Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Situatë e rënduar nga përmbytjet në Kosovë, kryetarët flasin për gjendjen

6 January 2026 at 12:07

Shumë qytete të Kosovës po përballen sot me gjendje të rënduar si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e shiut.

Reshjet kanë shkaktuar vërshime të mëdha në disa fshatra të komunave të Rahovecit, Klinës, Malishevës dhe Pejës, aty ku gjendja duket të jetë më e rënduar dhe dëmet më të mëdha.

Si pasojë e reshjeve disa lumenj dhe përrenj të këtyre zonave kanë dalë nga shtretërit e tyre duke shkaktuar përmbytje të zonave të banimit.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka dalë me një paralajmërim shtesë për qytetarët e këtyre zonave duke thënë se reshjet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Sinjali ka kontaktuar me kryetarët e komunave të Rahovecit dhe Klinës të cilët thanë se gjendja aktuale është më stabile dhe ekipet komunale po bëjnë gjithcka që është e mundur që t’u dalin në ndihmë qytetarëve.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi tha për Sinjalin se në këtë komunë gjendja aktualisht është stabilizuar teksa thotë se autoritetet lokale po u dalin në ndihmë qytetarëve me të gjitha kapacitetet.

“Gjendja është stabilizuar për momentin. Dëmet nuk i dijmë tani, ne po u dalim në ndihmë qytetarëve me aq sa kem sepse e kemi për detyrë”, tha Latifi për Sinjalin.

Në anën tjetër i pari i Klinës, Zenun Elezaj tha se të gjitha ekipet janë në terren përfshirë edhe atë personalisht.

Elezaj për Sinjalin thotë se prioriteti aktual është që të evitohen viktimat në njerëz teksa potencoi se pas stabilizimit të situatës do të vlerësohen dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.

“Ka rritje të nivelit të lumenjëve shumë, ka edhe vërshime në zona të caktuara, por jemi në terren. Po shihet një stagnim, po shpresoj që do të bjerë niveli për pak, po shpresoj që së shpejti do të qetësohet situata. Ne jemi në ndihmë, jemi në terren, unë personalisht jam në terren. Faktikisht njëherë vetëm me i rujt jetët e njerëzve mos me pas viktima. Më vonë do të formohet komisioni dhe do të vlerësohen dëmet, për momentin është e vështirë të vlerësohen dëmet”, tha Elezaj për Sinjalin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Situatë e rënduar nga përmbytjet në Kosovë, kryetarët flasin për gjendjen appeared first on Sinjali.

Vërshime e rrëshqitje dheu në Klinë, Elezaj në terren

5 January 2026 at 22:46


Zenun Elezaj, kryetari i Komunës së Klinës, ka njoftuar më 05.01.2026 se ka vizituar disa zona të prekura nga vërshimet në territorin e komunës.

Kryetari Elezaj është shoqëruar nga Qëndrim Millaku, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjente si dhe Qemajl Sejdija, drejtori i Arsimit.

Qëllimi i vizitës së tyre ishte vlerësimi nga afër i gjendjes në terren.

“Ekipet e angazhuara nga komuna kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës në terren, duke ndërmarrë intervenimet e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e dëmeve të shkaktuara. Po ashtu, jemi në koordinim të vazhdueshëm për të siguruar reagim të shpejtë dhe efikas.” – ka shkruar Elezaj në Facebook, më 05.01.2026.

Sipas Elezajt, situata po përcillet në mënyrë të vazhdueshme dhe Komuna e Klinës mbetet në gjendje të plotë gatishmërie për të intervenuar kudo që paraqitet nevoja.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar dhe, në rast nevoje, të raportojnë te shërbimet emergjente të komunës.” – ka shtuar Elezaj.

Sipas fotografive të publikuara nga kryetari Elezaj në disa zona ka pasur rrëshqitje dheu, e diku vërshime të oborreve dhe bodrumeve të shtëpive.


Rrëshqitja e gurëve bllokon qarkullimin e trenit Klinë–Prishtinë

5 January 2026 at 15:50


Trainkos njofton udhëtarët se gjatë ditës së sotme ka ndodhur një rrëshqitje e gurëve në kilometrin 51/200, e cila ka dëmtuar binarin hekurudhor. Si pasojë, treni në relacionin Klinë – Prishtinë nuk ka mundur të qarkullojë.

