Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar me votë unanime një nga vendimet më të rëndësishme me ndikim të drejtpërdrejtë social, rritjen e subvencionit të qirasë në të gjithë territorin e Bashkisë Tiranë.
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Endrit Braimllari, u shpreh se ky vendim vjen si përgjigje ndaj rritjes së ndjeshme të çmimeve të qirave dhe kostos së jetesës në kryeqytet.
Sipas tij, nevoja për rishikimin e nivelit të subvencionit është ngritur në mënyrë të vazhdueshme në komisionet përkatëse, me qëllim mbështetjen reale të familjeve në vështirësi ekonomike.
“Ky është një vendim që përfaqëson një politikë sociale të përgjegjshme dhe të ndjeshme ndaj realitetit me të cilin përballen qytetarët e Tiranës, duke garantuar më shumë siguri dhe përballueshmëri në strehim,” u shpreh Braimllari.
Postimi
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës u miratua me votën e të gjithë këshilltarëve një nga vendimet më të rëndësishme me ndikim të drejtpërdrejtë social: rritja e subvencionit të qirasë në të gjithë territorin e Bashkisë Tiranë.
Si anëtar i Këshillit Bashkiak, kam ngritur në mënyrë të vazhdueshme në komisionin përkatës nevojën për rishikimin e nivelit të subvencionit të qirasë, në funksion të rritjes së ndjeshme të çmimeve të tregut të qirave dhe kostos së jetesës në kryeqytet.
Ky vendim përfaqëson një politikë sociale të përgjegjshme, që synon të mbështesë konkretisht familjet dhe qytetarët në nevojë, duke garantuar më shumë siguri dhe përballueshmëri në strehim.
Subvencioni i ri sipas zonave:
• Zona A: 45.000 lekë
• Zona B: 40.000 lekë
• Zona C: 35.000 lekë
Vendime të tilla dëshmojnë vullnetin për të ndërtuar politika publike që i përgjigjen realisht nevojave të qytetarëve dhe sfidave sociale të Tiranës.
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Pejë ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, ku është diskutuar për Kuvendin Qendror të partisë që do të mbahet më 31 janar 2026, në të cilin pritet të vendoset për votëbesimin ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e Kryesisë kanë diskutuar hapur për situatën aktuale në parti, duke analizuar zhvillimet e fundit dhe sfidat politike.
Sipas njoftimit, shumica e diskutimeve kanë qenë në mbështetje të kryetarit Lumir Abdixhiku dhe vazhdimit të udhëheqjes së tij.
Në Kuvendin Qendror të 31 janarit pritet që delegatët të shprehen përmes votës lidhur me besimin ndaj kryetarit aktual, një proces që shihet si i rëndësishëm për orientimin e mëtejmë politik të LDK-së./Telegrafi/
Komuna e Mitrovicës ka intensifikuar aksionet për lirimin e hapësirave publike të shfrytëzuara në mënyrë të kundërligjshme, në kuadër të angazhimit për zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit urban.
Sipas njoftimit të Komunës, Drejtoria e Inspekcionit aktualisht është duke realizuar rrënimin e një objekti të ndërtuar pa leje, i cili ndodhet në afërsi të shtëpisë së Islam Shipolit.
Drejtori i Inspekcionit, Mujë Igrishta, ka theksuar se drejtoria që ai udhëheq mbetet e përkushtuar dhe e vendosur në zbatimin e ligjit, pa toleruar asnjë shkelje që cenon hapësirat publike.
Ai ka bërë të ditur se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, deri në lirimin e plotë të të gjitha hapësirave të uzurpuara në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të krijimit të rendit, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës.
Të gjithë duam të ndihemi të dashur dhe të respektuar. Por respekti i vërtetë nuk vjen nga një version që u pëlqen të tjerëve. Ai ndërtohet kur je autentik/e, i/e qartë dhe në paqe me veten.
Po, do punë. Po, kërkon të heqësh dorë nga disa zakone që ndoshta i ke pasur për vite. Por shpërblimi? Një respekt që nuk është i përkohshëm.
Nëse kjo është ajo që kërkon për veten tënde, ndoshta duhet të heqësh dorë edhe nga këto zakone:
1. Thashethemet
Thashethemet mund të duken argëtuese në moment, por në fund dëmtojnë reputacionin tënd. Njerëzit nuk e respektojnë dikë që ndërton veten duke ulur të tjerët. Respekti vjen nga maturia dhe vetëkontrolli.
2. Premtimet që nuk i mban
Të thuash “po” dhe pastaj të zhdukesh është mënyra më e shpejtë për të humbur besimin. Nëse nuk je i/e sigurt që mund ta bësh diçka, thuaje hapur. Sinqeriteti respektohet gjithmonë më shumë sesa justifikimet.
3. Të thuash “po” kur mendon “jo”
Ky është problem klasik. Ti e bën për të mos zhgënjyer të tjerët, por përfundon duke tradhtuar veten. Kufijtë e shëndetshëm nuk të bëjnë egoist/e, por më të respektueshëm/me në sy të të tjerëve.
4. Justifikimet
Nuk ke pse të shpikësh arsye, je person i rritur. Nëse nuk do, thuaj që nuk do. Të qenit i/e qartë është një formë mirësie dhe njerëzit e ndiejnë.
