Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 January 2026Main stream

Demo: Bashkitë, potenciale për të krijuar ekonomi lokale të qëndrueshme

17 January 2026 at 14:34

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot, se bashkitë duhet të luajnë një rol aktiv në procesin e rritjes ekonomike në vend.

Demo ishte i pranishëm në takimin e thirrur nga Kryeministri Edi Rama me kryebashkiakët, ku u diskutuan sfidat e bashkive për vitin 2026, sezoni turistik dhe betejat e përbashkëta politike e shoqërore kundër mbetjeve plastike.

Ministri Demo, gjatë fjalës së tij tha se qasja e qeverisë është qasje e një partneriteti të sigurt me autoritetet lokale.

“Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për të kërcyer lartësi të cilat do të krijonin një transformim rrënjësor jo vetëm ekonomik, por edhe social. Në këtë kuadër, bashkitë kanë një rol shumë të rëndësishëm pasi energjia që çlirohet në nivel lokal është shumë e rëndësishme. Burimet e rritjes ekonomike janë ato ku bashkitë duhet të luajnë një rol proaktiv në këtë kontekst”, tha Demo, ndërsa theksoi se duhet një ndryshim rrënjësor për sa i përket asaj që ndodh në territor dhe rritjes ekonomike në nivel vendor.

“Sfidat me të cilat bashkitë përballen janë dinamike, diverse për shkak të arsyeve që mund të vijnë nga elemente që janë të paparashikueshëm siç janë edhe përmbytjet e ditëve të fundit, por besoj që ne të gjithë duhet të bëjmë shumë për parandalimin e këtyre situatave. Ndihma që këto bashki do të marrin nga qeverisja qendrore do të bëjë të mundur që jo thjesht të jemi të përgatitur për situata emergjente, mbi të gjitha për t’i parandaluar ato dhe për të krijuar zhvillim territoral, sidomos kur flasim për logjistikë, për mirëmbajtje infrastukture rurale”, theksoi ai.

Ministri Demo u ndal edhe te Paketa e Maleve, Granti i Performancës, për rolin që ka Akademia e Pushtetit Vendor, për Strategjinë Kombëtare të Turizmit, për rregulloren e plazheve dhe një përgatitje më të mirë, edhe një qasje më të lehtë të qytetarit në plazhet e jashtëzakonshme të vendit.

“Suksesi i Shqipërisë sa i përket turizmit në 12 muaj të vitit, është jo vetëm nga bregdeti. Të 61 bashkitë e vendit duhet të jenë të përgatitura. Kjo tregon potencialin e jashtëzakonshëm që kanë të gjitha bashkitë, për të krijuar ekonominë lokale të qëndrueshme. Pasi në çdo cep të territorit ne mund të kemi një aktivitet ekonomik”, tha Demo.

Demo shtoi se viti 2026 mbart shumë sfida për Shqipërië, edhe në aspektin e punës për procesin e integrimit, ndërsa tha se të gjitha bashkitë duhet të jenë të përgatitura për një “cunami” nga pikëpamja rregullative që bashkitë do kenë në jetën administrative dhe që këto të përkthehen në shërbime në territor për qytetarët.

/e.i/j.p/

The post Demo: Bashkitë, potenciale për të krijuar ekonomi lokale të qëndrueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Bashkitë të bëhen sipërmarrëse, forcë lokale që merr pjesë në jetën ekonomike

17 January 2026 at 12:52

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se këtë vit, po bëhet një hap kuptimplotë në drejtim të bashkive sipërmarrëse, një qasje që i ndihmon bashkitë të jenë një forcë lokale vendore që merr pjesë në jetën ekonomike të territorit.

Gjatë takimit që po zhvillohet në Golem të Durrësit, me kryebashkiakët për sfidat e bashkive për 2026, Rama tha se bashkitë mund të jenë forcë ndikuese për zhvillimin ekonomik dhe në emër të interesit publik dhe funksionit publik të gjenerojë të ardhura.

“Vazhdojmë të mbetemi vendi i fundit në çdo lloj klasifikimi në Evropë, por në nivele shumë të ulta dhe në botë ku pushteti vedndor vetëm shfrytëzon taksat për të funksionuar, shfrytëzon taksat e shqiptarëve që i mbledh pushteti qendror dhe një pjesë të tyre e shpërndan për pushtetin vendor. Shfrytëzon tarifat vendore, por nëse pyetet cilido prej jush sa të ardhura i ka sjellë bashkia vetes me veprimtari ekonomike, shifrat janë qesharake dhe ato lidhen vetëm me qiratë”, tha Rama.

Sipas Ramës, hapësira është shumë e madhe për të futur bashkitë si një lojtar aktiv i zhvillimit ekonomik dhe si një përfitues nga ky zhvillim.

“Ne këtë gjë po e bëjmë edhe në nivel qendror, por edhe aty jemi shumë mbrapa, por janë krijuar kushtet. Do të kishte qenë tejet e vështirë më parë. Të fillojmë të krijojmë shtetin sipërmarrës, duke u bërë partner me sektorin privat, dhe duke marrë pjesë në fitimin e sipërmarrjes. Këtë gjë po e bëjmë në industrinë ushtarake, po e bëjmë me AIC, po përpiqemi ta bëjmë në çdo sektor duke vënë në dispozicion të iniciativave sipërmarrëse, asetet tona ose duke investuar para drejtpërdrejtë siç bëmë me investimin në start up-in e Mira Muratit që sot ka një vlerë më të lartë se vlera fillestare. Kur ne u bëmë partnerë shumë të vegjël me vetëm 10 milionë euro dhe ku sot vlera e përfituar llogaritet mbi 50 milionë euro, që është vlerë e aksioneve, nuk është vlerë që ne e kemi tërhequr sepse kjo ndodh sipas rregullave”, theksoi Rama.

