Vëllai i Rexhep Selimit, Ramadan Selimi, ka kritikuar publikisht diferencimin e çlirimtarëve të UÇK-së në protestat dhe veprimet simbolike kundër Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në një reagim të fundit, Selimi thekson se çlirimtarët nuk maten me flamuj selektiv, por me unitet dhe qëndrim të përbashkët politik e shoqëror.
Ai shpreh shqetësim mbi flamurin e ngritur së fundmi në Drenicë, i cili sipas tij "simbolikisht i kushtohet vetëm dy prej tyre, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit"
Selimi pyet se a është i drejtë ky diferencim?
“A është e moralshme dhe politike që disa oponentë, madje edhe brenda spektrit politik që i ka nxjerrë këta liderë, të ndajnë çlirimtarët në 'më të merituar' dhe 'më pak të merituar', kur të gjithë po përballen me një aktakuzë të njëjtë – të përpiluar nga Serbia dhe të ngritur nga Dhomat e Specializuara në Hagë?", ka shkruar vëllai i Rexhep Selimit.
Ramadan Selimi nënvizon se kontributi i të gjithë anëtarëve të UÇK-së është i pandashëm.
"Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli janë një emër i vetëm në histori: UÇK-ja. Kontributi i secilit prej tyre për çlirimin e Kosovës është i pamohueshëm dhe i pandashëm. Çdo tentativë për t’i veçuar apo për t’i hierarkizuar është jo vetëm padrejtësi historike, por edhe dëm për kauzën që ata përfaqësojnë sot në Hagë", është shprehur ai.
Ramadan Selimi gjithashtu shtron pyetje mbi mbështetjen simbolike që u jepet vetëm disa prej çlirimtarëve.
"A i bën nder ky diferencim atyre dhe vetë PDK-së, veçanërisht kur dihet se djali i Jakup Krasniqit është nominuar nga kjo parti si kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës. Si mund të ndihet ai, por edhe familjet e të gjithë të akuzuarve tjerë që gjinden prapa grillave në Hagë, kur sheh flamuj, bilborde dhe mbështetje simbolike vetëm për dy emra, ndërkohë që babai i tij dhe Rexhep Selimi kanë dhënë po aq – nëse jo më shumë – për lirinë e këtij vendi?", ka shkruar Selimi.
Selimi thekson se nëse vërtet besojmë se gjykimi në Hagë është padrejtësi ndaj luftës çlirimtare, atëherë mbështetja duhet të jetë e barabartë, e sinqertë dhe pa dallime.
“Çlirimtarët nuk maten me flamuj selektivë, por me unitet dhe qëndrim të përbashkët politik e shoqëror. Historia nuk i ndan ata. As ne nuk duhet t’i ndajmë", ka shkruar ai. /Telegrafi/
Paneli i Gjykatës së Apelit sot miratoi, me shumicë, një aspekt të apelit të Mustafës kundër vendimit të Gjykatësit të Vetëm të 16 korrikut 2025 në lidhje me pagesën e normës së interesit në lidhje me Urdhrin për Zhdëmtim.
Paneli konstatoi, me mendimin pjesërisht të ndarë të Gjykatës Pikar, se, duke urdhëruar normën e interesit për t’u paguar për shumën e papaguar të zhdëmtimit që nga shpallja e aktgjykimit, Gjykatësi i Vetëm veproi jashtë fushëveprimit të kompetencave të veta dhe, rrjedhimisht prapësoi vendimin sa i përket zbatimit të normës së interesit dhe detyrimeve për raportim lidhur me të.
Salih Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’). Gjykimi u zhvillua nga 15 shtatori 2021 deri më 15 shtator 2022.
Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, Mustafa u shpall fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe u dënua me 26 vjet burgim. Më 5 prill 2023, Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.
Më 14 dhjetor 2023, Paneli i Gjykatës së Apelit zvogëloi dënimin e tij në 22 vjet burgim. Pas vendimit të Gjykatës Supreme më 29 korrik 2024, çështja iu kthye përsëri Panelit të Apelit për të shqyrtuar uljen e dënimit.
Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit shqiptoi një dënim të ri të njësuar prej 15 vitesh, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim. Në këtë çështje gjyqësore ishin 8 viktima pjesëmarrëse.
Dëshmitari i 62-të i Prokurorisë, i cili dëshmoi me masa mbrojtëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka thënë në Hagë se i vjen keq që të katër të akuzuarit ndodhen aty dhe se ai nuk ka asgjë me ata.
“S’di pse po zgjatni pyetjen. Ma bëri pyetjen ai tjetri. Unë me Kadri Veselin nuk kam kurrgjë. E respektoj. Kam respekt për të. Më vjen keq që ndodhet aty.. Ky s’ka bë kurrgjë. Po i bini shkurt. Nuk kam të bëj kurrgjë as me Kadri Veselin, as me Hashim Thaçin, as me Jakup Krasniqin, as me Rexhep Selimin. Unë kam të bëj [Redaktuar]. Edhe këta [redaktuar] t’i pyesësh e gjykojnë”, kishte thënë ky dëshmitar, dëshmia e të cilit u bë publike me disa pjesë që janë konsiderueshëm të redaktuara.
Dëshmitari ka thënë se e di se ka qenë Krasniqi zëdhënës i UÇK-së, por që nuk e ka takuar asnjëherë gjatë luftës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, gjatë seancës në të cilën dëshmoi ky dëshmitar, u tha se ai u arrestua dhe u keqtrajtua nga anëtarët e UÇK-së për një periudhë trejavore, e që si pasojë e keqtrajtimit pati edhe lëndime serioze.
Këtij dëshmitari i ishte ofruar mundësia që t’i heq masat mbrojtëse por ai kishte refuzuar.
Dhomën ku është mbajtur i ndaluar, ky dëshmitar e përshkruan si një dhomë e shtruar me beton.
“Dhoma ka qenë 5X5, e shtrume me beton. Aty kam qëndru. Dhe pas tri javëve më kanë dërguar në [redaktuar]. Jam liru për tri ditë atje. Nuk kam qenë i burgosur në [redaktuar] . Kam nejt me ushtarë”, ka thënë dëshmitari.
Dhoma ku qëndronte, sipas dëshmitarit, ishte me dry dhe kishte persona që i bënin roje. Veç kësaj, ai ka pohuar se dhoma kishte dritare ku mund të shihej roja i armatosur.
