Tre muaj pasi i paditi për shpifje dhe fyerje, kompania që ka ndërtuar dhe operon hidrocentralet në zonën e Zall-Gjoçajt duket të jetë tërhequr. Gjykata e Lezhës vendosi sot të pushojë çështjen ndaj tre banorëve të zonës pasi përfaqësuesit e “Seka Hydropower” nuk u paraqitën.
“Ne kërkojmë drejtësi dhe e drejta do të dalë një ditë”, tha Dhimitër Koleci, pas vendimit.
Mosparaqitja e “Seka Hydropower,” si paditëse, ndodhi edhe pse ishte renë dakord për seancën e sotme nga të dyja palët.
“Gjykata vendosi pushimin e gjykimit, sepse vete kodi i procedurës penale parashikon që nëse nuk paraqitet kërkuesi apo përfaqësuesi i tij ligjor gjykimi pushohet”, u shpreh për Citizens.al Tauland Asllanaj, avokat i dy prej tre banorëve të paditur.
Të paditurit ishin Dhimitër Koleci, Adem Xhokola dhe Jorgji Locaj. Ajo bazohej në deklaratat për mediat dhe komunikimet e banorëve gjatë protestave, ku ata ngritën shqetësime për ndikimin e hidrocentraleve në lumin Flim dhe Urakë.
Më 26 nëntor 2025, ishte zhvilluar seanca e pajtimit ku kompania pati kërkuar që banorët të kërkonin falje për deklarata e tyre publike. Kërkesë që ishte refuzuar nga banorët, të cilët theksonin se padia ishte një përpjekje për t’i intimiduar për angazhimin si aktivistë kundër projekteve të hidrocentraleve.
“Palët nuk gjetën dakordësinë dhe për këtë shkak u la seanca sot,” tregoi avokati Asllanaj.
“Janë rregullat proceduriale që në momentin që dështon seanca e pajtimit dhe vijon gjykimi thërritet edhe një përfaqësues i Prokurorisë”, vijoi ai.
Sipas avokatit Asllanaj kjo ishte një përpjekje për të intimiduar aktivistët. Ai argumentoi se padia ishte e targetuar te personat më të zëshëm në protesta.
“Diskutimet apo pretendimet për shprehje fyese lidheshin thjesht me pretendimet e banorëve për të gëzuar të drejtën për ujë”, tha avokati.
Kompania pretendonte se këto deklarata i kanë dëmtuar imazhin. Ndërkohë, banorët dhe aktivistët e shihnin çështjen si një padi tipike SLAPP, e përdorur për të frenuar protestat dhe zërin kundërshtues të komunitetit. Kjo pasi nëse ata shpallen fajtor rrezikojnë një gjobë të konsiderueshme nga 50,000 deri në 3,000,000 lekë.
“Kemi përballë një firmë të fuqishme që është e lidhur me shtetin, nuk janë njerëz të thjeshtë”, u shpreh Dhimitër Koleci pas pushimit të çështjes.
“Rasti i kësaj firme, kishte avokat atë që ka Belinda Balluku. Ajo që i ka dhënë licencën dhe ka formosur për këto HEC-e,” tregoi më tej Koleci.
Për çështjen e hidrocentraleve në Zall-Gjoçaj, banorët janë në procese gjyqësore.
Kronologjia e ndjekjes së çështjes në rrugë ligjore:
• 2019 – Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën për pezullimin e punimeve. • 2020 – Gjykata Administrative rrëzoi padinë për ndalimin e HEC-eve. • 2021 – Gjykata anuloi licencën e dhënë nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) për HEC-in “Zajs” brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj. • 2021 – Gjykata rrëzoi padinë kundër institucioneve që dhanë lejet. • 2021 – Apeli lë në fuqi vendimin për anulimin e licencës së ERE-s ndaj HEC-it “Zajs”. • 2022 – ERE zbaton vendimin dhe i heq licencën HEC-it “Zajs”. • 2022 – Gjykata e Lartë konfirmon përfundimisht heqjen e licencës kompanisë “Seka Hydropoëer” për një nga HEC-et. • 2025 – Gjykata Administrative e Apelit lë në fuqi ndërtimin e HEC-eve në Zall-Gjocaj.
Zvarritja e vendimmarrjes për imunitetin e zv.kryeministres Belinda Balluku riktheu sot protestat qytetare përpara Kuvendit.
Këshilli i Mandateve shtyu sërish mbledhjen, edhe pse ishte paralajmëruar se do të merrte një vendim këtë javë.
Ndërkohë, edhe Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi pezullimin Ballukut, e cila mban njëherësh edhe postin e ministres së Infrastrukturës.
Aktivistë dhe qytetarë e cilësuan këtë situatë si një zvarritje të qëllimshme të procesit.
Të indinjuar nga mungesa e ndëshkimit për korrupsionin e pretenduar nga hetimet e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), dhjetëra protestues u mblodhën sot përpara hyrjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ata shpalosën një banderolë me mesazhin: “Për drejtësi deri në fund!”.
“Kërkojmë në mënyrë të menjëhershme ndërprerjen e këtij procesi farsë, mbledhjen urgjente të Këshillit të Mandateve dhe trajtimin e çështjes me transparencë të plotë,” theksoi Sidorela Vatnikaj, nga organizata “Drejtësi Sociale”.
Sipas saj, çdo shtyrje tjetër përbën një akt të vetëdijshëm kundër demokracisë dhe vullnetit qytetar.
Gjatë protestës, aktivistët hodhën dhjetëra çelësa përpara hyrjes së Kryesisë si shenjë simbolike e një prej pretendimeve të ngritura, sipas së cilave dyshohet se numri dy i qeverisë ka kapitalizuar pasuri të majme nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin.
“A ka hall më të madh për qytetarin, kur prokuroria thotë se një ministër është duke vjedhur?” drejtoi si pyetje retorike Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, teksa akuzoi disa deputetë se po bllokojnë qëllimisht procesin.
Qiraxhi përmendi me emra Niko Peleshin, Taulant Ballën, Blendi Çuçin, Ulsi Manjën dhe Blendi Çomon, duke i cilësuar si pengues të drejtësisë.
“Kudo në botë shqiptarët mund të blejnë një shtëpi. I vetmi vend ku nuk munden, është Shqipëria,” tha ai në përmbyllje.
Aktivisti Andi Tepelena solli në vëmendje edhe pasojat sociale të qeverisjes. Ai theksoi emigrimin masiv të të rinjve duke referuar si shifër se 79% e studentëve synojnë të largohen nga vendi.
Kjo ishte protesta e dytë e këtij grupimi. Në dhjetor 2025, ata protestuan bashkë me Partinë Mundësia me moton “Peshku qelbet nga koka”.
Çfarë dimë deri më tani?
Që prej vjeshtës së vitit 2025, zëvendëskryeministrja Balluku është në qendër të një procesi hetimor dhe politik, që përfshin akuzat penale të SPAK, vendimet e gjykatave, si dhe ndërhyrjen institucionale të nivelit të lartë.
Në nëntor 2025, SPAK i bëri ballafaqim Ballukut dhe ish-drejtorëve të ARRSH-së, nën varësi të saj, me akuzat për shkelje të procedurave të prokurimit në projekte të mëdha, përfshirë tenderët për Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës, me vlerë qindra miliona euro.
Hetimi përfshinte pretendime se një grup zyrtarësh kishte favorizuar kompani të caktuara në shkelje të ligjit të prokurimeve. SPAK kërkoi më pas pezullimin nga detyra dhe një ndalim të daljes nga vendi për Ballukun, si masa sigurie.
Më 20 nëntor 2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i miratoi masat e kërkuara.
Kryeministri Edi Rama reagoi publikisht kundër vendimit të GJKKO-s, duke e cilësuar ndërhyrje të paprecedentë të sistemit të drejtësisë në funksionimin e ekzekutivit dhe e çoi çështjen para Gjykata Kushtetuese.
Kjo solli një konflikt kompetencash mes institucioneve, duke reflektuar tensione rreth ndarjes së pushteteve.
Më 12 dhjetor, me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi ta rikthejë në detyrë Ballukun, duke pezulluar përkohësisht efektet e vendimit të GJKKO-s deri në shqyrtim të mëtejshëm.
Vendimi u arrit pas një ankimi të Kryeministrit dhe u argumentua se masa e pezullimit nga detyra kishte krijuar mosmarrëveshje kompetencash në interpretimin e ligjit kushtetues mbi imunitetin dhe funksionimin e përgjithshëm të ekzekutivit, pra qeverisë.
Pas kësaj lëvizjeje, SPAK kërkoi zyrtarisht heqjen e imunitetit të Ballukut me synimin për të vendosur ndaj saj një masë më të fortë sigurie, çka nënkupton arrestimin.
Më 17 dhjetor, Kuvendi i mohoi anëtarëve të Këshillit të Mandateve dosjen hetimore duke e argumentuar këtë si informacion “sekret hetimor”. Ekspertët e quajtën vendimin absurd.
Gjykata Kushtetuese njoftoi të martën se i nevojitej më shumë kohë për t’u shprehur për çështjen e pezullimit nga GJKKO-ja, qëndrim që u përdor nga shumica socialiste si argument për të frenuar procesin e shqyrtimit të imunitetit të Ballukut.
Kuvendi miratoi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin Penal. Qeveria i paraqiti ato si “harmonizim me standardet evropiane”. Por në praktikë, ndryshimet prodhuan forcim selektiv të shtetit ndëshkues, përmes një procesi të shpejtë dhe politikisht të mbyllur.
Paketa u votua rreth orës 03:00 të mëngjesit, vetëm me votat e shumicës socialiste. Ajo përfshinte rreth 50 ndryshime dhe shtesa në Kodin Penal, mes tyre edhe dekriminalizimin e pjesshëm të shpifjes, përmes ndryshimit të Nenit 120.
Kodi Penal, i miratuar fillimisht në vitin 1995, ka pësuar tashmë 26 ndërhyrje në 31 vite. Dhjetë prej tyre kanë ardhur pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Frekuenca e ndryshimeve tregon për mungesën e stabilitetit dhe vizionit afatgjatë.
Ndryshimet e fundit qenë propozuar në tetor 2025. Ato pasuan draftin e një Kodi të ri Penal, prezantuar në korrik nga Ministria e Drejtësisë. Drafti i Kodit të ri u përball me kritika të forta nga juristë, akademikë, media dhe shoqëria civile dhe për rrjedhojë qeveria e tërhoqi pa e çuar në Kuvend.
Kështu, në vend të një reforme të plotë, shumica zgjodhi rrugën e arnimeve. Ndryshime të pjesshme, të shpërndara dhe pa një debat të gjerë publik. Pyetja mbetet: A përmbush kjo qasje pritshmëritë e integrimit evropian? Sipas qeverisë, po, por rruga e ndjekur nuk bind.
Edhe pse në mandatin e katërt, shumica socialiste shmang ende kostot politike të një Kodi të ri Penal. Një reformë e tillë kërkon debat, konsensus dhe balancë mes sigurisë publike dhe të drejtave themelore. Elemente që munguan në procesin e fundit të përmbyllur mëngjesin e së mërkurës.
Çfarë përfshijnë ndryshimet?
Paketa zgjeroi juridiksionin penal për shtetasit e huaj rezidentë në Shqipëri, edhe për vepra pjesërisht të kryera jashtë territorit. U përjashtuan nga parimi i “dënueshmërisë së dyfishtë” disa krime të rënda, përfshirë trafikun e qenieve njerëzore dhe abuzimin seksual me të mitur.
Pati rishikime dhe nene specifike për të luftuar terrorizmin. Ndërkohë, u shtuan dënime plotësuese në rastet e refuzimit të ekstradimit dhe ndalimin e ushtrimit të profesioneve që përfshijnë kontakt me fëmijët për persona të dënuar për vepra penale. U forcuan ndëshkimet për pornografinë, shfrytëzimin dhe krimet seksuale ndaj të miturve, me dënime që shkojnë deri në 20 vjet burg.
Një ndryshim domethënës ishte heqja e (pikës 7 të Nenit 28) mundësisë për ulje ose përjashtim nga dënimi për anëtarët e grupeve kriminale, edhe kur bashkëpunimi i tyre mund të jetë vendimtar për zbardhjen e veprimtarisë kriminale. Ky hap ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e hetimeve komplekse dhe vetë luftën ndaj krimit të organizuar.
Në të njëjtën paketë, u përfshi edhe një nen i posaçëm (Neni 143/a/8) për “Mashtrimet që prekin interesat financiare të Bashkimit Evropian”. Keqpërdorimi i fondeve të BE-së tashmë dënohet me burgim deri në 5 vjet, ose deri në 10 vjet kur shuma e keqpërdorur kalon 50 mijë eurot.
Por pa zbardhjen dhe ndëshkimin e rasteve konkrete, veçanërisht atyre që lidhen me fondet IPARD, ky nen rrezikon të mbetet deklarativ. Një sinjal formal drejt BE-së, më shumë sesa një mjet real llogaridhënieje.
Neni në fjalë do të mbetet si njollë e turpshme e abuzimeve.
