Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 December 2025Main stream

Spasovski: Në vendet fqinje për kartonin e gjelbër paguajnë deri në 10 euro, ndërsa tek ne paguhet 5.500 denarë

25 December 2025 at 22:39


Koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së dhe deputet, Oliver Spasovski, në seancën e sotme të Kuvendit për pyetje deputetësh, i drejtoi pyetje ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, lidhur me çmimin e lartë të kartonit të gjelbër për automjetet, i cili u nevojitet qytetarëve për udhëtime jashtë vendit.

Pyetja kishte të bënte me mbrojtjen e palëve të treta dhe pasurisë së tyre nga pasojat e aksidenteve në komunikacion, përkatësisht me detyrimin ligjor të pronarëve të mjeteve motorike që, gjatë regjistrimit dhe kontrollit teknik të automjeteve, të kenë sigurim – pra sigurim të brendshëm për territorin e shtetit.

Spasovski theksoi se këtë pyetje e ka parashtruar edhe me shkrim më 12 shkurt të këtij viti, por deri më sot nuk ka marrë përgjigje nga ministrja.

“Kjo është një pyetje që edhe qytetarët e Maqedonisë ia parashtrojnë vetes si një nga temat e rëndësishme. Ajo lidhet me mbrojtjen e palëve të treta dhe pasurisë së tyre nga pasojat e aksidenteve në komunikacion, si pronarë të mjeteve motorike që janë të detyruar, sipas ligjit, të kenë sigurim gjatë regjistrimit dhe kontrollit teknik të automjeteve – përkatësisht sigurim të brendshëm për territorin e shtetit. Megjithatë, ekziston edhe mundësia që të gjithë ata që udhëtojnë jashtë vendit kanë detyrim të sigurojnë, përkatësisht të blejnë sigurim për jashtë vendit ose të ashtuquajturin karton i gjelbër i sigurimit. Ata nuk blejnë vetëm një vërtetim ndërkombëtar për sigurimin e automjetit, por bëjnë edhe zgjerim të sigurimit me vlefshmëri edhe për jashtë vendit. Ky dokument ende është i domosdoshëm për hyrje me mjete motorike në cilindo shtet të Evropës dhe aktualisht, për automjetet e udhëtarëve, kushton rreth 5.500 denarë me vlefshmëri prej një viti. Çmimi i kartonit të gjelbër në vendet e rajonit është dukshëm më i ulët se çmimi në Maqedoni dhe arrin 5 ose 10 euro, të cilat paguhen së bashku me regjistrimin dhe me sigurimin e policës për sigurim të brendshëm. Pyetja ime është nëse planifikohet një qasje tjetër lidhur me sigurimin e kartonit të gjelbër, përkatësisht ulja e çmimit të tij, pasi ekzistojnë disa mënyra dhe mekanizma për të arritur uljen e çmimit të kartonit të gjelbër", tha Spasovski.

Spasovski pyeti se a mendon Ministria e Financave lehtësim financiar të kësaj procedure.

"I kam të gjitha analizat, si dhe ndryshimet ligjore në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi, të cilat kanë marrëveshje të veçanta me disa shtete, ku mund të hyhet me marrëveshje bilaterale pa karton të gjelbër. Në fakt, Maqedonia ka një marrëveshje të tillë bilaterale me Slloveninë, një nga shtetet e rralla ku as targat maqedonase dhe as ato sllovene nuk kanë nevojë të paraqesin karton të gjelbër.Prandaj pyes nëse Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave, planifikon ndryshime të caktuara në çmimin e kartonit të gjelbër, me qëllim që t’u ndihmojë qytetarëve të mos paguajnë një çmim kaq të lartë dhe të kenë lëvizje normale jashtë vendit, ashtu siç është zgjidhur kjo çështje te fqinjët tanë. Nëse shohim, secili prej shteteve përreth nesh paguan 5 ose 10 euro së bashku me sigurimin e brendshëm dhe, në këtë mënyrë, qytetarët mund të lëvizin edhe jashtë shtetit të tyre, përkatësisht në rajon dhe më gjerë", u shpreh Spasovski.

Before yesterdayMain stream

Jankullovski: Borxhi publik këtë vit 10.2 miliardë euro

20 December 2025 at 15:52


Borxhi publik deri në fund të vitit do të ngjitet në 60,9 për qind të BPV-së dhe do të arrijë 10,2 miliardë euro, ndërsa në vitin 2026 do të përfundojmë me borxh publik prej 62% dhe vendi do të ketë borxh mbi 11,1 miliardë euro. Këtë në emisionin Biznes21 e njoftoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankulloski.

Ai theksoi se plani është konsolidim fiskal dhe zbatimi i strategjisë fiskale, sipas së cilës brenda disa vjetësh borxhi duhet të ulet nën 60 për qind të BPV-së. Jankulloski tha se emetimi i euroobligacionit prej 950 milionë eurosh është në proces dhe plani duhet të emetohet në janar 2026.

“Planifikojmë 60,9 për qind për vitin 2025. Këtë e thamë edhe në fillim të vitit 2025. Dhe në para? 9,7 sa do të jenë, mbi 10?Me tremujorin e katërt?. Po. Deri në fund me tremujorin e katërt do ta përfundojmë. 10,2 miliardë euro. Borxhi publik për 2026 do të jetë 62 për qind. Në shumë? 11 miliardë 164 milionë euro”, theksoi Nikollçe Jankullovski, zëvendësministër i Financave.