Kreu i Ekzekutivit cilësoi se do të vazhdojnë kushtëzimet në shpenzimin e fondeve me çfarë kthehet mbrapa këtij fitimi, duke theksuar se është përgatitur një matricë për gjithë ministritë për të matur sa të ardhura jashtë buxhetit të shtetit krijojnë këto ministri.

“Është një fazë e re, nuk është diçka që kemi nevojë ta shpikim dhe ne na duhet të mësojmë nga praktikat më të mira dhe të shkojmë përpara. Deri dje kemi dhënë shumë asete falas. Janë dhënë dhe lënë rrugëve në të shkuarën asete që nuk numërohen, janë lënë në duar të pasigurta plot prona shtetërore që nuk janë përkthyer në investime serioze dhe të ardhura për ekonominë tonë”, tha Rama.

Rama shtoi se “janë dhënë pafundësi tokash për zhvillim dhe kjo gjë ka ndaluar përfundimisht”.

“Ne nuk japim asnjë metër katror tokë nëse një ndërtues gjendet në kushtet kur ka 95% të pronës dhe 5% është pronë shtetërore dhe në të shkuarën ndërtuesi paguante një çmim reference dhe merrte tokën. Për çdo metër katror tokë ku pronar është shteti, ne kemi kushtëzuar pjesëmarrjen si pronarë për të marrë mbrapsht atë që i takon shtetit”, tha ai.

“I vetmi motiv për të dhënë tokë me një kontratë simbolike që është 1 euro është hoteleria. Pra, në rast se ka dikush një pronë private dhe një pjesë është shtet, ose në rast se në një zhvillim të caktuar ka një resort turistik dhe aty ka një pjesë shtetërore, nuk bën vaki që pjesa shtetërore të jepet për vila e pishina, por vetëm hoteleri”, pohoi Rama.

Rama shtopi se në këtë drejtim bashkitë mund të marrin një rol të rëndësishëm në bashkëpunim me AIC mund të bëjnë projekte dhe mund të bëjnë zhvilime të jashtëzakoshme me përfitim që shkon nga ndërtimi i aseteve publike si zyra, shkolla, kopshte, deri te përfitimi i të ardhurave të drejtpërdrejta.

/e.i/j.p/

The post Rama: Bashkitë të bëhen sipërmarrëse, forcë lokale që merr pjesë në jetën ekonomike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis puna për zbatimin e ligjit për Barazinë Gjinore, Seferi: Qasje e unifikuar dhe efektive

17 January 2026 at 12:25

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021–2030, të miratuar nga qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim të ngushtë me UN Women në Tiranë, zhvilloi takimin e parë konsultativ me nëpunësit e barazisë gjinore nga institucione të ndryshme publike.

Takimi shënon nisjen e procesit të koordinimit ndërinstitucional për hartimin dhe zbatimin e planit të veprimit në funksion të zbatimit të ligjit të ri për Barazinë Gjinore, duke synuar ndërtimin e një qasjeje të unifikuar dhe efektive në nivel institucional.

Gjatë fjalës së saj, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, theksoi se Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021–2030 përbën dokumentin themelor të politikave publike në këtë fushë dhe një instrument ndërsektorial që kërkon angazhim të përbashkët, koordinim të vazhdueshëm dhe përgjegjësi të qarta nga të gjitha institucionet përgjegjëse dhe mbështetëse.

Zv.ministrja Seferi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me nëpunësit e barazisë gjinore, si aktorë kyç në zbatimin e ligjit, duke theksuar se Ligji i ri për Barazinë Gjinore synon vendosjen e barazisë gjinore në qendër të politikave ndërsektoriale dhe garanton mbrojtjen nga diskriminimi për të gjithë qytetarët.

“Ne si Ministri e Shëndetesisë dhe Mirëqenies Sociale, dhe nëpërmjet rolit tuaj si nënpunës të barazizë gjinore duhet që së bashku të advokojmë zbatimin e këtij ligji. Ligji i barazizë gjinore, i miratuar është ajo çfarë parashikon e zeza mbi të bardhë, nuk ka lidhje me çështjet që janë diskutuar në publik, mbi gjininë etj, por mbron dhe gjen të gjitha hapësirat ligjore për të vënë barazinë gjinore në qendër të politikave ndërsektoriale. Mbrojtja nga diskriminimi është për të gjithë qytetarët e vendit. Ky proces do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të politikave për barazinë gjinore por dhe në rritjen e ndikimit konkret në jetën e grave”, u shpreh ajo.

Ligji i ri për Barazinë Gjinore përfaqëson një hap cilësor në konsolidimin e kuadrit ligjor dhe institucional për barazinë gjinore në Shqipëri. Ligji reflekton angazhimet kushtetuese të vendit, detyrimet ndërkombëtare dhe standardet më të avancuara evropiane, duke forcuar integrimin e perspektivës gjinore në politikat publike dhe duke krijuar një bazë më të qartë dhe funksionale për veprimin institucional në praktikë.

Në këtë drejtim, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me partnerët dhe aktorët relevantë, do të vijojë mbështetjen për organizimin e takimeve tematike dhe trajnimeve të posaçme, me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zbatimin efektiv të Ligjit të ri për Barazinë Gjinore.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim të ngushtë me UN Women në Tiran...
1 nga 2

/e.i/j.p/

The post Nis puna për zbatimin e ligjit për Barazinë Gjinore, Seferi: Qasje e unifikuar dhe efektive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MEPJ: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, busull e përhershme për brezat

17 January 2026 at 10:57

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Sot shënohen 558 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-17 janar 1468).

Gjergj Kastrioti Skënderbeu hyri në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet për kohën.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përkujtoi sot Heroin Kombëtar të shqiptarëve. Në postimin në rrjetet sociale, thuhet se “në historinë shqiptare, figura e tij mbetet një busull e përhershme për brezat”.

