Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Gjykata rrëzon aktakuzën ndaj Klinakut për kanosjen e Kurtit, procedura vazhdon vetëm ndaj Nuredin Selmanit

19 December 2025 at 11:15


Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës ndaj Faton Klinakut dhe ka pushuar procedurën penale ndaj tij për veprën penale “Kanosja” ndaj Kryeministrit Albin Kurti, ndërsa procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj të akuzuarit tjetër, Nuredin Selmani.

Në seancën fillestare, më 3 shtator 2025, Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani ishin deklaruar të pafajshëm.

Klinaku kishte shkruar Fb më 29 gusht 2023 se: “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

Aktvendimi i siguruar nga “Betimi për Drejtësi” është nxjerrë më 20 nëntor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rahman Beqiri, pas shqyrtimit të kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës, të paraqitur nga mbrojtësi i Klinakut, avokati Ramë Dreshaj.

Ndaj këtij aktvendimi nuk lejohet ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas aktvendimit, Gjykata ka vendosur që aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e datës 1 gusht 2025, të hudhet pjesërisht dhe procedura penale të pushohet vetëm në raport me të akuzuarin Faton Klinaku, i cili akuzohej për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata ka konstatuar se nuk ka pasur kërkesë pasurore-juridike, ndërsa shpenzimet e procedurës penale që lidhen me këtë pjesë të aktakuzës do të mbulohen nga mjetet buxhetore të Gjykatës.

Në aktvendim theksohet se, pas plotfuqishmërisë së tij, procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj Nuredin Selmanit, i cili vazhdon të përballet me akuzën për veprën penale “Kanosja” sipas të njëjtit nen të Kodit Penal, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 gusht 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Faton Klinakut dhe Nuredin Selmanit, të cilët akuzohen për kanosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Faton Klinaku akuzohet se më 29 gusht 2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim që ta frikësojë dhe detyrojë tani të dëmtuarin, Albin Kurti, në cilësinë e tij si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e kishte kanosur publikisht përmes rrjetit social Facebook, duke postuar shkrime kërcënuese.

“Aq shumë i dëshpëruar votuesi i tij sa që tha: Votën ia dhashë për ndryshim, e ndryshim lëre që nuk ka bërë por po shkojmë edhe më shumë teposhtë si vend dhe s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë. I thashë: As se kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin se sa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova. Kosovën nuk duhet e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të”, citohet të ketë shkruar Klinaku në Facebook.

Ndërsa, pas reagimeve të opinionit publik lidhur me këtë kërcënim, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Klinaku më 30 gusht 2023 ka përsëritur një shkrim po ashtu me përmbajtje të njëjtë kërcënuese ndaj tani të dëmtuarit Kurti.

“Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, citohet në aktakuzë të ketë shkruar Klinaku.

Me këto veprime, Klinaku akuzohet se publikisht dhe seriozisht e ka kanosur me vrasje të dëmtuarin Albin Kurti, për shkak të punës së tij zyrtare, si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Andaj, me këto veprime, Klinkau ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal.

Ndërkaq, në pikën dy të aktakuzës, Nuredin Selmani akuzohet se më 30 gusht 2023, në Drenas, me dashje dhe me qëllim që ta frikësojë dhe detyrojë tani të dëmtuarin, Albin Kurti, në cilësinë e tij si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës zyrtare, e ka kanosur publikisht në rrjetin social Facebook, duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri Faton Klinaku.

Selmani ngarkohet se kishte postuar një fotografi në të cilën ishte montuar fotoja e të dëmtuarit Kurti, krahas asaj të Klinakut, duke e shoqëruar me një shkrim kërcënues të adresuar ndaj të dëmtuarit.

“E mbështes Faton Klinakun”, “Veç ni telefon ma ban Faton, aty mki për çka të ka nevojë, mezi s’po pres me ja nisë”, citohet në aktakuzë postimi i Selmanit.

Po atë ditë, në mbrëmje, thuhet se i njëjti u inkuadrua drejtpërdrejt në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, ku po trajtohej debati me temë “OVL-UÇK vs Kurti”. Aty thuhet se përmes video-linkut, pas pyetjeve të moderatorit të emisionit, i pandehuri, sipas aktakuzës, kishte deklaruar “Unë konsideroj që çdo njëri i cili bon të këqija siç bon Albin Kurti, edhe po të isha unë në vendin e tij, duhet të vritet patjetër, sepse ajo është tradhti ndaj atdheut”.

Andaj, me këto veprime, Selmani ngarkohet se ka kanosur publikisht dhe seriozisht për vrasje të dëmtuarin Albin Kurti, për shkak të punës së tij zyrtare, e të cilat kërcënime, thuhet se i kishte shprehur edhe me disa bashkëbisedues tjerë, gjatë komunikimeve telefonike që i janë gjetur pas ekzaminimit të telefonit të tij, duke përfshirë edhe disa fotografi, ku i pandehuri shihet në posedim edhe të disa armëve të gjata luftarake.

Me këto veprime, i pandehuri Nuredin Selmani ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal.

A do të kalojë filtrat e Gjykatës vendimi për shkarkimin e Kelmendit?