Shpifja, gazetarët dhe parkimi dysh
Paketa dekriminalizoi pjesërisht (Nenin 120) shpifjen, por vetëm për një kategori të paqartë “gazetarësh të regjistruar dhe të njohur”. Fyerja do të vijojë të mbetet vepër penale. Kështu qeveria duket se po synon të krijojë një regjim të dyfishtë mbrojtjeje duke hapur rrugë për interpretime selektive.
Cilësimi “i njohur” dhe me “regjistër” për gazetarët lë vend për një zhvillim paralel në kuptimin e kërkesës së mundshme për licencim apo të një lloji “Urdhri të gazetarit” apo “punonjësve të medias”.
Kjo shihet si një mënyrë për ta kufizuar lirinë e shprehjes, pasi gazetarët e lirë, ose qytetarët e angazhuar, apo sinjalizuesit që do të shprehen për çështje të caktuara, do të vijojnë të përballen me format penale të “shpifjes”.
Paralelisht, dhuna ndaj gazetarëve tashmë do të trajtohet si “goditje për shkak të detyrës” (Neni 237), me dënime nga një deri në pesë vjet burg. Sigurisht, një masë pozitive, por e shoqëruar me një mekanizëm problematik të përkufizimit të gazetarit lë vend për interpretime.
Kështu, në praktikë, shteti shmang dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe mban sërish në dorë instrumentet e presionit ligjor.
Por problemi i paketës nuk qëndroi vetëm te çfarë nuk dekriminalizoi, por edhe te çfarë zgjodhi të kriminalizojë.
Mes ndryshimeve u përcollën dispozita që e shtrijnë dorën e Kodit Penal në sjellje të përditshme, të cilat deri dje trajtoheshin administrativisht, pra me gjoba.
(Neni 293/1) “Pushimi i mjetit në karrexhatë në rresht të dytë” tashmë do të trajtohet me masa më të ashpra penale.
Në një vend ku ka mungesë të theksuar infrastrukture parkimi, rregullimi penal i këtij fenomeni u shfaq si zëvendësim i politikës edukuese dhe planeve afatgjata urbane me një politikë ndëshkuese.
Ky është thelbi i problemit: Qeveria po përdor Kodin Penal për të kompensuar dështimet e saj në administrimin publik.
Në vend të zgjidhjeve strukturore, ajo zgjedh të tutelojë qytetarët përmes frikës së ndëshkimit “me gjobë ose një vit burg”.
Amendamenti që nuk kaloi
Në fund të seancës u diskutua propozimi i bërë një ditë më parë nga deputeti socialist Erion Braçe për ashpërsimin e (Nenit 288) ndëshkimeve ndaj shitjes së duhanit dhe cigareve elektronike për të miturit.
Amendamenti parashikonte gjoba deri në 500,000 lekë dhe burgim deri në 16 vjet në rastet kur tregtia sillte si pasojë vdekjen.
Propozimi nuk u mbështet nga shumica socialiste, e cila abstenoi. Në një paketë që nuk heziton të kriminalizojë parkimin në rresht të dytë, mbrojtja penale e shëndetit të të miturve u la jashtë.
Ky kontrast ekspozon natyrën selektive të reformës, ose mungesës së diskutimeve të gjera për ndërhyrje.
Kodi Penal nuk forcohet aty ku interesi publik është i pakontestueshëm, por aty ku shteti kërkon kontroll dhe veprim të shpejtë.
Në këtë panoramë, ndryshimet e fundit nuk përbëjnë një reformë penale. Ato janë një seri masash ndëshkuese, të mbledhura nën flamurin e “harmonizimit evropian,” por të udhëhequra nga logjika e menaxhimit politik të rrezikut.
Kodi Penal po shndërrohet gradualisht në një instrument për të mbuluar dështimet e politikave publike. Sa më pak funksionon shteti, aq më shumë zgjerohet qasja ndëshkuese me shtojca nenesh.
Në këtë kuptim, votimi i mëngjesit të hershëm të së mërkurës nuk është fundi i këtij debati. Kodi i ri Penal do të vijë sërish për t’u diskutuar, por arnat janë sinjali se Shqipëria po vijon fazën ku ligji penal përdoret si zëvendësim i qeverisjes dhe jo si mjeti fundit i aplikimit të drejtësisë.
Sot, përpara nisjes së seancës plenare, për miratimin e një pakete ndryshimesh ligjore në Kodin Penal, organizata të medias dhe të shoqërisë civile kundërshtuan propozimin që ofron një lloj dekriminalizimi të pjesshëm të shpifjes.
Shumica socialiste është shprehur vazhdimisht se po punon për përshtatjen e një sërë projektligjesh me direktivat evropiane, kjo nën qëndrimin “konform integrimit” të vendit në Bashkimin Evropian.
Një prej këtyre ndryshimeve është thënë të jetë dhe dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët. Konteksti penal i shpifjes dhe fyerjes është trajtuar prej vitesh si instrument presioni ndaj lirisë së shprehjes, gjë për të cilën shteti shqiptar është kritikuar vazhdimisht nga organizatat ndërkombëtare, të gazetarëve dhe shoqërisë civile.
Kërkesa ka qenë e njëjtë: dekriminalizim i plotë i shpifjes. Por, me ndryshimet e propozuara në tetor 2025 – të dërguara në Kuvend për miratim sot – qeveria ofron dekriminalizim të pjesshëm dhe sinjalizon qartë për kufizim “me regjistër” të profesionit të gazetarit.
Paketa e dërguar në parlament parashikon përjashtim penal vetëm për shpifjen. Ai vlen për gazetarë “të regjistruar dhe të njohur” teksa fyerja mbetet vepër penale si një rrugë alternative përndjekjeje dhe që ruan ende efektin frenues mbi shprehjen publike.
Sipas propozimit, (që ndryshon Nenin 120 për Shpifjen): “Një gazetar i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi, […] nuk mban përgjegjësi penale për veprën e shpifjes […] kur:
qëllimi është informimi i publikut mbi çështje me interes;
në momentin e publikimit, nuk ka […] dijeni se informacionet faktike janë të rreme dhe ka bërë përpjekje të arsyeshme për të verifikuar saktësinë e tyre;
pasi të jetë informuar […] se informacionet janë haptazi të rreme […], ai vepron pa vonesë për të bërë një përgënjeshtrim ose sqarim;
Pavarësisht “dëshirës së mirë” siç e kanë cilësuar vetë organizatat e medias dhe shoqërisë civile përpjekjen për mbrojtjen e gazetarëve nga shpifja, propozimi ka ngritur shqetësime serioze. Organizatat e kundërshtojnë dekriminalizimin e pjesshëm dhe të kushtëzuar të shpifjes.
Çfarë kërkojnë organizatat?
Dispozita që synon mbrojtjen e gazetarëve nga shpifja, u miratua fillimisht nga Komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike më 21 janar.
“Ne i njohim dhe i vlerësojmë hapat pozitivë të ndërmarrë deri tani, megjithatë teksti që pritet të votohet nuk e realizon dekriminalizimin e plotë” tha gjatë një deklarate përpara Kuvendit, drejtuesja e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SciDev), Blerjana Bino.
Sipas saj, liria e shprehjes duhet të mbrohet për shkak të funksionit që i shërben interesit publik dhe jo për shkak të statusit profesional të folësit.
Dispozita e propozuara, pretendon se mbrojtja do t’i sigurohet vetëm gazetarëve të regjistruar apo të akredituar nga një strukturë, e cila ende nuk dihet se nga kush do të përfaqësohet. Gjithashtu fyerja mbetet vepër penale, e cila shpesh përdoret edhe si instrument për të intimiduar, sulmuar dhe heshtur gazetarët.
Në kritikën e saj, Bino vijoi më tej se Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një sistem regjistrimi të gazetarëve. Sipas saj kjo praktikë krijon pasiguri juridike dhe rrezikon të hapë rrugën për mekanizma kontrolli mbi gazetarinë, në kundërshtim me parimet themelore të lirisë dhe pavarësisë së medias.
E së treti, sipas deklaratës së mbajtur nga drejtuesja e SciDev, kjo nisëm përjashton aktorë të tjerë të rëndësishëm të interesit publik: organizata të shoqërisë civile, aktivistë, studiues, sinjalizues dhe qytetarë, të cilët luajnë një rol thelbësor në debatin dhe sistemin demokratik ku shpesh përballen me presione ligjore që kanë efekt frenues mbi shprehjen e lirë.
Vetë organizatat e medias dhe shoqërisë civile kanë qenë pjesë e vazhdueshme e tryezave dhe konsultimeve përpara publikimit zyrtarë të kësaj iniciative nga Komsioni Parlamentarë, por dhe një herë ata u ndjenë “të prerë në besë”.
“Pavarësisht konsultimit që ne i bëjmë në mënyrë të vazhdueshme, mazhoranca është e aftë që brenda ditës, të ndryshojë mendim,” tha me zhgënjim Isa Myzyraj, drejtues i Asociacioni të Gazetarëve të Shqipërisë.
Mbi këtë nisëm kanë reaguar edhe ekspertë e gazetarë të tjerë në hapësirën online.
“Nuk njoh asnjë koleg profesionist qe është ndjere i frikësuar nga shpifja ne versionin aktual në Kodin Penal, ndërsa mbi amendimin e ri, ai e kriminalizon rëndë shpifjen në emër të dekriminalizimit,” është shprehur eksperti i komunikimit, Elvin Luku.
Për çështjen u shpreh edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila është kryetare e Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Sipas saj, Kodi Penal do të përdoret nga qeveria si kërcënim ndaj gazetarëve dhe fjalës së lirë.
“Qeveria vendosi që Nenin 119, pra fyerjen, të mos e prekë. Ndërkohë që Neni 120 ta prekë pjesërisht dhe të përcaktojë grupin e individëve që do të jenë jashtë veprave të Kodit, pra jashtë kërcënimit me burg”, tha Tabaku.
Rishikimin e kuadrit penal që lidhet me shpifjen, e kanë kërkuar edhe me anë të një letre të hapur 18 organizata të shoqërisë civile.
Kuvendi i dha fund dialogut me median, kur me forcën e kartonit shumica socialiste rrëzoi, javën e shkuar, në komisionin e ligjeve një paketë ndryshimesh ligjore, përmes ndërhyrjeve në Kodin Penal, të propozuar nga gazetarët dhe grupet e shoqërisë civile, që synonin “dekriminalizimin e shpifjes”. Përgjatë ditës së sotme Kuvendi do të miratojë në seancë plenare variantin e qeverisë, i cili u kritikua menjëherënga komuniteti mediatik, si dekriminalizim jo i plotë. Kështu, si pasojë e nenit 120 të Kodit Penal, lënë në fuqi, aktivistët, apo të tjerë pjesëmarrës në debatin publik që ngrenë çështje të interesit të përgjithshëm, apo që kritikojnë politikat e qeverisë dhe punën e autoriteteve publike, mund të vijojnë të përballen më padi penale për shpifje.
Disa organizata të shoqërisë civile janë deklaruar për dekriminalizimin e plotë të shpifjes, duke argumentuar se dënimi penal nuk përbën një masë proporcionale për mbrojtjen e reputacionit dhe se kriminalizimi i shpifjes frenon lirinë e shprehjes dhe cenon sigurinë e individëve në një shoqëri demokratike.
Por kjo përplasje ndikon edhe mbi një tjetër rrethanë: për natyrën e vërtetë të dialogut mes qeverisë dhe gazetarëve që operon, strukturalisht, qysh prej janarit të shkuar me mbështetjen e ndërkombëtarëve e që udhëhiqet nga Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, në koordinim me Departamentin e Gazetarisë dhe të Komunikimit
Ajo tregoi se “aleanca” mes autoritetit dhe medias me qëllim rregullimin e kësaj të fundit nuk është e natyrshme dhe se një utopi e tillë nuk duhet ushqyer.
Kështu, rreth një vit më parë, qeveria dhe komuniteti i gazetarëve u përfshinë në takime të organizuara për të përmirësuar legjislacionin për lirinë e shprehjes, transparencës dhe pronësisë së medias. Takimet fituan reputacionin e një platforme të besueshme diskutimi, rezultati i së cilës, në formën e rekomandimeve të përbashkëta e të konsultuara mes palëve, iu dorëzuan Kuvendit të Shqipërisë nëntorin e shkuar.
Por, çka nisi si bashkëpunim me energji të mirë mbaroi javën e shkuar në sallën e Komisionit të Ligjeve dhe Administratës Publike, kur drafti i parë i ndryshimeve, që kishte të bënte me dekriminalizimin e shpifjes – një aspiratë e kahershme për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të gazetarëve – u rrëzua e bashkë me të edhe fryma e bashkëpunimit.
Në vijim, qeveria ofroi një draft dekriminalizimi të sajën (i pakonsultuar), i cili pritet të kalojë gjatë ditës së sotme në seancë plenare, në një sallë që kontrollohet nga një shumicë e cilësuar socialiste. Një shumicë, e cila, qoftë edhe vetëm për shkak se në prag të integrimit mbi të janë drejtuar të gjithë prozhektorët e Brukselit, duke u treguar e butë, do të mundej të pranohej më lehtësisht. Por, më shumë se demonstrim force, kemi të bëjmë me “thyerje” pa asnjë argument, pa asnjë justifikim. Është e kuptueshme se në mungesë të tyre ajo që mund të ofrojë Kuvendi mbetet “dhuna” e kartonit.
