TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari foli sot në Kuvend në lidhje me projektligjin “Për pranimin e ndryshimeve të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, për krimin e agresionit”.
Gjatë fjalës së tij Lamallari tha se ky projektligj “është një akt me rëndësi të veçantë, sepse lidhet drejtpërdrejt me angazhimet tona ndërkombëtare, me mbrojtjen e paqes, me forcimin e shtetit të së drejtës dhe me rolin konstruktiv që kemi luajtur vazhdimisht në arkitekturën e sigurisë rajonale e më gjerë si vend anëtar i NATO-s e që po negocion anëtarësimin në BE”.
Lamallari tha se “Shqipëria e ka ratifikuar Statutin e Romës që në vitin 2002, duke marrë përsipër detyrime të qarta si pjesë e bashkësisë ndërkombëtare në luftën kundër krimeve më të rënda: gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës”.
“Sot, me këtë projektligj, ne plotësojmë dhe pasurojmë këtë angazhim përmes pranimit të ndryshimeve që lidhen me krimin e agresionit, një nga format më të rënda të cenimit të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Sipas ministrit “ndryshimet e propozuara janë miratuar me konsensus nga shtetet palë të Statutit të Romës, përmes rezolutave të vitit 2010 dhe aktivizimit të juridiksionit në vitin 2017. Ato janë tashmë pjesë e rendit juridik të mbi 40 shteteve, përfshirë vende të Bashkimit Evropian dhe aleatë të rëndësishëm të Shqipërisë. Përfshirja jonë në këtë proces e forcon imazhin e Shqipërisë si vend që kontribuon realisht në rendin juridik ndërkombëtar dhe në mekanizmat e drejtësisë globale”.
Lamallari u ndal edhe te risitë që sjell projektligji.
“Së pari, një përkufizim të qartë dhe të detajuar të krimit të agresionit, përmes nenit 8 bis, duke listuar të gjitha format e veprimeve agresive që përbëjnë shkelje të hapur të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ky është një standard i domosdoshëm për të harmonizuar legjislacionin tonë me të drejtën ndërkombëtare.
“Së dyti, ndryshimet rregullojnë juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale mbi këtë krim, si në rastet kur procedimi nis nga një shtet palë, ashtu edhe kur çështja i referohet Prokurorit nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Këto dispozita, të përfshira në nenet 15 bis dhe 15 ter, janë garanci për një rend ndërkombëtar të bazuar në parime, ku askush nuk qëndron mbi ligjin.
“Së treti, këto ndryshime prekin elemente të tjera të Statutit, si neni 9, neni 20 dhe neni 25, për të siguruar koherencën e standardeve juridike dhe për të përcaktuar qartë se përgjegjësia penale për krimin e agresionit bie vetëm mbi individë që kanë fuqinë efektive për të marrë vendime politike apo ushtarake në nivel shteti”, tha ai.
Ministri theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare.
Si vend që aspiron anëtarësimin në BE dhe si një shtet që ka përkushtim të palëkundur ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare, Lamallari theksoi se “ne duhet të sigurojmë harmonizimin e plotë të legjislacionit tonë me detyrimet që kemi marrë përsipër me ratifikimin e Statutit të Romës. Besoj se me procesin që kemi nisur, në Kodin e ri Penal do të kemi pashmangshmërisht edhe një dispozitë të posaçme për këtë krim”.
Sipas tij, projektligji nuk mbart efekte financiare.
Lamallari nënvizoi se “miratimi i këtyre ndryshimeve është një hap përpara për shtetin tonë të së drejtës, për rolin tonë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, dhe për kontributin tonë në drejtësinë penale globale. Është një hap që e vendos Shqipërinë krah vendeve demokratike, që jo vetëm respektojnë të drejtën ndërkombëtare, por edhe punojnë për forcimin e saj. Ju ftoj ta miratojmë projektligjin dhe të konfirmojmë së bashku edhe një herë angazhimin tonë për paqe, drejtësi dhe respektim të ligjit ndërkombëtar”.
/m.q/j.p/r.e/
The post Lamallari: Shqipëria, e palëkundur ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.