Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

“Teatër turpi”: Rama viziton Hashim Thaçin në Hagë

19 December 2025 at 08:24

Pasi vizitoi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në mjediset e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e përshkroi gjykatën e krimeve të luftës si “teatër të turpit të drejtësisë ndërkombëtare”. Rama, i cili shpesh e ka kritikuar gjykatën e Hagës, e sulmoi atë përsëri në Facebook, duke […]

The post “Teatër turpi”: Rama viziton Hashim Thaçin në Hagë appeared first on Reporter.al.

Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, gjithçka nga protesta në Shkup

13 December 2025 at 16:13


Me mijëra protestues u mblodhën sot në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, në protestën e thirrur nga OVL-UÇK, në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po gjykohen në Hagë, informon Telegrafi.

Protesta u përkrah nga figura politike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, nisur nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Ahmeti në fjalimin e tij tha se ish-krerët e UÇK-së po gjykohen padrejtësisht dhe se të njejtëve duhet t’u jepet mirënjohje e jo të dënohen.

"UÇK dënonte çdo veprim fashist dhe veprim kundër popullatës civile. UÇK e shpalli veten ushtri e popullit që lufton për lirinë e popullit të vet. Është e vërtetë e madhe që objektivin e madh nuk e arritëm për të ndërtuar hierarki, prandaj nuk do të donim që akuzat që bëhen për shtëpinë e verdhë, akuzat që bëhen për ndërmarrje të përbashkët kriminale të njollosin historinë e luftës çlirimtare. Ky proces duhet të marrë epilog të pafajësisë, pasi Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe ushtarë që ndodhen pas grilave, akuzohen për vepra të pabëra. Gjithë procesin e kemi përcjellë dhe na dridhej lëkura kur dëgjonim akuza që neve na i kishte bërë Beogradi dhe Moska, si kriminel e banditë. Ne e kemi dashur lirinë, por jo duke ua mohuar lirinë popuj tjerëve", tha Ahmeti.



Fjalë rasti pati edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL UÇK), Hysni Gucati, ai tha se gjykata e Hagës me gjykimin e tyre që po e bënë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, u ngjan gjykatave të ish-Jugosllavisë.


"Sot jemi mbledhur t'u tregojmë ambasadave të huaja që gjenden në Maqedoni se UÇK nuk ka qenë ushtri kriminale, por ka qenë ushtri që mbrojti qytetarët e vet. Kjo gjykatë e formuar nga një njeri i çmendur i cili ngriti rezolutë në Parlamentin e Evropës se gjoja UÇK ka bërë krime dhe ka hequr organe nga njerëzit. Ne sot me këtë numër kaq të madh të njerëzve këtu, tregojmë se UÇK buron nga populli, lindi nga populli dhe e mbron populli. Gjykata e Hagës u ngjan gjykatave të Jugosllavisë. Kërkojmë që Evropa të mos ia ve vetes faqen e zezë me ato gjyqtarë të gjykatës së Hagës", theksoi Gucati.



Kujtojmë se protesta në Shkup erdhi pas tubimeve në Tiranë dhe Prishtinë, ku në sheshet kryesore të kryeqyteteve u kërkua drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. /Telegrafi/

Ali Ahmeti nga Shkupi: Gjykata e Hagës duhet t'u jep mirënjohje ish-krerëve të UÇK-së, e jo t'i dënojë

13 December 2025 at 14:10


Ali Ahmeti sot nga Shkupi bëri thirrje që të shpallen të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, si dhe ushtarë tjerë që akuzohen nga Gjykata e Hagës. Ahmeti në fjalimin e tij nga sheshi "Skënderbeu", tha se ish-krerët e UÇK-së akuzohet për vepra që asnjëherë nuk i kanë bërë, duke thënë se kanë luftuar për lirinë e popullit.

Ahmeti gjithashtu tha se Gjykata e Hagës duhet t'u jep mirënjohje e lëvdatë ish-krerëve të UÇK-së, e jo t'i dënojë.



"UÇK dënonte çdo veprim fashist dhe veprim kundër popullatës civile. UÇK e shpalli veten ushtri e popullit që lufton për lirinë e popullit të vet. Është e vërtetë e madhe që objektivin e madh nuk e arritëm për të ndërtuar hierarki, prandaj nuk do të donim që akuzat që bëhen për shtëpinë e verdhë, akuzat që bëhen për ndërmarrje të përbashkët kriminale të njollosin historinë e luftës çlirimtare".

"Ky proces duhet të marrë epilog të pafajësisë, pasi Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe ushtarë që ndodhen pas grilave, akuzohen për vepra të pabëra. Gjithë procesin e kemi përcjellë dhe na dridhej lëkura kur dëgjonim akuza që neve na i kishte bërë Beogradi dhe Moska, si kriminel e banditë. Ne e kemi dashur lirinë, por jo duke ua mohuar lirinë popuj tjerëve", tha Ahmeti.

