Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Policia jep detaje për vdekjen e vajzës 8-vjeçare në Suharekë

15 December 2025 at 11:41


Një vajzë 8-vjeçare u dërgua mbrëmë në Repartin e Emergjencës pa shenja jete nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Suharekë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, bëri të ditur për Telegrafin se patrullat policore dhe hetuesit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Sipas mjekut kujdestar, fëmija nuk kishte shenja jete në momentin e pranimit në urgjencë.

“Më datën 14.12.2025, rreth orës 21:50, nga QKMF-Suharekë është raportuar se një fëmijë i gjinisë femërore, rreth 8-vjeçare, nga fshati Greiçevcë, është sjellë në Repartin e Urgjencës pa shenja jete. Patrullat policore dhe hetuesit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë informuar nga mjeku kujdestar për gjendjen e fëmijës”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori për Krime të Rënda dhe është iniciuar rasti nën akuzën “Hetim i vdekjes”.

“Trupi i pajetë, me urdhër të Prokurorit kompetent, është dërguar për obduksion”, njoftoi Bytyqi. /Telegrafi/

Policia jep detaje për aksidentin me fatalitet në Leposaviq

10 December 2025 at 08:33


Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të martën pasdite në rrugën nacionale N223 në Leposaviq, ku janë përfshirë dy automjete me ngasës meshkuj kosovarë.

Policia njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:20.

Si pasojë e përplasjes, lëndime trupore kanë pësuar dy ngasësit dhe tre pasagjerë, derisa një nga pasagjerët e lënduar ka ndërruar jetë në spital.

"Ka ndodhë një aksident trafiku në mes të dy automjeteve me ngasës meshkuj kosovarë, si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar dy ngasësit dhe tre pasagjer. Si pasojë e lëndimeve të marra në aksident njëri nga pasagjerët e lënduar ka ndërruar jetë", thuhet në njoftimin e policisë, përcjell Telegrafi

Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet rreth shkaqeve të aksidentit janë duke vazhduar. /Telegrafi/

Aktakuzë për laboratorin e drogës në Prizren, nëntë persona përballen me drejtësinë

2 December 2025 at 10:52


Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave për rastin e laboratorit të drogës të zbuluar më 23 prill 2025 në Prizren.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë kultivuar 175 bimë “kanabis sativa” në dy banesa në lagjen “Dardania”, të pajisura me llamba profesionale, sisteme ventilimi dhe pajisje të tjera mbështetëse. Ata akuzohen për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” sipas nenit 272 të KPRK-së.

Nëntë të pandehurit, mes të cilëve D.M., E.M., M.S. dhe A.S., akuzohen gjithashtu për përgatitje dhe shpërndarje të lëndës narkotike, përmes tharjes, paketimit dhe shitjes së kanabisit dhe kokainës. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar 451.91 gram kokainë, para të gatshme, pajisje për peshimin dhe ndarjen e lëndëve narkotike, si dhe dy vetura. Një nga të pandehurit, K.R., akuzohet se ka shkëmbyer 2 kg marihuanë për një veturë “Audi A6”, përcjell Telegrafi.

Të pandehurit kanë vepruar së bashku si grup i organizuar, ndërsa njëri prej tyre, B.M., akuzohet për ndihmë në kultivimin e bimëve duke informuar të tjerët për lëvizje të dyshimta që mund të çonin në zbulimin e laboratorit.

Prokuroria ka propozuar konfiskimin e pasurisë së përfituar nga aktiviteti kriminal, përfshirë dy banesa në Prizren, dy automjete, narkotikë, telefona mobil dhe para të gatshme në vlerë 1,020 euro dhe 30 franga zvicerane.

Pas administrimit të provave, Prokuroria kërkon që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohen. /Telegrafi/

Një person vdes në Zubin Potok nga shpërthimi i një granate dore

26 November 2025 at 21:23


Një person ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një granate dore në Zubin Potok.

“Rreth orës 16:45 kemi pranuar një informacion se një person dyshohet të ketë vdekur si pasojë e një shpërthimi. Kemi shkuar në vendin e ngjarjes, ku brenda një shtëpie e kemi gjetur një person të vdekur, sipas të gjitha gjasave nga shpërthimi i granatës së dorës”, thuhet në deklarimin e policisë në veri të Kosovës.

Në vendngjarje janë njësitë relevante të cilat po hetojnë rastin dhe se ngjarja po cilësohet si “Hetim i vdekjes”.

