❌

Normal view

BMW planifikon revolucion në vitin 2027, ja 10 modelet e reja që pritet t’i prezantojë

14 November 2026 at 22:53

Prodhuesi gjerman i veturave, BMW, po përgatitet për një vit të ngarkuar me prezantime të reja, duke planifikuar zgjerimin e gamës së automjeteve gjatë vitit 2027.

Kompania pritet të fokusohet në veturat elektrike, SUV-të, modelet sportive dhe segmentin luksoz, në kuadër të strategjisë për modernizimin e ofertës dhe përshpejtimin e elektrifikimit.

Pas prezantimit të disa modeleve të bazuara në teknologjinë Neue Klasse, BMW synon të sjellë përmirësime në dizajn, autonomi, performancë dhe teknologji.

Ndër modelet që pritet të prezantohen gjatë vitit 2027 është BMW i1, një veturë e re elektrike kompakte, e cila synon të jetë ndër modelet më të përballueshme të markës.

Përditësime priten edhe për BMW X1 dhe iX1, si dhe për X2 dhe iX2, me ndryshime në dizajnin e jashtëm dhe modernizim të kabinës.

Në listën e modeleve të reja përfshihet edhe BMW i3 Touring, një version elektrik karavan që pritet të ofrojë më shumë hapësirë për pasagjerë dhe bagazh.

Vëmendje të veçantë pritet të marrë edhe BMW M3 elektrik, i cili parashihet të jetë modeli i parë plotësisht elektrik i kësaj serie sportive dhe të zhvillojë rreth 800 kuaj fuqi.

BMW planifikon gjithashtu X3 M dhe X4 M elektrike, dy SUV sportive që pritet të pajisen me katër motorë elektrikë dhe të ofrojnë performancë të lartë.

Ndryshime të rëndësishme priten edhe te Seria 5, ndërsa gjenerata e re e X7 mund të shoqërohet për herë të parë me versionin plotësisht elektrik iX7.

Në segmentin luksoz, kompania pritet të prezantojë edhe BMW Alpina Seria 7, një version më ekskluziv i sedanit, i cili synon të konkurrojë me modele si Mercedes-Maybach dhe Bentley.

Me këtë gamë të re, BMW synon të forcojë pozicionin në tregun global dhe të përshpejtojë kalimin drejt automjeteve elektrike, duke ruajtur njëkohësisht ofertën me motorë tradicionalë.

Megjithatë, jo të gjitha modelet dhe specifikimet janë konfirmuar zyrtarisht. Disa prej tyre pritet të prezantohen gjatë vitit 2027, ndërsa dalja në shitje mund të ndodhë më vonë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post BMW planifikon revolucion në vitin 2027, ja 10 modelet e reja që pritet t’i prezantojë appeared first on Sinjali.

Portugalia pëson debakël në shtëpi, Danimarka e mposht 4:1 në ndeshjen e parë pa Ronaldon

14 November 2026 at 22:47

Portugalia ka pësuar një humbje të rëndë në shtëpi, duke u mposhtur me rezultat 4:1 nga Danimarka në Ligën A të Ligës së Kombeve.

Kjo ishte ndeshja e parë e portugezëve që nga njoftimi i pensionimit të kapitenit legjendar, Cristiano Ronaldo. Para fillimit të takimit, Ronaldo u nderua në një ceremoni të veçantë, ndërsa të gjithë futbollistët e Portugalisë dolën në fushë me fanella me numrin 7.

Megjithatë, në fushën e lojës, mbrëmja ishte për t’u harruar për vendasit.

Pierre-Emile Hojbjerg kaloi Danimarkën në epërsi në minutën e 43-të, duke realizuar nga penalltia. Më pas, Rasmus Hojlund shënoi dy herë, në minutat 47 dhe 50, duke e çuar rezultatin në 3:0.

Fitoren e thellë të danezëve e vulosi mbrojtësi Joachim Andersen, me golin e realizuar në minutën e 75-të, ndërsa Bernardo Silva shënoi golin e vetëm për Portugalinë në minutat shtesë.

Pavarësisht humbjes, Portugalia vazhdon të kryesojë grupin me 12 pikë dhe i mjafton një barazim në ndeshjen e fundit ndaj Uellsit për ta ruajtur pozitën e parë.

Danimarka renditet e dyta me nëntë pikë, tri më shumë se Norvegjia, me të cilën do ta zhvillojë ndeshjen e fundit. Dy vendet e para të grupit kualifikohen në plejof të Ligës së Kombeve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Portugalia pëson debakël në shtëpi, Danimarka e mposht 4:1 në ndeshjen e parë pa Ronaldon appeared first on Sinjali.

Biden kritikon Netanyahun në librin e ri: Premtonte të mbronte civilët në Gaza, por vazhdonin sulmet

14 November 2026 at 22:40

Ish-presidenti amerikan, Joe Biden, ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, duke e akuzuar se vazhdimisht kishte dhënë premtime për të kufizuar dëmet ndaj civilëve në Gaza, por pa i përmbushur ato.

Deklaratat e Bidenit janë publikuar në fragmente nga libri i tij i ri me kujtime, “Promise Me, America”, ku ai rrëfen komunikimet me Netanyahun gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Biden kujtoi se më 7 tetor 2023, pas sulmit të Hamasit që shënoi fillimin e luftës, kishte telefonuar disa herë kryeministrin izraelit, për t’i përcjellë vendosmërinë e tij që një sulm i tillë të mos përsëritej më.

Sipas ish-presidentit amerikan, që nga fillimi i konfliktit ai i kishte kërkuar vazhdimisht Izraelit të merrte masa për mbrojtjen e civilëve, shqetësime që thotë se ia kishte përcjellë Netanyahut edhe në biseda private.

