Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Vendimet e mbledhjes së qeverisë/ Rritet paga minimale në 50 mijë lekë, hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm

By: M C
19 December 2025 at 18:11

Vendimi për rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë, hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj.

Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.

NJOFTIMI

Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije vendimet e miratuara në mbledhjen e sotme të qeverisë datë 19.12.2025 Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.

Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 169 850 000 (njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë milionë e tetëqind e pesëdhjetë mijë) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit në Bashkinë Durrës.

Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 5 314 932,40 (pesë milionë e treqind e katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e dy presje dyzet) lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të banesave individuale për ata individë, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë, që rezultojnë me shkallë dëmi DS4 e që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni, në bazë të aktekspertizave të thelluara, në Bashkinë Shijak.

Efekti financiar në masën 5 314 932,40 (pesë milionë e treqind e katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e dy presje dyzet) lekë përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2025, dhe i transferohet Bashkisë Shijak në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Klos të disa zonave;
Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Vau i Dejës të disa zonave;

Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë:

a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.

The post Vendimet e mbledhjes së qeverisë/ Rritet paga minimale në 50 mijë lekë, hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm appeared first on Albeu.com.

Këshilli bashkiak i Tiranës miraton Buxhetin e vitit 2026 pa praninë e Kryebashkiakut Veliaj

By: M C
18 December 2025 at 17:24

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi Buxhetin për vitin 2026, me vlerë rreth 400 milionë euro, në një mbledhje të zhvilluar pa praninë e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Më herët, Këshilli kishte kërkuar pjesëmarrjen e Veliajt në diskutimet për buxhetin, por SPAK refuzoi kërkesën, ndërsa vetë kryebashkiaku kishte paralajmëruar me anë të një letre se miratimi i buxhetit pa praninë e tij nuk do të ishte legjitim.

Buxheti i miratuar parashikon 1500 kuota kredie të butë për çiftet e reja, abone falas për studentët dhe pensionistët, si dhe 1400 bonuse qiraje për familjet e prekura nga tërmeti dhe për përfituesit e ndihmës ekonomike. Po ashtu, janë parashikuar 9.2 milionë euro për rreth 12 mijë nxënës, të cilët për herë të parë do të përfitojnë ushqim në shkolla.

Gjatë seancës nuk u hodhën në votim 29 amendimet e propozuara nga opozita, me një vlerë totale prej rreth 90 milionë eurosh.

The post Këshilli bashkiak i Tiranës miraton Buxhetin e vitit 2026 pa praninë e Kryebashkiakut Veliaj appeared first on Albeu.com.

Merrte para për të ndikuar te gjyqtarët, avokati dënohet me 20 muaj burg

17 December 2025 at 17:13

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dha sot vendimin për avokatin Bardhi Koçi, të akuzuar se është munduar të ndikojë në vendimet e gjykatësve, në të paktën tri raste.

Sipas vendimit të sotëm, trupa gjykuese vendosi bashkimin e dënimeve në një masë të vetme prej 2 vite e 6 muaj burgim, e cila u ul me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke përfunduar në 1 vit e 8 muaj burgim.

Gjykata urdhëroi po ashtu pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vënien e Bardhi Koçit në shërbim prove për një periudhë 3 vite e 4 muaj, me detyrimin për t’u paraqitur pranë Shërbimit të Provës dhe për të mos kryer vepër tjetër penale gjatë kësaj kohe.

Po ashtu, GJKKO vendosi një dënim plotësues për Bardhi Koçin, duke i hequr të drejtën për të ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë 3-vjeçare.

Në të njëjtën çështje, gjykata shpalli fajtore edhe Pranvera Meshin për të njëjtën vepër penale, duke e dënuar fillimisht me 1 vit burgim.

Pas uljes me 1/3 të dënimit, masa përfundimtare u caktua 8 muaj burg, nga e cila Pranvera Meshi u përjashtua nga vuajtja e dënimit.

Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e masave të sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për të dy të pandehurit, si dhe kthimin e një telefoni celular Pranvera Meshit, ndërsa materialet e tjera provuese mbeten pjesë e dosjes gjyqësore.

/gj.m/a.f/

The post Merrte para për të ndikuar te gjyqtarët, avokati dënohet me 20 muaj burg appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vendimi i Supremes në favor të ushtarëve të FSK-së, ndryshohet rregullorja e udhëtimeve zyrtare

17 December 2025 at 15:43


Gjykata Supreme e Kosovës e ka miratuar kërkesën e KDI-së për anulimin e një pjese të Rregullores për kompensimin e udhëtimeve zyrtare.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook të KDI-së.

