Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 24 December 2025Main stream

‘Çmenduria’ e Agron Hotit në Dubai për pikturën më të madhe dhe miqësia me futbollistët e famshëm

24 December 2025 at 14:30

Gazeta Si – Do të ndërtohet në shkretëtirë, midis Dubait dhe Abu Dhabit, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Do të jetë vepra më e madhe piktoriale ndonjëherë: 100.000 metra katrorë në madhësi.

Do të projektohet nga Agron Hoti, një artist shqiptar që jeton në Verona dhe ekspozitat e pikturat e të cilit janë shfaqur në të gjithë botën, nga Nju Jorku në Londër, nga Shangai në Paris, Tiranë dhe Kazablanka.

“Ndonjëherë më kap çmenduria dhe ky është një prej atyre rasteve”, – buzëqesh ai. Me Agronin mund të takohesh në studion e tij, në Palazzo Carlotti, në qendrën historike, ku disa nga pikturat e tij më të famshme varen në mure.

Më 9 janar, Hoti do të fluturojë për në Dubai për hapjen që do të shënojë fillimin e instalacionit: “Priten gjithashtu kampionë të mëdhenj të futbollit: Roberto Baggio, Ronaldo, Francesco Totti. Kam një miqësi të shkëlqyer me ta”, shpjegon ai.

“Nata e mbretërve”

Hoti flet për “çmendurinë” e tij, një jetë aventureske që e çoi në Greqi për tetë vjet, përpara se të mbërrinte në Itali dhe të vendosej në Verona.

Ai shpjegon: “Më 2 qershor 2019, pikturova një kanavacë prej 800 metrash katrorë në Romë, për një ngjarje të quajtur ‘Nata e Mbretërve’. Gjatë izolimit, pikturova 400 metra katrorë në ‘Arena’, me shoqërimin e një DJ. Në stadiumin e Tiranës, një vit më parë, pikturova ‘Everflow’, një vepër prej 7,600 metrash katrorë”.

Instalacioni

Numra rekord, të destinuar të tejkalohen shumë nga ajo që Hoti do të bëjë në Dubai, brenda pavionit të ankorimit të anijeve turistike të metropolit të Emirateve: “Por nuk më pëlqen të flas për rekorde”, – shpjegon ai.

“Kur përpiqesh të vendosësh një rekord, fikson një limit. Gjithmonë dua të shkoj përtej kësaj. Për ta tejkaluar, limitin. Nuk kam qenë kurrë i interesuar të hyj në Librin e Rekordeve Guinness”.

Për të pikturuar veprën gjigante, Hoti vlerëson se do të duhen 15 muaj punë. Një kohë e gjatë, gjatë së cilës ai do të udhëtojë midis Dubait dhe Veronës.

Instalacioni, pasi të përfundojë, do të vendoset në një strukturë alumini dhe do të çohet në shkretëtirë: “Do të jetë aq i madh, sa mund të fotografohet nga sateliti. Për të parandaluar erozionin për shkak të agjentëve atmosferikë, do të aplikohen ngjyra shumë rezistente. Titulli i veprës do të jetë Clio”.

“Gjithçka rrjedh”

Artisti shqiptar synon të përfaqësojë pafundësinë, “gjithçka rrjedh”, se si gjithçka është gjithmonë në lëvizje”, thotë Hoti.

Sponsorët, vazhdon ai, “do të jenë Shamal, një kompani e madhe ndërtimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe X Dubai, një kompani e madhe aktive në sektorin e sporteve ekstreme. Ata gjithashtu do të mbështeten nga kompania e filmave Dubai Film. Do të përfshihen edhe shumë sponsorë. Investimi total do të arrijë në 50 milionë euro”.

Ndikimi do të jetë i gjerë, pasi një industri e rëndësishme turistike do të zhvillohet rreth Clio-s: “Priten një milion vizitorë. Ata do të arrijnë në vendin e punimeve në shkretëtirë me karroca për në rërë. Ai do të jetë i rrethuar nga një qendër arti prej 3,000 metrash katrorë, me restorante, mikpritje dhe zona relaksi. Valentina Baldini, gruaja e Andrea Pirlos, do të jetë këshilltarja ime e artit”, vëren Hoti.

Po projektet e tij të radhës? Një çast pushim dhe udhëtimi rifillon: “Gjithmonë kam diçka në mendje. Nuk ndalem kurrë. A ndihem i famshëm? Andy Warhol foli për 15 minuta famë, por për mua, të qenit i famshëm do të thotë tre gjëra: të siguroj jetesën me artin tim, të mbështes familjen time dhe të kem gjithmonë lirinë për të bërë atë që dua dhe shijoj. Pra, po, ju them se jam i famshëm”.

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”

The post ‘Çmenduria’ e Agron Hotit në Dubai për pikturën më të madhe dhe miqësia me futbollistët e famshëm appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Çelet ekspozita me fotografi të rralla të Aleksandër Moisiut nga arkivat austriake

19 December 2025 at 17:37

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ 45 foto dhe dokumente të rralla e të panjohura më parë, janë pjesë e ekspozitës “Aleksandër Moisiu: Njeriu dhe Artisti”, e çelur sot në mjediset e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Kjo ekspozitë vjen në 20-vjetorin e themelimit të Universitetit, si rezultat i një pune kërkimore 7-vjeçare të studiuesit Pjetër Logoreci, në arkivat austriake. Rektori UAMD priti studiuesin Logoreci pas ardhjes së tij nga Vjena, enkas për t’iu bashkuar stafit të Universitetit në çeljen e ekspozitës “Aleksandër Moisiu: Njeriu dhe Artisti”.

Gjatë takimit, studiuesi Logoreci u shpreh se fotot e rralla të mbledhura nga arkivat e Vjenës ia dhuron UAMD-së. Rektori, dr. Shkëlqim Fortuzi, shprehu vlerësimin më të lartë dhe mirënjohjen e thellë për Pjetër Logorecin, për punën e shkëlqyer arkivore dhe promovimin e figurës së Aleksandër Moisiut.

“Ky dhurim shënon një kontribut tejet të çmuar e të jashtëzakonshëm në fillimin e ngritjes së fondit të rrallë arkivor për UAMD-në mbi figurën e këtij personaliteti epokal shqiptar, me famë ndërkombëtare, emrin e të cilit mban me krenari universiteti ynë”, u shpreh Fortuzi.

1 nga 5

/j.p/r.e/

The post Çelet ekspozita me fotografi të rralla të Aleksandër Moisiut nga arkivat austriake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekspozita “Olbania”, neorealizmi i YouTube-it dhe teknologjitë deepfake

17 December 2025 at 11:23

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, u çel ekspozita “Olbania”.

Kjo është një ekspozitë kolektive e grupit të artistëve italianë “Alterazioni Video”, i cili eksploron territore hibride të periudhës së “pas së vërtetës”, neorealizmit të YouTube-it dhe teknologjive të deepfake-it.

“Olbania” vjen e kuruar nga Sara Dolfi Agostini. Projekti u konceptua në vitin 2009, gjatë pjesëmarrjes së tyre në Bienalen e 3-të të Tiranës, dhe merr titullin nga një keqshkrim i përhapur në forumet dhe chatroom-et e fillimviteve 2000, një etiketë që u shndërrua në territor fiktiv online, i ngarkuar me simbole dhe stereotipe të mitologjive ballkanike.

Gjatë një “gjuetie në internet”, në fazën kur Shqipëria kaloi mediatikisht nga televizioni italian në internetin global, “Alterazioni Video”, ndërtuan një arkiv vizual prej mbi 600 polaroidesh.

Ekspozita shfaqet si një bashkëpunim aksidental mes përdoruesve online dhe artistëve, një kapsulë kohore që dokumenton qarkullimin e një versioni alternativ të Shqipërisë dhe, pa dashje, rishpikjen e saj në hapësirën digjitale. Ekspozita “Olbania” u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.