Ai gjithashtu theksoi se protesta e sotme nuk është kundër shtetit të Maqedonisë, duke shtuar se ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë kanë kontribuar për stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.

Ai poashtu përmendi dëshmitë e gjeneralit Wesley Clark, James Rubin dhe Christofer Hill, për të cilët shprehi mirënjohje

"Jemi mirënjohës ndaj dëshmisë së gjeneralit Clark, mirënjohës ndaj James Rubin, si dhe ambasadorit që punoi shumë në rajon për paqe dhe stabilitet Christofer Hill", tha Ahmeti./Telegrafi/

Protesta në Shkup në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, pamje nga sheshi "Skënderbeu"

13 December 2025 at 13:12


Mijëra protestues në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, kanë protestuar në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta e thirrur nga OVL-UÇK ka nisur në ora 13:00 në sheshin “Skënderbe” në Shkup.

Ajo është përkrahur nga shumë figura politike, nisur nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në tubimin e sotëm.






Protesta ka karakter paqësor, ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se edhe pse nuk e përkrah protestën do të mundësojë siguri dhe mbarëvajtje të qetë të tubimit.



Nis protesta në Shkup në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, pamje nga sheshi "Skënderbeu" telegrafi.com

Iu vazhdohet paraburgimi Thaçit, Smakajt dhe Fazliut

4 December 2025 at 14:13


Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut të cilët së bashku me Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Vendimet e ndara për secilin janë marrë nga gjyqtari i vetëm në këtë rast, Christoph Gosnell, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vendimi për Thaçin

Në rastin ku Thaçi akuzohet se udhëhoqi tri grupe të ndara për të ndikuar tek dëshmitarët e Prokurorisë në çështjen në të cilën së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Thaçit i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

Mbrojtja e Thaçit kishte argumentuar se i mbrojturi i saj nuk përbën një rrezik për arratisje dhe se mbyllja e afërt e fazës së provave në për krime lufte, si dhe transferimi i kësaj çështjeje në fazën e gjykimit, së bashku me natyrën e provave të Prokurorisë, justifikojnë një vlerësim të ri të rreziqeve të supozuara të pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të tjera nga ana e tij.

Gjyqtari Gosnell ka thënë se meqë Apeli ka konstatuar se në rast që një prej kushteve përmbushet për vazhdimin e paraburgimit, atëherë kushtet tjera mund të mos shqyrtohen. Rrjedhimisht, ka vendosur që të mos e shqyrtojë nëse Thaçi përben rrezik të arratisjes në rast se lirohet.

Por, në anën tjetër ka konstatuar se ai mund të ndikojë tek dëshmitarët, të pengojë procedurat dhe rrjedhimisht që të kryejë krime të tjera.

Sipas gjyqtarit, asnjë prej kushteve alternative nuk mund t’i zvogëlojnë rreziqet që dalin nga ky proces.

Vendimi për Smakajn

Gosnell kishte thënë se është i mendimit se ekziston rreziku që nëse lirohet, Smakaj mund të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së duke u bazuar në natyrën e akuzave ndaj tij të cilat përfshijnë pretendime për ndikim në dëshmitarë.

Edhe për Smakajn ishte konstatuar se rreziku i ndikimit në dëshmitarë është reduktuar pasi paraqitja e provave të Prokurorisë dhe Mbrojtjes në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së është mbyllur.

Megjithatë, thuhet se Smakaj mund të ndikojë në dëshmitarët e mbrojtjes në çështjen aktuale. Rrjedhimisht, për Smakajn thuhet se ai mund t’i pengojë procedurat dhe të kryej krime të tjera në rast që lirohet.

Kësisoj, gjyqtari ka konstatuar se asnjë prej kushteve të propozuara më para nga mbrojtja nuk mund t’i zbusin mjaftueshëm rreziqet që dalin në rast që Smakaj lirohet me kusht.

Vendimi për Fazliun

Gjyqtari Gosnell në vendimin e tij të parë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Fazliut ngjashëm sikur për dy të akuzuarit e tjerë ka thënë se ekziston dyshim i bazuar se ai ka kryer vepra penale që bien brenda juridiksionit të DhSK-së.

Duke u bazuar në atë se Apeli ka deklaruar se nëse njëra nga kushtet përmbushet për caktimin e paraburgimi, kushtet e tjera nuk duhet të shqyrtohen. Rrjedhimisht, Gosnell nuk e konsideroi të nevojshëm për momentin që të bëjë konstatime lidhur me rrezikun që Fazliu mund të arratiset.

Ndërsa, është konstatuar se ekziston rrezik real që Fazliu mund të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së.