Ndër të tjera në njoftim thuhet se një grup ushtarësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë drejtuar KDI-së për të kërkuar ndihmë ligjore pasi nuk po kompensoheshin për udhëtimet jashtë vendit kur shërbenin më shumë se një muaj.

“Pas shqyrtimit të rastit, #KDI ka gjetur se rregullorja në fuqi i vendoste ata në një pozitë të padrejtë. Gjykata Supreme tani e ka vërtetuar këtë, duke konfirmuar se rregullorja kishte tejkaluar ligjin dhe duhej ndryshuar. Ky vendim është një hap i rëndësishëm për drejtësi dhe trajtim të drejtë të ushtarëve tanë, dhe një dëshmi e ndikimit që mund të ketë raportimi i qytetarëve dhe puna jonë për llogaridhënie”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


​Pensionistët nuk detyrohen më të paraqiten për të vërtetuar se janë gjallë

17 December 2025 at 15:00


Pensionistët nuk do të jenë më të detyruar të paraqiten çdo gjashtë muaj pranë autoriteteve shtetërore për të dëshmuar se janë gjallë, për të vazhduar marrjen e pensionit.

Ky vendim vjen nga Gjykata Supreme, e cila shpalli të paligjshëm udhëzimin administrativ që parashikonte këtë rregull. Vendimi u bazua në padinë e E.Sh.

Në vendim theksohet se Ministria ka përgjegjësinë për të monitoruar nëse pensionisti është gjallë, duke u përjashtuar qytetarët nga kjo detyrë. Për pasojë, pensionistët nuk mund të penalizohen nëse nuk paraqiten pranë autoriteteve.

Për më shumë lexoni vendimin e Gjykatës Supreme të plotë:

Gjykata Supreme e ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit E.Sh., e paraqitur kundër të paditurës Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) - Departamenti i Pensioneve.

Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 4 paragraf 2, i Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS) Për Procedurat e Lajmërimit, Suspendimit nga Pagesa dhe Kthimin e Mjeteve në rastet e Keqpërdorimit të Pensioneve.

Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 5 paragraf 1, 2, 3 dhe 4 i këtij Udhëzimi.

Paditësi E.Sh., ka parashtruar padi kundër të paditurës, MFPT, për shfuqizimin e aktit nënligjor normativ - Udhëzimin Administrativ nr. 05/2015 (MPMS) Për Procedurat e Lajmërimit, Suspendimit nga Pagesa dhe Kthimin e Mjeteve në rastet e Keqpërdorimit të Pensioneve.

Pas shqyrtimit të rastit, Gjykata Supreme konstatoi se paragrafët ku parashihen pasoja për pensionistët, siç është ndalimi i pensionit, nuk janë në harmoni me ligjin dhe si të tillë janë të paligjshëm.

Nëse pensionisti nuk lajmërohet siç është përcaktuar, Ministria obligohet që të monitorojë burimet ekzistuese të informatave me qëllim të identifikimit të pensionistëve që kanë vdekur. Pra, përgjegjësia e parë për verifikimin e statusit të jetës së pensionistit është e vetë organit publik dhe jo e qytetarit. Kjo dispozitë krijon detyrimin që Ministria të shfrytëzojë çdo mekanizëm administrativ dhe çdo burim zyrtar të informatave përpara se të ndërmarrë masa kufizuese ndaj pensionistit. Ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në barrë disproporcionale ndaj pensionistit.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se aktet nënligjore vlejnë vetëm sa kohë janë në pajtim me ligjin, ndërsa një rregullim i tillë nënligjor, i cili prek në mënyrë materiale të drejtat e qytetarëve, siç trajtohet pensioni, mund të bëhet vetëm me ligj dhe jo me akt nënligjor.

Kompetenca e Ministrisë, kufizohet vetëm në rregullimin e mënyrës teknike të suspendimit nga pagesa, dhe assesi në krijimin e detyrimeve, afateve apo pasojave materiale që nuk i parasheh ligji.

Ligji Nr. 04/L-131 Për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, nuk përmban asnjë element që do t’i jepte Ministrisë kompetencë të krijojë afate materiale, të vendosë humbje të pensioneve ose të ndryshojë statusin e përfituesit në rast mos-lajmërimi.