Jankuloski konfirmoi gjithashtu se është zgjedhur banka që do të financojë ndërtimin e hekurudhës së shpejtë nga Tabanovci deri në Gjevgjeli, megjithatë nuk e bëri të ditur emrin e saj as sa interes do të paguajmë për kredinë prej 2 miliardë eurosh.

“Pra, nga të gjitha bankat, kjo është e vetmja që është indikative, por nuk është ofertë e detyrueshme. Mendoj se jam i qartë. Kur të përfundojnë, dhe nëse përfundojnë me sukses këto bisedime…Kur prisni të përfundoj?. Të gjitha janë në interes të shtetit, janë në interes të shtetit dhe nga aspekti i kushtevnorma e interesit, atëherë kalon në fazën tjetër, ofertën përfundimtare. Dhe atëherë ministria do të dalë në publik”, pohoi Nikollçe Jankullovski, zëvendësministër i Financave.

Jankulloski është optimist se negociatat do të jenë të suksesshme dhe se në mes të vitit të ardhshëm do të fillojë ndërtimi i hekurudhës së shpejtë.

Ministrja e Financave mohon mbylljen e Thesarit

15 December 2025 at 20:37


Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska, thotë se pagesat nuk do të ndërptiten. Sipas saj Thesari po funksionon pa probleme dhe se “mbyllja” e njoftuar i referohej afatit përfundimtar për dorëzimin e urdhëresave nga institucionet.

“Thesari pranon urdhëresa, ne themi deri më datën 15, që nuk do të thotë nëse dikush vonohet, por ka përjashtime se nuk do t’i pranojmë, si mundemi, si e mbyllim dhe ikim për skiim? Do ta mbyllim dhe do të ikim të gjithë punonjësit e Thesarit, mendoj se është shumë joserioze të thuash se Thesari mbyllet. Jo Thesari i mbledh urdhëresat për t’u organizuar më mirë deri në fund të vitit, është me të vërtetë joserioze, do të them përsëri si ta mbyllim tani, do t’i vendosim një çelës ministrisë dhe do të shkojmë në pushim dimëror, nuk është kështu“, tha Gordana Dimitrieska Koçoska – Ministre e Financave.

Kryeministri Hristijan Mickoski, ndërkohë, ditë më parë tha se ishte mirë që të gjitha institucionet të dorëzonin raportet e tyre në kohën e duhur, që të ndërptitej praktika e përfundimit të punëve në minutën e fundit.

“Pushteti paralajmëroi disiplinë më të madhe ndaj institucioneve për t‘i dorëzuar dokumentet në kohë në Thesar“, raporton gazetari i Alsat, Angell Dimovski.

LSDM-ja opozitare akuzoi për mbyllje të Thesarit, për shkak të mungesës së parave në arkën shtetërore.

Dimitrieska-Koçoska: Partneriteti me SHBA-në nuk është bashkëpunim administrativ, por investim afatgjatë

15 December 2025 at 12:26


Ky partneritet nuk është vetëm mbështetje, por një proces afatgjatë në forcimin e institucioneve, rritjen e ekspertizës dhe krijimin e sistemeve moderne të cilat do të sigurojnë financa publike transparente, të parashikueshme dhe përgjegjëse, theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska, duke u kthyer në bashkëpunimin me Ministrinë e Financave të SHBA-së përmes Zyrës së tyre për ndihmë teknike (OTA).

Dimitrieska-Koçoska theksoi se bashkëpunimi me Thesarin e SHBA-së në pjesën e sektorëve Buxhet dhe Thesar ka rrënjë të thella dhe se sistemi ynë për planifikim buxhetor fillimisht është zhvilluar me ndihmën teknike të SHBA-së në periudhën nga viti 2004 deri në 2008 dhe paraqet bazë mbi të cilën sot ndërtojmë një menaxhim bashkëkohor me financat publike.

Duke u kthyer në punën e viteve të kaluara, ministrja e Financave tha se veçanërisht të rëndësishme janë misionet e realizuara në menaxhimin me paratë e gatshme, trajnimet fillestare për kontabilitet dhe pilot-projekti për konsolidimin e librit kryesor. Nga shtatori në mënyrë aktive po punohet në rishikimin e klasifikimit të programeve dhe tashmë janë trajnuar 65 përfaqësues nga 29 institucione për buxhetim programor dhe indikatorë për rezultate, ndërsa në periudhën e ardhshme bashkëpunimi duhet të vazhdojë përmes përgatitjes së akteve nënligjore nga Ligji për buxhete, një format i ri i Buxhetit, zhvillimi i indikatorëve të matshëm për performanca dhe konsolidimi i mëtejshëm i librit kryesore si reformë strategjike për financa publike transparente.

Në sektorin për sistem financiar, Dimitrieska-Koçoska theksoi se gjatë vitit 2024 u realizuan disa misione që synonin modelet e mbikëqyrjes së integruar, aftësitë mbikëqyrëse dhe mbrojtjen e konsumatorëve dhe se për momentin po punohet në procesin e ri për mbledhjen e të dhënave, përditësimin e profileve të rrezikshme dhe trajnime për mbikëqyrje të bazuar në rrezik, i clii deri në fund të vitit do të zbatohet plotësisht.

Në fushën e menaxhimit me borxhin publik, në vitin 2023 u nënshkrua Memorandum mirëkuptimi me OTA me qëllim të progresit në menaxhimin me borxhin publik dhe zhvillimin e tregut të letrave shtetërore me vlerë. Fokusi është drejtuar në zhvillimin e një platforme të re ankandi, zhvillimin e tregut të letrave shtetërore me vlerë dhe menaxhimin aktiv të portofolit të borxhit publik.

