TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo u shpreh sot se sektori energjetik shqiptar është në ditët e tij më të vështira, ku tri kompani të mëdha, si KESH, OSHEE dhe OST janë prej vitesh në kolaps financiar, ndërsa sistemi mbahet në këmbë vetëm nga paratë e taksapaguesve.
Bozdo e bëri këtë deklaratë nga foltorja e Kuvendit, pas prezantimit të projektligjit për “ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare sh.a., (KESH sh.a.) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin fotovoltaik (FV) solar nga 2 KESH-i”.
Bozdo tha se punonjësit në këto kompani janë trefishuar dhe pjesa më e madhe e tyre janë patronazhistë.
“Reforma e madhe në sektorin e energjisë, sot ka sjellë këtë rezultat financuar, 1,3 miliardë euro borxh i ndërsjellë mes kompanive të sektorit energjetik dhe palëve të treta. Një shifër e padëgjuar. Asgjë nuk është bërë për diversifikimin e energjisë, veçse lejeve tërësisht klienteliste të impianteve fotovoltaike që po mbijnë si kërpudhat gjithandej po asnjë studim paraprak për ndikimin e tyre në rrjetin e shpërndarjes, as kostove që duhen për ta përshtatur këtë rrjet”, tha Bozdo.
Deputeti i PD-së nënvizoi se në këtë klimë vjen projektligji i sotëm, ku KESH-i, merr 30 milionë euro hua për të ndërtuar një park fotovoltaik në Belsh.
“Është një iniciativë që vjen shumë vonë dhe nuk përbën sens, sepse këtë risi ka vite që e ofron sektori privat. Parku ngjitur, ai i Karavastasë, me 140 megavat të instaluar, nga e cila gjysma 70 megavat janë të destinuara për KESH-in për të prodhuar dhe blerë energji me 25 euro për kWh”, tha ai.
“KESH vazhdon të blejë energji me miliona euro dhe dëmi është shumë i madh. Përpara se të kërkojmë para hua, të marrim atë që na takon nga “Voltalia” dhe parku në Karavasta dhe t’i rikthehemi bursës së energjisë”, vijoi Bozdo.
Sipas tij, bursa e energjisë u premtua në vitin 2016, ndërsa vetëm për vitin 2025 janë blerë 230 milionë euro, pa llogaritur TVSH-në.
“Shkelja e ligjit është flagrante, korrupsioni gjithashtu. Kjo energji është blerë jashtë burse, por me 39 procedura dhe 87 lote, pra një numër rekord lotesh për hir të korrupsionit”, tha Bozdo.
Bozdo shtoi se ky sektor është menaxhuar nga ministrja Balluku, që sot është nën hetim për korrupsion.
“62 milionë euro janë paguar për dy ‘tigrat’ që të rrinë të parkuar në port, pa llogaritur 10 milionë euro të tjera për sigurimin e objekteve nga KESH dhe karburantin për provën. 80 milionë euro të shpenzuara për dy rrangalla, ndërsa këto para mund të përdoreshin për TEC-in e Vlorës”, theksoi Bozdo.
Deputeti Bozdo u ndal edhe tek investimet në sektorin energjetik, ku tha se janë bërë 1,5 miliardë euro investime në sistemin e transmetimit dhe shpërndarjes nga viti 2016 dhe sot.
“Në vitin 2016 deklaroheshin në mënyrë zyrtare 28% humbje të energjisë në rrjet. Në çdo manual thuhet se për të ulur 1% të humbjeve duhet të investohet 40-50 milionë euro, pra nga 28% humbje sot duhet të ishin zero, e ndoshta negative. Sot janë 18% sipas raportit të ERE-s”, pohoi Bozdo, ndërsa shtoi se këto janë fakte që tregojnë keqadministrimin e këtij sektori.
“Miradministrimi i korporatave është në mënyrë parësore objektivi final, të cilin e kanë kërkuar edhe FMN dhe Banka Botërore por që Qeveria jo vetëm s’ka bërë asgjë, por e ka lënë në rënie të lirë”, përfundoi Bozdo.
/e.i/r.e/a.f/
The post Bozdo: Sektori energjetik i keqmenaxhuar, dëmi është shumë i madh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.