Po çfarë do të ndodhë me rekomandimet e tjera në vijim? Shpresat për marrjen në konsideratë janë të pakta. Për momentin situata është paralizuese dhe fryma e dialogut ka rënë. Duket se “Platforma” nuk u kujdes më për to, pas dorëzimit në Kuvend. Kuvendi caktoi ekspertë, të cilët do të merrnin përsipër përshtatjen e rekomandimeve, por mori të njëjtët që kishin kontribuar edhe në Platformë, duke i vënë nën varësinë e Kuvendit, çka krijoi mbivendosje.
Mbivendosja u zgjerua me përfshirjen e disa organizatave të tjera për vlerësimin e rekomandimeve, duke evidentuar një ndarje në komunitetin e gazetarëve. Do të ishte më e dobishme që në këtë fazë ekspertiza t’i shërbente përmirësimit të teknikës legjislative e jo mbishkrimit të rekomandimeve. Nga ana tjetër nuk është e qartë se kush i cakton prioritetet dhe afatet për përmbushjen e rekomandimeve dhe në këtë pikë roli i “Platformës” është i zbehtë. Në muajt e ardhshëm pritet trajtimi i padive SLAPP (Strategic lawsuit against public-participation), hartimi i një ligji të posaçëm për shpifjen dhe fyerjen, nën procedura civile dhe ndryshimi i ligjit për “mediat audiovizive”. Por rekomandimet shkojnë përtej.
Prej tre muajsh, ato qëndrojnë mbi tryezën e komisionit të të drejtave të njeriut në Kuvendin Shqipërisë, nën kujdesin dhe përgjegjësinë e deputeteve bashkë-drejtuese të tij: Jorida Tabaku (PD) dhe Iris Luarasi (PS). Por pritshmëritë për një mbështetje të suksesshme të rekomandimeve ranë javën e shkuar, me rrëzimin e propozimeve për dekriminalizimin e shpifjes. Znj Tabaku i prezantoi si nismë personale (të konsultuara edhe me grupet e interesit, por pa përmendur punën dhe kontributin e Fakultetit), ndërsa znj. Luarasi abstenoi miratimin e propozimeve në komision.
Akoma më befasues është fakti se edhe mendimi i ekspertëve të kontraktuar nuk u mor parasysh gjatë diskutimeve në Komision. Paketa për dekriminalizimin e shpifjes iu propozua Kuvendit nga znj. Tabaku në 12 nëntor, kur rekomandimet sapo ishin depozituar. Por ndryshimet e propozuara nuk ndryshuan as në fund, ndonëse përgjatë dy muajve në vazhdim, organizatat dhe ekspertët ofruan sugjerime dhe mendime të ndryshme, Nisur nga ky fakt, mund të ngrihet një pyetje: kujt i takojnë propozimet e 12 nëntorit, të njëjtat që iu prezantuan Komisionit javën e shkuar?
Ndonëse kjo dilemë reflekton paqëndrueshmërinë ePlatformës, çka na ndihmon për të kuptuar se çfarë duhet ndrequr në të ardhmen, një gjë mbetet serioze: ndërhyrja e qeverisë, përmes një drafti alternativ ndryshimesh. A rrezikojnë rekomandimet e tjera të pësojnë njëjtin fat?
Në fillim të procesit, Gonzato dhe Rama garantuan se nuk do të kishte përplasje, por dialog. Duket, se të paktën njëri nga të dy ka ndryshuar mendje. Nëse kjo është vërtet arsyeja, kujt i shërben sot platforma e dialogut? Duke qenë e shpërfillur nga qeveria, e përdorur nga Kuvendi, me fare pak mundësi për të ndryshuar klimën e nxehtë mediatike, qoftë edhe pas një pune një-vjeçare diskutimi mes palëve, a nuk do të ishte më e moralshme që platforma të mbetej jashtë këtij operacioni që fuqizon vetëm pushtetin?
Në fund të fundit, pse duhet të jemi ne ata që ua japim këtë pushtet?
Qytetarë të Kamzës u mblodhën pasditen e së hënës në një protestë të thirrur para bashkisë nga Lëvizja Bashkë kundër rritjes së çmimit të biletës së transportit urban.
Prej disa muajsh, Këshilli Bashkiak i Kamzës ka vendosur rritjen e biletës për linjat Kamëz-Tiranë dhe Kamëz-Paskuqan. Çmimi u rrit me 10 lekë (25%) duke shkuar në 50 lekë për çdo udhëtim.
“Anëtarët e këshillit nuk janë zgjedhur për t’iu shërbyer privatëve, por qytetarëve,” u shpreh Emiljando Kita nga Lëvizja Bashkë teksa theksoi përmes megafonit para bashkisë se pensionistët dhe studentët do të duhet ta kishin transportin falas dhe jo më të shtrenjtë.
Në protestë morën pjesë edhe pensionistë, të cilët ndanë për Citizens.al shqetësimet për të ardhurat e ulëta, të cilat nuk u mjaftojnë për shpenzimet minimale. Sipas tyre, rritja e biletës është një barrë shtesë për përditshmërinë.
“Unë e kam shtëpinë te karburanti Nokia, për të hipur deri në Institut duhet të paguaj 50 lekë, ose 14 mijë lekë (abonoja). Unë sa u bë 14 mijë nuk e kam marrë më”, u shpreh një pensioniste e pranishme në protestë.
Protestues të tjerë vunë theksin te rritja e kostos së jetesës duke kujtuar se çmimet janë rritur ndjeshëm edhe te produktet e shportës dhe tanimë, me këtë prirje, edhe transporti publik po bëhet më i papërballueshëm, sidomos për ata të cilëve u duhet të lëvizin me dy-tre autobusë çdo ditë.
Sipas qytetarëve, vendimi është marrë pa konsultim publik dhe pa një analizë të mirëfilltë. Ata e cilësuan rritjen si kosto të drejtpërdrejtë për familjet.
“Si kryefamiljare me dy fëmijë, […] kjo na kushton deri në 50 mijë lekë të reja në vit,” theksoi një qytetare e Kamzës e pranishme në protestë.
Vendimi i rritjes së çmimit të biletës u miratua me shumicë të cilësuar të Këshillit Bashkiak: 39 votuan “pro” nga 41 gjithsej. Votat erdhën nga të dyja krahët politikë.
“39 këshilltarët që ju keni votuar ju kanë tradhtuar!” theksoi gjatë protestës Klodi Leka nga Lëvizja Bashkë.
Sipas drejtuesit të Lëvizjes, Arlind Qori, nuk ka asnjë studim ekonomik që justifikon rritjen e dy prej linjave kryesore të Kamzës. Ai tha se mungojnë të dhënat mbi kostot dhe përfitimet e kompanisë duke nënkuptuar se vendimi favorizon kompaninë private që operon linjat.
“Nuk pati as pesë minuta diskutim publik,” tha Qori. “Vendimi u mor me mospërfillje ndaj qytetarëve.”
“Me neglizhencën më të madhe […] kanë vendosur sikur përpara tyre të mos kishin njerëz, të mos kishin qytetarë, por të kishin dele që ulin kokën përpara të zotit”, theksoi Qori.
Kjo ishte protesta e dytë para Bashkisë Kamëz. Ajo pason një peticion me mbi 2 mijë firma të çuar përpara nga Lëvizja Bashkë kundër rritjes së biletës.
Pas një kërkese të Lëvizjes, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) ka konstatuar konflikt interesi mes këshilltarëve bashkiak që morën pjesë në votim.
Sipas ILDKPKI-së, pjesëmarrja e Bardhok Osmanit në votim ishte në kundërshtim me ligjin pasi ai është anëtar i Këshillit Bashkiak dhe njëkohësisht administrator i kompanisë “Shpresa-al” që operon të dyja linjat.
41 organizata mjedisore nga 28 shtete iu drejtuan kryeministrit Rama me një deklaratë publike për të pezulluar çdo nismë ndërtimi në ishullin e Sazanit. Reagimi vjen pasvizitës së Ivanka Trump dhe Jared Kushnernë Vlorë të mërkurën, të cilët u pritën nga Kryeministri Rama në një darkë private me një grup arkitektësh.
“Projekti “Investim Strategjik me Procedurë të Veçantë”, i miratuar në janar 2025, parashikon ndërtimin e një resorti luksoz. Zhvillimi i propozuar do të përfshinte ndërhyrje në një sipërfaqe prej 45 hektarësh në Ishullin e Sazanit, duke ngritur shqetësime serioze për ndikimin e tij në mjedis dhe përputhshmërinë me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë”, thuhen në letrën drejtuar kryeministrit dhe Ministrisë së Mjedisit.
Sipas deklaratës ishulli i Sazanit rrethohet nga Parku Kombëtar Detar, i klasifikuar si Park Kombëtar e po ashtu si Zonë Veçanërisht e Mbrojtur me Rëndësi për Mesdheun.
“Ishulli i Sazanit njihet si pjesë e një Zone Kyçe për Biodiversitetin (KBA)3 dhe Zone të Rëndësishme për Shpendët (IBA), brenda zonës KBA/IBA4 5 të Gjirit të Vlorës, Karaburunit dhe Malit të Çikës”, thekson më tej letra, e cila nga organizatat mjedisore shqiptarë është nënshkruar nga PPNEA (Protection and Preservation of natural Environment in Albania), Eco Albania dhe REC Albania (Resource Environmental Center Albania).
Sipas letrës publike, ujërat e Sazanit ofrojnë habitate me vlerë dhe jetike për gjitarin detar më të rrezikuar globalisht, fokën e Mesdheut.
“Ndërtimi i një resorti luksoz, me ndërhyrje infrastrukturore në shkallë të gjerë si trafiku detar, rrugët dhe sistemet e kanalizimeve, përbën një kërcënim serioz për këto habitate delikate. Ndërhyrje të tilla sjellin zhurmë, ndriçim artificial, ndotje dhe rritje të pranisë së njeriut, të cilat mund të largojnë jetën e egër nga zonat kritike, përfshirë shpellat bregdetare që janë thelbësore për mbijetesën e fokës së Mesdheut”, thuhet më tej në deklaratën e organizatave.
Po ashtu, sipas deklaratës ky projekt bie edhe ndesh me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit të Bashkimit Evropian, e sidomos të hapjes së negociatave të Kapitullit 27 që përmban mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Ata kërkuan pezullim të menjëhershëm të cdo vendimi ekzekutiv apo parlamentar që lidhet me avancimin e këtij projekti, përfshirjen formale të pjesës tokësor të ishullit të Sazanit brenda Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, regjistrimin zytar të ishullit si zonë kandidate Emerald, si pjesë e rrjetit ekologjik të Zonave me Interes të Vecantë për Ruajtje nën kujdesin e Këshillit të Evropës, dhe zbatim të dtyrimeve të Shqipërsië sipas konventae ndërkombëtare për mbrotjjen e natyrës dhe biodiversitetit
Në njëreagim të mërkurën PPNEA theksoi se “rreth 14 kilometra vijë të egër bregdetare që është zonë e mbrojtur, […] planifikohet të shndërrohet në rruge asfalti, drita të forta dhe pallate luksoze, të cilat nuk kanë vend për natyrën e egër dhe komunitetet”.
Ky zhvillim po ndodh teksa Komisioni Evropian i ka vënë kusht Shqipërisë për integrimin mbylljen e kapitullit të mjedisit me ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, i cili i pati hapur rrugë investimeve të tilla në parqet natyrore.
Shqipëria duhet të përshpejtojë reformat për t’u integruar në tregun evropian të energjisë, duke vendosur në qendër të drejtat e konsumatorëve, luftën kundër varfërisë energjetike dhe çmimin e karbonit të emetuar.
Këto ishin disa nga mesazhet kryesore të dala nga Forumi Kombëtar i Energjisë, i organizuar nga Co-PLAN, në kuadër të projektit EFFORT dhe programit GreenAL.
Gjatë forumit, Arben Kllokoqi, drejtues i Grupit të Punës për Mbështetjen Rregullatore pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, theksoi nevojën për ndërmarrjen e një sërë hapash që do ta afronin vendin me standardet evropiane.
“Për tu integruar në treg të BE-së kërkohet që të ketë një udhëzues të qartë se çfarë hapash ligjore dhe implementues duhet të merren deri në vitin 2030. Duhet të bëhet pjesë e skemës së tregtimit të certifikatave të karbonit dhe ky është proces që zgjat dhe sa më herët që të fillohet për tu koordinuar është më mirë”, deklaroi Kllokoqi.
Forumi solli një diskutim politikat kombëtare dhe rajonale energjetike, sfidat që dalin në zbatim në nivel vendor dhe po ashtu përvojën e komuniteteve dhe të shoqërisë civile. E gjithë kjo, me qëllim që Shqipëria të realizojë tranzicionin e saj energjetik në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të drejtë.
