TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Federata e Futbollit ka nisur punimet për dy fushat e futbollit në qytetin e Gjirokastrës, në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës, si pjesë e investimeve për zhvillimin e infrastrukturës sportive në vend.
Të dyja fushat do të jenë me përmasa standarde dhe do t’i shërbejnë komunitetit sportiv dhe zhvillimit të futbollit në këtë zonë.
Njëra prej fushave është ekzistuese dhe parashikohet që shtrimi i tapetit artificial të realizohet në fillim të vitit 2026.
Ndërkohë, falë shpronësimeve të kryera nga Bashkia Gjirokastër, është siguruar një hapësirë e re në qytet, ku do të ndërtohet një fushë e re nga themelet, në kuadër të projektit “100 Fushat”.
Ndërtimi i këtyre dy fushave vjen në kuadër të angazhimit të mëhershëm të Federatës së Futbollit, pas inaugurimit të fushës me bar natyral në stadiumin “Luftëtari”, dhe konfirmon vëmendjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të futbollit në qytetin e Gjirokastrës.
TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja nëpërmjet një reagimi publik përgënjeshtroi sot lajmet e qarkulluara mbi praninë e personave të panjohur që po kryejnë gërmime të paligjshme në Parkun Arkeologjik të Finiqit.
Në reagim thuhet se lajmet nuk janë të vërteta dhe përbëjnë keqinformim mbi një proces tërësisht të ligjshëm restaurimi dhe konsolidimi.
Sipas njoftimit, aktualisht, në Parkun Arkeologjik të Finiqit po zhvillohen punimet e miratuara dhe të mbikëqyrura nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, si pjesë e projektit “Restaurimi dhe konsolidimi i Murit të Bastionit në Parkun Arkeologjik të Finiqit”, të cilat po kryhen nga subjekti kontraktues “JOGI” sh.p.k., në bazë të vendimit nr. 206, datë 09.04.2021, i rimiratuar me Vendimin nr. 398, datë 25.07.2025, të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale.
“Pas disa vitesh pritje, ky projekt i rëndësishëm po merr më në fund trajtën e zbatimit konkret, duke shënuar një hap të domosdoshëm në ruajtjen dhe valorizimin e një prej monumenteve më përfaqësuese të antikitetit në jug të vendit. Ndërhyrjet synojnë stabilizimin afatgjatë të strukturës, ruajtjen e autenticitetit të murit mbrojtës dhe përmirësimin e sigurisë së vizitorëve, duke i hapur rrugë një përvoje më cilësore kulturore dhe turistike në Finiq”, thuhet në njoftim.
Sipas Gonxhes, punimet përfshijnë lidhen me pastrimin e sipërfaqeve dhe të bimësisë, kryerjen e sondazheve për verifikimin e themeleve, ndërtimin e sistemit të drenazhit, konsolidimin me shufra inoksi, si dhe rivendosjen në pozicion të gurëve ciklopikë të rrëzuar, me peshë 1.8–2.2 ton secili.
“Konsideruar peshën e rëndë të gurëve ciklopikë të rrëzuar, në raste të tilla, përdoren mjete të specializuara ngritëse me kapacitet deri në 4.8 ton, plotësisht në përputhje me normat dhe kriteret e VKM nr. 1099/2020. Pikërisht këto mjete dhe veprimtari janë keqinterpretuar si gërmime të paligjshme, ndërkohë që ato janë pjesë e procesit të dokumentuar të restaurimit”, tha Gonxhja.
Ministri Gonxhja theksoi se deri më tani, projekti ka arritur në 80% të realizimit, duke garantuar stabilitetin afatgjatë të Murit të Bastionit, sigurinë e vizitorëve dhe ruajtjen e një prej monumenteve më të rëndësishëm të kulturës së vendit.
Në fund, Gonxhja nënvizoi se ftohen mediat dhe publiku që të verifikojnë informacionin pranë institucioneve përgjegjëse përpara publikimit, për të shmangur shpërndarjen e lajmeve të pasakta që cenojnë perceptimin publik mbi punën e bërë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Kuvendi vijon prej orës 10:00 të paradites shqyrtimin e projektbuxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2026, në një seancë të shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës.
