Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Prokuroria Speciale kërkon paraburgim për 7 të arrestuarit nën dyshimin për korrupsion milionësh

19 December 2025 at 20:26


Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj shtatë personave të arrestuar nën dyshimin për korrupsion.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit M.D., J.M., F.I., B.D., Sh.T., N.K. dhe G.L., duke vepruar në bashkëkryerje, nga 20.02.2023 e në vazhdimësi deri më 18.12.2025, kanë ndërmarrë veprime me qëllim përfitimi të kundërligjshëm personal”.

“Sipas Prokurorisë, M.D. dyshohet se, në emër të F.I., në kundërshtim me ligjin, ka parashtruar propozim ankesë për ndryshim të vendimit përfundimtar për shpronësimin e pronës, ndonëse ishte kaluar afati ligjor për më shumë se tetë vjet. Përkundër kësaj, i pandehuri J.M., si dhe kundërpropozuesi Qeveria e Kosovës, e përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore, nuk e kanë kundërshtuar këtë rrethanë, por janë kujdesur që ky rast, ashtu si disa raste të tjera, të përfundojë me marrëveshje gjyqësore”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, dëmi vetëm në rastin e fundit që i është shkaktuar shtetit është mbi 220 mijë euro, ndërsa dëmi në tërësi dyshohet se arrin vlerë milionëshe.

“Në këtë mënyrë, të pandehurit, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, dyshohet se kanë kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Marrja e ryshfetit, Dhënia e ryshfetit, Ushtrimi i ndikimit, Deklarimi i rremë”, thuhet në njoftim.

Shtatë të dyshuarit u arrestuan një ditë më herët në një aksion të Policisë me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, me urdhër të Prokurorisë Speciale.


Takimi i Ramës me Thaçin, djali i ish-presidentit: Shembull i atdhedashurisë

18 December 2025 at 21:02

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u takua sot me ish-udhëheqësin e UÇK-së, Hashim Thaçi, i cili prej pesë vitesh po mbahet në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Pas vizitës, Endrit Thaçi, djali i ish-kryeministrit, reagoi me falënderim dhe mirënjohje ndaj kryeministrit Rama, duke vlerësuar jo vetëm fjalët, por edhe veprimet e tij.

Thaçi i ka konsideruar ato një shembull të atdhedashurisë dhe përparimit.

“Faleminderit shumë Kryeministër Rama nga nana dhe unë. Fjalët por edhe veprat e juaja janë shndërruar në shembull të atdhedashurisë dhe përparimit. Ju na dëshmoni se bashkë jemi ma mirë”, shkruan ai.

Ndërkohë, në një reagim në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se e ka gjetur Thaçin të qetë, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale.

Kryeministri e cilësoi mbajtjen e Thaçit dhe ish-liderëve të UÇK-së në paraburgim, “padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike”.

“Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartejdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë”, u shpreh Rama.

Lidhur me vizitën ka reaguar dhe i dërguari presidencial për misione speciale të SHBA, Richard Grenell, i cili ka nënvizuar se “kryeministri shqiptar ka të drejtë dhe se Jack Smith është një turp”.

/e.i/r.e/a.f/

The post Takimi i Ramës me Thaçin, djali i ish-presidentit: Shembull i atdhedashurisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirohet nga burgu ish-ministri Lefter Koka, shuhet masa për inceneratorin e Fierit

11 December 2025 at 11:46


Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha bën me dije se Shkalla e parë e gjykatës së posaçme ka shuar masën për inceneratorin e Fierit.

Çështja e inceneratorit është kthyer për rigjykim por ende nuk është regjistruar në Apel. Në këtë kuptim i ka përfunduar afati i mbajtjes në paraburgim përderisa nuk ka një vendim të formës së prerë. /Tch/

Një muaj paraburgim shtetasit të huaj për kultivim dhe shpërndarje të bimëve narkotike

4 December 2025 at 09:22


Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit E.M., pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë.