5. Të kërkosh falje pa arsye
Të kërkosh falje për çdo gjë nuk të bën më të sjellshëm/me, por më pak autentik/e. Thuaj “më fal” vetëm kur e mendon vërtet. Atëherë fjalët e tua kanë peshë.
6. Të vësh gjithmonë të tjerët para vetes
Të jesh bujar/e është gjë e bukur, por të sakrifikosh veten pafund jo.
7. Të kërkosh vazhdimisht miratimin e të tjerëve
Njerëzit që respektohen më shumë janë ata që ecin sipas ritmit të tyre. Jo çdo mendim kërkon miratimin e të tjerëve, për të mos thënë asnjë mendim.
8. Të zbehësh dritën e të tjerëve
Xhelozia është njerëzore, por të ulësh dikë tjetër për t’u ndier më mirë vetë nuk është elegante. Njerëzit më të admirueshëm janë ata që i ngrejnë të tjerët lart.
9. Materializmi i tepruar
Sendet luksoze mund të tërheqin vëmendje, por jo respekt të vërtetë. Respekti ndërtohet mbi atë që je, jo mbi atë që ke./mxh
Mjekët gastrohepatologë dhe onkologë kanë ngritur alarmin për rritjen e rasteve me tumore të aparatit tretës, përfshirë stomakun, pankreasin, zorrën e trashë dhe ezofagun, madje edhe tek pacientët e rinj.
Profesor Myzafer Kaci renditi disa faktorë të jashtëm që ndikojnë në rritjen e këtyre tumoreve dhe kërkoi nga autoritetet krijimin e qendrave për depistimin e popullatës.
“Ushqimet, hormonet, rrezatimet ndikojnë shumë në rritjen e numrit të tumoreve. Por për fat të keq kapen vonë, sepse shqiptarët nuk kujdesen si duhet për shëndetin e tyre. I lutem autoriteteve të krijojnë disa qendra për depistim me fibroskopi apo kolonoskopi”, tha Prof. Myzafer Kaci.
Ai gjithashtu theksoi simptomat që duhet të nxisin vizitën tek mjeku, si gjaku në feçe ose një analizë fece, dhe rekomandoi fillimin e ekzaminimeve të aparatit tretës nga mosha 40 vjeç: “Ne po hasim tumore edhe tek të rinjtë, 20-30 vjeç, por masivisht fillojnë nga 40 deri në 70 vjeç, prandaj një fibro apo kolonoskopi pas moshës 40 vjeç është e domosdoshme.”
Një shqetësim i veçantë mbetet kujdesi në banesë për pacientët në fazat e fundit të sëmundjes.
“Duhet rritur kujdesi paliativ, pasi pacientët vijnë në mjekësinë interne dhe qëndrojnë 1–2 muaj në pavion. Duhet rritur kujdesi edhe në shtëpi”, u shpreh Dr. Bernard Progni.
Në një konferencë shkencore me pjesëmarrjen e mjekëve të njohur u diskutua jo vetëm rritja e numrit të rasteve dhe trajtimi i tyre, por edhe rëndësia e ndërgjegjësimit të qytetarëve për kujdesin shëndetësor./mxh
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka përfunduar procesin e vlerësimit të nevojave dhe kapaciteteve të dhënies së shërbimit të kimioterapisë në spitalet rajonale të vendit.
Në 7 spitale rajonale pritet të nis shpërndarja e infrastrukturës, dhe plotësimi i stafit, duke ulur radhën e pritjes dhe kostot për pacientin. Nga spitali i Elbasanit, ministria Sala tha se do të punojnë me protokollet e Institutit prestigjioz të Tumoreve në Milano.
“Në bashkëpunim me këtë Institut kemi përfunduar protokollet e së shpejti do ua dërgojmë ato”, nënvizoi ministrja Sala.
Ministrja Sala ditën e hënë pritet të niset në Vjenë në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të folur për modernizimin e pajisjeve e më pas në Institutin e Tumoreve në Milano për bashkëpunimin e mëtejshëm në onkologji mes dy vendeve.
Spitali Rajonal i Elbasanit, ka kryer 600 procedura kimioterapie gjatë vitit 2025 dhe rehabilitimi i Shërbimit të Patologjisë, ku do të përfshihet edhe kimioterapia ku do t’u vijë në ndihmë banorëve të 7 bashkive të qarkut e do lehtësojë fluksin në QSUNT.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se si pasojë e dëmtimit të një gypi nga disa kontraktorë privatë të cilët, thonë se, për dëmin e shkaktuar nuk kanë raportuar, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për një pjesë të qytetit të Obiliqit dhe disa fshatra.
“Ju njoftojmë se, si pasojë e dëmtimit të gypit Ø200 ACC nga kontraktorë privatë, të cilët kanë shkaktuar dëmin dhe nuk e kanë raportuar atë, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm. Pa furnizim me ujë të pijshëm kanë mbetur: një pjesë e qytetit të Obiliqit (lagjja kah Kosova B ), fshati Plemetin, fshatrat Prelluzhë dhe Hamidi”, thotë KRU “Prishtina”.