Diskutimet janë fokusuar te rritja e të ardhurave, shpërndarja e shpenzimeve, masat sociale që parashikon buxheti i vitit të ardhshëm, si dhe ndryshimet e paketës fiskale.
Për mazhorancën ky projektbuxhet është kontrata me qytetarët, që i përgjigjet premtimeve në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit, dhe përgatit vendin për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian.
Ndërsa opozita e ka kundërshtuar projektbuxhetin 2026, duke e cilësuar si një dokument që rrit ndjeshëm barrën fiskale për qytetarët. Sipas saj, buxheti parashikon 530 milionë euro taksa të reja, ndërsa rritja e pagës minimale sjell automatikisht rritje të kontributeve, duke rënduar shtresën e mesme dhe biznesin e vogël. Opozita ngre gjithashtu shqetësimin për keqmenaxhimin e fondeve publike, ndërsa paketën fiskale e konsideron një lehtësim për bizneset e mëdha në dëm të të vegjëlve.
Sipas të dhënave të prezantuara nga qeveria, projektbuxheti 2026 mbështetet te rritja e të ardhurave buxhetore dhe një plan investimesh të orientuar drejt infrastrukturës, energjisë, arsimit dhe bujqësisë, ndërsa një vend të rëndësishëm i kushtohet politikave sociale.
Përveç indeksimit vjetor të pensioneve, parashikohet një fond shtesë për mbështetje të përkohshme për pensionistët me të ardhura të ulëta, me synim ruajtjen e fuqisë blerëse në kushtet e rritjes së çmimeve.
Në kuadër të reformës së pensioneve, qeveria synon të rrisë ndjeshëm nivelet aktuale. Sipas parashikimeve, pensioni urban me vite të plota pune pritet të arrijë deri në vitin 2030 në 40 mijë lekë nga 27 350 lekë që është sot; pensioni urban i pjesshëm në rreth 22 mijë lekë nga 15 850 lekë aktualisht; ndërsa pensioni rural në 18 mijë lekë nga 11 500 lekë. Gjithashtu, pensioni familjar do të shkojë në 18 mijë lekë nga 11 400 lekë që është sot, ndërsa pensioni i invaliditetit parashikohet të arrijë 30 mijë lekë nga 20 mijë lekë. Efekti financiar i kësaj mase për vitin 2026 llogaritet në rreth 10,4 miliardë lekë dhe do të mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit. Për periudhën 2026-2030, efekti kumulativ i reformës së pensioneve vlerësohet në rreth 1,7 miliardë euro.
Projektbuxheti 2026 parashikon gjithashtu rritje të pagave në sektorë të ndryshëm të administratës publike. Paga minimale do të rritet me 10 000 lekë duke arritur në 50 000 lekë nga 1 janari 2026, një masë nga e cila pritet të përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe privat. Rritje do të ketë edhe për punonjësit mbështetës, mësuesit, mjekët, infermierët, punonjësit e rendit dhe ushtarakët.
Në seancë u prezantuan edhe detajet e paketës fiskale 2026, e cila sjell ndryshime të rëndësishme në trajtimin e detyrimeve tatimore. Paketa parashikon fshirjen e plotë të borxheve më të vjetra se 10 vjet, ndërsa për borxhet 5-10 vjet, bizneset do të mund të shlyejnë 50% ose 75% të detyrimit tatimor, me pjesën tjetër dhe kamatat që do të fshihen. Për detyrimet 0-5 vjet, shlyerja brenda vitit 2026 shoqërohet me fshirjen e gjobave dhe kamatave.
Paketa fiskale përfshin edhe uljen e tatimit mbi pronën në procesin e rivlerësimit, nga 15% në 5%.
Një mbështetje e veçantë parashikohet për fermerët, përmes kompensimit të TVSH-së në masën 10% të vlerës së faturave të shitjes, me një fond prej 15 milionë eurosh për vitin 2026, i cili pritet të dyfishohet në vitin 2027.
Ndërkohë, për familjet parashikohet një zbritje prej 48 000 lekësh për çdo fëmijë nën 18 vjeç në deklaratën vjetore të të ardhurave, duke ulur drejtpërdrejt barrën tatimore.
TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Kantieri i unazës së Durrësit është një tjetër projekt i rëndësishëm për qytetin, i cili synon jo vetëm lehtësimin e trafikut në qytet, por pritet të ketë një ndikim pozitiv edhe në zhvillimin e mëtejshëm të zonave ku kalon gjurma e projektit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna në këtë kantier, projekt që do të transformojë infrastrukturën rrugore të unazës së Durrësit.
Bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm infrastrukturor që përmirëson lidhjet rrugore brenda qytetit.
Unaza do të zgjidhë problematikën e trafikut që vitet e fundit është shtuar për arsye të turizmit dhe të dendësisë së popullsisë që ka gjithë qyteti i Durrësit.
Në përfundim të punimeve, unaza e Durrësit do të jetë me katër korsi, dy në njërin drejtim dhe dy në drejtimin tjetër.
Projekti prek gjithë zonën e Kallmit e shkon deri në Spitallë, ndërkohë që aktiviteti i agroturizmit ka filluar të marrë jetë në këtë zonë.
Punimet për riparimin e autostradës nga Vora në Durrës janë nderprere.
Kjo deri në hartimin e një plani masash nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Shtetit për të mirëmenaxhuar trafikun.
Ndërprerja e punimeve erdhi pas trafikut të rënduar të automjeteve krijuar të hënën ndërsa nisi puna në segmentin nga Vora në Maminas I cili u bllokua për qarkullimin e makinave.
Me hartimin e planit te ri te qarkullimit te automjeteve punonjësit do të kthehen në autostradë për të ndërhyrë për rinovimin e asfaltit të degraduar.
Autostrada do të riparohet në të dy krahët e saj nga Vora tek ura e daljanit në Durrës, dhe anasjelltas.
Sipas Autoritetit Rrugor punimet do të kryehen me segmente dhe parashikohet të zgjasin një deri në dy ditë për çdo segment rruge.
Autoriteti Rrugor Shqiptar do të nisë ditën e hënë një ndërhyrje për riparimin e shtresave asfaltike në segmentin rrugor Vorë–Ura e Dajlanit. Punimet do të nisin më 13 tetor 2025, duke sjellë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në drejtimin Vorë–Durrës, në disa segmente të ndara si: * Vorë – Maminas, * Maminas – Sukth, * […]
TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Në stadiumin e Vorës po vijojnë me intensitet të lartë punimet për ndërtimin e tribunës së re qendrore. Deri tani është përfunduar montimi i parafabrikatit të tribunës, ndërsa aktualisht po kryhet ndarja e ambienteve të brendshme dhe vendosja e rrjeteve hidraulike e elektrike.
Gjatë javës së ardhshme do të montohet edhe struktura e shkallareve, ku do të vendosen më pas ulëset.
Projekti përfshin rikonstruksionin e plotë të dhomave të zhveshjes për lojtarët, ambienteve për stafet teknike, si edhe krijimin e hapësirave të tjera funksionale, duke garantuar standardet moderne të një impianti futbollistik.
Ky investim i madh, i realizuar në bashkëpunim mes Federatës së Futbollit dhe Bashkisë Vorë, synon të transformojë tërësisht infrastrukturën e stadiumit dhe t’i ofrojë komunitetit sportiv kushte bashkëkohore për zhvillimin e futbollit.
Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në lagjen “Guerile” në Shkodër. Një 47-vjeçar, identifikuar si P. L., humbi jetën pasi ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë punimeve në oborrin e banesës së tij. Familjarët e gjetën të pajetë dhe menjëherë njoftuan autoritetet. “Në lagjen “Guerile”, është gjetur pa shenja jete, në oborrin e banesës […]
Pas një periudhe të gjatë pritjeje dhe një pune të mbajtur në fshehtësi për më shumë se një vit, Elhaida Dani ka vendosur ta ndajë me publikun një nga projektet më të veçanta të saj.
Bëhet fjalë për një EP të ri, të cilin e ka përgatitur në bashkëpunim me Aida Barakun dhe Armend Rexhepagiqin, dy figura që këngëtarja gjithmonë i ka konsideruar si ëndërr të realizuar.
“Ky projekt është shumë i dashur për mua. Prej një viti e kam mbajtur pranë vetes sepse më dukej i brishtë, por erdhi momenti ta ndaj me publikun,” shprehet ajo për RevistaWho.