Sipas drejtueses së organizatës “Co-Plan”, Anila Bejko, vendi ka bërë hapa të rëndësishëm sa i përket miratimit të ligjit për Ndryshimet Klimatke apo rishikimi i Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën. Megjithatë, sipas saj ka ende një hendek mes ligjeve dhe zbatimit të tyre.
“Vendi ynë vazhdon të jetë i varur në mbi 95% nga hidroenergjia. Kjo varësi e bën sistemin energjetik tepër të brishtë, ku çdo krizë hidrike kthehet në krizë energjetike dhe financiare. Komunitetet energjetike ende nuk kanë një kuadër ligjor funksional, ndërsa konsumatorët dhe prodhuesit përballen me procedura të ndërlikuara”, u shpreh Anila Bejko.
Sipas Bejkos në këto momente ka një nevojë për modernizim të rrjetit dhe integrim të energjisë diellore dhe të erës.
“Po aq i rëndësishëm është integrimi i planifikimit klimatik dhe energjetik në nivel lokal, sepse tranzicioni i gjelbër nuk zbatohet vetëm në ministri, por në bashki”, përfundoi Bejko.
Në forum u theksua se në këtë proces tranzitor të energjisë është e rëndësishme që të ketë bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve, pushtetit vendor, shoqërisë civile dhe komuniteteve lokale.
“Politikat energjetike nuk adresojnë pabarazitë sociale”
Të pranishëm nw forum ishin edhe përfaqësues të organizatave mjedisore dhe të bashkive të vendit. Diskutimi për energjinë dhe klimën erdhi në një qasje më sociale nga Mihallaq Qirjo, pedagog dhe ekspert i mjedisit.
Sipas tij objektivat dhe zhvillimet e politikave energjetike nuk janë të qarta dhe janë ende të pa linjëzuara.
Ndërsa solli në vëmendje faktin se përpos narrativës se vendi ynë mund të përfitojë nga projekti i TAP për gazifikim, në fakt është diçka që Shqipëria nuk e përballon dot.
“Nëse vendi nuk ka gaz natyror i burimit të lirë, BE-ja nuk e mbështet gazifikimin pasi rrit varësinë nga burimet e jashtme”, deklaroi Mihallaq Qirjo.
Në vëmendje u soll edhe energjia e rinovueshme, e cila së fundmi në vendin tonë përmes parqe fotovoltaikë ka marrë një hov të madh. Mirëpo, ende nuk flitet për ndikimet mjedisore dhe sociale që kjo lloj energjie ka për qytetarët.
“Po kthehet si një model i disa HEC-eve të vogla, ku jua merrnin ujin me zor dhe tani ju marrin kullotën banorëve për hir të zhvillimit të energjisë së rinovueshme”, u shpreh Qirjo duke iu referuar projekteve të vogla fotovoltaike që po ngrihen në kullota.
Sipas tij, fakti që jemi kritikë ndaj këtyre zhvillimeve nuk na bën kundër energjive të gjelbra, por kostoja sociale e tyre është shumë e madhe.
“Asnjë nuk diskuton ndikimin mjedisor. Është dhënë leja nga bashkitë në shumë kullota dhe nga një takim që kam pasur me përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve tha ne nuk do ta lejojmë se do të thotë ndryshim i përdorimit të tokës”, solli në vëmendje Mihallaq Qirjo, duke shtuar më tej se kjo deklaratë mesa duket ishte personale për aq kohë sa të gjitha bashkitë po japin licenca për të ndërtuar, mjafton të gjesh tokën.
Një pjesë e mirë e energjisë është e destinuar të eksportohet dhe për aq kohë sa nuk ju kthehet në të mirë qytetarëve, është e rëndësishme të qartësohet në politikat që do të ndërmerren në vijim, nënvizoi më tej Qirjo.
“Politikat energjetike nuk adresojnë pabarazitë sociale. Shqipëria ka 28% të familjeve shqiptare që hasin vështirësi serioze për ngrohjen e mjediseve sipas Eurostat, ndërsa vende të tjera e kanë shumë më të ulët”, deklaroi Mihallaq Qirjo.
Sipas tij, ne po bëjmë investime të mëdha, por pyetja është nëse po ndihmojmë qytetarët apo vetëm disa që kanë mundësi të marrin licenca.
Në përfundim, ai nënvizoi me rëndësi edhe investimin në infrastrukturën energjetike aktuale, pasi çdo vit valët e të nxehtit në verë rrisin presionin mbi infrastrukturën.
“Një javë në dimër bën më ftohtë dhe rritet harxhimi i energjisë, por nuk është më dimri problem, është vera problem që me një infrastrukturë të vjetër dhe jo efikase do të kemi problematika me shpërndarjen e energjisë në territor. Ndryshimet kliatike janë bërë problem i madh”, theksoi Mihallaq Qirjo
18 organizata të shoqërisë civile kërkojnë rishikim të kuadrit penal që lidhet me shpifjen, duke kërkuar dekriminalizim të plotë dhe mbrojtje të barabartë të lirisë së shprehjes për të gjithë individët.
Në një deklaratë të përbashkët organizatat vlerësuan nismën parlamentare që synon shfuqizimin e plotë të neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal, një proces i shoqëruar edhe me konsultim publik, ku shoqëria civile u angazhua në mënyrë aktive. Por shprehën të keqardhur se teksti i miratuar më 21 janar në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike nuk arrin të realizojë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes.
“Kjo qasje devijon nga objektivi fillestar i procesit konsultativ dhe nuk është në përputhje me rekomandimet e kahershme të shoqërisë civile dhe komunitetit të gazetarëve” – citohet në deklaratë.
Organizatat theksojnë se mbrojtja duhet të lidhet me natyrën e shprehjes dhe interesin publik që ajo i shërben, dhe jo me statusin profesional të folësit.
“Versioni i miratuar në Komision dhe që pritet të miratohet në Seancë Plenare së shpejti, përfshin megjithatë disa elemente që përbëjnë hapa përpara” – vijon deklarata.
Ndryshimet pranojnë se raportimi që bëhet për interesin publik dhe me mirëbesim nuk duhet të dënohet penalisht. Ato parashikojnë gjithashtu disa masa mbrojtëse, si përpjekja për të verifikuar informacionin, mundësia për ta sqaruar ose përgënjeshtruar atë dhe dallimi i qartë mes fakteve dhe opinioneve.
Sipas shoqërisë civile, dekriminalizimi i pjesshëm i shpifjes rrezikon të mbetet i pazbatueshëm në praktikë. Së pari, ndryshimi lidhet vetëm me shpifjen, ndërkohë që fyerja (Neni 119 i Kodit Penal) mbetet vepër penale, duke krijuar rrezikun që rastet e shpifjes të paraqiten dhe të trajtohen përmes nenit të fyerjes.
Së dyti, përjashtimi nga përgjegjësia penale kufizohet vetëm për gazetarët “e regjistruar dhe të njohur”, në një kontekst ku Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një sistem regjistrimi të gazetarëve, pasi kjo do të binte ndesh me standardet evropiane të lirisë së shprehjes.
Për më tepër, organizatat joqeveritare, aktivistët, studiuesit, sinjalizuesit dhe qytetarët e zakonshëm nuk përfitojnë nga këto ndryshime, ndonëse ata shpesh përballen me padi dhe presione ligjore që kanë efekt kufizues mbi lirinë e shprehjes.
Për këto arsye, kërkesa e shoqërisë civile mbetet e qartë dhe e përsëritur: Kuvendi i Shqipërisë duhet të ndërmarrë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes për të gjithë individët, duke e lidhur mbrojtjen ligjore me shprehjen në interes publik dhe mirëbesimin, dhe jo me statusin profesional.
“Një reformë e tillë është e domosdoshme për përputhjen me standardet e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Europës dhe për garantimin real të lirisë së shprehjes si e drejtë themelore në një shoqëri demokratike” –përmbyll deklarata.
Ardhja e Ivanka Trump dhe bashkëshortit Jared Kushner në Vlorë të mërkurën, shoqëruar me pritje protokollare dhe një darkë private me kryeministrin Edi Rama, u paraqit publikisht si një vizitë e jashtëzakonshme.
Por, në thelb, vizita e Trump dhe Kushner – të cilët prej vitit 2023 e kanë vizituar shpesh Shqipërinë – ekspozon një model të konsoliduar të vendimmarrjeve të qeverisë Rama: përqendrim të pasurive publike në pak duar, të lidhura me pushtetin politik dhe financiar, tashmë edhe ndërkombëtar, përmes negociatash direkte, pa transparencë, pa garë dhe pa llogaridhënie.
Ky model nuk është i panjohur as në profilin publik të vetë Jared Kushner. Në SHBA dhe Lindjen e Mesme, ai është përballur me kritika të vazhdueshme për ndërtimin e karrierës së tij si sipërmarrës duke përfituar nga pozicioni politik i vjehrrit, Donald Trump, veçanërisht për marrëveshje të mëdha investimi që u realizuan pas përfundimit të mandatit presidencial.
Kritikët kanë ngritur pikëpyetje mbi konfliktet e mundshme të interesit dhe mungesën e ndarjes mes rolit publik dhe përfitimit privat, një debat që sot gjen jehonë edhe në Shqipëri.
Sazani e Zvërneci si “plaçka për t’u falur”
Projekti i propozuar nga Kushner për ndërtimin e resorteve luksoze në Sazan dhe Zvërnecpo përparon përmes një formule që shmang parimet bazë të konkurrencës, aq shumë të kërkuara dhe lavdëruara nga BE për integrimin.
Erdhi si propozim i pakërkuar. Vijoi pa diskutim publik dhe pa tender të hapur ndërkombëtar. Askush nuk di të thotë: A është oferta e Kushnerit më e mira e mundshme dhe a po shihet mundësia që të lejohen investitorë të tjerë në Sazan?
Prej janarit 2025, kur mori statusin e investitorit strategjik, qeveria po negocion drejtpërdrejt me kompaninë “Affinity Partners” (zotëruese e “Atlantic Incubation Partners LLC”) të Kushnerit, e cila pritet të jetë ortake, në kuota shumice, me ndërmarrjen qeveritare “Albanian State Development & Real Estate” (ASDRE), e cila u krijua në qershor.
Grupi negociator përbëhet nga përfaqësues të administratës së Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e vetmja ende në detyrë pas ndryshimeve qeveritare të zgjedhjeve të fundit, ministrisë së Financave, Mjedisit dhe Turizmit.
Paralelisht grupi është përbërë edhe nga përfaqësues të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), dhe Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC). Kjo e fundit e ka përfshirë në hartën e projekteve që synon të zhvillojë.
Pikërisht AIC kontraktoi në shkurt 2025 për rreth 300 mijë eurozyrat ligjore “Tonucci & Partners” dhe “Nexia Consulting” për të forcuar “pozitën e shtetit shqiptar në këtë investim” përmes një “ekspertize ligjore, financiare, teknike dhe mjedisore”.
Nga kjo qasje, kuptohet se qeveria ia dha statusin e investitorit Kushnerit, pa qenë e sigurt për pozitën e saj në propozimin e pakërkuar. Pra, pa e ditur saktë impaktin financiar dhe mjedisor.
Pikërisht për impaktin mjedisor Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe organizata të tjera mjedisore kanë apeluar disa herë shqetësimin se propozimi i Kushnerit prek zona të mbrojtura, veçanërisht Zvërnecin.
Në një reagim të mërkurën PPNEA theksoi se “rreth 14 kilometra vijë të egër bregdetare që është zonë e mbrojtur, […] planifikohet të shndërrohet në rruge asfalti, drita të forta dhe pallate luksoze, të cilat nuk kanë vend për natyrën e egër dhe komunitetet”.
Ky zhvillim po ndodh teksa Komisioni Evropian i ka vënë kusht Shqipërisë për integrimin mbylljen e kapitullit të mjedisit me ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, i cili i pati hapur rrugë investimeve të tilla në parqet natyrore.
Sidoqoftë, vlen të thuhet se për rastin konkret BE ka qendruar e heshtur, pak a shumë si në rastin e Aeroportit të Vlorës, që pritet të ndikojë tejmase në rrjetin e zonave të mbrojtura Vjosë-Nartë.
Citizens.al iu drejtuar të gjitha strukturave të grupi negociator për të marrë informacion për takimet, pozitën aktuale të bisedimeve dhe nëse ka pasur interes nga sipërmarrës të tjerë, veçanërisht kompani shqiptare.
Deri në momentin e botimit të këtij shkrimi, vetëm AIDA dhe AIC dhanë përgjigje duke u kufizuar te theksimi se Affinity Partners mbetet e interesuar ta vijojë projektin dhe se ASDRE nuk po shqyrton asnjë projekt-propozim tjetër në Sazan*.
Nga e gjithë kjo tablo duket qartë se qeveria po e trajton Sazanin dhe Zvërnecin thjeshtë si plaçka për t’u falur, dhe jo si pasuri publike të parikuperueshme që nevojiten të menaxhohen me rregulla.
Zyrtarisht theksi për rastin e Kushnerit vihet te statusi “investitor strategjik”, një etiketë që në praktikë ka shërbyer si çelës për të anashkaluar procedurat standarde, parlamentin, debatin publik mbi kostot, përfitimet dhe rreziqet.