Në anën tjetër, gjyqtari ka konstatuar se rreziku i pengimit të dëshmitarëve të Prokurorisë është reduktuar në krahasim me periudhat e shqyrtimeve të mëparshme të paraburgimit.

“Gjykatësi i vetëm vëren se dëshmitarët që do të paraqiten për SPO-në, duke marrë parasysh rrethanat e tyre, nuk pritet të jenë subjekt i ndonjë ndikimi nga z. Fazliu ose nga dikush që mund të veprojë në emër të tij”, thuhet në vendim.

Megjithatë, gjyqtari ka konstatuar se ekziston rreziku që Fazliu të ndikojë tek dëshmitarët potencial të mbrojtjes dhe nëse lrohet mund të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së. Rrjedhimisht, ai mund të kryejë edhe krime të tjera.

Gjyqtari i vetëm ka thënë se çdo kusht i mundshëm që mund të vendoset nuk e adreson mundësinë që Fazliu mund të përdorë pajisje komunikimi të personave të tjerë, nuk mund të monitorohen plotësisht komunikimet e Fazliut me djalin e tij i cili përmendet në aktakuzë si dhe çdo masë e vendosur nuk mund të jetë efektive sikur qendra e paraburgimit.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Në këtë rast, Prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake dhe mund ta gjeni KËTU. Po ashtu, dosjen e tij për këtë fazë të procedurës e ka dorëzuar edhe Fadil Fazliu, të cilën mund ta gjeni KËTU. Ndërsa, atë të Thaçit KËTU. /BetimipërDrejtësi/

Mbrojtja mbyll zyrtarisht paraqitjen e provave në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

4 December 2025 at 08:19


Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit kanë mbyllur zyrtarisht paraqitjen e provave në rastin ku klientët e tyre së bashku me Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Këtë njoftim mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Krasniqit e kanë bërë ndaras më 2 dhjetor 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Wesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.

Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Gjyqi i madh drejt finales, vendimi pritet në pranverë

30 November 2025 at 11:12


Pas më shumë se 5 vjet proces gjyqësor ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duket se është afruar fundi. Tashmë kur në fillim të muajit shkurt janë caktuar seancat për fjalët përfundimtare në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, muaji prill dhe fillimi i muajit maj 2026 po shihen si afate optimale që trupi gjykues të nxjerr aktgjykimin e shkallës së parë.

Monitorues të këtij procesi gjyqësor vlerësojnë se gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka qenë proces i gjatë dhe i përcjell me mungesë transparence për shkak të numri të madh të dëshmitarëve të ZPS-së që u dëgjuan në seanca të redaktuara apo edhe të mbyllura për publikun.

Monitoruesi nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Amer Alija beson që fillimi i majit 2026 do të sjellë një aktgjykim për katërshen e UÇK-së, të cilët janë në paraburgim në Hagë që nga viti 2020.

“Ka qenë një gjykim maratonik që ka zgjatur 5 vjet. Gjatë këtyre viteve ka pasur edhe sfidat dhe ka qenë periudha e COVID-it. Ky proces ka pasur edhe shumë seanca të redaktuara për publikun, rreth 50 për qind e dëshmitarëve kanë qenë dëshmitarë të mbrojtur të Prokurorisë. Shqyrtimet gjyqësore kur janë dëgjuar këta dëshmitarë kanë qenë pjesërisht apo kryesisht të mbyllura për publikun dhe kjo ka ndikuar te cenimi i transparencës dhe publicitetit…", tha ai.

Alija tutje shtoi se tani rasti ka ardhur në përfundim të procedurës.

"Deri më 17 janar nëse nuk gaboj janë procedurat ku mbrojtja dhe palët tjerat duhet të paraqesin dosjet përfundimtare, më pastaj më 9 deri 13 shkurt 2026 janë caktuar të mbahen fjalët përfundimtare dhe pasi të përfundojë kjo procedurë, me fjalën përfundimtare trupi gjykues brenda 3 muajsh duhet ta shpallë aktgjykimin. Sigurisht, diku kah fillimi i muajit maj 2026 pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë në rastin Thaçi dhe të tjerët”, tha ai.

Por, sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftarajt koha e shpalljes së aktgjykimit për rastin Thaçi dhe të tjerët po afrohet.

Ai thotë se muajt mars dhe prill mund të shënojnë momentin kur Gjykata Speciale do të zbardhë vendimin e saj të parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, raporton KosovaPress.

“Me vetë faktin që gjatë muajit shkurt është paraparë fjalët mbrojtjes qoftë të prokurorisë, avokatëve mbrojtës unë besoj që muaji mars, prill mund të jenë afate kohore kur gjykata mund të dal me një vendim për rastin në fjalë, po flas për shkallë të parë“, thotë Miftaraj.

