TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Numri i pasagjerëve që zgjedhin Portin e Durrësit ka ardhur në rritje edhe këtë vit.
Gjatë periudhës janar–nëntor 2025 janë regjistruar 726,824 udhëtarë, ose rreth 1% më shumë se një vit më parë.
Sipas të dhënave të Autoritetit Portual Durrës, mbi 341 mijë pasagjerë janë regjistruar në hyrje të vendit, ndërsa 386 mijë të tjerë kanë udhëtuar drejt porteve italiane.
Në analizën progresive nëntor 2024 – nëntor 2025, janë realizuar 922 lundrime tragetesh nga dhe drejt Portit të Durrësit, duke konfirmuar rolin e portit në mbështetje të turizmit dhe lëvizjes ndërkufitare.
Një trend pozitiv është regjistruar edhe në transportin e mjeteve, ku gjatë janar–nëntorit 2025 janë transportuar gjithsej 253,485 mjete (autovetura, kamionë dhe trailerë), me një rritje prej 5,967 mjetesh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Treguesit e mësipërm përfshi edhe rritjen e përpunimit të mallrave, dëshmojnë rëndësinë strategjike të Portit të Durrësit në sistemin ekonomik dhe logjistik të vendit, si dhe kapacitetin e tij për të përballuar me efikasitet rritjen e vazhdueshme të aktivitetit detar, në përputhje me standardet bashkëkohore të industrisë.
FMN vlerëson ecurinë e ekonomisë shqiptare. Në raportin vjetor te Fondit thuhet se Shqipëria ka një nga normat më të larta të rritjes në Evropë, inflacion të ulët, borxh publik në rënie dhe rezerva të forta valutore. Duke u bazuar në këtë themel, qeveria shqiptare po përparon reforma të guximshme për të siguruar anëtarësimin në BE deri në vitin 2030. Sipas FMN, Rritja ekonomike parashikohet të…
ATHINË, 20 dhjetor /ATSH-DPA/ – Anije patrullimi nga roja bregdetare greke dhe agjencia evropiane kufitare, Frontex kanë kapur më shumë se 650 migrantë në det, në jug të ishullit grek të Kretës gjatë dy ditëve të fundit, raportoi sot ERTNews duke cituar rojen bregdetare.
”Kishte disa anije, përfshirë një me 545 persona në bord”, raportoi ERTNews.
Njerëzit fillimisht u çuan në portet e qyteteve të vogla bregdetare të Kretës dhe do të shpërndahen në kampet e refugjatëve.
”Rajoni kohët e fundit ka qenë me mot të qetë”, thanë autoritetet.
Kjo u ka mundësuar kontrabandistëve të dërgojnë anije drejt Evropës.
Kreta ka regjistruar pothuajse 18 000 mbërritje migrantësh këtë vit.
Totali i vitit të kaluar ishte rreth 5 000.
Anijet kryesisht u nisën nga porti libian i Tobrukut.
Kalimi prej pak më shumë se 300 kilometrash është i rrezikshëm.
Vetëm rreth dy javë më parë, dhjetëra njerëz vdiqën në jug të Kretës kur anija e tyre u përmbys./ a.jor.
Vendimi për rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë, hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj.
Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.
NJOFTIMI
Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije vendimet e miratuara në mbledhjen e sotme të qeverisë datë 19.12.2025 Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.
Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 169 850 000 (njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë milionë e tetëqind e pesëdhjetë mijë) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit në Bashkinë Durrës.
Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 5 314 932,40 (pesë milionë e treqind e katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e dy presje dyzet) lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të banesave individuale për ata individë, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë, që rezultojnë me shkallë dëmi DS4 e që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni, në bazë të aktekspertizave të thelluara, në Bashkinë Shijak.
Efekti financiar në masën 5 314 932,40 (pesë milionë e treqind e katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e dy presje dyzet) lekë përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2025, dhe i transferohet Bashkisë Shijak në formën e transfertës së pakushtëzuar.
Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Klos të disa zonave;
Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Vau i Dejës të disa zonave;
Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha sot se “pas rritjes me 3.6% në gjashtëmujorin e parë, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme të ngjashme edhe në gjysmën e dytë të vitit”.
Në konferencën për mediet, ku prezantoi politikën monetare, Sejko theksoi se se “të dhënat nga sektori real, monetar e fiskal, sinjalizojnë rritjen e mëtejshme të konsumit, investimeve dhe eksporteve të shërbimeve, duke reflektuar vijimin e trendit pozitiv gjatë muajve të fundit. Në veçanti, rritja me rreth 22% e shërbimeve të turizmit në tremujorin e tretë, tregon vijimin e kontributit pozitiv të këtij sektori. Kjo dinamikë ka ndikuar në përmirësimin e pozicionit të jashtëm, duke e çuar ekonominë shqiptare – për herë të parë në periudhën post-tranzicion – drejt suficitit të llogarisë korrente për tre tremujorët e parë të vitit”.