Biden pretendon se Netanyahu e pranonte se numri në rritje i viktimave civile po dëmtonte imazhin e Izraelit dhe mbështetjen amerikane për luftën, por se pavarësisht premtimeve për ndryshim, sulmet vazhdonin.

“Bibi nuk e kishte aspak problem të jepte premtime që nuk kishte as fuqinë – e as ndërmend – t’i mbante”, shkroi Biden, duke iu referuar Netanyahut me nofkën e tij.

Ai shtoi se ishte zhgënjyer nga ajo që e përshkroi si mungesë të një qasjeje shtetërore nga kryeministri izraelit, duke e akuzuar se përqendrohej më shumë në nevojat e tij politike afatshkurtra sesa në interesat afatgjata të Izraelit.

Megjithatë, Biden mbrojti vendimin e administratës së tij për të vazhduar ndihmën ndaj Izraelit, duke thënë se si president kishte përgjegjësi të mbronte interesat amerikane dhe aleatët e vendit.

Ai tha se, pas rikthimit të Netanyahut në pushtet në fund të vitit 2022, kishte ndjerë se mbrojtja e Izraelit nënkuptonte edhe mbrojtjen e tij nga vendimet e veta.

Ndërkohë, Netanyahu nuk kishte reaguar menjëherë ndaj deklaratave të publikuara nga libri i Bidenit.

Izraeli ka deklaruar vazhdimisht se synon të minimizojë viktimat civile në Gaza, ndërsa ka akuzuar Hamasin se përdor popullsinë civile si mburojë njerëzore dhe vepron nga zona të banuara, përfshirë spitale e shkolla.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Biden kritikon Netanyahun në librin e ri: Premtonte të mbronte civilët në Gaza, por vazhdonin sulmet appeared first on Sinjali.

Merz i dërgon mesazh Trumpit para takimit me Putinin në Kinë: Pa surpriza, qëndroni në krah të Evropës dhe Ukrainës

14 November 2026 at 22:30

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, që të shmangë vendimet e papritura gjatë takimit të pritshëm me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kinë, ku pritet të diskutohet për luftën në Ukrainë.

Merz ka shprehur shqetësimin se takimi mund të përsërisë skenarin e samitit Trump–Putin në Anchorage të Alaskës, i cili në atë kohë ishte konsideruar nga liderët evropianë si një moment me rëndësi të veçantë për përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Disa këtu në Dublin kanë frikë se kjo mund të shndërrohet në një ‘moment të dytë Anchorage’”, deklaroi Merz.

Ai përcolli një mesazh të qartë për administratën amerikane, duke kërkuar që Uashingtoni të mos ndërmarrë hapa të papritur dhe të vazhdojë të bashkëpunojë me Evropën dhe Ukrainën.

“Prandaj dua ta përcjell shumë qartë mesazhin tonë për Shtetet e Bashkuara: ju lutem, pa surpriza. Vazhdoni të veproni si pjesë e ‘Ekipit Evropë’ dhe ‘Ekipit Ukrainë’”, theksoi kancelari gjerman.

Merz po kërkon gjithashtu që Bashkimi Evropian të sigurojë mbështetje afatgjatë për Ukrainën, në kuadër të negociatave për buxhetin e ardhshëm të unionit. Sipas tij, propozimi ka marrë mbështetje të gjerë, ndonëse një marrëveshje përfundimtare mbetet ende larg.

Kancelari bëri të ditur se, pas takimeve të kësaj jave mes përfaqësuesve amerikanë dhe rusë në Abu Dhabi, negociatat përmbajtësore për paqen pritet të nisin gjatë javëve të ardhshme, kësaj here edhe me pjesëmarrjen e evropianëve.

Ndërkohë, ai kundërshtoi kërkesën e Rusisë që arkitektura e sigurisë evropiane të bëhet pjesë qendrore e negociatave, duke argumentuar se kjo çështje tashmë është e rregulluar përmes NATO-s.

Merz theksoi se diskutimet duhet të përqendrohen në mënyrën se si do të garantohet siguria e Ukrainës pas arritjes së paqes, por nënvizoi se prioritet mbetet përfundimi i luftës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Merz i dërgon mesazh Trumpit para takimit me Putinin në Kinë: Pa surpriza, qëndroni në krah të Evropës dhe Ukrainës appeared first on Sinjali.

Aksidenti tragjik në Shqipëri, vdes “Mjeshtri i Madh” i ansamblit Mirdita

14 November 2026 at 22:21

65-vjeçari Paulin Filopati, është viktima e aksidentit automobilistik në aksin Thumanë-Fushë Krujë, që ndodhi këtë të shtunë.

Ai ishte një emër i njohur i artit dhe traditës folklorike mirditore. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka shkaktuar dhimbje te familjarët, miqtë dhe komuniteti artistik, ku Filopati ishte vlerësuar për kontributin e tij ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e muzikës e folklorit tradicional.

Ai ishte pjesë e Grupit të Burrave të Ansamblit Mirdita, me titullin “Mjeshtër i Madh”, si dhe artist i Grupit Kthella, shkruan TCH.

Paulin Filopati ishte gjithashtu njëri prej tre vëllezërve Filopati, së bashku me Gjovalinin dhe Pashkun, të cilët janë të njohur për kontributin e tyre në muzikën dhe traditën popullore mirditore.

Kujtimi i Paulin Filopatit do të mbetet i lidhur me këngën, muzikën dhe trashëgiminë folklorike të Mirditës.

“Na le dhimbje mbi trup e shpirt, artisti ynë i dashur, shpirtbardhë dhe i qeshur, Paulin Filopati!… Pas një aksidenti tragjik, ka gjetur vdekjen Paulin Filopati nga Kodër Rrësheni.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në aksin e vjetër Fushë-Krujë-Thumanë. Në momentin e aksidentit, pranë tij ndodhej edhe bashkëshortja, e cila fatmirësisht nuk është lënduar.