MEPJ cilëson se kryeheroi që ndriçoi ndërgjegjen kombëtare, frymëzoi rilindësit dhe u shndërrua në simbol të pavdekshëm të qëndresës, lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

“Trashëgimia e tij vijon të na udhëheqë drejt bashkimit, përparimit dhe vizionit europian. Lavdi e përjetshme”, thuhet në postim.

Gjergj Kastrioti ndaloi ekspansionin osman drejt Evropës, duke fituar mirënjohjen e shteteve evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë, dhe shumë më tepër pas vdekjes.

/e.i/j.p/

The post MEPJ: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, busull e përhershme për brezat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Partneriteti me ShBA-të hap mundësi të reja për përgatitjen e trupave shqiptare

17 January 2026 at 09:34

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Forcat Ajrore shqiptare kanë zhvilluar një stërvitje të përbashkët me Misionin federal të Gardës Kombëtare Ajrore të ShBA-ve për furnizim të shpejtë dhe efikas me karburant.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu duke sjellë momente nga kjo stërvitje vlerësoi se “partneriteti i ngushtë me Shtetet e Bashkuara hap mundësi të reja për përgatitjen operacionale të trupave tona, reagim të menjëhershëm në kohë krize dhe ndërveprim të koordinuar me aleatët në terren”.

Nënkolonel Richard Bloom, komandant i ekupizhait HC-130J Combat King tha se për forcat amerikane kjo ishte hera e parë që kryenin një operacion të furnizimit me karburant në një zonë të përparuar.

“Mund të them që kam parë shumë Forca të Armatosura përfshirë tonën dhe Forcat e Armatosura shqiptare që ishin absolutisht profesionalë dhe ne ishim vërtet me fat që punuam me ta”, tha Bloom.

Nënkolonel Ervin Buzi, komandant i Forcës Ajrore Farkë u shpreh se nëse misioni nuk lejon shumë kohë për pritje, Forcat Ajrore ulen dhe furnizohen pa u ndaluar, për të shkuar përsëri në zonën e operacioneve.

“Kjo krijon vazhdimësi për të mbështetur operacionet e trupave tona dhe është një hap i rëndësishëm në bashkëpunim me aleatët tanë, sidomos aleatin amerikan. Nëse një ditë gjendemi në të njëjtin vend luftimi ne absolutisht mund ta kryejmë këtë mision”, pohoi Buzi.

Ndërsa, Toger Fabio Bardho, komandant ekuipazhi i helikopterit UH-60 “Black Haëk” nënvizoi se partnerët amerikanë kanë qenë shumë bashkëpunues me Forcat Ajrore shqiptare gjatë gjithë kohës.

“Kjo stërvitje ka shërbyer për të rritur aftësitë tona pilotuese dhe për të qenë  gati sa më shpejt në operacione luftarake që mund të na ndodhin në fushë betejë”, tha ai.

/e.i/j.p/

The post Vengu: Partneriteti me ShBA-të hap mundësi të reja për përgatitjen e trupave shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria nis për herë të parë vaksinimin kundër HPV-së edhe te djemtë

17 January 2026 at 09:10

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Për herë të parë në Shqipëri, djemtë janë përfshirë në programin kombëtar të vaksinimit kundër HPV-së (virusi i Papilomës humane), duke shënuar një hap të rëndësishëm në politikat e parandalimit të sëmundjeve infektive dhe onkologjike.

Nisja e fushatës së vaksinimit për djemtë që në ditët e para të janarit vjen në një kohë kur infeksioni HPV mbetet një nga viruset më të përhapura, që prek si vajzat, ashtu edhe djemtë, shpesh pa shenja të dukshme, por me pasoja serioze për shëndetin në afatgjatë.

Në një intervistë për ATSH, Rovena Daja – drejtuese e programit të vaksinimit pranë Institutit të Shëndetit Publik (IShP) – shpjegon arsyet pse vaksinimi i djemve konsiderohet i domosdoshëm, përfitimet që sjell kjo masë jo vetëm për individin, por edhe për komunitetin, si dhe rëndësinë e ndërgjegjësimit të prindërve për të siguruar mbulim sa më të gjerë të vaksinimit në këtë grupmoshë, si te vajzat ashtu edhe te djemtë.

Daja shprehet se infeksioni nga HPV-ja është infeksioni viral më i shpeshtë i traktit riprodhues dhe shkakton një sërë sëmundjesh dhe gjendjesh si te femrat, dhe te meshkujt, duke përfshirë këtu lezionet prekanceroze, të cilat mund të shndërrohen në kancer.

“Megjithëse shumica e infeksioneve nga HPV-ja nuk shkaktojnë shenja klinike dhe pastrohen në mënyrë spontane, infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me HPV mund të çojë në sëmundje serioze te femrat, por edhe te meshkujt. Infeksionet e vazhdueshme me një ose më shumë tipa të HPV-së me “risk të lartë” (ose onkogjenikë) mund të çojë drejt lezioneve prekanceroze, të cilat në rast se nuk trajtohen mund të shpien drejt kancerit të qafës së mitrës apo të cerviksit apo kancere të tjerë gjenitalë”, tha ajo.

Sipas Dajës, përfshirja e djemve në programet e vaksinimit ndaj HPV-së është një masë thelbësore e shëndetit publik, e mbështetur gjerësisht nga evidenca shkencore dhe praktikat ndërkombëtare.

Daja shprehet se “infeksioni me HPV te meshkujt mund të çojë në lytha gjenitalë, kancer të anusit, kancer të penisit dhe kancer të gojës dhe fytit (orofaringeal). Këto kancere janë në rritje, veçanërisht te meshkujt, dhe për shumicën e tyre nuk ekzistojnë programe depistimi, gjë që i bën masat parandaluese edhe më të rëndësishme”.

