TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), institucioni i parë i shtypit të shkruar në Shqipëri, ka ndërmarrë një nga proceset më të rëndësishme për ruajtjen e trashëgimisë mediatike dhe historike të vendit: digjitalizimin dhe indeksimin e arkivës së saj fotografike.
Arkiva e ATSH-së, me mbi 300 mijë fotografi dhe negativë filmikë, përbën një pasuri të rrallë dhe një dokumentim unik të të gjitha etapave nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë. Ky fond fotografik është njëkohësisht dëshmi e punës së palodhur dhe profesionale të brezave të fotoreporterëve të ATSH-së, të cilët kanë fiksuar në imazh momentet kyçe të historisë shqiptare.
Nisja e këtij procesi shënon një hap thelbësor për ruajtjen afatgjatë të kujtesës historike dhe vizuale të Shqipërisë, si një proces dokumentimi dhe reflektimi mbi të gjitha etapat e historisë së vendit.
Prej vitesh, ky fond i paçmueshëm ndodhej në kushte të papërshtatshme ruajtjeje dhe ishte realisht në rrezik shkatërrimi. Fotografi dhe negativë të rrallë, të ekspozuar ndaj lagështirës, amortizimit dhe kalimit të kohës, po degradonin gradualisht, duke rrezikuar humbjen e një pjese të pazëvendësueshme të historisë kombëtare.
Ndërhyrja për shpëtimin e arkivës nuk ishte më një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Digjitalizimi i arkivës fotografike të ATSH-së përfaqëson sot një ndërhyrje të drejtë, të përgjegjshme dhe të kryer me standarde profesionale, që synon jo vetëm ndalimin e degradimit, por edhe rikthimin e dinjitetit të një pasurie kombëtare të lënë për vite me radhë në kushte të papranueshme.
Ruajtja, sistemimi dhe shpëtimi i këtij fondi ka qenë një nga prioritetet kryesore të drejtoreshës së përgjithshme të ATSH-së, Valbona Zhupa, e cila ka vënë në qendër të vëmendjes mbrojtjen e arkivës si një detyrim institucional ndaj historisë dhe brezave që vijnë.
“Arkiva fotografike e ATSH-së është një pasuri kombëtare me vlerë të jashtëzakonshme dokumentare. Për vite me radhë, një pjesë e këtij fondi është përballur me rrezikun e degradimit. Ndërhyrja për digjitalizimin e saj ishte e domosdoshme për të garantuar ruajtjen afatgjatë, sistemimin profesional dhe aksesin e kontrolluar të këtij materiali, në funksion të publikut, studiuesve dhe brezave të ardhshëm”, u shpreh Zhupa.
Materialet e fazës së parë të digjitalizimit po i nënshtrohen skanimit profesional, për t’u pasuar nga një proces i detajuar inventarizimi dhe indeksimi. Digjitalizimi i arkivës nuk synon vetëm mbrojtjen e materialeve origjinale, por edhe modernizimin e mënyrës së menaxhimit dhe shfrytëzimit të tyre.
Pas përfundimit të kësaj faze, ATSH do të vijojë me një tjetër etapë të rëndësishme, atë të publikimit online të arkivës fotografike. Ky hap do t’i japë mundësi publikut të gjerë, studiuesve, historianëve, gazetarëve dhe institucioneve të kenë akses në një fond të pasur imazhesh me vlera të veçanta historike dhe kulturore.
Publikimi online i arkivës së ATSH-së do ta shndërrojë këtë fond në një burim të rëndësishëm referimi për studime, dokumentarë, botime dhe projekte kërkimore, duke kontribuar në forcimin e kujtesës kolektive dhe në ruajtjen e historisë shqiptare përmes imazhit.
Me këtë projekt, ATSH hedh një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit dhe përafrimit me standardet bashkëkohore të arkivimit mediatik, duke garantuar që trashëgimia vizuale e Shqipërisë të ruhet, të dokumentohet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm.
/a.f/r.e/
The post Një pasuri kombëtare e shpëtuar, ATSH nis digjitalizimin e arkivit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.