Është një humbje e rëndë për familjen, të afërmit dhe gjithë komunitetin e artistëve të Mirditës. Familja bën me dije se ceremonia mortore bëhet te Katedralja e Rrëshenit. Varrimi ditën e hënë, më datë 16 nëntor 2026, ora 12:00, te varrezat e Kodër Rrëshenit”, njofton miku i tij Gjergj Marku.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Aksidenti tragjik në Shqipëri, vdes “Mjeshtri i Madh” i ansamblit Mirdita appeared first on Sinjali.

Lojtarët e Portugalisë e nderojnë Ronaldon, hyjnë në fushë me fanellën e tij

14 November 2026 at 21:58

Kombëtarja e Portugalisë hyri në fushë për ndeshjen ndaj Danimarkës me 11 “Ronaldo”.

Kjo pasi të gjithë futbollistët e formacionit titullar iu bashkuan homazhit për ish-kapitenin e kombëtares portugeze, duke veshur fanellën me numrin 7 të Cristiano Ronaldos, të cilën e mbajtën deri edhe pas intonimit të himnit kombëtar.

Megjithatë, në momentin e fillimit të ndeshjes, gjithçka u kthye në normalitet, me futbollistët që u paraqitën me fanellat e tyre të zakonshme të lojës.

Pos këtij nderimi, tifozët në stadiumin e Bragas formuan një koreografi, me mbishkrimin “Faleminderit, kapiten”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Lojtarët e Portugalisë e nderojnë Ronaldon, hyjnë në fushë me fanellën e tij appeared first on Sinjali.

Për lopën kërkoi 48 orë ndalim, për aksidentin me një të vdekur iu rrëzua aktakuza – dosjet që rëndojnë mbi prokurorin Blerim Igrishta

14 November 2026 at 21:42

Një lopë hyn në oborrin e Gjykatës dhe pronari përfundon në ndalim. Një aksident me një të vdekur përfundon me aktakuzë të hedhur poshtë për shkak të mangësive procedurale. Në të dyja rastet shfaqet emri i të njëjtit prokuror, Blerim Igrishta.

Vendimi për ndalimin 48-orësh të Hashim Miftarit, pasi lopa e tij hyri në oborrin e Gjykatës në Graçanicë, ka rikthyer vëmendjen te disa dosje të mëparshme të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Rasti i fundit është veçanërisht i pazakontë. Gjyqtari që e kishte raportuar incidentin kishte deklaruar se dëmi në gjelbërim ishte minimal dhe se Policia ishte thirrur për t’ia tërhequr vëmendjen pronarit të kafshës.

Megjithatë, Igrishta urdhëroi ndalimin e tij për 48 orë.

Pas raportimeve të Sinjalit dhe reagimeve publike, Prokuroria konfirmoi se ndalimi ishte ndërprerë dhe Miftari ishte liruar në procedurë të rregullt.

Por kjo nuk është dosja e vetme e Igrishtës që ka ngritur pikëpyetje për vendimmarrjen e tij.

Një aksident fatal dhe një aktakuzë që nuk i mbijetoi kontrollit gjyqësor

Në gusht të vitit 2023, një aksident trafiku në hyrje të Prishtinës i mori jetën një pasagjeri.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Igrishta, shoferi dyshohej se kishte lëvizur me 136 kilometra në orë në një zonë ku shpejtësia e lejuar ishte 40 kilometra në orë.

Megjithatë, çështja nuk arriti të kalonte në shqyrtim gjyqësor mbi themelin e akuzës.

Gjykata Themelore në Prishtinë e hodhi aktakuzën më 1 tetor 2025, ndërsa Gjykata e Apelit e konfirmoi vendimin më 3 dhjetor.

Arsyeja ishte procedurale. Prokurori nuk e kishte marrë në pyetje të pandehurin përpara ngritjes së aktakuzës, ndonëse kjo ishte e detyrueshme sipas vlerësimit të gjykatës.

Edhe më problematik është konstatimi i raportuar nga Apeli se Prokuroria nuk i ishte përgjigjur kërkesës së Gjykatës Themelore për plotësimin e aktakuzës.

Këto gjetje janë raportuar nga KALLXO, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Apelit.

Aktakuzë në shkurt, vendim për fillimin e hetimeve në mars

Një tjetër rast i raportuar në vitin 2023 lidhet me një aktakuzë për vjedhje pylli.

Sipas raportimit, Igrishta kishte ngritur aktakuzën më 15 shkurt, ndërsa vendimin për fillimin e hetimeve e kishte marrë më 21 mars.

Mbrojtja kishte kundërshtuar këtë rend veprimesh, ndërsa Prokuroria e kishte arsyetuar situatën me një gabim teknik në kualifikimin juridik të veprës.

Gjykata e kishte kthyer aktakuzën për plotësim. Rasti kishte nxitur debat për respektimin e procedurave që duhet t’i paraprijnë ngritjes së akuzës.

Edhe një 81-vjeçar në mesin e rasteve të raportuara

Në raportimet publike për Igrishtën figuron edhe një kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj një 81-vjeçari, në një çështje të lidhur me kërkesat për hapjen e shkollave.

Megjithatë, pa vendimin e plotë gjyqësor dhe arsyetimin e kërkesës, ky rast nuk mund të vlerësohet përfundimisht në aspektin e ligjshmërisë.

Procedura disiplinore dhe pyetjet për llogaridhënien

Në shkurt të vitit 2026 është raportuar se ndaj Igrishtës ishte iniciuar procedurë disiplinore lidhur me trajtimin e dosjes së aksidentit fatal.

Rezultati përfundimtar i kësaj procedure nuk është konfirmuar publikisht në burimet e shqyrtuara.

Tani, pas rastit të Graçanicës, shtrohen pyetje që kërkojnë përgjigje institucionale.