“Partneriteti mes Maqedonisë dhe SHBA-së në fushën e financave publike nuk është bashkëpunim administrativ, por një investim afatgjatë në standardet, integritetin institucional dhe transparencën. Këto programe drejtpërdrejtë kontribuojnë për institucione më efikase, menaxhim më të mirë me burimet, ulje të rreziqeve dhe mbrojtje më të madhe të qytetarëve”, theksoi Dimitrieska Koçoska.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Buxhetin e vitit 2026

10 December 2025 at 14:52


Sot, Kuvendi miratoi Buxhetin e vitit 2026, i cili është planifikuar si instrument i konsoliduar dhe real për menaxhim të përgjegjshëm të financave publike, nivel të qëndrueshëm të deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

Të hyrat e përgjithshme në Buxhetin e vitit 2026 janë planifikuar në nivel prej 374.9 miliardë denarëve, shpenzimet janë planifikuar në nivel prej 414.2 miliardë denarëve, ndërsa deficiti buxhetor është parashikuar në vlerë absolute prej 39.2 miliardë denarëve ose në nivel prej 3.5% të PBB-së së planifikuar.

Për investime kapitale janë planifikuar 40.1 miliardë denarë, të destinuara për realizimin intensiv të projekteve infrastrukturore, energjetike dhe kapitale që janë kruciale për përmirësimin e kushteve të përgjithshme të jetesës, avancimin e infrastrukturës publike dhe stimulimin e zhvillimit ekonomik.

Me këtë buxhet sigurohen pagesa të rregullta të pagave në sektorin publik, pensioneve, transfertave sociale dhe subvencioneve, mbështetjes për ekonominë dhe aktiviteteve inovative.

Për pagesat e pagave janë projektuar 52.6 miliardë denarë, për transfertat rrjedhëse dhe subvencionet 271.9 miliardë denarë, për pensionet 116.8 miliardë denarë, për mbrojtjen sociale 12 miliardë denarë, për masat aktive dhe politikat e punësimit 2.6 miliardë denarë dhe për mbrojtjen shëndetësore 53.8 miliardë denarë.

Në vitin e ardhshëm, deficiti buxhetor do të vazhdojë të ulet, borxhi publik do të stabilizohet dhe besimi midis investitorëve vendas dhe të huaj do të përforcohet. Masat e parashikuara për të arritur këtë qëllim janë arkëtimi efikas i të ardhurave, formalizimi i ekonomisë joformale dhe shfrytëzimi kursimtar, i kontrolluar dhe ekonomik i mjeteve publike.

“Buxheti është përgatitur me vizion të qartë dhe me qasje të përgjegjshme ndaj financave publike dhe me qëllim që çdo denar i parave publike të destinohet aty ku do të sjellë kthimin më të madh për qytetarët dhe ekonominë. Buxheti për vitin 2026 është përgatitur në bazë të rezultateve të arritura ekonomike dhe pritshmëritë për vazhdimin e trendëve pozitive. Morëm parasysh realitetin në projeksione, ekonominë dhe efektivitetin në planifikim, me qëllim që të sigurojmë zhvillim të qëndrueshëm, funksionim të rregullt të institucioneve dhe pagesë në kohë të të gjitha detyrimeve. Ky buxhet nuk është vetëm dokument me tabela dhe numra – është mesazh ekonomik stabiliteti, besimi dhe zhvillimi. Provë e qartë për menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike që kemi vendosur dhe do të vazhdojmë me kapacitet të plotë”, tha ministrja e Financave Dimitrieska Koçoska, ku përkujtoi arritjet në ekonomi në tremujorin e tretë, kur u shënua rritje prej 3.8%, gjë që paraqet një nga nivelet më të lartat në vitet e fundit.

Ministrja e Financave në sqarimin e saj në Propozimbuxhetin e plotësuar theksoi se në vitin 2026 me këtë propozim sigurohet likuiditeti i financave publike dhe kontinuiteti në pagesën e përgjithshme dhe në kohë të detyrimeve.

Dimitrieska-Koçoska: Nuk kam informacione që janë vonuar pagesat për lehonat, Fondi i ndan ato mjete me përparësi

5 December 2025 at 20:41


Një projektvendim për rishpërndarjen e fondeve midis përdoruesve të buxhetit dhe fondeve është paraqitur në Parlament, dhe Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska, në përgjigje të pyetjes së një gazetari në konferencën e sotme për shtyp, tha se kjo nuk po bëhet sepse nuk ka para në Fondin e Shëndetësisë për të paguar lejen e lindjes dhe pagesën për nënat e reja.

"Nuk e di që pagesa për nënat lehona të vonohet me dy muaj, as nuk kam informacion të tillë. Përkundrazi, Fondi i Shëndetësisë gjithmonë i jep përparësi pagesës së këtyre mjeteve. Dikush gjithmonë mund të thotë diçka se po i ndodh personalisht. Ndoshta është një grua që sapo ka lindur, kështu që për shkak të procedurës me dokumentet, mund të vonohet me një ose dy muaj. Duhet t'i shohim ata të tjerët që janë në sistem, dhe të shohim nëse janë vonuar apo jo", tha ministrja.

Dimitrieska-Koçoska shtoi se është zakon që fondet nga buxheti të rialokohen në fund të një viti dhe se një pjesë e madhe e 200 milionë eurove që do të rialokohen do të shkojnë te "Bechtel and Enka" për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d.