26 November 2025 at 20:08


Ky vendim i Këshillit Prokurorial të Kosovës, për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit tashmë është ankimuar në Gjykatën Themelore te Prishtinës, në departamentin për Çështje Administrative.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Dukagjinin se ka pranuar padinë e Kelmendit dhe propozimin për caktimin e masën e përkohshme.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative ka pranuar Padinë si dhe Propozimin për Caktimin e Masës së Përkohshme, të paraqitur nga pala B.K”.

Por, bazuar në zhvillimet në KPK-së në ditën kur u bë shkarkimi i Kelmendit, në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se vendimi është i kundërligjshëm.

“Është një vendim tërësisht arbitrar dhe i kundërligjshëm, në rastin konkret ky vendim u morr në mbledhje që nuk kishte kourum për të mbajtur mbledhjen e aq më pak për të marr vendime, në këtë situatë ky vendim haptas është i kundërligjshëm sic e kemi thënë edhe në ditën kur është nxjerr, ne pamë publikisht se është mbyllur takimi në mungesë të kourumit dhe më pas anëtarët janë kthyer dhe kanë nxjerr këtë vendim”, ka theksuar Gzim Shala- Hulumtues në IKD.

E sipas avokatit Yll Zekaj, gjykata duhet të veprojë me efikasitet në këtë rast, duke pas parasysh rëndësinë e pozitës në sistemin prokurorial.

“Unë mendoj fuqishëm që ai vendim nuk do të mund të e kalojë filtrin e gjykatës për shkak të procedurave deri në marrjen e vendimit… besoj që nëse nuk do merret deri në fund të kësaj jave, në fillim të javës tjetër do të merret gjithsesi vendimi për masën e përkohshme, masën e sigurisë pastaj cështja e vendimit do të shkojë më gjatë”, ka deklaruar Zekaj.

Kryesuesi Ardian Hajdaraj, një ditë më parë ka mbajtur një konferencë për media, ku ka insistuar vendimi për shkarkimin e Kelmendit është i ligjshëm, tek ka thënë se do respektojnë çdo vendim të gjykatës.

Mungoi kryetari i trupi gjykues, anulohet seanca ndaj të akuzuarve për manipulim me vota

7 November 2025 at 11:55


Këtë të premte në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë të kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismaili, ka dështuar të mbahet seanca, ndaj të akuzuarave Arbër Krasniqi, Përparim Përveticën, Ilirjan Hysenajn dhe Sahit Matajn, të cilët po akuzohen për falsifikim të votave në zgjedhjet e vitit 2021.

Një gjë e tillë u bë e ditur nga zyra e gjykatësit Vesel Ismaili, se për shkaqe familjare të gjykatësit, është anuluar seanca e sotme.


Ndryshe, më 13 nëntor 2023 Gjykata e kishte veçuar procedurën penale ndaj të akuzuarve Granit Halilaj dhe Dardan Gashi pasi që të njëjtit kishin lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë, raporton Betimi për Drejtësi.

Prandaj, ndaj Halilajt më 14 nëntor 2023 edhe është bërë shpallja e aktgjykimit, duke u dënuar me 1 vit burgim me kusht për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit.Kurse, Gashi është dënuar me 12 muaj burgim me kusht, në mënyrë që për 12 muaj të mos kryejë ndonjë vepër tjetër penale, si dhe dënim plotësues 12 muaj ndalim i ushtrimit të profesionit në administratë publike.

Kurse ndaj Shalës, Krasniqit, Matajt, Përveticës dhe Hysenajt, vazhdoi procesi gjyqësor. Në seancën e 20 shkurtit 2025, Gjykata ka veçuar procedurën për ish-deputetin Haxhi Shala, pasi i njëjti po gjykohet në një proces tjetër gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, Arbër Krasniqit, Sahit Matajt, Përparim Përveticës, Ilirjan Hysenajt, Granit Halilajt dhe Dardan Gashit, të cilët akuzohen për falsifikim të rezultateve të votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, përmes falsifikimit iu shtuan vota ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla nga subjekti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidatit për deputet, Haxhi Shala.

Në gjykimin për 400 kilogramë kokainë nga Brazili, dëshmitë e të akuzuarve nxjerrin detaje të reja

30 October 2025 at 21:33


Në gjykimin për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten dha mbrojtjen i akuzuari Kadri Brahimi i cili tha se në pakot ku u gjet droga kanë menduar se gjendet mishi i bardhë dhe se sipas tij, po të mos reagonte Policia, malli do të shpërndahej nëpër markete. Kurse, i akuzuari Fehmi Bytyqi, i cili tregoi se video-incizimin e kontejnerit e dërgoi tek pronari i kompanisë Izet Sheqiri, procedurë që e kishte bërë çdo herë.

Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, po akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Brahimi deklaroi se detyrë e tij e vetme në “MC FOOD” është numërimi i mallit dhe evidentimi i tij. Tha se në rastet kur kanë nevojë punëtorët për shkarkim të mallit, u ndihmon atyre.

