TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Durrësi vijon të mbetet një ofertë turistike gjithëvjetore, duke tërhequr turistë vendas dhe të huaj, nga e gjithë bota. Përpos plazheve, qyteti bregdetar ofron një gamë atraksionesh jo vetëm në muzetë e artit, trashëgimisë kulturore, por edhe aktivitete sportive dhe argëtuese në çdo periudhë të vitit.
Floreta Kërtusha, përgjegjëse e zyrës së turizmit pranë bashkisë Durrës, u shpreh për ATSH-në se edhe ky sezon turistik veror, i cili pritet të përfundojë në datë 31 tetor, ka qenë një sezon turistik mjaft i suksseshëm, duke tejkaluar pritshmëritë dhe parashikimet.
“Qyteti i Durrësit ka qenë destinacioni i parë turistik i miliona turistëve dhe vizitorëve nga rajoni, Evropa dhe e gjithë bota, çka na bën të ndihemi më shumë krenarë si edhe akoma më të përgjegjshëm në punën tonë për të garantuar turizmin gjithëvjetor. Zgjedhja e Durrësit si destinacion i preferuar turistik gjatë gjithë vitit është pa dyshim vija bregdetare e mrekullueshme prej 64 kilometrash si dhe trashëgimia e pasur kulturore e Durrësit. E gjithë vija bregdetare ofron një hapësirë të konsiderueshme dhe të larmishme me plazhe ranore dhe pjesërisht shkëmbore, si edhe struktura hoteliere apo agroturizëm të cilat ofrojnë shërbime turistike për të gjithë turistët dhe vizitorët vendas dhe të huaj. Vitet e fundit, qëllimi ynë si bashki është rivitalizimi i fshatrave turistikë si dhe krijimi i një destinacioni dhe atraksioni agroturistik, i cili i ofrohet turistëve të apasionuar pas gastronomisë, verërave, pijeve apo produkteve të tjera lokale tradicionale”, tha Kërtusha.
Sipas Kërtushës, referuar të dhënave nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, vitin e kaluar ishin mbi 1 milion turistë që e vizituan qytetin e Durrësit, ndërsa këtë vit ky numër mund të arrijë deri në 1 milion e 500 mijë vizitorë deri në fund të muajit dhjetor.
“Nëse do t’i referohemi statistikave të fundit vetëm nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin, shënohet një rritje e numrit të hyrjeve në Portin e Durrësit, ku vetëm për 9-mujorin e parë të vitit 2025 numërohen 403.554 hyrje në total, rreth 7% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë për vitin e kaluar, ku u regjistruan 377.574 hyrje në total”, theksoi ajo.
“Durrësi është qendra e investimeve strategjike kombëtare, praktikisht një destinacion për investitorët e huaj, sidomos në aspektin e investimeve infrastrukturore, industriale, turistike dhe kulturore. Durrësi tashmë është destinacion i markave ndërkombëtare, ndaj këtë vit ka patur një rritje të numrit të turistëve elitarë. Me miratimin nga ana e Qeverisë shqiptare, këtë vit kanë filluar punimet për ndërtimin e dy unazave të reja të Currilave, që do t’i japin frymëmarrje qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve dhe pritet të ulin ndjeshëm problemin e trafikut të automjeteve. Një ndër ndërtimet më strategjike përgjatë vijës bregdetare është edhe përfundimi i punimeve për ndërtimin e shëtitores “Ura e Dajlanit – Konvaleshencë”, me gjatësi 3 km. Ky investim është në favor të turizmit, duke përmirësuar infrastrukturën rrugore në një nga zonat turistike që mban fluksin më të madh të turistëve. Një tjetër projekt ambicioz është ai i Akademisë Elitare Manchester City. Kjo akademi elitare do t’i shërbejë fëmijëve të Durrësit, të gjithë vendit dhe më gjerë. Një tjetër lajm i mirë për qytetin ishte krijimi i një tjetër akademie sportive prestigjioze në sportin e tenisit, Akademia e Rafael Nadal, njërit prej tenistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave”, pohoi Kërtusha.
Përgjegjësja e zyrës së turizmit pranë bashkisë Durrës, pohoi se ky vit shënon një rritje të numrit të strukturave akomoduese, ku janë regjistruar rreth 237 subjekte që ushtrojnë veprimtari hotelerie.
Kërtusha cilëson se disa nga eventet që kanë tërhequr më shumë vizitorë gjatë 10 muajve të këtij viti janë ART Explora Festival (prill 2025), Giro d’Italia 2025 (maj 2025), Vala Fest (korrik 2025), Panairi “Taverna e Adriatikut”, koncerti i sopranos Inva Mula (gusht 2025), Festivali Ndërkombëtar Folklorik (korrik-gusht 2025) e tjerë.
“Durrësi i cili është një qytet pothuajse 3000-vjeçar, njihet jo vetëm për turizmin bregdetar ku ju mund të shijoni ditët me diell, plazhet e shumta ranore dhe pjesërisht shkëmbore që lagen nga deti Adriatik, por edhe për turizmin kulturor. Nëse do t’i referohemi të dhënave nga Qendra Muzeore Durrës, vetëm gjatë 9-mujorit të vitit 2025, numri i vizitorëve vetëm në Amfiteatër dhe tek Torra Veneciane është 44.113 vizitorë, nga ku shënohet një rritje prej 36% në krahasim me të njëjtën periudhë për vitin 2024, ku numërohen 32.423 vizitorë”, tha Kërtusha.
Sipas Kërtushës, bashkia Durrës po punon mbi disa strategji për promovimin e ofertës turistike të qytetit bregdetar në tregjet ndërkombëtare të turizmit.
“Bashkia Durrës në kuadër të diversifikimit të ofertës turistike, duke synuar turizmin gjithëvjetor, përfshirë këtu turizmin natyror, sportiv, kulinar, kulturor e historik, përgjatë vitit 2025 ka planifikuar realizimin e aktiviteteve të ndryshme. Drejtoria e Turizmit, ka promovuar të gjithë potencialin turistik të qytetit të Durrësit në Panairin e Punës në Athinë (Greqi), në Rrjetin e Kryeqytetit Evropian të Demokracisë (European Capital of Democracy Network), në Rrjetin e vendeve të Ballkanit: B40 Balkan Cities Network etj., ku Bashkia Durrës është anëtare së bashku me qytete të tjera nga Bashkimi Evropian apo nga Ballkani. Gjithashtu, në kuadër të promovimit të potencialeve turistike të qytetit, janë ndërmarrë dhe po ndërmerren një sërë fushatash apo aktivitetesh promocionale me fokus trashëgiminë kulturore, destinacionet turistike, restorantet, subjektet e agroturizmit, shtigjet natyrore për ecje e tjerë”, përfundoi Kërtusha.
/e.i//r.e/
The post Kërtusha për ATSH-në: Mbi 1,5 milionë turistë gjatë 2025-ës në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.