Normal view

Siguria në letër, rreziku realitet: Rasti i kompleksit “Farmacia 10”

20 April 2026 at 16:40

Pas flakëve që shkrumbuan një pallat në kompleksin “Farmacia 10” në rrugën e Dibrës, debati publik u zhvendos këtë fundjavë nga shkaqet te përgjegjësia dhe boshllëqet ligjore që i lanë vendin përshkallëzimit të situatës.

Por, duke marrë përsipër udhëheqjen e këtij debati dhe aspak përgjegjësitë, Kryeministri Edi Rama e minimizoi lidhjen me ndërtimin duke sulmuar edhe zërat që nxorën në pah shkeljet e mundshme. Në qendër të çështjes mbetet sistemi i paqartë i sigurisë, ku ndërtuesi, shteti dhe kuadri ligjor lënë shteg për interpretime.

Në podcastin personal, të cilin e përcjell në rrjetet sociale çdo fundjavë, Rama i cilësoi me përçmim si “gjithollogë” komentuesit që ishin shprehur me kritika ndaj sistemit rregullator, mungesës së kontrolleve dhe protokolleve të sigurisë.

“Fatkeqësi e shkaktuar nga një shkëndijë, nga një nisje zjarri që nuk ka lidhje në vetvete me ndërtimin,” u shpreh Rama.

“Me sa është parë, ndërtimi i kishte të gjitha materialet e certifikuara dhe vinin nga importi, kështu që nuk dua të zgjatem më shumë në këtë pikë,” vijoi ai duke vendosur dukshëm në trysni versionin zyrtar të çështjes.

Edhe pse nën rreshta Rama pranoi se “kjo është një arsye për të parë dhe kuptuar se çfarë lidhet me cilësinë dhe materialet”, ai e kaloi këtë rast duke shkarkuar përgjegjësinë si ligjvënës dhe kryetar qeverie te “vullneti i mirë” i ndërtuesit që, sipas Ramës, ka dalë garant për ta meremetuar pallatin.

Për këtë qasje reagimet ishin të shumta ku nuk munguan kritika as nga opozita.

“Më tregoni një shtet demokratik ku kryeministri flet në emër të ndërtuesit të pallatit,” u shpreh përmes një postimi në rrjetet sociale Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka.

“Kryeministri si gjykatës i çështjes”

Më 15 prill, kompania “Arlis”, me një reagim zyrtar në rrjetet sociale, tha se nuk mbante përgjegjësi ligjore, por që, pavarësisht kësaj, “në kuadër të përgjegjësisë sociale” do të merrte përsipër rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar.

Pas tërmetit të vitit 2019, ku shumë ndërtesa u dëmtuan dhe barra e riparimeve apo rindërtimit të tyre i ra shtetit, qeveria e Kryeministrit Rama doli me një vendim, sipas së cilit çdo ndërtues detyrohej që ta sigurojë objektin që ndërton me një prim sigurimi prej 10 vitesh.

Sigurimi kapte vlerën e rreth 1% të vlerës së pronës, por nga një shqyrtim i Citizens.al rezultoi se ai përfshinte kryesisht pasojat që vijnë nga tërmetet për dëmet që vijnë nga defektet e ndërtimit, por nuk përbënte sigurim të drejtpërdrejtë të pronës për banorët dhe nuk mbulon zjarret apo fatkeqësi natyrore në mungesë të fajit të ndërtuesit.

Pikërisht, sikundër në rastin pas tërmetit, ekspertët sugjerojnë se qeveria e Kryeministrit Edi Rama mund të nxirrte një VKM të re për ta reflektuar këtë realitet tjetër rreziqesh, duke detyruar që brenda primit prej 1% të vlerës së pronës të sigurohej edhe rreziku nga zjarret. Kjo mund të ishte një qasje më serioze dhe në krah të qytetarëve, sesa pozicioni që aktualisht zgjodhi të mbajë kryeministri.

Citizen iu drejtua me një koment kompanisë “Arlis” për të kuptuar nëse pallati ka qenë i siguruar apo jo, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi kompania nuk u përgjigj.

Edhe pse realiteti tregoi se për pak minuta fasada shpërndau flakën shumë shpejt, vetë kompania ndërtuese mohon të ketë pasur në përbërje materiale djegëse apo që ndihmuan në përshkallëzimin e situatës.

Në lidhje me përgjegjësinë, “Arlis” në një reagim të dytë theksoi se ka qenë kusht kontraktual që nënkontraktori i punimeve të fasadës, të garantojë përdorimin e materialeve rezistente ndaj zjarrit, si dhe një garanci 25-vjeçare të saj. Por ekspertët e ndërtimit flasin ndryshe për faktet.

Ervin Mici, inxhinier i mbrojtjes nga zjarri, tha për Citizens se thuajse të gjitha godinat në Shqipëri kanë materiale të djegshme (kombustibël), “në një formë ose në një tjetër”.

“Soletat në Shqipëri janë të gjitha me polistiren, që janë mina me sahat dhe të gjithë flasin me epitete, por nuk funksionon ashtu…” vijoi ai.

Sipas Micit, Shqipërisë i duhet një legjislacion i përshtatshëm dhe “jo-ambig”, sepse sot nuk ka një përgjegjës të qartë për këtë situatë përveç Kuvendit, i cili “nuk i ka bërë ligjet siç duhet”.

“Kryeministri nuk është gjykatës, patjetër që ai mund ta bëjë [rindërtimin e pallatit] duke detyruar në formë jo-ligjore ndërtuesin, por nga ana ligjore nuk mund ta detyrosh ndërtuesin ta bëjë vetë pa pasur rezultat hetimor apo vendim për përgjegjësitë,” përmbylli Mici.

Banorëve u sigurohet bonus qiraje

Në podkastin e tij, Kryeministri Rama konfirmoi se banorëve do t’u sigurohet bonus qiraje nga Bashkia Tiranë, për aq kohë sa do të zgjasë rindërtimi i godinës.

“Besoj se nuk do të marrë shumë kohë, sepse karabinaja është aty,” tha Rama, i cili nënkuptoi edhe instrumente të tjera përkrahje nga bashkia.

“Do të kenë një bonus qiraje dhe mbështetje nga bashkia për të lehtësuar barrën e krijuar nga dëmet e banesave të tyre”.

Por vetë banorët kanë bërë publike një letër me kërkesa të tjera, përveç bonusit të qirasë.

Ata kërkojnë verifikim të pavarur teknik për sigurinë e materialeve të përdorura, sidomos të fasadës, dhe zëvendësimin e çdo materiali të rrezikshëm me materiale të certifikuara, sipas standardeve europiane.

Gjithashtu kërkojnë kontroll të plotë të sistemit kundër zjarrit, përfshirë alarmet, pajisjet e fikjes dhe rrugët e evakuimit, si dhe vendosjen në funksion të hidrantëve dhe fikëseve të zjarrit.

Ata kanë kërkuar gjithashtu dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara, rikthimin e apartamenteve në gjendjen e mëparshme.

Pallati 12-katësh i kompleksit “Farmacia 10” u dogj pasditen e 14 prillit duke shkrumbuar dhjetëra apartamente. Njëmbëdhjetë persona u dërguan me urgjencë në spital, fatmirësisht pa pasoja për jetën. Flakët u vunë nën kontroll vetëm pas ndërhyrjes me helikopterë, ndërsa një ditë më pas policia arrestoi katër persona dhe katër të tjerë i vuri nën hetim për shkelje të rregullave të sigurisë në punë dhe shkatërrim prone nga pakujdesia.

Mes të arrestuarve ishin administratori i kompleksit, menaxherja e një marketi në katin e parë të godinës nga ku dyshohet se nisi zjarri, inxhinieri drejtues i punimeve dhe administratori i kompanisë që ka realizuar fasadën. Ndërkohë, janë nisur hetime edhe ndaj pronarit të kompleksit, ndërtuesit dhe punonjësve të marketit.

Lexoni gjithashtu:

The post Siguria në letër, rreziku realitet: Rasti i kompleksit “Farmacia 10” appeared first on Citizens.al.

Sondazhi: Ndotja e ujit dhe ajrit, shqetësimet kryesore mjedisore në Shqipëri

17 April 2026 at 17:12

Ndotja e ujit, ajrit dhe zhurmat konsiderohen ndër çështjet më shqetësuese mjedisore në Shqipëri. Më shumë se gjysma (66%) e qytetarëve e konsiderojnë ndotjen e ujit problem serioz dhe thuajse po aq ndotjen nga mbetjet (63%) dhe plastika (64%).

Një sondazh kombëtar i zhvilluar gjatë muajit shkurt për mjedisin, në kuadër të projektit EU4GreenGen nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, ka nxjerrë në pah se shumica e qytetarëve e shohin ndotjen si mjaft shqetësuese për komunitetin ku jetojnë.

Ata shfaqen të gatshëm për të ndryshuar qasje në raport me mjedisin, por shprehen se nuk ka infrastrukturë të përshtatshme.

Sondazhi ka mbledhur përshtypjet mbi nivelin e informimit të qytetarëve për biodiversitetin dhe mjedisin në tërësi, si dhe për problematikat kryesore me të cilat përballet vendi në aspektin mjedisor.

Sipas sondazhit, vetëm një në çdo katër qytetarë (24%) janë të njohur me konceptin e biodiversitetit. Po ashtu, një në çdo tre qytetarë (33%) thanë se kanë dëgjuar për ekonominë qarkulluese, çka sipas raportit shpjegues tregon boshllëqe në kuptimin e koncepteve mjedisore të lidhura me politikat publike.

Mbledhja e mbetjeve vlerësohet më pozitivisht (43%) sesa pastërtia e përgjithshme (31%).

“Megjithëse shërbimet e menaxhimit performojnë më mirë, perceptimet për pastërtinë mbeten mesatare dhe shpesh negative”, thuhet në prezantimin e gjetjeve.

Në këtë drejtim, vërehen dallime mes qyteteve. Vlerësim qytetar më i lartë për menaxhimin e mbetjeve rezultoi në qytete si Berati dhe Kukësi, ndërsa më i ulëti në Gjirokastër, Korçë dhe Elbasan.

Ndërkohë, sa i përket perceptimit për zonat e gjelbra, ai mbetet mesatar ose negativ.

“Vetëm 25% i vlerësojnë pozitivisht, ndërsa 46% negativisht”, theksohet ndër gjetjet.

Sipas sondazhit, ka dallime të forta rajonale, me vlerësime më të larta në Berat, Dibër dhe Kukës, dhe më të ulëta në Durrës, Gjirokastër dhe Lezhë.

“Tirana mbetet nën mesataren, me nivel të lartë pakënaqësie”, theksohet më tej.

Edhe pse vetëm 5% e familjeve ndajnë mbetjet në burim, pjesa dërrmuese (92%) thonë se do të ishin të gatshëm ta bënin këtë nëse do të ekzistonin sisteme të përshtatshme.

“Kjo tregon se është infrastruktura, dhe jo qëndrimet e qytetarëve, pengesa kryesore”, thuhet nga gjetjet e sondazhit.

Qytetarët, thuhet në raportin e sondazhit, se kanë nivel të lartë ndërgjegjësimi për koncepte si riciklimi (92%) dhe menaxhimi i mbetjeve (85%), por ky ndërgjegjësim bie për terma më teknikë.

“Kompostimi (65%) dhe zhvillimi i gjelbër (63%) shfaqin një nivel mesatar njohjeje, ndërsa ekonomia qarkulluese (33%) mbetet kryesisht e panjohur”, thuhet ndër gjetjet.

Rreth 81% e qytetarëve të anketuar thonë se janë vetë përgjegjës për ndotjen e mjedisit, ndërsa 45% rendisin bashkitë dhe 41% bizneset.

“Sa i përket besimit, bashkitë shihen si aktorët më të besueshëm për mbrojtjen e mjedisit (65%), të ndjekura nga kompanitë e pastrimit dhe mbledhjes së mbetjeve (50%) dhe qeveria (47%),” thuhet në raport.

46% e të anketuarve janë të gatshëm të paguajnë një tarifë shtesë për një mjedis më të pastër, ndërsa 27% janë të pavendosur dhe 28% kundër.

Gatishmëria më e lartë vërehet në rajonet e Dibrës, Kukësit, Gjirokastrës dhe Lezhës. Ndërsa Elbasani dhe Korça shfaqin rezistencë më të fortë, me vetëm 33% gatishmëri dhe rreth gjysma kundër pagesës shtesë.

Shqipëria është në negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku Kapitulli 27 për Mjedisin mbetet ndër më sfiduesit. Gjatë dekadës së fundit, BE ka investuar mbi 280 milionë euro në sektorët e mjedisit, ujit dhe klimës në Shqipëri.

Sipas sondazhit, mbështetja publike për përafrimin me standardet mjedisore të BE-së është e fortë, me 81% që e perceptojnë me përfitime.

“Megjithatë, ndërgjegjësimi për projektet mjedisore të financuara nga BE mbetet i ulët, vetëm 22%”, përfundon raporti.

Lexoni gjithashtu:

The post Sondazhi: Ndotja e ujit dhe ajrit, shqetësimet kryesore mjedisore në Shqipëri appeared first on Citizens.al.

Dy ditë pritje dhe kaos, transporti urban kthehet në normalitet

16 April 2026 at 14:32

Situata kaotike e ditëve të fundit në stacionet e urbanëve duket se do të marrë fund këtë të enjte, pasi flota e autobusëve do të rikthehet plotësisht në funksion.

Lajmin e pohoi për Citizens.al, Dashnor Memaj, kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban. Vendimi erdhi pas arritjes së një dakordësie me ministrinë e Ekonomisë, Infrastrukturës dhe Bashkinë Tiranë.

“Do të subvencionohet transporti me 50 lekë për litër. Jemi dakordësuar për tre muajt e ardhshëm dhe më pas do të rishikojmë kushtet,” konfirmoi Memaj.

Memaj theksoi se javën e ardhshme do të zhvillohet një tjetër takim, ku do të diskutohen edhe kërkesa të tjera ekonomike, si TVSH-ja, akciza dhe kategoritë që përfitojnë udhëtim falas.

Kostandin Foni, drejtues i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, tha për Citizens se kjo është një vendimmarrje e shpejtë, në mënyrë që operatorët të mos arrijnë në degradimin e shërbimit.

“Shpresoj që javën që vjen kërkesat e tjera të diskutohen, pasi kjo vlerë është e pamjaftueshme për të operuar,” theksoi ai.

Për dy ditë radhazi, më 15 dhe 16 prill, transporti urban funksionoi me 40% të flotës, për shkak se për këtë sektor nuk ishte miratuar asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, pavarësisht kërkesave të përsëritura të operatorëve.

Shoqata theksoi se kjo situatë nuk erdhi për shkak të vullnetit të operatorëve, por si pasojë e mungesës së përkrahjes institucionale në kohë.

Qytetarë të ndryshëm konfirmuan për Citizens se në dy ditët e fundit kanë pritur më shumë se 40 minuta në stacione dhe, së bashku me trafikun, ka qenë e pamundur të kapnin orare të caktuara pune apo angazhime të tjera.

“Erdha në këmbë nga rruga Bardhyl deri te Kinema Agimi, pasi autobusët vinin plot dhe nuk kishte ku të hipje. Eca rreth 30 minuta në këmbë,” tha për Citizens O.D.

Erlindi, një student që po priste në stacion, shpjegoi se ai duhet të marrë dy linja urbane, “Tiranën e Re” dhe “Porcelanin”, për të shkuar në Universitetin Kanadez, që ndodhet në zonën e Porcelanit, por edhe ai e pati të pamundur të arrinte në kohë.

“Urbanët janë të tejmbushur dhe kur vijnë, janë me shumë vonesë,” tha ai.

Në përmbyllje, Kostandin Foni ngriti një tjetër problematikë, që shpreson të adresohet në të ardhmen e afërt. Ai tha për Citizens se për kategoritë që përfitojnë udhëtim falas, asnjë operator, edhe pse e ofron këtë shërbim, nuk është kompensuar ndonjëherë.

“Ligji ekziston që në vitin 2014 për këtë kategori, por kanë munguar aktet nënligjore. Është një ngërç ligjor që duhet ta zgjidhë ministria e Transporteve,” sqaroi ai.

Situata pritet të normalizohet në ditët në vijim, ndërsa qytetarët shpresojnë në një shërbim më të qëndrueshëm dhe pa vonesa. Megjithatë, zgjidhja afatgjatë mbetet e lidhur ngushtë me adresimin e plotë të kërkesave të operatorëve dhe ndërhyrjen e vazhdueshme institucionale.

Lexo gjithashtu:

The post Dy ditë pritje dhe kaos, transporti urban kthehet në normalitet appeared first on Citizens.al.