Pas hetimeve fillestare, do të bëhen të ditura edhe detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes.

Autoritetet lokale dhe policia po punojnë për të sqaruar plotësisht shkaqet dhe për të vendosur përgjegjësit e mundshëm.

Në vendin e krimit u gjetën dy armë, policia jep detajet e fundit nga vrasja e dyfishtë në Golluboc

7 November 2025 at 09:37


Policia e Kosovës ka bërë të ditur detaje të reja lidhur me ngjarjen tragjike në fshatin Golluboc të Malishevës, ku më 6 nëntor u vranë dy vëllezërit Morina.

Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas raportimit të rastit, njësitë policore dhe hetimore kanë dalë në vendngjarje, ku gjatë ekzaminimeve janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri, që dyshohet se janë përdorur në kryerjen e vrasjes. Këto prova materiale konsiderohen kyçe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcjell Telegrafi.

Hetimet janë zhvilluar në koordinim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit, duke përfshirë analiza balistike dhe veprime të tjera procedurale për identifikimin e autorit.

Si rezultat i këtyre veprimeve, mëngjesin e 7 nëntorit 2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë të Malishevës, policia ka arrestuar të dyshuarin Astrit Isufi (1983), banor i Sankocit të Drenasit.

I dyshuari është gjetur me plagë që dyshohet të jenë shkaktuar nga arma e zjarrit, dhe pas ndihmës së parë është dërguar për trajtim të mëtejmë në QKUK, nën masa sigurie.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se hetimet po vazhdojnë intensivisht, në bashkëpunim të plotë me Prokurorin e Shtetit, me qëllim ndriçimin e plotë të motivit dhe dinamikës së vrasjes së dyfishtë. /Telegrafi/


Prokuroria në Gjilan ndalon tre persona pas vdekjes së 23-vjeçarit që ra nga ndërtesa në ndërtim

31 October 2025 at 14:36


Pas ngjarjes tragjike të 24 tetorit, ku një 23-vjeçar humbi jetën pasi ra nga kati i gjashtë i një ndërtese në ndërtim në Gjilan, Prokuroria Themelore në këtë qytet ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime hetimore dhe ka ndaluar disa persona të dyshuar në lidhje me rastin.

Sipas njoftimit të prokurorisë, më 25 tetor 2025 janë ndaluar për 48 orë të pandehurit L.H. dhe F.R., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas nenit 358 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton Telegrafi.

Të njëjtën ditë, prokuroria ka filluar hetimet ndaj tyre dhe ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Gjilan, por kjo kërkesë është refuzuar. Gjykata ka vendosur që të pandehurit t’u caktohet masa e arrestit shtëpiak, ndaj së cilës vendim prokuroria ka paraqitur ankesë më 27 tetor 2025.

Hetimet janë zgjeruar më 27 tetor edhe ndaj personit të tretë, N.D., i cili është ndaluar dhe ndaj të cilit po ashtu është kërkuar masa e paraburgimit. Edhe në këtë rast, gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorisë, duke vendosur masën e arrestit shtëpiak. Edhe ky vendim është ankimuar nga prokuroria më 29 tetor 2025 në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Prokuroria ka bërë të ditur se më 31 tetor 2025 është njoftuar për ndërrimin e jetës së punëtorit të lënduar në QKUK, për çka është lëshuar urdhër për autopsi, në mënyrë që të sqarohen rrethanat e sakta të vdekjes dhe përgjegjësitë eventuale.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa Komuna e Vitisë, nga e cila ishte i ndjeri, ka shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e Rinor Haxhiut (23), duke e cilësuar humbjen e tij si “të rëndë dhe të parakohshme”.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë. /Telegrafi/

Humb jetën 23-vjeçari nga Vitia që ra nga kati i gjashtë i një ndërtese në ndërtim

31 October 2025 at 09:43


Një ngjarje tragjike ndodhi më 24 tetor, ku një i ri 23-vjeçar, Rinor Haxhiu, humbi jetën pasi ra nga kati i gjashtë i një ndërtese në ndërtim në Gjilan.

Lajmin për vdekjen e të riut e kanë konfirmuar nga Komuna e Vitisë, qyteti prej nga ishte i ndjeri, raporton Telegrafi.