Suspendimi i pagesës së pensionit duhet të jetë masa e fundit, dhe jo e para. Për këtë arsye, Gjykata Supreme konstaton se dispozitat e UA nr. 05/2015, të cilat e trajtojnë mos-lajmërimin si shkak të domosdoshëm për suspendim dhe e shoqërojnë me pasoja materiale të pakthyeshme, janë të kundërligjshme.

Rama: Do të përgatitemi për të mbajtur qëndrim të drejtë ndaj kërkesës së SPAK për Ballukun

16 December 2025 at 17:05

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot pasi Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) i kërkoi autorizimin Kuvendit për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kryeministri u shpreh se “pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zëvendëskryeministren – me burg ose në shtëpi”.

“Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur sesa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standardet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht”, u shpreh Rama.

Kryeministri u shpreh se “nuk do ta paragjykojë kërkesën e prokurorit special”, ndërsa siguroi se “do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”.

“Por, sigurisht që në rastin në fjalë ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”, u shpreh Rama.

/m.m/j.p/r.e/

The post Rama: Do të përgatitemi për të mbajtur qëndrim të drejtë ndaj kërkesës së SPAK për Ballukun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KPA konfirmon në detyrë gjyqtarin e Tiranës, Ervin Pollozhani

15 December 2025 at 19:19

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi sot konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Tiranës, Ervin Pollozhani.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin lidhur me ankimin e Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me gjyqtarin Ervin Pollozhani.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues vendosi në mënyrë unanime lënien në fuqi të vendimit të 24 korrikut 2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Në tetor 2023, Komisioneri Publik ankimoi pranë Kolegjit të Apelimit vendimin e marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, që konfirmoi në detyrë gjyqtarin Ervin Pollozhani. Vendimi për konfirmimin në detyrë u mor më 24 korrik 2023, unanimisht nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Brunilda Bekteshin.

Komisioneri Publik vlerësoi se gjetjet e KPK janë jo të sakta dhe kërkon nga Kolegji i Apelimit shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Pollozhani. Në ankimin e tij, Komisioneri Publik vlerësonte se gjyqtari kishte problematika si në deklarimin e pasurisë, ashtu dhe në kriterin profesional.

/m.m/a.f/r.e/

The post KPA konfirmon në detyrë gjyqtarin e Tiranës, Ervin Pollozhani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ish-kreu i SHISH në Berat dhe djali i tij dënohen për tri vepra penale

15 December 2025 at 16:21

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Gjykata e Beratit shpalli sot fajtor për tri vepra penale ish-kreun i Shërbimit Informativ Shtetëror në Berat dhe djalin e tij.

Sipas njoftimit për medie, ish-kreu i SHISH dhe djali i tij dënohen me kërkesë të Prokurorisë Berat për tri vepra penale ‘Organizimi i lojërave të fatit’, ‘Mbajtja e Armëve’ e ‘Nxjerrje e sekretit shtetëror’

Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 370 të vitit 2023, pas informacioneve se në një ambient në lagjen “30 Vjetori” në një lokal që drejtohej nga shtetasi P. Sh., po zhvilloheshin lojëra fati, u konstatuan kompjuterët e markave të ndryshme, të ndezura dhe në ekrane u shfaqën lojërat online të ngjashme me ato të Adex Casino.

Nga verifikimi teknik, u provua se nëpërmjet një aplikacioni apo software të instaluar në këto pajise elektronike, duke u lidhur në internet, realizoheshin lojëra fati online.

Gjatë hetimeve, u ushtrua kontroll i banesës së shtetasit A.Sh., babait të tij, ku u konstatuan një krehër metalik ngjyrë bronzi me 5 fishekë, të paplasur të kalibrit 7.62 mm, një çantë dore ngjyrë të zezë brenda të cilës u gjetën 3 krehëra, të mbushur secili me nga 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe dy USB me mbishkrimet “Turbox” dhe “Kingston”.

Ky shtetas i cili ka ushtruar detyrën si Drejtor i Shërbimit Informativ Berat, shpjegoi se në nëntor të vitit 2023 është larguar nga detyra dhe ka dorëzuar armatimin por ka harruar të dorëzojë municionin e gjetur në banesë nga shërbimet e policisë. Ai sqaroi se, fishekët e kalibrit 7.62 janë fishek të armëve të vjetra që i ka gjetur të godina e vjetër e ShIK-ut dhe i ka marrë si suvenir dhe i ka harruar në banesë.

