Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 10 February 2026Main stream

Mashtrimi me taksën për arsimin në Tiranë/ Nga 17 shkolla të premtuara ndërtohen vetëm 9

By: Brisi
10 February 2026 at 17:01

Pas përfundimit zyrtar (në fund të vitit 2025), taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore në Bashkinë Tiranë mbyllet me një bilanc të paplotë. Nga 17 shkolla të reja të premtuara për t’u ndërtuar me të ardhurat e kësaj takse, janë realizuar vetëm 9, ndërsa 8 të tjera mbeten të parealizuara. Të dhënat zyrtare nga Bashkia […]

The post Mashtrimi me taksën për arsimin në Tiranë/ Nga 17 shkolla të premtuara ndërtohen vetëm 9 appeared first on BoldNews.al.

Before yesterdayMain stream

Një projekt turistik në UNESCO: Sa rrezikon Pogradeci trashëgiminë natyrore?

9 February 2026 at 13:25

Dy ide “zhvillimi” po përplasen në Pogradec: njëra e sheh bregun e Liqenit të Pogradecit si trashëgimi natyrore e kulturore për t’u ruajtur, tjetra e trajton si truall për projekte masive turistike. Ky shkrim është një opinion kritik mbi projektet shumëkatëshe dhe transformimin urban që po i kanoset vijës së bregut liqenor në një zonë të mbrojtur dhe të lidhur me statusin e UNESCO-s së Liqenit të Ohrit.

Opinionin e mëposhtëm e ka shkruar Christian Défarge, lektor i lartë i geobiologjisë mjedisore në Universitetin e Orléans (Francë), i cili drejton një program studimi për inxhinieri gjeo-mjedisi dhe “qytetin e qëndrueshëm”, si dhe është kërkues shkencor në fushën e hidrogeologjisë dhe mjedisit.

Shën Marina: Një kult i ri po perhapet përgjatë bregut jugor të Liqenit të Ohrit

Autor: Christian Défarge | Lektor, studiues, Francë.

1. Jo projektit të marinës me “rrokaqiej” në Giverny!

Imagjinoni një projekt kompleksi turistik, me dhjetëra kulla deri në 27 kate, të ngulitura diku midis lumit Seine në Paris, shtratin e të cilit do ta grryenin për të ndërtuar një port të madh për motoskafë dhe “jet-ski”, ose diçka të ngjashme në kopshtin e zambakëve të ujit të Monet-it, pothuajse i paprekur për më shumë se një shekull, në fshatin Giverny (Francë). Udhëtarë nga mbarë bota do të indinjoheshin dhe do të protestonin me forcë, që nga Amerika deri në Japoni e Kinë, sigurisht nëse zoti Xi nuk do të kishte kundërshtim.

E pra, kjo është ajo që po kërcënon në heshtje qytetin e vogël të Pogradecit në Shqipëri, në bregun jugor të Liqenit të Ohrit, në kufi me Maqedoninë e Veriut, i listuar në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s për vlerat e tij të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore.

Pikërisht në këtë qytet, zgjohet çdo mëngjes, ashtu si Monet-i me dritën e mëngjesit, një nga piktorët më të mëdhenj të Shqipërisë, artisti më i madh i gjallë sipas kolegëve të tij, Anastas Kostandini, i njohur me emrin artistik Taso.

Piktori Taso dhe vepra e tij kushtuar Lasgush Poradecit/Facebook.

Pogradecar i lindur (29 Korrik 1954), në kopshtin e tij artistik, Taso e ka kthyer këtë “vend të vogël”, me peizazhet, rrugët dhe banorët e tij, në një xhevahir universal.

Sipas Miguel Torgës, universali është “vendaliu pa mure”. Për ta thënë ndryshe, kolegu i Tasos, Salvador Dalí, përdori moton e Michel de Montaigne: “Njeriu mund të arrijë universalën vetëm duke u nisur nga ultra-vendorja”.

Mirëpo “lokales pa mure” duan t’i kundërvihen disa biznesmenë pa kulturë dhe arsim nëpërmjet një projekti që nuk ka asgjë të përbashkët me jetën vendore, duke krijuar përkundrazi mure të larta që shkatërrojnë peizazhin dhe çdo aset lokal, dhe duke transformuar atë çka ishte fillimisht një fshat modest peshkatarësh në një mini-Dubai.

Më e keqja është se këtë e bëjnë me mbështetjen e politikanëve pa vizion, gjoja nën pretekstin dhe premtimin, si kudo tjetër, të përfitimeve ekonomike – në fakt, kur nuk mund t’u sigurosh pjesës më të madhe të njerëzve një jetë të denjë, u premton “telebingon” e turizmit.

2. Kundër trans-peizazhimit global dhe uniform

Siç dihet, liqeni që rrethon Pogradecin është i regjistruar si Trashëgimi Botërore e UNESCO-s për vlerat e tij natyrore dhe kulturore. Por përtej kësaj njohjeje zyrtare, ai është edhe shembulli i përsosur i një socio-ekosistemi virtuoz me dy karakteristika të tjera të jashtëzakonshme që do t’ia vlente t’i përmendim.

Gati 300 metra i thellë, ky liqen është më i thelli në Ballkan dhe një nga më të vjetrit në botë, madje më i vjetër edhe se vetë njerëzimi. I konsideruar edhe si një nga më të pasurit me specie endemike, liqeni është para së gjithash një fenomen i rrallë gjeologjik: ushqimin kryesor ujor e merr nga një tjetër liqen, 150 metra më lart se ai, Prespa e Madhe (e përbashkët mes Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut) nëpërmjet korridoreve nëntokësore karstike. Ndërsa Prespa e Madhe furnizohet vetë, përmes një shiriti të ngushtë toke (Koula) nga Prespa e Vogël, e ndodhur vetëm 3 metra më lart, mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Urë lidhëse midis tre vendeve ballkanike, Liqeni i Ohrit vazhdon rrjedhjen e tij nëpërmjet Drinit të Zi, duke përshkuar Maqedoninë e Veriut dhe më pas Shqipërinë, për t’u derdhur së fundi në Detin Adriatik pranë kufirit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi (njësoj si – në mënyrë simbolike – “Emigrimi i ngjalave”, kaq domethënëse për shkrimtarin e madh shqiptaro-maqedonas Luan Starova, me origjinë nga Pogradeci).

Kjo mënyrë qarkullimi ujërash në formë kaskade, e ushqyer nga burime nëntokësore ujërash të ëmbla, i jep liqenit një pastërti dhe qartësi të kulluar. Fatkeqësisht, kjo kthjelltësi do të errësohej përgjithmonë nga reflektimi monstruoz dhe i zymtë i mureve gjigante prej xhami dhe betoni.

Projekti i Marinës së Pogradecit/Arlis Ndërtim.

Por ky vend nuk është i jashtëzakonshëm vetëm për veçoritë e tij natyrore dhe faktin që ka mbetur pothuajse i paprekur. Ai është i jashtëzakonshëm edhe për autenticitetin e ruajtur të fshatrave përreth, mentalitetin e banorëve, të cilët ndajnë me njëri-tjetrin të njëjtin stil jetese apo zakone kulinare, në të gjitha brigjet e liqenit.

Dhe askush deri më sot, as në bregun maqedonas në Ohër apo Strugë, shumë herë më të frekuentuar nga turistët pasi bregu i liqenit ka shërbyer dhe shërben si rivierë për një vend pa akses në det, nuk e kishte deformuar kësisoj peizazhin unik socio-kulturor, me të tillë shkatërrim, si projekti i ri i Pogradecit.

Ky projekt i ashtuquajtur zhvillim, i njohur dhe i aplikuar prej vitesh në bregun e Mesdheut, mund të përshkruhet si “trans-peizazhim”. Ashtu si trans-humanizmi, qëllimi i tij është që, nën petkun e gjoja perspektivave marramendëse dhe garës për konkurrencë globale në turizëm, të maskojë mungesën e vullnetit politik për të ndërmarrë aksione konkrete për të ruajtur karakterin lokal, për të mbrojtur mjedisin dhe përmirësuar jetesën e banorëve rreth e qark.

Në fakt, trans-peizazhizmi promovon një lloj uniformiteti global që prodhon vetëm varfëri.

Ky projekt është jo vetëm i papranueshëm dhe përbuzës ndaj banorëve të Pogradecit dhe rajonit përreth, por duket edhe krejtësisht i marrë, pasi ndërtesa e vetme disi e lartë në qytet (10 kate), e ndodhur jo larg perimetrit të ndërtimit, ka maksimumi një deri në tre apartamente të banuara. Por ndoshta qëllimi i tij i vërtetë nuk është t’i shesë ose t’i japë me qira këto banesa dhe vende parkimi, por vetëm thjesht t’i ndërtojë?

3. Këtu rreh zemra e Evropës

Si qytetarë të kësaj bote kemi jo vetëm të drejta, por edhe detyrime ndaj objekteve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe më gjerë në mbrojtje të njerëzimit, vlerave të tij dhe planetit nga politikat “zhvilluese” që po kërcënojnë seriozisht integritetin e tyre dhe të ardhmen e brezave që vijnë.

Si qytetarë evropianë, detyrimet janë më të mëdha ndaj kësaj pjese të panjohur, të nënvlerësuar dhe të neglizhuar të Evropës, siç është rajoni i Liqenit të Ohrit.

Sepse, së pari, rajoni ka qenë etapë thelbësore e Via Egnatia-s, e cila lidhte Romën me Bizantin, nga bregu i Adriatikut dhe përmes bregut verior të liqenit, duke kontribuar në përhapjen e krishterimit në të gjithë rajonin. Pikërisht në brigjet e këtij liqeni, dy dishepujt e Kirilit dhe Metodit, Klementi dhe Naumi, thuhet se kanë qenë kontribues të rëndësishëm në krijimin e alfabetit cirilik, i përdorur ende sot nga gjysma lindore e Evropës (ky alfabet u bazua në një tjetër alfabet më të hershëm, glagolitik, i hartuar nga Kirili dhe Metodi, me qëllim ungjillëzimin e popujve sllavë duke filluar nga Kostandinopoja).

Në vitin 886, Klementi themeloi shkollën e tij letrare në Ohër, e konsideruar jo vetëm si universiteti i parë në Ballkan dhe universiteti i parë sllav, por edhe më i lashti në Evropë, duke i paraprirë me gati 1 apo 2 shekuj universiteteve të Parmës, Bolonjës, Oksfordit apo Sorbonës, të cituara si më të vjetrat në Evropë).

Naumit i njohim manastirin e famshëm që mban emrin e tij në bregun jugor të liqenit, aty ku ndodhet dhe varri i tij, i kthyer në një nga vendet më të njohura të pelegrinazhit ortodoks. Vetë Ohri konsiderohet si Jeruzalemi i sllavëve.

Në Ohrin e mrekullueshëm, në fund të shekullit të XIII, në kupolat dhe muret e Kishës së Shën Nënës së Zotit Perivleptos, dy vëllezërit grekë, Michalis Astrapas dhe Eutychios, të formuar si piktorë në Malin e Athosit, thyen traditën e afreskeve bizantine duke sjellë elemente novatore në planin e perspektivës, realizmit, anës emocionale dhe sensibilitetit, të cilat do të revolucionarizonin pikturën evropiane, pasi do të përvetësoheshin dhjetë vjet më vonë në fresket e Kapelës Scrovegni në Padovë nga vetë Giotto, paraardhësi i Rilindjes Italiane.

Ishte përsëri këtu, në pjesën anësore të kësaj kishe, që në vitin 1516 u konceptua pinakoteka e parë, e konsideruar si galeria më e vjetër e artit në botë.

Nuk mbaron me kaq! Në anën tjetër të kreshtave malore që rrethojnë liqenin është Manastiri (Bitola), në Maqedoninë e Veriut, vendi ku ndodhen varrezat më të mëdha ushtarake franceze jashtë territorit të Francës (një tjetër është në Korçë, Shqipëri), dëshmi të kobshme dhe të heshtura të rëndësisë së Frontit Lindor gjatë Luftës së Parë Botërore, i cili luajti një rol jo të vogël në fitoren përfundimtare të Aleatëve, krejt i neglizhuar sot nga kujtesa perëndimore (ashtu si qindra luftëtarët afrikanë që prehen atje, larg vendlindjes së tyre).

Ndërsa në Florinë, Greqi, dhe rrethinat e saj, peizazhet u bënë sfondi dhe burimi i frymëzimit për shumë nga kryeveprat e Theo Angelopoulos, më evropiani i regjisorëve rajonalë.

E pra, në këtë “tjetër Evropë” që edhe Milan Kundera e la padrejtësisht në harresë, ashtu si të gjithë në Perëndim, pikërisht për faktin se është tepër ortodokse dhe myslimane, zemra e tërë Evropës rreh këtu më fort se kudo.

Dhe këtë zemër, të ardhur nga lashtësia por që është ende gjallë, të vendosur gjeografikisht majtas-poshtë, sepse më afër rrënjëve latine-kristiane dhe greke të qytetërimit evropian, duan ta zëvendësojnë me një zemër artificiale dhe pa shpirt, të shkëputur nga realiteti, për të projektuar nga kompjuteri një uniformitet peizazhesh ku gjithçka në botë të ngjasojë me një ekskavator gjigant global, për të shërbyer si sfond unik për video reklamuese turistike.

Në vend që të ruajmë territorin, ta bëjmë të jetojë më mirë apo ta ringjallim, barbarët përgatiten të shkaktojnë vdekjen e saj përfundimtare përmes një transplanti të kotë dhe pa asnjë perspektivë.

Projekti i Marinës së Pogradecit/Arlis Ndërtim.

Atë çfarë nuk arritën të zhdukin konfliktet e shumta që kanë përfshirë rajonin, nga luftërat ballkanike në fillim të shekullit të XX, me eksperimentet e artilerisë së rëndë apo deportimet dhe masakrat masive e deri te dy luftërat botërore, atë çka kanë dështuar të shkatërrojnë fashizmi, komunizmi, maoizmi dhe, më në fund, stalinizmi, në aspektin e jetës autentike dhe natyrës në brigjet e këtij liqeni, një grusht barbarësh të etur për para ka të ngjarë ta arrijë brenda pak muajsh.

4. Për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm: turizmit stacionar

Shqipëria gati po asfiksohet nga invazionet turistike, që në një farë mënyre i ka provokuar vetvetes: aeroporti i kryeqytetit, edhe pse i zgjeruar së fundmi, është i mbipopulluar gjatë gjithë stinës së verës.

Për të akomoduar turmat në rritje të pushuesve në plazh, një aeroport i dytë është duke marrë formë në jugperëndim të vendit, pranë Vlorës, midis estuarit të Vjosës dhe lagunës së Nartës, dy zona të mbrojtura natyrore, duke shpërfillur rrezikun e ndërprerjes së migracionit të zogjve, për të cilin zona shërben si ndalesë thelbësore.

Kufijtë e saj tokësorë po bëhen gati të pakalueshëm, rrugët janë të mbipopulluara, plazhet të tejngopura…

Çka është për të ardhur keq është fakti se ky fluks turistik nuk vjen nga dëshira për të zbuluar veçoritë unike të këtij vendi – më ka ndodhur shpesh të dëgjoj dialogje turistësh në kthim, teksa presin në sallonet e aeroportit, të cilët pyesin njëri-tjetrin se ç’do këtu ky flamur me dy koka shqiponjash, ose pse ka kaq shumë xhami në këtë vend evropian…

Jo, arsyeja kryesore është se kostoja e jetesës është ende e ulët në krahasim me diku tjetër në bregun verior të Mesdheut. Dhe kur, ashtu si në Kroaci dhe Mal të Zi, çmimet edhe këtu do të rriten ndjeshëm, rrjedhat turistike do të zhvendosen akoma më në jug, po qe nevoja deri në Mozambik apo Bangladesh.

Ndaj, ky model zhvillimi turistik është pa të ardhme të vërtetë.

Nga ana tjetër, restoranti më i njohur në Shqipëri, “Mrizi i Zanave”, pranë Lezhës, në veriperëndim të vendit, shërben si pikë referimi për lëvizjen globale “Slow Food”, ashtu si “Fustanella” në Petrelë, një nga më të mirët në Tiranë dhe rrethinat e saj, të dy shembuj të agroturizmit që po përhapet në të gjithë vendin.

“Hani i Gështenjave”, në lartësitë e Pogradecit, i konceptuar mbi një fermë dhe me një pamje mahnitëse mbi liqen, është një shembull tjetër i kohëve të fundit.

Nuk mund të lëmë pa përmendur zonën e Përmetit, pranë kufirit jugor me Greqinë, e cila prej kohësh i është përkushtuar ekoturizmit. Këto iniciativa dëshmojnë se një lloj tjetër turizmi është i mundur në Shqipëri.

Shembull i përkryer është qasja tradicionale ndaj turizmit që lëvrohet ende përreth Liqenit të Ohrit, dhe kjo, pavarësisht frekuentimit të madh gjatë stinës së verës.

