Urgjenca e spitalit Memorial në gatishmëri për çdo qytetar
TIRANË, 9 janar /ATSH/ Përkeqësimi i motit për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe borës ka vënë në gatishmëri të gjitha strukturat shëndetësore në vend.
Stafet e mjekëve dhe infermierëve të urgjencave dhe qendrave shëndetësore po ofrojnë ndihmë të specializuar mjekësore për banorët në zonat e përmbytura, si edhe për qytetarët që kanë shfaqur problematika shëndetësore.
Kryeministri Edi Rama, u shpreh sot se “Urgjenca e Spitalit Rajonal Memorial në Fier dhe të gjitha ekipet e urgjencës spitalore në qytetet e prekura nga moti i keq, vijojnë të jenë në gatishmëri 24/7 për çdo qytetar që ka nevojë për ndihmë mjekësore”.
Për të garantuar shërbim shëndetësor të pandërprerë dhe të sigurt, në këto ditë me mot të përkeqësuar në të gjithë vendin, e sidomos në zonën e jugut të vendit, ekipet e emergjencave dhe mjekët e Urgjencës së Spitalit Rajonal Memorial Fier janë në gatishmëri 24 orë në 7 ditët e javës.
“Po i përgjigjemi udhëzimeve dhe politikave të MSHMS duke pasur në urgjencën e spitalit çdo nevojë në medikamente dhe materiale. Mjekët dhe ekipet janë këtu në dispozicion të të gjithë qytetarëve që do kenë nevojë qoftë edhe për rastet kur ndjejnë një lloj ankthi apo stresi për gjithë situatën emergjente të krijuar”, tha Rudina Degjoni, drejtoreshë e Spitalit Rajonal Memorial Fier.
Në të gjithë vendin, vijon koordinimi i vazhdueshëm me spitalet rajonale, 36 njësitë vendore të kujdesit shëndetësor dhe katër drejtoritë rajonale, përmes raportimeve të përditësuara dhe komunikimit të drejtpërdrejtë.
Në zonat e prekura nga moti i keq dhe përmbytjet janë realizuar 174 misione për transportimin e pacientëve drejt strukturave spitalore dhe 243 misione për trajtim në vendngjarje.
/e.i/r.e/
The post Urgjenca e spitalit Memorial në gatishmëri për çdo qytetar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