EP-ja përmban pesë këngë të regjistruara me Darko Dimitrovin, producentin që Elhaida e cilëson si një nga më të preferuarit në Ballkan.
Veçantia e këtij projekti nuk qëndron vetëm te ndjeshmëria personale, por edhe te bashkëpunimet që e pasurojnë atë.
Tre nga pesë këngët sjellin artistë që Elhaida i admiron prej kohësh.
MC Kresha, figura ikonike e rap-it shqiptar, Olsi Bylyku, artisti i njohur për energjinë dhe origjinalitetin, si dhe Don Phenom, një zë i fuqishëm nga Shkodra, janë pjesë e këtij kapitulli të ri muzikor.
BËHUNI GATI! Eklipsi diellor më 21 shtator sjell ndryshime të fuqishme për 4 shenja të zodiakut
Ky EP nuk është vetëm një hap i rëndësishëm në rrugëtimin artistik të Elhaidës, por edhe një dëshmi e qartë e përkushtimit të saj për të sjellë muzikë të ndërtuar mbi emocione të sinqerta dhe bashkëpunime me peshë.
TIRANË, 7 shtator /ATSH/ Panairi i Artizanatit në Gjirokastër është kthyer në një traditë të bukur të qytetit të gurtë.
Për tri ditë me radhë, dhjetëra artizanë nga zona të ndryshme të vendit kanë ekspozuar punimet e tyre në Panairin e Artizanatit, duke rikthyer atmosferën mesjetare të pazarit si qendër prodhimi, zejesh dhe shkëmbimesh.
Punimet e ekspozuara përfshijnë teknika autentike shekullore, një pjesë e të cilave janë pjesë e trashëgimisë jomateriale që sot konsiderohet e rrezikuar. Në stendat e vendosura përgjatë rrugicave të gurta gjenden endje në vegjë, punime në gur dhe dru, vegla muzikore tradicionale, por edhe produktet e zaireve të dimrit, një traditë e hershme ku familjet lokale përgatisnin reçelra, turshi, gliko dhe produkte të tjera tradite për muajt e dimrit.
Panairi është shoqëruar edhe me rritje të dukshme të vizitueshmërisë. Operatorët turistikë raportojnë se kapacitetet e akomodimit në qytet janë të rezervuara mbi 70% përgjatë ditëve të fillimit të shtatorit.
Mbrëmjet në Gjirokastër janë mbushur me polifoni, veshje tradicionale dhe muzikë popullore, këngëtarë të njohur të muzikës moderne dhe DJ përgjatë natës duke krijuar një atmosferë ideale për qindra të rinj.
Gjirokastra po krijon një profil më të qartë turistik, ku trashëgimia dhe artizanati po bëhen pjesë përbërëse e ofertës turistike.
Nga produktet tradicionale, muzika polifonike tek zejet e hershme, qyteti po e ndërton fizionominë e tij si një destinacion kulturor, ku turizmi lidhet drejtpërdrejt me ruajtjen dhe promovimin e traditës.
Me bukë e kripë dhe nën tingujt e muzikës popullore të zonës, u hap sot për qarkullim rruga Qukës-Qafë Plloçë. Ky segment, punimet për të cilin kanë zgjatur për 16 vite, i ka kushtuar shtetit shqiptar 235 milionë dollarë.
Rruga Qukës-Qafë Plloçë ka një gjatësi prej 43.4 kilometrash, ndërsa përshkon një terren malor të juglindjes së vendit, duke shkurtuar kohëzgjatjen nga Tirana në Korçë në dy orë. Ndërsa pas përfundimit të zgjerimit të Korridorit të VIII-të, kjo distancë shkon në një orë e gjysmë.
Sipas ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, rruga nisi me një projekt të periudhës 2010-11, të cilën, gjatë ecjes së inaugurimit ku ishte prezent edhe Kryeministri Edi Rama, ajo e konsideroi “indiferent ndaj gjeologjisë së zonës” apo “kushteve atmosferike dhe ndërlidhjet me fshatrat e malësisë së Mokrës”.
Kryeministri e përforcoi idenë e ministres Balluku.
“Është projekti më i gjatë, më i stërmundimshëm, më i ngatërruar për shkak se u nis mbrapsht. Është një çlirim shumë i madh për zonën”, deklaroi Rama.