Mbi cilat rrethana konkrete është vlerësuar i domosdoshëm ndalimi i pronarit të lopës? Cili ishte rreziku procedural që synohej të parandalohej? Si është vlerësuar proporcionaliteti i masës në raport me dëmin minimal të raportuar?

Po ashtu, çfarë përfundimi ka marrë procedura disiplinore e raportuar për dosjen e aksidentit fatal dhe a janë ndërmarrë masa për të parandaluar përsëritjen e mangësive procedurale?

Rasti i lopës mund të duket i pazakontë, por pyetja që ngre është serioze. A po ushtrohet pushteti prokurorial me kujdesin dhe përgjegjësinë që kërkon liria e qytetarit?

Kjo është çështja për të cilën Prokuroria dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të japin përgjigje të argumentuara.

Raportimet për mangësitë në dosjet e mëparshme nuk përbëjnë konstatim të përgjegjësisë disiplinore apo penale të prokurorit. Një vlerësim i tillë u takon organeve kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Për lopën kërkoi 48 orë ndalim, për aksidentin me një të vdekur iu rrëzua aktakuza – dosjet që rëndojnë mbi prokurorin Blerim Igrishta appeared first on Sinjali.

Gjeti drogë të dyshuar në tokë pranë banesës së tij në Vushtrri, polici njofton kolegët – sekuestrohen mbi 13 gramë

14 November 2026 at 21:33

Një zyrtar i Policisë së Kosovës ka bërë një gjetje të pazakontë në kompleksin e banesave ku jeton në Vushtrri. Teksa ndodhej pranë objektit, ai ka hasur në një sasi të substancës së dyshuar narkotike të lënë në tokë. Pas njoftimit të kolegëve të tij, substanca është sekuestruar, ndërsa personi që e kishte lënë aty ende nuk është identifikuar, raporton Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur të premten, më 13 nëntor, në rrugën “Avni Saraçi” në Vushtrri.

Sipas burimeve të Sinjalit, zyrtari policor kishte vërejtur substancën e dyshimtë në tokë, në hapësirën e kompleksit të banesave ku banon, dhe kishte njoftuar kolegët e tij.

Rreth orës 19:30, informacioni është përcjellë te njësitë përkatëse policore, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë sekuestruar substancën e gjetur.

Pas peshimit, është konstatuar se bëhej fjalë për 13.1 gramë substancë të dyshuar narkotike.

Për rastin është njoftuar edhe Njësia për Hetimin e Narkotikëve, por zyrtarët e saj nuk kanë dalë në vendin e ngjarjes për shkak të angazhimeve të tjera.

Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, është urdhëruar inicimi i rastit penal për veprën “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Deri më tani nuk është identifikuar ndonjë person i dyshuar që mund të ketë lidhje me substancën e sekuestruar.

Rasti mbetet nën hetime.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Gjeti drogë të dyshuar në tokë pranë banesës së tij në Vushtrri, polici njofton kolegët – sekuestrohen mbi 13 gramë appeared first on Sinjali.

Policia bastis shtëpinë e 24-vjeçarit në Zhegër të Gjilanit, gjen pistoletë TT dhe 14 fishekë – ky është i dyshuari

14 November 2026 at 21:31

Një aksion i Policisë në fshatin Zhegër të Gjilanit ka përfunduar me sekuestrimin e një pistolete, municionit dhe inicimin e procedurës penale ndaj një 24-vjeçari, i cili dyshohet për armëmbajtje pa autorizim, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, bëhet fjalë për Milaim Bislimin, 24 vjeçar, në shtëpinë e të cilit hetuesit policorë kanë kryer bastisje të premten, më 13 nëntor.

Kontrolli është realizuar nga Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Gjilan, në bazë të një urdhri të lëshuar nga Gjykata, në kuadër të hetimeve për dyshimet lidhur me posedimin e paautorizuar të armëve.

Gjatë bastisjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë të tipit TT, 14 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe një karikator të zbrazët.

Pas sekuestrimit të armës dhe municionit, i dyshuari është shoqëruar për intervistim, i cili është zhvilluar në prani të avokatit mbrojtës.

Ndaj Bislimit është ngritur kallëzim penal për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Rasti do të trajtohet nga organet kompetente të drejtësisë.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Policia bastis shtëpinë e 24-vjeçarit në Zhegër të Gjilanit, gjen pistoletë TT dhe 14 fishekë – ky është i dyshuari appeared first on Sinjali.

14-vjeçarja denoncon babanë në Polici: “Nuk është hera e parë që më rreh” – ai mohon dhunën dhe lirohet

14 November 2026 at 21:25

Një vajzë 14-vjeçare në Prishtinë ka denoncuar babanë e saj për dhunë fizike dhe psikike, duke deklaruar se nuk ishte hera e parë që ai ushtronte dhunë ndaj saj, por se incidentet e mëparshme nuk i kishte raportuar. Babai i ka mohuar akuzat, ndërsa pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, raporton Gazeta Sinjali.

Rasti është raportuar të premten, më 13 nëntor, rreth orës 17:00, në Stacionin Policor në Prishtinë.

Sipas burimeve të Sinjalit, e mitura E.S. 14 vjeçar është paraqitur në Polici dhe ka deklaruar se kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikike nga babai i saj, Z.S. 50 vjeçar.

Vajza ka deklaruar se babai e kishte rrahur edhe më herët, por se ato raste nuk i kishte denoncuar në Polici.

Pas raportimit, i dyshuari është paraqitur në Stacionin Policor Veriu, ku është intervistuar lidhur me pretendimet e vajzës.

Ai ka mohuar të ketë ushtruar dhunë, duke deklaruar se vajzën vetëm e kishte qortuar me fjalë.

Në cilësinë e dëshmitares është intervistuar edhe nëna e të miturës.