“Treni i ditës së sotme në relacionin Klinë – Prishtinë nuk do të mund të qarkulloj, ndërsa i njëjti në relacionin Klinë – Pejë do të qarkulloj sipas Orarit të Lëvizjes së trenave”, thuhet në njoftimin e Trainkos në Facebook.

Po ashtu, kompania njofton se treni Pejë – Prishtinë do të rikthehet në orarin e rregullt të qarkullimit nga data 6 janar 2026.

Trainkos apelon te udhëtarët për mirëkuptim dhe kujdes gjatë udhëtimeve, duke siguruar se ekipet teknike po punojnë për riparimin e dëmeve dhe rikthimin e qarkullimit normal sa më shpejt të jetë e mundur. /Telegrafi/


I ndalet rryma në Klinë, Bedri Hamza kërkon që më 28 dhjetor "të ndriçohet e ardhmja e Kosovës me votë"

20 December 2025 at 23:21


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka reaguar ndaj ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike, duke theksuar se sonte, në Klinë, sërish ka pasur ndërprerje të rrymës gjatë tubimit elektoral të PDK-së.

“Sonte na u ndalë rryma në Klinë. Kjo tashmë na është bërë rutinë. Ky ishte shërbimi i veçantë i kësaj qeverie për pesë vjet,” ka deklaruar Hamza.

Ai ka shtuar se zgjedhjet e 28 dhjetorit janë një mundësi për ndryshim dhe për një qeverisje që ofron shërbime funksionale për qytetarët.

“Më 28 dhjetor, le ta ndriçojmë të ardhmen e Kosovës me votën tonë. Më 28 dhjetor, votoni për një qeveri që punon,” ka theksuar Hamza, duke përmbyllur mesazhin me sloganin: “Bashkë. Përpara.”



ZKA alarmon: Vetëm 2 nga 11 rekomandime u zbatuan nga MAPL dhe komunat

13 December 2025 at 23:19


Vetëm dy rekomandime janë zbatuar tërësisht, nga 11 sosh, sa Zyra Kombëtare e Auditimit ua kishte përcjellë Ministrisë së Pushtetit Lokal, dhe tri komunave në mars të vitit 2024 në raportin e auditimit të performancës.

Raporti i ri i ZKA-së nxjerr në pah se komunat kanë përdorur të dhëna të ndryshme nga njëra-tjetra për raporti, veprim i vlerësuar se sjell pasoja negative.

Në mars të vitit 2024, Zyra Kombëtare e Auditimit, e kishte publikuar raportin e auditimit të performancës “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”.

Përpos Ministrisë së Pushtetit Lokal, ishin audituar edhe komunat, Gjakovë, Klinë dhe Viti.

Nga 11 rekomandime, tri ishin për komunat, kurse tetë për MAPL-në.

Ndërsa raporti i ri i ZKA-së i publikuar në dhjetor të këtij viti tregon se nga 11 rekomandime vetëm dy prej tyre janë zbatuar plotësisht, tri janë në fazën përfundimtare të zbatimit, dy kanë filluar të zbatohen, ndërsa dy nuk janë adresuar fare.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk kishte bërë përgatitjet e nevojshme për të filluar deklarimin e Performancës Komunale për vitin 2024. Kjo ka shkaktuar vonesa të konsiderueshme si dhe pasiguri për kohën e fillimit të raportimit të të dhënave nga komunat. Rrjedhimisht raporti i performancës komunale është publikuar me 4.5 muaj vonesë gjë që ka shtyrë për po aq muaj procesin e vlerësimit të performancës komunale. Përveç kësaj kjo vonesë e ka bërë të pamundur përcjelljen/vlerësimin e plotë të zbatimit të rekomandimeve, pasi që procesi ende nuk ka përfunduar”- thotë Zyra Kombëtare e Auditimit në raport.