Gjatë kohës sa ka qenë i ndaluar, dëshmitari mohoi së është dërguar përpara ndonjë gjykatësi ose është njoftuar për akuzat që rëndojnë mbi të. Kishte thënë se një person- emri i të cilit është i redaktuar, ia kërkoi Shtabit të Përgjithshëm lirimin e tij.
Ndërsa, sipas asaj dëshmie që është riklasifikuar si publike, dëshmitari ka pohuar se edhe vetë ka qenë pjesë e UÇK-së për më shumë se një vit dhe se iu bashkua sërish kësaj organizate kur u lirua.
Ndonëse shumë prej deklaratave të dëshmitarit nuk kuptohen për shkak të redaktimeve, ai me një rast thotë se atë nuk e ka rrahur Shtabi i Përgjithshëm. Veç kësaj, ai ka mohuar se e njeh dikë nga Shtabi i Përgjithshëm
Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq: Ju nuk njihni askënd që ka qenë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm, apo jo, dëshmitar?
Dëshmitari: Jo, jo.
Në vendin e dytë kur u dërgua, dëshmitari tha se ka qëndruar me ushtarë dhe u trajtua ngjashëm si ushtarët e tjerë. Ai ka mohuar se është mbajtur me të burgosurit, dhe është përgjigjur pozitivisht kur u pyet nëse ka pasur liri të lëvizjes.
Madje, ky dëshmitar ka mohuar se është marrë në pyetje si i dyshuar për bashkëpunim me armikun gjatë qëndrimit në këtë vendin e dytë. Për dikë, ai kishte thënë se nuk i respektonte urdhrat dhe se nuk u përgjigjte as në radio-lidhje.
Duke folur për lëndimet, dëshmitari ka mohuar se ka vizituar ndonjë mjek, duke thënë se ishte i ri dhe i përballonte.
“S’kishte nevojë. Unë isha i ri i përballoja të gjitha”, ka thënë dëshmitari.
Po ashtu, ai i kishte thënë avokatit se pse e pyet për lëndimet dhe pasojat e mëpastajshme ndërkohë që mund ta shikojë raportin mjekësor.
“Jo, nuk kam thënë se kam pas dhimbje. Mbasandej tani kur m’u kanë shfaq dhimbjet, që nuk kam duru dhe kam bë operacion. E keni letrën e mjekut, pse më pyetni mua”, ka thënë dëshmitari.
Përveç kësaj, dëshmitari ka mohuar se ka pasur Polici Ushtarake. Ai ka shtuar se në zonën e tij kanë pasur një njësi të posaçme që u quajt speciale, e cila ka reaguar e para ndaj ndonjë sulmi nga serbët. Ndërsa, se kush merrej me ata që konsideroheshin s’i spiunë, dëshmitari tha se nuk e dinte.
Gjyqtari Christoph Barthe: A mendoni ende edhe sot e kësaj dite që nuk ka pasur Polici Ushtarake [Redaktuar] dhe se askush nuk është arrestuar dhe askush nuk është marrë në pyetje [Redaktuar] i qëndroni kësaj pjese të deklaratës suaj?
Dëshmitari: Po, po!
Gjyqtari Barthe: Po me bashkëpunëtorët apo me spiunët?
Dëshmitari: Nuk e di. kush merrej.
Dëshmitari kishte thënë se UÇK-ja ishte ushtri vullnetare në të cilën mund të kyçeshe dhe të largoheshe kur të duash. Madje, ai ka pohuar se ka pasur raste kur ushtarët janë larguar edhe nga beteja.
“Po, ne nuk kemi pas kazerma. Kjo u kanë ushtri vullnetare. Nuk të ka detyru kërrkush të shkosh ushtar, vetëm vullneti yt. Në qoftë se ke dezertuar, atëherë quhesh dezertor. Jo tradhtar, dezertor”, ka thënë dëshmitari.
Dezertimi, sipas dëshmitarit, ishte i ndaluar por që nuk mund të të ndalonte askush që ta bëje.“Ishte i ndaluar, po kush dojke me ik s’mund ta ndalshe”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk e di nëse dikush është ndëshkuar për një gjë të tillë.
Ai theksoi se e ndaluar ishte të vidhje, plaçkisje e të ndaloje civilë, duke shtuar se këtë ia tha komandanti i tij.
Gjyqtari Barthe: A e dini që nuk lejohej që të dilnit, siç e thashë, domethënë, që të vidhje ose që të ngacmoje civilë, të kryeje krime, të plaçkisje, të merrje njerëz, të rrëmbeje njerëz, të vrisje njerëz në UÇK, a e dije ti këtë gjë? Këto gjëra a i dije ti në atë kohë?
Dëshmitari: Po. Ka qenë e ndaluar. Ma ka thënë komandanti im. Këto janë senet e ndaluara.
Gjatë fundit të dëshmisë së tij, duke u rikthyer tek tema e ndalimit të tij, dëshmitari ka thënë se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka dhënë urdhër që ai të ndalohej.
“Jo, Shtabi i Përgjithshëm s’ka dhënë urdhër me më ndalu mu”, ka thënë dëshmitari.
Për një person, dëshmitari tha se nuk është e vërtetë që si pjesë e Policës Ushtarake- e cila sipas tij nuk ka ekzistuar në zonën e tij, të ketë dhënë urdhra për arrestime. Madje, për një nga dëshmitarët, dëshmitari thotë se ka gënjyer shumë.
Gjyqtari Guénaël Mettraux: A jeni në dijeni të pretendimeve [redaktuar] ka dhënë urdhra për Policinë Ushtarake në verën e vitit 1999 për të arrestuar ndërmjet të tjerëve [redaktuar]. A jeni në dijeni të kësaj gjëje, dëshmitar?
Dëshmitari: Nuk është e vërtetë. Kjo është shpifje.
Gjyqtari Mettraux: Dhe sipas jush, nuk mund të ketë ngjarë kjo gjë sepse nuk kishte as Polici Ushtarake, nuk kishte as të ndaluar dhe nuk kishte as ambiente ku mbaheshin personat të ndaluar, kështu? [redaktuar] ose në zonat përreth është kështu?