Masa e paraburgimit është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale të kultivimit të bimëve narkotike dhe blerjes, posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve, sipas KPRK-së.

“Gjykata vlerëson se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm, pasi ekziston rreziku që i pandehuri, nëse lirohet, mund të ikë apo të arratiset, duke pasur parasysh faktin se E.M. nuk është shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Paraburgimi llogaritet nga data 02.12.2025 dhe zgjat deri më 01.01.2026.

Palët kanë të drejtë ankese në afat prej 48 orëve, përmes kësaj Gjykate, pranë Gjykatës së Apelit në Prishtinë. /Telegrafi/

BRAZIL – Ish-presidenti Jair Bolsonaro vendoset në paraburgim

22 November 2025 at 13:33

BRAZILIA, 22 nntor /ATSH-AFP/ – Ish-presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, i dënuar me 27 vjet burg për përpjekje për grusht shteti, u vu sot në paraburgim, sipas avokatit të tij dhe një burimi pranë çështjes.

“Ai është burgosur, por nuk e di pse”, tha Celso Vilardi, një nga avokatët e tij.

Policia federale tha në një deklaratë se ata kishin ekzekutuar një urdhër paraburgimi në përputhje me një vendim të Gjykatës Supreme.

Një burim pranë çështjes tha se i ndaluari ishte Jair Bolsonaro.

Bolsonaro u dënua me më shumë se 27 vjet burg në shtator për një tentativë grushti shteti pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2022.

Megjithatë, vendimi nuk është ende përfundimtar.

Vëzhguesit kishin supozuar se ai mund të fillonte të vuante dënimin javën tjetër.

Të premten, djali i Bolsonaros, senatori Flávio Bolsonaro, bëri thirrje që shtëpia e babait të tij të ruhej gjatë natës./ /os/

The post BRAZIL – Ish-presidenti Jair Bolsonaro vendoset në paraburgim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Një muaj paraburgim për policin serb që u zë duke transportuar fishekë e para të gatshme

3 November 2025 at 22:44


Gjykata Themelore e Mitrovicës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj pjesëtarit të Policisë së Serbisë, i cili u arrestua në pikën kufitare të Jarinjës, nën dyshimin se transportoi fishekë dhe para të gatshme.

Nga gjykata është konfirmuar se masa ndaj të pandehurit N.U. është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi i armëve apo materialeve plasëse”, sipas nenit 364, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ngjarja ndodhi të dielën, më 2 nëntor 2025, kur Policia e Kosovës njoftoi se në vendkalimin kufitar në Jarinjë kishte arrestuar të dyshuarin, pjesëtar të Policisë së Serbisë.

Gjatë kontrollit në automjetin me targa të Beogradit që ai po drejtonte, policia ka gjetur dhe konfiskuar 51 fishekë, 9 mijë e 900 euro dhe 26 mijë dinarë serbë.

Prokuroria e Mitrovicës kërkon paraburgim për policin serb që u arrestua në Jarinjë

3 November 2025 at 10:42


Një pjesëtar i policisë së Serbisë është arrestuar të shtunën në Jarinjë për dyshimin se ka kryer veprën penale të “importit, eksportit, furnizimit, transportimit, prodhimit, këmbimit, ndërmjetësimit ose shitjes së paautorizuar të armëve apo materieve plasëse”.

Lidhur me këtë rast, prokurori i rastit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, i cili ka theksuar se seanca lidhur me këtë rast është caktuar të mbahet sot.

“Një kërkesë për një (1) person është paraqitur për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse“”, ka thënë Preteni.

Ai ka shtuar se Prokuroria po vijon hetimet lidhur me këtë rast.