Modeli që përsëritet
Sazani dhe Zvërneci nuk qëndrojnë vetëm. Qeveria Rama ka vepruar ngjashëm duke trajtuar si plaçkë edhe Portin e Durrësit, Portin e Vlorës dhe zonën e mbrojtur përreth Aeroportit të Vlorës.
Porti i Durrësit iu dha sipërmarrësit nga Emiratet, Mohamed Ali Alabbar. Në rastin e tij u bë me ligj të posaçëm, procedurë të përshpejtuar në Kuvend dhe partneritet të paracaktuar në darkën e famshme të qeverisë në restorantin e Nusret Gökçe (njohur si Salt Bae) në Dubai (2021).
Kështu, projekti “Durrës Yachts & Marina” me grupin e Emirateve “Eagle Hills” pati zero debat publik dhe zero konkurrencë. Formula e ktheu Kuvendin në “noter” të një marrëveshjeje të negociuar dhe dakordësuar larg institucioneve dhe vëmendjes publike.
Për Portin e Vlorës, raportimet kanë treguar se qeveria përdori një kombinim të ligjit të investimeve strategjike, formulën “Shqipëria 1 euro” dhe VKM të posaçme, duke lënë pa sqaruar mënyrën sesi u shmang dhe minimizua pjesëmarrja reale e shtetit në projektin e “Marina di Valona”.
Ngjashëm zero debat publik, zero konkurrencë.
Në rastin e Aeroportit të Vlorës, qeveria tregoi se kur do dhe ka vullnet, mund të ndjekë dhe aplikojë procedurat konkurruese të një gare me tender ndërkombëtar pas një ofertë të pakërkuar.
Sigurisht, tjetër gjë se kjo procedurë ishte formale – fillimisht aeroporti iu premtua konsorciumit turk “Cengiz-Kalyon-Kolin Constr.” më pas me procedura të dyshimta iu dha ortakërisë “Mabetex-2A Group” të Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit.
Rastet tregojnë qartë sesi qeveria nuk e mat interesin publik me garë dhe kushte të qarta, por me negocime dhe vendime që merren nëpër tavolina jashtë institucioneve. Për më tepër nga investimet në fjalë qeveria merr përsipër detyrimet për të siguruar infrastrukturën mbështetëse.
Në këtë kuptim Sazani e Zvërneci – historikisht të paurbanizuara, pa furnizimin me ujë dhe energji elektrike – janë thjesht plaçkat e radhës, pasi në rastin e tyre nuk po ndiqet as formalisht procedura e një tenderi apo konkursi ndërkombëtar
Nga renderët 3D te “negociimi” me arkitektët e qeverisë
Për Sazanin dhe Zvërnecin jo vetëm që nuk po duket të ketë garë, por tani duket se vetë projekti arkitektonik po riformatohet, me takime të raportuara mes Ivanka Trump, përfaqësuesve të qeverisë dhe “50-60 arkitektë” që nuk dihet se nga dolën dhe u shfaqën në Vlorë.
Foto e rrjedhur në media nga resorti ku u prit Ivanka Trump, 21 janar 2026.
Mes tyre, nga disa foto që qarkulluan në rrjet, spikati arkitekti japonez Kengo Kuma, i njohur ndërkombëtarisht për stilin modernist. Kuma ishte i ftuar në Shqipëri për festivalin e arkitekturës “Bread and Heart” dhe është projektues i Parkut të Vizitorëve në Butrint.
Nga fotot, duket të ketë qenë e pranishme edhe Adelajda Roka, drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit te Territorit (AZHT), e cila nuk është pjesë e grupit negociator.
Nga kjo dhe prezenca e Kumës, mund të kuptojmë se grupi i arkitektëve në fjalë mund të jetë organizuar nga AZHT.
Prej tetorit 2025, AZHT dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) kanë riorganizuar festivalin “Bread and Heart” në një fondacion. Citizens.alka kërkuar qartësi për objektivin, arsyet dhe mënyrën e këtij tranzicioni.
Por dukshëm, ky riorganizim që ka bërë bashkë arkitektët e preferuar të qeverisë, po merr rol domethënës. Takimi me arkitektët u raportua se kishte në fokus projektet në Sazan e Zvërnec. Kjo nënkupton se tanimë diskutimet kanë kaluar te “si do të bëhet” projekti, jo më thjesht “a do të bëhet”.
Nëse propozimi fillestar i vitit 2024 ishte një “vizion” (render 3D), takimet me arkitektë nënkuptojnë se tani po negociohet përmbajtja e investimit: volumet, ndërhyrjet, infrastruktura, fazat si edhe lehtësitë fiskale.
Por nëse projekti “po rikonceptohet” gjatë negociimit, atëherë justifikimi për “ofertë të pakërkuar” bie, sepse nuk kemi më një ofertë të përcaktuar që vetëm vlerësohet dhe trajtohet, por realisht kemi një bashkë-projektim pa transparencë.
Qeveria shqiptare, edhe pas kërkesave të përsëritura për transparencë, ende nuk ka zbardhur një sërë detajesh: Çfarë do të ndërtohet realisht në në Sazan dhe Zvërnec? Çfarë po ofron realisht qeveria shqiptare: truallin, infrastrukturën, trajtim preferencial apo ekskluzivitet? Çfarë kanë premtuar investitorët dhe e në fund, çfarë përfitojnë qytetarët Shqiptarë?
*Artikulli u përditësua me përgjigjen nga AIC për Sazanin.
Gjatë seancës që zgjati rreth pesë orë, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e kryeministrit Edi Rama për pezullimin nga detyra të zv. Kryeministres Belinda Balluku.
Pas paraqitjes së pretendimit të palëve: Këshilli i Ministrave dhe SPAK, Gjykata Kushtetuese u tërhoq për të shpallur vendimin.
Gjykata pritet të vendosë brenda 30 ditëve lidhur me ligjshmërinë e pezullimit të Belinda Ballukut nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Balluku dhe disa ish-drejtues të ARRSH-së u akuzuanse kanë shkelur ligjin për tenderat si Tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Jashtme e Tiranës, me vlerë 210 milionë euro, për të favorizuar kompani të caktuara. GJKKO e pezulloi zv. Kreyministren nga detyra më 20 nëntor, por Kushtetuesja e riktheu në detyrë pak ditë më pas.
Përplasja midis palëve
Qeveria pretendon se ka një konflikt kompetencash, duke vënë në pikëpyetje faktin nëse a ka apo jo kompetencë Gjykata e Posaçme të pezullojë nga detyra një anëtar qeverie. Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, Eriola Shia tha se vendimi i GJKKO-së ishte një ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv. Ajo analizoi se GJKKO duke pezulluar ministrin nga detyra, ka pezulluar vendimmarrjen jo vetëm brenda ministrisë përkatëse, por edhe vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave në atë fushë.
“Prokuroria e Posaçme pretendon se aktet që nuk propozon dot më ministri, tashmë mund ti propozojë Kryeministri. Ky argument nuk qëndron sepse Kryeministri propozon vetëm akte që nuk i përkasin fushës së asnjë ministrie tjetër dhe që i janë dhënë atij shprehimisht si detyra me ligj të posaçëm” – u shpreh Shia gjatë seancës.
Prokurori i SPAK, Dritan Prençi e ka mohuar mbivendosjen e kompetencave, duke shtruar argumentin se se çdo organ ka kompetencat e veta.
“Është fakt që masa ndaluese prek vetëm individin dhe nuk ndalon funksionimin e institucionit ashtu siç lejon Kushtetuta për rastet e mungesës së përkohshme të ministrit. Masat e pezullimit kanë natyrë të përkohshme dhe janë të nevojshme për të siguruar vijimin e hetimit penal dhe nuk shkaktojnë pasoja të pariparueshme” – tha gjatë seancës Prençi.
Ndërsa Prokurorja e SPAK, Dorina Bejko deklaroi se nëse e hetuara, zv.kryeministria Balluku do të vijonte në detyrë, do të kishte një potencial të lartë “për të helmuar provat”.
SPAK theksoi se masa është marrë ndaj individit dhe jo ndaj funksionit, duke ndikuar kështu si në rolin e zv. Kryeministres, ashtu edhe në atë të ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës.
SPAK replikoi ndaj pretendimeve të qeverisë për pikën 3 të nenit 103 të Kushtetutës, duke thënë se vendimi i GJKKO-së në asnjë rast nuk cenon imunitetin e saj si deputete.
“Ky pretendim është i pabazë, kërkuesi tenton të barazojë funksionin legjislativ të deputetit me funksionin ekzekutiv të ministrit. Kushtetuta nuk e parashikon, mandati i deputetit dhe ministrit nuk krijojnë një status të vetëm juridik”- tha prokurori i SPAK.
Protesta e Partisë “Mundësia”
Gjatë nisjes së seancës së Gjykatës Kushtetuese, Partia “Mundësia” protestoi në “mbështetje të drejtësisë dhe kundër korrupsionit”. Kryetari partisë, Agron Shehaj hyri brenda institucionit për të dorëzuar një peticion të firmosur nga 20 mijë qytetarë. Sipas tij këto firma janë në mbështetje të drejtësisë.
“Do shkojmë në 100 mijë firma dhe këto do të shkojnë në Kongresin Amerikan” – tha Shehaj.
I pyetur nga Citizens.al se pse po i drejtohet institucioneve amerikane, ai sqaroi se reforma në drejtësi ka ndodhur vetëm falë mbështetjes së ndërkombëtarëve dhe ata janë garantuesit e vetëm të drejtësisë.
Deputeti Erald Kapri listoi korrupsionin si faktor kryesor të emigrimit të mijëra shqiptarëve në dekadën e fundit. Ai theksoi se nëse ne nuk e luftojmë këtë fenomen, duke vendosur një standard, e ardhmja e secilit është e rrezikuar.
“Çdo njeri me pushtet, në momentin që kapet duke vjedhur, minimalisht duhet të largohet. Kjo është Evropa ku ne duam të shkojmë!” – nënvizoi Kapri.
Përfaqësuesja e partisë “Mundësia” Barbara Doda tha se çdo njeri i korruptuar, nuk mund të na drejtojë dhe nuk mund të mbajnë më peng vendin tonë.
23% e punonjësve të organizatave të shoqërisë civile nuk e shohin veten në sektor pas pesë vitesh dhe pavarësisht paragjykimeve, pagesat e tyre variojnë nga 40 deri në 80 mijë lekë.
Këto janë disa nga të dhënat e publikimit “Kushtet e Punës në Sektorin e Shoqërisë Civile në Shqipëri”, që u prezantua gjatë një tryeze diskutimi të organizuar nga Rrjeti i Profesionistëve të Rinj.
Të dhënat e një pyetësori me mbi 50 intervista me punonjës të këtij sektori u analizuan nga dy ekspertët, Inva Koçiaj, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë dhe Edison Hoxha nga Qendra për të Drejtat e Punës.
“Të mbingarkuar dhe me kontrata me afat të caktuar”
80% e fuqisë punëtore të Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC-ve) janë vajza dhe gra, ku ndër pozicionet kyçe dallohen koordinatore projektesh, role menaxheriale etj.
Vetëm 33% e të intervistuarve pohuan se kanë një kontratë me afat të pacaktuar, ndërsa 58% e tyre janë me kontrata me afat të caktuar.
“Shpesh herë, për mungesë të burimeve njerëzore, një punonjës është i detyruar të kryejë disa funksione në të njëjtën kohë; duke tejkaluar kohën e rregullt dhe përshkrimin e punës”, tha Inva Koçiaj, dukeshtuar se pasiguria për vendin e punës sjell ngarkesë emocionale.
Sipas anketimit 77% e të intervistuarve tregojnë se janë të mbingarkuar në punë, ndërsa 12% e tyre punojnë më shumë se tetë orë në ditë.
Përmirësimi i kuadrit ligjor, lehtësirat fiskale dhe forcimi i zbatimit të Kodit të Punës për shoqërinë civile, janë ndër sugjerimet kryesore të këtij publikimi.
Edison Hoxha solli shembullin e praktikave të mira evropiane, ku OSHC-të mbështeten me pagesën e sigurimeve shoqërore nga ana e shtetit, apo dhe të pagës minimale.
“Pse jo ambientet që sekuestrohen nga krimi i organizuar, që janë ambiente publike, t’ju ofrohen shoqërisë civile, aty ku është e mundur?”, ngriti pyetjen Hoxha.
“Kemi filluar të flasim për veten tonë”
Rigers Xhemollari tha se shpesh ka qenë në takime ku shoqëria civile ka bërë analiza për të drejtat në punë për sektorë të ndryshëm, por jo për veten e saj.
“Është një arritje që kemi filluar të flasim për veten tonë! Pavarësisht se sektori po kalon një traumë për shkak të reduktimit të fondeve, nuk e shoh një mjedis negativ ku individi të zhvillohet në shoqëri”, shtoi Xhemollari.
Ira Topalli nga Këshilli Kombëtar i Shoqërisë Civile solli shembullin si OSHC-të u trajtuan gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.