Dëshmitari: Kjo është kështu, ky dëshmitari i dytë [redaktuar] ka rrejt shumë. Nuk është e vërtetë.
Në fund të dëshmisë së tij, ky dëshmitar kishte thënë “Faleminderit prej juve shumë. Dhe çlirimtarëve ju uroj lirim ma të shpejtë”.
Ndryshe, mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Wesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.
Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.
DhSK-ja kishte bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/
Pas më shumë se 5 vjet proces gjyqësor ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duket se është afruar fundi. Tashmë kur në fillim të muajit shkurt janë caktuar seancat për fjalët përfundimtare në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, muaji prill dhe fillimi i muajit maj 2026 po shihen si afate optimale që trupi gjykues të nxjerr aktgjykimin e shkallës së parë.
Monitorues të këtij procesi gjyqësor vlerësojnë se gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka qenë proces i gjatë dhe i përcjell me mungesë transparence për shkak të numri të madh të dëshmitarëve të ZPS-së që u dëgjuan në seanca të redaktuara apo edhe të mbyllura për publikun.
Monitoruesi nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Amer Alija beson që fillimi i majit 2026 do të sjellë një aktgjykim për katërshen e UÇK-së, të cilët janë në paraburgim në Hagë që nga viti 2020.
“Ka qenë një gjykim maratonik që ka zgjatur 5 vjet. Gjatë këtyre viteve ka pasur edhe sfidat dhe ka qenë periudha e COVID-it. Ky proces ka pasur edhe shumë seanca të redaktuara për publikun, rreth 50 për qind e dëshmitarëve kanë qenë dëshmitarë të mbrojtur të Prokurorisë. Shqyrtimet gjyqësore kur janë dëgjuar këta dëshmitarë kanë qenë pjesërisht apo kryesisht të mbyllura për publikun dhe kjo ka ndikuar te cenimi i transparencës dhe publicitetit…", tha ai.
Alija tutje shtoi se tani rasti ka ardhur në përfundim të procedurës.
"Deri më 17 janar nëse nuk gaboj janë procedurat ku mbrojtja dhe palët tjerat duhet të paraqesin dosjet përfundimtare, më pastaj më 9 deri 13 shkurt 2026 janë caktuar të mbahen fjalët përfundimtare dhe pasi të përfundojë kjo procedurë, me fjalën përfundimtare trupi gjykues brenda 3 muajsh duhet ta shpallë aktgjykimin. Sigurisht, diku kah fillimi i muajit maj 2026 pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë në rastin Thaçi dhe të tjerët”, tha ai.
Por, sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftarajt koha e shpalljes së aktgjykimit për rastin Thaçi dhe të tjerët po afrohet.
Ai thotë se muajt mars dhe prill mund të shënojnë momentin kur Gjykata Speciale do të zbardhë vendimin e saj të parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, raporton KosovaPress.
“Me vetë faktin që gjatë muajit shkurt është paraparë fjalët mbrojtjes qoftë të prokurorisë, avokatëve mbrojtës unë besoj që muaji mars, prill mund të jenë afate kohore kur gjykata mund të dal me një vendim për rastin në fjalë, po flas për shkallë të parë“, thotë Miftaraj.
Në shqyrtimin gjyqësore ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi i cili nisi në prill 2023 në gjithsej 227 seanca gjyqësore u dëgjuan 125 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndërkaq 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim dhe dy dëshmitarë të mbrojtjes së viktimave.
Ndërkaq, në fillim të muajit shtator nisi dëgjimi i shtatë dëshmitarëve të mbrojtjes, të cilit ishin zyrtarë të lartë perëndimorë me njohuri të drejtpërdrejtë të zhvillimeve nga koha e luftës. Në mesin e tyre ishte edhe ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.
Lidhur me dëshminë e kësaj dysheje të rëndësishme, por edhe të tjerëve që u dëgjuan, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë vlerëson se dëshmitë e mbrojtjes kanë peshë të madhe.
“Mbrojtja përmes këtyre deklaratave, të cilat do të kenë një peshë të madhe tek vlerësimi i kredibilitetit nga trupi gjykues kanë dashur të tregojnë të kundërtën nga çka ato që kanë pretenduar prokuroria...Deklaratat e këtyre dëshmitarëve të cilët kanë qenë të kyçur drejtpërdrejtë me zhvillime gjatë viteve 98’, 99’ sigurisht që do të kenë peshë, dhe njohuritë dhe deklaratat e tyre lidhur me organizimin e UÇK-së lidhur me përgjegjësitë dhe jo përgjegjësitë e Hashim Thaçit dhe të tjerëve do të vlerësohen nga trupi gjykues”, deklaron Alija.
Ndërsa, Ehat Miftaraj nga IKD thotë se këto dëshmi e shkatërruan narrativen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që kishin ndërtuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Fatkeqësisht, është evidente që kjo gjykatë nuk ka pasur transparencë të plotë pasi një numër i madh i seancave kanë qenë të mbyllura për publikun dhe shoqërinë civile... Ajo çka thash në fund të procesit kur edhe mbrojtja, prokuroria dhe mbrojtësit e viktimave i kanë dhënë deklaratat e fundit të procesit, mund të themi me kompetencë dhe pa ndërhyrë në proces, është fakti që Prokuroria mund të themi se ka ngritur një aktakuzë jashtëzakonisht shumë-shumë të dobët", u shpreh Miftaraj.
Miftaraj ka shtuar se ka pasur një përfaqësim të aktakuzës shumë të dobët e cila pastaj në raste të caktuara kualiteti i dobët i aktakuzës është munduar të kompensohet me një qasje agresive nga ana e prokurorëve.
"Kualiteti, integriteti, kredibiliteti i dëshmitarëve të ZPS ka qenë i nivelit shumë të ulët në raport me kredibilitetin, integritetin e dëshmitarëve të mbrojtjes...Dëshmitarët e mbrojtjes e shkatërruan narrativen që ka ndërtuar Prokuroria Speciale lidhur me atë se kush e ka udhëhequr UÇK-në, në këtë rast Prokuroria e ka quajtur Hashim Thaçin si komandant të UÇK-së”, theksoi ai.
Strategjia e mbrojtjes ishte të argumentonte se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të organizuar komanduese, dhe se roli i ish-presidentit Hashim Thaçi ishte politik, por pa autoritet mbi operacionet ushtarake.
Ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin gjatë dëshmisë së tij më 16 shtator tha se UÇK-ja ishte pa “kontroll dhe komandë efektive”.
Edhe gjenerali amerikan, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, në dëshminë e tij, më 17 tetor, UÇK-në e përshkroi si grupe të pavarura, por pa zinxhir komandues.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Hagë nga viti 2020. Ata janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniq dhe Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte./KP/
Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Pierre Richard Prosper, ka deklaruar se nëse Hashim Thaçi dhe të tjerët shpallen fajtorë, kjo do të ishte një vlerësim i padrejtë i tërë historisë.
Prosper, në një intervistë ekskluzive për “Info Magazine” në Klan Kosova, theksoi se të dhënat historike, përfshirë ato nga NATO dhe kujtimet e zyrtarëve, janë krejt të kundërta me përfundimin që mund të nxirret ndaj të akuzuarve.
“Mendoj se nëse ata shpallen fajtorë, mendoj se është një keqkuptim i qartë dhe vlerësim i padrejtë jo vetëm për të vërtetën, por për gjithë historinë. Mendoj se jo vetëm historia por të dhënat historike brenda NATO-s dhe kujtimet e zyrtarëve përgjatë zinxhirit komandues si dhe të dhënat historike të të gjitha qeverive janë krejt të kundërta me një përfundim të tillë”, deklaroi Prosper në një intervistë ekskluzive në Info Magazine në Klan Kosova.
Ai theksoi se gjatë pesë viteve të fundit, ka pasur një keqinterpretim dhe ndryshim të historisë, ndërsa tani, me përfundimin e dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës, bota ka mundësi të shohë realitetin.
Prosper beson se prova të sakta historike do të nxjerrin në pah të vërtetën dhe, sipas tij, ky proces do të përfundojë me lirimin e Thaçit dhe të tjerëve.
Ai shtoi se ka besim se gjyqtarët do të shohin informacionet dhe provat dhe do të arrijnë në përfundimin e duhur.
“Kemi besim se gjyqtarët tani do të shohin informacionet dhe provat për ta kuptuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe si ka qenë situata. Por në fund të ditës, kemi triumfuar duke regjistruar të dhëna të sakta historike. Tani u mbetet në dorë të gjyqtarëve, mirëpo mendoj se nëse e shohin të vërtetën ashtu siç është, presidenti Thaçi dhe të tjerët do të jenë burra të lirë”, u shpreh ai mes tjerash në këtë intervistë
Prosper theksoi se gjatë dhe pas luftës në Kosovë, Hashim Thaçi nuk ka pasur komandë dhe kontroll të drejtpërdrejtë mbi pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Procesi i dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës ka përfunduar dhe tani mbetet faza e fjalëve përfundimtare, që Prosper e cilësoi si një detyrë “masive”.
Prosper ndër tjerash tha se Prokuroria, në vend që të dëshmojë se çfarë ka ndodhur, është mbështetur në libra e lajme.
“Në vend që të dëshmojë se çfarë ka ndodhur, kanë vendosur të mbështeten në libra, lajme, shkrime, shkresa, pra ka me bollëk të tilla gjëra në kuadër të provave të cilat duhet t’i rishikojmë. Duhet të sigurohemi që ta ballafaqojmë atë dosje. Sapo të përfundojë ky proces më pas do t’i kemi fjalët me gojë, argumentet tona në fillim të vitit të ardhshëm”, theksoi Prosper në Info Magazine në Klan Kosova.
Ai tha se argumentet do të prezantohen nga avokati.
Procesi i dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës në rastin e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, tashmë ka përfunduar. E avokati i ish-presidentit të Kosovës, Pierre Richard Prosper, tha se do të donte të kishte në listë edhe persona tjerë, por që disa nga ta tashmë kanë vdekur.
Në mesin e tyre, ai thotë se ish-Sekretarja e Shtetit Amerikan, Madeleine Albright, do të kishte qenë një dëshmitare fantastike.
Me një kërkesë të përbashkët të mbrojtjes të cilës iu është bashkuar edhe Prokuroria, u kërkua që dosjet përfundimtare të dorëzohen më 30 janar 2026 ose 60 ditë pas mbylljes së procedurës së paraqitjes së provave.
Prokurori James Pace tha se kjo kërkesë e përbashkët është e arsyeshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Faktorë tjerë që dëshmojnë natyrën e arsyeshme të kërkesës së përbashkët janë; periudha kohore që mbulon aktakuzën; dhjetë pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit; mbi 400 incidente të pretenduara; dëshmi me mbi 250 dëshmitarë janë dëgjuar; mbi 5 mijë materiale janë pranuar në prova dhe vendime me mbi 300 pika të cilat janë pranuar për të cilat ende vendim nuk është marrë”, tha Prokurori.Prokurori tha se dosjet përfundimtare të dorëzohen më 19 dhjetor 2025, është e pamundur.
Trupi gjykues pyeti se a ka ndonjë çështje që do të pengonte mbylljen e paraqitjes së provave në këtë rast rreth 4 dhjetorit 2025, si dhe u kërkua nga palët që të tregojnë nëse pranojnë që njoftimi për këtë gjë të bëhet me shkrim dhe jo në seancë.
Prokuroria s’e kundërshtoi që mbyllja e provave të bëhet me shkrim. Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq tha se nuk parashikojnë ndonjë mocion shtesë që do të pengonte mbylljen e çështjes.
As ekipet tjera mbrojtëse nuk patën kundërshtime që çështja të mbyllet me shkrim.
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws tha se nuk janë kundër kërkesës së përbashkët të palëve.
Ndërsa për fjalët përfundimtare në këtë rast, u kërkua që të mbahen seancat në mars, eventualisht në prill të 2026-ës.
Fillimisht, prokurori tha se deklaratat përmbyllëse të bëhen jo më herët se 45 ditë nga dorëzimi i dosjeve përfundimtare. E Luka Mishetiq tha se do iu duhet një seancë e plotë për të bërë paraqitjet e tyre në deklaratën përmbyllëse.
Ndërsa, Prokuroria tha se i duhen rreth dy ditë për ta bërë një gjë të tillë./BetimipërDrejtësi/
Gjenerali amerikan Wesley Clark ka përfunduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku deklaroi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte një organizatë terroriste, por një grup njerëzish që refuzuan shtypjen serbe në vitet ’90.