Ata kanë bërë të ditur se furnizimi me ujë të pijshëm do të rikthehet pas sanimit të plotë të dëmit derisa u kanë bërë thirrje konsumatorëve të këtyre zonave që ujin të mos e përdorin për pije deri të jetë i kthjellët plotësisht.
Nuk bëhet fjalë për fitime të rastësishme, por për vendime të zgjuara, rregullime strategjike dhe hapa që krijojnë stabilitet.
Ja cilat janë 3 shenjat që kanë avantazh real në çështjet e parave sot:
Peshorja është një nga shenjat më të mbështetura në planin financiar falë ndikimit pozitiv të Venusit. Edhe pse dita mund të sjellë pak tension emocional ose diskutime me bashkëpunëtorë, në thelb ekziston një ekuilibër i favorshëm për paratë.
Sot është ditë e mirë për rinegociime, ndarje përgjegjësish financiare, marrëveshje ose sqarime që lidhen me pagesa, honorare apo bashkëpunime.
Nëse ruani qetësinë dhe përdorni dialogun, mund të zgjidhni një nyje ekonomike që ju ka bllokuar prej kohësh. Fitimi vjen nga diplomacia dhe zgjedhjet e balancuara.
Demi ka një avantazh të qartë në para falë aftësisë për të analizuar dhe për të mos vepruar me nxitim.
Edhe pse kjo është një periudhë rishikimi dhe jo shpenzimesh të mëdha, sot mund të merrni vendime të rëndësishme që mbrojnë të ardhurat tuaja.
Është një ditë shumë e mirë për të rregulluar buxhetin, për të ndalur humbjet e panevojshme ose për të rishikuar një ofertë pune apo bashkëpunimi nga ana financiare.
Paratë nuk vijnë nga rreziku, por nga kujdesi dhe strategjia afatgjatë. Çdo zgjedhje e bërë sot forcon sigurinë tuaj ekonomike.
Peshqit janë ndër shenjat më të favorizuara financiarisht sot, sidomos nëse ndjekin intuitën.
Periudha është pozitive dhe sjell sinjale të qarta për mundësi të reja ekonomike që po afrohen gradualisht.
Sot mund të merrni një ide, një informacion ose një kontakt që në javët në vijim mund të kthehet në fitim konkret.
Është moment i mirë për të menduar për projekte personale, punë të pavarura ose plane që lidhen me të ardhura alternative.
Paratë për Peshqit sot lidhen me vizionin dhe besimin tek ajo që po ndërtoni, jo me presionin apo ngutjen.
Në 24 orët e fundit priten reshje intensive në veri dhe jug të vendit. Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), mbrëmjen e së shtunës dhe gjatë ditës së diel priten reshje lokalisht intensive në qarkun Shkodër, ndërsa reshje mesatare në qarqet Kukës dhe Vlorë, të shoqëruara me shtrëngata. Në të gjitha qarqet e tjera priten reshje të dobëta.
Në veri, në lartësitë mbi 900 m mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formë dëbore. Sipas IGJEO, shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve mund të krijojnë probleme të ndryshme, si rënie gurësh dhe inertesh, si dhe vërshime të ujit në zonat urbane të lokalizuara, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarkun Shkodër.
Problematike do të jetë edhe parametri i erës, pasi parashikohet që prej pasdites së të shtunës dhe gjatë të dielës era të fryjë mesatare deri e fortë, kryesisht në bregdet dhe në zonat malore.
Temperaturat e ajrit, në vlerat maksimale, do të rriten me rreth 5 gradë Celsius, duke bërë që gjatë ditës së diel temperaturat në të gjithë vendin të jenë në vlera pozitive.
Në zonat malore, temperaturat minimale do të jenë 2 gradë Celsius, ndërsa vlerat maksimale ngjiten deri në 12 gradë Celsius. Zonat e ulëta dhe ato bregdetare do të kenë temperatura nga 9 deri në 19 gradë Celsius.
Për shkak të përkeqësimit të ndjeshëm të kushteve hidrometeorologjike detare, Kapiteneria e Portit Vlorë ka njoftuar ndalimin e lundrimit për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit, për periudhën 24–26 janar 2026.
Pritet që situata e përkeqësuar hidrometeorologjike të prekë zonën brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës, duke filluar nga ora 12:00 e datës 24.01.2026. Era pritet të fryjë me drejtim Jug–Juglindje, me forcë deri në 7–8 ballë (Bft), ndërsa shpejtësia e saj mund të arrijë deri në 25–45 m/s. Lartësia e dallgëve parashikohet të variojë nga 2.50 deri në 4.00 metra, duke krijuar kushte të rrezikshme për lundrim.
“Kapiteneria e Portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe mjeteve të peshkimit”, thuhet në njoftim. Ndalimi hyn në fuqi nga ora 12:00 e datës 24 janar dhe do të zgjasë deri në orën 06:00 të datës 26.01.2026.
Autoritetet detare u bëjnë thirrje të gjitha subjekteve që operojnë në fushën e detarisë të tregojnë kujdes maksimal dhe të bashkëpunojnë për parandalimin e çdo situate të papritur. “Kërkohet marrja e të gjitha masave të nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve në mjetet lundruese”, thuhet më tej në njoftim.
Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimet normalisht sipas destinacioneve përkatëse, pasi konsiderohen të afta për të përballuar kushtet e parashikuara të motit. Megjithatë, trageti i linjës Vlorë–Brindisi–Vlorë ka anuluar mbërritjen e planifikuar për datën 25.01.2026, për arsye sigurie.
Sipas parashikimeve, përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 26 janar 2026. Deri atëherë, autoritetet u bëjnë apel peshkatarëve dhe pronarëve të mjeteve të vogla të respektojnë ndalimin e lundrimit dhe të shmangin daljen në det gjatë motit të keq.
Dhjami i trupit ndihmon në gjithçka, nga shëndeti i kockave deri te humori, dhe tani, hulumtimet sugjerojnë se rregullon edhe tensionin e gjakut dhe imunitetin, sipas “New Scientist”.
Nëse mendonit se dhjami i trupit ishte thjesht një depo pasive për ruajtjen e kalorive, hulumtimet sugjerojnë se ai luan një rol të rëndësishëm në shëndetin tonë të përgjithshëm.
Dhjami ekziston në disa forma. Për shembull, ekziston dhjami i bardhë, i cili ruan energji dhe çliron hormone që ndikojnë në metabolizëm; dhjami kafe, i cili gjeneron nxehtësi; dhe dhjami bezhë, i cili ndodhet diku midis tyre, i cili nxit prodhimin e nxehtësisë në kushte të caktuara.
Edhe brenda këtyre kategorive, vendndodhja ka rëndësi: dhjami nën lëkurë është përgjithësisht më pak i dëmshëm, ndërsa dhjami thellë brenda barkut – i njohur si dhjami visceral – është i lidhur fort me inflamacionin, diabetin e tipit 2 dhe sëmundjet e zemrës.
Hulumtimi më i fundit, sugjeron se dhjami, ose indi dhjamor, ndihmon në mënyrë aktive në rregullimin e presionit të gjakut dhe koordinimin e përgjigjeve imune në vende kyçe.
Studiuesit në Spitalin Universitar Karolinska në Stokholm, Suedi hartuan arkitekturën qelizore të dhjamit visceral nga vende të shumta brenda barkut.
Ata zbuluan se dhjami epiploik, i cili mbështjell zorrën e trashë, është jashtëzakonisht i pasur me qeliza imune, si dhe me qeliza yndyrore të specializuara që prodhojnë proteina inflamatore të shoqëruara me aktivizimin imunitar.
Eksperimentet e mëtejshme treguan se produktet mikrobike që burojnë nga zorrët i bëjnë këto qeliza yndyrore të aktivizojnë qelizat imune aty pranë.
Sipas studimit, depot e dhjamit janë të specializuara sipas vendndodhjes së tyre anatomike, dhe ato që ndodhen më pranë zorrëve duken veçanërisht të përshtatura për ndërveprimin imunitar.
Dhjami epiploik shërben për funksione thelbësore të ngjashme tek njerëzit e të gjitha peshave trupore, pasi të gjithë kanë pak yndyrë që rrethon zorrën e tyre.
Zorra është vazhdimisht e ekspozuar ndaj lëndëve ushqyese, produkteve mikrobike dhe substancave që vijnë nga mjedisi ynë.
Indi dhjamor ndihmon në koordinimin e reaksioneve imune dhe ofron një shtresë shtesë mbrojtjeje.
Megjithatë, në obezitet, ky sistem mund të bëhet kronikisht i mbiaktivizuar.
Ushqimet me përbërje të veçanta bakteriale brenda mikrobiomës së zorrëve mund të nxisin potencialisht sinjalizim imunitar të vazhdueshëm në dhjamin e zorrëve, duke kontribuar në inflamacionin e shkallës së ulët – të lidhur me një sërë gjendjesh metabolike, të tilla si diabeti i tipit 2 dhe obeziteti.
Nga George Odling – Daily Mail Një hetim zbulon se trafikantët shqiptarë të drogës po shesin telefona celularë të lidhur me bazën e klientëve të tyre në TikTok për më shumë se 300,000 paund. Bandat kriminale kanë ndërtuar “linja” kaq fitimprurëse përdoruesish britanikë që blejnë drogë nëpërmjet një numri të vetëm telefoni, ku vetë pajisja mund të vlejë […]
Plagjiatura ka ekzistuar gjithmonë. Që nga koha e Romës së Lashtë, kur fjala plagiarius nënkuptonte “rrëmbyes”, e deri te shkrimtarë si Chaucer, Shakespeare apo Dickens, huazimi i ideve dhe fjalëve ka qenë pjesë e pandarë e krijimtarisë.
Por sot, në epokën e inteligjencës artificiale, kufiri mes frymëzimit dhe vjedhjes intelektuale po bëhet më i paqartë se kurrë.
Libri i ri i akademikut Roger Kreuz, Strikingly Similar, tregon me shembuj se sa shpesh edhe figura të mëdha kanë kopjuar: nga Bob Dylan e deri te Joe Biden.
Madje edhe fjalimi i Dylan-it për Çmimin Nobel kishte gjurmë nga një burim i papritur: SparkNotes. Megjithatë, libri më shumë mbledh anekdota sesa që ofron një përgjigje të fortë për dilemën kryesore: çfarë është sot plagjiatura?