Në pjesën hyrëse të raportit thuhet se dy nga tri komunat e audituara, për raportim kanë shfrytëzuar të dhënat mbi regjistrimin e popullsisë të vitit 2024, ndërsa komuna e Klinës, ka raportuar duke u bazuar në regjistrimin e popullsisë së vitit 2011.

“…Kjo për shkak se MAPL-ja, nuk e kishte analizuar si duhet situatën për të marrë një vendim të qëndrueshëm lidhur me atë se cilat të dhëna duhet përdorur për raportim. Kjo ka krijuar pasiguri te komunat dhe për pasojë jo konsistencë në raportim, duke vënë në rrezik krahasueshmërinë dhe besueshmërinë e të dhënave të performancës komunale për vitin 2024.”- thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit

Krahas rekomandimeve që janë zbatuar dhe janë në fazë të zbatimit nga të gjitha palët e audituara, ZKA ka ardhur në përfundim se komunat ende nuk përdorin kanale të qarta dhe të formalizuara të komunikimit mes zyrtarëve raportues, koordinatorëve dhe kryetarëve.

Pos kësaj, vonesat në prokurim dhe koordinimi jo i duhur brendshëm në MAPL, thuhet se ka penguar zbatimin e plotë dhe efektiv të disa rekomandimeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në procesin e raportimit të performancës komunale./ RTV Dukagjini

Tre të lënduar në një aksident mes dy veturave në Gllarevë të Klinës

12 December 2025 at 21:23


Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti komunikacioni që ka ndodhur sot në fshatin Gllarevë të Klinës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka bërë të ditur se në aksident janë përfshirë dy vetura.

“Një aksident mes dy veturave ka ndodhur në Gllarevë. Si pasojë kanë mbetur të lënduar tre persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor”, ka deklaruar Gashi.

Policia është duke e hetuar rastin për të sqaruar shkaqet e aksidentit./Telegrafi/

Klinë, gjendet trupi i pajetë i gruas së raportuar si e zhdukur mbrëmë

7 December 2025 at 16:29


Në lumin e Bardhë (Bistrica), në fshatin Grabanicë të Klinës, është gjetur sot trupi i pajetë i një gruaje, e cila mbrëmë ishte raportuar si person i zhdukur nga familjarët e saj.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha për Telegrafin se trupi është gjetur rreth orës 13:15, gjatë kërkimeve të intensifikuara nga njësitë policore.

“Mbrëmë rreth orës 19:30 është raportuar nga familjarët që është larguar nga shtëpia dhe nuk po gjendet. Rasti ishte iniciuar si ‘person i zhdukur’ dhe sot gjatë kërkimeve trupi i pajetë është hasur diku një kilometër larg urës së fshatit”, deklaroi Gashi.

Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen në vendngjarje, ndërsa hetuesit rajonalë dhe prokurori i shtetit kanë kryer procedurat e para hetimore.

Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të sqarimit të rrethanave të vdekjes.

Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

Zhduken dy gra nga Deçani e Klina - policia nis kërkimet

7 December 2025 at 09:15


Policia e Kosovës ka pranuar dy raste të veçanta të personave të zhdukur në komunat e Deçanit dhe Klinës, të raportuara brenda ditëve të fundit.

Një qytetar nga Deçani më ka njoftuar policinë se nëna e tij është larguar nga shtëpia më 2 dhjetor dhe nuk është kthyer më. Ai ka deklaruar se nuk ka informacione për vendndodhjen e saj që nga momenti i largimit. Policia ka nisur hetimet për të gjetur personin e zhdukur.

Në një rast tjetër ka ndodhur në Klinë. Një burrë ka raportuar se bashkëshortja e tij është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer.

Edhe në këtë rast, policia ka filluar procedurat hetimore për të zbardhur rrethanat e zhdukjes dhe për të gjetur personin në fjalë.

Hetimet për të dy rastet janë duke vazhduar. /Telegrafi/

U rrahën mes veti katër punëtorë të një kompanie në Klinë, dërgohen për tretman mjekësor në QKMF

3 December 2025 at 11:01


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar katër persona në Klinë, punëtorë të një kompanie pasi janë përleshur mes veti.

Në njoftim bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën, rreth orës 10:55.

“Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, Stacioni Policor Klinё, më datën 02.12.2025, rreth orёs 10:55, ёshtё njoftuar pёr njё rrahje e cila ka ndodhur në rrugën ‘Drini i Bardhё’ nё Klinё. Policia menjёherё ka dalё në vendngjarje, aty ёshtё kuptuar se pas njё rrahje nё mes veti katёr persona (punёtorë tё njё kompanie), si pasojё e rrahjes kanё pёsuar lëndime tё rёnda trupore, ku tё njëjtit janё dёrguar nё QKMF-Klinё pёr tretman mjekёsor”, thuhet në njoftim.

Tё gjithё tё dyshuarit janё arrestuar nga njёsitet e Stacionit Policor nё Klinё dhe pas intervistimit nga hetuesit, me urdhёr tё prokurorit tё Shtetit, dy nga ta janё dёrguar nё mbajtje pёr 48 orё, ndёrsa dy tё tjerё janё liruar nё procedurё të rregullt. /Telegrafi/

Tri vetura përfshihen në aksident në magjistralen Prishtinë–Pejë, 7 të lënduar

14 November 2025 at 21:23


Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sonte rreth orës 18:40 në magjistralen Prishtinë–Pejë, në fshatin Zajm të Klinës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar se në aksident janë përfshirë tri vetura, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.

“Shtatë personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës”, tha Gashi.

Ai shtoi se njësitë kompetente të Policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke zhvilluar hetimet për të përcaktuar shkaktarin e aksidentit./Telegrafi/

"Cenim i fshehtësisë së votimit", një person dërgohet në mbajtje në Klinë

10 November 2025 at 08:54


Një person është arrestuar për shkak të dyshimit për përfshirje në veprën “Cenim i fshehtësisë së votimit”.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 11:20 në Klinë.

Tutje bëhet e ditur se i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Klinë 09.11.2025 – 11:20. ‘Cenim i fshehtësisë së votimit’. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak të dyshimit të përfshirjen në veprën e lart cekur. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Konfiskohen armë në Vushtrri, Klinë dhe Carrabreg të Deçanit, arrestohet një person

5 November 2025 at 09:26


Një person është arrestuar pasi gjatë kontrollit në tri lokacione të ndryshme janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale disa armë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën në Vushtrri, Klinë dhe Carrabreg të Deçanit.

Tutje bëhet e ditur se janë konfiskuar dy pistoleta, një pushkë gjuetie, një armë e gjatë, një makinë për punimin e kartëmonedhave, dy telefona celular, një USB, një fotrollë arme, një kapelë bejsbolli, 208 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dy optika.

“Lidhur me rastin është raportuar se është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, ndërsa gjatë kontrollit në tri lokacione të ndryshme, janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale; dy pistoleta, një pushkë gjuetie, një armë e gjatë, një makinë për punimin e kartëmonedhave, dy telefona celular, një USB, një fotrollë arme, një kapelë bejsbolli, 208 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dy optika”, thuhet në raport. /Telegrafi/

"Pa gazetarë s’kam ku shkoj" - nëna e viktimës e revoltuar nga përjashtimi i mediave nga seanca gjyqësore për aksidentin me fatalitet në Shtupel të Klinës

29 October 2025 at 14:36


Të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë- dega në Klinë është mbajtur seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Eraj Temaj për aksidentin që kishte ndodhur në maj të 2022 ku për pasojë kishte vdekur 23 vjeçari J.T.

Gjatë seancës gjyqtarja e rastit Sabirje Rracaj nxori aktvendim për përjashtimin e gazetarëve nga seanca, e kjo ndodhi pas kërkesës së avokatit Flamur Kelmendi, i cili përfaqëson të akuzuarin.

Por ky veprim nuk i pëlqeu nënës së viktimës, Kumrije Temaj.

Ajo në një video të publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, shihet teksa kërkon që gazetarët të qëndrojnë në sallë.

“Unë si nanë e vetmuar pa gazetarë s’kam ku shkoj se po mundohen rastin me mshef”, tha nëna e viktimës.