Nga i dyshuari janë sekuestruar edhe një sërë dokumentesh zyrtare dhe pajisjesh policore, përfshirë: kartelën e identifikimit dhe distinktivin e policisë së Serbisë, kartelën e sindikatës së policisë serbe, letërnjoftimin e Serbisë dhe të Kosovës, pasaportën serbe, një palë spaleta uniformash, dorëza dhe një USB. /Telegrafi/

Veliaj 8 muaj paraburgim dhe 7 orë kundërshtim ndaj qeverisë dhe presidencës

By: FAKTOJE
31 October 2025 at 18:21

Sebi Alla Tetë muaj pas qëndrimit në paraburgim, Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, i shkarkuar me vendim të Këshillit të Ministrave, fitoi përkohësisht lirinë e kufizuar, teksa qëndroi në Gjykatën Kushtetuese për shtatë orë e shtatë minuta, nën masa sigurie.

Ai u paraqit si palë për të kundërshtuar shkarkimin e tij nga qeveria dhe dekretin presidencial që shpalli zgjedhjet në Tiranë. Pas dëgjimit të tre palëve në proces, Gjykata Kushtetuese u tërhoq për të marrë vendim, duke saktësuar se data dhe shpallja e vendimit përfundimtar do u njoftohet palëve në vijim, sipas parashikimeve ligjore.

Veliaj u arrestua me kërkesë së Prokurorisë Speciale më 10 shkurt për katër akuza; korrupsion i zyrtarëve të lartë publik, ose të zgjedhurve vendorë, shpërdorim detyre, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, në 13 episode.

Pasi humbi çdo betejë ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë, Veliaj u shkarkua nga detyra më 25 shtator, pas propozimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe miratimit nga Këshilli i Ministrave, me motivacionin se nuk është paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj. 

I zhgënjyer…!

Në fjalimin e mbajtur, Veliaj përmendi shpesh fjalët; falje, Zot, fyerje, ligj, Kushtetutë dhe zhgënjim… “Nuk kishin se si të më fyenin më rëndë sesa kaq. Ka qenë fyerja më e rëndë e jetës time publike dhe këtë e thotë dikush që ka dëgjuar fyerje dhe legjenda urbane pa fund. Por kjo është fyerja më e rëndë sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se çdokush tjetër. Dhe që nuk denjuan as të më ftonin, as të më njoftonin dhe as të më dëgjonin. Zoti i faltë. Lutem çdo natë për ta dhe them Zot fali se nuk dinë ç’kanë bërë me atë vendim”, tha Veliaj, i cili këtë herë i referohej “të tijve” (anëtarëve të Këshillit Bashkiak socialistë). Në mënyrë indirekte, Veliaj preku edhe VKM-në e shkarkimit, duke u shprehur se brenda tetë orësh u firmosën tetë akte, nga thirrja e mbledhjes së këshillit bashkiak, propozimi për shkarkim, dërgimi në çështjes në kryeministri, vendimin e Këshillit të Ministrave dhe më pas në Presidencë, e cila u shpreh me dekret.

Megjithatë, në asnjë fjalë përgjatë shtatë orëve e shtatë minutave, Veliaj nuk e përmendi asnjëherë kreun e qeverisë, duke iu referuar shpesh vetëm VKM-së për shkarkimin e tij.

Seanca e gjatë

I shoqëruar nga një numër i madh i punonjësve të policisë, Veliaj zbriti me pranga në duar nga “furgoni burgut” për të kaluar shpejt në shkallët para Gjykatës Kushtetuese dhe më pas në sallën ku po shqyrtohet çështja e tij.

Në praninë e dy avokatëve, Veliaj preferoi se thuajse pas çdo pyetje edhe me karakter mirëfilltas ligjor, të përgjigjej vetë.

Përballë Veliaj kishte dy palë kundërshtare në proces: përfaqësuesin e kryeministrisë dhe atë të presidencës, përkatësisht Irma Qosja dhe Ilir Rusmali.

