“SOS! Po grabitemi!”: Aktivistët kundër resorteve turistike në Zvërnec dhe Sazan
“Ta shijojmë Sazanin pa na e marrë Ivanka!” është kthyer në një batutë të përhapur tashmë mes atyre që udhëtojnë drejt jugut të Shqipërisë. Ironia, megjithatë, pasqyron një shqetësim real për planet e zhvillimit turistik të lidhura me familjen Trump në zonat e mbrojtura të bregdetit shqiptar.
Postimet e Ivanka Trump, vajzës së Presidentit Amerikan në rrjetet sociale, shoqëruar me këngë tradicionale shqiptare, u komentuan gjerësisht në media gjatë fundit të muajit janar. Por përtej debatit mediatik dhe atij online me reagime emocionale, aksionet konkrete në terren kanë qenë të pakta.
Pikërisht, për të thyer heshtjen, një grup aktivistësh dhe artistësh udhëtuan të shtunën drejt Zvërnecit. Në rërën pranë lagunës së Nartës, ata u kujdesën për disa orë që të shpalosnin një mesazh artistik me mbishkrimin “SOS, po grabitemi!”, të shoqëruar me vizatime shpendësh dhe gjallesash karakteristike të zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë dhe Karaburun-Sazan.
Lexo: Nga vizitor në investitor strategjik, si e siguroi Sazanin Jared Kushner
Aksioni simbolik, që u ndoq nga Citizens.al, u zhvillua pranë Manastirit të Zvërnecit, në një territor ku biodiversiteti ishte i dukshëm me sy të lirë. Flamingot, çafkat e bardha dhe shpendë të tjerë migratorë e bëjnë zonën një nga pikat më të rëndësishme ekologjike në vend, mjaft të frekuentuar nga turistët e natyrës dhe ata që udhëtojnë për kamping.
Elsa Paja, një nga aktivistet, na tregoi se ideja lindi nga frika për pasojat e projekteve të paralajmëruara. Sipas saj, bashkimi i artistëve dhe aktivistëve ishte një reagim i drejtpërdrejtë ndaj ndjenjës së përjashtimit nga vendimmarrja.
“Dikush vjen nga jashtë dhe të grabit tokën! Arsyet pse kjo nuk duhet të ndodhë janë të shumta, sa na lindi nevoja për të bërë diçka,” rrëfeu ajo për Citizens.al
Komuniteti lokal: “Jemi kundër”
Por, në Zvërnec, kundërshtimi nuk vjen vetëm nga aktivistët. Blendon Mërtiri, peshkatar prej mbi 30 vitesh në Grykën e Dajlanit, e sheh zhvillimin e paralajmëruar si kërcënim për mënyrën e jetesës.
Lexo: Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë
Prej një viti ai dhe peshkatarët e tjerë të zonës janë pa leje peshkimi, të pezulluara nga Ministria e Bujqësisë. Megjithatë, ai çdo ditë gjendet pranë varkave të ankoruara në lagunë.
“Me Zotin dhe me Trumpin nuk merremi. Por nëse na thonë të ikim se është investim strategjik, çfarë bëhet me ne?!” pyet ai me ironi.
Sipas Mërtirit, turistët vijnë në këtë zonë për natyrën e egër, jo për resorte luksoze të parashikuara për t’u ngritur nga propozimi i paraqitur prej dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner.
Mërtiri ngre gjithashtu shqetësimin për pronësinë e tokës, duke theksuar se shumë parcela të zonës së Zvërnecit janë të ndara sipas ligjit “7501” dhe disa të papajisura me dokumente pronësie. Shqetësimi kryesor mbetet te mënyra e shpronësimit. Ai thotë se deri më sot nuk ka pasur asnjë informacion.
“Edhe Aeroport (Aeroporti i Vlorës në Akërni), edhe resort… do na vijë e mira në derë, mirëqenie e madhe…” ironizoi Blendoni.
Një tjetër banore, Rita Xhaho, tha për Citizens.al se lajmin për ndërtimet e mundshme të resorteve në Zvërnec dhe Sazan e kishte mësuar nga televizioni. Për të, ndryshimi i peizazhit mjedisor do të thotë humbje e kujtimeve dhe e lidhjes personale me zonën.
Lexo: Kur natyra përballet me betonin: Çmimi i lartë i Aeroportit të Vlorës
“Nga televizioni e morëm vesh, që do bëhen, ndërtimet, që do ti bej ajo, vajza e Trumpit,” theksoi Rita.
Zonat e Mbrojtura nën rrezik
Marina Xhaho, nga “Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri” (PPNEA), e cila ishte pjesë e grupit të aktivistëve, paralajmëron se çdo ndërhyrje me ndërtime rrezikon shkatërrimin e habitateve ku folezojnë specie të mbrojtura.
Sipas saj, zona e mbrojtur Vjosë-Nartë strehon flamingot, pelikanët kaçurrelë, sqepbizët, kalorësit, pulëbardhat dhe dhjetëra lloje të tjera shpendësh ujorë.
Më 22 shkurt 2024, Kuvendi miratoi me votat e shumicës socialiste ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke hapur rrugën për zhvillime turistike dhe investime në zona që më parë ishin të paprekshme. Përpjekjet për shfuqizimin e ligjit u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese.
Planet e propozuara nga kryeministri Rama në bashkëpunim me Kushner për Sazanin dhe Zvërnecin kanë hasur kundërshtim të gjerë: 41 organizata mjedisore nga 28 shtete i kërkuan publikisht qeverisë shqiptare pezullimin e këtyre nismave.
PPNEA ka paralajmëruar se rreth 14 kilometra vijë e egër bregdetare, aktualisht zonë e mbrojtur, rrezikon të shndërrohet në rrugë asfalti, ndriçim artificial dhe ndërtesa luksoze.
Sipas mjedisorëve, rreziku nuk kufizohet vetëm në jug. Ndryshimet ligjore dhe nisma si “Paketa e Maleve” e zgjerojnë logjikën e ndërhyrjes edhe në zona të tjera të mbrojtura në vend, duke vënë në pikëpyetje vetë konceptin e mbrojtjes së aseteve natyrore.
Lexoni gjithashtu:
- Projektligji për mbetjet: Mes transparencës së kufizuar dhe rrezikut për interesa private
- “Jo fluturime në Nartë”, rikthehen protestat kundër Aeroportit të Vlorës
- IUCN kërkon që Shqipëria të rishikojë ligjin për Zonat e Mbrojtura
The post “SOS! Po grabitemi!”: Aktivistët kundër resorteve turistike në Zvërnec dhe Sazan appeared first on Citizens.al.