Pas konsultimit me prokurorin kujdestar për dhunë në familje, është vendosur që të iniciohet rast penal për veprën “Dhuna në familje”, ndërsa babai të lirohet në procedurë të rregullt.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, vajza është kthyer në shtëpi me dëshirën e saj.

Rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post 14-vjeçarja denoncon babanë në Polici: “Nuk është hera e parë që më rreh” – ai mohon dhunën dhe lirohet appeared first on Sinjali.

Media italiane i kushton vëmendje vërshëllimave gjatë himnit të Izraelit në Prishtinë, i lidh me situatën në Gaza

14 November 2026 at 21:01

Mediumi italian “Sport Mediaset” ka shkruar për ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, e cila përfundoi me rezultat 0-0 në kuadër të Ligës së Kombeve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë atmosferës në stadiumin e Prishtinës.

Sipas raportimit të mediumit italian, tifozët kosovarë kanë vërshëllyer gjatë intonimit të himnit kombëtar të Izraelit, duke shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me veprimet e këtij shteti në Gaza.

“Një tjetër pritje armiqësore për ekipin vizitor, e lidhur me veprimet e vendit të tyre në Gaza”, thuhet në artikullin e “Sport Mediaset”, ku përmendet edhe fakti se disa futbollistë të Kosovës i ulën kokat gjatë himnit izraelit.

Mediumi italian ka shkruar gjithashtu se lojtarët dhe stafi teknik i Izraelit e kënduan himnin me pasion, ndërsa vërshëllimat e tifozëve vazhduan edhe gjatë ndeshjes.

Në artikull përmendet edhe përjashtimi i mesfushorit kosovar Veldin Hodža në minutën e 67-të, si dhe dy ndeshjet e diskutueshme të Izraelit kundër Irlandës muajin e kaluar, gjatë të cilave futbollistët irlandezë kishin ulur kokat gjatë himnit izraelit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Media italiane i kushton vëmendje vërshëllimave gjatë himnit të Izraelit në Prishtinë, i lidh me situatën në Gaza appeared first on Sinjali.

Shiroka Pula në Ballon e Marinsave Amerikanë: SHBA-ja është shumë më tepër se një aleat strategjik për Kosovën

14 November 2026 at 21:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në Ballon e Marinsave Amerikanë, të organizuar me rastin e 251-vjetorit të themelimit të Korpusit të Marinsave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me këtë rast, Shiroka Pula ka shprehur mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kontributin e ushtarëve amerikanë në mbrojtjen e lirisë dhe paqes.

Ajo ka theksuar se Amerika për Kosovën përfaqëson shumë më tepër se një aleat strategjik, duke rikujtuar përkrahjen amerikane në momentet më të vështira të historisë së vendit.

Presidentja ka vlerësuar gjithashtu rolin e SHBA-së në realizimin e aspiratës së popullit të Kosovës për liri dhe shtetësi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Shiroka Pula në Ballon e Marinsave Amerikanë: SHBA-ja është shumë më tepër se një aleat strategjik për Kosovën appeared first on Sinjali.

Dogana zbulon mbi 8 kilogramë argjend të padeklaruar në Merdare në vlerë deri në 10 mijë euro

14 November 2026 at 20:45

Dogana e Kosovës, ka parandaluar kontrabandimin e rreth 8.27 kilogramëve argjend të padeklaruar në Pikën e Kalimit Kufitar Merdare.

Nga dogana thuhet se, rasti është zbuluar sot, pas dyshimeve të ngritura nga zyrtarët doganorë gjatë kontrollit fillestar të një furgoni me targa të huaja, i cili ishte në tranzit përmes territorit të Kosovës, nga Belgjika drejt një vendi fqinj, ku pas vlerësimit të dyshimeve fillestare, automjeti është përzgjedhur nga Njësia e Skanerëve për kontroll përmes pajisjeve të skanimit, dhe se gjatë analizimit të imazheve të skanimit, zyrtarët doganorë kanë identifikuar parregullsi të mundshme në ngarkesën e automjetit, çka ka çuar në kontrollin e detajuar në vijën e dytë.

‘’ Sasia e zbuluar përbëhej nga: * 6 monedha investuese argjendi, të prodhuara nga Australian Perth Mint (Kookaburra, Koala dhe Lunar Series), me peshë nga 1 kilogram secila, gjithsej 6 kilogramë; 1 lingotë argjendi, e markës Umicore, me peshë 1 kilogram (1,000 gramë); 2 tuba plastikë, me nga 20 monedha argjendi secili, me peshë nga 1 ons (31.1 gramë) për monedhë. Pesha e përgjithshme e argjendit të zbuluar është rreth 8.274 kilogramë, ndërsa vlera e tij e përafërt në treg vlerësohet nga 8,000 deri në 10,000 euro’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Dogana e Kosovës parandalon kontrabandimin e rreth 8.27 kilogramëve argjend të padeklaruar në PKK Merdare

Merdare, 14 nëntor 2026 – Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit të metaleve të çmuara në Pikën e Kalimit Kufitar (PKK) Merdare, ku gjatë kontrollit të një automjeti janë zbuluar dhe sekuestruar përkohësisht rreth 8.274 kilogramë argjend i pastër investues, me pastërti 99.9%.

Rasti është zbuluar sot, pas dyshimeve të ngritura nga zyrtarët doganorë gjatë kontrollit fillestar të një furgoni me targa të huaja, i cili ishte në tranzit përmes territorit të Republikës së Kosovës, nga Belgjika drejt një vendi fqinj.

Pas vlerësimit të dyshimeve fillestare, automjeti është përzgjedhur nga Njësia e Skanerëve për kontroll përmes pajisjeve të skanimit. Gjatë analizimit të imazheve të skanimit, zyrtarët doganorë kanë identifikuar parregullsi të mundshme në ngarkesën e automjetit, çka ka çuar në kontrollin e detajuar në vijën e dytë.