Ky model turizmi respekton jetën e banorëve dhe natyrën përreth, autenticitetin e zonës, ku secili ruan karakterin dhe veçoritë e veta specifike. Kjo lloj mënyre e të bërit turizëm përputhet në mënyrë të përkryer me idenë e “gjendjes statike”, të teorizuar nga ekonomisti anglez John Stuart Mill: zhvillim pa prishur ekuilibrin natyror dhe kulturor, përmirësim pa turbulluar gjithçka, progres pa shkatërrim – i vetmi progres i vërtetë.

Ka shumë për të bërë në zonën e Pogradecit për të arritur këtë “model statik”: përmirësimi i cilësisë së ujit të lumit që derdhet në liqen; rregullimi i trotuareve dhe zonave për këmbësorë; pistat e biçikletave; sinjalizimi i shtigjeve për shëtitje dhe i thesarëve natyrorë dhe kulturorë; zgjerimi i gamës së akomodimit tradicional, etj.

Sa do të na pëlqente të gjithëve, p.sh., ideja e krijimit të një muzeu të madh modern dedikuar liqenit, në vendin e projektit famëkeq.

Muze të tillë limnologjikë njihen gjithsej vetëm tre në botë, ndryshe nga muzetë oqeanografikë, të cilët janë të shumtë. Dhe njëri prej të treve ndodhet pikërisht në brigjet e Liqenit Baikal, shumë i ngjashëm me Liqenin e Ohrit, për nga vjetërsia me miliona vjet, biodiversiteti i jashtëzakonshëm, përfshirë speciet endemike, si edhe statusi i Trashëgimisë Botërore.

Pse jo pra një muze që përshkruan dhe ilustron historinë natyrore dhe kulturore të liqenit, duke filluar nga gjeologjia dhe biologjia e tij unike (origjina tektonike dhe karstike, mënyra e furnizimit me ujë, korani, sfungjerët, algat mikroskopike, kërmijtë, etj.), duke vazhduar më tej me vendbanimet e ndryshme në brigjet e liqenit, siç është banesa qindravjeçare e sapozbuluar pranë Linit, në veriperëndim të bregut shqiptar, e njohur si vendbanimi më i vjetër i këtij lloji në Evropë, për të përfunduar me figurat artistike dhe letrare që ka nxjerrë ky vend, si fotografi Misto Çiçi apo piktori Anastas Kostandini, me salla të dedikuara promovimit të shkrimtarëve të tij të mëdhenj por pak të njohur në botë, si Lasgush Pogradeci dhe Mitrush Kuteli (letërsia shqiptare nuk fillon dhe mbaron me Ismail Kadarenë).

Një muze që mund të sponsorizohej nga vetë UNESCO.

Aktualisht, muzeu i vetëm që prezanton trashëgiminë natyrore dhe kulturore të zonës së Liqenit të Ohrit ndodhet në Strugë, në bregun verior maqedonas.

Ky muze, i themeluar në vitin 1928 nga Nikola Nezlobinski, një mjek rus i internuar pas Revolucionit të vitit 1917, ndodhet sot në gjendje jo të mirë megjithë pozicionin e tij të jashtëzakonshëm gjeografik, në Gjirin e Kockave, në Peštan. Gjithashtu, koleksionet arkeologjike të muzeut të vogël në Pogradec meritojnë një ambient më mbresëlënës.

Po ashtu, ai i dedikuar Misto Çiçit, i vendosur aktualisht në banesën e tij familjare, për të mos folur për shtëpinë e Lasgush Pogradecit, pothuajse e mbyllur shumicën e kohës.

Ky lloj muzeu mund të tërhiqte një shtresë tjetër turistësh, përfshirë ata përtej kufirit dhe gjithë vendeve sllave, për të cilët ndalesa e fundit është zakonisht manastiri i Shën Naumit.

Ky muze do të favorizonte për rrjedhojë edhe dialogun midis dy brigjeve, duke nderuar kështu edhe Luan Starovën, shkrimtar i ushqyer pikërisht nga gjithë këto identitete lokale, të cilave u kushtoi pjesën më të madhe të veprës së tij, mendimtar largpamës i cili druhej se “Ballkani do të mbetet i mallkuar për sa kohë që kufijtë e tij nuk do të harrohen”.

Muzeu mund të konceptohet në formën e një hapësire të vetme, të ajrosur dhe të hapur, me fasada transparente si vetë ujërat e liqenit, në mënyrë që të mos pengojë perspektivën dhe pamjen e liqenit nga qyteti apo të qytetit nga bregu i liqenit.

Hapësira duhet të jetë në gjendje të presë ekspozita të përkohshme dhe të promovojë figura artistike, letrare dhe shkencore të anës tjetër të liqenit (Vangel Kodžoman, vëllezërit Miladinov, Nikola Nezlobinski…).

Me një fjalë, krejt e kundërta e projektit aktual, i cili është opak, mbytës, si ndonjë Perde e Hekurt në breg të liqenit, apo si port-avion funebër i një flote që përgatitet ta gllabërojë liqenin, para të cilit flota franceze aktive gjatë Luftës së Parë Botërore e Ohrit dhe Prespës do të dukej në retrospektivë jo më kërcënuese se ajo e anijeve tradicionale të peshkimit.

Së fundi, një muze që do të nxirrte në dritë sfidat e ruajtjes së kësaj trashëgimie, rrezikun nga peshkimi i tepruar, nga ndotjet minerale, ndërtimet e pakontrolluara, ulja e niveleve të liqeneve, tashmë të dukshme në të dy liqenet e Prespës.

Ndërsa vijat bregdetare kudo po tërhiqen për shkak të ngritjes së niveleve të detit si rezultat i ngrohjes globale, në liqene po ndodh e kundërta: ato tërhiqen, siç është shembulli konkret në liqenet e Prespës, të cilat rrezikojnë tharjen, ashtu siç ndodhi me Detin Aral…

Një peticion i qytetarëve, i nisur nga banorët e Pogradecit, mund të shihet dhe të nënshkruhet në adresën e mëposhtme: www.change.org/p/stop-ndërtimeve-shumëkatëshe-në-breg-të-liqenit-të-ohrit-në-pogradec

(Ky tekst u përshtat nga frëngjishtja me ndihmën e DeepL dhe Nevila Jozja.)

The post Një projekt turistik në UNESCO: Sa rrezikon Pogradeci trashëgiminë natyrore? appeared first on Citizens.al.

12 vite pritje, pronarët e truallit mbetën në rrugë, ndërtuesi zhduket

By: armand
5 February 2026 at 21:08

Në zemër të Tiranës, disa familje që prej vitit 2014 mbeten pa apartamentet e premtuara, pasi ndërtuesi, me të cilin kishin lidhur marrëveshje, është zhdukur pa lënë gjurmë. Gjyli Tufa tregon se në vitin 2014 ajo dhe familjarët e saj i dhanë truallin dhe banesën shoqërisë “Konuda Alfa” sh.p.k., me administrator Nani Kolovani, për ndërtimin […]

The post 12 vite pritje, pronarët e truallit mbetën në rrugë, ndërtuesi zhduket appeared first on BoldNews.al.

Rama: Rezultate domethënëse nga sensibilizimi kundër informalitetit në ndërtim

1 February 2026 at 10:13

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Objektivat e administratës tatimore do të orientohen në formalizimin e tregut të punës, në deklarimin e pagave reale, por edhe në rritjen e deklarimeve dhe të qarkullimit të xhiros së bizneseve që operojnë në sektorin e ndërtimit.

Kryeministri Edi Rama në shënimet e javës gjatë podkastit “Flasim” mëngjesin e sotëm u ndal tek ky objektiv i Tatimeve i deklaruar nga ministri i Financave Petrit Malaj ndërsa paraqiti rezultatet e deritanishme.

Kryeministri solli këtë zhvillim të javës duke theksuar se ka një subjekt me rëndësi, subjektin e informalitetit në ndërtim.

“Dhe faktikisht jemi në një proces, ku shohim përmirësime të vazhdueshme, falë qasjes aktive të Ministrisë së Financave dhe të autoriteteve tatimore për të mos lejuar që informaliteti të godasë në mënyrën më të padrejtë familjet e atyre që punojnë në sektorin e ndërtimit”, vuri në duke kreu i qeverisë.

Rama theksoi se rezultatet janë të reflektuara në fondin e pagave, të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore në sektorin e ndërtimit, me rritje domethënëse.

“Një rritje domethënëse që do të thotë një deklarim shumë më real të pagave pasi administrata tatimore dërgoi rreth 15 mijë mesazhe të personalizuara, të cilat dhanë si efekt që për rreth 18 mijë të punësuar, fondi i pagave u rrit me 9%, ndërsa kontributet me 4%.”, vuri në dukje ai.

Po ashtu, sipas Kryeministrit, ulja e numrit të pagave në fashën e 500 eurove është domethënëse, ashtu siç është rritur ndjeshëm numri i pagave mbi 700 dhe mbi 1 mijë euro, një rritje deri në 18 %, si dhe paga mbi 1200 euro me një rritje mbi 10%.

“Këto janë tregues të qartë, jo vetëm të faktit që pagat janë rritur ndjeshëm, por mbi të gjitha të faktit se edhe ekonomia informale po ulet ndjeshëm”, përfundoi Rama.

The post Rama: Rezultate domethënëse nga sensibilizimi kundër informalitetit në ndërtim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejt përfundimit dy fusha të reja sportive në Prrenjas

27 January 2026 at 14:34

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Ndërtimi i dy fushave të reja sportive në Prrenjas po shkon drejt përfundimit, duke sjellë një tjetër investim konkret në zhvillimin e infrastrukturës së futbollit.

Një nga fushat ndodhet në fazën finale të shtrimit të tapetit artificial, ndërsa mini-fusha pritet të nisë së shpejti me të njëjtin proces.

Ky projekt po realizohet falë bashkëpunimit mes FSHF-së dhe Bashkisë së Prrenjasit, në kuadër të strategjisë për zgjerimin dhe modernizimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin.

Fushat e reja do t’u shërbejnë të rinjve, shkollave dhe komunitetit lokal, duke krijuar kushte moderne për stërvitje dhe aktivitete sportive.

1 nga 4

/gj.m/j.p/

The post Drejt përfundimit dy fusha të reja sportive në Prrenjas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tatimet thirrje bizneseve të ndërtimit: Deklaroni me korrektësi punonjësit dhe pagat reale

20 January 2026 at 17:55

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Administrata Tatimore ka nisur zbatimin e Planit Sektorial të Ndërtimit me synim forcimin e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore, uljen e informalitetit dhe rritjen e transparencës në sektorin e ndërtimit.

Në kuadër të këtij plani, Administrata Tatimore njoftoi sot se disponon dhe analizon të dhëna të siguruara nga burime të ndryshme, përfshirë informacione të marra nga palë të treta publike dhe private, të dhëna nga sistemi elektronik i faturimit CPCM, si dhe vetëdeklarimet e tatimpaguesve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e ndërtimit apo në zinxhirin e tij të furnizimit.

Këto burime përdoren për analiza të thelluara të riskut, me qëllim identifikimin e mospërputhjeve, devijimeve nga treguesit referencë dhe sjelljeve që sinjalizojnë shmangie tatimore.

Administrata Tatimore u bën thirrje tatimpaguesve të këtij sektori të përmbushin me korrektësi dhe në kohë detyrimet ligjore, veçanërisht për deklarimin e punonjësve, deklarimin real të pagave në përputhje me profesionin dhe kushtet e tregut të punës, si dhe lëshimin e faturave të fiskalizuara për çdo shitje apo transaksion, përfshirë edhe parapagimet.

Gjithashtu, Administrata Tatimore thekson rëndësinë e kryerjes së blerjeve vetëm me faturë të rregullt tatimore, deklarimit të saktë të të dhënave në Regjistrin e Tatimpaguesit, deklarimit korrekt të kontratave të qiramarrjes dhe përdorimit të softuerëve të certifikuar për fiskalizim, sipas legjislacionit në fuqi.

Administrata Tatimore bën me dije se mosrespektimi i detyrimeve ligjore dhe çdo sjellje që synon shmangien tatimore, e konstatuar përmes analizave të riskut, e kategorizon tatimpaguesin si subjekt me risk.

Në këto raste, do të ndërmerren masa verifikuese dhe monitoruese, në përputhje me kompetencat ligjore, përfshirë kontrolle, monitorime, hetime tatimore dhe masa administrative.

Qëllimi i masave të ndërmarra është garantimi i një tregu të ndershëm, rritja e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore, sigurimi i konkurrencës së drejtë dhe forcimi i drejtësisë sociale për punonjësit në sektorin e ndërtimit.

Administrata Tatimore thekson se mbetet e angazhuar për të ofruar asistencë dhe informacion për tatimpaguesit, duke synuar bashkëpunim të vazhdueshëm dhe respektim të ndërsjellë të detyrimeve ligjore.

/gj.m/j.p/

 

The post Tatimet thirrje bizneseve të ndërtimit: Deklaroni me korrektësi punonjësit dhe pagat reale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paradoksi i ndërtimit dhe pasuritve të paluajtshme: Çmimet do të shtrenjtohen, por kërkesa në rënie!

By: Mira Leka
17 January 2026 at 22:12

Ndërtimi po hyn në një rreth vicioz, me çmimet që pritet të vazhdojnë rritjen nga referencat e reja dhe kërkesën që po bie, sidomos në kryeqytet.

 

Dorina Azo

Çmimet e reja të referencës për rrethet do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2026. Ashtu siç ndodhi në Tiranë në vitin 2023, çmimet e reja të referencave për shitblerjen e apartamenteve në rrethe pritet të rrisin koston për subjektet ndërtuese, veçanërisht te zonat bregdetare.

Erjon Harizi, Kryetar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë (SHNSH) parashikon se rritja e referencave pritet të ndikojë automatikisht në shtimin e detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë.

Kjo do të thotë se kostot për ndërtuesit do të shtrenjtohen po aq sa rriten çmimet e referencës. Zoti Harizi nënvizon se do të ketë kosto më të lartë si pasojë e rritjes së detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë. Kjo do të reflektohet te çmimet e shitjes së apartamenteve, për zonat bregdetare dhe për Bashkinë e Kamzës.

“Një nga kostot shtesë për ndërtuesit pritet të jetë rritja e çmimeve të referencës në të gjithë Shqipërinë. Po aq për qind sa rriten referencat, rritet edhe kostoja e ndërtimit.

Kjo do të thotë se ndikimi në kosto për ndërtuesit do të jetë proporcional me përqindjen e rritjes së çmimeve të reja të referencës. Pa dyshim, kjo kosto, do të ketë efekt në rritjen e çmimeve të pronave.

Një tjetër faktor është rritja e kostos së fuqisë punëtore, e cila po ndikon drejtpërdrejt në shpenzimet e ndërtimit. Sa u përket çmimeve të materialeve të ndërtimit, deri më tani tregu paraqitet relativisht i qëndrueshëm, me luhatje të lehta, të cilat nuk pritet të kenë ndikim të ndjeshëm në çmimet finale të apartamenteve”.

Në raport me çmimet e mëparshme, rritja e referencave, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve arrin deri në 196%, që është për zonën e re kadastrale pranë Portit të Durrësit. Rritja arrin deri në 79% krahasuar me çmimet e mëparshme të referencës, për zona kadastrale në Vlorë, Sarandë apo Himarë.

Për këtë arsye, sipas kryetarit të bordit të SHNSH, rritje më të ndjeshme në koston e ndërtimit priten në zonat bregdetare të Durrësit, Qerretit ku çmimet e referencës janë parashikuar të rriten më fort. Ndërsa në Tiranë, efektet e ndryshimeve do të ndihen për Bashkinë e Kamzës.

Hartës së re të çmimeve në rrethe, që hyn në fuqi më 1 janar 2026, i shtohen edhe 54 zona të reja kadastrale. Numri i tyre arrin në 119 zona nga 65 që ishin më parë.

Referuar vendimit “Për miratimin e metodologjisë, rregullave dhe procedurave për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ‘ndërtesa’, llogaritjen e taksës mbi ndërtesën dhe pagesën e saj”, ndryshimet më të larta të çmimeve të referencës për rrethet rezultojnë në Durrës.

Me hartën e re, Durrësi do të ndahet në 13 zona kadastrale me çmime që variojnë nga 45 mijë lekë deri në 200 mijë lekë për metër katror nga 67,5 mijë lekë që ishte çmimi i mëparshëm.

Në Durrës, ndryshimet më të larta prej 196%, krahasuar me çmimin e mëparshëm, janë për zonën kadastrale nr.13, e cila në terren përkon në Portin e Durrësit, ku po zhvillohet edhe projekti i “Durrës Yachts Marina”.

Në këtë zonë, pas hyrjes në fuqi të vendimit, çmimi do të jetë 200 mijë lekë për metër katror, nga 67,5 mijë që është çmimi i vetëm i referencës së shitblerjes së apartamenteve në Durrës.

Ashtu si në Tiranë, edhe për ndërtuesit në rrethe, taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja i nënshtrohen të gjitha subjektet që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e të tjera. Taksa paguhet nga ndërtuesit para zbardhjes së lejes së ndërtimit.

Për llogaritjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë, baza e taksës është vlera në Lek për metër katror e çmimit të shitjes së ndërtimit qoftë për qëllime banimi apo për shërbime. Ndërsa çmimi i shitjes për metër katror bazohet në vlerat referuese të metodologjisë së miratuar nga qeveria.

