Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Meta tregon kushtet në qeli: Dje ikën dritat 42 herë, po vdesin të burgosurit nga mungesa e trajtimit shëndetësor

By: V K
3 February 2026 at 14:25

Me anë të një postimi në “Facebook”, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nga burgu i është përgjigjur ministrit të drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili në Parlamenti tha ndër të tjera se, “nuk ka patur persekutim politik për Ilir Metën”.

Ish-presidenti i Republikës e ironizon duke e quajtur “Diella” e Drejtësisë dhe “pjellë e AKSHI-t”, sipas tij simbol i korrupsionit.

Meta ngre shqetësimet dhe problematikat me të cilat përballen të burgosurit, si mungesa e dritave, ujit apo edhe shërbimeve shëndetësore.

 

 

“Dëgjova “Diellën” e Drejtësisë që fliste për situatën në burgje dhe meqë nuk e di po e njoftoj që vetëm dje ka ikur 42 herë energjia elektrike te IEPV “Jordan Misja”, jo vetëm për mua, por për rreth 500 të burgosur e të paraburgosur që ndodhen këtu.

A e di “Diella” e Drejtësisë që këtu ka vetëm 3 orë ujë në ditë?
A e di “Diella” e Drejtësisë që në burgje vdesin qytetarë për mungesën e trajtimit të duhur shëndetësor?

A e di “Diella” e Drejtësisë që gardianët nuk kanë marrë asnjë qindarkë shpërblim për punën jashtë orarit, as ushqimin, as trajtimin që meritojnë sipas ligjit?
E ç’mund të presësh nga “Diellat”?

The post Meta tregon kushtet në qeli: Dje ikën dritat 42 herë, po vdesin të burgosurit nga mungesa e trajtimit shëndetësor appeared first on Albeu.com.

Arrestimi i Ilir Metës, ministri Lamallari në Kuvend: Nuk ka persekutim politik, pretendimet e kreut të PL të pabazuara

By: Fax Web
3 February 2026 at 11:47

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari theksoi në Kuvend se pretendimet e kreut të Partisë së Lirisë se po mbahet në burg për arsye politike nuk qëndrojnë, duke cituar raportin e Avokatit të Popullit.

“U tha një pretendim për mohim të lirisë së fjalës, së shprehjes, raporti përmend, citoj këtu në faqen 22, se në përfundim të shqyrtimit të këtij rasti, shprehim se përdorimi i lirisë së shprehjes duhet të bëhet në përputhje me nenin 10 të Konventës Kombëtare. Avokati i Popullit, vijon raporti, nuk promovon apo amniston përdorimin e gjuhës së urretjes, së ashpër, fyese apo denigruese në media por imponon detyrimin për përdorimin e saj në përputhje të përgjegjshme.

Sa i përket pretendimeve për burg politik, nga analizimi i informacioneve, rezulton se nuk qëndrojnë dhe janë të pabazuara, pra avokati i popullit konfirmon të kundërtën. Nuk ka persekutim politik. Dhe nuk kemi cënim të lirisë së shprehjes për sa kohë duhet balancë nga njëra anë lirisë së shprehjes dhe detyrimet që kanë institucionet për të garantuar sigurinë”, u shpreh Lamallari.

Po ashtu, duke iu përgjigjur komenteve të Tedi Blushit më herët në Kuvend, ministri theksoi se:

“Për të kërkuar interpelancë dhe rrjedhimisht vëmendje të posaçme pë një person të veçantë, Ilir Meta. Do të doja që kjo sallë dhe interpelanca si instrument kushtetues të përdoret për misionin që kemi këtu, përfaqësimit të atyre qindra e mijëra qytetarë që presin nga ne dhe jo të presin diskursin e emrave të përveçëm, që për fat të keq opozita po dështon ta lërë pas, ku flet në emër të drejtësisë si prokurorë e gjyqtar për kundërshtarët politikë, mban interpelanca për frymëzuesit e partive të tyre duke dashur t’i heqë nga duart e drejtësisë.”

 

Blushi: Burgjet i keni kthyer në geto/Lamallari i përgjigjet: Ish-presidenti trajtohet njësoj me të tjerët

By: lindita
3 February 2026 at 11:53

Në seancën e sotme plenare po mbahet interpelanca me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, e kërkuar nga deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi. Në fjalën e tij në foltore, Blushi u shpreh se burgjet dhe paraburgimi janë kthyer në vend të një institucioni rehabilitime, në një makineri dhune dhe terrori. “Ministër, ju kam thirrur në interpelancë për të dhënë llogari për një krim…

Source

“Pastrohet” stoku i dosjeve/ Ministri Lamallari: KLGJ shton ndihmës ligjore, hap pozitiv

1 February 2026 at 15:19

41 ndihmës ligjor, pritet që t’i shtohen Gjykatave të Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit të Përgjithshëm. Së fundmi Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka miratuar vendimin që i hap rrugë plotësimit të 41 vakancave dhe do të ndihmojë në uljen e stokut të dosjeve.

Këtë vendim të KLGJ, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari e ka cilësuar si një hap konkret që i shërben përshpejtimit të dhënies së drejtësisë.

“Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e 41 vendeve vakante për ndihmës ligjorë në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit, është një lajm i mirë. Një hap konkret që i shërben drejtpërdrejt uljes së stokut të dosjeve dhe përshpejtimit të dhënies së drejtësisë. Shtimi i kapaciteteve dhe forcimi i burimeve njerëzore në sistemin tonë të drejtësisë nuk është thjesht një masë administrative, por një zgjedhje politike në funksion të qytetarëve, për një drejtësi më efikase, më të shpejtë dhe më të besueshme. Sigurisht edhe me standarde të panegociueshme demokratike njësoj si në vendet e Bashkimit Evropian”, tha Lamallari.

Ngarkesa më e madhe e stokut të dosjeve, vijon të jetë në Gjykatën e Apelit, por edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Procesi i vettingut nxori jashtë sistemit më shumë se gjysmën e trupës së magjistratëve. Për rrjedhojë, në gjykata u krijuan vakanca të shumta që vijojnë të mbeten të paplotësuara prej vitesh.