“Rritja ekonomike është pasqyruar edhe në ecurinë e tregut të punës. Shkalla e papunësisë zbriti në 8.1% në tremujorin e tretë, ndërsa pagat në sektorin privat u rritën me 9.8%, duke treguar një rritje dinamike dhe me bazë të gjerë. Deri tani, rritja e pagave ka mbështetur rritjen e fuqisë blerëse të familjeve, pagjeneruar presione shtesë mbi inflacionin. Megjithatë, kërkesa e lartë për punë nga bizneset dhe kufizimet në fuqinë punëtore vazhdojnë të mbajnë nën presion tregun e punës, duke përbërë një rrezik të kahut të sipërm mbi ecurinë e inflacionit”, tha Sejko.
Në tërësi, vijoi Sejko, faktorët mbështetës të rritjes ekonomike në afatin e mesëm paraqiten solidë.
“Gjendja e qëndrueshme financiare e sektorit privat, së bashku me klimën pozitive të besimit dhe kushtet e favorshme të financimit, kanë nxitur rritjen e konsumit dhe investimeve private. Paralelisht me to, rritja e të ardhurave nga turizmi ka vijuar të japë një kontribut pozitiv në ekonomi. Njëkohësisht, politikat e kujdesshme dhe të koordinuara makroekonomike kanë bërë të mundur ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe kanë forcuar qëndrueshmërinë makroekonomike”, tha Sejko.
Në veçanti, shtoi Sejko, politika monetare ka lëvizur në kahun akomodues gjatë vitit 2025, duke ulur normën bazë të interesit në muajin korrik dhe duke vijuar të ruajë një prezencë të lartë në tregun valutor, me qëllim zbutjen e presioneve forcuese ndaj kursit të këmbimit. Këto ndërhyrje kanë kontribuuar në një stabilitet më të lartë të kursit të këmbimit dhe të mjedisit financiar.
“Për rrjedhojë, tregu financiar është shfaqur i qëndrueshëm, me prime të ulëta rreziku dhe norma të ulëta interesi. Kredia për sektorin privat ka vijuar të zgjerohet me ritme të larta, e nxitur nga kërkesa e qëndrueshme dhe e mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit. Portofoli i kredisë shënoi një rritje vjetore prej 14.2% në muajin tetor, duke qëndruar pranë ritmeve të vitit të kaluar, por dukshëm mbi mesataren e viteve të fundit. Në veçanti, vihen re tre zhvillime pozitive: së pari, rritja e qëndrueshme e kredisë për investime, e cila sinjalizon zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të vendit; së dyti, rritja e shpejtë e kredisë në Lek dhe rritja e peshës së saj ndaj totalit, çka përmirëson si hapësirën e veprimit të politikës monetare ashtu edhe stabilitetin financiar të vendit; dhe, së treti, cilësia e qëndrueshme e portofolit, e ilustruar nga niveli i ulët i raportit të kredive me probleme, prej 4.3%”, nënvizoi Sejko.
Sipas tij, parashikimet për të ardhmen mbeten pozitive.
Ryshfeti që bizneset paguajnë ndaj administratës publike, është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025 sipas të dhënave të fundit nga Barometri i Ballkanit, të cilat tregojnë përkeqësim të perceptimit të bizneseve në Shqipëri lidhur me pagesat e parregullta, pavarësisht se pjesa më e madhe e shërbimeve po kalon online.
Në vitin 2024, rreth 41% e bizneseve shqiptare shpreheshin se “priren të pajtohen” ose ishin “plotësisht dakord” me pohimin se është e zakonshme të paguhen pagesa apo dhurata shtesë për të mbaruar punët me zyrtarët.
Në vitin 2025, kjo përqindje shkon në 50%, me rritje 9 pikë përqindje brenda vetëm një viti të bizneseve që e konsiderojnë ryshfetin si praktikë të zakonshme.
Në vitin 2024, një pjesë më e madhe e bizneseve shprehnin hapur “jo-dakord” me këtë pohim, ndërsa në 2025 pesha e atyre që “nuk janë aspak dakord” apo që “kanë tendencë të mos jenë dakord” bie, duke treguar se rezistenca ndaj normalizimit të ryshfetit po dobësohet. ( shiko grafikun e mëposhtëm).
Anketa e Barometrit 2025, tregon se klima e perceptuar e korrupsionit në marrëdhëniet mes biznesit dhe administratës në Shqipëri është përkeqësuar, pasi gjithnjë e më shumë biznese që e shohin pagesën e ryshfetit si pjesë të zakonshme të funksionimit të sistemit.
Në krahasim me rajonin, Shqipëria shfaq një përkeqësim më të theksuar të ryshfetit nga 2024 në 2025.
Në nivel rajonal, përqindja e bizneseve që “priren të pajtohen” ose janë “plotësisht dakord” se ryshfeti është i zakonshëm rritet nga rreth 41% në vitin 2024 në 47% në 2025, pra një rritje prej afërsisht 6 pikë përqindje. Në Shqipëri, kjo rritje është më e fortë me 9 pikë përqindje.