Me ardhjen e modeleve të mëdha të gjuhës si ChatGPT apo Claude, pyetja është bërë edhe më e mprehtë.
Këto sisteme trajnohen mbi miliona tekste, shpesh të mbrojtura nga e drejta e autorit, dhe prodhojnë përmbajtje që nganjëherë ngjason shumë me burimet origjinale.
Autorë dhe botues tashmë kanë nisur procese gjyqësore, duke akuzuar kompanitë e IA-së për “vjedhje sistematike në shkallë masive”.
Anthropic, për shembull, ka rënë dakord të paguajë 1.5 miliardë dollarë për përdorimin e librave pirate në trajnim.
Po përdoruesit? Kreuz argumenton se përdorimi i IA-së nuk të bën domosdoshmërisht plagjiator, sepse ajo nuk kopjon një tekst të vetëm, por përmbledh një oqean burimesh.
Kritikët nuk janë dakord: ata e shohin këtë si një krim me dy shtresa, IA vjedh nga autorët dhe përdoruesi përfiton duke e paraqitur rezultatin si të vetin.
Historia sugjeron se ky debat nuk është i ri. T.S. Eliot thoshte se poetët e dobët imitojnë, ndërsa ata të mirë “vjedhin” dhe e shndërrojnë atë që marrin në diçka më të mirë.
Gjykatat sot po përballen pikërisht me këtë pyetje: a krijon IA diçka vërtet të re, apo thjesht riciklon?
Teknologjia po e ndryshon sërish lojën. Universitetet përdorin IA për të zbuluar punime të shkruara nga IA, ndërsa studentët përdorin mjete të tjera për t’i bërë ato të duken “më njerëzore”.
Plagjiatura, thotë një drejtues i Turnitin, shpesh tingëllon “bezhë”: e saktë, por pa jetë.
Në fund, ndoshta nuk kemi hyrë në një epokë të re të vjedhjes, por në një fazë ku krijimtaria, ligji dhe teknologjia po përplasen më fort se kurrë.
Dhe si gjithmonë, historia e plagjiatorit mbetet një dramë që publiku e ndjek me kënaqësi, sepse asgjë nuk është më argëtuese sesa rënia e një “gjeniu” të rremë. / Economist, Shqip.al
Eksperti Enea Janko prezantoi sot prezantojë studimin e tij të fundit mbi popullsinë shqiptare për periudhën 2025–2030. Janko i ftuar në emisionin ‘News24 Fundjavë’ të gazetares Megi Latifi, duke iu referuar të dhënave tha se popullsia rezidente në Shqipëri do të vazhdojë të bjerë, ndërsa ajo në emigracion do të rritet dhe do ta tejkalojë përfundimisht popullsinë brenda vendit.
Një analizë që tregon pasojat e këtij fenomeni mbi politikat publike, tregun e punës dhe strategjitë e kompanive prodhuese shqiptare, duke u bërë një udhërrëfyes i domosdoshëm për vendimmarrësit dhe bizneset që duan të përballojnë sfidat e së ardhmes.
“Kam studiuar popullsinë brenda vendin nga 2011, deri në 2023 dhe me radhë popullsinë në 1 janar 2024, 2025, sipas të dhënave të INSTAT. Për popullsinë i jam referuar burimeve zyrtare, vizave emigruese në SHBA apo dhe në vendet e tjera ku jetojnë shqiptarët. Është studim i plotë. Jam treguar i kujdesshëm që të jem i saktë, pa shkuar në ekstreme. 0-14 ka rënë një përqindje sa i takon emigrimit. Janari 2026, është viti i parë që popullsia e Shqipërisë, i referohemi regjistrit të gjendjes civile jo diasporës, që është jashtë vendit, e ka kaluar atë brenda vendit.”, tha ai./kb
Flutura nga Prishtina nuk e kishte imagjinuar kurrë se jeta e vajzës së saj do të merrte një rrugë aq të rrezikshme. Për vite me radhë, gjithçka dukej normale – një vajzë e re që shkonte në shkollë, bisedonte me shoqet, ëndërronte për të ardhmen. Por brenda saj, diçka po ndryshonte ngadalë dhe fshehurazi.
Vajza filloi të përdorte substanca narkotike në moshën 16-vjeçare… dhe Flutura nuk e kuptoi menjëherë. “Momenti kur e kuptova ka qenë sikur të ma nxirrnin zemrën nga vendi”, kujton ajo për Radion Evropa e Lirë. Flutura përpiqej ta këshillonte vajzën, por ndjehej e pafuqishme. “Vetë kam vuajtur si kafshë”, thotë ajo. Vajza e kishte fshehur mirë përdorimin e drogës – me gënjeshtra që i bënin prindërit t’i humbnin gjurmët. Ditët kalonin, dhe Flutura filloi të kuptonte se diçka nuk shkonte siç duhej. Vetëm kur vajza mbushi 18 vjet, e vërteta shpërtheu para saj. “Kemi biseduar shumë. Është një histori e gjatë në familjen tonë”, thotë ajo, pa dashur ta kujtojë shumë atë kohë.