Sipas të dhënave nga KLGj, struktura organizative për të gjitha gjykatat parashikon 417 gjyqtarë. Organika faktike aktuale rezulton të ketë 308 gjyqtarë të emëruar, nga të cilët janë efektivisht në detyrë 265. Në situatë më dramatike shfaqet Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, që duhet të ketë në përbërje 78 gjyqtarë. Aktualisht në këtë gjykatë janë të emëruar 33 gjyqtarë.

/abcnews.al/

Lamallari: Miratimi i 41 vendeve vakante nga KLGJ, hap pozitiv për uljen e stokut të dosjeve

1 February 2026 at 14:30

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përshëndeti vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e 41 vendeve vakante për ndihmës ligjorë në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit.

Lamallai theksoi se ky është një hap konkret që i shërben drejtpërdrejt uljes së stokut të dosjeve dhe përshpejtimit të dhënies së drejtësisë.

Sipas ministrit Lamallarit, ky vendim i shërben drejtpërdrejt uljes së stokut të dosjeve dhe përshpejtimit të procesit të dhënies së drejtësisë, një nga problematikat më të ndjeshme me të cilat përballet sot sistemi gjyqësor në vend.

“E shtrova nevojën e kësaj ndërhyrjeje edhe në takimin e së hënës për nisjen e vitit të ri gjyqësor. Shtimi i kapaciteteve dhe forcimi i burimeve njerëzore në sistemin tonë të drejtësisë nuk është thjesht një masë administrative, por një zgjedhje politike në funksion të qytetarëve, për një drejtësi më efikase, më të shpejtë dhe më të besueshme. Sigurisht edhe me standarde të panegociueshme demokratike njësoj si në vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi Lamallari.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas analizimit të situatës së sistemit gjyqësor dhe mundësive që ka Shkolla e Magjistraturës, miratoi numrin prej 10 kandidatë për magjistratë, profili gjyqtar dhe 6 kandidatë për ndihmës ligjorë në Gjykatat e Apelit dhe 35 kandidatë për ndihmës ligjorë në Gjykatat e Shkallës së Parë që do të pranohen në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2026-2027.

/m.q/j.p/

The post Lamallari: Miratimi i 41 vendeve vakante nga KLGJ, hap pozitiv për uljen e stokut të dosjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Veprat penale të dënueshme deri në 3 vite të mos ndiqen në paraburgim

30 January 2026 at 15:25

TIRANË, 30 janar /ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, tha sot se duhet të merren masa konkrete që vepra të lehta mos të ndiqen në kushtet e paraburgimit.

Gjatë një konferencë për gazetarët, ministri theksoi se veprat e lehta dhe me parrezikshmëri shoqërore që mund të dënohen deri në 3 vite, propozohen të mos ndiqen në kushte paraburgimi, në bazë të rastit.

Lamallari shtoi më tej se për veprat e mesme që kanë rrezikshmëri jo të theksuar, por duan vëmendje, propozohet rreth 1 vit paraburgim dhe për veprat e rënda rreth 2 vite.

“Tryeza e djeshme ishte një mundësi e shkëlqyer për të bërë bashkë të gjithë aktorët në vend. Një diskutim shumë informues dhe konstruktiv nga prezantimet që u bënë dhe janë përgatitur rekomandimet, ku me të drejtë thuhet që ka ardhur koha që Shqipëria të përfaqësojë plotësisht standardet e kërkuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, po ashtu të zbatueshme në nivel të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, atyre që ne duam t’u përafrohemi, ku erdhën me masa konkrete për pragun që duhet të zbatohet për masa të caktuara, duke i ndarë në vepra të lehta e të rënda, pasi nuk ka kuptim që veprat e lehta të ndiqen në kushte paraburgimi, përkundrazi ata janë kosto humane, financiare, njerëzore dhe nuk përbëjnë kurrfarë rreziku që mund të citohet apriori në vendimet e gjykatave, për të njohur këtë kërkesë të prokurorisë, për futjen në paraburgim të personave, për veprat e lehta dhe me parrezikshmëri shoqërore.

“Ata vijnë me një propozim konkret që për veprat e dënueshme deri në 3 vite mos të aplikohet, duke e parë rast pas rasti dhe kjo kërkon një analizë të theksuar se cilat janë veprat që mund të dënohen deri në 3 vite, por për nga natyra mund të përjashtohen nga ky rishikim dhe nga ana tjetër ata prekën me të drejtë, kufijtë deri ku mund të aplikohet masa e paraburgimit për një person, si për 1 vit maksimumi për vepra të mesme që ato i klasifikuan, pra të një rrezikshmërie jo e theksuar, por që kërkon vëmendjen e autoriteteve, apo deri në 2 vite për veprat e rënda. Kjo nënkupton një përgjegjësi të shtuar edhe për organet e drejtësisë që të kryejnë veprime hetimore dhe në kohën më të shpejtë të mundshme, pasi drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”,  tha Lamallari.

Ministri i Drejtësisë, deklaroi se propozimet për paraburgimin, vijnë për shkak se ka një numër shumë të lartë njerëzish, të cilët ndodhen të paraburgosur dhe ende presin një vendim fajësie.

/m.q/j.p/

The post Lamallari: Veprat penale të dënueshme deri në 3 vite të mos ndiqen në paraburgim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari për ATSh: Masterplan për përmirësimin e godinave të gjyqësorit, rritje e sigurisë

30 January 2026 at 20:58

TIRANË, 30 janar /ATSh-Marseda Qefalia/ Qeveria shqiptare ka parashikuar një masterplan me qëllim rritjen e sigurisë në institucionet e drejtësisë, përmes përmirësimit dhe modernizimit të infrastrukturës gjyqësore. Investimet synojnë krijimin e një mjedisi më të sigurt për zhvillimin e proceseve gjyqësore si dhe rritjen e standardeve të aksesit në godinat e gjyqësorit.

Kështu bëri të ditur ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSh) gjatë një konference për shtyp, në lidhje me përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore për të rritur sigurinë në gjykata.

“Siç e ka lançuar dhe kryeministri, qeveria shqiptare ka vizionin e qartë dhe angazhimin e plotë për të vijuar me masterplanin e godinave të gjyqësorit, ku përfshihen jo vetëm gjykatat, por edhe prokuroritë”, tha Lamallari.