Temaj madje tha se nuk pranon të qëndroj në seancë pa gazetarë, e përgjigja e gjyqtares Rraci ishte e ashpër.

“Mos pranofsh mundesh me dal, ne edhe në mungesë tënde e mbajmë seancën. Të lutem mos na krijo shqetësime si gjithmonë”, dëgjohet gjyqtarja Rraci.

“Unë po du drejtësinë e djalit tim. Mem dalë skeni mem dal prej dere”, dëgjohet teksa flet nëna e viktimës.

Pak minuta pasi gazetarët lëshuan sallën, në shenjë proteste edhe Kumrije Temaj doli nga seanca për të dhënë prononcim për media.

“Më 27 maj ka ndodhur rasti, tri javë ditë e kam pasur në komë, më 16 qershor djali më ka ndërruar jetë. Djali në lule të rinisë, 22-vjeçar, e kam pasur në komë pa vetëdije, me dy oksigjena në hundë një në gojë, me aparat, 27 kamca në kokë”, deklaroi e dëmtuara.

Ajo tha se kërkon drejtësi për djalin e saj. /Telegrafi/


Rrahje mes gjashtë personave në Klinë – dy të lënduar me mjete të mprehta

28 September 2025 at 08:53


Rrahje mes gjashtë personave në Gremnik të Klinës – dy të lënduar me mjete të mprehta

Gjashtë persona janë arrestuar pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur të shtunen pasdite në fshatin Gremnik të komunës së Klinës, rreth orës 17:10.

Sipas Policisë së Kosovës, të dyshuarit të gjithë meshkuj dhe shtetas kosovarë janë përfshirë në një rrahje mes vete për arsye që ende nuk janë bërë të ditura.

Si pasojë e konfliktit, dy prej tyre kanë pësuar lëndime trupore, dyshohet nga mjete të mprehta.

Të lënduarit janë dërguar fillimisht për trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë dhe më pas në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim të mëtutjeshëm.

Pas intervistimit nga organet hetimore dhe në konsultim me prokurorin kompetent, dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa katër të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.

Policia po vazhdon hetimet për të sqaruar motivet dhe rrethanat e incidentit. /Telegrafi/

Spitali i Pejës: Katër të lënduarit nga aksidenti në Dollc janë në gjendje stabile dhe janë lëshuar për në shtëpi

21 August 2025 at 11:48

Një person ka humbur jetën dhe pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ndodhi sot në mëngjes mes një autobusi dhe një veture në Dollc të Klinës.

Spitali i Përgjithshëm i Pejës njofton se katër të lënduarit kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë lëshuar në gjendje stabile.

“Spitali i Përgjithshëm në Pejë njofton opinionin publik se nga pesë pacientët e pranuar pas aksidentit trafiku në fshatin Dollc të Klinës, katër kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë lëshuar në gjendje stabile shëndetësore. Një pacient tjetër vazhdon të trajtohet në repartin e Kirurgjisë, ku është nën kujdesin e ekipeve tona mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se deri te ky aksident dyshohet se ka ardhur derisa drejtuesi i veturës ishte duke qarkulluar nё drejtimin Prishtinё–Pejё, ku me tё arritur në fshatin Dollc, duke mos iu pёrshtatur shpejtёsisё dhe kushteve tё rrugёs, humb kontrollin mbi automjet dhe kalon nё shiritin pёr lëvizje nga ana e kundёrt dhe godet autobusin nё pjesёn ballore.

“Si pasojё e aksidentit, drejtuesi i automjetit pёr shkak tё lёndimeve trupore ka ndёrruar jetё, kёtё e ka konstatuar ekipi mjekёsor, ndёrsa lëndime trupore kanё pёsuar pesё (5) persona, tё cilёt janё dёrguar nё spitalin rajonal nё Pejё, pёr tretman mjekёsor. Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i cili po ashtu ishte në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion”, ka njoftuar policia./Telegrafi/

 

The post Spitali i Pejës: Katër të lënduarit nga aksidenti në Dollc janë në gjendje stabile dhe janë lëshuar për në shtëpi appeared first on Telegrafi.