“Vaksinimi i meshkujve ul ndjeshëm transmetimin e virusit në popullatë. Duke reduktuar qarkullimin e HPV-së, mbrohen edhe partneret seksuale dhe kontribuohet në krijimin e imunitetit të popullatës. Vetëm vaksinimi i vajzave nuk është i mjaftueshëm për të frenuar plotësisht përhapjen e virusit, sidomos në popullata me lëvizje të larta dhe sjellje të ndryshme seksuale”, nënvizon Daja.

Drejtuesja e programit të vaksinimit pranë IShP-së, thekson se vaksina HPV te djemtë dhe vajzat ka efekte të lehta anësore, si dhimbje të lehta deri në mesatare të zgjatura, skuqje dhe ënjtje në vendin e injektimit, dhimbje e kokës, ethe, nauze, etj.

Daja tha se “sipas të dhënave të regjistruara në Sistemin Informativ të Vaksinimit (SIV), deri më tani janë aplikuar 16 doza të vaksinës kundër HPV-së te djemtë 13-vjeçarë në rang kombëtar. Pritet që numri i vaksinimeve të rritet progresivisht në vijim, paralelisht me forcimin e informimit, sensibilizimit të prindërve dhe përfshirjen aktive të profesionistëve të shëndetit në komunitet”.

“Vaksinimi i djemve ul ndjeshëm qarkullimin e virusit HPV në popullatë, pasi redukton numrin e personave që mund të infektohen dhe ta transmetojnë virusin te partnerët e tyre. Duke përfshirë të dyja gjinitë në vaksinim, krijohet imunitet i popullatës i cili mbron edhe individët e pavaksinuar. Përvoja ndërkombëtare tregon se vaksinimi çon në ulje të ndjeshme të infeksioneve HPV dhe të lythave gjenitalë brenda pak vitesh nga zbatimi dhe më tej në reduktimin dhe eliminimin e kancerit të qafës së mitrës”, vijon Daja.

Daja pohoi se janë zhvilluar dhe po vijojnë fushata informuese dhe sensibilizuese për vaksinimin kundër HPV-së, të cilat tashmë janë zgjeruar edhe për djemtë, në përputhje me përfshirjen e tyre në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit. Këto fushata përfshijnë shpërndarje materialesh informuese, komunikim në media dhe rrjete sociale, si dhe angazhim të profesionistëve të shëndetit në komunitet.

Daja ndalet edhe të një mesazh i rëndësishëm për të gjithë prindërit, që hezitojnë të shtyjnë fëmijët e tyre drejt kryerjes së vaksinës HPV.

Ajo shprehet se “ky është një investim për shëndetin e fëmijëve të tyre në të ardhmen”.

“Vaksina është e sigurt, e studiuar gjerësisht dhe përdoret prej vitesh në shumë vende të botës. Ajo nuk lidhet me sjelljen seksuale, por me parandalimin e sëmundjeve serioze, përfshirë kanceret. Duke vaksinuar djemtë sot, prindërit i mbrojnë ata ndaj kancereve dhe kontribuojnë në mbrojtjen e shëndetit të gjithë shoqërisë nesër”, përfundon Daja.

Nga të dhënat zyrtare të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OShKSh), gjatë vitit 2025 janë kryer në të gjithë vendin rreth 9363 vaksina HPV, ndërsa nga muaji janar i këtij viti për herë të parë ka nisur vaksinimi edhe te djemtë.

/e.i/r.e/a.f/

The post Shqipëria nis për herë të parë vaksinimin kundër HPV-së edhe te djemtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 16 January 2026Main stream

Luarasi: Paketa e medias synon krijimin e kushteve për liri dhe përgjegjësi

16 January 2026 at 15:43

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi tha sot se të drejtat nuk janë një sektor, por një dimension që prek çdo fushë të qeverisjes.

Gjatë fjalës së saj, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, Luarasi tha se më parë kjo përgjegjësi shpërndahej në komisione të ndryshme, por ishte pa një fokus të qartë. Rezultati sipas saj ishte fragmentim, mbivendosje kompetencash dhe mungesë përgjegjësie e qartë.

“Media dhe informimi publik, të dyja si çështje po kalojnë një transformim rrënjësor. Modelet tradicionale të mediave po shkrihen, dezinformimi është ai që po bëhet kërcënim real për demokracinë, platformat digjitale po ndryshojnë mënyrën se si qytetarët e marrin sot informacionin dhe për këto arsye komisioni nuk ishte luks, por një nevojë institucionale”, tha ajo.

“Në një parlament modern, të drejtat e njeriut dhe mediat nuk mund të jenë një shënim anësor që shpërndahen në komisione të ndryshme, por janë shtylla që mbajnë gjithë ndërtesën. Komisioni ynë gjatë këtyre tre muajve ka pasur një mandat të qartë, të ndjek çështjen e të drejtave dhe lirive themelore, veprimtarinë e mediave audiovizive dhe informimit si dhe garantimin e lirisë së shprehjes”, tha Luarasi.

Luarasi theksoi se Shqipëria është në rrugën e integrimit evropian, por kjo nuk është një çështje që ka lidhje vetëm me tregun e përbashkët, apo me infrastrukturën, është mbi të gjitha një vlerë që ka lidhje me demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“Avokati i Popullit, komisionet për mbrojtjen nga diskriminimi, komisioni për të drejtën e informimit nuk janë dekorative, janë institucione kryesore të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. Paketa e medias për të cilën po punon një grup i komisionit nuk synon që të kontrollojë median, por synon që të krijojë kushtet që media të jetë e lirë, profesionale dhe përgjegjëse”, pohoi Luarasi.