The post Ekspozita “Olbania”, neorealizmi i YouTube-it dhe teknologjitë deepfake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Shqipëria përmes arkivit fotografik të ”Magnum”

9 December 2025 at 12:46

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ – Disa vite më parë, gjatë një vizite në zyrën e Magnum në Paris, Enri Canaj nisi të zbulonte imazhe nga Shqipëria e tij në arkivin e “Magnum”, sipas https://www.magnumphotos.com/arts-culture/albania-through-the-archive/.

Duke parë fotografitë e pesë autorëve, përfshirë edhe vetë atë, Canaj filloi të rindërtonte historinë e epokës postkomuniste të vendit, nga çasti i rënies së regjimit në vitin 1991, te hapja graduale e kufijve gjatë viteve ’90 dhe periudha e rritjes ekonomike rreth fillimviteve 2000.

Këtë verë, në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Tiranë, u hap një ekspozitë me këtë punë, ku paraqitet krijimtaria e pesë fotografëve të ”Magnum” që mbulojnë dy dekada: Canaj, Nikos Economopoulos, Alex Majoli, Carl de Keyzer dhe Martin Parr.

E kuruar nga Sylvia Sachini, ekspozita mban titullin “Things Take Time”, një referencë ndaj rindërtimit të ngadaltë të vendit ndër vite.

Të parët që udhëtuan drejt Shqipërisë qenë fotografi grek Economopoulos, britaniku Martin Parr dhe Alex Majoli shumë i ri, gjatë viteve 1990–1992, në momentet pak para dhe menjëherë pas rënies së regjimit komunist. Ishte një periudhë kur hyrja e të huajve në vend ishte ende jashtëzakonisht e vështirë, pasi Shqipëria kishte qenë e izoluar për dekada me radhë.

Çfarë fshihej pas këtij izolimi mbetej ende një mister për pjesën më të madhe të botës.

Për Economopoulos, interesi për të dokumentuar Shqipërinë lidhej me projektin e tij më të gjerë mbi aspektet më pak të njohura të rënies së komunizmi, Shqipëria, Bullgaria, Rumania, minoritetet në Greqi dhe tensionet në rritje në ish-Jugosllavi.

Puna e tij u botua në librin fotografik “In the Balkans” në vitin 1995.

“Një nga gjërat më interesante që mbaj mend nga ajo periudhë është sarkazma e hidhur dhe qëndrimi autokritik ndaj së ardhmes që gjeje në Shqipëri, çka, të paktën në sytë e mi, dukej si një reagim më i shëndetshëm ndaj situatës”, kujton ai në një intervistë për Magnum.

“Ishte sikur nuk e merrnin veten aq seriozisht, qëndronin të habitur për atë çka kishin duruar, të befasuar se sa gjatë e kishin lënë të zgjaste. Si fëmijë në një vend çuditërisht distopik. Megjithatë, ata po e vendosnin veten në ekuacion, duke marrë një rol që përfshinte një ndjenjë, sado të vonuar, agjencie dhe përgjegjësie”, shtoi Economopoulos.

Carl de Keyzer udhëtoi në Shqipëri disa vite më vonë, në vitin 1995.

“Kur arrita për herë të parë në Shqipëri në vitin 1995, vendi nuk ishte aspak gati të priste vizitorë. Pas viteve të komunizmit brutal që e kishte shkëputur plotësisht nga bota, në gjithë vendin kishte vetëm pak dhoma të disponueshme për të huajt”, tregonte ai në një rrëfim të mëparshëm për “Square Print Sale”.

“Pasi kaluam një pikë kufitare surrealiste (me një rojë shumë të korruptuar) me një furgon të vjetër kampimi, arritëm në Korçë, ku u strehuam në të vetmin hotel të qyteti, një ndërtesë 12-katëshe ku vetëm katër dhoma në katin e tetë ishin të përdorshme. Ashensori nuk punonte”, shton ai.

“Më vonë, gjatë vizitës në Durrës, qëndruam në një dhomë private te një gjeneral në pension, i cili nuk pushonte së foluri për ditët e ‘lavdisë’ së komunizmit shqiptar që, sipas tij, kishte përballuar të gjitha presionet e jashtme. Nga dritarja shihja një monument të rezistencës së Luftës së Dytë Botërore, ku fëmijët luanin sipër tij. Nuk i rezistova tundimit të shkoja atje”, shtoi De Keyzer.

“Në vitin 2011, u ktheva sërish në bregdetin shqiptar. I gjithë rajoni ishte mbushur me hotele të reja, terasa dhe bare”, përfundoi ai.

Alex Majoli udhëtoi disa herë në Shqipëri gjatë viteve ’90, pasi u diplomua në vitin 1991.

Ekspozita përfshin një përzgjedhje imazhesh të realizuara midis 1991 dhe 1999 në zona të ndryshme të vendit, nga fshatra të vegjël si Thethi në veri, deri te qytetet bregdetare si Saranda në jug.

Në njërën prej fotografive janë një grup djemsh të vegjël që luajnë mbi një monument ngritur për fitoren zgjedhore të Sali Berishës në vitin 1992.

Martin Parr u rikthye në Shqipëri më shumë se një dekadë pas vizitës së tij të parë dhe, në titullin shoqërues të fotografisë së një telefoni publik, ai shkruan:

“Kjo u bë para pak javësh në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë. Nuk e kisha vizituar Tiranën që prej vitit 1989, dhe nuk kam parë kurrë një qytet të ndryshojë kaq shumë në vetëm 11 vjet. Është praktikisht i panjohshëm, kafe të reja përgjatë rrugëve, makina kudo, dyqane të stilit perëndimor dhe një sistem telefoni i modernizuar. Shumë shqiptarë ende nuk e përballojnë këtë luks, ndaj njerëzit në rrugë qira­jojnë telefona privatë. Me pak para mund të bësh një telefonatë më lirë se në kabinë. Ky telefon ishte vendosur mbi një tavolinë në mes të asaj që dukej si një vendgrumbullim mbeturinash, me shumicën e plehrave të pastruara rreth tij”.

Për Canaj, i lindur në Tiranë por  emigruar në Greqi në vitin 1991, kur ishte vetëm njëmbëdhjetë vjeç, rikthimi për të fotografuar vendin e tij rezultoi fillimisht sfidues.

“Ajo që lashë pas në Shqipëri ishin shumë kujtime të ëmbla, ndaj kur kaloja vështirësi në Greqi, mendoja për to. Vendosa të kthehesha për të gjetur atë që më mungonte ndërkohë që isha larg. Njerëzit këtu janë të mirë dhe ndihesha sikur po eksploroja veten. Kështu që të fotografoja këtu u kthye në kënaqësi”, tregon ai.

“Për të qenë i sinqertë, ajo që kisha ruajtur për Shqipërinë nuk ishin momente të caktuara, por më shumë një fantazi. Ndaj fotografitë që mora janë shumë më abstrakte”, përfundoi Canaj./  /Ad.Ab./

The post FOKUS – Shqipëria përmes arkivit fotografik të ”Magnum” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapësirë e re në Teatrin e Kukullave kushtuar Parlamentit të parë shqiptar

7 December 2025 at 15:22

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Në Teatrin e Kukullave është hapur një hapësirë e re kushtuar Parlamentit të parë shqiptar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga ekspozita e cila, siç u shpreh ai, sjell një udhëtim kronologjik me fotografi, dokumente dhe projekte arkitektonike, duke rikthyer fillesat e parlamentarizmit shqiptar.

Teatri Kombëtar i Kukullave festoi 75-vjetorin e krijimit, një jubile që shënon historinë e një institucioni të dashur për breza të shumtë fëmijësh.

I themeluar më 6 dhjetor 1950, në godinën e ndërtuar në vitin 1925, e cila dikur ka qenë selia e parë e Parlamentit shqiptar, Teatri i Kukullave vijon të mbetet shtëpia më e dashur e artit për të vegjlit.

