Liria e shtypit në Shqipëri: Progres në letër, vështirësi në terren
Shqipëria shënoi një përmirësim të dukshëm në renditjen globale për lirinë e medias gjatë vitit 2025, duke ngjitur 19 vende në Indeksin Botëror dhe duke u pozicionuar e 80-ta nga 180 shtete.
Megjithatë, sipas një raporti vjetor për vitin 2025, të realizuar nga organizata BIRN Albania në partneritet me SCiDEV dhe Qendrën Faktoje, ky përmirësim nuk reflekton një ndryshim të thellë në realitetin e përditshëm të medias në vend.
Perceptimi i gazetarëve për lirinë e medias
Sipas një sondazhi të realizuar me 106 gazetarë, shumica e tyre mendojnë se situata për lirinë e shprehjes është përkeqësuar gjatë vitit 2025. Rreth 64.2% e të anketuarve deklarojnë se liria e shprehjes ka pësuar rënie, ndërsa vetëm 17% raportojnë një përmirësim.
Edhe aksesi në informacion vijon të jetë problematik. Gjysma e gazetarëve të anketuar (50%) thonë se qasja e informacionit në institucione është bërë më i vështirë krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë, 36.8% raportojnë përkeqësim të kushteve të punës në redaksi.
Të dhënat tregojnë gjithashtu dallime sipas rolit në profesion. Redaktorët raportojnë nivelet më të larta të përkeqësimit të lirisë së shprehjes dhe aksesit në informacion, çka sugjeron se gazetarët në pozicione vendimmarrëse përballen më drejtpërdrejt me kufizime që lidhen me pavarësinë editoriale dhe marrëdhënien me institucionet.
Po ashtu, 36.8% e të anketuarve raportuan se siguria e gazetarëve është përkeqësuar, ndërsa 44.3% u shprehën se nuk kishte pasur asnjë ndryshim, kundrejt 17% që thanë se ka pasur përmirësim.
“Edhe pse kemi një përqindje më të ulët që raportojnë përkeqësim krahasuar me vitin 2024 (54.7%),” thuhet në raport, “më shumë se një e treta e të anketuarve vazhdojnë të perceptojnë përkeqësim të kushteve të sigurisë.”
Kjo sugjeron se, ndonëse perceptimet për sigurinë mund të jenë stabilizuar disi në krahasim me vitin e kaluar, një pjesë e konsiderueshme e gazetarëve vazhdojnë të përjetojnë ose perceptojnë dobësi në mjedisin e tyre profesional.
Censura dhe kufizimet në raportim
Kufizimet në raportim mbeten realitet i përhapur për gazetarët në Shqipëri. Vetëm 9.4% e të anketuarve deklarojnë se kanë qenë gjithmonë në gjendje të raportojnë lirshëm, pa frikë nga censura apo hakmarrja.
“Në krahun tjetër, 40.6% raportojnë se me raste ndihen të kufizuar, 16% raportojnë shqetësime të shpeshta dhe 11.3% deklarojnë se nuk kanë qenë asnjëherë në gjendje të raportojnë lirisht. Në total, rreth 68% e të anketuarve kanë përjetuar një farë kufizimi gjatë vitit të kaluar”, thuhet në raport.
Raportimi për korrupsionin e madh konsiderohet tema më e ndjeshme. Rreth 61.3% e gazetarëve e identifikojnë këtë temë si të kufizuar, e ndjekur nga raportimi për krimin e organizuar dhe për praktikat e këqija të korporatave të mëdha.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se kufizimet kanë ndikim konkret në përmbajtjen e raportimeve. Vetëm 19.8% e gazetarëve thonë se nuk kanë braktisur kurrë një histori për shkak të presionit apo vetë-censurës, ndërsa rreth 80% e tyre kanë hequr dorë të paktën një herë nga publikimi i një materiali.
“Këto gjetje tregojnë se kufizimet e perceptuara nuk janë thjesht përshtypje subjektive, por kanë një ndikim të matshëm në raportimet e gazetarëve dhe në informacionin që i vihet në dispozicion publikut”, thuhet në raport.
Kërcënimet dhe siguria e gazetarëve
Sipas sondazhit, 40.6% e gazetarëve raportojnë se kanë përjetuar kërcënime ose kanosje gjatë ushtrimit të profesionit.
Ndërkohë, 12.3% e të anketuarve deklarojnë se janë sulmuar fizikisht të paktën një herë gjatë punës si gazetarë. Gazetarët që punojnë në televizione raportojnë më shumë raste kërcënimesh dhe sulmesh krahasuar me kolegët e tyre në mediat online.
“Burrat raportojnë numër më të madh të sulmeve fizike (18.8%) krahasuar me gratë (6.9%)”, thekson raporti, ndërsa reporterët duken më të prekur nga këto sulme.
Po ashtu, gazetarët e televizionit raportojnë se përballen më shpesh me sulme fizike dhe kërcënime krahasuar me gazetarët online.