Bosnja kryeson Rajonin me 67 % të bizneseve që perceptojnë ryshfetin si mekanizëm në punët me administratën, pastaj Mali zi me 59 % dhe Shqipëria me 50%. Nivelin më i ulët perceptohet në Serbi me 30%.
Ndryshe nga rajoni, ku rritja e perceptimit të ryshfetit shoqërohet me një shpërndarje më të balancuar të qëndrimeve, në Shqipëri vihet re një zhvendosje më e fortë drejt pranimit të kësaj praktike.
Rritja më e fortë e perceptimit për ryshfetin në Shqipëri po shkaktohet edhe barra administrative dhe paqartësia rregullatore.
Procedurat e gjata, ndryshimet e shpeshta ligjore dhe interpretimi i pa-unifikuar i rregullave krijojnë hapësirë për negocim informal, ku pagesat e parregullta shihen si mënyrë për të përshpejtuar apo siguruar zgjidhje.
Bizneset që operojnë në mënyrë formale shpesh ndihen më të ekspozuara ndaj inspektimeve dhe gjobave, ndërsa informaliteti tolerohet në mënyrë selektive./Monitor
LONDËR, 12 dhjetor /ATSH/ – Tifozët që duan të marrin pjesë në finalet e Kupës së Botës vitin e ardhshëm duhet të paguajnë mijëra paund për biletën më të lirë dhe kjo, sipas tyre, përbën një tradhti monumentale, sipas BBC.
Tifozët e grupit ”Football Supporters Europe” (FSE) thonë se janë të habitur nga strategjia zhvatëse e çmimeve të FIFA-s dhe bënë thirrje që shitja e biletave të ndërpritet menjëherë.
FIFA ende nuk ka komentuar mbi vendimet e saj për çmimet.
Sipas BBC Sport, biletat për finalen në ”MetLife Stadium”, Nju Jork, ofrohen nga 3 119 deri në 6 615 paund (7 543 euro).
Biletat për eventin kryesor të FIFA-s kushtojnë deri shtatë herë më shumë se në Kupën e Botës 2022 në Katar, ku bileta më e lirë ishte 450 paund/513 euro.
Nuk ka zbritje për asnjë nga biletat, as për fëmijë apo grupe të tjera.
Dhe, në ndryshim nga turnetë e fundit, ndeshjet e fazës së grupeve çmohen bazuar në popullaritetin e perceptuar të ekipeve të përfshira, në vend që të kenë një çmim fiks.
Për të gjithë turneun deri në finale, do të kushtojë rreth 5 225 paund/5 959 euro për një person që të shohë të tetë ndeshjet, deri në 8 580 paund/9 785 euro në rangun e çmimeve të mesme ose 12 357 paund/14 092 euro për nivelin më të lartë.
Në vitin 2022 ato ishin 1 466 paund/1 672 euro, 2 645 paund/3 016 euro ose 3 914 paund/4 464 euro.
Të gjitha biletat e tjera ndahen përmes procesit të votimit, përveç atyre të mbajtura nga FIFA për kompanitë partnere.
FSE shpjegoi se po i bënte thirrje FIFA-s të ndalonte procesin e shitjes së biletave, duke besuar se duhet të rishqyrtojë politikën e çmimeve.
“Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, nuk do të ofrohet asnjë çmim i qëndrueshëm në të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve. Në vend të kësaj, FIFA po prezanton një politikë çmimesh të ndryshueshme të varur nga kritere të paqarta, siç është atraktiviteti i perceptuar i ndeshjes”, shtoi grupi.
“Këto çmime janë një shuplakë në fytyrë për tifozët që mbështesin ekipin e tyre jashtë turneut kryesor që zhvillohet çdo katër vjet”, shtoi FSE./ a.jor.
Paratë që emigrantët sjellin tek familjet e tyre në Shqipëri po vijojnë të kenë një tendencë rritjeje, duke reflektuar ciklin e ri të emigracionit në vend.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave, bënë të ditur se të ardhurat nga emigrantët ishin 817 milionë euro në janar-shtator 2025, me një rritje prej 5.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ritmet e rritjes u përshpejtuan në tremujorin e tretë, që tradicionalisht ka flukse më të larta hyrjeve për shkak se emigrantët vijnë në Shqipëri gjatë pushimeve të verës.
Për korrik-shtator 2025, emigrantët sollën tek të afërmit në vendlindje 285 milionë euro, ose 8.8% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Që nga viti 2013, paratë që emigrantët sjellin në Shqipëri janë rritur vazhdimisht (shiko grafikun), duke reflektuar një cikël të ri emigracioni, që nisi kryesisht pas vitit 2015.
Pas një rënieje në vitin 2020, si efekt i pandemisë, tendenca rritëse u përshpejtua dukshëm. Në 9 muajt e parë të 2024-s, për herë të parë u tejkalua kufiri prej 800 milionë eurosh.
Me këto ritme viti mund të mbyllet me nivele rekord prej mbi 1 miliardë euro. (në tremujorin e fundit 2024 prurjet ishin 273 milionë euro).