Artistët që i kanë dhënë jetë këtij institucioni ndër vite kujtojnë me emocion rrugëtimin e gjatë të teatrit.

Për të shënuar këtë 75-vjetor, Teatri i Kukullave ka përgatitur një program të gjerë festiv, ndriçimin e pemës së fundvitit, si dhe hapjen e ambienteve të reja muzeale për fëmijë dhe të rritur.

Deri më 30 dhjetor, fëmijët do të mund të ndjekin shfaqje falas, ndërsa vizitorët do të përfitojnë guida muzeale pa pagesë.

Me këtë rast kujtohen figurat e para që ngritën artin e kukullës në Shqipëri: Zija Grapshi, Xhavit Xhepa, Xhavit Sallaku, Lorenc Pepa, Mirketa Çobani, Zef Kurti, Eva Pëllumbi, Melpomeni Çobani, Bakie Baboçi, Shegushe Bebeti e shumë të tjerë.

Janë pikërisht këta artistë që kanë bërë të paharrueshme personazhe ikonike si Pinoku, Borëbardha, Ujku, Gjergj Elez Alia, Bardhoshja dhe Zana, duke lënë gjurmë të thella në kujtesën e publikut të vogël ndër vite.

Teatri fton të gjithë qytetarët të bashkohen në festimet e këtij viti jubilar, duke rikthyer emocionet e fëmijërisë dhe duke përjetuar magjinë që ka shoqëruar prej dekadash publikun më të pastër, fëmijët.

/gj.m/r.e/

The post Hapësirë e re në Teatrin e Kukullave kushtuar Parlamentit të parë shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Identiteti shqiptar në fokus të ekspozitës “Gjurmët”

29 November 2025 at 12:08

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/- Ekspozita “Gjurmët” ka bërë bashkë rreth 50 artistë në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” të Durrësit, çelur në kuadër të festave të 28-29 Nëntorit.

Tablot e realizuara me teknika të ndryshme, i përkasin fondit të artë të Galerisë, por edhe të artistëve bashkëkohorë që kërkojnë të lënë gjurmë në historinë e artit të qytetit bregdetar.

Drejtuesja e Galerisë, Alketa Tragaj ka theksuar se “ekspozita “Gjurmët” ka për qëllim të sjellë artistët e rinj të qytetit të Durrësit e jo vetëm, për të sjellë një qasje të re për të njohur stilet e tyre”.

Sipas saj, ekspozita përfshin një diversitet stilesh, punime të artistëve të rinj me qasje të ndryshme ku në fokus është liria dhe identiteti shqiptar.

Kjo ekspozitë është kthyer në një traditë të bukur në Galerinë “Nikolet Vasia” ku çdo vit fton artistët e qytetit të ndajë me publikun qasjen e tyre artistike përmes pikturës, skulpturës dhe artit multimedial.

The post Identiteti shqiptar në fokus të ekspozitës “Gjurmët” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

‘Site-Specific’, një reflektim mbi artin pamor shqiptar/ Gentian Shkurti: Koha për të edukuar publikun!

29 November 2025 at 12:53

Nga Gazeta “SI”- Tirana Art Weekend, një nga ngjarjet më të mëdha të artit bashkëkohor në Shqipëri, hapi siparin këtë fundjavë në ish-Shtëpinë e të Përndjekurve Politikë, duke nisur me veprën artistike “Site-Specific Video Surveillance” të artistit Gentian Shkurti.

Fragmente mikroskopike të disa veprave nga fondi i GKA-së si : Portreti i shokut Enver, 1974, Zef Shoshi, / Në kompleksin industral, 1974, Lumturi Blloshmi, / Uzina e autotraktorëve “Enver Hoxha”, 1981, Androniqi Zengo, / Epika e yjeve te mëngjesit, 1971, Edison Gjergo, / Tirana, 1942, Vangjush Mio, Mic Sokoli, 1976, Sali Shijaku) projektohen në loop mbi fasadën e institucionit. Duke sjellë artin njëkohësisht brenda dhe jashtë muzeut, instalacioni krijon një këndvështrim të ri për publikun dhe nxit reflektim mbi rolin e muzeut dhe trashëgiminë artistike. Çdo video shoqërohet me titullin e veprës.

Për GazetaSi.al , Shkurti thotë se vepra e tij më e fundit, Site-Specific Video Surveillance GKA, ofron një këndvështrim të ri mbi fondin tradicional të Galerisë Kombëtare të Arteve. Një qasje të ngjashme ai e ka aplikuar më parë edhe në Muzeun e Arteve të Bukura të Budapestit.

“Kjo është një vepër site-specific, e konceptuar posaçërisht për hapësirën e Galerisë Kombëtare të Arteve. Ky titull përfaqëson një cikël veprash që kam punuar ndër vite. Kjo është puna ime e dytë e këtij lloji. E para u realizua në vitin 2017, në Muzeun e Arteve të Bukura të Budapestit, ku unë isha në rezidencë me ftesë të muzeut. Atje u përqendrova te thelbi i muzeut si koncept: çfarë ka prioritet në edukimin e publikut dhe si përfaqësohet një epokë e caktuar nëpërmjet artit të saj. Muzeu kishte një koleksion shumë të madh me autorë modernë e bashkëkohorë , piketa të artit botëror. Vepra ime u realizua me kamera mikroskopike mbi punët e Pikasos. Ndryshe nga ajo, në GKA unë xhiroj vepra të periudhës së diktaturës, sepse më interesojnë tematikat e përgjithshme të atij fondi.”

Sipas Shkurtit, kjo vepër kërkon të nxisë një reflektim të ri mbi artin shqiptar, veçanërisht mbi trashëgiminë e realizmit socialist.

Gentian Shkurti gjatë procesit të punës

“Arti vizual shqiptar nuk ishte i zhvilluar para viteve të socializmit. Me ardhjen e sistemit u ngrit edhe Galeria Kombëtare, e konceptuar si një institucion i artit në shërbim të propagandës. Fondi i GKA-së pasqyron një pjesë thelbësore të historisë së Shqipërisë, por është krejt tjetër natyrë krahasuar me koleksionin e Budapestit. Kjo vepër synon të evidentojë vlerat historike, shpirtërore dhe monetare të fondeve muzeore. Duke qenë se koleksioni i GKA-së është i ngarkuar ideologjikisht, lind pyetja: çfarë trashëgojmë ne? Pikërisht ky është misioni i një galerie kombëtare.”

Shkurti shton se kjo vepër është rezultat i shumë reflektimeve të kohëve të fundit, të cilat e kanë shtyrë të propozojë një lexim tjetër të fondit muzeor.

“Kjo është vepra e parë e komisionuar që i mbetet përgjithmonë Galerisë së Arteve. Që në momentin që mora ftesën nga GKA, unë kisha gati konceptin që prej punës në Budapest. Drejtoresha Adela Demetja ishte shumë e hapur ndaj propozimit. Galeria ishte në rikonstruksion, por pak ditë para ekspozimit u hoqën skelat dhe puna u bë më e lehtë. Sigurisht, kërkon shumë kujdes të punosh me fonde milionëshe dhe koleksione kaq delikate.”

Sipas artistit, thelbi i Site-Specific është ngritja e pyetjeve rreth misionit të artit dhe lidhjes së tij me identitetin kombëtar.

“Një nga arsyet që më shtyu të realizoja këtë vepër ishte lidhja e artit me identitetin e një kombi, me historinë e tij dhe të vërtetat që përçon arti. A na flet ky art sinqerisht për kohën e vet? Po nëse e zhveshim nga ideologjia? Vepra më shtyn të shoh fondin në një prizëm tjetër. Ka aty piktorë të përzgjedhur si ndër më të mirët, profesionistë pavarësisht kontekstit.”