Rruga i përket kategorisë C1, me dy karrexhata me 3,75 metra nga secili krah dhe një metër korsi ndihmëse. Ndërsa si vepra arti janë dy tunele, njëri 710 metra dhe tjetri 300 metra dhe 4 ura, dy prej të cilave metalike.
“Tani nis një sfidë tjetër që është sfida e mirëmbajtjes për shkak se kjo është zonë malore edhe me ngricat edhe me reshjet e dëborës”, deklaroi ministrja Balluku.
Pritja me bukë dhe krypë e ministres Balluku dhe Kryeministrit Rama në hapjen e rrugës Qukës-Qafë Plloçë/Facebook.
16 vite për 43 km rrugë
Odiseja e rrugës Qukës-Qafë Plloçë nis në vitin 2009, kur ish-kryeministri Sali Berisha premtoi ndërtimin e saj.
“Vota së bashku me ne është votë për autostradën e re Elbasan-Tiranë, është votë për autostradën e re Qukës-Plloçë-Pogradec,” shprehej Berisha asokohe, ndërsa brohoritjet e mijëra qytetarësh në sheshin e qytetit të Elbasanit “të veshur blu”, i mbivendoseshin premtimeve te tij elektorale.
Pas përfundimit të zgjedhjeve, Berisha preu shiritin e nisjeve të punimeve. Projekti u cilësua më vonë “një vijë pa studim dhe me gabime teknike” nga ekspertët e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Ai ishte hartuar me buxhetin e shtetit, por pas ndërprerjes së punimeve dhe pamundësisë financiare, për të u mor kredia e parë në vitit 2013, nënshkruar nga ish-ministri i Financave Ridvan Bode.
Huaja, e cila synonte të përfundonte veprën u mor nga Banka Islamike për Zhvillim (BIZH) dhe Fondit Saudit për Zhvillim (FSZH), ndërsa kishte një vlerë totale prej 125 milionë dollarësh.
Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Rama, projekti u rishikua, duke shtuar kësisoj kosto të tjera financiare.
“Ky ndryshim projekti, ka qenë i domosdoshëm, sepse po të kishim vazhduar me projektin që trashëguam do të ishim në një situatë edhe më katastrofike me rrugën Tiranë-Elbasan”, shprehej Kryeministri Rama gjatë një inspektimi të punimeve në vitin 2017.
Ato rinisën zyrtarisht në vitin 2015. Në 2018-ën, ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë një tjetër inspektimi premtoi se kjo rrugë do të ishte funksionale në vitin 2019.
“Kompanitë po bëjnë një punë të mirë dhe me zgjidhjet e problemeve të mbetura të projektit, besoj do të jetë funksionale në vitin 2019 duke afruar Korçën me Tiranën,” shprehej Gjiknuri.
Mirëpo, edhe pas përfundimit të këtij afati rruga nuk mbaroi.
Gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit, në shtator të vitit 2020, ministrja Balluku deklaroi se për të përmbyllur punimet nevojiteshin edhe 105.8 milionë dollarë: 56.8 milionë për dy lotet e para dhe 49 milionë lotin e tretë.
Kjo nevojë u materializua dy vite më vonë, në 2022-in kur qeveria mori tjetër hua nga FSZH me vlerën 49 milionë dollarë për të përfunduar lotin e tretë të rrugës. Lot ky, i cili nuk ishte parashikuar në projektin fillestar.
Sipas ARRSH-së, kostoja fillestare për lotin e parë dhe të dytë ka qenë 38 dhe 63.1 milionë dollarë. Ndërsa sot, loti i parë ka shkuar 74 milionë dhe loti i dytë 95 milionë.
Sa i takon financuesve, sipas ARRSH, nga buxheti i shtetit drejtpërdrejt u financuan vetëm 2.9 kilometra. Ndërsa për lotin e parë dhe të dytë, përkatësisht 30 kilometra, financues ka qene BIZH. Për lotin e tretë, 10 km financimi është nga FSZH.
Qeverisë socialiste iu desh të niste mandatin e katërt për të përfunduar këtë rrugë prej 43,4 km me një kosto të dyfishuar prej fillimit, duke shkuar në mbi 235 milionë dollarë.