MF: Janë plasuar mbi 200 milionë euro për mbështetjen e investimeve ndaj kompanive, u pagua transheja e re nga Buxheti ndaj Bankës Zhvillimore

2 December 2025 at 18:44


Ministria e Financave realizoi pagesën prej 785 milionë denarëve ndaj Bankës Zhvillimore për mbështetjen e kompanitë vendase, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

"Kjo është transheja e shtatë që po transferohet nga buxheti qendror në Bankën Zhvillimore, nga mjetet e destinuara për të stimuluar ciklin e investimeve në sektorin privat prej rreth 300 milionë eurove.

Me këtë transhe, vlera që shteti ka injektuar ndaj ekonomisë vendase për të mbështetur investimet tejkalon 200 milionë euro. Konkretisht, 190.5 milionë euro janë investuar përmes gjashtë transheve të paguara.

Mjetet, të cilat janë parashikuar në Buxhetin e vitit 2025 në vlerë prej 250 milionë eurove, janë siguruar me kushte të favorshme nga Banka Hungareze Eksport-Import dhe po plasohen gjithashtu me kushte të favorshme edhe tek shfrytëzuesit përfundimtarë, përkatësisht te kompanitë vendase. Norma vjetore e interesit është 1.95% ndërsa afati i shlyerjes është deri në 15 vjet me periudhë grejs deri në 3 vjet", thuhet në njoftim./Telegrafi/

MF: Fletobligacionet e qytetarëve mund të regjistrohen në të gjitha bankat afariste në vend, vlera minimale është 10 mijë denarë

28 November 2025 at 21:30


Fletobligacionet e qytetarëve të emetimit të tretë, për të cilin Ministria e Financave tashmë e ka publikuar prospektin, mund të regjistrohen në të gjitha bankat afariste në vend.

Qytetarët që dëshirojnë të regjistrojnë fletobligacionet dhe të marrin pjesë në ankand mund ta bëjnë këtë në filialet e bankave në të gjithë vendin.

Afati për regjistrimin e fletobligacioneve të këtij emetimi është deri më datën 10 dhjetor 2025.

Qytetarët mund të regjistrojnë vlerë minimale prej 10.000 denarëve, aq sa është vlera e një fletobligacioni.

Prospekti është publikuar në vlerë prej 100 milionë denarëve.

Fletbligacionet e qytetarëve janë me afat maturimi prej 2 vjetësh, ndërsa norma e interesit është 4.5% në nivel vjetor.

Data e maturimit të fletobligacioneve është data 19 dhjetor 2027. Interesi për vitin e parë duhet të paguhet më datë 19 dhjetor 2026, ndërsa për vitin e dytë më datë 19 dhjetor 2027.

MF: Publikohet prospekti për fletobligacionin e tretë të qytetarëve, norma e interesit është 4.5%

26 November 2025 at 15:35


Ministria e Financave sot publikoi prospektin për emetimin e fletbligacioni të ri të qytetarëve. Prospekti është publikuar në vlerë prej 100 milionë denarëve, ndërsa qytetarët do të mund të parashtrojnë oferta për regjistrimin e fletobligacioneve deri më datë10 dhjetor 2025.
Vlera e fletobligacionit të qytetarëve është 10.000 denarë, përkatësisht kjo është vlera minimale që mund të regjistrojnë qytetarët. Norma e interesit të kuponit është 4.5%, ndërsa maturimi i fletobligacionit është 2 vjet.
Ankandi do të mbahet më datë 12 dhjetor. Ofertat duhet të dorëzohen në bankat afariste në vend. Data e maturimit të fletobligacioneve është data 19 dhjetor 2027, ndërsa pagesa e interesit për vitin e parë duhet të bëhet më datë 19 dhjetor 2026, kurse për vitin e dytë më datë 19 dhjetor 2027.
Ky është emetimi i tretë i fletobligacionit të qytetarëve të emetuar nga Ministria e Financave. Dy emetimet paraprake ishin me vlerë të përgjithshme prej 41.1 milionë eurove dhe janë shlyer tashmë, së bashku me interesin për të dy vitet. Në emetimin e parë u regjistruan fletobligacione në vlerë prej 23.5 milionë eurove, ndërsa në të dytin u regjistruan fletobligacione në vlerën prej 17.6 milionë eurove.

Deri në fund të muajit do të bëhet pagesa e radhës nga skanimi i faturave fiskale në aplikacionin "TVSH-ja ime"

22 November 2025 at 09:50


Edhe pse nëntori është drejt fundit, disa qytetarë ende nuk i kanë marrë rimbursimet e tyre nga skanimi i faturave fiskale përmes projektit "TVSH-ja ime".

Megjithatë, Ministria e Financave thotë se paratë do të jenë në llogari deri në fund të këtij muaji.

"Pagesa e fondeve për faturat fiskale të skanuara përmes aplikacionit "TVSH-ja ime" bëhet brenda 60 ditëve pas përfundimit të tremujorit. Për tremujorin e tretë (korrik-shtator), afati ligjor për pagesë është 30 nëntori 2025. Problemet më të zakonshme që shkaktojnë vonesa në pagesën e fondeve lidhen me të dhënat e llogarisë së transaksionit të futura gabimisht ose të paazhurnuara në sistemin PRO", tha Departamenti i Financave.

Lidhur me spekulimet në publik se autoritetet po planifikojnë ta shfuqizojnë masën, Ministria e Financave nuk ka një përgjigje specifike, por thotë se masa është e vendosur ligjërisht dhe vazhdon të jetë e vlefshme, dhe pagesat bëhen brenda afateve të përcaktuara ligjërisht.