I pyetur se pse përderisa sipas video-incizimeve edhe punëtorë të tjerë ishin prezent por vetë e kishte shkarkuar mallin nga kontejneri për në depo, Brahimi tha se për arsye personale të karakterit familjar e ka zbrazur mallin dhe për të zgjidhur më pas problemet familjare gjatë kohës së pauzës.

Lidhur me trajtimin e kamionëve me urgjencë dhe atyre të rregullt- për procedurat e shkarkimi, i akuzuari Brahimi tha se në rastet kur nevojitet që kontejneri i një kompanie përkatëse të zbraset më shpejtë, atë e trajtojnë me proritet për zbrasje, ndërkaq për kontejnerin ku u gjet narkotiku, ai tha se nuk ka pasur urgjencë.

Po ashtu, Brahimi tha se malli që ka qenë në kontejnerë ka pasur dy lloj barkodesh, andaj edhe e kanë veçuar mallin në dy vende. Tha se identifikimin e mallit për veçim të palëve në depo e bëjnë paraprakisht.

Sipas tij, prokurori i rastit, Valdet Gashi i ka thënë se nëse bëhet dëshmitar bashkëpunues do ta lirojë nga masa e paraburigmit.

Për të akuzuarin Izet Sheqiri, Brahimi tha nuk është interesuar asnjëherë për asnjë kontejner dhe se vetëm në raste kur ka mungesa të mëdha të mallit e njoftojnë atë.

Brahimi tha se për shkak të mosdijenisë se çka gjendet në paketimet e mallit përpos mishit të bardhë, për çka edhe është bërë porosia, kishte gjasa që po të mos reagonte Policia, malli do të shpërndahej nëpër markete.

Lidhur me atë se kur e ka kuptuar se në ato paketime është gjetur kokainë, Brahimi tha se e ka kuptuar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan përmes mediave kur pa në televizon brenda burgut.

Në këtë seancë filloi dhënien e mbrojtjes edhe i akuzuari Fehmi Bytyqi, i cili tregoi se detyrë të rregullt kishte dërgimin e video-incizimeve të kontejnerëve tek pronari i kompanisë Izet Sheqiri. Transportimi i mallit bëhej nga Porti i Durrësit për në Prishtinë. Tha se këtë procedurë e ka bërë gjithmonë.

“E ka mbajt telefonin tem, mua më ka filmu tu i këputë bllombat dhe po ashtu të gjitha procedurat dhe atë incizim me të 15-in, të dy incizimet Durrës dhe Prishtinë e kemi pas obligim me ia dërgu Izetit”, tha Bytyqi.

Ai sqaroi se së paku katër bllomba i kishte të vendosura kontejneri ku edhe ishte gjetur sasia e narkotikut prej 400 kilogramëve.

Gjithnjë sipas Bytyqit, procedura e forografimit dhe incizimit është bërë në çdo rast dhe jo vetëm të kontejnerit ku edhe ishte gjetur substanca narkotike.

I akuzuari Bytyqi tha se nuk posedon video apo fotografi të rasteve të tjera të transportimit që mallit që ka bërë e që ia ka dërguar të akuzuarit Izet Sheqiri.

Bytyqi tha se arsyeja se pse ka qenë pikërisht ai vozitës i kamionit me kontejner nga ku u gjet edhe droga, është se e kishte radhën për transportin në vend të kolegut që ishin në pozita pune të shoferit të kamionit.

Po ashtu, Bytyqi tha se kontejneri që ishte i porositur për sjellje të mishit të bardhë futej në skenim dhe në rast dyshimi i njëjti kontrollohej edhe fizikisht nga doganierët.

Në këtë seancë ishte planifikuar të japë mbrojtjen i akuzuari Kadri Sheqiri, mirëpo meqenëse nuk ndihej mirë me shëndet, ai u lirua nga kjo seancë dhe vazhduan me mbrojtjen dy të akuzuarit e lartpëmendur.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Prokurorit Beqë Shala i caktohet 30 ditë paraburgim nën dyshimin për ryshfet

28 October 2025 at 18:23


Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke i caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh Beqë Shalës, prokuror tashmë i pezulluar në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, nën dyshimin për veprën penale “Marrje ryshfeti”.

Lajmin e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas Gjykatës, masa e paraburgimit iu caktua Shalës pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

Në vendimin e saj, gjykata theksoi se paraburgimi është masë adekuate, pasi nëse i pandehuri lihet në liri, ai mund të ndikojë në prova dhe dëshmitarë.

Gjykata vlerësoi se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale dhe parandalimin e përsëritjes së veprave penale.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndërkohë, prokurori special Valdet Gashi tha se kërkesën për caktimin e paraburgimit e kanë bazuar në prova të siguruara gjatë fazës së hetimeve.

Mungon dëshmitari, ndërpritet seanca ndaj Nagip Krasniqit

14 October 2025 at 11:03


Në mungesë të dëshmitarit Skender Muqolli është ndërprerë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Muqolli mban pozitën e udhëheqësit të Departamentit të Tregut të Energjisë pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji, raporton “Betimi për Drejtësi

Lidhur me mosparaqitjen e dëshmitarit Muqolli në shqyrtim gjyqësor, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti njoftoi se përmes e-mailit e ka njoftuar Gjykatën se për arsye shëndetësore nuk do të paraqitet në Gjykatë.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u ndërpre.

Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 8 tetor 2024. I pafajshëm ai u deklarua edhe në seancën e 3 korrikut 2025.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Në aktakuzë thuhet se operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531 mijë e 920 euro e 79 centë. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore. Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.

Nga provat e Prokurorisë, thuhet se ZRrE, KEK-ut i kishte shqiptuar dënim për shkak të shkeljeve të konstatuara në blerje të energjisë. Raporti i Zyrës së Regullatorit kishte gjetur se bazuar në legjislacionin e vendit, aktivitetet e tregtisë së energjisë mund të ushtrohen vetëm me licencë të lëshuar nga ZRrE, e që janë të regjistruara në Kosovë. Aty thuhet se aktivitetet pa licenca, mund të lejoheshin vetëm nëse operatorët kanë licencë në vendet e tyre të cilat mund të njihen në Kosovë vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet sipas rregullores për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë.

Sipas aktakuzës, ZRrE kishte reaguar disa herë përmes shkresave dhe emailit zyrtar që KEK të veprojë në përputhje me ligjin dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë me operatorë të palicencuar.

Tutje, thuhet se ZRrE më 19 gusht 2022, kishte monitoruar procesin e tregtimit në kohë reale dhe kishte vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave KEK kishte vazhduar të veprojë në kundërshtim me ligjin.

Grupi punues i KEK-ut, ishte pajtuar që të respektonin të gjeturat e raportit të ZRRE-së. “Pavarësisht bindjeve dhe argumenteve të cekura më lartë, KEK do të respektoj përfundimisht qëndrimet e ZRrE-së, si një institucion i thirrur për rregullim të sektorit të energjisë i emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi, i cili i jep ketë kompetencë. Në këtë rast, KEK do të ndërpresë tregtimin energjisë me tregtarë që nuk prezantojnë licencë apo dëshmi nga ZRrE që e dëshmojnë që nuk kanë licencë meqë janë shtjerrë të gjitha mundësitë me komunikimet që kemi pasur me ZRrE”, thuhet në aktakuzë.

Fatlum Mehmeti dënohet me 8 vjet burgim për vrasje me dashje eventuale të policit në Zllatar

8 October 2025 at 15:24


Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-policit Fatlum Mehmetit, lidhur me akuzën për vrasjen e policit në Zllatar. Ai u dënua me 8 vjet burgim për veprën penale “Vrasje me dashje eventuale”.

Në këtë rast, Fatlum Mehmeti akuzohej se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H, në një ndenjë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së, në Zllatar, në shkurt të vitit të 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën me shumicë votash nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ertan Sejfulla- kryetar dhe anëtarët: Sulltane Hoti dhe Naser Foniqi.

Ndaj Mehmetit u caktua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 5 vitesh.

Në dënimin me burgim, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, pasi vendimi të marrë formën e prerë.

Të akuzuarit Mehmeti me aktvendim të veçantë i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.

I akuzuari obligohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale- për paushallin gjyqësor shumën prej 200 euro dhe 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Prezent në shpallje ishin prokurori Arben Hoti, i akuzuari Fatlum Mehmeti me avokatin e tij Labinot Buzuku dhe pala e dëmtuar.

Ndryshe, i akuzuari Mehmeti më 14 prill 2023 është deklaruar i pafajshëm se nga “dashja eventuale” kishte vrarë policin L.H, në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatar të Prishtinës.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohej se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.

Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, Elit Thaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimi dhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” 9mm, deri sa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.

Andaj, me këtë akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21 par.3 të Kodit Penal. /Telegrafi/

Ngadhnjim Arrni emërohet udhëheqës i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë

30 September 2025 at 11:22


Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në vijim të mbledhjes së 352-të, miratoi raportin e Panelit për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve për pozitën e udhëheqësit të Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në njoftimin për media thuhet se bazuar në rekomandimin e Komisionit Vlerësues dhe pas procesit të votimit, anëtarët e KGJK-së zgjodhën me shumicë votash Ngadhnjim Arrnin si udhëheqës të Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Mandati i tij është pesëvjeçar dhe do të fillojë nga data 1 tetor 2025. /Telegrafi/

Murseli pyet se si rrodhi ekspertiza mjeko-ligjore, flet specialisti i Psikiatrisë Forenzike

22 September 2025 at 10:34


Gjatë seancës gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ka dëshmuar specialisti i Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në momentin e dëshmisë së tij, i akuzuari Naim Murseli pyeti mbi rrjedhjen e dokumentit të ekspertizës psikiatrike që iu bë atij në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.

“Si rrjedhi ekspertiza mjeko-ligjore nga instituti juaj, si rrjedhi një dokument kaq sensitiv me komenta ndërkombëtare? A rrjedhi nga ndonjë punëtor, apo nga gjykata? ”, ishte pyetja drejtuar Haxhibeqirit nga Murseli.

Në përgjigje të shkurtër dhe të prerë, Haxhibeqiri deklaroi: “Prej neve jo”.

