Njoftimet për punësim në administratën publike do të shpallen edhe në AKPA
TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Vendet e lira të punës në administratën publike do të publikohen edhe në portalin online të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA).
Vendimi i marrë sot nga qeveria i hap rrugë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive për publikimin në faqen zyrtare online të vendeve të lira të punës jo vetëm në sektorin privat, por edhe në atë publik, çka më herët realizohej përmes faqeve të institucioneve përkatëse ose Departamentit të Administratës Publike (DPA).
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua mënyra e organizimit dhe funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.
Në mbështetje të ligjit “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi që AKPA të jetë agjencia që mbledh dhe administron informacionin mbi vendet e lira të punës të shpallura nga punëdhënësit e sektorit publik dhe privat.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
Më herët, lidhur me këtë vendim, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi se nga 1 janari Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive do të funksionojë si portali i vetëm unik ku do të shpallen të gjitha vendet e lira të punës në administratën publike.
Ky sistem nuk do të shërbejë vetëm për shërbimin civil, por do të përfshijë të gjitha strukturat dhe institucionet shtetërore.
“Ky hap do të rrisë transparencën dhe aksesin e barabartë në administratën publike, duke e bërë më të thjeshtë për të rinjtë dhe për të gjithë qytetarët të aplikojnë për vendet e punës që u takojnë”, u shpreh Ibrahimaj, gjatë një takimi me të rinjtë e punësuar nga programet e nxitjes së punësimit.
/e.i/a.f/r.e/
The post Njoftimet për punësim në administratën publike do të shpallen edhe në AKPA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