“Shteti na tha ju keni fonde, keni donatorë, nuk ka asnjë mbështetje për ju”, theksoi Topalli.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda tha se ka trajtuar ankesa që kanë ardhur nga ky sektor, kryesisht për ndërprerje të marrëdhënies së punës, para se kontrata me afat të mbaronte.
“Më vjen mirë që ka shumë të rinj të angazhuar, por ka kaq shumë kontrata të përkohshme. Nuk ka ndoshta një këmbëngulje të madhe për vazhdimësinë e produktit të projektit, jo projektit në vetvete”, tha Gajda.
Ai theksoi se sektori nuk duhe ta shohë shtetin si donator të organizatave, pasi shteti ka administratën e tij.
“Për garantimin e të drejtave, organizatat duhet të jenë model, nuk mund të çedojnë, sepse i kthehet në degjitimlitet të vetes së tyre; nëse ti lufton për të drejtat, nuk mund të jesh ti i pari që i shkel ato”, përmbylli Komisioneri.
“Zemra blu” e Europës po tkurret shpejt. Shqipëria ka humbur 1,144 kilometra lumenj natyror nga 2018 deri më 2025-ën.
Kjo gjetje vjen si rezultat i një studimi të kryer nga organizatat ndërkombëtare Riverwatch dhe Euronatur që tregon se në më pak se një dekadë Shqipëria ka humbur 28% të lumenjve natyrorë.
Kjo si pasojë e zhvillimit të hidroenergjisë, ndërhyrjeve të pakontrolluara në lumenj për marrjen e ujit dhe ndryshimin e shtretërve.
“Segmentet e lumenjve në gjendje pothuajse natyrore ranë ndjeshëm nga 68% në vitin 2012 në vetëm 40% në vitin 2025. Gjatësia e lumenjve u tkurr nga 3,812 km linearë në 2,668 km linearë brenda vetëm shtatë vitesh (2018–2025)”, thuhet në raport.
Raporti thekson se Shqipëria ka humbur shumë lumenj të paprekur si pasojë e zhvillimit të hidrocentraleve gjatë 10-15 viteve të fundit.
“Ndërsa disa nga lumenjtë si Vjosa dhe Kanioni i Osumit vijojnë të mbetet të paprekur”, thekson raporti.
Ulrich Eichelmann, drejtues i Riverwatch u shpreh se Shqipëria mbrojti me sukses Vjosën dhe disa degë të saj, por shumë lumenj të tjerë u degraduan gjatë dekadës së fundit.
“Këto gjetje duhet të shërbejnë si një kambanë alarmi për qeverinë shqiptare që të mbrojë lumenjtë në të gjithë vendin, jo vetëm në një pellg të vetëm, veçanërisht duke pasur parasysh aspiratat e vendit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian”, deklaroi Ulrich Eichelmann.
Studimi nënvizon edhe shpalljen e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës në mars të 2023-it, duke parandaluar rreth 40 hidrocentrale të planifikuara.
“Megjithatë, të dhënat tregojnë qartë se ndërsa ne festuam këtë fitore, degradimi u përshpejtua në lumenjtë në të gjithë pjesën tjetër të vendit. Shqipëria nuk mund t’i lejojë vetes të humbasë lumenjtë e tjerë të mbetur të egër, ato janë asete natyrore të pazëvendësueshme dhe thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”, u shpreh Dr. Ulrich Schwarz, hartues i studimit.
Besjana Guri, drejtuese e qendrës LUMI dhe fituese e çmimit mjedisor “Goldman” për fushatën e Vjosës, tha për Citizens.al se ky studim evidenton se sa shqetësuese është situata e lumenjve në Shqipëri.
“Është një gjendje aspak e favorshme për natyrën shqiptare, për komunitetet lokale apo edhe bizneset me bazë zhvillimin e turizmit natyror. Nuk mund të sakrifikojmë të gjithë pjesën tjetër të lumenjve edhe pse kemi arritur të mbrojmë pjesën më të madhe të pellgut të Vjosës”, u shpreh Besjana Guri, ndërsa theksoi se Vjosa duhet të shërbejë për institucionet tona si një bazë dhe model për tu ndjekur edhe me lumenjtë e tjerë të paprekur.
Sipas Gurit, ndër shkaqet kryesore të degradimit të lumenjve janë projektet e hidrocentraleve.
“Në 7-8 vitet e fundit lumenjtë tanë kanë pësuar një sulm të njëpasnjëshëm nga këto projekte duke e bërë shumë të vështirë rolin e aktivistëve dhe komuniteteve”, deklaroi ajo.
Gjatë viteve të fundit, Guri u shpreh se shoqëria civile i ka kërkuar qeverisë të pezullojë apo të ndalojë planet e hidrocentraleve si dhe të ndërmarrë strategji kombëtare gjithëpërfshirëse ku të vlerësohet ndikimi i tyre.
“Duke parë situatën alarmante, hidrocentralet e reja të planifikuara ku kryesisht janë HEC-e të vegjël ne 2 MV duhet të ndalohen sa më parë, pasi dëmi qe shkaktojnë në mjedis është aspak i vogël”, shtoi ajo më tej.
Sipas raportit prej vitit 2012 rajoni ka humbur rreth 2,450 kilometra lumenj të virgjër, ndërsa presioni për ndërhyrje vijon. Shfrytëzimi i burimeve ujore për prodhim energjie elektrike ka qenë një nga të paktat politika të pandryshuara gjatë dekadës së fundit në Shqipëri.
Citizens.al ka raportuar më herët se si gjatë 15 viteve të fundit Shqipëria ka mbi 211 hidrocentrale aktive, ndërsa 24 të tjerë janë në proces ndërtimi.
Vrulli për ndërtimin e hidrocentraleve mbetet i pandryshuar që prej vitit 2010, pavarësisht premtimeve për ndalimin e lejeve të reja, ndërsa roli i bashkive mbetet kryesisht administrativ, pa ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje.
Reshjet e shumta të shiut në muajt e fundit përmbytën disa qytete dhe fshatra, duke dëmtuar infrastrukturën dhe izoluar komunitetet.
Në fund të muajit nëntor 2025, fryrja e lumit Shkumbin shembi një urë të ndërtuar në vitin 2007 që lidhte fshatin Xhyrë në Librazhd me rrugën kryesore, duke izoluar rreth 340 familje të zonës për disa javë.
Ngjarja ishte reale, emergjenca po ashtu. Mirëpo, një fenomen i jashtëzakonshëm shoqëroi këtë situatë. Riparimi i urës nga Reparti i Xhenios të Forcave të Armatosura e ktheu atë në një nga objektet më të fotografuara në rrjetet sociale nga politikanët.
Një urë, 13 vizita, 50 fotografi, 6 video, qindra artikuj në media nga Kryetari i Bashkisë Librazhd, deputeti i zonës, Ministrja e Brendshme dhe Ministri i Mbrojtjes.
Politikanët e vizituan urën e Xhyrës para ndërhyrjes, gjatë ndërhyrjes, u kthyen në mes të natës, dhe e përuruan pas rikthimit në funksion.
“Kur emergjenca bëhet skenë”
Me mikrofona të vendosur prej hyrjes në fshat, fjala përshëndetëse “Si jeni, mirë?” përsëritet dhjetëra herë pa mbarim nga kryetari i Bashkisë Librazhd Mariglen Disha dhe deputeti Olsi Komici, ndërsa takojnë në rreshtbanorë dhe punonjës nga reparti xhenio që punonin për ndërtimin e urës.
Gjithë kjo paraqitje sigurisht e shoqëruar me kamera të tyre dhe jo të medias.
“Ne ju dhamë fjalën bashkë me deputetin që ura do të mbarojë para Vitit të Ri dhe ura mbaroi para vitit të ri”, u shpreh drejtuesi i bashkisë Librazhd, Disha.
Narrativë kjo e mbështetur nga deputeti, i cili mes të tjerash tha: “Që kur ka fituar Marigleni, që kur fitova unë, ne çdo ditë të vitit do të jemi me ju, pranë jush, krah për krah jush. Kjo sfidë, ose fatkeqësi natyrore do ta quaja, tregoi atë që ne kemi premtuar. Ne kur japim premtime, ne i mbajmë”, u shpreh deputeti Olsi Komici.
Në fakt, ky është qëllimi pse zgjedhim përfaqësues politikë apo administratorë të parave tona, për të qenë pranë qytetarëve në situata emergjence në rastin konkret, por jo vetëm. Parandalimi duke investuar në infrastrukturë dhe mirëmbajtje të saj është një rast tjetër, që në Shqipërinë e përmbytjeve të fundit nuk rezultuan të tilla.
Videoja shoqërohet me një muzikë që të ndjell një situatë të rëndë, ku nga një moment i vështirë ka pasur shpresë dhe ringritje. Mirëpo, publikimi i parë për këtë urë u krye më 21 nëntor 2025 nga Ministrja e Brendshme, Albana Kociu, e cila inspektoi urën e vjetër dhe vendosjen e perimetrit të sigurisë, duke mos lejuar kalimin.
“Së bashku me strukturat vendore, Policinë e Shtetit, forcat e armatosura dhe ekipet e Mbrojtjes Civile po koordinojmë veprimet për rikthimin sa më të shpejtë të aksesit të automjeteve në urë ndërkohë si alternative po përdoret rruga e vjetër. Angazhimi ynë në terren vijon pa ndërprerje”, u shpreh ministrja asokohe.
Fill pas kësaj, deputeti Komici u duk në terren për të ndjekur situatën, e pasqyruar edhe në rrjete sociale. Mirëpo, ky nuk ishte postimi i tij i vetëm për këtë urë. Pesë postime në rrjetin social Facebook të deputetit kanë ndjekur ndërtimin e urës, gjatë procesit të ndërtimit dhe në orët e mbrëmjes.
“Vijon puna pa pushim për ndërtimin e urës së Xhyrës”, ndau ai më 23 dhjetor 2025 me ndjekësit në rrjetet sociale.
Komunikim ky, i cili u ndoq edhe nga kryebashkiaku Disha, me gjashtë postime të tilla në rrjetin social Facebook, madje edhe në 31 dhjetor.
“Falë reagimit të menjëhershëm dhe bashkëpunimit mes Ministrisë së Mbrojtjes, Forcave të Armatosura dhe Bashkisë Librazhd, u bë i mundur rikonstruksioni i plotë i urës në kohë rekord”, u shpreh kryebashkiaku Disha në Facebook.
Në fillimin e vitit të ri, ura iu rikthye vëmendjes sërish më 16 janar, pasi u vizitua edhe nga Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
“Reagim i menjëhershëm dhe ndërhyrje e plotë për riparimin e urës”, u shpreh në Facebook ministri Vengu, ndërsa përdori këtë vizitë në urën e Xhyrës për të treguar gjithë ndërhyrjet e bëra nga ministria për rehabilitimin e infrastrukturës kritike gjatë kësaj periudhe në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Ndjekur më pas nga një kolazh fotosh nga vizita në terren, pulikuar nga kryebashkiaku Mariglen Disha.
Ura e Xhyrës sot është funksionale, por pikëpyetjet që shtrohen kanë të bëjnë me komunikimin publik në raste emergjencash.
Ecja në këmbë e përfaqësuesve politikë, me mikrofonë të ngjitur në xhaketë të zyrave të tyre të shtypit dhe jo të gazetarëve, duke zhvendosur llogaridhënien nga gazetarët drejt një komunikimi propagandues.
Ura e Xhyrës u rindërtua, e bashkë me të edhe një model komunikimi që e vendos qytetarin në plan të dytë, pas narrativës së suksesit personal e institucional.
Për të tretën herë radhazi, qytetarë dhe mbështetës të Lëvizjes Bashkë protestuan para Kuvendit.
Me thirrjen “Dorëzoni Belindën” ata kërkuan shkarkimin e zëvendës kryeministres Belinda Balluku pas akuzave për korrupsion.
Njëzëri, protestuesit sollën përmes deklaratave të tyre nevojën për reagim të gjerë qytetar përballë aferave korruptive të drejtuesve shtetërorë si dhe në kushtet ku shteti sipas tyre është kapur nga krimi dhe oligarkia.
“Belindën e shohim në takime si ministre edhe nëpër vepra infrastrukturore për të cilat ajo jo vetëm akuzohet për korrupsion, për zhvatje, për ryshfet, por edhe në vepra infrastrukturore, të cilat sot nuk kushtojnë vetëm paratë, por kushtojnë dhe rrezikojnë edhe jetën e njerëzve në të ardhmen”, u shpreh aktivisti politik Klodi Leka duke kërkuar daljes e saj para drejtësisë.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muci u shpreh se vjedhja është normalizuar për 35 vite nga drejtuesit e shtetit sa është kthyer tanimë në virtyt. Ndaj edhe sot, sipas tij në vetëdijen e qytetarëve nëse je i angazhuar politikisht pretendohet të bëhesh një hajdut.
“Po pse thotë, ti po të ishe në vendin e Agasit, Ballukut dhe Ramës, nuk do të vidhje dhe ti? Kaq shumë na e kanë ngulitur në tru hajdutërinë kjo kasë politike saqë fëmijës në djep ndonjë ditë, do ti këndohen bëmat e hajdutit më të famshëm e më të zgjuar”, u shpreh deputeti Muçi për situatën politike në vend.