Megjithë përpjekjet e viteve të fundit për të zgjeruar skenën e artit bashkëkohor, Shkurti mendon se publiku shqiptar ende nuk është i përgatitur për ta përthithur plotësisht këtë art.

“Duhej të ishte krijuar një publik më i edukuar me artin bashkëkohor. Sot rrezikon të perceptohet sipërfaqësisht, sepse po tentohet të ndërtohet një skenë pak e sforcuar. Arti bashkëkohor këtu trajtohet sikur ka një publik të gatshëm, ndërkohë që nuk është kështu. Edhe pse ka 30 vite që aplikohet, edukimi duhej të kishte ardhur gradualisht. Sot gjykohet vetëm nga ajo që ofrojnë mediat, pa analizë dhe pa kritikë profesionale.”

Artisti sjell në vëmendje edhe përvojat e tij në vitet ’90:

“Kur isha student, aplikonim format e artit modern dhe shpesh na përqeshnin. Ishte kohë e ndryshimit, sapo kishte rënë diktatura. Mentaliteti i paragjykimit, fatkeqësisht, vazhdon ende. Publiku shqiptar është mësuar me vepra me mesazhe të drejtpërdrejta, trashëgimi e realizmit socialist. Format e artit bashkëkohor janë të shumta; arti nuk ka ‘si duhet’. Arti i mirë gjithmonë sjell të renë.”

I pyetur për skenën e re artistike dhe brezin e ri të artistëve, dhe rritjes së numrit të studentëve në Universitetin e Arteve,  Shkurti shprehet se rritja e interesit akademik nuk është domosdoshmërisht tregues i rritjes së cilësisë artistike.

“Janë rritur, por çfarë do bëjnë? Do furnizojnë televizionet? Rritja e kuotave të multimedias përshembull nuk është tregues i zhvillimit të artit bashkëkohor. Multimedia është vetëm një formë shprehjeje. Arti bashkëkohor përfshin edhe forma klasike.”

Në fund, artisti nënvizon se hapja e Shqipërisë me botën bën të mundur që brezat e rinj të sjellin art cilësor, edhe pse terreni mbetet i vështirë.

“Shqipëria është sot aq e hapur sa nuk mund të thuash se nuk ka artistë të rinj. Shumë prej tyre kanë studiuar ose kanë jetuar jashtë. Nuk besoj se Shqipëria është tharë nga talenti. Por për të lindur talenti duhet të krijohet terreni dhe kjo është përgjegjësia jonë si shoqëri.”- përfundon Gentian Shkurti.

Adela Demetja , Gentian Shkurti

Vepra ““Site-Specific Video Surveillance” do të qendrojë e ekspozuar në murin e Godinës së Galerisë Kombëtarë të Arteve deri në datën 30 Nëntor, ditë që shënon dhe mbylljen e eventit “Tirana Art Weekend”  

The post ‘Site-Specific’, një reflektim mbi artin pamor shqiptar/ Gentian Shkurti: Koha për të edukuar publikun! appeared first on Gazeta Si.

Rama në ekspozitën “Besa”: Historia e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë, busull që duhet ndjekur

27 November 2025 at 21:17

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Ekspozita “Besa” çeli sot dyert në “Bunk’Art 2”, si një rrëfim mbi të shkuarën e errët të njerëzimit dhe popullit hebre dhe një krenari për Shqipërinë që nuk mohuan vlerat dhe traditën e nuk u dorëzuan përpara diktaturës apo totalitarizmit.

I pranishëm në çeljen e kësaj ekspozite, kryeministri Edi Rama solli në vëmendje kontributin e familjeve të shumta shqiptare, të cilët në kohën më të errët të njerëzimit, u bënë heronjtë më të mëdhenj të atyre që nazizmi kërkonte t’i zhdukte.

“Kur nazistët, kërkuan listat e hebrenjve, shqiptarët i shkatërruan. Kur të tjerët dorëzuan fqinjët, shqiptarë u ofruan siguri. Kur binda u bë aleat i heshtur, Shqipëria zgjodhi rrugën e rrezikshme të përgjegjësisë”, tha Rama.

Sipas tij, “Shqipëria refuzoi mjegullën morale dhe doli nga Lufta II Botërore si i vetmi vend në Evropë që pati më shumë hebrenj pas luftës sesa para luftës”.

“Askush nga hebrenjtë nuk iu dorëzua nazistëve. Përgjegjësia nuk u asgjësua, u forcua. Familjet morën përsipër të mbronin jetë, që historia nuk ua kishte besuar, për ndërgjegjja ua imponoi”, u shpreh ai.

Rama theksoi se gjatë holokaustit familjet e zakonshme shqiptare morën vendime të jashtëzakonshme përballë terrorit.

“Ata zgjodhën të ishin ata pak njerëz që nuk binden dhe duke vepruar kështu, e ruajtën në një cep të Evropës, humanizmin, njerëzillëkun kur njerëzimi vetë dukej sikur po zhdukej. Teksa ecim në këtë ekspozitë do të ndeshin fytyra, familje hebreje që erdhën në anët tona në dëshpërim dhe familjet shqiptare që i pritën si mysafirë. Duke zbatuar atë që është shkruar në këtë derë, shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut, jo si barrë por si vëllezër”, shtoi Rama.

Historia e tyre, sipas Kryeministrit, “nuk është një stoli që e shfaqim për të impresionuar botën, por një busull që duhet ta ndjekim”.

“Ndarja e bukës, një gotë qumësht, fshehja e një fëmijë hebre apo e një familje të tërë kur ushtarët nazistë kalonin qoftë dhe tek pragu i derës. Këto veprime të thjeshta nuk ishin politikë, strategji, ishin gjykim moral i njerëzve të zakonshëm, ajo që totalitarizmi përpiqej ta zhdukte”, shtoi ai.

Si kryeministër, Rama tha se qëndron sot i përulur përpara guximit të atyre familjeve.

“Qoftë Shqipëria gjithmonë një nga këto vende, që edhe nën frikë zgjodhëm të mos i bindemi padrejtësisë por të qëndrojmë me humanizmin. Memoria e atyre që i shpëtuan dhe i shpëtuam të jetë një bekim për të gjithë dhe Zoti i bekoftë të gjithë ata që shpëtuan hebrenjtë dhe që shpëtuan Shqipërinë nga turpi dhe refuzuan të bëheshin pjesë e errësirës”, tha Kryeministri.

Kjo ekspozitë ka mbledhur fotografi e tregime të fotografit Norman Gershman dhe që janë kuruar nga gazetari Carlo Bollino.

/m.m/r.e/

The post Rama në ekspozitën “Besa”: Historia e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë, busull që duhet ndjekur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Gratë, Paqja dhe Siguria”, ekspozita e grave fotografe në sheshin e Prishtinës

26 November 2025 at 13:36

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ UNMIK-u prezantoi në Prishtinë ekspozitën globale të fotografisë, ku shfaqen imazhe të fuqishme të realizuara nga fotografe gra.

Ekspozita thekson rolin jetik të grave si promovuese të paqes, mbrojtëse të të drejtave të grave dhe paqeruajtëse, duke vënë në fokus temën globale “Gratë, Paqja dhe Siguria” (WPS).

Përfaqësues të UNMIK thanë se, ekspozita na përkujton se gratë shpesh përballen me pasojat më të mëdha të konflikteve dhe luajnë gjithashtu një rol qendror në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, duke forcuar besimin dhe promovuar ndryshime pozitive.

Ekspozita u ngrit më qershor 2025 në selinë e OKB-së në New York, në 25-vjetorin e Rezolutës 1325 (2000) të Këshillit të Sigurimit dhe prej asaj kohe po udhëton nëpër shtete të ndryshme. Pjesë e këtij turneu botëror u bë edhe Kosova.