Dimitrieska-Koçoska: Buxheti i vitit 2026 është zhvillimor, është projektuar me kujdes

21 November 2025 at 11:47


Buxheti i vitit 2026 është realist, i zhvilluar dhe çdo artikull është projektuar me shumë kujdes. Rritja është parashikuar në 3.8%, dhe deficiti buxhetor në 3.5% të BPV-së, që është në përputhje me angazhimin për konsolidim fiskal. Këtë e theksoi Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në "RTVM".

"Fakti është se Buxheti i vitit 2026 është i zhvilluar. Me kolegët e mi në Ministrinë e Financave, arritëm të marrim maksimumin në aspektin e projektimit të një buxheti individual për secilin institucion, dhe në të njëjtën kohë duke marrë parasysh se duhet të kemi një buxhet të zhvilluar, duhet të kemi konsolidim fiskal, por në të njëjtën kohë duhet të shikojmë detyrimet e secilit prej institucioneve që janë të regjistruara në sistemin e Ministrisë së Financave dhe t'i marrim ato parasysh dhe të përfshijmë prioritetet e Qeverisë", tha Ministrja e Financave.

Ajo theksoi se përmes masave të konsolidimit fiskal dhe kontrollit më të madh të anës së shpenzimeve siç parashikohet në Buxhetin e vitit 2026 dhe vazhdimit të rezultateve pozitive në sektorin e BPV-së, do të kemi edhe një ulje të borxhit publik.

Siç shpjegoi, vitin e ardhshëm, fondet do të sigurohen në tregjet vendase dhe ndërkombëtare për të shlyer detyrimet e krijuara nga qeveria e mëparshme, përfshirë eurobondin e lëshuar në vitin 2020 dhe kredi të tjera, dhe se huamarrja e re do të jetë ajo që nevojitet për të financuar deficitin buxhetor./Telegrafi/

Ministria e Financave: Nuk ka ndryshime në arkëtimin e TVSH-së gjatë pranimit të dërgesave online

20 November 2025 at 11:38


Ministria e Financave informon se ndryshimet dhe plotësimet e miratuara në Ligjin e TVSH-së nuk do të ndikojnë në mënyrën se si qytetarët marrin dërgesat e tyre nga jashtë vendit, përfshirë ato të porositura përmes platformës TEMU.

"Dërgesat që qytetarët porosisin nga TEMU deri më tani kanë pasur TVSH të përllogaritur në çmimin e produktit. Kjo praktikë vazhdon edhe pas ndryshimeve në ligj – TVSH-ja do të mbetet e përllogaritur në çmimin e produktit, si deri tani. Kjo do të thotë që qytetarët nuk do të paguajnë asgjë shtesë kur marrin dërgesën, as nuk do të kenë detyrim të ri pagese".

"TVSH-ja që është përllogaritur tashmë në çmimin ndaj shtetit paguhet nga dërguesi ose operatori postar i autorizuar me të cilin platforma ka marrëveshje. Ministria e Financave thekson edhe një herë se ndryshimet ligjore nuk ndryshojnë metodën e pranimit dhe zhdoganimit të dërgesave", thonë nga Ministria e Financave.

Kuvendi i votoi ndryshimet në Ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, të cilat shfuqizojnë lirimet nga TVSH-ja për dërgesat online me vlerë deri në 22 euro.

Siç thonë nga ministria, qëllimi i këtyre ndryshimeve ligjore është përforcimi i ekonomisë vendase, mbështetja e kompanive lokale dhe krijimi i vendeve të reja të punës.

"Ме këto ndryshime dhe plotësime të Ligjit të TVSH-së bëhet hap i rëndësishëm në mbrojtjen dhe zhvillimin e ekonomisë vendore, veçanërisht në kushtet e globalizimit intensiv dhe rritjes së tregtisë dixhitale, ndërsa do kontribuojë edhe në uljen e ekonomisë gri. Sistemi i mëparshëm lejonte abuzime të mundshme - importimin e mallrave të liruara nga TVSH-ja që më pas shiten në tregun vendas. Zgjidhjet e reja ligjore e parandalojnë këtë praktikë dhe sigurojnë mjedis tregu të drejtë dhe të kontrolluar", thonë nga Ministria e Financave./Telegrafi/

Kuvendi votoi ndryshimet në Ligjin e TVSH-së, Ministria e Financave: Mbështetje për ekonominë vendore dhe konkurrencë të ndershme në treg

19 November 2025 at 11:16


Kuvendi votoi ndryshimet në Ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, ku shfuqizohet lirimi nga TVSH-ja për dërgesat online me vlerë deri në 22 euro.

Nga Ministria e Financave thonë se "qëllimi i këtyre ndryshimeve ligjore është përforcimi i ekonomisë vendore, mbështetja e kompanive vendore dhe krijimi i vendeve të reja të punës".

"Zbatimi i ndryshimeve pritet të ketë efekte pozitive të drejtpërdrejta në ekonominë dhe punën e kompanive vendore. Me shfuqizimin e lirimit, rreth 4 milionë denarë në muaj, do të ridestinohen në ekonominë vendore, aq sa është edhe vlera e qarkullimit në platformat e huaja online në periudha të caktuara. Këto mjete do të ndihmojnë në rritjen e kompanive lokale, krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e kushteve dhe rritjen e pagave të punonjësve".