Kryebashkiaku Veliaj ankimoi si vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij, që mban firmën e kryeministrit Rama, ashtu edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj, i cili shpalli zgjedhjet e parakohshme në Tiranë pa u shqyrtuar më parë çështja nga Gjykata Kushtetuese.

Kushtetuesja me një vendim të ndërmjetëm, para shqyrtimit në themel, vendosi të pezullojë dekretin e presidentit.

Pretendimet e qeverisë

Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, Irma Qosja parashtroi relatimin e saj ligjor mbi argumentin pse Këshilli i Ministrave ka firmosur shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak të Tiranës. “Ankimuesi pretendon se shkarkimi i tij nga detyra ka ndodhur për shkak të shkeljes së rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve, siç parashikon neni 115 i Kushtetutës, e cila është e vetmja mënyrë që ai të legjitimohet përpara kësaj gjykate. Ndërkohë që shkarkimi i tij nuk është kryer për shkak të kësaj dispozite. Ai nuk është shkarkuar për rrethanë kushtetuese, por ligjore, për shkak se nuk është paraqitur në detyrën e parashikuar nga neni 62 për vetëqeverisjen vendore”, tha përfaqësuesja e qeverisë. Për këtë pretendim Veliaj solli si shembull rastin e kolegut të Tropojës, duke pretenduar se ndaj tij janë ndjekur standarde të tjera.

Pretendimet e presidencës

“Por ju që i lejuat vetes të drejtën për të shqyrtuar një akt administrativ keni gjetur edhe mekanizmat mbrojtës nga kjo rrëshqitje. Fakt është që ju në fund të ditës do të jenë të detyruar të merrni një vendim në raport me dekretin.

Do të përballemi me faktin që ju po merrni në shqyrtim dhe po vendosni fatin e nja akti administrativ, kur Kushtetuta nuk ua lejon këtë”, tha këshilltari juridik i Presidentit, Ilir Rusmali. Nga ana e tij, Veliaj u shpreh se nuk po ndiqet i njëjti standard dhe ndihet jo i barabartë me të tjerët, duke sjellë si analogji kryetarin e bashkisë së Tropojës. “Doja t’ju përmendja një rast në Shqipëri, kryetari i bashkisë së Tropojës ka qenë 11 muaj në arrest shtëpie. Në një masë të përkohshëm. Tani lind pyetja, a janë të gjithë të barabartë? Pse është ndryshe një qytetar i Tiranës me një qytetar të Tropojës. Pse toleranca në Tropojë është 11 muaj, kurse në Tiranë është 2 javë, tre muaj dhe 7 muaj. Këtu kemi një disbalancë totale”, tha Veliaj.

Betejë “për Ogertën por edhe Florin…”

Në qëndrimin e gjatë para anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ndër të tjera Veliaj tha se beteja që ai po bën është për të gjithë pasardhësit e tij teksa shtoi: “Po sikur nesër t’ja bëjnë Ogertës, Florit, apo Arlindit, një masë sigurie (shënim: i referohet kandidatëve që kanë shpallur kandidaturat për kryetarë të Bashkisë Tiranë). Pra, kaosi që kemi tani nuk është asgjë me kaosin nëse kjo do kthehet një standard me kryetarët e bashkive. Kështu që kjo është një betejë edhe për ata që do vijnë pas meje kurdo qoftë ajo ditë”, tha Veliaj.

Në nisje të javës së ardhshme pritet që Gjykata Kushtetuese të shprehet me vendim. Nëse ajo e konsideron të drejtë shkarkimin, atëherë kreu i shtetit ka afat 48 orë kohë që të shprehet me një dekret për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë.

Nëse pranohet kërkesa e Veliajt i cili kërkon shpalljen antikushtetuese të shkarkimit të tij, ai do të qëndrojë de jure në detyrë, edhe pse ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg pa afat”.

The post Veliaj 8 muaj paraburgim dhe 7 orë kundërshtim ndaj qeverisë dhe presidencës appeared first on Faktoje.al.