Samiti i Diasporës, një simbolikë pa angazhim konkret

15 April 2026 at 16:19

Prej së hënës, Pallati i Kongreseve në Tiranë ka bërë bashkë shqiptarë që jetojnë dhe kontribuojnë jashtë vendit në Samitin e Diasporës.

Kjo ngjarje, e cila mbahet për herë të katërt, synon të forcojë lidhjet mes Shqipërisë dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë, duke i ftuar të kontribuojnë për vendin e tyre.

Shqiponja dykrenore, ngjyrat kuqezi, shfaqjet artistike, nderimet e personaliteteve të njohura shqiptare jashtë kufijve, si dhe narrativa ftuese për të kontribuar dhe për t’u bërë pjesë e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, ishin elementët dominues përgjatë këtyre dy ditëve.

Samit për diasporën, por pa diasporën

Megjithatë, ajo që spikati këtë samit – ndryshe nga organizimet e mëparshme – ishin zërat kundër, kryesisht nga pjesëmarrës nga diaspora, të cilët nuk e gjetën veten të përfaqësuar në panelet e mbajtura.

Eva Baçi, juriste që punon në Itali, mori mikrofonin nga salla, ndërsa në podium ishin përfaqësues të qeverisë, të cilët flisnin për diasporën, dhe u shpreh se mungon hapësira për përfshirje.

“Dëgjojmë narrativa, por mungojnë aktorët kryesorë që është diaspora. Ky është Samiti i Diasporës. Mendoj se, përveç hapjes, ku fjala duhet t’u jepet ministrit, kryeministrit dhe presidentit, por aktorët kryesorë jemi ne”, tha Baçi.

Ajo shtoi se nuk mund të vinte në Shqipëri vetëm për të qenë “një numër” në organizimin në fjalë. Baçi iu drejtua më pas panelit, konkretisht me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, duke i thënë se ai është larg realitetit dhe se dyert u janë mbyllur personave të përgatitur që duan të kontribuojnë në vend.

“Jemi pa përkrahje dhe kur nuk të përkrah shteti yt, nuk mund të japësh kontribut në të. Unë për Italinë jam e përgatitur, por jam thjesht e huaj”, vijoi ajo.

Një tjetër pjesëmarrës nga diaspora, ish-minator, ngriti shqetësimin për mosmiratimin e ligjit për statusin e minatorit, si dhe çështje të tjera në lidhje me kthimin dhe zhvillimin e pronave.

Në disa raste, moderatorët e samitit u përpoqën t’u ndërprisnin mikrofonin, duke mos i lejuar të përfundonin fjalën. Por nga ana tjetër, pati edhe organizata të diasporës që deklaruan hapur bojkotin ndaj këtij organizimi.

Komuniteti Shqiptar i Selanikut deklaroi publikisht se nuk do të merrte pjesë, duke e cilësuar samitin si fasadë që nuk adreson shqetësimet reale të diasporës.

“Diaspora shqiptare nuk ka më shumë nevojë për samite ceremoniale sesa për përfaqësim të vërtetë, dëgjim dhe zgjidhje konkrete,” u tha në reagimin e tyre.

Ata shtuan se është provokuese që përjashtohen zërat aktivë të komunitetit, ndërsa në samit flasin persona pa lidhje direkte me diasporën.

Ftesën nuk e pranoi as lëvizja “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, e cila u bë e njohur për faktin se udhëhoqi fushatën për votën e diasporës.

“[…] ky samit nuk është një hap real drejt përfshirjes, por skenografi për promovimin e imazhit të qeverisë,” u shpreh ndër të tjera kjo lëvizje në një reagim publik.

Florian Haçkaj nga kjo lëvizje, tha për Citizens.al se samiti nuk është platformë reale, por thjesht propagandë.

“Është një propagandë ku i flitet diasporës, por nuk flitet me të. Panelet dominohen nga përfaqësues politikë, jo nga diaspora,” theksoi ai.

Mes simbolikës dhe mungesës së politikave reale

Gazetari dhe studiuesi i medias, Lutfi Dervishi, tha për Citizens.al se organizimi për herë të katërt i samitit tregon institucionalizim, por që vlera reale e saj matet me rezultate konkrete dhe jo me numrin e samiteve.

“Deri tani kemi më shumë simbolikë dhe komunikim sesa politika të matshme për diasporën,” argumentoi Dervishi, që sipas tij, që nga thirrjet për kthim në vitin 2013, realiteti ka ndryshuar.

“Tani është koha për bilanc. Vendi sot ka ndryshuar por është më i plakur – më shumë njerëz kanë ikur dhe diaspora po vjen për samite por jo për gjë tjetër”, theksoi ai.

Sipas Eurostat, nga viti 2008 deri në 2024, rreth 1 milion shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në BE. Shifra është edhe më e lartë nëse përfshihen SHBA, Kanada dhe vende të tjera.

Florian Haçkaj shton se zëri i diasporës nuk përfaqësohet dhe nuk po bëhet mjaftueshëm për të mbajtur njerëzit në vend.

“Ka kapluar korrupsioni në çdo cep dhe si asnjëherë më parë sot i ke dhe akuzat konkrete. Marrim rastin e Ballukut dhe parlamenti e mbron, pra nuk shkon fare që në këto kushte ti të mendosh që në këtë qeveri ka ndonjë gjë të planifikuar për mirë”, argumentoi Haçkaj.

Për Dervishin, në kushtet kur kemi emigrim të lartë, ka një paradoks të qartë.

“Sa më shumë rritet emigrimi, aq më e madhe bëhet diaspora numerikisht. Potenciali rritet, por angazhimi mbetet i valëve të para të emigrantëve. Fillimisht duhet ndalur zbrazja e vendit. Më pas mund të mendojmë që kemi shans më diasporën”, argumentoi ai.

“Investime emocionale”

Sipas Haçkajt, diaspora shihet kryesisht si burim për blerje pronash dhe turizëm, pra për të kaluar pushimet.

“Shqipëria ofron kushte për blerje, por jo për shërbime bazë si shëndetësia apo siguria ushqimore,” u shpreh ai.

Edhe Dervishi thekson se investimet kryesore janë emocionale, si blerja e një shtëpie të dytë në Shqipëri për t’u kthyer përkohësisht për pushime apo për familjarët.

“Ky kapital nuk prodhon zhvillim të qëndrueshëm,” theksoi ai.

Sipas tij, investitorët kërkojnë siguri ligjore, drejtësi funksionale dhe administratë profesionale. Megjithëse diaspora votoi për herë të parë në zgjedhjet e fundit, përfaqësimi politik mungon.

“Nuk ka përfaqësues realë të diasporës në parlament,” theksoi Haçkaj.

Dervishi shton se narrativa zyrtare e paraqet diasporën si aset strategjik, por realiteti është më kompleks.

“Shumë emigrantë nuk janë ende të stabilizuar, ndaj nuk mund të priten investime të menjëhershme,” tha ai.

Sipas të dhënave, remitancat përbëjnë rreth 4.5% të PBB-së dhe janë burim jetese për shumë familje.

Në mungesë të remitancave, niveli i varfërisë do të ishte rreth 30 pikë përqindje më i lartë, ndërsa remitancat kanë qenë burim i vetëm i të ardhurave për një në katër familje përfituese.

Ky samit i katërt zhvillohet 3 vite pas atij të mbajtur në vitin 2023 që pati në fokus përfshirjen e emigrantëve në jetën shoqërore dhe ekonomike të vendit, si dhe të drejtën e votës, e cila u realizua në zgjedhjet e majit 2025.

Samiti i dytë u mbajt në pranverë të vitit 2019, kur Shqipëria kishte një ministër të posaçëm për diasporën, Pandeli Majkon.

Lexo gjithashtu:

The post Samiti i Diasporës, një simbolikë pa angazhim konkret appeared first on Citizens.al.

Zjarri që nxori në pah problemet e ndërtimit në Tiranë

15 April 2026 at 15:46

Një ditë pas zjarrit që përfshiu një pallat 12-katësh në kompleksin “Arlis”, te “Farmacia 10” në rrugën e Dibrës, hetimet kanë prodhuar rezultatet e para: katër persona janë arrestuar dhe katër të tjerë janë vënë nën hetim për shkelje të rregullave të sigurisë në punë dhe shkatërrim prone nga pakujdesia.

Policia njoftoi sot se administratori i kompleksit, menaxherja e një marketi në katin e parë të godinës, inxhinieri drejtues i punimeve dhe administratori i kompanisë që ka realizuar fasadën janë arrestuar. Ndërkohë, janë nisur hetime edhe ndaj pronarit të kompleksit, ndërtuesit dhe punonjësve të marketit.

Sipas të dhënave paraprake, zjarri dyshohet të ketë nisur në ambientet e pasme të marketit, ku ishin grumbulluar mbeturina dhe nuk ishin marrë masa për largimin e tyre. Po ashtu, administratori i kompleksit dyshohet se nuk kishte kryer kontrollin e funksionalitetit të sistemeve të mbrojtjes nga zjarri.

Bilanci mbetet i rëndë, 11 persona të lënduar dhe dhjetëra familje që tashmë përballen me dëme të konsiderueshme materiale. Por përtej përgjegjësive individuale që po hetohen, dinamika e zjarrit ka ngritur një problem më të thellë, mënyrën se si ndërtohen dhe kontrollohen ndërtesat në Tiranë.

Mungesa e rregullave dhe kontrollit

Edhe pse shkaku fillestar lidhet me një burim të mundshëm aksidental, shpejtësia me të cilën flakët përfshinë fasadën dhe u përhapën vertikalisht ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e strukturës në kompleksin “Arlis” dhe vetë mënyrën se si ndërtohen fasadat e pallateve të reja.

Fasada ishte e veshur me materiale termoizoluese si poliuretani, i përdorur gjerësisht për eficiencë energjie. Ky material nuk është i ndaluar, por në kushte zjarri vepron si përshpejtues i flakëve, duke i shpërndarë ato nga kati në kat.

Ndërkohë, duhet thënë se ngjarja nuk është e izoluar. Pesë vite më parë, fasada e një pallati tjetër në të njëjtin kompleks u përfshi nga flakët gjatë ndërtimit, pa sjellë masa parandaluese të dukshme.

Ekspertët theksojnë se problemi nuk qëndron vetëm te materiali, por te mungesa e një kuadri të qartë ligjor për përdorimin e tij.

Urbanistja Doriana Musai shpjegoi për Citizens.al se materiale të tilla si poliuretani përshpejtojnë përhapjen e flakëve dhe e bëjnë ndërhyrjen e zjarrfikësve shumë të vështirë.

“Ne nuk kemi marrë asnjë masë për ndalimin e materialeve të tilla në fasada. Evropa e ka të kontrolluar se ku mund të përdoren ose i projekton ato në mënyrë që, në rast zjarri, të kenë mundësi të vetë-izolohen,” shpjegoi ajo.

Ervin Mici, inxhinier i mbrojtjes nga zjarri, vlerëson se më shumë se 90% e godinave në Tiranë përmbajnë materiale potencialisht të rrezikshme.

“Mungesa e rregullave dhe kontrollit krijon një situatë ku çdo material mund të përdoret pa kufizim real,” tha ai për Citizens.al duke vënë në diskutim mënyrën se si është ndërtuar në Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit.

Mici shtoi se së fundmi ai dhe ekspertë të tjerë të fushës së ndërtimit kanë qenë pjesë e takimeve të vazhdueshme me Ministrinë e Brendshme për hartimin e një protokolli që synon të rregullojë shumë boshllëqe ekzistuese, një prej të cilave edhe çështjen e klasifikimit të materialeve.

“Akoma nuk e dimë nëse do të jetë ligj, VKM apo udhëzim. Është diçka që ende nuk është vendosur dhe do kohë që të finalizohet,” shtoi ai.

Përgjegjësi individuale apo problem sistemi?

Arrestimet e bëra nga Policia sugjerojnë për një zinxhir të gjerë përgjegjësish, nga menaxhimi i përditshëm i godinës, te ndërtimi dhe projektimi i saj.

Megjithatë, ekspertët argumentojnë se përgjegjësia nuk mund të reduktohet vetëm te individët.

Sipas legjislacionit, çdo ndërtim duhet të ketë projektues dhe supervizor që miratojnë materialet. Në praktikë, sipas Ervin Micit, këto role mbeten formale, ndërsa vendimet reale merren nga investitorët apo ndërtuesit.

“Ne e dimë se në Shqipëri vendimet i merr zakonisht pronari, por ai është administrator, jo drejtues teknik. Është drejtuesi teknik ai që duhet të vendosë, ndërsa supervizori realisht është thjesht teknik në Shqipëri,” vuri në dukje Mici duke nënkuptuar se në këtë mënyrë përgjegjësia nuk adresohet.

Në një reagim publik për ngjarjen, kryeministri Edi Rama deklaroi se pallati i djegur do të rindërtohet nga ndërtuesi, duke theksuar se kjo do të bëhej pavarësisht se shkaku i zjarrit nuk lidhej me të.

Por për ekspertët, kjo qasje nuk adreson problemin thelbësor, standardet e ndërtimit dhe kontrollin mbi materialet, aspekte që duket se nuk janë adresuar prej kohësh nga institucionet që mbeten në diskutim për protokollet e ndërtimit dhe sigurisë nga zjarri.

Ngjarja në kompleksin e “Arlisit” i shtohet një serie incidentesh të ngjashme në Tiranë, përfshirë rastin te i njëjti kompleks në vitin 2021, apo dhe atë në zonën e Parkut të Autobusëve në vitin 2023, që nuk solli ndryshime të dukshme në standarde.

Përsëritja e këtyre rasteve sugjeron një problem strukturor, ku rreziku nuk është përjashtim, por pjesë e modelit të ndërtimit.

Në këtë kontekst, pyetja nuk është më vetëm se kush e shkakton zjarrin, por nëse ky rast do të çojë në ndryshime reale, apo do të mbetet një tjetër episod që mbyllet me përgjegjësi formale dhe pa reformë të mirëfilltë.

Lexoni gjithashtu:

The post Zjarri që nxori në pah problemet e ndërtimit në Tiranë appeared first on Citizens.al.

“O me Ballukun, o me BE-në”; Lëvizja Bashkë mesazh Ramës gjatë Samitit të Diasporës

14 April 2026 at 16:23

Një protestë e Lëvizjes Bashkë para Pallatit të Kongreseve kur po mbahej Samiti i Diasporës në Tiranë u shoqërua me tensione dhe ndërhyrje të policisë. Aktivistët akuzuan qeverinë se po promovon integrimin për në Bashkimin Evropian duke toleruar korrupsionin në nivelet e larta.

Me banderolën “O me Belinda Ballukun, o me BE-në”, ata vunë në pikëpyetje sinqeritetin e reformave dhe narrativën evropiane të qeverisë, por u përballën me një reagim të ashpër të forcave të policisë.

Ata i ndaluan aktivistët me dhunë pa mundur ta hapnin plotësisht dhe banderolën dhe më tej shoqëruan 5 prej tyre në komisariat. Një ndërhyrje që vuri sërish në dukje kufizimet që qeveria Rama po u bën të drejtës për të protestuar, sidomos partive të reja opozitare.

Rasti ekspozon hendekun mes diskursit zyrtar për integrimin dhe realitetit të përplasjes dhe përpjekjes së vazhdueshme për të heshtur zërat kritikë.

Motoja e samitit lidhet me “Shqipërinë 2030” dhe aspiratën e propaganduar edhe gjatë fushatës së fundit elektorale nga Partia Socialiste për t’u integruar në BE brenda këtij viti. Aktivistët e përdorën pikërisht këtë moto dhe organizim t’i dërguar një mesazh politik kryeministrit Rama.

“Ajo që ne nuk e kuptojmë është se si mund të ketë aspiratë për BE, ndërkohë që nuk i hiqet imuniteti një ish-ministreje, e cila akuzohet për abuzim me detyrën dhe korrupsion”, u shpreh për Citizens.al Mirela Ruko, përfaqësuese e Lëvizjes Bashkë, duke theksuar se këto dy qëndrime nuk mund të bashkëjetojnë.

Ruko tha se dhuna e policisë ishte e pajustifikuar pasi nisi sapo aktivistët iu afruan Pallatit të Kongreseve.

“Në asnjë moment nuk kemi tentuar të hyjmë brenda në takim; thjesht kemi qëndruar në shesh për të shprehur publikisht qëndrimin tonë”, vijoi ajo.

Emiljando Kita, një prej pesë aktivistëve të shoqëruar dhunshëm nga policia, tha për Citizens.al se rasti tregoi për funksionimin problematik që ka shteti shqiptar.

“Pa e hapur ende banderolën, erdhi policia dhe na u sulën! Na morën zvarrë, pa asnjë arsye. Ndërkohë, ligji për tubimet dhe Kushtetuta na garantojnë të drejtën për t’u shprehur publikisht dhe politikisht”, tha Kita.