Por nga verifikimet e kryera nga prokuroria rezultoi se armatimet ishin kthyer dhe kjo provohej edhe nga fletëhyrja që ndodhet në institucion. Ndërkohë që nga verifikimet e kryera rezultoi se, dy nga materialet e ndodhura në Usb-në me emërtimin “Usb drive” janë të klasifikuara në nivelin “sekret” dhe administrohen në SHISH në kopje të vetme. Kopjimi ose shumëfishimi i tyre është i ndaluar dhe në kundërshtim me aktet që normojnë punën e SHISH.

Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Në përfundim të hetimeve paraprake, pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, vijmë në përfundimin se, ka të prova të mjaftueshme se të pandehurit P.Sh dhe A.Sh. kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Rezulton përfundimisht e provuar se i pandehuri A. Sh. ka qenë me detyrë punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ka kopjuar materiale që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, dhe i janë besuar për shkak të detyrës.

Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, dhe përhapja e tyre në dy Usb brenda në banesën e të pandehurit, kur ai nuk ushtronte më as detyrën e punonjësit të shërbimit informativ të shtetit, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Për sa më sipër, në përfundim të hetimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Berat kërkoi dhe u pranua nga gjykata:

Deklarimin fajtor të të pandehurit P. Sh., për kryerjen e veprës penale të “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe dënimin e tij me 2 vite burgim; Në zbatim të nenit 406 pika 1, uljen e dënimit me 1/3, dhe dënimit e të pandehurit përfundimisht me 1 vit e 4  muaj burgim;

Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, të urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin për një afat prej 2  vite e 8 muaj me kusht që brenda kësaj periudhe të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte të rregullta me zyrën e Shërbimit të Provës së vendbanimit të tij;

Deklarimin fajtor të të pandehurit A. Sh. për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe dënimin e tij me 6 muaj burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit A. Sh. për kryerjen e veprës penale të “Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar”  dhe dënimin e tij me 2 vite burgim; Në zbatim të nenit 406 pika 1, uljen e dënimit me 1/3, dhe dënimit e të pandehurit përfundimisht me 1 vit e 4 muaj burgim;

Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, të urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin A.Sh për një afat 2 vite e 8 muaj me kusht që brenda kësaj periudhe të mos kryejë vepër tjetër pnale; dhe

Në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal të pandehurin A.Sh., i hiqet e drejta të ushtrojë funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

/a.f/r.e/

The post Ish-kreu i SHISH në Berat dhe djali i tij dënohen për tri vepra penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Vendimi i Kushtetueses për Ballukun mbyll mundësinë e hetimit të ministrave

15 December 2025 at 10:59

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje” në kuadër të dosjes “Partizani”.

Pas daljes nga SPAK, Berisha në një deklaratë për mediet akuzoi qeverinë dhe drejtues të institucioneve të drejtësisë për ndërhyrje dhe presion politik.

Ai pretendoi se në godinën e SPAK po zhvillohej një takim i brendshëm dhe se, sipas tij, drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kishin marrë udhëzime të reja.

“Po të kërkonit të futeshit në atë ndërtesë, nuk do t’ju lejonin, sepse po zhvillohej një takim shumë i veçantë,” u shpreh Berisha, duke shtuar se, sipas tij, kishte pasur vendime të lidhura me pajisjen e agjentëve të BKH-së me armë.

“Do të çarmatosen që të gjithë agjentët e BKH dhe do armatosen me patllake dërrase”, tha Berisha.

Në vijim, Berisha komentoi vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pezullimin e vendimit të GJKKO për Ballukun, duke deklaruar se ky vendim, sipas tij, ka kufizuar mundësitë për hetimin e ministrave.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mbyllet absolutisht çdo mundësi e institucionit të hetimit të hetojë ministra,” tha ai, duke e cilësuar vendimin si të gabuar dhe me pasoja për funksionimin e shtetit ligjor.

Berisha deklaroi se ky zhvillim, sipas tij, “i ka dhënë zemër kryeministrit Edi Rama” dhe se reagimi qytetar do të vijojë përmes protestës së paralajmëruar më 22 dhjetor.

Gjithashtu, kreu i PD-së bëri të ditur se kishte lënë një shënim në ambientet e SPAK, duke theksuar bindjen e tij se “drejtësia një ditë do të shprehet për veprime që ai i konsideron të paligjshme”.

“Dumani kishte marrë prokurë nga Irena Gjoka për të vazhduar avokatinë e saj. Shënimi që i lashë është kujtesë se për veprat e tij të rënda penale, drejtësia një ditë do thotë fjalën e saj”, përfundoi Berisha.