Ushtroi dhunë psikike ndaj vajzave, arrestohet burri nga Klina

21 August 2025 at 09:35

Një burrë është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj dy vajzave të tij, njëra prej tyre e mitur.

Ngjarja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Klinës.

Sipas autoriteteve, pas intervistimit dhe grumbullimit të provave, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti është cilësuar si dhunë në familje dhe po trajtohet nga organet kompetente. /Telegrafi/

The post Ushtroi dhunë psikike ndaj vajzave, arrestohet burri nga Klina appeared first on Telegrafi.

Dragidella ishte larguar nga LVV në korrik të vitit 2024

14 August 2025 at 14:41

Një prej zërave më aktivë të Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë, Lulzim Dragidella, njoftoi sot publikisht dorëheqjen e tij nga kjo parti, duke e cilësuar atë si “vendimin më të vështirë” në karrierën e tij politike.

Ai kritikoi mungesën e demokracisë së brendshme, mungesën e transparencës dhe përjashtimin e zërave kritikë brenda strukturës partiake.

“Gjatë viteve të fundit, një element themelor që e bëri këtë lëvizje të fuqishme – demokracia e brendshme – është zbehur deri në zhdukje. Sot vendimmarrja ndodh kryesisht në rrethe të ngushta, larg syve dhe mendimeve të shumicës së anëtarëve. Mendimet e ndryshme, që dikur pasuronin debatin, sot shpesh trajtohen si rrezik për unitetin, në vend që të shihen si forcë e tij. Në terren, sidomos në zona si Klina, kam parë një braktisje të angazhimit real me qytetarët. Struktura lokale shpesh lihet pas dore, njerëzit që japin kohën dhe mundin e tyre injorohen, ndërsa kontributet e sinqerta nuk vlerësohen. Kam parë shokë dhe kolegë që janë zhgënjyer deri në heshtje, sepse zëri i tyre nuk gjen hapësirë”, thotë ai.

Megjithatë, dokumenti i siguruar nga Dukagjini tregon se Dragidella kishte dhënë dorëheqje kohë më parë.

Në letrën e datës 23 korrik 2024, të adresuar për kryetaren e Qendrës së LVV-së në Klinë, Teuta Mulaj, Dragidella deklaron dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e nënkryetarit të kësaj qendre, duke përmendur arsye personale.

“Për arsye personale jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetarit të Qendrës në Klinë”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga ai./RTVD/

The post Dragidella ishte larguar nga LVV në korrik të vitit 2024 appeared first on Telegrafi.

Ish-kandidati për kryetar të Klinës, Lulzim Dragidella largohet nga LVV

14 August 2025 at 12:33

Ish-kandidati i Lëvizjes për Vetëvendosje për kryetar të Klinës, Lulzim Dragidella ka njoftuar se është larguar nga LVV.

Në një deklaratë publike të bërë në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se ky është ndër vendimet më të vështira në jetën e tij politike, transmeton Telegrafi.

Ai gjithashtu ka numëruar disa nga arsyet se pse po largohet nga kjo parti, duke thënë se demokracia e brendshme është zbehur deri në zhdukje.

“Sot vendimmarrja ndodh kryesisht në rrethe të ngushta, larg syve dhe mendimeve të shumicës së anëtarëve. Mendimet e ndryshme, që dikur pasuronin debatin, sot shpesh trajtohen si rrezik për unitetin, në vend që të shihen si forcë e tij”, ka deklaruar ai.

Më poshtë, deklarata e tij e plotë:

Deklaratë publike për dorëheqjen nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

nga Prof. Dr. Dr. Dr. Lulzim Dragidella

Klinë, më 14.08.2025

Pas një procesi të gjatë mendimesh, analizash dhe betejash të brendshme, kam marrë vendimin më të vështirë në jetën time politike:

Të tërhiqem menjëherë nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

Ky vendim nuk ka ardhur si pasojë e një momenti emocional, por si rezultat i një reflektimi të gjatë mbi rrugën time politike, mbi përvojat që kam kaluar dhe mbi realitetin aktual të kësaj lëvizjeje. Unë u bëra pjesë e VETËVENDOSJE-s sepse besoja se ajo përfaqësonte një vizion të qartë për ndryshim shoqëror: drejtësi, barazi, përgjegjësi, solidaritet dhe guxim për t’u përballur me çdo padrejtësi, pa kompromis me parimet.
Por çfarë ka ndryshuar?