Në shqyrtimin gjyqësore ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi i cili nisi në prill 2023 në gjithsej 227 seanca gjyqësore u dëgjuan 125 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndërkaq 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim dhe dy dëshmitarë të mbrojtjes së viktimave.

Ndërkaq, në fillim të muajit shtator nisi dëgjimi i shtatë dëshmitarëve të mbrojtjes, të cilit ishin zyrtarë të lartë perëndimorë me njohuri të drejtpërdrejtë të zhvillimeve nga koha e luftës. Në mesin e tyre ishte edhe ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.

Lidhur me dëshminë e kësaj dysheje të rëndësishme, por edhe të tjerëve që u dëgjuan, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë vlerëson se dëshmitë e mbrojtjes kanë peshë të madhe.

“Mbrojtja përmes këtyre deklaratave, të cilat do të kenë një peshë të madhe tek vlerësimi i kredibilitetit nga trupi gjykues kanë dashur të tregojnë të kundërtën nga çka ato që kanë pretenduar prokuroria...Deklaratat e këtyre dëshmitarëve të cilët kanë qenë të kyçur drejtpërdrejtë me zhvillime gjatë viteve 98’, 99’ sigurisht që do të kenë peshë, dhe njohuritë dhe deklaratat e tyre lidhur me organizimin e UÇK-së lidhur me përgjegjësitë dhe jo përgjegjësitë e Hashim Thaçit dhe të tjerëve do të vlerësohen nga trupi gjykues”, deklaron Alija.

Ndërsa, Ehat Miftaraj nga IKD thotë se këto dëshmi e shkatërruan narrativen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që kishin ndërtuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Fatkeqësisht, është evidente që kjo gjykatë nuk ka pasur transparencë të plotë pasi një numër i madh i seancave kanë qenë të mbyllura për publikun dhe shoqërinë civile... Ajo çka thash në fund të procesit kur edhe mbrojtja, prokuroria dhe mbrojtësit e viktimave i kanë dhënë deklaratat e fundit të procesit, mund të themi me kompetencë dhe pa ndërhyrë në proces, është fakti që Prokuroria mund të themi se ka ngritur një aktakuzë jashtëzakonisht shumë-shumë të dobët", u shpreh Miftaraj.

Miftaraj ka shtuar se ka pasur një përfaqësim të aktakuzës shumë të dobët e cila pastaj në raste të caktuara kualiteti i dobët i aktakuzës është munduar të kompensohet me një qasje agresive nga ana e prokurorëve.

"Kualiteti, integriteti, kredibiliteti i dëshmitarëve të ZPS ka qenë i nivelit shumë të ulët në raport me kredibilitetin, integritetin e dëshmitarëve të mbrojtjes...Dëshmitarët e mbrojtjes e shkatërruan narrativen që ka ndërtuar Prokuroria Speciale lidhur me atë se kush e ka udhëhequr UÇK-në, në këtë rast Prokuroria e ka quajtur Hashim Thaçin si komandant të UÇK-së”, theksoi ai.

Strategjia e mbrojtjes ishte të argumentonte se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të organizuar komanduese, dhe se roli i ish-presidentit Hashim Thaçi ishte politik, por pa autoritet mbi operacionet ushtarake.

Ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin gjatë dëshmisë së tij më 16 shtator tha se UÇK-ja ishte pa “kontroll dhe komandë efektive”.

Edhe gjenerali amerikan, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, në dëshminë e tij, më 17 tetor, UÇK-në e përshkroi si grupe të pavarura, por pa zinxhir komandues.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Hagë nga viti 2020. Ata janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniq dhe Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte./KP/

Prosper: Presidenti Thaçi dhe të tjerët do të jenë të lirë

23 November 2025 at 08:20


Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Pierre Richard Prosper, ka deklaruar se nëse Hashim Thaçi dhe të tjerët shpallen fajtorë, kjo do të ishte një vlerësim i padrejtë i tërë historisë.

Prosper, në një intervistë ekskluzive për “Info Magazine” në Klan Kosova, theksoi se të dhënat historike, përfshirë ato nga NATO dhe kujtimet e zyrtarëve, janë krejt të kundërta me përfundimin që mund të nxirret ndaj të akuzuarve.

“Mendoj se nëse ata shpallen fajtorë, mendoj se është një keqkuptim i qartë dhe vlerësim i padrejtë jo vetëm për të vërtetën, por për gjithë historinë. Mendoj se jo vetëm historia por të dhënat historike brenda NATO-s dhe kujtimet e zyrtarëve përgjatë zinxhirit komandues si dhe të dhënat historike të të gjitha qeverive janë krejt të kundërta me një përfundim të tillë”, deklaroi Prosper në një intervistë ekskluzive në Info Magazine në Klan Kosova.