Sipas tij, kjo situatë reflekton një zgjedhje politike të bërë nga kryeministri.

“Duket se zgjedhja është bërë: me Belinda Ballukun, me të korruptuarit dhe oligarkët, dhe jo me BE-në”, përfundoi ai.

Sipas Lëvizjes Bashkë, çdo vit Shqipëria humbet dhjetëra mijëra qytetarë për shkak të korrupsionit, padrejtësisë dhe varfërisë. Sipas tyre, një sistem që mbyll mundësitë i shtyn qytetarët drejt emigrimit, ndërsa organizimi i samitit në këto kushte është propagandistik.

Samiti i Diasporës ka nisur prej së hënës dhe është i katërti i organizuar deri më tani. Ky format u nis në vitin 2016, gjatë mandatit të parë të Partisë Socialiste.

Samiti i dytë u mbajt në pranverë të vitit 2019, kur Shqipëria kishte një ministër të posaçëm për diasporën, Pandeli Majkon. Organizimi i tretë u zhvillua në vitin 2023, me fokus përfshirjen e emigrantëve në jetën shoqërore dhe ekonomike të vendit, si dhe të drejtën e votës, e cila u realizua në zgjedhjet e majit 2025.

The post “O me Ballukun, o me BE-në”; Lëvizja Bashkë mesazh Ramës gjatë Samitit të Diasporës appeared first on Citizens.al.

Mbyllja e “Lol Albania” ngre diskutime për politikat e platformës Meta

14 April 2026 at 14:42

Mbyllja e faqes satirike “Lol Albania,” njohur rëndom si “Lolita” në rrjetet sociale ka kthyer në diskutim mekanizmat që platformat përdorin për të moderuar përmbajtjen dhe rrezikun që ato të keqpërdoren si censurë në hapësirën digjitale.

Administratorët e faqes pretendojnë se janë raportuar në mënyrë të qëllimshme nga një fushatë e orkestruar për t’iu kufizuar përmbajtjen kritike. Ata e argumentojnë këtë me faktin se raportimet në Meta janë bërë për shkelje të së drejtës së autorit.

Ekspertë të sigurisë digjitale ndanë me Cizitens.al shqetësimet e tyre për mënyrën sesi funksionon ky mekanizëm dhe rreziqet për abuzime.

Sipas administratorëve të “Lolita”-s, gjithçka nisi me publikimin e një fotografie ku shfaqej Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe imami Ahmed Kalaja në një iftar gjatë muajit të Ramazanit. Ata thanë për Citizens.al se fotografia qarkullonte gjerësisht edhe në faqe dhe portale të tjera.

“Na e hoqën [postimin] me pretekstin e copyright-it,” tha për Citizens.al një prej administratorëve të faqes, e cila mban qasje anonime dhe i prezantohet publikut vetëm me nofkën popullore “Lolita”.

“Kur filluam të themi se po na censuronte Ahmed Kalaja, [prirja] vazhdoi me raportime të tjera, po për copyright”, shpjegoi më tej një prej administratorëve duke shtuar se në të tillë mënyrë ishin fshirë edhe postime të tjera.

“Ndër to edhe një postim i kryeministrit, i cili ishte i njëjtë me atë të Ahmed Kalasë dhe thamë me ironi: ‘Pse po kopjon hoxhën e Surrelit’.”

Administratorët thonë se kanë marrë njoftime zyrtare nga platforma Meta për çdo përmbajtje të hequr, ku, sipas tyre, rezulton se raportimet janë bërë nga i njëjti person. Ata shtojnë se edhe përmbajtje sarkastike dhe pa kritikë direkte janë fshirë, ndërsa dyshojnë për raportime të organizuara nga ndjekës.

“Po mundohemi përmes një kompanie [të rikuperojnë faqen]; jemi ende në pritje të përgjigjes”, thanë ata.

Nisur nga ky rast, pati një reagim nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), i cili theksoi se liria e shprehjes është një nga shtyllat themelore dhe nuk kufizohet vetëm te informacioni “i pranueshëm”, por përfshin edhe forma si ironia dhe satira.

“Në këtë kontekst, përdorimi i mekanizmave të raportimit masiv për të mbyllur faqe apo për të heshtur zëra kritikë përbën një formë të rrezikshme presioni ndaj lirisë së shprehjes dhe krijon një precedent shqetësues për censurë indirekte në hapësirën digjitale”, deklaroi AGSH.

Imami Kalaja, i kontaktuar nga Citizens.al nuk iu përgjigj kërkesës për një koment deri në publikimin e këtij artikulli.

Si funksionon raportimi për copyright?

Sipas hulumtueses së të drejtave digjitale, Megi Reçi, sistemi i raportimit për të drejtën e autorit në platforma si Facebook dhe Instagram është formal dhe i bazuar kryesisht në vetëdeklarim.

“Raportimi mund të bëhet vetëm nga pronari i së drejtës ose një përfaqësues i autorizuar ligjërisht. Procesi realizohet përmes një formulari online, ku kërkohet identifikimi i veprës origjinale, linku i përmbajtjes që pretendohet si shkelje dhe një deklaratë mirëbesimi nga ankuesi që pretendimi është i saktë”, shpjegoi Reçi.

Në praktikë, sipas saj, verifikimi nga platforma është i kufizuar dhe shpesh i automatizuar.

“Ai nuk përbën një hetim të thelluar mbi pronësinë reale të përmbajtjes. Për këtë arsye, platforma është kritikuar vazhdimisht për heqje përmbajtjesh apo mbyllje llogarish të automatizuara dhe të paverifikuara”, argumenton Reçi.

Sipas saj, në rastin e Lolitës transparenca është e kufizuar.

“Përdoruesit zakonisht marrin vetëm një njoftim standard për shkelje të copyright-it dhe disa të dhëna bazë mbi palën ankuese. Nuk ka një arsyetim të detajuar mbi vendimin”, theksoi Reçi.

Kjo bëhet problematike sidomos për përmbajtje me interes publik, si satira apo materialet gazetareske, të cilat mund të fshihen në mënyrë të përsëritur pa një vlerësim transparent dhe kontekstual.

“Në Shqipëri, ky shqetësim është manifestuar shpesh në praktikë, duke rezultuar në abuzim me mekanizmat e raportimit për të targetuar gazetarë, aktivistë apo grupe të ndryshme. Platformat kanë dështuar në disa raste të identifikojnë raportimet abuzive dhe, si pasojë, kanë censuruar përmbajtje legjitime”, shtoi ajo.

Mungesa e kuadrit ligjor

Një tjetër problem lidhet me mungesën e një kuadri të qartë ligjor për përgjegjësinë e platformave online në Shqipëri.

Meta nuk ka përfaqësi ligjore në vendin tonë dhe operon përmes politikave të saj globale, përfshirë mundësinë e kontaktimit të një agjenti të angazhuar për çështje të së drejtave të autorit, i cili zakonisht operon në nivel ndërkombëtar.

Sipas hulumtueses së të drejtave digjitale, Megi Reçi, vendimmarrja e platformave të Metës mbështetet në sisteme algoritmike që mund të jenë, jo vetëm të gabueshme, por dhe të manipulueshme.

“Platforma nuk ka detyrim të drejtpërdrejtë ligjor për të dhënë llogari mbi vendimet e saj në Shqipëri, as për të garantuar moderim nga staf që njeh gjuhën dhe kontekstin lokal”, shpjegoi Reçi.

Nëse një përmbajtje nuk rikthehet pas ankimit brenda platformës, opsionet për mjete të tjera ligjore mbeten të kufizuara, një situatë që, sipas saj, ngre shqetësime serioze për transparencën dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes në mjedisin digjital.

“Veçanërisht në vende si Shqipëria, ku mungon rregullimi ligjor për platformat online”, përfundoi Reçi.

Lexo gjithashtu:

The post Mbyllja e “Lol Albania” ngre diskutime për politikat e platformës Meta appeared first on Citizens.al.

“Rruga që ecën ngadalë”: 6 km i parë i Tiranë–Durrës hapet në maj

13 April 2026 at 15:20

Rruga që lidh Tiranën me Durrësin është një nga segmentet më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri. Me një gjatësi prej rreth 30 kilometrash dhe me një fluks të lartë të qarkullimit ditor, ajo konsiderohet si “arteria” ekonomike që lidh kryeqytetin me portin kryesor të vendit dhe bregdetin.

Por, prej vitesh, kjo autostradë është kthyer në simbolin e një tjetër realiteti, premtime të përsëritura për zgjerim, shtyrje afatesh dhe punime që nuk mbarojnë.

Hapje e segmentit brenda javës së parë të majit

Në një nga shëtitjet e zakonshme të ndjekura me kamera, më 9 prill, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi u shpreh se zgjerimi i rrugës ka pasur operacione të vështira gjatë zbatimit, pasi janë përpjekur të mos pengojnë qarkullimin e mjeteve.

“Dëshira jonë ka qenë që ta kishim përfunduar brenda muajit dhjetor këtë vepër dhe më pas deri në vjeshtë punimet të kishin ecur në ritme shumë të mira”, u shpreh ministri Karakaçi, por sipas tij për shkak të dimrit të lagësht është shtyrë afati.

Sipas kreut të ARRSH-së, Ami Kozeli, në këtë aks kalojnë 90-120 mijë mjete në një ditë normale dhe aksi është përmirësuar në kategori.

“Ne tani do të bëjmë një përmirësim të kategorisë rrugore duke e kaluar edhe në kategorinë A. Ç’ka nënkupton që edhe aksesi do të fillojë të limitohet, për të gjithë subjektet dhe kjo na ka kërkuar një vështirësi të madhe sepse jemi të detyruar të bëjmë menaxhimin e trafikut”, u shpreh Kozeli.

Sipas Kozelit, rruga do të ketë 3+1 korsi, 3 korsi me nga 3.75 metër dhe një korsi emergjente me gjerësi 3 metër. Ndërsa në muajt në vijim do të ketë edhe arredim urban, që sipas ministrit Enea Karakaci, është merak i veçantë i kryeministrit Rama.

“I kemi krijuar vëmendje të veçantë edhe porosisë së kryeministrit për korridoret e gjelbra”, u shpreh ministri, e pohuar edhe nga kreu i ARRSH-së, i cili u shpreh se përveç gjelbërimit do të ketë edhe barriera akustike dhe ndriçim.

Superstrada Tiranë – Durrës fillon nga mbikalimi i Kamzës deri tek Ura e Dajlanit.

Me mbarimin e punimeve, limiti i shpejtësisë për makinat që do të përshkojnë këtë segment do të jetë 130 km në orë. Volumi i trafikut në këtë aks përgjatë muajve të verës shkon nga 90’000 deri 120’000 makina në 24 orë.


Premtime të pambajtura

Mirëpo, edhe pse u cilësua si brenda parashikimeve të kontratës, ka pasur premtime për ta mbyllur këtë segment më herët. Në tetor 2025, ish-ministrja e Insfrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një inspektim që kreu në këtë segment u shpreh se loti i parë do të jetë I hapur për qarkullimin e makinave deri në fund të dhjetorit 2025.

Ecuria e projektit është shumë e mirë. Pra, faza e parë është 65% ecuria dhe në fazën e dytë 85%. Domethënë ne shpresojmë që për festat e fundvitit ta kemi dorëzuar, pavarësisht se afati kontraktual është shtatori i vitit 2026“, -u shpreh asokohe Balluku.

Sipas kontratës, faza e dytë pritet të mbyllet në shtator të 2026, ndërsa duke parë shtyrjen e afatit për 6 kilometrat e parë, nuk dihet se kur do të mbyllet e gjithë superstrada.

Punimet për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës nisën gjatë vitit 2024. Punimet janë ndarë në tre faza. Për fazën e parë u vunë në dispozicion nga buxheti i shtetit 1.7 miliardë lekë, tender i fituar nga “Bami Holding” në bashkëpunim me “Curri shpk”.

Edhe faza e dytë kishte të njëjtin fond limit, rreth 1.7 miliardë lekë. Fitues në këtë fazë ishin “Elmazaj Konstruksion”, “Nderimi shpk” dhe “Ndregjoni”.

Për fazën e tretë, ky financim rritet duke shkuar në 2.5 miliardë lekë, pasi parashikon edhe një nyje lidhëse në Laknas. Shqetësimit të qytetarëve për heqjen e dy mbikalimeve gjatë punimeve nga 5 në total, kreu i ARRSH-së iu përgjigj se do të rivendoseshin sërish në vendin ku ishin më herët.

Lexo gjithashtu:

The post “Rruga që ecën ngadalë”: 6 km i parë i Tiranë–Durrës hapet në maj appeared first on Citizens.al.

Deputetë dhe banorë në gjyq: Rasti “Gener 2” ngre shqetësimin për presione

10 April 2026 at 15:41

Më 3 prill, kompania “Gener 2” ka depozituar katër kallëzime penale ndaj deputetëve Agron Shehaj e Erald Kapri, avokatit Ndue Pjetra dhe banorit të Rrjollit, Prekë Molla, të cilët i akuzon për shpifje dhe denigrim.

Lajmi u bë me dije përmes një deklarate për shtyp, e cila u raportua më pas nga televizioni A2 CNN, i cili është nën pronësinë e sipërmarrësit Bashkim Ulaj, njëkohësisht aksioneri kryesor i “Gener 2”.

“Theksojmë qartë se çdo përpjekje për gjobëvënie politike apo ‘mediatike’ do të marrë një përgjigje të vetme dhe të prerë: përballjen me drejtësinë”, thuhej në deklaratën e kompanisë.

Ndërsa “Gener 2” pretendon se fushata ndaj saj “me informacione të pavërteta” i ka dëmtuar imazhin, përfaqësuesit e Partisë Mundësia e konsiderojnë këtë një precedent të rrezikshëm që synon të heshtë jo vetëm aktivistët, por edhe deputetët.

Palët e tjera të kallëzuara, përfshirë avokatin mbrojtës Pjetra dhe protestuesin Molla, vlerësojnë se kjo metodë e përdorur nga “Gener 2” nuk do të funksionojë për t’i ndaluar në kërkimin e së vërtetës.

Konflikti mes banorëve të Rrjollit dhe kompanisë “Gener 2” ka nisur prej më shumë se një viti, pasi kompania ka filluar ndërtimin e resortit turistik “Blue Borgo”. Protestuesit pretendojnë se ndërtimi po kryhet mbi tokat e tyre, të cilat, ata thonë se janë përvetësuar përmes dokumenteve të falsifikuara.

“Shpifja, si instrument ndaj akuzave për korrupsion”

Në një koment për Citizens.al, kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj, tha se Bashkim Ulaj gëzon mbështetjen e mazhorancës, jo vetëm për çështjen e Rrjollit, por edhe për projekte të tjera.

Ai kujtoi rastin e tenderit Thumanë-Kashar, ku ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku ka përdorur shprehjen “po i bëjmë nderin e jetës”, në lidhje me dhënien e kontratës për kompaninë “Gener 2”.

Sipas tij, një pjesë e klasës politike është në mbrojtje të Ulajt, çka përforcon dyshimet për një rast tipik, “ku prona e qytetarëve të zakonshëm po përvetësohet nga aktorë me lidhje të forta politike”.

Ai shton se kallëzimet për shpifje përdoren si strategji për të zbehur denoncimet për korrupsion.

“Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste [Taulant Balla], sa herë që flas, më etiketon si shpifës dhe përmend kallëzimet për shpifje. Nuk kanë argument tjetër”, u shpreh Shehaj.

Deputeti Erald Kapri, gjithashtu përfaqësues i Mundësisë, argumentoi se vendosja nën presion e një deputeti për deklaratat publike në ushtrim të detyrës jep një sinjal të qartë për shoqërinë.

“Një veprim i tillë krijon efekt frenues ‘chilling effect’, mbi hapësirën publike: gazetarët, aktivistët dhe qytetarët e zakonshëm mund të vetë-censurohen nga frika e proceseve të gjata dhe të kushtueshme gjyqësore”, tha ai.

Në përmbyllje, ai theksoi se kallëzimi përputhet me një klimë presioni ndaj zërave kritikë dhe synon të kufizojë opozitën.

“Intimidimin nuk e njohim”

Palët e kallëzuara, avokati i banorëve të Rrjollit, Ndue Pjetra dhe protestuesi Prekë Molla, thanë se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre.

Avokati Pjetra e cilësoi kallëzimin “një autogol” nga ana e kompanisë, pasi sa i përket dyshimeve për falsifikim, pritet që Prokuroria e Shkodrës të kryejë aktin e ekspertimit.

“Janë caktuar dy prokurorë, dy oficerë të policisë gjyqësore dhe tre ekspertë”, shpjegoi ai duke nënkuptuar se nga ky proces pala paditëse do të dalë e humbur.