Kryetari i komunës, Sokol Haliti, përmes një mesazhi ngushëllimi ka shprehur dhimbjen e tij dhe të institucionit për familjen, miqtë dhe të afërmit e Rinor Haxhiut.

"Me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurit tuaj, Rinor Haxhiu, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Largimi i tij i hershëm ka prekur thellë zemrat tona dhe ka lënë boshllëk të madh tek të gjithë ata që e njohën dhe e deshën. Kujtimi për Rinorin do të mbetet i gjallë përherë në mendjet dhe zemrat tona", ka shkruar Haliti

Ngjarja mbetet nën hetimet e autoriteteve për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe çdo detaj tjetër lidhur me incidentin. /Telegrafi/


Gjendet mjet shpërthyes në Gjakovë, ndërhyrje e shpejtë e policisë dhe FSK-së

31 October 2025 at 09:36


Njësitë e Policisë së Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë ndërhyrë për të neutralizuar një mjet të dyshuar shpërthyes të gjetur në Gjakovë.

Sipas raportit të Policisë, më 30 tetor 2025, rreth orës 11:30, një qytetar kosovar ka raportuar se gjatë punës ka hasur në një objekt të dyshuar shpërthyes, përcjell Telegrafi.

Menjëherë pas njoftimit, njësitet policore kanë siguruar vendin e ngjarjes për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Pas mbërritjes në vendngjarje, njësiti për deminim i FSK-së ka marrë nën kontroll mjetin e dyshuar dhe e ka tërhequr për neutralizim të sigurt.

Policia ka bërë të ditur se hetimet për identifikimin e origjinës së mjetit dhe rrethanat e gjetjes vazhdojnë, ndërsa nuk ka të dhëna për persona të lënduar. /Telegrafi/

Policia jep detaje për arrestimin e një personi në Prishtinë

31 October 2025 at 09:27


Një operacion policor i zhvilluar në kryeqytet ka çuar në arrestimin e një personi të dyshuar për posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rreth orës 20:10, njësitë policore kanë arrestuar një të dyshuar mashkull, shtetas të Republikës së Kosovës, ndaj të cilit kishte urdhërarrest të lëshuar nga gjykata, përcjell Telegrafi.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij dhe në oborrin e ndërtesës, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme narkotikësh dhe mjete që dyshohet se janë përdorur për aktivitetin e shpërndarjes.

Në total, janë sekuestruar 1.279,5 gramë marihuanë, 41,3 gramë kokainë, një peshore digjitale, rreth 4 mijë qese të zbrazëta që shërbejnë për paketimin e lëndëve narkotike, si dhe 6.725,5 euro para të gatshme, dy telefona mobil dhe një llaptop.

I dyshuari është ndaluar menjëherë dhe pas përfundimit të procedurave fillestare është dërguar në vuajtje të dënimit, në bazë të vendimit të gjykatës.

Policia e Kosovës ka theksuar se veprimet e tilla janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për luftimin e shpërndarjes së narkotikëve dhe mbajtjen e sigurisë publike në vend. /Telegrafi/

Rrahje mes dhëndrit dhe "baballëkut" në Istog, të dy përfundojnë në spital

25 October 2025 at 10:03


Në qytetin e Istogut mbrëmjen e së premtes ka ndodhur një përleshje fizike mes dy personave, pas një mosmarrëveshjeje brenda familjes.

Sipas informatave nga Policia e Kosovës, në incident janë përfshirë dy meshkuj kosovarë – dhëndri dhe babai i bashkëshortes së tij.

Pas konfliktit verbal, të dyshuarit janë përleshur mes veti, duke pësuar lëndime trupore. Ata kanë marrë tretman mjekësor në institucionet shëndetësore përkatëse.

Të dy personat janë intervistuar nga organet e hetuesisë, dhe me vendim të prokurorit të rastit janë liruar në procedurë të rregullt./Telegrafi/

Arrestohet një person në Mitrovicë që sulmoi qytetarin dhe zyrtarin policor

12 October 2025 at 09:07


Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për lëndim të lehtë trupor dhe sulm ndaj personit zyrtar në një ngjarje të ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës në rrugën “Ulçini” në Mitrovicën e Jugut.

Sipas raportit zyrtar, i dyshuari mashkull ka sulmuar fizikisht një person tjetër në një pikë të derivateve. Gjatë shoqërimit në polici, i njëjti ka sulmuar me kokë një nga zyrtarët policorë, përcjell Telegrafi.

Gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia ka gjetur dhe konfiskuar një shkop metalik, i cili dyshohet të jetë përdorur si mjet në incident.

Me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Hetimet lidhur me rastin janë në zhvillim. /Telegrafi/

Hetim vdekjeje në Malishevë: Personi humb jetën pas rrëzimit pranë barnatores

12 October 2025 at 08:59


Policia e Kosovës ka njoftuar se është iniciuar një hetim lidhur me një rast vdekjeje që ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Malishevë, rreth orës 23:30.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, dëshmitari mashkull ka raportuar se, pasi ka dalë nga një barnatore, ka vërejtur se prindi i tij ishte rrëzuar në tokë, pëcjell Telegrafi.

Viktima është dërguar menjëherë në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, në mënyrë që të përcaktohen shkaqet e sakta të vdekjes. Hetimet mbi rastin janë në zhvillim. /Telegrafi/

Pasi e ndaluan se ra në radar, sulmon tre policë në Kamenicë

8 October 2025 at 17:18


Një person është arrestuar mbrëmë në fshatin Topanicë të Kamenicës, pasi dyshohet se sulmoi disa zyrtarë policorë dhe shkaktoi rrezik serioz në trafikun rrugor.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, rasti ndodhi më 7 tetor 2025, rreth orës 21:00, kur patrulla policore ndaloi një automjet me targa të huaja që po lëvizte me shpejtësi prej 185 km/h në një zonë ku lejohet 80 km/h.

Ngasësit i është shqiptuar gjobë 500 euro, 5 pikë negative dhe ndalim i drejtimit të automjeteve për 6 muaj.

Megjithatë, ai nuk iu bind urdhrave të policisë, por vazhdoi të voziste në mënyrë të rrezikshme dhe u largua nga vendi i ndalimit, duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Gjatë ndalimit të tij në fshatin Hodonoc, personi ka rezistuar dhe ka shkaktuar lëndime të lehta trupore tre zyrtarëve policorë.

Ai u arrestua dhe pas procedurave ligjore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është inicuar rasti “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, i cili po hetohet nga hetues të Stacionit Policor Kamenicë./Telegrafi/

Arrestohet edukatorja e çerdhes në Lipjan, pas dyshimeve se lëndoi një fëmijë

7 October 2025 at 20:23


Një fëmijë ka pësuar lëndime në një çerdhe në Lipjan të hënën, pas një incidenti ku dyshohet se është rrëzuar nga edukatorja e institucionit, raporton Telegrafi.

Familjarët e fëmijës kanë konfirmuar se rastin e kanë denoncuar menjëherë në Polici.

Në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se edukatorja është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.

“Po pas përfundimit të disa veprimeve hetimore është arrestuar personi i dyshuar dhe me vendim të prokurorit e njëjta është dërguar në mbajtje”, tha Ahmeti.

Kujtojmë se rastin për dhunën e ushtruar ndaj fëmijës e kishte bërë publik daja i tij në rrjetet sociale./Telegrafi/

Të shtëna me armë në qendër të Prishtinës – një person plagoset, autori në arrati

6 October 2025 at 09:05


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës në rrugën “Garibaldi” në Prishtinë, ku një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima (mashkull kosovar) ka pësuar lëndime pasi një person tjetër, gjithashtu, dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të tij dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, përcjell Telegrafi.

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit janë gjetur dhe konfiskuar tri gëzhoja të armës së zjarrit si dëshmi materiale.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa njësitet hetimore po vazhdojnë punën për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

Rasti po hetohet si “përdorim i armës së zjarrit dhe shkaktim i lëndimeve trupore”. /Telegrafi/

Tentuan të fusnin mall pa dokumentacion, shoqërohen në polici dy shtetas serb

6 October 2025 at 08:58


Policia e Kosovës ka ndaluar dy shtetas të Serbisë në fshatin Pogragjë të Gjilanit, nën dyshimin për kalim të paautorizuar të kufirit dhe kontrabandë me mallra komerciale.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, gjatë patrullimit në orët e mbrëmjes së 5 tetorit (rreth orës 18:10), njësitet policore kanë ndaluar një veturë të drejtuar nga një i dyshuar shtetas i Serbisë, në të cilën ndodhej edhe një pasagjer – po ashtu shtetas serb, përcjell Telegrafi.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka zbuluar mallra komerciale të transportuara pa dokumentacion përkatës, përfshirë një kompresor për traktor, nëntë copë llustera, një frigorifer dhe pajisje hidraulike.

