PEKIN – Kanadaja dhe Kina ulin tarifat mes përpjekjeve për të rivendosur marrëdhëniet e tensionuara
PEKIN, 16 janar /ATSH-DPA/- Kanadaja do të ulë tarifat për automjetet elektrike kineze në këmbim të uljes së taksave nga Kina ndaj produkteve bujqësore kanadeze, tha sot kryeministri Mark Carney, në Pekin.
Njoftimi erdhi ndërsa Carney zhvilloi vizitën e parë si kryeministër i Kanadasë në Kinë në tetë vjet, me të dyja palët që kërkojnë të rivendosin marrëdhëniet e tendosura mes tensioneve destabilizuese tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kanadaja do të lejojë deri në 49,000 automjete elektrike kineze në tregun e saj sipas një tarife preferenciale prej 6,1%, shumë më poshtë se taksa 100% e vendosur në vitin 2024 në bashkëpunim me Uashingtonin”, tha Carney në një deklaratë.
Në këmbim, Kina do të ulë tarifat për farën kanadeze “kanola” në rreth 15% nga 85% deri më 1 mars.
Për më tepër, karavidhet, gaforret dhe bizelet nuk do t’i nënshtrohen tarifave anti-diskriminim.
“Ne duhet të kuptojmë ndryshimet midis Kanadasë dhe vendeve të tjera dhe të përqendrojmë përpjekjet tona në bashkëpunim aty ku jemi të njësuar”, tha Carney.
Kina është vendi i dytë më i madh i eksportit të Kanadasë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa masat e njoftuara sot janë të kufizuara në fushëveprim, ato mund të shënojnë një pikë kthese në marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa Carney pranon se lidhjet Kanada-Kinë kanë qenë të largëta dhe të pasigurta.
Marrëdhëniet kanë qenë të ftohta që nga arrestimi i drejtueses ekzekutive të “Huawei”, Meng Wanzhou, në Kanada në vitin 2018 – i kryer me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kina reagoi në atë kohë duke arrestuar dy shtetas kanadezë.
Që nga rikthimi në detyrë i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Kanadaja është përballur me presion të ri nga Uashingtoni.
Trump ka tërhequr jo vetëm Kinën, por edhe Kanadanë fqinje në mosmarrëveshje tregtare, një faktor kyç i afrimit te Pekinit me Otavën. //a.i/
The post PEKIN – Kanadaja dhe Kina ulin tarifat mes përpjekjeve për të rivendosur marrëdhëniet e tensionuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