Prekë Molla, një nga protestuesit më të zëshëm të Rrjollit, u shpreh gjithashtu optimist për rezultatet e ekspertizës.

“S’e kuptoj ku qëndron shpifja, kur kam thënë se dokumentet janë të falsifikuara. Kjo është një e vërtetë që e di e gjithë Shqipëria”, theksoi ai.

Ai shtoi se punimet në terren po vijojnë me ritme të shpejta dhe se qëllimi, sipas tij, ka qenë përfundimi i ndërtimit dhe kalimi në një situatë faktike të atillë që të mos ketë kthime pas në anën juridike pas daljes së rezultateve të hetimeve.

“Punojnë çdo ditë, edhe në festa, për Pashkë, e Bajram, edhe të dielave, punojnë me qëllim që kur të dalin dokumentet, të thonë se ndërtimi ka përfunduar”, përmbylli Molla.

Lexoni gjithashtu:

The post Deputetë dhe banorë në gjyq: Rasti “Gener 2” ngre shqetësimin për presione appeared first on Citizens.al.

Konflikt për distancat e ndërtimit në Durrës

9 April 2026 at 17:21

Banorët e rrugës “Pavarësia”, në zonën e Plazhit në Durrës janë ende në pritje të një topografi, i cili duhet të përcaktojë nëse ndërtuesit e kompanisë “AKM Group” Shpk, po respektojnë distancëm e kantierit me pallatin ku ata jetojnë.

Konflikti midis ndërtuesit dhe banorëve ka nisur në 27 Mars, kur u vendos gardhi rrethues në kantierin e ndërtimit, ku pritet të ngrihet një pallat nëntëkatësh.

Shembja e murit ndarës

Banorët shprehen se pallati i tyre ka pasur goxha dëmtime nga tërmeti i 2019 siguria e shtëpive mund të rrezikohet nëse cenohen themelet nga gërmimi.

Më 31 Mars, kur Citizens ishte për herë të parë në terren, një mur e ndante kantierin e ndërtimit nga rruga që sipas banorëve, është pronë vetëm në shërbim të pallatit ekzistues dhe nuk është rrugë qarkullimi, pasi mbyllet me hekurudhën. Ata u shprehën se ndërtuesi fillimisht premtoi se nuk do të shembte murin ndarës.

“Ata zotërinjtë, erdhën këtu, na thanë që muri nuk do prishet, avllia nuk do preket me dorë. Ata na ruajtën dje, kur nuk kishte asnjë këtu, e shkatërruan” – tregon Floresha Vehapi. Sapo banorët konstatuan se po prishej muri, njoftuan Policinë dhe një pjesë e këtij muri ka mbetur e pashembur.

Avokatja Edlira Peku, njëkohësisht dhe banore e pallatit ekzistues shpjegon për Citizens se në mënyrë të kundërligjshme është shkelur prona e tyre. Ndërsa Agjencia e Zhvillimit të Territorit konfirmon për Citizens se rruga i takon në pronësi shtetit.

“Nga verifikimi i fragmentit të hartës kadastrale, kufitare nga ana lindore me pronën 45/10, ZK 8518 është pasuria me Nr. 47/66, ZK 8518, e llojit “Rrugë”, me pronar Republika e Shqipërisë” – citon AZHT.

Peku pretendon se AZHT-ja i referohet një prone tjetër dhe pasuria 47/66 sipas portalit “ASIG” (i cili paraqet të dhëna gjeohapësinore) nuk është rruga për të cilën diskutohet, por një pjesë tokësore te blloku gjelbër në Iliria (fizikisht përballë pallatit ekzistues të banorëve, por nga ana tjetër e rrugës).

Peku i tha Citizens se do të ndërmarrë një kallëzim penal ndaj AZHT-së për këtë adresim të gabuar të pasurive.

“Mosrespektimi i distancave vë në rrezik jetën e banorëve të pallatit, i cili ka 135 apartamente. Gjithashtu, në mënyrë të kundërligjshme po tentohet të merret hapësira e përbashkët e të gjithë banorëve. Kjo përbën një shkelje të rëndë të ligjit dhe nuk duhet të lejohet nga institucionet” – përmbylli Peku.

Në pritje të topografit

Më 8 Prill, banorët ishin që në orën tetë të mëngjesit në pritje të forcave policore dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT-së) Durrës, për të mësuar nëse prishja e murit dhe distancat ishin konform me lejen e ndërtimit, nga ku godina e re duhet të jetë 4.6 metra larg.

Leja e ndërtimit për objektin e ri është dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) më 25 qershor 2025. Ai po zhvillohet nga kompanitë “AKM Group” dhe “Bega-07” sh.p.k.

Citizens komunikoi me një nga ndërtuesit, pjesë e familjes Muçobega, të cilët thanë se godina e re do ta zbatojë këtë distancë dhe se nuk do ta cenojnë rrugën ekzistuese, madje do shtojnë dhe pjesë të gjelbëruar lulishteje. Ndërsa banorët nga ana tjetër u shprehën se ai jo vetëm nuk po respekton distancat por do të ketë hyrje të garazheve aty ku sot ata kalojnë lirshëm për të hyrë në pallatin ekzistues.

“Tek muri i prishur do vendos pilota nga 8 metra të thella për sigurinë e banorëve, sepse jam i pari që interesohem për këtë çështje” – tha përfaqësuesi i ndërtuesve.

Punonjësit e IMT-së të cilët mbërritën në terren rreth orës 11:30 thanë se nuk mund ta vlerësojnë me sy të lirë distancën dhe thirrën një topograf të bashkisë Durrës për matjet. Edhe pse ka kaluar më shumë se 24 orë, topografi ende nuk është paraqitur.

“Ne këtë shtëpi e kemi blerë me gjak trupi. Me pension jetojmë këtu, nuk jetojmë me drogë dhe pisllëqe” – u shpreh e revoltuar banorja Floresha Vehapi.

Banorët tregojnë se kanë tentuar disa herë të bisedojnë me ndërtuesin për të gjetur një rrugë të përbashkët, por jo vetëm që nuk kanë gjetur zgjidhje por dhe kanë përfunduar në komisariat policie.

Situata mbetet e paqartë deri në përfundimin e verifikimeve zyrtare dhe matjeve në terren nga autoritetet përkatëse. Ndërkohë, banorët shprehen të vendosur për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore në mbrojtje të të drejtave të tyre.

Lexoni gjithashtu:

“Rrezikon pallatin tonë”, banorët në Durrës kundër projektit të ri 9-katësh

The post Konflikt për distancat e ndërtimit në Durrës appeared first on Citizens.al.

Pas 28 vitesh refuzime, vjen “versioni socialist” i ligjit për referendumet

9 April 2026 at 16:35

Në Shqipëri e drejta për referendum rrjedh nga Kushtetuta, por ende mbetet një mekanizëm i papërdorur nga qytetarët. Ishte viti 1998, kur shqiptarët votuan për herë të fundit në një referendum dhe ky rast ishte për miratimin e Kushtetutës, ligjit më të lartë të Republikës.

Shkak për këtë boshllëk është bërë mungesa e rregullimeve ligjore që qartëson procedurat që do të mundësonin mbajtjen e referendumeve në nivelin qendror edhe lokal.

Në vitin 2015 Kuvendi miratoi ligjin 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, ku adresohet edhe mbajtja e referendumeve. Mirëpo, as ky ligj nuk detajon procedurat e mbajtjes dhe organizimit të referendumeve.

Ndër vite, mungesa e vullnetit politik ka vrarë një sërë nismash për ligjin mbi referendumet. Në 2013, Aleanca Kundër Importit të Plehrave, një grup aktivistësh e qytetarësh fituan të drejtën në Gjykatën Kushtetuese për të mbajtur referendum. Mirëpo, një valë protestash masive e detyruan qeverinë e re të socialistëve në atë kohë, të hiqte dorë nga importi i plehrave, duke e bërë të pakuptimtë mbajtjen e referendumit.

Projektligji dështoi 3 herë:

  1. Në vitin 2018 një projektligj “Për Referendumet” u krijua nga INFOCIP (Qendra për Çështjet e Informimit Publik) u depozitua në Kuvend nga deputetja Rudina Hajdari, por Kuvendi nuk e kaloi në fazë diskutimi.
  2. Në janar të vitit 2021, një grup qytetarësh dhe aktivistësh ndërmorën nismën për mbledhjen e 20 mijë firmave për të propozuar një ligj të ri për referendumet, por nuk rezultoi e suksesshme pasi nuk u arrit që të mblidheshin firmat brenda afatit të parashikuar.
  3. Në vitin 2023, pati sërish tentativa, ku juristi Ilir Aliaj bashkë me të tjerë kolegë hartuan një tjetër draft-ligj dhe e depozituan në Kuvend përmes deputetit Dashamir Shehi. Por, sërish kjo nismë nuk shkoi më tej.

“Rikthehet ligji për Referendumet, në versionin e Socialistëve”

Mazhoranca socialiste ka nxjerrë për konsultim një projektligj të ri për rregullimin e procedurave të referendumeve, pas refuzimit të njëpasnjëshëm të iniciativave të tjera.

Gjatë prezantimit, Taulant Balla theksoi se Kushtetuta parashikon referendum për ligje dhe për çështje të veçanta, ndërsa projektligji i ri i ndan ato në kushtetuese, të përgjithshme dhe vendore. Referendumet për çështje specifike do jenë konsultative dhe jo detyruese.

Ai shtoi se për ndryshimet kushtetuese kërkohet fillimisht një shumicë prej 2/3 në Kuvend, përpara votimit qytetar, ndërsa synohet edhe kufizimi i afateve të procedurave në maksimum 3 muaj.

Reagimet për projektligjin e referendumeve

Ndërsa projektligji pritet ti nënshtrohet konsultimit publik, shoqëria civile dhe partitë opozitare e kanë pritur me kritika.

Rigels Xhemollari nga organizata “Qëndresa Qytetare”, që ka ndërrmarrë ndër vite me dhjetëra peticione, shprehet për Citizens.al se ky projektligj e zhvesh në fakt qytetarin nga e drejta për të vendosur.

“Projekti i PS-së parashikon që nismën për referendum kushtetues mund ta marrë vetëm 2/3 e deputetëve dhe jo vetë populli”, argumenton Xhemollari.

Sipas tij, është e padrejtë që referendumet e përgjithshme dhe ato vendore të quhen të tilla.

“Në artikulimin e projekt-aktit ngjajnë më shumë si sondazhe qytetare të organizuara me para publike, pasi fuqia e qytetarëve do te jetë vetëm konsultative, pra jo vendimmarrëse”, u shpreh Xhemollari.

Të njëjtin mendim ndan edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, duke shtuar se vullneti i popullit përmes këtij mekanizmi mund të injorohet nga maxhoranca qeverisëse.

“Shtohet propozimi i referendumit konsultativ (këshillimor) i cili shërben vetëm si mjet për të matur opinionin publik, si një lloj sondazhi, përpara marrjes së vendimeve politike nga Kuvendi”, tha Muçi për Citizens.al.

Ndërsa për referendumin kushtetues, Xhemollari thotë se PS propozon si kriter votën e më shumë se 50% të qytetarëve me të drejtë vote.

“Ky parashikim bie ndesh me të dhënat faktike të pjesëmarrjes në zgjedhje, pasi sipas te gjitha analizave rreth 50% e zgjedhësve tashme jetojnë jashtë vendit”, argumenton ai.

Dorina Prethi, zëvendës kryetare e “Shqipëria Bëhet” tha për Citizens.al se çdo nismë për rregullimin e ligjit për referendumet është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të demokracisë direkte në vend, por thelbi duhet të jetë garantimi i vullnetit të qytetarëve.

“Nëse projektligji i propozuar nga mazhoranca nuk adreson sfidat si: pragjet e larta, procedurat burokratike dhe mungesa e garancive për administrim të paanshëm, atëherë ligji për referendumet rrezikon të mbetet një instrument thjeshtë formal”, u shpreh Dorina Prethi për Citizens.al.

Për deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ky projektligj nuk përbën ndonjë risi dhe as e zgjeron ligjin për referendumet si mekanizëm të ushtrimi të demokracisë së drejtpërdrejtë.

“Sipas këtij projektligji, iniciativa qytetare kufizohet vetëm te shfuqizimi i një ligji të caktuar, çka është një e drejtë që e njeh edhe Kushtetuta dhe nuk shtrihet te mundësia për të propozuar një ligji të ri”, argumenton Muçi.

Sipas tij, edhe për referendumin që kërkon shfuqizimin e një ligji është vendosur kusht që të marrin pjesë të paktën 40% e zgjedhësve të regjistruar.

“… çka është një shifër mjaft e lartë, e ngjashme me pjesëmarrjen e zakonshme në zgjedhjet e përgjithshme”, shprehet deputeti Muçi.

Erald Kapri, deputet i Partisë Mundësia tha për Citizens.al se deri më tani referendumi ka munguar pasi kushdo që ka qenë në pushtet ka dashur të mbajë sa më larg qytetarët nga vendimmarrja e rëndësishme.

“Referendumet janë forma më e lartë e demokracisë siç funksionon në shumë vende në Perëndim, por në Shqipëri është zvarritur pasi udhëheqësit politikë nuk kanë dashur kokëçarje në vendimmarrjet e tyre”, u shpreh deputeti Kapri.

Për të, pas kësaj nisme ka një prapavijë politike krejt tjetër.

“Hapja e kësaj teme nga maxhoranca lidhet tërësisht me betejën që ajo më drejtësinë. Ndaj çdo iniciativë ligjore që është propozuar nga ata lidhet vetëm me faktin se si të krijojnë barriera për të shpëtuar nga llogaridhënia për korrupsionin e gjithë këtyre viteve”, argumentoi Erald Kapri.

Sipas tij, ndryshimi i Kodit të Procedurës penale ku ministrat nuk mund të pezullohen nga gjykata, ulja e numrit të deputetëve, kanë si synim që Rama dhe të vetët të jenë të paprekshëm nga drejtësia.

“Të ndryshosh Kushtetutën me referendum është mision pothuaj i pamundur, por në fund, maxhoranca synon vetëm garanci ekstra ligjore për të mbijetuar politikisht”, deklaroi Kapri.

Për Dorina Prethin, shqetësim serioz është presioni mbi zgjedhësit në Shqipëri.

“Kur zgjedhjet shpesh shoqërohen me patronazhim politik apo presion administrativ, ekziston rreziku që i njëjti fenomen të transferohet edhe tek referendumet. Pa garanci të forta për votë të lirë dhe të fshehtë, edhe referendumi mund ta deformojë vullnetin e qytetarëve”, deklaroi Prethi.

Ndërsa nuk ngurron të përmendë faktin që ky projektligj është një nga shtyllat e programit të “Shqipëria Bëhet”.

“Një “falënderim” shkon për mazhorancën që po kujdeset të marrë në konsideratë idetë tona, ndoshta jo nga bindja, por nga nevoja për të ruajtur pushtetin me çdo kusht”, përfundoi Dorina Prethi.

Lexo gjithashtu:

The post Pas 28 vitesh refuzime, vjen “versioni socialist” i ligjit për referendumet appeared first on Citizens.al.

“Tirana Vertikale: Arkitektura e Pushtetit”, një dokumentar për modelin e zhvillimit

9 April 2026 at 11:59

Nëse do ta shikonim Tiranën si turistë, apo thjesht duke e vëzhguar nga lart, me gjasë se do ta perceptonim edhe ne si ai qyteti tipik në zhvillim.

Vija e drejtë e bulevardit qendror, që lartësohet nga kulla dhe plot projekte që premtojnë modernitet. Një panoramë zhvillimi që duket se të bind se ky qytet është tejet i jetueshëm.

Por qyteti nuk kuptohet nga qielli. Nuk kuptohet si vizitor. Ai lexohet në tokë, nga ata që e jetojnë çdo ditë, në rrugët që janë ngushtuar, hapësirat që janë zhdukur, ndërtesat e vjetra që nuk janë më dhe në historitë që janë fshirë për t’i hapur vend një tjetër vizioni.

Dokumentari “Tirana vertikale: Arkitektura e pushtetit”, nuk është thjesht një rrëfim për kullat. Është një dëshmi vizuale mbi mënyrën se si pushteti e ndryshoi kryeqytetin, dhe përmes tij, realitetin.

Ndryshimi u shfaq fillimisht si një vizion përmes Planit të Përgjithshëm Vendor “Tirana 2030,” i cili premtoi një qytet të balancuar: me hapësira publike, unaza të gjelbra, transport të organizuar dhe zhvillim të kontrolluar. Një shkëputje nga kaosi i së shkuarës nën tranzicionin pa rregulla.