Emigrantët e rinj duket se nuk ikin pa e kthyer kokën pas, duke u kujdesur për të afërmit që lënë në Shqipëri.
Sipas të dhënave të Eurostat, vetëm në 2022-2023 u dhanë gjithsej 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë. Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 920 mijë shtetas shqiptarë, të cilët janë një potencial për të dërguar para tek të afërmit që kanë lënë në Shqipëri.
Aktorët e tregut pohojnë se kanalet kryesore vijojnë të mbeten vendet tradicionale ku ka emigracione, si Greqia e Italia, por vitet e fundit ka pasur rritje dhe nga destinacionet e reja si Anglia dhe Gjermania.
Remitancat llogariten nga Banka e Shqipërisë si pjesë e llogarisë korrente në bilancin e pagesave, sipas standardeve të FMN-së (BPM6).
Ato përfshijnë të gjitha prurjet monetare që emigrantët dërgojnë drejt familjeve dhe individëve rezidentë në Shqipëri, si përmes kanaleve formale (bankat, institucionet financiare dhe operatorët e transfertave), ashtu edhe përmes vlerësimeve të prurjeve informale.
Për këtë qëllim, Banka përdor të dhënat e sistemit bankar, raportimet periodike të subjekteve të licencuara dhe anketa specifike tek familjet përfituese, duke synuar të kapë tërësinë e flukseve reale të remitancave në ekonomi./ Monitor
BRUKSEL, 4 dhjetor /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian propozoi sot përditësimin e legjislacionit ekzistues për të monitoruar më mirë rrugët e kontrabandës dhe për të parandaluar krimet e lidhura me keqpërdorimin e substancave mjekësore dhe atyre të reja për prodhimin e drogave.
“Trafikimi i drogave përbën një biznes kriminal global dhe një kërcënim të madh për mirëqenien e evropianëve, si dhe për sigurinë e Evropës në tërësi”, tha komisioni në një deklaratë.
Komisioni prezantoi një dokument strategjik dhe një plan veprimi me 19 pika, i cili parashikon një rol më të madh për agjencinë kufitare të BE-së, “Frontex”, në zbulimin e kontrabandës së drogave.
“Frontex” do të përdorë dronë për të identifikuar rrugë të mundshme kontrabande përmes fotografive ajrore.
Agjencia e zbatimit të ligjit të BE-së, Europol, do të forcojë fokusin mbi trafikun e drogave në internet dhe do të mbështesë vendet anëtare në hetimet e tyre.
Sipas planit, Agjencia e BE-së për Drogën (EUDA) do të ketë mundësi të reagojë më shpejt ndaj drogave të reja që shfaqen dhe tëBRUKSEL – BE godet kontrabandën dhe drogat sintetike paralajmërojë vendet anëtare.
Për këtë qëllim, EUDA do të krijojë një bazë të dhënash për të identifikuar më herët prirjet në tregun e drogave.
Agjencia do të mbështesë gjithashtu masat parandaluese në vendet e BE-së, duke përfshirë trajtimin dhe riintegrimin e të varurve.
Fëmijët dhe të rinjtë do të mbrohen më mirë nga rekrutimi nga bandat kriminale, përfshirë identifikimin e ekspertëve evropianë dhe përfshirjen e gjetjeve të tyre në punën parandaluese.
Substancat e përdorura në mjekësi shpesh keqpërdoren për prodhimin e drogave sintetike, ndaj tregtia e tyre do të kufizohet.
Sipas planit, disa substanca që nuk kanë asnjë përdorim tjetër përveç prodhimit të drogave do të ndalohen, me përjashtime vetëm për kërkime shkencore./ /Ad.Ab./
TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se nga janari i vitit 2026 do të nisë rritja progresive e pensioneve.
Në nisje të podkastit “Flasim”, Rama solli në vëmendje politikën për rritjen e pagave dhe pensioneve që do të zbatohet duke nisur nga janari 2026.
“Me hyrjen e vitit të ri 2026 nis edhe historia e re e rritjes së pensioneve, të cilat do të nisin të rriten nga janari e do të dyfishohen në janar 2027, do të trefishohen në janar 2028, do të katërfishohen në janar 2029, e do të pesëfishohen në janar 2030”, u shpreh ai.
Duke folur për pagën minimale, Rama tha se në 1 janar 2026 do të rritet edhe paga minimale, tamam ashtu siç jemi zotuar.
“Ajo do të jetë 500 euro, qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat”, u shpreh kryeministri.
Pas 12 vitesh pushtet, socialistët rikthyen kartën e vjetër elektorale të rritjes së pensioneve.
“Në Shqipërinë 2030 pensioni mesatar të jetë 400 euro për ata që kanë paguar sigurime të plota, pensioni minimal për të gjithë të jetë 200 euro” . Me këtë premtim në qendër të fushatës për zgjedhjet parlamentare, socialistët siguruan 83 mandate. Angazhimi u përfshi edhe në programin qeverisës “Shqipëria 2030”.
