Protestë në Kamëz kundër rritjes së biletës së urbanit
Qytetarë të Kamzës u mblodhën pasditen e së hënës në një protestë të thirrur para bashkisë nga Lëvizja Bashkë kundër rritjes së çmimit të biletës së transportit urban.
Prej disa muajsh, Këshilli Bashkiak i Kamzës ka vendosur rritjen e biletës për linjat Kamëz-Tiranë dhe Kamëz-Paskuqan. Çmimi u rrit me 10 lekë (25%) duke shkuar në 50 lekë për çdo udhëtim.
“Anëtarët e këshillit nuk janë zgjedhur për t’iu shërbyer privatëve, por qytetarëve,” u shpreh Emiljando Kita nga Lëvizja Bashkë teksa theksoi përmes megafonit para bashkisë se pensionistët dhe studentët do të duhet ta kishin transportin falas dhe jo më të shtrenjtë.
Në protestë morën pjesë edhe pensionistë, të cilët ndanë për Citizens.al shqetësimet për të ardhurat e ulëta, të cilat nuk u mjaftojnë për shpenzimet minimale. Sipas tyre, rritja e biletës është një barrë shtesë për përditshmërinë.
“Unë e kam shtëpinë te karburanti Nokia, për të hipur deri në Institut duhet të paguaj 50 lekë, ose 14 mijë lekë (abonoja). Unë sa u bë 14 mijë nuk e kam marrë më”, u shpreh një pensioniste e pranishme në protestë.
Protestues të tjerë vunë theksin te rritja e kostos së jetesës duke kujtuar se çmimet janë rritur ndjeshëm edhe te produktet e shportës dhe tanimë, me këtë prirje, edhe transporti publik po bëhet më i papërballueshëm, sidomos për ata të cilëve u duhet të lëvizin me dy-tre autobusë çdo ditë.
Sipas qytetarëve, vendimi është marrë pa konsultim publik dhe pa një analizë të mirëfilltë. Ata e cilësuan rritjen si kosto të drejtpërdrejtë për familjet.
“Si kryefamiljare me dy fëmijë, […] kjo na kushton deri në 50 mijë lekë të reja në vit,” theksoi një qytetare e Kamzës e pranishme në protestë.
Vendimi i rritjes së çmimit të biletës u miratua me shumicë të cilësuar të Këshillit Bashkiak: 39 votuan “pro” nga 41 gjithsej. Votat erdhën nga të dyja krahët politikë.
“39 këshilltarët që ju keni votuar ju kanë tradhtuar!” theksoi gjatë protestës Klodi Leka nga Lëvizja Bashkë.
Sipas drejtuesit të Lëvizjes, Arlind Qori, nuk ka asnjë studim ekonomik që justifikon rritjen e dy prej linjave kryesore të Kamzës. Ai tha se mungojnë të dhënat mbi kostot dhe përfitimet e kompanisë duke nënkuptuar se vendimi favorizon kompaninë private që operon linjat.
“Nuk pati as pesë minuta diskutim publik,” tha Qori. “Vendimi u mor me mospërfillje ndaj qytetarëve.”
“Me neglizhencën më të madhe […] kanë vendosur sikur përpara tyre të mos kishin njerëz, të mos kishin qytetarë, por të kishin dele që ulin kokën përpara të zotit”, theksoi Qori.
Kjo ishte protesta e dytë para Bashkisë Kamëz. Ajo pason një peticion me mbi 2 mijë firma të çuar përpara nga Lëvizja Bashkë kundër rritjes së biletës.
Pas një kërkese të Lëvizjes, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) ka konstatuar konflikt interesi mes këshilltarëve bashkiak që morën pjesë në votim.
Sipas ILDKPKI-së, pjesëmarrja e Bardhok Osmanit në votim ishte në kundërshtim me ligjin pasi ai është anëtar i Këshillit Bashkiak dhe njëkohësisht administrator i kompanisë “Shpresa-al” që operon të dyja linjat.
Lexoni gjithashtu:
- Plani i kursimit rrit me 4.4 herë çmimin për familjet që konsumojnë mbi 800 Kwh
- Inflacioni kap shifrën 7.4%, ushqimet dhe nafta pësojnë rritje të ndjeshme çmimi
- Rritja e çmimit të qumështit po reflekton krizën e blegtorëve në Shqipëri
The post Protestë në Kamëz kundër rritjes së biletës së urbanit appeared first on Citizens.al.