Gjatë viteve të fundit, një element themelor që e bëri këtë lëvizje të fuqishme – demokracia e brendshme – është zbehur deri në zhdukje. Sot vendimmarrja ndodh kryesisht në rrethe të ngushta, larg syve dhe mendimeve të shumicës së anëtarëve. Mendimet e ndryshme, që dikur pasuronin debatin, sot shpesh trajtohen si rrezik për unitetin, në vend që të shihen si forcë e tij.

Në terren, sidomos në zona si Klina, kam parë një braktisje të angazhimit real me qytetarët. Struktura lokale shpesh lihet pas dore, njerëzit që japin kohën dhe mundin e tyre injorohen, ndërsa kontributet e sinqerta nuk vlerësohen. Kam parë shokë dhe kolegë që janë zhgënjyer deri në heshtje, sepse zëri i tyre nuk gjen hapësirë.

Shembujt janë të shumtë dhe të dhimbshëm:

Kam propozuar që të organizohen takime të rregullta me bazën në Klinë, ku çdo anëtar të ketë të drejtë të shprehë mendimin e tij – propozim që nuk u mor asnjëherë në shqyrtim. Kam kërkuar transparencë për mënyrën se si shpenzohen mjetet financiare të degës, por nuk mora asnjë raport zyrtar, pavarësisht kërkesave. Kam insistuar që lista e kandidatëve për zgjedhjet lokale të përpilohej me konsensus dhe miratim /votim nga kryesia, por vendimi erdhi i gatshëm nga qendra, pa asnjë konsultim.

Kam parë njerëz të devotshëm, me vite pune vullnetare, që përjashtoheshin nga proceset vendimmarrëse vetëm sepse nuk pajtoheshin me një qëndrim të caktuar. Këto përvoja nuk janë thjesht zhgënjyese – ato e bëjnë të pamundur për mua të vazhdoj të pretendoj se kjo lëvizje funksionon sipas parimeve për të cilat u bashkova.
Përse po largohem?

Po largohem sepse nuk dua të bëhem pjesë e një realiteti që nuk përfaqëson më idealet me të cilat fillova këtë rrugë. Po largohem sepse nuk dua të bëj kompromis me bindjet e mia për hir të pushtetit partiak.

Po largohem sepse dua të jem i ndershëm – me veten time, me punën time dhe me qytetarët që më kanë dhënë besimin e tyre.Nuk largohem nga politika, por nga një strukturë që nuk më lë më hapësirë për të vepruar me ndershmëri dhe transparencë. Udhëtimi im politik nuk mbaron këtu. Përkundrazi – fillon një kapitull i ri, ku do të vazhdoj të punoj për interesin publik, pa u lidhur me interesa të ngushta.

Dua t’i falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur në këtë rrugë – kolegët që kanë ndarë me mua ideale dhe përpjekje, qytetarët që më kanë inkurajuar, dhe të gjithë ata që kanë besuar se politika mund të jetë mjet për të bërë mirë. Largohem me kokën lart, pa hidhërim personal, por me një ndjenjë të fortë përgjegjësie për të qëndruar besnik parimeve të mia.

Besoj ende se ndryshimi i vërtetë është i mundur – por ai nuk vjen nga heshtja, as nga bindja e verbër. Ai vjen nga guximi për të thënë të vërtetën dhe për të vepruar ndryshe, edhe kur kjo do të thotë të largohesh nga rruga që dikur mendoje se ishte e vetmja.
Me respekt dhe vendosmëri,
Prof. Dr. Dr. Dr. Lulzim Dragidella

The post Ish-kandidati për kryetar të Klinës, Lulzim Dragidella largohet nga LVV appeared first on Telegrafi.