Kontrolli është realizuar nga zyrtarët doganorë të angazhuar në këtë operacion, në bashkëpunim me zyrtarët përkatës dhe nën asistimin e Policisë së Kosovës.

Gjatë kontrollit është zbuluar një sasi e konsiderueshme e argjendit të padeklaruar, e fshehur në pjesën e sipërme të një lavatriçeje të përdorur. Malli ishte kamufluar në atë mënyrë që mund të identifikohej vetëm pas çmontimit të pajisjes.

Sasia e zbuluar përbëhej nga:

* 6 monedha investuese argjendi, të prodhuara nga Australian Perth Mint (Kookaburra, Koala dhe Lunar Series), me peshë nga 1 kilogram secila, gjithsej 6 kilogramë;

* 1 lingotë argjendi, e markës Umicore, me peshë 1 kilogram (1,000 gramë);

* 2 tuba plastikë, me nga 20 monedha argjendi secili, me peshë nga 1 ons (31.1 gramë) për monedhë.

Pesha e përgjithshme e argjendit të zbuluar është rreth 8.274 kilogramë, ndërsa vlera e tij e përafërt në treg vlerësohet nga 8,000 deri në 10,000 euro.

Dogana e Kosovës shpreh mirënjohje të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadën Amerikane në Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e kapaciteteve teknologjike dhe operative të institucionit. Në veçanti, pajisja me teknologji moderne të skanimit, e mundësuar përmes këtij bashkëpunimi, ka kontribuar drejtpërdrejt në identifikimin e këtij rasti, si dhe në zbulimin e rasteve të tjera të parregullsive dhe tentativave për kontrabandë.

Malli është sekuestruar përkohësisht, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme dhe për zhvillimin e procedurave përkatëse kundërvajtëse doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme dhe mbrojtjen e ekonomisë së vendit. Me këtë rast, ftohen të gjithë qytetarët që të raportojnë çdo dyshim apo parregullsi në numrin pa pagesë 0800 500 95.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Dogana zbulon mbi 8 kilogramë argjend të padeklaruar në Merdare në vlerë deri në 10 mijë euro appeared first on Sinjali.

“Lopa le të kullotë barin, por vendimet tua jo pa llogaridhënie”, redaktorja e RTK-së thumbon prokurorin Igrishta

14 November 2026 at 20:39

Redaktorja e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Gentiana Begolli, ka reaguar ashpër ndaj prokurorit Blerim Igrishta, pas raportimeve për ndalimin e një 59-vjeçari, pasi lopa e tij kishte hyrë në oborrin e Gjykatës në Graçanicë.

Përmes një postimi në Facebook, Begolli e ka kritikuar Igrishta, duke e akuzuar për padrejtësi dhe duke paralajmëruar se do të vazhdojë të publikojë, siç pretendon ajo, veprimet e tij joprofesionale.

Gazetarja ka bërë të ditur se prej gati dy vitesh po përballet me procese gjyqësore, të cilat, sipas saj, kanë nisur pasi kishte mbrojtur institucionin ku punon, RTK-në.

Ajo pretendon se prokurori nuk kishte ngritur aktakuzë ndaj një personi që, sipas saj, ishte përfshirë në konflikt interesi dhe deklarim të rremë brenda RTK-së, por kishte ngritur aktakuzë ndaj saj.

Begolli ka paralajmëruar se nuk do të ndalet së kërkuari llogaridhënie për vendimet e prokurorit, duke e kritikuar edhe për rastin e 59-vjeçarit.

“Blerim, lopa le të kullotë barin, po ti mos mendo që mundesh me i lënë me kullotë vendimet e tua pa llogaridhënie”, ka shkruar ajo.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post “Lopa le të kullotë barin, por vendimet tua jo pa llogaridhënie”, redaktorja e RTK-së thumbon prokurorin Igrishta appeared first on Sinjali.

Banorët e Qeskovës së Klinës organizohen vullnetarisht për rregullimin e shtyllave elektrike, pas dy ditësh pa rrymë

14 November 2026 at 20:22

Erërat e fuqishme që goditën dje Komunën e Klinës kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në rrjetin elektrik, duke lënë disa fshatra pa furnizim me energji elektrike.

Në mesin e fshatrave të prekura është edhe Qeskova e Klinës, ku erërat e forta kanë dëmtuar dhe rrëzuar shtylla elektrike.

Sipas banorëve, tash e dy ditë kanë mbetur pa energji elektrike. Ata thonë se kanë kërkuar ndërhyrje nga KEDS-i, por, sipas tyre, deri më tani nuk janë marrë masat e nevojshme.

Të gjendur në këtë situatë, banorët janë organizuar vullnetarisht dhe kanë dalë në terren për të ngritur e rregulluar shtyllat e dëmtuara, siç shihet edhe në fotografitë e dërguara në redaksinë e Klina Info.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga KEDS-i për riparimin profesional të rrjetit dhe rikthimin e energjisë elektrike, pasi shtyllat dhe përçuesit e dëmtuar paraqesin rrezik serioz për jetën.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Banorët e Qeskovës së Klinës organizohen vullnetarisht për rregullimin e shtyllave elektrike, pas dy ditësh pa rrymë appeared first on Sinjali.

Mbyllet pas 5 orësh protesta e thirrur nga studentët në Tiranë- Kosha mbeturinash e tabela reklamash të djegura nga protestuesit

14 November 2026 at 20:18

Për herë të dytë brenda javës, studentët mblodhën forcat për protestë kombëtare brenda një kohe të shkurtër.

Demokratët nuk u shfaqën. Refuzimi i studentëve dhe incidentet në protestën e javës së shkuar bënë që Sali Berisha të mos thërriste tubim në mbështetje të tyre.