Pak muaj pas zgjedhjeve, me nisjen e diskutimeve për projekt-buxhetin 2026, kryeministri Edi Rama publikoi një video në rrjetet sociale, ku njoftoi rritjen e pensioneve. Duke nisur nga janari 2026, rritja sipas tij do të ishte e përmuajshme dhe do të ndahej me kategori.
Dhe, sipas kryeministrit Rama, këto vlera do të dyfishohen në 2027, trefishohen në 2028 dhe katërfishohen në 2029, për të arritur objektivin final të pensionit mesatar 400 euro.
“Petulla me ujë”
Faik Xhani është ish mësues nga Mati që prej vitesh ka drejtuar Shoqatën e “Pensionistëve të Shqipërisë”. 77 vjeçari i njeh mirë problemet e shtresës që ka përfaqësuar.
“Këto janë parlamentarë xhepash, jo shërbëtorë të popullit”, thotë Xhani, teksa na tregon shpenzimet minimale që i duhen një pensionisti çdo muaj.
“Të moshuarit janë me sëmundje, ju duhen lekë për ilaçe, për ushqim, për drita, ujë, telefon…Mishin e kanë harruar se çfarë është. Po rrofshin emigrantët, shyqyr që janë fëmijët se do hanim njëri- tjetrin”, vijon 77 vjeçari.
Kryeministri, shton ai, i bën “petullat me ujë” teksa i referohet rritjes së lajmëruar të pensioneve.
“Nëse nuk jep edhe bonusin e fundvitit ai vetëm derdh ujin në lakra dhe asgjë nuk bën. Edhe indeksimin. Po i dha të gjitha këto është mirë, jo se na plotëson nevojat po është diçka”, përfundon pensionisti.
Faiku numëron 42 vite punë, por shteti e shpërblen çdo muaj me 17,000 lekë pension të pjesshëm.
Sa pensionistë preken dhe kush përfiton më shumë?
Aktualisht, pensioni mesatar urban është 19,409 lekë, ndërsa pensioni mesatar rural është 11,709 lekë. Sipas angazhimit të qeverisë deri në fund të 2029 pensioni mesatar urban i plotë do të arrijë 40,000 lekë teksa pensioni minimal pritet të jetë 20,000 mijë lekë.
Në Shqipëri ka 745,137 pensionistë. Nga ky total, vetëm 287,656 prej tyre marrin pensione të plota, ndërsa 343,763 të tjerë janë me pensione të pjesshme. Ndërkohë, rreth 113,718 mijë llogariten si pensione familjare dhe invaliditeti.
Burimi:ISSH
Kategoria e pensionit urban përbën grupin më të madh të pensionistëve në vend me 552,512 mijë të moshuar. Nga ky grup, vetëm një pjesë përfiton rritjen më të lartë, ata që kanë kontribuar me vite të plota pune, pra mbi 38 vite.
241,431 janë pensione të plota urbane
311,081 janë pensione të pjesshme urbane
Referuar të dhënave të siguruara nga Faktoje.al, aktualisht rezultojnë 241 mijë pensionistë me vite të plota pune në qytet, pra më pak se një e treta e pensionistëve në vend. Kjo është kategoria që do të marrë rritjen prej 1,800 lekësh në muaj apo 21,600 lekë në vit.
Ndërkohë, shumica e pensionistëve, ata me pensione të pjesshme, do të marrin vetëm 800 lekë shtesë. Një rritje modeste në raport me inflacionin dhe nivelin aktual të pensioneve.
“Mekanizmi i indeksimit dhe shpërndarjes së shtesave fokusohet tek një grup i vogël përfituesish, duke krijuar efekt iluziv të përparimit, ndërsa shumica e pensionistëve mbeten me rritje që nuk kanë ndikim të matshëm në standardin e jetesës”, argumenton eksperti për ekonominë dhe financat Eduard Gjokutaj për Faktoje.al.
Në zonat rurale shifrat janë më të ulta. Totali i pensionistëve në fshat rezulton 87,907, nga të cilët 46,225 me pensione të plota dhe 32,682 me pensione të pjesshme. Këta përfitojnë rritje prej 1,000 lekësh.
“Në terma praktikë, plani nuk siguron konvergjencë të qëndrueshme drejt pensionit mesatar të premtuar dhe shpërblen vetëm një minorancë, duke lënë pjesën më të madhe të të moshuarve me përfitime simbolike,” përfundon Gjokutaj.
Përfundim
Ndërsa premtimi për rritjen graduale deri në katërfishim krijon pritshmërinë e një transformimi të madh, të dhënat faktojnë se rritjen më të lartë e përfiton pjesa më e vogël e pensionistëve, ndërsa për të tjerët shtesa mbetet simbolike.
Aktualisht, pensioni mesatar urban është 19,409 lekë, ndërsa pensioni mesatar rural është 11,709 lekë.
400 eurot janë të arritshme vetëm për pensionet e plota, që përbëjnë më pak se një të tretën e pensionistëve në vend. Për shumicën e të moshuarve, vlera prej “400 eurosh” mbetet e paarritshme.
TIRANË, 16 nëntor/ASTSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nga janari 2026 në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro.