Por zhvillimi real ndoqi një tjetër trajektore. Në vend të një qyteti të planifikuar, u materializua një qytet “i negociuar.” Një hapësirë ku plani u shkel vazhdimisht, rregullat u anashkaluan dhe zhvillimi u kanalizua drejt një modeli të vetëm: vertikalitetit.

Në një dekadë, mbi 140 projekte kullash u shqyrtuan ose miratuan. Miliona metra katrorë ndërtim kanë ndryshuar përfundimisht profilin e kryeqytetit duke bërë që të mbizotërojë një konfuzion i thellë: për kë u ndërtua ky qytet?

Doriana Musai, arkitekte dhe planifikuese urbane, na përcjell në disa pika kyçe të Tiranës, aty ku historia urbane është thyer ose transformuar.

Stadiumi Kombëtar, i kthyer në një model partneriteti publik-privat, ku funksioni publik duket gjithnjë e më periferik.

Piramida, një simbol i diktaturës që nuk u përball me të shkuarën, por u ripaketua në një formë të re, pa e zgjidhur konfliktin e saj historik.

Teatri Kombëtar, i shembur në mënyrë brutale, në një moment që ndryshoi raportin mes qytetarëve dhe pushtetit. Të tria, ndonëse të ndryshme, tregojnë të njëjtën logjikë: transformim, privatizim ose zhdukje në funksion të një zhvillimi që e shpërfilli publikun.

Ervin Goci, pedagog i komunikimit, prej vitesh aktivist i çështjeve publike, ndalet te sheshi “Skënderbej” për ta treguar atë jo si një histori suksesi urban, por si një mekanizëm, sipas së cilit u ushqyen më tej projektet e kullave.

Një hapësirë që krijon iluzionin e frymëmarrjes, ndërkohë që përreth saj u ndërtua dhe po vijohet të ndërtohet në densitet ekstrem. Sheshi u kthye në një skenë ku ekspozohen kullat, ndërsa qytetarët u detyruan të zhvendosen në periferi të vetë përvojës urbane.

Një ndryshim i heshtur, por thelbësor ku qyteti nuk u organizua më për njerëzit, por për të mbështetur një model zhvillimi që justifikoi edhe flukse buxhetesh që në rrethana dhe kontekste të tjera nuk do të mund të ishin justifikuar.

Historia e një qyteti nuk zhduket vetëm duke shembur godinat historike të saj, por edhe duke i transformuar ato. Ndërtesat humbasin identitetin, funksionet ndryshojnë, dhe me kalimin e kohës qyteti fillon të harrojë vetveten.

Në këtë proces, arkitektura nuk është më thjesht procesi i ndërtimit, por kthehet në instrumentin e pushtetit, komunikimit dhe kontrollit.

Prof. Dr. Nebi Bardhoshi sjell një rrugëtim antropologjik të projektit në tentativë të “Bulevardit të Ri”, ku analizon sesi shoqëria dhe kontekstet sociale të zonave të ndryshme të Tiranës u shpërfillën dhe anashkaluan nga interesat e ndërtimit.

Mungesa e lidhjeve të forta komunitare bëri që rastet e xhentrifikimit si te 5 Maji; Unaza e Madhe; Kombinati; Shkoza etj. të kaloheshin pa një analizë dhe kuptim të thellë shoqëror.

Dokumentari nuk jep një përgjigje të thjeshtë, por lë një pyetje të hapur: Çfarë është Tirana sot? Një qytet i qytetarëve? I turistëve? Apo i atyre që e ndërtojnë dhe e tregtojnë atë?

Mes kullave, hapësirave të mbetura dhe kujtesës që zbehet, mbetet një realitet më kompleks se çdo render apo projekt. Një qytet që duhet kuptuar përpara se të jetë shumë vonë për ta ndryshuar dhe korrigjuar atë.

Kliko këtu për të lexuar versionin e transkriptuar të dokumentarit.

Shiko gjithashtu:

The post “Tirana Vertikale: Arkitektura e Pushtetit”, një dokumentar për modelin e zhvillimit appeared first on Citizens.al.

Krimet mjedisore në Shqipëri: Shumë shkelje, pak ndëshkime

9 April 2026 at 11:42

Krimet mjedisore në Shqipëri po shtrihen në përmasa të gjera, ndërsa ndëshkimi i tyre mbetet sporadik dhe i dobët. Raportet tregojnë një zinxhir institucionesh të fragmentuara, me mungesë koordinimi dhe kapacitete të kufizuara për hetim dhe ndjekje penale.

Në praktikë, shkeljet evidentohen, por rrallë përkthehen në dënime efektive apo rikuperim të dëmit. Kjo krijon një klimë pandëshkueshmërie që po nxit vazhdimësinë e dëmtimit të mjedisit.

Sipas një serie raportesh të publikuara nga Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri (REC Albania), mbi rolin e organeve administrative në drejtësinë mjedisore dhe të Policisë së Shtetit, në kuadër të projektit EJA (Environmental Justice Albania), financuar nga BE-ja, problemet përfshijnë ndotjen nga mbetjet urbane dhe industriale, derdhjen e ujërave të zeza, degradimin e tokës dhe erozionin e lartë që prek deri në 36% të territorit.

Pyjet janë ndër sektorët më të goditur. Në dy dekadat e fundit, vendi ka humbur rreth 300 mijë hektarë pyje, ndërsa prerjet tejkalojnë disa herë ritmin e rigjenerimit natyror.

Zjarret, ndërkohë, kanë shkaktuar dëme masive, me mbi 456 hektarë të djegur dhe humbje ekonomike prej 2.6 milionë eurosh.

Sipas Mihallaq Qirjos, drejtues i REC Albania, mungesa e drejtësisë mjedisore është një problem strukturor në të gjithë zinxhirin institucional, nga agjencitë ligjzbatuese te policia dhe deri te gjykatat.

“[…] problematika lidhet me kapacitetet tejet të kufizuara njerëzore, mungesën e specializimit për çështjet mjedisore brenda institucioneve të drejtësisë dhe fragmentarizimin e roleve dhe përgjegjësive institucionale”, tha Qirjo.

Reforma me konfuzion dhe ndëshkimet e kufizuara

Një nga problemet kryesore që evidenton raporti është mënyra si janë organizuar institucionet.

Deri në vitin 2019, Inspektorati Shtetëror për Mjedisin, Pyjet, Ujin dhe Turizmin (ISHMPUT) kishte kompetenca të qarta dhe raportim të rregullt. Pas reformës, ky institucion u shpërbë dhe kompetencat u ndanë mes 5 agjencive dhe inspektorate:

Agjencia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura (AKZM), Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP), Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB) dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT).

Sipas raportit, kjo solli mbivendosje kompetencash, paqartësi përgjegjësish dhe mungesë koordinimi institucional.

Përgjatë viteve 2014-2019, Inspektorati i Mjedisit dhe Pyjeve dhe ISHMPUT vendosën 1,329 gjoba me vlerë rreth 6.2 milionë euro, dhanë 104 paralajmërime dhe pezulluan aktivitetin në 277 raste.

Por, sipas raportit, inspektimet kanë qenë sipërfaqësore dhe në shumicën e rasteve nuk janë plotësuar procesverbalet.

“Referuar të dhënave për arkëtimin e gjobave nga shoqëritë përmbarimore (rreth 11.4%), konstatojmë se sistemi nuk ka funksionuar, pasi është humbur përgjegjësia dhe interesi nga të dy palët”, theksohet në raport.

Për gjobat e vendosura nga AKM nuk ka statistika të sakta mbi vjeljen, pasi proceset janë zgjatur dhe shumë pak gjoba janë arkëtuar.

“Referuar edhe raporteve të KLSH, vetë raportet nuk i referohen gjobave të trashëguara nga ISHMPUT deri në vitin 2019”, thuhet më tej në raport.

Për vitet 2014-2024, vlera e pa-arkëtuar e dëmeve nga kundërvajtjet administrative në pyje dhe zona të mbrojtura arrin në 12,025,748,000 lekë (rreth 122 milionë euro).

Qirjo thekson për Citizens.al se vonesat shumëvjeçare në ndëshkim dhe vjeljen e gjobave japin një mesazh të gabuar dhe nuk ndihmojnë në parandalimin e dëmeve.

“Veprat penale kundër mjedisit kërkojnë reagim të shpejtë për mbledhjen e provave dhe ndalimin e dëmeve për kundërvajtje të tjerë, si në rastet e zjarrvënieve, gërmimeve në lumenj, vrasjes së kafshëve, apo hedhjes së mbetjeve”, tha ai.

Raporti evidenton gjithashtu se 61 subjekte që operojnë në fondin pyjor dhe kullosor (si hidrocentrale, miniera gurore etj) kishin detyrimin të pyllëzonin 1,880 ha dhe të përmirësonin 360 ha kullota. Por që institucionet nuk i kanë kontrolluar këto subjekte dhe nuk kanë informacion nëse detyrimet e tyre janë përmbushur.

Krimet mjedisore jashtë radarit të policisë

Kodi Penal përfshin 19 vepra penale kundër mjedisit, por numri i rasteve të trajtuara dhe i dënimeve mbetet i ulët.

Këto përfshijnë ndotjen e ajrit, ujërave dhe tokës, prerjen e paligjshme të pyjeve, transportin e mbetjeve dhe trajtimin e lëndëve radioaktive.

Sipas raportit, gjatë viteve 2019-2023 janë regjistruar 30-90 raste në qarqe si Elbasani, Korça dhe Tirana.

Megjithatë, edhe pse zbulueshmëria ka qenë relativisht e lartë, arrestimet kanë qenë të pakta dhe shumica e rasteve janë trajtuar me procedim në gjendje të lirë.

Në Korçë, sipas raportit, për vitin 2023 pati 92 raste dhe vetëm një arrestim çka tregon “për një sistem që funksionon në letër, por jo në praktikë”.

Ndërkohë, prerja e paligjshme e pyjeve mbetet vepra më e shpeshtë: 68% në Elbasan, 82% në Korçë dhe 53% në Tiranë.

Pas saj renditen ndotja (17%), prerja e drurëve dekorativë e frutorë (6%) dhe zjarrvëniet (2%).

Nga tre qarqet e analizuara (Tiranë, Elbasan, Korçë), Korça rezulton se ka pasur përqendrimin më të lartë të veprave penale në raport me popullsinë.

Nga ana tjetër raporti thekson se krimet mjedisore nuk trajtohen si prioritet strategjik në politikat e sigurisë. Ai vë në dukje se në strategjitë 2019-2024 të Policisë së Shtetit mungojnë objektiva dhe burime për këtë fushë.

Sipas Qirjos, reagimi i ulët qytetar lidhet me mungesën e besimit te institucionet. Ai mori si shembull përvojën e shkuar me “Komisariatin Digjital”, ku sipas tij qytetarët reagonin kur kanali i komunikimit ekzistonte.

“Njohja me veprat penale për mjedisin është detyrë në vijimësi për të ngritur ndërgjegjësimin dhe nxituar reagimin qytetar, ndonëse vetë dhënia e drejtësisë mjedisore përmes ndëshkimit dhe rikuperimit të dëmit janë mjetet më të mirë ndërgjegjësues”, përfundon Qirjo.

Ajo çfarë vihet re në radhët e policisë është edhe mungesa e një personeli të trajnuar për hetimet e krimeve mjedisore.

“Oficerët veprojnë me njohuri të përgjithshme dhe pa mjete teknike për provë. Mungojnë laboratorë, mjete matëse dhe trajnime të vazhdueshme, çka bën që edhe kur ka vullnet, hetimi të mos mund të çojë në rezultat penal”, theksohet në raport.

Lexoni gjithashtu:

The post Krimet mjedisore në Shqipëri: Shumë shkelje, pak ndëshkime appeared first on Citizens.al.

“Ligj me porosi” edhe për Jared Kushner?

8 April 2026 at 12:33

Rasti i projektit të Jared Kushner për ishullin e Sazanit po konsolidohet gjithmonë e më shumë si precedent i qartë për mënyrën sesi qeveria rishkruan ligjet dhe procedurat në shërbim të një investitori privat.

Deklaratat e fundit të deputetes socialiste të Vlorës, Zamira Sinaj, në Komisionin Parlamentar për Turizmin e bëjnë këtë realitet të pamohueshëm.

Ajo pranoi hapur se ndryshimet ligjore të propozuara prej saj, më 6 shkurt, në ligjin për portet turistike ishin në fakt një lloj “ligji me porosi” që favorizojnë investimin e Kushnerit. Sipas saj, nëse ky ligj nuk ndryshohej ashtu siç e kishte propozuar, dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump do të tërhiqej nga Sazani.

Në të njëjtën kohë, Sinaj tha se qeveria po shqyrton shtyrjen për herë të shtatë të ligjit për investimet strategjike – një instrument që në vitin 2015 u tha se do të ishte i përkohshëm, por që dhjetë vite më pas po rezulton të jetë një mekanizëm i përhershëm favorizimi.

Këto dy zhvillime, dhe fakti i bërë më herët publik nga Citizens.al se negociatat për Sazanin duhej të ishin përmbyllur më 13 nëntor 2025 dhe kanë vijuar përtej çdo afati formal, pa transparencë dhe pa konkurrencë, tregojnë për një politikë favorizuese për Jared Kushner, por edhe betonizuesit e tjerë të mëdhenj të bregdetit.

Nga mungesa e garës te eliminimi i saj me ligj

Që pasi Kushner e prezantoi publikisht projektin pranverën e vitit 2024, propozimi i tij është karakterizuar nga mungesa e transparencës dhe konkurrencës. Për ishullin nuk u hap asnjë thirrje ndërkombëtare dhe nuk pati asnjë garë alternative.

Por zhvillimi i fundit shënon përthellim të mëtejshëm.

Propozimi i Sinajt – ish-dekane e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Ismail Qemali, Vlorë – synon që, në rastet kur një investim ka status “strategjik”, portet turistike që janë pjesë e tij të mos kalojnë më në procedura konkurruese, apo koncesioni, por të ndërtohen dhe operohen drejtpërdrejt nga investitori.

Pra investitori strategjik të marrë automatikisht të drejtën dhe pronësinë e porteve dhe madje kushtet e kontratave për to të mos përcaktohen më me ligj, por me vendime qeverie (VKM).

Në thelb, kemi një zhvendosje nga mungesa e konkurrencës në praktikë te eliminimi i konkurrencës me ligj.

Relacioni shpjegues i projektligjit të Sinajt e bën të qartë natyrën e këtij ndryshimi.

Së pari, ajo pranon se ky propozim nuk synon përafrim me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Me këtë nënkuptohet se synon shmangien e standardeve dhe procedurave ligjore që garantojnë konkurrencën dhe menaxhimin transparent të aseteve publike.

Së dyti, ish-dekania e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Vlorës thotë në relacion se ndryshimet e propozuara nuk sjellin asnjë të ardhur shtesë për buxhetin e shtetit.

Nga procedurat sesi e parashikon ligji aktual, dhënia e porteve përfshin tarifa, koncesione ose ndarje fitimi me formula ortakërie, dhënie me qira apo përdorim të përkohshëm. Këtu, këto mekanizma zhduken dhe praktikisht portet falen.

Së treti, vetë relacioni e pranon që synimi është krijimi i një “trajtimi të veçantë” për investitorin. Pra, kemi një model ku hiqet konkurrenca, hiqet përfitimi për shtetin dhe legjitimohet privatizimi me trajtim preferencial.

Në praktikë, këto ndryshime i japin investitorëve jo vetëm tokën dhe plazhin, por tashmë edhe detin.

Ku mendohet se përfiton Kushner?

Përmes ndryshimit të kërkuar “privatët strategjik” marrin automatikisht edhe detin. Në rastin e propozimit të Kushnerit, ai do të përfitojë portin e vetëm që ka Sazani, atë në Gjirin e Shënkollës, i cili ka mbajtur rëndësi ushtarake.

Pamje nga porti ushtarak në Gjirin e Shënkollës, Sazan/Citizens.al

Nëse projekti do të shtrihet edhe në Zvërnec, sipas ideve të bëra publike më herët (edhe pse zyrtarisht nuk ka asnjë aplikim dhe status për të) ndryshimet ligjore të propozuara do t’i mundësonin Kushnerit ndërtimin e një porti të dytë, duke krijuar një linjë kontrolli mbi aksesin detar në veri të Gjirit të Vlorës.

Kjo përkthehet në kontroll mbi infrastrukturën turistike portuale, aksesin në vijën bregdetare dhe në praktikë, privatizim të hapësirës detare.

Kjo është një praktikë e qartë e kapjes së procedurave. Nuk bëhet më fjalë për interpretime të favorshme të ligjeve ekzistues, por për rishkrime të shoqëruara me zgjatjen e ligjit për investimet strategjike.