Qëndrimi para Ministrisë së Arsimit nuk zgjati shumë, pasi dogjën koshat e mbeturinave, protestuesit marshuan drejt Zogut të Zi, ku paralizuan qarkullimin.

Marshimi vijoi drejt 21 Dhjetorit, ku protestuesit linin shenjën e tyre, me kangjellat e hequra nga trotuaret në mes të rrugës dhe tabela reklamash që u bohej flaka.

Bashkë me protestuesit marshonin edhe policët, por distanca u ruajt nga të dyja palët.

Protestuesit vërshuan drejt Unazës së Vogël dhe stopuan tek Kryeministria, aty ku nuk munguan as tensionet pranë Kryesisë së Kuvendit.

Në protestë ka të angazhuar forca të shumta policie, të cilat u kanë bërë thirrje protestuesve përmes megafonit që të lirojnë rrugën dhe të mos pengojnë lëvizjen e automjeteve.

Bëhet e ditur se për mbarëvajtjen e protestës dhe garantimin e rendit e sigurisë, policia angazhoi rreth 700 efektivë në terren.

Gjatë tubimit, studentët kanë përcjellë edhe mesazhin “Ne nuk harrojmë”, duke vijuar protestën e tyre.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Mbyllet pas 5 orësh protesta e thirrur nga studentët në Tiranë- Kosha mbeturinash e tabela reklamash të djegura nga protestuesit appeared first on Sinjali.

Elon Musk teston raketën më të fuqishme në botë, një problem teknik prish planin e SpaceX

14 November 2026 at 20:15

Raketa më e fuqishme në botë, Starship e kompanisë SpaceX të Elon Musk, ka arritur të hyjë në orbitën e Tokës gjatë fluturimit të saj të 15-të testues, por misioni është shoqëruar edhe me probleme teknike.

Raketa, e gjatë 124 metra, u nis nga baza hapësinore në Teksasin jugor. Megjithatë, pak minuta pas nisjes, një problem teknik bëri që SpaceX të anulonte përpjekjen për rikuperimin e përshpejtuesit Super Heavy.

Në vend që të kapej nga krahët mekanikë të platformës së lëshimit, përshpejtuesi përfundoi në Gjirin e Meksikës, ku gjatë rënies u përfshi nga një shpërthim i madh zjarri. Kompania bëri të ditur se ende nuk dihen shkaqet që çuan në dështimin e rikuperimit.

Pavarësisht këtij problemi, pjesa tjetër e raketës, Starship, arriti me sukses orbitën e Tokës. Gjatë misionit, ajo lëshoi edhe 26 satelitë të rrjetit Starlink, ndërsa ishte planifikuar të kryente 14 rrotullime rreth planetit përpara kthimit në Tokë të shtunën.

Objektivi kryesor i SpaceX është zhvillimi i një sistemi raketor plotësisht të ripërdorshëm, me synimin për të ulur ndjeshëm kostot e udhëtimeve hapësinore.

Starship është gjithashtu pjesë e planeve të NASA-s për dërgimin e astronautëve në Hënë, në kuadër të programit Artemis, ndërsa Elon Musk synon që në të ardhmen anija të përdoret edhe për udhëtime drejt Marsit.

Sfida e radhës për kompaninë mbetet rikthimi dhe kapja e Starship në platformën e lëshimit, një manovër komplekse për shkak të shpejtësive të larta dhe temperaturave ekstreme gjatë hyrjes në atmosferën e Tokës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Elon Musk teston raketën më të fuqishme në botë, një problem teknik prish planin e SpaceX appeared first on Sinjali.

Sindikata e KEK-ut publikon pamje të punëtorëve në shi e të ftohtë: A nuk e meritojnë rritjen e pagave dhe pagën e 13-të?

14 November 2026 at 20:07

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka publikuar pamje të punëtorëve duke kryer detyrat e tyre në kushte të vështira atmosferike, me shi dhe temperatura të ulëta.

Përmes një reagimi, sindikata ka shprehur mirënjohje dhe respekt për punëtorët që, pavarësisht kushteve të motit, vazhdojnë punën për të siguruar prodhimin e energjisë elektrike dhe për të mos e lënë vendin në terr.

“Ata kontribuojnë për Kosovën, kush kontribuon për dinjitetin e tyre?”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Në këtë kontekst, sindikata ka ngritur edhe një herë kërkesat për përmirësimin e kushteve financiare të punëtorëve, duke kërkuar rritje dhe nivelizim të pagave, si dhe pagën e 13-të.

“Por tani shtrohet pyetja: A nuk e meritojnë këta punëtorë ngritjen e pagave dhe pagën e 13-të? Vlerësojeni punën e tyre, sepse pa këta punëtorë nuk ka energji!”, thuhet më tej në reagim.

Ndryshe, Sindikata e Re e KEK-ut ka paralajmëruar protestën e radhës më 19 nëntor, para zyrave të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Përmes kësaj proteste, punëtorët synojnë të kërkojnë realizimin e kërkesave të tyre për rritje dhe nivelizim të pagave, si dhe përfitimin e pagës së 13-të.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Sindikata e KEK-ut publikon pamje të punëtorëve në shi e të ftohtë: A nuk e meritojnë rritjen e pagave dhe pagën e 13-të? appeared first on Sinjali.

Johnny Depp përgatitet për rikthim të madh në Hollywood, merr rolin e Ebenezer Scrooge në filmin e ri

14 November 2026 at 20:04

Aktori i njohur amerikan, Johnny Depp, po përgatitet për një rikthim të rëndësishëm në Hollywood, pas disa vitesh larg produksioneve të mëdha filmike, pas betejave të bujshme ligjore me ish-bashkëshorten Amber Heard.

Depp do të luajë personazhin e Ebenezer Scrooge në filmin e ri “Ebenezer”, një përshtatje e veprës së njohur të Charles Dickens, “A Christmas Carol”, që po realizohet nga studioja Paramount.