Vajza e saj, tani në mes të 20-tave, kishte ndërprerë përdorimin e drogës për një periudhë, por më pas e rifilloi. “Kemi besuar se ishte vetëdijesuar, kishte filluar të mësonte, të punonte dhe të ndërtonte jetën e vet. Por, më vonë, për të përballuar dy punë – siç na thoshte – ajo nisi të përdorte kokainë, duke humbur gjithçka që kishte krijuar”, rrëfen Flutura. Sipas saj, një nga faktorët kryesorë që e shtynë fëmijën në këtë rrugë, ishte ndikimi i shoqërisë.
“Ajo u njoh me një shok që kishte filluar të konsumonte drogë që nga mosha 10-vjeçare. Ky shok ndikoi shumë në jetën e saj, duke e kushtëzuar dhe kontrolluar në mënyrë të dukshme. Për vite me radhë, jeta e fëmijës sonë ishte në duart e tij”, thotë kjo nënë teksa sheh vajzën në gjendje të rënduar. Historia e Fluturës nuk është një rast i izoluar. Një dukuri në rritje tek fëmijët dhe të rinjtë
Sot, edhe fëmijë të moshës 10-15 vjeç bien pre e përdorimit të substancave narkotike. Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Faton Kutllovci, tregon se, më herët, nuk ka pasur përhapje të madhe të përdorimit të drogës te të rinjtë. Sipas një vlerësimi institucional, mosha mesatare e përdoruesve të drogës në Kosovë është rreth 16 vjeç – një rënie nga 21.4 vjeç që ishte më herët. “Ne kemi trajtuar fëmijë edhe nga 9-10 vjeç, për të cilët prindërit kanë kërkuar ndihmë”, thotë Kutllovci për REL-in. Vetëm gjatë vitit të kaluar, Klinika e Fëmijëve dhe Adoleshentëve në Psikiatri pranoi 28 raste të fëmijëve për trajtim. Nga këta, shumica ishin djem – përdorues të marihuanës, ndërsa dy raste edhe të kokainës. Doktoreshë Adelina Ahmeti Pronaj thotë se shumë prej tyre janë ende në trajtim. “Prindërit vijnë te ne shumë të shqetësuar, pas sjelljeve jo të zakonshme që vërejnë te fëmijët e tyre”, shpjegon ajo.
Të dhëna shqetësuese për përdorimin e drogave
Sipas të dhënave që siguroi Radio Evropa e Lirë nga Klinika e Psikiatrisë në QKUK, Ministria e Punëve të Brendshme dhe organizatat joqeveritare, numri i përdoruesve të drogave në Kosovë sillet në rreth 40 mijë. Vitin e kaluar, në Psikiatri u dhanë mbi 30 mijë shërbime të ndryshme, ndërsa u regjistruan mbi 150 raste të reja “si persona që kanë përdorur substanca narkotike ose kanë pasur sëmundje të varësisë”.
Kutllovci paralajmëron se shifrat reale mund të jenë shumë më të larta. “Dukuria po shtrihet edhe në fshatra, ku më parë nuk kishte përdorim. Disa nga këto zona, madje, shërbejnë si pika distribuimi për drogë në vende të tjera”, thotë ai. Kutllovci identifikon faktorët socialë, problemet familjare dhe mungesën e perspektivës si arsyet kryesore të rritjes së përdorimit të drogës te të rinjtë. Kanabisi mbetet droga më e përhapur, por ka rritje të përdorimit edhe të kokainës dhe medikamenteve pa recetë. Safet Blakaj, nga Qendra për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë “Labirint” në Kosovë, shpjegon më shumë:
“Kanabisi është i përhapur në gjithë territorin. Neve na shqetëson tani përdorimi i kokainës, për arsye se ka shënuar rritje të shpejtë në vitet e fundit”.
Sipas Blakajt, mosha e përdoruesve ka rënë dukshëm dhe “14-17-vjeçarët janë më të rrezikuarit”. “Në organizatën tonë trajtohen përdoruesit e moshave 14,15,16,17 vjeç… Moshat më të ulëta i kemi hasur në terren, janë evidente, por nuk janë në programet tona”, thotë Blakaj.
Përhapja e gjerë
Raportet e organizatave joqeveritare tregojnë se përdorimi i drogës është më i përhapur në Prishtinë, pastaj Pejë, Gjakovë, Ferizaj. Në këto qytete, rritja e rasteve të raportuara te të rinjtë po bëhet një shqetësim gjithnjë e më serioz. Mjekët e Spitalit të Gjakovës thonë se dita-ditës po rritet numri i personave që kërkojnë ndihmë.
“Fatkeqësisht, edhe të rinjtë kanë filluar të përdorin substanca narkotike, kryesisht marihuanë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zef Komoni, udhëheqës i Departamentit të Psikiatrisë në Spitalin e Gjakovës.
“Nuk mund të flasim saktë për shifra, sepse shumica nuk kërkojnë ndihmë derisa problemi të bëhet i madh. Por, nga konfiskimet e policisë dhe të dhënat që i kemi, duket qartë se numri po rritet – jo vetëm në shkollat e mesme, por edhe në shkollat fillore, si dhe në fshatra”, shpjegon Komoni. Aktualisht, rreth 40 persona të moshave të ndryshme që përdorin substanca narkotike, marrin trajtim të përditshëm me metadon në spitalin e Gjakovës.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, në këtë qytet u identifikuan 25 raste të reja të përdoruesve të drogës. “Përdorimi më i madh i marihuanës shihet në Gjakovë, për shkak të pozicionit gjeografik dhe faktit se qyteti shërben si pikë transiti për furnizim me marihuanë për të gjithë Kosovën”, shton Komoni.