/e.i/j.p/

The post Luarasi: Paketa e medias synon krijimin e kushteve për liri dhe përgjegjësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj dekreton kundëradmiral Arsen Mullajn komandant të Forcës Detare

16 January 2026 at 14:26

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Presidenti Bajram Begaj firmosi sot disa dekrete që lidhen me ndryshime dhe emërime në strukturat drejtuese të Forcave të Armatosura.

Kreu i Shtetit dekretoi lirimin e Nënadmiral Adnand Dëfrim Agastra nga detyra e Komandantit të Forcës Detare. Po sot, Begaj dekretoi Kundëradmiral Arsen Burhan Mullaj në detyrën e Komandantit të Forcës Detare.

Presidenti Begaj firmosi edhe dhënien e gradave madhore për disa drejtues të Forcave të Armatosura. Kështu, Presidenti gradoi me gradën “Gjeneral Brigade”, Kolonel Razije Kadri Mehmeti, e cila mban detyrën e drejtores në Drejtorinë e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak J-9 në Shtabin e Përgjithshëm të FA.

Koloneli Fatmir Sadri Neziraj, drejtor në Drejtorinë e Operacioneve dhe Stërvitjes J-3/7 në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, është graduar me gradën madhore “Gjeneral Brigade”.

Gjithashtu, Presidenti Begaj dekretoi me gradën “Gjeneral Brigade” Kolonel Edmond Abaz Vocin, Komandant i Qendrës së Kontroll Raportimit në Forcën Ajrore.

/e.i/j.p/

The post Begaj dekreton kundëradmiral Arsen Mullajn komandant të Forcës Detare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rikonstruksioni i stadiumit “Myslim Koçi” në Gramsh, Duka: Futbolli duhet të zhvillohet në çdo qytet

16 January 2026 at 12:56

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Federata e Futbollit, në bashkëpunim me Bashkinë Gramsh, ka nisur punimet për rikonstruksionin e stadiumit “Myslim Koçi”, një tjetër investim i rëndësishëm në funksion të përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe zhvillimit të futbollit në të gjithë vendin.

Ky projekt synon krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive, veçanërisht për ekipet vendase dhe moshat e reja.

Me nisjen zyrtare të punimeve, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, inspektoi nga afër procesin e rikonstruksionit gjatë një vizite në Gramsh, ku u prit nga Kryetari i Bashkisë, Besion Ajazi. Gjatë inspektimit, Presidenti Duka u njoh në detaje me projektin, i cili parashikon rikonstruksionin e dhomave të zhveshjes, ndërtimin e tribunës së re, modernizimin e ambienteve ndihmëse, si edhe instalimin e tapetit me bar artificial në fushën e stadiumit “Myslim Koçi”, duke e përshtatur atë me standardet bashkëkohore për zhvillimin e ndeshjeve dhe stërvitjeve.

Presidenti Duka vlerësoi projektin për stadiumin e Gramshit, duke e cilësuar si një impiant modest, por modern, që plotëson standardet për zhvillimin e ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare të nivelit të dytë.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar falënderoi Bashkinë Gramsh për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e futbollit, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të futbollit në çdo qytet të Shqipërisë.

“Kënaqësi për mua të jem sot në Gramsh bashkë me Kryetarin e Bashkisë për të inspektuar punimet e ndërtimit të këtij stadiumi, modest por modern, i bukur, i cili plotëson të gjitha kushtet për organizimin e ndeshjeve jo vetëm të kampionatit kombëtar shqiptar, por edhe internacionale deri në një lloj niveli, pra një stadium i kategorisë së dytë”, tha ai.

“Dua ta falënderoj kryetarin e bashkisë për bashkëpunimin në ndërtimin e stadiumit, por jo vetëm kaq, por për të gjithë bashkëpunimin në zhvillimin e futbollit edhe në këto anë, sepse futbolli nuk luhet vetëm në Tiranë, Durrës apo në qendrat e mëdha urbane, por duhet të luhet në çdo cep të Shqipërisë, në çdo cep të globit”, cilësoi Duka.

Kënaqësi që ju keni 250 fëmijë që luajnë futboll në zonën e Gramshit, keni një ekip vajzash që është nga më kualitativët në kampionatin kombëtar shqiptar dhe uroj që të kemi edhe me djemtë të njëjtin sukses që keni edhe me vajzat. Jam shumë i sigurt që stadiumi i ri dhe fusha tjetër që do të bëhet për stërvitje pas stadiumit, do t’i shërbejë jo vetëm ekipit të vajzave, por edhe ekipit të djemve për të shkuar akoma më përpara.

Kryetari i Bashkisë Gramsh, Besion Ajazi falënderoi Presidentin Duka dhe FSHF-në për mbështetjen e dhënë për zhvillimin e futbollit në Gramsh, duke e cilësuar stadiumin e ri si një investim shumë të rëndësishëm për qytetin, ekipet dhe moshat e reja.

Ai theksoi se impianti do të jetë modern dhe i kompletuar me të gjitha ambientet e nevojshme, duke u shndërruar në një vlerë të shtuar për komunitetin dhe brezat e rinj.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka gjatë inspektimit të punimeve të stadiumit në Gramsh
1 nga 4
default

/e.i/j.p/

The post Rikonstruksioni i stadiumit “Myslim Koçi” në Gramsh, Duka: Futbolli duhet të zhvillohet në çdo qytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Deputetët, të mikpritur të kontribuojnë në fazën përmbyllëse të negociatave

16 January 2026 at 12:48

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar u ndal te rëndësia e fazës përpara përmbylljes së negociatave duke kërkuar kontributin e sa më shumë përfaqësuesve.

Rama tha se edhe më herët e ka theksuar gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare në nisje të mandatit, që faza informuese duhet të jetë shumë më tepër në vëmendjen e grupit parlamentar dhe të Qeverisë, dhe këtu Rama përfshiu edhe drejtuesit e grupit të PS dhe dy ministret që drejtojnë negociatat.