Sipas vendimit “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Durrësit për vitin 2023”, i miratuar në muajin dhjetor 2022, për qytetin e Durrësit, taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtime banimi, që nuk janë të destinuara të përdoren për turizëm, industri apo për shërbime publike është 8%.

Për një objekt rezidencial me sipërfaqe 100 mijë katror, pranë Portit të Durrësit, sipas llogaritjeve me çmimin aktual të referencës, detyrimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtuesin është 540 milionë lekë.

Detyrimi i taksës, i llogaritur me çmimin e ri të referencës, që hyn në fuqi më 1 janar 2026 për një ndërtim me sipërfaqe 100 mijë metra katror, llogaritet rreth 1 miliard lekë. Detyrimi i ndërtuesit për taksën do të rritet në përqindje të njëjtë me ndryshimin e referencave.

Rritje të lartë për çmimet e referencës ka edhe për zonat e tjera bregdetare, si: Himara, Saranda, Vlora dhe ishulli i Sazanit. Me hartën e re, Himara ndahet në 5 zona kadastrale, ku rritja më e lartë e çmimit prej 141% është për zonën nr.1. Çmimi arrin 140 mijë lekë për metër katror, nga 58 mijë lekë për metër katror.

Saranda gjithashtu do të ndahet në 5 zona kadastrale, ku për zonat nr.1 dhe nr.3, çmimi arrin 100 mijë lekë për metër katror apo 78.6% më shumë sesa çmimi i mëparshëm.

Vlora do të jetë e ndarë në 7 zona kadastrale, ku 4 prej tyre janë brenda qytetit, dhe zonat e tjera do të jenë ajo e Radhimës, Orikumit dhe ishullit të Sazanit. Në Vlorë, rritja më e lartë për çmimet e referencës është në ishullin e Sazanit.

Deri tani, ishulli i Sazanit, nuk ka qenë i banueshëm. Ky i fundit përfshihet për herë të parë si zonë kadastrale në hartën e metodologjisë për llogaritjen e taksës së ndërtesës, pas prezantimit për zhvillimin e projektit rezidencial nga kompania “Affinity Partners” e sipërmarrësit Jared Kushner, dhëndri i Presidentit Donald Trump.

Për ishullin e Sazanit çmimi i referencës është 200 mijë lekë për metër katror apo 233% më shumë sesa çmimi i mëparshëm për qytetin e Vlorës.

 

Rritja e kërkesës nga të huajt do të shtrenjtojë më tej çmimet e pronave në bregdet deri në 2030

Përveç çmimeve të referencës në zonat bregdetare, rritja e çmimeve të pronave pritet të nxitet edhe nga shtimi i kërkesës nga blerësit e huaj.

Jonian Antoni, administrator i agjencisë së pasurive të paluajtshme “Century 21 Albania”, parashikon se gjatë vitit 2026, kërkesa për prona në bregdet nga të huajt do të vijojë të rritet, për shkak të çmimeve ende më të ulëta që ofron Shqipëria krahasuar me vendet e rajonit.

Sipas tij, shtrenjtimi i çmimeve për pronat në bregdet do të jetë i pashmangshëm të paktën deri në vitin 2030. Rritja vjetore e çmimeve pritet të luhatet nga 4% deri në 12%, në varësi të zonës.

“Kërkesa në zonat bregdetare vazhdon të jetë solide dhe pozitive. Gjatë vitit 2025, interesin më të lartë e kanë marrë zonat me çmime të ulëta dhe mesatare, si Shëngjini, Gjiri i Lalëzit dhe veçanërisht bregdeti i Durrësit. Megjithatë, shitje të mira dhe me çmime pozitive vijojnë edhe në bregdetin e Jugut”, shprehet z. Antoni.

Ai thekson se raporti kërkesë-ofertë në bregdet mbetet i balancuar dhe se ky trend pritet të vijojë edhe gjatë vitit 2026. Mbi 60% e blerjeve në zonat bregdetare realizohen nga të huaj ose diaspora.

Duke krahasuar tregun shqiptar me atë të Greqisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, ku çmimet janë mbi dyfish më të larta se në Shqipëri, z. Antoni parashikon rritje të përvitshme të çmimeve.

“Rritjet variojnë nga 4–5% në disa zona deri në 10–12% në zonat më elitare. Kjo pritet të vijojë deri në vitin 2030, kur planifikohet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian”, nënvizon ai.

Në vitin 2025, çmimet e pasurive të paluajtshme në bregdet u shtrenjtuan nga 20 deri në 67%, duke reflektuar një treg aktiv të orientuar kryesisht nga blerës të huaj.

Agjentët imobiliarë pohuan më herët se rritja e çmimeve u ndikua nga shtimi i kërkesës veçanërisht për pasuri të paluajtshme në zonat bregdetare, si: Golemi në Qerret, Vlorë, Radhimë, Orikum dhe Sarandë. Kërkesa në bregdet vijoi të dominohej nga shtetas të huaj, kryesisht nga vende pa dalje në det në Europë si Çekia, Polonia dhe Hungaria.

Në vitin 2025, nga rritja e kërkesës së të huajve, u regjistrua shtrenjtim më i lartë çmimesh në zonat e Vlorës, si: Lungomare, Radhimë dhe Orikum.

Në vijën e dytë të ndërtimit në Lungomare, çmimet e shitjes janë rritur nga 33 deri në 67% krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të agjencive të shitblerjes së pasurive të paluajtshme nga 1,500 euro për metër katror që u shitën vjet pronat në Lungomare, në vitin 2025 çmimet u luhatën nga 2,000 deri në 2,500 euro për metër katror.

Në vijën e parë të ndërtimit, çmimet arritën nga 2,500 deri në 3,500 euro për metër katror, për shkak të mungesës së ofertës dhe kërkesës së lartë.

Prej vitit 2023, zonës së Radhimës vijojnë t’i shtohen projektet rezidenciale. Çmimet e shitjes variojnë nga 2,000 deri në 3,000 euro për metër katror, krahasuar me 1,500–2,000 euro që ishin në 2024, që përfaqëson një rritje prej 20 deri në 33%.

Në Orikum, çmimet e apartamenteve të kategorisë së ulët janë rritur nga 800 në 1,300 euro për metër katror (rritje prej 63%), ndërsa çmimet maksimale kanë mbetur në nivelin e 1,500 euro për metër katror. Kjo zonë kërkohet për blerje pronash edhe nga emigrantët, kryesisht atyre që jetojnë në Itali, që e shfrytëzojnë apartamentin për pushimet verore.

Në Sarandë, në verën e vitit 2025, çmimet e shitjes për apartamente në ndërtimet e reja me afërsi deri 1,000 metra nga deti u ofruan me çmime 2000 deri në 2,500 euro për metër katror. Në vijën e parë, çmimet kanë arritur 3,000 deri në 3,500 euro për metra katror. Në resorte, apartamentet po shiten me çmime 4,000 euro për metër katror.

Për agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme, tendenca në rritje e kërkesës për prona nga turistët e huaj ka ndikuar në pakësimin e ofertës dhe rritjen e çmimeve.

Sipas agjencive vendase imobiliare, shtrenjtimi i çmimeve ka sjellë që kërkesa për prona nga të huajt të hyjë në vitin e dytë të rënies.

Edhe në Golem, kërkesa vijoi të kryesohej prej shtetasve të huaj gjatë 2025. Arjan Gjuzi, agjent i pasurive të patundshme nga “Century 21 EON”, tha më herët se në Golem kërkojnë të blejnë apartamente shtetasit çekë, polakë dhe hungarezë.

Sipas tij, të huajt i bëjnë më tepër blerjet për qëllime investimi, për t’i dhënë me qira ditore. Për shkak të kërkesës në rritje dhe pakësimit të ofertës, çmimet e shitjes së apartamenteve në vijën e parë në Golem arritën në 2,000 euro për metër katror. Rritja ishte 33% krahasuar me 2024.

Pranë zonës së Shkëmbit të Kavajës, çmimet e pronave u rritën me 11% krahasuar me vjet. Çmimi i shitjes arriti në 2,000 euro për metër katror nga 1,700 euro për metër katror që ishte nivel maksimal për 2024.

Edhe çmimet e pronave brenda qytetit të Durrësit mbeten të larta, në nivelet 2,000 deri në 2,500 euro për metër katror. Sipas agjentëve imobiliarë këto çmime të larta ndikohen nga oferta e kufizuar dhe kërkesa e qëndrueshme.

Për shkak të çmimeve të larta për gati një dekadë, kërkesa nga vendasit në Golem mbeti e ulët. Vetëm në vitin 2025 vendasit u janë rikthyer blerjeve, për shkak të ofrimit të shitjeve me këste.

Edhe në zonën e Qerretit, shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve vijoi edhe për vitin 2025.

Sipas të dhënave të agjencive të pasurive të patundshme, në vijën e parë të ndërtimit, çmimet arritën deri në 2,000 euro për metër katror, apo 33% më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Në vijën e dytë, çmimet shkojnë deri në 1,700 euro për metër katror, që përfaqëson një rritje prej rreth 40% krahasuar me 2024-n.

 

 

Agjencitë imobiliare: Tirana po shfaq shenja mbingopjeje, tregu i paqartë për vitin 2026

Për agjencitë imobiliare, tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë ka nisur të shfaqë shenjat e mbingopjes. Administratori i agjencisë imobiliare “Century 21 Albania”, Jonian Antoni, thotë se oferta e lartë rrezikon të krijojë stoqe apartamentesh të pashitura, situatë e cila kërkon monitorim për vitin 2026.

“Tirana është bërë një treg i ndërlikuar me larmishmëri të madhe produktesh. Sa i përket ofertës, mund të themi që Tirana sot ka ofertë produktesh nga më të ndryshmet, duke filluar nga prona elitare në lagjet elitare, prona qendrore në zonën e qendrës dhe përreth, prona periferike jashtë ose përreth Unazës së Vogël dhe Unazës së Madhe, dhe prona suburbane në zonat e Tiranës, por në njësitë e saj si p.sh. Paskuqani, Kamza, Vora, Dajti (Fresku) etj.

Mund të themi me plot gojën se edhe kërkesa, edhe oferta në të gjitha zonat e Tiranës ka qenë e lartë. Pra, në tregun ciklik të ndërtimeve të Tiranës, sot jemi në një moment ku oferta e produkteve është e lartë, por gjithashtu edhe kërkesa vazhdon të jetë në ritme të kënaqshme duke qenë rreth 20% më pak kërkesë se dy vite më parë, por ende 30% më e lartë se periudha para pandemisë.

Fatkeqësisht, nuk kemi të dhëna konkrete nga Kadastra ose Bashkia mbi numrin real të ofertës (njësive totale në shitje) dhe as numrin real të kërkesës (shitjeve në 2025) apo viteve më parë”.

Për sa u përket çmimeve të shitjes së apartamenteve në Tiranë, zoti Antoni thotë se tregu është i paqartë sepse oferta dhe kërkesa janë të larta, dhe nëse oferta nuk menaxhohet mirë në vitin 2026, stoqet mund të krijojnë probleme financiare, ndaj situata duhet ndjekur me kujdes.

“Ndërsa çmimet lidhen shumë me kërkesë-ofertën. Për momentin, çmimet kanë qenë të qëndrueshme. Le të themi se nga fundi i 2024 deri në fund të 2025, çmimet as nuk janë rritur dhe as nuk janë ulur. Çmimet aktualisht nuk kanë ndryshuar dhe po shqyrtohet ecuria e kërkesë-ofertës.

Normalisht, në një situatë të mirë ekonomike, kërkesë-oferta duhet të jetë e balancuar, që do të thotë të ketë pak a shumë të njëjtën ofertë për kërkesën aktuale dhe të mos krijohen stoqe. Kur kemi kërkesë-ofertë të balancuar, çmimet rriten me nivelin e inflacionit ose pak më shumë.

Duke qenë se kërkesë-oferta vitet e fundit ka qenë e lartë, kjo e bën tregun pak të paqartë, sepse shitjet vazhdojnë me ritmin normal, por oferta e lartë fillon të krijojë stoqe dhe këto stoqe, nëse nuk menaxhohen si duhet, krijojnë probleme financiare për investitorët ose ndërtuesit.

Për momentin ende nuk shohim stoqe problematike, por situata duhet vëzhguar me imtësi në vitin 2026 duke shpresuar që kërkesa të rritet për të barazuar ofertën, ose oferta të zvogëlohet për të barazuar kërkesën”, pohon ai.

Sipas administratorit të kompanisë real estate “Century 21 Albania”, hyrja në fuqi, më 1 janar 2026, e ligjit të rivlerësimit të pronave me tatim 5% nga 15% që aplikohet për shitblerjen dhe çmimeve të referencës nuk pritet të ndikojë ndjeshëm në raportin kërkesë-ofertë apo volumin total të shitblerjeve.

Zoti Antoni nënvizon se ky proces është i domosdoshëm çdo 5 vite për të reflektuar rritjen e tregut dhe mund të ofrojë mundësi për shfrytëzim më të favorshëm të taksave për pronarët.

“Parimisht, nuk mendoj se rivlerësimi i pronave ndikon në rritjen apo uljen e kërkesë/ofertës. Mendoj se është një proces i domosdoshëm që duhet bërë çdo 5 vjet, sepse Shqipëria është një vend me rritje të madhe dhe si rrjedhojë duhet t’u jepet mundësia atyre që zotërojnë prona t’i rakordojnë me rritjen e tregut.

Gjithashtu, është edhe një mundësi për të paguar më pak taksa për një familje/shitës i cili planifikon të shesë në vitin e ardhshëm apo vitet në vijim, dhe si rrjedhojë e rivlerëson me më pak taksa pronën.

Por kjo nuk mendoj se ndikon në volumin total të shitblerjeve dhe në raportin kërkesë/ofertë.

Përkundrazi, mendoj se ky ligj e deformon pak tregun në tërësi, sidomos për pronat të cilat janë ndërtuar shumë kohë më parë dhe përfitojnë nga ky ligj. P.sh., në 2–3 muajt para ligjit, këto prona nuk shiten dhe presin ligjin; pastaj duhen 2–3 muaj të rivlerësohen, dhe pastaj dalin në treg.

Si rrjedhojë, tregut fillimisht i krijohet një vakum dhe më pas i hidhet më shumë ofertë, duke e deformuar. Rezultatet e këtij deformimi ndryshojnë sipas periudhës së rivlerësimit”.

 

Pritet rritje kërkese në periferinë e Tiranës; Në Kamëz, çmimet do të rriten nga referencat

Kryetari i bordit drejtues së Shoqatës së Ndërtuesve, Erjon Harizi, parashikon se tërësi në vitin 2026 sektori i ndërtimit pritet të ruajë ecurinë e njëjtë si në 2025, me stabilitet ose rritje të lehtë gjatë vitit 2026.

Sipas tij, problematika kryesore mbetet koha e gjatë për marrjen e lejeve të ndërtimit, e cila ndikon në zhvillimin e projekteve të reja.

“Në tërësi, për vitin 2026, kërkesa në tregun e pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe në qytetet e tjera kryesore pritet të jetë e kënaqshme.

Në kryeqytet, kërkesa për apartamente pritet të jetë e kënaqshme, me fokus te prona me çmim nën 1,500 euro për metër katror, kryesisht në zonat periferike si Unaza e Madhe, Paskuqani, Kamza dhe zona e Aviacionit. Këto prona parapëlqehen kryesisht nga çiftet e reja dhe familjarët, të cilët kërkojnë banim të përballueshëm.

Në qendër të Tiranës, çmimet kanë arritur 3,000–3,500 euro për metër katror dhe zhvillimet e reja janë të kufizuara, megjithatë vazhdojnë të regjistrohen shitje.

Në qytetet kryesore është e vështirë të dallosh nëse pronat blihen për investim apo për banim, ndaj mund të thuhet se raporti midis tyre është i barabartë. Në tregun bregdetar, një pjesë e konsiderueshme e pronave blihet për investim”.

Harizi parashikon se në tërësi për 2026, kërkesa për prona në Tiranë do të jetë e qëndrueshme, por më e fortë, kërkesa do të jetë për pronat në periferi, ku çmimet janë më të përballueshme. Ndërsa rritjet e çmimeve priten kryesisht në periferi, sipas tij, në zona si Kamza, që do të shënojnë rritje të çmimeve të referencës dhe për pasojë të apartamenteve.

Në vitin 2026, agjencitë imobiliare nuk presin rritje të çmimeve të apartamenteve në Tiranë. “Ashtu si një vit më parë, nuk parashikojmë rritje të çmimeve në Tiranë, ku edhe për dy vitet e ardhshme pritet të ketë stabilitet në çmim. Çmimet as nuk pritet të rriten dhe as nuk pritet të ulen”, pohon Jonian Antoni nga “Century 21 Albania”.

Deri në qershor 2025, sipas llogaritjeve të indeksit “Keydata”, çmimi mesatar për një metër katror apartament në ndërtesa ekzistuese në Tiranë arriti 1,830 euro. Çmimi mesatar u llogarit mbi bazë të dhënash për 90% të tyre për çmimet e apartamenteve ekzistuese, pra për ndërtesa të ndërtuara 5, 10 apo 15 vite më parë dhe 10% çmimet e ndërtesave të reja.