Ai theksoi se gjatë pesë viteve të fundit, ka pasur një keqinterpretim dhe ndryshim të historisë, ndërsa tani, me përfundimin e dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës, bota ka mundësi të shohë realitetin.

Prosper beson se prova të sakta historike do të nxjerrin në pah të vërtetën dhe, sipas tij, ky proces do të përfundojë me lirimin e Thaçit dhe të tjerëve.

Ai shtoi se ka besim se gjyqtarët do të shohin informacionet dhe provat dhe do të arrijnë në përfundimin e duhur.

“Kemi besim se gjyqtarët tani do të shohin informacionet dhe provat për ta kuptuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe si ka qenë situata. Por në fund të ditës, kemi triumfuar duke regjistruar të dhëna të sakta historike. Tani u mbetet në dorë të gjyqtarëve, mirëpo mendoj se nëse e shohin të vërtetën ashtu siç është, presidenti Thaçi dhe të tjerët do të jenë burra të lirë”, u shpreh ai mes tjerash në këtë intervistë

Prosper theksoi se gjatë dhe pas luftës në Kosovë, Hashim Thaçi nuk ka pasur komandë dhe kontroll të drejtpërdrejtë mbi pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Procesi i dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës ka përfunduar dhe tani mbetet faza e fjalëve përfundimtare, që Prosper e cilësoi si një detyrë “masive”.

Prosper ndër tjerash tha se Prokuroria, në vend që të dëshmojë se çfarë ka ndodhur, është mbështetur në libra e lajme.

“Në vend që të dëshmojë se çfarë ka ndodhur, kanë vendosur të mbështeten në libra, lajme, shkrime, shkresa, pra ka me bollëk të tilla gjëra në kuadër të provave të cilat duhet t’i rishikojmë. Duhet të sigurohemi që ta ballafaqojmë atë dosje. Sapo të përfundojë ky proces më pas do t’i kemi fjalët me gojë, argumentet tona në fillim të vitit të ardhshëm”, theksoi Prosper në Info Magazine në Klan Kosova.

Ai tha se argumentet do të prezantohen nga avokati.

Procesi i dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës në rastin e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, tashmë ka përfunduar. E avokati i ish-presidentit të Kosovës, Pierre Richard Prosper, tha se do të donte të kishte në listë edhe persona tjerë, por që disa nga ta tashmë kanë vdekur.

Në mesin e tyre, ai thotë se ish-Sekretarja e Shtetit Amerikan, Madeleine Albright, do të kishte qenë një dëshmitare fantastike.

- YouTube www.youtube.com

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, anulohen seancat në muajin nëntor dhe dhjetor

20 November 2025 at 10:15


Dhomat e Specializuar në Hagë kanë bërë të ditur se janë anuluar seancat gjyqësore ndaj ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve, për muajin nëntor dhe dhjetor.

Në njoftim thuhet se ditëve në vijim do të bëhen të ditura hapat e ardhshëm.

“Pas përfundimit të Konferencës për Ecurinë e Çështjes, ju informojmë se të gjitha seancat e caktuara më parë për nëntor dhe dhjetor në gjykimin Thaçi dhe të tjerët janë anuluar dhe janë hequr nga Kalendari i Gjykatës.

Siç është thënë gjatë Konferencës për Ecurinë e Çështjes, Trupi Gjykues synon të lëshoj një vendim më vonë këtë javë në lidhje me hapat e ardhshëm”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Iu vazhdohet paraburgimi Veselit, Krasniqit dhe Selimit

19 November 2025 at 10:45


Të martën, më 18 nëntor 2025, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Ndonëse Prokuroria ka argumentuar se ekziston rreziku që tre të akuzuarit të pengojnë drejtësinë, të kryejnë krime tjera ose të arratisen, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III në vendimin e tij ka konfirmuar vetëm dy pretendimet e para të Prokurorisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pra, është konstatuar se ekziston rreziku që të akuzuarit mund të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë krime të tjera.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Wesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.

Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.

DhSK-ja kishte bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Wesley Clark: UÇK-ja nuk kreu spastrim etnik

18 November 2025 at 21:49

Në dëshminë e tij dy-ditore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Gjenerali Wesley Clark, ish-Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK, ishte reagimi i shqiptarëve etnikë ndaj më shumë se një dekade shtypjeje nga regjimi serb dhe mohoi se ajo kreu spastrim etnik kundër […]

The post Wesley Clark: UÇK-ja nuk kreu spastrim etnik appeared first on Reporter.al.

Në Hagë vazhdon dëshmia e Michael Durkee, ish-këshilltarit të gjeneralit Wesley Clark

13 November 2025 at 08:50


Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot do të vazhdoj dëshminë e tij, dëshmitari i gjashtë i mbrojtjes, Michael Durkee.