E shfaqur në 11 vende, Kosovë, Abyei, Qipro, Republikën e Afrikës Qendrore, Republikën Demokratike të Kongos, Haiti, Liban, Mozambik, Territorin e Okupuar Palestinez, Sudan dhe Sudanin Jugor, ekspozita paraqet një tregim kolektiv të qëndrueshmërisë, forcës dhe shpresës. Kosova përfaqësohet nga dy lidere të shquara: ish presidentja Atifete Jahjaga dhe Gordana Gjoriq, të dyja mbrojtëse të agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria. Portretet e tyre janë realizuar nga fotoreporterja Laura Hasani.

Ekspozita do të qëndrojë në Bulevardin “Nënë Terezë” në Prishtinë, pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit deri më 10 dhjetor. /j.p/

1 nga 5

The post “Gratë, Paqja dhe Siguria”, ekspozita e grave fotografe në sheshin e Prishtinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

‘Tirana Art Weekend’/ Kryeqyteti shndërrohet në një skenë arti me 33 ekspozita dhe mbi 50 artistë

26 November 2025 at 09:53

Nga Gazeta “SI”- Tirana Art Weekend 2025 (TAWE) pritet ta shndërrojë Tiranën në një qendër të artit pamor me një program të gjerë ekspozitash dhe aktivitetesh që do të shtrihen nga 27 deri më 30 nëntor në kryeqytet.

Edicioni i dytë i këtij eventi vjetor synon të pasqyrojë gjallërinë e skenës bashkëkohore të arteve pamore në Shqipëri, duke përfshirë këtë vit edhe institucione e artistë nga Kosova.

Me 33 ekspozita dhe aktivitete të shpërndara në hapësira të ndryshme të Tiranës, TAWE 2025 synon të forcojë bashkëpunimin mes aktorëve të skenës artistike vendase dhe të promovojë prodhimin krijues bashkëkohor. Edicioni i këtij viti zhvillohet mbi bazën e një tradite të re të nisur në vitin 2024, me misionin për të krijuar një platformë të qëndrueshme dialogu dhe prezantimi artistik.

Drejtori i Rrjetit Shqiptar të Arteve Pamore (AVAN), Elian Stefa, thekson se këmbëngulja është fryma që udhëheq këtë edicion.

“Jemi sërish këtu duke këmbëngulur që narrativa e artit bashkëkohor shqiptar të shkruhet sipas kushteve të veta dhe të ndahet me botën. Në një botë ndasish, solidariteti brenda komunitetit tonë artistik është fuqia jonë më e madhe”, u shpreh ai.

Veprimtaritë qendrore të TAWE do të zhvillohen në selinë e Institutit të Integrimit të Ish-të Përndjekurve Politikë, në një vilë të restauruar të shekullit XX, e cila për këtë edicion do të shërbejë si hapësirë pritëse për iniciativa pa adresë të përhershme ose ato që veprojnë jashtë Tiranës. Paralelisht, galeri e hapësira të ndryshme të qytetit do të presin hapjet e ekspozitave gjatë fundjavës.

Në program marrin pjesë institucione dhe kolektive të rëndësishme të artit bashkëkohor, mes tyre: Albanian Cinematheque, Art House, Art Kontakt, Bazament Art Space, Destil Creative Hub, Ekrani i Artit, Minus Art Space, Pararoja, Satellite Zone, Tirana Art Lab, dhe shumë të tjera. Programi satelit do të shtrihet në hapësira si Agimi Art Center, Galeria Artit Tiranë, Galeria FAB, Space05, Vila 31, Art Explora dhe 18 Stories.

Listës së gjerë të artistëve pjesëmarrës i bashkohen emra të njohur dhe perspektivë të artit shqiptar dhe rajonal, ndërsa për këtë edicion është përgatitur edhe një platformë e re kuratoriale nga kuratori Arnold Braho.

TAWE 2025 shënon gjithashtu nisjen e bashkëpunimit vjetor AVAN x GKA: Komisionim Artisti, përmes të cilit çdo vit Galeria Kombëtare e Arteve do të pasurohet me një vepër të re. Këtë vit prezantohet krijimi i artistit Gentian Shkurti.I themeluar në Vlorë gjatë Vlora Art Meeting në vitin 2024, AVAN është një koalicion entitetesh të arteve pamore të angazhuara në promovimin e dialogut kritik, transparencës dhe zhvillimit të një skene të qëndrueshme artistike.

Tirana Art Weekend është një platformë vjetore e organizuar nga Albanian Visual Arts Network (AVAN), që synon të ndërthurë institucionet, hapësirat e pavarura dhe kolektivët artistikë në Shqipëri. Edicioni i parë u zhvillua në vitin 2024

The post ‘Tirana Art Weekend’/ Kryeqyteti shndërrohet në një skenë arti me 33 ekspozita dhe mbi 50 artistë appeared first on Gazeta Si.

Ekspozita “Nëntori 28” në Galerinë FAB

25 November 2025 at 15:33

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura (FAB) vijon të presë vizitorë të shumtë ekspozita e përvitshme e Grupimit ‘‘Nëntori‘‘.

Ky është edicioni i 28-të i ekspozimeve të këtij grupimi artistësh. Themeluar në vitin 1998, në një kohë kur mediumet e reja ekstrapiktorike si instalacioni, video dhe performanca po e shtynin mediumin e pikturës drejt një pozioni dytësor, grupi themelues përbërë nga Llambi Blido, Besim Tula dhe Stefan Taçi bashkë me një numër të madh personalitetesh të pikturës shqiptare të gjysmës së dytë të shek XX si Sadik Kaceli, Vilson Kilica, Sali Shijaku, Ismail Lulani, Ksenofon Dilo, Isuf Sulovari, Agim Zajmi, Zef Shoshi, Niko Progri, etj. nisën realizimin e saj si një manifestim me qëllimin e vetëm, promovimin e mediumit të pikturës në vlerat e saj më të mira.

Prej fundviteve 2000 grupimi do të pasurohej dhe me autorë të tjerë të rëndësishëm, të rinj e më pak të rinj si Gazmend Leka, Anasatas Konstandini, Vangjo Vasili, Pëllumb Bylyku, Eniela Veveçka, Shpëtim Kërçova, Brikena Bërdo, Mikel Temo, Ardit Boriçi, Erion Bardhi, Artan Buca, Armando Boce, Dea Tili, Orlis Vathi, Erina Dibra, Denisa Brahimi, Meri File, Fatmir Juka, Nesti Taço, Aurel Nukaj, etj.

Sot diskutimet mes mediumeve duket se janë shuar, ndërsa radhët e grupit janë shtuar me emra të rinj.

FAB thotë se, në këtë edicion të 28-të, Grupimi “Nëntor‘‘, rezulton si me jetëgjati dhe ashtu siç pati qëllim që në krijim, promovuesi i vlerave dhe jetës bashkëkohore nëpërmjet mediumit të pikturës. /j.p/

 

The post Ekspozita “Nëntori 28” në Galerinë FAB appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vila 31 hap dyert për grupin e fundit/ Nita Deda: Artistët e huaj duan të kthehen

21 November 2025 at 12:11

Nga Gazeta “SI”- Vila 31, e shndërruar prej një viti në një hapësirë të artit pamor, nën menaxhimin e Art Explora, ka hapur dyert për sesionin e tretë të artistëve rezidentë, të cilët për tre muaj kanë jetuar dhe krijuar në një nga hapësirat e dedikuara të vilës. Në dy sesionet e para, shumë artistë nga vende të ndryshme të botës prezantuan punët e tyre, kryesisht të lidhura me kujtesën dhe prejardhjen, si një identitet i fortë përcaktues.

Në këtë sesion të tretë, i cili pritet të hapë dyert sot, janë të tjerë artistë të cilët mbyllin edhe ciklin 1-vjeçar të programeve rezidente dhe shënojnë gjithashtu hapjen e aplikimeve për rezidentët e rinj që pritet t’i bashkohen rezidencës Art Explora vitin e ardhshëm.