Në krahasim me 2005, viti më i hershëm kur ka filluar llogaritja, çmimet janë 2.8 herë më të larta. Çmimi mesatar i apartamenteve në 20 vite është gati trefishuar krahasuar me vitin 2005.

Në vitin 2024, Shqipëria u rendit gjithashtu ndër vendet që kanë shënuar rritjen më të lartë të çmimeve në Europë, sipas raportit “Për indeksin e pasurive të paluajtshme 2025” i hartuar nga kompania ndërkombëtare “Deloitte”.

Në raport theksohej se çmimi mesatar i shitjeve të apartamenteve në rang vendi në 2024 arriti 1,620 euro për metër katror. Krahasuar me vitin 2023, çmimi mesatar u rrit rreth 17%.

Ndërsa në Tiranë sipas raportit të “Deloitte”, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve arriti në 2,000 euro për metër katror. Në zonat e qendrës si ish-Blloku apo sheshi “Skënderbej”, çmimet mesatare të shitjes arritën nga 3,000 deri në 3,500 euro për metër katror.

Po ashtu, sipas një vëzhgimi në terren të “Monitor”, rezultoi se për disa zona në Tiranë për vitin 2025, çmimet ndryshuan brenda nëntë muajve. Shtrenjtim të shpejtë nga 10 deri në 33% pati në zonat, si ish-Blloku, pranë Liqenit Artificial, Porcelani dhe zona pranë Parkut Olimpik.

 

Lexoni edhe:

Dilemat e ekonomisë, nga pesimizmi i bizneseve te rreziku i flluskës në ndërtim

The post Paradoksi i ndërtimit dhe pasuritve të paluajtshme: Çmimet do të shtrenjtohen, por kërkesa në rënie! appeared first on Revista Monitor.

Fitime në kurriz të komuniteteve; mbi 200 hidrocentrale private në 15 vjet

24 December 2025 at 17:07

Shfrytëzimi i burimeve ujore për prodhim energjie elektrike ka qenë një nga të paktat politika të pandryshuara gjatë dekadës së fundit në Shqipëri.

Premtimet për të frenuar ndërtimin e hidrocentraleve, sidomos në zonat e mbrojtura, janë kaluar me një valë kontratash, projektesh të zvarritura dhe përplasjesh me komunitetet.

Citizens sjell një hartë të plotë të shpërndarjes së hidrocentraleve që u ndërtuan në 15 vitet e fundit.

Kush fiton dhe kush humbet nga ndërtimi i tyre? Përvoja tregon se komunitetet përreth digave nuk fitojnë gjë, përkundrazi.

Qeveritë ndërrohen, hidrocentralet vazhdojnë

Ndërsa qeveria e Kryeministrit Edi Rama, në pushtet prej vitit 2013, vazhdon ta paraqesë zhvillimin e hidrocentraleve si politikë të qëndrueshme energjitike, bilanci real mbetet i paqartë.

Pasi mori pushtetin, Rama e konsideroi “korrupsion shkatërrimtar” prirjen e qeverisë së shkuar të drejtuar nga Sali Berisha (2005-2013) për dhënien e lejeve të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura. 

Ai tha se në këto zona ishin dhënë 113 leje, prej të cilave theksoi se 55 “nuk kanë për të filluar punë” si zotim i tij se “politika me hidrocentralet” do të ndryshonte.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) raportonte asokohe se vendi kishte 80 hidrocentrale private (2013) me kapacitet të përgjithshëm rreth 240 megavat (MW).

Pas kësaj, qeveria Rama shqyrtoi 103 kontrata koncesionare në një proces të gjatë, pas së cilit në vitin 2019 deklaroi anulimin e 27 prej tyre, që parashikonin ndërtimin e 80 HEC-eve.

Në këtë periudhë (2019) ERE raportonte për shumfishim të hidrocentraleve private: 197 me fuqi 827 MW.

Qeveria doli me gjykimin e përgjithshëm se hidrocentralet e vegjël ishin të padobishëm në aspektin energjetik dhe të dëmshëm në raport me mjedisin dhe komunitetet.

Makineritë të bllokuara në anën e lumit të Lusës, Kurdari/Citizens.al

“Nuk do ketë më në Shqipëri, leje për asnjë HEC nën 2 MW dhe nuk do lejohet më kurrë që në emër të prodhimit të energjisë të preken zona me rëndësi nga pikëpamja natyrore dhe turistike, apo komunitete, duke arritur deri në pikën që tubat e HEC-it të futen në burimin e ujit,” u zotua Rama asokohe.

Por koha tregoi se ky zotim nuk u mbajt. Qeveria vijoi të jepte leje për HEC-et e vogla, madje ajo ndërhyri edhe në ligjin e zonave të mbrotjura duke i tkurrur edhe territoret e parqeve kombëtare në favor të dhënies së burimeve ujore për HEC-e.

Rastet konkrete janë HEC-et në Zall-Gjoçaj apo dhe në Kurdari ku “HEC Doma” po ndërtohet pavarësisht kontestimeve të komunitetit dhe faktit se ka një kapacitet prej më pak se 2 MW.

ERE raportoi në vitin 2024 për 238 hidrocentrale private të prodhimit të energjisë.

Një rritje me 41 HEC-e (17.2%) krahasuar me vitin 2019 kur qeveria u zotua për qasje të kontrolluar, 158 HEC-e (66.3%) prej vitit 2013 kur socialistët morën pushtetin.

Më shumë se gjysma e këtyre impianteve (58%; 138 HEC-e) prodhojnë energji minimale (me kapacitete 2 ose më pak se 2 MW), dhe janë ndërtuar pavarësisht dëmeve ndaj mjedisit, burimeve ujore dhe komuniteteve.

Rrjeti i hidrocentraleve në Shqipëri

Në 15 vitet e fundit, ndërtimi i hidrocentraleve në Shqipëri është shtrirë në gjithë territorin. Kjo ka prekur shumicën e bashkive duke krijuar një rrjet të dendur tubash dhe digash në rrjedhat e lumenjve kryesorë të vendit.

Sipas të dhënave të siguruara nga Citizens.al nga 61 bashkitë e vendit, gjatë kësaj periudhe u vunë në punë 211 hidrocentrale, ndërkohë 24 të tjerë janë në proces ndërtimi.

Ky zgjerim ka ndodhur përmes kontratave të lidhura në periudha të ndryshme, shpesh edhe një dekadë më parë, që vijojnë të mbahen aktive pavarësisht zvarritjeve, proceseve gjyqësore apo kundërshtimit nga komunitetet lokale.

Ndërkohë, shpërndarja e hidrocentraleve nuk është e njëtrajtshme.

Bashki si Librazhdi (21), Dibra (19), Korça (15), Maliqi (15), Skrapari (13), Mirdita (12) dhe Klosi (12) përqendrojnë numrin më të lartë të hidrocentraleve në funksion, ndërsa në disa prej tyre vijojnë projekte të reja, shpesh të shoqëruara me protesta dhe konflikte ligjore.

Ndryshe, 30 bashki të tjera nuk kanë pasur zhvillime hidrocentralesh gjatë kësaj periudhe kryesisht për shkak të mungesës së burimeve ujore të qëndrueshme, duke nxjerrë në pah varësinë e modelit energjetik nga lumenjtë malorë.

Shtrirja e hidrocentraleve në Shqipëri/Citizens.al

Megjithatë në zona të ndryshme si Kukësi (13), Fushë-Arrëzi (10), Mati (8) dhe Tepelena (5) janë raportuar për projekte në proces. Shumica e këtyre projekteve janë kontestuar, veçanërisht në bashkinë Tepelenë, ku prej vitit 2017 ka nisur njëproces gjyqësor kundër ndërtimit të një HEC-i në lumin e Nivicës.

Të dhënat që ofrojnë autoritetet publike janë shpesh kontradiktore, megjithatë, ato tregojnë se qasja për ndërtimin e hidrocentraleve mbetet e pandryshuar që prej vitit 2010 dhe se ndërtimi i HEC-eve ka vijuar edhe pas premtimeve për ndalimin e lejeve të reja ndërsa roli i bashkive mbetet kryesisht administrativ, pa ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen.

Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), tha për Citizens.al se aktualisht janë mbi 150 projekte HEC-esh në procedura për “plotësim dokumentacioni” apo “marrje lejesh”. Kjo agjenci, në këtë pikë, mban të arkivuar si projekte në proces edhe rastet e rrëzuara me vendime gjykatash apo vendosjes së lumenjve në zona të mbrojtura, si për shembull: Kalivaçi, Shushica dhe Poçemi.

Në mungesë të një vlerësimi të plotë kombëtar për ndikimin mjedisor dhe social të këtij modeli zhvillimi, rrjeti i hidrocentraleve është konsoliduar tashmë si një realitet i pakthyeshëm, duke u shoqëruar me pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të burimeve ujore dhe marrëdhënien mes investimeve private, komuniteteve lokale dhe interesit publik.

Kaçinari: “Uji në tuba” dhe një komunitet në revoltë

Në Kaçinar të Mirditës, tensioni i mbledhur ndër vite shpërtheu në fundin e muajit mars në një protestë të mirëfilltë. Qindra banorë nga fshatrat përreth, por dhe diaspora u mblodhën për të kundërshtuar ndërtimin e katër hidrocentraleve të koncesionarit “Shpërdhaza-Energji”.

Komuniteti i Mirditës në protestë kundër HEC-eve/Citizens.al

Banorët e konsiderojnë cenim kryesor për jetën e tyre futjen në tuba e disa prej përrenjve malorë, të cilët historikisht janë përdorur nga fshatrat.

Rruga e vështirë drejt Qafës së Vorres, rreth 40 minuta larg nga Rrësheni, ku u zhvillua protesta, tregonte njëkohësisht degradimin e territorit dhe tensionin e autoriteteve: postblloqe policore, kontrolle makinash dhe prezencë e pajustifikuar efektivësh.

“Këtu këtë popull e kanë grabitur,” përshkroi revoltën Arben Gega, një prej protestuesve, “por kur s’na ka bërë turku të ikim, këta jo se jo, nuk do t’ia arrijnë!”.

Gjok Beqiri, nga fshati Simon, tregoi se projekti prek shtatë fshatra me mbi 3,000 familje.

Kabina e rojeve dhe kamerat e sigurisë të vendosura përreth kantierit kishin krijuar një ambient të denjë për zonë ushtarake, ndërsa banorët, në mungesë informacioni dhe të vënë përballë faktit të kryer, ngritën dyshimet se dokumentacioni i kompanisë nuk është i rregullt.

Këtë shqetësim ndanë për Citizens.al disa prej tyre, të cilët thanë se nuk ishin njoftuar kurrë për dëgjesa publike, pavarësisht pretendimeve të kompanisë.

Në muajin prill, makineritë e kompanisë “Shpërdhaza-Energji” hynë në pyllin aty pranë, një zonë me një peizazh të larmishëm buzë rrugës, për të cilën banorët druajnë se mund të vuajë pasoja nga hidrocentralet.

Pasi konstatuan pemët e para të rrëzuara nga punimet ata organizuan protesta të tjera, një prej së cilës edhe në Tiranë, para ministrisë së Infrastrukturës.

Kryetari i fshatit Simon, Gjergj Deda, ngriti dyshimet se punimet po kryheshin pa lejet e nevojshme “sepse kërkonin dhe shoqëroheshin nga policia çdo ditë”.

Për komunitetin, uji është thelbi i jetesës: mullinjtë, tokat dhe historinë e tyre. “Vllaut s’ia fal, jo më të huajit,” kanë theksuar disa prej tyre.

Ndaj ata i janë drejtuar drejtësisë. Në shtator, Gjykata e Lezhës vendosi t’ia kalojë çështjen Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) duke shpallur moskompetencë.

Komuniteti i Mirditës në protestë kundër HEC-eve/Citizens.al

Ndërsa në 16 dhjetor, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi t’ia delegojë çështjen Gjykatës së Lartë, e cila do të përcaktojë gjykatën kompetente për shqyrtimin e kallëzimit të bërë nga 13 banorë të Kaçinarit, kallëzim i kryer prej 25 nëntor-it 2019.

Kurdaria: Një verë e nxehtë kundër HEC-it “Doma”

Në Kurdari të Matit, vera shënoi nisjen e punimeve për HEC-in “Doma”, një projekt i “Global Interprise Group” që pritet të shfrytëzojë lumin e Lusës dhe të hapë një trase të re rruge prej 4.4 km.

Për banorët, ky projekt vjen në një kohë kur ata vuajnë për ujë, pavarësisht investimeve në ujësjellës.

Erind Saliaj, administrator i Njësisë Administrative Suç, shpjegoi për Citizens.al se pesë fshatrat e zonës – Kurdari, Skënderaj, Kurqelaj, Suç dhe Kujtim – nuk kanë furnizim të rregullt dhe se ndërtimi i një hidrocentrali është “absurd” në këto kushte.

Tregues për situatën ishte gjendja në kafenenë më popullore të fshatit, e cila shërbente vetëm ujë të ambalazhuar, teksa çezma e oborrit të saj ishte tharë.

Procesi i dëgjesave publike ka qenë pika kryesore e tensioneve në këtë çështje, e cila është shoqëruar me protesta dhe përplasje me kompaninë.

Një ekskavator dhe furgon me gomë të çarë qëndronin të braktisur në fund të trasesë së hapur si dëshmi e përplasjeve. Ato ruheshin nga një kamerë, e cila për ironi furnizohej me panel diellor.

Sipas banorëve, dëgjesa e parë, e vitit 2018, tregoi se shumica ishin kundër hidrocentraleve, por ndryshe, në procesverbal u paraqit si shprehje dakordësie.

Rexhep Kuleni, një nga zërat më të fortë të komunitetit, tha se ky veprim përbën shkelje penale, për të cilën duhet gjetur përgjegjësia.

Ai kujton dëgjesën e dytë të mbajtur në vitin 2020, kur rreth 500 banorë u mblodhën dhe kërkuan që përfaqësuesi i kompanisë që interesohej për hidrocentralin të largohej.

Komuniteti i Kurdarisë në protestë kundër HEC-eve/Citizens.al

Por pavarësisht kundërshtive dhe premtimeve se nuk do të rikthehej në zonë, koncesionari u shfaq sërish, duke marrë firma në mënyrë të veçuar, pa pjesëmarrje lajmëruar të komunitetit apo autoriteteve.

“Marrin ca firma në mënyrë abuzive, ku një pjesë e madhe nuk e dinë çfarë kanë firmosur,” tha Kuleni, sipas së cilit në këto dëgjesa nuk ka pasur përfaqësues të bashkisë.

Banorët thonë se mungon transparenca, të dhënat, dhe mbi të gjitha mungon uji. Për ta, hidrocentrali është kërcënim ekzistencial dhe social, jo një projekt energjetik.

Zona, e njohur dhe si “hambari i Matit” për prodhimet bujqësore është zotuar se nuk do ta lërë projektin e hidrocentralit që të zbatohet duke vijuar ndalimin e makinerive t’i bashkohen kantierit.

“Nuk do ta lëmë, me firma të vjedhura, me firma të blera, populli nuk pranon,” theksoi Enver Dava, tokat e të cilit bien krah trasesë së hidrocentralit.

Më 22 tetor 2025, duke marrë parasysh tensionin mes banorëve dhe përfaqësuesve të firmës ndërtuese të hidrocentralit një grup pune nga AKBN-ja mbërriti në terren.

Në procesverbalin e mbajtur u konstatua hapje e trasesë për të pasur akses për punimet për hidrocentralin.

“Në momentin e monitorimit shoqëria nuk po arrinte dot të kryente punimet ndërtimore”, thuhet në procesverbalin e mbajtur nga grupi i punës së AKBN-së.

Paralelisht, banorët e kanë adresuar kundërshtinë e tyre edhe në rrugë gjyqësore. Në tetor, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë nuk i ndali punimet, ndërsa deri në një vendim në themel të çështjes, por pavarësisht kësaj banorët mbeten me shpresë për një vendim të drejtë.

Zall-Gjoçaj: HEC-et u ndërtuan, por beteja kundër tyre vazhdon

Në Zall-Gjoçaj, hidrocentralet “Sekë” dhe “Zais” morën formë mes polemikave, por qëndresa e komunitetit atje vijon prej më shumë se shtatë vitesh.

Reportazhet e emisionit “Opinion” nga Blendi Fevziu dhe portali Lexo.al nga Flogert Muça, promovuan me kërshëri gjatë muajve shtator-tetor investimet në hidrocentralet e Zall-Gjoçajt.

Materialet u përpoqën t’i jepnin një dimension tjetër investimit privat të sipërmarrësit italian Fabio Scuero. Sipas tyre tre HEC-et e ngritura në basenin e Urakës me kapacitet 30 MË, janë shoqëruar me investime për një rrjet ujësjellësi për 17 fshatra dhe rreth 90 km rrugë.

Por reportazhet ngjallën zemëratën e banorëve të Zall-Gjoçajt, të cilët prej vitit 2018 kanë protestuar kundër HEC-eve.

