“Ëndërr”, një udhëtim fotografik në Shqipërinë e pesë viteve të fundit
Pesë vite më parë, ndërsa po bëhej gati për të shkuar në Japoni, fotografi zvicerian Thomas Kremke ndaloi përgatitjet dhe vendosi të shkojë në Shqipëri.
“Madje edhe në hotelin e zbrazët, të heshtur e me ajër të kondicionuar, vetmia është një iluzion sepse ke në mendje vetëm atë, Shqipërinë; njerëzit e saj, erërat e saj, lashtësinë e saj, bukurinë e saj, ekzistencën e saj, çmenduritë e saj”,-ishte ky një tekst i shkrimtarit polak Andrzej Stasiuk që e bëri Thomasin të ndryshonte destinacion.
Sot, pesë vite pasi ka shëtitur Shqipërinë në çdo fshat e qytet, ai sjell përmes ekspozitës “Ëndërr” copëza të jetës së përditshme, që ndryshe nga ëndrra me të cilën u nis për ta vizituar në fillim, e zbritën në realitet.
“Gjatë përgatitjes së punës sime, lexova shumë për Shqipërinë. Lexova gjithashtu letërsi shqiptare dhe fjala “Ëndërr” më dilte shumë shpesh, vazhdimisht, si “ëndërr “ëndërr”, “ëndërr””, u shpreh Thomas për Citizens.al në çeljen e ekspozitës së tij.
Ëndrra, sipas tij për shqiptarët që njohu ishte të largoheshin jashtë vendit, ndërsa për të tjerë që nuk e kishin njohur Shqipërinë ishte një ëndërr për të prekur një vend të virgjër.
“Këto ëndrra kryqëzohen dhe për këtë arsye e quajta “ëndërr”, u shpreh Thomasi.
Në ekspozitën e krijuar në ambientet e qendrës së Grupit ATA në Kamëz, fotografitë qëndrojnë përbri mbishkrimeve, e të gjitha këto të vendosura mbi struktura metalike që herë të krijojnë idenë e ndarjes së hapësirës e herë si lejuese të rrymave të ajrit që mungon.
“Vendosa të realizoj portrete të njerëzve me të cilët kam biseduar, me të cilët kam krijuar një marrëdhënie. Nuk janë thjesht fotografi rruge si “oh, një personazh interesant” apo diçka e tillë. Këto portrete janë historia ime në Shqipëri”, tha mes të tjerash Thomas, ndërsa një mori portretesh të njerëzve të ndryshëm në Shqipëri janë renditur në një pjesë të murit të qendrës së Grupit ATA.
Në vend të romantizimit të një vendi të parë kalimthi, Thomas ka depërtuar edhe më thellë, duke ndjekur edhe lëvizje sociale e politike.
“Jam gjithmonë i interesuar edhe për këto tema politike, si “5 Maji”, si “Zall-Gjoçaj”, ndryshimet në këtë vend dhe nga ana artistike kam punuar gjithmonë me tekst dhe fotografi”, tha Thomas Kremke.
Elsa Paja, e cila përmes ‘Trivet Art” është marrë me kurimin grafik të ekspozitës dhe gazetës që përmbledh idenë e “Ëndrrës”, tha për Citizens.al se ajo çfarë i pëlqen në këtë ekspozitë është se fotografi i brendashkruhet vendit.
“Ai shpalos pjesë të ndryshme të vendit, takon artistë të ndryshëm, takon aktivistë dhe në njëfarë forme arrin të zhbirilojë shumë gjëra që një artist vendas ndonjëherë i shmanget. Ndërkohë roli kryesor i artistit është pikërisht të merret me problemet e përditshme të vendit tonë”, u shpreh Elsa Paja.
Për Diana Malajn, nga Grupi ATA, kjo ekspozitë është një pozicionim i drejtë në raport me shqetësimet që qytetarët dhe aktivistët mbartin çdo ditë për vendin.
“Ka shumë reflektim, por njëkohësisht edhe trishtim sepse fotografia nganjëherë është edhe një farë dokumentimi i gjërave që ne i kemi humbur, të gjërave që nuk i kemi më. Të një lumi që është i tharë, të një hapësire qyteti që është e akaparuar nga ndërtimet e kullave në kryeqytet, në periferi”, argumentoi Diana.
Të pranishëm në ekspozitë ishin edhe ambasadorja zviceriane në Shqipëri, Ruth Huber, aktivistë dhe qytetarë të angazhuar në shoqërinë shqiptare.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për tre javë, deri më 16 prill.
The post “Ëndërr”, një udhëtim fotografik në Shqipërinë e pesë viteve të fundit appeared first on Citizens.al.


