vlerat dhe politikat e BE-së, ndërsa 22% janë shumë të informuar dhe 21,5% pjesërisht të informuar. Vetëm 3,5% e të rinjve thonë se nuk janë fare të informuar.

Në lidhje me interesat e tyre, 76,2% përmendën mundësitë për punë dhe jetesë në BE, 55,1% programet për arsimin dhe të rinjtë si Erasmus+, dhe 50% mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Interesat e tjera përfshijnë mjedisin (48,1%), dixhitalizimin dhe inovacionet (44,5%) dhe shkëmbimin kulturor (32,2%).

Sa i përket përfshirjes, 41,6% e të rinjve do të dëshironin të marrin pjesë në dialog me përfaqësues të BE-së, ndërsa 30,5% janë kundër dhe 27,9% nuk janë të sigurt. Megjithatë, mbi 70% e të rinjve e konsiderojnë veten shoqërisht joaktivë, dhe vetëm 8% marrin pjesë në iniciativa politike ose qytetare.

Bojan Kordalov, drejtori për politikë dhe komunikim në Qendrën Evropiane për Ekselencë, e sheh situatën si alarm për veprim:
“Nëse të rinjve nuk u ofrohen mundësi reale, stabilitet dhe mirëkuptim, ata mund të ndalojnë së shikuari të ardhmen e vendit të tyre në BE. Kërkohet një komunikim i ri, i sinqertë dhe më i afërt me të rinjtë, përmes partneriteteve të forta dhe mbështetjes konkrete ekonomike dhe demokratike,” thekson Kordalov.

Publikimi nënvizon se për të përparuar në rrugën evropiane të vendit, është thelbësore përfshirja e të rinjve në jetën demokratike, përfshirë forcimin e qendrave rinore dhe integrimin e të rinjve në proceset e krijimit të politikave. Publikimi u promovua javën e kaluar në Bruksel dhe pritet të prezantohet në fund të muajit në Shkup për deputetët dhe sektorin qytetar dhe rinor.

Për 4,5 për qind janë rritur shpenzimet e jetesës, ankohen qytetarët

7 November 2025 at 15:55


Shpenzimet për jetesë në tetor janë rritur për 4.5% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS). Statistika ka evidentuar rritje të ndjeshme të shpenzimeve te ushqimet dhe pijet joalkoolike për 7.0%, pijet alkoolike dhe duhani për 6.7%, ndërsa qytetarët kanë pasur rritje më të theksuar të shpenzimeve për rekreacion dhe kulturë për gati 8%, si dhe për vizita në restorante dhe hotele mbi 5%, dhe për blerjen e perimeve për 4.3%. Sipas përllogaritjeve të statistikës, në nivel mujor ka një ulje minimale të shpenzimeve prej 0.2%.

“Ulja e inflacionit në tetor 2025, krahasuar me shtatorin 2025, është rezultat i uljes së kostove të jetesës në këto grupe: Transporti për 6.1%, Mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e amvisërisë për 0.3%, Arsimi dhe Rekreacioni e kultura për 0.1%”, thonë nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Qytetarët thonë se standardi po bie çdo ditë, ankohen se mezi mbijetojnë muajin. Sipas tyre, autoritetet vetëm e kalojnë përgjegjësinë nga njëri tek tjetri dhe askush nuk ndërmerr masa për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.
“Standardi ynë është shumë i ulët, gjithçka është e shtrenjtë – çmimet janë rritur pa kufi, dhe mund të rriten edhe më shumë”, tha një qytetar.

“Kjo është vetëm propagandë, çfarë çmimesh – çdo ditë nga tre denarë, nga pesë denarë rritet çmimi”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Shtrenjtë”, u përgjigj një qytetare.

“Po nuk është ashtu tamam. – Si janë çmimet? – Më të larta”, u shpreh një qytetar.

Ndërkohë, fushata zgjedhore i ka lënë në hije ankesat e qytetarëve për çmimet e larta të produkteve bazë. Sipas përllogaritjeve të sindikatave, një familje katëranëtarëshe ka nevojë për mbi 65 mijë denarë vetëm për nevojat bazë. /Alsat/

Rritje e ndjeshme e rasteve me grip, Bellcishta: Pacientët të kenë kujdes në simptomat e para

3 November 2025 at 22:08


Kohëve të fundit është rritur ndjeshëm numri i të prekurve me grip dhe virusin sezonal, thotë për TVM2, mjekja Sefiane Bellcishta. Thekson se pacientët ankohen nga temperaturat e larta, kollitje, molisje dhe dhimbje të muskujve. Format më të rënda të gripit mund t’i kapë fëmijët nga 6 muaj dhe grupmoshat mbi 65 vjeç që janë me sëmundje kronike.

“Simptoma e parë është me temperaturë të lartë mbi 39 deri në 40 gradë, ajo zgjat vetëm një ditë dhe nëse zgjat temperatura mbi dy apo tre ditë d.m.th. u është bashkëngjitur edhe ndonjë baktere tjetër e këtij virusi, që është bërë komplikim tek ata pacientë. Kanë kollitje, teshtitje, dhimbje në muskujt, janë të lodhur, janë si të përgjumshëm, ata pacientë nuk kanë as koncentrim", deklaroi mjekja, Sefiane Bellcishta.

Mjekët thonë që pacientët që në simptomat e para të paraqiten tek mjeku amë për t’u dhënë terapinë e duhur që të prevenojnë komplikimet e ndryshme nga gripi dhe virusi sezonal.

“Komplikimet më të shpeshta janë në organet e poshtme të frymëmarrjes, që mund të marrin një pneumoni, e cila mund të jetë edhe fatale te disa persona, qoftë tek fëmijët, qoftë tek të rriturit, si dhe organet e sipërme të frymëmarrjes mund të kenë ndezje të sinuseve, qoftë frontal apo maksilar, si dhe otidet ndezjet e veshit, te ata persona që tek dikush mund të shkojë të prekë sistemin nervor, mund edhe dëgjimi të humbë tek ata persona", theksoi mjekja, Sefiane Bellcishta.

Mjekja Bellcishta thekson se si masë parandaluese kundër gripit është vaksina për kategoritë e rrezikuara sociale. Ushqimi i pasur me vitamina dhe minerale, pemët dhe perimet sezonale, supa e ngrohtë, çajrat bimorë, mbajtja e higjienës, si dhe shmangia prej personave që janë të infektuar me grip apo virus.

Më 16 tetor në vend ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal, i cili po realizohet në gjithsej 35 pika vaksinimi prej të cilave pesë janë në Shkup. Këtë vit ministria ka siguruar numrin më të madh të vaksinave kundër gripit sezonal – 80 mijë doza të vaksinës katërvalente nga prodhuesi i njohur “Abot” nga Holanda.

❌
❌