Lamallari nënvizoi se Ministria e Drejtësisë ka udhëhequr procesin e mbledhjes së informacionit nga gjykatat dhe prokuroritë në të gjithë vendin, duke evidentuar problematikat aktuale, përfshirë sigurinë e objekteve dhe mungesën e hapësirave të përshtatshme për ushtrimin e detyrës.

“Ministria e Drejtësisë ka kryesuar punën për mbledhjen e informacionit të disponueshëm nga gjykata dhe prokuroritë në të gjithë vendin, si në kuptim të gjendjes aktuale, ku përfshihet dhe siguria dhe hapësirat e pamjaftueshme për ushtrimin e detyrës, por edhe pritshmëritë e tyre për nevojat si në kuptim të hapësirave fikse, si për stafet që punojnë aty, për gjyqtarë, prokurorët, stafet ndihmës dhe ato për arkivimin e dosjeve”, u shpreh ai.

Lamallari theksoi gjithashtu se po shqyrtohen modele të suksesshme ndërkombëtare, kryesisht nga Italia dhe vende të tjera evropiane, ku funksionojnë të ashtuquajturat “parqe të drejtësisë”, ku institucionet e drejtësisë janë të përqendruara në një hapësirë të përbashkët.

“Por, nga ana tjetër, duke parë edhe modele të ndryshme që ekzistojnë kryesisht në Itali, por edhe në vende të tjera, të parqeve të drejtësisë, ku bëhen bashkë të gjitha këto institucione, të cilat në fund të ditës, jo vetëm është e lehtë dhe më praktike, në kuptim të përditshmërisë të punës të gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët e ushtrojnë aktivitetin në një ambient të përbashkët, por edhe të aksesit në drejtësi për qytetarët. Nuk ka kuptim që një qytetar i cili i nënshtrohet një procesi gjyqësor të shkojë sa në prokuroi, më pas të bëjë disa kilometra për të shkuar në gjykatë”, tha ai.

Megjithatë, Ministri i Drejtësisë theksoi se bëhet fjalë për një reformë masive, e cila do të zbatohet për herë të parë në Shqipëri dhe kërkon financim dhe kohën e nevojshme që të jetë sa më e koordinuar.

“Por duhet të jemi realistë që kjo është një reformë masive, që do të implementohet për herë të parë në Shqipëri dhe kërkon jo vetëm mbështetje të fortë financiare, për të cilën qeveria shqiptare është angazhuar, por kërkon edhe kohën e nevojshme, në mënyrë që të jetë sa më e koordinuar, duke prioritizuar këtu ato gjykata dhe prokurori që janë në gjendje më emergjente për ndërhyrje.

/m.q/j.p/r.e/

The post Lamallari për ATSh: Masterplan për përmirësimin e godinave të gjyqësorit, rritje e sigurisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rasti i Irena Gjokës në KLGJ, a ndikon në integritetin e Reformës Gjyqësore? Ja si përgjigjet ministri i Drejtësisë

By: Fax Web
30 January 2026 at 13:11

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari tha se nuk i takon ministrisë së Drejtësisë të komentojë raste kur ILD kryen hetim disiplinor apo në rastin e Irena Gjokës, çështja e të cilës po diskutohet në KLGJ.

I pyetur nga gazetarët nëse rasti i saj ndikon në integritetin e reformës në drejtësi ministri u shpreh se “pavarësia në drejtësi nuk ka kuptim pa llogaridhënie”.

“Unë respektoj detyrën e tyre dhe nuk është  detyra e ministrisë së drejtësisë të komentojë mbi raste konkrete që kanë të bëjnë qoftë me hetime disiplinore që bëhen nga ILD, apo nga KLGJ në rastin që ju përmendet”, tha ministri.

Pyetje: Në KLGJ po mbahet një seancë për Irena Gjokën, ku sipas Prokurorisë së Përgjithshme kjo e fundit ka gënjyer dhe ka një dënim në Greqi, a mendoni se ky rast ndikon në integritetin e reformës në drejtësi?

Besfort Lamallari: Ne do flasim për nevojën e pavarësisë së drejtësisë, por pavarësia nuk ka kuptim pa llogaridhënien. Institucionet nder veprojnë me njëri tjetrit, duke respektuar pushtetin e gjithsecilit, edhe duke qenë të kujdesshëm në komentimin e çështjeve konkrete që adresohen, në rastin konkret nga KLGJ. Unë respektoj detyrën e tyre dhe nuk është  detyra e ministrisë së drejtësisë të komentojë mbi raste konkrete që kanë të bëjnë qoftë me hetime disiplinore që bëhen nga ILD, apo nga KLGJ në rastin që ju përmendet. Sa i takon garantimit të kryerjes së detyrës sipas përcaktimeve ligjore dhe duke marrë në konsideratë ankesat e qytetarëve për pretendime që lidhen me zgjatje të afateve deri në pafundësi, që kjo eshtë e paarsyeshme.

Amnistia Penale shkon në Qeveri, Lamallari: Përfitojnë 10 mijë shtetas, 338 lirim të menjëhershëm

30 January 2026 at 14:56

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari bëri të ditur sot se nga Amnistia Penale do të përfitojnë rreth 10 mijë shtetas shqiptarë.

Në një konferencë për mediet, Lamallari bëri të ditur se “338 të dënuar do të lirohen menjëherë ndërsa 980 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi.

“Amnistia penale është dërguar në Këshillin e Ministrave dhe do të kemi miratimin e aktit në mbledhjen e qeverisë dhe në vijim depozitimin në Kuvend. Është një kategori shumë e madhe që përfitojnë, nga shifrat paraprake, duke përfshirë dhe procedimet e vitit 2024, numri i përfituesve është i lartë, 10 mijë shtetas që përfitojnë. 338 përfitojnë lirim të menjëhershme, 980 që përfitojnë ulje dënimi”, tha ai.

Lamallari theksoi se në këtë kategori personash hyjnë grupe vulnerabël, duke përfshirë dhe gra dhe të mitur që përfitojnë nga ky akt human.