Kërcënimet verbale janë forma më e zakonshme e presionit, të raportuara nga mbi 70% e gazetarëve që kanë përjetuar kanosje. Ngacmimi online është forma e dytë më e përhapur, ndërsa një pjesë e gazetarëve raportojnë edhe kërcënime me padi ligjore, telefonata ngacmuese dhe gjuhë fyese.
Sipas të dhënave, zyrtarët e qeverisë identifikohen si burimi kryesor i kërcënimeve, të ndjekur nga grupet politike, organizatat kriminale dhe pronarët e mediave.
Gazetaret dhe rreziqet me bazë gjinore
Gazetaret përballen gjithashtu me forma specifike të kërcënimeve që lidhen me gjininë. Rreth 17.2% e gazetareve të anketuara raportojnë se kanë përjetuar kërcënime ose ngacmime me bazë gjinore gjatë ushtrimit të profesionit.
Forma më e zakonshme është ngacmimi verbal, i ndjekur nga ngacmimi seksual dhe abuzimi online. Në disa raste janë raportuar edhe kërcënime fizike.
“Është e rëndësishme të theksohet se 60% e të anketuarave të kërcënuara raportuan se kanosje të tilla ndikuan në raportimin e tyre të paktën në një masë të moderuar”, analizohet në raport.
Raporti thekson gjithashtu se një pjesë e gazetareve ndihen të pambrojtura nga institucionet apo nga vetë mediat ku punojnë.
“19% e grave gazetare raportuan se shqetësimet e tyre për sigurinë nuk u trajtuan fare nga media për të cilën punonin dhe 31% raportuan se shqetësimet nuk u trajtuan në mënyrë të mjaftueshme”, thekson raporti.
Denoncimi dhe mungesa e besimit tek institucionet
Një nga problemet kryesore të evidentuara është mungesa e besimit të gazetarëve tek institucionet shtetërore. Vetëm 18.6% e gazetarëve që kanë përjetuar kërcënime i kanë raportuar incidentet tek autoritetet.
“Arsyeja kryesore për mosraportimin ishte mungesa e besimit tek autoritetet (63.9%), e ndjekur nga besimi se raportimi nuk do të sillte ndonjë ndryshim (27.9%)”, thuhet në raport.
Gazetarët gjithashtu theksojnë se presioni politik, presioni ekonomik nga pronarët ose reklamuesit dhe mungesa e mbrojtjes ligjore janë ndër sfidat kryesore për sigurinë e tyre profesionale.
Kushtet e punës në sektorin e medias
Rreth 36.8% e të anketuarve raportojnë përkeqësim të kushteve të punës, ndërsa 41.5% thonë se situata nuk ka ndryshuar.
Problemet lidhen kryesisht me kontratat e pasigurta të punës dhe mungesën e stabilitetit financiar në sektor.
Institucionet kanë ndërmarrë disa hapa për të përmirësuar situatën, përfshirë një memorandum bashkëpunimi mes Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Inspektoratit Shtetëror të Punës për monitorimin e kushteve të punës në media. Megjithatë, sipas raportit, zbatimi i legjislacionit mbetet i pabarabartë.
Mbulimi mediatik i zgjedhjeve dhe sfidat strukturore
Raporti thekson se fushata zgjedhore e vitit 2025 shërbeu si një test për lirinë e medias në vend.
Rreth 83% e gazetarëve të anketuar raportojnë se kanë mbuluar zgjedhjet, ndërsa shumica e tyre kanë hasur vështirësi gjatë procesit.
Rreth 70% e gazetarëve që mbuluan fushatën deklarojnë se u përballën me kufizime në aksesin në informacion. Përveç kësaj, 23.9% raportojnë presione ose kërcënime gjatë punës.
Kandidatët dhe anëtarët e partive politike identifikohen si burimi kryesor i këtyre presioneve.
Një pjesë e gazetarëve deklaron se është ndjerë nën presion për të përdorur vetëm materiale të ofruara nga partitë politike, duke kufizuar kështu mundësinë për raportim të pavarur.
Raporti thekson se problemet në sektorin e medias në Shqipëri janë kryesisht strukturore dhe jo raste të izoluara.
Presioni politik, përqendrimi i pronësisë së mediave, financimi jo transparent dhe pasiguria ekonomike e gazetarëve krijojnë një mjedis të brishtë për gazetarinë e pavarur.
Lexo gjithashtu:
- Draft-raporti i PE: Thirrje për mbrojtjen e medias dhe luftë më të fortë kundër korrupsionit
- 2025, një vit i vështirë për gazetarët dhe lirinë e medias
- Raporti i OSBE-ODIHR: Censurë dhe pabarazi në media gjatë zgjedhjeve
The post Liria e shtypit në Shqipëri: Progres në letër, vështirësi në terren appeared first on Citizens.al.