Artistët pjesmarrës në sesionin e tretë të Vila 31 Art Explora

Pavarësisht vilës së shndërruar në një hapësirë arti, ajo çka duam të kuptojmë është përshtypja, feedback-u që menaxhuesit e hapësirës kanë marrë nga publiku për periudhën e kaluar të vitit, ku mbi 20 artistë kanë prezantuar punën e tyre.

Menaxherja e Vila 31 dhe kuratorja e programit artistik, Nita Deda, thotë për GazetaSi.al se përshtypjet kanë qenë të mira dhe gjithashtu feedback-u pozitiv, duke e shndërruar përvojën e deritanishme në një përvojë me vlerë.

“Punonjësit tanë kryejnë herë pas here pyetësorë për përshtypjet e vizitorëve, dhe kryesisht të rinjve të cilët shprehen se përvoja është pozitive. Kjo i ndihmon ata të lidhen me të shkuarën nëpërmjet artit, jo vetëm atij që aplikohet në këtë rezidencë me objekt vetë historinë e vilës, por edhe të gjinive të ndryshme të artit që artistët e huaj pjesëmarrës aplikojnë këtu.”

Nita Deda, Cultural Program Manager, Vila 31 x Art Explora

Ajo thekson se artistët pjesëmarrës në rezidencë shprehin gjithmonë dëshirën dhe synimin të rikthehen sërish në Shqipëri, tashmë në bashkëpunime të shumta.

“Ka shumë artistë që janë rikthyer. Ne bashkëpunojmë edhe me institucionet shqiptare që merren me studimin e artit, por edhe me historinë dhe kujtesën tonë kolektive. Janë kryer disa sesione informuese për artistët e ardhur, në bashkëpunim me Autoritetin e Dosjeve dhe po ashtu me Institutin e Studimeve Antropologjike, të cilët kanë qenë edhe mbështetje për punën tonë.”

Nita Deda thotë se misioni i Viles 31 Art Explora mbetet përcjellja tek më të rinjtë por edhe fëmijët periudha e diktaturës nëpërmjet artit dhe bisedave me artistët.  

“Kryesisht fokusi mbetet te të rinjtë dhe për këtë arsye në hapësirën e saj është menduar edhe një sesion informues i përshtatur me të rinjtë dhe fëmijët, për t’u folur atyre mbi komunizmin, duke dashur që të përcillet edhe tek ata rëndësia e kujtesës dhe e një kohe e cila shkaktoi shumë fatkeqësi” përfundon Deda

Por ka një fill i cili nuk i lidh disa hallka që duhen lidhur më së miri. Vila e diktatorit është një objekt i cili lidhet domosdoshmërisht me të shkuarën, dhe me një brez i cili sot po hyn në moshën e tretë. Arti që aplikohet aty është një art i ri për publikun shqiptar dhe veçanërisht për këtë brez, i cili është mësuar kryesisht me artet popullore, çka e bën deri diku të parrokshëm misionin e vilës nga një brez që lidhet ekskluzivisht me të.

Gjithsesi, në një receptim thuajse kaotik të jetës artistike në Tiranë, me disa institucione që ndërtojnë programe njëherësh dhe i shpallin ato pa një koordinim i cili do të siguronte gjithëpërfshirjen, Vila 31 mbetet një hapësirë e kuruar, që sjell për publikun artistë të mirë nga e gjithë bota, të cilët jo vetëm krijojnë, por janë të gatshëm edhe të flasin për punën e tyre me secilin vizitor.

The post Vila 31 hap dyert për grupin e fundit/ Nita Deda: Artistët e huaj duan të kthehen appeared first on Gazeta Si.

Ekspozitë e qilimave tradicionalë e bashkëkohorë në GAT

20 November 2025 at 07:40

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Një koleksion i qilimave të traditës dhe atyre bashkëkohorë u prezantua nga Galeria e Artit Tiranë, përmes ekspozitës me titull “Qoftë e shëndetshme dora që krijon – Arti i qilimave: Azerbajxhan & Shqipëri”.

Ekspozita sjell traditën e endjes përmes historive, teknikave dhe mjeshtërisë së artizanëve që e mbajnë gjallë këtë trashëgimi. Qilimat shumëngjyrësh vijnë si një takim kulturash ku artizanët nga Shqipëria dhe Azerbajxhani ndanë punimet, përvojat dhe pasionin që transmetohet brez pas brezi.

Ky dialog, mes artit azerbajxhanas e shqiptar të qilimave, mirëpret publikun deri më 20 janar 2026.

Ekspozita “Qoftë e shëndetshme dora që krijon!” është kuruar nga Edit Pula dhe Azerkhalcha.

GAT thotë se ky është një bashkëpunim i rëndësishëm, i nisur nëntë muaj më parë, mes Galerisë së Artit Tiranë dhe Azerkhalcha, me mbështetjen e Ambasadës së Azerbajxhanit.

/a.f/r.e/

The post Ekspozitë e qilimave tradicionalë e bashkëkohorë në GAT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Biblioteka Kombëtare ekspozon 100 Bibla të rralla

19 November 2025 at 13:26

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Biblioteka Kombëtare ka hapur sot ekspozitën “Koleksioni i Biblave”.

Në këtë ekspozitë shfaqen për publikun rreth 100 Bibla të rralla dhe 452 materiale me karakter biblik, të shtypura nga shekulli XV–XIX në Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi e më gjerë, së bashku me dorëshkrime dhe përkthime historike nga Buzuku, Budi, Bogdani, Kristoforidhi, Qiriazi, Fan Noli e Dom Simon Filipaj.

Në vijim të ciklit të ekspozitave që zbulojnë thesaret e fshehura të fondit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, hapet për publikun “Koleksioni i Biblave”, një udhëtim i rrallë në botën e librave të shenjtë dhe dorëshkrimeve që kanë shënuar shekuj kulture.

Ekspozita është e ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë ekspozita sjell për herë të parë pranë publikut një numër mbresëlënës Biblash të rralla, mbi 100 të tilla, të shtypura në Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi e më gjerë, që datohen nga mesi i shekullit XV deri në shekullin XIX, së bashku me dorëshkrime me pjesë të Shkrimeve të Shenjta.

Pjesa e dytë ka të bëjë me përkthimet e Bibës prej Buzukut, Budit e Bogdanit, mandej rilindësve dhe figurave të mëdha, si: Kristoforidhi, Qiriazi, Fan Noli e Dom Simon Filipaj, deri tek përpjekjet e Shoqërisë Biblike Angleze në shekullin XIX, kjo ekspozitë ndërthur historinë, kulturën dhe trashëgiminë tonë të shkruar.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun çdo ditë, nga data 19 nëntor deri më 19 dhjetor 2025, nga ora 09:00-20:00.

/a.f/

The post Biblioteka Kombëtare ekspozon 100 Bibla të rralla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Debati mbi instalacionin te Muzeu Kombëtar/ Blerta Kambo: Arti sensibilizon, nuk shëron

17 November 2025 at 14:00

Nga Gazeta “SI”- Instalacioni “Dielli i Ditës së Dytë” i artistes Blerta Kambo, i vendosur mbi mozaikun monumental “Shqipëria”, ku figura e gruas me xhubletë rikontekstualizohet dhe zëvendësohet nga një portret tjetër pa flokë, ka ngjallur debate në publik por dhe mes grupeve të ndryshme interesi.

Këngëtarja Eda Zari, në një postim në rrjetet sociale, ironizoi mbi instalacionin:

“Ne jemi bërë mjeshtra të aktit simbolik. Inaugurojmë mozaikë sensibilizues me gra qerose, sepse kjo na jep ndjesinë se bëmë diçka moral. Fakti brutal që një grua me diagnozë të rëndë, e varfër dhe pa akses të barabartë te barnat jetike, mbetet i pazgjidhur, duket se kemi ngatërruar mjetet me qëllimet” shkruan ajo

Ndër të tjerë, edhe Auron Tare ka shprehur shqetësimin se ndërhyrja në objekte të trashëgimisë për qëllime simbolike mund të krijojë precedent.