Në episodin e 6-të të sezonit 5 të podkastit “Flasim”, në rubrikën “Shënimet e javës” kryeministri Rama tha se “lajmi për pensionet është pasuar nga rritja e pagave, një rritje e konsiderueshme edhe ajo e shtrirë në të gjithë sektorët, por mbi të gjitha e diktuar nga rritja e premtuar e pagës minimale”.
“Nga janari i vitit që po troket kur paga minimale në sektorin publik dhe atë privat, kur ligji që do të kalojmë në parlament i buxhetit 2026 do të sanksionojë se në Republikën e Shipërisë nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro”, theksoi Rama.
Për vitin 2026 paga minimale do të rritet me 10 mijë lekë, duke arritur në 50 mijë lekë nga 1 janari 2026, për t’u rritur më tej në 70 mijë lekë deri në fund të mandatit.
Kostoja totale e rritjes së pagave dhe indeksimit parashikohet rreth 10 miliardë lekë dhe do të përfshijë mbi 144 mijë punonjës në të gjitha nivelet e administratës.
TIRANË, 15 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se në dispozicion të rritjes së pensioneve do të disbursohen 1.7 miliard euro më tepër gjatë mandatit të katërt.
Në një dëgjesë me banorët e njësisë nr. 3 në Tiranë mbi projektbuxhetin 2026, Rama u shpreh se ky buxhet ka si kryefjalë pensionistët.
“Më vjen shumë mirë që pas një rruge të gjatë kemi arritur të krijojmë kushtet financiare falë rritjes së ekonomisë, reformave që nxitin ekonominë dhe mbështetjes së palëkundur të shumicës së shqiptarëve që na dhanë mundësinë të ndërtojmë një projekt afatgjatë për Shqipërinë në BE”, tha Kryeministri.
Duke folur për rritjen e pensioneve, Rama tha se duke filluar nga janari i vitit që vjen çdo vit do të financohet dyfishi i vitit të mëparshëm.
“Do të arrijmë objektivin që pensionin mesatar të plotë në zonat urbane ta kemi 400 euro dhe pensionin minimal në zonën rurale ta kemi 180 euro. Është sforco shumë e madhe nga pikëpamja financiare por në fund mund ta bëjmë pasi e kemi synuar dhe është plotësisht e merituar për pjesën më delikate të shoqërisë”, tha Kryeministri.
Nga ana tjetër, Rama theksoi faktin se kjo mund të realizohet pa cenuar pjesën tjetër që ka të bëjë me rritjen ekonomike dhe të ardhurat që duhet të vendosen për kopshtet, çerdhet, shkollat dhe institucionet e përkujdesjes. /j.p/
TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nga 1 janari i vitit që vjen pensionet do të rriten, ndërsa siguroi pensionistët se ata do të marrin edhe bonusin e fundvitit, duke hedhur poshtë zërat se bonusi u shpërnda përgjatë vitit.
Gjatë një takimi me banorë të njësisë bashkiake nr.2 në Tiranë, ku prezantoi objektivat e projektbuxhetit për vitin që vjen, Rama tha se fondi i parashikuar për rritjen e pensioneve në të gjithë vendin llogaritet 1,7 miliardë euro.
“Më në fund kemi vendosur atë që kemi dashur të bëjmë prej kohësh, por na është dashur kohë: rritjen e mbështetjes reale për pensionistët, që faktikisht do të zërë pjesën kryesore në financimin e shtetit në këtë mandat të katërt, ku mbështetja ekstra për pensionet do të shkojë në shifrën 1,7 miliardë euro, të cilat janë të ndara në 4 vite dhe janë të përcaktuara në buxhetin afatmesëm të qeverisë, që do të na mundësojë realizimin e objektivit të shpallur lidhur me atë ku duam t’i çojmë pensionet mesatare”, tha Rama.
Sipas tij, ky moment është një moment që e përmbush atë që ka qenë ambicia kryesore: që rritja e vazhdueshme ekonomike, e shprehur edhe nga FMN me nota pozitive për ekonominë dhe ecurinë e ekonomisë shqiptare, të jetë një rritje gjithëpërfshirëse dhe të përfitojnë të gjithë.
“Dhe fakti që të gjithë pensionistët përfitojnë në këtë ambicie dhe do të prekin këtë rritje ekonomike të vazhdueshme është një fakt që edhe mua më lehtëson, pasi shumë herë jam gjendur para detyrimit: po e kuptoj, por na duhet kohë. Tani realizojmë këtë objektiv duke nisur nga buxheti 2026”, deklaroi ai.
Ai shtoi gjithashtu se edhe këtë vit do të shpërndahet në muajin dhjetor bonusi i vitit të ri.
“Bonusi i fundvitit do të jepet ekzaktësisht siç është dhënë edhe vitin e shkuar, duke nisur nga fillimi i muajit dhjetor, sepse është një bonus që u shkon pensionistëve për festat”, deklaroi Rama.
Rama shpjegoi se rritja e pensioneve do të bëhet çdo 1 janar deri sa të shkojë në fund të 5 viteve 5-fishi i rritjes së janarit 2026.