Edhe gjykatësja e rastit, Fatime Dërmaku, reagoi ndaj shqetësimit të Murselit, duke e siguruar se ekspertiza nuk ka dalë nga gjykata.

“Këtë e ke të sigurt”, tha ajo. /Telegrafi/

Rasti i Liridona Ademajt - sot vazhdon gjykimi ndaj Naim Murselit, familja kërkon drejtësi

22 September 2025 at 09:00


Gjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt pritet të vazhdojë sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Seanca do të nisë në orën 09:00, ashtu siç ka njoftuar vëllai i viktimës, Leonard Ademaj.

Seanca e fundit në këtë rast ishte mbajtur më 14 korrik, ku dëshmoi pikërisht Leonard Ademaj.

Gjatë deklarimit të tij, ai kërkoi dënim maksimal për dorasin, duke theksuar se vrasja e motrës së tij ishte e planifikuar dhe e egër.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Në mesin e të akuzuarve për këtë krim është edhe ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili dyshohet se ka porositur vrasjen.

Sipas Prokurorisë, Murseli i kishte premtuar Granit Plavës shumën prej 30 mijë euro për ta kryer vrasjen.

I akuzuar tjetër në këtë rast është edhe Kushtrim Kokalla, i cili dyshohet për përfshirje në organizimin e krimit. /Telegrafi/






Paraburgim prej një muaji ndaj të dyshuarit për vrasjen e 38-vjeçarit në Ferizaj

17 September 2025 at 13:35


Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 15 shtator rreth orës 19:42, në një fshatë të Ferizajt, i pandehuri me dashje e ka privuar nga jeta të dëmtuarin – djalin e axhës së tij I.R.

"Në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme që kishin pasur si pasojë e problemeve në lidhje me një konflikt pronësor, me t`u takuar në rrugën e fshatit me njëri tjetrin, pas fjalosjes verbale në atë moment i pandehuri B.R., e nxjerr revolen e tipit ZIG 14 TISAS Turk, dhe shtënë katër herë në drejtim të viktimës I.R., duke e goditur në pjesët e sipërme të trupit, përkatësisht në regjionin e anës së djathtë, nofullës, regjionin e kraharorit të djathtë dy plagë dhe të dy parakrahët, me ç`rast viktima nga lëndimet e shkaktuara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë rrugës duke e dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj", thuhet në njoftim.

Tutje siç thuhet në njoftim, gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Telegrafi/

Zyrtarja e OSBE-së deklarohet e pafajshme për akuzën e spiunazhit

16 September 2025 at 09:32


E plotësuar: Gjatë seancës fillestare të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Jelena Gjukanoviq, zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë, është deklaruar e pafajshme ndaj akuzës për spiunazh.

Deklarata e saj erdhi pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bekim Kodraliu.

Pas kësaj, gjykatësi Rrahman Beqiri informoi të akuzuarën dhe avokatin e saj, Predrag Milkoviq, se kanë afat prej 15 ditësh për të paraqitur kundërshtimet ndaj provave dhe për të kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës.

Avokati Milkoviq kërkoi që ky afat të zgjatet në 30 ditë, por kërkesa u refuzua nga gjykata, me arsyetimin se e akuzuara ndodhet në paraburgim.

-----------------------------------------------------------------------

Fillon gjykimi ndaj Jelena Gjukanoviq, e dyshuar për spiunazh

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka filluar gjykimi ndaj Jelena Gjukanoviq, e dyshuar për spiunazh.

Ajo u arrestua më 28 shkurt 2025, ndërsa më 2 mars, gjykata caktoi masën e paraburgimit prej një muaji, e cila më pas u zgjat edhe për dy muaj të tjerë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte njoftuar se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, më 28.02.2025, në regjionin e Mitrovicës kishte arrestuar Gjukanoviqin për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale – spiunazhi. Gjykata Themelore në Prishtinë me 02.03.2025 kishte caktuar masën e paraburgimit për herë të parë ndaj të dyshuarës Jelena Gjukanoviq.

Gjykata Themelore në Prishtinë përmes njoftimit kishte bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se Jelena Gjukanoviq, në bashkëkryerje ka kryer veprën penale të spiunazhit dhe se masa e paraburgimit i është caktuar për shkak të rrezikut se e ajo mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë, si dhe mund të përsëris veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda.

“Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/

Jelena Gjukanoviq n\u00eb gjykat\u00eb Foto: Ridvan Slivova

Jelena Gjukanoviq n\u00eb gjykat\u00eb Foto: Ridvan Slivova

Paraburgim për 10 të dyshuar për narkotikë e armëmbajtje – shumica nga Shqipëria

11 September 2025 at 13:52


Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti për krime të rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve, K.A., E.S., Y.S, H.T., V.H., F. F., M.H., S.V.H. dhe M.Xh., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’, ndërsa ndaj të pandehurit Y.S. edhe për shkak të veprës penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe të pandehurve K. A., E.S., Y.S, H.T., V.H., F. F., M. H., S.V.H., M.Xh. dhe Y.S., iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj, për secilin veç e veç.

“Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate në këtë fazë të procedurës, dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale. Gjykata, po ashtu vlerësoj se nëse të pandehurit K. A., E.S., Y.S, H.T., V.H., F. F., M. H., S.V.H., M.Xh. dhe Y.S., lihen në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarë ose mund të arratisen me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale, marrë parasysh peshën e veprave penale, e kjo duke marrë për bazë shtetësinë e shumicës së të pandehurve, që rezultojnë të jenë nga Republika e Shqipërisë, gjë që e bënë lehtësisht të mundur arratisjen e tyre dhe në rastin konkret të bëhet e pamundur prezenca e tyre në këtë procedurë, me çka do të vështirësohej edhe rrjedha me sukses e kësaj procedure penale”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e lartpërmendur në bashkëkryerje dhe me dashje pa autorizim kanë prodhuar, kultivuar, përpunuar, nxjerrë ose kanë përgatitur substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik ose substanca psikotrope, në atë mënyrë që gjatë kontrollit janë gjetur sasi e konsiderueshme e substancave dhe bimëve narkotike, armë, municion dhe vegla të tjera që janë në kundërshtim me ligjin për armë.

Ndërkaq, kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/


Paraburgim ndaj dy personave në Prishtinë për shpëlarje të parave, fajde e vepra tjera penale

7 September 2025 at 22:38

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të dyshuarit B.M., dhe Q.M., secilin veç e veç, nën dyshimet për fajde, shpëlarje të parave dhe vepra të tjera penale.

Sipas njoftimit të Gjykatës, B.M. dyshohet se ka kryer veprat penale “Fajde”, “Shpëlarja e parave”, “Falsifikim i dokumenteve”, “Mashtrim” dhe “Kanosje”, ndërsa Q.M. dyshohet për veprën penale të “Shpëlarjes së parave”.

Pas seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke vlerësuar se veprat penale janë të natyrës së rëndë dhe komplekse.

Sipas Gjykatës, çdo masë tjetër përveç paraburgimit do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e procedurës penale.

Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se nëse të dyshuarit do të liheshin të lirë, ekziston rreziku i arratisjes, i ndikimit në dëshmitarë dhe në prova, si dhe mundësia për pengimin e hetimeve.

Palët e pakënaqura nga ky aktvendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

The post Paraburgim ndaj dy personave në Prishtinë për shpëlarje të parave, fajde e vepra tjera penale appeared first on Telegrafi.

Gjykata i cakton 30 ditë paraburgim Ramadan Morinës

14 August 2025 at 17:32

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburgim për Ramadan Morinës, të akuzuarit për pjesëmarrje në masakrën në Burim të Malishevës.

“Ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëpunim me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”, deklaroj Prokuroria, ndërsa theksoi se gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve.

Ramadan Morina u arrestua ditë më parë në Prishtinë nga Policia e Kosovës, ndërsa seanca për te u mbajt me dyer te mbyllura për mediat.

Edhe Autoritetet serbe kanë raportuar se kanë arrestuar dy shqiptarë në pikën kufitare të Horgoshit me dyshimin për krime lufte të kryera në Kosovë në vitin 1999.

Kjo u bë e ditur nga Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç. Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dosjet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore. Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

/abcnews.al/

Millosh Antoviq arrin marrëveshje për pranim fajësie, akuzohet për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan

4 August 2025 at 11:49

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar marrëveshjen për pranim fajësie mes të akuzuarit Millosh Antoviq dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Antoviq akuzohet për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në vitin 2023 në Zveçan.

Prokurori Bekim Kodraliu tha se duke respektuar në tërësi dispozitat ligjore kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie me të akuzuarin Antoviq, andaj edhe propozoi që të aprovohet marrëveshja e arritur, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Antoviq, avokati Pleurat Bekaj tha se duke i kuptuar pasojat edhe benifitet e pranimit të fajësisë dhe pas konsultimit të mjaftueshëm me të akuzuarin, ky i fundit ka pranuar fajësinë.

Sa i përket dënimit, prokurori propozoi që për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” t’i shqiptohet dënimi me burg efektiv prej 2 vitesh, për veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penlae dhe huliganizmi”, t’i shqiptohet dënimi me 6 muaj burgim me mundësi zëvendësimi me gjobë prej 18 mijë euro, për shitblerje të narkotikëve t’i shqiptohet dënimi prej 3 vitesh burgim, si dhe për armëmbajtje pa leje t’i shqiptohet dënimi me gjobë prej 2 mijë euro.

Kodraliu propozoi që të akuzuarit Antoviq t’i shqiptohet dënimi unik prej 5 vitesh me burgim efektiv dhe gjobë 20 mijë euro. Në dënimin me burgim, u propozua t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej 15 prillit 2025.

Gjithashtu, t’i konfiskohet edhe telefoni meqenëse me të njëjtin, sipas prokurorit, ka kryer veprën penale. Si dhe t’i konfiskohet narkotiku dhe arma, dhe të asgjësohen sipas procedurave ligjore.