Clark theksoi se UÇK-ja luftoi kundër një regjimi “të padrejtë dhe të jashtëligjshëm”, ndërsa shtoi se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk mund të mbahet përgjegjës për aktet e dhunës individuale pasluftës, shkruan “Betimi për Drejtësi”.
“Personat duhet të luftojnë për të drejtat e tyre. UÇK-ja bëri pikërisht këtë. Ata rezistuan shtypjes serbe dhe nuk ishin terroristë”, tha Clark.
Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, Thaçi nuk kishte komandë apo kontroll mbi UÇK-në dhe se akuzat ndaj tij nuk janë të qenësishme.
Gjatë dëshmisë, Clark tha se Ramush Haradinaj ishte një komandant shumë i fuqishëm dhe i pavarur, gjë që e çoi atë në përfundimin se UÇK-ja nuk kishte një zinxhir klasik komandimi.
“Këta ishin personalitete të forta, që merrnin vendime nga të cilat varej jeta e familjeve të tyre. Nuk kishte strukturë të qartë komande”, u shpreh ai duke shtuar se NATO kishte pasur vështirësi në bashkëpunim pikërisht për këtë arsye.
Clark i cilësoi akuzat për trafikim organesh si “absurde” dhe “dezinformim rus”.
“S’kishte kurrfarë logjike që gjatë bombardimeve të NATO-s dikush të merrej me heqje organesh. Kjo ishte thjesht propagandë”, tha ai, duke sqaruar se burimi i këtyre pretendimeve ishin persona rusë që i kishin ofruar materiale në vitin 1998.
Prokurori Mat Halling e sfidoi Clarkun duke thënë se ai “nuk di mjaftueshëm” për aktivitetet e UÇK-së për të vlerësuar akuzat ndaj Thaçit.
Clark kundërshtoi, duke thënë se UÇK-ja funksiononte në mënyrë të decentralizuar dhe se Thaçi nuk kishte pasur kontroll hierarkik.
“Po, unë besoj se akuzat nuk janë të qenësishme”, deklaroi ai. /Telegrafi/
Gjenerali amerikan Wesley Clark, në pjesën e parë të dëshmisë së tij në Hagë, deklaroi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte një ushtri e përbërë nga persona të vetorganizuar dhe të motivuar, por pa komandë dhe kontroll të qartë.
Ai theksoi se Ushtria Serbe kishte frikë nga këto grupe, por nuk kishte asnjë strukturë të koordinuar.
“Grupet ishin të pavarura dhe shpesh vepronin vetë. Ndonjëherë kapnin edhe persona të huaj, por nuk kishte mënyra komunikimi të qarta dhe as komandë të centralizuar. Unë nuk kisha asnjë dyshim që Ushtria Serbe ishte e frikësuar prej tyre”, tha Clark.
Gjenerali shtoi se UÇK-ja nuk kishte mekanizma për komandë dhe kontroll, ndërsa vëzhguesit amerikanë në kufirin Shqipëri-Kosovë nuk ishin në gjendje të mblidhnin informacion të besueshëm mbi veprimet e tyre.
“Komanda nënkupton autoritet, kontrolli është mënyra për ta mbikëqyrur dhe udhëzuar. Nga ajo që pamë, asnjë prej këtyre nuk ekzistonte,” u shpreh Clark./Telegrafi/
Gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë, gjenerali amerikan Wesley Clark deklaroi se Hashim Thaçi nuk ka pasur rolin e komandantit ushtarak gjatë konfliktit në Kosovë.
Clark tha se gjatë takimeve në kuadër të Marrëveshjes së Rambujesë, Thaçi ishte një nga figurat më me autoritet të delegacionit shqiptar, por nuk ishte i përfshirë në operacionet ushtarake.
“Ai ishte i veshur mirë, fliste gjermanisht dhe nuk kishte shumë dijeni për operacionet ushtarake. Nuk fliste shumë anglishte asokohe. Unë nuk flisja shumë gjermanisht dhe ishte e vështirë që të komunikonim me njëri-tjetrin. Por, ai nuk ishte komandant ushtarak”, tha Clark.
Gjenerali amerikan shtoi se Thaçi nuk mundi të ndihmonte në identifikimin e objektivave ushtarake dhe nuk kishte një kuptim bazik të operacioneve.
Ai gjithashtu pohoi se gjatë vitit 1998, informacioni për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte shumë i kufizuar dhe se grupet që vepronin ishin formuar kryesisht në mënyrë spontane si reagim ndaj shtypjes serbe.
Clark theksoi se këto grupe u aktivizuan në mënyrë masive pas vrasjes së familjes Jashari, e cila shërbeu si alarm për situatën në terren. /Telegrafi/
Krasniqi: Clark mbetet në anën e drejtë të historisë – dje në mbrojtje të Kosovës, sot në mbrojtje të çlirimtarëve në Hagë
Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas paraqitjes së gjeneralit Wesley Clark në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku po dëshmon në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Krasniqi vlerësoi lart rolin historik të gjeneral Clark, duke e quajtur atë një mik të palëkundur të Kosovës.
“Dje, në mbrojtje të popullit tonë në Kosovë. Sot, në mbrojtje të çlirimtarëve tanë në Hagë,” shkroi ai, duke theksuar vazhdimësinë e përkushtimit të Clark ndaj së vërtetës.
Krasniqi tha se gjenerali amerikan ka qëndruar gjithmonë në anën e drejtë të historisë.
“Gjenerali Wesley Clark mbetet me këmbëngulje në anën e drejtë të historisë – një pjesë të së cilës e shkroi me lidershipin e tij,” tha ai.
Ai e përshkroi Clarkun si një figurë të qëndrueshme në raport me Kosovën.
“Ai shfaqet gjithmonë i njëjtë: besnik, i vendosur, i drejtë. Një mik që nuk mban uniformë vetëm në fushën e betejës, por edhe në betejën për të vërtetën,” theksoi ish-lideri i PDK-së.
Në përfundim, Krasniqi u shpreh se parimet dhe vlerat që përfaqëson Clark nuk ndryshojnë dhe se historia tashmë e ka vendosur atë në vendin e duhur.