Berisha u ndal edhe tek prania e gjerë e trupit diplomatik gjatë procesit të zgjedhjes së drejtuesit të SPAK, të cilën e cilësoi si të paprecedent.

Sipas tij, kjo prani lidhej me shqetësime për ndërhyrje dhe presione në procesin e përzgjedhjes.

Berisha deklaroi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e institucioneve të drejtësisë së posaçme. Berisha u shpreh se ky sistem drejtësie është një sistem totalisht i falimentuar.

/gj.m/j.p/

 

The post Berisha: Vendimi i Kushtetueses për Ballukun mbyll mundësinë e hetimit të ministrave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Morën peng dhe dhunuan 32-vjeçarin/ Gjykata e Korçës zbut masën e sigurisë, lirohen nga burgu vëllai i deputetit Bledjon Nallbati dhe dy të tjerë

By: M C
14 December 2025 at 16:35

Alti Nallbati vëllai i deputetit demokrat Bledjon Nallbati, dhe dy personat e tjerë Marsel Buçi e Trajan Çeliku kanë lënë ambientet e burgut të Drenovës pasi gjykata ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë në “arrest shtëpie”. Mësohet se në seancën gjyqësore pas 40 ditësh që u lanë në masë sigurie “arrest në burg”, për arsye të mbledhjes së provave dhe veprimeve hetimore shtesë të prokurorisë, tre të arrestuarit që morën peng dhe dhunuan 32-vjeçarin Ilir Topçiu, janë lënë në arrest shtëpie.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja ka ndodhur më tepër se 1 muaj më parë në qytetin e Bilishtit ku Alti Nallbati, Marsel Buçi e Trajan Çeliku kanë marrë me forcë 32-vjeçarin Ilir Topçiu duke e çuar në magazinën në pronësi të njërit prej të arrestuarve, ku e kanë dhunuar dhe mbajtur për disa orë peng. Alti Nallbati dhe Trajan Çeliku u akuzuan për veprat penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “kanosje”, të dyja veprat të kryera në bashkëpunim.

Ndërsa Marsel Buçi krahas dy veprave penale të mësipërme, u akuzua edhe për “plagosje të lehtë me dashje”. Hetimet vijojnë për këtë çështje që prej momentit kur Ilir Topçiu denoncoi ngjarjen pranë uniformave blu. Ngjarja tronditi opinionin publik dhe një ditë pas ngjarjes u shkarkua drejtori i policisë së qarkut Erion Ahmeti dhe u pezullua zëvendës drejtori për hetimin e krimit në DVP Korçë, Hajri Kushe.

The post Morën peng dhe dhunuan 32-vjeçarin/ Gjykata e Korçës zbut masën e sigurisë, lirohen nga burgu vëllai i deputetit Bledjon Nallbati dhe dy të tjerë appeared first on Albeu.com.

Vendimi i Kushtetueses për Ballukun publikohet në Fletoren Zyrtare

12 December 2025 at 22:25

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Vendimi i Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të masës “pezullim nga detyra” ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u publikua sot në Fletoren Zyrtare.

Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi pezullimin e ekzekutimit të dy vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë të 22 nëntorit, të cilat kishin caktuar dhe vazhduar masën ndaluese ndaj ministres Balluku.

Në arsyetimin e saj, Gjykata çmoi se zbatimi i vendimeve të GJKKO-së rrezikonte të prekte interesa shtetërore, duke ndikuar në ushtrimin e kompetencave të pushtetit ekzekutiv dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave.

Vendimi u mor në bazë të nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenit 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore.

Ndërkohë, tre gjyqtarë, Marsida Xhaferllari, Ilir Toska dhe Asim Vokshi, paraqitën mendim pakice, duke argumentuar se nuk plotësoheshin kushtet ligjore për pezullim dhe se ndërhyrja në vendimet e shkallës së parë cënonte pavarësinë e gjyqësorit dhe procesin e rregullt të ankimit. /j.p/

The post Vendimi i Kushtetueses për Ballukun publikohet në Fletoren Zyrtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj dekreton Genti Shalën si gjyqtar të Gjykatës së Lartë

12 December 2025 at 18:28

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dekretoi ditën e sotme emërimin e Genti Shalës si gjyqtar të Gjykatës së Lartë.

Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenit 48 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Dekreti bazohet në vendimin nr. 818, datë 4 dhjetor 2025, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili ka propozuar kandidaturën e Shalës për pozicionin e lirë në fushën e së drejtës penale, shpallur më herët me vendimin nr. 178, datë 11 maj 2022.

