TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi deklaroi sot se “vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, nuk është thjesht një ngjarje e rëndë kriminale, por goditje në themel të asaj që përfaqëson drejtësia”.
Në mbledhjen e gjyqtarëve, e cila u thirr pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit tre ditë më parë, Sadushi tha se ky akt ka tronditur jo vetëm trupën gjyqësore, por edhe shtetin, sepse ndodhi aty ku ligji duhet të jetë më i fortë, në sallën e gjyqit, vendin ku drejtësia merr formë dhe ku qytetari kërkon mbrojtje.
“Ngjarja tragjike që na ka mbledhur sot është pikërisht pasoja më ekstreme e kësaj atmosfere të helmuar, një ngjarje që duhej parandaluar, sepse ishte paralajmëruar në çdo fyerje, në çdo deklaratë të papërgjegjshme, në çdo sulm publik ndaj një gjyqtari që bën vetëm detyrën e tij. Por përpara se të drejtojmë gishtin nga të tjerët, ne duhet të fillojmë nga vetja. Duhet ta pranojmë me ndershmëri se drejtësia shqiptare nuk është ende në lartësinë që shoqëria pret prej saj. Duhet ta themi hapur: vonesat në gjykimin e çështjeve, zvarritjet e panevojshme procedurale dhe mosrespektimi i afateve ligjore për arsyetimin e vendimeve janë plagë të dukshme që dëmtojnë besimin e publikut. Ka raste ku proceset zvarriten për vite të tëra, pa një arsye të justifikuar, duke e kthyer pritjen e qytetarit për drejtësi në një dënim më vete”, theksoi Sadushi.
Kreu i GJL-së u shpreh se “ka vendime që mbeten të paarsyetuara në kohë, dhe të tjera që ndryshojnë nga një gjykatë në tjetrën, duke krijuar pasiguri dhe perceptim për mungesë koherence e drejtësie”.
“Një gjyqësor që nuk është i parashikueshëm në jurisprudencën e tij, humbet forcën e ligjit dhe respektin e publikut. Kur qytetari nuk ka siguri se çfarë drejtësie do të marrë për të njëjtën situatë, atëherë e gjithë struktura e besimit tronditet. Po ashtu, mënyra e komunikimit tonë me publikun shpesh është e mbyllur, e ftohtë, e pakuptueshme për qytetarin”, tha Sadushi.
Sipas tij, çdo vendim gjyqësor nuk është thjesht një dokument juridik, por një mesazh për shoqërinë mbi forcën dhe seriozitetin e shtetit të së drejtës.
“Prandaj, përpara se të kërkojmë respekt, duhet të japim shembull. Duhet të kthejmë në standard profesional të përditshëm atë që sot e konsiderojmë virtyt të rrallë: gjykimin në kohë, vendimin e arsyetuar dhe qëndrueshmërinë në jurisprudencë. Ka vend për përmirësim, për reflektim, për përgjegjësi. Vetëm një gjyqësor që pranon dobësitë e veta dhe punon për t’u forcuar nga brenda, ka të drejtën morale të kërkojë llogari nga të tjerët. Vetëm në këtë mënyrë drejtësia do të fitojë besimin e humbur dhe autoritetin moral që i takon. KLGJ duhet të kuptojë rolin që i ka dhënë Kushtetuta, jo për të qëndruar në hije, por për të folur me forcë e dinjitet në emër të gjithë gjyqësorit. Është organ qeverisës, jo zyrë teknike; është përfaqësues i sistemit, jo zgjatim i heshtjes institucionale. Ai duhet të dijë t’u thotë pushteteve të tjera, me zë të lartë e të qartë, në çfarë gjendje ndodhet gjyqësori, cilat janë plagët e tij, cilat janë nevojat e tij dhe cilat janë pasojat e mosveprimit”, nënvizoi Sadushi.
Sadushi vuri në dukje se KLGJ duhet të tregojë me dinjitet pozicionin e lartë që i është dhënë nga Kushtetuta, për t’u përballur dhe jo për të vegjetuar, për t’u ndeshur dhe jo për t’u konfirmuar.
“Këshilli nuk mund të jetë një organ që përshtatet me rrethanat; ai duhet të jetë një organ që i ndryshon ato. Gjyqtarët që janë zgjedhur në këtë organ kolegjial nga Ne, gjyqtarët e Republikës, duhet ta kuptojnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm. Ata nuk janë atje për të heshtur apo për të ruajtur ekuilibra të rremë; janë për të mbrojtur sistemin nga rrënimi dhe mosrespektimi”, shtoi Sadushi.
Sadushi theksoi se nuk mund të ketë shtet të së drejtës kur gjyqtari punon pa siguri.
“Nuk mund të ketë drejtësi të pavarur kur godina e gjykatës është në gjendje të mjerueshme. Nuk mund të ketë respekt për drejtësinë kur gjyqtari dhe qytetari hyjnë në të njëjtën derë, presin në të njëjtin korridor dhe zhvillojnë gjyqin në një zyrë pa audio e pa video, në kushte që nuk garantojnë as siguri, as solemnitet, as dinjitet institucional. Këto janë realitetet e dhimbshme të shumë gjykatave në vend. Shihni gjykatat e kryeqytetit, ku me një ngarkesë marramendëse, zhvillohen procese në zyra të ngushta dhe pa masa sigurie. Në rrethe të tjera, godinat janë të amortizuara dhe pa asnjë standard minimal sigurie. Në këto kushte, gjyqtari nuk është i mbrojtur. Dhe një gjyqtar i pambrojtur është një drejtësi e pambrojtur”, theksoi ai.
“Shteti nuk mund të vazhdojë të mbyllë sytë. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka detyrimin ligjor të garantojë kushtet e ushtrimit të funksionit gjyqësor, por prej kohësh ky detyrim është lënë pas dore. KLGJ ka ngurruar të marrë vendime të forta për sigurinë dhe mbrojtjen e gjyqtarëve, për modernizimin e godinave të gjykatave dhe për plotësimin e burimeve njerëzore dhe infrastrukturore. Ka vonesa të pajustifikueshme në emërime, në ngritje në detyrë, në ndarjen e ngarkesave të punës. Ka mungesë koordinimi me organet e tjera kushtetuese dhe ligjore. Askush nuk flet për sigurinë, për kushtet e punës, për dinjitetin e gjyqtarit”, tha Sadushi.
Sadushi theksoi se “drejtësia nuk mund të funksionojë mbi bazën e propagandës. Ajo ka nevojë për garanci konkrete, për buxhet, për siguri dhe për respekt. Në këtë moment të errët, nuk mund të rrimë në heshtje. Duhet të ngremë zërin jo për ne, por për drejtësinë. Sepse një shtet që nuk mbron gjyqtarin, nuk mbron as qytetarin. Një shtet që lejon gjyqtarin të kërcënohet, lejon padrejtësinë të mbretërojë”.
“Asnjë akt dhune nuk do ta përkulë drejtësinë. Asnjë kërcënim nuk do ta ndalë gjyqtarin të kryejë me ndershmëri detyrën. Asnjë presion politik apo publik nuk do të cenojë pavarësinë e gjykimit. Ky është angazhimi ynë moral dhe profesional. Ky është misioni ynë përpara qytetarëve dhe përpara historisë”, tha Sadushi.
/k.s/j.p/
The post Sadushi: KLGJ ka ngurruar të marrë vendime të forta për sigurinë dhe mbrojtjen e gjyqtarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.