“Kjo tregon që jemi shoqëri që duhet të orientohet drejt parandalimit, rehabilitimit dhe t’i japim një mundësi të dytë dhe mbështetje personave që në momente të caktuara bien pre e zbatimit represiv të ligjit. Duhet të ndryshojmë qasje dhe mendësi. Arresti me burg duhet të jetë fjala e fundit”, tha Lamallari.

Ministri i Drejtësisë. Besfort Lamallari, foto: Florian Abazaj
1 nga 3

The post Amnistia Penale shkon në Qeveri, Lamallari: Përfitojnë 10 mijë shtetas, 338 lirim të menjëhershëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Me miratimin e saj, përfitojnë mbi 10 mijë persona! 388 lirohen menjëherë, 900 të tjerë ulje dënimi

By: Fax Web
30 January 2026 at 12:19

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari theksoi se sapo ka firmosur aktin e ri për amnistinë penale, nga i cili janë parashikuar të përfitojnë mbi 10 mijë të burgosur dhe të paraburgosur.

“Sapo firmosur propozimin pas përfundimit të procesit së marrjes së mendimeve nga institucionet përgjegjësve të përgjegjësie për amnistinë penale, duke e dërguar këtë akt ligjor në Këshillin e Ministrave, dhe shpresoj se do të jemi shpejt miratimin e aktit dhe më pas depozitimin në Kuvend. Dua të theksoj se është një kategori e madhe personash që përfitojnë. Nga shifrat paraprake, përfshirë edhe procedimet e vitt 2024, numri i përfituesve është i lartë më shumë se 10 mijë që përfitojnë, janë 1280 persona që aktualisht janë në sistemin petinenciar, që dmth 388 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm, 900 të tjerë që përfitojnë ulje dënimi dhe me ndryshimet e fundit në draft, nga ai i lancuar më herët që prezantuam në fund të dhjetorit, duke sjellë këtu edhe faktin se kemi të tjerë që përfitojnë nga shuarja  e ndjekjes penale dhe nga të dhënat nga Prokuroria e Përgjithshme, për dy vepra që konsiderohen te lehta , ato drejtimin e parregulltt të mjetit, në 2024 llogariten 7711 procedime dhe shuhen menjëherë pas miratimit të projektligjit për amnisti, pa përfshirë këtu edhe të personave të tjerë që janë aktualisht në shërbimin e provës.”, u shpreh ministri Lamallari.

Lamallari në mbrotje të Ballukut: Ministrat gëzojnë imunitetin e deputetëve

By: armand
30 January 2026 at 12:38

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, doli sot në një konferencë për shtyp për të komentuar kërkesën e SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në vend që të mbështeste transparencën dhe pavarësinë e drejtësisë, Lamallari u përqendrua në interpretimin e imunitetit kushtetues, duke theksuar se “ministrat gëzojnë imunitetin e deputetëve”. Në një kohë kur opinioni […]

The post Lamallari në mbrotje të Ballukut: Ministrat gëzojnë imunitetin e deputetëve appeared first on BoldNews.al.

Amnistia penale, Lamallari: Së shpejti do kemi një miratim të këtij akti. Do shtohen kontrollet në burgje

By: Rovena
30 January 2026 at 12:26

Duke reaguar pas ngjarjes së ndodhur në burgun e Durrësit, ku u arratis i burgosuri Altin Ndoci, Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari deklaroi se institucionet kanë vepruar menjëherë, duke vënë para drejtësisë personat përgjegjës dhe duke transferuar të gjithë të burgosurit me rrezikshmëri në një institucion tjetër.

Në një konferencë për shtyp, Lamallari bëri të ditur se është kërkuar një hetim proaktiv në të gjitha burgjet e vendit, ndërsa theksoi nevojën për masa më të gjera sigurie, përtej një rasti të vetëm. Ai njoftoi gjithashtu organizimin e një tryeze të zgjeruar me partnerë ndërkombëtarë, me fokus sigurinë në burgje, si dhe foli për procesin e amnistisë, që pritet të miratohet së shpejti dhe do të përfitojë një numër të konsiderueshëm shtetasish.

Ministri sqaroi se shkeljet lidhur me vizitat shëndetësore të të burgosurve nuk kanë qenë në dijeni të Drejtorisë së Burgjeve, çka ka sjellë kërkesën për shkarkime dhe forcim të kontrolleve të brendshme, në përputhje me ligjin.

“Siç ju jeni njohur sapo ndodhi situata në burgun e Durrësit reagimi ishte i menjëhershëm. U vunë para drejtësisë personat përgjegjës, por duke bërë në këtë rast transferimin e të gjithë të burgosurve me rrezikshmëri në një burg tjetër. Është kërkuar një hetim proaktiv në të gjitha burgjet e vendit. Kërkon masa më të gjera më shumë se një rast konkret. Kjo është arsyeja pse unë kam kërkuar organizimin e një tryeze më të gjerë edhe me partnerët ndërkombëtarë, ku në fokus do të jetë siguria në burgje. Sa i takon amnistisë, kjo është në përfitim të shumë shtetasve shqiptarë, disa prej të cilëve janë burg dhe paraburgim. Them që së shpejti do të kemi do të kemi një miratim të këtij akti.

Patjetër do të bëj të pamundur që kjo të shikohet sa më shpejt. Unë besoj që duke qenë se po flasim për amnistinë, nuk mendoj që një muaj kohë që ne kemi në dispozicion nuk është e vonuar. Sa u takon vizitave të të burgosurve për shëndetin, nuk ka qenë në dijeni të Drejtorisë Burgjeve, prandaj dhe janë kërkuar shkarkime. I kam kërkuar kontrollit të brendshëm të burgjeve, që të ketë sa më shumë masa. Të gjithë informacionin që kërkoj në dispozicion do të jenë në zbatim të ligjit”, tha Lamallari.

“Drejtësinë transparente, dhe llogaridhënëse para qytetarëve”, Lamallari: Të flasim me standarde

By: xhir jeta
30 January 2026 at 12:12

Lamallari: Vijon puna për reformën në drejtësi, me gjithë punën e mirë në këto vite. Për herë të parë në Shqipëri kur nuk mendohej se do kishim shembjen e pandëshkueshmërisë, kjo është bërë e mundur falë PS e bashkëpunimit ndërkombëtar. Me rëndësi të theksojmë drejtësinë transparente, dhe llogaridhënëse para qytetarëve. Bashkëpunim efektiv me pushtete të ndryshme që përkthehet në më shumë liri e të drejta për qytetarët që do të jenë të zbatueshme në përditshmëri.