Në një deklaratë të përbashkët aktivistët e cilësuan atë reklamë duke kujtuar se Zall-Gjoçaj është bërë simbol rezistence pikërisht sepse HEC-et u ndërtuan brenda Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, një zonë e mbrojtur që u tkurr me një vendim të qeverisë në vitin 2022 për t’i hapur rrugë projektit të HEC-it “Zais”.

Prej vitesh, banorë si Abdi Toçi, Dhimitër Koleci dhe Adem Gjokolaj kanë protestuar, kallëzuar zyrtarë publikë dhe kanë çuar çështjen e Zall-Gjoçajt në disa procese gjyqësore.

Në tetor, Gjykata Administrative e Apelit la në fuqi vendimin që legjitimonte ndërtimin e HEC-eve, duke rrëzuar padinë për shfuqizimin e kontratave dhe akteve administrative.

Avokati i tyre, Franc Terihati, tha për Citizens.al se çështja do të shkojë në Gjykatën e Lartë, ndërsa Koleci tha se një padi tjetër po hetohet nga SPAK, dhe një padi penale mbetet e hapur për dëmet e shkaktuara gjatë punimeve, nga prishja e kanalit të ujit e deri te hedhja e inertëve në varreza.

Ndërkohë, kompania ka paditur vetë aktivistë e banorë për shpifje, gjë që komuniteti e sheh si formë presioni për të heshtur rezistencën.

Solidariteti i aktivistëve për tre banorët e paditur nga Seka Hydropower/Citizens.al

Në terren, pasojat sipas banorëve janë të prekshme: uji është i gjithi në tuba, burimet e fshatit janë shteruar dhe lumi nuk ka më prurjen e mëparshme. Banorët thonë se gjatë verës nuk kishin ujë as për të fikur zjarret, ndërsa bagëtia dhe bletët kanë pësuar dëme të pakthyeshme.

Për Zall-Gjoçajn, beteja nuk ka të bëjë vetëm me një projekt energjetik, por me të drejtën për të ekzistuar brenda peizazhit të tyre.

Edhe pse hidrocentralet u ndërtuan, çështjet ligjore, pasojat mjedisore dhe mosbesimi ndaj institucioneve vazhdojnë ta mbajnë fshatin në një konflikt të hapur me modelin kombëtar të zhvillimit hidroenergjetik.

Lufaj njësoj si Zall-Gjoçajt përballë thatësirës

Në Lufaj të Mirditës, banorët përballen me të njëjtin model të ndërtimit të hidrocentraleve – devijim burimesh ujore pa transparencë dhe pa dëgjesa me komunitetin.

Në korrik ata protestuan kundër kompanisë “Seka Hydropoëer”, me pretendimin se ajo nuk respektonte kontratën e shfrytëzimit të burimeve ujore të zonës duke mos lëshuar rrjedhë për nevojat e tyre.

Zona me një peizazh të mrekullueshëm, nuk ndihmohej aspak nga rruga, e cila ishte në gjendje të amortizuar. Devijimi i prurjeve kishte ulur ndjeshëm burimet duke detyruar disa familje të merrnin ujë gjetkë me mjete të improvizuara.

Banorët thanë për Citizens.al se ata kishin qenë kundër ndërtimit të HEC-ve që para vitit 2017, por që zëri i tyre nuk ishte dëgjuar.

“As nuk na ka pyetur njeri, as nuk kemi qenë dakord,” tha Agron Kaçarri, banor.

Lufaj e lidh drejtpërdrejt fatin e saj me Zall-Gjoçajt, ku hidrocentralet u ndërtuan brenda Parkut Kombëtar të Lurës dhe Malit të Dejës, duke sjellë konflikt të gjatë me komunitetin, ndërhyrje policore dhe pasoja të pakthyera në ekosistem.

“Energji e gjelbër” me kosto të errët

Modeli i hidrocentraleve në Shqipëri është shitur si “një model i gjelbër”, por në realitet ka sjellë dëme të pakthyeshme ekologjike dhe ekonomike në nivele lokale, por edhe kombëtare.

Biologu Olsi Nika, i cili drejton organizatën mjedisore “Eco Albania”, thekson për Citizens.al se shumë projekte hidroenergjetike janë miratuar mbi leje të diskutueshme dhe pa analiza të plota të ndikimit, duke krijuar një zinxhir pasojash që shkon nga shpyllëzimi te shkatërrimi i habitateve ujore.

Sipas tij, devijimi i ujërave, rezervuarët e mëdhenj, ndotja, ndryshimi i temperaturës dhe oksigjenit kanë çuar në humbje speciesh, eutrofikim dhe homogjenizim të biodiversitetit – një proces që shumë zona nuk e rikuperojnë kurrë.

Rast konkret përmendet trofta apo dhe peshq të tjerë migratorë, të cilët nuk arrijnë zonat e shumimit për shkak të devijimeve të lumit apo dhe vetë impianteve hidroenergjetike.

Studimi për Zall-Gjoçajn i biologut Melitjan Nezaj nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) e konkretizon problemin.

Paraqitje grafike e botimit shkencor për Zall-Gjoçajn/Citizens.al

Me lënien e një sasie minimale të ujit ekologjik, shtrati i lumit thahet pak qindra metra larg veprave të marrjes.

“Në shtratin tashmë pa ujë kanë nisur të shfaqen bimë të mjediseve të thata, një shenjë e qartë e mungesës afatgjatë të ujit,” thekson Nezaj.

Kjo ka zhdukur faunën nënujore, ka degraduar bimësinë dhe ka goditur bujqësinë e banorëve, të cilët varen nga uji për prodhim dhe blegtori.

Ndërtimet kanë lënë pas inertë, kanale të dëmtuara dhe masa rehabilituese të dështuara, shpesh me bimësi jovendase dhe vendkalime peshqish që nuk funksionojnë.

Të dy ekspertët vlerësojnë se këto dëme nuk janë thjesht teknike, por strukturore: një model zhvillimi që shpërfill ligjin dhe zonat e mbrojtura, mungesën e konsultimeve, ndikimet afatgjata dhe transparencën.

“Shumë komunitete,” thekson Nika, “mësuan për projektet e HEC-eve vetëm kur kishin nisur punimet”.

Konfliktet për ujërat janë bërë tipike nga Rapuni te Kaçinari, Kurdaria, Zall-Gjoçaj e Lufaj duke treguar se përfitimet i shkojnë pak aktorëve, ndërsa kostoja bie mbi komunitete dhe ekosisteme të cenueshme.

Ata që fitojnë nga ky model mbeten disa kompani, disa prej të cilave me kapitale të huaja. Ndërsa komunitetet humbasin të tjera burime dhe mundësi zhvillimi duke pasur një arsye më shumë për t’u larguar.

Në plan më të gjerë, ekspertët argumentojnë se hidrocentralet e vogla me fuqi të ulët kanë efikasitet të diskutueshëm dhe shpesh gjurmë të larta karboni, përfshirë prodhimin e metanit nga rezervuarët.

Për biologun Nika, energjia hidroelektrike në Shqipëri duhet parë si “me karbon të ulët, por me ndikim të lartë”, ndërsa zhvillimi i qëndrueshëm kërkon orientim te burimet që nuk fragmentojnë lumenjtë: kryesisht energjia diellore dhe ajo e erës.

The post Fitime në kurriz të komuniteteve; mbi 200 hidrocentrale private në 15 vjet appeared first on Citizens.al.

Rama thirrje ndërtuesve: Deklaroni pagat reale të punonjësve

23 December 2025 at 12:48

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u bëri sot thirrje ndërtuesve që të deklarojnë pagat reale të punonjësve.

Në një takim me sipërmarrës nga sektorë të ndryshëm, ku u diskutua mbi Paqen Fiskale, Rama u shpreh se “Çfarë mbështetje kërkoni akoma kur deklaroni punonjës me 50 mijë lekë. E dimë shumë mirë se nuk ekziston punonjës me 50 mijë lekë, me pagë minimale në ndërtim, jo në Tiranë por askund. Nuk të vjen njeri me 50 mijë lekë të të shtrojë një pllakë jo më të marri rrogë”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, Rama theksoi se sektori i ndërtimit vijon ende të deklarojë paga minimale.

“Nuk keni faj ju, na i ka lidhur duart Gjykata Kushtetuese para disa viteve që ka vendosur që ne nuk mund t’ju vendosim tavan dhe ju luani. Por bëjini deklarimet dhe jo vetëm paguajini njerëzit, por i deklaroni me ato paga”, iu drejtua Rama ndërtuesve.

Sipas tij, sektori i ndërtimit është sektori me më shumë fitim në Shqipëri dhe sektori ku shfrytëzohen punonjësit më shumë se në çdo sektor tjetër.

“Tani keni filluar ta kuptoni, pak si vonë, se nuk luhet me punonjësit sepse nuk gjen punonjës. Tani që mos t’ju ngelen ndërtimet pa bërë, shkundini mirë xhepat se i keni të fryrë shumë dhe paguani punonjësit me 2000 euro apo 2500 euro rrogë”, tha Rama.

/a.f/

 

The post Rama thirrje ndërtuesve: Deklaroni pagat reale të punonjësve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rindërtimi, mbi 1,25 miliardë lekë për bashkitë Durrës, Shijak, Kurbin dhe Kamëz

19 December 2025 at 18:22

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot një seri vendimesh për përdorimin e fondeve të rindërtimit të vitit 2025, për të financuar rindërtimin e banesave dhe infrastrukturës në zonat e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019, duke siguruar kështu përshpejtimin e rikuperimit të zonave të prekura.

Bashkia Durrës do të përfitojë 169,85 milionë lekë për rikonstruksionin e njësive individuale të banimit të dëmtuara lehtë ose rëndë nga tërmeti, duke përfshirë punime riparimi dhe rikonstruksioni të objekteve që nuk duhet rindërtuar nga e para.

Bashkia Shijak do të marrë mbi 78,24 milionë lekë. Nga këto, 5,31 milionë lekë për riforcimin e banesave me dëmtime të rënda (DS4) dhe 72,93 milionë lekë për punime rikonstruksioni të banesave individuale.

Bashkia Kurbin është një nga përfituesit më të mëdha, me rreth 518,97 milionë lekë të caktuara për rindërtimin e njësive të banimit në pallate dhe truall ekzistues. Nga këto, 104,05 milionë lekë për njësitë që duhet ndërtuar nga e para, 124,04 milionë lekë për njësitë në pallate dhe 130,18 milionë lekë për njësitë e tjera banimi në truall ekzistues.

Për rikonstruksionin e objektit të Komisariatit të Policisë nr. 5 në Kamzë janë caktuar 3,69 milionë lekë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të marrë 185,85 milionë lekë për ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike në zonat e reja të zhvillimit, duke përfshirë bashkitë Durrës, Kamzë, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë.

Nga këto, 167,26 milionë lekë do të përdoren për programet e zhvillimit dhe ndërtimit të infrastrukturës në zonat prioritare.

Të gjitha këto fonde do të transferohen në formë të pakushtëzuar për bashkitë përkatëse, duke garantuar realizimin e punimeve të nevojshme, përmirësimin e sigurisë së banesave dhe infrastrukturës, si dhe përshpejtimin e rikuperimit të zonave të prekura.

/r.e/a.f/

The post Rindërtimi, mbi 1,25 miliardë lekë për bashkitë Durrës, Shijak, Kurbin dhe Kamëz appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rindërtimi pas tërmetit në Kombinat mbyllet në 2028-ën

5 December 2025 at 22:31

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Procesi i rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019 ishte në qendër të dëgjesës publike për buxhetin 2026 të Bashkisë Tiranë, zhvilluar me banorët e Kombinatit.

Gjatë takimit, banorët ngritën shqetësimet për ecurinë e projekteve.

Nënkryetari i bashkisë Tiranë, Ilir Mëngra, bëri të ditur se nga 688 familje të identifikuara fillimisht, rreth 230 i kanë marrë tashmë apartamentet e reja. Po ashtu, procesi i shortit për ndarjen e banesave është në zhvillim.

“Sot dhe nesër ndahen 82 apartamente të tjera, ndërsa më 31 dhjetor do të hidhet shorti për 80 banesa. Për 75 apartamente të tjera punimet përfundojnë në shkurt”, tha Mëngra.

Ai theksoi se, për shkak të shpronësimeve të domosdoshme gjatë zbatimit të projekteve, numrit fillestar të familjeve i janë shtuar edhe rreth 200 të tjera, duke çuar totalin e apartamenteve të nevojshme në afro 1000.

Sipas tij, rindërtimi në zonën e Kombinatit pritet të përmbyllet mes viteve 2027-2028, pasi aktualisht pesë pallate ndodhen ende në fazë dokumentacioni, ndërsa tre të tjera do të nisin të ndërtohen gjatë vitit 2026.

Në fjalën e saj, nënkryetarja e bashkisë, Vasilika Vjero, u ndal tek investimet në transportin publik, pjesë e buxhetit të vitit të ardhshëm.

“Do të rikonceptohet lëvizja në tri linja kryesore të transportit: linja Kinostudio-Kombinat, ajo e Unazës dhe linja e Tiranës së Re do të kenë korrigjim të korsive dhe reduktim të vonesave në stacione”, u shpreh Vjero.

Një tjetër projekt i rëndësishëm që nis zbatimin në 2025 është pilotimi i ushqimit në shkolla, nga klasa e parë deri në të pestën, një nismë që synon të rrisë cilësinë dhe mbështetjen për nxënësit në arsimin fillor.

/a.f/r.e/

The post Rindërtimi pas tërmetit në Kombinat mbyllet në 2028-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kostoja e ndërtimit të banesave, rritje me ritme të ngadalta

4 December 2025 at 12:23

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Kostoja e ndërtimit për banesa u rrit me 1,4% në tremujorin e tretë të vitit 2025, pak më pak se 1,6% që ishte një vit më parë. Kjo tregon se çmimet po rriten, por me një ritëm më të ngadaltë.

Grupi që ndikoi më shumë në rritjen e kostove ishin pagat, të cilat u rritën me 6,6%. Pasuar nga shpenzimet për makineri, me rritje 2,4%, dhe transporti me 1,7%.

Nga ana tjetër, çmimet e materialeve ranë me 0,6%, për shkak të uljes së çmimeve të materialeve të ndërtimit, materialeve elektrike dhe komunikimit, si dhe materialeve hidro-sanitare dhe ventilimit.

Në krahasim me tremujorin e mëparshëm, kostot u rritën lehtë me 0,4 %. Shpenzimet për paga u rritën me 1,1%, transporti me 0,8%, makineritë me 0,5% dhe kosto të tjera me 0,1%.

Shpenzimet për materiale ranë me 0,1%, të ndikuara kryesisht nga materialet e ndërtimit, /ndërsa materialet elektrike dhe ato hidro-sanitare u rritën pak. /j.p/

The post Kostoja e ndërtimit të banesave, rritje me ritme të ngadalta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis puna për ndërtimin e çerdhes nr. 5 në Elbasan

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, Rajoni 1, ka nisur puna për ndërtimin e plotë të çerdhes nr. 5, një projekt që vjen si pjesë e angazhimit të bashkisë Elbasan për zgjerimin dhe modernizimin e të gjithë rrjetit të çerdheve dhe kopshteve në qytet.

Ky investim synon t’u ofrojë çifteve dhe familjeve ambiente moderne, hapësira më funksionale dhe kushte të avancuara për kujdesin, rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.

Godina e re do të përfaqësojë një standard më të lartë të sigurisë dhe cilësisë, duke krijuar mjedisin e duhur për mirëqenien e më të vegjëlve.

Ky projekt ishte një kërkesë e banorëve të kësaj lagjeje të madhe, e përcjellë përmes procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, i cili tashmë është bërë realitet.

Paralelisht me çerdhen, bashkia Elbasan ka nisur edhe rikonstruksionin e tre shkollave të rëndësishme të qytetit dhe zonave rurale, “Dhaskali Todri”, “Naim Frashëri” dhe shkolla e fshatit Shushicë.

Këto ndërhyrje synojnë të rrisin standardet e mësimdhënies, të përmirësojnë infrastrukturën e ambienteve mësimore dhe të garantojnë kushte dinjitoze për nxënësit.

Me hapjen e kësaj çerdheje, bashkia Elbasan synon të rrisë kapacitetet dhe cilësinë e shërbimeve për fëmijët e qytetit, duke vijuar politikat e saj të orientuara drejt familjes dhe komunitetit.

 

/k.s/j.p/

The post Nis puna për ndërtimin e çerdhes nr. 5 në Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tatimet publikojnë pagat indikative në ndërtim, nga 85 deri në 140 mijë lekë

1 December 2025 at 12:47

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Administrata Tatimore publikoi sot listën e pagave indikative për profesionet në sektorin e ndërtimit dhe u bëri apel tatimpaguesve të deklarojnë saktë pagat reale të punonjësve, për të shmangur masat administrative dhe kontrollet e mëvonshme.

Publikimi i pagave është pjesë e zbatimit të planit sektorial të ndërtimit dhe rritjes së kontributeve për sigurimet shoqërore, me synim forcimin e skemës së pensioneve. Sipas Administratës Tatimore, pagat e deklaruara nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor do të analizohen dhe krahasohen me nivelin orientues të pagave për profesionet përkatëse.