PRISHTINË, 2 shtator /ATSH/ Në Suharekë kanë nisur punimet për ndërtimin e stadiumit të këtij qytetit i cili do t’i ketë mbi 6 mijë ulëse dhe do të kushtojë 11 milionë euro.
Në vënien e gurthemelit,kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se ky stadium pritet të përfundojë brenda 750 ditësh dhe do të jetë i kategorisë D sipas standarteve të UEFA-s.
“Jemi bashkë në Suharekë sot për vënien e gurthemelit të stadiumit i cili është i kategorisë D sipas UEFA-s, do të ketë më shumë se 6 mijë e 500 ulëse, një lajm i jashtëzakonshëm për Suharekën dhe futbollin e sportin e Kosovës. Morëm vesh që për 750 ditë do të kryhen të gjitha punimet e nevojshme në mënyrë që ashtu siç duket në projekt, të duket edhe në realitet…Ne me këtë stadium i cili e ka vlerën e gjithmbarshme të investimit rreth 11 milionë euro, lajmë një pjesë të borxhit shtetëror për këtë ekip të jashtëzakonshëm që padyshim se po frymëzon që sa më shumë të rinj e të reja të merren me sport”, theksoi Kurti.
Ndërsa, ministri në detyrë i Minsitrisë së Sportit, Hajrulla Çeku, deklaroi se ky është një investim shumë i rëndësishëm për qytetin e Suharekës, derisa shtoi se investime të tilla janë pjesë e një programi shumë më të madh të Qeverisë së Kosvës për përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend.
“Ky investim është pjesë e një programi shumë më të madh të Qeverisë së Kosovës, jo vetëm i ministrisë, buxheti për infrastrukturën e futbollit ka kërkuar zotim të veçantë dhe kryeministrit sepse e ka kuotuar rëndësinë që e ka futbollit për shtetin tonë. Jemi duke investuar në shumë qytete të Kosovës, disa stadiume tashmë në realizim, disa përfundojnë shumë shpejtë, të tjerat nisin ndërkohë. Jam shumë i lumtur që Suharekës po ia nisim këtë investim shumë të rëndësishëm bashkë me fushën ndihmëse që tashmë është në përfundim e sipër”, deklaroi Çeku.
I lumtur me këtë projekt u shpreh edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj i cili tha se ky qytet e meriton të ketë kushte shumë më të mira infrastrukturorë në sport.
Në këtë stadium pritet që ndeshjet t’i zhvillojnë skuadra e Ballkani, ajo e Suharekës por edhe klube të tjera të kësaj komunës.
TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Policia Bashkiake e Durrësit informoi sot se në kalimin hekurudhor Fusha Sportive, Sukth do të jetë totalisht i bllokuar nga të dyja anët për shkak të ndërhyrjeve në infrastrukturën hekurudhore.
Në një postim në rrjetet sociale, Policia Bashkiake Durrës njofton të gjithë drejtuesit e automjeteve të njësisë administrative Sukth, Manëz, Ishëm , të cilët përdorin segmentin rrugor Sukth- Kullë dhe anasjelltas Kullë- Sukth, në kilometrazhin 10+418 se sot dhe nesër nga ora 00:00 deri në 04:00, në kuadër të rikonstruksionit të linjës hekurudhore Durrës–Tiranë Terminali Publik i Transportit (TPT) si dhe ndërtimit të linjës së re hekurudhore drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit (ANR), do të kryhen punime që do të ndikojnë në qarkullimin rrugor në kalimin hekurudhor Fusha Sportive, Sukth.
Gjatë këtij orari, ky kalim do të jetë totalisht i bllokuar nga të dyja anët për shkak të ndërhyrjeve në infrastrukturën hekurudhore nga punimet e kryera nga kompania.
Policia Bashkiake Durrës I bën apel qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë segment rrugor gjatë orareve të sipërpërmendura dhe të ndjekin rrugë alternative.
Shërbimet e Policisë Bashkiake do të jenë në terren për të mbikëqyrur dhe kontrolluar trafikun.
TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Vijon puna për ndërtimin e Urës së re të Bahçallëkut, në hyrje të qytetit të Shkodrës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna e përditshme për ndërtimin e kësaj ure brenda parametrave të duhur.