Durkee ka shërbyer si këshilltar politik i komandantëve supremë të forcave aleate të NATO-s në Evropë, përshirë gjeneralin Wesley Clark.

Gjatë dëshmisë së tij ditën e djeshme Durkee tha se nuk parë prova që aktet e dhunës në Kosovë gjatë verës së 1999-ës ishin të drejtuara nga UÇK-ja.

“Ka pasur raste që ka pasur dyshime për përfshirjen e udhëheqjes së UÇK-së. Mua nuk më kujtohet të kem parë ndonjë provë konkrete personalisht që këto të kenë qenë akte dhune të drejtuara nga UÇK-ja. Unë se çfarëdo që dëgjoja ia raportoja gjeneralit Clark”, ka deklaruar Durkee.

Ai e vlerësoi Hashim Thaçi më tepër si udhëheqës politik sesa komandant ushtarak, duke argumentuar që bisedat me të kishin qenë më shumë rreth aspiratave politike sesa objektivave ushtarake

“Mendoj se kjo ishte bazuar në atë se çka më kujtohet: lloji i bisedës që u zhvillua, foli pothuajse tërësisht për aspirata politike më shumë se për objektivat ushtarake … dhe në këtë kuptim ishte udhëheqës politik më shumë sesa komandant ushtarak”, u shpreh Durkee.

Kujtojmë se faza e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes do të përfundoj javën e ardhshme me dëshminë e gjeneralit Wesley Clark. /Telegrafi/

Ish-diplomati amerikan: Përshtypja ime, Krasniqi nuk ishte person i rëndësishëm në UÇK

11 November 2025 at 12:55


Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë sot deklaroi se përshtypja e tij ishte se Jakup Krasniqi nuk ishte person i rëndësishëm në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Hill ka folur edhe për takimin e tij me Thaçin dhe Krasniqin në Dragobill.

"Kjo është përshtypja juaj, nga sa keni parë se zotëri Krasniqi nuk ishte person i rëndësishëm në UÇK...", pyeti avokati i Jakup Krasniqit, Aiden Ellis.

"Po, kjo ishte përshtypja ime”, tha Hill.

Christopher Hill u pyet po ashtu nga mbrojtja e Jakup Krasniqit nëse ka qenë në dijeni në lidhje me nismën e Sllobodan Millosheviqit për “krijimin e një njësie lokale policore” në fshatrat e pjesës perëndimore të Kosovës, ai mohoi një gjë të tillë.

Ai tha se po të ishte në dijeni për këtë do t’i thoshte se ishte ide e keqe.

Hill teksa foli për negociatat e janarit të vitit 1999 në Rambuje, tha se një “shkëmbim i vetëm që kishte ndodhur mes UÇK-së dhe ushtarëve të konfliktit”.

“... Do të kisha thënë që është një ide e keqe”, tha ai.

“Jo, por të kisha qenë në dijeni të kësaj gjëje do të kisha thënë që është një ide e keqe. Jo çdo nismë e presidentit Millosheviq na raportohej, me thënë të drejtën as seriozisht nuk e merrnim... Ai planifikonte të merrte masa ndëshkimore shumë të rrepta nëse nuk bëhej diçka”, u shpreh ai.

Ai tha se nuk e dinte se e kishte lejuar lirimin e ushtarëve serbë dhe Hill shtoi se ishte problematikë e vazhdueshme me UÇK-në sepse nuk e dinin kush ishte përgjegjës atje.

Ish i dërguari i posaçëm i SHBA gjatë kohës së luftës në Kosovë, Christopher Hill tha se edhe sot i qëndron mendimit të tij dhe skepticizmit të tij se organizimi i konferencave mund të zgjidhje problemet e Kosovës.

Pse Hill tha se ishte skeptikë që organizimi i një konference mund të zgjidhte këtë çështje?

“Isha skeptikë që organizimi i një konference mund të zgjidhte këtë çështje për më tepër isha skeptikë dhe i lodhur nga ideja se Dejtoni ishte ideja për të zgjidhur problemin e Kosovës të cilin unë e gjykoja si një konflikt shumë ndryshe”, tha ai.

Gjatë dëshmisë së tij ish-diplomati amerikan konfirmoi se më 6 nëntor 1998 ishte takuar me Thaçin dhe Krasniqin në Dragobill.

Tutje në gjykatore, Hill deklaroi se Adem Demaçi ishte kundër negociatave me serbët dhe ishte kundër çdo gjëje që nuk e trajtonte çështjen e pavarësisë.

“Ne e dinim që Adem Demaçi ishte kundër çdo negociate me serbët dhe ishte kundër çdo gjëje që nuk trajtonte çështjen e pavarësisë. Pra, kur ekzistonin problematika serioze të rënda, ne supozonim që është Demaçi pas këtyre”, tha ai.