Policia aksion në Prishtinë dhe Klinë, sekuestrohen disa armë zjarri dhe municion

13 August 2025 at 14:36

Policia e Kosovës respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë e mbështetur edhe nga njësitë tjera policore, me datën 13.08.2025 ka realizuar urdhëresën e gjykatës kompetente, ku janë kontrolluar tri lokacione në Klinë dhe një lokacion në Prishtinë.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se lidhur me rastin në polici janë shoqëruar tre persona të dyshuar, mbi dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’.

Gjatë kontrollit të realizuar si dëshmi materiale janë sekuestruar:

1. Një armë e gjatë snajper,
2. Dy karikatorë me 40 fishekë të armës,
3. Një pistoletë me një karikator dhe 8 fishekë,
4. Një pistoletë me dy karikatorë dhe 4 fishekë,
5. Një pistoletë me një karikator dhe 14 fishekë,
6. Një pistoletë me një karikator dhe 52 fishekë,
7. Një pushkë ajrore me 5 fishekë,
8. 14 fishekë të pistoletës me gas,
9. Një pushkë gjuetie,
10. Një automatik AK-47 me dy karikatorë,
11. Tre telefona mobile,
12. Një thikë,
13. Një shpatë e arteve marciale,
14. Një antiplumb.

Disa nga dëshmitë janë me leje dhe janë sekuestruar me qëllim të verifikimit dhe procedurave të mëtutjeshme.

Në konsultim me prokurorin kompetent është inicuar rast për veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse, ndërsa njëri nga të dyshuarit pas intervistimit është ndaluar për 48 orë dhe dy të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

The post Policia aksion në Prishtinë dhe Klinë, sekuestrohen disa armë zjarri dhe municion appeared first on Telegrafi.

IHMK: Korriku i këtij viti muaji më i nxehtë ndonjëherë në Kosovë, në Klinë u thyen rekordet

11 August 2025 at 18:43

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur të hënën se në muajin korrik është regjistruar temperature rekorde – mbi 40 gradë Celsius.

“Vlerat maksimale prej 42.4°C në Klinë dhe 42.3°C në Han të Elezit janë të pashembullta në historinë klimatike të vendit dhe tregojnë një devijim të madh nga mesatarja shumëvjeçare për këtë muaj”, ka thënë Instituti përmes një postimi në Facebook, duke treguar se mesatarja e korrikut në Kosovë shkonte mes 30-35 gradë Celsius.

Para korrikut të vitit 2025, temperatura më e lartë ndonjëherë ishte regjistruar në Prizren më 1987 – 40.8 gradë Celsius.

Sipas Institutit, shifrat e korrikut të këtij viti janë konfirmim i paralajmërimeve shkencore për përshpejtimin e ndryshimeve klimatike.

“Rritja e temperaturave ekstreme është një nga pasojat më të drejtpërdrejta të ngrohjes globale. Modelet klimatike dhe raportet ndërkombëtare (p.sh., IPCC) parashikojnë se Evropa Juglindore, përfshirë Ballkanin, do të përballet me më shumë valë të të nxehtit, thatësira të gjata dhe reshje të rralla por intensive. Korriku 2025 përkon me këtë tendencë, duke reflektuar një klimë gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe të ngarkuar me energji termike”, është thënë në postimin në Facebook.

Instituti ka përmendur edhe pasojat e temperaturave të larta, duke thënë se ato ndikojnë në rritje të sëmundjeve me të nxehtin – goditje termike, probleme kardiovaskulare – më pas në stres për bimësinë, kafshët dhe ekostetmet ujore, si dhe në dëme ekonomike, për shkak të dëmeve në bujqësi dhe rritjes së konsumit të energjisë për ftohje dhe rrezik për infrastrukturën.

“Ngjarjet klimatike të korrikut 2025 përbëjnë një sinjal të qartë për domosdoshmërinë e veprimit të menjëhershëm dhe të koordinuar për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike. Institucionet përgjegjëse duhet të fuqizojnë monitorimin meteorologjik, planifikimin urban, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe politikat mjedisore për të minimizuar rreziqet në të ardhmen”.

The post IHMK: Korriku i këtij viti muaji më i nxehtë ndonjëherë në Kosovë, në Klinë u thyen rekordet appeared first on Telegrafi.

❌
❌