“Historia e njeh. Ne e nderojmë. Faleminderit, Gjeneral Clark!” përfundoi ai. /Telegrafi/
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur dëshminë ish-komandanti i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, i cili po dëshmon si dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Hashim Thaçit.
Gjatë fjalës së tij të parë para trupit gjykues, Clark përshkroi situatën në Kosovë gjatë viteve të luftës, duke rrëfyer episode nga kontaktet e tij me zyrtarë shqiptarë dhe amerikanë.
“Ka qenë një periudhë e dhimbshme, sepse më kujtohet në një pikë, një brigadier nga ushtria shqiptare erdhi për t’u takuar me mua. Më tha shikoje se si është situata në Kosovë. Ndërkohë ne shikonim se cila ishte rrethana, sepse në fakt po hidhnin mortaja, bomba dhe po luftonin në të gjitha format e mundshme në fshatrat shqiptare”, tha Clark.
Ai tregoi se procedurat e NATO-s e kufizonin ndërhyrjen e menjëhershme, pavarësisht informacioneve alarmuese nga terreni.
“Unë mendova se e dija se çfarë duhej bërë në këto kushte, por sipas procedurave të NATO-s nuk kishim asnjë autoritet, nuk kishte udhëzime politike, nuk kishte plane konkrete. Fola me sekretarin amerikan të shtetit për këtë”, deklaroi ai.
Clark tregoi edhe për përpjekjet diplomatike për të kontaktuar Sllobodan Millosheviqin, të cilat, sipas tij dështuan.
“Unë dhe Richard Holbrooke e kontaktuam Millosheviqin dhe ai refuzoi të fliste për këtë temë. E dinim që kishte vështirësi, por ai nuk donte të fliste”, theksoi gjenerali.
Në vijim, ai rrëfeu se si kishte udhëtuar në Maqedoni në ditët e para të marsit për të inspektuar një Task-Forcë amerikane dhe si ishte informuar për vrasjen e familjes Jashari.
“Menjëherë më merr në telefon ambasadori amerikan në Shkup, Chris Hill, dhe më thotë se duhej të flisja me presidentin e Maqedonisë. Kisha dëgjuar raporte se ishte vrarë familja e Jasharajve”, tha Clark, duke shtuar se presidenti maqedonas atë kohë Kiro Gligorov, e kishte paralajmëruar për pasojat.
“Kur shkova ta takoja presidentin Gligorov, ai ma shpjegoi se tani do të fillojë një konflikt për shkak të kësaj; kjo vrasje do të nxisë një konflikt”, përfundoi ai. /Telegrafi/
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur procesi i dëshmisë së ish-gjeneralit Wesley Clark, i cili është dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit.
Në fillim të seancës gjyqësore, gjyqtari bëri të ditur se kanë paraparë që dëshmia e tij të zgjasë dy ditë dhe do të jetë në fushëveprim të kufizuar.
Clark fillimisht bëri betimin para turpit gjykues se do të flas vetëm të vërtetën.
Në këtë proces gjyqësor po merr pjesë edhe përfaqësuesja e Ambasadës së SHBA-së, Terra Gerhersanem, pasi që Clark është dëshmitarë për të cilin ka dhënë autorizim SHBA.
Avokat i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq filloi pastaj me parashtimin e pyetjeve.
Mishetiq bëri një përmbledhje të deklaratës së mëparshme të Clark dhënë mbrojtjes, ku kishte deklaruar se është e padrejtë që gabimet e të tjerëve ti atribuohen Thaçit.
Clark pritet të thotë se asnjë person në zinxhirin komandues të NATO-s nuk kishte marrë ndonjë informacion se konflikti i armatosur kishte vazhduar pas qershorit 1999.
Ai gjithashtu do të përshkruaj se ishte i vetëdijshëm për valën e dhunës në verën e vitit 1999, pas kthimit të refugjatëve të Kosovës, dhe ia atribuon dhunën faktorëve të ndryshëm, përfshirë urrejtjen, hakmarrjen, gjakmarrjet dhe bandat kriminale.
Gjenerali Clark nuk besonte se udhëheqja e UÇK-së ishte e angazhuar në një përpjekje të koordinuar për të shënjestruar dhe sulmuar serbët apo pakicat, dhe as se Thaçi kishte ndonjë motiv të posaçëm për t’u angazhuar në një sjellje të tillë.
Clark do të përshkruajë ndërveprime të ndryshme që ai kishte pasur me UÇK-në, me delegacionin kosovar në Rambuje dhe me Thaçi konkretisht
.Procesi i paraqitjes së provave nga mbrojtja ka filluar më 15 shtator. Kujtojmë se në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe e fundit ka qenë në Strasburg. /Telegrafi/
Ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark do të nisë sot dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas njoftimit të Speciales, dëshmia e Clark është caktuar të fillojë sot në orën 12:00 ndonëse fillimisht ishte planifikuar të niste të mërkurën më 19 nëntor.
Megjithatë, ndryshimi i orarit dhe nevoja për kohë shtesë ka shtyrë gjykatën të rezervojë edhe një ditë tjetër seance.
“Pasi u informua se kjo dëshmi mund të fillojë vetëm më 18 nëntor pasdite… Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Mbrojtjes për të rezervuar një ditë shtesë për seancë, më 21 nëntor, për të përmbyllur dëshminë”, kishte njoftuar Specialja.
Gjykata thekson se kjo ditë shtesë synon të mundësojë një mbyllje sa më efikase të paraqitjes së argumenteve nga mbrojtja, por shton se palët janë ftuar të përpiqen ta përfundojnë dëshminë më herët nëse është e mundur.
Clark, njësoj si dëshmitarët e tjerë, do të shoqërohet nga një person i Ambasadës së SHBA-së në Hagë, pasi ai do të flasë vetëm për temat për të cilat i është dhënë leje jo vetëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por edhe nga Departamenti i Mbrojtjes.
Gjenerali Wesley Clark është dëshmitari i fundit në këtë proces gjyqësor.
Procesi i paraqitjes së provave nga mbrojtja ka filluar më 15 shtator, me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Më pas ka dëshmuar Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje.
Më 22 shtator dëshmoi edhe John Stewart Duncan, ish-këshilltar politik i gjeneralit Clark në NATO, i cili e përmbylli dëshminë një ditë më vonë. Ndërkaq, më 30 shtator ka filluar dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë Bernard Kouchner, i cili ka mbyllur paraqitjen më 2 tetor.