Por artistja Blerta Kambo, autorja e instalacionit në një prononcim për Gazetasi.al, thekson se është e vetëdijshme për gjendjen e keqe në Onkologjik, por si artiste nuk mund të ndërhyjë në këtë fushë:

“Jam në dijeni për situatën e tmerrshme në Onkologjik. Por unë nuk mund të bëj asgjë në këtë drejtim, sepse jam artiste. Mund të flas për ndërgjegjësimin dhe parandalimin. Kontrolli i hershëm dhe vetëkontrolli janë mënyra më efektive për të shpëtuar jetë; nëse kapet në kohë, shanset për mbijetesë janë deri në 90%.”

Kambo shpjegon se qëllimi i artit të saj është të sensibilizojë gratë për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe për të luftuar stigmatizimin që shpesh e shoqëron sëmundjen:

“Dëshiroja të flisja për kancerin e gjirit si një dedikim për gratë që e kanë kaluar, humbur ose fituar këtë betejë. Nuk flas për dhimbjen e tyre, por për forcën e tyre. Momenti kur humbin flokët apo bëjnë kimioterapi krijon forcën më të madhe. Ky instalacion është një thirrje që ato të mos mbeten të vetmuara.”

Kambo ka dhe një përgjigje për ktritikët :

“Pseudopatriotët dhe pseudo-fetarët janë një rrezik, së bashku me gjuhën e urrejtjes që nxisin. Bëj thirrje për hetim ligjor mbi fondet e tyre. Do të ndjek rrugën ligjore, sepse kanë krijuar një histori perverse që dëmton përpjekjet e grave dhe cenon projektin origjinal.” – mbyll prononcimin artistja Blerta Kambo.

The post Debati mbi instalacionin te Muzeu Kombëtar/ Blerta Kambo: Arti sensibilizon, nuk shëron appeared first on Gazeta Si.

Genti Korini do të përfaqësojë Shqipërinë në Bienalen e Venecias

7 November 2025 at 10:51

Nga Gazeta ‘Si’- Artisti Genti Korini do të jetë përfaqësuesi i Shqipërisë në Bienalen e Venecias.

Juria, e përbërë nga Adela Demetja, Katerina Gregos, Blanche de Lestrange, Elian Stefa dhe Arnisa Zeqo, ka zgjedhur projektin e Korinit si më bindësin ndër 17 aplikimet e pranuara përmes thirrjes së hapur.

Sipas jurisë, projekti “spikat për thellësinë e kuadrit të tij konceptual dhe për saktësinë e realizimit vizual.

Duke ndërthurur kërkimin arkivor, folklorin dhe imagjinatën, Korini eksploron mënyrën se si kujtesa kolektive dhe ideologjia formësojnë identitetin dhe hapësirën, duke endur lidhje mes së shkuarës shqiptare dhe ndërthurjeve të saj me Bashkimin Sovjetik”.

Gjithashtu, juria vlerësoi “risjelljen krijuese të arkivave pamore lokale përmes një këndvështrimi absurdist dhe lindor, si dhe qasjen shumëdimensionale dhe eksperimentale ndaj historisë”.

Projekti, i zhvilluar në bashkëpunim me kuratoren Małgorzata Ludwisiak, ofron një dialog të pasur vizual dhe intelektual, duke komunikuar edhe me teatrin eksperimental polak.

The post Genti Korini do të përfaqësojë Shqipërinë në Bienalen e Venecias appeared first on Gazeta Si.

“Lëkura në huazim”, ekspozita vetjake e Idlir Kokës në Art House

28 October 2025 at 12:30

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Në Art House, në Shkodër, u hap ekspozita vetjake e Idlir Kokës, e titulluar “Lëkura në huazim”.

Marrja e lëkurës hua është metafora e përdorur nga artisti Idlir Koka për këtë seri pikturash të realizuara gjatë vitit të fundit. Ato flasin për trauma, vuajtje, dyshime të hetuara pikërisht duke nisur nga vijat e lëkurës.

Ekspozita ka si kurator Stefano Romano dhe mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Idlir Koka është një artist shqiptar, puna e të cilit eksploron sipërfaqet e brishta të kujtesës, historisë dhe identitetit. Me penelata të buta dhe ngjyra të zbehta, ai shndërron objektet e përditshme dhe fragmentet arkitekturore në hapësira gjurmësh, presioni dhe metafore.

Praktika e tij shpesh mbështetet në përvojën post-socialiste, duke u hapur njëkohësisht drejt narrativave më universale.
Piktori Idlit Koka është paraqitur me punët e tij në ekspozita vetjake dhe kolektive në mbarë Evropën, përfshirë Panairin e Artit SWAB Barcelona (2023), Galerinë NAAN (2023), Bazament Art Space (2022), Galerinë Zeta (2018, 2020) dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë (2005–2016).

Ai ka marrë pjesë gjithashtu në projekte ndërkombëtare si “Cosi vicina cosi lontana” – Albania prima e dopo 1990 / Museo d’Arte Contemporanea di Villa Croce / Gjenova (2008), Bienale del Mediterraneo (Itali, 2009), Koleksionin Luciano Benetton Imago Mundi, si dhe në rezidencën artistike në Künstlerhaus, Salzburg (2017).

/a.f/

The post “Lëkura në huazim”, ekspozita vetjake e Idlir Kokës në Art House appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Falja dhe kujtesa: Një takim mes ish-të burgosurve dhe ish-oficerëve në Spaç”

22 October 2025 at 15:59

Shiu nuk i ndaloi njerëzit të bashkoheshin në aktivitetin e lajmëruar nga “Tek Bunkeri”, për një përjetim audio-vizual mbi kujtesën e ish-burgut të Spaçit, të shtunën.

Teksa restaurimet e nisura gjatë verës nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ishin lënë pezull, aktivistë dhe qytetarë i rigjallëruan edhe një herë godinat e diktaturës, për të parë ekspozitën e realizuar nga Arnen Sula dhe Trevis Çela, kuruar nga Edison Çeraj.

“Maskat që zbulojnë” solli 35 portrete në allçi të ish-administratës së burgut dhe 6 të tjera të burgosurve politikë, të shoqëruara me dëshmi autentike zanore.

Përveç ekspozitës u prezantua libri “Terrene – Tetë vështrime mbi Spaçin”, u shfaq dokumentari “Në kërkim të poezisë” dhe filmi “Antimuzeu”, të gjitha produkte, të cilat përcjellin dimensione të ndryshme të asaj që përfaqësojnë këto godina për shumë breza.

Kjo ishte ekspozita e dytë që mbahet nga kjo organizatë. E para u ekspozua në prill të 2024, me titullin “E kaluara e tashme”, ku u paraqitën 49 portrete të ish-të dënuarve.

“Të shtrimë dorën e faljes”

Ndue Fufi, ish-zëvendëskomandant në Spaç tha gjë fjalimit të tij se nëse ka oficerë, nënoficerë, apo policë, të cilët i kanë tejkaluar kompetencat e veta, dhe akoma më keq, nëse kanë përdorur dhunë, ta shtrinë dorën e faljes.

“Falja tregon forcë, tregon dije, tregon kulturë” theksoi ai teksa ky qëndrim u prit me duartrokitje nga salla.

Por Fufi nuk ishte i vetmi që u ndal për të folur mbi faljen publike. Njëjtë falje kolektive kërkoi edhe Viktor Kuka, ish-oficer Policie. Edhe pse nuk kishte arsye pse të kërkonte falje individuale, sepse sikurse tha Kuka, nuk kishte ushtruar kurrë dhunë fizike, ai u shpreh me dashamirësi se i bashkohej faljes kolektive.