Edhe në spitalin e përgjithshëm në Pejë, aktualisht, janë duke u trajtuar 25-30 pacientë për përdorim të drogave. Sipas zyrtarëve atje, numri i tyre ka mbetur i njëjtë që nga viti 2024 – pa ndonjë rritje të theksuar. Në Ferizaj, situata duket ndryshe: ka raportime për përdorues drogash, por asnjë rast nuk është duke u trajtuar në spital. “Për vite të tëra nuk kemi pasur raste që kërkojnë trajtim në spitalin tonë”, thotë Minire Beqiri, drejtoreshë e institucionit. Në Gjilan, po ashtu, rastet janë në rritje, ndërsa në Mitrovicë të Jugut, vitin e kaluar, u regjistruan dhjetëra raste të pacientëve që kërkuan ndihmë mjekësore, si pasojë e abuzimit me substanca psikoaktive.
“Bazuar në vëzhgimet klinike dhe në krahasimin e rasteve të paraqitura në vitet e fundit, vërehet një tendencë e lehtë deri e moderuar e rritjes së numrit të pacientëve që kërkojnë trajtim për çrregullime të lidhura me përdorimin e substancave psikoaktive”, tha për Radion Evropa e Lirë Gëzim Shabani, specialist i Psikiatrisë në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë të Jugut.
Sipas drejtorëve të disa spitaleve të përgjithshme në Kosovë, me të cilët bisedoi REL-i, rastet më të rënda referohen kryesisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të specializuar.
Shërbimet dhe mungesa e qendrave të rehabilitimit
Klinikat psikiatrike ofrojnë seanca psikiatrike dhe psikologjike, teste, psikoterapi individuale dhe grupore dhe këshillim për prindërit. Qendrat si “Labirinit” ofrojnë, po ashtu, shërbime të ngjashme për mijëra persona në vit. Por, sipas Kutllovcit, mungesa e një qendre kombëtare për trajtimin e drogës e bën situatën të vështirë. “Ne nuk kemi institucion që të ofrojë trajtim fillestar, rehabilitim dhe kujdes pas trajtimit. Aktualisht, kjo nuk po ndodh”, thotë ai.
Ministria e Shëndetësisë konfirmon për Radion Evropa e Lirë se Strategjia Shtetërore Kundër Drogave 2024-2028 është në zbatim e sipër dhe se përfshin aktivitete për fëmijët dhe Udhëzimin Administrativ për mbrojtjen nga abuzimi me narkotikë.
“Strategjia parasheh nevojën për ngritje të përgjithshme të kapaciteteve institucionale, qoftë për hetimin dhe luftimin e dukurisë së drogës, trajtimin adekuat të personave që përdorin drogë dhe të personave me çrregullime të përdorimit të substancave, si dhe rritjen e bashkëpunimit në mes të institucioneve, veçanërisht nevojën për të dhëna specifike në këtë fushë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, strategjitë e parandalimit të abuzimeve duhet të bazohen në prova shkencore dhe t’i kenë në shënjestër familjet, shkollat dhe komunitetet, sidomos ato që janë më të margjinalizuara dhe më të varfra.
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë kanë deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se çdo vit organizojnë aktivitete edukative dhe shëndetësore për të adresuar dukuri si: varësia nga droga, përdorimi i duhanit dhe alkoolit. Këto aktivitete përfshijnë shpërndarjen e materialeve edukative dhe nxitjen e vetëdijesimit për shëndetin te nxënësit dhe komuniteti.
Me Kodin Penal të Kosovës, blerja, posedimi dhe shpërndarja e substancave narkotike është e ndaluar dhe dënohet me gjobë ose burgim, në varësi të sasive dhe llojit të substancës. Por, për shkak të numrit të madh të përdoruesve, “duket sikur marihuana në praktikë është e legalizuar”, thotë Blakaj.
Në raportimet ditore të Policisë së Kosovës ka shpesh njoftime për konfiskim të substancave narkotike – vetëm këtë javë u konfiskuan mbi 80 kg dhe u arrestuan tre persona. Për nënat si Flutura, çdo lajm për drogën tani shndërrohet në një alarm që nuk mund të ndalet dot. “Ajo ka humbur gjithë pasurinë”, përfundon Flutura./kb
Hakil Osmani nga MeteoAlb ka bërë parashikimin e motit për këtë fundjavë dhe javën që po vjen, duke theksuar se do të mbizotërojë moti i paqëndrueshëm.
Sipas tij, gjatë fundjavës vranësirat do të shtohen në orët e pasdites, duke sjellë reshje shiu, ndërsa në zonat malore do të ketë rishfaqje të dëborës.
“Kjo fundjavë do të vijojë të jetë e paqëndrueshme ku gjatë orëve të pasdites vranësirat do bëhen më të dukshme duke bërë që të kemi prezente reshjet e shiut. Në zonat e thella malore do ketë rishfaqje të reshjeve të dëborës.