“Forca kryetar, forca!”/ Veliaj niset drejt paraburgimit: Ju dua shumë!…

By: D Marku
31 October 2025 at 17:20

Erion Veliaj niset drejt paraburgimit në Durrës, pas 7 orësh seancë në Gjykatën Kushtetuese ku kundërshton shkarkimin e tij nga detyra.

Në momentin kur ka dalë nga Gjykata Kushtetuese, Velija është pritur nga mbështetësit.
“Forca kryetar, forca!”, dëgjohen të thonë ata.

Ndërkohë ish- kryebashkiaku është përgjigjur: Ju dua shumë!…

The post “Forca kryetar, forca!”/ Veliaj niset drejt paraburgimit: Ju dua shumë!… appeared first on Albeu.com.

Për javë të tëra e kishte dhunuar të miturën, kërkohet paraburgim për të dyshuarin në Ferizaj

31 October 2025 at 16:03


Prokuroria Themelore në Ferizaj bën të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.M për shkak të dyshimit të veprës penale “Dhunimi”.

Sipas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria, ekziston dyshimi i bazuar se nga muaji shtator e deri më datën 27 tetor 2025, rreth orës 02:00, në mesnatë, në Ferizaj, saktësisht në banesën e të pandehurit, i njëjti F.M., në vazhdimësi e ka dhunuar- keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën - të miturën e moshës 14 vjeçe.

I pandehuri F.M., që nga data 31 Tetor 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartëcekur.

Prokurorit Beqë Shala i caktohet 30 ditë paraburgim nën dyshimin për ryshfet

28 October 2025 at 18:23


Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke i caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh Beqë Shalës, prokuror tashmë i pezulluar në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, nën dyshimin për veprën penale “Marrje ryshfeti”.

Lajmin e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas Gjykatës, masa e paraburgimit iu caktua Shalës pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

Në vendimin e saj, gjykata theksoi se paraburgimi është masë adekuate, pasi nëse i pandehuri lihet në liri, ai mund të ndikojë në prova dhe dëshmitarë.

Gjykata vlerësoi se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale dhe parandalimin e përsëritjes së veprave penale.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndërkohë, prokurori special Valdet Gashi tha se kërkesën për caktimin e paraburgimit e kanë bazuar në prova të siguruara gjatë fazës së hetimeve.

Një muaj paraburgim për të miturin në Ferizaj që kontrabandonte migrantë kinezë

22 October 2025 at 18:53


Gjykata Themelore e Ferizajt ka caktuar një muaj paraburgim për një të mitur të akuzuar për kontrabandim të migrantëve.

Sipas njoftimit të gjykatës, më 21 tetor, i mituri kishte organizuar kalimin e jashtëligjshëm të pesë personave me shtetësi kineze përmes pikëkalimit Kosovë–Maqedoni e Veriut.

Komunikata e gjykatës sqaron se i mituri kishte takuar fillimisht migrantët në Serbi dhe kishte arritur marrëveshje për të marrë 20 euro për secilin person. Pas kësaj, ai ishte përgjegjës për transportin e tyre drejt Kosovës.

Më pas, i mituri siguroi një automjet, i cili u drejtua nga një person ende i panjohur. Në automjet u vendosën të gjithë migrantët dhe u drejtuan drejt Maqedonisë së Veriut. Njësiti patrollues kufitar i vuri re dhe i ndaloi në vijën kufitare Kosovë–Maqedoni e Veriut.

Të gjithë u shoqëruan në stacionin policor kufitar në Rajonin Lindje Kaçanik.

Rasti është duke u hetuar më tej nga autoritetet kompetente.

Fatmir Sheholli rikthehet në paraburgim pas trajtimit në spital

20 October 2025 at 13:40


Fatmir Sheholli, i arrestuar nën dyshimet për spiunazh, është rikthyer në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan pas trajtimit mjekësor në spitalin e këtij qyteti.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.