“Këtu është ushtruar një dhunë fizike dhe psikologjike, domethënë nga më skandalozja dhe kjo nga historia që na tregojnë paraardhësit tanë; për shembull pas revoltës  së 73’ këtu është ushtruar dhuna sistematike,” tregon Kuka për Citzens.

Teksa e pyes Kukën se kush është kujtimi më i fortë të cilin e ruan nga vitet e shërbimit, ai kujton rezistencën e të dënuarve kundër normave çnjerëzore të punës. Normat e larta të bakrit dhe piritit tejkalonin kapacitetet e punëtorëve, aq sa t’i shtynte ata të dëmtonin veten për të mos dalë më në punë.

“Ka pasur një të dënuar që ka këputur gishtin e dorës me kapsollë! Një tjetër që ka prerë damarët, apo një të dënuar që nga frika e dhunës u hodh në rrethim,” tregoi Kuka.

Pamje nga “Biblioteka Njerëzore”.

Pjesëmarrësit e ekspozitës patën mundësi të uleshin ballë për ballë me ish-të burgosurit dhe ish-punonjësit për ti pyetur për çdo kuriozitet apo kujtesë që ato mbartin, duke zhvilluar kështu edhe atë që njihet si “Bibliotekë Njerëzore”.

“Të akuzuar pavarësisht pozitës”

Pavarësisht se me pozicione në administratën drejtuese të Spaçit, shumë punonjës të personelit për shkak të “devijimit njerëzor dhe moral” me raste, përtej uniformës, kanë marrë akuza të ndryshme.

Lekë Filaj, ish-magazinier në Spaç tregon për një akuzë jo dëmtuese sipas tij, që kaloi thjesht me vërejtje, por siç e cilëson edhe Filaj, frika ishte. Ai rrëfen se ka bërë seleksionim të materialeve, apo vjetërsira të ushtarëve dhe këpucë të vjetra, që kishte për t’i djegur edhe disa prej tyre ja kishte dhënë disa të dënuarve që ishin punonjës.

“Kam pasur një akuzë që më kanë thënë, je duke i bërë dhe të dënuarit ushtarë,” tregon Filja për Citizens.

Ndue Fufi, ish- zëvendës komandant tregon se shpesh lejonte që ish-të burgosurit të shihnin televizion në sallën e kulturës. Fufi tregon se vetëm sytë dhe dhëmbët i kishin të bardhë të burgosurit kur dalin nga galeria. Pse kjo torturë me këta, pyeste ish- zëvendës komandanti.

Në foto: Lekë Filaj, Ish-magazinier.

“Më thanë se nuk të kemi sjellë këtu ti mbash të dënuarit në kamp pushimi, të kemi sjellë këtu të nxirrni bakrin,” tregon Fufi.

Ai përmbyll se ka marr masë për zbutjen e luftës së klasave, vetëm se kishte lejuar të burgosurit të shihnin aktivitete kulturore .

Një lidhje e përjetshme

Pavarësisht se të burgosurit kanë më rreth 35 vite që kanë dalë nga burgu i Spaçit, duket se burgu është i vështirë të dal nga ta.

Zyhdi Arapi ish-i burgosur më tregoi se dikur pavarësisht dobësisë fizike i kërkonin të mbante dhjetëra kilogramë bukë në krah për të dënuarit. Ai tregon se policët atje nuk kanë zbatuar ligjin, por kanë vepruar jashtë kuadrit.

“Kërciste kërbaçi! Ç’kemi hequr ne këtu kur vdiq Hysni Kapo!” kujton ai.

Arapi edhe po shkon 85-vjec, çdo herë që i jepet mundësia, qoftë edhe kur gjen forma transporti nga shoqata të ndryshme, rikthehet në Spaç.

“Unë erdha sot që s’mund të qëndroj, jam 84 vjeç, i mbush 85 për Vit të Ri…” përmbyll Arapi.

Boshllëku i institucioneve për të rehabilituar ish-të burgosurit në rikuperimin por dhe memorizimin e dëshmive, duket se e ka vështirësuar procesin e shkëputjes nga godinat, si strukturë jo vetëm fizike, por edhe si mbartëse e një peshe të pamatshme psikologjike-emocionale.

Lexoni gjithashtu:

The post “Falja dhe kujtesa: Një takim mes ish-të burgosurve dhe ish-oficerëve në Spaç” appeared first on Citizens.al.

“Magjia e vizatimit” e Gazmend Lekës në galerinë FAB

22 October 2025 at 10:35

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Ekspozita e Gazmend Lekës, “Magjia e vizatimit” vijon të magjepsë vizitorët e galerisë FAB.

Krijimet magjike të Lekës do të presin artdashësit deri më 2 nëntor.

Artisti është shprehur për mediet se vizatimi është shumë “i ngjitur” me njeriun dhe historinë e njerëzimit: që nga piktogramat e gjetur në shpella e deri tek tabelat e zeza te Einstein, Bohr dhe Oppenheimer.

“Vizatimi e ka magjinë në vetvete, ku mungon efekti shkak-pasojë dhe ti pyet veten, si erdhi kjo, si doli kjo?”, thotë Gazmend Leka.

Leka ka rrëfyer se vizatimet e kësaj ekspozite kishin nisur 3 vjet më parë dhe se ai, si një pedagog prej vitit 1991, në Universitetin e Arteve, i pa studentët e tij si një shtysë për t’i ekspozuar punët në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura (FAB).

Për ekspozitën “Magjia e vizatimit”, piktori Leka ka përzgjedhur rreth 60 vizatime të përmasave të mëdha dhe 15 të vogla.

Ashtu si edhe në ekspozita të tjera të viteve të fundit, Leka ka preferuar të bashkëpunojë dhe të ketë si kurator Ermir Hoxhën, ish-studentin e tij, tashmë pedagog i Historisë së Artit Shqiptar. /j.p/

The post “Magjia e vizatimit” e Gazmend Lekës në galerinë FAB appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria dhe shqiptarët e viteve ’20 në fotografitë e Eugene Pittard

22 October 2025 at 09:55


TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) u hap ekspozita “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard”.

Ekspozita është një udhëtim unik nëpër historinë dhe identitetin shqiptar, përmes objektivit të antropologut dhe akademikut të shquar zviceran Eugène Pittard.

Ekspozita sjell për herë të parë për publikun shqiptar një koleksion fotografish të realizuara në vitin 1921, ku pasqyrohen njerëzit, traditat, qytetet dhe peizazhet e Shqipërisë së asaj kohe.

Vizitorët ndoqën edhe një film dokumentar dhe panë përmes syzeve VR, një material arkivor instalativ që ndërthur historinë me teknologjinë bashkëkohore, duke ofruar një përvojë ndijore dhe emocionale të jashtëzakonshme.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishin kuratori i ekspozitës, Elton Koritari, publicisti dhe shkrimtari Luan Rama, studiuesi Kudret Isai, si dhe ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, të cilët theksuan rëndësinë e këtij projekti si një dëshmi e rrallë e miqësisë zvicerano-shqiptare dhe e ruajtjes së kujtesës historike përmes artit dhe fotografisë.

Gjatë mbrëmjes u promovua edhe katalogu zyrtar i ekspozitës, që përmbledh veprat dhe dokumentet e rralla të prezantuara në këtë projekt, i cili do të qëndrojë i hapur për publikun deri më 13 nëntor 2025.

Pittard kontribuoi fuqishëm për të drejtat e Shqipërisë, për sovranitetin e saj dhe luajti një rol vital në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Së bashku me gruan e tij Helene Pittard, ai erdhi në Shqipëri dhe takoi figurat më të njohura politike e kulturore të Shqipërisë së viteve 1920. /j.p/

1 nga 5

The post Shqipëria dhe shqiptarët e viteve ’20 në fotografitë e Eugene Pittard appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