Me rëndësi procesi për ndryshimin e politikës penale, është e rëndësishme të udhëhiqemi në frymë e përmbajtje nga standardet ndërkombëtare. Faza e parë e luftës kundër krimit dhe korrupsionit është shënuar me sukses, por jemi në një fazë të re, atë të standardeve.

Mos mjaftohemi vetëm nga lajmi i ditës. Ai që duhet lajm për dikë për dikë tjetër është cënim i një procesi ligjor, drejtësia duhet të flasë me standarde. Duhet të jemi koshient që 2027 mos përkojë vetëm me mbylljen e negociatave teknike, por të dëshmojmë se jemi dinjitoz në tryezën e Brukselit. Nuk duhet të presim të jemi vetëm subjekt i padrejtësisë. Kjo ka të bëjë me forcimin e shtetit të së drejtës, dhe me integritetin e institucioneve, një shërbim që u ofrohet qytetarëve.

Ministri i Drejtësisë, Lamallari: Të ndahemi nga mendësia dhe politika e ashpër penale

By: redi
29 January 2026 at 18:42

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari thirri një konferencë të nivelit të lartë me temë ”E drejta për liri dhe siguri personale nga Strasburgu te zbatimi në nivel kombëtar”, me fokus të veçantë adresimin e problemit të paraburgimit. Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe Gianluca Esposito, drejtor i përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit, Këshilli i Evropës…

Source

Lamallari: Të ndahemi nga mendësia dhe politika e ashpër penale

29 January 2026 at 18:08

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari thirri sot një konferencë të nivelit të lartë me temë “E drejta për liri dhe siguri personale – nga Strasburgu te zbatimi në nivel kombëtar”, me fokus të veçantë adresimin e problemit të paraburgimit.

Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe Gianluca Esposito, drejtor i përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit, Këshilli i Evropës, si dhe Nicola Lettieri, zëvendësprokuror i përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë dhe Theo Byl – gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Antwerp në Belgjikë. Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë tha se çështja e paraburgimit përbën një nga sfidat më të ndjeshme dhe më domethënëse për vendin tonë.

“Të dhënat flasin qartë: përdorimi i tepruar i masës së paraburgimit nuk është vetëm një problem statistikor, por një problem thelbësor i të drejtave të njeriut, i prezumimit të pafajësisë dhe i proporcionalitetit të ndërhyrjes së shtetit. Për fat të keq, Shqipëria vazhdon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Aktualisht, rreth 58% e personave në institucionet penitenciare janë të paraburgosur dhe kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të tyre në paraburgim llogaritet në 253 ditë, krahasuar me 155 ditë në vendet evropiane, apo 63% më e lartë! Pra, mbi gjysma e personave që ndodhen në burgjet tona janë ende pa një vendim të formës së prerë, për më tepër, për një kohë shumë herë më të gjatë se ajo e zbatueshme në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, në Bashkimin Evropian mesatarisht vetëm 1 në çdo 5 persona në sistemin penitenciar është i paraburgosur”, tha ministri Lamallari.

Në vijim, ministri i Drejtësisë u shpreh se Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të ndahet njëherë e mirë nga mendësia dhe politika e ashpër penale, e trashëguar nga e shkuara dhe të afrohet me atë të familjes në të cilën synojmë të aderojmë së shpejti.

“Tema e kësaj konference na fton të bëjmë pikërisht këtë, dhe koha më e mirë është tani: Kodi i Ri Penal do duhet të reflektojë marzhet e dënimit të zbatueshme në Bashkimin Evropian për të njëjtat vepra penale; Kodi i Procedurës Penale, do duhet ndryshuar për të garantuar qartë dhe pa ekuivok të njëjtat garanci procedurale për lirinë dhe sigurinë e personit, sipas standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, deklaroi Ministri i Drejtësisë.

Në vijim Lamallari theksoi se bashkëpunimi ynë me Këshillin e Evropës dhe partnerët ndërkombëtarë është thelbësor në këtë rrugë. Jurisprudenca e Strasburgut nuk duhet parë si kritikë nga jashtë, por si udhërrëfyes për përmirësim të brendshëm.

Ndërkohë që dy magjistratët e pranishëm në takim, falë njohjes shumë të mirë të gjendjes në Shqipëri, kanë përgatitur për llogari të Këshillit të Europës dy raporte mjaft të vlefshme, me gjetje dhe rekomandime për Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale në Shqipëri, dokumente të cilat janë vënë në dispozicion të të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim.

/m.q/j.p/r.e/

The post Lamallari: Të ndahemi nga mendësia dhe politika e ashpër penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ankesat e Ramës për paraburgimet, Lamallari kërkon ndryshime në Kodin e ri Penal

By: Elva
29 January 2026 at 16:08

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, pasi dëgjoi me vëmendje kritikat e vazhdueshme të kryeministrit Edi Rama për numrin e lartë të të paraburgosurve në vend, thirri sot një konferencë të posaçme me fokus adresimin e problemit të paraburgimit në Shqipëri. Në zbatim të urdhrave të kreut të qeverisë, i cili pasi SPAK kërkoi arrestimin e […]

The post Ankesat e Ramës për paraburgimet, Lamallari kërkon ndryshime në Kodin e ri Penal appeared first on BoldNews.al.

OSBE: Ndryshimet në Kodin Penal lidhur me shpifjen, hap drejt forcimit të lirisë së shprehjes

28 January 2026 at 17:20

TIRANË, 28 janar /ATSh/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri njoftoi sot se “mirëpret ndryshimet e fundit në Kodin Penal lidhur me shpifjen, si një hap të parë të rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes”.

Përmes një njoftimi për mediet, prezenca e OSBE-së nënvizon se “forcimi i mbrojtjes për gazetarët pasqyron një rekomandim të hershëm të OSBE-së”.

Prezenca e OSBE-së theksoi se “ne vijojmë të inkurajojmë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përdorimin e masave civile proporcionale”.