“Pas disa ekzaminimeve dhe trajtimeve në spitalin e Gjilanit, ai është kthyer në Qendrën e Paraburgimit”, deklaroi Gashi.

Sheholli kishte kërkuar ndihmë mjekësore më 11 tetor dhe u dërgua për hospitalizim.

Aktualisht ndaj tij është në fuqi masa e paraburgimit prej një muaji, e caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar ndaj tij masën e paraburgimit prej 30 ditësh, me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Sheholli dyshohet se ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë (BIA) dhe ka vepruar nën urdhrat dhe udhëzimet e zyrtarit të BIA-së, Bojan Dimiq.

Në aktakuzë thuhet se ai ka mbledhur informacione mbi pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe i ka përcjellë ato nëpërmjet komunikimeve telefonike te zyrtarët serbë të inteligjencës.

Po ashtu, më 26 shtator 2025, në Mitrovicë të Veriut, Sheholli dyshohet se ka marrë materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të cilat dyshohet se janë komprometuese.

Prokuroria thekson se, përmes këtyre veprimeve, Sheholli me vetëdije dhe qëllimisht ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, si dhe integritetin e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, duke ndihmuar një shërbim të huaj inteligjent në dëm të interesave shtetërore. /Telegrafi/

Specialja ia vazhdon paraburgimin Thaçit

14 October 2025 at 15:10


Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim me të cilin ia kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi, në rastin ku bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Vendimi është marrë më 10 tetor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Trupi gjykues ka konstatuar se ka mungesë të informacioneve që do të justifikonin konstatimet se Thaçi mund t’i arratiset drejtësisë në rast që lirohet. Por, trupi gjykues është bindur se i akuzuari mund të pengojë procedurat e DhSK-së dhe të kryejë krime ndaj atyre që perceptohen kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë edhe dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi edhe në procedura paralele.

Po ashtu, paneli ka konstatuar se asnjë prej kushteve të tjera alternative nuk mund t’i zbusë mjaftueshëm këto rreziqe.

Si rrjedhojë, u konstatua se paraburgimi ndaj Thaçit edhe për dy muaj të tjerë është i nevojshëm dhe i arsyeshëm.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/

Nën akuzën e spinazhit, Fatmir Sheholli në paraburgim për 30 ditë

By: M C
10 October 2025 at 20:42

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Fatmir Shehollin, të dyshuar për spiunazh kundër shtetit. Gjatë ditës, në Themelore u mbajt seanca dëgjimore ndaj Shehollit, pasi paraprakisht Prokuroria Speciale e Kosovës kërkoi që ai të dërgohet në paraburgim derisa autoritetet të kryejnë hetime ndaj tij.

Sheholli u arrestua të enjten në rrethin e Prishtinës pas hetimeve disamujore kundër tij. Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, tha të enjten, pas arrestimit, se Sheholli ka pasur “hapësira të pakufizuara” në mediat e Kosovës, dhe se ai ka “bashkëpunuar me aktorë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”.

Prokuroria deri tani nuk ka dhënë hollësi për atë se për kë dyshohet të ketë spiunuar Sheholli, por Sveçla la të kuptohej se ai mund të ketë spiunuar për Serbinë.

“Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm”, shkroi Sveçla në Facebook.

Policia e Kosovës kreu bastisje në vendbanimin e të dyshuarit të enjten. Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në qershor, gjykata në Prishtinë e dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA). Dy të dyshuar të tjerë, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe masakrën e Reçakut. Në një rast tjetër po gjykohet edhe serbja Jellena Gjukanoviqit, e cila akuzohet për spiunazh për inteligjencën serbe. Ajo e ka mohuar fajësinë.

Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër. Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.

Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm. Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare. Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, e konsideron spiunazhin si një prej kërcënimeve kryesore të sigurisë kombëtare në vend./ REL

The post Nën akuzën e spinazhit, Fatmir Sheholli në paraburgim për 30 ditë appeared first on Albeu.com.

Paraburgim për një muaj ndaj personit që dyshohet se pengoi gjyqtarin në Malishevë

9 October 2025 at 15:21


Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit D.Z., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dosjes së prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 7 tetor 2025 në fshatin Berishë, Komuna e Malishevës, kur i pandehuri dyshohet se ka tentuar të pengojë gjyqtarin N.Q. nga Gjykata Themelore e Gjakovës – Dega në Malishevë, gjatë një seance në terren për një kontest pronësor, raporton Telegrafi.

Gjatë incidentit, i pandehuri fillimisht ka debatuar me avokatin e njërës palë dhe më pas është përballur me gjyqtarin, duke e shtyrë fizikisht në gjoks dhe duke e penguar në zhvillimin e procedurës.

Në vendimin e saj, gjyqtarja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke theksuar se lënia e të pandehurit në liri mund të ndikojë në rrjedhën e procedurës penale, përfshirë mundësinë e ndikimit në dëshmitarë apo përsëritjen e veprës.

I pandehuri do të qëndrojë në paraburgim deri më 6 nëntor 2025, duke u llogaritur afati nga dita e arrestimit, më 7 tetor 2025. /Telegrafi/

E dhunoi, e incizoi dhe shantazhonte të miturën, një muaj paraburgim për të dyshuarin në Gjakovë

9 October 2025 at 11:18


Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit nj muaj të pandehurit D.Z., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të dhunimit.

Në njoftim thuhet se nga muaji prill 2025 deri më 2 tetor 2025 në Gjakovë, i pandehuri, përmes komunikimit në rrjetin social Snapchat, ka realizuar takime me të miturën (e lindur 2010), gjatë të cilave takime pa pëlqimin e saj ka kryer akte seksuale-orale.

“I pandehuri e incizoi të dëmtuarën gjatë aktit dhe më pas e kërcënoi se do ta publikonte incizimin nëse i tregonte dikujt, duke e detyruar që të takohej përsëri me të”, thuhet tutje

Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, ”Dhunimi” të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepër penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke ju shmangur drejtësisë, duke ndikuar në dëshmitarë, apo duke e përsëritur veprën penale.

I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 7 tetor 2025 dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor 2025.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Gjykata liron nga paraburgimi kolonelin Nexhmi Krasniqi dhe tre të tjerët, u cakton arrest shtëpiak

1 October 2025 at 12:53


Gjykata Themelore e Prizrenit ka marrë vendim për ndërprerjen e masës së paraburgimit për kolonelin Nexhmi Krasniqi dhe tre të tjerët Xhevat Sallauka, Ramadan Paçarizi dhe Liman Sallauka.

Gjykata ka vendosur që masën e paraburgimit t’ua zëvendësoj me masën e arrestit shtëpiak për katër të pandehurit.

Telegrafi ka sigruar vendimin i cili është marrë më 29 shtator 2025.

Masa e arrestit shtëpiak do të llogaritet nga 1 tetori deri më 1 nëntor 2025.

Në vendimin e Gjykatës theksohet se të pandehurit nuk guxojnë të largohen nga lokalet, shtëpitë, banesat e tyre dhe se policia do të bëjë mbikëqyrjen e rregullt.

Gjykata ka paralajmëruar se në rast të shkeljes së vendimit, masa e arrestit shtëpiak do të zëvendësohet me paraburgim.

Kujtojmë se Nexhmi Krasniqi dhe tre të pandehurit e tjerë ishin arrestuar në gusht të këtij viti, nën dyshimet se kanë detyruar një qytetar që të shesë përgjymë më lirë një pronë me vlerë rreth gjysmë milioni euro.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, prona në fjalë ka pasur vlerë prej 400 deri në 500 mijë euro, por është shitur për vetëm 250 mijë euro, për shkak të frikës dhe presionit që i është bërë të dëmtuarit.