“Kjo është pjesa që lidhet me fazën përpara përmbylljes së negociatave mbi cilindo tekst. Duhet shumë më tepër punë për t’u shpjeguar me grupin dhe për t’u dëgjuar nga grupi. Duhet shumë më tepër informacion i ndërsjellë në mënyrë që të gjithë deputetët, të cilët për shkak të përkatësisë në komisione apo për shkak të ekspertizës së tyre mund të kontribuojnë në një proces draftimi, të jenë të informuar dhe të mikpritur të kontribuojnë”, tha Rama.

“Kështu që këtë format të sotëm, që është një format i domosdoshëm për më tutje, natyrisht jo me të gjithë ngarkesën e sotme, por me pika specifike dhe me një pikë gjithmonë të përbashkët për procesin e negociatave për draftet që janë në proces, për draftet që vijnë më pas, do ta zhvillojmë çdo muaj”, pohoi Rama duke iu referuar mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së.

/e.i/j.p/

The post Rama: Deputetët, të mikpritur të kontribuojnë në fazën përmbyllëse të negociatave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bie niveli i ujërave në tokat e përmbytura në qarkun e Shkodrës

16 January 2026 at 09:25

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Situata në territorin e qarkut Shkodër, paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim gradual.

Në përditësimin e situatës, Prefektura Shkodër njofton se në zonën e Dajçit vërehet rënie e nivelit të ujit, ndërsa te “Urrelat e Shirqit” nuk ka më prani uji. Aksi rrugor i Obotit vijon të ketë prezencë uji rreth 20–30 cm, por me tendencë rënieje të vazhdueshme.

Prefektura e qarkut Shkodër informoi se transporti i banorëve në zonat e prekura vijon të realizohet nga Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, me një automjet me kalueshmëri të lartë dhe 5 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në territorin e bashkisë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo situata emergjente.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike. Niveli i lumit Drin në Bahçallëk është në kuotën 7.2 m, ndërsa lumi Buna regjistrohet në kuotën 8.30 m në Pazar dhe 6.40 m në Dajç. Hidrovoret e Velipojës vijojnë të funksionojnë normalisht në kuotën -1.90 m dhe punojnë në kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve.

Nga DRV Shkodër raportohet se nuk ka probleme me qarkullimin rrugor. Në akset malore rekomandohet qarkullimi me goma dimërore dhe/ose zinxhirë.

Sipas Prefekturës Shkodër, kontraktorët e mirëmbajtjes rrugore shprehen se qarkullimi në akset Qafë Mali – Fierzë dhe K/Hadroj – Q/Bënë kryhet me goma dimërore/zinxhirë.

Akset rrugore Dedaj–Razëm, Bogë–Qafë Thore-Theth dhe Hani Hotit-Vermosh janë të kalueshme, por kërkohet respektim rigoroz i rregullave të qarkullimit, sinjalistikës dhe përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, vijon të jetë në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën.

/e.i/j.p/

The post Bie niveli i ujërave në tokat e përmbytura në qarkun e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Hoxha: Arsimi i lartë rrugëton bashkë me Shqipërinë drejt BE

15 January 2026 at 15:17

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha tha sot, arsimi i lartë duhet të konsiderohet një investim dhe jo barrë për administratën shtetërore, pasi është një faktor i rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes evropiane.

Hoxha e bëri këtë deklaratë gjatë Konferencës së Rektorëve, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro dhe 40 rektorët e universiteteve publike dhe private.

Në aktivitetin e organizuar si një bisedë e hapur për cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, Hoxha tha se kjo konferencë është kthyer në një organizëm aktiv që ndikon në përditshmërinë e punës së secilit.

“Kësaj konference i është bashkangjitur me iniciativën e Kryeministrit edhe Komiteti i Politikave të arsimit të lartë, si një strukturë akademike dhe përfaqësim i institucioneve publike dhe jopublike të arsimit të lartë për një bashkëbisedim më afër të Qeverisë me nevojat, sfidat dhe kërkesat reciproke midis arsimit të lartë dhe këshillit të ministrave”, tha Hoxha.

Rektori Hoxha shtoi se procesi i transformimit të arsimit të lartë lidhet edhe me një pikë tjetër të rëndësishme që kalon nga vendi ynë dhe që është ajo e perspektivës dhe afërsisë së dukshme të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Arsimi i lartë është porta hyrëse që duhet të konsiderohet si një investim dhe jo si një barrë për administratën shtetërore. Arsimi është një faktor i rëndësishëm që rrugëton bashkë me Shqipërinë drejt BE dhe hapësirës evropiane të arsimit të lartë”, përfundoi Hoxha.

/e.i/j.p/

The post Hoxha: Arsimi i lartë rrugëton bashkë me Shqipërinë drejt BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pastrim i vijës bregdetare në Velipojë nga mbetjet e ardhura nga vërshimi i lumenjve

15 January 2026 at 13:48

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Punonjës të shërbimeve publike janë angazhuar për largimin e mbetjeve në plazhin e Velipojës.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau foto nga ky aksion në bregdetin e Velipojës, ndërsa tha se fundjava do e gjejë këtë plazh gati për pushuesit edhe në dimër.

Për shkak të motit të keq të ditëve të fundit dhe si pasojë e vërshimit të lumenjve, në bregdetin e Velipojës kanë dalë mbetje të ndryshme. Ndaj, punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të bashkisë Shkodër, janë angazhuar për pastrimin e këtij bregdeti dhe rikthimin në gjendjen e duhur.

Aksionet për pastrimin dhe mbajtjen pastër të vijës bregdetare do të intensifikohen gjatë muajve në vijim, në prag të sezonit veror, për të garantuar një vijë bregdetare të pastër dhe mikpritëse për qytetarët vendas dhe turistët e huaj.