Kryeministri Rama po ashtu theksoi se do të vijojë edhe indeksimi i pensioneve dhe se fondi i llogaritur është afërsisht 50 milionë euro. /j.p/
Janë ekzekutuar sot pensionet bazike me rritje në Kosovë, nga 120 në 150 euro.
Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se nga ky muaj, pensioni minimal prej 120 euro bëhet 150 euro në muaj.
“Kurse sot me rritjen e paraparë janë ekzekutuar pensionet bazike dhe pensionet për personat me aftësi të kufizuara. Rritjen ekonomike dhe të buxhetit të shtetit po e rishpërndajmë me ata që kanë më së shumti nevojë”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë sot se asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse Qeveria Kurti".
“Pensioni Bazik të cilin e gjetëm me vlerë 90 euro/muaj në fillim të mandatit, prej sot procesohet me rritje me vlerë 150 euro/muaj. Pra 60 euro rritje brenda mandatit, apo 67%. Ngjashëm edhe Pensionet për Personat me Aftësi të Kufizuara, të cilat i gjetëm me 75 euro/muaj dhe nga sot ato bëhen 150 euro/muaj, apo 100% rritje brenda mandatit", tha ai.
Tutje, ai shkroi se "Gjithashtu, kemi rritur edhe mbështetjen për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, por edhe pensionin invalidor e atë familjar. Qeveria për pensionistët".
TIRANË, 7 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama detajoi sot parashikimet e projektbuxhetit 2026 për rritjen e pensioneve, ndërsa siguroi se ky do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve.
Në nisje të podkastit “Flasim”, Rama u shpreh se “pensionistët përveç se do të marrin këtë dhjetor bonusin e plotë të fundvitit, duke filluar nga janari do të kenë një rritje tanimë të shtrirë muaj për muaj, bazuar mbi logjikën e bonusit, por mbi indeksimin e përvitshëm”.
Kryeministri siguroi se ky do të jetë një moment që do të vazhdojë vit pa vitit dhe pensioni do të rritet duke u përputhur me objektivat ambicioz të vendosura dhe të shpallura gjatë fushatës elektorale.
Konkretisht, Rama tha se pensioni urban me vite të plota të punës do të shkojë në 40 mijë lekë të reja nga 27 350 që është sot.
“Pensioni urban i pjesshëm do të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë të reja nga 15 850 lekë që është sot; pensioni rural do të shkojë në 18 mijë letë të reja nga 11 500 lekë që është sot; pensioni familjar do të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11 400 që është sot; pensioni i invaliditetit do të shkojë në 30 mijë lekë të reja nga 20 mijë që është sot”, tha Rama
Duke u nisur nga janari 2026, Rama tha se pensionet do të rriten çdo muaj dhe këtu nuk hyn indeksimi vjetor që do të jetë gjë tjetër dhe do të vijojë normalisht vit pas viti.
“Pensioni urban me vitet e plota të punës do të rritet 1800 lekë të reja; pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 800 lekë të reja; pensioni rural do të rritet me 1 mijë lekë të reja; pensioni familjar me 700 lekë të reja dhe i invaliditetit me 600 lekë të reja”, tha Rama.
Në vitet në vijim, kryeministri theksoi se projeksioni financiar dhe i dakordësuar në të gjithë procesin e buxhetimit do të jetë në shifra të dyfishuara për secilën kategori në vitin 2027, të trefishuara në vitin 2028, të katërfishuara në vitin 2029 dhe pastaj të pesëfishuara në vitin 2030.
“Kjo do të thotë që vlera e zotuar do të jetë një vlerë e realizuar në respekt të 83 mandateve që na janë dhënë pikërisht duke besuar se ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, shtoi Rama. /j.p/
TIRANË, 4 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se pensionistët përveçse do të marrin këtë dhjetor bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari 2026 do të kenë një rritje pensioni të shtrirë muaj për muaj, përmbi indeksimin e përvitshëm.
Në një videomesazh nga selia e Partisë Socialiste, Rama informoi se mbrëmjen e djeshme i është përcjellë parlamentit projektbuxheti i vitit 2026.
“Jam realisht i lumtur sot t’u them pensionistëve që ashtu siç u zotuam në zgjedhje ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve”, tha Rama.
Sipas tij, “kjo është pjesa më e vështirë e politikës financiare të një vendi, pensionet”.
“Por më në fund pikërisht sepse nuk jemi më ai vendi që mezi mbahemi në këmbë, por jemi një vend me ekonomi të qëndrueshme që rritet çdo vit mund ta bëjmë atë për të cilën u zotuam të arrijmë vit pas viti, të rrisim pensionet sipas objektivave të shpallura për secilën kategori”, tha Rama.
Konkretisht sipas kategorive, Rama bëri të ditur se në fund të mandatit duhet të arrijmë që pensioni mesatar të rritet sipas kategorive.