Ky ligj u prezantua si instrument i përkohshëm në vitin 2015. Por në praktikë, gjatë kësaj dekade ai është përdorur për të krijuar një regjim të qëndrueshëm “investitorësh të përzgjedhur” kryesisht nga afërsia me qeverinë.

Rasti i Sazanit nuk është i izoluar, por tregon edhe një herë marrëdhëniet selektive të shtetit shqiptar me investitorët, me procedura që anashkalohen, ligje që tjetërsohen dhe asete që privatizohen pa garë, transparencë dhe konsensus publik.

Lexoni gjithashtu:

The post “Ligj me porosi” edhe për Jared Kushner? appeared first on Citizens.al.

Kriza në bujqësi, fermerët protestojnë: “Nuk duam të emigrojmë!”

7 April 2026 at 16:02

Të revoltuar nga mungesa e një skeme reale të mbështetjes për sektorin e tyre, fermerë dhe blegtorë nga i gjithë vendi protestuan sot përpara Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

“Njoftoj të gjithë bashkëvuajtësit që të protestojmë për situatën që kemi aktualisht në blegtori, që të marrin pjesë për punën që kanë ngritur me aq mund dhe për familjet e tyre,” shkruante në rrjetet sociale fermeri Dashamir Çela, duke paraprirë protestën.

“Bojkotoni ushqimin serb!”, “Formalizoni tregun e bulmetit!”, “Nuk duam të emigrojmë!” ishin disa nga pankartat që mbanin protestuesit në duar. Sapo u mblodhën përpara ministrisë, ata kërkuan që ministri Andis Salla të zbriste për një takim me ta.

Salla iu përgjigj pozitivisht, ngjashëm si dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, të cilët kërkuan një takim me një grup përfaqësues prej dhjetë personash.

Syria Metushi tha për Citizens se fermerët nuk mund të trajtohen më si një kategori e paarsimuar, të cilëve u thuhet se nuk dinë as si të aplikojnë për skema mbështetjeje.

“Javën që shkoi isha në Itali dhe nafta për bujqësinë ishte 70 cent, ndërsa këtu është 230 lekë. Me çfarë do paguajmë më ne?” u shpreh i revoltuar ai.

Blegtori Elton Ndoni theksoi se pritja për skemën e bujqësisë tashmë është bërë e përvitshme dhe është humbur besimi se ajo mund të realizohet edhe për këtë sezon.

Ndërsa fermerët pensionistë u shprehën se e kanë të pamundur të vazhdojnë aktivitetin, pasi fitimet e tyre janë thuajse zero për shkak të çmimeve aktuale në vend.

“Ka qenë 80 lekë, tani ka rënë në 50 lekë litri i qumështit. Nafta është rritur shumë. Pensionet janë shumë të ulëta. Çfarë pensioni kam? 170 mijë lekë marr,” tha Shefqet Gjura për Citizens.

Në fund të takimit me përfaqësues të institucioneve, fermerët u shprehën se Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave kanë premtuar se do të rishikojnë një pjesë të kërkesave për subvencione.

“Të shohim nëse do të vlerësohen për krerë apo për litër, që të jemi në përputhje me direktivat e BE-së,” tha pas takimit Klajdi Myzaferaj.

Gjithashtu, ai shtoi se është diskutuar që produkteve të qumështit dhe nënprodukteve të tij t’u vendoset etiketë dhe të specifikohet nëse janë vendase apo të importuara.

“Folëm edhe për rivendosjen e taksave për vajin e palmës, hirrën e djathit dhe qumështin pluhur,” përmbylli fermeri Myzaferaj.

Fermerët theksuan se, nëse këto premtime do të mbeten vetëm në letër, do të përshkallëzojnë protestën dhe herën tjetër do të nxjerrin bagëtitë përpara ministrive.

Lexoni gjithashtu:

The post Kriza në bujqësi, fermerët protestojnë: “Nuk duam të emigrojmë!” appeared first on Citizens.al.

“Puna me detyrim” rrudh aplikimet për mjekësi, përgjysmohen kërkesat

6 April 2026 at 16:28

Verën e vitit 2023, teksa Paula Brusha përgatitej për të marrë pjesë në konkursin e mjekësisë, qeveria propozoi një ligj të ri që i detyronte studentët e mjekësisë të punonin 5 vite në Shqipëri pas diplomimit.   

Pavarësisht se ajo ishte nxënëse ekslente, e reja tregon se një lajm i tillë “e trazoi”, edhe pse ajo përpiqej të përqendrohej tek konkursi.

“Ishte vonë për ne, sepse i kishim përfunduar provimet e maturës shtetërore dhe e kishim bërë zgjedhjen tonë,” kujton Paola, tashmë studente e vitit të tretë për mjekësi.

“Po mësonim për konkursin. Nuk kishim zgjidhje tjetër në atë moment, ndaj përpiqesha të fokusohesh vetëm tek konkursi dhe të shmangja çdo lajm të tillë”,

Projektligji u mbante “peng” diplomën mjekëve të rinj, me kushtin që ata të punojnë 5 vite në Shqipëri. Kjo ndërhyrje e re ligjore u prit me protesta të forta nga studentët dhe grupet e interesit.

Sipas ligjit nëse studentët nuk pranonin kushtet e vendosura nga ligji, duhet të paguanin një tarifë shkollimi prej 240 mijë lekësh në vit – rreth 2,500 euro.

Ligji hyri në fuqi në gusht të atij viti mes kundërshtive të forta, por në janar 2024 Gjykata Kushtetuese pranoi ankesën e një grupi studentësh dhe shfuqizoi pjesërisht punësimin e detyruar në vend duke e zbritur në një vit, dy dhe tre vite për studentët e vitit të parë.

Megjithatë kjo fitore nuk i kënaqi studentët, të cilët nuk janë dorëzuar. Ato e kanë dërguar ligjin në gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg.

“Është cenim i lirisë për të vendosur për të ardhmen tonë”, thotë Olta Shehu një ndër studentet protestuese, që po ashtu bën pjesë në grupin që e dërguan ligjin në Strasturg.

“Pra ligji kërkon që ne të vendosim për 10 vitet e ardhshme, kur ti je vetëm 18 vjeç. Është absurde dhe e padrejtë, nuk mund të mbash peng të ardhmen kështu”, argumenton Paola, e cila në këtë rast i referohet 5 viteve të shkollimit që zgjat mjekësia plus 5 vite të tjera punë me detyrim.

Ligji parashikonte të kishte kufizime jo vetëm për ata që aspironin të nisnin atë vit mjekësinë, por edhe për ata që i kishin nisur studimet.

Të dhënat e mbledhura nga Citizens dhe intervistat me studentë të mjekësisë, dëshmojë se kufizimet e vendosura në këtë ligj kanë rrudhur numrin e të rinjve që aplikojnë për mjekësi.   

Për Paolën mjekësia është ëndrra e jetës dhe do ta ndiqte me çdo kusht, por ajo shpjegon se shumë të rinj të tjerë do të ishin menduar më gjatë nëse do të ishin në dijeni të këtij “kushti”.

“Ka shumë studentë në kursin tonë, që nëse do ta dinin më parë këtë kusht, do të ishin menduar më gjatë ose nuk do ta kishin nisur fare mjekësinë”, thotë Paola.

Rrudhen aplikimet për mjekësinë

E konsideruar një ndër degët që mbledh maturantët më të mirë dhe që ka numrin më të lartë të aplikimeve, edhe mjekësia po bie në preferencat e maturantëve.     

Hyrja në fuqi e ligjit që i detyron studentët e mjekësisë të punojnë 3 vite pas diplomimit, atje ku do të ketë nevojë vendi, ka tkurrur edhe numrin e të rinjve që aspirojnë të veshin bluzën e bardhë.

Të dhënat e hulumtuara nga Citizens, por edhe shifrat e studimit “Arsye për të qëndruar” nxjerrin në dritë se megjithëse është shtuar numri i kuotave për mjekësinë, numri i aplikimeve për këtë profil po ndjek një traktore në rënie.

“Fuqizimi i sistemit shëndetësor nëpërmjet fuqizimit të mjekëve të rinj në Shqipëri”, një studim i realizuar nga Xheni Borakaj dhe Ilir Alimehmeti, që ka hulumtuar arsyet se përse largohen mjekët dhe të rinjtë e diplomuar për mjekësi ka gjetur një lidhje të drejtpërdrejtë mes këtij ligji të ri dhe aplikimeve për në universitetin e mjekësisë. 

Një nga elementët e hulumtuar është edhe prirja e përzgjedhjes së kësaj dege nga maturantët për vitet 2018-2023.

Të dhënat dëshmojnë se që pas hyrjes në fuqi të ligjit në vitin 2023, interesi për këtë degë pothuajse është përgjysmuar.

Kështu nëse për vitin akademik 2018-2019 janë futur në garë rreth 2,900 të rinj për 260 vende, në vitin 2023-2024 ky raport ishte 1,800 studentë për 400 vende.   

I njëjti trend rënës ka vijuar edhe në vitet e mëpasshme.

Në vitin 2024-2025, 1,202 të rinj garuan për 500 vende, ndërsa në vitin 2025-2026 në konkursin e mjekësisë morën pjesë 1200 të rinj për 436 kuota që kishin në dispozicion.

Pra nëse në vitin 2018, garuan 11 të rinj për një vend pranimi në universitetin e mjekësisë, në vitin 2025 kjo shifër ra me 4 herë më pak, ose vetëm 2.7 kandidatë për 1 vend pranimi.

“Ka ndikuar ndjeshëm në numrin e të rinjve që duan të ndjekin mjekësinë dhe kjo nuk është shenjë e mire, pasi vendi ynë edhe aktualisht po përballet me emigracionin e bluzave të bardha”, thotë Ilir Alimehmeti, një nga autorët e këtij studimi, njëkohësisht edhe pedagog pranë universitetit të mjekësisë.

Sipas tij ndikimi ka qenë i menjëhershëm, ende pa hyrë në fuqi.  

“Kjo do të thotë se mund të ketë një rënie të cilësisë së studentëve që regjistrohen në këtë program studimi”, thotë ai.

Gent Stroni, kreu i sindikatës së punonjësve të shërbimit shëndetësor, që ka mbështetur studentët që në fillimet e kësaj kauze, thotë se mjekët nuk mund të “mbahen me zor”, por të ofrohen politika mbështetëse që i joshin të rinjtë për të qëndruar.

“Duhet të ketë më shumë politika mbështetëse. Ta zëmë nëse një mjek do vendoset të punojë në Has: përveç bonusit dhe kushte të denja për të ushtruar profesionin, duhet të ketë edhe lehtësi të tjera. Ta zëmë t’i ofrohet një banesë falas apo me kredi të butë që ai në fund të kësaj kontrate të bëhet edhe me shtëpi,” thotë Stroni.

“Ta garantojë, nëse do të kishte këto lehtësi unë i pari do të shkoja të punoja atje”, vijon ai.

Mjekësia, punë me detyrim

Olta Shehu ndjek vitin e pestë të studimeve për mjekësi e përgjithshme. Sipas ligjit, pas përfundimit të studimeve të larta ajo do të bëjë edhe një vit punë “të detyrueshme” në Shqipëri.

“Ne mund ta konsiderojmë veten me fat, pasi do të punojmë vetëm një vit, por vitet e tjera do të punojnë 3 vjet me detyrim,” thotë Olta.

Ajo tregon se mjaft studentë në grupin e saj nuk do ta kishin nisur mjekësinë po ta dinin një gjë të tillë.

“Ka shumë studentë që janë zhgënjyer, qoftë edhe nga grupi im që do të bëjmë vetëm një vit punë të detyruar,” shprehet ajo.

“Unë do të doja që të nisja specializimin jashtë, kurse tani do të më duhet të qëndroj edhe një vit”, thotë Olta.

Zhgënjyese duket situata edhe për studentët e vitit të tretë të mjekësisë, vit në të cilin ndjek studimet Paola Brusha   

“Ka mjaft të zhgënjyer, kanë investuar gjithë jetë për të mbërritur deri tek këtu dhe pastaj detyrohen të punojnë ku ti caktojnë”, thotë ajo.      

Për Oltën shqetësues është edhe fakti se mungon transparenca dhe ka paqartësi se si do të funksionojë i gjithë procesi.

“Na kërkohet të rrimë me detyrim, por ne ndërkohë nuk dimë asgjë se si do të funksionojë procesi. As se si do të bëhet shpërndarja, as se si do të përcaktohet se kush do të punojë ku… pra nuk ka transparencë dhe sigurisht që kjo rrit pasigurinë dhe ul besimin se nuk do të ketë shpërndarje preferenciale.”

Edhe Gent Stroni e vë theksin tek mungesa e transparencës, dhe mungesën e rregullave të lojës se si do të bëhet shpërndarja e mjekëve të rinj. Në të kundërt, thotë ai “gjithë procesi rrezikon të dështojë në misionin që ka marrë përsipër”.

“Ne kemi nevoja të theksuara për mjekë dhe ka zona të tërë të pambuluara, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe ccdo hap të jetë transparent, duke mbyllur shtigjet që të zgjidhen “me mik“ mjekët e rinj që do të shërbejnë në Tiranë dhe të tjerët të degdisen në zonat më të largëta. Pra rregullat e lojës duhet të jenë të qarta,” thotë Stroni.

Shqipëria, më pak mjekë në të gjithë rajonin

Megjithëse diplomon çdo vit qindra mjekë të rinj, Shqipëria renditet e fundit në Evropë për numrin e mjekëve në raport me popullsinë. Sipas të dhënave të Organizatës botërore të Shëndetësisë Shqipëria ka 18.8 mjekë për 10 mijë banorë.

Po ashtu Shqipëria është i vetmi vend që nuk i ka përditësuar të dhënat dhe shifrat e raportuara i takojnë vitit 2020. Sipas të njëjtit raport, fqinjët tanë në Malin e Zi në vitin 2024 kanë raportuar 27.8 doktorë për 10 mijë banorë; Maqedonia e Veriut raporton 29.44 mjekë për 10 mijë banorë, Serbia raporton 32.1 mjekë për 10 mijë banorë, ndërsa rekordi mbahet nga Greqia që raporton se  67.1 mjekë për 10 mijë banorë.

Ekspertët thonë se emigracioni i lartë në radhët e bluzave të bardha, ka përkeqësuar këtë tregues. Për Gent Stronin nëse nuk bëhet një ndërhyrje serioze dhe kapilare, asnjë politikë detyruese nuk do ta zbusë dot braktisjen e sistemit shëndetësor.

“E dini se çfarë po ndodh aktualisht? Po marr Gjermaninë, që është njëri ndër vendet që ka më shumë interes për mjekë dhe infermierë, ndërsa ato rrinë dhe përmbushin detyrimet me shtetin shqiptar po u paguan kursin e gjuhës së huaj, në mënyrë që kur të shkojnë në gjermani ta kenë të mësuar gjuhën. Kështu që pavarësisht se çfarë ligjesh do të hartojnë, nëse nuk shoqërohen me politika mbështetëse, nuk do të arrijmë ti mbajmë brenda vendit mjekët dhe infermierët e rinj”, thotë Stroni.

Edhe Ilir Alimehmeti ndan të njëjtin opinion kur thotë se duhen gjetur mekanizmat për të mbajtur bluzat e bardha brenda sistemit shëndetësor shqiptar.

“Largimi i mjekëve është një plagë që prekur sistemin shëndetësor prej vitesh. Kambanat e alarmit kanë rënë, ndaj duhet ndërhyrje me politika konkrete dhe jo me ligje detyruese, që e zgjidhin situatën për një periudhë afatshkurtër Ne kemi nevojë për zgjidhje afatgjata dhe për mjekë në çdo cep të vendit”, thotë Alimehmeti.

Olta Shehu ende është e dyzuar se për çfarë do ta nisë specializimin. Megjithatë ajo është e vendosur që këtë program do ta vazhdojë jashtë vendit, për shkak se beson se cilësia e studimeve është “vite drite larg”.

“Ne ende mësojmë me tekste të 80-ës, dhe ndaj dëshira ime është që të mund të vijoj specializimin jashtë. Do të mbaroj këtë vitin me detyrim dhe do të iki,” përfundon e reja.

The post “Puna me detyrim” rrudh aplikimet për mjekësi, përgjysmohen kërkesat appeared first on Citizens.al.

Hulumtim: Drini i Bardhë, vendgrumbullim i “lëvizshëm” mbeturinash 

2 April 2026 at 13:26

Lumi Drin i Bardhë po shndërrohet në një “vendgrumbullim të lëvizshëm” mbeturinash, pasi ndotja nga mbetjet urbane dhe ujërat e zeza transportohet përgjatë rrjedhës së tij.