/e.i/

The post Pastrim i vijës bregdetare në Velipojë nga mbetjet e ardhura nga vërshimi i lumenjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

9% raste pozitive me COVID 19 nga 20 mijë testime të shpejta gjatë 2025-ës

15 January 2026 at 11:23

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Virusi i Covid 19 vijon të qarkullojë në vend, vite pas përfundimit të pandemisë që solli emergjencë shëndetësore në të gjithë botën dhe ndryshoi mënyrën e jetesës.

Kështu, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor informoi se gjatë vitit 2025 për periudhën janar-dhjetor, janë kryer 20,048 testime të shpejta (RT) për COVID-19, nga të cilat rreth 1,793 kanë rezultuar pozitive, që përbëjnë rreth 9% të totalit.

Testet e shpejta për Covid 19 vijojnë të mbeten një nga mjetet kryesore për identifikimin e hershëm të infeksionit me SARS-CoV-2.

Ndërsa në vend qarkullojnë virozat stinore, ka ende të prekur nga Covid 19.

Testimi i hershëm mbetet një nga mënyrat më të rëndësishme për të frenuar përhapjen e COVID-19 dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

Testet e shpejta për Covid 19 dallohen për lehtësinë e përdorimit dhe përgjigjen e shpejtë, zakonisht brenda 15–20 minutash. Ato janë të përshtatshme për përdorim në kushte shtëpie, qendra shëndetësore apo institucione, duke ofruar një orientim të shpejtë mbi gjendjen shëndetësore të personit të testuar.

/e.i/j.p/

The post 9% raste pozitive me COVID 19 nga 20 mijë testime të shpejta gjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

590 hektarë tokë bujqësore me prezencë uji në Shkodër

15 January 2026 at 09:01

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Prefektura e qarkut Shkodër bëri sot një përditësim të situatës pas reshjeve të dendura dhe motit të keq të ditëve të fillimjanarit.

Nga monitorimi i vazhdueshëm gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, Prefektura Shkodër cilëson se situata hidrologjike paraqitet e përmirësuar, me reduktim të ndjeshëm të sipërfaqes së tokës bujqësore me prezencë uji.

Sipas njoftimit, nga rreth 760 hektarë me prezencë uji ditën e djeshme, sot sipërfaqja ka arritur në 590 hektarë, si rezultat i tërheqjes së niveleve të ujit në zonat e prekura.

Sipas matjeve të realizuara sot në orën 06:30, nivelet e ujit janë në rënie, Buna – Ura e Pazarit: 8.40 m, Drini – Bahçallëk: 7.80 m dhe Buna – Dajç: 6.38 m.

Në njoftim thuhet se në fshatin Obot dhe Njësinë Administrative Dajç është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 20 cm, krahasuar me ditën e djeshme. Po ashtu, vihet re zbritje e nivelit edhe në liqen, duke ndikuar pozitivisht në normalizimin e situatës.

Në rrugën drejt fshatit Obot, qarkullimi sot realizohet me mjete të ushtrisë, duke garantuar lëvizjen dhe aksesin për banorët dhe shërbimet.

Prefektura Shkodër cilëson se sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji është në Bërdicë rreth 10 hektarë, në Velipojë rreth 90 hektarë, në Dajç rreth 70 hektarë dhe Ana e Malit rreth 420 hektarë, totali llogaritet në 590 hektarë.

Reduktimi i sipërfaqes së përmbytur konfirmon trendin pozitiv dhe stabilizimin gradual të situatës.

Mjetet dhe strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri, ndërsa monitorimi i situatës hidrologjike vazhdon pa ndërprerje.

/e.i/j.p/

The post 590 hektarë tokë bujqësore me prezencë uji në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pas përmbytjeve, rruga e Gjatit në Gjirokastër e kalueshme

14 January 2026 at 22:50

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Reshjet intensive të ditëve të fundit janë ndërprerë, ndërsa puna për sistemimin e dëmeve vijon pa ndërprerje edhe në Gjirokastër, si në të gjithë vendin.

Kryebashkiaku Flamur Golemi deklaron se strukturat bashkiake janë të angazhuara maksimalisht për rikthimin e normalitetit në zonat e prekura.

Sipas tij, ndërhyrjet po kryhen me durim dhe përkushtim, duke përdorur të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike, kudo ku ka nevojë. “Reshjet intensive ikën, por ne s’e ndalim punën për të sistemuar gjithçka të dëmtuar. Me durim e përkushtim e me të gjitha kapacitetet që kemi po ndërhyjmë kudo ku ka nevojë. Lajm i mirë që sot bëmë të kalueshme edhe rrugën e Gjatit”, shprehet Golemi.

Bashkia Gjirokastër garanton se monitorimi i situatës do të jetë i vazhdueshëm dhe çdo problematikë do të trajtohet në kohë.

/e.i/a.f/r.e/

The post Pas përmbytjeve, rruga e Gjatit në Gjirokastër e kalueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mesfushori Qëndrim Ismajli firmos për KF Teuta

14 January 2026 at 22:25

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Qëndrim Ismajli është bashkuar me skuadrën e Teutës. Ky lajm është bërë i ditur nga klubi, nëpërmjet një njoftimi për mediet.

Klubi i Futbollit Teuta njofton se mesfushori Qëndrim Ismajli është zyrtarisht futbollisti më i ri i kësaj skuadre.

Sipas njoftimit, 26-vjeçari i bashkohet Teutës nga KF Tirana, ku me paraqitjet e tij ka spikatur si një nga lojtarët më të dalluar të kampionatit, duke treguar cilësi, eksperiencë dhe stabilitet në repartin e mesfushës.

Ismajli ka luajtur me ekipe si Gjilani, KF Dardana dhe Flamurtari. Eksperienca me Tiranën ka qenë aventura e parë në Shqipëri, ndërsa tani është bashkuar me fanellën e “Teutës”.