Sipas tij, ka ardhur koha të flasim për një shtet që përfaqëson shqiptarët për përjashtim.
“Duhet të ketë prioritet kryesor mbrojtjen e shtresave në nevojë; të pensionistëve që ky shtet u ka zhdukur nga regjistrat vitet e kontributit në punë. Të atyre që vdesin të vetmuar nëpër banesat e tyre, të fëmijëve dhe pleqve që lypin rrugëve”, deklaroi deputeti Muçi.
Për aktivistin Enriko Peçuli organizimi në protestë është një domosdoshmëri deri në kushtet kur Edi Rama të dorëzojë Belinda Ballukin dhe “deri sa oligarkët që janë në partneritet me të dorëzojnë privilegjet te njerëzit”.
Peçuli u shpreh se nuk ka si të jetë mirë kur në pallatin e tij uji vjen i ndotur, komshijtë vdesin të vetmuar dhe fëmijët nuk kanë ku të luajnë.
“Nuk jam mirë sepse liberali thotë se e kam unë fajin që nuk po kap paranë, që nuk po punoj më shumë, që nuk po bëj më mirë, që e meritoj qeverinë që kam, që shpresa është vetëm individuale. Po vij në protestë sepse dua të jem mirë, sepse besoj te organizimi i njerëzve nga poshtë”, tha mes të tjerash Enriko Peçuli.
Drejtuesi i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori e zhvendosi narrativën se si duhet të jetë Shqipëria, duke kërkuar një përfytyrim të një vendi, ku të rinjve ju rizgjohet dashuria për shkollën dhe të moshuarit nuk janë më barrë për familjen e tyre.
“A mund ta përfytyrojmë Shqipërinë si një vend ku punëtorit i respektohen të drejtat dhe i del paga. Ku fermerit nuk i shkon në kanal djersa e ballit. Ku çiftet e reja nuk kanë më frikë që të bëjnë fëmijë. Ku profesionistët nuk arratisen nga sytë këmbët, por zgjedhin të kthehen dhe të punojnë e jetojnë në Shqipëri”, renditi më tej drejtuesi i Lëvizjes Bashkë.
Aktivisti dhe pedagogu Gabriel Rakaj solli në vëmendje situatën me të cilën u përball vendi nga përmbytjet dhe korrupsionit me investimet në rrugët kryesore të vendit, duke u shprehur se është fyerje kur trumbetohen si arritje rrugë që kanë zgjatur me vite dhe kanë kushtuar miliarda, por ende kanë probleme.
“Na fyejnë kur thotë për shembull për vendlindjen time Shkodrën se nuk u përmbyt vetëm se nuk doli Drini, Buna, Kiri apo liqeni, ndërkohë tokat bujqësore janë përmbytur në Shkodër e kudo tjetër vetëm nga reshjet. Sepse kanalet nuk janë pastruar, siç ndodhi në Durrës, ku përveç shumë kanaleve, kanali kryesor ishte taposur për ti hapur një rrugë një budallallëku, një maskarallëku të oligarkut të naftës, Shefqet Kastrati”, shtoi më tej në fjalimin e tij Rakaj.
Për pedagogun Ervin Goci komunikimi në televizione është një mbytje e opinionit publik me informacione që nuk kanë lidhje me interesit e sotëm.
“Ne jemi në një situatë ku realiteti po na rrëshket nga duart. Është momenti që secili nga ne të bëjë një pastrim të të gjithë zhurmës mediatike dhe të fillojë të shikojë te komuniteti i vet, te lagjja e vet dhe mbi të gjitha të shikojë cfarë mund të kontribuojë si qytetar dhe jo thjesht si individ”, deklaroi pedagogu Goci.
Dy protestat e para të Lëvizjes Bashkë u zhvilluan më 12 dhe 19 dhjetor 2025, për një buxhet gjithëpërfshirës dhe kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes.
Gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama u shfaq kritik për menaxhimin dhe funksionimin e Radio Televizionit Publik Shqiptar, duke e quajtur atë një dështim. Ai u shpreh se sot nuk kemi televizion publik dhe bilanci është një dështim i suksesshëm, nga borxhi në borxh.
“S’kemi për të dhënë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, deri kur t’i meritojë. Çdo opsion duhet të jetë në tryezë edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, edhe çdo gjë përveç kësaj që është”, u shpreh Rama.
Kjo deklaratë u prit me kritika nga ekspertët, organizatat e angazhuara në lirinë e medias dhe përfaqësuesit e Opozitës.
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, një organizatë e angazhuar në përmirësimin e sigurisë së gazetarëve në Ballkan u shpreh, midis të tjerash, se lidhja e financimit apo ekzistencës së RTSH me miratimin politik minon pavarësinë e tij dhe cenon lirinë e medias.
Ky pasazh i deklaratës u ri-publikua nga Kryeministri Rama në rrjetin social X, shoqëruar me një seri akuzash se ky reagim është dezinformues dhe paraqet një “keqkuptim thellësisht të shtrembëruar” të qëndrimit të tij mbi RTSH. “Vërejtjet e mia nuk kanë lidhje me financimin e RTSH-së me miratim politik”, shkruan Rama në reagimin e tij, të shkruar në gjuhën angleze.
Blerjana Bino, përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt për Shqipërinë, i tha Citizens.al se shqetësimi i tyre nuk lidhet me qëllimin e supozuar të deklaratave, por me parimin e konsoliduar evropian se ekzistenca dhe financimi i mediave nuk duhet të kushtëzohen nga politika.
“Vlerësime si ky janë pjesë thelbësore e punës tonë për të monitoruar rreziqet ndaj lirisë së shprehjes dhe nuk përbëjnë dezinformim”, u shpreh Bino, ndërsa shtoi se prej vitesh ky rrjet ka ngritur zërin për reformimin e RTSH, pasi institucioni ka probleme serioze që nuk zgjidhen me mbyllje, por me reforma që rikthejnë misionin demokratik të televizionit publik.
“Edhe nëse mbyllja do të konsiderohej ndonjëherë si opsion teorik, ajo nuk mund dhe nuk duhet të artikulohet nga Kryeministri: RTSH i përgjigjet Parlamentit, dhe financohet nga tarifa e shërbimit publik (jo nga taksat, siç keqinterpretohet shpesh me qëllim) çka do të thotë se ai u përgjigjet drejtpërdrejt qytetarëve dhe interesit publik”, u shpreh Bino.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) i pa me shqetësim deklaratat e kryeministrit Rama, ndërsa u shpreh se kjo retorikë politike që stigmatizon median publike, pa një analizë të thelluar, cenon parimet themelore të shërbimit publik dhe standardet evropiane për lirinë e medias.
“Televizioni publik nuk është thjesht një ndërmarrje financiare, por një institucion i interesit publik që duhet të garantojë informim të paanshëm, kulturë, edukim dhe akses të barabartë për qytetarët”, tha në deklaratën e tij AGSH.
Sipas AGSH-së refuzimi i financimit publik si mjet presioni politik përbën rrezik për pavarësinë e medias publike, ndërsa shtoi më tej se përgjegjësia nuk mund ti faturohet vetëm RTSH-së.
Ina Zhupa, deputete e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht drejtuese e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik e konsideroi fajtore qeverinë për situatën ku ndodhet televizioni publik, ndërsa ngriti pikëpyetjen se kur dhe pse u krijuan borxhet në RTSH.
“Borxhet dhe situata problematike lindi pikërisht nga kapja politike e RTSH, nga shkelja flagrante e ligjit për Këshillin Drejtues dhe nga emërimet politike të drejtorëve, pa asnjë standard profesional dhe ligjor”, deklaroi Zhupa.
Lufti Dervishi, gazetar dhe ekspert i medias, në një komunikim në rrjetet sociale u shpreh se sot RTSH-ja është në një mentalitet mbijetese dhe nuk ka një raportim kritik ndaj pushtetit. Sipas tij, në një treg mediatik ku interesat e pronarëve mbizotërojnë mbi interesin publik, një media publike e pavarur është domosdoshmëri dhe jo luks.
“RTSH-ja duhet të reformohet, por jo duke u mbyllur në panik, jo duke u privatizuar e as duke u “binjakëzuar” me kulla. Sfida nuk është si t’ua japim privatëve, por si t’ua marrim”, tha Dervishi.
Organizatat e angazhuara për lirinë e medias kërkuan që çdo diskutim për reformim të RTSH-së të zhvillohet në mënyrë të tillë që respekton lirinë e shprehjes, pavarësinë e gazetarisë dhe të drejtën e publikut për tu informuar.
Aktivistë të partisë “Shqipëria Bëhet” mbajtën të shtunën protestën e tretë përpara kryeministrisë. Ata i bënë thirrje qytetarëve të bashkohen “kundër hajdutërisë”. Protesta nisi me dëgjimin dhe këndimin e himnit kombëtar.
“Edi Rama o hajdut, o hajdut”, ishin brohorimat kryesore të turmës drejtuar zyrës së kryeministrit.
“Ky është vlerësimi i qytetarëve për drejtuesin kontemporan, evropian, euro – atlantik të Shqipërisë, që pretendon të kthehet në lider global”, tha Lapaj.
Që nga dita e parë kur e nisi protestën, vetëm “me një karrige”, kryetari i kësaj partie, ka artikuluar një kërkesë të pandryshueshme, dorëheqjen e Kryeministrit. Gjatë protestës, Lapaj kritikoi tentativat e njëpasnjëshme të forcave policore për të intimiduar protestuesit që të ndalin rezistencën.
“Dhunoi, arrestoi, shoqëroi dhunshëm 13 qytetarë të lirë, ndër të cilët Ergys Lanaj, Alfred Matoshi, Eligert Hima dhe Edi Haklaj” – theksoi Adriatik Lapaj.
Në podiumin ku shkruhej “Bashkohu në Protestë” u ngjitën dhe aktivistë të tjerë të cilët folën për probleme të shoqërisë në ikje, mjedisit, korrupsionit etj.
“Prindërit shqiptarë nuk jetuan për veten e tyre, por për ne. Sigurisht u prenë në besë nga ata që e kanë marrë peng këtë vend . Mirëpo ju a nuk mendoni se ka ardhur koha që të faktojmë në shesh se sakrificat e tyre nuk shkuan dëm” – tha gjatë fjalës së saj Najada Kambo.
Erjon Selmani ngriti zërin për shkrirjen e shërbimit pyjor shqiptar. Ai u shpreh se kjo solli papunësi te shumë specialistë që kanë shërbyer për vite me radhë për natyrën shqiptare.
“Përmbytjet nuk janë thjesht vepër e natyrës, por janë vendime të gabuara që ka marrë ky sistem” – pohoi Selmani.
Protesta u mbështet dhe nga grupime qytstarësh si komuniteti durrsak që po proteston kundër projektit TID Durrës.
“Një burracak që lufton kundër një plasmasi” – ju referua Lapaj përpjekjeve të kryeministrit për të heshtur zërat e mbështetësve të tij. Ai tha se as temperaturat e ulëta dhe as dhuna policore nuk do sjellin fundin e kësaj nisme të ndërmarrë që prej 8 Dhjetorit.
Citizens ka analizuar më parë se përpjekja për ta shuar me forcë protestën është joligjore.
Avokati Genti Sejrani tha se motivet e forcave të rendit për të hequr çadrën janë të pavlefshme.
Sipas tij, policia kishte alternativa ligjore për menaxhimin e situatës. Devijimi i përkohshëm i qarkullimit ishte një prej tyre.
“Mund të vendosnin qoftë dhe një polic gjatë ditës, ose natës për të orientuar kalimin e automjeteve,” – ka komentuar avokati më herët.
Radio Televizioni Shqiptarë (RTSH) është vlerësuar mbi mesataren, por me boshllëqe domethënëse për përdorimin etik të inteligjencës artificiale dhe transparencën institucionale. 60 nga 100 pikë ka qenë vlerësimi që i është dhënë Televizionit Publik Shqiptar, nga një raport i cili ka monitoruar shtatë transmetues publik në Ballkanin Perëndimor.
Pikëzimi që ka përdorur “NarativAI” nxjerr në pah sa shpejt po përshtaten mediat publike në rajon me transformimet e menjëhershme që ka sjellë Inteligjenca Artificiale në raportim, ndryshimin e algoritmeve dhe manipulimin digjital.
Më të vlerësuarit në rajon janë BHRT i Bosnje-Hercegovinës dhe RTK i Kosovës, me nga 65 pikë, ndërsa në fund të renditjes qëndrojnë MRTV e Maqedonisë së Veriut dhe HRT e Kroacisë, me nga 50 pikë.
RTSH e Shqipërisë dhe RTCG e Malit të Zi renditen në nivel të mesëm me 60 pikë, duke reflektuar mangësi në transparencë dhe në politikat për inteligjencën artificiale.
Transparencë e kufizuar në RTSH
Në aspektin e transparencës, RTSH ka marrë vetëm 25 nga 50 pikë. Ndërsa në fushën e inteligjencës artificiale, RTSH vlerësohet disi më mirë, me 35 nga 50 pikë.