Sipas dekretit, Genti Shala emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë nga radhët e gjyqtarëve, ndërsa ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në “Fletoren Zyrtare”.

/e.i/j.p/

The post Begaj dekreton Genti Shalën si gjyqtar të Gjykatës së Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria hap rrugën për fluturime transoqeanike me Kanadanë, miratohet marrëveshja

12 December 2025 at 17:57

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Shqipëria i ka hapur rrugë nënshkrimit të një marrëveshjeje dypalëshe me Kanadanë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve, pas miratimit në parim të marrëveshjes nga Këshilli i Ministrave.

Këshilli i Ministrave miratoi marrëveshjen në mbledhjen e sotme.

Marrëveshja për transportin ajror do të mundësojë krijimin e një kuadri të ri bashkëpunimi që lehtëson nisjen dhe zhvillimin e fluturimeve direkte ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë, duke forcuar lidhjet ekonomike, turistike dhe sociale mes dy vendeve.

Vendimi i Këshillit të Ministrave hyn në fuqi menjëherë. /j.p/

The post Shqipëria hap rrugën për fluturime transoqeanike me Kanadanë, miratohet marrëveshja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Samiti i NATO-s në Tiranë, ngrihet taskforca dhe skuadra kombëtare e organizimit

12 December 2025 at 17:14

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot, ngritjen e taskforcës – Host Nation Task Force (HNTF) dhe të Skuadrës Kombëtare të Organizimit për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027.

Në vendim thuhet se “Taskforca kryesohet nga Kryeministri dhe, në mungesë të tij, nga Koordinatori Kombëtar për organizimin e samitit, i emëruar me urdhër të Kryeministrit”.

Sipas vendimit, taskforca ka në përbërje ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;
ministrin e Mbrojtjes, ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, përfaqësuesin e kabinetit të Kryeministrit; Sekretarët e Përgjithshëm të disa ministrive.

Po ashtu në përbërje të taskforcës janë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit; drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Prokurimit Publik, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.

Në vendim thuhet se taskforca mbështetet në veprimtarinë e saj nga një sekretariat teknik, që ngrihet pranë dhe nën përgjegjësinë e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Në mbledhjet e HNTF-së mund të ftohen, sipas nevojës, përfaqësues të institucioneve të tjera publike, si edhe ekspertë vendas ose të huaj, në varësi të çështjeve që diskutohen. Host Nation Task Force është organ vendimmarrës për përcaktimin e detyrave dhe të përgjegjësive institucionale në funksion të organizimit të Samitit”, thuhet në vendim.

Në vendimin e Qeverisë, nënvizohet gjithashtu se nën varësinë e HNTF-së ngrihet Skuadra Kombëtare e Organizimit (National Organization Team – NOT), e cila kryesohet dhe funksionon nën përgjegjësinë e Koordinatorit Kombëtar.

Sipas vendimit, skuadra Kombëtare e Organizimit është përgjegjëse për bashkërendimin me taskforcën e samitit të NATO-s në Bruksel, me Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO, si dhe me taskforcat e vendeve pritëse të samiteve paraardhëse.

Detyrat e Skuadrës Kombëtare të Organizimit përfshijnë vlerësimin dhe propozimin e masave sektoriale për sigurinë e delegacioneve dhe personaliteteve shtetërore, akomodimin, transportin dhe aspekte të tjera.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

/e.i/j.p/

The post Samiti i NATO-s në Tiranë, ngrihet taskforca dhe skuadra kombëtare e organizimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rregulla të reja për trajtimin me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit

12 December 2025 at 17:03

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi kriteret dhe procedurat e reja të trajtimit me ushqim gjatë qëndrimit në punë për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke përcaktuar kategoritë përfituese dhe normat ditore të ushqimit.

Sipas vendimit, punonjësit e policisë përfitojnë një vakt dreke kur shërbimi zgjat 8 orë dhe tri vakte kur janë të angazhuar në gatishmëri, situata emergjente, zgjedhje apo shërbime që kalojnë orarin normal të punës.

Me tre vakte trajtohen gjithashtu punonjësit e Qendrës së Edukimit Fizik dhe Sporteve Elitare, studentët dhe kursantët gjatë trajnimeve shumëditore, ndërsa për shtetasit e huaj që hyjnë ilegalisht në vend, shtetasit shqiptarë të rikthyer dhe personat e ndaluar apo të arrestuar trajtimi ofrohet pa pagesë gjatë procedurave verifikuese.

