SHKUP, 13 dhjetor /ATSH/ Mijëra njerëz u mblodhën të shtunën pasdite në qendër të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, Shkup, për të kërkuar “drejtësi të mirëfilltë” në përfundim të gjyqit për krime lufte ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.
Ata u tubuan në sheshin “Skënderbeu” në Shkup mes brohoritjeve “UÇK, UÇK”, dhe valëvitjeve të flamujve kombëtarë shqiptarë dhe flamujve të UÇK-së.
Protesta kaloi pa ndonjë incident të raportuar dhe nën mbikëqyrje të rreptë policore.
Qëllimi i protestës, e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, ishte shprehja e pakënaqësive me gjyqin ndaj ish-eprorëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe pritet të përmbyllet në fillim të vitit të ardhshëm.
Që të gjithë ata i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, tha se sot “jemi mbledhur këtu për ta ngritur zërin”, dhe për të kërkuar “drejtësi të mirëfilltë”, për ish-krerët e UÇK-së.
“Ne sot, me këtë numër kaq të madh njerëzish… i tregojmë Trendafilovës se Ushtria Çlirimtare e Kosovës buron, lind dhe vepron nga populli”, tha Gucati duke iu referuar Ekaterina Trendafilovës, kryetares së Dhomat të Specializuara të Kosovës në qytetin holandez.
Ai shtoi se UÇK-ja “u rrit dhe u mbrojt nga populli dhe sot populli i qëndron mbrapa asaj. Ne sot kërkojmë drejtësi. Kjo gjykatë i ngjan gjykatave të Serbisë dhe merret me fakte të falsifikuara dhe fabrikuara, të cilat nuk qëndrojnë”.
Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe politikanë nga Kosova, si Fatmir Limaj e Daut Haradinaj, morën pjesë në protestë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha më herët këtë javë se nuk do ta mbështeste protestën, por njoftoi se ishte formuar një shtab krize për ta vëzhguar të gjitha rrjedhën e tubimit 24 orë para dhe pas tij.
Megjithatë protesta u mbështet nga kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili vjen nga VLEN, partia shqiptare që është partnere e koalicionit qeverisës së Mickoskit.
Shqiptarët përbëjnë 24.3 për qind apo një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë së Veriut prej 1.8 milion.
Kjo protestë vjen në një sërë protestash të ngjashme që janë mbajtur këtë vit në qytete të ndryshme, përfshirë në Prishtinë, Tiranë, Hagë dhe Strasburg./REL/
Prtesta në Shkup 14 dhjetor 2025; Fotot: KosovaPress
The post Mijëra protestues në Shkup kërkuan “drejtësi të mirëfilltë” në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.