Marrëveshja për pranim fajësie më pas u aprovua nga gjykatësi Valon Kurtaj, ndërsa edhe shpallja e aktgjykimit do të bëhet sot.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 korrik 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Millosh Antoviqit i njohur me pseudonimin “Xhajo”, për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në vitin 2023 në Zveçan. Ai ngarkohet për katër vepra penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge” dhe “Posedim i paautorizuar i armëve”.

Sipas aktakuzës, më 29 maj 2023, që nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri Millosh Antoviq në koordinim me të pandehur të tjerë, përmes përdorimit të dhunës i ka sulmuar dhe seriozisht i ka kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, shufra të ndryshme, koktej molotovi dhe mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri.

Aty thuhet se si pasojë janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej tyre nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Me këto veprime, kanë rrezikuar seriozisht jetën dhe trupin e këtyre zyrtarëve policorë dhe u kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime, Antoviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par.6 lidhur me par.2 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, Antoviq akuzohet  se me datë dhe kohë të njëjtë si në pikën 1 të aktkauzës, në koordinim me shumë të pandehur të tjerë, ka marrë pjesë aktive në turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, ku përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit.

Sipas aktakuzës, edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, i pandehuri së bashku me të pandehurit e tjerë kishin filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, molotov dhe mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri, nga të cilat u lënduan 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej tyre nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë, si dhe në veturat e gazetarëve që po mbulonin ngjarjet e asaj dite, duke përfshirë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin në masë të madhe.

Me këto veprime, Antoviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 404, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Millosh Antoviq ngarohet se më 15 prill 2025, në shtëpinë e tij në Zhitkovc të Zveçanit, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin, ka poseduar me qëllim të shitjes substanca narkotike, ku gjatë bastisjes i janë gjetur dhe sekuestruar 646 gramë kanais, 8,94 gramë kokainë, dhe 12.33 gramë likodan.

Me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par.2 të Kodit Penal.

Në pikën e katërt të aktakuzës, Antoviq akuzohet se nga data e papërcaktuar deri më 15 prill 2025, në shtëpinë e tij gjatë bastisjes i është gjetur një  armë pneumatike, të cilën e mbante pa leje. E njëjta i është sekuestruar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

I pandehuri gjendet nën masën e paraburgimit nga 15 prilli 2025. /BetimipërDrejtësi/

The post Millosh Antoviq arrin marrëveshje për pranim fajësie, akuzohet për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan appeared first on Telegrafi.

Rasti i Agon Zejnullahut, gjykata vendos për rikthimin e 5 policëve në paraburgim

23 July 2025 at 13:50

Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, vendosi që t’i kthejë në paraburgim pesë zyrtarët policorë që dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.

Rasti ishte në rigjykim nga 21 korriku, me kërkesë të mbrojtësve të tyre.

Në aktvendimin e fundit të Gjykatës Themelore thuhet se të dyshuarve u caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dhe se ajo do të llogaritet prej datës së ndalimit të tyre, më 7 korrik 2025, deri më 6 gusht 2025.

Aty, po ashtu, thuhet se “pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe pas vlerësimit të kundërshtimeve dhe argumenteve të të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre”, ka “arsye të mjaftueshme që të pandehurve t’iu caktohet masa e paraburgimit”.

Zejnullahu ka vdekur në orët e para të 7 korrikut, pasi është arrestuar nga policia në Lipjan.

Vdekjen e tij në vendngjarje e ka konstatuar edhe ekipi mjekësor. /Rel/

The post Rasti i Agon Zejnullahut, gjykata vendos për rikthimin e 5 policëve në paraburgim appeared first on Telegrafi.

Vuçiq reagon pas paraburgimit të Igor Popoviqit: Kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme

20 July 2025 at 23:33

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin një muaj paraburgim ndaj Igor Popoviqit, zëvendësdrejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

Vuçiq tha se Beogradi zyrtar i ka njoftuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për caktimin e paraburgimit ndaj Igor Popoviqit, duke shtuar se “kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme”.

“Arrestimi i fundit i Igor Popoviqit tregon se Albin Kurti e ka humbur arsyen dhe se dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiq gjatë një interviste në televizionin Pink në Beograd.

Ai theksoi se do të përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin, por paralajmëroi se do të reagojë “në mënyrë të ashpër dhe të fuqishme, sepse ky terror duhet të ndalet në një moment”.

Ndërkaq, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, e cilësoi vendimin e Gjykatës Themelore si “vendim politik”.

Sipas njoftimit të Listës Serbe, Popoviqi është ndaluar sepse ka folur për “vuajtjet e popullit serb dhe ka kërkuar që përgjegjësit për krimet kundër bashkëkombësve tanë – të cilët ende janë të lirë – të dalin para drejtësisë”.

“Arrestimi i Igor Popoviqit është një sulm ndaj dialogut, një sulm ndaj vendosmërisë së shtetit serb për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura përmes dialogut. Po ashtu, është dëshmi e qasjes joserioze dhe të papërgjegjshme të përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët po e tolerojnë arbitraritetin, autokracinë dhe persekutimin e gjithçkaje që është serbe nga [kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin] Kurti”, thuhet në njoftim.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha po ashtu se caktimi i masës së paraburgimit ndaj Popoviqit është “vendim politik”, duke akuzuar autoritetet kosovare se duan t’u “ndalojnë serbëve në Kosovë jo vetëm lirinë e shprehjes, por edhe vetë jetën”.