Filmi pritet të shfaqet në kinematë amerikane dhe britanike më 13 nëntor, raporton BBC.

Rikthimi i aktorit vjen pas një periudhe të vështirë në karrierën e tij. Në vitin 2020, Depp humbi një proces gjyqësor për shpifje kundër gazetës britanike “The Sun”, e cila e kishte cilësuar si dhunues të ish-bashkëshortes. Pas këtij vendimi, Warner Bros e largoi nga seria “Fantastic Beasts”.

Dy vjet më vonë, ai fitoi një proces gjyqësor për shpifje në SHBA kundër Amber Heard, pas një artikulli të saj në “The Washington Post”. Çështja mori vëmendje të madhe ndërkombëtare dhe u shndërrua në një nga gjyqet më të komentuara të viteve të fundit.

Tashmë, filmi i ri shihet si një mundësi për Deppin që të rikthehet në qendër të industrisë së filmit. Në trailerin promovues, aktori shfaqet në rolin e Scrooge, ndërsa rikujtohen edhe disa prej personazheve të tij më të njohur, si Jack Sparrow, Edward Scissorhands dhe Mad Hatter.

Megjithatë, rikthimi i tij ka ngjallur edhe reagime të ndryshme në Hollywood. Disa ekspertë të marrëdhënieve me publikun kanë kritikuar mënyrën se si po promovohet filmi, ndërsa të tjerë vlerësojnë se suksesi financiar dhe pritja e publikut mund t’i hapin aktorit rrugën drejt projekteve të tjera të mëdha.

Sipas raportimeve për një shfaqje testuese, filmi ka marrë 86 pikë nga 100, ndërsa parashikimet e faqes “Box Office Theory” flasin për të ardhura mbi 100 milionë dollarë në kinematë amerikane, kundrejt një buxheti të raportuar prej 38 milionë dollarësh.

Një sukses i mundshëm mund t’i hapë Deppit rrugën edhe drejt rikthimit në serinë “Pirates of the Caribbean”. Producenti Jerry Bruckheimer ka bërë të ditur se seria po rikthehet, duke lënë të hapur mundësinë e përfshirjes së aktorit.

Ndërkohë, Depp pritet të shfaqet edhe në filmin thriller “Day Drinker”, ku luan përkrah aktores Penélope Cruz.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Johnny Depp përgatitet për rikthim të madh në Hollywood, merr rolin e Ebenezer Scrooge në filmin e ri appeared first on Sinjali.

Dokumenti i Qeverisë nxjerr në pah ngecjet: Ekonomia ngadalësohet, drejtësia, arsimi e shëndetësia me probleme

14 November 2026 at 20:00

Tre vjet pas miratimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030, vetë Qeveria e Kosovës ka evidentuar ngecje dhe mosrealizim të objektivave në disa prej sektorëve më të rëndësishëm të shtetit.

Vlerësimi afatmesëm, i hartuar nga Zyra për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, evidenton vonesa në reforma, probleme në administratën publike dhe mungesë të rezultateve të pritshme në drejtësi, arsim e shëndetësi.

Sipas dokumentit, një pjesë e konsiderueshme e masave dhe aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim nuk janë përfunduar brenda afateve të përcaktuara.

“Shkalla mesatare e përfundimit të aktiviteteve ishte ndërmjet 25% dhe 50%, me minimum 18% dhe maksimum rreth 58%”, thuhet në vlerësim.

Si disa nga faktorët që kanë ndikuar në këtë rezultat përmenden moskonstituimi me kohë i institucioneve pas zgjedhjeve të vitit 2025, ndryshimet në mbështetjen e partnerëve zhvillimorë, ndërprerja e programeve të USAID-it dhe masat e Bashkimit Evropian të vendosura në vitin 2023.

Një tjetër problem i evidentuar është edhe mungesa e harmonizimit të planeve strategjike me buxhetin. Sipas dokumentit, kjo shkallë ka rënë nga 75% në vetëm 38.5% gjatë vitit 2024.

Vlerësimi nxjerr në pah edhe ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe rritjen e inflacionit.

Rritja reale e Bruto Produktit Vendor ra nga 4.6% në vitin 2024 në 3.6% në vitin 2025. Ndërkohë, inflacioni mesatar, pas rënies në 1.6% më 2024, u rrit në 3.9% më 2025, ndërsa deri në shtator të vitit 2026 arriti në 6.7%.

Kritika ka edhe për administratën publike, ku cilësia e hartimit të politikave dhe reforma administrative kanë mbetur prapa objektivave. Po ashtu, reforma e ndërmarrjeve publike ka shënuar pak përparim.

Probleme janë evidentuar edhe në politikën e jashtme, ku ndonëse aktivitetet janë zbatuar përgjithësisht mirë, rezultatet kanë qenë të vështira për t’u matur për shkak të mungesës së treguesve bazë dhe synimeve të qarta.

Në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale janë konstatuar ngecje, ndërsa në drejtësi nuk është shënuar përmirësim i dukshëm. Përkundrazi, dokumenti evidenton rritje të numrit të lëndëve të pazgjidhura në çështjet civile dhe administrative.

Në anën tjetër, sektorët e mbrojtjes dhe sigurisë paraqiten më mirë sa i përket ndarjeve buxhetore, të cilat kanë arritur objektivat e përcaktuara.

Vlerësimi afatmesëm paraqet kështu një pasqyrë të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030, duke evidentuar hendekun mes objektivave të përcaktuara nga vetë institucionet dhe rezultateve të arritura deri më tani.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Dokumenti i Qeverisë nxjerr në pah ngecjet: Ekonomia ngadalësohet, drejtësia, arsimi e shëndetësia me probleme appeared first on Sinjali.

❌