Sipas raportimit, mbeturinat hidhen në pika të ndryshme, por për shkak të rrjedhës së lumit ato grumbullohen dhe zhvendosen vazhdimisht, duke krijuar zona të ndotura përgjatë gjithë shtratit. Banorët dhe aktivistët lokalë theksojnë se kjo situatë vazhdon prej vitesh dhe lidhet me mungesën e menaxhimit të mbetjeve dhe shkarkimet e pakontrolluara.

Ndotja ka pasoja të drejtpërdrejta për mjedisin dhe shëndetin, duke dëmtuar ekosistemin e lumit dhe duke rrezikuar përdorimin e ujit për bujqësi apo aktivitete të tjera. Megjithëse ka shqetësime dhe reagime nga komuniteti, ndërhyrjet institucionale konsiderohen të pamjaftueshme për të ndalur degradimin e vazhdueshëm të lumit.

Lexo hulumtimin në shqip:

Lexo hulumtimin në anglisht:

The post Hulumtim: Drini i Bardhë, vendgrumbullim i “lëvizshëm” mbeturinash  appeared first on Citizens.al.

Mes fitimit dhe natyrës: Dilema e aktiviteteve ujore në Vjosë

1 April 2026 at 12:42

Autor: Prof. Aleko Miho | Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës

Këto ditë bëri bujë në rrjete dhe media ndërhyrja e policisë për ndalimin e lundrimit në Vjosë, tentuar jashtë afatit të paravendosur nga ekspertët në Planin e Menaxhimit (PM) të Parkut (1 maj-15 tetor). Edhe mua nuk më pëlqeu një gjë e tillë. 

Reagimit të operatorëve të rafting, Ministria e Mjedisit, në një takim urgjent me palët, vendosi ta shtrijë këtë aktivitet për një periudhë më të gjerë vjetore, 1 prill deri 30 nëntor.

Pak javë më parë, si ekspertë vendas dhe të huaj, u ftuam të njiheshim me kërkesat e federatës dhe subjekteve të këtij aktiviteti ujor dhe të jepnim mendime për mundësinë e rishikimit të kufizimeve në Planin e Menaxhimit, nën ftesën e IUCN dhe të Administratës së Parkut.

Uroj që këshillimet tona të jenë pasur parasysh në vendimmarrjen nga ana e Ministrisë së Mjedisit, edhe pse nuk vura re të ishte i pranishëm ndonjë nga ekspertët e hidromorfologjisë dhe ekologjisë lumore.

Le të theksoj që në fillim se ekspertët dhe përvoja në mbarë botën nuk janë kundër aktiviteteve ujore, por sa më të kufizuara dhe të kontrolluara të jenë ato, aq më mirë është për ekologjinë lumore; aq më tepër kur bëhet fjalë për një Park Kombëtar tepër të veçantë për vlerat hidromorfologjike dhe të biodiversitetit, por tepër të brishtë, për ruajtjen e tyre në vazhdimësi, pra për qëndrueshmërinë e tyre.

Të gjitha ndërhyrjet nga aktivitetet ujore së bashku ndikojnë në habitatet lumore, në biodiversitet, por ato ndikojnë edhe në cilësinë e jetës dhe mirëqenien e banorëve të zonës. Për rrjedhojë, zhvillimi pa kufizim i aktiviteteve çlodhëse ujore nuk përbën asnjëherë një risi pozitive dhe histori suksesi për zhvillimin e turizmit dhe prosperitetin e zonës.

Megjithatë, duke shpresuar të vij në ndihmë të palëve dhe të gjej mirëkuptimin e tyre, por jo vetëm, po sjell më poshtë përmbledhtas cili është mendimi dhe përvoja mbarëbotërore mbi qasjen mjedisore ndaj aktiviteteve ujore, veçanërisht në një park lumor, dhe pse ekspertët e Planit të Menaxhimit (Kovarovics & Michael, 2024), e kanë trajtuar këtë me shumë kujdes nga fillimi në fund.

Kërkesat e subjekteve dhe qëndrueshmëria mjedisore

Në shkresën e tyre nga Federata e Rafting dhe subjektet e interesuara nga zona drejtuar Administratës së Parkut kërkoheshin 4 lëshime të qenësishme:

  1. Heqja e orareve fikse të hyrjes për aktivitetet ujore;
  2. Rritja e numrit të lejuar të gomoneve në vit; 
  3. Lundrimi përgjatë gjithë gjatësisë së lumit; 
  4. Heqja e lundrimit stinor dhe lejimi gjatë gjithë vitit. 

E gjitha nën argumentimin për të rritur ‘potencialin ekonomik për komunitetet lokale dhe bizneset turistike të zonës’. Po qasja mjedisore? 

Kjo do të thotë që kërkohet të lejohet të lundrohet kudo përgjatë lumit; pa kufizime në kohë vjetore, stinore, ditore; pa kufizime në sasi dhe shpeshtësi varkash, të cilat lëvizin në ujë pikërisht në Zonën Qendrore të Parkut. 

Si i tillë, edhe këtu si dhe gjetkë në Shqipëri qasja është thjesht si biznes i pastër, në emër të zhvillimit të zonës! Kurse qasja mjedisore dhe etiketimi ‘ecorafting’ është zero!

Në gjithë këta vite të zhvillimit të vendit ne në Shqipër “qëndrueshmërinë mjedisore,” term që buron që nga Kushtetuta (Neni 59, pika 1/dh) e kemi shkelur me të dy këmbët. Kemi harruar mençurinë e popullit që thotë ‘gjella me kripë dhe kripa me karar’! 

Nuk mund ta ngarkosh një avion apo një anije me më shumë ngarkesë se kapaciteti mbajtës!

Kjo është arsyeja që vendi vuan shumë prerjen masive të pyjeve, erozionin dhe përmbytjet; betonimin e skajshëm urban dhe atë të bregdetit mbarë, nga veriu në jug; deri dhe në ndërhyrjet në zonat e mbrojtura, madje deri dhe me ndryshim ligji. 

Të gjitha këto jo pa pasoja në cilësinë e mjedisit, por edhe të vetë jetës sonë. Por jo dhe pa pasoja në statusin ndërkombëtar të zonave të mbrojtura; sot diskutohet për praninë në UNESCO të PK të Butrintit dhe Liqenit të Ohrit, për shkak të ndërtimeve të paligjshme, ndotjes urbane/minerare dhe menaxhimit të dobët. 

Por edhe PK i Vjosës nuk duket se është larg shqetësimeve nga kjo qasje natyrore e verbuar nga zhvillimi i çastit. 

Kjo bie dukshëm në sy gjatë vizitave dhe nga gjetjet tona shkencore në vite, por dhe nga vlerësimi i bërë nga ekspertët (p.sh: Rama A., 2025, mbi hartëzimin e presioneve në PK të Lumit Vjosë).

Rrjeti lumor i Vjosës, i veçantë nga ana hidromorfologjike dhe biodiversiteti

Parku Kombëtar i Lumit të Egër të Vjosës, si i tillë, është një zonë me hidromorfologji dhe biodiversitet të rrallë; një nga lumenjtë e fundit me rrjedhje të lirë në Evropë (Acta ZooBot Austria, 155/1, 2018; Sovinc, 2023; Kovarovics & Michael, 2024; etj.), bashkë me shumë nga degët e tij. 

Brenda shtratit lumor gjenden shumë habitate të Natura 2000 dhe EUNIS, të shtrira gjerësisht dhe të mirëruajtura.

Në pjesën e mesme, brenda shtratit lumor, gjenden 16 habitate ujore dhe tokësore në përparësi që përfshijnë mjedise të ndryshme; secili luan rol vendimtar në dinamikën dhe biodiversitetin e ekosistemit lumor (A1-A7; B0-B2; C0-C2; BC3 dhe BC4; D).

Përgjatë brigjeve janë habitate të tjera që dominohen kryesisht nga bimësia mesdhetare bregore (ripariane), me rrap (Platanus orientalis) dhe komunitete të pasura me specie si Populus alba, Salix spp., Alnus glutinosa, Fraxinus angustifolia, Quercus robur, Ulmus minor, Tamarix parviflora, Vitex agnus-castus, Imperata cylindrica, Phragmites, Typha, etj. (Annex I, 72A0; 92C0; 92A0; 92D0; 6310; 6420; 91E0; 3280; sipas kategorive të Natura 2000). 

Habitatet me bimë të zhytura dhe makrofite ujore (3110, 3130, 3140 dhe 3150) janë përbërës të tjerë jetikë të ekosistemit lumor si prodhues parësorë, por edhe si fitopastrues të lëndëve ushqyese ose ndotëse të tepërta, të cilat nuk mungojnë në ujërat e lumit: azot dhe fosfor; metale të rënda; lëndë ndotëse organike; nanoplastika; etj.

Përgjatë brigjeve, sidomos në pjesën e sipërme të Vjosës (zona e zgjedhur për aktivitetet ujore në fjalë), krahas habitateve të përmendura më sipër gjenden të ruajtura mirë habitatet e shpateve shkëmbore gëlqerore me bimësi kazmofitike (8210), katër prej tyre në përparësi dhe me interes të madh ruajtjeje.

Këto habitate përfshijnë komunitete bimore termo- dhe meso-mesdhetare me Campanula versicolor, Silene spp., Saxifraga spp., Ramonda serbica, Pinguicula hirtiflora, etj.; kullota gjysmë-natyrore të thata dhe shkurre mbi substrate gëlqerore (6210* të rëndësishme për bimë salepore).

Në pjesën e poshtme të rrjedhës lumore, në të dy anët e grykëderdhjes, gjenden mbi 35 habitate të listuara në Natura 2000 dhe EUNIS, duke përfshirë 8 habitate në përparësi, të gjitha të rrezikuara dhe me vlera të larta floristike.

Përmendim habitatet me duna lëvizëse me Ammophila arenaria (duna të bardha) (2120); duna bregdetare me Juniperus spp. (2250), habitat me interes komunitar; duna të pyllëzuara me Pinus pinea dhe/ose P. pinaster (2270); livadhe të kripura mesdhetare (1410); stepat mesdhetare të kripura (1510*); etj.

Duhet theksuar se habitatet lumore/breglumore dhe ato të deltës janë thelbësore për funksionimin ekologjik të gjithë ekosistemit lumor dhe të gjitha gjallesave që aty strehohen prej miliona vjetësh, shumë prej tyre të rralla dhe të kërcënuara. 

Të gjitha këto habitate lumore/breglumore strehojnë së bashku rreth 1,890 specie të njohura deri sot, mbi 820 lloje bimësh dhe rreth 1,070 lloje kafshësh (Tab. 1). Prej tyre, rreth 40 specie janë të rrezikuara sipas IUCN, dhe rreth 120 janë në Listën e Kuqe të Shqipërisë (2013). 

Përveç kësaj, rreth 150 specie gjenden në Shtojcat 1-3 të Konventës së Bernës për llojet migratore, mbi 40 specie në Direktivën e Shpendëve, mbi 80 specie në Shtojcën I të Direktivës së Shpendëve (Bino et al., 2023), dhe rreth 80 specie në Direktivën e Habitateve. Vjosa dhe degët e saj të paprekura janë streha e fundit e specieve pothuajse të zhdukura, të rralla ose të reja. 

Së fundi, 12 lloje janë gjetur të reja për shkencën (Tab. 2): 8 lloje dhe një gjini e re invertebrorësh, dhe 4 lloje cianobakteresh; përshkrime të tjera të reja janë në proces.

Vjosa, delta përkatëse, përfshirë këtu lagunën e Nartës, bëjnë që e gjithë kjo zonë të jetë e veçantë për larminë e peshqve dhe mbijetesën e tyre, si dhe për peshkimin dhe akuakulturën. 

Ekosistemi lumor është korridor ujor, vend strehimi, ushqimi dhe, për disa, edhe vend riprodhimi për së paku 37 lloje peshqish, përfshirë 11 lloje endemike të Ballkanit; përmendim këtu: Barbus prespenis, Squalius platyceps, Oxynoemacheilus pindus, Alburnus scoranza, Anguilla anguilla, Alburnoides cf. prespensis, Pachychilon pictum, Gobio scadarensis, Cobitis ohridaba, Salmo farioides, Salmo trutta fario, etj.

Habitatet lumore të Vjosës dhe degëve strehojnë 32 lloje reptilësh nga 37 lloje që njihen gjithsej në Shqipëri. 

Disa nga amfibët dhe reptilët bëjnë pjesë në Shtojcën II të Direktivës së Habitateve, si lloje të faunës të mbrojtura rreptësisht: Bufotes viridis, Bombina variegata, Testudo hermanni, Emys orbicularis, Mauremys rivulata, Pseudopus apodus, Podarcis taurilinea, Natrix tessellata; ose në Shtojcën II: Bufo bufo, Rana graeca, Pelophylax kurtmuelleri, Pelophylax shqipericus, Natrix natrix të Konventës së Bernës (Kovarovics & Michael, 2024).

Nga 295 lloje shpendësh që vizitojnë gjithë pellgun, mbi 88 lloje folezojnë dhe riprodhohen në zonë, disa prej tyre të lidhura ngushtë me brigjet lumore si: Riparia riparia, Burhinus oedicnemus, Charadrius dubius, Merops apiaster, kryesisht në lumin Shushicë, Alcedo atthis, Actitis hypoleucos, Ciconia nigra, Neophron percnopterus, Coracias garrulus, etj. (Bino et al., 2023); si dhe lundërza (Lutra lutra), gjitar ujor globalisht i kërcënuar, nga rreth 70 lloje gjitarësh që banojnë brenda pellgut.

Përveç kësaj, brenda pellgut ujëmbledhës janë regjistruar rreth 380 lloje bimësh aromatike dhe mjekësore (BAM), ku 330 janë lloje të egra, një sektor ekonomik shumë i rëndësishëm për zonën; por jo i pashqetësuar, pasi rreth 46 lloje janë të rrezikuara, të kërcënuara ose nën mbrojtje. 

Rreth 70 lloje BAM rriten pranë habitateve ripariane breglumore; disa prej tyre janë në Listën e Kuqe Shqiptare, si: Adiantum capillus-veneris, Dryopteris filix-mas, Alnus glutinosa, Capparis spinosa, Galanthus reginae-olgae, Populus alba, Quercus robur, Salix fragilis, Sambucus nigra, Symphytum officinale, Ulmus minor, Anacamptis morio, A. pyramidalis, Colchicum autumnale, etj. (Kovarovics & Michael, 2024).

Për më tepër, Parku Kombëtar i Lumit të Egër të Vjosës është vazhdimësi ekologjike, një unitet hidrodinamik dhe ekologjik me kompleksin ligatinor të deltës, Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë (Fig. 1), dhe më tej në lidhje të ngushtë ekologjike me Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, përballë grykëderdhjes në det të hapur.

Në pjesën e sipërme, Parku është në vazhdimësi ekologjike me Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës-Dangëllisë në pjesën shqiptare; si dhe me Parkun Kombëtar Vikos-Aoos dhe Parkun Kombëtar Pindos në Greqi. Parku formon lidhje të ngushta ekologjike me hidromonumente elitare, si Uji i Ftohtë (Tepelenë), Viroi (Gjirokastër), Buronjat (Kuç), Benjë (Përmet), Vromonero (Leskovik) (VKM 303/2019).

Kjo afërsi hapësinore rrit lidhjen ekologjike midis ekosistemeve detare, bregdetare, të deltës dhe të gjithë rrjedhave ujore brenda këtij pellgu të gjerë, duke përforcuar më shumë vlerat në përgjithësi dhe rëndësinë e ruajtjes së zonës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Janë pikërisht këto vlera dhe të tjera që lidhen me hidromorfologjinë lumore dhe rrjedhjen e lirë nga burimi në grykëderdhje në Detin Adriatik të lumit Vjosë dhe degëve të tij, që ndihmuan që zëri të shkonte në veshin dhe ndërgjegjen e institucioneve ndërkombëtare më në zë (BE, WWF, IUCN, Konventa e Bernës, Patagonia etj.) dhe të detyronte vendimmarrjen në Shqipëri për të shpallur Vjosën dhe degët e saj zonë të mbrojtur, Park Kombëtar (mars 2023).

Po këto vlera ndihmuan që i gjithë pellgu i Vjosës të shpallej vitin e kaluar nga UNESCO si Rezervë Biosfere (shtator 2025). Po kjo qasje rriti shumë në këta vite edhe njohjen e Vjosës dhe vetë Shqipërisë nga subjektet turistike ndërkombëtare, që i dhanë kësaj zone frymëmarrje të madhe ekonomike dhe zhvillim të turizmit.

Harta e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës dhe zonave të tjera rrethuese (nga Kovarovics & Michael, 2024).

Kuptohet se të gjitha këto arritje, dhe veçanërisht duke qenë pjesë e programit “Njeriu dhe Biosfera” (MAB) në UNESCO, e bëjnë zhvillimin e qëndrueshëm në zonë një përparësi dhe një sfidë për gjithë sektorët ekonomikë, veçanërisht për aktivitetet ujore që zhvillohen brenda zonës qendrore të Parkut.