DPT paralajmëron se çdo tatimpagues që deklaron paga më të ulëta se nivelet indikative, apo ndryshon qëllimisht kategorinë profesionale të punonjësve për të raportuar paga më të vogla, do të konsiderohet me risk dhe do të përfshihet në planet e kontrollit nga strukturat e specializuara.

Sipas pagave orientuese të publikuara, paga indikative për administratorët e kompanive është 140 mijë lekë. Për drejtuesit e mjeteve të rënda llogaritet 110 mijë lekë, për arkitektët 120 mijë lekë, për agjentët e pasurive të paluajtshme 124 mijë lekë, për elektricistët 95 mijë lekë, për bojaxhinjtë 85 mijë lekë, për hidraulikët 95 mijë lekë, për hekurkthyesit 90 mijë lekë dhe për shtruesit e pllakave 90 mijë lekë.

Administrata Tatimore u bën thirrje bizneseve të respektojnë detyrimet ligjore dhe të deklarojnë me korrektësi pagat dhe profesionet e punonjësve, me qëllim formalizimin e tregut të punës dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. /j.p/

 

1 nga 2

The post Tatimet publikojnë pagat indikative në ndërtim, nga 85 deri në 140 mijë lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Në gjashtë vite u rindërtuan shkolla dhe kopshte më të sigurta dhe më moderne

26 November 2025 at 22:26

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 shumë shkolla dhe kopshte, të cilat u dëmtuan u rindërtuan ose rikonstruktuan me standarde bashkëkohore, më të sigurta dhe më moderne.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga këto shkolla të rindërtuara falë punës së Ministrisë së Arsimit, bashkive dhe mbështetjes së Bashkimit Europian përmes programit EU4Schools të zbatuar nga UNDP.

“26 nëntori 2019 është një ditë që mbetet në kujtesën e gjithë Shqipërisë, kur tërmeti i asaj nate la pas dhimbje dhe dëme të mëdha, mes tyre edhe institucione arsimore të dëmtuara ose të shkatërruara”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “këto investime nuk janë thjesht ndërtesa të reja, por garanci për të ardhmen, hapësira dinjitoze për nxënësit dhe mësuesit që sot mësojnë në kushte të njëjta me shkollat e vendeve të BE-së”.

Në buxhetin 2026 në fondin e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës së shkollave janë parashikuar 18,3 milionë euro.

/k.s/r.e/

The post Kumbaro: Në gjashtë vite u rindërtuan shkolla dhe kopshte më të sigurta dhe më moderne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paratë e rindërtimit mbaruan, por mijëra banorë ende presin çelësat e shtëpisë

26 November 2025 at 17:00

Sot, 6 vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, procesi i rindërtimit është afër mbylljes financiare, por jo i përfunduar në terren. Qeveria ka shpenzuar 131 miliardë lekë dhe raporton se 90% e projekteve janë ndërtuar. Megjithatë, zvarritjet dhe mungesa e transparencës vijojnë të mbajnë pezull ende mijëra familje që janë pa çati mbi kokë. 

Esmeralda Topi 

Financimi për rindërtimin, i cili nisi me hov të madh pas tërmetit tragjik të 2019-s, po i afrohet mbylljes. Pas gjashtë vitesh, me një faturë mbi 131 miliardë lekë shpenzimesh, qeveria do të ndalë financimin në fund të 2026. Buxheti i shtetit nuk planifikon më asnjë lek për rindërtimin pas vitit të ardhshëm. 

Pas një sërë afatesh të humbura dhe zvarritjesh të pafundme, qeveria planifikon se fundi i vitit 2026 është “mbyllja” zyrtare e programit të rindërtimit. Sipas Ministrisë së Financave, programi do të mbyllet me 5 miliardë lekë të planifikuara në buxhetin e vitit 2026. 

“Kur sot thuhet se 2026-a do të jetë viti i fundit, kuptohet më shumë si një mbyllje formale sesa si një fund i natyrshëm i punëve.
Sepse edhe tani mbeten zona ku punimet nuk kanë përfunduar, projekte që varen nga leje të tjera, apo shtëpi individuale në fshatra që përfundojnë gjithmonë të fundit në listë. “-
thotë për Faktoje.al Eduard Gjokutaj, ekspert për ekonominë.

Sipas tij, shifrat tregojnë historinë e një procesi që nuk u përshpejtua, por u lodh.

Një histori ku koha u kthye në barrën kryesore, dhe ku mbyllja nuk vjen si sukses, por si fund i natyrshëm i një administrimi të dobët, që u tërhoq zvarrë deri sa nuk mbeti më shumë për të zvarritur.”- përfundon Gjokutaj.

Tre vitet e para ishin “epoka e artë” e fondeve. Në 2020 dhe 2021, qeveria financoi 32 dhe 35 miliardë lekë për rindërtimin. Në 2022, financimi ra në 28.8 miliardë lekë, ndërsa në 2023 u përgjysmua në 16.2 miliardë.

Burimi: Ministria e Financave 

Rënia vazhdoi me të njëjtin ritëm. Vetëm 9 miliardë lekë në 2024 dhe 5 miliardë në 2025 e po aq në 2026. 

90 % e projekte të përfunduara

Teksa buxheti po i vë kapakun programit të rindërtimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thotë se procesi ka avancuar “me ritme të kënaqshme” 

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al, institucioni pranon se rindërtimi ka qenë një proces “dinamik dhe i paparashikueshëm”, i shoqëruar me vonesa, por këmbëngul se objektivi i mbylljes brenda vitit 2026 mbetet në fuqi. 

Ministria i justifikon ritmet me përmasat e mëdha të dëmeve dhe shtrirjen e tyre në 11 bashki, duke theksuar se strukturat përgjegjëse “janë maksimalisht të angazhuara” për të përfunduar gjithçka brenda afatit.

Por 6 vite pas tragjedisë nuk jep një numër konkret sa i takon familjeve që ende nuk kanë hyrë në një shtëpi të përfunduar. Në vend të kësaj, ministria thekson se :“Trajtimi i këtyre rasteve përbën edhe fazën përfundimtare dhe përmbyllëse të procesit”.

Nga ana tjetër, sipas ministrisë së infrastrukturës, projekti është drejt fundit edhe në aspektin fizik, jo vetëm atë financiar. 

“Aktualisht, mbi 90% e projekteve në kuadër të procesit të rindërtimit kanë përfunduar”, thotë MIE.

2026-a nuk është e sigurt

Sipas Agron Haxhimalit, drejtues i Institutit të Bashkive, progresi i rindërtimit është i dukshëm, por larg një historie suksesi. 

“Ritmi ka qenë shpesh i ngadaltë midis bashkive,” thotë ai, duke theksuar se zvarritjet në projektet e banesave individuale dhe lagjet e reja, vonesat në prokurime, leje ndërtimi e kolaudime, si dhe mospërputhja mes fondeve dhe punimeve “kanë krijuar bllokime reale në terren”. 

Për këtë arsye, siç shton Haxhimali, rindërtimi “nuk ka qenë linear” dhe ka ecur me ritme të ndryshme sipas zonave.

Sa i takon afatit zyrtar të mbylljes në fund të vitit 2026, Haxhimali e quan atë “ambicioz, por jo të pamundur”. 

Megjithatë, ai paralajmëron se projektet e hapura, nga banesat individuale, tek infrastruktura e lagjeve dhe objektet publike, dhe mungesa e fondeve e vënë objektivin në rrezik.

 “Bashkitë duhet të përshpejtojnë procedurat administrative për të shmangur shtyrje të mëtejshme,” nënvizon ai.

Edhe fondi prej 5 miliardë lekësh që mbyll ciklin financiar nuk shihet si zgjidhje automatike për projektet e mbetura.

“Mjaftueshmëria e tij varet nga numri i kontratave të hapura dhe rritja e kostove të ndërtimit,” thotë Haxhimali, duke kujtuar se çmimet në sektor vazhdojnë të rriten. Ai kërkon më shumë transparencë, përfshirë publikimin e kontratave, raporte tremujore dhe të dhëna të detajuara për bashkitë përfituese. 

“Rindërtimi ka sjellë rezultate konkrete, por procesi nuk është mbyllur ende pas gjashtë vitesh. Afati 2026 mbetet i pasigurt dhe sfida kryesore është transparenca, efikasiteti dhe shpërndarja e drejtë e fondeve,” përfundon ai.

Përfundim

Pak orë pasi mijëra familje shqiptare u gjendën në udhëkryq për shkak të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, kryeministri Edi Rama u zotua se të gjithë të pastrehët do të futeshin në banesat e reja brenda një viti.

“Brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më diskutim për asnjë person që ka humbur shtëpinë nga tërmeti. Duhet të jenë të gjithë në kushte më të mira se ç’ishin para tërmetit.”premtoi Rama asokohe.  

Afati u tejkalua dhe qeveria fajësoi pandeminë COVID-19 për vonesat. Në vitin 2021, Rama ndryshoi tonin, duke justifikuar ritmet: “Kanë kaluar vetëm 15 muaj. Më thoni ku është një ndërtues që e ngre një pallat për 15 muaj. Në rastin më të mirë zgjat 2 vite,” tha ai në atë kohë. 

Pas 6 vitesh, procesi shpallet i përfunduar financiarisht në letra. Por në terren, rindërtimi ende nuk ka përfunduar dhe mijëra banorë presin çelësat e shtëpisë nisur nga verifikimet që Faktoje ka ndjekur vit pas viti.

Bazuar në të dhënat zyrtare dhe analizën e ecurisë së projekteve, premtimi se “brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më diskutim për asnjë person që ka humbur shtëpinë” mbetet i papërmbushur.

The post Paratë e rindërtimit mbaruan, por mijëra banorë ende presin çelësat e shtëpisë appeared first on Faktoje.al.

Lezhë, dhjetra familje të pastreha 6 vite pas tërmetit

25 November 2025 at 10:00

Gjashtë vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, pallati 71 në rrugën ‘Luigj Gurakuqi’ në lagjen ‘Besëlidhja’ (ish BKT) në Lezhë nuk është rindërtuar. Shtatë familje vijojnë të pa streha pavarësisht se fondet për rindërtimin e objektit kanë thuajse një vit të buxhetuara.

Bashkia e Lezhës miratoi në buxhetin e këtij viti mbi 76 milionë lekë për pallatin. Por, siç pohon ky institucion, procesi i rindërtimit nuk ka nisur sepse nuk ka një vendim të Këshillit të Ministrave që përcakton njësinë zbatuese për projektin. Pa këtë vendim, Bashkia nuk mund të fillojë zbatimin e punimeve.

“Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 133, datë 13.02.2020 ka caktuar vetëm Fondin Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese per procesin e rindertimit në zonë të re për zhvillim, ku në rastin konkret në këtë zonë përfshihet edhe pallati Nr. 71,”- argumenton Bashkia e Lezhës. 

Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave konfirmoi për Faktoje se deri më tani nuk ka marrë asnjë vendim për të përcaktuar njësinë zbatuese të pallatit 71. Bashkia Lezhë thekson se është e gatshme të nisë punimet menjëherë sapo të marrë këtë autorizim.

14 tetor, Lezhë

Pesë familje të pallatit vijojnë të marrin bonusin e qirasë, i cili do të vazhdojë deri në përfundimin e objektit. 

“Vlera e bonusit të qirasë ndryshon sipas numrit të pjesëtarëve të familjes,”- sqaron Bashkia.

50 familje të pastreha pas tërmetit

Deri tani, në Bashkinë Lezhë janë rindërtuar 5 pallate, ku janë strehuar 180 familje, ndërsa 14 banesa individuale janë rindërtuar nga donatorë dhe 175 banesa individuale janë rindërtuar nga vetë banorët përmes granteve të rindërtimit. 

Megjithatë, 50 familje ende nuk janë strehuar përfundimisht dhe vazhdojnë të trajtohen me bonus qiraje. 

Bashkia Lezhë thekson se është angazhuar të përfundojë sa më shpejt të gjithë procesin e rindërtimit, duke bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë përgjegjëse për rindërtimin, megjithëse ende nuk ka një afat të saktë për përmbylljen e punimeve për rastet e mbetura.

14 tetor, Lezhë

Përfundim

Fillimisht, rindërtimi i Pallatit 71 në Lezhë u mor përsipër nga Fondacioni Firdeus, përmes një marrëveshje të nënshkruar me Bashkinë e Lezhës. 

Palët nuk gjetën dakordësi, dhe Bashkia thotë se Fondacioni u tërhoq nga financimi pa dhënë arsyet. Pas kësaj, Bashkia miratoi fondet për vitin 2025, por punimet nuk kanë nisur ende, pasi pret vendimin e Këshillit të Ministrave që ta caktojë si njësinë zbatuese për rindërtimin. Ndërkohë, pesë familje vijojnë të marrin bonus qiraje, ndërsa gjashtë vite pas tërmetit, 50 familje në Lezhë ende nuk janë strehuar përfundimisht.

Bazuar në informacionet e mbledhura, premtimin e kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, për rindërtimin e pallatit 71 në lagjen Besëlidhja, do ta kategorizojmë pjesërisht të mbajtur. 

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Lezhë, dhjetra familje të pastreha 6 vite pas tërmetit appeared first on Faktoje.al.

Ndërtimi mbetet tërheqës, por fillon të lëshojë terren; A po afron kriza?!

By: Mira Leka
21 November 2025 at 22:04

Ndërtimi vijon të jetë më tërheqësi për investimin e kapitaleve të lira. Jo vetëm sipërmarrjet që kanë vepruar gjithnjë në këtë fushë po vijojnë rritjen, por edhe aktorë të tjerë po i hyjnë këtij sektori, që gjeneron kthime të larta për një kohë të shpejtë.

Cikli i ri i rritjes nisi pas vitit 2017, teksa Bashkia e Tiranës rifilloi të jepte leje ndërtimi dhe vitet e fundit, turizmi nxiti një valë masive orientimi kapitali në bregdet.

Por, si një aktivitet që është shumë ciklik, ndërtimi nuk mund të gjenerojë rritje të fitimeve pa fund.

Në vitin 2024, rreth 21% e shoqërive në listën e “Monitor 200” ishin nga ndërtimi ose të lidhura me të, përkundrejt 25% që ishte kjo peshë në vitin 2023. Edhe norma e fitimit të shoqërive nga ky segment në listën e 200-shes u reduktua në rreth 20%, nga 27.5% në vitin 2023.

Edhe të dhënat zyrtare tregojnë se ndërtimi ngadalësoi ritmet e rritjes në vitin 2024. Sipas INSTAT, sektori u zgjerua me 4.5%, nga 5% vitin e mëparshëm dhe shumë larg ritmeve prej 15.2% që u konstatuan në vitin 2022.

Ky është ritmi më i ulët që nga 2020-a, kur ekonomia po vuante pasojat e pandemisë.

Ecuri më të mirë kishte aktiviteti i pasurive të paluajtshme, që u përmirësua me 4%, nga 2.8% vitin e mëparshëm.

 

Burimi: INSTAT

 

Sipas matjeve të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga INSTAT, prodhimi në sektorin e ndërtimit (që mat xhiron e përgjithshme të sektorit, me çmime bazë, përpara se të zbriten kostot e prodhimit) arriti në një nivel rekord prej 589 miliardë lekësh, ose gati 6 miliardë euro.

Ndërsa Vlera e Shtuar Bruto (duke hequr kostot e prodhimit) në sektorin e ndërtimit në vitin 2024 ishte rreth 300 miliardë lekë, apo rreth 3 miliardë euro (kjo shumë përfshin pagat, fitimin dhe taksat).

 

Burimi: INSTAT

 

Të dhënat e INSTAT tregojnë se që nga vitet ’90, ndërtimi ka kaluar disa cikle të qarta rritjeje dhe tkurrjeje, të lidhura ngushtë me lëvizjet e investimeve, remitancave dhe politikave fiskale.

Cikli i parë ishte në periudhën 1996 – 2000, kur pas trazirave të viteve 1997 – 1998, ndërtimi nisi të rimëkëmbet me ritme të shpejta. Liberalizimi i tregut të pasurive të paluajtshme dhe kthimi i remitancave nga emigracioni sollën bazat për zgjerimin e parë të sektorit.

Në 2001 – 2008 u shënua periudha e zgjerimit më të fortë të ndërtimit në historinë e ekonomisë shqiptare. Aktiviteti u përqendrua në Tiranë dhe në qytetet bregdetare, ku u ndërtuan mijëra njësi banimi e komerciale.

Rritja e kredisë, investimet private dhe kërkesa e lartë nga emigrantët çuan në një zgjerim të shpejtë të prodhimit (xhiros totale të sektorit) dhe të fitimeve.

Në 2009 – 2014, sektori shënoi stanjacion. Kriza financiare globale e 2008-s shënoi një kthesë të fortë negative. Investimet ranë ndjeshëm, tregu i banesave u ngadalësua. Si prodhimi, ashtu edhe vlera e shtuar bruto, ranë për disa vite radhazi.

Pas vitit 2015, ndërtimi nisi të rikthehet gradualisht. Projekte të reja urbane, zhvillimet në turizëm dhe lehtësimi i lejeve të ndërtimit krijuan një cikël të moderuar rritjeje. Edhe pse ritmet nuk ishin të krahasueshme me periudhën e parë të bumit, sektori rifitoi rolin e tij si kontribuues kryesor në PBB.