“Pensioni urban me vite të plota pune të shkojë 40 mijë lekë të reja nga 27 350 që është sot; pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë të reja nga 15 850 lekë që është sot; pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11 500 që është sot; pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11 400 që është sot dhe pensioni i invaliditetit të shkojë 30 mijë lekë të reja nga 20 mijë që është sot”, njoftoi Rama.
Ndaj, Rama tha se nga janari i vitit të ri 2026 pensionet do të rriten çdo muaj, përtej indeksimit vjetor që do të jetë tjetër gjë.
“Pensioni urban me vite të plota pune do të rritet 1800 lekë; pensioni urban i pjesshëm do të rritet 800 lekë; pensioni rural do të rritet 1 mijë lekë; pensioni familjar do të rritet 700 lekë; pensioni i invaliditetit do të rritet 600 lekë”, tha Rama.
Në vitet në vijim, Kryeministrit theksoi se “të njëjtat shifra do të dyfishohen për secilën kategori në vitin 2027, do të trefishohen në vitin 2028, do të katërfishohen në vitin 2029, për të arritur vlerën e premtuar në qershor të këtij viti kur shqiptarët na dhanë plot 83 mandate”.
“Ky jam unë, këta jemi ne. Them dhe themi atë që bëjmë dhe bëjmë gjithnjë atë që themi”, tha Rama. /j.p/
Përmes një videomesazhi në llogarinë e tij personale në “Facebook”, kryeministri i vendit Edi Rama, ka dhënë lajmin për pensionistët se përveç bonusit të fundvitit në dhjetor nga janari i vitit 2026, do të ketë rritje muaj për muaj përmbi indeksimin e përvitshëm natyrisht.
Sipas kreut socialist, “kjo është pjesa më ë vështire e politikës financiare të një vendi, pensionet. Por më në fund, pikërisht pse nuk jemi vendi që mezi mbajmë këmbët, por jemi një vend me ekonomi të qëndrueshme që rritet cdo vit”.
Edi Rama: Mbrëmë i përcollëm Parlamentit projektbuxhetin dhe jam realisht i lumtur sot t’u them pensionistëve se fiks ashtu siç u zotuam në zgjedhje ky mandat do të jetë mandate i rritjes së përvitshme të pensioneve.
Kjo është pjesa më ë vështire e politikës financiare të një vendi, pensionet. Por më në fund, pikërisht pse nuk jemi vendi që mezi mbajmë këmbët, por jemi një vend me ekonomi të qëndrueshme që rritet cdo vit, mund të bëjmë atë që jemi zotuar, të rrisim pensionet vit pas viti.
Kështu, pensionistët tanë përveçse do të marrin këtë dhjetor bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari do të kenë një rritje të shtrirë muaj për muaj përmbi indeksimin e përvitshëm natyrisht. Konkretisht sipas kategorive në fund të mandatit duhet të arrijmë që pensioni mesatar të rritet.
TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Administrata Tatimore vijon trendin pozitiv të mbledhjes së të ardhurave, si në krahasimin mujor, ashtu edhe në atë vjetor.
Tatimet bëjnë me dije se për periudhën tetor 2025 janë mbledhur 37,9 miliardë lekë, 13,1% më shumë se në të njëjtin muaj të një viti më parë.
Administrata Tatimore njofton se edhe gjatë 10-mujorit të këtij viti, krahasuar me 10-mujorin e vitit të kaluar, reflektohen 379 miliardë lekë të ardhura, rreth 12,1% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Tatimet theksojnë se “rezultatet janë dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme të Administratës Tatimore për rritjen e performancës tatimore, luftën kundër informalitetit dhe forcimin e administrimit fiskal në të gjitha sektorët e ekonomisë”.
Sipas disa studimeve, zakoni për të shtyrë detyrat apo vendimet për më vonë nuk është thjesht një formë përtacie apo mungesë motivimi, ai ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si funksionon truri ynë. Shkencëtarët shpjegojnë se, kur një person e ka zakon të zvarrisë gjithçka, aktivizohen pjesët e trurit që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me stresin dhe ankthin, ndërsa dobësohen ato zona që ndihmojnë përqendrimin, vetëkontrollin dhe vendimmarrjen.
Ky proces sjell një sërë pasojash: lodhje mendore, mungesë qartësie, rënie të motivimit dhe vështirësi në menaxhimin e emocioneve. Në thelb, sa më shumë e shtyn një detyrë, aq më shumë truri mësohet me këtë sjellje dhe e bën gjithnjë e më të vështirë të ndalesh së zvarrituri.
Studiuesit theksojnë se zvarritja kronike nuk duhet parë si një çështje “përtacie”, por si një model sjelljeje që ndikon në mirëqenien mendore dhe aftësitë njohëse. Ajo mund të krijojë një cikël të lodhshëm ku ndjenja e fajit dhe ankthi përzihen me mungesën e veprimit, duke ulur produktivitetin dhe kënaqësinë personale.
Prandaj, herën tjetër që mendon “do ta bëj nesër”, kujto se truri yt nuk është aspak dakord dhe se çdo shtyrje e vogël mund të jetë një hap më larg nga qartësia dhe kontrolli i vetvetes.