Ndikimi mjedisor nga aktivitete ujore të pa rregulluara

Përvoja botërore tregon se lundrimi i çfardo lloji (gomone, kajak, kanoe etj.) është me pasoja mjedisore, ekologjike për habitatet lumore dhe breglumore.

Si theksuam këto habitate janë shumë të rëndësishme për biodiversitetin, por janë dhe shumë të ndjeshme ndaj çdo ndërhyrje nga jashtë; sidomos kur ajo është e tepruar, pa rregulla, dhe pa masa të rrepta kontrolli. Edhe kufizimet e vendosura në Planin e Menaxhimit (Kovarovics & Michael, 2024) kanë patur këtë parasysh, dhe theksoj fort se kjo qasje duhet të vazhdojë të ruhet.

Pavarësisht se ndikimet mjedisore të aktiviteteve ujore ende nuk njihen për Lumin e Vjosës, përvoja të tjera në rajon dhe më gjerë flasin për këtë: Schafft et al., 2024; Wegner et al., 2023; Hering et al., 2022; Mahapatra et al., 2012; Leung  & Marion, 1998; Liddle, 1991; Taylor & Knight, 2003; Pala et al., 2011; etj. Këto shqetësime mund të grupohen:

1) Shqetësimi i Faunës Ujore dhe Ripariane (Tab. 3); 2) Degradimi i Brigjeve Lumore dhe Bimësisë Ripariane; 3) Ndotja dhe Hedhja e Mbeturinave; 4) Ndikimet Fizike në Habitatet e Shtratit Lumor; 5) Shqetësimi i jetës së egër në zonat e ndjeshme; 6) Presioni Ekologjik Kumulativ; 7) Futja e Llojeve Pushtuese (Invazive ose Aliene).

Për të minimizuar këto ndikime, autoritetet e menaxhimit lumor shpesh zbatojnë masa të tilla si:

a) Kufizimi i numrit të lejeve për rafting në ditë; b) Përcaktimi i pikave të caktuara të hyrjes dhe daljes; c) Vendosja e kufizimeve stinore gjatë periudhave të lëshimit të vezëve nga peshqit ose gjatë shumimit të shpendëve (Tab. 3); d) Kërkimi i praktikave të menaxhimit të mbeturinave “pa lënë gjurmë”; e) Monitorimi i kushteve ekologjike përgjatë lumit.

Në tabelën 3 jepen të dhëna mbi periudhën më të brishtë të llojeve apo grupllojeve, ku aktivetete ujore mund të kenë ndikimin më të madh përgjatë Vjosës dhe degëve, në habitatet e shumimit apo të migrimit.

Ky qarkullim është shpesh i padukshëm për ne njerëzit, por kjo nuk do të thotë se është i pandjeshëm, madje shumë i ndjeshëm në periudhat jetike të riprodhimit që kanë secila nga speciet (Tab. 3).

Lumi është një korridor ujor që ndihmon lëvizjet e gjallesave (migrimin) nga grykderdhja (deti) në rrjedhat e thella malore dhe anasjelltas, ndihmon në lëvizjet anash nga një breg në tjetrin dhe nga lart poshtë në thellësi të shresave të zhavorrit nënujor dhe anasjelltas.

Për këtë, një aktivitet ujor i rënduar në sasi, i shtrirë në kohë gjatë gjithë vitit dhe i zgjatur gjatë ditës ndikon në biodiversitet, në riprodhimin e specieve të peshqve, amfibëve dhe reptilëve, shpendëve që folezojnë në brigje, pa folur për shumë lloje mikrorganizmash si alga, invertebrorë ujorë dhe breglumorë, që përmendëm më sipër.

Duhet theksuar se Parku nuk u ka shpëtuar shqetësimeve nga aktivitete turistike jo miqësore me mjedisin, të cilat shkaktohen edhe nga shtimi i pakontrolluar i vizitorëve.

Gjendja ekologjike e ujërave të pellgut të madh të Bënjës ka pësuar rënie të dukshme në këta vite mbështetur në strukturën e makrofiteve ujore që veshin buzët e pellgut, sot të mbuluara me cianobaktere (disa dhe helmuese), dhe cilësi ekologjike e ‘Varfër’. Po kjo mund të thuhet për varfërimin e përbërjes së llojeve të peshqve në Langaricë dhe në pjesën e sipërme të Vjosës.

Autoritetet pohojnë se para shpalljes zonë e mbrojtur në Vjosë kanë vozitur rreth ‘1,500-2,000 varka në vit, kryesisht nga qershori deri në gusht (pra rreth 17-22 varka në ditë)’ (Kovarovics & Michael, 2024). Kjo sasi është shumë e lartë dhe aspak miqësore me habitatet dhe vlerat e rralla të Parkut. Ndjesia është se në vitet e fundit kjo duhet të jetë rritur edhe më shumë, e cila dëshmohet dhe nga këmbëngulja e subjekteve për zbutje pa kufi të rregullave.

Kurse shtrirja e vozitjes në gjithë gjatësinë e lumit më duket shumë e tepruar për rrjedhën lumore. Duhet thënë sevlerat hidromorfologjike dhe ato të biodiversitetit përballen përditë me ndërhyrje nga njeriu dhe ndryshimet e klimës, ndonjëherë edhe shumë të rënda.

Kjo vjen nga qendrat e banuara dhe ndërtimet e tjera buzë brigjeve, nga bujqësia intensive dhe blegtoria (vaditje, kullotje, zjarre dhe ndotje), nga trafiku, nga aktiviteti minerar (gurore, naftë, bitum), nga luhatjet e mëdha të rrjedhës, etj. (Rama, 2025).

Sfida e zhvillimit të qëndrueshëm të pellgut, sfida e bashkive dhe subjekteve që veprojnë brenda pellgut duhet të jetë në gjetjen e rrugëve për zbutjen e këtyre ndërhyrjeve, në zbatimin e tyre me këmbëngulje dhe monitorimin në vazhdimësi.

Këshillime të fundit

Ashtu si me shumë të drejtë pohohet edhe nga ekspertët në PM (Kovarovics & Michael, 2024, f. 88-103), lundrimi mund të lejohet në zonën e paracaktuar në PM (në pjesën e sipërme), zgjatur së fundi nga Ministria e Mjedisit për periudhën 1 Prill – 30 Nëntor 2026 (nga 5.5 muaj në 8 muaj).

Por kjo duhet me rregulla të rrepta, duke mos patur vetëm si qëllim ‘potencialin ekonomik për komunitetet lokale dhe bizneset turistike të zonës’, por dhe qasjen mjedisore. Pavarësisht zgjerimit të lundrimit stinor nga Ministria, ekspertët theksojnë fort se duhet të ruhet sasia e varkave që vozitin në lumë në ditë, si rekomandohet në Planin e Menaxhimit: jo më shumë se 10 varka në ditë (gomone me 6 persona dhe 1 drejtues). Për lundruesit privatë jo-motorikë (kajakë me 2 persona maksimumi), jo më shumë se 20 bileta në ditë, ose 10 kajakë.

Mendoj se e gjithë kjo duhet të mbikëqyret me kujdes, rigorozitet dhe vazhdimisht nga ZAPK dhe autoritetet vendore nëpërmjet një sistemi informatik ashtu si bëhet për rezervimet e fluturimeve ajrore, të hoteleve, të vendeve të sportit etj.

Për gjithë aktivitetet ujore mësipër ka shumë rëndësi caktimi i vendeve të hyrje/daljes, vendpushimeve, të cilët nuk duhet të bien ndesh me ndjeshmërinë e habitateve ujore ose breglumore pranë. Edhe këto vende duhet të jenë sa më të kufizuara, të përcaktuara në vend nga ekspertë të ekologjisë lumore (peshq, shpendë, gjitarë, etj.).

Duhet të jenë të etiketuara mirë, të mirënjohura dhe rreptësisht të kontrolluara nga autoritetet e Parkut dhe ato vendore. Por shumë kujdes duhet edhe edhe për aktivitetet e tjera turistike në Park, si larja në ujërat termale, shëtitjet masive përgjatë rrjedhës, kampingu vend e pa vend në natyrë; por dhe për peshkimin në segmentin fundor, Urë e Mifolit – Grykëderdhje, ose akuakulturën etj.

E gjithë zona ka potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe ofron shumë mundësi të tjera krahas veprimtarive sportive ujore: p.sh. vëzhgim shpendësh, shëtitje në natyrë me këmbë, me biçikletë, me kafshë, etj.

Madje dhe vetë subjektet e këtyre sporteve duhet të mësohen të diversifikojnë aktivitet në zonë për: ‘të shpërndarë më mirë fluksin e vizitorëve gjatë vitit; rritur qëndrueshmërinë ekonomike të bizneseve lokale; krijuar më shumë vende pune jo stinore, por vjetore’, pa pretenduar që gjithçka të mbështet vetëm nëpërmjet vozitjes, kjo jo vetëm në lumin e Vjosës, por dhe gjetkë në lumenjtë e tjerë.

Ngjitur në zonë është PK i Bredhit të Hotovë-Dangëllisë, me shumë natyrë malore, shumë lugina të rralla, me mbi 130 monumente natyrore për një destinacion të shquar e të larimshëm turistik. Pa folur për shumë mundësi të tjera të gjithë pellgut të Vjosës, që lidhen me trashëgiminë kuturore, vendet shumta historike, arkeologjike, për traditën e pasur në art dhe floklor, në mikpritje dhe gatim etj. etj.

Të gjitha mund të gërshetohen me vlerat natyrore, por jo vetëm. Por duhet e gjitha menaxhuar me shumë kujdes, dhe gjithë palët duhet të jenë bashkëpunuese, të njihen mirë me qëndrueshmërinë, për të balancuar sa më mirë interesat ekonomike me ato ekologjike, për të mos ndërhyrë rëndë në këto vlera, për t‘i ruajtuar ato për sot dhe për të ardhmen.

Lexoni gjithashtu:

The post Mes fitimit dhe natyrës: Dilema e aktiviteteve ujore në Vjosë appeared first on Citizens.al.

“Rrezikon pallatin tonë”, banorët në Durrës kundër projektit të ri 9-katësh

31 March 2026 at 16:15

Në zonën e Ilirisë, në rrugën “Pavarësia” pranë plazhit në Durrës, ndërtimi i një pallati 9-katësh ka sjellë shqetësim për dhjetëra familje të cilat jetojnë në pallatin pranë. Banorët kontaktuan redaksinë tonë të Citizens.al për të referuar ankesat e tyre.

Banorët pretendojnë se projekti i ri nuk po respekton distancat sipas parametrave ligjorë, dhe rrezikon sigurinë e themeleve të pallatit të tyre.

Leja e ndërtimit për objektin e ri është dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) më 25 qershor 2025. Ai po zhvillohet nga kompanitë “AKM Group” dhe “Bega-07” sh.p.k.

Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me përdorimin e një hapësire që, sipas banorëve, është pronë private në shërbim të pallatit ekzistues, por që në dokumentacion është paraqitur si “rrugicë ekzistuese”.

Ata e konsiderojnë këtë si një manipulim për të shmangur kufizimet ligjore dhe për të justifikuar ndërtimin, duke theksuar se kjo hapësirë përdoret realisht nga banorët dhe nuk mund të trajtohet si rrugë publike.

Në ankesë përmendet gjithashtu se ka pasur ndërhyrje fizike në terren, përfshirë tentativën për prishjen e një muri ndarës mes pronave, çka ka sjellë përfshirjen e policisë dhe kërkesën për ndërhyrje nga Inspektorati i Ndërtimit.

“Me qëllim që të ruajmë jetën, shëndetin, pasurinë, nga veprimet e kundërligjshme që na cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, duhet të shfuqizohet vendimi nr. 26, i qershorit të 2025 nga KKTU, pasi vjen në kundërshtim me ligjin,” citohet në një letër që banorët i kanë dërguar KKTU-së dhe Këshillit të Ministrave.

Një nga banorët, Agim Lisha, tha se kishte punuar për pallatin ku banon aktualisht dhe i frikësohej sigurisë së themeleve të tij.

“Është pllakë, nuk është me blinda. D.m.th. këtu as nuk ka hekura mbrojtës pallati anash. Veç është nxjerrë betoni dhe kanë filluar kolonat. Në qoftë se ky lloj pallati gërmohet në mënyrë të paligjshme anash, pallati në krah shembet,” tha Lisha për Citizens.

Pronarët e tokës i thanë gazetarëve të Citizens se ata nuk kishin lidhje me mënyrën sesi po zhvillohej projekti dhe se për ta sqaruar më mirë situatën sugjeruan që të kontaktoheshin ndërtuesit.

Nga kompania na u tha se shembja e murit ndarës dhe rrethimi i kantierit ishte sipas vendimit për lejen.

“Jemi 12 metra larg nga objekti dhe në përputhje me lejen e ndërtimit që kemi marrë,” u shprehën ndërtuesit duke hedhur poshtë pretendimet e banorëve.

Megjithatë, banorët, të cilët më 30 mars ishin në zyrat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Durrës, për të paraqitur ankesat e tyre, thanë se ata kishin marrë një sugjerim verbal nga punonjësit e këtij inspektorati që në rast se kompania do të vepronte mbi murin ndarës të viheshin në dijeni dhe të njoftohej edhe policia.

Citizens i është drejtuar për koment IKMT-së dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit në lidhje me këtë situatë të paqartë dhe shqetësuese për banorët e rrugës “Pavarësia” dhe nëse do të ketë rishikime për lejen e dhënë.

Lexoni gjithashtu:

The post “Rrezikon pallatin tonë”, banorët në Durrës kundër projektit të ri 9-katësh appeared first on Citizens.al.

Institucione dhe organizata dënojnë gjuhën diskriminuese në Ferma VIP

31 March 2026 at 15:17

Gjuha përçmuese ndaj komuniteti egjiptian, përmes një shprehjeje frazeologjike të përdorur nga moderatorja e emisionit “Ferma VIP”, Arbana Osmani, në televizionin kombëtar “Vizion Plus”, u përcoll me shqetësim nga organizatat e të drejtave të njeriut.

“Edhe kur përdoren pa qëllim të drejtpërdrejtë për të ofenduar, shprehje të tilla vazhdojnë të ushqejnë stereotipe dhe paragjykime që prekin dinjitetin e njerëzve”, u shpreh përmes një deklarater publike, Lëvizja Rinore Egjyptiane dhe Rome.

Sipas kësaj organizate, pjesëtarë të komunitetit egjiptian janë ndjerë të ofenduar dhe kanë kërkuar që moderatorja Osmani të kërkojë ndjesë publike.

“Shfajësimi që u përpoq të bëjë më pas Arbana Osmani duke thënë se ka përdorur një ‘shprehje popullore që tingëllon raciste, për të cilën nuk ishte, nuk ka qenë dhe s’do të jetë kurrë e tillë’, nuk është një kërkesë ndjesë e vërtetë”, thuhet më tej në deklarata.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Qendra për Advokim Social, që lobon për të drejta të barabarta mes pakicave kombëtare.

Njëjtë ka reaguar edhe organizata Drejtësi Sociale, e cila e ka konsideruar shprehjen e përdorur “ke marrë si pushka e jevgut”, si relativizim të një gjuhe që fyen, normalizon, përjashton dhe ul dinjitetin e një komuniteti të tërë.

“Pas çdo ‘shprehjeje të zakonshme’ fshihet një histori paragjykimi që ne nuk duhet ta trashëgojmë më. Komuniteti egjiptian nuk është metaforë, nuk është batutë, është pjesë e shoqërisë sonë, me dinjitet të plotë”, thuhet në reagimin e organizatës Drejtësi Sociale.

Përmes një reagimi publik, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dënoi gjuhën e përdorur.

“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh keqardhjen për përdorimin e gjuhës së papërshtatshme dhe steriotipeve racore, e cila nuk parandalohet në kohë reale dhe kanë mundësi të përhapet në rrjetet sociale duke dëmtuar personat e përfshirë dhe më gjerë”, thuhet në deklaratën e Komisionerit.

Sipas Komisionerit, platformat televizive kombëtare kanë përgjegjësi publike për mesazhe gjithëpërfshirëse “që luftojnë diskriminimin, promovojnë Barazinë, si dhe respektojnë dinjitetin e çdokujt”.

Mes të tjerash, Komisioneri bëri thirrje ndaj produksionit të emisionit dhe televizionit “Vizion Plus” të krijojë mekanizma parandalues dhe trajtimin e gjuhës së papërshtatshme në transmetimet e tyre.

Lexoni gjithashtu:

The post Institucione dhe organizata dënojnë gjuhën diskriminuese në Ferma VIP appeared first on Citizens.al.

❌