/e.i/a.f/r.e/

The post Mesfushori Qëndrim Ismajli firmos për KF Teuta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARrSh: Rruga e Thethit e hapur për qarkullim, pas mbylljes për shkak të ortekëve

14 January 2026 at 20:35

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Rruga e Thethit është aktualisht e hapur për qarkullimin e mjeteve, pas një mbylljeje të përkohshme për shkak të rrezikut nga ortekët.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARrSh) bën me dije se ky aks është tashmë i kalueshëm për automjetet.

ARrSh njoftoi sot se pas reshjeve të dendura të borës, në një segment me gjatësi rreth 550 metra, ishte prezent rreziku i ortekëve nga lartësitë e shpateve. Ky rrezik shtohet gjatë orëve të mesditës me diell, kur fillon procesi i shkrirjes së borës.

Për këtë arsye, gjatë ditëve me mot të kthjellët dhe për arsye sigurie, ARrSh thekson se do të ketë mbyllje provizore të qarkullimit deri në orët kur temperaturat ulen dhe bora ngrin sërish.

Sipas ARrSh-së, qarkullimi gjatë intervaleve me rrezik do të realizohet me asistencën e punonjësve të kompanisë së mirëmbajtjes, e cila është e pranishme në terren në çdo moment.

Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e vazhdueshëm të situatës dhe do të informojnë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejshëm.

/e.i/r.e/a.f/

The post ARrSh: Rruga e Thethit e hapur për qarkullim, pas mbylljes për shkak të ortekëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Superliga, Vllaznia mund Egnatian, barazim mes Elbasanit e Flamurtarit

14 January 2026 at 19:54

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Dy ndeshjet e tjera të luajtura sot të vlefshme për Javën e 19-të të Superiores, janë mbyllur njëra në barazim dhe tjetra me triumfin e skuadrës së Vllaznisë.

Elbasani-Flamurtari u luajt në “Elbasan Arena” dhe u mbyll me rezultatin barazim 1-1.

Elbasani dominoi ndeshjen deri në minutën e 80-të. Goli i verdhebluve erdhi nga penalltia me Diallon në minutën e 73-të, ndërsa në minutën e 80-të Oshafi vendosi baraspeshën për vlonjatët.

Në përfundim të 19 javëve, Elbasani mban vendin e dytë me 3 pikë më pak se Egnatia kryesuese. Flamurtari ndërkohë renditet i parafundit, teksa numëron 4 pikë më pak se Vora që ndodhet jashtë zonës së ftohtë.

Ndërsa, ndeshja Vllaznia-Egnatia përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të Vllaznisë.

Aksioni spektakolar i finalizuar nga Kallaku në minutën e 27-të, do të vuloste fitoren e Vllaznisë. Shkodranët u mbrojtën me kujdes duke mbajtur sa më larg portës së tyre rrogozhinasit, të cilët u ndalën para portës shkodrane në disa raste gjatë ndeshjes.

Sot u luajt dhe sfida mes Tiranës dhe Bylisit në Ballsh, ku bardheblutë triumfuan me rezultatin 1-0.

/e.i/r.e/a.f/

The post Superliga, Vllaznia mund Egnatian, barazim mes Elbasanit e Flamurtarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vakancat në Gjykatën Kushtetuese, KED cakton relatorët

14 January 2026 at 17:30

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) me përbërjen e re të zgjedhur me short nga Presidenti i Republikës, zhvilloi mbledhjen e tij të parë në ambientet e Gjykatës së Lartë.

KED vlerësoi se, me konstituimin e tij, duhet të angazhohet menjëherë për të përmbushur të gjitha kompetencat dhe detyrimet që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji, të cilat lidhen me verifikimin, vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për pozicionet vakante për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilli realizoi procedurat e shortit elektronik për caktimin e anëtarëve relatorë për vendet vakante të cilat janë aktualisht në proces shqyrtimi pranë KED.

Në mbledhjen e KED, u caktua që vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese, i shpallur nga organi i emërtesës Presidenti i Republikës, më datë 30.10.2025 të ketë relatore Afërdita Ndoin për kandidatët: Arta Vorpsi, Brunilda Bara, Genci Gjonçaj.

KED caktoi relator Alfred Progonati për kandidatët: Lulzim Hamitaj, Jordan Daci, Naureda Llagami, Roland Ilia.

Gjithashtu, në mbledhje u caktua relatore Ornela Naqellari për kandidatët: Alaudin Mala dhe Alban Toro.

Për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, i rishpallur nga organi i emërtesës Kuvendi i Shqipërisë, më datë 10.12.2025 relatore u caktua Afërdita Ndoi për kandidatët: Arta Vorpsi dhe Genci Gjonçaj.

KED caktoi relatore Klodiana Veizin për kandidatët: Fatmira Luli, Helena Papa, Lulzim Karini.

Njëherësh, KED caktoi relator Alfred Progonatin për kandidatët: Jordan Daci, Lulzim Hamitaj, Naureda Llagami, Roland Ilia.

KED theksoi në njoftim se krahas angazhimit maksimal të këtij këshilli, shpejtësia e procesit të verifikimit, besueshmëria dhe integriteti i tij varet gjithashtu edhe nga kontrolli dhe informacionet që duhet të dërgohen nga institucionet publike e subjektet private, të cilat, sipas dispozitave ligjore, duhet t’i kthejnë përgjigjet në kohën më të shpejtë të mundshme, me informacione të plota dhe të sakta në shërbim të realizimit me sukses të misionit kushtetues e ligjor të KED.

Nga mbledhja e KED
1 nga 3

/e.i/a.f/r.e/

The post Vakancat në Gjykatën Kushtetuese, KED cakton relatorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