“Çdo mundësi për marrëveshje dhe negociata me Prishtinën bie poshtë pas këtij vendimi skandaloz, të paligjshëm dhe të papranueshëm, derisa Popoviq të lirohet. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare janë bashkëfajtorë në këtë vendim ndaj Igor Popoviqit, përfaqësues i lartë i shtetit serb”, thuhet në njoftimin e kësaj zyreje.

Po ashtu, nga kjo zyrë thanë se gjatë ditëve të fundit, përmes kontakteve intensive të përditshme, kanë marrë disa siguri nga përfaqësues ndërkombëtarë se nuk ekziston bazë ligjore që Igor Popoviq të mbahet në paraburgim, dhe se po bëhet gjithçka që ai të lirohet.

Pas ndalimit të Popoviqit, më 18 korrik ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi seKosova, si shtet demokratik dhe sovran, nuk do të tolerojë fyerje dhe përdhosje të historisë e çka më pak të luftës së udhëhequr nga UÇK-ja.

“Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, u shpreh ai.

UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Kategoritë e dala nga lufta, Organizata e Veteranëve të UÇK-së (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve kanë reaguar ashpër ndaj, siç kanë thënë, pranisë së ndihmësit të Petar Petkoviqit në Kosovë.

Ato, po ashtu, kanë thënë se “çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri”.

The post Vuçiq reagon pas paraburgimit të Igor Popoviqit: Kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme appeared first on Telegrafi.

Gjykata i kërkoi Qeverisë të formoi komisione për rishikimin e listës së veteranëve

14 July 2025 at 17:45

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë dhjetë nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Veteranët”, ndërsa ka liruar nga aktakuza Nuredin Lushtakun dhe Smajl Elezajn, pasi sipas trupit gjykues ata nuk kanë pasur cilësinë e personit zyrtar.

Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u shpallën fajtorë për veprime në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e përcaktuara nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve të UÇK-së, duke ua mundësuar personave të tjerë të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit.

Ata u dënuan me nga një vit burgim, i cili duhet të ekzekutohet brenda 15 ditësh nga shpallja e vendimit.

Trupi gjykues përbëhej nga Gazmend Bahtiri (kryetar) dhe anëtarët Ngadhnjim Arrni e Kushtrim Shyti, ndërsa aktakuza përfaqësohej nga prokurori Valdet Gashi.

Kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri tha se Qeveria e Kosovës obligohet që brenda një viti të krijojë komisione të reja për të rishqyrtuar listën e personave aplikues për statusin veteran-luftëtarë, listë kjo me 19,500 persona.

“Të akuzuarit Agim çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbim Demalia, Qelë Gashi, Shuklri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha,Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari janë fajtorë për veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të kodit penal të Republikës së Kosovës dhe gjykata në bazë të dispozitave të kodit të procedurës penale të kodit penal të Republikës së Kosovës të akuzuarit i gjykon me dënim me burgim secilin veç e veç me kohëzgjatje prej 1 viti. Obligohet Qeveria e Republikës së Kosovës që të formojë komisione përkatëse që në procedurë administrative të bëj rishqyrtimin e listës prej 19,500 personave aplikues veteran luftëtarë si në shtojcën e aktakuzës së prokurorisë speciale në afat prej 1 viti pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë”, tha ai.

Ai po ashtu theksoi arsyet se pse dy nga të akuzuarit u shpallën të pafajshëm.

“Të akuzuarit Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj, me shënime personale si në shkresa të lëndës, në kuptim të nenit 363 paragrafi 1 pika 1.3 lirohen nga akuza për shkak se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për arsye se të njëjtit nuk e kanë pasur asnjëherë cilësinë e personit zyrtar”, tha ai.

Trupi gjykues deklaroi se qeveria pas përfundimit të rishqyrtimit të aplikimeve për statusin veteran- luftëtar, duhet të shpallë vlefshmërinë e statusit.

The post Gjykata i kërkoi Qeverisë të formoi komisione për rishikimin e listës së veteranëve appeared first on Telegrafi.

Dhoma e Tregtisë e quan të drejtë vendimin e Gjykatës Komerciale për daljen e bizneseve në treg të lirë

24 June 2025 at 11:50

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë, e cila pezulloi njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se ky vendim vërteton për të satën herë deklarimet tona se ZRRE ka vepruar kundërligjshëm kur ka vendosur që për një afat të shkurt dhe pa konsultime e analiza paraprake t’i detyrojë mbi 1300 kompani që të dalin në tregun e hapur, derisa në këtë proces është vetëm një kompani që po jep oferta të furnizimit.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë në emër të bizneseve është e para që ka ushtruar ankesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndërkohë tashmë janë dhjetëra kompani që kanë dërguar ankesë në gjykatë rreth këtij vendimi”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

The post Dhoma e Tregtisë e quan të drejtë vendimin e Gjykatës Komerciale për daljen e bizneseve në treg të lirë appeared first on Telegrafi.

❌
❌