"Këto ndryshime paraqesin hap të rëndësishëm në mbrojtjen dhe zhvillimin e ekonomisë vendore, veçanërisht në kushtet e globalizimit intensiv dhe rritjes së tregtisë dixhitale. Për më tepër, modeli i ri do të kontribuojë në uljen e ekonomisë gri. Sistemi i mëparshëm lejonte abuzime të mundshme - importimin e mallrave të liruara nga TVSH-ja që më pas shiten në tregun vendas. Zgjidhjet e reja ligjore e parandalojnë këtë praktikë dhe sigurojnë mjedis tregu të drejtë dhe të kontrolluar".

"Kostoja e përllogaritjes dhe pagesës së TVSH-së nuk do të mbulohet nga qytetarët, që do të thotë se nuk do të ketë ndryshim të çmimeve për konsumatorët fundorë, dhe masa do të sigurojë konkurrencë të drejtë ndërmjet shitoreve online vendase dhe të huaja. Me miratimin e ndryshimeve, shteti dërgon mesazh të qartë mbështetjeje për kompanitë që krijojnë vlerë të shtuar, investojnë në zhvillim dhe krijojnë vende të reja pune në vend", thonë nga Ministria e Financave.

Dimitrieska-Koçoska: Raporti i vjeshtës i KE-së është sinjal se po lëvizim në drejtim pozitiv

18 November 2025 at 14:46


Projektimet ekonomike të vjeshtës të Komisionit Evropian, që u publikuan dje, janë sinjal i qartë se po lëvizim në drejtim pozitiv, vlerëson Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Në postimin e saj në Facebook, ajo thekson se projeksioni i rritjes së ekonomisë së Maqedonisë së Veriut është rritur për vitin 2025 dhe 2026, që është konfirmim i stabilitetit, qëndrueshmërisë dhe besimit në politikat tona ekonomike.

Siç thuhet në postim, në këtë Raport vërehet se në gjysmën e parë të vitit, rritja e PBB-së ishte më e lartë sesa pritej, e mbështetur nga investimet, konsumi privat dhe performanca e përmirësuar e eksportit.

"Investimet në infrastrukturë dhe sektorin privat pozicionohen si nxitës të rritjes në vitet e ardhshme, ndërsa stabilizimi i inflacionit përforcon më tej parashikueshmërinë ekonomike. Paralelisht me këtë, realizimi i projekteve të mëdha infrastrukturore dhe zbatimi i reformave nga Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor i BE-së do të kenë kontribut më të madh dhe më të shpejtë në zhvillim", shkruan Gordana-Koçoska.

Siç shkruan ministrja, këto janë sinjale pozitive nga KE-ja të cilat janë nxitje e fortë për të vazhduar politikat e përgjegjshme që përforcojnë ekonominë dhe përmirësojnë standardin e jetesës së qytetarëve.

“Si Qeveri dhe si Ministri e Financave, mbetemi të përkushtuar në financa publike të qëndrueshme, investime dhe reforma të fokusuara që përshpejtojnë zhvillimin ekonomik”, thekson ministrja.

Njëkohësisht, në Raportin e vjeshtës së KE-së, projeksioni për rritjen ekonomike për vitin 2025 është 3.2% dhe është rritur për 0.2 p.p. krahasuar me raportin paraprak. Gjithashtu, KE-ja projeksionin për vitin 2026 e rishikoi në nivel me të lart, përkatësisht është rritur në 3.3%, ndërsa për vitin 2027 parashikohet rritje prej 3.3%.

Më 9 dhjetor do të mbahet seanca plenare për shqyrtimin e propozim buxhetit për vitin 2026

14 November 2025 at 18:42


Ministria e Financave, Gordana Dimitrievska-Koçoska tha sot se propozim buxheti i vitit 2026, nuk është vetëm një dokument me numra dhe tabela, por është një mesazh ekonomik për stabilitet, besim dhe zhvillim, si dhe dëshmi e qartë për menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike që e kemi vendosur dhe po e vazhdojmë me kapacitet të plotë.

“Buxheti për vitin 2026 është dëshmi se mundemi të menaxhojmë mënyrë të mençur, të disiplinuar dhe vizionare, edhe në kohë sfidash. Ky dokument flet për një ekonomi që rritet, për një shtet që investon dhe për një Qeveri që e di çfarë bën”, theksoi ministrja.

Ajo tha se nga Komisioni pret një diskutim të argumentuar, cilësor dhe produktiv.

Të ardhurat e përgjithshme në Propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm janë projektuar në 374,7 miliardë denarë, shpenzimet në 413,9 miliardë denarë, ndërsa investimet kapitale në 40,5 miliardë denarë ose 650 milionë euro. Rritja ekonomike është projektuar në 3,8 për qind, inflacioni në 2,5, ndërsa deficiti buxhetor në 3,5 për qind nga PBB.

Seanca plenare, ku do të shqyrtohet Propozim-buxheti për vitin 2026, sipas paralajmërimeve, është planifikuat të mbahet më 9 dhjetor.

MF: Nesër do të paguhet interesi i emetimit të dytë të fletobligacionit të qytetarëve, po përgatitet prospekt i ri

13 November 2025 at 17:10


Ministria e Financave njoftoi se nesër do të kryejë pagesën e shumës kryesore dhe të kamatës për vitin e dytë të obligacionit të dytë qytetar të emetuar.

Në llogaritë e qytetarëve do të paguhen fonde në shumën prej 17,6 milionë euro si shumë kryesore dhe 880 mijë euro si kamatë. Obligacioni i dytë qytetar, i cili tani skadon, u emetua dy vite më parë.