Dëshmitarët e fundit në rastin e Thaçit dhe të tjerëve kanë qenë Michael Durkee, këshilltar politik i komandantëve supremë të forcave aleate të NATO-s në Evropë, dhe ish-diplomati amerikan Christopher Hill.
Pas përfundimit të dëshmisë së Clark, gjykimi kalon në fazën përfundimtare të paraqitjes së mbylljeve nga të dyja palët, përpara se trupi gjykues të shpallë vendimin. /Telegrafi/
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së mbajti sot protestën e radhës para Asamblesë së Këshillit të Evropës në Strasburg, duke kërkuar drejtësi dhe transparencë në proceset gjyqësore të Kosovës në Gjykatën Speciale.
Gjatë protestës, kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati deklaroi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një forcë çlirimtare dhe jo “organizatë e përbashkët kriminale”, siç pretendohet në aktakuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“UÇK nuk ka qenë organizatë e përbashkët kriminale. Ajo ka qenë ushtri çlirimtare që luftoi për ta çliruar Kosovën nga forcat serbe. Jemi këtu për t’i thënë ‘stop’ padrejtësisë që po bëhet në Hagë,” u shpreh Gucati para protestuesve.
Përfaqësuesit e OVL-UÇK dorëzuan 285 leta për anëtarët e Asamblesë së Këshillit të Evropës, ku shprehen shqetësime të thella për mënyrën si po zhvillohet procesi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Në letër, OVL e UÇK thekson disa çështje kyçe që, sipas tyre, cenojnë drejtësinë dhe integritetin e procesit.
Në letrën dërguar anëtarëve të Asamblesë thuhet: “Ne do të dëshironim të tërhiqnim vëmendjen tuaj ndaj disa çështjeve kyçe dhe shqetësimeve në rritje lidhur me funksionimin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (KSC)”
Në pikën e parë, letra rikujton mënyrën e krijimit të Gjykatës Speciale.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan në përgjigje të raportit të vitit 2010 të Raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili përmbante akuza për trafikim organesh dhe krime të tjera serioze”
Një nga shqetësimet kryesore që OVL e UÇK ka shprehur përmes kësaj letre lidhet me natyrën e aktakuzave dhe kohëzgjatjen e paraburgimit.
“Të akuzuarit janë mbajtur në paraburgim për gati pesë vjet, pavarësisht dorëzimit vullnetar dhe bashkëpunimit të plotë me gjykatën, dhe të gjitha kërkesat për lirim me kusht janë refuzuar.”
Letra thekson gjithashtu mungesën e transparencës.
“Shumë seanca janë mbajtur të mbyllura për publikun. Shumë dëshmitarë janë anonimë dhe qasja e mediave është jashtëzakonisht e kufizuar”.
Një tjetër shqetësim madhor lidhet me burimin e provave.
“Provat kryesore burojnë nga institucionet e sigurisë së Serbisë… kjo ngre dyshime serioze për besueshmërinë dhe paanshmërinë e procesit gjyqësor”, thuhet në letrën e OVL e UÇK-së.
Në letër përmendet edhe çështja e konfliktit të interesit të ngritur në mars 2025.
“Përfshirja e prokurorit John Devaney, i cili më parë ka shërbyer si roje në njësinë e paraburgimit ku aktualisht mbahen të akuzuarit, ka nxitur dyshime serioze për standardet etike dhe paanshmërinë e procesit”
Në përmbyllje, OVL-UÇK i bën thirrje anëtarëve të Këshillit të Evropës që të ndërmarrin veprime.
“Ne ju bëjmë thirrje t’i merrni këto shqetësime në konsideratë… në mënyrë që së bashku të sigurojmë një qasje të drejtë dhe të balancuar ndaj proceseve gjyqësore që lidhen me Kosovën”.
Letra është nënshkruar nga kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, i cili rithekson se organizata mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të luftëtarëve të lirisë. /Telegrafi/
E plotësuar - Ka përfunduar protesta e organizuar nga OVL-UÇK në Strasburg të Francës.
Kjo protestë kishte për qëllim të shprehte mbështetje për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë dhe të kërkonte drejtësi për ta.
OVL-UÇK, ka njoftuar se gjatë kësaj proteste u dorëzuan edhe 285 letra në emër të secilit anëtar të Asamblesë së Këshillit të Evropës.
-------------
“UÇK, UÇK!” - nis protesta e shqiptarëve në Strasburg në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së
Sot në Strasburg, qytetarë shqiptarë nga vende të ndryshme të Evropës janë mblidhur para Këshillit të Evropës, për të shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Protesta ka nisë nga ora 13:00, me pjesëmarrës që kanë dalë në shesh me pankarta dhe mesazhe që shprehin mbështetjen për ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe kërkesën për drejtësi.
Protesta pasqyron pakënaqësinë e komunitetit shqiptar ndaj mënyrës se si po zhvillohet gjykimi në Hagë dhe synon të dërgojë një mesazh të fuqishëm për drejtësi dhe barazi para ligjit për ish-krerët e UÇK-së. /Telegrafi/
Ali Ahmeti, lideri i BDI-së në Maqedoninë e Veriut ka shprehur sot mbështetjen e tij të plotë për bashkëkombasit që do të protestojnë në Strasburg, përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për padrejtësisë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ahmeti në një postim në rrjetet sociale tha se sot është me bashkëkombasit që do të protestojnë.
"Sot me mendje e me zemër jam pranë bashkëkombasve që do të protestojnë në Strasburg, aty ku filloi padrejtësia e madhe ndaj UÇK-së dhe popullit shqiptar", ka shkruar ai.
Ahmeti kritikon mënyrën se si po funksionon Gjykata Speciale, duke thënë se po gjykon mbi shpifjet e Serbisë e Rusisë.
Kryetari i BDI-së ka kërkuar lirimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.
"Kjo gjykatë nuk po gjykon mbi atë për të cilën u themelua, por po gjykon mbi shpifjet e Serbisë të sajuara nga Rusia. Hashimi, Kadriu, Rexhepi, Jakupi dhe të tjerët janë aleatë të SHBA-së dhe BE-së dhe vendin e kanë në Kosovë. Pafajësia e tyre u konfirmua nga miqtë tanë amerikan e europian në Hagë, prandaj, lironi djemtë tanë!", shkroi Ahmeti.