Mbrojtja e Veselit dhe Selimit nuk pati pyetje për dëshmitarin e pestë të mbrojtës së Thaçit, Christopher Hill.

Ndërsa, aktualisht ish i dërguari i posaçëm i SHBA gjatë kohës së luftës në Kosovë, Christopher Hill po përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Hill dëshminë e tij në Hagë e ka nisur dje, dhe është dëshmitari i pestë i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit e cila përfaqësohet nga avokati Luka Mishetiq. Ndërsa, kanë mbetur veç edhe dy dëshmitarë për tu dëgjuar.

Kujtojmë se Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020. Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara të luftës për çka janë deklaruar të pafajshëm. /kp/

Në Hagë dëshmojnë Hill e Clark, fillon blloku i fundit i dëshmitarëve në gjykimin Thaçi dhe të tjerët

11 November 2025 at 10:43


Në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka nisur bllokut i fundit të dëshmitarëve të Mbrojtjes në këtë çështje gjyqësore.

Kështu ka bërë të ditur Gjykata Speciale përmes një njoftimi për media, ku ka theksuar se dëshmitarët e fundit do të dëshmojnë këtë javë dhe javën tjetër.

Në mesin e dëshmitarëve të parashikuar për këtë fazë janë edhe emra të njohur ndërkombëtarë.

“Ish-ambasadori amerikan Christopher Hil filloi dëshminë të hënën, më 10 nëntor, kurse nga fundi i javës pritet të dëshmojë edhe një dëshmitar tjetër”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, ish-komandanti i NATO-s Wesley Clark është planifikuar të fillojë dëshminë të martën e javës që vjen, më 18 nëntor.

Për dëshminë e tij janë planifikuar seanca edhe më 19 dhe 20 nëntor, ndërsa 21 nëntori është planifikuar si ditë rezervë, në rast nevoje.

DHSK bën të ditur se të gjitha seancat e javës që vjen aktualisht janë planifikuar të fillojnë në orën 09:00 dhe pritet të jenë kryesisht publike.

Në njoftim kujtohet se aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022.

Versioni me më pak redaktime i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023.”

Sipas DHSK-së, “secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit” dhe “katër akuza për krime lufte.”

Në aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë e Veriut.

Gjykata thekson se “të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat”. /Telegrafi/

Ish-krerët e UÇK-së, 5 vite në Hagë/ Procesi ndaj tyre, ende në fazën e paraqitjes së dëshmitarëve

5 November 2025 at 16:47

5 nëntori shënon 5 vite nga arrestimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Në këtë datë, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së e quan sfidën e tyre një përballje me padrejtësinë, ndaj së cilës nuk duhet të dorëzohen.

“Sot bëhen 5 vite nga arrestimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike”, thuhet në reagim.

Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës kanë reaguar duke shkruar se “Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët!”

Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, pasi gjykatësi i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara e njoftoi se e ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij dhe tre ish-bashkëluftëtarëve të tij.

“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës”, pati thënë Thaçi për gazetarët gjatë një konference për media të mbajtur në oborrin e Presidencës së Kosovës.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, më 5 nëntor bëri të ditur se kishte bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që vullnetarisht të udhëtonte drejt Hagës,

Jakup Krasniqi gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 4 nëntori i vitit 2020. Ai u paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, dhe për dallim nga Thaçi dhe Veseli, përveç se u deklarua i pafajshëm për aktakuzën, ai mbajti edhe një fjalim.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe pengim të drejtësisë.

Aktualisht gjyqi është në fazën kur mbrojtja po prezanton dëshmitarët, mes të cilëve edhe gjenerali Wesley Clark dhe Christopher Hill.

/abcnews.al/

Memli Krasniqi viziton familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi

5 November 2025 at 15:10


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar sot familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, në shenjë solidariteti në pesëvjetorin e dërgimit të tyre në Hagë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krasniqi ka theksuar se kjo vizitë u bë për të shprehur mbështetje dhe ngushëllim për mallin e familjeve që prej vitesh janë ndarë nga më të dashurit e tyre.

"Në pesëvjetorin e shkuarjes në Hagë të Presidentit Hashim Thaçi, Kryetarit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqit, vizituam familjet e tyre për të shprehur solidaritetin tonë të plotë me mallin dhe vuajtjen e tyre për më të dashurit që u mungojnë prej një kohe të gjatë. Familjet Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, megjithatë, kanë shumë më tepër arsye për të qenë krenare për bijtë e tyre, sepse ata u takojnë të gjithëve, e mbi të gjitha, Kosovës", tha Krasniqi.