Pas pandemisë, ndërtimi shënoi një tjetër fazë zgjerimi të fortë. Prodhimi arriti nivele rekord, mbi 600 miliardë lekë në 2024, ndërsa vlera e shtuar bruto u afrua me 300 miliardë lekë.

Zgjerimi është nxitur nga investimet publike në infrastrukturë, ndërtimet rezidenciale në kryeqytet, projektet e turizmit bregdetar, por edhe flukset e parasë informale të kanalizuara kryesisht në këtë sektor.

Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërtimi zë rreth 12% të ekonomisë, larg viteve të arta në 2001 – 2009, kur kjo peshë arriti deri në 19%, për shkak të rritjes me ritme më të shpejta të sektorëve të tjerë.

Në linjë me ciklin e ri rritës të viteve të fundit, si kompanitë rezidenciale, ashtu dhe ato inxhinierike (rrugët e të tjera nëpërmjet tenderave) raportojnë panoramë të kënaqshme financiare dhe norma fitimi dyshifrore, ndonëse për apartamentet, fitimet luhaten në bazë të ciklit të shitjeve.

Vitet e fundit, sipërmarrjet që po investojnë në sektorin e hotelerisë, turizmit dhe vilave në bregdet, po bëhen një faktor i rëndësishëm në këtë segment dhe po rriten me shpejtësi, duke shfrytëzuar kthimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik dhe lehtësitë fiskale që ka dhënë qeveria për markat me 5 yje (përjashtim nga tatimfitimi për 10 vjet dhe heqja e taksës së infrastrukturës).

Në ndërtimet turistike po mbizotërojnë vilat, të kombinuara me hotele, që janë investime vendase dhe marrin në përdorim emrat e markave të njohura ndërkombëtare.

Zhvilluesit pohojnë se preferojnë vilat, për shkak të kthimit të shpejtë që ato kanë, ndërsa hotelet kërkojnë më shumë punë dhe kanë kosto më të lartë menaxhimi dhe kthim të investimit më të gjatë në kohë.

Blerjet e të huajve janë një tjetër faktor që po nxisin sektorin e ndërtimit, sidomos në bregdet.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në vitin 2024, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 379 milionë eurove, në rritje me 17% me bazë vjetore.

Pasuritë e paluajtshme sollën më shumë se 22% të vlerës së përgjithshme të Investimeve të Huaja Direkte për vitin e kaluar, nga 3-5% që ishte kjo peshë një dekadë më parë.

Të huajt po tërhiqen veçanërisht nga pasuritë e paluajtshme në bregdet, ku çmimet janë ende më të lira sesa në vendet e tjera të rajonit (Mal i Zi, apo Kroaci).

Që nga 2018-a, kur filloi interesi për Shqipërinë, të huajt kanë blerë prona me vlerë rreth 1.5 miliardë euro.

 

Burimi: BSH

 

“Green Coast”, pjesë e Grupit BALFIN, që po ndërton kompleksin turistik të vilave me të njëjtin emër në Jug të vendit, u rendit sërish si kompania me fitimet më të larta në segmentin e ndërtimit në vitin 2024.

Kompania raportoi të ardhura prej 8.1 miliardë lekësh në vitin 2024 dhe fitime gati 6 miliardë lekë, me një normë prej 73%. Fitimet pothuajse u dyfishuan në raport me vitin e mëparshëm.

Shoqëria, duke qenë në rolin e investitorit, ndërtimin dhe projektimin e merr të nënkontraktuar, thuhet në raportin vjetor.

“Gjoka Konstruksion”, që vepron dhe si nënkontraktor i “Gjoka 87” në koncesionin për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, u ngjit në vend të dytë nga fitimet në 2024-n, nga i treti një vit më parë.

Të ardhurat ishin 10.6 miliardë lekë, ndërsa fitimet ranë me 8.7%, në 3.1 miliardë lekë. Norma e fitimit ishte 28.8%, nga 31% vitin e mëparshëm.

Sipas raportit të aktivitetit, për vitin 2024 dhe në vazhdim, shoqëria “Gjoka Konstruksion”, ka punuar për zbatimin e kontratës për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit.

Gjithashtu, edhe me projekte të tjera: ndërtimi i tunelit të Llogorasë në seksionin rrugor Orikum – Himarë; ndërtimi i Ujësjellësit Rajonal burimi i Përroit të Lopës; hartimi i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e Godinës (seksioni B) në Zonën Zhvillimore Kombinat; ndërtimi i Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 6; Sistemim, asfaltim, rruga Ura e Cerenecit, Peshkopi, loti 3; zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë, Faza V; punime për ndërtimin e hidrocentralit Gojan; rehabilitimi i rrugës Fier – Kthesa e Patosit – Frataj etj.

“Antea Cement” zbriti në vend të tretë, me fitime para taksave prej 2.5 miliardë lekësh (-27%). Norma e fitimit u reduktua në 24%, nga 28% vitin e mëparshëm. Tkurrja e fitimeve ishte e lidhur me ecurinë e të ardhurave që arritën në 9.8 miliardë lekë (-18%).

Sipas raportit të aktivitetit, rënia lidhet kryesisht me tkurrjen e vëllimeve të shitjeve dhe uljen e çmimeve të shitjes, të shkaktuara nga konkurrenca dhe reduktimi i kostove të lëndëve të para.

Aktivitetet e eksportit të shoqërisë mbetën të qëndrueshme duke përbërë rreth 28% të shitjeve totale, që është e pandryshuar nga një vit më parë.

Tregjet kryesore të eksportit mbeten vendet fqinje të Shqipërisë, përfshirë Italinë dhe Kosovën. “Antea Cement” ka një kapacitet prodhimi prej 1.4 milionë tonësh çimento në vit dhe 3.300 tonë klinker në ditë, sipas raportit të vitit 2023.

Alb Building” deklaroi fitime prej gati 1.2 miliardë lekësh, me rritje 16%, duke u renditur në vend të katërt. Norma e fitimit u përmirësua me 2 pikë përqindje në 29%. Të ardhurat ishin 4 miliardë lekë, me zgjerim prej 16.2%.

Kompania është përfshirë në disa projekte si segmenti rrugor Qukës – Qafë-Plloçë, zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë (faza I), si dhe projekte të tjera për ndërtime urash, rehabilitime të rrugëve, mbrojtje nga rrëshqitjet etj.

“Gjatë vitit, shoqëria ka zhvilluar aktivitet intensiv për pjesën e ndërtimit duke aktivizuar numër të konsiderueshëm personeli gjatë gjithë periudhës kontabël”, thuhet në raportin e aktivitetit.

“Concord Investment” është renditur në 2024-n, si shoqëria e pestë e ndërtimit me fitimet më të larta, pas ecurisë pozitive si për të ardhurat, ashtu dhe rezultatin financiar.

Shoqëria pothuajse pesëfishoi të ardhurat në 3.4 miliardë lekë. Edhe fitimet u zgjeruan me të njëjtat ritme, duke arritur në 839 milionë lekë, me një normë prej 25%.

Sipas raportit të aktivitetit, “Shoqëria ‘Concord Investment’ sh.p.k. është investitore në një sërë projektesh të rëndësishme në lëmin e pasurive të paluajtshme, dhe çfarë është më e rëndësishme, është novatore në fushën e investimit në shërbimet e hoteleri-turizëm duke qenë ndër të parat që kanë marrë statusin e veçantë të investitorit në hotelet me 5 yje.

Ky ka qenë ndër objektivat kryesorë të shoqërisë për vitin 2024 dhe është arritur falë investimeve të shoqërisë dhe partnerëve të saj në ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje ‘San Pietro’ në Gjirin e Lalëzit. Investimi në këtë projekt ka pasur ecuri mjaft të kënaqshme për vitin 2024 dhe nuk është i vetmi për shoqërinë.

Shoqëria ka përmbyllur investimin në qendrën rezidenciale, kompleksi ‘Fiori di Bosco’ në rrugën ‘Don Bosko’. Kompania po investon në ndërtimin e një kompleksi ambientesh magazinimi në Kashar, i pari i llojit të tij në Tiranë. Faza e parë është përmbyllur dhe ndërkohë kanë filluar dhe vijuar punimet për fazën e dytë të strukturave magazinore”.

“Salillari” është një tjetër nga të mëdhenjtë e punëve publike dhe raportoi një qarkullim vjetor prej rreth 7.8 miliardë lekësh dhe fitime rreth 832 milionë lekë.

Aktiviteti kryesor i shoqërisë është i orientuar drejt ndërtimit të veprave të infrastrukturës rrugore, të fituara nga prokurime publike apo nga operatorë të tjerë të tregut, si dhe në prodhimin e materialeve të ndërtimit dhe kryerjen e shërbimeve të tjera si aktivitete dytësore.

Në segmentin e aktiviteteve të lidhura me ndërtimin, atë të tregtimit të materialeve hidrosanitare e të tjera, “Haki Sinani” kishte fitimet më të larta në 771 milionë lekë (+7%), me një normë prej gati 20%. Në vitin 2024, kompania raportoi të ardhura prej 3.9 miliardë lekësh, me rritje 6.8% me bazë vjetore.

“Rritja do të vijojë me ritme të larta për vitin 2025 e në vazhdim. Kompania ka planifikuar investime në aktivet e saj afatgjata materiale për të shfrytëzuar sa më mirë burimet e krijuara nga rezervat dhe fitimi i këtij viti.

Në këtë mënyrë do të krijojmë bazën e duhur për mbështetjen e zgjerimit të vazhdueshëm të aktivitetit tonë për vitet e ardhshme”, vlerësohet në raportin e aktivitetit.

“Gener 2”, me aktivitet si në projektet rezidenciale ashtu dhe ato publike, ndonëse u rendit më e madhja në vitin 2024 në sektorin e ndërtimit për qarkullimin vjetor, ka zbritur në atë të fitimeve.

Të ardhurat u rritën me 73% në 16.3 miliardë lekë, të ndikuara nga zëri “shitje ndërtimi për të tretë”, sipas raportimeve në bilanc. Fitimet u zgjeruan me ritme më të ngadalta duke arritur në 516 milionë lekë (+45%).

Norma e fitimit ishte 3.2%. Kompania është zgjeruar ndjeshëm në ndërtimet rezidenciale vitet e fundit, nëpërmjet ngritjes së disa komplekseve pranë zonës së Liqenit Artificial në kryeqytet.

Sipas raportit vjetor, rreth 90% e të ardhurave ka ardhur nga aktiviteti i ndërtimit dhe shitja e objekteve të banimit, ndërsa pjesa tjetër, nga qiratë e shërbimet në qendrat e biznesit.

“Colacem Albania” është një tjetër sipërmarrje nga industria mbështetëse e ndërtimit, me prodhimin e çimentos, që është në listën e shoqërive që gjenerojnë më shumë fitime. Kompania raportoi të ardhura prej 3.1 miliardë lekësh, me rënie 10.6% në vitin 2024.

Fitimet ishin 556 milionë lekë (+8.7%), me një normë prej gati 18%. Kapaciteti prodhues i fabrikës aktualisht është rreth 350,000 tonë çimento në vit dhe e ka filluar prodhimin në vitin 2013.

“Alko Impex Construction” është një hyrje e re në listën e fitimeve, teksa iu afrua dhe asaj të të ardhurave.

Në vitin 2024, kompania deklaroi një qarkullim vjetor prej 2.1 miliardë lekësh, me rritje 53%. Fitimet u shumëfishuan në 543 milionë lekë duke arritur një normë prej 25.5%. Kompania është e përqendruar në ofrimin e shërbimeve të punëve publike.

“Bami Holding” raportoi të ardhura prej 2.64 miliardë lekësh, me zgjerim vjetor 37.5%. Edhe fitimet u përmirësuan me 53%, në 537 milionë lekë. E themeluar në vitin 1999, “Bami Holding” sh.p.k. është e specializuar në fushën e ndërtimeve të rrugëve dhe autostradave, civile dhe industriale, sipas raportit të aktivitetit.

“AVIAF”, e krijuar në vitin 2022, me fokus në punët publike, është një hyrje e re, teksa në vitin 2024 deklaroi të ardhura 2 miliardë lekë dhe fitime 484 milionë lekë, me një normë prej 24%.

“Shoqëri e Thjeshtë INTEKAR – ASL” është për të tretin vit radhazi në listën e më të mëdhenjve të ndërtimit, si për të ardhurat, ashtu edhe për fitimet, pasi fitoi tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.

Në vitin e tretë të aktivitetit, kompania deklaroi 550 milionë lekë fitime, me rënie prej 65%, teksa projekti ishte drejt fundit. Edhe të ardhurat u tkurrën me 54%.

 

Sektori rezidencial, me luhatje të shumta

Ndryshe nga sipërmarrjet që janë të përqendruara në punime inxhinierike, kompanitë që veprojnë në sektorin rezidencial kanë aktivitete më të luhatshme, në varësi të ciklit të projekteve dhe shitjeve.

Ky sektor vijon të jetë fitimprurës dhe të tërheqë hyrje të reja çdo vit.

“NOVA Construction 2012” është një nga subjektet ndërtuese rezidenciale me rritjen më të fortë në tre vitet e fundit, duke u renditur në vitin 2024 si shoqëria me fitimet më të mëdha nga projektet rezidenciale në kryeqytet.

Në vitin 2024, të ardhurat e saj arritën në 4.8 miliardë lekë, me zgjerim vjetor prej 50%.

Fitimet pothuajse u dyfishuan në 570 milionë lekë. Norma e kthimit ishte rreth 12%.

Vitin e fundit, kjo shoqëri është përfshirë në disa projekte të mëdha rezidenciale në vend dhe pritet të fillojë ndërtimin e “Malit të Tiranës”, kullës pas Teatrit të Operës dhe Baletit në kryeqytet.

“Arlis Ndërtim” raportoi në vitin 2024 të ardhura prej 2.1 miliardë lekësh, me rënie 5.2% me bazë vjetore. Edhe fitimet u tkurrën me 9.7%, në 465 milionë lekë. Norma ishte 21.7%.

Kompania po zhvillon projekte të shumta në Bashkinë e Tiranës, sipas faqes së saj të internetit.

“Agi Kons” raportoi të ardhura prej 3.9 miliardë lekësh, me rritje vjetore 16%. Fitimet u rritën me ritme më të shpejta, duke rezultuar në 336 milionë lekë (+55%).

Norma ishte 8.6%. Pjesa më e madhe e të ardhurave të shoqërisë vijnë nga punimet e ndërtimit për të tretë, sipas bilancit, ndërsa rritja është ndikuar kryesisht nga “të ardhura nga punime ndërtimi të padorëzuara klientit”.

“Alba Konstruksion” rezultoi me të ardhura prej 1.3 miliardë lekësh në 2024, duke mos qenë në listën e të ardhurave, por ajo renditet në atë të fitimeve, me një rezultat para taksave prej 330 milionë lekësh, me normë gati 24%.

“Fratari Construction 1990” ka hyrë sërish në listën e më të mëdhenjve sipas fitimeve në vitin 2024. Kompania ka raportuar të ardhura prej 552 milionë lekësh dhe fitime 303 milionë lekë, duke qenë ndër shoqëritë e ndërtimit rezidencial me normë më të lartë të kthimit.

Zhvillimi i vrullshëm i tregut të pasurive të paluajtshme po nxit dhe shoqëritë ndërmjetësuese, që kanë norma fitimi të larta.

“Euro-Alba-EA” është për të dytin vit në listën e fitimeve, pavarësisht rënies me 75%, duke deklaruar fitime prej 355 milionë lekësh. Norma e kthimit ishte e lartë prej 73.5%, për shkak se kompania realizon kryesisht ndërmjetësim.

 

 

Prodhuesit e ndërtimit

“K. I. D – ALB” është prodhuesi më i madh i produkteve të qeramikës dhe tullave në vend. Të ardhurat e shoqërisë ishin 1.35 miliardë lekë në vitin 2024, me tkurrje 20%. Edhe fitimet ranë me 44%, në 425 milionë lekë.

Gjithsesi, norma e fitimit mbetet e lartë në 31%. Ilda Bare, e cila drejton fabrikën e prodhimit, tha se nënçmimi i Euros i ka shtrenjtuar prodhimet shqiptare duke bërë që të humbasë tregu i rajonit. Zonja Bare tha se edhe tregu vendas po konkurrohet nga mallrat e importit, të cilat po vijnë më lirë. Shqipëria ishte furnizues i madh i tregut të Kosovës me çimento, hekur dhe tulla.

“Emante panel”, që prodhon dhe tregton panelet sanduich, është një hyrje e re në listën e fitimeve. Kompania raportoi të ardhura prej 2.3 miliardë lekësh, me rritje prej 33%. Edhe fitimet u zgjeruan me ritme të larta me 31%, në 254 milionë lekë. Norma ishte 11%.

Grupi EMANTE operon prej të paktën 20 vitesh në treg. Është kompani prodhuese e një game produktesh të lidhura me ndërtimin dhe energjinë.