“Vijon puna për ndërtimin e Urës së re të Bahçallëkut në hyrje të Shkodrës, një vepër e rëndësishme që do të lehtësojë trafikun për mjetet që do të lëvizin në drejtim të Tiranës, ndërkohë që edhe ura e vjetër do të vijojë të funksionojë dhe do të shërbejë për mjetet që lëvizin në drejtim të Shkodrës”, shkruan Rama.
E inauguruar më 4 shkurt të vitit 1914, Ura e Bahçallëkut, lidh qytetin e Shkodrës me pjesën tjetër të tij, që shtrihet përtej rrugëtimit të Drinit e të Kirit për në Bunë.
Njëkohësisht ura mundëson komunikimin e qytetit me pjesën tjetër vendit, duke shërbyer si arterie e qenësishme komunikimi të një prej qendrave më të rëndësishme historike, ekonomike dhe kulturore.
Ura e Bahçallëkut është ndërtuar në vitin 1914 me projektues austriak, konstruksioni i së cilës ka ardhur deri në ditët tona.
TIRANË, 26 gusht/ATSH/- Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë do jetë një ndërtesë dinjitoze, pol kulturor multifunksional plot hapësira për fëmijët dhe të rinjtë, të cilët do të mund të zbulojnë dhe kultivojnë talentet e tyre në shumë fusha.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga punimet që po vijojnë në kantierin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.
Rama thekson se kjo Qendër “po rilind si një hapësirë moderne pranë Parkut të Madh të Liqenit në Tiranë, me një skenë të dyfishtë brenda godinës”.
Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij investimi është krijimi i një skene të dyfishtë, që do të mund të përdoret si brenda godinës dhe jashtë saj, në formën e një amfiteatri të hapur në natyrë.
Kreu i Ekzekutivit shton se edhe nga jashtë godina do ketë formën e “një amfiteatri në natyrë, auditore e klasa për artet dhe inovacionin”.
Kryeministri shprehet se Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë do të kthehet në një laborator krijimtarie për fëmijë e të rinj, si një qendër unike në rajon.
Ky investim është një nga më të mëdhenjtë në Ballkan dhe do të ofrojë kushte moderne për aktivitete social-kulturore, me fokus te zhvillimi i talenteve të rinj dhe edukimi i artit për fëmijët.
Gjithashtu është parashikuar ndërtimi i një punishteje të madhe, ku do të prodhohen kukulla dhe rekuzita për shfaqje, si dhe do të mund të shfrytëzohet nga të rinjtë dhe studentët e Akademisë së Arteve.
Kjo qendër do të ofrojë mundësi për zhvillimin e kurseve të ndryshme për artet skenike, përfshirë aktrim, balet, muzikë dhe shumë aktivitete të tjera, duke i mundësuar të rinjve të shfaqin dhe zhvillojnë talentet e tyre.
TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Drejtoria e Rrugëve Rurale pranë Bashkisë Kukës vijon me investimet e planifikuara për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonat rurale, me fokus përmirësimin e kushteve të lëvizjes për banorët dhe automjetet.
Aktualisht, janë ndërmarrë ndërhyrje në disa zona të Njësisë Administrative Shishtavec.
Sipas njoftimit të Bashkisë Kukës, në fshatin Shtrezë është realizuar zgjerimi i rrugës, një investim i domosdoshëm që ka përmirësuar ndjeshëm qarkullimin e përditshëm, duke garantuar më shumë siguri, shpejtësi dhe lehtësi në lëvizje për banorët.
Ndërsa në aksin rrugor Çernalevë–Oreshkë janë kryer punime sistemimi dhe riparimi, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe në lehtësimin e ndërlidhjes ndërmjet tre fshatrave të zonës.
Këto investime janë pjesë e një strategjie afatgjatë të Bashkisë Kukës për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale, si dhe për rritjen e aksesit dhe cilësisë së jetës për komunitetin lokal.
Bashkia Kukës shpreh mirënjohje të veçantë për ekipet e punës në terren, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm po realizojnë projekte që sjellin ndryshime të prekshme në jetën e përditshme të qytetarëve.
TIRANË, 12 gusht/ATSH/- Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga kantieri i Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura në Tiranë që po shndërrohet në një qendër bashkëkohore për artin dhe kulturën në Shqipëri.