Kuvendi miratoi sot në orët e para të mëngjesit me 85 vota pro, ndryshimet në Kodin Penal.

Sipas ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, ndryshimet në Kodin Penal forcojnë mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërsa ashpërson ndëshkimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre.

/m.q/a.f/r.e/

The post OSBE: Ndryshimet në Kodin Penal lidhur me shpifjen, hap drejt forcimit të lirisë së shprehjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Sfida e madhe përpara, projekti për një Kod të ri Penal

TIRANË, 28 janar/ATSH/- Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari deklaroi sot se paketa e ndryshimeve në Kodin Penal miratuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Kuvend përmbushim detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit për në BE, përmes përafrimit të 7 akteve kyçe të Acquis communautaire.

Lamallari thekson në reagimin e tij në rrjetet sociale se “ndryshimet e miratuara me 85 vota shënojnë një avancim tjetër në përpjekjen tonë të përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës, adresimin e shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, kontrollin e territorit, pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore, terrorizmit etj”.

Ministri i Drejtësisë vë në dukje se “sfida e madhe që kemi tani përpara është projekti për një Kod të ri Penal, për të cilin është bërë një punë e shkëlqyer me transparencë e gjithëpërfshirje dhe procesi vijon për të mbledhur kontributet më të mira e për të bërë reflektimet e duhura”.

Paketat e miratuara sot nga Kuvendii përfshijnë një sërë ndryshimesh të rëndësishme në Kodin Penal, mes tyre dekriminalizimin e shpifjes, ashpërsimin e dënimeve për ndërtimet pa leje dhe zjarrvëniet, si edhe masa më të rrepta për parkimin e dyfishtë, që parashikon gjobë ose deri në një vit burg.

The post Lamallari: Sfida e madhe përpara, projekti për një Kod të ri Penal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari për Kodin e ri Penal: Dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët, forcojmë mbrojtjen ndaj familjes

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari tha sot se ndryshimet në Kodin Penal që vijnë për diskutim dhe votim në Kuvend janë ndërhyrje të domosdoshme, të fokusuara dhe strategjike, të diktuara nga nevoja reale të sigurisë publike, nga praktika e zbatimit dhe nga detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Gjatë prezantimit në Kuvend të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Lamallari tha se “kjo paketë është një hap i matur, por i vendosur, drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe rritjes së besimit të qytetarëve te drejtësia”.

“Një nga shtyllat kryesore të kësaj pakete është përafrimi i legjislacionit penal shqiptar me Acquis Communautaire, në kuadër të Kapitullit 24 të negociatave “Drejtësia, Liria dhe Siguria”. Projektligji adreson drejtpërdrejt piketat e ndërmjetme të përcaktuara nga Bashkimi Evropian dhe synon të mbyllë boshllëqe të evidentuara prej vitesh në transpozimin korrekt të instrumenteve evropiane”, tha Lamallari.

Në këtë kuadër, vijoi ministri, Kodi Penal përafrohet plotësisht me shtatë instrumente kyçe të Bashkimit Evropian, që lidhen me luftën kundër: pastrimit të parave, trafikimit të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore, shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të fëmijëve, terrorizmit, si dhe mbrojtjen e interesave financiare dhe sigurisë së Bashkimit Evropian.

Sipas tij, këto nuk janë ndryshime formale që forcojnë realisht kapacitetin e shtetit për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe kriminalitetin ndërkufitar, duke zgjeruar juridiksionin penal të Republikës së Shqipërisë edhe për vepra të kryera jashtë territorit të vendit, duke hequr, në raste të caktuara, kushtin e dënueshmërisë së dyfishtë dhe duke lehtësuar provën për origjinën kriminale të pasurive.

Një vëmendje e veçantë, tha Lamallari, i është kushtuar mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve më të cenueshme.

“Kjo paketë modernizon dhe ashpërson veprat penale me natyrë seksuale, rrit ndjeshëm dënimet, zgjeron afatet e parashkrimit dhe parashikon ndalimin e ushtrimit të profesioneve që përfshijnë kontakt të drejtpërdrejtë me fëmijë”, shtoi ai.

Në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, tha Lamallari, projektligji sjell një qasje të qartë zero tolerancë. Ai përjashton çdo efekt justifikues të pëlqimit të viktimës, zgjeron përkufizimin e shfrytëzimit dhe kriminalizon përdorimin e shërbimeve të ofruara nga viktimat e trafikimit.

Sipas tij, ky është një mesazh i fortë se dinjiteti njerëzor nuk mund të relativizohet dhe nuk mund të negociohet.

Ministri Lamallari u shpreh se “kjo paketë adreson gjithashtu problematika konkrete që kanë cenuar rëndë interesin publik, territorin dhe mjedisin. Ashpërsohet ndjeshëm trajtimi penal për zënien e paligjshme të tokës, ndërtimin dhe shfrytëzimin pa titull ligjor, veçanërisht kur këto vepra kryhen në zona të mbrojtura, parqe natyrore, objekte të trashëgimisë kulturore apo infrastrukturë kritike”.

“Dënimet bëhen edhe më të rënda kur autorët janë persona që ushtrojnë funksione publike, duke reflektuar qartë një qasje pa kompromis ndaj abuzimit me detyrën. Po ashtu, forcohet ndëshkimi për zjarrvënien në pyje dhe mjedise natyrore, sidomos kur rrezikohen zona të banuara, pasuri kulturore apo infrastruktura jetike, ose kur zjarrvënia përdoret si mjet për ndryshimin e destinacionit të tokës”, theksoi Lamallari.

Ministri Lamallari vuri në dukje se “një ndërhyrje e matur, por domethënëse, bëhet edhe në një fenomen të përditshëm që ka pasoja serioze për jetën e qytetarëve: parkimi në rresht të dytë, i cili trajtohet si vepër penale vetëm në rastet kur pengon seriozisht qarkullimin dhe lëvizjen e mjeteve të emergjencës”.

Një tjetër element i rëndësishëm i kësaj pakete është forcimi i mbrojtjes së gazetarëve dhe lirisë së medias.