"Fletbligacioni i dytë i qytetarëve u emetua nga Ministria e Financave më datë 7 nëntor 2023 me afat maturimi prej 2 vitesh dhe normë interesi prej 5% në nivel vjetor. Interesi për vitin e parë u pagua nëntorin e kaluar, ku u pagua vlera prej 54.274.000 denarëve ose 880 mijë euro. Fletëbligacioni i qytetarëve si instrument i ri u prezantua në vitin 2023, me qëllim pasurimin e ofertës së instrumenteve të reja të financimit në tregun financiar dhe zgjerimin e burimeve të financimit për politikat ekonomike", thonë nga MF.

Ai kishte një afat maturimi prej 2 vitesh dhe ofronte një normë atraktive interesi prej 5% vjetore. Obligacioni qytetar, si instrument i ri, u prezantua me qëllim të pasurohej oferta në tregun financiar, por edhe për të zgjeruar burimet e financimit të politikave ekonomike.

Deri më tani janë emetuar dy seri me një vlerë totale prej 41,1 milionë euro. Nga Ministria e Financave konfirmojnë se do të vazhdojnë me shpalljen e serive të reja.

RMV-ja miratoi vendim lidhur me ndërprerjen e përkohshme të pagesave të mjeteve nga programi IPARD

10 November 2025 at 17:53


Maqedonia, nëpërmjet strukturave dhe organeve për menaxhimin e fondeve nga instrumenti IPA/IPARD i Bashkimit Evropian, ka vendosur të pezullojë përkohësisht pagesat e fondeve nga programi IPARD. Kjo thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave të RMV-së.

Nga atje sqarojnë se ky vendim vjen pas zhvillimeve aktuale me Agjencinë për Mbështetje Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Komisioni Evropian dhe shërbimet në Bruksel u njoftuan për këtë vendim në të njëjtën ditë, të cilat raportuan dhe përshëndetën vendimin e Strukturave Kombëtare.

"Qëllimi është të ofrohet siguri se sistemi i krijuar garanton ligjshmërinë dhe rregullsinë e pagesave IPARD, si dhe ekzistencën e masave efektive për të mbrojtur nga mashtrimet dhe korrupsioni.

Aktualisht, Strukturat Kombëtare për Menaxhimin e Fondeve nga Instrumenti IPA/IPARD tashmë po ndërmarrin masa dhe aktivitete shtesë që lidhen me zhvillimet aktuale.

Republika e Maqedonisë ka marrë nga Komisioni Evropian të drejtën për të decentralizuar menaxhimin e fondeve nga Instrumenti IPA/IPARD që nga viti 2009", thonë nga Ministria e Financave në një deklaratë./Telegrafi/

Qeveria do të ulë investimet kapitale, borxhin do ta shlyejë me borxh të ri në buxhetin për 2026

28 October 2025 at 22:29


Shlyerja e borxhit nga euroobligacioni që kap vlerën prej 700 milionë eurosh dhe borxhe shtesë ndaj jashtme prej 200 milionë eurosh do të jetë sfida kryesore me të cilën do të përballet buxheti shtetëror gjatë vitit 2026. Pikërisht për këtë arsye është planifikuar edhe huamarrje e re me euroobligacion, për të cilin Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, njoftoi se është e mundur të tejkalojë edhe një miliard euro.

Ndryshe, Qeveria sot miratoi projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, ku parashikohen shpenzime prej 6,7 miliardë eurosh dhe të ardhura prej 6,1 miliardë eurosh. Rritja ekonomike është projektuar në 3,8 përqind, inflacioni në 2,5 përqind, ndërsa deficiti buxhetor në 3,5 përqind të PBB-së.

Shumica e mjeteve do të shpenzohen për projekte infrastrukturore, si ato që realizojnë Bechtel dhe Enka, për mbrojtjen, por edhe për pagat dhe pensionet, tha Dimitrieska Koçoska. Po ashtu, është projektuar rritje e shpenzimeve për mbrojtjen sociale, pagat dhe kontributet. U vu re një ulje te investimet kapitale, gjë që sipas ministres është dëshmi se buxheti është projektuar realisht.

Sa i përket borxhit publik, ajo nuk deshi të japë të dhëna konkrete, megjithëse Qeveria tashmë ka disa projeksione. Sipas saj, pritet të ketë ndryshime duke pasur parasysh se aktualisht borxhi publik është 58,5 përqind.

Dimitrieska Koçoska theksoi se Ministria e Financave ka bazuar projeksionet për vitin 2026 mbi kërkesat e propozuara buxhetore nga përdoruesit e buxhetit dhe duke u udhëhequr nga parimet e realizmit, ekonomisë dhe efikasitetit, dhe pritet që me këtë buxhet të ulet edhe ekonomia e zezë.

Dimitrieska-Koçoska prezantoi Propozimin e Buxhetit të vitit 2026: Vazhdojmë me qëllimin e qartë për përshpejtimin ekonomik dhe konsolidimin fiskal

28 October 2025 at 16:31


Sot, Qeveria miratoi Propozimin e Buxhetit të vitit 2026, ku sipas ministres së Financave Gordana Dimiritrieska-Koçoska, paraqet vazhdimin e trendeve pozitive në ekonomi, me qëllimin e qartë - arritjen e rritjes së përshpejtuar ekonomike dhe zbatimin e konsolidimit fiskal përmes disiplinës rigoroze fiskale.