Në orët e pasdites të së dielës dhe në mbrëmje, reshjet e shiut do të jenë më intensive dhe do të shoqërohen me erë të fortë, duke vijuar deri në mëngjesin e ditës së hënë.
Më pas, dita e martë sjell përmirësim me mot më të qendrueshëm, por nga e mërkura moti do të kthehet sërish i paqëndrueshëm. Ditët e fundit të janarit do të përfundojnë gjithashtu me kushte të paqëndrueshme të motit.
Java që vjen parashikohet me një rënie të lehtë të temperaturave, ku minimumi do të jetë rreth 0 gradë Celsius, ndërsa maksimumi arrin 15 gradë Celsius, tha Osmani.
Ditën e shtunë, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura në të gjithë territorin.
Reshjet e shiut do të jenë prezente që në orët e para të mëngjesit, fillimisht me intensitet të ulët përgjatë vijës bregdetare.
Pas orëve të mesditës, reshjet do të shtrihen në pjesën më të madhe të vendit, kryesisht me intensitet të ulët. Në veriperëndim dhe lokalisht në jugperëndim priten reshje shiu me intensitet deri mesatar, të shoqëruara me shtrëngata afatshkurtra.
Në zonën e Alpeve si dhe në verilindje–lindje, në lartësitë mbi 800–900 metra, reshjet do të jenë në formën e borës me intensitet të ulët.
Era do të fryjë nga verilindja në juglindje me shpejtësi mesatare rreth 8 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore do të arrijë deri në 16 m/s. Deti do të ketë valëzim të forcës 4–5 ballë.
TIRANË, 24 janar /ATSh/ Hyrja e bankës së parë digjitale në tregun financiar shqiptar përbën një risi të rëndësishme për sistemin bankar, duke shënuar një hap drejt modernizimit të shërbimeve financiare dhe përafrimit me standardet evropiane.
Ky zhvillim pritet të sjellë një model të ri operimi, të bazuar tërësisht në teknologji digjitale, si dhe të rrisë konkurrencën në treg.
Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, vlerësoi se Shqipëria ka treguar gatishmëri për të përqafuar risitë, edhe pse përballet ende me sfida infrastrukturore dhe informuese.
“Hyrja e bankës digjitale do të na afrojë më shumë me tregjet bankare evropiane dhe do të rrisë konkurrueshmërinë e sistemit financiar”, u shpreh Radonshiqi.
Sipas saj, përvoja pozitive e qytetarëve me shërbimet online ka treguar se digjitalizimi sjell përfitime konkrete, duke reduktuar kohën dhe kostot si për individët, ashtu edhe për bizneset, përfshirë zonat rurale. E njëjta prirje pritet të reflektohet edhe në sistemin bankar, përmes rritjes së efikasitetit dhe aksesit në shërbime financiare.
“Banka digjitale nënkupton kosto më të ulëta transaksionesh, kursim kohe dhe rritje të konkurrueshmërisë, si në aspektin e të bërit biznes, ashtu edhe në realizimin e operacioneve financiare”, tha ajo.
Radonshiqi theksoi se banka e re digjitale pritet të shërbejë si model për bankat e tjera tregtare, duke nxitur digjitalizimin e mëtejshëm të shërbimeve dhe orientimin e tregut bankar drejt inovacionit teknologjik.
Megjithatë, krahas risive që sjell, digjitalizimi i plotë i shërbimeve bankare shoqërohet edhe me sfida të rëndësishme, ku kryesorja mbetet siguria kibernetike. Sipas ekspertes, rritja e përdorimit të platformave digjitale ekspozon sistemin financiar ndaj rreziqeve të reja, përfshirë sulmet kibernetike, të cilat mbeten një shqetësim për qytetarët dhe bizneset.
“Pavarësisht lehtësive dhe efikasitetit që ofron banka digjitale, sfida kryesore lidhet me garantimin e sigurisë së të dhënave dhe transaksioneve financiare. Kjo kërkon masa të shtuara sigurie dhe bashkëpunim të ngushtë mes bankave dhe institucioneve rregullatore”, theksoi Radonshiqi.
Sipas saj, adresimi i sfidës së sigurisë kibernetike do të jetë vendimtar për ndërtimin e besimit të publikut dhe për suksesin afatgjatë të modelit të bankës digjitale në Shqipëri, duke e kthyer këtë risi në një faktor pozitiv për zhvillimin e gjithë sistemit bankar.
Banka e parë digjitale, e cila ka marrë miratimin nga Banka e Shqipërisë, do të operojë pa degë fizike, duke ofruar shërbime bankare përmes platformave digjitale. Modeli i saj synon të kombinojë teknologjinë e avancuar me procedura të thjeshtuara, kosto më të ulëta transaksionesh dhe një qasje të përqendruar te klienti, duke ndryshuar mënyrën tradicionale të ndërveprimit me bankën.
Mijëra mbështetës të presidentit të rrëzuar të Venezuelës, Nicolás Maduro, i cili u kap së bashku me bashkëshorten e tij gjatë operacionit ushtarak amerikan të 3 janarit, protestuan në Karakas duke kërkuar lirimin e tij. Protesta u mbajt të premten (23/1), në ditën e përvjetorit të 68-të të rënies së diktaturës së Marcos Pérez Jiménez […]