“Projektligji vendos një ekuilibër të drejtë mes mbrojtjes së reputacionit dhe lirisë së shprehjes, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërkohë që ashpërson ndëshkimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre për shkak të detyrës. Kjo është një njohje e rolit thelbësor të medias në një shoqëri demokratike”, tha Lamallari.

Ai i ftoi deputetët ta mbështesin këtë paketë jo si një akt formal, por si një investim në sigurinë, drejtësinë dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Fjala e plotë e ministrit të Drejtësisë:

Sot kemi sjell në Kuvend një paketë të mirëmenduar ndryshimesh në Kodin Penal, paketë e cila nuk synon dhe as nuk pretendon të jetë një rishkrim i plotë i këtij kodi themelor. Procesi i reformimit tërësor të Kodit Penal është një proces i thellë, kompleks dhe ende duke u zhvilluar. Ndryshimet që sot vijnë për diskutim dhe votim në Kuvend janë ndërhyrje të domosdoshme, të fokusuara dhe strategjike, të diktuara nga nevoja reale të sigurisë publike, nga praktika e zbatimit dhe nga detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Kjo paketë përfaqëson një politikë penale më të qartë, më koherente dhe më evropiane, e ndërtuar mbi analiza konkrete, konsultime institucionale dhe mbi përvojën e vendeve të Bashkimit Evropian. Ajo është një hap i matur, por i vendosur, drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe rritjes së besimit të qytetarëve te drejtësia.

Një nga shtyllat kryesore të kësaj pakete është përafrimi i legjislacionit penal shqiptar me Acquis Communautaire, në kuadër të Kapitullit 24 të negociatave “Drejtësia, Liria dhe Siguria”. Projektligji adreson drejtpërdrejt piketat e ndërmjetme të përcaktuara nga Bashkimi Evropian dhe synon të mbyllë boshllëqe të evidentuara prej vitesh në transpozimin korrekt të instrumenteve evropiane.

Në këtë kuadër, Kodi Penal përafrohet plotësisht me shtatë instrumente kyçe të Bashkimit Evropian, që lidhen me luftën kundër: pastrimit të parave, trafikimit të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore, shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të fëmijëve, terrorizmit, si dhe mbrojtjen e interesave financiare dhe sigurisë së Bashkimit Evropian.

Këto nuk janë ndryshime formale. Ato forcojnë realisht kapacitetin e shtetit për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe kriminalitetin ndërkufitar, duke zgjeruar juridiksionin penal të Republikës së Shqipërisë edhe për vepra të kryera jashtë territorit të vendit, duke hequr, në raste të caktuara, kushtin e dënueshmërisë së dyfishtë dhe duke lehtësuar provën për origjinën kriminale të pasurive.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve më të cenueshme. Kjo paketë modernizon dhe ashpërson veprat penale me natyrë seksuale, rrit ndjeshëm dënimet, zgjeron afatet e parashkrimit dhe parashikon ndalimin e ushtrimit të profesioneve që përfshijnë kontakt të drejtpërdrejtë me fëmijë. Një parim themelor që forcohet është ai që viktimat e mitura nuk mund dhe nuk duhet të trajtohen si autorë, por si subjekte që meritojnë mbrojtje maksimale dhe trajtim dinjitoz, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, projektligji sjell një qasje të qartë zero tolerancë. Ai përjashton çdo efekt justifikues të pëlqimit të viktimës, zgjeron përkufizimin e shfrytëzimit dhe kriminalizon përdorimin e shërbimeve të ofruara nga viktimat e trafikimit. Ky është një mesazh i fortë se dinjiteti njerëzor nuk mund të relativizohet dhe nuk mund të negociohet.

Të nderuar deputetë, kjo paketë adreson gjithashtu problemika konkrete që kanë cenuar rëndë interesin publik, territorin dhe mjedisin. Ashpërsohet ndjeshëm trajtimi penal për zënien e paligjshme të tokës, ndërtimin dhe shfrytëzimin pa titull ligjor, veçanërisht kur këto vepra kryhen në zona të mbrojtura, parqe natyrore, objekte të trashëgimisë kulturore apo infrastrukturë kritike. Dënimet bëhen edhe më të rënda kur autorët janë persona që ushtrojnë funksione publike, duke reflektuar qartë një qasje pa kompromis ndaj abuzimit me detyrën.

Po ashtu, forcohet ndëshkimi për zjarrvënien në pyje dhe mjedise natyrore, sidomos kur rrezikohen zona të banuara, pasuri kulturore apo infrastruktura jetike, ose kur zjarrvënia përdoret si mjet për ndryshimin e destinacionit të tokës.

Një ndërhyrje e matur, por domethënëse, bëhet edhe në një fenomen të përditshëm që ka pasoja serioze për jetën e qytetarëve: parkimi në rresht të dytë, i cili trajtohet si vepër penale vetëm në rastet kur pengon seriozisht qarkullimin dhe lëvizjen e mjeteve të emergjencës. Kjo nuk është një qasje ndëshkuese pa kriter, por një vendosje e sigurisë publike dhe jetës së njeriut në plan të parë.

Një tjetër element i rëndësishëm i kësaj pakete është forcimi i mbrojtjes së gazetarëve dhe lirisë së medias. Projektligji vendos një ekuilibër të drejtë mes mbrojtjes së reputacionit dhe lirisë së shprehjes, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërkohë që ashpërson ndëshkimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre për shkak të detyrës. Kjo është një njohje e rolit thelbësor të medias në një shoqëri demokratike.

Të nderuar deputetë, në tërësi, kjo paketë ndryshimesh përfaqëson një politikë penale më të qartë, më të drejtë dhe më efikase. Ajo synon jo vetëm ndëshkimin e krimit, por parandalimin e tij, mbrojtjen e viktimave dhe garantimin e sigurisë për qytetarët. Është një hap konkret drejt një sistemi penal modern, funksional dhe plotësisht të përputhshëm me standardet evropiane. Ju ftoj ta mbështesni këtë paketë jo si një akt formal, por si një investim në sigurinë, drejtësinë dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

/k.s/a.f/r.e/

The post Lamallari për Kodin e ri Penal: Dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët, forcojmë mbrojtjen ndaj familjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Pavarësia e gjyqësorit nuk mund të jetë alibi për mosveprim dhe mungesë llogaridhënieje

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfor Lamallari mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së vitit të ri gjyqësor ku gjatë fjalës së mbajtur vuri theksin te hendeku mes pritshmërive të qytetarëve pas Reformës në Drejtësi dhe funksionimit aktual të sistemit, veçanërisht në aspektin e llogaridhënies dhe disiplinës së magjistratëve.