Konkretisht prodhimin e paneleve sanduich që është produkti kryesor i saj, së dyti kioska apo ato që njihen si “modular building” si dhe gjithë aksesorët metalikë që nevojiten në funksion të dy produkteve të para.

Duke parë terrenin që ka fituar energjia fotovolatike kompania ka shtuar një linjë të re prodhimi që është prodhimi  për strukturat e bazamenteve të fotovolatikëve.

Anxhela Brahimaj CEO e kompanisë nënvizon se EMANTE ka rishitje aktive në të gjithë Ballkanin teksa ka projekte të vazhdueshme edhe në Europë por së fundmi edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Synimi ynë është që të ketë një vijim të këtij zgjerimi me një konsolidim më të fortë në Europë ku planet afatgjata janë për një linjë të re prodhimi dhe rishitjeje” nënvizon ajo.

Tek projektet që ndoshta po shënjojnë një rrugëtim të sigurt në tregje të mëdha znj.Brahimaj sjell në vëmendje  një më të fundit zbatuar në Paris.

“Një projekt domethënës që ne kemi pasur ka qenë në Paris në zonën qendrore të kryeqytetit ku EMANTE ka ngritur komplet pjesën e kantiereve të ndërtimit në funksion të ndërhyrjeve që po bëheshin për ndërtimin e metrosë së qytetit.

Për një kompani shqiptare kjo është eksperiencë që vlen dhe hap mundësi të tjera për projekte të ngjashme në Europë dhe më gjerë” shprehet ajo.

 

A po afron kriza?!

Operatorët e tregut pohojnë se rritja e shpejtë e çmimeve ka ngadalësuar ritmin e shitjeve, ndërsa vala e parave informale që dikur ushqente tregun, është zbehur pas hetimeve të SPAK. Megjithatë, ndërtimet pritet të vijojnë, të paktën në letër: vetëm në gjysmën e parë të 2025-s, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar dhjetëra leje për projekte shumëkatëshe dhe komplekse rezidenciale në kryeqytet. Nëse ky volum lejesh do të përkthehet në ndërtim real mbetet për t’u parë. Fati i projekteve do të varet nga disponueshmëria e financimeve, kërkesa reale dhe veçanërisht nga rrjedha e kapitalit informal, faktori më i paparashikueshëm i tregut shqiptar.

 

A po i afrohet tregu i pasurive të paluajtshme ciklit të ri të maturimit

Dy vitet e fundit tregu i pasurive të paluajtshme ka dhënë sinjale të qarta ngadalësimi.

Çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele rekord, duke frenuar kërkesën, sidomos në qendër të Tiranës, ku vlerat luhaten nga 4 deri në 6 mijë euro/m², ndërsa brenda Unazës, midis 2,000 – 3,000 euro/m².

Për pasojë, kërkesa po zhvendoset drejt periferisë, ku edhe aty çmimet janë rritur ndjeshëm dhe apartamenti më i lirë kushton tashmë mbi 1,400 euro/m².

Rritja e shpejtë e çmimeve ka ndikuar edhe në rënien e interesit të blerësve të huaj, që ishin bërë një faktor i rëndësishëm sidomos në bregdet, ku vlerat në zonat elitare arrijnë deri në 4,000 euro/m².

Paralelisht, Banka e Shqipërisë ka rritur vigjilencën ndaj ekspozimit të sektorit bankar, pasi kreditë për pasuri të paluajtshme zënë tashmë 27% të totalit të huasë.

Për këtë arsye, janë vendosur kufizime të reja për kreditimin e banesave, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar dhe uljen e rrezikut nga rënia e mundshme e çmimeve.

Edhe bazat demografike nuk janë më mbështetëse. Popullsia e Shqipërisë është tkurrur me 460 mijë banorë në një dekadë, ndërsa Tirana,  që ka qenë epiqendra e zhvillimit të ndërtimeve, është shtuar me vetëm 8 mijë banorë nga viti 2011 në 2023.

Kjo tregon se ndërtimet e reja janë më shumë pasojë e investimeve spekulative sesa e kërkesës reale.

Operatorët e tregut pohojnë se rritja e shpejtë e çmimeve ka ngadalësuar ritmin e shitjeve, ndërsa vala e parave informale që dikur ushqente tregun, është zbehur pas hetimeve të SPAK.

Megjithatë, ndërtimet pritet të vijojnë, të paktën në letër: vetëm në gjysmën e parë të 2025-s, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar dhjetëra leje për projekte shumëkatëshe dhe komplekse rezidenciale në kryeqytet.

Nëse ky volum lejesh do të përkthehet në ndërtim real mbetet për t’u parë. Fati i projekteve do të varet nga disponueshmëria e financimeve, kërkesa reale dhe veçanërisht nga rrjedha e kapitalit informal, faktori më i paparashikueshëm i tregut shqiptar.

 

 

 

 

 

The post Ndërtimi mbetet tërheqës, por fillon të lëshojë terren; A po afron kriza?! appeared first on Revista Monitor.

Për kë po ndërtohet? Gjysma e banesave në Durrës dhe Vlorë janë bosh

31 October 2025 at 11:11

Autor: Xhevahir Zhabina | Citizens.al

Durrësi dhe Vlora janë dy nga qarqet më të rëndësishme të vendit dhe janë shëmbëlltyra se si është zhvilluar Shqipëria gjatë tranzicionit. Për forcat politike që e kanë qeverisur vendin ato konsiderohen histori suksesi.

Por, pavarësisht dëshirës së pushtetit për të na ofruar këtë pamje, të dhënat e censit të vitit 2023, tregojnë një realitet tjetër, ku gati gjysma banesave të këtyre dy qarqeve janë bosh.

Ky fakt ngre pikëpyetje të mëdha mbi modelin e zhvillimit ekonomik të këtyre dy qendrave të rëndësishme në të cilat është investuar ndjeshëm në ndërtim. Por të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e objekteve të reja janë pa rezidentë.

Vetëm 7% e banorëve të qarkut Durrës dhe 2% e banorëve të Vlorës jetojnë në banesa të ndërtuara mes viteve 2016-2023.

Durrës, një në dy banesa bosh.

Qarku i Durrësit, i dyti më i rëndësishëm në vend, përfshin bashkitë Durrës, Shijak dhe Krujë dhe numëron 226,863 banorë, me një rënie prej 36,848 banorësh (14%), krahasuar me censin e viti 2011.

Në letër, është një zonë dinamike me portin më të madh të vendit, afërsi me Tiranën dhe një vijë bregdetare që tërheq investime e turizëm.

Por tabloja nuk është kaq optimiste. Sipas censit të vitit 2023 në qarkun e Durrësit ka 117,303 banesa, nga të cilat 51,127 (43,6%) janë bosh, ndërsa 66,176 janë të banuara.

Situata bëhet më dramatike kur ndarja e banesave bosh bëhet në nivel bashkish.

Bashkia Durrës, përfshin pjesën dërrmuese të njësive bosh. Gjithsej ajo ka 91,378 njësi banimi, nga të cilat 46,7938 (51.2%) janë të banuara ndërsa 44,595 (48.8%) jo. Kjo tregon se thuajse gjysma e banesave është bosh.

Në Shijak dhe Krujë, ku presioni nga turizmi dhe ndërtimi janë ndjerë më pak, shifrat janë më të ulëta, me përqindje boshatisjeje respektivisht 32.5% dhe 21.3%.

Ndërsa popullsia e Shqipërisë ulet, si rezultat i emigrimit masiv dhe faktit që Tirana është ajo që tërheq edhe ato pak banorë nga lëvizjet e brendshme demografike, Durrësi është kthyer në “depo betoni” për apartamente që presin pushuesit e verës, emigrantët me kursime, apo investitorë dhe spekulantë të fokusuar në tregun e pronave të paluajtshme.

Por jo për njerëzit që jetojnë dhe duan të jetojnë aty përditë.

Në qarkun e Durrësit nga viti 2013 deri në vitin 2024 janë shtuar 779,000 m2 ndërtim i destinuar vetëm për banim.

Vlora më keq së Durrësi

Vlora është qarku ku fenomeni i banesave bosh është më i theksuar. Në letër Vlora është histori suksesi, me investime strategjike, turizëm në rritje dhe zhvillim të shpejtë të bregdetit.

Sipas censit te vitit 2023, popullsia e qarkut Vlorë ka rënë me 28,959 (17%) nga viti 2011.

Në total qarku ka 109,375 banesa me destinacion banimin, nga këto, 52,296 janë të banuara (47.8%), ndërsa 57,079 (52.2%) jo. Më shumë se gjysma e shtëpive në qarkun e Vlorës janë bosh.

Në bashkinë Vlorë, e cila përfshin vetë qytetin dhe zonat përreth, nga 63,428 banesa në total, 33,561 janë bosh (53%), ndërsa 29,867(47%) janë të banuara.

Në Sarandë, një tjetër model i zhvillimit të turizmit shqiptar, fenomeni është edhe më i theksuar, nga 20,790 banesa, 12,919 janë bosh, dhe vetëm 7,871 kanë njerëz brenda.

Në përqindje, kjo do të thotë 62% banesa bosh dhe vetëm 38% të banuara.

Himara, një tjetër destinacion turistik i ngjashëm, ka 7,292 banesa, nga të cilat 4,173 janë bosh (57%) dhe 3,119 (43%) të banuara.

Në Delvinë, Konispol dhe Finiq, zona që nuk kanë ndjerë të njëjtin presion për ndërtime dhe turizëm, vetëm afërsisht 1 në 3 apartamente është bosh.

Selenica bën përjashtim në qarkun Vlorë me nivelin e lartë të banesave bosh ndonëse jo një zonë turistike.

Për urbanisten Doriana Musai ndërtimi është shndërruar në model ekonomik për të mbajtur gjallë “statistikat e zhvillimit”.

Qeveria shpall sukseset me fjalë si ‘turizëm’, ‘investime strategjike’ dhe ‘modernizim’, por në realitet po krijon qytete fantazmë, ku gjysma e dritareve nuk ndizen kurrë, thotë Musai.

93-98% e banorëve të Vlorës dhe Durrësit banojnë në ndërtesa të para vitit 2016

Censi i dy viteve më parë, përveç numrit të banesave bosh dhe të banuara, tregon edhe vjetërsinë e ndërtesave ku jetojnë banorët e dy qarqeve.

Por këtë të dhënë Instituti i Statistikave e ka publikuar vetëm në rang qarku, në këtë fazë mungojnë të dhënat në nivel bashkie dhe njësie administrative.

Ne i kërkuam INSTAT të na i vinte në dispozicion këto të dhëna, por pas disa komunikimeve me përfaqësues të këtij institucioni dhe të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, na u tha se këto të dhëna ishin duke u përpunuar dhe në momentin që ky proces do të ketë përfunduar do të na vihen në dispozicion.

Megjithatë mbi aq sa është publike kemi mundur të ndërtojmë një ide se ku jetojnë banorët e qarkut të Durrës.

Nga totali prej 66,176 njësi të banuara në Durrës në nivel prefekture grafiku i mëposhtëm na tregon ku banojnë qytetarët e qarkut të grupuar sipas vitit të ndërtimit të banesës.

Më shumë se gjysma e njësive të banuara në Durrës (57%) janë ndërtuar para viteve 2000.

Banesat e ndërtuara në vitet 2001-2010 zënë 30% të totalit të banesave të banuara, ato të ndërtuara pas vitit 2010 zënë 14% të totalit të banesave të banuara.

Më shumë se gjysma e banorëve rezident të qarkut jetojnë në banesa të ndërtuara gjatë komunizmit apo vitet e para të demokracisë dhe jo ato të valës ndërtimore post 2000.

Ndërsa, në Vlorë totali prej 52,296 njësive të banuara është i ndarë sipas grafikut të mposhtëm.

Në këtë qark fakti që shumica e banorëve rezident jetojnë në banesa të vjetra bëhet dhe me evident, duke nxjerrë në pah që janë banesat e post 2000 kanë tendencë të jenë bosh.

Dy në tre njësi të banuara, janë ndërtuar para viteve 2000.

Banesat e ndërtuara në vitet 2001-2010 zënë 23% të totalit të banesave te jetuara. Ndërsa banesat e ndërtuara pas vitit 2010 zënë vetëm 8% të totalit të Banesave të banuara.

Dy të tretat e banorëve rezident të qarkut jetojnë në banesa të ndërtuara gjatë komunizmit apo vitet e para të demokracisë dhe jo ato të valës ndërtimore post 2000.

Në qarkun Vlorë nga 2013 deri në 2024 janë miratuar 722,000 m2 ndërtim me destinacion banimin. Vlen të përmendet që vetëm në 2014 janë dhënë 266,000 m2 ndërtim për banim. 

Njësitë e reja të banimit pas 2016 zënë një përqindje shumë të vogël në totalin e shtëpive të banuara, në Durrës 7% dhe në Vlorë 2% . Pra, ndërtesat e reja nuk po zëvendësojnë të vjetrat, por shtohen mbi to.

Kërkuam nga INSTAT edhe të dhëna mbi njësitë e banimit që janë bosh në këto dy qarqe, ku të përcaktonte se në cilat njësi administrative dhe cilës periudhë të ndërtimit i përkasin njësitë e banimit bosh, edhe këtë informacion nuk arritëm ta marrim me argumentin e njëjtë se të dhënat janë duke u përpunuar.

Industria e ndërtimit për urbanisten Doriana Musai është shumë e ekspozuar ndaj dy fenomeneve spekulimi dhe pastrim parash dhe investimet në pasuri të paluajtshme janë kthyer në strehim për kapitalin e pasigurt, përfshirë korrupsionin dhe krimin financiar.

“Në mungesë të tregjeve të tjera të sigurta, betoni është bërë ‘banka’ më e sigurt për kursimet, shpesh me burim të dyshimtë. SPAK na konfirmon ne shumë raste këtë skemë të ngritur,” thotë Musai.

Krahasimi i Durrësit dhe Vlorës me Selaniku

Në këto dy qarqe po ndodh një fenomen i çuditshëm, popullsia nga censi në cens është ulur, banesat bosh janë rritur, por gjithashtu metrat e ndërtimit me destinacion banimin janë shtuar.

Sipas një studimi të kryer nga tre pedagogë (Azmi Stringa, Manjola Naco dhe Alban Korbi), thuhet se pjesa e njësive të pabanuara u rrit dhe së bashku me to u rrit edhe çmimi i pasurive të paluajtshme.

Sipas Bankës së Shqipërisë, çmimet e apartamenteve u rritën me afërsisht 44% në vitin 2024.

Faktorë të shumtë po kontribuojnë në këtë rritje janë zgjerimi i turizmit dhe kërkesa për qira ditore (afatshkurtra si Airbnb), blerja spekulative e shtëpive dhe një pjesë në rritje e blerjeve nga blerësit e huaj, e vlerësuar në 20% të transaksioneve në vitin 2024.

“Ky bashkim i mungesës së alternativave të tjera të investimit, profilit të rrezikut të vendit (pasiguria në të bërit biznes nxit investimet në pasuri të paluajtshme), investimeve spekulative, kërkesës së jashtme nga turizmi, korrupsioni dhe krimi financiar po prodhon një rezultat paradoksal, ndërsa popullsia e Shqipërisë është në rënie, numri i shtëpive të zbrazëta vazhdon të rritet dhe çmimet përshkallëzohen përtej mundësive të qytetarëve mesatarë” thuhet në studim

Studimi bën një krahasim me një qendër të rëndësishme të turizmit në Greqi, siç është Selaniku dhe kjo zonë është dukshëm më mirë se Durrësi dhe Vlora. Sipas mediave greke, një në tre shtëpi në rajonin e Maqedonisë Qendrore është bosh, pra rreth 33%.

Ndërsa Durrësi dhe Vlorë janë rreth 50% me trend rritjen e kësaj shifre për shkak se projekti “Durrës Yacht Marina”, dhe “Vlora Marina” do të sjellin në treg mijëra apartamente të tjera.

Doriana Musai thotë se po ndërtohet një ekonomi e iluzioneve, ku “zhvillimi” nuk matet me rritjen e cilësisë së jetës së njerëzve, por me numrin e lejeve të ndërtimit dhe m² të betonit të shitur.

“Në këtë kuptim, Durrësi dhe Vlora po bëhen viktima të suksesit të rremë, duke u shndërruar në qytete turistike për disa, por të pabanuara për shumicën”, përmbyll Musai.

Lexoni gjithashtu:

The post Për kë po ndërtohet? Gjysma e banesave në Durrës dhe Vlorë janë bosh appeared first on Citizens.al.

Buxhuku: Në 13 vite janë investuar 100 mld euro në ndërtim dhe turizëm, janë para droge

28 October 2025 at 22:17

Drejtuesi i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku, i ftuar në emisionin “A Show”, ka bërë një denoncim lidhur me investimet në Shqipëri. Sipas tij, gjatë 13–14 viteve të fundit, në vend janë investuar 100 miliardë euro në sektorin e ndërtimit dhe turizmit, që sipas tij, janë ‘para pa burime të qarta’. Buxhuku deklaroi se, ‘kemi arritur në përfundimin […]

The post Buxhuku: Në 13 vite janë investuar 100 mld euro në ndërtim dhe turizëm, janë para droge appeared first on BoldNews.al.

❌
❌