Ushqimi do të sigurohet në mensa ose përmes shërbimit të gatimit dhe shpërndarjes, ndërsa në rastet kur kjo nuk është e mundur, punonjësit kompensohen financiarisht me 500 lekë për një vakt dreke ose 900 lekë për tri vakte, vlera që do të indeksohen çdo vit sipas inflacionit të INSTAT-it.

Efektet financiare do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Brendshme, ndërsa vendimi i vitit 2017 për trajtimin me ushqim shfuqizohet.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe efektet financiare zbatohen nga 1 janari 2026. /j.p/

The post Rregulla të reja për trajtimin me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria miraton strukturën dhe nivelet e reja të pagave për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare

12 December 2025 at 16:58

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi strukturën dhe nivelet e reja të pagave për nëpunësit dhe punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, duke përcaktuar përbërësit e pagës mujore dhe shtesat për kategori të ndryshme pozicionesh.

Vendimi, i mbështetur në Kushtetutë dhe në ligjin për kompetencat e caktimit të pagave në administratën publike, parashikon që për të gjitha pozicionet nga specialisti deri te titullari i institucionit, klasat e pagave, shtesat e kualifikimit dhe ato për vjetërsi të jenë të njëjta me ato të miratuara për nëpunësit civilë në administratën shtetërore.

Një sërë shtesash specifike për kushte pune u përcaktuan për drejtuesit dhe specialistët në sektorë të ndryshëm, përfshirë 150 mijë lekë në muaj për titullarin e institucionit, 40 mijë lekë për disa drejtorë dhe deri në 35 mijë lekë për shefat e sektorëve përkatës.

Specialistët e fushave të udhëtimit, akomodimit, inxhinierisë, projektimit, logjistikës dhe trajtimit të personaliteteve do të përfitojnë 30 mijë lekë shtesë, ndërsa për disa pozicione të tjera shtesa varion nga 5 mijë deri në 25 mijë lekë.

Vendimi përcakton gjithashtu klasat e pagës dhe shtesat për vjetërsi për punonjësit mbështetës, duke ruajtur të njëjtat vlera të miratuara më parë nga qeveria për këtë kategori. /j.p/

The post Qeveria miraton strukturën dhe nivelet e reja të pagave për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Goditja nga SPAK e grupit kriminal Rraja, GJKKO pranon kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, lë në burg 10 anëtarët

By: M C
11 December 2025 at 17:05

GJKKO ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme dhe ka lënë në burg 10 anëtarët e arrestuar të grupit kriminal Rraja.

Kujtojmë se në masën ‘arrest në burg’ janë Islam Sefa, Rexhep Rraja, Agim Nina, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Zamir Aliaj, Aldo Gjini, Sokol Qaja dhe Jani Çavo.

Po ashtu, GJKKO ka vlerësuar të ligjshme arrestimin e Marvin Bushatit dhe ka caktuar ndaj tij masë e sigurimit personal “Arrest në burg”.

Njoftimi i GJKKO

1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 10.12.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt:

“I. Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personave nën hetim Islam Sefa, Rexhep Rraja, Agim Nina, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Zamir Aliaj, Aldo Gjini, Sokol Qaja, Jani Çavo dhe Marvin Bushati;

II. Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë, datë 10.12.2025 dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim Marvin Bushati”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, bazuar në nenet 103, 112, 232 pika 1 gërma “dh”, 238, 244, 245, 248, 249, 251, 252 dhe 259 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 126, datë 11.12.2025, vendosi:

1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Islam SEFA (alias XAKA), i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, [episodi 1], dhe “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal, [episodi 1].

3. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Rexhep Rraja, i dyshuar për kryerjen e veprave “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, [episodi 2] dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal, [episodi 2].

4. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Agim Nina (alias Lorenc Selmani), i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, [episodi 2] dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal, [episodi 2].

5. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Përparim Rraja, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, [episodet 2, 3] dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal, [episodet 2, 3].

6. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Gazmir Rraja, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, [episodi 2], dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal, [episodi 2].

7. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Zamir Aliaj (alias Çoku), i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, [episodi 3] dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal, [episodi 3].

8. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Aldo Gjini (alias Iamandri), i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, [episodi 2] dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal, [episodi 2].

9. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Sokol Qaja, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, [episodi 3] dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal, [episodi 3].

10. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Jani Çavo, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, [episodi 2] dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal, [episodi 2].

11. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Marvin Bushati, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, [episodi 2] dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal, [episodi 2].

12. Vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë të personit nën hetim Marvin Bushati, i kryer nga policia gjyqësore në datë 10.12.2025, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në banesë, të parashikuar nga neni 278/4 të Kodit Penal, të cilat i janë sekuestruar në banesë gjatë momentit të ekzekutimit të masës së sigurimit personal, më datë 10.12.2025.

13. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin Marvin Bushati, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në banesë, të parashikuar nga neni 278/4 të Kodit Penal, të cilat i janë sekuestruar në banesë gjatë momentit të ekzekutimit të masës së sigurimit personal, më datë 10.12.2025.

14. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.

15. Ndalohet publikimi i këtij Vendimi, në referim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale.

16. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, brënda afatit ligjor.

The post Goditja nga SPAK e grupit kriminal Rraja, GJKKO pranon kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, lë në burg 10 anëtarët appeared first on Albeu.com.

Gjykata e Lartë rrëzon ankimimin e ish-zv ministres së Brendshme Rovena Voda, lë në fuqi vendimin GJKKO me 10 muaj burg

By: M C
11 December 2025 at 16:20

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e fajësisë për ish-zv ministren e Brendshme Rovena Voda. Në Dhomë Këshillimi, Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO që e dënoi ish-zyrtaren e lartë me 10 muaj burg me gjykim të shkurtuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Sakaq, Voda u hetua dhe gjykua nën masën arrest shtëpie si dhe për të u dha dënimi plotësues i heqjes së të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

“Neni 245/1/2 i Kodit Penal “Mospranimin e rekursit të paraqitur nga të gjykuarit Rovena Voda dhe Majlinda Hasani, kundër vendimit nr. 4, datë 11.1.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendim.

The post Gjykata e Lartë rrëzon ankimimin e ish-zv ministres së Brendshme Rovena Voda, lë në fuqi vendimin GJKKO me 10 muaj burg appeared first on Albeu.com.

Të akuzuar për trafik droge drejt Francës, GJKKO dënon Redian Dodën dhe Zabit Fisnikun

11 December 2025 at 17:18

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shqyrtoi sot kërkesën e SPAK për gjykimin e çështjes penale ndaj të pandehurve Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku dhe Fabi Isaku, të akuzuar për trafik droge drejt Francës.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi që të pandehurit Redian Doda alias Refik Doda, t’i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 5 vite e 4 muaj burgim.

Ai u deklarua fajtor vetëm për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë dhe u lirua nga akuzat për veprat e tjera penale.

Llogaritja e dënimit fillon nga data e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Redian Doda alias Refik Doda do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Po ashtu, GJKKO deklaroi fajtor të pandehurin Fabi Isaku për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë. Në përfundim Isakut iu ul 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 4 vite e 8 muaj.

Ndërsa i pandehuri Zabit (alias Artur) Fisniku u lirua nga akuzat penale dhe ndaj tij u urdhërua heqja e masës së sigurimit “Arrest në burg”.

GJKKO urdhëroi lirimin e menjëhershëm të të pandehurit Zabit Fisniku nga paraburgimi.

/m.m/j.p/

The post Të akuzuar për trafik droge drejt Francës, GJKKO dënon Redian Dodën dhe Zabit Fisnikun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

EMRI/ Lëvizje të reja në Policinë Shtetit, emërohet shefi i ri i komisariatit të Kolonjës

By: M C
9 December 2025 at 17:41

Policia e Shtetit ka zyrtarizuar ndryshimet në strukturën drejtuese të Komisariatit të Kolonjës, ku sipas informacioneve, shefi i Komisariatit, komisar Alket Pashaj, është larguar nga detyra.

Në vend të tij mësohet se është emëruar komisar Robert Haskaj, i cili deri më tani ka mbajtur postin e shefit të seksionit të trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë.

Mësohet se vendimi për këtë lëvizje është miratuar ditën e sotme nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Komisar Alket Pashaj pritet të emërohet në një pozicion tjetër brenda strukturave të policisë, detajet e të cilit do të bëhen të ditura në vijim.

Ndërkohë, shefi i ri i Komisariatit të Kolonjës, komisar Robert Haskaj, përveç eksperiencës së tij në drejtimin e seksionit të trafiqeve, më herët ka mbajtur edhe postin e drejtuesit të AMP-së, duke sjellë një përvojë të konsoliduar në fushën e rendit dhe sigurisë.

The post EMRI/ Lëvizje të reja në Policinë Shtetit, emërohet shefi i ri i komisariatit të Kolonjës appeared first on Albeu.com.

❌
❌