Ai përfundoi me një thirrje për drejtësi.
"Padrejtësia duhet të marrë fund menjëherë, i gjithë populli shqiptar është në këmbë për drejtësi për shenjtërinë e luftës sonë çlirimtare", tha ai. /Telegrafi/
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë sot nga ora 13:00 para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen padrejtësisht në Hagë.
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka theksuar se do të protestojnë për të kërkuar drejtësi dhe për t’ia përkujtuar institucioneve evropiane se kanë themeluar një gjykatë etnike mbi gënjeshtrat e ish-senatorit zviceran, Dick Marty.
Gucati pret mbështetjen e madhe të mërgatës shqiptare në këtë protestë, ndërsa tha se do t’ua dërgojnë nga një letër të gjithë anëtarëve të Parlamentit të KiE-së për t’ua dëshmuar padrejtësinë e Gjykatës Speciale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët tash e pesë vjet po mbahen në Hagë nën akuzën “për krime lufte”, raporton KosovaPress.
“Të gjitha ato vërejtje, shkelje i kemi vendosur në dokumentacione për secilin deputet që ta lexojë dhe ta dijë vetë se çfarë gjykate janë duke financuar”, tha ai.
Lexo po ashtuPolicia jep detaje nga shpërthimi i zjarrit në një restorant në MilloshevëParaprakisht, veteranët kanë mbajtur protesta në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, ndërsa, kur u pyet për mundësitë e organizimit të një proteste në Shkup, Gucati tha se për momentin e njëjta nuk do të mbahet për shkak të situatës politike atje. Ndërkaq, ritheksoi se nuk planifikojnë të organizojnë protestë as në Luginë të Preshevës.
Krahas kësaj, Gucati theksoi se dëshmia e ish-gjeneralit amerikan Wesley Clark në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë do të jetë një bombë për Gjykatën Speciale.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot do të vazhdoj dëshminë e tij, dëshmitari i gjashtë i mbrojtjes, Michael Durkee.
Durkee ka shërbyer si këshilltar politik i komandantëve supremë të forcave aleate të NATO-s në Evropë, përshirë gjeneralin Wesley Clark.
Gjatë dëshmisë së tij ditën e djeshme Durkee tha se nuk parë prova që aktet e dhunës në Kosovë gjatë verës së 1999-ës ishin të drejtuara nga UÇK-ja.
“Ka pasur raste që ka pasur dyshime për përfshirjen e udhëheqjes së UÇK-së. Mua nuk më kujtohet të kem parë ndonjë provë konkrete personalisht që këto të kenë qenë akte dhune të drejtuara nga UÇK-ja. Unë se çfarëdo që dëgjoja ia raportoja gjeneralit Clark”, ka deklaruar Durkee.
Ai e vlerësoi Hashim Thaçi më tepër si udhëheqës politik sesa komandant ushtarak, duke argumentuar që bisedat me të kishin qenë më shumë rreth aspiratave politike sesa objektivave ushtarake
“Mendoj se kjo ishte bazuar në atë se çka më kujtohet: lloji i bisedës që u zhvillua, foli pothuajse tërësisht për aspirata politike më shumë se për objektivat ushtarake … dhe në këtë kuptim ishte udhëheqës politik më shumë sesa komandant ushtarak”, u shpreh Durkee.
Kujtojmë se faza e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes do të përfundoj javën e ardhshme me dëshminë e gjeneralit Wesley Clark. /Telegrafi/
Në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka nisur bllokut i fundit të dëshmitarëve të Mbrojtjes në këtë çështje gjyqësore.
Kështu ka bërë të ditur Gjykata Speciale përmes një njoftimi për media, ku ka theksuar se dëshmitarët e fundit do të dëshmojnë këtë javë dhe javën tjetër.
Në mesin e dëshmitarëve të parashikuar për këtë fazë janë edhe emra të njohur ndërkombëtarë.
“Ish-ambasadori amerikan Christopher Hil filloi dëshminë të hënën, më 10 nëntor, kurse nga fundi i javës pritet të dëshmojë edhe një dëshmitar tjetër”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, ish-komandanti i NATO-s Wesley Clark është planifikuar të fillojë dëshminë të martën e javës që vjen, më 18 nëntor.
Për dëshminë e tij janë planifikuar seanca edhe më 19 dhe 20 nëntor, ndërsa 21 nëntori është planifikuar si ditë rezervë, në rast nevoje.
DHSK bën të ditur se të gjitha seancat e javës që vjen aktualisht janë planifikuar të fillojnë në orën 09:00 dhe pritet të jenë kryesisht publike.
Në njoftim kujtohet se aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022.
Versioni me më pak redaktime i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023.”
Sipas DHSK-së, “secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit” dhe “katër akuza për krime lufte.”
Në aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë e Veriut.
Gjykata thekson se “të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat”. /Telegrafi/
Gjykata Speciale ka bërë përditësim në orarin e seancave në rastin Thaçi dhe të tjerët pas shqyrtimit të disa kërkesave të Mbrojtjes së Thaçit.
Në vendimin e datës 4 nëntor 2025, Trupi Gjykues shqyrtoi kërkesën e Mbrojtjes në lidhje me dëshminë e dëshmitarit të planifikuar 1DË-007, Wesley Clark.
Dëshmia e tij pritet të fillojë më 18 nëntor pasdite, ndërsa Trupi Gjykues ka rezervuar edhe një ditë shtesë më 21 nëntor për të përmbyllur dëshminë në mënyrë efektive.
Sipas vendimit, dita shtesë është rezervuar për të mundësuar një përfundim të shpejtë të paraqitjes së argumenteve nga mbrojtja, megjithatë palët janë të inkurajuara të përpiqen ta përmbyllin dëshminë më herët nëse është e mundur.
Gjithashtu, për javën e ardhshme është bërë një ndryshim në orarin e seancave, seanca e 10 nëntorit 2025 do të fillojë në 14:00 dhe do të përfundojë në 17:00.
Trupi Gjykues thekson rëndësinë e përmbushjes së këtij orari për të siguruar rrjedhshmërinë e procesit gjyqësor.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Telegrafi/