“Politika fiskale e vitit 2026 do të orientohet në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe përkrahjen e aktivitetit ekonomik. Do të vazhdojmë me masat për zvogëlimin e ekonomisë gri dhe rritjen e inkasimit të të ardhurave buxhetore. Buxheti derivon nga projeksionet reale, respektivisht të ardhurat do të planifikohen sipas mundësive reale dhe shpenzimet do të orientohet drejt prioriteteve strategjike. Konsolidimi gradual fiskal dhe menaxhimi i disiplinuar i financave publike gjithashtu do të vazhdojnë për të pasur efikasitet dhe llogaridhënie më të madhe në shpenzimin e mjeteve buxhetore. Shpenzimet jothelbësore do të reduktohen dhe përkrahja për qytetarët dhe ekonominë do të zbatohet sipas kritereve të qarta dhe me monitorim të përforcuar”, theksoi ministrja.
Të ardhurat e përgjithshme janë projektuar të jenë 374.7 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë 413.9 miliardë denarë.

"Me këtë, vazhdojmë me zbatimin rigoroz të disiplinës fiskale, ku rritja është më e theksuar në anën e të ardhurave sesa në atë të shpenzimeve. Në këtë mënyrë, deficiti buxhetor është 39.2 miliardë denarë, përkatësisht 3.5 të PBB-së, që paraqet ulje për 0.5 pikë përqindje krahasuar me vitin 2025”, tha ministrja e Financave.

Ajo theksoi se Ministria e Financave i derivon projeksionet e saj për vitin 2026 në kërkesat e propozuara buxhetore nga shfrytëzuesit buxhetorë, të udhëhequra nga parimet reale, menaxhuese ekonomike dhe efektive. Në këtë mënyrë, gjatë planifikimit janë marrë parasysh vetëm shpenzimet e domosdoshme me të cilat mundësohet funksionimi normal i institucioneve, si dhe sevisimi i rregullt dhe përmbushja e detyrimeve në të gjitha aspektet.

Siç theksoi ministrja Dimitrieska-Koçoska, një theks të veçantë në buxhet ka komponenti zhvillimor, i mbështetur me nivel të lartë të investimeve kapitale të projektuara në vlerë prej 40.5 miliardë denarë.

“Realizimi i projekteve kapitale të financuara nga buxheti që janë në fazë maturimi pritet të përshpejtohet, por në të njëjtën kohë pritet të fillojë edhe zbatimi i projekteve që janë paralajmëruar në infrastrukturën rrugore, hekurudhore, por edhe në shëndetësi dhe arsim. Kontribut pozitiv në investime pritet edhe nga realizimi i projekteve infrastrukturore në komuna gjatë periudhës së ardhshme. Pikërisht presim që këta projekte kapitale të bëhen shtytësi kryesor i rritjes ekonomike në vitin 2026, që është projektuar të jetë 3.8%. Rritja pozitive pritet të rezultojë nga rritja e investimeve private, si dhe nga konsumi privat i përkrahur nga rritja e pagave dhe pensioneve”, deklaroi Dimitrieska-Koçoska.

Në vitin 2026 me buxhetin e propozuar që u miratua nga Qeveria sigurohen pagesa të rregullta të pagave dhe pensioneve, si dhe transfertat sociale të vazhdueshme.

Siç theksoi ministrja, për transfertat sociale janë projektuar 206.3 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 6.7%, për pagat 52.6 miliardë denarë, ose 7% më shumë se gjatë këtij viti, si dhe 116.8 miliardë denarë për pensionet, që paraqet rritje prej 9.7%.

Dimitrieska-Koçoska në Washington: Banka Botërore mbetet partnere e fuqishme në realizimin e reformave dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike

16 October 2025 at 10:57


Në kuadër të Takimeve vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska u takua me zëvendëskryetaren rajonale të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonella Bassani, drejtoreshën rajonale për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, drejtorin ekzekutiv, Eugene Rhuggenaath dhe udhëheqësen e zyrës së Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand.

Siç njoftojnë nga kabineti i ministres, bisedimet u përqendruan në zhvillimet makroekonomike dhe fiskale, progresin e realizimit të projekteve rrjedhëse, si dhe mundësinë e instrumenteve të reja financiare nga Banka Botërore për mbështetjen e reformave buxhetore dhe strukturore.

Fokusi kryesor i takimit ishin projektet që po realizohen aktualisht në Maqedoni, të cilat orientohen në përmirësimin e infrastrukturës, efikasitetin energjetik, dixhitalizimin, menaxhimin e financave publike dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.
“Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj disiplinës fiskale, reformave strukturore dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike përmes investimeve në infrastrukturën publike dhe kapitalin njerëzor”, theksoi ministrja.

Banka Botërore e përgëzoi progresin e Maqedonisë dhe konfirmoi partneritetin e saj në realizimin e reformave dhe projekteve sipas kornizës së re të bashkëpunimit.

Kjo konfirmohet edhe me raportin e fundit të rregullt ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, ku theksohet se rritja e ekonomisë së Maqedonisë pritet të arrijë në 3.1% në vitin 2025, që është përmirësim krahasuar me parashikimet e mëparshme.
Banka thekson se Maqedonia ruan stabilitetin fiskal, me deficit buxhetor nën 3% dhe borxh publik me trajektore në rënie, gjë që krijon hapësirë për rritje të qëndrueshme dhe klimë të favorshme investimi.

Në këtë takim gjithashtu u bisedua edhe për projeksionet ekonomike dhe mundësitë për përmirësimin e tyre të mëtejshme përmes përforcimit të investimeve publike, rritjes së produktivitetit dhe mbështetjes për kompanitë e orientuara drejt eksportit. Në takim mori pjesë edhe guvernatori i Bankës Popoullore, Trajko Sllaveski.

❌
❌