Dosja e Prokurorisë theksonte se kjo është bërë me miratimin e një dëshmitari dhe në dobi të Ramadan Paçarizit, i cili përfitoi nga kjo shitje nën çmimin e tregut.

“Gjatë një takimi, të pandehurit i kanë bërë presion të dëmtuarit që të heqë dorë nga pjesa e tij në ngastrën nr. 749, në favor të R.P. Tre nga të arrestuarit dyshohet se kanë përfituar nga 10 mijë euro secili”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Sipas të njëjtit dokument, një pjesë e shumës së parave të gatshme është dorëzuar në zarf në shtëpinë e Krasniqit, ku më vonë u gjetën gjatë një bastisjeje të ndërmarrë nga hetuesit policorë. /Telegrafi/

12 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e vjehrrit në Prishtinë, iu ricilësua vepra penale

29 September 2025 at 16:43


Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Edon Bujupit i akuzuar për vrasjen e vjehrrit të tij A.K. Me këtë aktgjykim, Bujupi u shpall fajtor për “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” dhe u dënua me 12 vjet burgim.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Bujupi u shpall të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit, në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, masë e cila iu vazhdua.

Bujupi obligohet edhe për shpenzimet procedurale dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 100 euro dhe 50 euro të tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.Palët e dëmtuara A.K., dhe A.K., udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil. Ankesa është e lejuar në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit përmes kësaj gjykate.

Në arsyetimin e vendimit, gjykatësja Dermaku tha se arsyeja e ricilësimit të veprës penale nga “Vrasje” në “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” është se i akuzuari ka qenë i sulmuar nga viktima dhe dëshmitari.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e datës 21 tetor 2024, thuhet se Edon Bujupi, me datë 29 nëntor 2023, rreth orës 21:15, në banesën e tij në rrugën “Ali Vitija”, pas një mosmarrëveshjeje mes tij dhe miqve të tij (babait dhe vëllait të gruas), kanë filluar përleshjen mes vete, ku gjatë përleshjes fizike, me dashje që ta privojë nga jeta, i pandehuri Edon godet me armë të ftohtë – thikë e cila kishte gjatësinë e tehut 19 centimetra – në regjionin e majtë të kraharorit tani të ndjerit A.K., i cili si pasojë e plagëve të shkaktuara ka ndërruar jetë në SHSKUK.

Me këtë, Bujupi sipas aktakuzës thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarit e arrestuar në Vushtrri

22 September 2025 at 15:08


Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve, pas një aksioni të zhvilluar më 21 shtator në Vushtrri dhe fshatin Ropicë.

Të pandehurit me inicialet Rr.G., A.G., E.G. dyshohen për veprën penale “Detyrimi”, ndërsa i pandehuri me iniciale K.G. për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria”.

Operacioni u zhvillua në koordinim ndërmjet Prokurorisë dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, gjatë të cilit u kontrolluan disa lokacione në komunën e Vushtrrisë.

Si rezultat, katër të dyshuarit u arrestuan dhe janë vendosur në ndalim 48-orësh me vendim të prokurorit të rastit.

Gjatë bastisjeve, autoritetet sekuestruan një sasi të konsiderueshme të sendeve që mund të lidhen me aktivitetin e dyshuar kriminal, përfshirë: 2 armë të shkurta, 352 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm,2 karikatorë, 2 palë dylbi, 7 telefona celularë 1 shkop druri, 1 thikë, 1 palë dorëza, dokumente të ndryshme, 1 pasaportë, 1 patentë shofer, 1 USB, 1 llaptop, 1 palë patika dhe 1 çelës motori.

Seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve do të mbahet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri.

Prokuroria ka njoftuar se do të vazhdojë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe ndjekjen penale të personave të përfshirë. /Telegrafi/

❌
❌