Raporti shpjegon se monitoruesit kanë tentuar më shumë se 20 herë për të aksesuar Kodin e Etikës, në seksionin e “Transparencës” në uebin online të televizionit, por ka qenë e pamundur.
“Kodi u sigurua përfundimisht përmes faqeve të palëve të treta që monitorojnë median dhe gazetarinë në Shqipëri, dhe jo përmes vetë faqes së internetit të RTSH-së”, citohet në përmbledhjen e publikuar.
Kodi i Etikës i RTSH-së u miratua më 23 nëntor 2016 dhe është një nga dokumentet etike më të gjata në rajon, me gjithsej 55 faqe. Pavarësisht nivelit të detajimit, Kodi nuk është përditësuar për të përfshirë referenca ndaj inteligjencës artificiale, algoritmeve apo medias sintetike, kështu që nuk ka rregulla për përdorimin etik të AI-së në prodhim, verifikim apo vendimmarrje editoriale.
Kodi përfshin rregulla digjitale, duke kërkuar verifikimin e informacionit nga burime jozyrtare para publikimit dhe kontrollimin e fakteve përpara shpërndarjes online. Gjithashtu punonjësve të televizionit nuk u lejohet që të postojnë opinione që dëmtojnë RTSH-në dhe duhet të tregojnë kur postimet janë personale.
“Edhe pse këto elemente digjitale janë të vlefshme, ato nuk janë të mjaftueshme dhe nuk zëvendësojnë nevojën për standarde moderne mbi inteligjencën artificiale, algoritmet ose verifikimin e medias sintetike”, thekson raporti.
Por pikëzimi relativisht i lartë i RTSH-së për gatishmërinë digjitale/AI vjen kryesisht nga rregullat strikte kundër manipulimit teknologjik dhe verifikimit online, jo nga përdorimi i vërtetë i inteligjencës artificiale.
Raporti e paraqet RTSH-në si një institucion që nuk është ndër më problematikët në rajon, por që mbetet larg standardeve më të avancuara të transparencës dhe inovacionit etik. Për të forcuar rolin e tij si transmetues publik, raporti sugjeron nevojën për më shumë hapje ndaj publikut, publikim të qartë të dokumenteve kyçe dhe hartim të politikave të posaçme për përdorimin e inteligjencës artificiale.
Sipas rekomandimeve të “NarativAI” RTSH duhet të bëjë të aksesueshëm Kodine e Etikës në seksionin e Transparencës. Ky kod duhet të përditësohet për të përfshirë standarde moderne për inteligjencën artificiale, algoritmet dhe median sintetike, si dhe të forcojë rregullat për verifikimin e informacionit online. Gjithashtu duhet të krijojë një politikë për përdorimin e inteligjencës artificiale që tregon qartë se çfarë përdorimesh janë të lejueshme, të kufizuara dhe të ndaluara në prodhim dhe punë editoriale.
Citizens ka raportuar në vazhdimësi për procesin e zgjedhjes të drejtuesve të televizionit publik, por edhe krizën financiare në këtë institucion, ngërç i cili ka sjellë që dhjetëra gazetarë e bashkëpunëtorë të mbesin pa paga.
“Nga monitorimi i institucioneve shëndetësore rezulton se nuk ka asnjë ankesë kundër korrupsionit në sektorin e shëndetësisë”. Kjo gjetje vjen nga një raport monitorimi i kryer nga organizata “Together for Life” për mekanizmat që përdoren për ankesat kundër korrupsionit në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri.
Raporti tregon se strukturat formale të antikorrupsionit që ekzistojnë në letër, janë thjesht dekorative, pasi qytetarët shpesh nuk paraqesin ankesa formale edhe kur perceptimi publik për korrupsionin në shëndetësi është shumë i lartë.
Kjo shihet si tregues i heshtjes nga frika, mosbesimi ose mungesa e informacionit, thekson raporti.
“Nuk rezulton të ketë një regjistër të posaçëm për korrupsionin që administrohet nga ky institucion”, thuhet në raport për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërsa përgjatë periudhës janar-dhjetor 2024 nuk ka pasur asnjë ankesë për ryshfet apo korrupsion në shëndetësi.
Sipas raportit në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” nuk ka pasur asnjë rast sinjalizimi as një rrugë shkresore dhe as në rrugë elektronike.
“Kjo situatë nxjerr në pah disa mundësi si mungesa reale e korrupsionit në sektor, mungesa e informacionit për mekanizmat e raportimit dhe njësitë përkatëse, mungesa e besimit te paanësia dhe pavarësia e këtyre njësive, si edhe frika nga hakmarrja pas raportimit ose marrjes së statusit të sinjalizuesit”, thekson raporti
Njëjtë ka raportuar edhe Instituti i Shëndetit Publik, duke u shprehur se “ nuk ka patur asnjë ankesë lidhur me korrupsionin në sektorin e shëndetësisë”. Duke e deleguar më pas të drejtën për t’u informuar në një tjetër institucion sikurse drejtoria përgjegjëse në Ministrinë e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Edhe në Spitalin Universitar të Traumës nuk ka të dhëna për numrin e ankesave të paraqitura, ashtu sikurse është e vështirë sipas raportit të identifikohet edhe përmes regjistrave të publikuar në faqen zyrtare të institucionit.
Asnjë ankesë apo denoncim për korrupsion edhe në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, edhe pse ky institucion sipas raportit ka ngritur një komision të brendshëm për menaxhimin e ankesave.
Situata është e njëjtë edhe për Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OShKSh).
“Nuk ka pasur asnjë kërkesë-ankesë të regjistruar lidhur me pretendime ryshfet/korrupsion pranë këtij institucioni”, thuhet në raport.
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSh) nga ana tjetër ka pohuar mungesën e një strukture të dedikuar për ankesat kundër korrupsionit. Ndërsa ka deklaruar se ankesat pranohen me postë apo e-mail dhe delegohen në drejtoritë përkatëse.
Asnjë ankesë apo denoncim për korrupsion dhe ryshfet nuk ka pasur edhe në spitalin universitar Obstretik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, në spitalin rajonal të Shkodrës dhe Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
Raporti thekson se në disa prej institucioneve të monitoruara ka mbivendosje funksionesh mes njësive për sinjalizimin e korrupsionit dhe koordinatorit kundër Korrupsionit.
“Kjo situatë ka krijuar pasiguri mbi hierarkinë e raportimit, mënyrat procedurale të administrimit të ankesave dhe mbi autoritetin vendimmarrës për adresimin e tyre”, saktëson raporti.
Në institucione të tjera njësitë e ngritura për marrjen dhe trajtimin e ankesave kundër korrupsionit janë në nivel formal, pa pasur një staf të emëruar.
Ndërsa në shumë të tjera mungojnë regjistrat publikë të ankesave, duke e bërë të paaksesueshëm dhe jo transparent për qytetarët, thekson raporti.
Perceptimi i publikut për korrupsionin në shëndetësi
Një studim i kryer nga “Together for Life” për matjen e perceptimit të qytetarëve për korrupsionin në shëndetësi, më shumë se 8 në 10 persona janë të bindur se sistemi shëndetësor në Shqipëri është i korruptuar.
“Perceptimi është i ngjashëm si tek burrat, edhe tek gratë, çka tregon se përvoja e korrupsionit nuk përcaktohet nga gjinia, por prek në mënyrë të barabartë të gjithë popullatën”, përcakton raporti i studimit.
“Kam paguar për një konsultë, pasi data e dalë nga doktori i lagjes donte 1 muaj dhe unë isha për operim. Më duhej përgjigjja e konsultës dhe doktori s’më mori përsipër, por sapo e pagova, më vizitoi menjëherë”, u shpreh një nga qytetarët që morën pjesë në anketim.
Raporti thekson se të anketuarit janë shprehur se ju është dashur të paguajnë paraprakisht për një shërbim mjekësor më të shpejtë dhe më cilësor, i cili në parim duhet t’ju ofrohet falas qytetarëve pa kosto shtesë.
Fill pas përmbytjeve dhe narrativës publike të krijuar së fundmi për menaxhimin e krizave, Kryeministri Edi Rama ka nisur një fushatë linçuese ndaj gazetarëve që kanë mbajtur qëndrime apo kanë ngritur pyetje ndaj qeverisë.
Një javë më parë, Kryeministri në një komunikim në rrjetet sociale, përmes disa fotove me mbetje plastike nga Shkozeti, u shpreh se hedhja e plehrave dhe shisheve plastike nga qytetarët në anë të rrugëve sollën situatën e përmbytjeve pasi ato bllokuan kanalet e kullimit.
Ky postim u shpërnda nga gazetarja Klodiana Lala, e cila ironizoi duke e adresuar problemin real te mos-menaxhimi i mbetjeve pavarësisht investimeve madhore te impiantet si inceneratori i Tiranës.
Kryeministri bëri një reagim pasues me gjuhë përçmuese dhe nuk adresonte asnjë shqetësim të Lalës.
“Një zëdhënës i opinionit publik, me një injorancë të theksuar, u thotë qytetarëve se inceneratori i Tiranës është fajtor për shishet dhe qeset plastike që hidhen rrugëve dhe që përfundojnë duke bllokuar kanalet […]” replikoi Rama në X.
Ky komunikim i Kryeministrit ndaj gazetarëve ka nisur prej situatës së përmbytjeve në javën e parë të janarit, ku debati publik mbi qeverisjen dhe menaxhimin e krizave ishte rritur.
Në emisionin Opinion në TVKlan, drejtuesi dhe gazetari Blendi Fevziu deklaroi se kishte informacione për ministra që ishin në udhëtime private jashtë vendit, ndërsa në media paraqiteshin sikur ishin në punë.
Kjo bëri që Kryeministri të niste një fushatë linçuesendaj Fevziut, duke u marrë edhe me jetën e tij personale dhe duke gjeneruar materiale vizuale me inteligjencë artificiale.
Gazetari Fevziu replikoi duke u shprehur kritik për komunikimin publik të ministrave në kohë krizash, duke shmangur konferencat për shtyp.
“Ministrat dhe drejtorët sfilonin në zonat e përmbytura, duke folur me vete përpara kamerave,” shkroi Fevziu duke theksuar se pamje të tilla ishin “shëmti morale” dhe “papërgjegjshmëri”.
Sipas Fevziut kjo qasje e ministrave vjen “nga impotenca e ideve, mungesa e karizmës dhe personaliteti i gjymtuar”. Por Kryeministri vijoi replikat me gazetarin duke përshkallëzuar më tej gjuhën.
Për këtë, kanë reaguar organizatat e medias, të cilat kanë dënuar situatën duke e konsideruar si shembull se si pushteti ushtrohet mbi median, përmes ekspozimit dhe intimidimit dhe jo përmes transparencës.
“[…] kritika ndaj pushtetit trajtohet si defekt moral i gazetarit dhe jo si pjesë e një debati legjitim publik”, u shpreh Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri për rastin e gazetares Klodiana Lala.
Ndërsa për fushatën ndaj gazetarit Fevziu Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt deklaroi se “kur transparenca zëvendësohet me spektakël dhe kundërpërgjigjja me tallje, pushteti nuk ushtrohet për të informuar publikun, por për të disiplinuar ata që bëjnë pyetje”.
Sipas Rrjetit duke “disiplinuar” publikisht një gazetar që është përcaktues i rëndësishëm i axhendës publike në një treg mediatik të vogël, Kryeministri tregon se qasja dhe pozicioni institucional nuk ofron mbrojte nga presioni i pushtetit.
“Sinjali zbret poshtë: nëse një figurë qendrore e sistemit mediatik mund të ekspozohet ndaj talljes dhe delegjitimimit të vazhdueshëm, implikimet për gazetarët investigativë, mediat lokale, freelancerët dhe zërat më pak të mbrojtur janë të qarta”, u shpreh në deklaratë Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.
Sipas Rrjetit të Gazetarëve të sigurt ky lloj presioni mbështetet në ekspozim dhe poshtërim duke lejuar që angazhimet formale për lirinë e shprehjes të mbeten në letër, ndërsa kufizimet informale të forcohen.
Në të njëjtën kohë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH). Sipas Asociacionit debati ngre një problem serioz mbi gjuhën dhe standardin e komunikimit institucional.
“Gazetarët kanë të drejtën dhe detyrimin të ngrenë pikëpyetje mbi politikat publike, përfshirë menaxhimin e mbetjeve, investimet publike dhe funksionimin real të projekteve të kushtueshme si inceneratorët. Në këtë kontekst, përgjigjja e Kryeministrit, e shoqëruar me gjuhë përçmuese, etiketime dhe ironizim personal, është e papranueshme për një funksionar të nivelit më të lartë shtetëror”, u shpreh Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.
Ata i bënë thirrje zyrtarëve publikë të jenë transparentë me mediat në situata të vështira për vendin.
“…duke organizuar konferenca për shtyp në mënyrë që gazetarët të kenë mundësinë të bëjnë pyetje shteruese ndaj këtyre problematikave”, përfundoi Asociacioni deklaratën e tij.