Teksa uroi institucionet e drejtësisë për një vit të ri gjyqësor me vendimmarrje të drejta dhe të pavarura, Lamallari theksoi se pavarësia dhe llogaridhënia janë “dy anë të së njëjtës medalje” dhe se besimi publik nuk mund të ndërtohet pa një balancë reale mes tyre.

Në fokus të kritikave të ministrit ishte Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, për të cilin ai deklaroi se nuk po përmbush siç duhet misionin kushtetues për garantimin e standardeve të larta profesionale dhe disiplinore në sistem.

“Pavarësia e drejtësisë nuk mund dhe nuk duhet të keqpërdoret si alibi për mosveprim, për zvarritje apo për mungesë përgjegjshmërie”, u shpreh Lamallari, duke nënvizuar se ILD është krijuar pikërisht për të ushtruar kontroll dhe për të garantuar disiplinë, jo për të funksionuar si filtër bllokues ndaj ankesave të qytetarëve.

Ministri solli të dhëna konkrete që, sipas tij, tregojnë një situatë jo të mirë teksa tha se, gjatë viteve 2023–2025 janë regjistruar 1.374 ankesa pranë ILD-së, ndërsa vetëm 23 vendime për çelje hetimi disiplinor janë marrë për 25 magjistratë.

Kjo do të thotë se më pak se 2% e ankesave të qytetarëve kalojnë filtrin fillestar për hetim disiplinor.

Edhe kërkesat e përcjella nga vetë Ministria e Drejtësisë, sipas Lamallarit, kanë hasur në të njëjtën qasje: nga 12 kërkesa zyrtare për verifikim ose hetim disiplinor gjatë dy viteve të fundit, vetëm një rast ka çuar në fillimin e procedimit disiplinor, dhe kjo mbi bazën e një ankese të paraqitur nga një përfaqësi diplomatike e huaj në Shqipëri.

“Përtej vështirësive në plotësimin e vakancave, nuk ka asnjë arsye bindëse që të justifikojë një numër kaq të ulët procedimesh disiplinore dhe mungesën e inspektimeve proaktive”, theksoi ministri, duke e cilësuar rolin e ILD-së si të pazëvendësueshëm për besueshmërinë e sistemit të drejtësisë.

Lamallari paralajmëroi se mungesa e reflektimit dhe veprimit real nga institucionet e përgjegjshme për disiplinën rrezikon të kthejë pavarësinë e drejtësisë në një koncept formal, të shkëputur nga përgjegjësia ndaj qytetarëve.

Në përfundim, ministri siguroi se Ministria e Drejtësisë do të vijojë të referojë çdo rast shkeljeje të afateve dhe standardeve ligjore pranë ILD-së, duke theksuar se pas një dekade Reformë në Drejtësi, sistemi ndodhet tashmë në fazën e llogaridhënies dhe konsolidimit, ku retorika duhet t’i lërë vendin rezultateve konkrete.

“Pavarësia e drejtësisë merr forcë dhe legjitimohet vetëm nga besimi i publikut”, përfundoi Lamallari, duke e cilësuar vitin e ri gjyqësor si një test maturie dhe përgjegjshmërie për të gjithë sistemin.

Lidhur me stokun e dosjeve, Ministri i Drejtësisë veçoi veçanërisht si problematike situatën në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm.

“Nëse për Gjykatën e Lartë konstatojmë progres, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për pjesën tjetër të sistemit. Në shumë segmente, veçanërisht në gjykatat e apelit, normat e përfundimit të çështjeve janë minimale dhe numri i çështjeve të prapambetura paraqitet alarmant. Në disa raste, më pak se një e dhjeta e çështjeve përfundojnë brenda vitit, çka nuk është vetëm problem kapaciteti, por çështje menaxhimi, prioritetesh dhe vullneti institucional. Nuk mund të flasim për besim publik kur qytetari humbet shpresën për të marrë një vendim brenda një afati të arsyeshëm”, tha Lamallari.

Ministri i Drejtësisë u shpreh se “në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm, përqindja e përfundimit të çështjeve penale ra ndjeshëm gjatë 9 muajve të parë të vitit që lamë pas. Për çdo 100 dosje në shqyrtim, vetëm 12 prej tyre u përmbyllën, ndërsa stoku total po shenjon shifrën rreth 19.000! Në çështjet civile dhe administrative, norma e përfundimit në disa gjykata zbret në 5%, duke e kthyer apelimin në një pritje të pafund për qytetarin. Kjo nuk është thjesht statistikë. Është praktikisht mohim i drejtësisë përmes vonesës. Prirja rritëse e stokut shfaqet gjithashtu tek çështjet ende në hetim. Pavarësisht përmirësimeve të pjesshme në përfundimin e çështjeve, ngarkesa strukturore e sistemit të hetimit penal mbetet e lartë, me 23.623 çështje në vitin 2024. Qartësisht, edhe në këtë rast nevojiten masa të qëndrueshme për rritjen e efikasitetit dhe përshpejtimin e procedimeve”.

Ai foli gjithashtu edhe për nivelin e lartë të paraburgimit në vend.

“Paraburgimi duhet të jetë përjashtim dhe jo rregull. Kur ai zëvendëson gjykimin e shpejtë dhe të drejtë, kemi një problem serioz me standardet demokratike. Ky fenomen nuk përputhet me aspiratat e një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Është koha për të ndryshuar kulturën ndëshkuese dhe represive, ku masa e arrestit me burg shihet si zgjidhja më e shpejtë”, tha Lamallari.

Hapja e vitit të ri gjyqësor, foto: Florian Abazaj
1 nga 15

/k.s/j.p/

The post Lamallari: Pavarësia e gjyqësorit nuk mund të jetë alibi për mosveprim dhe mungesë llogaridhënieje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