Rikonstruksioni total i Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura është investim i qeverisë shqiptare, dhe do të ruajë dhe evidentojë vlerat e projektit të prof. Enver Fajës.
Rama shprehet se “dita-ditës po merr formë një hapësirë e re arti, që do t’i shtojë kryeqytetit hapësira të zgjeruara për ekspozita, kushte të avancuara për ruajtjen e veprave, laborator modern restaurimi dhe teknologji, gjithçka për të mirëpritur vizitorë, kuratorë dhe artistë nga vendi dhe bota”.
Investimi përfshin gjithashtu aksesueshmërinë me dy hyrje të reja, sistem sigurie të avancuar, shkallë emergjence dhe sisteme HVAC për ruajtjen e veprave në kushte optimale.
Një godinë simotër do i shtohet asaj ekzistuese, në pjesën e pasme, me të njëjtat volume, duke zgjeruar hapësirat e fondit të ruajtjes së veprave të artit, ekspozimit, laboratorëve restaurues, aktivitetit edukues për të rinj e fëmijë e shërbime për vizitorët.
Nga 4.600 m2 që është sot, muzeu do të shtrihet në 10.100 m2.
TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Teatri “Migjeni” në Shkodër, një prej simboleve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në veri të vendit, po i nënshtrohet një procesi të plotë rikonstruksioni, me synimin për t’u rikthyer si një hapësirë dinjitoze për artin dhe publikun.
Falë bashkëpunimit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me Bashkinë Shkodër, po realizohet instalimi i sistemeve moderne të kondicionimit, një investim i rëndësishëm që synon të përmirësojë ndjeshëm kushtet e brendshme dhe të sigurojë një përvojë më të këndshme për artistët dhe spektatorët.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e cilësoi investimin hap të rëndësishëm drejt ruajtjes dhe rigjallërimit të jetës artistike në Shkodër.
Sipas tij, së shpejti, në këtë teatër do të zhvillohen edhe programe kulturore të mbështetura nga fondi i mobilitetit dhe bashkëpunime me partnerë e miq ndërkombëtarë të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duke i dhënë një impuls të ri shkëmbimit artistik dhe bashkëpunimeve kulturore.
STAMBOLL, 1 GUSHT /ATSH-AA/ – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan priti kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrin e Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Libisë, Abdulhamid Dibeybe, në kuadër të Samitit të Bashkëpunimit Turqi-Itali dhe Libisë.
Presidenti Erdoğan priti kryeministren italiane Meloni dhe kryeministrin e Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Libisë, Dibeybe, me ceremoni zyrtare të ndara në Zyrën Presidenciale Dolmabahçe.
Në takimin me dyer të mbyllura, presidentin Erdoğan e shoqëruan ministri i Jashtëm Hakan Fidan, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës, İbrahim Kalın dhe këshilltari kryesor për Politikë të Jashtme dhe Siguri i presidentit, Akif Çağatay Kılıç. /os/
Ditën e sotme, dy persona janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Tiranës, pasi u kapën duke kryer punime ndërtimi pa leje në zonën e “Kodrës së Diellit”, në kryeqytet.
Bëhet fjalë për një inxhinier ndërtimi dhe një punonjës, përkatësisht Noel Vata, 37-vjeç dhe Arion Dyli 28-vjeç, të cilët po punonin për ndërtimin e një objekti të ri pas një banese ekzistuese, pa dokumentacionin përkatës ligjor.
Policia bën me dije se është shpallur në kërkim edhe pronari i objektit, shtetasi S. I., 37-vjeç, në emër të të cilit po kryheshin punimet.
Ndërkohë, ndaj babait të tij, B. I., ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, pasi po mbikëqyrte punimet e paligjshme në terren.
Të arrestuarit janë identifikuar si:
Noel Vata, 37-vjeç, inxhinieri që drejtonte punimet;
Arion Dyli, 28-vjeç, një nga punonjësit që ndodhej në vendin e ndërtimit.
Policia e Komisariatit Nr. 1 ka nisur hetimet dhe po vijon punën për të lokalizuar dhe ndaluar shtetasin në kërkim, ndërkohë që kontrollet për evidentimin e ndërtimeve pa leje dhe zënies së hapësirave publike në Tiranë do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.