Sipas njoftimit, mallrat janë konfiskuar dhe dërguar në terminalin doganor për procedurë të mëtejshme, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin e shtetit.

Policia ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin do të vazhdojnë, me qëllim ndriçimin e plotë të rrethanave të kontrabandës. /Telegrafi/

Policia publikon fotografitë e një të dyshuari për vjedhje në Malishevë, kërkon ndihmën e qytetarëve

26 September 2025 at 15:57


Hetuesit e Stacionit Policor në Malishevë, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë publikuar fotografitë e një personi të dyshuar për përfshirje në një rast vjedhjeje të raportuar në fshatin Banjë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e personit të paraqitur në fotografitë e shpërndara.

Policia u ka bërë apel qytetarëve që kanë informacione të mundshme lidhur me rastin të kontaktojnë në numrin e telefonit 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes e-mailit zyrtar: info@kosovopolice.com

Aksident me fatalitet, dy të vdekur në Zajm të Klinës

23 September 2025 at 08:19


Në orët e para të ditës së martë (23 shtator) ka ndodhur një aksident me fatalitet në Zajm të Klinës.

Në ora 05:00 të mëngjesit, aksidenti mes një kamioni transportues dhe një veture ka lënë dy persona të vdekur dhe dy të lënduar sipas njoftimin nga Policia e Kosovës.

“Ju informojmë se me datën 23 shtator 2025, rreth orës 05:00, Policia është informuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në magjistralen Pejё-Prishtinё, nё fshatin Zajm”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton Telegrafi.

“Nё kёtё aksident ishin tё përfshira njё kamion, njё kombi dhe njё veturё me targa vendore".

“Si pasojё e aksidentit, dy persona kanё ndёrruar jetё ne vendin e ngjarjёs, kёtё e ka konstatuar ekipi mjekёsor, ndёrsa dy persona tё lënduar janё dёrguar me autoambulancё nё spitalin rajonal nё Pejё pёr tretman mjekёsor”.

“Trupat e pajetë tё viktimave dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion”, thuhet më tej në njoftimin nga Policia. /Telegrafi/

Komplikime gjatë lindjes, vdes në QKUK 31-vjeçarja disa ditë pas humbjes së foshnjës

9 September 2025 at 13:42

Një nënë lehonë ka ndërruar jetë pasditen e djeshme në Mjekimin Intensiv Qendror në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

31-vjeçarja kishte pasur komplikime gjatë shtatzanisë dhe po ashtu gjatë procesit të lindjes.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar shefi i Intensives, Shaqir Uka.

“Pacientja fatkeqësisht nuk ka mundur tu bëjë ballë komplikimeve që kishte gjatë shtatzanisë dhe procesit të lindjes, dhe e njëjta ka ndërruar jetë”, ka thënë Uka.

Uka ka bërë të ditur se e ndjera ishte sjellë më 20 gusht në Mjekimin Intensiv dhe pavarësisht përpjekjeve të shumta të stafit mjekësor për ta mbajtur në jetë, nuk ia doli.

Po ashtu e njëjta kishte humbur edhe foshnjën vetëm disa ditë pas lindjes. /Telegrafi/

 

The post Komplikime gjatë lindjes, vdes në QKUK 31-vjeçarja disa ditë pas humbjes së foshnjës appeared first on Telegrafi.

Me veturë goditi disa persona që qëndronin në park, Policia arreston të dyshuarin në Viti  – pesë të lënduarit marrin tretman mjekësor

9 September 2025 at 09:44

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person për vrasje të rëndë në tentativë në tentativë.

Rasti ka ndodhur të hënën, në ora 21:25, ndërsa i arrestuari dyshohet se me veturën e tij ka goditur disa persona që ishin duke qëndruar në një park.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti dyshohet se me veturën e tij i ka goditur disa persona që ishin duke qëndruar në një park. Pesë persona kosovarë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në raport.

Tutje, Policia bën të ditur se në vendin e ngjarjes përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori i cili ka urdhëruar që pas inicimit të rastit i dyshuari të dërgohet në mbajtje. /Telegrafi/

The post Me veturë goditi disa persona që qëndronin në park, Policia arreston të dyshuarin në Viti  – pesë të lënduarit marrin tretman mjekësor appeared first on Telegrafi.

❌
❌