Mes tjerash, ai ka shkruar se "ata ishin bashkë në luftë, bashkë në ndërtimin e shtetit, dhe sot janë bashkë në përballjen me padrejtësinë, me të njëjtin dinjitet që i ka përcjellë gjithmonë".

"Urojmë që ky proces, i dalë prej binarëve të drejtësisë dhe arsyes, të përfundojë sa më shpejt me verdiktin që e presim të gjithë, lirinë e çlirimtarëve, që ata të kthehen te familjet dhe te populli i tyre. Kosova ju pret"./Telegrafi/


"Kemi punuar në heshtje", Kurti publikon për herë të parë letrën ku kishte kërkuar lirimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

5 November 2025 at 12:27


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ekziston asnjë arsye ligjore apo morale për mbajtjen në paraburgim në Hagë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në një reagim në Facebook, Kurti ka theksuar se ka punuar në heshtje për çështjen e tyre, duke shtuar se, sipas tij, puna më efektive bëhet pa zhurmë, transmeton Telegrafi.

"Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po e mbajnë. Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”.Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim. Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet", ka deklaruar Kurti.

Kurti thotë se në vitin 2022 kishte kërkuar lirimin e tyre, duke publikuar kështu për herë të parë letrën që i kishte dërguar Trandafilova.

"Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar. E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje", tha Kurti.

Ai shtoi më tej se "Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre"./Telegrafi/



Krasniqi kërkon drejtësi për ish-krerët e UÇK-së: Shkuan në Hagë me kokën lart

5 November 2025 at 10:21


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ka kërkuar drejtësi dhe liri për çlirimtarët.

Krasniqi në një postim në Facebook, ka thënë se për 1,826 ditë ata dhe familjet e tyre kanë përballuar vuajtjen me qetësi, durim e besim.

“Pesë vjet më parë, u ndaluan padrejtësisht katër nga udhëheqësit kryesorë të luftës çlirimtare: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Pesë vjet më vonë, procesi po vazhdon të zvarritet, padrejtësia të rritet ndërsa e vërteta që ne e njohim dhe e dijmë, ende s'e ka marrë verdiktin që e meriton. Ata shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, pa u ankuar, pa kërkuar privilegje. Shkuan si burrështetas, si ushtarë të lirisë, me besim në drejtësi, me dinjitetin që ua dha historia dhe me dashurinë që ia dhanë Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Më tej, ai ka theksuar se historia e vendit tonë është shkruar me gjak dhe sakrificë dhe se asnjë gjykatë nuk mund ta rishkruajë atë.

“Sot, pesë vjet më vonë, me mirënjohje, mall e krenari, Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët!”, ka shkruar lideri i PDK-së. /Telegrafi/


Pesë vite nga arrestimi, OVL-UÇK kërkon drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

5 November 2025 at 09:49


Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka kujtuar sot pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar këtë periudhë si “pesë vite padrejtësie” ndaj atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.

Në reagimin e saj, OVL-UÇK thekson se heronjtë e luftës mbahen ende larg familjeve dhe atdheut për të cilin luftuan.

“Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike”, thuhet në reagimin e OVL e UÇK-së.

Krerët e UÇK-së, të cilët po përballen me procese gjyqësore në Hagë, u arrestuan në nëntor të vitit 2020 me akuza për krime lufte.

Pavarësisht se u bë publike më 5 nëntor të vitit 2020, aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte konfirmuar më 26 tetor të po atij viti.

Dy vjet më vonë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti akuza të reja, për të cilat po ashtu Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u deklaruan të pafajshëm.

Aktakuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban gjithsejtë dhjetë akuza.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura aty janë kryer në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Procesi gjyqësor ndaj tyre ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë, ndërsa OVL-UÇK vazhdon të kërkojë drejtësi dhe lirimin e tyre. /Telegrafi/


Për arsye logjistike, anulohen edhe ketë javë seancat ndaj Thaçit dhe të tjerëve

3 November 2025 at 10:17


Seancat e parapara për këtë javë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, janë anuluar.

Siç kanë njoftuar Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kjo ka ndodhur për arsye logjistike.

Ndërsa, seanca e radhës pritet të mbahet të hënën e 10 nëntorit 2025, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëgjimi i dëshmitarit që ishte planifikuar për sot, ishte shtyrë vazhdimisht.

Sipas një parashtrese të mbrojtjes së Thaçit, ky dëshmitar ishte planifikuar të dëshmonte më 15 shtator në vend të James Rubin. Sipas tyre, dëshmia e tij është dashur të shtyhet vazhdimisht për shkak të çështjeve që janë jashtë kontrollit të mbrojtjes.

Mbrojtja ka thënë se nëse dëshmitari që është planifikuar të dëshmojë më 3 nëntor 2025 nuk dëshmon, atëherë nuk ka asnjë dëshmitar të disponueshëm për këtë javë.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/

❌
❌